Berisha me aleatët: Narkoshteti është kthyer në rrezik për Europën
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Shqipëria është kthyer sot në një rrezik për Europën për shkak të narkoshtetit që ka ndërtuar Kryeministri Edi Rama.
Në fjalën e tij gjatë Dëgjesës Publike me partitë opozitare, aktorë të shoqërisë civile, përfaqësues të sindikatave, organizatave, medias dhe intelektualë publikë, Berisha shtoi se vendi ynë po renditet sot krah Kolumbisë sa i përket trafikut të drogës.
“Sot Shqipëria, vendi ynë i dashur, vlerësohet si një rrezik, si një narkoshtet, rrezik për Europën. Ky narkoshtet u krijua nga qeveria aktuale dhe Edi Rama për qëllimet më ogurzeza ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ju rikujtoni këtu vitin e zi 2015, kur Shqipëria u mboll nga Pogoni e Kakavija gjer në kufi me Plavë e Guci me mijëra plantacione kanabisi. Se si propaganda qeveritare u servirte shqiptarëve kanabisin si një drejtim i ri zhvillimi, pasurimi. Politikë kjo që u kundërshtua- e vërteta është- nga njerëz të përgjegjshëm në atë qeveri, konkretisht ish-zëvendëskryeministri. Paralajmëroi Edi Ramën se ky është shkatërrim i ekonomisë, kurse ai insistoi se kjo është para, dhe paraja është e dobishme. Asnjë vend, asnjë komb tjetër ndoshta në Europë, se në Amerikën Latine e kanë provuar, nuk kanë provuar si shqiptarët se sa toksike është paraja e drogës, paraja e karteleve”, tha Berisha.
“Se sa shkatërrimtare është për ligjin, për demokracinë, për jetën, për ekonominë e një vendi kjo para. Dhe sot ne përfundojmë një vend aleat i NATO-s, rrezik për Europën. Duhet të njohim një meritë historike presidentit Donald Trump që shpalli kartelet e drogës organizata terroriste. Sepse në fakt për fuqinë e tyre shkatërrimtare, ato krahasohen dhe tejkalojnë organizatat më të fuqishme terroriste. Në këtë kuadër të karteleve organizata terroriste, Shqipëria mund të renditet e dyta pas Venezuelës ose krahas Kolumbisë. Shqipëria zyrtare është sot koka e karteleve më të fuqishme të drogës në Europë për dy arsye. Së pari, sipas OKB, Shqipëria është eksportuesi kryesor i kanabisit në BE. Së dyti, zhvillimet e këtyre dy viteve të fundit kanë faktuar në mënyrë të pakundërshtueshme se trafikantët shqiptarë, kartelet shqiptare të kokainës përcaktojnë çmimin e këtij helmi në Europë. Dhe çmimin e përcakton ai që sjell më shumë. Ai që është aksionari më i madh. Dhe aksionari më i madh janë bashkëpunëtorët e Edi Ramës, Franc Çopja dhe grupe të tjera që ne as i dimë. Por unë vetëm një të dhënë do u jap ju.
Në Paraguaj, një trafikant i quajtur Diego Benitez, i cili disponon në vit 350 ton kokainë, bashkëpunon me 41 klane shqiptare. Ju garantoj se po kaq famëzi sa ç’janë në Europë klanet shqiptare të drogës me mbështetje nga qeveria, edhe në SHBA, edhe në Australi, edhe në Azi dhe vende të tjera. Koha do e provojë këtë. Ata janë bërë sot transportuesit kryesorë të kokainës, miliarderët më të shumtë të kokainës”.