Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 27 December 2025Opinion.al

Zbulohet se mumia Ötzi ishte e infektuar me papilloma virus

By: e xh
27 December 2025 at 22:24

Një studim i ri shkencor ka zbuluar se Ötzi, njeriu i akullit që jetoi më shumë se 5 mijë vjet më parë në Alpe në kufirin midis Italisë dhe Austrisë, ishte i infektuar edhe me papillomavirusin njerëzor (HPV), konkretisht me tipin HPV16, një prej varianteve që sot lidhet me tumore gjenitale dhe të fytit.

Përveç vuajtjes nga frakturat e kockave, parazitët e zorrëve, prishja e dhëmbëve, kolesteroli i lartë dhe intoleranca ndaj laktozës, kjo është e fundit që i shtohet listës së tij të problemeve shëndetësore.

Gjurmë gjenetike të virusit janë identifikuar në ADN-në e nxjerrë nga mumia e Ötzit, por edhe nga mbetjet e një individi tjetër të njohur si Ust-Ishim, një Homo sapiens që ka jetuar rreth 45 mijë vjet më parë në Siberinë Perëndimore. Zbulimi tregon se ky virus ka bashkëjetuar me njeriun që në kohë shumë të lashta.

Studimi është kryer nga biologë të Universitetit Federal të San Paolos në Brazil dhe është publikuar në platformën shkencore bioRxiv, ndërsa ende nuk ka kaluar procesin e rishikimit shkencor. Sipas autorëve, gjetjet mund të ndihmojnë në rishkrimin e historisë evolutive të HPV-së.

Sipas bioinformaticienes Juliana Yazigi, autores kryesore të studimit, kjo është prova më e vjetër e njohur e pranisë së HPV-së tek njeriu. Studiuesit sugjerojnë se ky variant i HPV-së duhet të ketë qarkulluar në speciet tona për një kohë të gjatë, saqë ka më shumë të ngjarë që speciet tona t’ua kenë transmetuar HPV16 Neandertalëve sesa anasjelltas.

Gjenetistë të tjerë e kanë cilësuar zbulimin si shumë domethënës, duke theksuar se njerëzit kanë qenë të infektuar nga këto viruse gjatë gjithë historisë së tyre.

Zelensky përpara takimit me Trump: Këto janë vijat tona të kuqe

By: e xh
27 December 2025 at 21:26

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, përpara takimit të tij të planifikuar me presidentin e SHBA-së Donald Trump, tha se Kievi nuk do të njohë asnjë lëshim territorial apo kontroll rus mbi Centralin Bërthamor të Zaporizhzhya (ZNPP).

Duke folur gjatë një konference për shtyp online, Zelensky tha gjithashtu se do të vizitojë Kanadanë gjatë rrugës për në SHBA .

“Aktualisht jemi në një aeroplan për në Florida, SHBA. Gjatë rrugës, do të ndalojmë në Kanada”, tha Zelensky.

Lideri ukrainas konfirmoi një takim me kryeministrin kanadez Mark Carney.

“Unë dhe ai planifikojmë të komunikojmë në internet me udhëheqësit evropianë, të diskutojmë të gjitha çështjet, të ndajmë detajet e dokumenteve që do të shqyrtojë me presidentin e SHBA-së dhe të ngremë të gjitha çështjet e ndjeshme”, shtoi ai.

Duke komentuar takimin e planifikuar në Florida, Zelensky sqaroi se ka të ngjarë të zhvillohet me praninë e mediave.

Ndërsa tha se ende nuk e di nëse qasja e mediave do të jetë në fillim apo në fund të takimit, ai konfirmoi se takimi do të jetë publik.

Zelensky shtoi se ekipi negociator i Ukrainës për takimin me Trumpin përfshin Sekretarin e Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, Rustem Umerov, Ministrin e Ekonomisë, Oleksiy Sobolev, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Andriy Hnatov, Këshilltarin e Zyrës Presidenciale, Oleksandr Bevz dhe Zëvendësministrin e Parë të Jashtëm, Serhiy Kyslytsia.

Sipas Zelenskyt, të dyja palët para së gjithash po punojnë për një plan për prosperitetin e ardhshëm të Ukrainës. Duke iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me “vijat e kuqe” të Ukrainës në negociata dhe kompromiset e mundshme, Zelensky theksoi se disa çështje janë të panegociueshme.

“Padyshim që ka vija të kuqe për popullin ukrainas sot… Këto përfshijnë territoret tona dhe Centralin Bërthamor të Zaporizhzhisë”, tha ai.

Ai shtoi se qeveria do të konsultohet me popullin ukrainas përpara se të marrë ndonjë vendim të rëndësishëm, duke deklaruar: “Populli i Ukrainës është ai kryesor.” Zelensky theksoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme evropiane për Ukrainën.

“Ne nuk kemi mjaftueshëm sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore dhe kjo është e qartë për të gjithë. Ata i kanë marrë të gjitha detajet nga ne. Nevojiten dërgesa sistematike të sistemeve dhe raketave – më shumë raketa – sepse Rusia po sulmon me një numër gjithnjë e në rritje të dronëve dhe raketave”, tha ai.

Salianji: Askush nuk mund të më përjashtojë nga PD

By: e xh
27 December 2025 at 20:42

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, zhvilloi një takim me demokratët në Shkodër, nga ku bëri një koment edhe për “vetëpërjashtimin” e tij nga partia, duke iu referuar deklaratës së Flamur Nokës.

Ish-deputeti përmendi statutin e PD-së, teksa tha se nuk ka asnjë shans që të përjashtohet askush nga partia. Rrogëtarët dhe përfituesit në PD, theksoi ai, nuk iu vjen mirë dhe nxjerrin terma që nuk ekzistojnë. Sipas Saliajit, “nuk ka vetëpërjashtim, por vetëaktivizim dhe vetëpërballje”.

“Shqipëria nuk ndryshon dhe është e pamjaftueshme nëse PD nuk reflekton dhe ndryshon për të rrëzuar Edi Ramën. Shqipëria nuk ndryshon duke rikthyer politika dhe metoda të vjetra, figura të konsumuara dhe mentalitete që i kanë zhgënjyer qytetarët që shumë vite më përpara. E vjetra ka dështuar. Se ka folur shumë dhe ka vepruar pak. Është mbyllur në interesa të ngushta. Shikoni pak rastin e PD edhe në këtë pak rastin e PD në këtë moment.

PD ka një statut dhe nuk ka asnjë shans që të përjashtohet dot askush nga PD. Për shkak se zyrtarëve të PD, rrogëtarëve dhe përfituesve nuk iu vjen mirë që funkasionon që kanë ta mbajnë me punë por duan ta majnë me marifete dhe qyl shpikin terma që nuk ekzistojnë. Nuk ka vetëpërjashtim, ka vetëpërfshirje, vetëpërballje. Ne do t’ia dalim deri në fund që të ndryshojmë PD.”, u shpreh Salianji.

Ai shtoi se vetëm duke qenë e bashkuar dhe e përgjegjshme, opozita mund të jetë një alternativë për vendin.

“Politika është shërbim nuk është pronë. Se anëtarësia e PD dhe qytetarët nuk janë pronë, por aksionerë. Ne jemi këtu jo vetëm për PD por në betejë për shtetin e së drejtës. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për denoncim, por për alternativë. Kjo alternativë duhet të vijë nga një opozitë e bashkuar dhe e përgjegjshme. PD në këtë moment ka një përgjegjësi historike. Rotacioni është mënyra e vetme për të ndaluar kapjen e shtetit”, tha Salianji.

Ai shtoi se ky bashkëbisedim me demokratët është më shumë një përballje mes arrogancës dhe dinjitetit, të vjetrës e të resë. Ai theksoi se do të bëjnë të mundur ndryshimin në PD, duke shtuar se do të pasohet me “me një ndryshim të të gjithë Shqipërisë”.

“Duke pasur hapje reale, garë reale, respektuar meritën dhe rikthyer meritokracinë në çdo funksion të PD. duhet të marrin fund pazaret dhe emërimet nga lart duke mos pyetur anëtarësinë e PD. vetëm kështu PD dhe opozita bëhet alternativcë e besueshme. Vetëm kështu rotacioni politik fillon e bëhet i besueshëm te qytetarët shqiptarë.

Kjo nuk është vetëm bashkëbisedim e fushatë, por përballje morale mes arrogancës dhe dinjitetuit, mes frikës e guximit, mes të vjetrës që mban peng dhe të resë që lufton. Mes rrogtarëve që duan të ruajnë privilegjet dhe të sakrifikuarve që kanë lënë çdo privilegj për të mbajtur PD në këmbë. Koha e ndryshimit ka ardhur. Të gjithë ne bashkë po bëjmë të mundur një ndryshim të PD, që do të vijë në fund me një ndryshim të të gjithë Shqipërisë.”, shtoi ish deputeti.

Protestë e PD-së në Surrel

By: e xh
27 December 2025 at 20:17

Deputetët Klevis Balliu, Besart Xhaferri, Elda Hoti dhe anëtarët e FRPD kanë zhvilluar një protestë në Surrel. 

Me pishtarë në duar, në shenjë simbolike “flaka e shpresës do t’i vë zjarrin narkoshtetit”, ata bënë thirrje për dorëheqjen e Edi Ramës.

Balliu deklaron nga Surreli se nëse hajduti Edi Rama nuk jep dorëheqjen, qëndrestarët që dolën më 22 dhjetor në bulevard do të zhvendosen në Surrel.

“Edvin, ke shpërngulur 1.2 milionë shqiptarë nga vendi i tyre. Ke vjedhur paratë e qytetarëve bashkë me Ergys Agasin. Ia ke dorëzuar policinë krimit të organizuar dhe je përgjegjësi kryesor për cenimin e sigurisë së jetës së shqiptarëve, largimin e të rinjve dhe varfërimin e çdo familjeje shqiptare. Jep dorëheqjen dhe përballu me drejtësinë. Në të kundërt, shqiptarët do të të çojnë vetë para drejtësisë”, tha Balliu.

Berisha: Ergys Agasi na del se ishte zëvendëskryeministër në hije

By: e xh
27 December 2025 at 20:05

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se “vjedhjet dhe shifrat e vjedhjeve të kësaj qeverie tejkalojnë çdo lloj imagjinate”.

“Ju më keni dëgjuar mua, sa herë kam lakuar emrin e Ergys Agasit. E çfarë del tani? Ai ishte zëvendëskryeministër në hije. Ishte zv/kryeministër në hije. Pse? Sepse atë përdorte Edi Rama për shumicën e krimeve të tij. AKSHI, ajo E-Albania, futet këshilltari, koordinatori i bandave me 15-vjeçar, me 1000 euro regjistron biznesin e EA Solution. Me 15-vjeçar, në arkën e tij, në kontot e, në konton e tij 232 milionë euro, pa asnjë shpenzim përveç rrogave të dy vetëve në sipërmarrje”, tha Berisha.

“232 milionë euro, pa importuar asnjë majë lapsi, pa shpenzuar as dhe një fletë format, vetëm duke paguar dy vetë në sipërmarrje dhe paratë tuaja, paratë tuaja nga kopshti privat i Edi Ramës, në kontot e tij. Dhe kjo është vetëm njëra anë.
Rrëmbime, pengmarrje, zhdukje njerëzish, që të gjitha, ju konfiskuan verën e Edi Ramës. Është e Edi Ramës ajo. E mori, mirë e bukur, nga shtëpia ku u konfiskua, nga magazina, nga që qilari, ku u konfiskua, e çoi në, është i filmuar, janë filmuar makinat që shkojnë drejt Lundrës sipër. Pra, a ka provokim më të madh ndaj nesh se ky? Jo, nuk ka. Ky është një provokim i jashtëzakonshëm. Dhe ne tani jemi në këmbë, jemi më të vendosur se kurrë”, shtoi Berisha.

Vlora prej 48 orësh pa ujë të pijshëm, defekt në linjën kryesore

By: e xh
27 December 2025 at 19:20

Prej 48 orësh qyteti dhe qytetarët e Vlorës janë pa ujë të pijshëm.

Si pasojë e një defekti të rëndë teknik në linjën kryesore të transmetimit, furnizimi me ujë në qytetin e Vlorës është ndërprerë prej 48 orësh për qytetarët e Vlorës.

Strukturat përgjegjëse janë angazhuar për riparimin e avarisë dhe rikthimin sa më të shpejtë të shërbimit për qytetarët.

Punimet në linjën kryesore të transmetimit me diametër 1000 mm kanë nisur që në momentin e parë të konstatimit të defektit dhe kanë vijuar pa ndalesë, përmes disa turneve pune.

Ekipet teknike vijojnë të jenë në terren, duke punuar me intensitet maksimal për përfundimin e riparimit dhe rikthimin gradual të furnizimit normal me ujë.

Menaxhimi i situatës po kryhet nga specialistë të kualifikuar, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, në bashkëpunim me Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë.

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Drejtori i Ujësjellës-Kanalizime Rajoni Vlorë, Ermal Murati, janë në terren duke ndjekur punimet.

Aktualisht po punohet me ritme të shpejta për të mundësuar zgjidhjen sa më të shpejtë të situatës. Shpresojmë që në orët e para të ditës së nesërme qytetarët e Vlorës të furnizohen me ujë të pijshëm.

Momenti i çarjes së tubacionit kryesor, si dhe banorët që mbushin ujë tek burimet e qytetit të Vlorës. Zjarrfikësit e Vlorës kanë furnizuar Spitalin e Vlorës me 30 mijë litra ujë me tre botë.

Tajlanda dhe Kamboxhia ndalojnë konfliktin e ashpër me armëpushimin e dytë

By: e xh
27 December 2025 at 18:59

Tajlanda dhe Kamboxhia i dhanë fund javëve të përplasjeve të ashpra kufitare të shtunën me një armëpushim të dytë në muajt e fundit, pas luftimeve më të rënda prej vitesh mes dy vendeve të Azisë Juglindore.

Armëpushimi po respektohej, tha një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Tajlandës, Surasant Kongsiri, për Reuters rreth dy orë pasi ai hyri në fuqi në mesditë.

“Deri tani nuk ka pasur raportime për të shtëna”, tha ai.

Ministria e Mbrojtjes Kombëtare e Kamboxhias nuk raportoi për asnjë përplasje pas asaj që tha se ishte një sulm ajror tajlandez herët të shtunën, përpara njoftimit të armëpushimit.

Marrëveshja, e nënshkruar nga ministri tajlandez i Mbrojtjes, Natthaphon Narkphanit, dhe homologu i tij kamboxhian, Tea Seiha, i dha fund 20 ditëve luftime që vranë të paktën 101 persona dhe zhvendosën më shumë se gjysmë milioni njerëz në të dy anët, duke përfshirë fluturime të avionëve luftarakë, shkëmbime zjarri me raketa dhe breshëri artilerie.

Përplasjet u rindezën në fillim të këtij muaji pas dështimit të një armëpushimi që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri i Malajzisë, Anwar Ibrahim, kishin ndihmuar të ndërmjetësonin për ta ndalur një rund të mëparshëm luftimesh.

Diplomati kryesor i Kamboxhias, Prak Sokhonn, dhe homologu i tij tajlandez, Sihasak Phuangketkeow, do të takohen me ministrin e Jashtëm kinez, Wang Yi, në provincën Yunnan të Kinës të dielën dhe të hënën për të diskutuar situatën kufitare, sipas një deklarate nga Ministria e Jashtme e Kamboxhias dhe një zyrtari tajlandez.

Për më shumë se një shekull, Tajlanda dhe Kamboxhia kanë kundërshtuar sovranitetin në pika të ndryshme të pademarkuara përgjatë kufirit të tyre tokësor prej 817 kilometrave – një mosmarrëveshje që herë pas here ka shpërthyer në përleshje dhe luftime.

Armëpushimi i ri do të monitorohet nga një ekip vëzhguesish nga blloku i Shoqatës së Kombeve të Azisë Juglindore (ASEAN), si dhe përmes koordinimit të drejtpërdrejtë mes të dy vendeve, tha Natthaphon.

Tensionet mes dy fqinjëve arritën kulmin në korrik, kur ata u përplasën për pesë ditë përgjatë disa pjesëve të kufirit, duke lënë të paktën 48 të vdekur dhe 300.000 të zhvendosur përpara se Trump të ndërhynte për të sjellë një armëpushim.

Ai armëpushim u prish në fillim të dhjetorit, me secilën palë që akuzonte tjetrën për veprime që çuan në përplasje. Anwar, aktualisht kryetar i ASEAN-it, dhe Trump nuk kishin arritur të ndërtonin një armëpushim tjetër, ndërsa luftimet u përhapën nga rajonet pyjore pranë Laosit drejt provincave bregdetare në Gjirin e Tajlandës.

Armëpushimi i rinovuar erdhi pas një takimi të posaçëm të hënën të ministrave të jashtëm të ASEAN-it në Kuala Lumpur, i ndjekur nga tri ditë bisedimesh mes palëve ndërluftuese në një pikë kufitare, ku dy ministrat e mbrojtjes u takuan të shtunën.

Ata ranë dakord për kthimin e njerëzve të zhvendosur nga zonat kufitare të prekura, duke theksuar se asnjëra palë nuk do të përdorë forcë kundër civilëve.

Tajlanda do të kthejë gjithashtu 18 ushtarë kamboxhianë që mban në paraburgim që nga përplasjet e korrikut, nëse armëpushimi respektohet plotësisht për 72 orë, sipas marrëveshjes.

Megjithatë, pakti i së shtunës nuk do të ndikojë në asnjë aktivitet demarkacioni kufitar që po zhvillohet mes dy vendeve, duke lënë detyrën e zgjidhjes së zonave të kontestuara përgjatë kufirit në mekanizmat ekzistues dypalësh./ REL

Goditet celula e Hamasit në Itali, sekuestrohen 8 milionë euro

By: e xh
27 December 2025 at 18:32

Autoritetet italiane kanë kryer një operacion të madh të koordinuar nga Drejtoria e Qarkut Antimafia e Gjenovës kundër një qelize të dyshuar terroriste të lidhur me Hamasin.

Policia e Shtetit dhe Guardia di Finanza zbatuan masa paraprake kundër nëntë të dyshuarve, të cilët të gjithë do të liheshin në paraburgim, dhe urdhëruan sekuestrimin e aseteve me vlerë më shumë se tetë milionë euro.

Hetuesit i akuzojnë të dyshuarit se janë pjesë e organizatës Hamas dhe e financojnë atë në mënyrë aktive.

Sipas hetimit, fondet e mbledhura nuk ishin menduar kryesisht për qëllime humanitare, por u përdorën për të mbështetur aktivitetet kriminale të lëvizjes, duke përfshirë sulmet kundër civilëve. Rreth shtatë milionë euro u dërguan në Gaza dhe në Territoret Palestineze për të përforcuar strategjinë e armatosur të grupit.

Në qendër të skemës janë disa shoqata, përfshirë Shoqatën Përfituese të Solidaritetit me Popullin Palestinez (ABSPP), me seli në Gjenova. Mohammad Hannoun, i treguar si figura kryesore e celulës italiane, thuhet se ka menaxhuar mbledhjen e fondeve duke devijuar mbi 71% të donacioneve.

Për t’iu shmangur kontrolleve bankare ndërkombëtare, të dyshuarit dyshohet se krijuan akronime të reja, të tilla si shoqata “Kupola e Artë”.

Ndryshe, hetimi, i cili filloi pas sulmit të 7 tetorit 2023, përfitoi nga bashkëpunimi me autoritetet e Holandës dhe Izraelit, duke lejuar monitorimin e flukseve financiare dhe përgjimin e komunikimeve.

Ndër përfituesit e drejtpërdrejtë të fondeve ishin figura të shquara si Osama Alisawi, ish-ministër i qeverisë së Hamasit në Gaza.

Paratë u përdorën gjithashtu për të mbështetur familjet e terroristëve të përfshirë në sulme vetëvrasëse, duke garantuar kështu vazhdimësinë logjistike dhe ideologjike të strukturës kriminale.

Ukrainë/ Nisin hetime për një skemë blerjeje votash nga deputetët

By: e xh
27 December 2025 at 16:29

Agjencitë kryesore kundër korrupsionit në Ukrainë thanë se po hetojnë akuza për blerje votash nga anëtarë të parlamentit dhe se shërbimet e sigurisë po pengonin përpjekjet për të kryer kontrolle.

Hetimi, i lajmëruar më 27 dhjetor, ishte më i fundit në një seri hetimesh nga dy agjencitë, Zyra e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit e Ukrainës, që kanë tronditur politikën e brendshme në Ukrainë.

Zyra e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit e njohur si SAPO tha se hetuesit e saj kishin identifikuar me dyshim “një grup kriminal të organizuar” që përfshinte deputetë aktualë në Verhovna Rada, parlamentin ukrainas.

Anëtarët e grupit, sipas SAPO-s, kanë marrë përfitime të paligjshme në këmbim të votave të tyre në parlament.

Por, detaje të mëtejshme mbi këto akuza nuk janë bërë publike.

Ndërkohë, Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit, e njohur si NABU, tha se hetuesit e saj po pengoheshin teksa tentonin të hynin në ndërtesat administrative të përdorura nga deputetët.

Agjencia e ngarkuar me sigurimin e deputetëve, Shërbimi Shtetëror i Mbrojtjes, i mohoi akuzat, duke i thënë shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se rojet thjesht po verifikonin identitetin e hetuesve.

“Fakti është se punonjësit e NABU-s po përpiqen të sjellin persona të panjohur ose të pakuptueshëm në territorin e regjimit, në territorin e institucionit shtetëror”, tha zëdhënësi i shërbimit, Oleksiy Morozov.

Të themeluara në vitin 2015 si pjesë e reformave gjithëpërfshirëse që synonin çrrënjosjen e korrupsionit të rrënjosur prej kohësh, të dyja agjencitë kanë ndërtuar reputacion për kryerjen e hetimeve politikisht të ndjeshme, si dhe për luftën për të ruajtur pavarësinë e tyre nga entitete të tjera të zbatimit të ligjit.

Një hetim mbi ryshfete në sektorin e energjisë, përfshirë financimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore për infrastrukturën e rrjetit elektrik, doli në pah publikisht muajin e kaluar, kur zyrtarët kundër korrupsionit bastisën zyra në Kiev.

Ky hetim, i cili është ende në proces e sipër, çoi përfundimisht në shkarkimin nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, të Andriy Yermak, shefit të tij të kabinetit prej kohësh dhe një figure kyçe ndërmjetëse në negociatat e paqes me Shtetet e Bashkuara. Shkarkimi i Yermakut erdhi në një moment të vështirë për Zelenskyyn. Akuzat i kanë njollosur reputacionin e tij brenda vendit dhe kanë shtuar presionin për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, diçka që presidenti ukrainas e ka kundërshtuar për shkak të ligjit ushtarak dhe luftës së gjithanshme të Rusisë kundër Ukrainës./REL

Lind foshnja e parë në botë me ADN e tre personave

By: e xh
27 December 2025 at 15:33

Shkencëtarët britanikë kanë kombinuar me sukses ADN-në e tre personave të ndryshëm – një baba, një nënë dhe një donator – për të krijuar foshnje krejtësisht të shëndetshme, të paprekura nga sëmundjet gjenetikisht të trashëguara, sipas BBC.

Kjo teknikë inovative, e njohur si “Transferimi Pronuklear”, nuk është vetëm një progres në mjekësinë riprodhuese, por një hap revolucionar në gjenetikë, duke ofruar shpresë të re për prindërit që mbartin sëmundje vdekjeprurëse mitokondriale.

Në këtë metodë, bërthama e një veze të fekonduar nga prindërit transferohet në vezën e një donatori – një vezë që i është hequr bërthama e vet, por ruan mitokondritë e shëndetshme.

Rezultati është një embrion që mbart identitetin gjenetik të prindërve, por funksionon me “bateritë qelizore” (mitokondritë) e shëndetshme të një personi të tretë.

Është si të zëvendësosh të gjithë rrjetin elektrik të një qyteti pa ndryshuar arkitekturën e tij, duke siguruar që nuk do të ketë kurrë ndërprerje të energjisë – në këtë rast, fillimin e një sëmundjeje gjenetike.

Rezultati? Tetë foshnje të lindura pa asnjë gjurmë të çrregullimeve mitokondriale në testet dhe ekzaminimet mjekësore.

Kjo është një arritje revolucionare jo vetëm shkencërisht, por edhe etikisht dhe shoqërisht, pasi shënon herën e parë që njerëzimi mund ta ndalojë në mënyrë efektive dhe të përhershme transmetimin e disa sëmundjeve vdekjeprurëse.

Kjo teknologji nuk shpëton vetëm një brez – ajo mbron shëndetin e brezave që do të vijnë, duke e bërë atë një nga momentet e rralla kur shkenca vërtet ia kalon vetë kohës.

Përplasi për vdekje 69-vjeçarin me biçikletë, arrestohet 29-vjeçarja në Durrës

By: e xh
27 December 2025 at 14:56

Policia e Durrësit ka vënë në pranga një 29 vjeçare, e cila duke drejtuar automjetin e saj ka përplasur një 69-vjeçar që udhëtonte me biçikletë, i cili humbi jetën në spital. Policia njofton se aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor Katund Sukth–Fllakë.

“Shërbimet e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë Xh. Ç., 29 vjeçe, banuese në Durrës, pasi, duke drejtuar automjetin në aksin rrugor Katund Sukth–Fllakë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin  e automjetit dhe për pasojë, automjeti ka përplasur një biçikletë me drejtues shtetasin R. B., 69 vjeç, i cili ka humbur jetën në spital”.

Shkel urdhrin e mbrojtjes dhe kërcënon me jetë të atin, arrestohet 34-vjeçari

By: e xh
27 December 2025 at 14:20

Policia e Gramshit ka arrestuar një 34-vjeçar, pasi ka shkelur urdhrin e mbrojtjes të vendosur ndaj tij.

Sipas Policisë, 34-vjeçari është futur në banesën e babait të tij, në kundërshtim me vendimin e gjykatës, ku ka ushtruar dhunë psikologjike dhe e ka kërcënuar atë me jetë.

Pas denoncimit, shërbimet e Policisë ndërhynë menjëherë, duke bërë të mundur arrestimin e tij në flagrancë.

Përfshihen nga flakët disa autobusë të braktisur në Durrës

By: e xh
27 December 2025 at 14:14

Disa autobusë të braktisur janë përfshirë nga flakët në Sektorin Rinia në Durrës.

Ende nuk dihet shkaku i zjarrit masiv që ka përfshirë disa prej autobusëve.

Nuk është e qartë nëse kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshëm apo aksidentale.

Unaza e Elbasanit “paralizohet” nga trafiku

By: e xh
27 December 2025 at 12:02

Trafiku në Unazën e Elbasanit nuk është diçka e rrallë tashmë.

Radhë mjetesh disa kilometra jemi mësuar t’i shohim çdo fundjavë teksa qytetarët u drejtohen zonave turistike, kryesisht juglindjes për të pushuar.

Ndërsa në prag të festave Elbasani është thuajse i pakalueshëm në te gjitha hyrjet e daljet e tij.

Kthimi i emigrantëve, lëvizjet për festa, por edhe shtimi i numri të mjeteve e bëjnë situatën kaotike.

Në mungesë të rrugëve të përshtatshme për të përballuar fluksin e mjeteve, mungesa e ByPassit në rastin e Elbasanit, mungesa e rrugëve dytësore për fshatrat bëjnë që gjithnjë e më shumë qytetet të jenë në vështirësi lëvizje.

Në rast se emigrantët do të ktheheshin të gjithë në një ditë Shqipëria, me rrugët ekzistuese, do të ishte e pakalueshme.

Në unazën jugore të Elbasanit duhet të koordinohen disa mjetet e dhjetëra fshatrave, mjetet qe kanë drejtim Cërrikun dhe Gramshin, si dhe i gjithë fluksi i mjeteve që mban aksi nacional Elbasan Qafë Qanë.

Vetëm ky i fundit është përllogaritur të ketë mbi 15 mijë mjete çdo ditë pasi është një aks që lidh juglindjen e vendit me kryeqytetin dhe portin e Durrësit dhe pikat doganore të Qafe Thanës dhe Kapshticës.

Teksa është vetëm në projekt nevoja për një zgjidhje për bypass e Elbasanit është urgjente.

Goditi me thikë 3 gra në metronë e Parisit, arrestohet sulmuesi

By: e xh
27 December 2025 at 09:43

Policia franceze ka arrestuar një 25-vjeçar që goditi me thikë tre gra në metronë e Parisit pasditen e së premtes, më 26 dhjetor. Hetuesit aktualisht po përjashtojnë terrorizmin. Sulmuesi, sipas raportimeve të medias franceze, besohet të jetë “mendërisht i paqëndrueshëm”. Ai iku menjëherë pas sulmeve dhe u arrestua në shtëpinë e tij në Sarcelles, në veri të kryeqytetit francez.

I dyshuari me origjinë afrikane, fillimisht sulmoi një grua me thikë në stacionin République, pastaj vazhdoi drejt stacioneve Arts et Métiers dhe Opera. Më pas ai iku përgjatë linjës 8 përpara se të arrestohej disa orë më vonë. Ai  u gjurmua falë pamjeve të kamerave të mbikëqyrjes dhe telefonit të tij celular.

Jeta e viktimave nuk është në rrezik dhe lëndimet e tyre janë sipërfaqësore. Një grua u godit në këmbë dhe një tjetër në shpinë.

Media britanike: Shqipëria kryeson mes destinacioneve më të mira për pushime

By: e xh
27 December 2025 at 09:41

Një udhëtim me anije prej 600 miljesh në Nil, një vizitë në Shqipëri apo një turne rreth pamjeve romake të Britanisë së Madhe ishin ndër destinacionet më të mira për pushime sipas ekspertëve të turizmit, shkruan Kate Pasola në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Which?”.

Secila nga këto vende u vlerësua si më e mira në ofrimin e çdo lloj pushimi, nga turnetë me shoqërues deri te pushimet në plazh. Mund të jeni të sigurt se ato ofrojnë pushime të shkëlqyera!

Ekspertët rekomanduan destinacione – ku turistët mund të eksplorojnë jetën e egër, vijën bregdetare, vendet historike dhe kulturore – si dhe alternativa që ishin më shumë një frymëzim për udhëtime autentike në vitin 2026.

Shqipëria

E konsideruar nga ekspertët e turizmit si destinacioni më mahnitës për pushime në plazh me çmime të përballueshme, Shqipëria ofron shumë më tepër sesa thjesht një udhëtim në Mesdhe.

Ju mund të eksploroni gjithçka, nga fshatrat e listuara në UNESCO me arkitekturën magjepsëse të epokës osmane deri te vendet piktoreske përgjatë Rivierës Shqiptare.

Turistët do të kenë mundësinë të bëjnë një xhiro me anije rreth gadishullit, të vizitojnë kështjella dhe zonat ku prodhohet vera vendase.

Shqipëria ka disa nga vreshtat më të vjetra në botë.

“One Traveller”, operatori turistik britanik, e ka përshkruar Shqipërinë si një zgjedhje të shkëlqyer për pushime solo në zemër të Evropës.

Udhëtimi për shtatë netë në Shqipëri kushton 2,510 euro për person.

Çmimi përfshin fluturimet, akomodimin, shumicën e vakteve, pijeve dhe turet.

Nëse planifikoni të vizitoni Shqipërinë, “One Traveller” rekomandon muajt maj, qershor, shtator dhe tetor.

Media britanike “Which?”, duke ndjekur sugjerimet e ekspertëve të turizmit, ka renditur destinacionet më të mira për udhëtime autentike në vitin 2026:

Shqipëria
Austria
Japonia
Anglia Veriore
Vietnami&Kamboxhia
Egjipti
India
Kosta Rika.

Trump: Fjalën e fundit për paqe në Ukrainë e them unë

By: e xh
27 December 2025 at 09:39

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ai do të jetë personi që do të japë fjalën e fundit për një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës. Në një intervistë me Politico, Trump tha se, pavarësisht çdo gjëje që Zelensky propozon kur të takohen në Mar-a-Lago të dielën, presidenti ukrainas “nuk ka asgjë derisa Trump ta miratojë”.

“Kështu që do të shohim se çfarë ka”, tha Trump.

Zelensky tha se plani i tij i ri prej 20 pikash për paqen përfshin një zonë të demilitarizuar të propozuar me një kusht kyç: Rusia do të duhet të tërheqë forcat e saj nga një shtrirje përkatëse toke në Donetsk.

Zyrtarët ukrainas e kanë përshkruar planin si “një përpjekje për të treguar fleksibilitet pa lëshuar territor.

Trump dukej optimist për takimin me Zelenskyn, duke thënë: “Mendoj se do të shkojë mirë me të. Mendoj se do të shkojë mirë me Vladimir Putinin.”

Trump shtoi se “do të flasë me udhëheqësin e Rusisë së shpejti”.

Takimi i së dielës pritet të përqendrohet në garancitë e sigurisë, menaxhimin e centralit bërthamor Zaporizhzhia, plus kontrollin territorial të Donbasit, të cilin Moska e ka pretenduar.

Before yesterdayOpinion.al

Mesazhi nga Uashingtoni: Mbështetja amerikane për Kosovën mbetet e palëkundur

By: e xh
26 December 2025 at 19:08

Dy kongresistë amerikanë, një republikan dhe një demokrat, kanë riafirmuar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën vazhdon të jetë e fortë dhe dypartiake në Kongresin amerikan.

Këtë ata e kanë shprehur në letra të ndara drejtuar kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti.

Kongresisti republikan, Mike Lawler, në një letër të publikuar të premten nga Qeveria në detyrë, thekson se veprimet e fundit legjislative në SHBA-të tregojnë qartë përkushtimin afatgjatë të Amerikës ndaj Kosovës.

Ai përmend miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, i cili, sipas tij, nënvizon mbështetjen e SHBA-së për të ardhmen euro-atlantike të Kosovës.

Sipas Lawlerit, këto nisma janë thelbësore për garantimin e stabilitetit afatgjatë, forcimin e sigurisë dhe sundimin e ligjit në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Edhe kongresisti demokrat, George Latimer, ka rikonfirmuar në letrën e tij “mbështetjen e fortë” të SHBA-së për Kosovën.

Ai thekson se, sipas Ligjit për Autorizimin e Sigurisë Kombëtare, të miratuar së fundmi, Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Po ashtu, Latimer vë në dukje se SHBA-të mbështetën përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se një proces i tillë do të kontribuonte ndjeshëm në rritjen e sigurisë dhe forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Të dy kongresistët i referohen Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, i cili u nënshkrua në ligj javën e kaluar nga presidenti Donald Trump.

Në këtë akt, Kosovës dhe Serbisë u kërkohet gjithashtu që të zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në vitin 2023.

Letrat u dërguan pas një takimi që Lawler dhe Latimer patën me Kurtin gjatë vizitës së tij në Uashington, në shtator.

Këto deklarata vijnë në një periudhë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara u përballën me tensione gjatë vitit 2025.

Këto u shkaktuan kryesisht nga vendimet e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në veriun e vendit, të banuar kryesisht nga serbë, pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare.

Si pasojë e këtyre veprimeve, u pezullua pa afat dialogu strategjik i planifikuar mes Kosovës dhe SHBA-ve.

Kryeministri Kurti i ka arsyetuar këto vendime si veprime në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Së fundmi, ai ka deklaruar se marrëdhëniet me SHBA-të janë “shumë të mira” dhe se mospajtimet kanë qenë gjithmonë të lidhura me çështje që kanë të bëjnë me Serbinë dhe strukturat e saj, e jo me marrëdhëniet dypalëshe.

Më 11 dhjetor, Kurti ka theksuar se raportet mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit zhvillon me shumë vende të botës, me synim forcimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky dialog përfshin takime të nivelit të lartë, të mbajtura në Uashington ose në vendin përkatës, ku diskutohen tema si mbrojtja, siguria, ekonomia, energjia dhe mjedisi.

Kurti po synon një mandat të tretë në krye të Qeverisë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë (REL) se pas zgjedhjeve synon të bashkëpunojë ngushtë me qeverinë e re për të avancuar prioritetet e përbashkëta.

Një zëdhënës i Ambasadës ka shprehur shpresën se partneriteti mes dy vendeve do të thellohet, përfshirë edhe rinisjen e dialogut strategjik.

Shtetet e Bashkuara kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë ndihmë për Kosovën që nga viti 1998, ndërsa udhëheqësit kosovarë kanë theksuar vazhdimisht se SHBA-të mbeten partneri më i rëndësishëm strategjik i vendit./REL

Greqi, shpëtohen 52 emigrantë në Egje

By: e xh
26 December 2025 at 18:38

Autoritetet greke kanë shpëtuar gjithsej 52 emigrantë në dy operacione të ndryshme në detin Egjé, ndërsa kërkimet vazhdojnë për gjetjen e një djali të huaj të zhdukur pranë ishullit Farmakonissi.

Kërkimet po zhvillohen në ishullin Farmakonissi dhe në zonën detare përreth tij, pas shpëtimit të 13 shtetasve të huaj në ishull.

Farmakonissi ndodhet në lindje të ishujve Patmos dhe Lipsi. Operacionet po koordinohen nga Qendra e Përbashkët e Koordinimit të Kërkim-Shpëtimit, me ndihmën e dy mjeteve të Rojës Bregdetare dhe një helikopteri të Forcave Ajrore.

Ndërkohë, e njëjta qendër koordinoi edhe shpëtimin e 39 shtetasve të huaj që ndodheshin në një mjet lundrues, 44 milje detare në jug të Kali Limenes, në brigjet jugore të Kretës.

Operacioni u krye nga një anije e Rojës Bregdetare dhe emigrantët u transportuan në portin e Kali Limenes. Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje shtesë për identitetin e djalit të zhdukur, ndërsa kërkimet vijojnë.

Korea e Jugut kërkon 10 vite burg për Ish-presidentin Yoon Suk-Yeol, akuzat ndaj tij

By: e xh
26 December 2025 at 17:35

Prokurori special i Koresë së Jugut ka kërkuar një dënim me 10 vite burg për ish-presidentin  Yoon Suk-Yeol.

Ai akuzohet për përpjekje për të penguar arrestimin e tij pas tentativës së dështuar për të vendosur ligjin ushtarak, raporton agjencia Yonhap.

Sipas prokurorëve, presidenti i shkarkuar dyshohet se u përpoq të bllokonte hetuesit që synonin arrestimin e tij në muajin janar, duke u mbyllur brenda Pallatit Presidencial.

Kjo është hera e parë që prokurorët specialë kërkojnë një dënim me burg për Jun Suk-Jeol, në kuadër të akuzave të shumta me të cilat ai përballet.

❌
❌