Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Opinion.al

Ambasadori holandez takim me kreun e SPAK: Rikonfirmojmë mbështetjen

By: e xh
15 January 2026 at 15:54

Ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, ka zhvilluar takimin e parë zyrtar me drejtuesin e ri të SPAK, Klodjan Braho.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se ambasadori Vos mbërriti që në orët e paradites në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, ku u zhvillua takimi me kreun e SPAK.

Në një reagim zyrtar, Ambasada e Holandës në Tiranë bëri të ditur se vizita ishte një takim mirësjelljeje për të përgëzuar Klodjan Brahon për emërimin e tij dhe për arritjet e deritanishme të institucionit.

“Përmes projekteve tona MATRA dhe bashkëpunimit të fortë dypalësh, riafirmojmë mbështetjen tonë për SPAK-un dhe për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri”, thuhet në njoftimin e ambasadës.

SHBA-të kanë filluar zyrtarisht shitjen e naftës së Venezuelës

By: e xh
15 January 2026 at 15:43

Shtetet e Bashkuara kanë përfunduar shitjen e parë të naftës venezuelase, me vlerë 500 milionë dollarë, sipas një zyrtari të administratës.

Shitje të tjera të naftës priten në ditët dhe javët në vijim, shtoi zyrtari.

Në ditët që kur Shtetet e Bashkuara sulmuan Venezuelën dhe kapën presidentin e saj, Nicolás Maduro, në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan Donald Trump e ka bërë të qartë se planifikon të shfrytëzojë rezervat e mëdha të naftës së vendit.

Trump tha të premten se industria e naftës do të investojë të paktën 100 miliardë dollarë për të rindërtuar sektorin e energjisë të dëmtuar të Venezuelës – megjithëse nuk është e qartë se nga erdhi ky numër.

Planet e administratës për të përfituar nga nafta e Venezuelës, u pritën me skepticizëm nga drejtuesit e energjisë amerikane në Shtëpinë e Bardhë të premten.

“Është e painvesueshme,” u tha zyrtarëve CEO i ExxonMobil, Darren Woods, kur diskutuan pengesat për të bërë biznes në Venezuelë.

“Ekzistojnë një numër kornizash ligjore dhe tregtare që do të duhej të krijoheshin për të kuptuar edhe se çfarë lloj kthimesh do të merrnim nga investimi”, shtoi ai.

Disa drejtues të tjerë shprehën gjithashtu ngurrim për të bërë biznes në vendin e Amerikës Latine të sforcuar. Pas një takimi të gjatë në Shtëpinë e Bardhë të premten, Trump dhe ndihmësit e tij kryesorë kishin dalë pa ndonjë angazhim të madh nga kompanitë për të investuar miliarda dollarë në vend.

Detajet rreth shitjes së parë të naftës ishin të paqarta të mërkurën, por në një deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, tha se “ekipi i presidentit Trump po lehtëson diskutime pozitive dhe të vazhdueshme me kompanitë e naftës që janë të gatshme dhe të vullnetshme të bëjnë investime të papara për të rivendosur infrastrukturën e naftës së Venezuelës”. Të mërkurën, Reuters raportoi se nafta bruto e Venezuelës po ofrohej me një zbritje për tregtarët krahasuar me naftën konkurruese nga vende të tjera, të tilla si Kanadaja.

Rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, SPAK kërkon burg përjetë për Altin Hajrin

By: e xh
15 January 2026 at 15:39

SPAK ka shpallur pretencën për Altin Hajrin, i akuzuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në 2020.

Mwsohet se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar burg përjetë për Hajrin. Biznesmeni Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, ku dyshohet se është dërguar pas marrjes peng në Kamëz 49-vjeçari Jan Prenga, ndodhet aktualisht në arrati.

Besohet se shkak për eliminimin e Prengës janë bërë konfliktet për drogën që vëllai i Jan Prengës kishte në Angli me grupin kriminal që kishin lidhje edhe Hajrajt.

“Bllokada” e SHBA, çfarë janë vizat e emigrimit

By: e xh
15 January 2026 at 15:37

Vendimi i administratës Trump për të pezulluar përkohësisht vizat e emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, u kthye në kryefjalën e mediave në të dyja vendet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në SHBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit, dhe tani Departamenti i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parave publike.

Vendimi do të hyjë në fuqi më 21 janar. Por cfarë është saktësisht viza e emigrimit? Kjo vizë i mundëson një shtetasi të huaj hyrjen në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, ajo shihet si bileta që i krijon përfituesit mundësinë të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në SHBA, si mbajtës i “Green Card”.

Viza në fjalë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në SHBA, ndërkohë që nga rregullat e reja përjashtohen ata që vizitojnë përkohësisht Shtetet e Bashkuara për turizëm, studime ose punë. Pasi i pranohet viza e emigrimit, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në SHBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për nështetësinë amerikane.

Nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, prej vendimit të Trumpit rezulton se nuk preket vetëm Serbia.

Shkarkimi i drejtorit të burgut të Durrësit, emërohet kreu i ri

By: e xh
15 January 2026 at 15:36

Pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të burgut të Durrësit Indrit Cërloj, dhe gjithë zinxhirit komandues, është emëruar drejtori i ri komanduar i këtij institucioni.

Edmond Llabani është emëruar drejtor i komanduar i burgut të Durrësit.

Po ashtu nga detyra janë shkarkuar edhe i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, konkretisht:

  • z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë;
    • z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar);
    • znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor;
    • z. Aulon Quku – Kryeinfermier;
    • z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve;
    • znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve.

Rama me rektorët e universiteteve: Koha për të rishikuar ligjin për arsimin e lartë

By: e xh
15 January 2026 at 15:35

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me 40 rektorët e universiteteve publike dhe private në vend, ku në fokus ishte e ardhmja e arsimit të lartë dhe nevoja për rishikimin e ligjit aktual. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se po planifikohet ndërtimi i një kompleksi studentor në Tiranë dhe Durrës, si një zgjidhje për problemin e qirave të larta. “Ka një potencial shumë të madh për të krijuar infrastrukturë qëndrimi të studentëve, duke pasur parasysh trenin që do të jetë në funksion së shpejti, do të jetë shumë e thjeshtë që studentët në tiranë të strehohen në kampusin e Durrësit, do të ndërtojmë një kompleks studentor shumë të mirë që të ndihmojmë studentet për shkak të qirave të larta në Tiranë e në Durrës. Jemi në një moment të ri ndryshimi për arsimin e lartë”, tha Rama.

Ai theksoi gjithashtu se ka ardhur koha për të reflektuar mbi zbatimin e ligjit, duke marrë parasysh ndryshimet e kohës dhe përvojën e krijuar nga praktika disavjeçare. Sipas kryeministrit, ligji për arsimin e lartë, i hartuar në bashkëpunim me vetë rektorët, ka nevojë për korrektime dhe jo për përmbysje. Ai nënvizoi se procesi i rishikimit do të realizohet përmes një grupi të përbashkët pune, ku universitetet do të kenë një rol kyç falë eksperiencës së tyre. Rama sqaroi se ky proces nuk do të nisë menjëherë në sesionin e ardhshëm parlamentar, por kërkon organizim dhe konsultim të gjerë.

“Është koha për të rivizituar ligjin e arsimit të lartë, ka kaluar periudhë e mjaftueshme për të reflektuar në atë ligj, ndryshimet e kohës por dhe konstatimet e praktikës në kornizën e ligjit. Ligji aktual siç e dini është shkruar në bashkëpunim me ju, me kontributin tuaj. Ky do jetë rasti përsëri, shpresoj dhe besoj që edhe për shkak të eksperiencës, nuk bëhet fjalë për përmbysje, si në rastin kur u shkrua ligji, por bëhet fjalë për korrektime. Nuk do pësim sesionin tjetër të parlamentit, të organizohemi me grup pune të përbashkët”, tha Rama.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte ndërkombëtarizimi i universiteteve shqiptare dhe përgatitja e tyre për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kryeministri vuri në dukje se universitetet, veçanërisht Universiteti i Tiranës, kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt sigurimit të financimeve nga fondet evropiane, duke rritur kapacitetet përtej buxhetit të shtetit dhe duke krijuar mundësi të reja për pedagogët dhe kërkimin shkencor.

Rama theksoi se arsimi i lartë është një aleat strategjik i institucioneve të vendit në rrugën drejt BE-së dhe se sistemi universitar duhet të bëhet më kompetitiv, më i besueshëm dhe më i përgatitur për sfidat që vijnë.

Turqia kundërshton veprimet ushtarake ndaj Iranit

By: e xh
15 January 2026 at 14:32

Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan ka thënë të enjten se Ankaraja është kundër veprimeve ushtarake në Iran dhe përparësia e saj është të shmangë destabilizimin.

“Ne jemi kundër një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit”, tha Fidan në një konferencë për shtyp në Stamboll, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ai ka shtuar se Turqia do të vazhdojë iniciativat e saj diplomatike në lidhje me Iranin.

“Ata janë nën sanksione për shkak të disa politikave rajonale dhe ndërkombëtare që kanë ndjekur. Ne i themi Iranit, duhet të zgjidhësh problemet e tua në rajon”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm turk argumentoi gjithashtu se disa njerëz po i keqinterpretojnë protestat që vijnë nga problemet dhe ankesat e justifikuara ekonomike si një kryengritje kundër regjimit.

“Kjo po krijon një zonë gri”, citohet të ketë thënë ai.

I pyetur në lidhje me njoftimin e fundit të administratës Trump se vendet që bëjnë biznes me Iranin do të përballen me një tarifë të re prej 25%, e cila ka të ngjarë të zbatohet për Turqinë, Fidan tha se ishte vetëm një deklaratë dhe jo një “dekret konkret presidencial”.

Si rezultat, ai theksoi se Turqia ende nuk e ka vënë në axhendën e saj shqyrtimin e tarifave të reja.

Hakëruan SPAK, dërgohen për gjykim ish-drejtori i Burgjeve dhe dy të tjerë

By: e xh
15 January 2026 at 12:49

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim tre persona. Bëhet fjalë për ish-drejtorin e Burgjeve Agim Ismaili dhe dy zyrtarët Arnold Rrokaj, Zambak Gjoni. Ata akuzohen se kanë hyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemet e SPAK dhe kanë përgjuar e shpërndarë materiale hetimore konfidenciale te persona të tretë.

Sipas SPAK, Arnold Rrokaj ka qenë personi që ka siguruar aksesin e paligjshëm në të dhënat hetimore, ndërsa Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili kanë ndihmuar në përhapjen e tyre. Rrokaj dhe Gjoni janë arrestuar menjëherë pas zbulimit të rastit, duke parandaluar shpërndarjen e mëtejshme të materialeve, ndërsa Ismaili hetohet në gjendje të lirë.

Të tre akuzohen për vepra penale që lidhen me krimin kompjuterik dhe veprimtarinë e grupit të strukturuar kriminal. SPAK thekson se hetimet zbuluan përpjekje të qëllimshme për të thelluar përgjimin e paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme.

Njoftimi i SPAK

SPAK dërgon për gjykim procedimin lidhur me hakerimin e Prokurorisë së Posaçme Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr.277/1/1 datë 02.07.2025 në ngarkim të të pandehurve:

Arnold Rrokaj i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Hyrja e paautorizuar kompjuterike”, paragrafi i dytë dhe “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit atë grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 192/b paragrafi 2, 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Zambak Gjoni i hetuar me masën e sigurimit “Arrest në burg” dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

Agim Ismaili i hetuar në gjendje të lirë dhe i akuzuar për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, paragrafi i dytë, të kryer në formën e posaçme të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 293/a paragrafi 2, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal;

I pandehuri Arnold Rrokaj, aksesoi në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, një pjesë e të cilave u dërguan në mënyrë të paligjshme tek të pandehurit, Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shperndajnë ato më pas tek persona të tretë.

Shtetasit Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan në një kohë të shpejtë (brenda 24 orësh) dhe u arrestuan menjëherë duke parandaluar kështu dhe shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.

Si rezultat i veprimeve te shumta hetimore dhe analizimit te tyre, akuzat u zgjeruan dhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të shtetasit, Agim Ismaili, i cili pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.

Ulen tensionet mes SHBA dhe Kolumbisë, Petro lajmëron takim me Trump më 3 shkurt

By: e xh
15 January 2026 at 12:36

Presidenti kolumbian Gustavo Petro konfirmoi të mërkurën se do të takohet me Presidentin e SHBA-së Donald Trump më 3 shkurt në Amerikë, duke sinjalizuar një ulje të tensioneve në marrëdhëniet midis dy vendeve.

“Do të jetë më 3 shkurt. Do të shohim rezultatet e këtij takimi”, tha presidenti social demokrat gjatë një mbledhjeje të kabinetit të transmetuar në televizion.

Njoftimi për takimin vjen në një kohë kur marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Bogotës janë vënë në tension nga mosmarrëveshjet politike dhe diplomatike, me takimin e ardhshëm që shihet si një shenjë e gatishmërisë për t’u riangazhuar në dialog në nivelin më të lartë.

Detajet mbi axhendën e bisedimeve nuk janë publikuar ende, por takimi Petro-Trump pritet të përqendrohet në çështjet e bashkëpunimit dypalësh, sigurisë rajonale dhe politikës së migracionit, brenda një kuadri më të gjerë të ripërcaktimit të marrëdhënieve midis dy vendeve.

Pezullimi i vizave migratore, reagon Ambasada Amerikane: Nuk preken vizat e vlefshme

By: e xh
15 January 2026 at 11:41

Ambasada Amerikane ka theksuar se DASH po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetësitë me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike
Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetasit nga Vendet me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike

Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

Pyetje të Shpeshta

Çfarë ndodh me takimin tim për intervistën e vizës emigruese?
Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.

A ka ndonjë përjashtim?
Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.

A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?
Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.

A zbatohet kjo për vizat turistike?
Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese.

E quajti Trump “mbrojtës pedofilash”, pezullohet punëtori

By: e xh
15 January 2026 at 11:38

Ford ka pezulluar një punëtor i cili i bërtiti Donald Trump gjatë një vizite në fabrikën e saj të martën, duke zemëruar presidentin amerikan, tha të mërkurën sindikata e United Auto Workers, anëtare e së cilës është punëtori.

Në një video të postuar në mediat sociale, punëtori në fabrikën e montimit në Dearborn, Michigan, dëgjohet duke thënë gjëra të ndryshme, përfshirë “mbrojtës të pedofilëve” ndaj presidentit amerikan, ndërsa ky i fundit reagoni duke e mallkuar atë dhe duke ngritur gishtin e mesëm.

Menjëherë pas incidentit, drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Chang, e përshkroi punëtorin si “një idiot” dhe tha se Donald Trump reagoi në një mënyrë “krejtësisht të përshtatshme”.

TJ Shambula, një punëtor 40-vjeçar i Ford, konfirmoi për Washington Post se i bërtiti presidentit amerikan dhe u pezullua nga puna për shkak të një hetimi të brendshëm që po vazhdonte nga industria e automobilave.

Spiropali për vizat e SHBA: Nuk ka bllokuar lëvizjet dhe udhëtimin e shqiptarëve

By: e xh
15 January 2026 at 10:58

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka reaguar për lajmin se qeveria amerikane planifikon të pezullojë lëshimin e vizave për vizitorët nga 75 vende, përfshirë Shqipërinë.

Sipas saj, “vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve”, por “rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit”.

Reagimi i Elisa Spiropalit

Mirëmëngjes nga një udhëtim i gjatë drejt Kievit, ku do të jem në një vizitë zyrtare për të rikonfirmuar mbështetjen e Shqipërisë në krah të Ukrainës, në kushtet e sulmeve masive që targetojnë infrastrukturën kritike dhe popullatën civile në mes të një dimri të egër.

Kam ndjekur me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme rrebeshin e spekulimeve politike mbi çështjen e vizave drejt SHBA.
Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.

Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!

Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.

Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit.
Pra nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.
Pra shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh.

Ju përshëndes dhe ditë sa më të mbarë.

Danimarka do të forcojë praninë ushtarake në Groenlandë

By: e xh
15 January 2026 at 10:33

Danimarka do të rrisë praninë e saj ushtarake në Groenlandë. Lajmi u bë i ditur nga ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, i cili theksoi se vendi i tij do të vazhdojë forcimin e kapaciteteve ushtarake në ishullin arktik, duke i dhënë një vëmendje më të madhe bashkëpunimit brenda NATO-s.

“Do të vazhdojmë të forcojmë praninë tonë ushtarake në Groenlandë, por me një fokus edhe më të madh brenda NATO-s, përmes më shumë stërvitjeve dhe një pranie më të shtuar të Aleancës në Arktik”, deklaroi Poulsen për agjencinë AFP. Ai shtoi se Danimarka mban një dialog të vazhdueshëm me aleatët e saj lidhur me aktivitetet e reja dhe të zgjeruara që pritet të zhvillohen në vitin 2026.

Ndërkohë, të mërkurën në Uashington, zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, do të zhvillojë një takim me ministrin e Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, si dhe me homologen e tij nga Groenlanda, Vivian Motzfeldt.

Sipas analistit Giuseppe Sarcina, mbetet e paqartë nëse ky takim do të kontribuojë në zgjidhjen e krizës që është hapur mes dy brigjeve të Atlantikut lidhur me të ardhmen e ishullit të madh arktik. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur qëndrimin e tij duke deklaruar: Do të bëjmë diçka në Groenlandë, me dëshirën ose pa dëshirën e të tjerëve; nuk duam që Rusia apo Kina të jenë fqinjët tanë.

Trump ka sqaruar se synon ta arrijë këtë objektiv në “mënyrën më të lehtë”, përmes një marrëveshjeje, por ka paralajmëruar se, në të kundërt, mund të përdorë “mjete më të ashpra”.

Autoritetet e Danimarkës dhe Groenlandës e kanë përgatitur takimin në Uashington në dy nivele. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kryeministrja daneze Mette Frederiksen pranoi se situata është e ndërlikuar. “Nuk ka qenë e lehtë të përballohet një presion krejtësisht i papranueshëm nga ana e njërit prej aleatëve tanë më të ngushtë, por ekziston frika se më e keqja mund të jetë ende përpara”, u shpreh ajo.

Po transportonte me makinën e tij 60 kg kanabis, pranga 52-vjeçarit në Krujë

By: e xh
15 January 2026 at 09:21

Një 52 vjeçar është arrestuar në fshatin Luz të Krujës pasi është kapur duke transportuar kanabis me automjetin e tij.

Blutë bëjnë me dije se gjatë ndalimit dhe kontrollit shtetasit A. M., 52 vjeç, banues në Krujë iu kapën 60 kilogramë kanabis.

Sipas policisë dyshohet se lënda narkotike do të shitej në sasi të vogla në Krujë dhe në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Punë operacionale dhe hetime me metoda proaktive, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Cargo”.

Sekuestrohen 60 kilogramë lëndë narkotike kanabis.

Vihet në pranga 52-vjeçari që u kap në flagrancë në fshatin Luz, duke transportuar me automjet, lëndën narkotike, me qëllim shitjen.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin e Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Cargo”, si rezultat i të cilit u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi:

-A. M., 52 vjeç, banues në Krujë.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Luz, Fushë Krujë, automjetin me drejtues shtetasin A. M., në të cilin kanë gjetur 6 thasë me lëndë të dyshuar cannabis sativa, me peshë totale 60 kilogramë.

Nga  hetimet dyshohet se lënda narkotike (me vlerë rreth 60 000 euro) do të shitej në doza të vogla në qytetin e Krujës dhe në Tiranë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 1 celular.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia dërgojnë trupa në Groenlandë

By: e xh
15 January 2026 at 09:16

Ethet e luftës po ziejnë në Grenlandë, ndërsa disa vende të NATO-s dërgojnë forca ushtarake për të marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta me Danimarkën, ndërsa Donald Trump rrit kërcënimet e tij për të aneksuar me forcë ishullin Arktik.

Gjermania, Suedia, Franca dhe Norvegjia kanë konfirmuar se do të dërgojnë personel ushtarak në Grenlandë për një stërvitje të përbashkët me forcat daneze. Kanadaja dhe Franca kanë njoftuar gjithashtu plane për të hapur konsullata në Nuuk, kryeqytetin e Grenlandës, në javët e ardhshme.

Siç njoftoi kryeministri suedez Ulf Kristersson nëpërmjet X, oficerët suedezë së bashku me një grup trupash nga vende të tjera aleate do të përgatiten së bashku për stërvitjen e ardhshme të quajtur “Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë”.

Ata janë të përfshirë në një grup nga disa vende aleate.

“Njësitë e para ushtarake franceze janë tashmë në rrugë. Të tjerat do të pasojnë”, shkroi Emmanuel Macron në X nga ana e tij. Me kërkesë të Danimarkës, kam vendosur që Franca të marrë pjesë në stërvitjet e përbashkëta të organizuara nga Danimarka në Grenlandë, Operacioni Endurance Arctic. Në një deklaratë të mërkurën, Ministria Gjermane e Mbrojtjes tha se po dërgonte një “ekip zbulimi” prej 13 anëtarësh në Groenlandë të enjten për “një mision eksplorimi” me vende të tjera partnere, me ftesë të Danimarkës.

Norvegjia gjithashtu po dërgon dy personel mbrojtës në Groenlandë, konfirmoi për CNN një zëdhënës i Ministrisë Norvegjeze të Mbrojtjes. Nuk është e pazakontë që vendet e NATO-s të dërgojnë trupa në vende të tjera të aleancës për trajnim, dhe për vite me radhë, anëtarët – përfshirë Shtetet e Bashkuara – kanë shtyrë për rritjen e ushtrimeve të përbashkëta në Rrethin Arktik. Shtetet e Bashkuara aktualisht kanë rreth 150 trupa të stacionuara në Bazën Hapësinore Pituffik në veriperëndim të Groenlandës.

Megjithatë, si koha ashtu edhe simbolika e njoftimeve të fundit nga vendet evropiane përbëjnë një shfaqje të rëndësishme solidariteti në një kohë tensioni të paparë brenda NATO-s.

Takimi në Uashington

Lajmi për misionin evropian në Grenlandë erdhi të mërkurën, kur zyrtarët danezë dhe të Grenlandës u takuan me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio dhe Zëvendëspresidentin J.D. Vance, vetëm disa orë pasi Trump i tha Truth Social se “çdo gjë më pak” sesa kontrolli amerikan i Grenlandës është “i papranueshëm”.

“NATO po bëhet shumë më e fortë dhe më efektive me Grenlandën në duart e SH.B.A.-së”, shkroi Trump të mërkurën në mëngjes, duke argumentuar se kontrolli amerikan i Grenlandës do t’i sillte dobi edhe NATO-s.

Takimi dha pak rezultate të prekshme, me Ministrin e Jashtëm danez Lars Løkke Rasmussen që vuri në dukje se ai dhe homologu i tij i Groenlandës patën “një diskutim të sinqertë, por konstruktiv” me Rubion dhe Vance, por se mbeti “mosmarrëveshje themelore”.

Megjithatë, Rasmussen tha se palët ranë dakord të formojnë “një grup pune të nivelit të lartë për të shqyrtuar nëse mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara”, i cili pritet të takohet në javët e ardhshme.

Në Iran vijojnë protestat, Trump: Regjimi mund të bjerë

By: e xh
15 January 2026 at 08:53

Udhëheqësit klerikë të Republikës Islamike në Iran po bëjnë përpjekje për ta shtypur valën më të madhe të protestave antiqeveritare ndër vite, duke nxitur kërcënime për ndërhyrje nga SHBA-ja.

Vetë presidenti amerikan, Donald Trump tha se regjimi në Iran mund të bjerë, për shkak të trazirave që kanë përfshirë vendin.

“Qeveria mund të bjerë për shkak të trazirave, çdo regjim mund të dështojë”., u shpreh Trump nga Zyra Ovale.

Irani po përballet me protestat më të mëdha kundër regjimit klerikal në vitet e fundit, me autoritetet që po shtypin me brutalitet pakënaqësitë në rritje. Protestat nisën më 28 dhjetor për shkak të pakënaqësive me krizën ekonomike, zhvlerësimin e monedhës kombëtare dhe krizës energjetike.

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur mbështetje për protestuesit iranianë, me presidentin amerikan, Donald Trump, që ka paralajmëruar autoritetet në Teheran se Uashingtoni do të ndërhyjë nëse Irani vret protestues.

Rriten tensionet në Minneapolis, një oficer qëllon një emigrant

By: e xh
15 January 2026 at 08:35

Një agjent federal qëlloi dhe plagosi një emigrant në Minneapolis, në qytetin ku një oficer i imigracionit vrau një grua një javë më parë. Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se incidenti shkaktoi përleshje të reja midis protestuesve dhe forcave të rendit.

Në një deklaratë, Tricia McLaughlin, zëdhënëse e Departamentit të Sigurisë Kombëtare, tha se agjentët federalë po përpiqeshin të arrestonin një burrë venezuelian që ndodhej ilegalisht në vend.

“Kur e kapën, ai filloi të rezistonte dhe të sulmonte dhunshëm oficerin”, McLaughlin raportoi se persona të tjerë iu bashkuan sulmit. Në këtë pikë, oficeri qëlloi, duke e goditur burrin venezuelian në këmbë. Të dy u dërguan në spital.

Rama foto nga Emiratet e Bashkuara: Vendosen piketa bashkëpunimi mes dy vendeve

By: e xh
15 January 2026 at 08:32

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga vizita e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e cilësuar atë si një mikpritje të paharrueshme.

Përmes një fotoalbumi, Rama thekson se gjatë kësaj vizite u vendosën piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë mes dy vendeve, një partneritet që sipas tij po forcohet dita-ditës.

“Dhe me fotoalbumin e një mikpritjeje të paharrueshme në Emiratet e Bashkuara, ku vendosëm piketa të reja të bashkëpunimit kuptimplotë që po forcohet dita-ditës, ju uroj një ditë të mbarë”, ka shkruar Rama.

Parashikimi i motit, 15 janar 2026

By: e xh
15 January 2026 at 08:30

Ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet alternime kthjellimesh e vranësirash kalimatre.

Mjegull /mjegullinë përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit e të mbrëmjes. Era do të fryjë me drejtim verilindje– juglindje, me shpejtësi mesatare 8 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë.

Horoskopi, 15 janar 2026

By: e xh
15 January 2026 at 08:29

Dashi- Konflikte të njëpasnjëshme sot ndërsa shfaqni dëshirë të madhe për të kundërshtuar. Ndaj duhet të bëni kujdes për të kaluar çdo pengesë apo keqkuptim. Ata që janë vetëm duhet të bëjnë kujdes dhe të mos angazhohen në histori që nuk i bindin. Më mirë vetëm. Në punë, parashikohen objektiva të reja.

Demi- Ditë mjaft e mbushur me angazhime. Hëna do të ndikojë në ndjenjat tuaja dhe në raportin në çift. Ata që janë vetëm mund të ndryshojnë mendim në momentin e fundit, lidhur me një person. Në punë, do të ndiqni rrugën e duhur drejt suksesit.

Binjakët- Urani do ta bëjë jetën tuaj të paqëndrueshme sot. Nuk do të jepni maksimumin, ndonëse nuk do të mungojë ndonjë lajm i këndshëm. Situata sentimentale parashikohet të jetë me emocione. Sa i takon punës, dita do t’ju gjejë shumë të vlerësuar.

Gaforrja- Nuk do të kënaqeni lehtësisht sot dhe herë pas here mund të mbylleni në vetvete. Venusi do t’ju bëjë më të fortë dhe kurajoz dhe gati për t’u përballur me gjithçka. Ata që janë vetëm të shtyrë nga pasioni, do të përfshihen në aventura të reja. Në punë, po jetoni një lloj qetësie, ndaj është momenti për ta shijuar.

Luani- Shfrytëzoni çdo çast të ditës sot. Ndikimi i Hënës do të jetë i pranishëm kudo në punë por edhe në çështjet e ndjenjave. Disa miqësi të mira mund të shkojnë më tej. Sot do të jeni të përhumbur totalisht në punë, por kënaqësia personale do të sigurohet në sajë të rritjes profesionale.

Virgjëresha- Sot doni të bëni gjëra ndryshe nga rutina. Në fushën e ndjenjave parashikohen të reja të rëndësishme. Edhe ata që janë vetëm mund të përfshihen në emocione dhe dashuri të papritura. Në punë, parashikohen investime të rëndësishme dhe financa në rritje.

Peshorja- Shfrytëzojeni çdo moment në maksimum sepse jo gjithmonë ka për të qenë kështu. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që të jetoni një dashuri solide. Kujtimet nuk do t’ju lënë të qetë. Në vendin e punës, kjo ditë do të sjellë frytet e mundimit tuaj.

Akrepi- Ndikimi i Hënës nuk do të jetë aspak i favorshëm dhe do t’ju pengojë në ndjekjen e instinktit tuaj. Mbani parasysh idetë lidhur me një histori që keni për zemër. Sa i takon punës, do të keni një mijë projekte ndërmend për të mbyllur, por rrezikoni që të mos përfundoni asnjë.

Shigjetari- Venusi edhe do të ndikojë pozitivisht sot. Një ditë e mbushur me qetësi dhe ekuilibër për jetën çiftet. Humori nuk është ndër më të mirët për ata që janë vetëm, ndaj do të ishte më mirë që të shkëputeshit nga çdo gjë. Në punë çdo gjë do të shkojë më së miri, ku do të jeni në harmoni të plotë me kolegët.

Bricjapi- Shijojeni këtë moment qetësie. Organizoni diçka speciale për të kaluar më shumë kohë me njeriun tuaj të zemrës. Ata që janë vetëm do të kenë një jetë tejet aktive dhe njohje të reja. Në punë do të jeni shumë të gatshëm për të bashkëpunuar me kolegët dhe për të nxjerrë anët tuaja më të mira.

Ujori- Me ndikimin e Diellit dhe Neptunit, sot jeni të favorizuar në fushën sentimentale. Ata që janë vetëm do të jenë të mbushur me dëshirë për të dashuruar, ndërkohë që parashikohen takime të shumta. Në punë parashikohet të ketë disa tensione të cilat rrezikojnë që t’ju nervozojnë.

Peshqit- Humori i keq dhe tensionet do të dominojnë jetën në çift. Para se të brengoseni, bëni diçka për të thyer akullin. Dielli dhe Neptuni do të kenë ndikim negativ në shenjën tuaj gjatë kësaj dite. Prisni momente më të mira për të investuar.

❌
❌