Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 4 February 2026Opinion.al

Vatikan/ Rama viziton Genazzano: Krah Zojës së Shqipërisë, qëndron edhe flamuri ynë

By: e xh
4 February 2026 at 18:53

Kreu i qeverisë shqiptare ka publikuar disa foto nga vizita e tij në Vatikan për takimin me Atin e Shenjtë, e cila nisi sot nga Genazzano, në bazilikën e famshme, ku gjendet shembëlltyra e Zojës së Këshillit të Mirë, mbi një copë të shkëputur nga muri i Kishës së Shkodrës në vitin e largët 1467.

“Që nga ajo kohë asnjë kryetar shteti ose qeverie shqiptare nuk e kishte shkelur pragun e bazilikës, ku krah Zojës së Shqipërisë qëndron përherë edhe flamuri ynë kombëtar, e ku kanë kryer vizita e rite thuajse të gjithë Papët e Romës.

Gjëja e parë që bëri edhe Papa Leoni XVI sapo u zgjodh, ishte vinte e të lutej në Genazzano te Zoja e Shqipërisë që thirret edhe Regina di Albania – Mbretëresha e Shqipërisë”, shkruan Rama bashkangjitur fotove.

“Nuk kam takuar askënd më të keq”, çfarë thoshte Epstein për Trump

By: e xh
4 February 2026 at 18:27

“Të kam thënë se kam takuar njerëz vërtet të këqij, por asnjë më të keq se Trump. Nuk ka asnjë qelizë të mirë në trupin e tij. Prandaj po, është i rrezikshëm!”

Ai që e thotë këtë, ose më saktë e shkruan, është Jeffrey Epstein në një shkëmbim e-mailesh me ish-sekretarin amerikan të Thesarit, Larry Summers. Korrespondenca e cituar nga Telegraph daton në shkurt të vitit 2017 dhe përfshihet në mesin e dokumenteve mbi ish-financierin dhe abuzuesin e vetëvrarë në burg, të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë.

Në faqet e publikuara përmendet gjithashtu edhe emri i Bill Gates, dhe ish-bashkëshortja e themeluesit të Microsoft shprehet e keqardhur për viktimat e pedofilit. Melinda Gates thotë se milioneri duhet të japë llogari mbi pretendimet në dosjet Epstein, ku, siç thuhet, ishte infektuar me një sëmundje seksualisht të transmetueshme pas marrëdhënieve të kryera me vajza ruse. Gates rrëfen se kishte ndjerë trishtim të thellë pas këtyre zbulimeve.

Sipas New York Times, disa ditë para se të vetëvritej, Epstein kishte firmosur një dokument ku ia linte shumicën e pasurisë së tij, një total prej 100 milionë dollarësh, të fejuarës së asaj kohe, Kryna Shuliak. Siç thuhet, po mendonte të martohej me të dhe t’i dhuronte një diamant 33 karatësh.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka hequr mijëra dokumente në lidhje me financierin e vetëvrarë nga uebsajti i tij, pasi viktimat janë ankuar për komprometim të identitetit të tyre. Avokatë të viktimave të Epstein thonë se redaktimet e mangëta në dokumentet e publikuara të premten kanë përmbysur jetët e gati 100 prej të mbijetuarave. Departamenti i Drejtësisë sqaroi se kishte hequr të gjitha materialet komprometuese dhe tha se gabime ishin bërë për shkak të problemeve teknike ose njerëzore.

Mot i keq, shtyhet nisja e trageteve nga Durrësi drejt Barit

By: e xh
4 February 2026 at 18:13

Përkeqësimi i kushteve atmosferike në det të hapur shtyn me disa orë nisjen e trageteve nga porti detar i Durrësit drejt Barit të Italisë.

Autoriteti Portual Durrës informon se, sipas njoftimeve nga kompanitë e trageteve, për shkak të kushteve atmosferike të pafavorshme

Imbarkimi i pasagjerëve dhe mjeteve në tragete do të zhvillohet mbrëmjen e sotme, sipas orarit të parashikuar, por nisja e trageteve është shtyrë dhe do të realizohet më 05.02.2026, në orët e para të mëngjesit, me qetësimin e kushteve të motit.

Andrew dhe Epstein i kërkuan seks balerinës ekzotike në këmbim të parave

By: e xh
4 February 2026 at 17:25

Princi Andrew i Britanisë dhe Jeffrey Epstein i kërkuan një balerine ekzotike të “përfshihej në akte të ndryshme seksuale” në shtëpinë e të ndjerit të dënuar për abuzim seksual në Florida.

Në një letër të publikuar si pjesë e pjesës më të fundit të dosjeve të Epstein, avokatët e gruas së paidentifikuar thanë se asaj i ishin ofruar 10,000 dollarë për të kërcyer dhe se pasi ajo performoi, Epstein dhe Mountbatten-Windsor kishin kërkuar marrëdhënie seksuale në grup.

Avokatët thanë se gruas nuk i ishte paguar shuma e premtuar dhe do ta mbanin konfidencial takimin e vitit 2006, në të cilin ajo u “trajtua si prostitutë” në këmbim të një pagese prej 250,000 dollarësh.

Letra, e datës mars 2011, pohon se gruaja dhe balerina të tjera ekzotike nga “Rachel’s Strip Club” në West Palm Beach ishin shoqëruar me shofer në shtëpinë e Epstein dhe iu ofruan 10,000 dollarë për të performuar.

Dokumenti pohon se ajo kishte parë “gra të tjera të reja të veshura në mënyrë provokuese” në festë, disa prej të cilave “dukeshin të ishin vetëm 14 vjeç”.

Gara bërthamore Rusi-SHBA, pa kontroll, të enjten skadon traktati New Start

By: e xh
4 February 2026 at 16:26

Traktati i fundit në fuqi për kontrollin e armëve bërthamore mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara skadon të enjten, duke hequr kështu të gjitha kufizimet për dy arsenalet më të mëdha atomike në botë për herë të parë në gati gjysmë shekulli.

Mungesa e një marrëveshje për të zgjatur traktatin New Start, apo për të formësuar një tjetër të ri, ka nxitur frikën për një garë të pakontrolluar e të papërmbajtur të armëve nukleare. Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh i gatshëm për t’iu përmbajtur kufizimeve të traktatit edhe për një vit nëse edhe Uashingtoni bën të njëjtën gjë, por presidenti amerikan Donald Trump nuk ka shprehur angazhim për diçka të tillë. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka sugjeruar vazhdimisht se synon të ruajë limite ndaj armatimeve bërthamore dhe të përfshijë Kinën në bisedime për kontrollin e këtyre armëve, sipas një zyrtari të cituar në kushte anonimiteti.

Sipas tij, Trump do të marr një vendim për këtë çështje, në momentin e vlerësuar prej tij. Pekini ka kundërshtuar çdo kufizim ndaj arsenalit të tij me të vogël bërthamor por që po pasurohet me shpejtësi. Zëdhënësi Dimitry Peskov tha të martën se bota do të ishte më e rrezikshme pa kufizimet ndaj stoqeve të armëve bërthamore të Rusisë dhe SHBA.

Megjithatë, Kremlin theksoi sedo te vepronte me kujdes dhe përgjegjësi. Teksa mungojnë vetëm orë nga skadimi i traktatit, New Start, Papa Leoni i bëri thirrje të dyja palëve të mos i braktisin limitet e parashikuara aty. I nënshkruar në vitin 2010 nga presidentët e atëhershëm Barak Obama dhe Dmitri Medvedev, traktati kufizonte secilën palë të kishte jo më shumë se 1550 koka bërthamore dhe 700 raketa e bombardues, të vendosura dhe gati për përdorim. Ai duhej të skadonte fillimisht në 2021 por u zgjat me 5vite të tjera. Ekspertët paralajmërojnë se pa një marrëveshje të re, rritet paqëndrueshmëria dhe rreziku i një konflikti bërthamor.

E bllokoi për një vit, qeveria hap rrjetin social Tik-Tok

By: e xh
4 February 2026 at 15:33

Një vit pas bllokimit, rrjeti social TikTok do të jetë i aksesueshëm në të gjithë territorin e Shqipërisë. Këshilli i Ministrave ka marrë sot vendimin për hapjen e aplikacionit pas bllokimit në muajin mars 2025. Nw vendimin e siguruar nga gazetarja e Report Tv, Esiona Konomi, thuhet se Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme.

VENDIMI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 212 pika, 2, 174, 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave

  1. Heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “Tik Tok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.
  2. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme, duke respektuar edhe dispozitat ligjore për mbrojtjen të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
  3. Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, shfuqizohet.
  4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministri lafrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.

Debati për pagat, Shehaj: Po rrezikohet jeta e prokurorëve dhe gjykatësve

By: e xh
4 February 2026 at 15:03

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, lidhur me debatin e fundit për pagat e magjistratëve.

Sipas Shehajt, jeta e prokurorëve dhe gjyqtarëve është në rrezik për shkak të kërcënimeve dhe kryeministri duhet të ndalë gjuhën denigruese.

“Jam këtu për të dënuar me forcë sulmet e përditshme të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë dhe SPAK-ut. Prokurorët dhe gjykatësit po përballen me kërcënime për jetën. Prokurorëve dhe gjykatësve po iu rrezikohet jeta. Në këto kushte Edi Rama vazhdon denigrimin ndaj tyre. Dënojmë gjuhën e tij linçuese, intimiduese dhe kërcënuese ndaj drejtësisë ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është mbledhur prej javësh dhe po shtyn vazhdimisht vendimin historik në lidhje me kërkesën e SPAK-ut për pezullimin e zv.kryeministres Balluku e cila akuzohet se ka abuzuar me paratë e buxhetit të shtetit. Edi Rama po kërkon të mbajë peng Gjykatën Kushtetuese dhe rrjedhimisht vendimin që do të ndajë njëherë e mirë të shkuarën e pandëshkueshmërisë nga e ardhmja, ku të korruptuarit dalin para drejtësisë. Sulmet po kryhen nga vetë Edi Rama, nga analistët dhe gazetarët pranë tij, nga ministra dhe deputetët e mazhorancës dhe nga krimi i organizuar. Shpifjet e vazhdueshme në lidhje me akuzën e pavërtetë që prokuroria dhe gjykata arreston njerëz pa gjyq janë një kërcënim i hapur dhe direkt ndaj përpjekjeve të prokurorëve për të çuar para drejtësisë zyrtarët e lartë.

Prokurorët përballen çdo ditë me kërcënime për jetën. Prokurorëve po iu rrezikohet jeta. Ndaj i bëjmë thirrje: Ambasadorëve të vendeve perëndimore në Shqipëri; Të Ngarkuarës me Punë të SHBA-së, Ambasadorit të delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Ambasadorit gjerman, Ambasadorit britanik, Ambasadori italian, Ambasadorit holandez dhe çdo përfaqësie diplomatike perëndimore në Shqipëri, të vazhdojnë të mbështesin drejtësinë dhe të bëjnë thirrje për ndalje të mënjëhershme të sulmeve ndaj drejtësisë, ndaj prokurorëve dhe ndaj gjykatësve që po luftojnë korrupsionin.

Shqiptarët mbështesin drejtësinë. Duan fundin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Nga mbështetja e luftës kundër korrupsionit varet e ardhmja e Shqipërisë. Ju bëj thirrje të mos heshtni. I bëj thirrje gjithashtu qytetarëve shqiptarë të dalin haptas në mbrojtje të drejtësisë, në mbrojtje të luftës kundër korrupsionit. Sic e dini, Partia Mundësia ka filluar një fushatë në mbrojtje të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Deri sot kemi mbledhur pothuajse 50 mijë firma. Qëllimi ynë është të mbledhim 100 mijë firma dhe këto do të dorëzohen në Kongresin Amerikan, në Parlametin Europian dhe në parlamentet e vendeve partnere. Ju ftoj të firmosni deklaratën tonë në mbrojtje të drejtësisë”-u shpreh Shehaj.

Prokuroria e Durrësit për mbetjet e “Kurum”: Rrezik për shëndetin e njeriut

By: e xh
4 February 2026 at 14:33

Prokuroria e Durrësit, ka dhënë detaje mbi mbetjet e kompanisë “Kurum”, të cilat u sekuestruan një vit më parë.

Sipas prokurorisë, ekspertimi provoi se mbetjet në anijen “Moliva” janë toksike dhe të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisit.

“Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatashëm përpara depozitimit përfundimtar”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Durrësit ka lëshuar 33 masa sigurie, ku 20 prej tyre janë ekzekutuar.

Njoftimi i policisë: 

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, informon opinionin publik se, ka kryer dhe vijon të kryejë veprime hetimore në kuadër të procedimit penal Nr.1596 viti 2024, të regjistruar për veprat penale: ‘Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, “Falsifikimi i dokumentave”, “Transportimi i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 171-25, 175-25, 186/2, 201/a-25, 201/b-25, 248 dhe 287/2 të Kodit Penal.

Hetimet për këtë procedim penal, nisën pas marrjes së njoftimit nga Drejtoria e Hetimit Doganor, e cila ishte njoftuar në datë 25.07.2024 nga OLAF (European Anti-Fraud Office-European Commission) për një ngarkesë se dyshohej që mund të transportonte mbetje nga Shqipëria në Tajlandë. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe OLAF bashkëpunuan për identifikimin dhe verifikimin e ngarkesës, ku u evidentua eksportimi i sasisë prej 2.816.300 kg nga subjekti Sokolaj sh.p.k. Kjo sasi, e ngarkuar në 102 kontenierë u kthye në Portin e Durrësit në datë 28.10.2024 me anijen Moliva XA443A, pasi ishte refuzuar nga autoritetet e Tajlandës.

Në datë 08.11.2024, u krye sekuestrimi në cilësinë e provës materiale të 102 kontenierëve, të cilët iu lënë në ruajtje dhe administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe aktualisht ndodhen në Porto Romano, Durrës, në kushte të sigurisë mjedisore dhe fizike. Gjatë procesit të sekuestrimit, kontenierët iu nënështruan edhe testit për radioaktivitet, ku nga skanimi nuk u konstatua prani e lëndës radioaktive GAMA apo NEUTRON.

Me qëllim marrjen e mostrave për ekspertim dhe kryerjen e analizave laboratorike, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit Durrës, i është drejtuar të gjitha ministrive dhe institucioneve brenda territorit shqiptar. Nga përgjigjet e administruara nuk rezultoi asnjë institucion, laborator apo ent që të kishte infrastrukturën dhe mjetet e nevojshme për kryerjen e procesit të marrjes së mostrave dhe analizimit të tyre.

Në vijim, në bashkëpunim edhe me autoritetet italiane projektit EU4LEA dhe ekspertëve italianë të sigurisë, u identifikua dhe verifikua një laborator në Itali i cili kreu të gjitha testimet laboratorike, si dhe u angazhuan dy shoqëri shqiptare dhe një ekspert shqiptar i fushës, të cilët plotësonin kriteret e përgjithshme dhe specifike që duhet të plotësohen sipas protokolleve ndërkombëtare, për rastet kur duhet të merren, transportohen, ruhen dhe testohen mostra potencialisht të rrezikshme.

Mostrat e marra nga 102 kontenierët e sekuestruar dhe mostrat e marra nga: Shoqëria Kurum International sh.a.; Sokolaj sh.p.k. dhe Alliance Resource sh.p.k., ju nënshtruan ekspertimit për përbërjen e tyre kimike, karakteristikat fizike, klasifikimin, përputhjen midis tyre, përputhjen me fletët e analizave të paraqitura nga subjektet për eksportin e tyre dhe rrezikshmërinë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis.

Nga akti i ekspertimit rezultoi se, materiali i analizuar, është pluhur i grumbulluar nga sistemet e filtrimit të gazrave të furrës elektrike të çelikut (Electric Arc Furnace – EAF), proces i cili përfshihet qartësisht në fushëveprimin e nënkapitullit 10 02 të EWC. Bazuar në përbërjen kimike të materialit dhe në aktivizimin e vetive të rrezikut HP10 dhe HP14, në perputhje me Annex III të Direktives 2008/98/EC (Waste Framework Directive) dhe rregulloret përkatëse zbatuese, kodi përkatës brenda këtij nënkapitulli duhet të jetë ai i shënuar si mbetje e rrezikshme me kod sipas katalogut te mbetjeve 10 02 07*.

Në mostrat e marra nga kontenierët e sekuestruar, shoqëria Kurum International sh.a. dhe Alliance Resource, konstatohet prania e elementëve (dhe përbërjeve të tyre) që përbëjnë rrezik për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, që lidhen me rrezikun e toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore. Në përputhje me legjislacionin europian dhe kombëtar materiali duhet t’i nënshtrohet rikuperimit të kontrolluar, stabilizimit dhe trajtimit të përshtatashëm përpara depozitimit përfundimtar.

Nga analizimi i kontratave të lidhura midis subjekteve, dokumentacionit financiar të administruar nga subjektet dhe drejtoritë tatimore, regjistrave mjedisorë dhe dokumentacionit të administruar nga AKM, EMS, Autoriteti Portual dhe Dega e Doganës Durrës, si dhe rezultatet e ekspertimit, provohet në mënyrë të arsyshme se prodhuesi i mbetjeve të rrezikshme Kurum International sh.a. në dijeni të plotë të ndalimeve ligjore kombëtare (ligjit nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” i ndryshuar dhe akteve nënligjore) dhe ndërkombëtare (ligjit nr.8216, datë 13.5.1997 “Për aderimin e Republikes se Shqipërisë në Konventen e Bazelit per kontrollin e levizjeve nderkufitare të mbetjeve të rrezikshme dhe asgjesimin e tyre”, Kodit Doganor etj.), ka kryer një sërë veprimesh në bashkëpunim me subjekte të tjera, për të mbuluar natyrën e vërtetë të mbetjeve dhe për t’i eksportuar jashtë Shqipërisë dhe për t’i tregtuar ato brenda territorit shqiptar.

Pas administrimtit të aktit të ekspertimit ku provohet se mbetjet janë të rrezikshme dhe toksike, Prokuroria Durrës, krijoi bindjen e plotë se jemi përpara jo thjesht një fakti penal, por një zinxhiri veprimesh të kundërligjshme që sjellin pasoja të rënda në disa drejtime si në mjedis, shëndet, veprimtarinë doganore, veprimtarinë e autoriteteve për sigurinë dhe cilësinë në mjedis, si dhe veprimtarinë e ndershme dhe konkurruese ekononomike.

Për të garanatuar efikasitetin e procedimit dhe vërtetësinë e provave, për të shmangur largimin e personave nën hetim, si dhe për të shmangur kryerje të mëtejshme të këtyre veprave penale, si dhe për të zbuluar të gjitha shkeljet që janë kryer në mundësimin e eksportimit apo fshehjes së sasisë reale të mbetjeve që krijon shoqëria Kurum International sh.a., Prokuroria Durrës kërkoi në gjykatë caktimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues për shtetasit.

Deri më sot janë ekzekutuar masat e sigurimit për 20 shtetas dhe vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës mbetet e angazhuar në zbardhjen e plotë të rrethanave të çështjes, evidentimin dhe provimin e  përgjegjësisë penale për çdo subjekt privat dhe shtetëror të përfshirë në këtë veprimtari, duke garantuar se çdo veprim po kryhet në përputhje me ligjin,  në mbrojtje të intersit.

Izraeli vijon bombardimet në Rripin e Gazës, 18-të vrarë

By: e xh
4 February 2026 at 14:31

18 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite të sotme në Gaza. Shifrat raportohen nga al Jazeera që citon burimeve spitalore. Njëmbëdhjetë prej tyre u vranë në lagjet al-Tuffah dhe al-Zaytoun në qytetin e Gazës. Sipas medias “Gaza Now” në Rripin e Gazës avionë luftarakë izraelitë goditën një tendë të personave të zhvendosur në kampin al-Mawasi, në jug të enklavës, dhe ka publikuar një video ku shihet tym mbi zonë.

Deri më tani, ushtria izraelite nuk ka dhënë deklarata për këtë sulm specifik. Ndërkohë në veri të rripit të Gazës, sipas mediave palestineze, të paktën gjashtë nga viktimat u vranë, ku ushtria izraelite thotë se ka kthyer zjarrin ndaj personave të armatosur që sulmuan trupat.

Times of Israel shpjegon se IDF ka kryer bombardime me tanke dhe sulme ajrore në veri të Gazës pasi persona të armatosur sulmuan trupat e saj, duke plagosur rëndë një oficer.

Sipas ushtrisë, një rezervist u qëllua me armë zjarri nga “terroristë” palestinezë në Rripin verior të Gazës gjatë natës kur trupat e Brigadës Alexandroni u sulmuan në anën izraelite të Vijës së Verdhë, që ndan zonat e kontrolluara nga Izraeli dhe Hamasi në Enklavë. Sipas Times of Israel, pritet që ushtria të kryejë sulme të tjera kundër Hamasit, për atë që IDF e konsideron një “shkelje të qartë” të armëpushimit që hyri në fuqi në tetor.

Dosja Epstein/ Ish-bashkëshortja e Bill Gates: E lumtur që dola nga ai llum

By: e xh
4 February 2026 at 14:28

Ish bashkëshortja e themeluesit të Microsoft-it, Melinda Gates, nuk i gëlltit aspak historitë e rënda që kanë dalë nga disa dokumente pjesë në vorbullën e dosjes Epstein, sipas së cilës, në vitin 2013, Bill Gates kishte marrë një sëmundje seksualisht të transmetueshme nga disa vajza ruse “të takuara” në shtëpinë e mikut pedofil, dhe më pas kishte tentuar t’i jepte fshehurazi bashkëshortes antibiotikët për kurim.

“Duhet drejtësi për viktimat. Edhe unë kam pasur moshën e tyre, edhe unë kam pasur vajza të asaj moshe”, tha për radion NPR gruaja me të cilën “nërdi” që u bë miliarder pati tre fëmijë, gjatë 27 viteve martesë. Intervistuesit ajo i rrëfeu shqetësimin e saj të madh pas publikimit të dokumenteve në dosjen skandaloze:

“Kur dalin në dritë këto detaje – dhe sapo kemi filluar t’i zbulojmë – rikthehem në momente shumë të dhimbshme të martesës sime. Për mua është shumë e vështirë. Jam e lumtur që jam jashtë atij bataku”.

Ajo bëri të qartë gjithashtu se prej tij është shkëputur me divorcin e bujshëm të vitit 2021 dhe nuk pranon të mbahet përgjegjëse:

“Çdo pyetje duhet t’u drejtohet atyre njerëzve dhe ish-burrit tim. Ata duhet të përgjigjen, jo unë”, tha ajo, e cila mbetet ende një nga gratë më të pasura në botë dhe që gjatë karrierës së saj filantropike është konsideruar gjithmonë një kampione e fuqizimit të grave. “Kur i jep krahë një gruaje, i jep krahë gjithë njerëzimit”, thoshte ajo, derisa më pas, në vitin 2024, u largua edhe nga Fondacioni që mbante emrin e të dyve, i konsideruar organizata humanitare private më e madhe në botë, e krijuar falë pasurisë së jashtëzakonshme të grumbulluar nga suksesi i Microsoft-it.

Që Gates nuk ishte shenjtor, kjo tashmë dihej: në kohën e ndarjes në vitin 2021, New York Times kishte zbuluar disa lidhje jashtëmartesore të ish-kreut të gjigantit të Redmond-it. Ai, që kishte joshur bashkëshorten – kurrë shumë të dashur (Melinda e kishte surprizuar teksa shkruante në një tabelë pro dhe kundrat e martesës) dhe që e përshkruante gjithmonë vetëm si “partnere stimuluese” – i kishte propozuar martesë në një parking, kur ajo ishte ende punonjëse e tij. Gjatë atij viti fatkeq 2021, Bill kishte mohuar publikisht disa herë miqësinë me financierin që u vetëvra në burg në gusht 2019:

“Të shoqërohesha me Jeffrey Epstein ka qenë një gabim i madh”, kishte thënë për CNN. Megjithatë, ai këmbëngulte se e kishte takuar vetëm sepse shpresonte të siguronte më shumë fonde për kauzat e tij filantropike. “Kam darkuar disa herë me të, duke shpresuar se do të dilte diçka reale nga ajo që thoshte për mënyrën si mund të mblidheshin miliarda për filantropinë në shëndetin global, përmes kontakteve që kishte. Kur u bë e qartë se nuk ishte reale, marrëdhënia përfundoi”, kishte treguar ai atëherë. Duke pranuar se “ishte një gabim i madh të kaloja kohë me të, t’i jepja atij kredibilitet… kishte edhe shumë të tjerë në të njëjtën situatë, por unë kam gabuar”.

Pikërisht kjo shoqëri ishte një nga arsyet që e shtyu bashkëshorten Melinda të kërkonte divorcin. Sipas Ëall Street Journal, ajo kishte nisur madje të konsultohej me avokatë që në tetor 2019, i njëjti muaj kur Neë York Times zbuloi për herë të parë takimet e shpeshta të bashkëshortit me financierin kontrovers, i cili u vetëvra në burg disa muaj më vonë, pasi ishte arrestuar për trafik seksual të të miturve.

Gates refuzoi të komentonte pretendimet e WSJ, por sipas zbulimeve të bëra në muajt pasues nga një ish-punonjës i Bill & Melinda Gates Foundation, burimi kryesor i shqetësimit për Melindën ishin pikërisht marrëdhëniet e bashkëshortit me Epstein.

Në të njëjtën periudhë, Daily Beast shkroi se ajo u zemërua shumë kur në vitin 2013, së bashku me të shoqin, takoi ish-financierin në rezidencën e tij në Manhattan: ajo i tha Bill-it se nuk ndihej rehat dhe u rrëfye miqve se nuk donte të kishte asgjë të bënte me Epstein, tashmë i përfolur për akuzat e shfrytëzimit seksual të të miturve. Ai, megjithatë, vazhdoi ta frekuentonte, duke pranuar madje edhe një udhëtim me “Lolita”, avionin privat të përdorur për të transportuar vajzat e reja drejt rezidencave të tij luksoze.

Dhe të mendosh se, duke rrëfyer se si në fund të viteve ’70, vetëm 23 vjeç, fitonte tashmë 2.5 milionë dollarë në vit, gjeniu i algoritmeve e kishte përshkruar veten para një klase në Harvard (universitetin që e kishte lënë pa u diplomuar për të themeluar kompaninë e tij) si një fanatik të punës: “Nuk ndalesha kurrë, nuk bëja kurrë pushime. Më vjen keq që nuk i kam kushtuar më shumë kohë vajzave dhe ndeshjeve të futbollit amerikan”. Me kalimin e viteve, duket se e ka rikuperuar kohën e humbur. /La Repubblica

Trump “sulmon” gazetaren e CNN për pyetjet mbi Epstein: Je më e keqja

By: e xh
4 February 2026 at 14:26

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket se nuk i pëlqeu këmbëngulja e gazetares së CNN-së, Caitlin Collins, për ta pyetur në lidhje me çështjen Jeffrey Epstein.

Debati, i cili përfundoi me Trumpin që e quajti gazetaren ‘më të keqen’ filloi kur Collins vuri re se presidenti po përpiqej t’i paraqiste zbulimet e fundit si dënuese vetëm për demokratët, ndërsa dokumentet e publikuara tregojnë se Epstein ka lidhje të ngushta me dy aleatët e tij, Elon Musk dhe Sekretarin e Tregtisë, Howard Lutnick.

Trump: “Jam i sigurt që është në rregull, përndryshe do të kishte tituj të mëdhenj”, ndërsa Collins iu përgjigj: “Shumë gra që janë viktima të Epstein janë të pakënaqura” me mënyrën se si Departamenti Amerikan i Drejtësisë i përpunoi dokumentet.

“Mendoj se është vërtet koha që vendi të vazhdojë me diçka tjetër, tani që asgjë nuk ka dalë nga unë”, por Collins vazhdoi të pyeste për të mbijetuarit e abuzimeve të Epstein”, tha Trump.

Më tej Trump iu drejtua gazetares në një ton të ashpër: “Çfarë thatë? E dini, ju jeni gazetarja më e keqe. Nuk të kam parë kurrë të buzëqeshësh”.

Collins: “Po ju pyes për të mbijetuarit e abuzimit të Jeffrey Epstein, z. President.” Trump vazhdoi: “E dini pse nuk po buzëqeshni? Sepse e dini që nuk po thoni të vërtetën. Dhe jeni një organizatë shumë e pandershme dhe duhet të turpëroheni nga vetja.”

Britani/ Skandali me Mandelson, rritet presioni ndaj Starmer: I penduar që e emërova

By: e xh
4 February 2026 at 14:23

Kryeministri britanik Keir Starmer po përballet me trysni në rritje në parlament, lidhur me gjykimin e tij, në emërimin e Peter Mandelson si ambasador në SHBA, mes pretendimeve të reja se ai i kishte dhënë informacione konfidenciale abuzuesit seksual Jeffrey Epstein gati dy dekada më herët, shkruan A2 CNN.

Policia britanike ka njoftuar se po heton pretendimet në dosjen e publikuar rishtazi, që nxori në drite edhe marrëdhëniet e ngrohta mes të dyve, ujditë financiare e po ashtu foto private. Gjatë asaj kohë Epstein po vuante një dënim me 18 muaj burg për shfrytëzimin e një të miture në Florida, ndërsa Mandelson ishte ministër për biznesin në qeverinë britanike.

Sipas dokumenteve, Mandelson kishte lobuar tek qeveria amerikan mbi rregullat bankare, pas një kërkesë të  Jeffrey Epstein. Para ligjvënësve, Starmer tha se ishte jashtëzakonisht irrituese që  Mandelson kishte gënjyer vazhdimisht mbi marrëdhënien e tij me Epstein dhe se ndjente pendesë që e kishte emëruar atë.

Rama drejt Romës, vizitë zyrtare në Vatikan! Do të pritet në takim me Papa Leone XIV

By: e xh
4 February 2026 at 14:17

Kryeministri Edi Rama është nisur ditën e sotme drejt Romës ku do të pritet në takim nga Papa Leone XIV. Përveç delegacionit, Rama është gjithashtu i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

Në vizitën zyrtare në Vatikan, kryeministri Rama do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit ku do të pritet në oborrin “San Damaso”, nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe Zotërinj të Shenjtërisë së Tij.

Më pas Rama do të zhvillojë një takim me Papa Leonen në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik. E radhës në agjendë, është vizita në Bazilikën e Shën Pjetrit, në mjediset e Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Sistina dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit të tyre në Vatikan, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij, do të vizitojnë vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Pjesë e kësaj vizite do të jenë edhe disa takime të tjera mes të cilave takimi me Kardinalin Pietro Parolini, sekretar shteti i Vatikanit.

Kërkesat për rritje page, Berisha në mbështetje të gjyqtarëve: Rama ka përmbysur…

By: e xh
4 February 2026 at 13:48

Kreu i PD-së Sali Berisha u shpreh sot në mbështetje të kërkesave të gjyqtarëve për rritjen e pagave, duke theksuar se kryeministri Edi Rama ka përmbysur piramidën e rrogave. Berisha theksoi se nuk mund të luhet me piramidën e rrogave dhe Rama është përgjegjësi kryesor për situatën.

Shteti është i detyruar t’i qëndrojë hierarkisë. Dhe kjo hierarki përcakton rrogën më të lartë në republikën e Shqipërisë, presidenti i Republikës. Pastaj tjetri e tjetri me radhë. Kurse ky vetë ka votuar piramidën, vetë ka votuar në Kushtetutë ligjin. Ç’po kërkojnë Gjykata e Gjyqtarëve? Të zbatojnë ligjin. Prandaj dhe unë nuk do isha kurrë në mbështetje të tyre po të mos ishte kjo. Ky e ka përmbysur piramidën. Ky është përgjegjësi kryesor. Hajde zgjidhe tani. Nuk luhet me piramidën e rrogave. Urdhëro çfarë ndodh tani. Të na thotë pak si do ta zgjidhë?”, u shpreh Berisha në konferencën e mbajtur sot për mediat.

Ata kanë të drejtën e Zotit, kanë të drejtën e Kushtetutës, kanë të drejtën e ligjit në pretendimin e tyre. Ndaj dhe ato të zeza që i bëri vendit Edi Rama, ato duhet t’i paguajë një minutë e më parë, të largohet. Nuk do mbështesja unë kurrë, por unë mbështes të drejtën.E drejta është që piramida është përmbysur dhe është përmbysur vetëm e vetëm për të paguar një grup mercenarësh për qëllime politike“, vijoi kryedemokrati.

Më herët sot kryeministri Edi Rama tha se gjyqtarët në Shqipëri kanë pagat më të larta në Ballkan, të barabarta me vende të BE-së si Greqia.

Hetime ndaj postave private që shesin mallra pa fatura, sekuestrohen 13 mln lekë

By: e xh
4 February 2026 at 13:28

Prokuroria e Tiranë ka urdhëruar hetime ndaj subjekteve që ofrojnë shërbime postare, ku janë sekuestruar 13 mln lekë për shkak të shitjeve pa fatura.

Pas lejimit nga gjykata, me kërkesë të organit procedues, si rrjedhojë u ushtruan kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet.

Deri më tani, nga kontrollet janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, 13 milionë lekë, si dhe dokumentacion shoqërues, prova që sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, tregojnë paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal, si dhe shuma parash që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.

Hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.

Pagat/Rama-prokurorëve: Keni ndonjë gjë për të thënë për arrestimet me burg pa gjyq?

By: e xh
4 February 2026 at 13:24

Kryeministri Edi Rama vijon polemikat në distancë me sistemin e drejtësisë, pasi akuzon prokurët e gjyqtarët që duan të rritin rrogat e tyre me vendim gjykate. Pas daljes së tij në mëngjes në një videomesazh në Facebook, ku e quajti absurde kërkesën e gjyqtarëve, reagoi Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë duke thënë se retorika e Ramës nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

“Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!! Pra, orvatja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!! A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!  Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!! Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!”, shkruan Rama në X.

“Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!

Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shkelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës,  a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!”.

Dënohet me 24 vite burg Ilir Beqaraj, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjes

By: e xh
4 February 2026 at 12:43

Gjykata e Tiranës dënon me 24 vite burg Ilir Beqarajn, i akuzuar për vrasjen e Gentian Bejtjes.

Ilir Beqaraj, i njohur edhe me mbiemrat Brahimi apo Mançellari, ka pasur rolin e ndihmësit në ngjarje. Prokuroria kërkon fajësinë e tij për “vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “armëmbajtje pa leje”.

Hetimi ka provuar se Beqaraj ka mundur të largojë 4 autorët e dyshuar të vrasjes nga vendi i ngjarjes, duke i çuar ata në fshatin Hasan, ku edhe kanë mundur të djegin makinën me të cilën kryen vrasjen.

Nga analizimi i pamjeve filmike të kamerave të sigurisë në zonë është provuar se në kohë të ndryshme ai ka lëvizur me mjetin e tij në afërsi të banesës së viktimës.

Në automjetin tip “Golf” të përdorur nga vrasësit e Bejtjes, për t’u larguar pasi kanë djegur automjetin e përdorur në krim, është gjetur profil ADN-je i Beqarajt. Profil gjenetik është gjetur edhe për Flodian Plakun, gjithashtu i arrestuar. Ndërkohë, prokuroria e Tiranës vijon hetimin për identifikimin e autorëve të krimit.

Gentian Bejtja u qëllua pranë banesës së tij në Larushk më 15 mars 2024, në një kohë që ishte në kërkim nga policia. Ai u qëllua me breshëri automatike nga katër persona. Policia Shkencore vlerësoi se nga 4 kallashnikovëve të gjetur në mjetin e djegur të autorëve, nga 3 prej tyre ishin derdhur plumba drejt 43-vjeçarit. Para ngjarjes Bejtja i kishte mbijetuar tre atentateve.

Mbetjet e Kurum, policia ekzekuton 20 nga 33 masat e dhëna nga Prokuroria

By: e xh
4 February 2026 at 10:41

Sipas policisë së Durrësit, operacioni policor i organizuar në Durrës, Tiranë dhe Elbasan ka bërë të mundur ekzekutimin e 20 nga 33 masa sigurie të caktuara me vendim gjykate. 

Masat e sigurimit personal u caktuan me kërkesë të prokurorisë për transportimin e 2800 tonë mbetje të rrezikshme të kompanisë Kurum nga porti i Durrësit drejt Tajlandës.

Kontejnerët me mbetje ndërkohë vijojnë të qëndrojnë në zonën e Porto Romanos dhe ende nuk dihet se çdo të bëhet me to, si do të asgjësohen dhe ku, pas përcaktimit të tyre si mbetje të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.

Gjermania do të nis reformë gjithëpërfshirëse të pensioneve

By: e xh
4 February 2026 at 10:25

Në marrëveshjen e koalicionit midis konservatorëve dhe socialdemokratëve,qeveria gjermane i vendosi vetes objektivin e mëposhtëm: “Ne do të krijojmë një sistem pensioni të besueshëm për të gjitha brezat.” Për ta arritur këtë, Friedrich Merz beson se sistemi i pensioneve duhet të reformohet dhe kancelari gjerman dëshiron të përshpejtojë procesin.

Një “reformë gjithëpërfshirëse e pensioneve” do të nisë këtë vit

Këtë e njoftoi Friedrich Merz e deklaroi në pritjen vjetore të Bursës Gjermane (Deutsche Börse) në Eschborn, pranë Frankfurtit.  Ideja e tij themelore për reformën e planifikuar  është që sigurimi i detyrueshëm i pensioneve të ruhet, por të jetë vetëm një element ndër të tjerët në një nivel të ri gjithëpërfshirës mbulimi. Sigurimet private të pensioneve dhe pensionet e ndërmarrjeve, të cilat financohen me bazë kapitalizimi, duhet të luajnë një rol shumë më të rëndësishëm se më parë, theksoi Merz, duke iu referuar një “ndryshimi të afërt të paradigmës në politikën gjermane të pensioneve”.

Pensionet janë një prioritet në reformat sociale

Në një intervistë për gazetën Tagesspiegel, kreu i kancelarisë, Thorsten Frei, gjithashtu vendosi si qëllim nisjen e reformës së pensioneve në vitin 2026. “Deri në fund të vitit, ne do të kemi zbatuar reformat e para të mëdha sociale, dhe përparësi u kemi dhënë pensioneve,” tha politikani i CDU-së. Por gjithashtu është e qartë “se jo gjithçka do të jetë gati deri në dhjetor.” Aktualisht, një komision për pensionet po shqyrton propozime të mundshme. Ai duhet t’i paraqesë ato deri në fund të tremujorit të dytë. Sipas Frei-t, disa nga këto propozime mund të zbatohen mjaft shpejt, ndërsa të tjera do të kërkojnë një periudhë më të gjatë përgatitore.

Vitin e kaluar, pensionet ishin subjekt i polemikave të ashpra, edhe brenda partive konservatore unioniste. Organizata e rinisë e CDU-së, Junge Union (JU) protestoi kundër planeve për reformën e pensioneve të dakorduara midis partive unioniste dhe SPD-së dhe kërcënoi se do të refuzonte paketën ligjore që duhej të miratohej nga Bundestagu para fundit të vitit 2025. Në fund, projektligji u miratua, pas një premtimi të bërë për të rinjtë se do të nisë një reformë themelore e pensioneve në vitin 2026.

Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në kërkon shkurtime në sistemin e pensioneve

Këshilli Ekonomik i afërt me CDU-në, një shoqatë sipërmarrjesh, së fundmi paraqiti propozime për reformimin e sistemit të pensioneve. Për të reduktuar shpenzimet federale, Këshilli propozoi shkurtimin e pensionit të posaçëm për nënat dhe eleminimin e daljes në pension në moshën 63 vjeç. Në vend të kësaj, mosha e daljes në pension duhet të lidhet “në afat të mesëm” me pritshmërinë e jetës.

Ndërsa propozimet e Këshillit Ekonomik u kritikuan ashpër nga të gjitha partitë, tani ato kanë mbështetjen e ekonomistes Veronika Grimm. “Na duhen propozime që reduktojnë barrën mbi buxhetin federal, por edhe mbi landet federale dhe komunat,” tha ajo në emisionin e përbashkët të mëngjesit të ARD dhe ZDF. Sepse krahasuar me vendet e tjera evropiane, barra e taksave dhe e sigurimeve shoqërore ka arritur në “nivel rekord”.

Në fushën e sigurimeve të pensioneve, për shembull, shteti ka ecur kryesisht në drejtimin e gabuar, paralajmëroi Grimm. Dhe miliardat e parashikuara për vitet e ardhshme po ushtrojnë presion edhe më të madh mbi buxhetin federal. Prandaj, rritja e moshës së daljes në pension sipas saj, është një “faktor i rëndësishëm”. Në mënyrë të ngjashme, “dalja në pension në moshën 63 vjeç dhe pensioni për nënat duhet në fakt të vihen në diskutim”.

Pagat/ Pas Ramës reagon Shoqata e Prokurorëve: Presioni nuk i shërben forcimit të…

By: e xh
4 February 2026 at 09:25

Pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama në një komunikim virtual me qytetarët në “Facebook”, ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve në lidhje me kërkesën e Gjyqtarëve për rritje rroge.

Në këtë reagim, ata shprehen se presioni nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

“Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të zhvillimeve të fundit dhe debatit publik rreth gjykimit kushtetues mbi pagat e magjistratëve, në përmbushje të misionit dhe veprimtarisë së saj, e konsideron të domosdoshme të shprehë një qëndrim zyrtar në funksion të mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë vlerëson se debatet publike për çështje që lidhen me sistemin e drejtësisë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Çdo formë retorike që synon të kthejë opinionin publik kundër magjistratëve nuk i shërben forcimit të shtetit të së drejtës.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë i bashkohet qëndrimeve publike dhe kërkimeve të argumentuara tashmë në mënyrë shteruese nga shoqatat e gjyqtarëve përpara Gjykatës Kushtetuese. Theksojmë se çdo ndryshim ligjor që passjell regres në standardet e njohura më parë dhe ulje të pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese.

Në një shtet demokratik dhe të së drejtës, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë në tërësi përbën një parim themelor, i cili duhet të respektohet nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme përpara vendimmarrjes. Në këtë kontekst, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të përfundojë i pandikuar nga çdo presion i jashtëm apo instrumentalizim i opinionit publik.

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti i vetëm legjitim për të dhënë fjalën përfundimtare në këtë proces, si dhe mbështet çdo përpjekje institucionale dhe civile që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend”-thuhet në deklaratë.

❌
❌