Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 31 January 2026Opinion.al

Pazaret e Epstein/ E reja nga Tirana kërkoi punë, “ndërmjetësi” i kërkon video

By: e xh
31 January 2026 at 12:55

Në 3 milionë faqet e reja të publikuara lidhur me dosjen e Jeffrey Epstein shfaqet edhe emri i një vajze shqiptare, e cila rezulton që të ketë aplikuar për një vend pune si asistente personale. Sipas materialeve, rezulton që e reja me iniciale E.T., të ketë aplikuar në mars 2017.

Fillimisht ajo ka dërguar një CV, një personi ndërmjetësi (emri i të cilit është i mbuluar në dokumente), duke shprehur interes për pozicionin e punës. Sipas të dhënave të CV-së që shqiptarja kishte dorëzuar për të aplikuar për këtë pozicion pune, rezulton se jetonte në Tiranë.

“Përshëndetje, jam e interesuar për punën për të cilën i thatë Evan Luthra-s, por unë nuk jam me bazë në SHBA. A është kjo problem?”, thuhet në emailin që ka dërguar e reja.

Në vijim të komunikimit, personi tek i cili po aplikonte për punë, i kërkon asaj që të dërgojë “3 foto me cilësi të mirë dhe CV-në”. Kandidatja më pas përcjell dokumentet dhe tre foto personale.

Pas marrjes së materialeve, i njëjti person ia përcjell email-in Jeffrey Epstein, duke e informuar se bëhet fjalë për një vajzë 21–22 vjeçe. Edhe pse në CV thuhet se vajza jeton në Tiranë, personi që i dërgon emailin Epstein i thotë se ajo jeton në Paris, duke e pyetur: “A duhet ta intervistoj këtë?”

Në listën e bashkëngjitjeve të email-it, përveç CV-së dhe fotografive, rezulton që e reja t’i ketë dërguar edhe një video për kandidimin e saj. Nga dokumentet nuk rezulton që vajza shqiptare të ketë pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Epstein.

Protesta, Berisha: Qëndrimi në shesh derisa të largohet Rama, rruga e vetme

By: e xh
31 January 2026 at 12:48

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ftoi edhe një herë qytetarët të jenë të shumtë në numër në protestën e paralajmëruar për t’u zhvilluar në 10 shkurt, në orën 17:00.

“Ka një panik të madh nga narko-nomenklatura, nga organizata kriminale dhe tellallët e saj në mediat e blera. Kanë një javë që nuk pushojnë me tërbim kundër qytetarëve protestues, protestës dhe përpiqen me shiringa të mbajnë, t’i japin zemër Edi Ramës, i cili ç’është e vërteta është në kohërat e fundit të regjimit të tij të urryer për shqiptarët”, tha Berisha në një bashkëbisedim online me qytetarët këtë të shtunë.

“Siç e patë vetë, ai nuk dorëzon dot për asnjë rrethanë, asnjë mundësi imunitetin e Lubi Ballukut sepse e di se duhet të dorëzojë lëkurën e tij, karrigen e tij. Dje u paraqit në Divjakë para fermerëve me Ballukun në krah, por i tronditur gjer në palcë, kërcënues dhe arrogant ndaj fermerëve që haptas i shprehnin pakënaqësitë e mëdha, denonconin politikat e tij kundër fermerëve shqiptarë. Pra, mund të themi se regjimi po ecën drejt agonisë dhe gjithçka varet nga ne, nga opozita shqiptare. Gjithçka varet nga kryengritja paqësore që nuk duhet të ndalet kurrë gjer në përmbysjen e Edi Ramës. Pikërisht në këtë kuadër, ne thirrëm protestën tjetër me datën 10 shkurt, ditën e martë, në mënyrë që të marrim dhe njëherë paralajmërimin më serioz për largimin e tyre nga pushteti. Miq, gjatë këtyre ditëve janë me qindra qytetarë dhe qytetare që kërkojnë me shumë të drejtë që në protestë të mos largohemi nga sheshi pa realizimin e qëllimit tonë. Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj në mënyrë të pandalshme do të shkojmë. Edi Rama të bëjë ç’të dojë, mbrapa diellit të shkojë, shpresë nuk ka, do shkojë aty ku e ka vendin, aty ku e kanë vendin hajdutët dhe kriminelët që qeverisin një vend me lidhje të forta me kartelet e drogës, krimin dhe farsë elektorale”.

I pyetur për mundësinë e zhvillimit të protestave paralele në disa qytete, Berisha u përgjigj: “Ju rikujtoj këtu se, pasardhësit direkt të bllokmenëve nuk pyesin për Shqipërinë tjetër, përveç Tiranën e karrigeve. Më kujtohet si sot, kur Ramiz Aliaj thoshte se, Kavajën nuk e qeverisim ne, por ai gjithnjë kishte hallin e Tiranës. Ndaj dhe ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja se pse ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë”.

Protesta në Vlorë/Tregtarët përballen me Spiropalin,ankohen për zhvendosjen e tregut

By: e xh
31 January 2026 at 12:07

Në ditën e pestë të protestës, tregtarët e Tregut të Madh të Vlorës janë mbledhur serish sot kundër zhvendosjes nga vendi ku ushtrojnë aktivitetin e tyre aktual. Ata shprehen se nuk janë kundër zhvillimit, por spostimi i tyre drejt Jalisë së Nartës është shkatërrim, pasi nuk ka asnjë kusht dhe është gati 3 km larg, gjë që sjell mbylljen përfundimtare të aktivitetit të tyre.

Paraditen e sotme, protesta u zhvendos përpara Teatrit “P. Marko” të Vlorës, ku pritej të zhvillohej një event ndërkombëtar, ku pritej që të vinte edhe kryeministri Rama, por ka mbërritur ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali.

Tregtarët zgjodhën këtë moment për të bërë zërin e tyre më të dëgjueshëm, duke protestuar gjatë kalimit të ministres Elisa Spiropali. Gjatë situatës, Spiropali ndaloi dhe u kthye për të komunikuar drejtpërdrejt me protestuesit.

“Bravo që erdhe”, i thonë qytetarët.

Unë do flas tani me kryetaren e bashkisë dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. Edhe bashkia ka një plan të saj të zhvillimit“, u tha ministrja qytetarëve.

Pas këtij komunikimi të shkurtër, Spiropali u largua për të marrë pjesë në eventin ndërkombëtar, ndërsa tregtarët vijuan protestën, duke kërkuar zgjidhje konkrete dhe dialog me autoritetet lokale.

Dosja “Epstein”/ Ish-Sekretari i Përgjithshëm i KiE: Isha në Tiranë, vajza të…

By: e xh
31 January 2026 at 11:48

Një email i datës 25 maj 2012 tregon se Thorbjørn Jagland, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës në atë periudhë, i ka dërguar një mesazh Jeffrey Epstein, një ditë pas një vizite zyrtare në Shqipëri. Në komunikimin elektronik, Jagland shkruan shkurt: “Kam qenë në Tiranë, vajza të jashtëzakonshme”

Email-iështë dërguar më 25 maj 2012, ndërsa vizita zyrtare e Jagland në Shqipëri është zhvilluar më 24 maj 2012, sipas axhendave dhe burimeve publike.

Sipas arkivave zyrtare, gjatë vizitës së tij në Tiranë, Jagland ka zhvilluar takime institucionale me Edmond Haxhinaston, ministër i Jashtëm i kohës, Sali Berishën, kryeministër, Bamir Topin, president i Republikës. Vizita ishte pjesë e angazhimeve të Këshillit të Europës në Shqipëri.

Thorbjørn Jagland ka shërbyer si Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, institucioni paneuropian që mbikëqyr demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës në 47 vende. Ai ka qenë gjithashtu ish-kryeministër dhe ish-ministër i Jashtëm i Norvegjisë.

Email-i i publikuar nuk përmban detaje mbi takime private apo aktivitete jashtë axhendës zyrtare të vizitës në Tiranë. Komenti i bërë në këtë komunikim privat nuk shoqërohet me shpjegime apo kontekst shtesë dhe, deri më tani, nuk ka prova publike që të tregojnë për ndonjë vijimësi konkrete përtej këtij mesazhi.

Megjithatë, fakti që ky komunikim është zhvilluar me Jeffrey Epstein, një figurë e përfshirë më vonë në skandale të rënda ndërkombëtare, ngre pikëpyetje mbi natyrën e marrëdhënieve dhe kontakteve private me figura të larta institucionale, çështje që mbeten ende të paqarta dhe të hapura për sqarim.

Heroinë dhe kokainë/ Arrestohet 45-vjeçari në Durrës, përplas dhe makinën e policisë

By: e xh
31 January 2026 at 10:39

Një 45-vjeçar është arrestuar këtë të shtunë në Durrës, pasi është përfshirë në shitje drogash të forta si kokainë, heroinë, posedim të armëve te ftohta dhe vjedhje.

Gjatë tentativës për t’u arratisur nga vendi i ngjarjes, 45-vjeçari përplasi me makinën ën drejtonte, automjetin e Policisë.

Njoftimi i policisë:

-I përfshirë në shitje drogash të forta, autor i dyshuar vjedhjesh dhe posedues armësh të ftohta, arrestohet 45-vjeçari.

I arrestuari, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, automjetin e Policisë që i ishte vënë në ndjekje.

Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi Heroine, sasi Kokaine dhe 1 elektroshok.

-Shpallet në kërkim 1 bashkëpunëtor i 45-vjeçarit, në vjedhje, dhe 1 bashkëpunëtor tjetër, në shitjen e lëndeve narkotike (ky i fundit i kishte dhënë 45-vjeçarit, automjetin, me qira).

-Procedohet penalisht një shok i 45-vjeçarit, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanosi një shtetas, me pistoletë lodër.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë dhe koordinimit të veprimeve operacionale, menjëherë pas një kallëzimi të marrë për një rast kanosjeje, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, finalizuan operacionin e koduar “Përfshirja e shumëfishtë”.

Gjatë operacionit u identifikua shtetasi që dyshohet se kishte kanosur kallëzuesin, për motive të dobëta, E. H., 36 vjeç, banues në Kavajë, për të cilin nisi procedimi penal në gjendje të lirë. Në automjet, 36-vjeçarit iu gjet pistoleta lodër me të cilën dyshohet se kreu kanosjen. Sendi u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Në momentin e konstatimit të 36-vjeçarit, ai shoqërohej me shtetasin J. I., 45 vjeç, banues në Durrës, i cili sapo ka parë afrimin e shërbimeve të Policisë, është larguar me shpejtësi, me automjet. Shërbimet i janë vënë menjëherë në ndjekje dhe kanë mundësuar arrestimin e tij. 45-vjeçari gjatë lëvizjes me shpejtësi, ka përplasur me automjet, automjetin e Policisë. Si pasojë pati vetem dëme materiale.

Nga verifikimet ka rezultuar se shtetasi J. I. e drejtonte automjetin që kishte marrë me qira nga shtetasi B. M., 51 vjeç, në efektin e lëndëve narkotike. Nga kontrolli në automjet u gjetën sasi drogash të forta (Heroinë dhe Kokainë) dhe 1 elektroshok.

Si rezultat i verifikimeve të mëtejshme dyshohet se shtetasi J. I., në bashkëpunim me shtetasin V. K., 32 vjeç, ka vjedhur mëngjesin e djeshëm, në një servis për automjete, bateri automjeti dhe sasi nafte.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të 45-vjeçarit, si dhe vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, për të dokumentuar plotësisht, me prova ligjore veprimtaritë kriminale ku është përfshirë ky shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“Kur do ta vizitojmë ishullin tuaj”, publikimi i mesazheve me Epstein, reagon Musk

By: e xh
31 January 2026 at 10:35

Elon Musk ka reaguar pas publikimit të një email-i të vitit 2013 drejtuar Jeffrey Epstein, duke deklaruar se kontaktet e tij me financuesin e ndjerë kanë qenë minimale dhe se ai i ka refuzuar vazhdimisht ftesat për ta vizituar.

Në një reagim në platformën X, Musk tha se ishte “shumë i vetëdijshëm” se disa email-e mund të keqinterpretoheshin dhe të përdoreshin për të dëmtuar reputacionin e tij.

“Askush nuk ka shtyrë më shumë se unë për publikimin e dosjeve të Epstein dhe jam i lumtur që kjo më në fund ndodhi”, shkroi ai.

Miliarderi theksoi se kishte refuzuar ftesat për të vizituar ishujt privatë të Epstein në SHBA apo për të udhëtuar me avionin e tij, të njohur si “Lolita Express”. Sipas Musk, interesi i tij kryesor mbetet ndjekja penale e personave që kanë kryer krime të rënda në lidhje me Epstein.

Megjithatë, dokumentet e publikuara tregojnë se më 13 dhjetor 2013, Musk i kishte dërguar një email Epsteinit, duke e informuar se do të ndodhej në Ishujt Britanikë dhe në Shën Barthélemy gjatë festave dhe duke e pyetur nëse kishte një kohë të përshtatshme për ta vizituar. Epstein iu përgjigj se fillimi i vitit të ri do të ishte i përshtatshëm, duke shtuar se “gjithmonë ka vend për ty”.

Nga korrespondenca nuk rezulton qartë nëse Musk ka vizituar ndonjëherë ishujt e Epstein. Megjithatë, emailet zbulojnë një nivel komunikimi mes tyre që nuk ishte bërë publik më parë, në kontrast me përpjekjet e mëvonshme të Musk për t’u distancuar nga Epstein.

Në të kaluarën, gjatë përplasjes së tij me presidentin Donald Trump, Musk kishte sugjeruar se publikimi i dosjeve të Epstein po vonohej për shkak se emra të rëndësishëm përfshiheshin në to. Kjo përplasje shënoi edhe një prishje të marrëdhënieve mes tij dhe Trump, me të cilin kishte bashkëpunuar më herët.

Epstein akuzonte Trump për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me të mitura

By: e xh
31 January 2026 at 09:54

Emri i Donald Trump shfaqet më shumë se 3,200 herë në 3 milionë faqet mbi çështjen Epstein të publikuara nga Departamenti  Amerikan i Drejtësisë. Dhe disa dëshmi të paverifikuara, hedhin disa fakte të errëta mbi të kaluarën e presidentit amerikan dhe shënojnë një nga pikat më të ulëta në historinë e kohëve të fundit në Amerikë.

Grupi i fundit i faqeve të publikuara mbi rrjetin pedofil të ngritur nga Jeffrey Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019, përmban gjithashtu 2,000 video dhe 180,000 imazhe. Ndërkohë tre milionë dokumente të tjera mund të mos e shohin kurrë dritën e ditës.

Faqet e reja të publikuara u njoftuan çuditërisht jo nga Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi, e cila sipas hipotezave u la mënjanë nga Trump për trajtimin e skandalit, por nga zëvendësi i saj, Todd Blanche, ish-avokati i presidentit.

“Ka një uri të madhe për lajme, por nuk mendoj se do të kënaqet nga dokumentet e reja”, tha ai.

Brenda pak minutash, stafi editorial i gazetave kryesore amerikane vendosi ekipe gazetarësh që kërkonin referenca për Trump. Nuk u gjetën prova të dokumentuara, por dëshmitë – sa të besueshme janë nuk dihet.

Një faqe dokumenti përshkruan një vajzë 13 ose 14-vjeçare e cila, 35 vjet më parë, dyshohet se e kafshoi Trumpin ndërsa po detyrohej të kryente marrëdhënie intime me të. Një tjetër përshkruan një vajzë 13-vjeçare që mbeti shtatzënë dhe u detyrua të abortonte. Një faqe tjetër përshkruan një ankand të të miturve në të cilin mori pjesë manjati.

“Donald Trump, presidenti”, thuhet aty, “mbante festa në Mar-a-Lago të quajtura ‘vajzat e kalendarit’. Jeffrey Epstein i sillte vajzat dhe Trump i nxirrte në ankand”.

“Të ftuarit ishin burra të mëdhenj në moshë, mes tyre edhe Elon Musk”.

“Ne mbaheshim në dhoma, të detyruara të kryenim marrëdhënie me Donald Trump. Isha 13 vjeç kur Donald Trump më përdhunoi. Ghislaine Maxwell ishte gjithashtu e pranishme”.

Në këto faqe të publikuara përmenden edhe festa ku dëshmitarët pretendojnë se manjati pagoi për kryerjen e marrdhënieve seksuale. Në vitin 1987, një vajzë përfundoi në Trump Plaza për një takim me manjatin. Një i huaj ofroi ta prezantonte me të dhe i dha një pije.

Vajza, sipas këtyre dokumentave, u zgjua “e zhveshur dhe e lënduar, me 300 dollarë në shtrat”.

“Viktima nuk mbante mend se si përfundoi atje. Ajo telefonoi dikë dhe tha se ishte përdhunuar”. Së fundmi, dokumentet përfshijnë një formular të FBI-së që “lidhet me një ankesë të vitit 1994 nga një grua që akuzonte Donald Trump se e kishte përdhunuar kur ishte minorene”. Gruaja – emri i së cilës nuk u publikua – “më vonë e tërhoqi akuzën” kundër presidentit aktual.

Shtëpia e Bardhë shpjegoi se disa dokumente përmbajnë “akuza të rreme të bëra ndaj FBI-së para zgjedhjeve të vitit 2020”. Dokumentet përfshijnë gjithashtu mesazhe me tekst të shkëmbyera midis zonjës së parë të ardhshme, Melania Trump dhe Maxwell, bashkëpunëtores të Epstein. Ato datojnë që nga viti 2002. Melania komplimentoi një artikull reviste në lidhje me financierin. “Dhe dukesh shumë mirë në foto”, i shkroi ajo shoqes së saj, duke shtuar “Me dashuri, Melania”.

Nuk është e qartë se sa shumë zbulimet e reja, të pakonfirmuara nga hetimet, do ta ndryshojnë trajektoren politike të Trump, i cili fitoi zgjedhjet e vitit 2016 pavarësisht rrëfimit në kasetë se i kishte kapur gratë në pjesë intime. Akuzat nuk u vërtetuan kurrë nga hetimet policore.

Megjithatë, historia vjen vetëm disa ditë pasi Maxwell, e dënuar me 20 vjet burg, akuzoi të paktën 25 persona për arritjen e “marrëveshjeve sekrete”, ndërsa emrat e katër bashkëpunëtorëve të dyshuar në rrjetin pedofil nuk u publikuan kurrë. Akuza përmbahet në mocionin e Maxwell për të përmbysur dënimin e saj dhe u paraqit pa avokatët e saj. Duket si një paralajmërim. Por për kë? Ndërkohë, diagrami i rrethit magjik të Epstein është shfaqur në dokumente: përveç Maxwell, ka të paktën pesë foto. Të gjitha janë fshirë./La Repubblica

Dosja “Epstein”/ Princit Andrew, shfaqet sipër një gruaje të shtrirë në dysheme

By: e xh
31 January 2026 at 09:52

Një valë e re reagimesh janë shkaktuar në SHBA pas publikimit të mbi 3 milionë faqeve të reja nga dosja e Jeffrey Epstein, ku përfshihen edhe fotografi të reja që lidhen me Princin Andrew.

Në disa prej pamjeve shihet një burrë që i ngjan ish-dukës së Jorkut me një grua të shtrirë në dysheme. Nuk është bërë e ditur se kur dhe ku janë realizuar fotografitë, ndërsa mungojnë edhe shpjegime shtesë mbi rrethanat.

Dokumentet janë publikuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, i cili njoftoi se janë hequr ose modifikuar të dhëna personale të viktimave, dosje mjekësore dhe informacione që lidhen me hetimet në vijim. Fytyrat e grave, me përjashtim të Ghislaine Maxwell, janë mbuluar për arsye mbrojtjeje.

Princi Andrew ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në veprime të paligjshme. Sipas një shënimi të brendshëm të FBI të përfshirë në dosje, autoritetet amerikane vlerësojnë se ai “nuk përbën një figurë qendrore” në hetimin penal.

Kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, 3 të pranga, 4 të proceduar

By: e xh
31 January 2026 at 09:31

Finalizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, operacioni i koduar “Brand 3”.

Identifikohen 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe nga Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore.

Vihen në pranga 3 nga këta shtetas, procedohen penalisht 4 të tjerët.

Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Sekuestrohen 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta dhe 2 automjete.

Si rezultat i hetimeve të shpejta të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, bazuar në informacionet e siguruara për një rast të kontrabandës së mallrave dhe shitjes së tyre në informalitet, është organizuar dhe finalizuar operacioni i koduar “Brand 3”.

Si rezultat, u identifikuan 7 shtetas, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kontrabandonin veshje nga Kina dhe Turqia, i magazinonin në Tiranë dhe më pas i shitnin duke shmangur detyrimet tatimore.

Këta shtetas u kapën në flagrancë gjatë operacionit, duke transportuar me 2 automjete, 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve:
-u arrestuan shtetasit: S. B., 69 vjeç, B. Ll., 72 vjeç dhe A. B., 57 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit: R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç dhe Z. M., 65 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Shkelja e të drejtës së pronësisë industriale”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

“Travel and Tour Word”: Turistët francezë dhe amerikanë, interes për Shqipërinë

By: e xh
31 January 2026 at 09:11

Turizmi në Shqipëri po ndryshon profil: Rritet ndjeshëm interesi nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, shkruan faqja e njohur “Travel and Tour Word”.

Turizmi në Shqipëri po hyn në një fazë të re zhvillimi, me një ndryshim të dukshëm të strukturës së vizitorëve të huaj dhe një rritje të fortë të interesit nga Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo prirje evidentohet në një analizë të publikuar nga portali ndërkombëtar Travel and Tour World, i cili thekson se ‘’vendi po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në tregjet turistike perëndimore’’.

Sipas raportimit, ndonëse Kosova dhe Italia vijojnë të jenë burimet kryesore të turistëve për Shqipërinë, ritmet më të shpejta të rritjes po regjistrohen nga tregje më të largëta dhe me fuqi më të madhe blerëse.

Turistët nga Gjermania dhe Franca po shfaqin interes në rritje për destinacione kulturore, natyrore dhe bregdetare, ndërsa vizitorët amerikanë po e shohin Shqipërinë si një destinacion të ri, ende të paeksploruar plotësisht në Mesdhe.

Tirana, Durrësi dhe bregdeti mbeten në qendër të vëmendjes.

Tirana vazhdon të jetë porta kryesore e hyrjes për turistët e huaj, falë lidhjeve ajrore në rritje dhe zhvillimit të shërbimeve urbane.

Ndërkohë, Durrësi mbetet një nga destinacionet më të frekuentuara për turizmin familjar dhe atë detar, për shkak të afërsisë me kryeqytetin dhe infrastrukturës hoteliere ekzistuese.

Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe bregdetit shqiptar, veçanërisht Rivierës së Jugut, ku zonat si Vlora, Himara, Dhërmiu dhe Saranda po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë të huaj gjatë sezonit veror. Artikulli vëren se rritja e fluksit po shoqërohet edhe me shtim të kërkesës për struktura akomoduese cilësore dhe shërbime turistike më të standardizuara.

Fluturimet dhe çmimet, një faktor ndikues

Një nga faktorët kryesorë që po nxit rritjen e turizmit është zgjerimi i rrjetit të fluturimeve ndërkombëtare, veçanërisht nga kompanitë ajrore low-cost, të cilat kanë shtuar ndjeshëm destinacionet drejt Tiranës. Kjo ka lehtësuar aksesin për turistët europianë dhe ka ulur kostot e udhëtimit.

Gjithashtu, çmimet relativisht më të ulëta krahasuar me destinacione të tjera të Mesdheut, së bashku me natyrën e paprekur dhe trashëgiminë kulturore, e bëjnë Shqipërinë një alternativë gjithnjë e më tërheqëse për pushime.

Sfida për zhvillimin e qëndrueshëm

Pavarësisht rritjes së fortë sektori përballet me sfida serioze. Ndër to përmenden presioni mbi infrastrukturën, menaxhimi i mbetjeve, mbipopullimi sezonal dhe rritja e çmimeve në disa zona turistike, çka mund të ndikojë negativisht në përvojën e vizitorëve.

Ekspertët vlerësojnë se për të ruajtur ritmet e rritjes dhe për të përmirësuar cilësinë e ofertës turistike, Shqipëria duhet të investojë më shumë në turizëm të qëndrueshëm, planifikim urban dhe mbrojtje të mjedisit.

Turizmi, një shtyllë gjithnjë e më e rëndësishme e ekonomisë

Sipas të dhënave zyrtare, numri i turistëve të huaj në Shqipëri ka arritur nivele rekord, duke e shndërruar turizmin në një nga sektorët kryesorë të ekonomisë kombëtare.

Rritja e interesit nga tregje të reja shihet si një mundësi për të rritur të ardhurat, për të zgjatur sezonin turistik dhe për të diversifikuar ofertën përtej turizmit masiv veror.

Në këtë kontekst, Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një destinacion emergjent europian, me potencial të madh, por edhe me nevojën për politika afatgjata që të garantojnë zhvillim të balancuar dhe cilësor.

Rama ndan pamje nga kantieri “Dua të luaj” në Elbasan: Një hapësirë moderne

By: e xh
31 January 2026 at 08:43

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë pamje nga kantieri i këndit “Dua të luaj” në qytetin e Elbasanit, përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Facebook”.

Sipas kryeministrit, ky projekt synon të krijojë një hapësirë moderne dhe gjithëpërfshirëse për komunitetin, duke ofruar ambiente çlodhjeje dhe argëtimi për të gjitha grupmoshat.

“Mirëmëngjes  dhe me kantierin e këndit ‘Dua të luaj’, në Elbasan, një hapësirë moderne prej 22 mijë m², me fusha sportive, kënde lojërash dhe ambiente rekreative për fëmijë, familje dhe të moshuar, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama.

Parashikimi i motit, 31 janar 2026

By: e xh
31 January 2026 at 08:41

Për ditën e shtunë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me alternime kthjellimesh dhe vranësirash. Reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët të karakterit lokal përgjatë relieveve malore.

Era do të fryjë do të fryjë me drejtim nga juglindje-jugperëndim, në mbrëmje drejtimi i erës kthehet nga Verilindja me shpejtësi mesatare 6 m/s.

Valëzimi në det pritet të jetë i forcës 1-2 ballë.

Horoskopi, 31 janar 2026

By: e xh
31 January 2026 at 08:40

Dashi

Do iu konkretizohen shume nga ëndrrat tuaja sot dhe do ndiheni me se miri ne krahët e partnerit. Shfrytëzojeni çdo sekonde deri ne maksimum. Beqaret duhet t’i kushtojnë vëmendje çdo personi qe do iu vije rrotull sepse asnjëherë nuk i dihet çfarë mund te ndodhe. Ne planin financiar do përballeni me surpriza te këqija dhe kjo për shkak te një menaxhimi te keq qe keni bere.

Demi

Asnjë planet nuk do merret me jetën tuaj sentimentale kështu qe gjithçka do ju ece për mrekulli. Do kuptoheni mire dhe do e ruani te forte bashkepunimin ne çift. Beqaret do e bëjnë shume shpejt për vete personin qe pëlqejnë. Ne planin financiar gjerat nuk do ecin mire. Marsi do ju nxite te shpenzoni pa fund dhe gjendja do përkeqësohet.

Binjaket

Tregohuni me tolerante dhe me te përkushtuar ndaj partnerit tuaj gjate kësaj dite nëse nuk doni qe ai ta kërkoje ngrohtësinë diku tjetër. Beqaret nuk do e mbajnë mendjen tek dashuria sepse do jete te mbushur me pune dhe impenjime. Ne planin financiar do jeni te kujdesshëm dhe nuk do hidhni hapa te nxituara. Gjendja do jete mjaft e kënaqshme.

Gaforrja

Partneri do ua plotësojë te gjitha dëshirat gjate kësaj dite dhe do ju beje te ndiheni me se miri. Edhe ju do e dashuroni me pasion dhe do ndiheni me fat qe e keni ne krah. Beqaret do kenë një dite te ndërlikuar dhe nuk do e mbajnë mendjen tek dashuria. Financiarisht do jeni te bekuar. Do hiqni edhe para mënjanë, por edhe do kryeni shpenzimet e nevojshme.

Luani

Jeta sentimentale e çifteve do jete gjithë kohës e privilegjuar. Do merrni vesh për gjithçka me partnerin tuaj dhe gjerat do ecin për mrekulli. Ju beqaret nuk duhet te joshni cilindo qe do ju dale përpara sepse do i vuani se tepërmi pasojat. Ne planin financiar tregohuni te kujdesshëm me shpenzimet dhe mos jepni as para hua.

Virgjeresha

Me qetësi dhe durim do i zgjidhni te gjitha problemet qe keni pasur ne jetën tuaj ne çift gjate kësaj dite dhe do ndiheni te qete. Beqaret do e kërkojnë pa fund dhe ne çdo cep princin e tyre te kaltër. ka shume gjasa qe ta gjejnë ne momentin me pak te pritur. Ne planin financiar mos u tregoni te pakujdesshëm sepse gjendja mund te përkeqësohet tej mase.

Peshorja

Do jeni shume te shqetësuar gjate kësaj dite për shkak te atmosferës se tensionuar qe do mbizotërojë gjate gjithë kohës. Do keni goxha mosmarrëveshje. Beqaret duhet te reflektojnë me kujdes para se te fillojnë ndonjë lloj aventure. Ne planin financiar sido qe te jete gjendja nuk duhet te merrni vendime te pamenduara, te paktën edhe për disa kohe.

Akrepi

Shprehini si t’i ndieni ndjenjat tuaja gjate kësaj dite dhe do e shihni qe atmosfera do filloje te përmirësohet. Nuk do i rezistoni dot as tundimit për te bere ndonjë çmenduri. Beqaret do jene ne humorin duhur dhe do e kërkojnë ne çdo cep dashurinë. Fati do jete ne anën e tyre. Ne planin financiar do keni shume probleme dhe do ndiheni shume te shpërqendruar.

Shigjetari

Do jeni me shume fat gjate kësaj dite ne jetën tuaj sentimentale dhe gjerat do ju ecin me se miri. Edhe ata qe kane pasur mosmarrëveshje do ndihen shume me te qete. Beqaret nuk do mendojnë aspak për te krijuar një lidhje pasi do mendojnë për çështje me te rëndësishme. Financat jo për te gjithë do jene te mira dhe kjo do varet nga mënyra sesi do i organizoni ato.

Bricjapi

Dite aspak e favorshme për te dashuruarit. Do jeni gjithë kohës me humor te keq dhe do lindin mosmarrëveshje pa mbarim. Beqaret do kenë te tjera pikësynime për jetën dhe do e lënë pas dore jetën sentimentale. Nëse doni qe t’i stabilizoni te ardhurat, mos iu besoni ne asnjë mënyrë lojërave te fatit. Keni për te humbur me tepër nga sa mendonit.

Ujori

Duhet te luftoni fort gjate kësaj dite me te gjitha “armiqtë” e jetës suaj ne çift. Mos lejoni askënd dhe asgjë t’ua prishe harmoninë qe ka mbizotëruar deri me sot. Beqaret do kenë takime, por nuk do e ndryshojnë dot statusin e tyre. Ne planin financiar do ju duhet te merreni masa shume strikte ne mënyrë qe gjendja t’iu përmirësohet.

Peshqit

Gjithçka do varet nga sjellja juaj sot ne jetën tuaj ne çift. Nëse silleni mire dhe nuk bëni çmenduri gjerat do shkojnë si duhet. Beqaret do kalojnë një dite te trazuar dhe pa ndonjë takim mbresëlënës. Asgjë nuk ka për te ndryshuar për ta. Sektori i financave do jete i privilegjuar dhe do arrini te kryeni te gjitha investimet e domosdoshme.

Zbulohen lidhjet e Jeffrey Epstein me ambasadorin britanik në SHBA

By: e xh
30 January 2026 at 22:24

Sipas dosjeve të reja që u publikuan nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Jeffrey Epstein ka dërguar transferime bankare që arrijnë në mijëra paund pas daljes nga burgu në vitin 2009, drejt burrit të Peter Mandelson, Reinaldo Avila da Silva.

Këto dokumente të fundit ngrenë pyetje të reja në lidhje me marrëdhënien e Epstein me Mandelson, i cili u shkarkua nga posti i ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Washington pasi dolën në pah detaje mbi mbështetje financiaren që ai kishte ofruar për Epstein-in.

Seti i fundit i të dhënave të publikuara nga Departamenti i Drejtësisë tregon se da Silva kishte kontaktuar Epstein më 7 shtator 2009, rreth dy muaj pas daljes së tij nga burgu, pas dënimit me 13 muaj burg për prostitucion me një minorene. Mandelson, në atë kohë Sekretar i Biznesit në Mbretërinë e Bashkuar, ishte në një marrëdhënie me da Silva, të cilët më vonë do të martoheshin në vitin 2023 pas 27 vitesh bashkëjetese.

Në emailin e tij, da Silva i kërkonte Epstein-it financim për një kurs osteopatie dhe shpenzime të tjera, duke shkruar: “I kam dërguar disa email-e javën e kaluar për shpenzimet e kursit tim të osteopatisë, përfshirë tarifën, modelet anatomike, dhe laptopin, nëse mund të më ndihmosh. Shpresoj të keni marrë ato.”

Epstein i përgjigjej menjëherë duke thënë: “Do të dërgoj shumën e huasë menjëherë.”

Ditën tjetër, da Silva i dërgoi një tjetër email Epstein-it për të pyetur nëse një pagese prej £10,000 ishte përfshirë në tarifat e tij shkollore, apo ishte transferuar drejtpërdrejt në shkollë. Epstein i përgjigjej: “Po, është përfshirë.”

Një email tjetër nga Mandelson, më vonë në atë muaj, i kujton Epstein-it që kjo shumë të ishte huatë për të shmangur pagesën e taksës së dhuratës. Da Silva konfirmoi më pas marrjen e parave, duke i shkruar Epstein-it: “Faleminderit për paratë që mbërritën në llogarinë time këtë mëngjes.”

Në prill të vitit 2010, da Silva dërgoi detajet e tij bankare dhe kërkoi më shumë fonde. Sipas raportimeve të Financial Times, Epstein i kishte kërkuar kontabilistit të tij të dërgonte 13,000 dollarë, dhe më vonë 2,000 dollarë çdo muaj për da Silva-n.

Një email tjetër nga Epstein për Mandelson, datuar 19 korrik 2009, sugjeron se Epstein kishte takuar da Silva-n ndërsa ishte ende në burg, duke shfrytëzuar një program pune-lirimi që e lejonte të linte burgun gjatë ditës dhe të kthehej mbrëmjeve.

Mandelson ka kërkuar ndjesë më parë për lidhjen e tij me Epstein dhe ka deklaruar: “Ishte gabimi im që besova Epstein pas dënimit të tij dhe vazhdova të mbaja marrëdhënie me të. I kërkoj falje pa kushte për këtë ndaj grave dhe vajzave që vuajtën.”

Ai shtoi: “Nuk kam qenë kurrë përgjegjës ose bashkëpunues në krimet e tij. Si të gjithë të tjerët, unë mësova të vërtetën vetëm pas vdekjes së tij.”

Yesterday — 30 January 2026Opinion.al

Spanja legalizon qëndrimin e emigrantëve

By: e xh
30 January 2026 at 21:19

Qeveria spanjolle ka hedhur një hap të rrallë me nisjen e një procedurë të jashtëzakonshme që u mundëson shumë emigrantëve, të cilët deri tani kanë jetuar ilegalisht në vend, të fitojnë status legjitim qëndrimi.

Vendimi u bë i ditur nga Ministrja e Migracionit, Elma Saiz, pas miratimit nga kabineti qeveritar. Saiz sqaroi se nisma synon forcimin e një modeli emigracioni të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriut, duke u ofruar emigrantëve siguri ligjore, mundësi integrimi dhe të drejta të barabarta, ndërsa theksoi gjithashtu ndikimin pozitiv që migrimi ka në shoqëri dhe ekonomi. Kryeministri socialist Pedro Sánchez nga ana e tij, e justifikoi këtë politikë pro-emigrimit me mungesën e fuqisë punëtore dhe plakjen e popullsisë, faktorë që rrezikojnë funksionimin e shtetit social dhe sistemin e pensioneve në Spanjë.

Nga kjo procedurë përfitojnë të gjithë emigrantët që kanë hyrë në Spanjë para 31 dhjetorit 2025, me kusht që të mos kenë precedentë penalë dhe të kenë qëndruar në vend të paktën pesë muaj. Prania e tyre mund të vërtetohet përmes dokumenteve si certifikata mjekësore, kontrata qiraje, transferta bankare apo edhe bileta udhëtimi.

Aplikimet për legalizim do të pranohen deri më 30 qershor dhe masa do të zbatohet përmes një dekreti mbretëror, pa pasur nevojë për miratim parlamentar, pasi koalicioni qeverisës nuk ka shumicën në Kuvend. Ndryshe nga disa vende të tjera perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku politikat ndaj emigrantëve janë ashpërsuar, Spanja duket ka zgjedhur një qasje më përfshirëse.

Ekspertet konsiderojnë se në kohën kur edhe shumica e vendeve të Bashkimit Evropian kanë zgjedhur shtrëngimin e rregullave të migrimit, Madridi po pozicionohet si kundërmodel. Së bashku me Italinë dhe Greqinë, Spanja është një nga pikat kryesore të mbërritjes së emigrantëve në Europë.

Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave, INE, në vitin 2025 në Spanjë jetonin rreth 9.8 milionë persona të lindur jashtë vendit, gati 20 për qind e popullsisë totale.

Zyrtari iranian: Teherani është gati për bisedime me SHBA, por me kushte

By: e xh
30 January 2026 at 20:12

“Irani është gati të rifillojë bisedimet me Shtetet e Bashkuara, por ato duhet të jenë të drejta dhe të mos përfshijnë aftësitë mbrojtëse të Iranit”, tha diplomati Abbas Araghchi. Nga ana tjetër Donald Trump më herët u shpreh se planifikonte të fliste me Iranin edhe pse Shtetet e Bashkuara dërguan një anije tjetër luftarake në Lindjen e Mesme.

Një nga kërkesat kryesore të SHBA-së për rifillimin e bisedimeve me Iranin është frenimi i programit të tij të raketave, tha një zyrtar i lartë iranian.

“Nëse negociatat janë të drejta, Irani është gati të marrë pjesë në bisedime të tilla”, tha Abbas Araghchi në një konferencë shtypi me homologun e tij turk në Stamboll.

Dosja “Epstein”, sëmundja e Bill Gates pas marrëdhënieve intime me vajza ruse

By: e xh
30 January 2026 at 19:08

Departamenti i Drejtësisë ka njoftuar publikimin e dosjeve të reja mbi Jeffrey Epstein. Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche tha se dosjet përmbajnë “mbi tre milionë faqe”, duke përfshirë afërsisht 2,000 video dhe 180,000 imazhe, përfshirë pornografi të gjerë me fëmijë.

Dokumentet janë të disponueshme në faqen e Dosjeve Epstein në faqen e internetit të Departamentit të Drejtësisë, me një veçori të re: këtë herë kërkohet qasje sepse përmbajtja është e papërshtatshme për të miturit.

Blanche përjashtoi mundësinë që departamenti i tij po mbron Presidentin e SHBA-së Donald Trump, emri i të cilit përmendet disa herë në dosjet e Jeffrey Epstein, pedofilit që vdiq në burg në vitin 2019. Por ai gjithashtu e bëri të qartë se dosjet e reja të publikuara sot nuk do të zbulojnë asgjë rreth presidentit.

“Ne nuk e kemi mbrojtur presidentin, nuk kemi mbrojtur askënd. Mendoj se ka një etje për informacion që nuk mendoj se do të shuhet nga këto dokumente”, tha ai për gazetarët pasi njoftoi publikimin e faqeve të reja mbi çështjen.

Bill Gates dhe sëmundja pas marrëdhënieve intime me vajzat ruse

Ndër zbulimet e para që dalin nga dosjet e reja janë ato që bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates, dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me vajza ruse, ka kontraktuar një sëmundje seksualisht të transmetueshme dhe ka kërkuar antibiotikë për t’i dhënë fshehurazi gruas së tij të atëhershme, Melindës. Epstein i bëri këto akuza për miliarderin në një email që i dërgoi vetes më 18 korrik 2013. Mesazhi i gjatë sulmoi Gates për ndërprerjen e miqësisë së tyre. “Për t’i shtuar fyerje lëndimit,” shkroi Epstein, “ju më luteni të fshij emailet në lidhje me sëmundjen tuaj seksualisht të transmetueshme”.

Dosjet e Redaktuara

“Ne kemi redaktuar të gjitha gratë e paraqitura në çdo imazh ose video, me përjashtim të Ghislaine Maxwell. Ne nuk kemi redaktuar imazhet e asnjë burri, përveç nëse ishte e pamundur të redaktohej gruaja pa redaktuar edhe burrin,” sqaroi ajo. “Megjithatë, për këtë qëllim dhe për të siguruar transparencë, nëse një Anëtar i Kongresit dëshiron të shqyrtojë ndonjë pjesë të prodhimit në një formë të paredaktuar, ai inkurajohet të bëjë marrëveshje me Departamentin për ta bërë këtë.”

Blanche ishte i gatshëm të përsëriste angazhimin e Departamentit të Drejtësisë për të mbrojtur viktimat.

“Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i FBI-së dhe partnerët tanë në të gjithë administratën punojnë shumë çdo ditë për të mbrojtur më të prekshmit midis nesh me mbrojtje të kësaj madhësie”, shpjegoi ai, duke pranuar, megjithatë, se “gabimet janë të pashmangshme.

Sigurisht, ne duam të korrigjojmë menjëherë çdo gabim censure që mund të ketë bërë ekipi ynë”. Ai më në fund njoftoi se Departamenti i Drejtësisë ka krijuar një adresë emaili dhe një kuti postare për viktimat “për të korrigjuar lëshimet dhe çdo shqetësim, kur është e përshtatshme”./La Repubblica

SPAK i tha “Jo” komisionit “Xhafaj”/Bardhi: Intimidimet nuk e shpëtojnë dot qeverinë

By: e xh
30 January 2026 at 19:02

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pasi SPAK i ‘mbylli derën komisionit “Xhafaj 2”.

Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shkruan se përpjekja e qeverisë për të intimiduar Prokurorinë, ka marrë përgjigje të prerë nga SPAK.

“Pasi kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, duke e shndërruar qeverinë në zyrë avokatie të të pandehurës Balluku, si dhe pasi prej 6 javësh zvarrit kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e të njëjtës së pandehur, ky është sulmi i radhës i Edi Ramës në luftën që tashmë i ka hapur publikisht sistemit të drejtësisë dhe Prokurorisë së Posaçme.

Por, përpjekja e Edi Ramës për të intimiduar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nëpërmjet “inspektimeve të deputetëve”, ka marrë refuzimin e prerë nga SPAK, e cila të ashtuquajturat “vizita monitoruese” i konsideron në kundërshtim me ligjin dhe në cënim të pavarësisë kushtetuese të institucionit.

E ka të kotë! Asnjë intimidim ndaj SPAK nuk e shpëtojnë dot nga përgjegjësia përpara ligjit Edi Ramën, Belindën dhe Linda-t e tij të
korruptuara”-thuhet në reagimin e Bardhit.

SPAK e cilësoi  takimin monitorues në kapërcim të ligjit dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.

SPAK i mbyll derën “Xhafajt”, e cilëson cenim të pavarësisë

By: e xh
30 January 2026 at 18:26

Pikërisht ditën kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit në mënyrën më aktive të mundshme duke behur në Këshillin e Mandateve në Kuvend, komisioni i Përhershëm Parlamentar Xhafaj kërkonte të futej në axhendën e SPAK.

Kërkesa lidhej me një vizitë monitoruese mbi rezultatet e SPAK për pastrimin e parave. Në këtë shkresë që TCH disponon, politika e mbështet kërkesën tek një shkresë e Agjencisë së Inteligjencës Financiare  drejtuar  kuvendit dhe disa institucioneve për disponimin e të dhënave rreth pastrimit të parave.

Por SPAK i thotë ‘jo” takimit me komisionin Xhafaj, që ishte sugjeruar të mbahej në 6 shkurt 2026. SPAK në këtë dokument e cilëson takimin monitorues në kapërcim të ligjit dhe pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme.

Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.”

Megjithatë SPAK lë një dritë jeshile për bashkëpunim me komisionin, kur i kujton se mund ta informojë sipas ligjit, por jo ta monitorojë.

Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndër institucional me komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese.”

Megjithatë siç rendit edhe në shkresë, SPAK e ka kryer më herët raportimin mbi përmbushjen e rekomandimeve të Task forcës. Ky informim kryhet në kuadër të procesit të Shqipërisë nga Moneyval, Organizata Ndërkombëtare e Monitoritimit kundër pastrimit të parave.

Starmer pas paralajmërimit të Trump:Britania dhe SHBA mbeten aleate shumë të ngushta

By: e xh
30 January 2026 at 18:08

Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleatë shumë të ngushtë, pas paralajmërimit të presidentit amerikan Donald Trump se afrimi i Londrës me Kinën është “shumë i rrezikshëm”.

Starmer ndodhet për vizitë zyrtare në Kinë, ku synon të forcojë marrëdhëniet tregtare në funksion të rritjes ekonomike të Britanisë. Komentet e Trump erdhën pasi ai u pyet për përpjekjet e Londrës për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik me Pekinin.

Duke folur për Sky News, Starmer tha se vizita në Kinë ishte diskutuar paraprakisht me ekipin e Trump, duke theksuar se edhe vetë presidenti amerikan pritet të vizitojë Kinën në muajt në vijim. Sipas tij, komentet e Trump ishin më të drejtuara ndaj Kanadasë sesa Britanisë.

Kryeministri britanik nënvizoi se Mbretëria e Bashkuar nuk mund të injorojë Kinën, duke kujtuar se ajo është ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe, së bashku me Hong Kongun, partneri i tretë më i madh tregtar i Britanisë.

Starmer shtoi se vizita në Kinë ka hapur mundësi të reja për investime, vende pune dhe krijim pasurie, duke e cilësuar angazhimin ekonomik si një zgjedhje pragmatike dhe në interes të vendit.

❌
❌