Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Opinion.al

Çfarë opsionesh ushtarake apo të tjera ka SHBA-ja kundër Iranit?

By: e xh
13 January 2026 at 09:02

Duket se Uashingtoni i ka rikthyer në agjendë veprimet ushtarake kundër Iranit, në një kohë kur po ndodh një shtypje gjithnjë e më vdekjeprurëse ndaj protestuesve në qytete dhe qyteza në të gjithë vendin.

Raporte të pakonfirmuara thonë se më shumë se 500 njerëz janë vrarë – edhe pse disa grupe për të drejtat e njeriut thonë se numri i viktimave mund të jetë disa herë më i lartë – gjatë shtypjes së kryengritjes.

Protestat e javëve të fundit janë shndërruar në njërën prej sfidave më të mëdha ndaj sundimit klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, përcjell A2.

Demonstratat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e shpejtë e monedhës kombëtare, por më pas u shndërruan në një protestë më të gjerë kundër autoriteteve të vendit.

Uashingtoni, por edhe Teherani kanë lënë të kuptohet se janë të hapur për bisedime. Por, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja mund të ndërmarrë veprime gjithsesi, duke pasur parasysh raportet për veprime brutale kundër protestuesve.

“Ne mund të takohemi me ta. Një takim po organizohet, por mund të na duhet të veprojmë për shkak të asaj që po ndodh para takimit”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit të Forcës Ajrore më 11 janar.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha më 12 janar: “Republika Islamike e Iranit nuk po kërkon luftë, por është plotësisht e përgatitur për luftë”.

Pra, cilat janë opsionet e Uashingtonit nëse diplomacia dështon?

Sulme të kufizuara

Nga ana pozitive, sulmet e kufizuara ndaj objektivave simbolike do të përfshinin më pak rrezik për Forcat e Armatosura Amerikane dhe për goditjen e civilëve.

Ato gjithashtu do të kryheshin më lehtë brenda kapaciteteve ushtarake të SHBA-së në rajon dhe përtej tij, dhe teorikisht mund të kryheshin pa përfshirjen e aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik.

Disa analistë kanë thënë se ky opsion ka disa mangësi, kryesisht sepse i mundëson regjimit të mobilizojë mbështetje patriotike dhe të largojë vëmendjen nga ankesat që ushqejnë demonstratat mbarëkombëtare, duke shkaktuar njëkohësisht pak dëme reale.

Gjithashtu, mund t’u dërgojë shenjë protestuesve se Uashingtoni nuk po iu del në ndihmë tyre kur po vriten dhe po arrestohen nga forcat iraniane të sigurisë.

Një shembull i një caku të tillë do të ishte një strukturë si kazermat e policisë, të paramilitarëve Basij ose të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Një fushatë e qëndrueshme

Një fushatë më e bashkërenduar sulmesh kundër IRGC-së do të mundë të kishte më shumë ndikim, veçanërisht nëse do të zgjerohej dhe do të përfshinte sulme ndaj objekteve raketore iraniane, komandës dhe kontrollit, si dhe forcave të tjera të sigurisë.

Një problem është se forcat detare amerikane aktualisht nuk ndodhen në rajon në numër dhe kapacitet të mjaftueshëm. Aeroplanmbajtësja më e afërt, USS Abraham Lincoln, ndodhet aktualisht në Detin e Kinës Jugore, ku po kryen stërvitje me municion të vërtetë. Ajo është disa ditë lundrim larg Gjirit Persik.

Forcat amerikane kanë baza ushtarake në rajon, në vende si Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Por, këto vende, sipas raportimeve, i kanë kërkuar Uashingtonit të mos ndërmarrë veprime ushtarake.

Shumëkush do të ishte i shqetësuar nga ndonjë kundërsulm iranian. Gjatë luftës 12-ditore në qershor, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara goditën programin bërthamor të Iranit, një sulm raketor iranian ndaj një baze ajrore në Katar shkaktoi shqetësim të madh.

Ai sulm ishte kryesisht simbolik, por Irani ka kërcënuar me hakmarrje ndaj çfarëdo sulmi të ri amerikan dhe këtë herë hakmarrja mund të jetë më e fortë. Eksportet e lëndëve djegëse fosile të aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, mund të ndërpriten. Edhe Izraeli mund të sulmohet, duke ngritur rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal.

“Gjendja e tanishme për Republikën Islamike është ekzistenciale. Kjo është një betejë… që synon drejtpërdrejt vetë natyrën dhe thelbin e regjimit”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë Ali Mamouri, hulumtues në Universitetin Deakin në Australi.

“Nëse sulmohet, pothuajse me siguri do të kundërpërgjigjet me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion”, tha ai.

Forcat speciale, atentati

Pas rrëzimit të udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, a është lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, i radhës në listë e arrestimit nga forcat speciale amerikane?

Një operacion i tillë duket i pamundur. Forcat amerikane ishin të grumbulluara rreth Venezuelës në numër shumë më të madh dhe u ndihmuan gjithashtu nga burime inteligjence brenda regjimit, sipas raportimeve.

Një tjetër skenar mund të ishte atentati, duke e rrëzuar regjimin dhe duke nxitur një luftë për pushtet brenda Iranit. Kjo do të varej shumë nga të dhënat e shkëlqyera të inteligjencës.

Mangësi kryesore këtu do të ishte se rezultati është i paparashikueshëm dhe mund të çojë në kaos dhe gjakderdhje më të madhe. Megjithatë, një regjim i ri, madje edhe një i udhëhequr nga IRGC-ja, mund të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me Uashingtonin.

“Mendoj se kjo është e mundshme”, tha për Radion Farda më 6 janar Michael Rubin, ish-zyrtar i Pentagonit dhe hulumtues i lartë në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve me seli në Uashington.

Bllokada, sulme kibernetike, armë zanore

Trump ka edhe opsione të tjera mbi tavolinën e tij në Zyrën Ovale.

“Është mjaft e mundshme që po shqyrtohen edhe opsione joushtarake. Këto mund të përfshijnë një bllokadë të plotë ekonomike ndaj Iranit për të parandaluar eksportet e tij të naftës drejt Kinës ose sulme kibernetike që ndërpresin sistemet e komunikimit dhe vendimmarrjes të agjencive iraniane të sigurisë”, i tha Radios Farda Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Sulmet kibernetike kanë ndodhur edhe më parë.

Në vitin 2021, stacionet e karburantit në Iran u vunë në shënjestër të një sulmi kibernetik, për të cilin Irani fajësoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin pa paraqitur prova.

Sulme të ngjashme kanë ndodhur edhe më vonë.

Në vitin 2019, Irani pretendoi se kishte zbuluar një rrjet spiunazhi të CIA-s pas një sulmi kibernetik ndaj sistemeve të armëve. Mediat amerikane në atë kohë raportuan se ishte një sulm amerikan, duke cituar zyrtarë qeveritarë anonimë.

Mund të ketë gjithashtu opsione për sulme më pak konvencionale.

Pas operacionit amerikan në Venezuelë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, shpërndau komente që pretendohet se janë bërë nga një person që i mbijetoi një sulmi me armë zanore.

“Ishte si një valë zanore jashtëzakonisht e fortë. Papritur ndjeva sikur koka po më shpërthente nga brenda. Të gjithëve na filloi gjakderdhja nga hunda. Disa po villnin gjak. Ramë përtokë, të paaftë për të lëvizur”, citohej të ketë thënë ai.

Megjithatë, ky raport nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur apo zyrtare.

Parashikimi i motit, 13 janar 2026

By: e xh
13 January 2026 at 09:01

Më 13 janar 2026, moti në vendin tonë pritet të mbetet kryesisht i qëndrueshëm, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash mesatare, hera-herës të dendura.

Në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes, zonat luginore mund të përballen me mjegull, e cila mund të ulë dukshmërinë

Era do të fryjë nga drejtimi verilindor–lindor me shpejtësi mesatare rreth 7 metra për sekondë. Deti do të jetë i qetë, me valëzim të forcës 1–2 ballë.

Meteorologët rekomandojnë kujdes gjatë udhëtimeve në zonat me mjegull dhe mbajtje të ngrohtë për orët e mëngjesit dhe mbrëmjes.

Horoskopi,13 janar 2026

By: e xh
13 January 2026 at 09:00

Dashi-Sot do të ndiheni të përhumbur dhe plotësisht pa dëshirën për t’u çuar nga shtrati. Kjo do të bëjë që humori të mos jetë i mirë. Merrni kohën e mjaftueshme për t’u menduar dhe nxirrni një përfundim lidhur me telashin në të cilën jeni përfshirë.

Demi-Mos rrini në një vend, bëhuni të zotët e vetes dhe jepini zgjidhje problemeve. Duhet të përballeni me të tjerët dhe t’u tregoni se jeni ende në “lojë”. Mos harroni se është fillim viti dhe duhet të motivoni veten për të ecur përpara.

Binjakët-Ideja se do të keni plane dhe do të jeni pranë familjes ju mban të motivuar. Mezi po prisni të mbyllni punët e fundit. Në biznes gjërat do të ecin sipas planeve. Të gjithë do i keni afër vetes dhe kjo do t’ju stimulojë më shumë për të punuar.

Gaforrja-Do të kërkoni dhe nuk do të lini gurë pa lëvizur derisa të gjeni rehatinë tuaj. Pjesën më të madhe të ditës do e kaloni me miqtë më të afër dhe kjo do ju kënaqë pafund. Sjellja juaj e butë do të bëjë shumë njerëz për vete.

Luani-Sot do t’i kushtoni shumë vëmendje punës tuaj. Edhe pse mendoni se nuk jeni në vendin e duhur për të shfaqur të gjithë talentin tuaj, gaboheni. Shumë shpejt të gjitha do të shpërblehen. Mos u shqetësoni.

Virgjëresha-Një ditë plot meditime dhe momente të bukura do të jetë kjo e sotmja. Do të gjeni paqen brenda vetes tuaj dhe kjo është shumë e rëndësishme. Një takim do bëjë që zemra juaj të rrahë fort.

Peshorja-Kjo nuk do të jetë dita juaj, prandaj bëni kujdes nga ato që do të thoni dhe me njerëzit që do të përballeni. Mos harroni se jo të gjithë njerëzit janë dashamirës dhe duan të mirën tuaj.

Akrepi-Kjo do të jetë dita me më shumë telashe e gjithë javës. Probleme të shumta do të shfaqen drejt jush. Është mirë të ruani qetësinë dhe t’i zgjidhni me kujdes dhe maturi. Nëse nxitoheni do i prishni shumë punë vetes.

Shigjetari-Të gjitha problemet tuaja do të marrin zgjidhje në mënyrë më të mirë të mundshme. Dikush do të bëjë të pamundurën që të dilni nga kjo vorbull në të cilën jeni përfshirë. Një udhëtim do të shfaqet në horizont, mos thoni jo.

Bricjapi-Nëse jeni artist, interpretues, sipërmarrës çështjet e karrierë do të kenë përparësi. Ndërsa përsa i përket çështjeve personale, të tjerët janë duke pritur që ta bëni ju hapin të parët. Mos nguroni të surpizoni partnerin.

Ujori-Do e kaloni ditën duke menduar, por paqja mendore do të jetë shumë e largët. Disa rrethana të pashmangshme do ju detyrojnë të pranoni disa gjëra për të cilat jeni shprehur gjithmonë kundër. Falë përkushtimit ndaj të tjerëve do të kaloni gjithçka me sportivitet.

Peshqit-Kjo e premte do të jetë shumë produktive. Energjia dhe entuziazmi do të jenë me ju përgjatë gjithë ditës për të arritur të gjitha qëllimet tuaja. Takimet me eprorët do të japin rezultatet e pritshme.

Rama në Abu Dhabi: Presidenti Zayed Al Nahyan, mik i madh i Shqipërisë

By: e xh
13 January 2026 at 08:58

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dhabi, ku po merr pjesë në nisjen e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë foto nga eventi, ku shihet në takim me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i qeverisë e cilësoi presidentin e Emirateve si një mik të madh të Shqipërisë, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm.

“Abu Dhabi – Nisja e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, një mik i madh i Shqipërisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Pse rrodhi ujë nga Tuneli i Llogarasë? Flet eksperti

By: e xh
12 January 2026 at 22:52

Një nga pamjet e shumta virale të përmbytjeve që kanë zgjatur për rreth një javë në vend ishte edhe momenti që tregonte një rrjedhje uji nga tavani në Tunelin e Llogarasë.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, eksperti për menaxhimin e burimeve ujore, Arduen Karagjozi, shpjegoi procesin nga pikëpamja gjeologjike, se përse mund të ketë ndodhur kjo gjë.

Biseda në studio:

Blendi FevziuPati ujë në disa segmente të Tunelit të Llogarasë, që m’u duk pak e çuditshme. Karagjozi, çfarë mund të jetë? Aty nuk doli ujë gjatë punimeve për hapjen e tunelit, domethënë ishte i thatë gjithë gjithi. Tani është shkëmb shumë i fortë.

Arduen KaragjoziSepse punimet janë bërë përgjithësisht në kohë të thatë dhe nuk ka pasur këtë intensitet reshjesh.

Blendi FevziuËshtë punuar për 3 vjet aty, dimër-verë…

Arduen KaragjoziKlodi e di më mirë, por nga informacioni që unë di nga gjeologjia, aty formacionet gjeologjike gëlqerore, të cilat filtrojnë ujë nga mali, dhe fakti që në pjesën e poshtme nuk ka fare burime, nënkupton që ato nuk kapin ndonjë shtresë të fisur që të krijojë mbajtje të ujit sipër dhe, normalisht, i gjithë uji, siç bie nga mali, futet nëpër këto hapësira që ka shkëmbi gëlqeror dhe shkon drejt detit. Në këtë rast, tuneli ka depërtuar në këto shtresa dhe, në rastet kur bie shi, kjo kullon ujë sipër.

Blendi FevziuPor kjo ndodhi këtë herë, sepse ka rënë shi një vit…

Arduen KaragjoziPo, sepse këtë herë niveli i ujit ka qenë më i lartë dhe ka krijuar një ngarkesë më të madhe se ato të mëparshmet.

Blendi FevziuKrijon dëmtim?

Arduen KaragjoziNuk e besoj, është një ç’fryrje presioni. Besoj se do të ketë water-stop në pjesën që lidh dy segmentet me njëra-tjetrën, por presioni këtë herë duhet të ketë qenë më i madh, por s’besoj të ketë probleme të qëndrueshmërisë në asnjë rast.

Pse përmbytemi?! Eksperti mjedisor zbërthen shifrat alarmante për pyjet që…

By: e xh
12 January 2026 at 22:51

U deshën vetëm disa ditë me mot të keq që i gjithë vendi ynë, të kalonte në një situatë alarmante për shkak të reshjeve të dendura të shiut.

Sasitë e lartë të reshjeve, bënë që lumenjtë të “tërboheshin” dhe të vërshonin drejt zonave të banuara, duke përmbytur qindra banesa, mijëra hektarë tokë bujqësore dhe duke lënë me sytë nga qielli mijëra shqiptarë, të cilëve nuk u ngeli gjë tjetër vetëm se të luteshin që reshjet të pushonin.

Disa qarqe ishin më problematike për shkak të prurjeve të lumenjve, si Vjosa, Semani, Shkumbini etj…, kurse në disa qarqe të tjera më problematikë ishte rrëshqitja e dherave siç ndodhi jo pak herë në aksin Qukës-Qafë Plloçë, Mirditë, Gjirokastër, Tuneli i Murrizit, Velipojë, Shëngjin, etj.

Duke diskutuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan lidhur me këtë situatë të vështirë që kaloi Shqipëria dhe duke renditur faktorët kryesorë që përshkallëzuan situatën e përmbytjeve, eksperti i mjedisit, Mihallaq Qirjo tha se një ndër arsyet madhore është shpyllëzimi.

“Rrëshqitjet ndodhin edhe për një arsye tjetër madhore, siç është dëmtimi i jashtëzakonshëm që u kemi bërë pyjeve dhe shkurreve”, tha ai.

Nëpërmjet shifrave ai tregoi abuzimin kolosal që kemi bërë më shfrytëzimin e pyjeve. Eksperti tha se vendi ynë është i veshur me 40% pyje, nga të cilat ne shfrytëzojmë 30%, gati më shumë se treçerekun e të gjithës.

“Sistemi rrënjor i një peme mban tokën aty pranë dhe shërben sasia e ujit që bie të mbahet dhe të kalojë më ngadalë në mënyrë që të mos krijojë rrëshqitjet masive. Po të ndalemi te rrugët ku ka pasur rrëshqitje dherash do të shikojmë që në të gjithë pjesët e tyre lart janë zona të zhveshura.  30% e shpërfaqjes pyjore të vendit tonë është dëmtuar në këto kohë. Shqipëria është veshur me 40% pyje, nga të cilat 30% ne i kemi shfrytëzuar.

Ne çdo vit konsumojmë dyfishin e sasisë që pyllin rigjeneron dhe presim që pylli të na japë të mirën që të mbajë shiun nesër. Një nga arsyet kryesor është që ne kemi zhveshur skarpatet, kemi zhveshur të gjitha këto zona, pastaj pasoja është e tillë. Mbjellja e pemëve do të ndikonte për të stabilizuar terrenin. Nëse ne duhet të bëjmë një infrastrukturë të tillë masa të tjera duhen marrë në mënyrë që të shmangen rrëshqitjet”, shtoi eksperti.

SHBA-Iran 70 vite armiqësi, pse nuk u arrit kurrë paqja?

By: e xh
12 January 2026 at 22:36

Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është një nga historitë më të gjata, më të ndërlikuara dhe më shpërthyese të politikës ndërkombëtare moderne. Ajo nuk ka qenë kurrë lineare, as e qetë, por e ndërtuar mbi trauma historike, mosbesim të thellë dhe përplasje interesash që, dekadë pas dekade, e kanë afruar rajonin gjithnjë e më shumë drejt konfliktit të hapur. Për ta kuptuar përse sot SHBA dhe Irani flasin gjuhën e kërcënimeve, duhet të kthehemi më shumë se shtatë dekada pas, në një moment që për iranianët mbetet fillimi i gjithçkaje.

Në vitin 1953, Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Shteteve të Bashkuara, në bashkëpunim me shërbimet britanike, ndihmoi në rrëzimin e kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammad Mossadegh. Faji i tij ishte nacionalizimi i industrisë së naftës, një hap që prekte drejtpërdrejt interesat perëndimore. Grushti i shtetit riktheu në pushtet Shahun Mohammad Reza Pahlavi dhe mbolli një mosbesim të thellë ndaj Amerikës, i cili për shumë iranianë mbetet i gjallë edhe sot. Për Uashingtonin, Irani u shndërrua në një aleat strategjik në Lindjen e Mesme; për iranianët, Amerika u pa si fuqia që rrëzoi vullnetin e tyre politik.

Për dekada, Shahu sundoi me mbështetjen e SHBA-së, duke ndërtuar një regjim autoritar, të modernizuar nga jashtë, por gjithnjë e më të shkëputur nga realiteti i brendshëm i vendit. Irani u pajis me armë amerikane, me teknologji ushtarake dhe madje me kapacitete bërthamore civile. Në vitet ’60, SHBA i dha Iranit një reaktor bërthamor dhe uranium të pasuruar, në një kohë kur askush nuk e imagjinonte se pikërisht bërthamori do të kthehej në thelbin e konfliktit. Por ndërkohë, pakënaqësia brenda vendit po rritej, dhe në fund të viteve ’70 ajo shpërtheu.

Protestat masive kundër Shahut, përplasjet e dhunshme në rrugë dhe represioni shtetëror e bënë të pashmangshëm rrëzimin e regjimit. Në janar 1979, Shahu u largua nga Irani nën masa të rrepta sigurie. Vetëm pak javë më vonë, Ajatollah Ruhollah Khomeini u kthye nga mërgimi dhe u prit nga turma gjigante, duke marrë drejtimin e Revolucionit Islamik. Me përmbysjen e Shahut, u rrëzua edhe rendi pro-amerikan në Teheran. Irani u shpall Republikë Islamike dhe Amerika u identifikua si armiku kryesor, simbol i ndërhyrjes, padrejtësisë dhe dominimit perëndimor.

Armiqësia u bë e pakthyeshme në nëntor të vitit 1979, kur studentë iranianë pushtuan ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng dhjetëra diplomatë. Pesëdhjetë e dy prej tyre u mbajtën për 444 ditë, një krizë që tronditi Shtetet e Bashkuara dhe i dha fund çdo iluzioni për një marrëdhënie normale. Presidenti amerikan Jimmy Carter e përshkroi pengmarrjen si një moment që bashkoi popullin amerikan kundër Iranit. SHBA ndërpreu marrëdhëniet diplomatike, ngriu asetet iraniane dhe vendosi sanksione që do të shënonin fillimin e një epoke të re përplasjesh.

“Asnjë veprim nuk e ka bashkuar kaq fuqishëm publikun amerikan drejt unitetit në dekadën e fundit sa mbajtja peng e njerëzve tanë në Teheran. Sot qëndrojmë si një popull i vetëm”, thoshte Jimmy Carter
President i SHBA.

Vitet që pasuan ishin të mbushura me tensione, luftëra të tërthorta dhe ngjarje që thelluan hendekun. Në vitin 1988, një anije luftarake amerikane rrëzoi gabimisht një avion pasagjerësh iranian mbi Gjirin Persik, duke vrarë të 290 personat në bord. Për Iranin, kjo ishte provë se jeta e civilëve të tij kishte pak vlerë për Uashingtonin. Për SHBA-në, incidenti u shpall një tragjedi e paqëllimshme. Por plagët politike dhe emocionale mbetën të hapura.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Irani u rikthye fuqishëm në fokusin e politikës amerikane. Në vitin 2002, presidenti George W. Bush e përfshiu Iranin në atë që ai e quajti “Boshti i së Keqes”, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe për përpjekje për të siguruar armë të shkatërrimit në masë. Pikërisht në këtë periudhë, programi bërthamor iranian u shndërrua në çështjen qendrore të përplasjes. Zbulimi i objekteve në Natanz, Isfahan dhe më pas Fordow ngriti alarmin në Perëndim dhe çoi në një regjim të ashpër sanksionesh që goditi rëndë ekonominë iraniane

“Shtetet si këto dhe aleatët e tyre terroristë përbëjnë një bosht të së keqes, duke u armatosur për të kërcënuar paqen e botës duke kërkuar armë të shkatërrimit në masë. Këto regjime paraqesin një rrezik të madh dhe në rritje. Ata mund t’i ofrojnë këto armë terroristëve, duke u dhënë atyre mjetet për të përballuar urrejtjen e tyre. Ata mund të sulmojnë aleatët tanë ose të përpiqen të shantazhojnë Shtetet e Bashkuara.”, shprehej George W Bush.

Pas vitesh izolimi dhe presioni, në vitin 2015 u arrit ajo që u konsiderua një fitore e diplomacisë: marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore. Teherani pranoi të kufizonte programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Federicha Mogherini: Sot është një ditë historike. Është një nder i madh për ne të njoftojmë se kemi arritur një marrëveshje për çështjen bërthamore iraniane. Me guxim, vullnet politik, respekt të ndërsjellë dhe udhëheqje, ne realizuam atë që bota po shpresonte. Një angazhim të përbashkët për paqen dhe për të bashkuar duart në mënyrë që ta bëjmë botën tonë më të sigurt.

U duk për një moment se një kapitull i ri po hapej. Por shpresa zgjati pak. Në vitin 2018, presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, duke e quajtur atë të dështuar dhe duke rikthyer sanksione shkatërruese për Iranin. Tensionet u përshkallëzuan më tej në vitin 2020, kur SHBA vrau gjeneralin Qassem Soleimani, figurën më të fuqishme ushtarake të Iranit dhe arkitektin e ndikimit iranian në Lindjen e Mesme. Teherani u zotua për hakmarrje, ndërsa rajoni u gjend në prag të luftës së drejtpërdrejtë. Me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, politika e “presionit maksimal” ndaj Iranit u rivendos, me një mesazh të qartë: Irani nuk mund dhe nuk duhet të ketë armë bërthamore.

Donald Trump: “Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Me mua është shumë e thjeshtë; Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. Ne nuk duam të jemi të ashpër me Iranin. Ne nuk duam të jemi të ashpër me askënd, por ata thjesht nuk mund të kenë një armë bërthamore.”

Në vitin 2025, pas muajsh negociatash të pasuksesshme dhe paralajmërimesh gjithnjë e më të ashpra, kriza arriti kulmin. Izraeli goditi objektiva iraniane, ndërsa SHBA u përfshi drejtpërdrejt në konflikt. Më 21 qershor, forcat amerikane bombarduan tre objekte bërthamore iraniane, përfshirë Fordow-in, që Uashingtoni e quajti zemra e programit bërthamor të Iranit. Presidenti Trump e shpalli operacionin një sukses historik dhe i bëri thirrje Iranit t’i jepte fund konfliktit. Sot, në fillim të vitit 2026, marrëdhënia SHBA–Iran mbetet e ngrirë mes kërcënimit dhe diplomacisë. Uashingtoni paralajmëron për përgjigje të forta ndaj çdo destabilizimi, ndërsa Teherani këmbëngul se nuk do të dorëzohet ndaj presionit dhe se pasurimi i uraniumit është e drejtë sovrane. Pas më shumë se shtatë dekadash përplasje, një gjë mbetet e qartë: kjo nuk është thjesht një krizë politike, por një konflikt i thellë historik, ku çdo kapitull i ri mbart peshën e të shkuarës dhe rrezikun e së ardhmes.

Yesterday — 12 January 2026Opinion.al

Sekretarja e Shtëpisë së Bardhë: Mund të kryej sulme ajrore në Iran

By: e xh
12 January 2026 at 21:41

Karoline Leavitt, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, ka konfirmuar se Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e përdorimit të sulmeve ajrore për të adresuar situatën e tensionuar në Iran.

Një gjë që Presidenti Trump është shumë i mirë është që gjithmonë i mban të gjitha opsionet e tij në tryezë. Dhe sulmet ajrore janë një nga opsionet shumë, shumë të mundshme që janë në tryezë”, tha ajo.

Ajo theksoi se diplomacia mbetet opsioni i parë për administratën e Trump, por gjithashtu shtoi se Presidenti “nuk ka frikë të përdorë forcën dhe fuqinë vdekjeprurëse të ushtrisë amerikane, nëse dhe kur e sheh të nevojshme.”

Leavitt gjithashtu theksoi se “askush nuk e di këtë më mirë se Irani,” duke iu referuar sulmeve të verës së kaluar ndaj disa instalacioneve bërthamore iraniane, të cilat, sipas Trump, shkaktuan “dëme monumentale.”

Pas një mesazhi fitoreje të lëshuar nga Udhëheqësi Suprem i Iranit më herët gjatë ditës, Leavitt u shpreh se “ajo që po dëgjoni publikisht nga regjimi iranian është mjaft e ndryshme nga mesazhet që administrata po merr privatisht.”

Ajo shtoi se një zyrtar iranian kishte kontaktuar të dërguarin Steve Witkoff, duke theksuar se ky kontakt shprehte “një ton shumë të ndryshëm nga ai që po shihni publikisht.”

Gjermani/Stuhia e akullit mbyll shkollat, anulon fluturimet dhe paralizon hekurudhat

By: e xh
12 January 2026 at 21:21

Shiu i ngrirë ka krijuar kushte të rrezikshme akulli sot në të gjithë Gjermaninë perëndimore, duke detyruar anulimin e mbi 100 fluturimeve në aeroportin e Frankfurtit dhe mbylljen e shkollave në disa shtete, ndërsa autoritetet paralajmëruan për kushte udhëtimi kërcënuese për jetën.

Shërbimi Meteorologjik Gjerman lëshoi ​​nivelin e dytë më të lartë të paralajmërimit për pjesë të mëdha të vendit ndërsa stuhia “Gunda” solli shi që ngriu në kontakt me sipërfaqet e ftohta të tokës, duke krijuar atë që meteorologët e përshkruan si emergjencë të përhapur akulli.

Shërbimi Meteorologjik rekomandoi që shoferët të shmangin udhëtimin nëse është e mundur, por nëse është e nevojshme, të furnizohen plotësisht me karburant dhe të mbajnë batanije dhe pije të ngrohta në rast emergjence.

Shkollat ​​mbetën të mbyllura sot në North Rhine-Westphalia, Saksonia e Poshtme dhe Bremen. Nxënësit kaluan në mësim në distancë në vend që të merrnin një ditë pushim.

“Kjo nuk është festë shkollore”, tha ministrja e Arsimit e North Rhine-Westphalia, Dorothee Feller, për transmetuesin publik WDR. Ajo shpjegoi se klasat thjesht kanë kaluar në mësim në distancë në mënyrë që askush të mos lëndohet në atë që mund të ishte një rrugë e rrezikshme për në shkollë.

Disa autostrada në North Rhine-Westphalia, Rhineland-Palatinate dhe Hessen përjetuan ngadalësime të mëdha sot në mëngjes ndërsa udhëtarët hasën në rrugë të akullta. Aksidente të shumta u raportuan në rajonin Sauerland.

Shërbimet hekurudhore u përballën me ndërprerje të mëdha në të gjithë vendin.

Operatori kombëtar hekurudhor i Gjermanisë, Deutsche Bahn uli shpejtësinë në disa rrugë, përfshirë lidhjet midis Hannoverit dhe Frankfurtit, Wolfsburgut dhe Berlinit si dhe Këlnit dhe Frankfurtit.

Aeroporti i Frankfurtit, një nga qendrat më të ngarkuara të Evropës, anuloi 102 nga 1.052 fluturime të planifikuara për sot. Një zëdhënës i Fraport-it sugjeroi se numri i anulimeve mund të rritet ndërsa kushtet e motit kanë vazhduar të përkeqësohen gjatë gjithë ditës.

Pasagjerëve u është kërkuar të verifikojnë statusin e fluturimit të tyre para se të nisen për në aeroport dhe të lejojnë kohë shtesë udhëtimi për shkak të kushteve të motit. Aeroporti rekomandoi mbërritjen të paktën tre orë para nisjeve të planifikuara.

Zbardhet vendimi i “Kushtetueses” për rikthimin në detyrë të Veliajt

By: e xh
12 January 2026 at 20:41

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për çështjen e shkarkimit të kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke i dhënë të drejtë kryebashkiakut dhe duke rrëzuar vendimet e Këshillit të Ministrave dhe Presidentit të Republikës.

Së pari, Gjykata thekson se është ajo që ka kompetencën për të kontrolluar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e organit të zgjedhur drejtpërdrejt, bazueshmëria në Kushtetutë dhe ligj e të cilit vlerësohet vetëm prej saj, si autoriteti i cili thotë fjalën e fundit.

Për rrjedhojë, parashikimet e bëra në Ligjin për Qeverisjen Vendore nuk mund të interpretohen dhe të zbatohen si mekanizma që lejojnë shmangien ose rrudhjen e mbrojtjes kushtetuese të organit të qeverisjes vendore, pasi ligji nuk mund të ketë epërsi ndaj Kushtetutës.

Kjo do të thotë se nuk mund të ekzistojnë dy lloje të shkarkimit të organit të zgjedhur vendor, ai “ligjor” dhe “kushtetues”. Rrjedhimisht, kompetenca e Gjykatës për të shqyrtuar ankimin ndaj shkarkimit nga detyra të kryetarit të bashkisë ushtrohet në çdo rast, pavarësisht shkakut që është referuar në vendimin e shkarkimit.

Në seancën plenare publike të datës 31 tetor 2025, Gjykata Kushtetuese, e kryesuar nga Holta Zaçaj dhe me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, shqyrtoi kërkesën e paraqitur nga Erion Veliaj, i përfaqësuar nga avokatët Alban Dokushi dhe Ermal Yzeiraj. Si subjekte të interesuara në proces ishin Presidenti i Republikës dhe Këshilli i Ministrave.

24-vjeçari humb kontrollin e makinës dhe përplaset me 4 automjete të tjera

By: e xh
12 January 2026 at 20:21

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në qytetin e Kavajës.

Rreth orës 19:30, në rrugën “Josif Budo”, shtetasi F. K., 24 vjeç, banues në Kavajë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit që po drejtonte dhe për pasojë ka goditur 4 automjete të parkuara anës rrugës.

Si pasojë e përplasjes, 24-vjeçari ka pësuar dëmtime të lehta dhe është transportuar në spital për kontroll mjekësor, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

OKB: Më shumë se 2,500 civilë të vrarë në Ukrainë në vitin 2025 nga sulmet ruse

By: e xh
12 January 2026 at 20:10

Viti i kaluar ka qenë më i përgjakshmi për civilët në Ukrainë që nga viti 2022, i shënuar nga sulme të intensifikuara përgjatë vijës së frontit dhe përdorim të gjerë të armëve me rreze të gjatë veprimi.

Në vitin 2025, rreth 2,514 civilë u vranë dhe 12,142 u plagosën, një rritje prej 31% e viktimave krahasuar me vitin 2024, tha misioni Misioni i Monitorimit të të Drejtave të Njeriut i OKB-së në Ukrainë.

Përpjekjet e shtuara nga forcat e armatosura ruse për të pushtuar territorin në vitin 2025 rezultuan në vdekje dhe lëndime civile, shkatërrimin e infrastrukturës jetësore, ndërprerjen e shërbimeve bazë dhe valë të reja zhvendosjeje në zonat e vijës së frontit.

Ndërsa qindra mijëra ushtarë nga të dyja palët besohet se janë vrarë ose plagosur në luftën më vdekjeprurëse në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Rama vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe: Mikpritje vëllazërore…

By: e xh
12 January 2026 at 19:54

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe. Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri, i cili ka shpërndarë në rrjetet sociale edhe pamje nga takimi.

Rama ka treguar se ka shkuar në Emiratet e Bashkuara Arabe me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan. Teksa shprehet është është mikpritur vëllazërisht në Abu Dhabi, Rama shton se ka shkuar atje për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Ky forum ndërkombëtar sjell së bashku kryetarë shtetesh dhe qeverish, liderë të biznesit dhe shoqërisë civile, për të diskutuar sfidat dhe perspektivat e zhvillimit të qëndrueshëm në nivel global.

“Abu Dhabi – Si gjithnjë të mikpritur vëllazërisht në Emiratet e Bashkuara Arabe, këtë herë me ftesë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, për të diskutuar projektet e përbashkëta në Javën e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka shkruar Rama në postimin e tij.

Shefi i NATO: Aleatët po bisedojnë hapat për të mbajtur Arktikun të sigurt

By: e xh
12 January 2026 at 18:38

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte tha sot se vendet aleate po diskutojnë “hapat e ardhshëm” për të siguruar sigurinë në Arktik, duke përmendur rrezikun që Rusia dhe Kina të jenë “më aktive” në rajonin strategjikisht të rëndësishëm.

“Të gjithë aleatët bien dakord për rëndësinë dhe sigurinë e Arktikut, sepse e dimë se me hapjen e rrugëve detare, ekziston rreziku që rusët dhe kinezët të jenë më aktivë. Dhe siç e dini, ka tetë vende arktike”, u tha Rutte gazetarëve në Zagreb gjatë një konference të përbashkët për mediat me kryeministrin kroat Andrej Plenkoviç.

Ai tha se shtatë nga tetë vendet arktike janë anëtare të NATO-s: SHBA-ja, Kanadaja, Danimarka, Islanda, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia ndërsa Rusia mbetet i vetmi vend arktik jashtë aleancës. Kina shtoi ai, është bërë një lojtare gjithnjë e më aktive në rajon pavarësisht mungesës së pranisë gjeografike.

“Deri tani, Kina është bërë pothuajse një lloj vendi arktik dhe jo gjeografikisht, por të paktën për shkak të sasisë së madhe të aktiviteteve dhe interesit të saj në rajon”, tha Rutte.

Ai vuri në dukje se NATO përfundoi diskutimet e brendshme vitin e kaluar mbi mënyrën e forcimit të bashkëpunimit midis anëtarëve të saj në Arktik dhe tani po punon për masa “praktike pasuese”.

“Aktualisht, po diskutojmë hapin tjetër drejt kësaj, si të sigurohemi që të japim ndjekje praktike të këtyre diskutimeve për t’u siguruar që si aleancë të bëjmë gjithçka, kolektivisht dhe përmes aleatëve tanë individualë, për t’u siguruar që Arktiku të mbetet i sigurt, pasi të gjithë pajtohemi se kjo duhet të jetë një përparësi”, tha ai.

Rutte tha se NATO është angazhuar më shumë në sigurinë e Arktikut që nga viti 2025 me kërkesë të shtatë aleatëve të saj të Veriut të Lartë, duke e quajtur rajonin “një pjesë jetësore të territorit të NATO-s”.

Komentet e tij erdhën mes raporteve se një grup vendesh evropiane, të udhëhequra nga Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, po planifikojnë të zgjerojnë praninë e tyre ushtarake në Groenlandë.

“Keni parë disa njoftime nga britanikët dhe gjermanët”, tha Rutte. “Sot po punojmë tani së bashku për të parë se si mundemi në thelb së bashku si aleancë të ndërtojmë atë hap tjetër”, tha ai.

“Trumpi po bën gjënë e duhur për NATO-n”

Lidhur me marrëdhëniet me SHBA-në, Rutte hodhi poshtë shqetësimet për një krizë të brendshme brenda NATO-s, duke lavdëruar shtytjen e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për shpenzime më të larta për mbrojtjen midis aleatëve.

“Unë besoj se Donald Trump po bën gjërat e duhura për NATO-n duke na inkurajuar të gjithëve të shpenzojmë më shumë për të barazuar atë që po shpenzon SHBA-ja”, tha ai. “Kur lavdëroj dikë, kjo bazohet në fakte dhe besoj se faktet janë aty”, shtoi ai.

Kryeministri kroat Plenkoviç tha se dialogu mbetet çelësi për zgjidhjen e tensioneve rreth statusit të Groenlandës.

“Jam i bindur se me diskutim, mund të gjejmë zgjidhje që do të ofrojë sigurinë për SHBA-në dhe do të sigurojë që Groenlanda të jetë pjesë e Danimarkës. Kjo është arsyeja pse dialogu me cilësi të lartë është i nevojshëm dhe padyshim që mund ta zgjidhë situatën në dobi të sigurisë globale”, tha Plenkoviç.

 

Irani thërret ambasadorët europianë për të parë filmimet “e dhunshme”

By: e xh
12 January 2026 at 17:35

Ambasadorët britanikë, gjermanë, italianë dhe francezë u thirrën sot në Ministrinë e Jashtme të Iranit për të parë filmimet e atyre që autoritetet iraniane i përshkruan si “dhunë nga protestuesit”, shkruan BBC.

Vendet e përfshira janë ndër ato që kanë shprehur haptazi mbështetjen për demonstratat në Iran. Sipas televizionit shtetëror të Iranit, Ministria e Jashtme paraqiti imazhe nga protestat në rrugë dhe tha se kishte tejkaluar protestën paqësore.

Zyrtarët iranianë akuzuan SHBA-të dhe Izraelin për nxitje të destabilitetit në vend dhe i quajtën protestuesit “vandal.”

Televizioni shtetëror thotë se Ministria u tha ambasadorëve që çfarëdo mbështetjeje politike ose mediatike për protestuesit është e papranueshme dhe përfshihet në ndërhyrjen e punëve të brendshme të Iranit.

Më herët, Irani kishte thirrur ambasadorin e Britanisë për “komentet ndërhyrëse” nga sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për një incident ku një protestues hoqi nga ambasada flamurin iranian nga një godinë në Londër dhe e zëvendësoi me një flamur para vitit 1979 që përdorej para Revolucionit Islamik.

Suedia investon 440 milionë dollarë në sisteme ushtarake pa pilot

By: e xh
12 January 2026 at 16:35

Në dy vitet e ardhshme, Suedia do të ndajë rreth katër miliardë korona (rreth 440 milionë dollarë) për prokurimin e sistemeve ushtarake pa pilot, tha sot Ministri suedez i Mbrojtjes Pal Jonsson, ndërsa qeveria suedeze planifikon të marrë hua rreth 28 miliardë euro në periudhën e ardhshme për blerjen e pajisjeve të reja ushtarake, duke përfshirë nëndetëse dhe anije.

Siç deklaroi ai, anëtari i NATO-s planifikon të blejë sisteme të ndryshme pa pilot, duke përfshirë dronë për sulme me rreze të gjatë veprimi, sisteme lufte elektronike, dronë zbulues, si dhe mjete pa pilot për mbikëqyrje dhe çminim në det.

“Askush nuk e di se si do të duket lufta e ardhshme, por një gjë është e qartë, fusha e betejës e së ardhmes do të shënohet nga sisteme pa pilot dhe aftësi me rreze të gjatë veprimi”, tha Jonsson në konferencën vjetore të mbrojtjes në Salen, në veri të Suedisë.

Projekti Durana, Berisha: Është përvetësuar nga mafia

By: e xh
12 January 2026 at 15:56

Projekti Durana në Xhafzotaj të Durrësit, është përvetësuar nga mafia. Akuza është e Sali Berishës, i cili bëri përgjegjës Edi Ramën për dështimin e projektit që parashikontenjë zonë të lirë ekonomike dhe një park teknologjik.

“Jam këtu për parkun virtual të high-tech, apo de facto Troplanën e Shkozetit, një skandal i denjë për filmat më horror në gjininë e vjedhjeve të pasurive publike. E vërteta është se kjo iu premtua, se Ramaduro filloi të flasë për Silicon Valley në Durrës. Por menjëherë kthetrat e egra të mafies shqiptare përvetësuan projektin dhe kompania prestigjioze nuk gjeti asnjë mundësi të investonte në këtë vend”, tha Berisha.

Sipas liderit demokrat, territori ku duhej të ngrihej zona e lirë ekonomike e pagëzuar si Durana, zotërohet nga familja e Troplinëve, ndaj ai e mbiquajti disa herë si Tropalana. Berisha tha se kompanitë e regjistruara në Durana nuk paguajnë taksa, por sipas tij detyrohen që të paguajnë tarifa te kryeministri Edi Rama dhe i shpalluri në kërkim Ergys Agasi.

“Ka qëndruar në krye të një skeme të quajtur park teknologjik ku ka prej vitesh vetëm livadhe, kurse vidhen qindra milionë euro taksa të qytetarëve shqiptarë. Ky skandal dëshmon dhe njëherë shkallën më të lartë të inkriminimit të kreut të organizatës kriminale Edi Rama. Dëshmon se krimet ekonomike të rënda, vjedhjet e tij janë të pakufishme”, shtoi Berisha.

Lideri i opozitës përballë gazetarëve u bëri sërish thirrje shqiptarëve që të bashkohen në protestën e 24 Janarit për largimin e Edi Ramës. “Opozita është e sigurt që do të realizojë objektivin e saj. Kjo është dhe ka besim të madh tek guximi, ka besim të madh tek trimëria, ndershmëria e qytetarëve shqiptarë”.

Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita ka mbështetjen e ndërkombëtarëve në betejën e saj, por shtoi se do jenë qytetarët ata që do të rrëzojnë Ramën nga pushteti.

Protestat, Trump: Do flas me Musk për rivendosjen e shërbimit të internetit në Iran

By: e xh
12 January 2026 at 15:34

Presidenti, Donald Trump tha se planifikon të flasë me Elon Musk për rivendosjen e internetit në Iran, ku autoritetet kanë ndërprerë shërbimet për katër ditë.

Kompania SpaceX e Muskut ofron një shërbim interneti satelitor të quajtur Starlink që është përdorur në Iran.

“Mund ta vëmë internetin në punë nëse kjo është e mundur. Mund të flasim me Elonin”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One.

“Ai është shumë i mirë në këto lloj gjërash, ka një kompani shumë të mirë. Kështu që mund të flasim me Elon Musk. Në fakt, do ta telefonoj sapo të mbaroj me ty.”

Musk dhe SpaceX nuk komentuan menjëherë mbi komentet e Trump, të cilat erdhën përpara se ministri i jashtëm i Iranit të pretendonte se qasja në internet do të rikthehej në vend “në koordinim me autoritetet e sigurisë”.

Sherr në Lezhë/Vëllai dhe nipi i ish-deputetit të PS bëjnë për spital dy kushërinjtë

By: e xh
12 January 2026 at 14:34

Rreth orës 12:30, në ambientet e një lokali në Lezhë, shtetasit Nikolin dhe Gergj Marku, 41 vjeç (kushërinj), dyshohet se janë konfliktuar për motive të dobëta, me shtetasit Gëzim Ndoka, rreth 53 vjeç dhe Kevin Ndoka, rreth 20 vjeç (babë e bir).

Si pasojë janë dëmtuar shtetasit Nikolin dhe Gergj Marku, të cilët pasi kanë marrë asistencën e nevojshme mjekësore, janë paraqitur në ambientet e Komisariatit, ku kanë pretenduar se babë e bir kanë qenë të armatosur.

Autorët u kanë kërkuar të ulin zërin se po flisnin me zë të lartë, e këtu ka nisur debati që ka degraduar në dhunë fizike.

Vijojnë kërkime intensive për kapjen e babë e bit, vëllai dhe nipi i ish-deputetit të PS Arben Ndoka, si dhe një grup i posaçëm hetimor po punon në drejtimin e Prokurorisë së Lezhës, për të zbardhur dhe dokumentuar të gjitha rrethanat e këtij rasti.

Punime në mbikalim, ARRSH njofton bllokimin e rrugës Tiranë-Rinas

By: e xh
12 January 2026 at 14:19

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se, për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e mbikalimit të ri në Qafë Kashar, do të ketë bllokim të rrugës në drejtimin Tiranë-Rinas, në datat 13-14 janar në intervialin kohor 20:00-06:00.

Sipas ARRSH, qarkullimi i mjeteve drejt Aeroportit të Rinasit do të realizohet përmes rrugëve alternative:  Vorë–Fushë Krujë (kthesa e Rinasit), rruga dytësore Tiranë- Kamëz-Valias-Rinas, rruga Kashar–Thumanë.

“Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, të cilët duhet të ndjekin sinjalistikën provizore dhe të planifikojnë lëvizjen në kohë”, thotë ARRSH.

❌
❌