Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 January 2026Opinion.al

Sulmet në Venezuelë, Trump: Kemi kapur dhe nxjerrë jashtë vendit Maduron

By: e xh
3 January 2026 at 10:32

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka konfirmuar sulmet në Venezuelë, duke i cilësuar ato si të suksesshme.

Në një reagim në rrjetet sociale, Trump thotë se presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij janë kapur dhe janë nxjerr jashtë vendit.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Detaje të tjera do të pasojnë. Sot, në orën 11:00, do të mbahet një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!”-shprehet Trump.

Sherr mes të rinjve në Vlorë, qëllohet me armë zjarri

By: e xh
3 January 2026 at 10:24

Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale me pasoja për jetën në qytetin e Vlorës.

Për pasojë janë arrestuar dy të rinj, pasi njëri prej tyre qëlloi me armë zjarri në ajër gjatë një konflikti.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre kishte armë zjarri, ndërhynë menjëherë për parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, duke arrestuar 2 autorët, konkretisht shtetasit:

* A. H., 19 vjeç, banues në Vlorë;
* M. A., 25 vjeç, banues në Orikum.

Arrestimi i tyre u bë pasi, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë një konflikti fizik midis 2 shtetasve të mësipërm dhe disa personave të tjerë, shtetasi M. A. ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij, shtetasi A. H., dhe ka qëlluar një herë në ajër.

Falë ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të patrullës, u bë e mundur neutralizimi dhe kapja e dy shtetasve, si dhe gjetja dhe sekuestrimi i armës së zjarrit pistoletë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Reshjet e dëborës, ARRSH: Qarkullimi vijon normalisht, grupet e punës në terren

By: e xh
3 January 2026 at 10:13

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije se gjatë natës reshjet e dëborës kanë pushuar në të gjithë vendin, ndërsa territori është përfshirë nga reshje shiu me intensitet të ulët deri në mesatar.

Sipas njoftimit zyrtar, temperaturat kanë pësuar rritje, duke përmirësuar kushtet e qarkullimit rrugor. Grupet e punës, së bashku me mjetet borëpastruese, kanë qenë në terren gjatë gjithë natës për pastrimin e rrugëve nga rënia e gurëve apo inerteve, si dhe për shpërndarjen e kripës në akset ku ka pasur nevojë, me qëllim shmangien e ngricave.

ARRSH thekson se qarkullimi vijon normalisht në të gjitha akset rrugore të vendit.

Megjithatë, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë udhëtimeve drejt zonave malore ku ka ende prezencë dëbore, duke u pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë.

Sulmi në Venezuelë/ Presidenti i Kolumbisë: Të mblidhet urgjent OKB

By: e xh
3 January 2026 at 10:10

Presidenti kolumbian Gustavo Petro denoncoi sot një sulm me “raketa” ndaj Karakasit, pasi shpërthime të fuqishme u dëgjuan në kryeqytetin venezuelian dhe Presidenti Nicolas Maduro e quajti atë një “sulm” nga Shtetet e Bashkuara.

“Alarm i përgjithshëm, Venezuela është sulmuar”, shkroi presidenti kolumbian, i cili është aleat i Maduros, në llogarinë e tij X.
Petro bëri thirrje për një mbledhje “të menjëhershme” të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe SHBA, për të vendosur mbi “ligjshmërinë ndërkombëtare” të këtij “sulmi” kundër vendit fqinj.

CBS News: Trump dha miratimin për sulme ushtarake në Venezuelë disa ditë më parë

By: e xh
3 January 2026 at 09:43

Donald Trump i dha dritën jeshile ushtrisë amerikane për të kryer sulme tokësore në Venezuelë – kryesisht në instalimet ushtarake – vetëm disa ditë para operacionit të sotëm, sipas dy zyrtarëve amerikanë që folën për CBS News në kushte anonimiteti.

Zyrtarët ushtarakë diskutuan kryerjen e misionit në Ditën e Krishtlindjeve, por sulmet ajrore amerikane në Nigeri kundër objektivave të ISIS morën përparësi, thanë burimet.

Ditët pas Krishtlindjeve paraqitën më shumë mundësi potenciale për sulme, sipas zyrtarëve ushtarakë amerikanë, por operacioni u shty për shkak të kushteve të motit. Zyrtarët thanë se ushtria amerikane donte kushte moti që do të ishin të favorshme për suksesin e misionit.

Gazeta zvicerane (1963) / Intervista në Bejrut me Leka Zogun dhe Hysen Selmanin

By: e xh
3 January 2026 at 09:42

Nga Aurenc Bebja

 

Gazeta zvicerane “La Liberté” ka botuar, të martën e 12 shkurtit 1963, në ballinë dhe faqen n°3, intervistën ekskluzive asokohe në Bejrut (Liban) me Leka Zogun dhe Hysen Selmanin.

Letër nga Bejruti

Mbreti i Shqipërisë, Leka I, na flet për ambiciet, projektet dhe gëzimet e tij

Nga Raymond Loir

Burimi : La Liberté (Friburg, Zvicër), e martë, 12 shkurt 1963, ballinë

Është një i ri shtatlartë, mbi dy metra, bjond, me flokë të butë e të mëndafshtë, me një buzëqeshje serioze dhe të qetë, me sy plot ëmbëlsi pas syzeve të trasha të miopit. Madhëria e Tij, Leka I, nuk ka mbushur ende 23 vjeç. Falë mikut tonë, z. Lambert, drejtor i përgjithshëm i hotelit Phœnicia, patëm privilegjin të merrnim një intervistë ekskluzive botërore me të birin e Zogut I të Shqipërisë.

Ai na pret në apartamentet që i janë vënë në dispozicion në Phœnicia, në prani të adjutantit të tij, i cili kishte qenë edhe adjutant i të atit, kolonel Hysen Selmani. Mbreti na thotë : Koloneli ka qenë pranë babait tim gjatë luftës që ai zhvilloi për të mbrojtur vendin tonë kundër trupave të Musolinit.” Ndërsa koloneli Selmani na rrëfen: “Kur e mora në krahë Madhërinë e Tij, ai ishte vetëm një ditësh. Ishte e Premtja e Madhe (Shenjtë). Kisha ndihmuar Madhërinë e Saj, mbretëreshën Geraldinë, të largohej me foshnjën e porsalindur.

Ishte viti 1939…

Sot Leka I i ka pasuar të atin. Ai na shpjegon : Kushtetuta shqiptare më ka bërë sovran me vdekjen e babait tim, dhe jo pretendues të fronit.

Leka I ka vetëm disa kushërinj të largët; ai është i vetmi që shpreson të rikthehet një ditë në fronin e Shqipërisë. Ndërkohë, ai udhëton shumë. Mbretëresha nënë Geraldinë ndodhet në Paris, te miq. Hallat e tij (bukuria e jashtëzakonshme e motrave të Zogut të Shqipërisë nuk është harruar) jetojnë në Francë, në Rivierën franceze. Leka I e ka rezidencën në Madrid. Në Spanjë, – na thotë mbreti i ri, – është vendi ku kthehem gjithmonë.

Ky është qëndrimi i dytë i Leka I në Liban. Mbreti i ri kishte ardhur më parë për të kaluar një verë, së bashku me të ëmën, në Broumana, nën pishat, në një nga mjediset më poetike të Libanit. Ai na shpreh gjithë gëzimin e tij që po ritakon Libanin mikpritës, të cilin e ka bërë selinë e tij gjatë udhëtimit në Lindjen e Afërt. Së fundmi kam takuar mbretin Husein. Gjyshi i tij kishte qenë mik i babait tim. Jam duke vizituar të gjithë ata që kanë qenë miq. Kam ndërmend të shkoj që sonte në Arabinë Saudite, ku do të qëndroj disa ditë. Princi trashëgimtar Fejsal më pret atje. Më pas do të shkoj në Sudan, ku kam gjithashtu miq. Pastaj në Libi dhe në vendet e Afrikës së Veriut, veçanërisht në Algjeri dhe Tunizi. Babai im kishte lidhje kudo.

Leka I na duket me një pjekuri të rrallë. Ai na flet për Shqipërinë : Vendi ynë mund të pranojë çdo regjim. E rëndësishmja është që të mos jetë i nënshtruar ndaj të huajve. Jo, shqiptarët nuk janë komunistë. Unë besoj në kthimin tim në Shqipëri. Gjithçka do të realizohet brenda kuadrit të situatës ndërkombëtare. Thelbësore është garantimi i kufijve tanë.

Burimi : La Liberté (Friburg, Zvicër), e martë, 12 shkurt 1963, f. 3

I biri i Zogut I ka mbështetës të sigurt në vendin e tij, sidomos ndër këta malësorë të ashpër dhe të pathyeshëm, të cilët mbeten plotësisht armiqësorë ndaj komunizmit dhe besnikë ndaj së kaluarës… Leka I nuk ka një seli të Shqipërisë së lirë. Mbështetësit e tij ndodhen kryesisht në Amerikë. Mbreti i ri (i cili, siç na thotë vetë, i kushtohet tërësisht politikës) mban lidhje me të gjithë ata që luftojnë për t’ia rikthyer fronin.

Leka I na duket shumë i ri, pavarësisht shtatit të tij mbi dy metra dhe gjithë ambicieve politike. Megjithatë, ai duhet të jetojë edhe jetën e një të riu, të bukur dhe fisnik. Ai buzëqesh ndaj kureshtjes sonë : Jo, për momentin nuk kam asnjë plan martese. Keni të drejtë, shtypi rozë më ka fejuar disa herë, por besomëni, nuk ka asgjë të vërtetë. Do të martohem një ditë. Për momentin, më duhet të luftoj: të mbaj të fortë dhe këmbëngulës besimin e të gjithë atyre që shpresojnë dhe besojnë në kthimin tim në Tiranë.

Ai na flet për fëmijërinë dhe studimet e tij. Ka studiuar Shkenca Politike në Sorbonë dhe është i apasionuar pas politikës. Asaj i kushtoj pjesën më të mirë të kohës sime…, na thotë ai.

Por Leka I ka edhe “hobi”, gëzime nga të cilat nuk mund të heqë dorë. Ajo që më pasionon më shumë, – më rrëfen ai, – është aviacioni. Më pëlqen shumë të pilotoj. Më pas, noti është një nga sportet e mia të preferuara. Së fundi, më pëlqen edhe gjuetia. Fatkeqësia është se nuk kam shumë kohë të lirë. Jam gjithmonë në vijën e parë.

Ky i ri, i veshur me një kostum prej tergali gri perlë, që ndonjëherë na duket i trishtuar, ka një ëndërr që e ndjek me këmbëngulje dhe ndjehet se do ta ndjekë deri në fund: të rikthehet në vendin e tij, këtë Shqipëri nga e cila u dëbua foshnjë.

Është prekëse — dhe këtë ia themi edhe Leka I — ta shohësh pranë tij këtë burrë të fuqishëm me tipare thellësisht shqiptare, këtë kolonel të Gardës Mbretërore, i cili e kishte mbajtur në krahë kur ishte fëmijë dhe që është i gatshëm për çdo betejë për sovranin e tij. Koloneli Hysen Selmani është një njeri që ka njohur dramën e luftës dhe të mërgimit dhe që, me kalimin e viteve, nuk e ka humbur besimin në vendin e tij.

 

Nuk ia fshehim mbretit të ri shqetësimin tonë për të gjitha vështirësitë që ai duhet të kapërcejë. Leka I buzëqesh : Siç e shihni, jam i ri dhe më pëlqen lufta.

Përballë peizazhit të buzëqeshur libanez, buzë detit, duke soditur horizontin e atij Bejruti që atij i duket kaq i ndryshuar që nga dhjetë vjet më parë, sovrani i ri i Shqipërisë na flet pothuajse si një mik. Ai ndihet në prani të mirë. Prandaj na shpreh gjithë gëzimin e tij për jetën dhe gjithë shpresën për një të ardhme të ndritur.

Sipas Leka I, Shqipëria do ta rifitojë “klimën” e saj. Dhe vendi i tij do të dalë nga kjo perde e hekurt e tmerrshme në të cilën ndodhet i mbyllur. Gjithçka është çështje kohe…, na thotë Leka I, pak orë para se të hipë në avionin për Arabinë Saudite.

Raymond Loir

https://www.darsiani.com/la-gazette/gazeta-zvicerane-1963-intervista-ekskluzive-ne-bejrut-liban-me-leka-zogun-dhe-hysen-selmanin/

Trump paralajmëron Iranin se SHBA do të ndërhyjë nëse vriten protestuesit

By: e xh
3 January 2026 at 09:32

Presidenti, Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA do të ndërhyjnë nëse vriten protestues paqësorë. Ky paralajmërim është cilësuar nga ministri Jashtëm i Iranit. Abbas Araghchi si “i pamatur dhe i rrezikshëm”.

Presidenti amerikan tha se Uashingtoni “do t’u vijë në ndihmë” demonstruesve që marrin pjesë në protesta kundër ekonomisë së Iranit, duke shkruar në një postim të shkurtër në mediat sociale: “Nëse Irani qëllon dhe vret me dhunë protestuesit paqësorë, gjë që është zakon i tyre, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndihmojnë.”

Araghchi tregoi se forcat e armatosura të Iranit ishin në gatishmëri dhe “e dinin saktësisht se ku të synonin” në rast të një sulmi.

Presidenti amerikan nuk specifikoi se çfarë veprimi mund të ndërmarrë Uashingtoni. Më parë, Uashingtoni ka kryer sulme ndaj centraleve bërthamore të Iranit , të cilat shkaktuan një sulm hakmarrës ndaj një baze amerikane në Katar.

“Duke pasur parasysh vendosjen e Gardës Kombëtare nga Presidenti Trump brenda kufijve të SHBA-së, ai, më shumë se të gjithë njerëzit, duhet ta dijë se sulmet kriminale ndaj pronës publike nuk mund të tolerohen”, shkroi Araghchi në X.

Ai shtoi se Irani do të “hedhë poshtë me forcë çdo ndërhyrje në punët e tij të brendshme”. Ndërkohë, një zëdhënës i policisë iraniane tha se oficerët nuk do të lejonin që ata që ai i quajti “armiq” të shndërronin “trazirat në kaos”.

Të paktën tetë persona raportohet se kanë vdekur gjatë protestave njëjavore. Protestat filluan në Teheran, me shitësit e zemëruar nga një tjetër rënie e ndjeshme e vlerës së monedhës iraniane, rialit, kundrejt dollarit amerikan në tregun e hapur.

Shpërthime të forta në Venezuelë, Maduro: Trump urdhëroi sulmin

By: e xh
3 January 2026 at 09:27

Shtatë shpërthime të fuqishme u dëgjuan në orën 2 të mëngjesit në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, dhe në vende të tjera.

Qeveria e Venezuelës ka dënuar atë që e ka cilësuar si një “agresion shumë të rëndë ushtarak” nga Shtetet e Bashkuara. Në një deklaratë, qeveria akuzoi SHBA-në për kryerjen e një sulmi ndaj Karakas-it dhe shteteve Miranda, Aragua dhe La Guaira.

Presidenti Nicolás Maduro ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka urdhëruar zbatimin e të gjitha planeve kombëtare të mbrojtjes “në kohën dhe rrethanat e duhura,” sipas deklaratës zyrtare të qeverisë.

“Venezuela refuzon, dënon dhe i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar për të ndëshkuar agresionin ushtarak jashtëzakonisht serioz të kryer nga Qeveria aktuale e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj territorit venezuelian”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, qeveria bëri thirrje që të gjitha forcat shoqërore dhe politike të Venezuelës të mobilizohen për të mbrojtur vendin.

“Populli i Venezuelës dhe Forcat e Armatosura Kombëtare Bolivariane, në një unitet të plotë popull-ushtarak-policor, janë të angazhuara për të garantuar sovranitetin dhe paqen,” theksohet në deklaratë.

Sipas dokumentit, Venezuela do të depozitojë gjithashtu ankesa pranë Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, duke kërkuar dënimin e veprimeve të SHBA-së.

Disa dëshmitarë të cituar nga agjencitë ndërkombëtare flasin edhe për avionë ushtarakë që dëgjohen duke fluturuar në lartësi të ulët.

Shpërthimet vijnë ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka ngritur mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës dhe ka thënë se ditët e Presidentit Venezuelan, Nicolás Maduro, janë “të numëruara” pas vendosjes së një flote anijesh luftarake në Karaibe.

Sipas një gazetari të CBS, zyrtarët e administratës Trump thanë thjesht se ishin  “në dijeni” të lajmeve që vinin nga Karakasi. Presidenti kolumbian Gustavo Petro shkroi në X: “Ata po bombardojnë Karakasin. Njoftoni të gjithë botën, ata kanë sulmuar Venezuelën. Ata po bombardojnë me raketa.”

“Po ndjek evolucionin e ngjarjeve”, komentoi Ministri i Jashtëm Antonio Tajani, duke specifikuar se Kryeministrja italiane Giorgia Meloni është vazhdimisht e informuar.

Imazhet e zjarreve të mëdha me re tymi janë të dukshme në mediat sociale, shkruan AFP, por ende nuk është e mundur të përcaktohet vendi i saktë i këtyre shpërthimeve.

Sipas raporteve fillestare, u goditën bazat ushtarake, konkretisht, Fort Tiuna, dhe baza ajrore La Carlota. Nga ana tjetër raportohet se u sulmua edhe porti i kryeqytetit.

Banorët e disa lagjeve dolën në rrugë të alarmuar teksa shpërthimet ishin të dukshme në distancë nga pjesë të ndryshme të kryeqytetit. Sipas CNN, disa lagje në kryeqytet mbetën pa energji elektrike.

Yesterday — 2 January 2026Opinion.al

Dëborë dhe akull në veri, thirrje për kujdes ndaj drejtuesve të mjeteve në këto akse

By: e xh
2 January 2026 at 21:24

Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.

Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut.

Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor, shkruan A2 CNN.

Sipas raportimeve, mbi 200 mjete tentojnë të lëvizin në drejtim të Koplikut. Lëvizja është rivendosur në sajë të ndërhyrjes në terren, ku ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.

Prefekti i Qarkut është në ndjekje të vazhdueshme të situatës dhe ka kërkuar koordinim të menjëhershëm mes strukturave përgjegjëse për normalizimin e qarkullimit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.

Në këtë kuadër, apelohet për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të shmangin lëvizjet e panevojshme në akset problematike dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast nevoje ose problematikash, qytetarët ftohen të komunikojnë menjëherë me Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.

Prince Caffe: Lajm i rremë i porositur, ne bashkëpunojmë me brende globale

By: e xh
2 January 2026 at 19:57

Brendi Prince Caffe, si një ndër më cilësorët në rajon, është i pranishëm në shumë shtete evropiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes bashkëpunimeve të drejtpërdrejta me brende prestigjioze dhe partnerë strategjikë të nivelit të lartë, përfshirë Amazon, Lidl, Interspar, Shell, Kaufman, Konzum, dhe të tjerë.

Bashkëpunimet ndërkombëtare të Prince Caffe dhe shtrirja e saj në tregje të reja janë në rritje të vazhdueshme, si rezultat i drejtpërdrejtë i besimit të partnerëve globalë dhe i përkushtimit të pakompromis ndaj cilësisë.

Për ta arritur dhe ruajtur këtë nivel, Prince Caffe dhe të gjitha produktet e saj përcjellëse posedojnë dhe operojnë në përputhje të plotë me certifikatat më të larta ndërkombëtare të cilësisë, sigurisë dhe standardit, duke përmbushur kërkesat e tregjeve evropiane dhe ndërkombëtare.

Lajmi i rremë, i cili pretendon se në produktin Prince Caffe është gjetur një substancë e palejueshme, është plotësisht i pavërtetë dhe i pabazuar në fakte.

“Bazuar në mënyrën dhe qëllimin e shpërndarjes së këtij pretendimi, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se bëhet fjalë për një veprim të porositur nga konkurrentë në treg, me synim dëmtimin e reputacionit të brendit.” – thuhet në reagimin e brendit.

Prince Caffe u ka bërë thirrje të gjitha mediave, institucioneve dhe palëve të përfshira që raportimi mbi çështje të tilla të bëhet në përputhje me profesionalizmin, etikën gazetareske dhe verifikimin e fakteve, duke shmangur publikimin e informacioneve të pavërtetuara.
Me këtë rast, Prince Caffe dëshiron t’i falënderojë të gjithë konsumatorët dhe bashkëpunëtorët besnikë, të cilët për mbi 20 vjet kanë treguar besim të palëkundur ndaj produkteve tona.

“Nuk është hera e parë që prodhimet e njësive të Devolli Corporation përballen me fushata të qëllimshme për njollosje të imazhit publik. Megjithatë, përgjigjja jonë mbetet e njëjtë. transparencë, përputhshmëri ligjore dhe cilësi e dëshmuar ndërkombëtarisht”. – përfundon reagimi. 

U tall me nënshtetësinë e tij franceze,Clooney- Trump: Ta bëjmë Amerikën madhështore

By: e xh
2 January 2026 at 18:55

Aktori i njohur hollivudian George Clooney ka reaguar ashpër ndaj Presidentit amerikan Donald Trump, pasi ky i fundit kritikoi vendimin e Francës për t’i dhënë shtetësi franceze aktorit dhe familjes së tij.

Fituesi i çmimit Oscar, 64 vjeç, bashkë me bashkëshorten e tij Amal Alamuddin Clooney dhe dy fëmijët e tyre, u bënë zyrtarisht shtetasë francezë, pas disa vitesh jetese në jug të Francës.

Clooney ka vlerësuar ligjet franceze për privatësinë, të cilat, sipas tij, e kanë mbrojtur familjen nga ndërhyrjet e mediave ndërkombëtare, si edhe mundësinë për t’i rritur fëmijët larg Hollywood-it.

Presidenti Trump, administrata e të cilit ka mbështetur parti kundër emigracionit në Europë, shkroi në rrjetin e tij Truth Social se Franca ishte e lirë të “mirëpriste” yllin e filmit Ocean’s Eleven, i cili është mbështetës i hershëm i demokratëve dhe kritik i hapur i Trumpit.

“Lajm i mirë! George dhe Amal Clooney, dy nga parashikuesit politikë më të këqij të të gjitha kohërave, janë bërë zyrtarisht shtetas francezë, një vend që fatkeqësisht po përballet me probleme serioze kriminaliteti për shkak të menaxhimit katastrofik të emigracionit”, shkroi Trump.

Ai shtoi gjithashtu se Clooney kishte marrë më shumë vëmendje për politikën sesa për filmat e tij, të cilët i cilësoi si mediokër.

Në reagimin e tij për Hollywood Reporter, Clooney iu përgjigj me ironi: “Jam plotësisht dakord me presidentin aktual. Duhet ta bëjmë Amerikën sërish madhështore. Do të fillojmë në nëntor,” duke iu referuar zgjedhjeve afatmesme të 3 nëntorit.

Vendimi për dhënien e shtetësisë Clooney-t vjen pak para hyrjes në fuqi të rregullave më të ashpra të emigracionit në Francë, që nga 1 janari, të cilat do të forcojnë kriteret gjuhësore për aplikantët.

Një zyrtare e qeverisë së presidentit Emmanuel Macron kritikoi gjithashtu këtë vendim, duke vënë në dukje se Clooney nuk flet mirë frëngjisht.

Megjithatë, ministri i Brendshëm Laurent Nunez dhe Ministria e Jashtme franceze e mbrojtën vendimin, duke theksuar se ai përmbush kriteret ligjore për natyralizim.

Sipas ligjit francez, shtetësia mund t’u jepet të huajve që kontribuojnë ndjeshëm në ndikimin ndërkombëtar dhe prestigjin kulturor të Francës.

Autoritetet theksuan se Clooney dhe bashkëshortja e tij, një avokate e njohur për të drejtat e njeriut, kontribuojnë në këtë drejtim.

Clooney pranoi se frëngjishtja e tij mbetet e dobët, pavarësisht kurseve të ndjekura, ndërsa Amal Clooney flet rrjedhshëm këtë gjuhë.

Aktori bleu pronën Domaine du Canadel pranë qytetit Brignoles në vitin 2021 dhe ka deklaruar se Franca është vendi ku familja e tij ndihet më e lumtur.

Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, rreth 48,800 persona fituan shtetësinë franceze me dekret gjatë vitit 2024.

Ndërkohë, Clooney nuk është i vetmi emër i njohur që kërkon pasaportë franceze.

Regjisori Jim Jarmusch njoftoi se ka aplikuar gjithashtu, duke thënë se dëshiron një vend ku mund të largohet nga Shtetet e Bashkuara.

Izraeli kryen sulme të reja ajrore në jug të Libanit

By: e xh
2 January 2026 at 18:33

Izraeli ndërmori disa sulme ajrore në Libanin jugor, në përfundim të afatit të vendosur për çarmatosjen e grupit militant Hezbollah përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Sulmet ndodhën disa ditë para një mbledhjeje të planifikuar të qeverisë libaneze, ku komandanti i ushtrisë pritet t’i raportojë kabinetit për largimin e pranisë ushtarake të Hezbollahut nga zona pranë kufirit me Izraelin, raporton AP.

Sipas mediave shtetërore libaneze, sulmet ajrore goditën disa zona në jug të Libanit, përfshirë rajonin e njohur si “Apple Province” dhe periferitë e fshatrave Ansar dhe Zrariyeh. Ushtria izraelite njoftoi se forcat ajrore kanë goditur objekte infrastrukturore të Hezbollahut në disa zona të Libanit jugor.

Lufta e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut nisi më 8 tetor 2023, një ditë pas sulmit të militantëve të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor, kur Hezbollahu lëshoi raketa drejt Izraelit në shenjë solidariteti me Hamasin.

Kosova e nisi vitin 2026 pa buxhet

By: e xh
2 January 2026 at 17:11

Bllokadat që karakterizuan gjithë 2025-tën e pamundësuan edhe miratimin e projektligjit për buxhetin e këtij viti.

Aktualisht, vendi funksionon me 1/12 e buxhetit të vitit të shkuar, por kjo zgjatë vetëm të dy muajt e parë, e nisur nga marsi, gjithçka është në rrezik.

Pagesa që nuk mund të kryhen e rrjedhimisht nuk do të paguhen punëtorët e sektorit publik e nuk do të mund të jepen shërbime. Në tentativën e fundit për formimin e qeverisë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, pati edhe një përpjekje për miratimin e projektligjit që e hartoi qeveria në detyrë.

Por, një qeveri në detyrë, si ajo e Albin Kurtit që zgjati mandatin për pesë vjet, nuk kishte kompetencë të dërgonte një projektligj për miratim, te një kuvend i zgjedhur së fundmi. Megjithatë, zgjedhjet e 28 dhjetorit të fundvitit 2025 dhanë një fitues të qartë, Lëvizjen Vetëvendosje me rreth 50% të votave. Kjo nënkupton që lehtësisht, kjo parti, konstituon Kuvendin e formon qeverinë.

Me 56 ulëset që ka siguruar nga rezultatet preliminare, e ka të lehtë edhe miratimin e buxhetit për këtë vit. Por, për këtë do të duhet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare shumë më shpejt, që pastaj të thirret seanca për konstituim të Kuvendit e formim të qeverisë.

Zbulohet si nisi zjarri që i mori jetën 47 personave brenda lokalit në Zvicër

By: e xh
2 January 2026 at 16:31

Zjarri tragjik që shpërtheu në një bar të një resorti skish në Zvicër u shkaktua nga fishekzjarre të vendosura në shishe shampanje, të cilat u afruan shumë pranë tavanit, konfirmojnë autoritetet.

Kryeprokurorja Beatrice Pilloud deklaroi për mediat se disa nga hipotezat fillestare tashmë janë konfirmuar.

“Në këtë fazë të hetimit, gjithçka tregon se zjarri nisi nga fishekzjarre ose flakadanë të vendosur në shishe shampanje. Ato u afruan tepër pranë tavanit dhe shumë shpejt shkaktuan një zjarr të fuqishëm, që u përhap brenda pak çastesh,” u shpreh ajo.

Zjarri u përhap me shpejtësi rrufeje, me gjasë i favorizuar nga një shtresë materiali sintetik izolues që mbulonte tavanin e ulët të sallës.

Oficerët e mjekësisë ligjore ndodhen në vendngjarje, mes raporteve se shumë pacientë, disa deri edhe vetëm  15 vjeç, po trajtohen për djegie të rënda të shkallës së tretë.

Zyrtarët paralajmërojnë se mund të duhen ditë apo edhe javë të tëra për të identifikuar viktimat.

Hetimet e Prokurorisë Federale do të përpiqen tani të përcaktojnë pse nuk kanë funksionuar sistemet dhe daljet e sigurisë. Këtyre pyetjeve, dhe shumë të tjerave, do t’u duhet të përgjigjet edhe çifti francez, pronarë të Le Constellation.

Orikum/ Burri vret gruan dhe më pas vetëvritet në garazh

By: e xh
2 January 2026 at 15:16

Një krim në familje ka ndodhur ditë e sotme në Orikum.

Policia e Vlorës deklaron se një 50- vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij në banesë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, kur është marrë njoftim nga urgjenca mjekësore se një shtetase, në Orikum, është gjetur pa shenja jete dhe me shenja dhune në banesë.

Pas kontrolleve të ushtruara nga shërbimet e Policisë në zonën përreth kësaj banese, në garazh është gjetur dyshohet i vetëvrarë me armë zjarri autori i kësaj ngjarjeje, shtetasi Ll. Xh.

Arma pistoletë e gjetur në vendngjarje u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Korçë/ Prezencë akulli në rrugë, Policia apel qytetarëve: Përdorni zinxhirë

By: e xh
2 January 2026 at 13:54

Policia e Elbasanit ka njoftuar qytetarët që planifikojnë të lëvizin në drejtim të Korçës apo Qafë Thanës të tregohen shumë të kujdesshëm, për shkak të prezencës së akullit në rrugë, i cili rrit ndjeshëm rrezikun e aksidenteve.

Autoritetet apelojnë që të minimizohen lëvizjet drejt zonave malore ku ka akull, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme. Po ashtu, drejtuesit e automjeteve këshillohen të jenë të pajisur me zinxhirë dhe mjete të tjera ndihmëse për qarkullim në kushte dimërore.

Policia u bën thirrje qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, të ulin shpejtësinë dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për një udhëtim sa më të sigurt.

Aksident i rëndë në aksin Lezhë-Shkodër, humb jetën çifti i bashkëshortëve

By: e xh
2 January 2026 at 10:53

Një aksident i rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në aksin Lezhë–Shkodër. Si pasojë e përplasjes së fortë mes dy automjeteve, në afërsi të fshatit Gocaj, ka humbur jetën një çift bashkëshortësh, të cilët udhëtonin në njërin prej mjeteve.

Viktimat janë një 53-vjeçar dhe një 45-vjeçare. Ndërkohë, tre pasagjerë kanë mbetur të plagosur, të cilët udhëtonin në mjetin tjetër. Konkretisht, të plagosur kanë mbetur bashkëshortja e drejtuesit të mjetit dhe dy fëmijët e tyre të mitur, të moshës 2 dhe 6 vjeç.

Për nxjerrjen e trupave nga automjetet kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, ndërsa më pas viktimat janë transportuar nga ambulancat. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti të rëndë.

“I përpiu zjarri”, çfarë e shkaktoi tragjedinë e Zvicrës?

By: e xh
2 January 2026 at 09:26

Shkaku i zjarrit në tragjedinë e festës së Vitit të Ri në Crans-Montana të Zvicrës mbetet i papërcaktuar. Megjithatë, po qarkullon një teori se pse kaq shumë njerëz vdiqën dhe nuk mundën të shpëtonin. Qeveria kantonale e Valais, në një deklaratë, iu referua një “shpërthimi” në bar, një lloj stuhie zjarri, por nuk citoi një burim për këtë teori.

“Në natën e Vitit të Ri, nga 31 dhjetori deri më 1 janar 2026, një zjarr në barin ‘Le Constellation’ në Crans-Montana shkaktoi një shkreptimë, duke rezultuar në një ose më shumë shpërthime dhe vdekje e lëndime të shumta”, deklaroi Këshilli i Shtetit (qeveria kantonale). Prokurorja hetuese, Beatrice Pilloud, më vonë deklaroi vetëm se e gjithë dhoma u përfshi nga flakët, duke çuar në një shpërthim.

Sipas autoriteteve, afërsisht 40 persona humbën jetën në zjarr. Rreth 115 të tjerë u plagosën, shumica prej tyre rëndë, tha Frédéric Gisler, komandant i policisë kantonale të Valais. “Ndoshta do të ketë edhe viktima nga jashtë vendit”. Të rinjtë e moshës 16 deri në 26 vjeç janë ndër më të plagosurit rëndë.

Njëzet e dy persona të plagosur të kësaj moshe u transportuan me helikopter në Spitalin Universitar në Lozanë, tha drejtoresha e spitalit Claire Charmet për gazetën zvicerane “24 Heures”. Shumë viktima pësuan lëndime kërcënuese për jetën. Mjeku kryesor i spitalit Morges, Wassim Raffoul, i tha transmetuesit RTS se vetëm Spitali Universitar i Lozanës kishte pranuar afërsisht 13 të rritur dhe 8 të mitur, “sipërfaqja e trupit të të cilëve ishte djegur mbi 60 përqind”.

Dy gra i thanë kanalit televiziv francez BFMTV se panë një barist në bar duke ngritur një bariste mbi supet e tij, ndërsa ajo mbante një shishe me një qiri të ndezur brenda. Flakët u përhapën dhe shkaktuan shembjen e tavanit prej druri. Njëra nga gratë përshkroi se si turma u panikua dhe u përpoq të largohej nga klubi në bodrum nëpërmjet një shkalle të ngushtë dhe një dere të ngushtë.

Presidenti zviceran Guy Parmelin e përshkroi incidentin si një nga tragjeditë më të këqija në historinë e vendit dhe deklaroi në Instagram se mendimet e qeverisë ishin me viktimat, të plagosurit dhe familjet e tyre, të cilëve u shprehu ngushëllimet e saj të sinqerta. Nga respekti për familjet e viktimave, Presidenti shtyu fjalimin e tij tradicional të Vitit të Ri, i cili ishte planifikuar të transmetohej të enjten pasdite, siç u raportua nga transmetuesit zviceranë SRF dhe RTS.

Me pistat e skive që arrijnë deri në 3,000 metra lartësi mes majave të mbuluara me borë dhe pyjeve me pisha të rajonit Valais, Crans-Montana është një nga vendet kryesore për Kupën Botërore të Skive. Resorti pret skiatoret më të mira të zbritjes, përfshirë Lindsey Vonn, e cila garon këtu në garat e saj të fundit para Lojërave Olimpike Milan-Cortina në shkurt. Klubi i Golfit Crans-sur-Sierre në Crans-sur-Sierre pret European Masters çdo gusht.

Horoskopi, 2 janar 2026

By: e xh
2 January 2026 at 08:57

Dashi
Lërini idetë tuaja të forta mënjanë sot dhe jini të hapur ndaj njerëzve përreth jush. Nëse kapeni shumë pas vetëm një mënyre të të menduarit, atëherë ka të ngjarë të humbisni një pikë shumë të vlefshme. Lëreni mënjanë idenë e paragjykuar se rruga juaj është e vetmja rrugë.

Demi
Nuk je në humorin më të mirë sot dhe kjo ka të ngjarë të të bëjë më pak të sigurt në punë. Ki kujdes sepse këtu ka rrezik. Të kesh shumë besim te të tjerët të bën të ndjeshëm ndaj ideve të gabuara. Në fund të fundit, besoi vetëm vetes.

Binjakët
Idetë e të tjerëve mund t’ju duken krejtësisht të huaja sot. Reagimi juaj i parë do të jetë t’i shpërfillni ato plotësisht. Mos u nxitoni ta bëni këtë. Mund të mësoni shumë nga mençuria e të tjerëve. Tani për tani, duhet të dëgjoni me vëmendje.

Gaforrja
Ke një informacion të rëndësishëm që duhet ta kalosh nëpër sistem sot. Fatkeqësisht, megjithatë, një forcë po të bllokon rrugën. Duket sikur dikush po kundërshton automatikisht të gjitha idetë e reja. Mos e humb shpresën në këtë kohë.

Luani
Komunikimi do të jetë i ngatërruar sot dhe do të zbuloni se sa më shumë informacion të merrni nga të tjerët, aq më të hutuar do të bëheni. Përpjekja për të zgjidhur të gjitha pjesët që mungojnë do të jetë jashtëzakonisht sfiduese. Mos merrni asnjë vendim të rëndësishëm sot.

Virgjëresha
Kali për të cilin po vë bast po bie përsëri në tufë sot, por kjo nuk është arsye për të humbur gjithë besimin. Pyet çfarë mund të bësh për të ndihmuar në vend që të rrish duarkryq dhe të mos bësh asgjë. Sot do të zbulosh se ndihma ndaj të tjerëve në të vërtetë do të të ndihmojë ty.

Peshorja
Puna e palodhur nuk është specialiteti juaj, por sot do të zbuloni se është një domosdoshmëri. Ju pëlqen imazhi juaj i një personi vazhdimisht të gëzuar që mund të luajë gjithë ditën dhe prapë të arrijë të pamundurën, por sot do t’ju duhet të punoni shumë.

Akrepi
Do të ndjeni shumë presion sot nga njerëzit përreth jush. Ndjeni nevojën për të arritur një nivel të caktuar performance me përsosmëri absolute. Pjesa më e madhe e këtij presioni në fakt vjen nga brenda, jo nga të tjerët. Jini të butë me veten.

Shigjetari
Mendja juaj e lëkundur nuk do të marrë shumë mbështetje nga të tjerët, kështu që mund ta kurseni energjinë tuaj duke u përpjekur të merrni këshilla nga njerëzit përreth jush. Është më mirë të bëni kërkimet tuaja në libra, revista dhe periodikë. Përgjigjet tuaja janë aty.

Bricjapi
Je në një pozicion të mirë sot për të përfituar nga një situatë që po ju vjen në majë të hundës. Njerëzit kanë nevojë për drejtim dhe ti mund t’ua japësh atyre. Personaliteti yt i natyrshëm për të marrë kontrollin është pikërisht ajo që nevojitet – prandaj mos ki frikë të ngrihesh dhe të marrësh drejtimin.

Ujori
Kryeni punën tuaj herët sot. Zgjohuni një ose dy orë më shumë se zakonisht dhe shfrytëzoni këtë kohë të çmuar. Do të jeni shumë më produktivë në këto orë të hershme të mëngjesit. Kur të vijë pasditja, do të vijë edhe përtacia.

Peshqit
Do të stresoheni mjaft sot, për shkak të presionit nga njerëzit përreth jush. Të tjerët po e kalojnë veten në një gjendje të furishme dhe kjo energji po ju transmetohet edhe juve. Përpiquni sa më shumë që të kuptoni gjërat e pakuptimta dhe të kaloni drejt e te faktet.

Moti i keq në Vlorë, ndalohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit

By: e xh
1 January 2026 at 23:00

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, gjatë datave 02–07.01.2026, duke filluar nga ora 06:00 e datës 02.01.2026, me drejtim ere Jug–Jugperëndim, forcë deri 5–6 Bft, shpejtësi ere deri në 10–15 m/s dhe lartësi dallge nga 1.00 deri në 1.50 metra, ju njoftojmë se:

  1. ËSHTË E NDALUAR PAJISJA ME LEJE-NISJE e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit, të cilat synojnë të operojnë brenda Gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 06:00 e datës 02.01.2026 deri më 07.01.2026 në orën 06:00.
  2. Drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës të marrin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike detare dhe të marrin masa për sigurimin e mjeteve të tyre.
  3. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.
  4. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
  5. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar, i parashikuar për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit, pritet pas orës 06:00 të datës 07.01.2026.
❌
❌