Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 4 January 2026Opinion.al

Arrestimi i Maduros, JD Vance: Nuk do të lejojmë që një komunist të na vjedhë

By: e xh
4 January 2026 at 22:53

Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, ka komentuar arrestimin e Presidentit të Venezuelës, duke thënë se Amerika nuk do të lejojë që një komunist t’i vjedhë.

“Shoh shumë kritika në lidhje me naftën. Rreth 20 vjet më parë, Venezuela shpronësoi pronat amerikane të naftës dhe deri vonë, i përdori ato për t’u pasuruar dhe për të financuar aktivitetet e saj narko-terroriste. E kuptoj ankthin në lidhje me përdorimin e forcës ushtarake, por a duhet ta lëmë një komunist të na vjedhë në hemisferën tonë pa bërë asgjë? Fuqitë e mëdha nuk sillen kështu”, shkroi Vance në një postim në rrjetin social ‘X’.

Komentet Vance i bëri teksa iu përgjigj shqetësimeve, kryesisht atyre që burojnë nga baza MAGA e Trump, në lidhje me operacionin ushtarak në Venezuelë.

“SHBA-të, falë lidershipit të Presidentit Donald Trump, janë përsëri një fuqi e madhe. Të gjithë duhet ta marrin parasysh”, përfundon Vance.

Zbulohet data se kur Maduro dhe gruaja e tij do të dalin para gjykatës në SHBA

By: e xh
4 January 2026 at 21:34

Presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe gruaja e tij Cilia Flores do të paraqiten në gjykatën federale të Manhattanit të hënën.

Sipas informacioneve paraprake të deklaruara nga një zëdhënës i gjykatës, ata priten të dalin para gjyqtarëve rreth orës 12 sipas kohës lokale.

“Ata do të dalin para gjykatës të hënën. Seanca dëgjimore është caktuar për në orën 12:00 sipas kohës lokale”, deklaroi ai.

Presidenti Nicolas Maduro dhe gruaja e tij, Zonja e Parë Cilia Flores, po mbahen në një qendër paraburgimi në New York pas kapjes së tyre në sulmet ajrore amerikane ndaj Venezuelës të shtunën.

Ata u dërguan nga kryeqyteti Karakas në Qendrën e Paraburgimit Metropolitan në Brooklyn për t’u përballur me akuza të lidhura me trafikimin e drogës. Maduro ka mohuar të jetë udhëheqësi i një karteli droge.

Venezuela ndërkohë ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme kombëtare dhe denoncon atë që e quan “agresionin ushtarak”.

Presidenti Donald Trump thotë se SHBA-të do ta “drejtojnë” Venezuelën “deri në kohën kur të mund të bëjmë një tranzicion të sigurt, të duhur dhe të mençur”. Kompanitë amerikane të naftës do të riparojnë gjithashtu “infrastrukturën e prishur” të Venezuelës, thotë Trump.

Trump publikon të dhënat, sa familje shqiptare përfitojnë ndihmë sociale në SHBA

By: e xh
4 January 2026 at 20:30

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar të dhëna statistikore mbi përfitimin e ndihmave sociale nga komunitetet emigrante në Shtetet e Bashkuara, ku në fokus janë edhe familjet me origjinë nga Kosova dhe Shqipëria.

Sipas këtyre të dhënave, 46% e familjeve nga Kosova që jetojnë në SHBA përfitojnë ndihmë sociale, duke e renditur Kosovën ndër vendet me përqindje të mesme të përfituesve. Ndërkohë, Shqipëria renditet me 41.3%, një shifër gjithashtu e konsiderueshme krahasuar me shumë vende të tjera.

Statistikat i referohen familjeve emigrante që përfitojnë programe të ndryshme ndihme sociale, përfshirë mbështetje financiare, ushqimore apo shërbime të tjera shtetërore.

Publikimi i këtyre shifrave vjen në kuadër të debatit të vazhdueshëm në SHBA mbi emigracionin dhe politikat sociale.

Zgjidhet zëvendësi i Maduros, kush do e marrë drejtimin e Venezuelës

By: e xh
4 January 2026 at 19:02

Zëvendës-Presidentja Delcy Rodríguez ka marrë drejtimin e vendit pas largimit të Nicolás Maduros, me mbështetjen e plotë të institucioneve gjyqësore dhe politike.

Sipas mediave të huaja, ajo dhe vëllai i saj, Jorge Rodríguez, aktualisht kryetar i Kongresit, janë shndërruar në figura qëndrore të pushtetit që prej ardhjes së Maduros në krye të Venezuelës në vitin 2013.

Një tjetër aktor kyç mbetet Diosdado Cabello, ish-kapiten ushtrie dhe aleat i afërt i të ndjerit Hugo Chávez. Cabello vazhdon të luajë rolin e ndërmjetësit të rëndësishëm mes elitës politike, ushtrisë dhe interesave ekonomike.

Të tre figurat shfaqen të bashkuara në denoncimin e asaj që e quajnë “rrëmbim” të pushtetit nga Maduro dhe duken të vendosur të ruajnë strukturat politike dhe institucionale të dekadës së fundit.

Arrestoi Maduron, çfarë është Delta Force?

By: e xh
4 January 2026 at 18:39

SHBA-të kanë kryer një operacion të madh ushtarak në Venezuelë , me presidentin Donald Trump që konfirmoi se homologu i tij, Nicolas Maduro, dhe gruaja e tij, Cilia Flores, u kapën dhe u larguan me aeroplan nga vendi.

Gjatë operacionit , shpërthime u dëgjuan në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, dhe në zona të tjera, duke treguar se forcat amerikane kryen sulme ndaj objektivave kyçe.

Misioni u krye nga Delta Force, njësia kryesore e misioneve speciale të ushtrisë amerikane, raportoi CBS News .

Çfarë është Delta Force?

E themeluar në vitin 1977 dhe me seli në Fort Bragg, Karolina e Veriut, Delta Force është një nga njësitë ushtarake më elitare dhe sekrete në botë.

Ajo vepron nën Komandën e Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane dhe i përgjigjet Komandës së Përbashkët të Operacioneve Speciale (JSOC).

Njihet gjithashtu si Detashmenti i 1-rë Operacional i Forcave Speciale – Delta (1-ri SFOD-D).

Struktura e saj është modeluar sipas SAS-it Britanik (Regjimenti i 22-të i Shërbimit Ajror Special), i cili frymëzoi themeluesin e Deltës, Kolonel Charles Beckwith.

Duke pasur parasysh seriozitetin dhe sekretin e punës, është përfolur se ka përdorur emra të ndryshëm si Elementet e Kompartimenteve të Ushtrisë (ACE), Grupi i Aplikimeve të Luftimit (CAG) ose Delta.

Misioni Kryesor i Delta Force

Njësia specializohet në misione me rrezik të lartë dhe vlerë të lartë dhe është e ngarkuar kryesisht me operacione kundër terrorizmit, shpëtim pengjesh, eliminimin dhe kapjen e kërcënimeve terroriste, si dhe zbulime speciale.

Njësia është gjithashtu e trajnuar në mbrojtje nga afër për individë të profilit të lartë dhe në luftë jokonvencionale, me operatorë të aftë në snajperë, luftime nga afër, eksplozivë dhe teknika të hyrjes së fshehtë.

Ata janë të trajnuar për të trajtuar operacione në aeroplanë, trena, anije dhe automjete që i mundësojnë ata të ndërhyjnë dhe të marrin kontrollin e çdo skenari në çdo mjedis.

Struktura e Delta Force

Forca Delta është e ndarë në katër skuadrone kryesore, dhe secila e ndarë në tre trupa – Trupa e Zbulimit/Snajperëve, e cila merret me mbledhjen e inteligjencës dhe misionet e snajperëve, dhe dy Trupa të Veprimit të Drejtpërdrejtë/Sulmit që përqendrohen në sulmin ndaj objektivave, bastisjet dhe misionet me rrezik të lartë.

Operacionet Delta Force

Shumica e misioneve që kryen Delta Force janë të klasifikuara dhe vetëm disa operacione janë bërë të njohura publikisht me kalimin e kohës.

Disa nga operacionet e famshme të Delta Force janë Operacioni Prime Chance, Hunt for Bin Laden 2001, Sulmi Ajror në Bagdad, Shpëtimi i Pengjeve në Irak, Operacioni Gothic Serpent, Somali, Operacioni Urgent Fury, Grenada dhe Bastisja ndaj udhëheqësit të ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi.

Kush mund t’i bashkohet Delta Force?

Delta Force rekruton vetëm individët më të aftë dhe më të vendosur.

Zakonisht rekruton ushtarë nga Forcat Speciale të Ushtrisë Amerikane (Beretat e Gjelbra) dhe Regjimenti i 75-të i Rangerëve. Procesi i përzgjedhjes zgjat tre deri në katër javë. Meqenëse procesi i përzgjedhjes është jashtëzakonisht rigoroz, vetëm një pjesë shumë e vogël e kandidatëve ia dalin mbanë.

Testet fizike përfshijnë një marshim nate prej 28 km duke mbajtur një çantë shpine 15 kg, ose një marshim nate prej 40 km mbi një terren të ashpër dhe të pjerrët duke mbajtur një çantë shpine 20 kg, si dhe një provë noti me uniforma ushtarake. Ka edhe testime të gjera mendore dhe intervista për të vlerësuar qëndrueshmërinë dhe karakterin.

Njerëzit që i kalojnë këto teste hyjnë në Kursin e Trajnimit të Operatorëve (OTC), i cili zgjat gjashtë muaj, për t’u bërë operatorë elitarë të gatshëm për misionet më të rrezikshme në botë.

Rubio: SHBA nuk ka nevojë për naftën e Venezuelës

By: e xh
4 January 2026 at 18:04

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, është shprehur se Amerika nuk ka nevojë për naftën e Venezuelës.

Sipas mediave të huaja, komentet Rubio i bëri në një intervistë në NBC, ku ai u pyet edhe për planet e reklamuara të SHBA-së për të marrë nën kontroll industrinë e naftës së Venezuelës.

Rubio iu referua veçanërisht nevojës për të ndaluar rivalët globalë të kenë akses në burimet e vendit, duke thënë:

“Nuk kemi nevojë për naftën e Venezuelës. Kemi shumë naftë në Shtetet e Bashkuara. Ajo që nuk do të lejojmë është që industria e naftës në Venezuelë të kontrollohet nga kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara. Pse Kina ka nevojë për naftën e tyre? Pse Rusia ka nevojë për naftën e tyre? Pse Irani ka nevojë për naftën e tyre?”

“Ne nuk do të lejojmë që Hemisfera Perëndimore të jetë një bazë operacioni për kundërshtarët, konkurrentët dhe rivalët e Shteteve të Bashkuara… Ne duam të shohim që nga të ardhurat nga nafta e atij vendi të përfitojnë populli i Venezuelës”, shtoi Rubio.

Venezuela, shteti i parë në botë për rezervat e naftës

By: e xh
4 January 2026 at 15:57

Venezuela është vendi i parë në botë për rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar me plotë 303 miliardë fuçi. Kina është shteti me importet më të mëdha të naftës venezueliane me 68 për qind të totalit, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 23 për qind. Rrëzimi i Nikolas Maduro si president i Venezuelës  nuk pritet të ndikojë fortë në tregje në përgjithësi dhe as te ai i naftës në veçanti.

“Kush kontrollon naftën, kontrollon kombet.” …. kjo thënie e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Henry Kissinger në vitet ‘70 mbetet po aq e aktuale dhe sot. “Ari i zi” ka qenë në qendër të gjeopolitikës dhe konflikteve për më shumë se një shekull. Venezuela është vendi i parë në botë për rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar me plotë 303 miliardë fuçi.

Ajo lë pas Arabinë Saudite me 276 mijë, Iranin me 209 mijë apo Kanadanë, Irakun, Emiratet e Bashkuara Arabe e Rusinë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, superfuqi ekonomike dhe ushtarake renditen në pozicionin e 9-të me 69 miliardë fuçi naftë të papërpunuar duke lënë pas Libinë me 48 miliardë të tilla.

Para sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Venezuela prodhonte mbi 2 milionë fuçi naftë në ditë në 2017-n, sasi kjo që u ul në 1 mijë e 511 milionë në 2018-n apo pak më shumë se 1 milion në 2019-n. Sasia e naftës së prodhuar nga Venezuela ra në 569 milionë fuçi në 2020 kur u ashpërsuan edhe sanksionet e Uashingtoni ndaj Karakasit. Trajektorja e prodhimit të “arit të zi” vijoi rënien.

Kina është shteti me importet më të mëdha të naftës venezueliane me 68 për qind të totalit, ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 23 për qind. Në Evropë, Spanja është ndër importuesit kryesorë me 4 për qind të totalit.

Analistë të tregjeve vlerësojnë se arrestimi dhe deportimi i presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk pritet të ndikojë fortë në tregje në përgjithësi dhe as te ai i naftës në veçanti.

Kjo pasi tregjet globale aktualisht janë të mbingopura, ndaj çdo rritje çmimi për shkak të konfliktit pritet të jetë modeste, rreth 1–2 dollarë për fuçi. Madje, marrja në kontroll e prodhimit të naftës në Venezuelë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shoqëruar nga heqja e sanksioneve mund të ndikonte në shtimin e eksporteve  dhe rrjedhimisht në rënien e çmimit të “arit të zi” në bursa.

Si u kap Maduro?Forcave Delta u mjaftuan 46 sekonda për ta nxjerrë nga dhoma

By: e xh
4 January 2026 at 15:48

Operacioni “Maduro out” ka nisur verën e kaluar, kur Donald Trump autorizoi CIA-n të kryente “aksione të fshehta” në Venezuelë. Konkretisht: të spiunonte lëvizjet e liderit, të studionte bazat e tij të mbështetjes dhe rrjetin e mbrojtjes. Agjentët e CIA-s lëviznin në heshtje, duke kombinuar metodat klasike të infiltrimit me teknologjitë më të avancuara, si dronët.

Është e besueshme, edhe pse dje Donald Trump nuk e përmendi në konferencën e gjatë për shtyp nga Mar-a-Lago, që në të njëjtën kohë shërbimet sekrete amerikane të kenë kërkuar edhe ndonjë mbështetje brenda aparatit ushtarak vendas. Sado efikas të ketë qenë blitz-i amerikan, është e pashmangshme të imagjinohet se dikush ka lehtësuar gjërat, në një vend të mbytur prej vitesh nga kontrolle në kufijtë e paranojës. Në muajt e fundit, në një korsi paralele, sekretari i Shtetit, Marco Rubio, negocionte nën dorë me Maduron dhe sondonte figurat më të spikatura të regjimit. Vetë Rubio dje konfirmoi se i kishte ofruar “më shumë se një herë” një “rrugëdalje” autokratit të Karakasit. Cila? Askush nuk e shpjegoi. A ishte administrata Trump e gatshme t’i ofronte diktatorit Maduro një rrugëdalje, duke e shpëtuar nga gjyqi në Shtetet e Bashkuara? Kjo është një nga zonat e errëta të kësaj ngjarjeje. Në çdo rast, Uashingtoni ka vepruar në dy nivele: nga njëra anë me një rrjet spiunazhi të endur nga CIA dhe FBI; nga ana tjetër me një qasje politike.

Pasi dështoi negociata, ekipi politik, i përbërë nga Rubio, sekretari i Luftës Pete Hegseth dhe këshilltari për Sigurinë e Brendshme Stephen Miller, planifikoi inkursionin, natyrisht së bashku me gjeneralët e koordinuar nga shefi i shtabit të forcave të armatosura, Dan Caine. Trump e kishte miratuar planin katër ditë më parë, menjëherë pas Krishtlindjeve, por kushtet e këqija të motit këshilluan të pritej momenti i duhur.

Ora X nis kur në Uashington është ora 22:46 e së premtes, 2 janar (në Shqipëri 4:46 e së shtunës, 3 janar). Mobilizimi përfshin reparte të marinsave, të aviacionit dhe sidomos skuadrone speciale antiterrorizëm të Delta Force. Ngrihen mbi 150 avionë nga 20 baza, të shpërndara në tokë, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, ose në aeroplanmbajtëse. Dislokimi është mbresëlënës, një lloj ekspozite e fuqisë amerikane: nga F-35 te bombarduesit B-1, përveç dronëve dhe helikopterëve. Për Trumpin është “aksioni më i madh që nga koha e Luftës së Dytë Botërore”. Informacionet satelitore dhe njësitë e inteligjencës të fshehura në Karakas udhëheqin afrimin e formacionit ajror. Është thellë natë kur avionët bombardojnë të paktën katër objektiva në kryeqytet dhe rrethina: portin La Guaira, aeroportin Higuerote dhe pozicionet e La Carlota dhe, më në fund, objektivin e vërtetë, kompleksin ushtarak të super-ruajtur Fuerte Tiuna, ku Maduro fle me bashkëshorten Cilia Flores.

Për amerikanët është thelbësore të ruhet faktori i befasisë: një gabim i vetëm dhe rrezikohet dështimi. Gjenerali Caine shpjegoi dje se ishin studiuar të gjitha detajet për të “minimizuar” dëmet ndaj civilëve. Për momentin, nuk është ende e qartë nëse ka pasur viktima. Trump e përjashtoi këtë për sa u përket amerikanëve: “Nuk kemi humbur asnjë ushtar dhe asnjë mjet.” Dronët dhe bombarduesit nxjerrin jashtë funksioni bateritë e kundërajrorëve, “duke hapur rrugën”, tha Caine, për helikopterët Apache me njësitë e Delta Force në bord. Në orën 2:01, sipas orës së Karakasit (1:00 në Uashington dhe 7:00 në Itali), inkursorët hyjnë në perimetrin e kompleksit të Fuerte Tiuna. Shkëpusin energjinë elektrike, kapërcejnë barrierat e mbrojtjes dhe depërtojnë brenda. Trump para kamerave komentoi se përplasjet kanë qenë të dhunshme. Por, sërish, për momentin nuk dimë nëse ushtarët venezuelianë të rojës janë vrarë.

Çifti presidencial pushon në katin përdhes. Brenda 46 sekondash, sipas versionit të Trumpit, “Delta” hyn me forcë në dhomën e gjumit. Maduro ka vetëm kohë të çohet dhe të përpiqet të strehohet në një ambient ngjitur, një lloj bunkeri me derë çeliku. Por bën pak hapa, kthehet nga bashkëshortja e palëvizur në shtrat. Bllokohet. Është tashmë me pranga. Janë agjentët e FBI-së që i komunikojnë urdhër-arrestin e lëshuar nga prokurorët e Nju Jorkut, sepse, siç vuri në dukje Rubio, ky nuk është “një akt lufte”, por “zbatimi i një urdhri të dhënë nga gjykatësit amerikanë.” Misioni është pothuajse i përfunduar, por mungon ndoshta faza më delikate: nxjerrja e shpejtë e dy të burgosurve, ngarkimi i tyre në helikopterë dhe dalja nga hapësira ajrore e Venezuelës. Në det, përballë bregut, pret një njësi e marinës ushtarake amerikane, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja Iwo Jima. Në orën 4:29 lokale (3:29 në Uashington dhe 9:29 në Itali) Apache-t ulen në kuvertën e anijes së madhe.

Avionët e eskortës kthehen në baza, flota drejtohet nga brigjet e Shteteve të Bashkuara. Trump poston foton e “Maduro-s me zinxhirë”, një Vercingetorix modern, por me tuta gri dhe me fytyrën gjysmë të fshehur pas syzeve të mëdha të diellit./ Corriere della Sera

Video/ Maduro me pranga në duar uron agjentët amerikanë: Gëzuar…

By: e xh
4 January 2026 at 15:34

Pas aksionit blic që çoi në arrestimin e tij, presidenti venezuelian Nicolas Maduro mbërriti në Nju Jork i shoqëruar nga ushtarët amerikanë.

Në një video të publikuar në rrjete sociale nga CNN udhëheqësi venezuelian shihet me pranga dhe me një shishe uji në duar, i rrethuar nga agjentët amerikanë.

Teksa ecën në ambientet e DEA-s, Maduro me qetësi iu uron të pranishmëve Vitin e Ri.

Dy emrat që propozon Lapaj për qeverinë tranzitore

By: e xh
4 January 2026 at 14:39

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, deklaroi se nuk pret reflektim nga kryeministri Edi Rama, por synon ndërgjegjësimin e qytetarëve përmes protestës si formë rezistence deri në realizimin e së drejtës.
Në një deklaratë për media, Lapaj tha se protesta duhet të vazhdojë me dinjitet, duke kritikuar autoritetet për moslejimin e ngritjes së çadrave dhe duke e cilësuar këtë si mungesë njerëzillëku.

“Nuk pres asnjë reflektim nga Rama. Ajo që pres është të ndërgjegjësojmë njerëz duke u bërë shembull që protesta është rezistencë derisa realizohet e drejta. duhet të vendosen çadra se i merr era. Mua më vjen rëndë që na lënë me plastmas dhe jo me çadër. Kjo është mungesë e theksuar njerëzillëku”, u shpreh Lapaj.

I pyetur sesi mund ta rrëzojnë kryeministrin Rama i cili ka 83 mandate, Lapaj u përgjigj se mandatet kanë vlerë vetëm kur mbështeten mbi moralin dhe besimin qytetar, ndërsa argumenti i shumicës parlamentare është i pavlefshëm nëse pushteti kapet në shkelje dhe korrupsion.

“Mandatet kanë vlerë kur kanë moral. Dyshoj se janë marrë nën mënyrë të drejtë nëse nuk justifikohen moralisht nuk kanë vlerë mandatet. Kanë fuqi sa qëndron morali. Faktet tregojnë që nuk ka moral se është kapur në flagrancë duke vjedhur në të gjitha nivelet. Argumenti i 83 mandatave është i pavlefshëm. Bëj një qeveri tranzitore, ngri të gjithë drejtorët që të mos japin lekë nga administrata për zgjedhjet”,vijoi Lapaj .

Ai theksoi se prej vitit 2022 ka pasur përkeqësim të të drejtave të qytetarëve dhe se frika është e instaluar në shoqëri, ndaj protestat me thelb politik janë të domosdoshme.

“Nga 2022 ka një përkeqësim të të drejtave të qytetarëve dhe njerëzit tremben. Protesta që kanë thelb politik janë protesta që i trembin se lidhen me ekzistencën e pushtetit. Kjo është dëshmi e frikës së shoqërisë dhe numrat tanë kanë ardhur duke u rritur. Por edhe sikur një njeri të protestojë”, tha Lapaj.

Sipas tij, zgjidhja është krijimi i një qeverie tranzitore, ndalimi i presionit mbi administratën dhe bashkimi i qytetarëve përtej flamujve partiakë. Ai përmendi emrat e Përparim Kabos dhe Tritan Kalo për krijimin e qeverisë tranzitore.

“Nuk është koha të ngremë flamurin e partisë por të bashkohemi për flamurin e Shqipërisë. Asnjë parti politike nuk mund dot regjimin e Ramës. Duke qëndruar dhe ndërgjegjësuar qytetarët. Na bashkon sheshi për këdo që vjen me flamurin kombëtar. Berisha të hyjë në stinën e jetës dhe sheshet t’ia lërë djemve e vajzave të PD-së. Asnjë politikan nuk duhet të jetë në qeveri tranzitore. Përparim Kabo e Tritan Kalo të merrnin përgjegjësinë kombëtare në këtë fazë të rëndësishme”.

“Maduro të kërkojë azil në Turqi”, Ankaraja: Nuk kemi dijeni për ultimatumin e Trump

By: e xh
4 January 2026 at 11:44

Ankaraja nuk ka informacion në lidhje me ultimatumin e supozuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump drejtuar udhëheqësit të Venezuelës Nicolas Maduro, duke i kërkuar atij të kërkojë azil në Turqi, tha një burim diplomatik për RIA Novosti.

New York Times kishte raportuar, duke cituar burime amerikane dhe venezueliane të përfshira në negociata, se Maduro e hodhi poshtë ultimatumin e Trump në fund të dhjetorit 2025, duke refuzuar të japë dorëheqjen dhe të kërkojë azil në Turqi.

“Nuk ka informacion të tillë dhe nuk dihet se nga mund të ketë ardhur ky informacion”, tha burimi.

Protesta e Lapajt, policia merr masa për sigurinë e rendit, apel qytetarëve

By: e xh
4 January 2026 at 11:27

Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e rendit publik dhe mbarëvajtjen e tubimit që do të zhvillohet ditën e sotme, në orën 12:00 nga Lëvizja Shqipëria Bëhet. Sipas njoftimit të policisë do të ketë kufizime të lëvizjes nga ora 11:00 deri në përfundim të tubimit. “Do të ketë bllokime të pjesshme të qarkullimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin nga Ura e Dajtit deri te kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali””, njofton policia.

Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Policia e Tiranës apelon qytetarët të shmangin lëvizjen me automjete në akset që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative, me qëllim shmangien e pengesave në qarkullim dhe garantimin e lëvizjes së lirë të pjesëmarrësve në tubim.

Kina thirrje SHBA: Lironi menjëherë Maduron dhe gruan e tij

By: e xh
4 January 2026 at 10:23

Kina i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të lirojnë “menjëherë” presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshorten e tij, të cilët ndodhen në paraburgim në SHBA.

Në një deklaratë zyrtare, Ministria e Jashtme e Kinës i kërkoi Washingtonit të garantojë sigurinë e Presidentit Maduro dhe të gruas së tij, të ndalë përpjekjet për përmbysjen e qeverisë venezueliane dhe të zgjidhë situatën përmes dialogut dhe negociatave.

“Kina dënon fuqimisht përdorimin e hapur të forcës nga SHBA-të kundër një shteti sovran,” thuhet më tej në reagimin e Pekinit, duke theksuar se veprime të tilla shkelin parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe sovranitetin e vendeve të pavarura.

Video/ Me shapka dhe shishe uji në dorë, momenti kur Maduro mbërrin në New York

By: e xh
4 January 2026 at 10:11

Mediat amerikane kanë publikuar pamje nga momenti kur Nocolas Maduro ka mbërritur në zyrat e DEA në New York. Në video, Maduro shfaqet me shapka dhe me një shishe uji në dorë, shoqëruar nga dy agjentë të DEA.

Presidenti i Venezuelës u arrestua së bashku me gruan e tij nga Delta Force amerikane të shtunën . Ai u mor me avion ushtarak nga kryeqyteti i Venezuelës dhe më pas u dërgua në  New York.

Në një video të shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë, Maduro dëgjohet duke thënë “Mirëmbrëma, gëzuar Vitin e Ri”.

Maduro akuzohet për “komplot për narko-terrorizëm, komplot për importimin e kokainës në Shtetet e Bashkuara, si dhe posedim të mitralozëve dhe mjeteve shpërthyese”. Ajo shtoi se këto veprime janë konsideruar si të drejtuara kundër SHBA-së.

Prokurorja e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, ka zbardhur akuzat ndaj Presidentit te Venezuelës, Nicolas Maduro. Ky i fundit është paditur penalisht në Distriktin Jugor të New Yorkut nën akuza të rënda që lidhen me trafik droge dhe armësh.

Bondi tha se Maduro akuzohet për “komplot për narko-terrorizëm, komplot për importimin e kokainës në Shtetet e Bashkuara, si dhe posedim të mitralozëve dhe mjeteve shpërthyese”. Prokurorja e Përgjithshme theksoi se këto veprime janë konsideruar si të drejtuara kundër SHBA-së.

Britania dhe Franca bombardojnë bunkerin nëntokësor të armëve të ISIS-it në Siri

By: e xh
4 January 2026 at 10:07

Avionë luftarakë britanikë Typhoon dhe avionë francezë kanë kryer një sulm të përbashkët ndaj një depoje nëntokësore armësh të ISIS-it në malet në veri të Palmirës, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Objekti dyshohet se ruante armë dhe eksplozivë dhe u godit me bomba të drejtuara Paveway IV. Sipas autoriteteve, objektivi u qëllua me sukses dhe nuk ka shenja për dëme civile.

“Avionët tanë përdorën bomba të drejtuara Paveway IV për të synuar një numër tunelesh hyrëse deri në objekt. Treguesit fillestarë janë se objektivi u qëllua me sukses. Nuk kishte shenja të ndonjë dëmtimi të civilëve në sulmin e së shtunës vonë dhe të gjithë avionët u kthyen të sigurt”, tha Ministria e Mbrojtjes.

Operacioni është pjesë e përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar për të parandaluar ringjalljen e ISIS-it në Siri, i cili u mposht ushtarakisht në vitin 2019.

Zyrtarët theksuan se forcat ajrore britanike vazhdojnë patrullimet dhe sulmet e synuara në kuadër të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit në Siri dhe Irak.

RAF ka përdorur dronë ajrorë dhe avionë me pilot për të goditur luftëtarët dhe objektivat e ISIS-it si pjesë e koalicionit ndërkombëtar që nga viti 2014 .

Kombet e Bashkuara thonë se ISIS-i ka ende midis 5,000 dhe 7,000 luftëtarë në Siri dhe Irak.

Maduro dhe bashkëshortja e tij mbërrijnë në bazën ushtarake të Nju Jorkut

By: e xh
3 January 2026 at 23:13

Një avion që transportonte presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, kanë mbërritur në Stewart Air National Guard Base në Nju Jork, kanë bërë të ditur zyrtarë federalë amerikanë.

Maduro pritet të dalë javën e ardhshme para gjykatës federale në Manhattan, ku do të përballet me akuza për trafik droge dhe armësh.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se pas rrëzimit të Maduros, Shtetet e Bashkuara do të “drejtojnë për një kohë të pacaktuar Venezuelën” dhe do të marrin nën administrim rezervat e mëdha të naftës të vendit.

Ai tha se kompanitë amerikane do të ftohen të investojnë miliarda dollarë në industrinë venezueliane të naftës, ndërsa konfirmoi se trupa amerikane do të kenë prani në territorin venezuelian “sa i përket çështjeve të naftës”.

Liderja e opozitës, María Corina Machado, ka bërë thirrje që vendin ta drejtojë një figurë opozitare, duke e konsideruar rrëzimin e Maduros si një moment kritik për tranzicionin politik.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm i Venezuelës këmbëngul se Maduro vazhdon të jetë presidenti legjitim i vendit, duke e quajtur ndërhyrjen amerikane shkelje të sovranitetit të Venezuelës.

Në Karakas, shumë venezuelianë kanë shprehur reagime të përziera: një pjesë shpresojnë në fundin e krizës politike dhe ekonomike, ndërsa të tjerë kanë frikë nga përshkallëzimi i tensioneve dhe paqëndrueshmërisë.

Venezuela prej vitesh ndodhet në krizë të thellë ekonomike, me inflacion rekord dhe largim masiv të qytetarëve drejt vendeve të tjera. Me nisjen e procesit gjyqësor ndaj Maduros në SHBA, vëmendja ndërkombëtare mbetet tek fati politik dhe ekonomik i vendit.

Arrestimi i Maduros/ Këshilli i Sigurimit i OKB-së mban të hënën mbledhje emergjente

By: e xh
3 January 2026 at 22:18

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka njoftuar se do të mbajë një mbledhje emergjente të hënën, lidhur me operacionin e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë.

Pjesëmarrësit në mbledhje ende nuk janë konfirmuar, por pritet që në të të marrë pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

Kërkesa për mbajtjen e kësaj mbledhjeje është bërë nga Kolumbia, me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës, të cilat janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.

Before yesterdayOpinion.al

Aksident në rrugën Fier-Libofshë, plagosen dy persona

By: e xh
3 January 2026 at 20:29

Një aksident rrugor ka ndodhur ditën e sotme në aksin rrugor “Fier-Libofshë”, ku një automjeti tip ‘Benz’ që drejtohej nga një 55-vjeçar, ka përplasur 2 këmbësorë.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se 2 këmbësorët e aksidentuar ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në komisariat pas ngjarjes, ndërkohë që grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i Policisë:

Fier/ Informacion paraprak-Rreth orës 18:20, në aksin rrugor “Fier-Libofshë”, automjeti tip Benz që drejtohej nga shtetasi N. Sh., 55 vjeç, ka përplasur 2 këmbësorë, shtetasit A. M., 62 vjeç, dhe H. M., 55 vjeçe, të cilët ndodhen në spital për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i automjetit, shtetasi N. Sh., u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Trump paralajmëron Kolumbinë dhe Kubën: Kini kujdes, po prodhohet shumë kokainë

By: e xh
3 January 2026 at 20:26

Nga tranzicioni në Venezuelë te paralajmërimet për Kolumbinë dhe Kubën! Pesë pikat kryesore të konferencës së Trump pas kapjes së Maduros

Presidenti amerikan Donald Trump mbajti një konferencë për mediat, ku dha detaje mbi sulmin e SHBA-së ndaj Venezuelës dhe rrjedhën e operacionit që çoi në arrestimin e presidentit Nicolas Maduro.

Gjatë fjalës së tij, Trump paralajmëroi Kubën dhe Kolumbinë për përfshirjen e tyre në aktivitetet kriminale në rajon.

Ai akuzoi liderin kolumbian Gustavo Petro për prodhimin e kokainës dhe u kërkoi qeverive të dy vendeve të jenë të kujdesshme.

Trump theksoi se qëllimi është të krijohet stabilitet në rajon dhe të rivendoset “pushteti amerikan në Hemisferën Perëndimore”.

Marco Rubio tha se qeveria komuniste kubane gjithashtu duhet të jetë e shqetësuar.

Trump: Maduro dhe bashkëshortja e tij do të gjykohen në SHBA për trafik droge

By: e xh
3 January 2026 at 19:12

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, po dërgohen në Nju Jork për t’u përballur me drejtësinë amerikane për akuza që lidhen me trafik droge.

Në një konferencë për shtyp, Donald Trump konfirmoi se Maduro dhe Flores do të përballen me akuza për trafik droge në Shtetet e Bashkuara.

Trump foli gjithashtu për operacionin ushtarak të zhvilluar gjatë natës në Venezuelë, duke e cilësuar ndërhyrjen në Karakas si një “sulm spektakolar”, të paprecedentë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas presidentit amerikan, operacioni u krye nga një prej dislokimeve më të fuqishme të ushtrisë amerikane dhe kishte si objektiv arrestimin e udhëheqësit venezuelian, të cilin ai e cilësoi si diktator.

❌
❌