Normal view

Aksident në Algjeri, humbin jetën 25 persona

By: e xh
31 July 2026 at 15:12

25 persona kanë humbur jetën dhe 44 të tjerë janë plagosur si pasojë e një aksidenti tragjik me autobus në provincën Boumerdes të Algjerisë.

Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile, autobusi me të cilin udhëtonin viktimat dhe të plagosurit është përmbysur, duke shkaktuar bilancin e rëndë të viktimave.

Të plagosurit janë transportuar drejt spitaleve më të afërta për të marrë trajtim mjekësor.

Çmimi i naftës/Braçe kërkon rikthimin e Bordit të Transparencës: Rritje e qëllimshme

By: e xh
31 July 2026 at 14:26

Deputeti socialist Erion Braçe ka kërkuar rikthimin e bordit të transparencës për karburantet, duke reaguar pas rritjes së çmimit të naftës që sot sipas tij shitet me 214-216 lekë për litër, ndërsa varianti më cilësor i saj arrin deri në 230 lekë për liter.

Në një video të postuar në Facebook, Braçe paralajmëron se rritja është e qëllimshme dhe se sezoni turistik mund të marrë një goditje kolosale si pasojë e rritjes së çmimit të naftës duke i kthyer destinacionet turistike në vende qëndrimi dhe jo vende të vizitueshme.

Ai kritikon tregëtarët që sipas tij ‘fituan para me lopatë’ gjatë kohës së Bordit dhe kërkon me ngulm kthimin e tij që kriza e ccmimeve të mos kufizojë lëvizshmërinë gjatë sezonit turistik.

“Nafta kërceu sot në 214-216 lekë për litër. E zakonshmja kjo. Nafta tjetër, ajo e mira që nuk të djeg makinën, nis me 218 dhe arrin në 230 lekë për litër. Tregtarët e rritën çmimin në nisje të fundjavës, kur ndodh gjithashtu fluksi më i madh i pushuesve të korrikut që kthehen dhe fluksi edhe më i madh i pushuesve të gushtit që shkojnë në destinacionet turistike. E qëllimshme? Ja bën muuuuuuu! E njëjta gjë edhe sot në Itali, nga mjeshtri i Kartelit të Naftës kopjon vazhdimisht. Një javë e pak më parë kërkova kthimin në punë të bordit, paralajmërova këtë që po ndodh sot. E dija që këta që nuk fituan me lopatë gjatë kohës së bordit, do bënin çmos të fitonin me kovën e skrepit tani, në pik të sezonit. Duhet bordi që këta mos i japin një goditje fatale sezonit në kulmin e tij, duke shtrenjtuar e thuajse kufizuar lëvizshmërinë nëpër destinacionet e këtij vendi!”

Reagimi i deputetit Erion Braçe vjen në një kohë kur qeveria ka nxjerrë për konsultim një projektvendim që vendos rregulla të reja për tregun e karburanteve. Projektakti parashikon shenjimin e detyrueshëm të naftës dhe benzinës me një substancë të posaçme, me synimin për të gjurmuar lëvizjen e tyre në të gjithë zinxhirin e furnizimit, për të forcuar kontrollin mbi tregun dhe për të luftuar evazionin fiskal.

Sipas projektvendimit, shërbimi i shenjimit do të kryhet ekskluzivisht nga shoqëria shtetërore ALBTrace CO, ndërsa subjektet që importojnë, tregtojnë apo shpërndajnë karburante do të paguajnë një tarifë prej 6.5 euro pa TVSH për çdo 1 mijë litra të shënjuara.

Projektakti parashikon gjithashtu që, pas një periudhe implementimi prej gjashtë muajsh, asnjë produkt që i nënshtrohet shenjimit nuk do të mund të importohet, tregtohet, transportohet apo të hidhet në treg pa kaluar më parë procesin e shenjimit dhe monitorimit.

Reforma Territoriale/Mazniku argumenton shkurtimin e bashkive: Efiçenca dhe ekonomia

By: e xh
31 July 2026 at 14:04

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Territoriale, Arbian Mazniku, ka prezantuar draftin e ri që parashikon reduktimin e numrit të bashkive në vend nga 61 në 46. Gjatë një konference për mediat, ai sqaroi se ky propozim bazohet në një sërë kriteresh kryesore si ngurtësia buxhetore, efiçenca e stafit dhe mbledhja e të ardhurave.

Gjithashtu, në vlerësimin e efikasitetit të bashkive analizohen dendësia e popullsisë, indeksi i shpërndarjes së banorëve dhe performanca ekonomike e çdo zone. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është rritja e qëndrueshmërisë financiare dhe përmirësimi i drejtpërdrejtë i shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Elementi i dytë lidhet me ngurtësinë buxhetore, ç’pjesës ka zënë dhe ç’pjesë ka të lirë. Apo bashki si Kavaja 92% e ka të zënë dhe pjesën tjetër e ka ë lirë. Elementi i tretë është efiçenca e stafit, sa punonjës ka një bashki për çdo 1 mijë banorë në territorin e saj.

Janë 17 herë më shumë në aparat dhe 10 herë më shumë se banorët. Elementi tjetër lidhet me grumbullimi. Të gjitha këto lidhen me eficencën e bashkive. Kemi zona me dendësi të mëdha, apo zona që e kanë dendësinë të vogël. Elementi tjetër është totali i dendësisë. Numri i banorëve është i rëndësishëm.

 Elementi tjetër ka të bëjë me indeksin e shpërndarjes së banorëve, sepse kjo na mundëson të mësojmë se si shkon shërbimi te njerëzit. Elementi tjetër është ai i varësisë, ç’pjesë gjeneron ekonomi dhe cila pjesë përfiton nga gjenerimi i ekonomisë. Një element tjetër është elementi i perfomancës ekonomike. Punësimi formal, numri i njerëzve të punësuarve për 1 mijë banorë”, tha Mazniku.

Reforma Territoriale, Berisha: Rama do vazhdojë krimin ndaj shqiptarëve

By: e xh
31 July 2026 at 12:56

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se po vijon, sipas tij, “antireformën territoriale”, duke synuar uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46.

Ai përgëzoi grupin e punës të ngritur nga PD për reformën territoriale, të drejtuar nga Luçiano Boçi, duke thënë se ai ka hartuar një projekt të ri, të cilin e cilësoi si një hap të rëndësishëm për zhvillimin e zonave rurale dhe përmbushjen e një prej kushteve të procesit të integrimit evropian.

Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga puna e përbashkët për reformën territoriale, pasi, sipas tij, kuptoi se propozimet e Partisë Demokratike po mbështeteshin gjatë konsultimeve.

Ai pretendoi se qeveria synon të reduktojë edhe më tej numrin e bashkive, duke e cilësuar këtë si një politikë që, sipas tij, dëmton komunitetet lokale dhe nxit më tej shpopullimin e vendit.

“Dhe pas kësaj antireformë vazhdohet në mënyrën më të papërgjegjshme, më antishqiptare që nga 60 të kalojnë në 40.

Unë duhet të përgëzoj zotin Luçiano Boçi dhe të gjithë anëtarët dhe ekspertët e komisionit, të cilët punuan me një përkushtim të madh për një reformë te re elektorale, e përcaktuar si kusht për integrimin edhe në raportin e tetorit të Komisionit Evropian.

Natyrisht në 14 vite nuk zhbëhen dot ajo boshatisje e madhe që ka ndodhur, ajo braktisje e madhe që ka ndodhur, por një hap i rëndësishëm edhe drejt ripopullimit të zonave të devastuara, drejt ripopullimit të tyre, duhet të jetë edhe reforma territoriale.

Grupi i punës për reformën territoriale me bashkëkryetar Arbër Maznikun, një peng i njohur për shumë vese të tij, kur e them këtë, e them, një njeri që zbaton verbërisht urdhra bashkë me Ervin Demon, dy armiq kryesorë të komuniteteve lokale në Shqipëri me në krye Edi Ramën, dhe punuan, bënë konsulta në mbar vendin, mbeti konsulta në Tiranë për të finalizuar serinë e konsultave.

Ndërkohë që sigurisht grupi punoi për hartën, por atë do ta përfundonte pas konsultave të plota dhe pas ekspertizës ndërkombëtare që do merrnim.

Edi Rama e kuptoi se e ka betejë të humbur.

E kuptoi se reforma territoriale ka ngjallur një pakënaqësi të madhe dhe se kudo që shkuan në konsulta, u mbështetën sugjerimet dhe qëndrimet e përfaqësuesve të PD.

U tërhoq në mënyrë të njëanshme, të padenjë, paraqiti në parlament një raport që nuk u paraqit në komision, që nuk mund të paraqitej kurrë në parlament, dhe e publikoi atë në të cilin tregon se në krimin e tij monstruoz kundër shqiptarëve nuk ndalet, do të heqë edhe 15 bashki të tjera, të reduktojë numrin e bashkive në vendin më malor të Evropës.

Në vendin që 80 përqind të sipërfaqes e ka male dhe kodra, ta përqendrojë në pëllëmbën e tij të zezë të dorës vetëm për qëllime shpopullimi, për qëllimi pasurimi, etj”, tha Berisha.

Belinda Balluku sot në SPAK, një grup protestuesish mblidhen para Prokurorisë

By: e xh
31 July 2026 at 12:08

Një grup protestuesish janë mbledhur sot para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, aty ku sot pritet të paraqitet ish-zv. kryeministrja Belinda Balluku.

Protestuesit mbajnë pankarta në duar me mesazhe kundër qeverisë dhe Ballukut.

Ndërkohë policia u ka kërkuar që të largohen, por ata deklarojnë se nuk po shkelin asnjë ligj dhe janë në të drejtën e tyre për të protestuar.

Lirohet nga burgu Ilir Beqaj

By: e xh
31 July 2026 at 11:59

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, është liruar nga burgu dhe do të vijojë masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Vendimi është marrë nga gjykata pas shqyrtimit të kërkesës së Beqajt për shuarjen e masës “arrest në burg”, me argumentin se janë tejkaluar afatet e paraburgimit.

Beqaj ndodhej në masën e sigurisë “arrest në burg” në kuadër të hetimeve për dosjen e SASPAC, ndërsa tashmë do të qëndrojë në masën më të lehtë të sigurisë, “arrest në shtëpi”.

Rama: 30 vende i drejtohen sot Shqipërisë për të marrë mjete të prodhuara këtu

By: e xh
31 July 2026 at 11:47

Kryeministri Edi Rama e cilësoi ditë historike për Forcat e Armatosura, duke theksuar se Shqipëria po hyn në një fazë të re të industrisë së mbrojtjes dhe partneriteteve strategjike.

Ai njoftoi krijimin e një baze të re logjistike në shërbim të kompanive dhe emergjencave, si edhe hapjen e Ministrisë së Mbrojtjes për turizmin.

Sipas Ramës, sot 30 vende i drejtohen Shqipërisë për të siguruar mjete të prodhuara në vend.

“Edhe ne vetë kemi qenë më pak të ditur dhe jo mjaftueshmërisht të guximshëm, dhe këtu e kam fjalën për bazën e re të logjistikës, e cila do të jetë një kompani në shërbim të të gjitha kompanive të vendit. Do të jetë patjetër në funksion të emergjencave. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme.

Një tjetër gjë e jashtëzakonshme është hapja e Ministrisë së Mbrojtjes për turizmin. Këto partneritete janë rruga jonë e re, do të bëjmë partneritet të tjera në fusha të tjera. Është një ditë e bukur dhe një ditë historike të Forcave tona të Armatosura.

Kjo është shfaqja e parë dhe do të ketë të tjera, që të shikojnë se si po ngjitet Shqipëria në këtë aspekt. 30 vende i drejtohen sot Shqipërisë për të marrë mjete të prodhuara po këtu, falë vizionit, kurajës dhe vullnetit tonë”, tha Rama.

Aksidentohet “Cekja”, mjeti i tij përplaset me atë të klerikut bektashian

By: e xh
31 July 2026 at 11:31

Një aksident rrugor ka ndodhur në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, në kthesën e fshatit Hormovë.

Automjeti që drejtohej nga Sejfulla Myftari, i njohur me emrin artistik “Cekja”, është përplasur me një automjet tjetër, që drejtohej nga Baba Sheh Hormova, klerik bektashian.

Përplasja ka qenë jo frontale, duke shmangur dëmtimet fizike. Si aktori i humorit, ashtu edhe drejtuesi tjetër i mjetit nuk kanë pësuar lëndime, ndërsa janë regjistruar vetëm dëme materiale.

Policia Rrugore e Gjirokastrës ndodhet në vendngjarje dhe po heton rrethanat e aksidentit.

Pse Ceuta është porta më e rrezikshme e emigrantëve drejt Europës?

By: e xh
31 July 2026 at 11:14

Ceuta është një qytet autonom i Spanjës, i vendosur në brigjet e Ngushticës së Gjibraltarit, por gjeografikisht ndodhet në veri të Marokut, rreth 70 kilometra nga Tangeri. Për këtë arsye, ajo konsiderohet një enklavë spanjolle brenda territorit maroken.

Pozicioni i saj e ka bërë Ceutën një nga pikat kryesore të hyrjes në Europë për emigrantët që përpiqen të kalojnë nga Afrika.

Ceuta ka të njëjtin status si Melilla, një tjetër qytet autonom spanjoll i vendosur në bregdetin lindor të Marokut. Të dyja këto qytete janë pretenduar vazhdimisht nga Maroku, i cili kërkon që ato të bëhen pjesë e territorit të tij. Spanja i ka refuzuar këto kërkesa, duke argumentuar se Ceuta dhe Melilla ishin pjesë e saj shumë përpara se Maroku të fitonte pavarësinë në vitin 1956.

Për të mbrojtur këto dy enklava, Spanja ka ngritur një sistem të fortë sigurie me forca ushtarake dhe gardhe kufitare që në disa zona arrijnë deri në 20 metra lartësi.

Gjithashtu, janë vendosur edhe barriera në det për të penguar hyrjet e paligjshme.

Megjithatë, shumë emigrantë vazhdojnë të përpiqen të arrijnë në Ceuta dhe Melilla duke notuar, një rrugë tepër e rrezikshme që shpesh shkakton plagosje të rënda dhe humbje jete.

Reforma territoriale/ Protestë në Klos, administrata bojkoton punën

By: e xh
31 July 2026 at 11:00

Punonjës të administratës së Bashkisë Klos kanë protestuar kundër propozimit për riorganizimin territorial që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie, duke bojkotuar punën.

Sipas raportimeve, administrata vendore kundërshton përfshirjen e Klosit në procesin e reformës administrativo-territoriale dhe kërkon rishikimin e vendimit.

Protestuesit kanë deklaruar se aksioni do të vijojë deri në marrjen e një vendimi tjetër nga institucionet përgjegjëse.

“Kemi tepër të drejtë. Bashkia Klos duhet të funksionojë. Do të jetë më keq. Ata mund të kenë menduar se do të jetë për më mirë, por ne nuk kemi fare shpresë”, u shpreh një nhga banorët e zonës.

“Jam kundër këtij projekti për ndarjen e bashkive. Kjo është loja që bëjnë të dyja partitë bashkë”, tha një tjetër banor.

Reagime të ngjashme janë paralajmëruar edhe në bashkitë Belsh dhe Prrenjas, të cilat gjithashtu pritet të përfshihen në procesin e riorganizimit sipas propozimit të mazhorancës.

Një ditë më parë, protesta u zhvilluan edhe në Poliçan, ku disa qytetarë të lidhur me Partinë Socialiste dogjën teserat e anëtarësisë, ndërsa kreu i PS-së në këtë qytet dha dorëheqjen përpara protestuesve.

Spanja dërgon ushtrinë në Ceuta pas hyrjes masive të emigrantëve

By: e xh
31 July 2026 at 09:49

Mijëra emigrantë kanë kaluar kufirin e enklavës spanjolle në Afrikën e Veriut, duke detyruar Madridin të mobilizojë forcat ushtarake për të përforcuar sigurinë në territor.

Spanja ka vendosur trupa ushtarake, njësi detare dhe mbështetje ajrore në Ceuta, pasi një valë e paprecedentë emigrantësh ka tejkaluar kapacitetet e policisë dhe shërbimeve lokale të sigurisë.

Sipas autoriteteve spanjolle, emigrantët kanë arritur të anashkalojnë kontrollet kufitare duke kaluar mbi barrierat mbrojtëse dhe duke notuar drejt brigjeve të enklavës, e cila ndodhet në bregun verior të Afrikës dhe është territor i Bashkimit Evropian.

Ndërhyrja ushtarake u urdhërua të enjten në mbrëmje pas rritjes së vazhdueshme të numrit të mbërritjeve. Në zonë janë angazhuar edhe ekipe zhytësish, patrulla detare dhe operacione ajrore për kontrollin e kufirit.

Sipas qeverisë spanjolle, të paktën 18 persona kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të kaluar drejt Ceutës. Shërbimet e emergjencës janë përqendruar në trajtimin e të plagosurve, ndërsa kapacitetet e qendrave të pritjes janë tejkaluar.

Presidenti rajonal i Ceutës, Juan Jesús Vivas, deklaroi se rreth 1500 emigrantë kanë hyrë në enklavë ditët e fundit, ndërsa zyrtarë të tjerë lokalë paralajmërojnë se numri i përgjithshëm i tentativave për kalim mund të jetë shumë më i lartë.

“Jemi në një situatë të emergjencës totale humanitare dhe sociale”, tha Vivas, duke theksuar se qendrat për pritjen e emigrantëve dhe të miturve të pashoqëruar janë duke funksionuar përtej kapaciteteve.

Kriza ka shkaktuar edhe përplasje politike në Spanjë. Opozita ka kritikuar qeverinë e kryeministrit Pedro Sánchez për menaxhimin e kufijve, ndërsa partia e djathtë Vox e ka cilësuar situatën si një “pushtim”. Partia Popullore ka kërkuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Hamasi: Nuk do të ketë çarmatim para tërheqjes së Izraelit nga Gaza

By: e xh
31 July 2026 at 09:13

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se grupi palestinez nuk do të ndërmarrë asnjë hap drejt çarmatimit përpara se forcat izraelite të tërhiqen nga Rripi i Gazës.

Ghazi Hamad, një anëtar i delegacionit negociues të Hamasit, tha se çështja e çarmatimit është e lidhur me tërheqjen e Izraelit nga Gaza dhe rindërtimin e territorit. Hamad tha se Izraeli nuk do të kishte asnjë rol në procesin e çarmatimit, i cili në vend të kësaj do të kryhet nga një komitet kombëtar palestinez.

Ai theksoi se Hamasi nuk do të zbatojë asnjë masë çarmatimi nëse Izraeli fillimisht nuk përmbush detyrimet e tij sipas marrëveshjes. Hamad i përshkroi negociatat si “të vështira”, duke thënë se Hamasi u përpoq të siguronte rezultatin më të mirë të mundshëm duke mbetur i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e popullit palestinez.

Ai falënderoi gjithashtu Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për përpjekjet e tyre ndërmjetësuese për të ndihmuar arritjen e marrëveshjes.

Vërejtjet e Hamadit erdhën pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump njoftoi se ishte arritur marrëveshje për çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza, me forcat izraelite të vendosura të tërhiqen në faza ndërsa procesi ecën përpara.

Trump: Arrihet marrëveshja, Hamasi do të çarmatoset

By: e xh
31 July 2026 at 08:00

Hamasi ka pranuar një marrëveshje për çarmatimin e plotë të tij dhe të të gjitha grupeve të tjera të armatosura në Rripin e Gazës.

Presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se, pas përfundimit të këtij procesi, forcat izraelite do të tërhiqen nga territori palestinez.

Trump e cilësoi marrëveshjen si një “hap historik” drejt paqes dhe sigurisë, duke bërë të ditur se zbatimi i saj do të zhvillohet në faza të mirëpërcaktuara.

Sipas tij, pas përfundimit të çarmatimit, një Forcë Ndërkombëtare e Stabilizimit, së bashku me një forcë të re policore palestineze, do të marrë përgjegjësinë për sigurinë në Gaza.

Sipas planit, Hamasi dhe fraksionet e tjera palestineze do t’ia dorëzojnë armët një komiteti kombëtar palestinez, ndërsa procesi do të monitorohet nga një mekanizëm ndërkombëtar verifikimi. Çarmatimi do të lidhet drejtpërdrejt me tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga Gaza.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë mbeten skeptikë nëse Hamasi do ta zbatojë marrëveshjen, ndërsa përfaqësues të lëvizjes palestineze kanë theksuar se nuk do të ndërmarrin hapa për çarmatimin derisa Izraeli të nisë tërheqjen nga Gaza dhe të respektojë detyrimet e marrëveshjes.

Trump falënderoi Egjiptin, Katarin dhe Turqinë për ndërmjetësimin e bisedimeve, duke thënë se marrëveshja përbën një pikë kthese në zbatimin e planit të tij 20-pikësh për paqen në Gaza.

Horoskopi, 31 korrik 2026

By: e xh
31 July 2026 at 07:57

Dashi
Nëse do të veproni në mënyrë të pamenduar, nuk do të arrini rezultatet e dëshiruara. Mos tregoni karakterin tuaj stoik dhe të qëndrueshëm gjatë kësaj dite pasi nuk do të jetë zgjedhja më e mirë që do të bëni. Tregoni anën tuaj të ndjeshme dhe bujare. Mundohuni që në mbrëmje të vizitoni disa nga vendet që ju pëlqejnë më shumë.

Demi
Yjet rekomandojnë të dëgjoni zërin tuaj të brendshëm nëse doni të veproni në mënyrë praktike. Intuita do t’ju tregojë se cilat janë veprimet e duhura që duhet të bëni. Mund të ftoheni në një darkë familjare, e cila do t’ju ngrejë humorin.

Binjakët
Në vend që të ndërroni mënyrën tuaj të të jetuarit, ndërroni mënyrën se si ju i shikoni dhe i mendoni gjërat, nëse doni që gjithçka të shkojë sipas planit tuaj dhe mos i shikoni përherë të tjerët si të jenë armiq për ju. Keni aftësi shumë të mira të komunikimit ndaj shfrytëzojini ato.

Gaforrja
Do të jeni të gatshëm për të kaluar një ditë të mrekullueshme. Do të keni mbështetjen e të tjerëve dhe fati do të jetë në anën tuaj. Gjatë orëve të ditës do të tregoni vetëbesim ndërsa në mbrëmje do të jeni tepër romantikë. Shumë prej jush do të kenë ëndrra dhe dëshirë të madhe për të zgjeruar horizontin.

Luani
Mos u mundoni të bisedoni e dialogoni me shumë persona sot. Nën disa kushte të caktuara, komunikimi do të jetë thuajse i pamundur për ju. Mundohuni të kuptoni të tjerët dhe mënyrën e tyre të të vepruarit. Besoni në intuitë dhe mos bëni përherë atë që ju thotë mendja.

Virgjëresha
Gjithçka sot do të varet nga mënyra juaj e të komunikuarit dhe aftësitë diplomatike. Nuk do të mund të bëni progres pa ndihmën e partnerit apo të një interlokutori. Nëse jeni beqar, këshillohet ta kaloni këtë ditë në praninë e miqve. Ata që janë në një marrëdhënie, duhet të përpiqen që të gjejnë një mënyrë për të balancuar raportin.

Peshorja
Do ta keni shumë të vështirë për të aplikuar energjitë tuaja gjatë kësaj dite. Mundohuni të “stakoni” mendjen duke u qetësuar dhe duke mos ndërmarrë asnjë nismë. Dëgjoni ato çfarë do t’ju sugjerojnë dhe zbatoni në realitet atë që mendja juaj ju thotë.

Akrepi
Do të keni nevojë për të krijuar kontakt emocional me personat që ju i doni. Mund të keni shumë pyetje, të cilat nuk do të marrin përgjigje menjëherë. Dyshimet tuja mund të ngelin të tilla nëse nuk i ndani ato me të tjerët, të cilët mund t’ju japin një përgjigje. Komunikimi do të jetë çelësi i çdo problemi.

Shigjetari
Sot do të ndiheni të pasigurt. Gjithçka rreth jush do të jetë e paqartë, por duke u munduar të bëni zgjedhjet e duhura dhe të veproni siç ju dini, do të mund të qetësoni veten tuaj në pjesën e dytë të ditës. Në mbrëmje priten surpriza të këndshme.

Bricjapi
Mos u fshihni nga bota. Tregoni më shumë interes për jetën apo aktivitetet e personave që ju rrethojnë. Kjo do të jetë një ditë shumë e mirë për të komunikuar apo për të rilidhur kontaktet me disa persona. Aftësia për të zgjedhur fjalët e duhura do t’ju ndihmojë që të bini në sy e të viheni re lehtë.

Ujori
Për ju do të jetë çdo gjë tërësisht e mundur sot. Ambicja juaj do të rritet gjatë ditës. Dëshirat tuaja do të bëhen realitet dhe disa persona do t’ju kenë në qendër të vëmendjes. Gjatë kësaj dite do të keni mundësi të rrisni të ardhurat tuaja.

Peshqit
Më në fund, mendimet dhe dëshirat tuaja do të përputhen me njëra-tjetrën. Do të thoni atë që do të mendoni dhe do të mendoni atë që do të thoni. Mos humbisni kohën duke u marrë me gjëra boshe por përcaktoni qëllimet tuaja për këtë muaj të ri që sapo ka nisur.

Shkrirje nga reforma territoriale, banorët e Poliçanit protestë! Djegin teserat e PS

30 July 2026 at 21:00

Qytetarë të Poliçanit kanë protestuar këtë të enjte kundër kundër projektit për shkrirjen e bashkisë së tyre në kuadër të Reformës Territoriale 2.0. Banorët këmbëngulin se Poliçani duhet të vijojë të funksionojë si bashki më vete dhe kundërshtojnë përfshirjen e tij në Bashkinë e Beratit.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Socialiste në Poliçan, Erjon Zylyftari, deklaroi para qytetarëve se vendimi për prekjen e bashkisë përbën “një padrejtësi dhe një turp të madh” dhe dha dorëheqje publike nga ky funksion.

Në shenjë proteste dhe pakënaqësie, disa qytetarë dogjën në shesh teserat e anëtarësisë së Partisë Socialiste, ndërsa në pankarta shkruheshin fjalët: “Fëmijët na i larguat, tani doni të na fshini nga harta”.

Kundër këtij propozimi ka shprehur rezerva edhe kryebashkiaku i Poliçanit, i cili është shprehur se shkrirja e bashkive të vogla do të sjellë shpopullimin e qyteteve.

Në përfundim të tubimit, banorët firmosën një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Bashkia e Poliçanit të mos përfshihet në ndryshimet e propozuara nga Reforma Territoriale.

Sipas draftit për Reformën Territoriale 2.0, të dorëzuar në Kuvend nga Partia Socialiste, Bashkia e Poliçanit parashikohet të shkrihet dhe t’i bashkohet Bashkisë së Beratit. Ky ndryshim është pjesë e planit për uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46.

 

 

 

 

Nuk e lëshojmë timonin”, Rama: Misioni ynë mbaron me vendosjen e…

By: e xh
30 July 2026 at 18:49

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se Partia Socialiste nuk do të largohet nga qeverisja për shkak të protestave, duke theksuar se mandati i saj buron nga vota e qytetarëve dhe shumica parlamentare.

Duke iu përgjigjur pyetjes se përse kërkon të vazhdojë të qeverisë edhe pas 13 vitesh në pushtet, Rama tha se në demokraci askush nuk e trashëgon apo e dorëzon pushtetin sipas dëshirës, por vetëm sipas vullnetit të popullit

Një parti politike as e trashëgon timonin e pushtetit, as ka të drejtë ta lëshojë rrugës, sepse disa të tjerë duan ta ngasin vetë makinën e pushtetit. PS ushtron pushtetin për aq kohë sa populli ia ka dhënë dhe për aq kohë sa ka votat në Kuvend”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se as ai vetë nuk ka të drejtë të vendosë se kush duhet të jetë në qeveri apo në opozitë, pasi këtë e përcaktojnë vetëm qytetarët me votë.

Rama komentoi edhe thirrjet për dorëheqjen e tij, duke thënë se nuk mund të largohet nga detyra vetëm sepse “një pakicë thërret në kor.

‘Rama jepe dorëheqjen’, ajo këngë mua më pëlqen dhe më energjizon. Por të largohesh nga detyra pse një pakicë thërret në kor, është vetëm braktisje e një përgjegjësie të madhe”, deklaroi ai.

Në përfundim, kreu i qeverisë tha se misioni i Partisë Socialiste do të vazhdojë deri në realizimin e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Misioni ynë do të vazhdojë deri në vendosjen e flamurit të Skënderbeut dhe Ismail Qemalit në oborrin e Europës së bashkuar”, u shpreh Rama.

Reforma territoriale/ Drafti i PS, shkrihen 15 bashki

By: e xh
30 July 2026 at 15:34

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin për reformën e re administrativo-territoriale, duke e paraqitur atë vetëm me firmat e deputetëve socialistë anëtarë të komisionit të posaçëm, pasi nuk u arrit konsensus me Partinë Demokratike.

Sipas projektligjit, propozohet reduktimi i numrit të bashkive nga 61 në 46. Drafti parashikon gjithashtu një strukturë të re me 71 qytete dhe 387 njësi administrative. Në dokument bëhet një ndarje mes bashkive dhe qyteteve, duke i trajtuar ato si kategori të veçanta.

Ndryshimet nuk prekin ndarjen në qarqe, duke shmangur kështu nevojën për ndërhyrje në Kushtetutë. Reforma parashikon krijimin e 13 bashkive të reja përmes bashkimit të bashkive ekzistuese. Në veri, Puka do të bashkohet me Fushë-Arrëzin, ndërsa Klosi me Matin.

Në Shqipërinë e Mesme, Rrogozhina do të bashkohet me Kavajën, ndërsa Rinasi do t’i kalojë Tiranës. Në Jug, Dimali dhe Poliçani do t’i bashkohen Bashkisë Berat. Patosi do të shkrihet me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Selenica me Vlorën, Këlcyra me Përmetin, Maliqi me Korçën, Memaliaj me Tepelenën, Libohova me Gjirokastrën, ndërsa Cërriku dhe Belshi do të bashkohen me Elbasanin. Gjithashtu, Përrenjasi do të bashkohet me Librazhdin.

Drafti i depozituar do t’u dërgohet bashkive dhe këshillave bashkiakë, të cilët kanë një afat prej 60 ditësh për të dhënë opinionet e tyre. Pas përfundimit të këtij procesi konsultimi, projektligji pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare dhe më pas të votohet në Kuvend gjatë sesionit të ri parlamentar, në muajin tetor.

Aktualisht, reforma mbështetet vetëm nga Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate. Partia Demokratike ka kundërshtuar uljen e numrit të bashkive, duke propozuar ruajtjen ose shtimin e tyre.

Arrestimi i Beqirajt, Braho: Kishim informacion prej javësh

By: e xh
30 July 2026 at 12:58

Drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, deklaroi se autoritetet shqiptare kishin informacion për vendndodhjen e Ermal Beqirit dhe se arrestimi i tij në Francë nuk ishte rastësi.

“Prokuroria në çdo rast merr vendimin e gjykatës, ia çon organit që ka për detyrë ekzekutimin. Nuk ka qenë veprim i rastësishëm. Grupi hetimor prej disa javësh ka qenë në kontakt me autoritetet franceze. Ka pasur informacion. Ai ka qenë i lokalizuar prej disa javësh. Nuk ka qenë qëllimi vetëm tek arrestimi, por edhe tek veprime të tjera hetimore. Në ditët në vijim do të keni informacion zyrtar. Kaq mund të ndaj sot”, tha Braho në një bashkëbisedim me gazetarët, përcjell A2 CNN.

Braho shtoi se SPAK do të kërkojë sekuestrimin e avionëve të Beqirajt. “Do keni një njoftim. Ne kemi kërkuar të sekuestrohen jo vetëm ato, por edhe pasuri të tjera”, u shpreh ai.

Drejtësia shqiptare ka nisur zyrtarisht procedurat për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar të shtunën në Francë. 44-vjeçari raportohet se është vendosur në paraburgim. Madje, të mërkurën ai ka dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku i është komunikuar zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.

Brenda 40 ditëve, praktika e arrestit duhet t’u përcillet autoriteteve franceze. Nëse jepet pëlqimi, kthimi në atdhe do të realizohet brenda pak ditësh; në të kundërt, procedurat do të jenë më të gjata, shkruan A2 CNN.

Beqiraj u ndal pasi fluturoi në lartësi të ulët me një avion të lehtë mbi centralin bërthamor të Penly. Pas sinjalizimit, Forcat Ajrore e shoqëruan deri në aeroportin e Albert, ku u ndalua nga policia për t’u marrë në pyetje.

Në dëshminë e tij, ai deklaroi se nuk kishte kryer veprime të qëllimshme dhe se, në atë moment, ishte duke folur në telefon me nënën e tij. Pas vendosjes së një gjobe prej 7 mijë eurosh, biznesmeni u la i lirë, por u mbajt nën vëzhgim policor. Pas konstatimit se Shqipëria e kishte shpallur në kërkim, efektivët e ndaluan sërish në banesë, duke njoftuar edhe autoritetet në Tiranë.

Beqiraj u shpall në kërkim nga SPAK më 21 dhjetor 2025, gjatë hetimeve për tenderët e AKSHI-t. Dyshimet lidhen me veprimtarinë e kompanisë që ai zotëron, “Soft & Solution”.

Drejtuesi i SPAK: Në gjashtë muajit e fundit kemi hetuar 16 zyrtarë të lartë

By: e xh
30 July 2026 at 12:23

Kryeprokurori i SPAK, Klodian Braho, ka zhvilluar një takim informues me gazetarët, ku ka folur për numrin e procedimeve aktive të institucionit.

Braho bëri të ditur se viti 2026 ka nisur me një numër të lartë çështjesh në hetim, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e tyre janë rezultat i hetimeve të nisura nga vetë prokurorët e SPAK, siç raporton Anila Hoxha.

“Ajo që doja të ndaja është volumi. Viti 2026 ka nisur me 616 procedime aktive. Nuk dua të bëj krahasim se si ka punuar prokuroria më parë dhe si punon tani”, u shpreh ai.

Sipas Brahos, më shumë se gjysma e procedimeve aktive nuk kanë nisur nga kallëzime apo referime të ardhura nga jashtë institucionit, por nga hetime proaktive të ndërmarra nga SPAK.

“Më shumë se gjysma nuk kanë ardhur nga kallëzimet apo referimet e jashtme, por nga hetimet tona proaktive. Për gjashtë muajt e fundit kemi hetuar 16 zyrtarë të lartë”, tha kryeprokurori.

Pjesë nga deklarata:

  1. ECURIA E ÇËSHTJEVE TË PRAPAMBETURA TË VITEVE 2019–2021

3.1. Krahasimi i së njëjtës periudhë të viteve 2025 dhe 2026 tregon një përshpejtim të ndjeshëm të trajtimit të çështjeve të prapambetura të regjistruara gjatë viteve 2019–2021. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2025, nga 145 çështje aktive u përfunduan 12, me një normë të përgjithshme zgjidhshmërie prej 8,27%. Në të njëjtën periudhë të vitit 2026, nga 108 çështje aktive u përfunduan 63 procedime penale, me një normë zgjidhshmërie prej 58,3%.

3.2. Në terma absolute, gjatë vitit 2026 janë përfunduar 51 çështje më shumë se gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025, ose mbi pesë herë më shumë. Norma e përgjithshme e zgjidhshmërisë është rritur me rreth 50 pikë përqindje, nga 8,27% në 58,3%, pavarësisht se krahasimi përfshin të njëjtën kohë raportimi.

3.3. Përmirësimi më i madh konstatohet te çështjet e vitit 2019. Deri më 15 korrik 2025 ishin përfunduar vetëm 2 nga 35 çështje, me normë zgjidhshmërie 5,71%, ndërsa deri më 15 korrik 2026 janë përfunduar 24 nga 26 çështje, ose 92,3% e stokut të fillim vitit. Në proces kanë mbetur vetëm 2 çështje të këtij viti.

3.4. Edhe për çështjet e vitit 2020 rezultati është dukshëm më i lartë. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 10,2% në vitin 2025 në 78,9% në vitin 2026. Nga 38 çështje aktive në fillim të vitit 2026 janë përfunduar 30 dhe kanë mbetur në proces vetëm 8 çështje.

3.5. Për çështjet e vitit 2021 është shënuar gjithashtu progres, por me ritëm më të kufizuar. Norma e zgjidhshmërisë është rritur nga 8,19% në 20,5%, ndërsa janë përfunduar 9 nga 44 çështje aktive. Megjithatë, 35 çështjet e vitit 2021 që mbeten në proces përfaqësojnë 77,8% të të gjithë stokut të mbetur të viteve 2019–2021.

3.6. Në përfundim, të dhënat tregojnë se gjatë vitit 2026 puna është përqendruar me rezultat të dukshëm në reduktimin e stokut më të vjetër, veçanërisht të çështjeve të viteve 2019 dhe 2020. Sfida kryesore për pjesën e mbetur të vitit është përshpejtimi i trajtimit të çështjeve të vitit 2021.

  1. PROCEDIMET ME ZYRTARË TË NIVELIT TË LARTË

4.1. Gjatë periudhës 1 janar–15 korrik 2026, SPAK ka hetuar 13 procedime penale që përfshijnë 16 zyrtarë/ish-zyrtarë të nivelit të lartë dhe drejtues institucionesh.

4.2. Pjesën më të madhe të personave të përfshirë e përbëjnë kryetarët ose ish-kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e institucioneve qendrore. Këto dy kategori përfaqësojnë së bashku 10 nga 16 personat, ose 62.5% të totalit.

❌