Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun Tiranë, Taulant Balla, vizitoi sipërmarrjen tekstile të Ylli Elmazit në Kavajë, ku u ndal në rëndësinë e mbështetjes së bizneseve prodhuese përmes programit qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Gjatë vizitës, Balla theksoi se edhe sektori fason mund të përfitojë nga kjo skemë financimi, e cila synon të nxisë investimet dhe zgjerimin e aktivitetit të sipërmarrjeve shqiptare.
“Programi ofron garanci sovrane deri në 70%, normë interesi preferenciale 2–3% dhe financim deri në 200 milionë lekë për çdo përfitues, duke krijuar mundësi për investime në teknologji, pajisje, rritje të prodhimit, si dhe zhvillimin e sektorëve të bujqësisë, turizmit dhe industrisë përpunuese”.
Balla vlerësoi sipërmarrjet që investojnë në prodhim dhe punësim, duke theksuar se mbështetja e biznesit mbetet një nga prioritetet për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e konkurrueshmërisë./kb
Që nga kjo e diel, kompanitë që krijojnë ose përdorin përmbajtje të gjeneruar nga inteligjenca artificiale (AI) duhet ta etiketojnë qartë atë, sipas rregullave të reja të Bashkimit Evropian për transparencën.
Qëllimi është që qytetarët të kuptojnë menjëherë nëse një tekst, foto, video apo material tjetër që shohin në internet është krijuar nga një njeri apo nga inteligjenca artificiale. Sipas udhëzimeve të reja, sistemet e AI-së si chatbot-et duhet të identifikohen qartë si të tilla, ndërsa imazhet, videot dhe tekstet e krijuara me AI duhet të mbajnë etiketa ose shenja identifikuese, si watermark-e apo forma të tjera që lehtësojnë zbulimin e tyre. Kompanitë që nuk respektojnë këto rregulla rrezikojnë gjoba të larta.
Rregullorja kërkon gjithashtu që përdoruesit të informohen kur ekspozohen ndaj:
• sistemeve të njohjes së emocioneve dhe kategorizimit biometrik;
• përmbajtjeve të tipit deepfake;
• teksteve mbi çështje me interes publik të krijuara nga AI pa mbikëqyrje apo redaktim njerëzor.
BE-ja shpreh shqetësim të veçantë për përhapjen e deepfake-ve, pasi inteligjenca artificiale po e bën gjithnjë e më të vështirë dallimin mes përmbajtjes reale dhe asaj të krijuar artificialisht. Sipas zyrtarëve evropianë, rregullat synojnë të ruajnë besimin e qytetarëve në atë që shohin, dëgjojnë dhe lexojnë. Detyrimi zbatohet për përmbajtjen e krijuar për qëllime profesionale, ndërsa përdorimi personal i AI-së nuk preket nga këto rregulla. Sistemet ekzistuese të inteligjencës artificiale kanë afat deri më 2 dhjetor 2026 për t’u përshtatur, ndërsa përjashtohen veprat artistike, krijuese, satirike dhe fiktive. Rregullat e reja kanë ngjallur debat mes kompanive të teknologjisë, të cilat paralajmërojnë se zbatimi i tyre mund të jetë i ndërlikuar. Megjithatë, disa prej tyre kanë nisur tashmë etiketimin e përmbajtjeve të krijuara me AI. TikTok kërkon prej vitesh që krijuesit të etiketojnë imazhet, videot dhe audiot e gjeneruara nga AI, ndërsa Meta përdor etiketën “AI Info” në Facebook dhe Instagram. Edhe Google ka nënshkruar kodin evropian të transparencës për AI dhe po punon me kompani si Nvidia, OpenAI dhe Apple për zhvillimin e mjeteve të etiketimit digjital./FC
Në një intervistë për Top Channel, ministri thotë se asnjë shtet nuk do të lejonte një prani diplomatike që cenon e kërcënon interesat e vendit.
“Hapja e një konsullate, nuk i jep shtetit dërgues asnjë lloj pushteti apo, akoma më pak, ndonjë lloj sovraniteti mbi qytetin, territorin apo popullsinë ku ajo vendoset. Vendndodhja, klasa, juridiksioni dhe funksionimi i çdo pranie diplomatike që vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë bëhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar por edhe me ligjet dhe rregullat shqiptare”, u shpreh ministri.
Kërkesa e Shqipërisë për një përfaqësim në Bujanoc ka qenë një objektiv i hershëm i politikës së jashtme. Për ministrin Hoxha, ky angazhim me Serbinë nuk ndryshon kurrsesi qëndrimin dhe mbështetjen ndaj Kosovës.
“Angazhimi diplomatik me Serbinë nuk nënkupton në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë pandjeshmëri ndaj Kosovës, aq më pak relativizim të politikës së Beogradit ndaj saj. Qëndrimi i Shqipërisë për pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial, mëvetësinë dhe zhvillimin si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës dhe mbështetjen e pakursyer të shtetit shqiptar, ka qenë dhe mbetet i qartë, i qëndrueshëm dhe i pandryshueshëm”, shprehet Hoxha.
Kjo dakordësi do të arrinte që shteti të ishte më afër shqiptarëve jashtë kufijve, deklaron ministri duke vlerësuar me rëndësi në këtë debat pyetjen: çfarë përfiton Shqipëria me një konsullatë në Luginën e Preshevës. Debati sipas ministrit të jashtëm është zhvilluar në mënyrë absurde në emër të interesave të supozuara të Serbisë sesa të interesave konkrete të shqiptarëve.
“Kushdo që pretendon se Shqipëria duhet ta hapë Konsullatën e saj në Serbi, por pa pranuar që Serbia të ketë të njëjtën mundësi në Shqipëri, nuk propozon një zgjidhje reale dhe flet në hava. Një qasje e tillë mund të tingëllojë patriotike në rrjetet sociale, por nuk prodhon asnjë rezultat konkret për shqiptarët e Luginës. Në rastin më të mirë, ajo dëshmon një mosnjohje të thellë të mënyrës se si funksionojnë diplomacia dhe marrëdhëniet ndërmjet shteteve. Në rastin më të keq, ajo është një përpjekje e vetëdijshme për të penguar një objektiv që i shërben drejtpërdrejt interesit kombëtar”, shton më tej ai.
Ministri Hoxha shpjegon se madhësia e komunitetit jashtë kufijve nuk është arsyeja e vetme për hapjen e një konsullate, por vendimi bazohet edhe në çështje ekonomike, kulturore, turistike apo interesash strategjikë. Me këtë argument ai kundërshton kritikat që thonë se shqiptarët e Luginës dhe serbët e Shkodrës janë të barabartë.
“Unë kam detyrimin të mbroj interesat e Shqipërisë. Serbia, ashtu si çdo shtet tjetër, bën të njëjtën gjë për interesat e saj. Ajo nuk përcakton interesat tona, as ne nuk përcaktojmë të sajat. ne nuk po vendosim kurrfarë shenje barazimi ndërmjet shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe qytetarëve shqiptarë me kombësi serbe që jetojnë në qarkun e Shkodrës. Përkundrazi, vetë disproporcioni numerik tregon qartë se nga anon interesi praktik dhe i vërtetë”, thekson ministri Ferit Hoxha.
Reciprociteti thotë ministri Hoxha është një parim themelor në diplomaci por nuk nënkupton barazi automatike./kb
Apple po përballet me kritika se strategjia agresive e kompanisë në negociatat me furnitorët mund të ketë kontribuar në krizën globale të memories, që po rrit çmimet e kompjuterëve, telefonave dhe pajisjeve të tjera elektronike.
Pretendimi vjen nga Micron, një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të çipave të memories, i cili la të kuptohet se presioni i vazhdueshëm i disa klientëve të mëdhenj për uljen e çmimeve gjatë viteve të kaluara, pengoi investimet në kapacitete të reja prodhimi.
Sipas drejtuesit të biznesit të Micron, Sumit Sadana, gjatë krizës së vitit 2023, disa klientë kërkonin vazhdimisht çmime më të ulëta, edhe kur fitimet e prodhuesve kishin rënë ndjeshëm.
Kjo bëri që shumë investime për zgjerimin e fabrikave të shtyheshin ose të anuloheshin. Edhe pse Apple nuk u përmend me emër, kompania njihet për aftësinë e saj për të negociuar kontrata shumë të favorshme me furnitorët dhe konsiderohet si një nga klientët më të mëdhenj të Micron.
Ironikisht, sot Apple është një nga kompanitë më të goditura nga kjo situatë.
Pak ditë më parë, rriti çmimet e disa modeleve të MacBook dhe iPad, duke argumentuar se kostoja e çipave të memories është rritur në nivele të paprecedenta si pasojë e kërkesës së madhe nga qendrat e të dhënave që mbështesin Inteligjencën Artificiale.
Drejtori ekzekutiv, Tim Cook e ka cilësuar situatën si “të paqëndrueshme”, duke thënë se kompania nuk mund të vazhdojë më t’i përthithë vetë këto kosto.
Sot, prodhuesit e memories po i japin përparësi çipave me performancë të lartë për serverët e AI, që janë shumë më fitimprurës se memoria për telefonat dhe kompjuterët.
Si rezultat, oferta për tregun e elektronikës së konsumit është tkurrur, ndërsa çmimet e RAM-it dhe memories NAND janë rritur ndjeshëm.
Kjo ka detyruar jo vetëm Apple-in, por edhe kompani si Microsoft, Dell, HP dhe Lenovo të rrisin çmimet ose të ofrojnë pajisje me më pak memorie në konfigurimet bazë.
Megjithëse nuk ka prova që Apple është shkaku kryesor i krizës, komentet e Micron tregojnë se politikat agresive të blerjes të disa gjigantëve të teknologjisë mund të kenë ndikuar në uljen e investimeve në industri.
Tani, ndërsa kërkesa për çipa të AI po arrin nivele rekord, e gjithë industria po paguan çmimin e mungesës së kapaciteteve prodhuese./kb
Polymarket është një bursë online për parashikime nga më të ndryshmet, ku përdoruesit blejnë dhe shesin kontrata të lidhura me rezultatet e ngjarjeve reale, si zgjedhjet politike, vendimet ekonomike, konfliktet ndërkombëtare, sporti apo zhvillimet teknologjike. Çmimi i një kontrate, zakonisht ndërmjet 0 dhe 1 dollar, interpretohet si vlerësimi i tregut për probabilitetin e një rezultati; për shembull, një çmim prej 0,70 dollarësh nënkupton se pjesëmarrësit i japin ngjarjes afërsisht 70% mundësi të ndodhë. Pas përfundimit të ngjarjes, kontrata fituese paguhet me një dollar, ndërsa ajo humbëse humbet vlerën. Përveç mundësisë së fitimit financiar, Polymarket përdoret edhe si burim informacioni për të matur në kohë reale pritshmëritë kolektive.
Aktualisht në Polymarket janë investuar pothuaj 126 mijë dollarë nga qindra investitorë rreth parashikimit se qeveria Rama do të bjerë deri më 31 dhjetor 2026. Ata që e parashikojnë sot këtë gjë e kanë probabilitetin e fitores vetëm 18%, ndërsa ata që parashikojnë të kundërtën e kanë probabilitetin e fitores 82%. Pra, nëse dikush fut sot 18 dollarë për rënien e qeverisë Rama, në fund të vitit merr 100 dollarë po të bjerë (në të kundërtën merr 0 dollarë).
Ndryshe nga bastet online, ku kompanitë e basteve përcaktojnë dhe lëvizin koeficientët bazuar në analizat statistikore të klubeve që përballen në një ndeshje sportive, në Polymarket probabilitetet luhaten sipas shumave që futen për parashikimet nga pjesëmarrësit në bursë. Kështu, më 20 qershor mbizotëronte parashikimi për rënien e qeverisë Rama brenda vitit me 54%, ndërsa sot probabiliteti ka zbritur në vetëm 18% (shihni grafikun e mëposhtëm). /kb
Vapa ekstreme nuk shkakton vetëm lodhje dhe dehidrim, por mund të përshpejtojë edhe proceset e plakjes qelizore. Sipas një studimi të publikuar në revistën Nature Climate Change, ekspozimi i përsëritur ndaj valëve të të nxehtit mund të ndikojë në organizëm në një mënyrë të ngjashme me efektet e konsumit të alkoolit dhe duhanit, ndërsa përdorimi i mjeteve për ftohje, si kondicionerët, duket se e zbut këtë efekt.
Studimi u zhvillua në Tajvan dhe analizoi 30 valë të të nxehtit të regjistruara mes viteve 2008 dhe 2022, duke i krahasuar me të dhënat shëndetësore të afro 25 mijë personave. Ekspozimi ndaj temperaturave të larta u përcaktua duke kombinuar matjet e temperaturës në zonat ku banonin pjesëmarrësit me adresat e tyre të rezidencës.
Rezultatet treguan se temperaturat e larta shoqërohen me rritje të inflamacionit në organizëm, ndryshime në presionin e gjakut dhe ndikim negativ në shëndetin e disa organeve. Efektet ishin më të theksuara në zonat rurale, ku përdorimi i kondicionerëve është më i kufizuar./FC
Dy persona janë arrestuar në Dibër pas finalizimit të një operacioni antidrogë.
Sipas informacioneve në pranga janë vënë dy shtetasit A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, të cilët u kapën në një parcelë në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, ku ishin kultivuar bimë narkotike.
Nga kontrolli u konstatuan të kultivuara 1121 bimë të dyshuara Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies
Njoftimi i policisë:
Dibër/Kontrolle intensive
nga toka dhe monitorim me dronë nga ajri për parandalimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Deja”.
Kishin kultivuar 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, arrestohen në flagrancë 2 shtetas.
Asgjësohen me djegie 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.
Si rezultat i informacioneve policore të siguruara nga specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Dibër, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, Komisariatit të Policisë Mat dhe Komisariatit të Policisë Kamëz, u finalizua operacioni policor antidrogë i koduar “Deja”.
Gjatë operacionit, në një parcelë të kultivuar në vendin e quajtur “Liqeni i Lukanit”, pronë publike në territorin e bashkisë Dibër, u kapën në flagrancë dhe u arrestuan shtetasit A. K., 38 vjeç, banues në Kamëz, dhe A. B., 39 vjeç, banues në fshatin Derjan, bashkia Mat.
Nga kontrolli u konstatuan të kultivuara 1121 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Policia e Dibrës apelon për të gjithë qytetarët, veçanërisht për banorët e zonave rurale, që të denoncojnë menjëherë çdo rast apo indicie për kultivimin e bimëve narkotike.
Bashkëpunimi me Policinë mbetet thelbësor për parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. /Kb
Një zjarr i madh ka përfshirë të dielën një magazinë të kompanisë ruse të tregtisë online Wildberries në rajonin e Samarës, pas një sulmi. Kompania bëri të ditur përmes një postimi në Telegram se nuk ka raportime për viktima dhe se zinxhiri logjistik është riorganizuar, ndërsa pranimi i mallrave dhe dërgimi i porosive po kryhen nga qendra të tjera.
Pamjet që po qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë flakë të mëdha që kanë përfshirë ndërtesën dhe re të dendura tymi të zi që ngrihen në qiell.
Në korrik, forcat ukrainase goditën disa qendra logjistike të Wildberries në Rusi, në kuadër të asaj që Kievi e quan “sanksione me rreze të gjatë”. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se këto magazina përdoreshin për furnizimin e ushtrisë ruse me pjesë për dronë dhe pajisje navigimi.
Wildberries, e themeluar në vitin 2004 nga miliarderja ruse Tatyana Kim, është platforma më e madhe e tregtisë online në Rusi. Në faqen e saj ofrohen edhe produkte si thika, helmeta, veshje kamuflazhi dhe pajisje për shikim nate.
Ndërkohë, Zelensky njoftoi se vetëm gjatë kësaj jave Rusia ka lëshuar ndaj Ukrainës rreth 1.900 dronë, afro 1.600 bomba ajrore dhe 144 raketa, duke goditur 16 rajone të vendit. Sipas tij, një person humbi jetën nga një sulm me dron në Brovari, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën. Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se gjatë natës Rusia sulmoi me 133 dronë dhe municione fluturuese, ndërsa mbrojtja ajrore neutralizoi ose rrëzoi 109 prej tyre.
Në të njëjtën kohë, Zelensky përsëriti thirrjen ndaj aleatëve për të furnizuar Ukrainën me më shumë raketa Patriot, duke theksuar se këto sisteme duhet të përdoren për mbrojtjen e civilëve dhe jo të mbeten në depo.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten se SHBA nuk ka rënë ende dakord t’i japë Ukrainës teknologjinë për prodhimin e raketave Patriot, megjithëse gjatë samitit të NATO-s në Turqi kishte lënë të kuptohej se Uashingtoni do t’i jepte Kievit një licencë për prodhimin e tyre./kb
Një studim i ri nga University of California, Davis, i publikuar në PNAS, ka zbuluar mekanizmin që qëndron pas një prej veçorive më të pazakonta të avokados: lulet e saj kalojnë nga faza femërore në atë mashkullore gjatë ditës për të favorizuar pjalmimin e kryqëzuar. Avokado është një nga frutat më të kultivuara në botë dhe parashikohet që deri në vitin 2030 të bëhet një nga kulturat tregtare më të rëndësishme. Megjithatë, kultivimi i saj mbetet sfidues për shkak të kërkesës së lartë për ujë dhe vështirësive në pjalmim.
Të gjitha pemët e avokados janë hermafrodite, pasi kanë si organet mashkullore ashtu edhe ato femërore. Por ato nuk funksionojnë njëkohësisht. Pemët e tipit A hapin lulet femërore në mëngjes dhe ato mashkullore pasdite, ndërsa pemët e tipit B bëjnë të kundërtën. Kjo strategji ul ndjeshëm rrezikun e vetëpjalmimit dhe ruan diversitetin gjenetik.
Duke analizuar gjenomin e qindra pemëve, studiuesit identifikuan një gjen të vetëm, të quajtur SDMYB, i cili kontrollon hapjen e luleve dhe ndryshon aktivitetin e tij gjatë ditës, duke përcaktuar nëse lulja funksionon si mashkull apo si femër.
Shkencëtarët zbuluan gjithashtu se i njëjti mekanizëm gjendet në të paktën 26 specie të tjera bimore dhe mendohet se është shfaqur rreth 40 milionë vite më parë.
Ky zbulim mund të ketë vlerë të madhe për bujqësinë, pasi do t’u lejojë fermerëve të përcaktojnë llojin e një peme avokadoje shumë vite përpara lulëzimit të saj të parë, i cili në disa raste ndodh vetëm pas 15 vitesh./FC
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale në Kosovë, Nora Luta, duke komentuar në lidhje me gërmimet në Zubin-Potok ku dyshohet për një varrezë masive nga koha e luftës, u shpreh se rasti është ende në fazën e hetimeve. Ajo theksoi se bëhet fjalë për një proces të ndjeshëm hetimor për kërkimin e personave të zhdukur gjatë luftës, duke kërkuar nga mediat të shmangin raportimet e pakonfirmuara.
“Në lidhje me gërmimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të procesit të kërkimit për personat e zhdukur, ajo çfarë mund t’ju them është se bëhet fjalë për një rast që është ende në fazën e hetimeve. Kjo është një proces i ndjeshëm dhe kompleks, është rezultat i një pune hetimore disavjeçare të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Deri më tani janë bërë mbi 10 urdhra për zhvarrosje, krejt kjo në kuadër të këtyre veprimeve hetimore pra që janë ndërmarrë. Ajo çfarë mund të them gjithashtu dhe të theksoj është se nuk mund të flasim ende për rezultate pa përfunduar procesi hetimor”, u shpreh Luta.
E pyetur për raportimet lidhur me numrin e mbetjeve mortore që pretendohet se janë gjetur në lokacion, Luta tha se është ende herët për të konfirmuar shifra./kb
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar marrëveshjen e huasë me vlerë 302 milionë dollarë ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kuadër të financimit të jashtëm ushtarak (Foreign Military Financing – FMF) për fushën e mbrojtjes.
Për marrëveshjen, e cila u miratua në Parlament më 27 korrik me 74 votat e socialistëve, bisedimet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë nisur që në vitin 2024. Dhe e gjithë vlera e kredisë, do të përdoret për blerjen e prodhimeve amerikane. Siç mëson Report TV, Shqipëria synon të marrë pajisje dhe sisteme luftarake, madje disa prej tyre edhe ofensive. Sipas marrëveshjes, dy vitet e para lihen si një dritare kohore për të negociuar llojet e pajisjeve dhe sasinë që synohet të blihet, pavarësisht se ky moment konsiderohet thuajse i ezauruar që gjatë bisedimeve paraprake.Kredisa do të lëvrohet pjesë pjesë, sipas kontratave të blerjeve, të cilat do të duhet të përmbyllen brenda 4 vitesh.
Vetë kredia ka një kohëzgjatje prej 12 vitesh. Report TV mëson se ajo do të jetë me një interes që luhatet mes 4 dhe 5 përqind. Por nga ana tjetër ajo parashikon që të mund të shlyhet edhe përpara kohe, pa penalitete./kb
“Ta duam Shqipërinë në mënyrë primitive? Ta shesim në mënyrë moderne? Apo ta duam në mënyrë moderne?”
Në të vërtetë, këto nuk janë tri pyetje. Është vetëm një, që në thelb kërkon të përcaktojmë se çfarë marrëdhënieje kemi me vendin tonë.
Ta duash Shqipërinë në mënyrë primitive është e lehtë. Mjafton të valëvitësh flamurin, të këndosh himnin në stadium, të këndosh me zjarr: “O sa mirë me qenë shqiptar, o hej, o hej”, ta shndërrosh patriotizmin në biznes, të përdorësh sa më shumë fjalën “atdhe”, por ta respektosh gjithnjë e më pak; të mallkosh të huajt dhe të quash tradhtar këdo që nuk ndan të njëjtin mendim me ty. Fatkeqësisht ky patriotizëm është patriotizmi i zhurmës dhe jo i përgjegjësisë. Është patriotizmi që ushqehet me emocione dhe vdes sapo përplaset me interesin personal.
Ky patriotizëm ngatërron atdhedashurinë me britmën, flamurin me argumentin e qetësinë, folklorin me historinë; atdheun e vë nën partinë. Është patriotizmi që matet me fjalë të mëdha, por aspak me vepra e kontribut real. Është patriotizmi i atyre që bërtasin “E dua Shqipërinë!”, blejnë e shesin votën, shkelin ligjin dhe urrejnë këdo që mendon ndryshe.
Edhe më e lehtë është ta shesësh Shqipërinë në mënyrë moderne.
Mjaftojnë disa ministra, disa deputetë, disa kryetarë bashkish, disa oligarkë dhe disa biznesmenë të përkëdhelur nga pushteti. Shqipëria nuk shitet më me traktate. Shitet me PPP, me tendera të paracaktuar, me koncesione të dyshimta, me leje ndërtimi, me bregdet të betonizuar, me pasuri publike të dhuruara e që kalojnë në pak duar, me institucione të kapura dhe me një drejtësi që shpesh ecën më ngadalë se korrupsioni.
Ata që e shesin më shumë Shqipërinë, flasin më shumë se gjithë të tjerët për dashurinë ndaj saj dhe përgjegjësinë që marrin. Fotografohen para flamurit, ndërsa pas shpine firmosin kontrata që varfërojnë qytetarët dhe pasurojnë klientët e tyre.
Patriotizmi është bërë pazar dhe pazari politikë.
Ta duash Shqipërinë në mënyrë moderne kërkon shumë më tepër guxim.
Do të thotë të mos e adhurosh verbërisht, por ta përmirësosh pa u lodhur. Të mos mbrosh pushtetin, por shtetin. Të mos kërkosh privilegje, por rregulla që vlejnë për të gjithë. Të paguash taksat, të respektosh ligjin, të mbrosh mjedisin, të kërkosh llogari nga qeveria dhe të mos e shesësh votën. Të mos pranosh kultin e liderit. Të mos duartrokasësh verbërisht partinë tënde. Të mos heshtësh kur vidhet prona publike. Të mbrosh institucionet më shumë se politikanët, ligjin më shumë se interesin dhe të ardhmen më shumë se propagandën.
Patriotizmi modern nuk matet me numrin e flamujve në ballkon për festa, por me cilësinë e institucioneve që ndërtojmë dhe me përgjegjësinë që marrim si qytetarë. As duke ndërtuar fasada, por kur pushteti i trembet ligjit më shumë sesa qytetari i trembet pushtetit.
Shqipëria nuk ka nevojë as për patriotë që ulërijnë, as për tregtarë që e shesin me kostum e kravatë. Ka nevojë për qytetarë që e duan aq sa të mos pranojnë ta poshtërojnë, ta grabisin apo ta përdorin si pronë personale. Kjo është dashuria moderne. Dashuria që e sheh Shqipërinë si atdhe për të cilin mbajmë përgjegjësi dhe refuzon të gjithë ata që betohen se e duan, ndërkohë që jetojnë duke e shitur, copë pas cope e ditë pas dite. /kb
Mëngjesi në Ceutë nis me një mjegull të dendur që fsheh gjithçka. Kur ajo shpërndahet, shfaqet kufiri i ri lundrues mes qytetit autonom spanjoll dhe Marokut.
Për disa orë, mjegulla mbuloi punimet për ndërtimin e kësaj barriere lundruese prej 500 metrash. Ajo është menduar si një mënyrë për të kthyer menjëherë emigrantët që përpiqen të hyjnë me not, duke respektuar një vendim të fundit të Gjykatës Supreme të Spanjës, sipas të cilit kthimi i menjëhershëm nuk lejohet nëse nuk është shkelur një pengesë fizike.
Ceuta po përpiqet të mbrohet, pasi është kthyer në një simbol ndërkombëtar të rreziqeve të emigracionit të pakontrolluar.
Fluksi i emigrantëve që largohen vazhdon, megjithëse me ritëm më të ngadaltë. Sipas autoriteteve të Madridit, deri të premten mbi 48.300 nga 50 mijë personat që mbërritën brenda tre ditësh në enklavën spanjolle në Marok ishin larguar.
Ministri i Brendshëm spanjoll, Fernando Grande-Marlaska, siguron se situata po kthehet në normalitet. Gjatë vizitës së tij në Ceutë ai u përpoq të qetësonte banorët.
Disa dyqane kanë nisur të hapen me hezitim, por qyteti është ende larg pamjes së tij normale. Ushtarët patrullojnë rrugët, banorët vazhdojnë të qëndrojnë nëpër shtëpi, ndërsa emigrantët lahen me ujin e dusheve në plazh, ku secili ka formën e një dërrase sërfi vertikale me sloganin: “Ceuta, aty ku ndihen emocionet.”
Mes të fundit që po kthehen në shtëpi është edhe 20-vjeçari Laharizi Nassredine, student Ekonomie nga Casablanca.
Edhe ai thotë se është rrahur nga policia spanjolle gjatë kalimit të kufirit.
“Policia marokene, përkundrazi, mbylli një sy dhe na la të kalonim, madje na tregoi edhe rrugën. Na përdorin si gurë shahu për të ushtruar presion. Për pjesën tjetër nuk vlejmë asgjë”, thotë ai, i zhgënjyer, por tashmë shumë më i vetëdijshëm.
Të njëjtin mendim ndan edhe Abdul Karrem, 35 vjeç nga Tangjeri.
“Për autoritetet marokene jemi si predha në një armë. Përplasja duhet të jetë mes qeverive dhe jo në kurriz të qytetarëve”, thotë ai, ndërsa qëndron jashtë Qendrës së Përkohshme të Paraburgimit për Emigrantët, bashkë me qindra persona të tjerë, kryesisht nga Afrika Sub-Sahariane.
Imad, një magazinier algjerian 22-vjeçar, tregon se ai dhe të tjerët panë “dyert e hapura” nga ajo që quhet “mali i emigrantëve”, ku banonin në anën marokene të kufirit.
Ai ishte vendosur aty vetëm një javë më parë. Si gjithë të tjerët, dëshiron të strehohet në qendër, por aty nuk ka më asnjë vend të lirë.
Të gjitha shërbimet e pritjes janë të mbingarkuara prej ditësh dhe do të jetë shumë e vështirë të gjendet një zgjidhje humanitare për emigrantët.
Ata janë të rraskapitur nga uria.
Kur organizata Luna Blanca nis të shpërndajë pak ushqim jashtë qendrës, shpërthen një sherr i dhunshëm. Rreth 50 persona grumbullohen në pak metra katrorë, duke bërtitur dhe shtyrë njëri-tjetrin për të siguruar ushqimin.
Vetëm ndërhyrja e ushtarëve arrin të rikthejë qetësinë.
Më pas, disa prej tyre, të mundur nga uria, përkulen në tokë për të mbledhur thërrimet.
Për shumë prej emigrantëve, mënyra e vetme për t’u ushqyer është të shpresojnë në bujarinë e banorëve.
Në të njëjtin lagje, Benítez, dikush u hedh pako me ushqime nga tarraca e shtëpisë.
“Mos më fotografoni!”, bërtet ai nga lart.
Ai dëshiron të mbetet anonim, nga frika se mos përfundon në rrjetet sociale dhe gjykohet nga bashkëqytetarët.
Ka edhe emigrantë që, me pak para në xhep, presin në radhë jashtë supermarketit Super Kiko, një nga të paktat dyqane që vazhdon të jetë i hapur, edhe pse me qepenin gjysmë të ulur, për të mos lejuar hyrjen e klientëve brenda.
Më pas ngjitemi në lagjen famëkeqe Príncipe, një rrjet i dendur rrugicash të ndërtuara në mënyrë kaotike dhe pa leje, ku përplasjet mes bandave janë të shpeshta. Ajo të kujton disi Lagjet Spanjolle të Napolit.
Për shkak të afërsisë me pikën kufitare Tarajal, kjo lagje është kthyer në epiqendrën e emergjencës, e pushtuar nga emigrantët dhe skenë përleshjesh gjatë natës.
Të rinjtë shkarkojnë zhgënjimin e tyre me gurë dhe shqelma pasi ëndrra e tyre për të hyrë në Europë ka dështuar.
“Nuk mund të luftosh kundër fatit tënd”, thotë Ayoub, duke treguar këmbët e gjakosura nga shkëmbinjtë.
Mustafa shton, ndërsa na shoqëron me makinë: “Disa prej tyre hynë në dy shtëpi në kërkim të ushqimit, por njëra ishte e braktisur dhe tjetra bosh, sepse pronarët nuk ndodheshin aty.”
Banorët e zonës, kryesisht myslimanë dhe me origjinë marokene, nga njëra anë kanë organizuar patrulla për të mbrojtur lagjen, ndërsa nga ana tjetër po ndihmojnë emigrantët e rraskapitur dhe të plagosur.
“Këta njerëz nuk kanë faj. Në Ceutë nuk ka punë, nuk ka asgjë. Janë mashtruar. Ishte një kurth politik”, thotë Ibrahim, 26 vjeç, i lindur dhe rritur në këtë lagje.
Me motorin e tij ai po shpërndan ushqime.
“Na përshkruajnë si një lagje të rrezikshme. Kemi jetuar gjithmonë me këtë famë, por këtu nuk ka vetëm kriminelë. Ka edhe njerëz që ndihmojnë. E vërteta është se autoritetet na kanë harruar. Ende presim të hapet një komisariat policie.”
Ndërkohë, deti vazhdon të nxjerrë trupa dhe numri i viktimave rritet nga ora në orë.
67 trupa janë nxjerrë nga Roja Civile spanjolle në ujërat e Spanjës, ndërsa të paktën 17 të tjerë janë gjetur në bregdetin maroken.
Bëhet fjalë për një tragjedi me 84 persona të mbytur, të cilët humbën jetën duke u përpjekur të arrinin me not në territorin europian.
Kërkimet për të zhdukurit vazhdojnë.
Nuk ka më mjaftueshëm morgje për të sistemuar trupat.
Dy morgjet e ngritura në ish-spitalin ushtarak janë tashmë plot.
Në dhomat ngjitur ndodhen të paktën 500 të mitur, të cilët nuk mund të riatdhesohen.
Mes tyre është edhe një foshnjë vetëm 3 muajshe, pa prindër, që mbërriti në Ceutë me një gomone plastike./ Corriere della Sera/kb
Në një nga miniplazhet e mrekullueshme me guralecë të bardhë në Sarandë, një turiste e huaj, me një qese në dorë, po hiqte dje mbeturinat plastike nga plazhi. Ishte mëngjes dhe ajo nuk u lodh, sa i hoqi të gjitha papastërtitë.
Një zonjë shqiptare mori shembull dhe nga ana tjetër e miniplazhit, pranë disa palmave në fund, nisi dhe ajo të hiqte hedhurinat. Në fund menaxheri i miniplazhit privat nxori një djalë me një qese dhe një dorezë të zezë plastike në dorë, i cili përfundoi punën e nisur nga dy zonjat, njëra e huaj dhe tjetra shqiptare. Menaxheri i miniplazhit i falenderoi të dyja zonjat. Plazhi ndriste i gjithi nga guralecet e bardhe dhe nuk ishte më i mbushur me mbeturina.
Turistja e huaj qëlloi të ishte suedeze. Quhej Anxhela. Kishte ardhur me të shoqin e saj Craig. Të dy do të qëndronin dy javë në Shqipëri. Me qëndrim fiks në Sarandë, do të shikonin bukuritë dhe atraksionet e Shqipërisë së Jugut, nga Butrinti, në Gjirokastër dhe Berat.
Vend ynë po fiton një pozicion gjithnjë e më të dukshëm në hartën turistike të vendeve nordike. Anxhela dhe Craig pohuan se në Suedi të gjitha hapësirat për në Shqipëri, nga agjencitë turistike suedeze që ofronin pushime në vendin tonë ishin të zëna. Ata vinin nga Goteborgu, një qytet suedez port. Kishin shumë miq e të njohur që mezi prisnin prej tyre përshtypjet e para për Shqipërinë.
Për verën 2026, vendi ynë po shfaqet gjithnjë e më shumë si një nga destinacionet “it” për turistët nga Suedia, Norvegjia, Danimarka dhe Finlanda. Destinacion “it” është shprehja për një vend shumë tërheqës që është në fjalët e të gjithë atyre që në Skandinavi po planifikojnë pushimet verore dhe jo vetëm.
Shqipëria është duke kaluar gradualisht, nga statusi i një destinacioni alternativ, në atë të një tregu turistik që po kërkohet, promovohet dhe eksplorohet nga udhëtarët skandinavë.
Ky zhvillim është i rëndësishëm jo vetëm për turizmin shqiptar, por edhe për ekonominë tonë në tërësi. Turisti nordik karakterizohet përgjithësisht nga fuqi e lartë blerëse, kohëzgjatje relativisht e mirë e qëndrimit dhe interes për eksperienca autentike, natyrë, gastronomi, kulturë dhe destinacione që ofrojnë raport të mirë mes cilësisë dhe çmimit.
Nëse ky trend konsolidohet, Shqipëria mund të fitojë një treg të ri strategjik në turizmin evropian.
Pse skandinavët po shikojnë drejt Shqipërisë?
Për shumë vite me rradhë, turistët nga vendet nordike kanë pasur si destinacione të preferuara Spanjën, Greqinë, Italinë, Kroacinë dhe Turqinë.
Mirëpo Shqipëria po hyn gjithnjë e më shumë në këtë listë. Po pse? Arsyet janë të shumta.
E para është bregdeti shqiptar. Riviera, nga Vlora në Sarandë e Ksamil, ofron ujëra të pastër, plazhe, peizazhe mesdhetare dhe një kombinim që për turistin nordik është veçanërisht tërheqës: diell, det dhe klimë e ngrohtë.
Për një turist që vjen nga një vend ku vera është më e shkurtër dhe temperaturat janë shumë më të ulëta, Shqipëria ofron pikërisht atë që kërkon gjatë pushimeve verore.
Raporti cilësi–çmim është një avantazh i fortë
Një tjetër faktor i rëndësishëm është raporti midis çmimit dhe cilësisë. Edhe pse çmimet turistike në Shqipëri janë rritur gjatë viteve të fundit, vendi ynë vazhdon të perceptohet në shumë tregje të huaja, si një destinacion ku mund të marrësh një eksperiencë mesdhetare me kosto konkurruese.
Kjo është veçanërisht e rëndësishme për turistët nordikë, të cilët kanë një fuqi blerëse relativisht të lartë, por njëkohësisht janë gjithnjë e më të interesuar për destinacione që ofrojnë vlerë reale për paratë e shpenzuara. Në këtë drejtim, Shqipëria mund të jetë më konkurruese se disa destinacione tradicionale të Mesdheut.
Anxhela dhe Craig pohuan se Kroacia ishte bërë shumë e shtrenjtë dhe deri diku të përballueshme ishin plazhet greke të Pargës. Por ata ishin shume të tërhequr nga Shqipëria dhe mendonin se kishin bërë zgjedhjen e duhur duke ardhur në Sarandë. Dita e parë ishte gati katastrofike, pasi hoteli ku kishin pronotuar i kishte të gjitha dhomat e zëna. Anxhela dhe Craig ishin shumë të impresionuar nga gadishmëria për të ndihmuar dhe mirësia e recepsionistes së hotelit, që u gjeti një dhomë në një hotel aty afër. Të nesërmen gjithshka ishte rregulluar.
Shqipëria ofron më shumë se plazhin
Një nga gabimet që vijojmë të bëjmë është ta shesim vendin tonë vetëm si destinacion plazhi. Turisti skandinav kërkon edhe eksperiencë jetësore. Dhe Shqipëria ka një avantazh të jashtëzakonshëm në këtë drejtim.
Nga Alpet e Veriut tek Riviera e jugut, nga qytetet historike te fshatrat malorë, nga gastronomia tradicionale te kantinat e verës, vendi ynë ofron një kombinim të rrallë, brenda një territori relativisht të vogël.
Një turist mund të kalojë disa ditë në det dhe më pas të udhëtojë drejt maleve, qyteteve historike apo zonave rurale. Kjo e bën Shqipërinë shumë më tepër se një destinacion “diell dhe det”. E bën një destinacion “it”!
Natyrë, aventurë dhe turizëm aktiv
Tregu skandinav ka një kulturë të fortë të aktiviteteve në natyrë. Hiking, çiklizmi, kayaking, rafting, eksplorimi i natyrës dhe turizmi i aventurës janë produkte që mund të përshtaten shumë mirë me këtë treg.
Alpet shqiptare, Thethi, Valbona, lumi i Vjosës, kanionet, liqenet dhe zonat malore krijojnë mundësi për zhvillimin e një turizmi me vlerë të shtuar. Kjo është një mundësi strategjike.
Nëse arrijmë të shesim një paketë të integruar det + mal + kulturë + gastronomi + aventurë, mund të rrisim ndjeshëm shpenzimet mesatare të turistit.
Për turistin skandinav dhe jo vetëm, Shqipëria ka ende edhe avantazhin e “zbulimit”. Destinacionet tradicionale të Mesdheut janë tashmë shumë të njohura.Shqipëria, në shumë segmente të tregut nordik, ende perceptohet si një vend për t’u zbuluar.
Ky element ka një vlerë të madhe në marketingun modern turistik. Udhëtari i sotëm nuk kërkon vetëm të shkojë në një vend të bukur. Ai kërkon të ketë një histori për të treguar.
Dhe Shqipëria ofron një histori të fortë: një vend mesdhetar që po transformohet me shpejtësi dhe që ende ruan shumë elementë autentikë. Me njerëz mikpritës që mund të të ofrojnë eksperienca të bukura jete.
Turisti skandinav mund të jetë më i vlefshëm se turisti masiv
Një nga objektivat e Shqipërisë duhet të jetë jo vetëm rritja e numrit të turistëve, por rritja e cilësisë ekonomike të turizmit.
Në këtë drejtim, tregjet nordike janë veçanërisht interesante. Turisti me fuqi të lartë blerëse mund të shpenzojë më shumë për akomodim cilësor, restorante, aktivitete, guida, transport, produkte lokale, eksperienca kulturore dhe turizëm aventure.
Kjo do të thotë më shumë të ardhura jo vetëm për hotelet, por edhe për ekonominë lokale.
Një tjetër avantazh është mundësia për zgjatjen e sezonit. Nëse tregu nordik lidhet vetëm me muajt korrik dhe gusht, përfitimi mbetet i kufizuar. Por Shqipëria mund të ofrojë kushte shumë të mira edhe në maj, qershor, shtator dhe tetor.
Për turistët nordikë, temperaturat e muajve të parë dhe të fundit të sezonit mund të jenë veçanërisht tërheqëse. Kjo krijon mundësi për një turizëm më pak sezonal.
Nëse Shqipëria arrin të konsolidojë interesin e skandinavëve gjatë verës 2026, kjo mund të jetë më shumë se një sukses i një sezoni. Mund të jetë fillimi i një tregu strategjik. Turisti që e viziton Shqipërinë dhe ka një eksperiencë pozitive mund të rikthehet, ta rekomandojë vendin te familjarët dhe miqtë dhe të krijojë një efekt zinxhir.
Në turizmin modern, rekomandimi personal dhe rrjetet sociale janë po aq të rëndësishme sa reklama tradicionale. Në mos më tepër. Një turist i kënaqur është në vetvete një ambasador i Shqipërisë. Dhe Anxhela dhe Craig janë të tillë për ne. Faleminderit Anxhela dhe Craig që zgjodhët Shqipërinë!/kb
Një magazinë e mbushur me materiale bujqësore është shkrumbuar nga zjarri mbrëmjen e djeshme në fshatin Veterik në bashkinë Berat.
Sipas raportimeve, zjarri që ka nisur në magazinë është përhapur dhe drejt banesës dykatëshe që ishte ngjitur me të dhe flakët kanë depërtuar në katin e parë të shtëpisë.
Ndërhyrja e zjarrfikësve ka bërë të mundur ndalimin e përhapjes së flakëve më tej dhe shuarjen e tyre. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të nisjes së zjarrit/kb
talia po vendos pothuajse të gjitha qytetet e saj kryesore nën alarm të kuq për shkak të temperaturave ekstreme.
Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se 19 qytete nga veriu në jug, përfshirë Romën, Milanon, Venecian dhe Napolin, janë tashmë në nivelin më të lartë të alarmit. Deri të hënën, pothuajse të gjitha qytetet kryesore të vendit pritet të jenë në të njëjtin nivel rreziku.
Temperaturat arritën të shtunën në rreth 35 gradë Celsius në shumë zona, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se rreziku prek jo vetëm grupet më të ndjeshme, si të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike, por edhe njerëzit e shëndetshëm dhe aktivë.
Sipas buletinit të fundit të Ministrisë italiane të Shëndetësisë, të publikuar të shtunën, deri të hënën rreth 25 nga 27 qytetet kryesore të vendit do të jenë në alarm të kuq.
Vetëm dy qytete pritet të mbeten në nivelin e dytë më të lartë, alarm portokalli: Reggio Calabria, në skajin jugor të gadishullit italian, dhe Messina, në ishullin e Sicilisë.
Ministria u ka bërë thirrje banorëve në zonat e prekura që të shmangin ekspozimin ndaj nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit gjatë orëve më të nxehta, nga 11:00 deri në 18:00, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të konsumojnë shumë lëngje.
Temperaturat ekstreme po shkaktohen nga një anticiklon subtropikal me origjinë nga Afrika e Veriut, i cili po forcohet mbi Detin Mesdhe.
Ndërkohë, zjarrfikësit në Greqi, Francë, Portugali dhe Spanjë vazhdojnë të luftojnë me zjarre që kanë përfshirë mijëra hektarë tokë.
Në Francë, rreth 2 mijë e 500 persona u evakuuan të premten në mbrëmje, 31 korrik, në rajonin juglindor të Varit, pasi një zjarr që ishte vënë nën kontroll për disa ditë u riaktivizua, sipas autoriteteve lokale.
Ndërkohë, një zjarr i madh në rajonin jugperëndimor të Gironde është vënë nën kontroll dhe rreth 200 mijë banorë të evakuuar kanë mundur të kthehen në shtëpitë e tyre.
Në Greqi, qindra persona, kryesisht turistë, janë evakuuar me anije nga një qytet bregdetar në Beoti, i rrethuar nga një prej shumë vatrave të zjarrit që kanë përfshirë vendin.
Në Spanjë, më shumë se 200 mijë hektarë tokë janë djegur gjatë vitit 2026, rreth pesë herë më shumë se mesatarja për këtë periudhë të vitit, ndërsa edhe në Portugali sipërfaqet e djegura janë mbi nivelet normale, sipas të dhënave të Bashkimit Evropian.
Ndryshimet klimatike po rrisin temperaturat në mbarë botën. Sipas Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të Copernicus, Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me një ritëm rreth dy herë më të lartë se mesatarja globale. Kjo po sjell më shumë valë të nxehti gjatë verës, presion më të madh mbi burimet ujore të Evropës dhe zjarre më të shpeshta e më intensive./kb
Shfrytëzimi i krizës së Ceutës për të përfituar në Bruksel. Ky është objektivi i qeverisë italiane, e cila synon të kërkojë përshpejtimin e krijimit të qendrave të riatdhesimit në vende jashtë BE-së, sipas “modelit Shqipëri”, por pa i rënduar ato mbi taksapaguesit italianë, siç ka ndodhur me qendrat e Shëngjinit dhe Gjadrit, të cilat për një kohë të gjatë kanë qëndruar pothuajse bosh. Sipas planit, pjesa më e madhe e kostove do të mbulohej nga Bashkimi Europian.
Kjo është një nga kërkesat që Italia do të paraqesë të martën në mbledhjen e ministrave të Brendshëm të BE-së, të thirrur pas valës së emigracionit masiv në enklavën spanjolle të Ceutës, në kufi me Marokun, një situatë që ndërkohë është qetësuar në masë të madhe.
Kryeministrja Giorgia Meloni beson se ka në krah kryeministren daneze, socialisten Mette Frederiksen, dhe shpreson që edhe kancelari gjerman Friedrich Merz t’i bashkohet kësaj nisme. Nga Pallati Chigi dhe nga grupi i Konservatorëve Europianë po ushtrohet presion i fortë, pasi nuk është pritur mirë qëndrimi i kujdesshëm i komisionerit europian për Migracionin, Magnus Brunner, ndaj këtij projekti, megjithëse ai parashikohet në Paktin e ri për Migracionin, që hyri në fuqi më 12 qershor.
Shpresa e Romës është që zhvillimet në Ceutë të përshpejtojnë procesin dhe të rifillojnë negociatat me 12 vende, të zbuluara disa muaj më parë nga AFP. Diskutimet paraprake janë zhvilluar me Ruandën, Ganën, Senegalin, Tunizinë, Libinë, Mauritaninë, Egjiptin, Ugandën, Uzbekistanin, Armeninë, Malin e Zi dhe Etiopinë.
Nëse propozimi do të ecë përpara, pritet të kuptohet që nesër, gjatë mbledhjes së ambasadorëve të BE-së, ku Italia do të përfaqësohet nga Vincenzo Celeste.
Në Pallatin Chigi janë të bindur se ekziston një shumicë mbështetëse për këto ide. Si provë përmendet letra e firmosur dje nga 22 krerë shtetesh dhe qeverish të BE-së, e promovuar nga Meloni. Mes nënshkruesve mungon Franca, por burime qeveritare italiane nuk e konsiderojnë këtë problem.
“Shumica e qeverive ndajnë qasjen italiane”, thonë ato, duke shtuar se presidenti francez Emmanuel Macron nuk ka dashur kurrë t’i bashkohet “grupit të miqve” për çështjet e migracionit, që mblidhet para samiteve europiane. Sipas interpretimit të Romës, në këtë rast është pikërisht Franca ajo që mbetet e izoluar.
Edhe kancelari gjerman Merz kishte mbajtur një qëndrim më të kujdesshëm gjatë kulmit të krizës në Ceutë, por ai nënshkroi letrën, e cila përmban formulime më të zbutura pas negociatave diplomatike. Nga rrethi i Melonit bëjnë të ditur se nuk ka pasur kontakte të drejtpërdrejta mes dy liderëve.
Sipas kryeministres italiane, “pamjet nga Ceuta treguan sa urgjente është një përgjigje europiane”. Ndërsa letra e 22 vendeve është, sipas saj, “sinjali” se linja italiane po mbështetet nga një numër gjithnjë e më i madh shtetesh. Të njëjtin mesazh përsëriti edhe motra e saj, Arianna Meloni, nga Puglia.
Vetëm një pasazh i letrës është më pak kritik ndaj Spanjës, e cila nuk përmendet me emër: “Mbrojtja e kufijve të jashtëm të Bashkimit Europian nuk është interes i një vendi të vetëm, por përgjegjësi e përbashkët e Europës.”
Ndërkohë, ministri i Jashtëm Antonio Tajani publikoi një video të vitit 1997, ku Silvio Berlusconi shihet duke u përlotur përballë emigrantëve shqiptarë, për të mbështetur idenë se migracioni duhet të jetë “i rregullt dhe i integruar”.
Në plan praktik mbeten pasojat e pezullimit të marrëveshjes së Schengenit dhe rreziku për probleme në aeroporte, çështje që po diskutohet edhe nga forcat e policisë. Në nivelet më të larta të qeverisë italiane po shqyrtohet mundësia që pezullimi të mos zgjasë një muaj, siç ishte parashikuar fillimisht, por shumë më pak, pasi situata në Ceutë tashmë është normalizuar.
Shqetësimi kryesor lidhet me vendimin e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez për legalizimin e emigrantëve. Programi parashikon deri në 500 mijë leje qëndrimi, por kërkesat e paraqitura janë të paktën dyfish më të shumta. Frika e disa vendeve të Europës Veriore, që i bindi ato të firmosnin letrën, është se kriteret mund të zbuten dhe një pjesë e emigrantëve të zhvendosen më pas në vende të tjera të BE-së.
Opozita italiane e cilëson pezullimin e Schengenit si një veprim thjesht propagandistik dhe flet për “shfrytëzim politik të situatës”. Ajo i kërkon Melonit të raportojë në Parlament.
Kryetarja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, e quajti vendimin “një farsë”, duke thënë se “po grinden edhe me hartat gjeografike”. Ndërsa kreu i Lëvizjes 5 Yjet, Giuseppe Conte, akuzoi kryeministren se “ka zgjedhur t’ia hedhë fajin Spanjës, duke hapur një plagë me një vend mik”.
Edhe Angelo Bonelli, drejtues i Aleancës së Gjelbër dhe të Majtë (AVS), i bëri thirrje presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, që “t’i tërheqë vëmendjen Melonit dhe të hapë një hetim mbi arsyet gjeopolitike që çuan në emergjencën e Ceutës”./ La Repubblica/kb
Një shpërthim me bombë në një restorant luksoz në qendër të Moskës ka vrarë të paktën tre persona, përfshirë edhe autorin e dyshuar të sulmit të ndodhur mbrëmjen e së shtunës.
Komiteti Antiterrorizëm i Rusisë tha se një grua që mbante një pajisje shpërthyese të bërë në shtëpi u përpoq të hynte në restorantin në sheshin Kudrinskaya, por u ndalua nga një roje sigurie.
Pajisja shpërtheu në hyrje të restorantit, duke vrarë gruan, rojen dhe një klient të restorantit.
Agjencia shtetërore e lajmeve RIA Novosti raportoi se të paktën 21 persona të tjerë u plagosën në shpërthimin, i cili ndodhi pak para orës 8 të mbrëmjes sipas orës lokale.
Në faqen zyrtare të restorantit thuhej se vendi ishte mbyllur të shtunën për një aktivitet privat. Oficerët e zbatimit të ligjit e kanë bllokuar zonën dhe kanë nisur një hetim për ngjarjen e rëndë, ndërkohë që autoritetet nuk i identifikuan menjëherë ata që dyshohet se qëndronin pas sulmit.
Rusia është përballur me disa sulme që nga fillimi i luftës në Ukrainë në vitin 2022. Ata fajësuan Kievin për një sërë vrasjesh dhe tentativash vrasjesh. /kb
Ai mbante një dramë të madhe brenda qenies së tij, por fytyra e tij dinte vetëm të qeshte. Dhe njerëzit qeshnin me të. Ky ishte një paradoks i madh, i pamëshirshëm, sepse në këtë mënyrë të panatyrshme atij i duhet të mbijetonte çdo ditë të jetës. Dhe s’kishe miq të tjerë veç një filozofi të përçartur, një vajze të re që ai vetë e kishte shpëtuar nga kthetrat e vdekjes dhe të një ujku. Ndaj dashuria e jetës së tij u bë kjo vajzë e verbër që nuk i shihte dot plagët e fytyrës, por që kishte arritur të depërtonte deri në thellësi të shpirtit të tij…
…Romani “L’Homme qui Rit” i Viktor Hygoit apo i ardhur në shqip si “Njeriu që qesh” është nga veprat më të mëdha të letërsisë franceze. Është romani që përshkruan jetën e një djali të ri, fytyra e të cilit është përçudnuar për t’u kthyer në një buzëqeshje të përhershme.
I botuar në vitin 1869, ky roman ofron një pasqyrë të fuqishme të shoqërisë dhe hipokrizisë së saj, duke ndërthurur elementë të tragjedisë dhe groteskes në një narrativë të thellë dhe të ndërlikuar.
Ngjarja
Në Anglinë e fundit të shekullit të 17-të, një djalë i pastrehë i quajtur Guimplein shpëton një vajzë të mitur gjatë një stuhie dëbore, nëna e saj kishte ngrirë deri në vdekje. Ata takojnë një shitës shëtitës karnavalesh që e quan veten Ursus dhe ujkun e tij të përkëdhelur, Homo. Goja e Guimplein është gjymtuar në një buzëqeshje të përhershme; Ursus fillimisht tmerrohet, më pas i vjen keq dhe ai i pranon ata. 15 vjet më vonë, Guimplein është rritur në një djalë të ri të fortë, tërheqës përveç pamjes së tij të shtrembëruar. Vajza, që tani quhet Dea, është e verbër dhe është rritur në një grua të re të bukur dhe të pafajshme. Duke prekur fytyrën e tij, Dea arrin në përfundimin se Gwynplaine është përjetësisht e lumtur. Ata bien në dashuri. Ursus dhe fëmijët e tij zëvendësues fitojnë një jetë të varfër në panairet e Anglisë jugore. Gwynplaine e mban të fshehur gjysmën e poshtme të fytyrës. Në çdo qytet, Guimplein jep një shfaqje skenike në të cilën turmat provokohen për të qeshur kur Guimplein zbulon fytyrën e tij groteske. Por Guimplen është djali i rëmbyer i një fisniku… Kur historia zbulohet Guimplein emërohet si Lord Fermain Klançarlie, Markezi i Korleones dhe lejohet të ulet në Dhomën e Lordëve. Por Guimplein heq dorë nga gjithçka dhe udhëton për të gjetur Ursus dhe Dea. Pas shumë përpjekjesh i gjen në një anie që është gati për lundrim. Dea kalon në ekstazë, por papritur vdes për shkak të komplikimeve të shkaktuara në zemër. Ursusit i bie të fikët. Guimpleni, ndërsa flet me Dea-n e vdekur hidhet në det. Kur Ursus përmendet, ai gjen ujkun e tij Homon duke ulëritur.
Konteksti
Nëpërmjet romanit “Njeriu që qesh”, Viktor Hygo synoi të portretizonte çështje sociale dhe politike të kësaj periudhe historike në Britaninë e Madhe, duke u fokusuar veçanërisht te problemet e pabarazisë korrupsionin e kohës dhe padrejtësisë së shoqërisë. Hygo përdor personazhin kryesor, Guimplen, për të ekspozuar mizoritë e aristokracisë dhe për të kritikuar mënyrën se si shoqëria trajton ata që janë ndryshe.
Guimpleni, i rrëmbyer që në fëmijëri, nga një bandë kriminelësh, i përçudnuar në fytyrë me qëllim që t’i jepej një pamje qesharake për t’u përdorur si atraksion cirku e për t’u shfaqur si “njeriu që qesh” në panaire dhe shfaqje të ndryshme. Rrëfimi na e paraqet atë që si i rritur merr të drejtën në dorë dhe lufton kundër aristokracisë korruptuar dhe padrejtësisë që e ka goditur si fëmijë. Guimplen, përfaqëson viktimën e pafajshme të një shoqërie të prishur.
Simbolizmi
Kritika në kohë ka shkruar se: Stili i Hygo-së tek “Njeriu që Qesh” është i pasur me përshkrime të detajuara dhe një prozë melodramatike që krijon një atmosferë të tensionuar dhe dramatike. Hygo përdor simbole të shumta për të theksuar temat e tij. Buzëqeshja e përhershme e Guimplenit është një metaforë për maskën që shoqëria i imponon individëve, duke i detyruar ata të fshehin dhimbjet e tyre pas një fasade të lumturisë së rreme.
***
Romani është një dhe i vetëm, por mbështetur mbi të, ekranizimet dhe versionet kinematografike janë të shumta. Dhe realizimi më i vjetër është ai i vitit 1909.
1909
“Njeriu që qesh” ka një version filmik qysh në vitin 1909, i realizuar në Francë nga kompania e filmit “Pathé” dhe prodhuar nga Albert Kapellani. Nuk besohet se ka mbijetuar asnjë kopje e këtij filmi.
1921
“Das grinsende Gesicht” apo “Fytyra e buzëqeshur” është një prodhim i vitit 1921, një film austriak pa zë i prodhuar nga “Olympic Films”, me regji nga Julius Hercka, me Franc Hubling në rolin kryesor si Guimpleni. Ky film me buxhet të ulët është besnik ndaj romanit, por thjeshton dhe kondenson komplotin.
Vatrat më të mëdha të zjarrit janë rreth 60 kilometra në perëndim të Athinës, prej nga mund të shihen qartë edhe re të mëdha tymi.
Një zëdhënës i shërbimit të zjarrfikësve tha se erërat e fuqishme, që kanë arritur deri në 130 kilometra në orë, po i pengojnë avionët zjarrfikës të marrin ujë për shuarjen e flakëve.
“Zjarri ka arritur deri në det dhe me siguri që janë dëmtuar banesa”, deklaroi zëdhënësi për agjencinë franceze të lajmeve AFP.
“Për shkak të erërave të forta, aktualisht nuk mund të përdoren fare avionët për shuarjen e zjarrit. Shpresojmë që era të dobësohet. Nuk ka asnjë mundësi tjetër”, tha ai.
Zjarre edhe në zona të tjera të Greqisë
Për të vënë nën kontroll flakët dhe për të parandaluar përhapjen e tyre drejt zonës së Porto Germenos janë angazhuar më shumë se 300 zjarrfikës. Sipas nënkryetarit të bashkisë së komunës fqinjë Mandra, deri tani janë djegur rreth 100 shtëpi .
Theodoros Giannaros, meteorolog i specializuar për zjarret pyjore pranë Observatorin Kombëtar të Athinës, deklaroi se dëmet në zonën e Porto Germenos janë “të paimagjinueshme”.
Në ishullin e Kretës janë prekur rreth 5.000 hektarë tokë. Deri tani kanë humbur jetën tre zjarrfikës.
“Dëmi mjedisor është i jashtëzakonshëm,” tha kryebashkiaku i Tebës, Giorgos Anastasiou, për televizionin Open TV. /DW/kb