Normal view

Received — 16 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËRORI 2026 – Pse Spanja arriti në finale?

16 July 2026 at 19:28

ARLINGTON, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Spanja do të përballet me Argjentinën në finalen e Kupës së Botës të dielën, me synimin për të fituar titullin e dytë botëror, 16 vjet pas triumfit të parë.

Ja pse kampionët e Evropës kanë arritur deri në finale:

  • Skuadra është ylli i vërtetë

Asnjë spanjoll nuk merr aq shumë vëmendje nga tifozët dhe media sa Lamine Yamal. 19-vjeçari, i cili festoi ditëlindjen një ditë para fitores 2-0 në gjysmëfinale ndaj Francës dhe më pas e shpërbleu veten me udhëtimin e shpresuar për në finalen në New Jersey, është ylli më i madh në ekipin e tij.

Por, ai nuk është aspak aq dominues sa Lionel Messi për Argjentinën, Harry Kane dhe Jude Bellingham për Anglinë, Erling Haaland për Norvegjinë, ose Kylian Mbappé, Michael Olise dhe Ousmane Dembélé për Francën.

“Ne luajtëm kundër njërës prej ekipeve më të mira kombëtare, por atyre iu desh të përballeshin me ekipin më të mirë. Ne jemi një ekip”, tha trajneri Luis de la Fuente pas ndeshjes gjysmëfinale të Spanjës.

Spanja është në finale edhe pse Yamal ka arritur vetëm një gol dhe një asist.

Figura kyçe në rrugën drejt finales përfshinin Mikel Oyarzabal, penalltia e të cilit e shënuar me sukses kundër Francës ishte goli i tij i pestë në këtë Kupë Bote. Megjithatë, sulmuesi i Real Sociedad ndoshta nuk do të hynte në dhjetëshen më të mirë në asnjë listë të sulmuesve më të njohur në botë. As Mikel Merino, superzëvendësuesi që shënoi golat e fitores në minutën e fundit kundër Portugalisë dhe Belgjikës.

“Ne të gjithë punojmë drejt të njëjtit qëllim, jo ​​vetëm atij të një individi. Nuk kam përjetuar kurrë një grup kaq shembullor, si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Në 47 ditë së bashku, nuk patëm asnjë problem të vetëm”, ​​tha De la Fuente.

  • Sulmi fiton ndeshje, mbrojtja fiton tituj

Finalja e Kupës së Botës është ndeshja e tetë e Spanjës në Kupën e Botës në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, dhe deri më tani ata kanë pësuar vetëm një gol.

Ndërsa barazimi hapës 0–0 kundër Kepit të Gjelbër fillimisht u prit me tallje, bota e ka pranuar prej kohësh se kampionët evropianë po zhvillojnë një turne mbrojtës të jashtëzakonshëm.

Vetëm Belgjika, në çerekfinale, arriti t’i vërë mbrojtësit e Spanjës nën presion në disa raste dhe u bë e vetmja ekip që shënoi kundër tyre. Siç thotë shprehja: sulmi fiton ndeshje, mbrojtja fiton tituj.

Portieri Unai Simón vendosi një rekord në Kupën e Botës me 649 minuta pa pësuar gol, duke tejkaluar lehtësisht rekordin 36-vjeçar të Walter Zengës.

Portieri i Athletic Bilbaos, i cili është përballur shpesh me kritika, iu desh të bënte pritje kundër Francës vetëm në fazat e fundit, sepse lojtarët para tij, të udhëhequr nga Rodri dhe 19-vjeçari Pau Cubarsí, mezi lejonin asnjë shans.

  • Një trajner i pamposhtur

Që nga marrja e drejtimit në janar 2023, Luis de la Fuente ka luajtur 48 ndeshje ndërkombëtare. Ai ka humbur vetëm tre dhe asnjë në ngjarje të mëdha.

Që nga një humbje 2-0 ndaj Skocisë në kualifikueset e Kampionatit Evropian në mars 2023, Spanja ka humbur vetëm finalen e Ligës së Kombeve kundër Portugalisë verën e kaluar – në një gjuajtje penalltish.

Në lojë të hapur, kampionët evropianë kanë mbetur të pamposhtur për më shumë se tre vjet me De la Fuenten në stol.

“Vazhdoj të jem i mahnitur nga ajo që është i aftë të bëjë ky ekip. Ne vazhdojmë të përmirësohemi, nga një ndeshje në tjetrën, nga një garë në tjetrën,” tha de la Fuente. “Nuk është vetëm fat; është përkushtim, talent, sakrificë dhe dëshira për t’u bërë një version edhe më i mirë i vetes.”

De la Fuente është përgjegjës për nxitjen e këtij mentaliteti. Ai ka punuar për Federatën Spanjolle të Futbollit për 13 vjet dhe më parë ka trajnuar shumë nga lojtarët aktualë të ekipit kombëtar në nivelin e të rinjve. Ai nguliti vlerat e tij tek ata që kur ishin ende adoleshentë.

Me Rodrin dhe Merinon, për shembull, ai fitoi Kampionatin Evropian U-19 në vitin 2015. Katër vjet më vonë, Oyarzabal dhe Dani Olmo ishin në formacionin titullar kur ekipi i Spanjës U-21 fitoi titullin evropian./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Pse Spanja arriti në finale? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOTOGALERI/ Atmosferë festive në “Fan Zone”, Rama: Tirana Europiane në një natë botërore

TIRANË, 16 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e krijuar në “Fan Zone”-n e ngritur në qendër të Tiranës, ku qindra qytetarë dhe turistë ndoqën gjysmëfinalen e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Anglisë.

“Tirana Europiane në një natë botërore”, shkroi Rama, teksa publikoi momente nga sheshi i mbushur me tifozë, të cilët ndoqën me emocion sfidën dhe festuan fitoren e Argjentinës.

“Fan Zone”, e vendosur në zemër të kryeqytetit, mblodhi së bashku sportdashës vendas dhe vizitorë të huaj, duke krijuar një atmosferë festive me brohoritje, duartrokitje dhe flamuj, ndërsa ndeshja u transmetua në ekran gjigant.

Mbajtësja e titullit, Argjentina, siguroi kualifikimin në finalen e Kupës së Botës pasi mposhti Anglinë me rezultatin 2-1. Dy golat vendimtarë u shënuan në minutat e fundit të takimit, duke vulosur suksesin e ekipit argjentinas pas një përballjeje të fortë dhe plot rivalitet.

Në finalen e turneut, Argjentina do të përballet me Spanjën. Ndeshja për trofeun do të zhvillohet të dielën në stadiumin “MetLife” në East Rutherford, Nju Xhersej, me fillim në orën 21:00.

/gj.m/ /a.g/

Fotoreporter: Andrin Hoxha

The post FOTOGALERI/ Atmosferë festive në “Fan Zone”, Rama: Tirana Europiane në një natë botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BOTËRORI 2026 – Finalja me pushimin më të gjatë për spektaklin pas pjesës së parë

16 July 2026 at 07:37

DYSELDORF, 16 korrik /ATSH-DPA/ – Pushimi mes pjesëve gjatë finales së Kupës së Botës të dielën do të zgjasë më shumë se 15 minutat e zakonshme, për shkak të organizimit të spektaklit të parë në histori gjatë pjesës së parë, njoftojnë mediat.

Sipas njoftimeve, FIFA ka bërë të ditur se shfaqja në “MetLife Stadium” në Nju Xhersi do të zgjasë rreth 11 minuta, ndërsa pushimi mes pjesëve pritet të tejkalojë kufirin standard prej 15 minutash.

Mes artistëve të shpallur disa javë më parë janë Madonna, Shakira, Justin Bieber, Coldplay dhe grupi koreano-jugor BTS.

Rregullat e Bordit Ndërkombëtar të Shoqatës së Futbollit (IFAB) parashikojnë që lojtarët kanë të drejtë për një pushim mes pjesëve që nuk duhet të kalojë 15 minuta.

Çdo zgjatje e këtij pushimi mund të bëhet vetëm me miratimin e arbitrit.

Michael Gietzen, drejtor ekzekutiv i kompanisë globale të eventeve “Identity”, tha  se vendimi i FIFA-s është i drejtë.

Sipas tij, finalja e Kupës së Botës nuk është një ndeshje e zakonshme, por një ngjarje që zhvillohet vetëm një herë në katër vjet dhe ndiqet nga audienca më e madhe e çdo eventi sportiv në botë.

Ai theksoi se një spektakël i mirë në pushimin mes pjesëve nuk e zbeh futbollin, por bëhet pjesë e kujtimeve të tifozëve, ndërsa disa minuta shtesë nuk janë kompromis, por një mënyrë për të vlerësuar rëndësinë kulturore të finales, krahas asaj sportive.

Përpara finales do të zhvillohet edhe ceremonia përmbyllëse me performanca nga Laura Pausini, Nicole Scherzinger dhe Robbie Williams, si edhe nga ylli i YouTube IShowSpeed.

Në ceremoni do të shfaqet edhe aktori Tom Cruise. FIFA ka bërë të ditur se spektakli në stadiumin  “MetLife” do të rikujtojë rrugëtimin e Kupës së Botës me 48 skuadra, e cila nisi më 11 qershor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post BOTËRORI 2026 – Finalja me pushimin më të gjatë për spektaklin pas pjesës së parë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌