Normal view

Received — 3 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GJERMANI – Mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestojnë kundër shkurtimeve të planifikuara

SHTUTGART, 3 korrik /ATSH-DPA/ – Dhjetëra mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestuan sot në disa qytete të Gjermanisë kundër planit të kompanisë për uljen e kostove dhe shkurtimin e vendeve të punës.

Sindikata “IG Metall” paralajmëroi se industria automobilistike gjermane do të përballet me një “verë të nxehtë” protestash dhe veprimesh sindikale.

Sipas “IG Metall”, rreth 20 mijë punonjës morën pjesë në protestën kryesore në Sindelfingen, pranë Shtutgartit, ku ndodhet një nga fabrikat më të rëndësishme të Mercedesit.

Ndërkohë, kompania deklaroi se numri i pjesëmarrësve ishte rreth 10 mijë vetë.

Kreu i këshillit të punëtorëve të “Mercedes” – it, Ergun Lümali, kritikoi drejtuesit e kompanisë, duke thënë se punonjësit nuk i pranojnë planet e bordit për shkurtimet dhe cënimin e të drejtave të fituara ndër vite.

Pakënaqësia lidhet me planet për reduktimin e vendeve të punës, ndërsa” Mercedes”, ashtu si prodhues të tjerë gjermanë të automjeteve, përpiqet të rikthejë konkurrueshmërinë përballë rënies së kërkesës, kostove të larta të energjisë dhe konkurrencës në rritje nga prodhuesit kinezë.

Presidentja e” IG Metall,” Christiane Benner, deklaroi se konkurrueshmëria nuk mund të arrihet duke përkeqësuar kushtet e punës, por përmes investimeve në produkte, fabrika dhe punonjës.

Ajo theksoi se punëtorët nuk janë përgjegjës për krizën që po kalon sektori.

Protesta u zhvilluan edhe në uzinat e “Mercedes” – it në Unterturkheim, Rastatt, Kuppenheim, Bremen, Berlin, Hamburg dhe Germersheim.

Sipas sindikatës, në të gjitha tubimet morën pjesë mbi 33 mijë persona, ndërsa kompania vlerësoi se numri ishte rreth 15 750 persona.

“IG Metall” njoftoi se këto protesta janë vetëm fillimi i një fushate më të gjerë kundër shkurtimeve të vendeve të punës dhe zhvendosjes së prodhimit. Sipas saj, industria automobilistike humbi rreth 50 mijë vende pune gjatë vitit të kaluar dhe ky trend rrezikon të vazhdojë. /Ad.Ab./ a.jor.

The post GJERMANI – Mijëra punonjës të “Mercedes-Benz” protestojnë kundër shkurtimeve të planifikuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Komiteti i Helsinkit: Të hetohen pretendimet për përdorim joproporcional të forcës në protestën para Kuvendit

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të monitorimit në terren, të protestës së zhvilluar më 2 korrik 2026 përpara Kuvendit të Shqipërisë, shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e situatës, aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, si dhe për përdorimin e forces joproporcionale nga punonjës të Policisë së Shtetit ndaj protestuesve.

Në një njoftim për mediet, KShH rithekson se e drejta për tubim dhe protestë paqësore është një e drejtë themelore e garantuar në nenin 47 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Detyrimi i institucioneve shtetërore nuk kufizohet vetëm në lejimin formal të protestës, por përfshin edhe krijimin e kushteve që qytetarët ta ushtrojnë këtë të drejtë në mënyrë të sigurt dhe pa u ekspozuar ndaj përdorimit të panevojshëm ose joproporcional të forcës.

Nga monitorimi i KShH rezulton se protesta kishte karakter kryesisht paqësor dhe situata ishte nën kontroll për një periudhë të gjatë kohe. Megjithatë, aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund t’i atribuohen automatikisht të gjithë protestuesve. Në raport me nenin 11 të Konventës Evropiane, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nënvizuar se aktet e izoluara të dhunës (hedhja e vezëve, gurë nga individë të veçantë) nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi dhe as nuk i heqin mbrojtjen pjesëmarrësve paqësorë.

“KShH vëren me shqetësim se, pas incidentit me automjetet që tentuan të dilnin nga ambientet e Kuvendit, sjellja e forcave të policisë ndryshoi në mënyrë të menjëhershme. Sipas monitorimit në terren, brenda një kohe të shkurtër u kalua nga një situatë e qetë te rrethimi dhe shtyrja e protestuesve dhe më pas te përdorimi i gazit lotsjellës. Veçanërisht shqetësues është fakti se përdorimi i gazit lotsjellës, sipas vëzhgimit në terren, nuk u parapri nga një paralajmërim publik me një qendër zëri dhe rrjedhimisht as nga dhënia e një kohe të arsyeshme për shpërndarje vullnetare.

Përdorimi i mjeteve të tilla, të cilat prekin në mënyrë të padiferencuar edhe protestuesit paqësorë, gazetarët, vëzhguesit dhe persona të tjerë të pranishëm në protestën e djeshme, duhet të ishin masë e fundit, e domosdoshme dhe proporcionale. Referuara standarteve të Gjykatës së Strasburgut, lidhur me nenin 3 dhe 11 të KEDNJ, përdorimi i mjeteve kimike pa paralajmërim dhe pa lënë kohë për shpërndarje vullnetare mund të përbëjë keqtrajtim dhe ndërhyrje joproporcionale në tubim. “Për Policinë e Shtetit”, në nenin 12 dhe 32/3 parashikojn se paralajmërimi është parakusht i detyrueshëm para përdorimit të forces”.

Po ashtu, “KShH shpreh shqetësim të veçantë për rastet e vëzhguara të përdorimit të forcës ndaj personave që ishin neutralizuar dhe ndodheshin në tokë. Përdorimi i shkopinjve të gomës, goditjeve, grushteve apo formave të tjera të forcës ndaj personave të shtrirë në tokë dhe të rrethuar nga disa punonjës policie që nuk paraqesin më rrezik dhe nuk bëjnë rezistencë është i papranueshëm dhe kërkon hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe efektiv. Standartet e elaboruara të GJEDNJ-së lidhur me nenin 3 të KEDNJ nënvizojnë se përdorimi i forcës ndaj një personi tashmë të neutralizuar dhe pa rezistencë përbën trajtim çnjerëzor ose poshtërues; goditjet në fytyrë dhe poshtërimi e cenojnë rëndë dinjitetin”, vijon njoftimi

“Po aq shqetësuese janë pretendimet lidhur me mungesën e kujdesit të menjëhershëm ndaj personave që deklaronin se ishin të dëmtuar apo kishin probleme shëndetësore (sëmundje si epilepsia). Për personat me probleme serioze shëndetësore, GJEDNJ ka theksuar se shteti duhet të sigurojë kujdes mjekësor adekuat dhe se, në rrethana të caktuara, mbajtja në paraburgim e papajtueshme me gjendjen shëndetësore mund të ngrejë çështje sipas nenit 3 të KEDNJ. Ndërkohë, kur i ndaluari është kujdestari kryesor i një fëmije me aftësi të kufizuara, vlerësimi i masës duhet të marrë parasysh interesin më të lartë të fëmijës dhe mbrojtjen e jetës familjare”, thuhet në njoftim

“KShH thekson se policia ka detyrimin dhe të drejtën të mbrojë rendin publik, sigurinë e qytetarëve dhe të institucioneve, si dhe integritetin fizik të punonjësve të saj. Por pikërisht për shkak të autoritetit dhe mjeteve që ligji i ka dhënë, standardi i përgjegjshmërisë së policisë është më i lartë. Forca nuk duhet të përdoret si reagim ndëshkues, por vetëm kur është e domosdoshme, në masën më të kufizuar të mundshme dhe ndaj personave konkretë që paraqesin rrezik. As dhuna ndaj policisë nuk mund të relativizohet, ashtu sikurse as dhuna e policisë nuk mund të justifikohet me sjelljen e individëve të veçantë”, lexohet në njoftim.

Në këtë kuadër, KShH u bën thirrje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore të hetojnë në mënyrë të shpejtë, të paanshme dhe efektive çdo pretendim për përdorim të paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve.

“Policisë së Shtetit të garantojë se në protestat e ardhshme çdo përdorim force do të paraprihet nga komunikimi, paralajmërimi i qartë dhe koha e mjaftueshme për zbatim vullnetar, përveç rasteve të një rreziku real dhe të menjëhershëm; Organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta të distancohen qartë nga çdo akt dhune dhe të kontribuojnë në izolimin e individëve që cenojnë karakterin paqësor të tubimit;

Deputetëve dhe përfaqësuesve të lartë të institucioneve publike të shmangin transemtimin e videove që nuk paraqesin një panoramë të plotë të mënyrës se si është arritur në përshkallëzimin e protestës, duke shmangur gjuhën e urrrejtjes që etiketon në mënyrë kolektive protestuesit ose që përdor incidente individuale për të delegjitimuar të drejtën e qytetarëve për të protestuar”, përfundon njoftimi.

The post Komiteti i Helsinkit: Të hetohen pretendimet për përdorim joproporcional të forcës në protestën para Kuvendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lamallari: Policia ndërhyri vetëm pas dhunës, autorët do përballen me ligjin

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilluan një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, ku inauguruan ambientet e rikonstruktuara të institucionit.

Investimi i ri u ofron kushte moderne pune 332 punonjësve të Policisë së Shtetit dhe përmirëson ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve, duke shënuar përmbylljen e investimeve në të gjitha drejtoritë vendore të policisë në shkallë vendi.

Pas vizitës, ministri Lamallari iu përgjigj interesimit të mediave lidhur me ngjarjet e protestës së një dite më parë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por se dhuna ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, gazetarëve dhe institucioneve publike është e papranueshme dhe do të trajtohet sipas ligjit.

Ai nënvizoi se faktet e dokumentuara tregojnë se efektivët e policisë u sulmuan me gurë dhe sende të forta, duke mbetur të plagosur disa prej tyre, ndërsa u regjistruan edhe akte dhune ndaj përfaqësuesve të medias dhe dëmtime të pronës publike. Sipas ministrit, Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje me ligjin për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe ushtrimin e lirë të detyrës nga gazetarët.

“Unë i kam parë dhe video është e hedhur dhe në rrjetet e mia sociale, mund ta verifikoni këtë. E sigurisht duke i uruar shërim të shpejtë kolegëve, jo vetëm atyre që unë vizitova, por edhe kolegëve të tij, të cilët kanë dhe familjarë, të cilët ishin të shqetësuar. Nga ana tjetër një fakt tjetër, ishin dhe kolegët tuaj gazetarë, të cilët ndonëse u pretendua se ishin dhunuar nga Policia, faktet janë komplet ndryshe. Kishim më herët një thirrje të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, të cilët i bënin thirrje Policisë së Shtetit për të garantuar gazetarët, në kryerjen e detyrës së tyre dhe pamjet më vonë, që u administruan dhe nga ana jonë, ishin pamje ku gazetarë, kolegët tuaj në fakt u konfrontuan me protestues, të cilët donin të merrnin mikrofonat prej tyre dhe për më tepër kishte dhe shtyrje të tyre”, tha Lamallari.

Ministri Lamallari cilësoi se duhet të ketë dallim mes protestës dhe dhunës që ushtrohet nga një grup personash.

“Policia e Shtetit është një organ ligjzbatues dhe në neutralizimin e situatave dhe eskalimin e tyre, sigurisht duhet të ushtrojë atributet që jep ligji, për të mos lejuar përshkallëzim të tyre. Kështu që, pa dyshim kurdoherë që janë konstatuar dhe janë dokumentuar dhe me video, me pamje të hedhura tashmë dhe në rrjetet sociale dhe në mediat kombëtare, ku protestues të quajtur paqësorë, të pretenduar të tillë dhe nga deputetë të opozitës, në fakt, ishte shumë e qartë që ata po dhunonin punonjësit e Policisë, me gurë dhe sende të forta, po intimidonin deputetët e Parlamentit shqiptar për t’u futur në ambientet ku ato janë zgjedhur për të ushtruar detyrën e tyre, si dhe po dhunonin dhe gazetarë”, vijoi ai.

“Nuk po flas për mjetet e Policisë, të cilat u panë qartë që u shkatërruan nga protestues, të ashtuquajtur paqësorë, por që unë nuk mendoj se ata mund të quhen protestues. Ata nuk kanë të bëjnë fare me protestën. Një grup, një grusht personash, të cilët me gurë në duar dhunojnë punonjësit e zbatimit të ligjit, çdo punonjës tjetër që kalon aty pranë dhe dëmtojnë pasurinë publike, në fakt nuk janë protestues. Ata janë thjesht vandalë”, përfundoi Lamallari.

/e.i/a.f/

The post Lamallari: Policia ndërhyri vetëm pas dhunës, autorët do përballen me ligjin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌