Normal view

Received — 14 April 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sala: Diaspora, partner i pazëvendësueshëm në reformat tona të shëndetësisë

TIRANË, 14 prill/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në fjalën e saj në Samitin IV të Diasporës, në panelin 3 me titull “Diaspora dhe Sistemi Shëndetësor” falënderoi ekipin e mjekëve dhe specialistëve që kontribuojnë prej vitesh në sistemin shëndetësor shqiptar. Sala veçoi kontributet në distancë të dy mjekëve në fushën e Onkologjisë që kanë ndihmuar pacientët të përfitojnë kontrolle të specializuara me protokolle evropiane.

Ministrja Sala nënvizoi se “koha ka treguar që në shëndetësi gjithnjë e më shumë ndërtohen ura dhe jo mure”.

“Një gërshetim, një bashkëpunim sepse ne njohim ekspertizën e shkëlqyer që kemi këtu në Shqipëri, por shkëmbimi i eksperiencave është diçka e mrekullueshme”, tha ajo.

Sala tha se u kthye në Shqipëri, për të ndërtuar një sistem shëndetësor model, bashkë me ekipin e bashkëpunëtorëve.

“Jam e kënaqur dhe emocionuar doja vetëm të ndaja një detaj tjetër. Unë u ktheva këtu me një ekip shumë të mirë që të ndërtoj një sistem shëndetësor model, por kjo është një rrugë që as unë as ekipi im nuk e bëjmë dot pa ndihmën tuaj”, vijoi ajo.

Nga paneli i diskutimeve për shëndetësinë në Samitin IV të Diasporës, Sala u bëri thirrje profesionistëve brenda dhe jashtë vendit që të ndihmojnë në reformën në shëndetësinë shqiptare.

Sala tha se “Diaspora është dhe do mbetet një partner i pazëvendësueshëm në këtë drejtim”.

1 nga 4

/e.i/

The post Sala: Diaspora, partner i pazëvendësueshëm në reformat tona të shëndetësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌