Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë
TIRANË, 21 janar /ATSh/ Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës, njërit prej viktimave të protestës së 21 janarit të vitit 2011 është paraqitur sot në Prokurorinë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pas përfundimit të ceremonisë së homazheve për përkujtimin e katër të vrarëve në protestën e 21 Janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Nika zhvilloi një takim me prokurorin e çështjes, Alfred Shehu.
Në një prononcim për gazetarët, jashtë godinës së SPAK, Nika kërkoi përshpejtimin e hetimeve, duke theksuar se dëshmitarët ndodhen nën presion dhe frikë.
“Kërkojmë që hetimi për “21 Janarin” të përshpejtohet. Dëshmitarët kanë presion dhe frikë”, u shpreh ai.
“Drejtësinë e kemi kërkuar nga drejtësia e re nga SPAK. Nuk është përgjegjësia e mazhorancës, nuk kemi as komunikim për këtë punë”, tha Mark Nika.
Sipas tij, drejtësinë e pret nga SPAK dhe jo nga qeveria. “Nuk kam kërkuar kurrë nga Rama për drejtësi, drejtësinë e dua nga SPAK. Prokurori i çështjes më tha që janë kryer veprime që të restaurohet dosja e vjetër. Hollësira nuk më dha”, tha Nika.
Nika tha se fajtore “në planin politik dihet është Partia Demokratike, Berisha”.
“Ai (Sali Berisha – shën. i red.) ka qenë kryeministër, ministër i Brendshëm ka qenë Lulzim Basha. Po të jenë trima le të thonë “e kemi bërë ne”. Ata e fshehin. Pse e fshehin kur nuk ke faj? Pse ikën dhe fshihesh? Pse bën manipulimin e provave?”, tha Nika.
Sot, u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të katër viktimave që u vranë në protestën e 21 Janarit 2011. Në ceremoninë e zhvilluar në Kryeministri, mbajti fjalën e rastit kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa të pranishëm ishin ministra të kabinetit qeveritar dhe familjarë të Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt.
Më pas, ceremonia përkujtimore vazhdoi në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku u vendosën karafila në kujtim të katër viktimave të kësaj ngjarjeje.
/e.i/a.f/
The post Mark Nika në SPAK: Të përshpejtohet hetimi për “21 Janarin”, dëshmitarët kanë presion dhe frikë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.