Normal view

Received — 27 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Rekursi i Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, Gjykata e Lartë e lë në burg

27 February 2025 at 14:59

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Gjykata e Lartë vendosi sot të lërë në burg, Presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta

Vendimi u mor nga trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi dhe Medi Bici.

Meta bëri rekurs për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke theksuar se “po i pengohej karriera politike dhe zhvillimi i fushatës elektorale”, teksa për dy muaj mbahen zgjedhjet parlamentare.

Pas paraqitjes së argumenteve nga pala mbrojtëse, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Meta u vu në pranga me urdhër të SPAK më 21 tetor 2024.

Ai akuzohet për 3 vepra penale, “Korrupsion pasiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurie”.

Ndërkohë, Gjykata e Lartë nuk ndryshoi as masën e sigurisë për deputeten e Partisë së Lirisë, ish-bashkëshorten e Metës, Monika Kryemadhi duke e lënë me masën detyrim paraqitje të vënë nga GJKKO.

Kryemadhi është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme nën dyshimin për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurive, në lidhje me dosjen e CEZ-DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.

Meta: Ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut 

Nëpërmjet një audiomesazhi nga paraburgimi, Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta tha refuzimi i lehtësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Lartë është një hap pozitiv pasi në këtë mënyrë ecet më shpejt drejt gjykatës së Strasburgut, ku u shpreh se pa asnjë diskutim do të fitojë.

“Make Albania great forever”, ky është zotimi ynë, ky është angazhimi ynë për 11 majin ditën historike kur do të ndahemi nga narkoregjimi, por edhe nga narkodrejtësia e tij. Sot për çështjen Meta hodhëm një hap pozitiv, sepse kaluam një pengesë fiktive në Gjykatën e Lartë në mënyrë që të ecim më shpejt drejt Gjykatës së Strasburgut. Pa asnjë diskutim do të fitojmë ashtu siç kemi fituar edhe Komisionin e Venecias kundër Ramaformës. Mos harroni se 2 marsi po vjen dhe bashkë me të edhe 5-vjetori i atij mitingu të jashtëzakonshëm, mbarëkombëtar në mbrojtje të Kushtetutës, falë të cilit jo vetëm u çmontua Ramaforma si pjellë e ligjeve antikushtetuese, në kundërshtim me Komisionin e Venecias, por njëkohësisht kur hodhëm në Lanë edhe ligjin e betimeve”, u shpreh Meta.

Meta iu bëri thirrje shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit që të regjistrohen në zgjedhje.

“Ndaj ju bëj thirrje të gjithë shqiptarëve patriot kudo ku janë, të gjithë drejt 11 majit. Të gjithë bashkëatdhetarët tanë të regjistrohen për të votuar në ditën historike kur narko-regjimi do të hidhet te Lana, njësoj siç u hodh në Maqedoninë e Veriut regjimi kukull i Sorosit”, tha Meta në mesazhin e tij. /j.p/

The post Rekursi i Metës për ndryshimin e masës së sigurisë, Gjykata e Lartë e lë në burg appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌