Normal view

Received — 25 November 2024 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Meta, letër shtabit të PL-së për Tiranën: Bashkëveprim me të gjithë opozitarët e vërtetë

25 November 2024 at 21:06

TIRANË, 25 nëntor/ATSH/ Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta iu drejtua pasditen e sotme me një letër publike shtabit drejtues të Tiranës, duke u ndalur tek Reforma në Drejtësi, që sipas tij, pësoi metamorfozë nga e votuar me 140 vota në një Ramaformë që instaloi grushtin e shtetit.

Ky grusht shteti, sipas Metës, ekzekutohet çdo ditë jo vetëm përmes një qeverie arbitrare, të dhunshme e bullizuese ndaj qytetarëve, por edhe përmes një junte spakistësh të cilët dhunojnë Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe kanë asgjësuar pavarësinë e gjykatave në çdo nivel, përfshirë edhe atë të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas Metës,  edhe buxheti 2025 është më antisociali dhe mizori për shumicën e qytetarëve e sidomos për 700.000 pensionistët që do të varfërohen më tej, për shumicën dërrmuese të punonjësve dhe një goditje e pamëshirshme ndaj bujqësisë dhe prodhimit vendas.

“Është thjesht një projekt për megavjedhje të reja të parave publike përmes disa klientëve”, u shpreh ai.

Ndaj, sipas Metës, edhe Partia e Lirisë ka përgatitur amendamentet për rishikimin e buxhetit.

Sipas Metës, e vetmja rrugë që mundëson programin e Partisë së Lirisë është përballja me atë që e cilësoi narkoregjim.

“Të shumëfishojmë forcat dhe bashkëveprimin me njëri tjetrin dhe të gjithë opozitarët e vërtetë për të shporrur këtë pakicë të instaluar përmes krimit dhe korrupsionit”, u shpreh Meta.

The post Meta, letër shtabit të PL-së për Tiranën: Bashkëveprim me të gjithë opozitarët e vërtetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌