Normal view

Po djegim pyje, po lëndojmë pemë… disa po zhduken

4 September 2025 at 11:54

Nga Alba Malltezi

Mijëra hektarë pyje e kullota u dogjën këtë verë. Jo pak, 57 mijë, që për vendin tonë të vogël, janë një pafundësi. Është një shifër e dhënë nga Sistemi Europian i Informacionit për Zjarret dhe Pyjet. Por kjo që pamë këtë verë nuk nisi këtë verë, vetëm me çmendurinë e ndonjë piromani. Sa më shumë pemë presim, aq më nxehtë bëhet e aq më shumë zjarre krijohen. Sa më shumë pemë zhduken, aq më shumë shira të rrëmbyeshëm e rrëshkitje dheu të pakontrolluar do të kemi.

Në Raportin vjetor të vitit 2024 të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, publikuar sot te Shqiptarja.com, e gjitha kjo parashikohej. Madje shtrohet shqetësimi për zhdukjen përgjithmonë të disa drurëve tipikë, që në shekuj kanë bujtur në atdheun tonë, si për shembull bredhi europian, pisha skoceze, gështenja e kalit, lajthia e egër etj. nëse nuk kujdesemi, nuk i kemi më.

Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë sot si në vitet e egra ’90, kur pyjet u masakruan, kafshët u vranë. Mentaliteti dhe ndjeshmëria për natyrën, të cilën po kemi mundësi ta prekim përherë e më nga afër, ka ndryshuar, është përmirësuar. Eshtë e pafalshme për brezin tonë të qëndrojmë indiferentë në këtë kohë e të rrezikojmë e cënojmë bashkëudhëtaren më të denjë: gjelbërimin, natyrën.

Shqipëria duhet të bëhet kampione e rigjenerimit të natyrës së saj. Ua kemi borxh Rilindasve që i thurën vargjet më të bukura të shkruara ndonjëherë. Nga Vermoshi në Konispol duhet të infektohemi nga bukuria prekëse që na rrethon dhe humbjen e djegien e një peme ta konsiderojmë si të humbim pjesë të dashura të jetës sonë.

The post Po djegim pyje, po lëndojmë pemë… disa po zhduken first appeared on JavaNews.al.

Simbolika e pallateve “ekzistuese” të kohëve të shkuara

29 August 2025 at 13:56

Nga Alba Malltezi

Do të vijë një kohë kur më krenarët në vend do të jenë ata shqiptarë që ende jetojnë në apartamentet e pallateve të ashtuquajtura “ekzistuese”. I sheh nëpër Tiranë e nëpër Shqipëri këto ndërtesa të mbetura pezull në renë gjigande të memories dhe të asaj që ishim dikur: njerëz të thjeshtë.

Shumë vetë, me të drejtë, fokusohen në aktivitetet me synim goditjet e politikanëve dhe njerëzve të korruptuar të administratës shtetërore që po kryejnë prokuroritë më të rëndësishme shqiptare, duke filluar nga Spak, Prokuroria e Tiranës etj. Por një aspekt tjetër i jashtëzakonshëm është ai i goditjes së grupeve kriminale, që në dukje kanë mbuluar me luks fals qytete shqiptare, ndërsa në të vërtetë kanë mbërthyer prej vitesh zhvillimin normal të vendit, duke ua ulur kokën njerëzve të thjeshtë dhe të punës, duke shkelmuar sistemin meritokrat të suksesit, duke infektuar deri në gangrenë shoqërinë.

Në një vend të vogël dhe në zhvillim siç është Shqipëria jonë, perandori prej letre të “biznesmenëve” të ricikluar falë korrupsionit të drejtësisë, policisë, politikës dhe shpesh dhe mediave, në hetimet e përbashkëta të Shqipërisë dhe vendeve europiane, po bien duke treguar atë që janë realisht: Masa betoni, luksi përtej çdo logjike pune dhe suksesi.

Deri kur do të vazhdojmë të quajmë “biznesmenë” trafikantë apo ish-trafikantë droge, qëniesh njerëzore? Ka nga ata që i justifikojnë, ka nga ata që ua lavdërojnë trimërinë për t’u përballur e për t’i shpëtuar përndjekjeve të policive më të mira në botë: “Janë trima”, thonë. Pa menduar gjatë që këta trima përmbytin tregun tonë të vogël me paratë e tyre të pamata duke ngritur menjëherë çmimet e tokës, të imobiliareve, të çmimeve të konsumit të përditshëm, të aktiviteteve, të konkurrencës së pandershme. Një trafikant e ka të lehtë të bëjë lokalin më të bukur në krahasim me këdo, më të shkëlqyeshim, më design, duke lënë në hije ata që respektojnë rregullat dhe nuk janë aq trima sa shoqëria pretendon të jenë.  Një trafikant e ka mundësinë financiare të bëjë edhe biznesin më “in”, median më konkurruese e me teknologjinë më të fundit, partinë më shkëlqyese, po pastaj? Me të vërtetë mendojmë se mund të ecim përpara me “punën” e trafikantëve? Është vetëm çështje kohe zbulimi dhe rrëzimi i njëpas njëshëm tyre, njësoj si perandoritë e sudeve dhe alimuçajve. Askush nuk i shpëton logjikës dhe rendit të gjërave.

Do të vijë një kohë që të gjithëve do të na vijë turp për vilat gjigande gati Hollivudiane, për lokalet e bizneset që infiltrohen prej parave të trafikantëve… dhe i vetmi vend ku shpirti i shqiptari modern do të gjejë paqe janë dhe do të jenë apartamentet ekzistuese, me suvanë e tyre të rrjepur dhe me mungesën e ujit dhe të ashensorëve deri në katin e pestë.

The post Simbolika e pallateve “ekzistuese” të kohëve të shkuara first appeared on JavaNews.al.

Asgjë me tepri!

25 August 2025 at 17:58

Nga Alba Malltezi

Kushedi pse grekët e lashtë në hyrje të Tempullit të Delfit, (kushtuar Apollonit, perëndia e dritës, e arsyes dhe e të vërtetës) gdhendën dy shprehje në gurë. Vetëm dy: “Njih vetveten!”… dhe: “Asgjë me tepri! (“Μηδὲν ἄγαν” (Mēdén ágan),”. Këtë të dytën e kopjuan dhe romakët duke e përshtatur me “aurea mediocritas” (“vija e mesme”), e shtjelluar dhe nga autorë si Oracio.

Për të njohur vetveten, dihet, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, e kuptuar nga shumë, por e parealizuar dot nga të gjithë. Nuk është e lehtë të njohësh vetveten, qoftë edhe të ndihmuar nga mjeshtër që rreth kësaj çdo gjë e dinë. Pa folur pastaj për ata që mes nesh janë të bindur që njohin shumë mirë vetveten dhe të tjerët.

Të bombarduar përditë nga njerëz që kanë shumë, lëvizin shumë, flasin shumë, hanë shumë, predikojnë shumë, falsifikojnë shumë, manipulojnë shumë, duan shumë, shpenzojnë shumë etj., vjen e natyrshme dëshira për të njohur ato kohë kur mençuria njerëzore, edhe jo fort larg nesh, prodhonte tempuj emorakuj që parashikonin dhe parandjenin, orientonin dhe drejtonin: Asgjë më tepër… ose asgjë me tepri!

Legjenda tregon se shqiponjat e Zeusit u takuan në Delfi dhe vendosën se aty do të ishte kërthiza e botës. Dhe nga kërthiza e botës nuk mund të vinte këshillë më e mirë se Asgjë me tepri… që këshillonte ekuilibër në të gjithë aktivitetet: Mos jeto me ekzagjerime! Mos e lër veten pre të pasioneve të pakontrolluara! Kërko përherë ekuilibër dhe sens të masës! Virtyte të shtjelluara më pas nga filozofë si Sokrati, Platoni, Aristoteli, por edhe nga besime të ndryshme fetare.

A e kemi të nevojshme në kohët tona t’ua vemë veshin orakujve dhe perëndive antike? Nëse nuk dëgjojmë njëri-tjetrin, nëse nuk kemi figura që i respektojmë dhe vlerësojmë, nëse vendosim në qendër të gjithçkaje egon tonë, duam s’duam, ndodhin gjëra që nuk i parashikojmë dot, nuk i frenojmë dot në të mirë të vetes dhe të tjerëve.

Veç Tempullit të Delfit në Greqinë antike, një tjetër Tempull fare afër nesh, ose, sipas disa autorëve shqiptarë, mes nesh, ishte dhe ai i Dodonës. I thjeshtë, me një lis gjigand në qendër të tij që quhej Lisi i Zeusit ku njerëzit shkonin dhe bënin pyetjet më të thjeshta të përditshmërisë: Si mund të shërohem? Ku të besoj? Si të zgjidh probleme familjare? A do të kem fëmijë? A duhet të hapim luftë me fqinjët etj. etj. Më pas shërbëtorët e Tempullit u jepnin përgjigje kujtdo duke dëgjuar fëshfërimat e pemëve të lisit dhe të objeketeve metalike të varura në të.

Sigurisht janë legjenda, bestytëni, supersticione, por njerëzimi në kohë të kohëve, në çdo mënyrë dhe kudo, ka kërkuar ndihmë për të qëndruar në ekuilibër, në shëndet, në sensin e masës dhe të harmonisë. Për ta arritur, çdo mjet është i mirë: një mik, një shok, një orakull, një prift, një vend, një hoxhë, një legjendë, një histori e sidomos, të gjithë bien dakord se nuk ka më mirë për të zgjidhur çdo problem kur motoja është: Asgjë me tepri! 

The post Asgjë me tepri! first appeared on JavaNews.al.

Daniel Shima dhe enigma e 10 orëve të zhdukjes së tij

21 August 2025 at 21:26

Nga Desada Metaj

Më parë se policia të publikonte njoftimin për humbjen e kontaktit të ish-zv. drejtorit të AKSHI, gazetarët kishin marrë njoftime të ndryshme për zhdukjen e tij. E para që dha alarmin ishte e dashura e Shimës, njëkohësisht edhe avokate e tij në çështjen që po hetohet nga SPAK. Në telefonin e saj kishte mbërritur një mesazh “po më arrestojnë” dhe më pas çdo kontakt me Daniel Shimën ishte shuar si me magji, ndërsa mamaja e tij nga ana tjetër rendi drejt policisë për të marrë informacion për djalin.

Kur vetë Danieli u shfaq pas 10 orësh, burime brenda policisë, por jo ai vetë, përhapën lajmin se “zhdukja” kishte të bënte me një konflikt personal mes tij dhe të dashurës. A thua se bëhet fjalë për një adoleshent që befas ka zbuluar se dramat e dashurisë mund t’i shndërrojë në “giallo” për të tërhequr vëmendjen e publikut. Sido të jetë e vërteta, Daniel Shima nuk ka pasur nevojë për këtë vëmendje të madhe për zhdukjen e tij disa orëshe. Hyrje-daljet e tij në SPAK janë të regjistruara me saktësi, ndërsa ka mjaftuar vetëm hera e parë që hapi derën e Prokurorisë së Posaçme për të mos hyrë më në derën e AKSHI-t. Institucionit të përfolur për dhjetëra tendera dhe miliona të shpërdoruara për mbrojtjen kibernetike dhe ndërtimin e sistemeve elektronike që, në rastin më të mirë, nuk kanë funksionuar kurrë saktësisht.

Përtej kësaj, Daniel Shima është në dijeni të shumë transaksioneve të bëra nga AKSHI dhe shumë të dhënave sensitive për sigurinë kibernetike. Një njeri me kaq kapacitete dhe detyrë të rëndësishme, që ka pasur në dorë sigurinë e vendit, nuk mund të jetë viktimë e një drame xhelozie me të dashurën. Vetëm në rast se kjo e fundit është e përfshirë në ndonjë dramë më të rrezikshme se ajo e dashurisë në çift. Ndaj jo më kot, këqyrja e telefonit të saj është ende një proces i pazbardhur, ndërsa bisedat e fundit me të dashurin janë të vetmet që policia ka arritur të lexojë.

Ku ishte Daniel Shima 10 orët e alarmit për zhdukjen e tij? Ndoshta dikush kishte nevojë t’i bënte një paralajmërim të qartë dhe të fortë për të heshtur? Me kë udhëtoi ai një ditë më parë se të “humbte” në Borsh? Ka qenë udhëtimi i tij direkt apo është dashur të furnizohej me ushqim dhe karburant në Shijak? Të gjitha këto pikëpyetje kanë nevojë për përgjigje dhe hetimi duhet të nxjerrë të vërtetat për një ish-zyrtar që ruhet nga Garda e Republikës dhe befas ndihet i kërcënuar nga dashuria dhe zhduket pa lënë gjurmë.

Kush beson se drama personale me një vajzë ka zhdukur pa lënë gjurmë për 10 orë njeriun që ka pasur sekretet kibernetike të Shqipërisë në dorë, është thjesht një shikues i rregullt i telenovelave. Përndryshe, në çdo vend të botës kjo ngjarje do ngrinte një alarm të madh për sigurinë jo vetëm të një ish-zyrtari, por edhe të vetë Shqipërisë. Ndoshta do bëheshin edhe filma, por do ishin filma me mafia dhe mafiozë.

The post Daniel Shima dhe enigma e 10 orëve të zhdukjes së tij first appeared on JavaNews.al.

Turizmi, më të mirët nuk braktisen kurrë!

7 August 2025 at 19:45

Nga Alba Malltezi

Me një celular në dorë, qytetarë shqiptarë dhe të huaj janë kontrollorët më të mirë e të saktë të cilësisë së turizmit që ofrojmë.

Askujt nuk duhet t’i mbetet hatri: vetëm kritikat dhe dëshmitë personale mund të na përmirësojnë. Nuk ka pse të hatërmbeten më të mirët!

Askush nuk do t’i braktisë për dhomat apo ushqimin perfekt që ofrojnë. Por  hileqarët, arrogantët, përfituesit duhet të jenë në lupën e të gjithëve, nën kontrollin e të gjithëve.

Nuk duhet marrë për bazë dëshmia e korruptuar, qoftë lavdëruese, qoftë kritikuese e personazheve Vip apo influencer që flasin për turizmin me pagesë. Larg tyre.

Dëshmia e njerëzve të thjeshtë mbetet përherë ajo me autentike. Në resorte, plazhe, restorante janë mësuar t’ua bëjnë shërbimin mirë të famshmëve, problemi mbetet me masën e madhe dhe anonime të pushuesve.

Dhe me demokracinë e rrjetit, edhe masa e ka marrë fuqinë denoncuese. Një oxhak me tym të zi në mes të Sarandës, një psikopat me makinë të shtrenjtë buzë detit nën këmbët e pushuesve, nuk shpëton nga filmimet dhe denoncimet!

Askush nuk duhet të ndjehet i prekur prej tyre. Më të mirët, nuk braktisen nga pushuesit, përkundrazi, radha para tyre do të shtohet.

The post Turizmi, më të mirët nuk braktisen kurrë! first appeared on JavaNews.al.

I gjithë Shteti tek Onkologjiku!

30 June 2025 at 22:23

Nga Alba Malltezi

Është kaq e rëndë që në vite e vite gazetari, kur nëna të sëmura me kancer gjiri trokisnin në redaksi për të kërkuar ndihmë sepse i kthenin mbrapsht pa bërë terapitë, të konstatojmë se kjo histori tragjike në vendin tonë vazhdon.

Është një vello e zymtë dhe e mistershme forcash që lëvizin rreth këtij reparti dhe sa herë që ngre kokë, përmirësohet e lulëzon, i hidhet papritur përsipër për t’i marrë frymën. Aparate që prishen si të ishin më të dobëtat “karroca dyli” të vitit 2025, radhë pacientësh në temperaturat përvëluese të kësaj vere që duket se e nxehtë do të vazhdojë të jetë për shumë kohë.

Ndërsa shohim me çlirim se nëpër plazhe po krijohen më në fund hapësira publike për njerëz që nuk mund të paguajnë aq shumë sa për një shezlon, nga ana tjetër, në zemër të kryeqytetit, ngushtohen si në tuba që të çojnë në momente ferri, mundësitë për shërbim ndaj bashkëqytetarëve me barrën më të rëndë të jetës së tyre: përballjen me një tumor.

Ashtu si në bregdet, ku forca të ndryshme të Shtetit janë bërë bashkë për ta bërë Shqipërinë mikpritëse për të gjithë, te Onkologjiku, veç gazetarëve të përkushtuar, duhej të ishin akoma më shumë politikanë, organizata, institucione që të bëheshin bashkë për të ofruar, për të rregulluar, për të korrigjuar, për të survejuar që shqiptarëve në nevojë t’u krijohen kushte dinjitoze për t’u kuruar.

Onkologjiku, nga ankthi dhe tmerri duhet të kthehet një oaz mikpritje ku mjekët të dalin te dera e të takojnë buzagaz shqiptarët e sëmurë në këto ditë të nxehta.

Më vjen në mendje në 2011 një mjek i mirë i ish onkoligjikut tonë kur e pyeta se si mund të punonin në ato kushte të tmerrshme: “Çfarë të bëjmë, – më tha, – jemi mësuar!”. Për fat të mirë Onkologjiku sot është ndryshe nga ai i vitit 2011, por me gjithë zbukurimin struktural, aparatet vazhdojnë akoma të jenë nën diktatin e hileve të atyre që nuk duan të ndryshojnë.

I vetmi që mund të jetë më I fortë se çdo hile, është vetëm Shteti dhe strukturat e tij duhet të jenë të gjitha tek Onkologjiku. Të vëzhgojnë e të ndihmojnë.

The post I gjithë Shteti tek Onkologjiku! first appeared on JavaNews.al.

Luksi në turizmin tonë duhet të jetë si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë…

16 June 2025 at 09:28

Nga Alba Malltezi

Një port jahtesh në zonën turistike në Liguria është ndërtuar prej 1964. Janë 61 vite eksperiencë të turizmit lokal, global, e tani masiv. Liguria “përmbytet” nga turistë përvit. Në port ka shumë varka me vela dhe jahte të përmasave të ndryshme. Alessandro është një skipper (drejtues varke me vela) që nga jeta e chef-it të kuzhinës në Torino, tani jeton prej vitesh në portin turistik. Dikur “mollë e ndaluar” për masën, italianët e pasur, që shumicën e kohës nuk i përdorin varkat e tyre të çmuara, kanë gjetur një mënyrë për t’i bërë ato “popullore”: Shëtitje të shkurtra apo të gjata, aperitive në perëndimin e diellit, deklarata për fejesë apo martesë, mbrëmje romantike… e qindra ide të tjera i kanë hapur këto lundrues për njerëzit e thjeshtë, të cilët me shifra modeste mund të kalojnë orë mbresëlënëse. Mjafton një skipper apo një kooperativë e krijuar prej tyre dhe, sigurisht, respektimi dhe njohja e rregullave të rrepta të lundrimit.

Shqipëria tani është në hapat e parë të ndërtimit të marinave të cilat “premtojnë” të jenë superluksoze, superekskluzive; menaxherë të mirëpaguar sillen nga jashtë, të gatshëm t’ua bëjnë qejfin pronarëve e t’i mburrin se janë në vendin më ekskluziv dhe më të paparë në botën mbarë. Në vendin tonë të vogël, ku pak janë metrat katrorë, rrezikohet të krijohen mini-hapsira të aksesueshëm vetëm për pak vetë. Në kohën kur luksi në botën e qytetëruar hapet dhe bëhet më popullor, ne premtojmë ta mbyllim e ta krijojmë përmes çmimeve dhe rrethimeve, vende për pak të privilegjuar. Janë të njëjtat fytyra shqiptarësh që shihen kudo: në mal, në det, në resorte, në agriturizme të jetojnë dhe të ripropozojnë luksin tonë. Po sa shtëpi kanë? Dhe sa kohë kanë këta t’i jetojnë pasuritë që reklamojnë? Do të na duhet të kalojmë 61 vite eksperiencë të Ligurias për të kuptuar që e kundërta është rruga? E bukura duhet të jetë e prekshme për këdo.

Alessandro, skipper-i në portin në Liguria njeh të gjithë pronarët e varkave përreth: “I përdorin rrallë e më rrallë. Disa prej tyre po vendosin t’i japin për shërbime turizmi në kooperativën tonë”. “Buongiorno Dottore!”, përshëndet një zotëri plot sqimë që ecën mbi pedanën e drunjtë. “Ja ky doktor nga Milano është një nga ata që do të na besojë varkën e tij për ta vënë në përdorim gjatë vitit për shërbime turistike. Deri tani kemi 7 të tilla”.

Tek ne, në vend që të shfaqen të njëjtët, pak shqiptarë në vendet e luksit që po lindin në Shqipëri, a nuk do të ishte e udhës dhe tepër unikale që luksi të niste si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë dhe jo si një mollë e ndaluar?

The post Luksi në turizmin tonë duhet të jetë si “bukë, kripë e zemër” për të gjithë… first appeared on JavaNews.al.

Kolegji Zgjedhor ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e 11 majit

3 June 2025 at 21:51

Nga Desada Metaj

Kolegji Zgjedhor duket të jetë i vetmi institucion i drejtësisë që ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e procesit zgjedhor të 11 majit. Bëhet fjalë për votën personale të kandidatëve të listave të hapura, disa prej të cilëve pretendojnë se votat u janë “tjetërsuar” gjatë procesit të numërimit.

Gjithçka nisi menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, ku disa kandidatë u ndanë me njëri-tjetrin me rezultat të ngushtë, duke bërë që çdo votë të numërohej me shumë kujdes dhe të mbahej shënim me rigorozitet. Nga PS, në këtë proces u përfshinë kandidatët Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti dhe Xhemal Qefalia. Nga PD, rezultati i ngushtë mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit, si dhe ai mes Arian Ndojit dhe Aulon Kalasë, bëri që mjeku i njohur dhe aktivisti të jenë tashmë në qendër të një lëvizjeje juridike (dhe politike) për të kërkuar të drejtën dhe të vërtetën e votave personale si kandidatë të listave të hapura.

Ndërsa Edi Rama e “zgjidhi” shpejt e shpejt me një mesazh “grindjen” e disa kandidatëve që kërkuan numërim, Sali Berisha u tregua fillimisht i hapur për transparencë. Por deklaratat publike të kryetarit të PD nuk ishin në sinkron me lëvizjet e përfaqësuesve të kësaj partie në KAS, të cilët hodhën poshtë kërkesën e kandidatëve Alimehmeti dhe Kalaja për rinumërim të votave për Tiranën.

Zyrtarisht, KQZ u ka dorëzuar, pas kërkesës, kandidatëve që kanë pretendime, filmimet e numërimit të votave. Me gjasë, ata dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë kanë konstatuar shkelje, teksa dorëzuan në KAS kërkesën për rinumërim. Por kjo kërkesë u hodh poshtë me pretendimin se një kërkesë e tillë duhej të paraqitej nga subjekti politik dhe jo nga kandidati. Në këtë rast, PD i “braktisi” kandidatët e saj, duke hedhur poshtë të drejtën e tyre për transparencë dhe duke e bërë Sali Berishën të dukej paksa gënjeshtar në premtimet e tij publike.

I vetmi anëtar i KAS që votoi pro kërkesës së kandidatëve të PD për transparencë, Ilir Rusmali, u sulmua fort nga PD, pasi me gjasë doli nga rreshti i “marrëveshjes” mes PS dhe PD për të mos hapur telashe vetes me rinumërim votash.

Tashmë, kandidatët e PD kanë dorëzuar kërkesën në Kolegjin Zgjedhor për të kërkuar të drejtën e rinumërimit të votave. Në dorë të këtij kolegji duket se është edhe fati i zhvillimeve politike (dhe jo vetëm) të partive politike, pas një fushate të personalizuar mes Ramës dhe Berishës dhe listave me besnikë të dy forcave kryesore.

Është e qartë se as Rama dhe as Berisha nuk duan hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave, sidomos në Tiranë, ku ylli i PS shkëlqen me 20 mijë votat e Blendi Gonxhes dhe ku diferenca mes kandidatëve të PD është e vogël. Në kutitë e Tiranës dhe Durrësit, ndoshta mund të ketë të papritura të pakëndshme për PS dhe PD. Ndaj, para kësaj mundësie të vështirë për t’u kapërcyer, pas një procesi zgjedhor me shumë pikëpyetje, siç kanë bërë dhe herë të tjera për llogari të status quo-së së tyre, Edi Rama dhe Sali Berisha kanë përcaktuar kufijtë e lojës duke mos lejuar rinumërim.

Një sqarim juridik i detyruar: në një nga daljet e tij, Sali Berisha deklamoi me të madhe se ai është për transparencë dhe se do të mbështeste kandidatët e tij për t’iu drejtuar KAS-it. Nga ana tjetër, sqaroi ndër të tjera se fillimisht duhet të sqarohej çështja e pavlefshmërisë dhe, pastaj, nëse kandidatët kishin pretendime për “tjetërsime” votash, duhet të paraqiteshin te ai që, si kryetar i “subjektit zgjedhor”, të kërkonte në një moment të dytë edhe transparencën, pra rinumërim ose rivlerësim të votave. Në fakt, Kodi Zgjedhor është pak ndryshe. Kodi Zgjedhor, në nenin 124, pika 2, fjalia e dytë ka këtë parashikim: “Ankimi ndaj vendimit mund të përmbajë ndryshimin e Tabelës Përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore ose/dhe pavlefshmërinë e rezultatit në një apo disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi”.

Me fjalë të tjera, kur një subjekt zgjedhor ka pretendime të të dyja llojeve – pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe rinumërim/rivlerësim të zgjedhjeve – ato mund të paraqiten njëkohësisht në KAS. Nuk është e detyrueshme që fillimisht të ezaurohet ankimi për pavlefshmëri dhe më pas, në një moment të dytë, ankimi për “rinumërim/rivlerësim”. Fakt është që subjekti PD, si parti politike, ka kërkuar vetëm pavlefshmëri të zgjedhjeve (në qarqe të caktuara), pa kërkuar edhe transparencën e votave!

Tashmë, që ankimi i subjektit PD është paraqitur vetëm me kërkesën për pavlefshmëri (pa e shoqëruar edhe me kërkesën për transparencë të numërimit/rivlerësimit), me shumë gjasë nuk ka më hapësirë që të kërkohet nga PD “në një moment të dytë” transparenca.

Nga ana tjetër, deri më tani është mbajtur si praktikë e mëparshme që “kandidatët e një partie” nuk mund të paraqesin një ankim të pavarur nga subjekti i tyre. Një rregull alogjik dhe diskriminues (vini re: deri edhe kandidatët e pavarur e kanë një të drejtë të tillë). Kjo praktikë, nëse nuk ndryshohet nga Kolegji Zgjedhor, do t’i vërë një kapak të rëndë kërkesës legjitime të kandidatëve për transparencën e votave të tyre. Kjo do të ishte as më pak e as më shumë një “beseprerje” që partia u bën kandidatëve të vet!

The post Kolegji Zgjedhor ka në dorë të zbardhë një nga të vërtetat e 11 majit first appeared on JavaNews.al.

Votat nuk ua “vodhi” Rama, por Agron Shehaj, Lapaj etj

14 May 2025 at 09:16

Nga Desada Metaj

Mes shumë analizave, debateve dhe përballjeve, një fakt nuk ndryshon: Edi Rama ka siguruar mandatin e katërt, i pashqetësuar nga askush i përfshirë në garën për zgjedhjet e 11 majit. Shumëkush, në banakët televizive apo në rrjete sociale, ka nisur të bëjë llogaritë për numrin e zvogëluar të votuesve nga njëra palë zgjedhjeje në tjetrën, analiza shifrash që pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk i kuptojnë. Disa të tjerë po shajnë e mallkojnë SPAK-un dhe partitë e vogla si shkaktare të humbjes katastrofike të PD-së. Me gjasë, të tjerë janë duke u përgatitur të rendisin dhe të bërtasin ku të munden për parregullsitë që shoqëruan procesin elektoral të së dielës. Dhe kanë të drejtë.

Makineria elektorale e mazhorancës funksionoi siç ka bërë rregullisht në 3 zgjedhjet e fundit: sistem i qartë patronazhimi, mbështetje me asetet e administratës dhe plot shkelje të tjera të konstatuara si nga prokuroria, ashtu edhe nga misioni i OSBE/ODIHR. Por që, në shumatorën e tyre, nuk e zhbëjnë dot diferencën e madhe prej 30 mandatesh që e spostuar ka edhe më larg mazhorancës PD-në dhe mbështetësit e saj.

Për të arritur deri këtu, për të marrë një rezultat shumë herë më të dobët se ai i vitit 2021, PD-së iu desh të kalonte një kalvar të gjatë përçarjeje dhe përplasjesh deri dhe fizike. Një retorikë plot urrejtje dhe mllef për dy pjesët pro dhe kundër Sali Berishës. Ky i fundit, padyshim, mban përgjegjësinë kryesore për këtë katandisje faqezëze të partisë më të madhe në opozitë. Autokrati që synim të vetëm kishte mbajtjen e partisë si bunker për familjen e tij zullumqare dhe “non grata”, ia doli të rivendoste kontrollin mbi PD-në, edhe pse 3 vite më parë, qartas, ajo ishte e ndarë në dy pjesë thuajse simetrike pro dhe kundër Sali Berishës.

Këto dy grupe u përballën me njëra-tjetrën në përpjekje për të marrë kontrollin e partisë, por Sali Berisha ia doli që veç PD-së të shpartallonte edhe atë pjesë që donte ndarjen përfundimtare me berishizmin. Dhe për këtë një dorë i dhanë paaftësia e Lulzim Bashës për të drejtuar një grup jo të vogël demokratësh anti-Berishistë, lojërat meskine dhe qëndrimi pa qëndrim i Gazment Bardhit, Agron Gjekmarkajt apo Jorida Tabakut.

Tashmë, grupi dikur prej më shumë se 20 deputetësh kundër Sali Berishës është thuajse i shpërbërë, dhe për ta mendoi lideri historik, që i shpërbleu sipas shërbimit që i bënë në ditët e vështira. Disa në listë të sigurt, të tjerë duke u përpëlitur për mandat dhe dikë tjetër jashtë parlamentit.

A ia vlejti gjithë ajo betejë për Sali Berishën në PD? A dolën demokratët më mirë në këto zgjedhje se në ato të vitit 2021? Çdo njeri normal e kupton se përçarja, për të disatën herë për shkakun e Sali Berishës, vetëm e tkurri edhe më shumë PD-në. Dhe me gjasë, kjo e 11 majit është goditja e fundit që duket se do ta shembë atë godinë të njollosur nga 8 janari dhe në të cilën nuk u festua kurrë për fitore.

Edi Rama ka padyshim përgjegjësinë kryesore për katandisjen e Shqipërisë sot. Ai ka përgjegjësi edhe për telendisjen e opozitës: herë duke mëkuar Berishët me llokma pushteti të padukshëm financiar, e herë të tjera duke përçarë dhe bullizuar atë çka u shkëput nga PD-ja, emrat e rinj të politikës. Por a ka përgjegjësi kjo opozitë për katandisjen që u ka bërë shqiptarëve dhe shpresës për ndryshim?

A ka përgjegjësi Sali Berisha dhe lakejtë e tij që ndryshuan kodin për t’ia bërë Ramës më të lehtë fitoren e 80 e kusur mandateve?As Sali Berisha, as Oerd Bylykbashi, nuk janë aq naivë sa të mos llogarisnin humbjen e sigurt dhe të thellë që i dhuruan Ramës – qoftë përmes sistemit zgjedhor, qoftë me votën e diasporës. Por një motiv më i fortë se dëshira për të fituar i shtyu drejt asaj zgjedhjeje: ruajtja me çdo kusht e pozicionit të “opozitës së konsoliduar”, të padiskutueshme dhe të pasfiduar nga askush.

Ky motiv tashmë është i qartë: përdorimi i Partisë Demokratike si mburojë përballë drejtësisë dhe si armë kundër shpalljes “non grata”. Në vitin 2021, ai luftoi një pjesë të demokratëve brenda selisë. Tani, i ka shitur të gjithë. Prandaj sot bën sikur nuk njeh zgjedhjet – ndonëse sistemi ishte ai që vetë propozoi dhe menaxhoi përmes njerëzve të tij. Bën sikur revoltohet me votën e diasporës greke – ndonëse ai vetë e propozoi dhe e votoi. Ironia e fatit? E justifikon humbjen me votat nga diaspora në Greqi – pikërisht shteti që sot e përkëdhel, falë miqësisë së rizbuluar me Fredi Belerin.

Po për fushatën e pashije, milionat e pajustifikuara për lobimin në SHBA, listat faqezeza, a mban Sali Berisha përgjegjësi? Vështirë duket, por “misionari”, siç e quan veten, e ka gati refrenin e mosnjohjes dhe revolucionit. Sepse Sali Berisha nuk surprizon më askënd prej shumë kohësh.

Sikundër është një libër i hapur dhe ajo që pritet të ndodhë në shtator, në parlamentin e ardhshëm me besnikët e tij të listave të mbyllura, humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve që bashkë me të vulosën fatin e tkurrjes më të madhe në historinë e PD-së. Garda pretoriane e Saliut tashmë e ka një vend në parlament, një rrogë të mirë e ndonjë privilegj nga ato që Rama nuk ia kursen revolucionit demokrat. Mos mendoni se kanë ndërmend të bëjnë ndonjë analizë. Me gjasë ende nuk e kanë kuptuar se votat që ju mungojnë nuk janë ato të socialistëve, por janë votat e mijëra demokratëve të mërzitur me ta, të atyre që nuk votojnë më Sali Berishën.

Janë votat e demokratëve që nuk duan të shohin më në lista fosilet e tranzicionit apo besnikët e Ilir Metës. Janë votat e ca njerëzve të lirë që mendojnë se alternativë nuk mund të jetë të zgjedhësh të keqen më e vogël. Mbi të gjitha brenda në PD as nuk do ta vrasin mendjen të kuptojnë që Agron Shehaj, Adriatik Lapaj dhe të tjerët kanë “zbrazur” hambarin e votave të PD-së. Dhe se nëse do të kishin qenë në një aleancë do të kishin sot shumë më tepër deputetë.

Në atë që ka mbetur nga ajo parti, askush nuk do analizojë ftohtë dhe të përballet me realitetin për ta përmirësuar atë çfarë ka mbetur. Sepse kur logjika vdes, ajo që mbetet është keqardhja madhështore për një parti dhe një grusht njerëzish që ia dolën ta shndërrojnë humbjen e katërt radhazi në një normalitet. Ndaj mos u habisni kur të thonë që përgjegjësinë për humbjen e tyre e ka…populli.

The post Votat nuk ua “vodhi” Rama, por Agron Shehaj, Lapaj etj first appeared on JavaNews.al.

Do të quhet Leoni i XIV/ Papa i ri përshëndet besimtarët nga ballkoni i Lozhës së Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit

By: A M
8 May 2025 at 19:25

Robert Francis Prevost i cili u zgjodh rreth orës 18:08 të ditës së sotme si Papa i ri, ka përshëndetur besimtarët nga ballkoni i Lozhës së Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit.

Emri i tij papnor do të jetë Leone XIV.

Ai është amerikani i parë i zgjedhur si Papë,. ndërsa konsiderohet si lider me eksperiencë të madhe që ka kaluar të gjithë karrierën në Amerikën Latine dhe ka shërbyer në zyrën e Vatikanit.

Ai pritet të jetë vazhdues i reformave të nisura nga Papa Françesku.

The post Do të quhet Leoni i XIV/ Papa i ri përshëndet besimtarët nga ballkoni i Lozhës së Bekimeve në Bazilikën e Shën Pjetrit first appeared on JavaNews.al.

6 milionë dollarë të pista për të pastruar Berishën

27 April 2025 at 16:53

Nga Desada Metaj

Le ta themi që në fillim: 6 milionë euro nuk janë para që janë mbledhur nga shqiptarët e Amerikës për të lobuar për Sali Berishën. Sikundër as Edi Rama, Ilir Meta apo Lulzim Basha nuk i kanë pasur para donacionesh ato që kanë përdorur gjatë opozitës për të dalë në foto me presidentin e SHBA. Burimi i parave të partive politike në Shqipëri është aq i njohur nga publiku dhe aq i pahetuar nga prokurorët sa dhe fakti që 6 milionë euro të paguara nga PD për lobim në SHBA janë para të bizneseve (të pastra a të pista qofshin) që kanë lulëzuar gjatë “narkoregjimit” të Edi Ramës. Nuk mund ta fshehësh faktin që eksponentë kryesorë të PD, përfshirë familjen e Sali Berishës, kanë bërë biznes fitimprurës këto vite. Por kjo do të ishte e keqja më e vogël sikur në emër të këtij biznesi që është pasuruar me miliona euro të mos ishin sulmuar dhe anatemuar të gjithë ata që nuk kanë qenë në një linjë politike me Sali Berishën.

Që Sali Berisha bëri luftë të madhe për të marrë logon dhe vulën e PD në emër të betejës pa kompromis të luftës me qeverinë e kanë besuar tri kategori: njerëzit e afërt me të, ata që kanë qenë përfituesit e skemës së përfitimit të milionave, një pjesë e opinionbërësve publikë që na kanë shurdhuar veshët me teoritë se të gjithë ata që nuk janë në front me Sali Berishën janë të shitur te Rama, dhe pjesa e tretë. Ata më të keqtrajtuarit këto 12 vjet nga çdo parti politike. Ata që kanë besuar verbërisht se Rama do të ikë dhe në krye të kësaj beteje duhet të jetë Sali Berisha dhe shpura e tij. Ata që kanë 12 vjet që shpresojnë se gjërat do të ndryshojnë dhe ndoshta do të shohin një ditë të bardhë. Janë ata që sot janë më të tulatur se asnjëherë dhe mundohen të kuptojnë: ku u gjendën 6 milionë euro që Sali Berisha t’i bëjë figurës së tij makiazhin e fundit – heqjen e “non grata”-s.

Kush e ka ndjekur këtë fushatë elektorale e ka dëgjuar mjaftueshëm kryetarin e PD tek thotë se nuk ka ambicie politike për t’u bërë kryeministër. Dhe ndoshta kjo është një nga të paktat të vërteta që thotë në këtë fushatë. Sepse Sali Berisha paska qenë i qartë në ambiciet e tij. Nuk do të jetë kryeministër, ai kërkon thjesht të qëndrojë në krye të PD. Si mënyrën më efikase për të hequr “njollën” për të dhe familjen e tij. E mesa duket nuk është shumë larg këtij qëllimi. Por ndërsa lobimi prej 6 milionë eurosh mund ta ndihmojë në qëllimin e tij, kush dreqin e di se ç’do të ndodhë me të gjithë ata që shohin shpresë në 11 maj me logon e PD? Do të ketë sërish zhgënjim? Me gjasë po. Sado të përpiqen zhurmëmëdhenjtë e mirëpaguar të Sali Berishës, nuk e mbysin dot realitetin ulërues që po e çon Ramën drejt mandatit të katërt. Sado të bërtasin fort se e keqja qëndron tek ata që i bëjnë opozitë opozitës, nuk e fshehin dot faktin e thjeshtë se 6 milionë euro për makiazhin e Sali Berishës do të shërbejnë për diçka: së paku do të ftillojnë shumë shqiptarë të kuptojnë se opozita e opozitës në të vërtetë janë ata që i kanë tërhequr zvarrë me shpresa boshe për një betejë imagjinare me Edi Ramën. Se opozita e opozitës janë ata që bëjnë miliona që s’mund të bëhen kurrë pa bekimin dhe mbështetjen e Edi Ramës. Dhe se, në fund të ditës, 6 milionë euro të shpenzuara kaq keq do të ndihmojnë që në këtë vend të rritet numri i atyre që mendojnë me mendjen e vet dhe me arsye normale: nuk ka pse të zgjedhësh gjithmonë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ndoshta nuk të bind asnjë variant i tretë më 11 maj. Por së paku, ke të drejtë të mendosh si njeri i lirë dhe të mos zgjedhësh askënd.

Sepse nëse për kaq vite jeni përpjekur të na bindni se Edi Rama, nëpërmjet Soros-it, qenka përpjekur të njollosë Sali Berishën, i cili nga ana e vet paguan 6 milionë euro për të hequr njollën, mos ndoshta duhet të besojmë se, pa pasur miliona, është e pamundur të bësh politikë në Shqipëri?

The post 6 milionë dollarë të pista për të pastruar Berishën first appeared on JavaNews.al.

Epidemia finale pas të vërtetës së tradhëtuar

7 April 2025 at 11:05

Nga Alba Malltezi

Ekziston një profesion, tashmë i lashtë dhe fisnik, që dikur mbështetej mbi një marrëveshje: të thuash të vërtetën. Ky profesion është gazetaria.

Ai që shkruan për të treguar faktet, ai që flet për të informuar popullin, ai që heton për të zbuluar padrejtësinë, nuk ka thjesht një punë. Ka një mision. Dhe ky mision quhet E Vërteta.

Por çfarë ndodh kur e vërteta nuk kërkohet më, por shmanget? Kur ai që duhet të zbulojë gënjeshtrat, i përqafon ato? Kur informacioni kthehet në spektakël, lajmet bëhen armë, dhe gënjeshtra vishet si e vërtetë?

Ndodh që bota sëmuret.

Gazetari që ndjek gënjeshtrën — për servilizëm, për pushtet, për frikë, për intrigë — nuk është thjesht një tradhtar i profesionit të vet. Ai është një mbjellës i kaosit. Sepse gënjeshtra, kur del nga goja e dikujt me autoritet, nuk është më një gabim: është helm.

Një popull që jeton në mashtrim humbet busullën. Nuk dallon më të drejtën nga manipulimi, realen nga e sajuara. Dhe në këtë mjegull, ai që gënjen bëhet mbret, dhe ai që kërkon të vërtetën bëhet një i çmendur që duhet të heshtë.

Por e vërteta nuk është kurrë e lehtë për t’u gjetur, ndryshe nga gënjeshtrat që prodhohen lehtësisht sepse nuk kanë nevojë të vërtetohen. Për të thënë të vërtetën një gazetari shpesh i duhet të paraqesë dy versione të të njëjtit fakt. Le të marrim shembullin e një procesi penal: krahas versionit të prokurorisë, gazetari ka për detyrë të paraqesë edhe versionin e mbrojtjes. Por kjo është një detyrë, jo një formë manipulimi. Të pretendosh të kundërtën është një gënjeshtër.

E megjithatë e Vërteta — ajo e vërtetë— nuk vdes. Mund të fshihet, të shkelet, të injorohet. Por ka një forcë të çuditshme: reziston. Dhe më në fund, kthehet. Edhe kur frikëson. Edhe kur kushton.

Të jesh gazetar do të thotë të kesh guximin të humbasësh diçka për të thënë të vërtetën. Do të thotë të zgjedhësh rrezikun, mosmirënjohjen, ndoshta edhe gabimin, por kurrë bashkëpunimin me gënjeshtrën.

Sepse heshtja përballë gënjeshtrës është një formë e hollë dhune. Dhe ai që hesht, duke ditur, është bashkëfajtor.

Sot më shumë se kurrë, në një botë të mbushur me zhurmë, me opinione të maskuara si fakte, me tituj që bërtasin për klikime, duhen rojëtarë. Duhen zëra të kthjellët, të qartë, të gatshëm të paguajnë çmimin për të qenë të ndershëm.

E vërteta nuk ka nevojë për heronj, por për dëshmitarë. Dhe nëse gazetarët nuk janë mes tyre, kush do ta tregojë botën siç është në të vërtetë?

Si një ortek që prej vitesh mbarset me gënjeshtra të fabrikuara, duket se sot, mbi shqiptarët po shohim epilogun e 30 viteve manipulim: Dihet kush i bën, dihet nga vijnë, njihet dora, stili, fryma. Po çdo ortek, e çdo epilog, sado i zhurmshëm, i frikshmë, apo i bujshëm, e ka një fund. Edhe në gazetarinë shqiptare, ky fund i manipuluesve profesionistë, është i pashmangshëm. Do të vijë.

The post Epidemia finale pas të vërtetës së tradhëtuar first appeared on JavaNews.al.

Narkoopozita kundër narkoshtetit/ Pse PD nuk arrin të jetë alternativë bindëse

2 March 2025 at 19:10

Nga Desada Metaj

Për të kuptuar se si është katandisur qeverisja, ndoshta duhet t’i hedhim një sy opozitës. Nëse biem të gjithë dakord që Edi Rama duhet të largohet, pyetja që mbetet pa përgjigje është: opozita si është?

Dhe për këtë mjafton të shohësh si kanë zhvilluar një proces të brendshëm primaresh – një garë që, në parim, duhet të ishte një vlerë për demokracinë e brendshme të një partie. Por në realitet rezultoi një farsë e shëmtuar, të cilën mund t’ia kishin kursyer një publiku të velur nga demagogjia dhe propaganda.

Për këtë mjafton të shohësh faktin se gati 24 orë pas mbylljes së votimit për primaret në Tiranë, ende nuk ka një rezultat të publikuar zyrtarisht nga PD. Dhe kjo nuk është çështje teknike, por terësisht vullnet politik i lidershipit demokrat.Pse nuk shpallet rezultati i Tiranës? Mos ndoshta sepse Berisha & Co duan të vendosin në krye ata që nuk janë të pëlqyer nga demokratët, por janë “besnikët” trushpëlarë të kryetarit? Qartësisht, nuk ka asnjë arsye apo justifikim për këtë ngërç, i cili, më shumë se primaret e stisura, tregon qartë batakun ku është zhytur partia më e madhe e opozitës.

Po për elementët e krimit që ndiqnin mbrëmë fizikisht në zyrat e PD numërimin e votave, a ka ndonjë shpjegim Sali Berisha? Apo “narkoqeverinë” (siç i pëlqen ta quajë) do ta luftojë me një “narkoopozitë”?

Me çfarë alternative, morali dhe figurash të reja do të përballet kjo opozitë në më pak se dy muaj? A mendojnë vërtet drejtuesit e saj se arrnimet që i bëjnë përfaqësimit të PD do të mund të jenë alternativa që do të mundë Edi Ramën?

Si ka mundësi që një opozitë që e ka fushën thuajse të lirë, pas arrestimeve të figurave më të rëndësishme të kundërshtarëve politikë, nuk arrin jo të shënojë gol, por as të afrohet në zonën e sulmit? A mos është dhe kjo opozitë e kapur nga tentakulat e krimit siç akuzon mazhorancën? Pse duhet të shfaqen në selinë e demokratëve gjatë procesit të votimit të primareve persona me rekorde kriminale?

Një përgjigje ndoshta lidhet me faktin se PD nuk do të vijë në pushtet. I mjafton të jetë aty ku është, në opozitën përballë Edi Ramës, ku secila palë mban fort tjetrën, në një skenë që qelbet erë politike të vjetëruar.

Dhe për të gjithë ata që ankohen se nuk mund t’i bësh opozitë opozitës, kam një përgjigje të thjeshtë dhe të sinqertë – një shprehje popullore:

“Qorr për qorr e kam në oborr.” E nëse nuk ke një alternativë bindëse, të paktën hesht, largohu dhe lër hapësirë që dikush tjetër të jetë alternativë – për t’i dhënë këtij vendi mundësinë të zgjedhë jo më mes të keqes më të vogël, por mes së mirës dhe së keqes.

Endri Tafani: Berisha nuk ka mbështetje në Greqi nga emigrantët shqiptarët, mban afër Fredi Belerin

By: A M
25 February 2025 at 23:00

Për analistin Endri Tafani, Berisha kërkon një mbështetje politike nga Greqia prandaj bëri atë deklaratë për çështjen e detit. Sipas tij, kjo bëhet pasi Berisha nuk është shumë i favorizuar në Greqi për të marr vota, pasi nuk ka mbështetje atje nga shqiptarët.

‘Berisha kërkon një ndihmë dhe mbështetje politike për zgjedhje nga Greqia, sepse emigrantët u bë ose jo marrëveshja ata do vijojnë punën e vet. Nuk ka asnjë përfitim. Emigracioni në Greqi ka votuar për PS në zgjedhjet e kaluara. Ka një hatërmbetje të vjetër për PD. PS ka më shumë mbështetje në Greqi. Duke qenë se nuk është i favorizuar Berisha mban afër figurën e Belerit dhe pretendon që të ketë më tepër mbështetjen e Greqisë në zgjedhje’, tha ai.

“Mbështetësit e Hitlerit nuk ishin të gjithë kriminelë”, AfD rikthen dy politikanët e përjashtuar për komentet pro nazistëve

By: A M
25 February 2025 at 22:53

Dy politikanë të Alternativës për Gjermaninë (AfD) të ekstremit të djathtë, të cilët u mënjanuan për komentet që ata bënë në lidhje me nazistët, janë rikthyer në grupin e saj parlamentar pas performancës historike të partisë në zgjedhjet e përgjithshme gjermane.

Maximilian Krah dha dorëheqjen nga bordi ekzekutiv federal i AfD-së përpara zgjedhjeve evropiane qershorin e kaluar pasi i tha një gazete italiane se jo të gjithë anëtarët e SS të Adolf Hitlerit kishin qenë “automatikisht kriminelë”.

Matthias Helferich u zgjodh në parlamentin gjerman në vitin 2021, por dha dorëheqjen pasi shkaktoi zemërim nga deklarata e tij në një bisedë të rrjedhur në internet se ai ishte “fytyra miqësore e nazistëve”. Ai këmbënguli se thjesht kishte “parodizuar” të majtët në internet, sipas The Guardian.

Dorëheqja e Krah pasoi presionin nga partitë e tjera të ekstremit të djathtë, duke përfshirë Rassemblement National të Marine Le Pen, Lega e Italisë dhe Partinë Popullore Daneze.

Maximilian Krah dha dorëheqjen nga bordi ekzekutiv federal i AfD-së përpara zgjedhjeve evropiane qershorin e kaluar pasi i tha një gazete italiane se jo të gjithë anëtarët e SS të Adolf Hitlerit kishin qenë “automatikisht kriminelë”.

Polemika e ndezur nga komentet e tij – si dhe nga arrestimi i një prej këshilltarëve të tij nën dyshimin për spiunazh për Kinën – bëri që ai të pezullohej nga fushata zgjedhore evropiane nga udhëheqja e AfD.

Ai gjithashtu shkaktoi përjashtimin e AfD-së nga grupi tashmë i zhdukur Identiteti dhe Demokracia në parlamentin evropian, me Le Pen që tha se ishte e nevojshme të krijohej një ” kordon sanitar ” midis AfD dhe partive të tjera.

AfD, duke punuar me partitë e ekstremit të djathtë nga shtatë vende të tjera të BE-së, themeloi një grup të ri parlamentar , Evropa e Kombeve Sovrane, në Parlamentin Evropian.

Në atë kohë Krah tha në X: “Unë e pranoj se deklaratat e vërteta dhe të nuancuara të bëra nga unë po keqpërdoren si pretekst për të dëmtuar partinë tonë.”

Krah dhe Helferich janë tashmë pjesë e grupit parlamentar të sapozgjedhur të AfD-së pas mbledhjes së tij inauguruese të martën, në të cilën u vendos që të mos përjashtohen më dy deputetët.

Dashamir Shehi rrëfen kulisat për koalicionin zgjedhor: Jemi të hapur! Formula ime e mund Edi Ramën

By: A M
25 February 2025 at 22:46

Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, në emisionin ‘Ngjarja kryesore’ në RTSH, drejtuar nga Sonila Agostini ka treguar për herë të parë mënyrën se si u arrit në formulën se si u arrit të formohej koalicioni me partinë “Djathtas 1912” të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, parimet mbi të cilat u ngrit, si dhe shpjegoi formulën që do ta bënte opozitën të suksesshme, në ballafaqimin elektoral për të mundur Edi Ramën dhe PS.

“Ne duam që të bashkohen dhe parti të tjera dhe për këtë ende nuk i kemi vënë emër koalicionit. Edhe po nuk erdhën të tjerë ne do të ecim bashkë. Por ne i presim dhe të tjerët. Mjaft gjëra kanë mbetur pezull. Histori shqiptare ndonjëherë. Është mirë të jemi shumë bashkë. Jemi për listën e hapur sepse kemi bërë luftë për këtë. Lista e hapur ka moralin dhe pragmatizmin. Partitë alternative, i cili është termi i saktë, nëse do ishim në një listë të përbashkët, do të kishin më shumë se 200 mijë vota, duke bërë një pol të rëndësishëm politik. Me këtë formulë mundet Edi Rama. Lista e hapur tregon dhe vlerat e personazheve nëse janë apo jo të rëndësishëm”, tha Shehi.

Zgjedhjet parlamentare/ KQZ do shqyrtojë nesër kërkesat e 11 partive që kërkojnë të marrin pjesë në garë

By: A M
25 February 2025 at 22:38

Ditën e nesërme Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë kërkesat e 11 partive të reja, të cilat kanë dorëzuar kërkesën në KQZ për tu regjistruar për garën elektorale të 11 majit.

Mes 11 këtyre partive, kërksat e të cilave pritet të shqyrtohen nesër, bëjnë pjesë edhe ‘Djathtas 1912’ i Enkeljd Alibeaj, dhe ‘Koalicioni Euroatlantik’ i Lulzim Bashës.

Kërkesat që do të shqyrtojë nesër KQZ janë të:

“Aleanca Demokracia e Re”, me Kryetar z. Edmond Stojku

“Aleanca Demokratike Shqiptare”, me Kryetar z. Eduart Abazi

“Partia për Europianizim dhe Integrimin e Shqipërisë”, me Kryetar z. Rivelino Çuno

“Partia e Reformave Demokratike Shqiptare”, me Kryetar z. Krenar Rryçi

“Aleanca Arbnore Kombëtare”, me Kryetar z. Gjet Ndoj

“Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet”, me Kryetar z. Gaqo Apostoli

“Partia Bashkimi Popullor i Pensionistëve Shqiptar”, me Kryetar z. Selami Jenishehri

Partia “Ardhmërija Shqiptare”, me Kryetar z. Emin Subashi

Partia “Aleanca për Barazi dhe Drejtësi Europiane”, me Kryetar z. Valentino Mustaka

“Djathtas 1912”, me organ drejtues “Kolegji Politik”

“Koalicioni Euroatlantik” me Kryetar z. Endri Hasa

Panairi i Punës në Athinë, Rama: Do jem edhe unë të dielën atje

By: A M
25 February 2025 at 22:29

Më 2 Mars do të hapet në Athinë Panairi i Punës. Kryeministri Edi Rama e njoftoi zhvillimin e këtij Panairi të dielën, teksa sot në një postim në Facebook ka ftuar shqiptarët që të jenë të pranishëm në këtë aktivitet.

Rama bën të ditur se në Panairin ‘Puno dhe jeto aty ku ke zemrën’ do të jetë prezent edhe ai vetë.

“Mirëmbrëma andej nga Athina. Kaloni po mundët të dielën, do jem edhe unë atje dhe do të më pëlqente shumë të na shikonin pak bashkë ca tipa këtej e andej, e dini vetë ju kush e qysh. Καλώς να βρεθούμε (mire e kam shkruar?)”, shkruan Rama.

Rama u shpreh se në panairin ‘Puno dhe jeto aty ku ke zemrën’ profesionistët mund të gjejnë mundësi më të mira për punësim e rikthim në Shqipëri, por dhe një hap i rëndësishëm për karrierën.

“Lekët e laboratorit shkuan për kuzhinë”, gazetari zbardh skandalin tek Bujqësori

By: A M
25 February 2025 at 22:21

Gazetari Poli Hoxha, i ftuar në emisionin “Now”, tha se për masat e sigurisë të lëshuara në Universitetin Bujqësor, janë kryer disa hetime. Nisur nga këto hetime, Hoxha është ndalur në një detaj të laboratorëve në Universitet. Gazetari tha se janë bërë dhe falsifikime për këtë çështje.

“Ka disa hetime për këtë çështje dhe më kryesorja dhe skandalozja për mua personalisht, është çështja e një laboratori që do përdorej për mbrojtjen e konsumatorit dhe të kafshëve me një shifër rreth 270 milionë. Ata kanë bërë një kuzhinë amvise, përveç një frigoriferi që është profesional, gjitha pajisjet e tjera janë blerë shtrydhëse madje me çmim të lirë dhe shifra qesharake.

Nga ana tjetër janë bërë shumë falsifikime. Ka shumë persona në Universitet që nuk kanë pranuar të fimosin tenderat, kanë refuzuar të bëhen pjesë të kësaj çështje.

Më tej dua të shtoj se rektori kishte për detyrë të dilte para asamblesë që e ka zgjedhur, të dilte para gazetarëve nëso do donte të mbrojë institucionin dhe reputacionin dhe po të jetë për tu ankuar, nuk ka pse ta bëjë në një grup parlamentar politik dhe te një kryeministër. Nga pikëpamja shtetërore ka Presidentin, sepse rektorët pasi zgjidhen dekretohen nga Presidenti”, tha Poli Hoxha.

Rama për televizionin grek: Për mua Vorio Epiri nuk ekziston

By: A M
25 February 2025 at 22:12

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për televizionin grek MEGA, u pyet në lidhje me Vorio Epirin.

Pyetje: Nëntorin e kaluar vizituat Selanikut dhe gjatë fjalimit tuaj, thatë Vorio Epiri si term ka vdekur?!

Rama: “Nuk e thashë gjatë fjalimit tim. Unë nuk i përdor fjalimet e mia për të thënë gjëra që janë të pakuptimta. Ju përgjigja një kolegut tuaj më pas në konferencë shtypi. Pata një bisedë me gazetarët grekë. Një koleg i juaji më pyeti çfarë mendoj për Vorio Epirin? Për mua nuk ekziston, ndoshta është një mënyrë për ju për të përshkruar një realitet të caktuar, por jo për ne. Është njësoj si ne të themi, Shqipëria e Jugut. Nuk ka territore shqiptare, ka territore ku shqiptarët jetonin më parë. Pra territore shqiptare në Greqi nuk është gjëja e drejtë për t’u thënë. I bie të luajmë mendsh të gjithë ne, sepse do të nisim në realitete të së shkuarës dhe do sabotojmë të ardhmen tonë. Unë e shoh të ardhmen tonë, të qenit një si Euopianë. Çfarë do të thotë territore shqiptare në Greqi? Ashtu siç nuk e di çfarë do të thotë Vorio Epir”

Gjithashtu i pyetur lidhur me minoritetin grek në Shqipëri, kryeministri Rama u shpreh se nuk ka asnjë problem.

Në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri, nuk ka asnjë problem dhe se çdo pasaktësi që mund të ketë ndodhur, siç ishte një rast me një shkollë greke në Himarë, është thjesht një keqkuptim që mund të rregullohet”, tha ai.

Më tej Rama ka shpjeguar se Ministria e Arsimit greke duhet të dërgojë mësues për të funksionuar shkollën dhe se nuk ka asnjë problem në këtë drejtim.

❌