❌

Normal view

Banka Qendrore e Skandaleve

30 September 2026 at 22:46

Në Shqipëri duket se kemi krijuar një institucion të ri financiar.

Nuk ka seli. Nuk ka guvernator. Nuk publikon bilanc. Nuk mblidhet me konferenca shtypi.

Por funksionon shkëlqyeshëm.
Quhet Banka Qendrore e Skandaleve.

Dhe politika e saj monetare është fare e thjeshtë:

Kur bie interesi për një skandal, emetohet një video e re.

Kaq.

Nuk ka nevojë për reforma, komisione hetimore apo konferenca shtypi. Mjafton një telefon, një material intim dhe dikush që vendos se ka ardhur momenti për ta hedhur në treg.
Dhe tregu reagon menjëherë.

Dje flitej për Vlorën dhe Agasin.

Sot flitet për Hilën dhe videot intime.

Nesër, Zoti e di çfarë do të dalë nga arkivi i telefonave shqiptarë.

Kjo është politika monetare e shpërqendrimit.
Kur një çështje po bëhet shumë e bezdisshme, Banka Qendrore e Skandaleve ndërhyn në treg.

Hedh likuiditet.

Jo para.

Video.

Dhe inflacioni nis menjëherë.
Publiku që dje pyeste:

“Si dolën këto materiale nga një hetim?”

sot pyet:

“Kush është në videon tjetër?”

Dhe kjo është pjesa më gjeniale e mekanizmit.

Nuk ke nevojë ta rrëzosh lajmin e parë.

Mjafton ta varrosësh nën një lajm më të pistë, më intim, më kurioz dhe më të klikueshëm.

Skandali i vjetër nuk përgënjeshtrohet. Thjesht i hiqet oksigjeni.

Është si inflacioni.

Kur ke shumë para në qarkullim, paraja humbet vlerën.

Kur ke shumë skandale në qarkullim, skandali humbet vëmendjen.

Dhe kështu publiku kalon nga një video te tjetra si klienti në një supermarket skandalesh.

“Ma jep atë të Vlorës.”

“Jo, prit, tani kemi një të Hilës.”

“Po Agasi?”

“Lëre Agasin, ka dalë ofertë e re.”

Dy video për çmimin e një skandali.

Problemi është se këtu nuk kemi vetëm një çështje morali apo privatësie.

Nëse materiale intime janë publikuar pa pëlqimin e personave që shfaqen në to, pyetja serioze është: kush i ka nxjerrë, kush i ka shpërndarë dhe për çfarë qëllimi?

Sepse edhe videot e Agasit dhe Vlorës, pavarësisht çfarë përmbajnë dhe çfarë vlerë hetimore mund të kenë, janë bërë publike përmes rrjedhjeve që ngrenë po atë pyetje themelore:

Si dalin materialet nga duart e institucioneve dhe përfundojnë në duart e publikut?

Por sapo kjo pyetje fillon të bëhet shqetësuese, tregu ka nevojë për një produkt të ri.

Dhe ja ku vjen videoja tjetër.

Banka ndërhyn.

Norma e interesit për skandalin e vjetër ulet.

Kursi i videos së re rritet.

Media merr hov.

Rrjetet sociale ziejnë.

Komentuesit bëhen ekspertë të intimitetit të njerëzve të tjerë.

Dhe pyetja që duhej bërë dje harrohet.

Kjo është Banka Qendrore e Skandaleve: nuk prodhon përgjigje. Prodhon harresë.

Dhe ndoshta ky është mekanizmi më i përsosur i ekonomisë sonë të vëmendjes.

Sepse për të fshehur një skandal nuk është gjithmonë e nevojshme ta mohosh.

Mjafton të prodhosh një skandal tjetër.

Për të harruar një video, nxirr një video tjetër.

Për të zbehur një hetim, ndiz një spektakël.

Për të zhvendosur pyetjen, jepi publikut një kuriozitet.

Dhe kështu, ndërsa të gjithë shikojnë ekranin, askush nuk pyet më:

Kush po e kontrollon Bankën Qendrore të Skandaleve?

Sepse guvernatori mund të jetë anonim.

Por politika monetare është e qartë:

Kur publiku fillon të kujtojë shumë, emeto diçka që ta bëjë të harrojë.
/TemA

Gjykata Supreme lejon Trump të rifillojë deportimin e emigrantëve në vendet e treta –

30 September 2026 at 10:06


Gjykata supreme i ka lejuar administratës Trump të rifillojë deportimin e emigrantve në vende të tjera përveç vendit të tyre pa u ofruar atyre mundësinë për të treguar dëmet që mund të përballen, duke forcuar një mjet që Donald Trump e ka përdorur për dëbime të shpejta si pjesë e goditjes së tij ndaj emigracionit.

Gjyqtarët miratuan kërkesën e Departamentit të Drejtësisë për të ndaluar vendimin e gjyqtarit të distriktit amerikan me bazë në Boston, Brian Murphy, se politika e Departamentit të Sigurisë Kombëtare për të larguar emigrantët në të ashtuquajturat vende të treta është e paligjshme.

Ata gjithashtu ranë dakord të dëgjonin argumentet në mosmarrëveshje në dhjetor, me një vendim formal mbi politikën që do të ndiqet. Tre gjyqtarët e saj liberalë nuk u pajtuan me vendimin.

Avokatët federalë thanë se vendimi i gjykatës së shkallës së parë detyroi anulimin e një fluturimi deportimi që transportonte rreth 70 persona për në tre vende.

Gjyqtarët më parë lejuan që fluturimet e deportimit, një politikë thelbësore e administratës Trump, të vazhdonin përkohësisht kur çështja iu paraqit atyre vitin e kaluar. Në një tjetër fitore për administratën, gjykata supreme më pas hoqi kufizimet që gjyqtari kishte vendosur për të mbrojtur një grup burrash nga dërgimi në Sudanin e Jugut.

Më shumë se 25,000 njerëz janë deportuar në 29 vende sipas politikës së zbatuar vitin e kaluar, sipas një llogaritjeje nga grupet e të drejtave të njeriut, me shumicën dërrmuese që kanë shkuar në Meksikë .

Administrata ka kryer gjithashtu dëbime nga vende të treta në Sudanin e Jugut politikisht të paqëndrueshëm, të cilin Departamenti i Shtetit i SHBA-së i nxit amerikanët ta shmangin për shkak të rreziqeve të krimit, rrëmbimit dhe konfliktit të armatosur, si dhe në Ugandë, Guine Ekuatoriale, Liberi, Republikën Qendrore Afrikane dhe vende të tjera.

Kryengritja e Pallatit të Drejtësisë konfirmon dëshirën për të drejtuar “Republikën”

28 September 2026 at 21:30
Nga Hermes Kafexhiu
Sot pati një lajm në bllok nga drejtësia, ku institucionet refuzuan tryezën e Kryeministrit mbi pagat e gjyqtarëve, gjë e cila solli një valë lajmesh që u shitën si bojkot, refuzim e të tjera si këto.

Përtej çdo debati teknik mbi çështjen e pagave, le ta shohim këtë çështje në raportin politik që ndërtojnë pushtetet me altarin kushtetues.

Arsyetimi, që për mua është alibi, i drejtësisë është, le të presim Kushtetuesen dhe pastaj mund të flasim në tryezë.

E para, tryeza nuk është një tryezë për të pirë ca kafe për kortezi, por është një tryezë në vetvete politike, e cila, e thirrur me kleçkë apo me sinqeritet nga Rama, është një tryezë e pashmangshme për të mos iu bërë pjesë e saj. Për një fakt të thjeshtë, sepse ai përfaqëson ekzekutivin, mazhorancën dhe, mbi të gjitha, është qeveria e cila politikisht ka shtyrë Reformën në Drejtësi. Kur ti thua “ne jemi për tryezë, por të presim Kushtetuesen”, ka një kontradiktë këtu. I bie që ka një lloj hipokrizie, e cila ndërton, në një farë mënyre, një kryeneçësi dhe një mendjemadhësi nga pavarësia e atribuar nga vetë Parlamenti.

E dyta, nëse Kushtetuesja konfirmon të drejtën nga pala e drejtësisë, drejtësia do të shkojë me broshurën në dorë e do të thotë: “Ne jemi fituesit”, ndërkohë që dialogut do t’i mungojë vullneti dhe do t’i shtrohet imponimi.

E treta, ka dy alibi. Është alibia që Rama, nëpërmjet kësaj lëvizjeje, i bën drejtësisë presion dhe, nga ana tjetër, është alibia që drejtësia në vetvete po ndërton narrativën e pushtetit që mund të ndikojë ose mund të kalojë edhe mbi ekzekutivin.

Alibia e parë nuk ka aq bazë, mendoj unë, që Rama i bën presion drejtësisë, për sa kohë, ndryshe nga çdo panoramë tjetër, drejtësia ka një monitorim dhe është kusht i drejtpërdrejtë i ndërkombëtarëve për të hyrë në Bashkimin Europian. Edhe kjo është kaq e qartë dhe e trashë në të njëjtën kohë sa drita e përëndisë.

Kurse e dyta, në pikëpamjen time, ka në alibinë e vet një të vërtetë për një fakt të thjeshtë, nga ky veprim refuzimi.

Refuzimi, në çdo pikëpamje, nuk ka asnjë lidhje me Republikën Kushtetuese. Në një republikë kushtetuese, drejtësia, për çdo arsye, do të duhet të ulet me ata që kanë mjetin e autoritetit të vullnetit politik nëpërmjet mekanizmit që i japin zgjedhjet.

Drejtësia, në çdo ndryshim të saj, do të duhet të marrë fuqinë e popullit dhe mandatet në Parlament. Gjyqtarët nuk janë as parti politike, por janë një pushtet i pavarur, jo një pushtet që vetëvendos. Në këtë pikëpamje, refuzimi i tyre ndërton një premisë shumë të përfolur kohët e fundit, atë të Republikës së “Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”.

Ky refuzim është i dëmshëm. Është po aq i dëmshëm sa politika dikur nuk konsideronte nevojat e drejtësisë dhe e deformonte atë.

Mbi të gjitha, ndonjëherë veprimet banale tregojnë edhe devijancën që del nga dëshira për të pasur Republikën. Mjafton të kujtojmë rastin e Gjykatës Administrative, që ktheu përgjigje për pagat brenda 48 orëve, ndërkohë që ka mbi 10 mijë dosje që flenë në sirtar ende pa përgjigje për vendime që zgjidhin jetën e njerëzve dhe familjeve. Kjo tregon qartë se veprimi me dy standarde është një dëshirë për të dominuar dhe jo për të marrë të drejtën që të takon.

Një drejtësi që lë barrë të drejtën e padhënë dhe, sa hap e mbyll sytë, i jep të drejtë vetes, është as më pak e as më shumë arbitrare.

Vivienne Jolie shet punimet e saj artistike në një treg të Los Angelesit, e shoqëruar nga vëllai binjak

22 September 2026 at 14:06

Vivienne, vajza 18-vjeçare e Angelina Jolie dhe Brad Pitt, u fotografua teksa prezantonte dhe shiste krijimet e saj artistike në një treg lokal në Los Angeles.

E reja, e cila së fundmi bëri të ditur se dëshiron të heqë dorë nga mbiemri i të atit, ishte në shoqërinë e vëllait të saj binjak, Knox. Ai e shoqëroi dhe e mbështeti gjatë aktivitetit në tregun e rrobave të përdorura.

Sipas Daily Mail, 18-vjeçarja përdor emrin The Tulip Fields për aktivitetin e saj artistik. Në stendën e saj ajo kishte vendosur një koleksion kartolinash me vizatime dhe afishe, të cilat shiteshin me çmime nga 10 deri në 25 dollarë.

Vivienne u angazhua drejtpërdrejt me blerësit dhe arriti të shiste një pjesë të madhe të punimeve. Për këtë dalje, ajo kishte veshur një bluzë të zezë dhe pantallona të gjera blu me kuadrata, ndërsa Knox kishte zgjedhur xhinse me lule të qëndisura dhe një bluzë të bardhë.

Lajme të ngjashme:

Trump TV nis transmetimet, përshkallëzohet përplasja e presidentit amerikan me mediat –

22 September 2026 at 08:10


Një konflikt i ri mes presidentit amerikan Donald Trump dhe mediave amerikane është përshkallëzuar pas vendimit të rrjeteve kryesore televizive për të bojkotuar transmetimin e drejtpërdrejtë të disa ngjarjeve në Shtëpinë e Bardhë. Në përgjigje të këtij vendimi, administrata Trump ka lançuar platformën e saj televizive, të quajtur “Trump TV”.

Shërbimi i ri nisi transmetimet të hënën në mbrëmje dhe, sipas administratës amerikane, do të transmetojë 24 orë në ditë, duke sjellë momente të rëndësishme nga e kaluara, njoftime dhe deklarata, si dhe lajmet më të fundit nga administrata Trump.

“TRUMP TV tani po transmeton. 24/7, i përditësuar në kohë reale, me momente kryesore të së kaluarës, njoftime dhe lajmet më të fundit nga administrata në një vend. Jo çdo moment i rëndësishëm ka mbërritur në televizorin tuaj, tani mundet”, deklaroi administrata.

Transmetimi i parë i platformës së re ishte fjalimi i Trump më 3 korrik në malin Rushmore.

IT’S LIVE. 📺🦅

TRUMP TV IS STREAMING NOW. 24/7, updated in real time, with top past moments, announcements, and the latest and greatest from the administration all in one place.

Not every big moment has made it on your tv, now it can.

📲 https://t.co/3KwWkBZ69m pic.twitter.com/g4v7n2J04s

— The White House (@WhiteHouse) September 21, 2026

Përplasja me rrjetet kryesore televizive

Lançimi i Trump TV erdhi pas vendimit të pesë rrjeteve kryesore televizive që marrin pjesë në të ashtuquajturin grup televiziv të Shtëpisë së Bardhë, për të pezulluar mbulimin televiziv të ngjarjeve presidenciale.

CNN, NBC, ABC, CBS dhe Fox News njoftuan se vendimi do të jetë në fuqi deri në një njoftim të mëtejshëm, në përgjigje të vendimit të Shtëpisë së Bardhë për të ndaluar aksesin e CNN, MS NOW dhe Politico.

Rrjetet nuk transmetuan ceremoninë e prerjes së shiritit për inaugurimin e helipadit të ri presidencial, përpara se Trump të nisej për një vizitë dyditore në Nju Jork.

Në një deklaratë të përbashkët, rrjetet argumentuan se publiku ka të drejtë të marrë informacion të saktë dhe të pavarur mbi qeverinë e tij dhe se qeveria nuk duhet të kufizojë një organizatë mediatike për shkak të mbulimit të saj.

Shtëpia e Bardhë e transmetoi ceremoninë në kanalet e saj në rrjetet sociale, por zhurma e Marine One, helikopterit presidencial që ndodhej pas Trump me motorin ndezur, i bëri komentet e tij të vështira për t’u dëgjuar.

Më vonë gjatë ditës, disa rrjete transmetuan një pjesë të konferencës për shtyp të Trump me kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Zohrab Mandani.

Duke komentuar vendimin e rrjeteve, Trump tha se nuk ishte shqetësuar nga njoftimi për bojkot.

“Është interesante sepse ata thanë se do të më bojkotonin, por nuk më bojkotuan kurrë, kështu që nuk u shqetësova shumë për këtë”, tha presidenti amerikan.

Më pas, duke treguar nga gazetarët jashtë Gracie Mansion, ai shtoi: “Shikoni të gjithë këtë shtyp”.

Përplasja u përshkallëzua më tej kur disa gazeta, përfshirë The New York Times dhe The Washington Post, njoftuan se nuk do të publikonin fotografi të presidentit të bëra nga fotografët e tyre deri në mesnatë, në solidaritet me rrjetet televizive.

Ndërkohë, CNN, MS NOW dhe Politico ngritën të hënën një padi, duke kërkuar rikthimin e aksesit të tyre në Shtëpinë e Bardhë, pasi gazetarët e tyre u larguan nga ambientet.

Në padinë prej 27 faqesh, tre organizatat argumentojnë se vendimi i Shtëpisë së Bardhë shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Të pandehurit në këtë çështje janë Donald Trump, drejtori i komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Steven Chung, drejtori i Shërbimit Sekret Sean Curran dhe shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles.

Beteja ligjore

Një seancë dëgjimore është planifikuar për të mërkurën, në orën 15:30, përpara gjykatësit federal Timothy Kelly.

Kelly kishte vendosur gjatë mandatit të parë të Trump se Shtëpia e Bardhë nuk mund të ndalonte hyrjen e korrespondentit të atëhershëm të CNN, Jim Acosta.

Trump kritikoi zgjedhjen e gjykatësit në Truth Social dhe deklaroi se administrata e tij do të apelonte nëse vendimi nuk do të ishte në favor të saj.

“Ata kanë një gjykatës të shkëlqyer për ta, një njeri që vendosi në favor të Jim Acosta, i cili tani duket se është zhdukur nga faqja e planetit. Me fjalë të tjera, pothuajse pa dyshim, si zakonisht, ne do të apelojmë”, shkroi Trump.

“Lajmet e rreme nuk duhet të hyjnë në Shtëpinë e Bardhë”

Kriza nisi pasi Shtëpia e Bardhë refuzoi të akreditonte CNN të hënën, në ditën kur rrjeti ishte përgjegjës për mbulimin televiziv të udhëtimit të Trump në Nju Jork.

Atje presidenti amerikan u takua me kryetarin e bashkisë së Nju Jorkut, Zohrab Mandani, si dhe me presidentin francez Emmanuel Macron, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Mbulimi i aktiviteteve presidenciale vazhdoi nga gazetarë të gazetave, stacioneve radiofonike dhe agjencive të lajmeve, si dhe nga fotografë dhe ekipi i brendshëm i prodhimit të Shtëpisë së Bardhë.

Trump ka argumentuar se mediat që ai i konsideron si pjesë të “lajmeve të rreme” nuk duhet të kenë akses në Shtëpinë e Bardhë.

“Ato janë shumë të këqija për vendin, shumë të këqija për sigurinë kombëtare… Do ta shohim se si do të shkojë”, tha Trump.

Cilët janë gazetarët që Trump la jashtë Shtëpisë së Bardhë?

Në kuadër të kësaj përplasjeje, Trump ka pezulluar dhe revokuar kredencialet e tre gazetareve nga CNN, MS NOW dhe Politico: Betsy Klein e CNN, Akayla Gardner e MS NOW dhe Cheyenne Haslett e Politico.

Të treja kanë histori të ndryshme në mbulimin e administratave amerikane dhe të Shtëpisë së Bardhë.

Betsy Klein – CNN

Betsy Klein e CNN u përball me revokimin e lejes së saj të hyrjes në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo tregoi se pasi kaloi nëpër portë dhe kontrollin e sigurisë, zbuloi se karta e saj e kalimit dhe PIN-i special nuk funksiononin më. Sipas saj, një pjesëtar i Shërbimit Sekret që ruante presidentin e referoi atë te Shtëpia e Bardhë për një shpjegim.

Klein është e diplomuar në Universitetin Duke dhe ka qenë pjesë e CNN që nga viti 2014. Më parë ka punuar në ABC News, ku fitoi një çmim Emmy si pjesë e ekipit të “Good Morning America”.

Ajo ka mbuluar qeverinë amerikane që nga viti 2015, gjatë presidencës së Barack Obamës, dhe vijoi mbulimin e Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë, si dhe të Joe Biden.

Akayla Gardner – MS NOW

Edhe Akayla Gardner e MS NOW iu revokua leja e kalimit në Shtëpinë e Bardhë.

Ajo ka punuar më parë për Bloomberg News, ku mbuloi administratën e parë të Trump dhe administratën e Joe Biden.

Mandati i dytë i Trump ka qenë më intensiv për Gardner, e cila u bë objekt i kritikave të presidentit pasi e pyeti për koston e sallës së madhe të vallëzimit në Shtëpinë e Bardhë, e cila ishte dyfishuar krahasuar me njoftimet fillestare.

“Ajo që ndodhi është se keni një sallë vallëzimi që është brenda buxhetit. Unë e dyfishova madhësinë sepse padyshim që na duhej dhe tani jemi brenda buxhetit dhe përpara afatit”, kishte thënë Trump.

“Kostoja u dyfishua”, i tha Gardner.

“Unë e dyfishova madhësinë, o budalla”, iu përgjigj Trump.

“Po pishina?”, pyeti sërish gazetarja, duke iu referuar kostos së pishinës, e cila gjithashtu ishte dyfishuar krahasuar me parashikimin fillestar.

“Nuk je njeri i zgjuar”, iu përgjigj Trump.

Cheyenne Haslett – Politico

Gazetarja e tretë, Cheyenne Haslett e Politico-s, mbulon çështjet e shëndetit dhe teknologjisë, si dhe Shtëpinë e Bardhë.

Ajo ka punuar për tetë vjet në ABC News, ku ka mbuluar veçanërisht pandeminë dhe çështjen e abortit. Prej rreth një viti ajo është gazetare në Politico.

Revokimi i aksesit të saj shihet në këtë përplasje edhe në kontekstin e rolit të Politico-s si një media online me ndikim të konsiderueshëm dhe me raportim të fokusuar te korridoret e pushtetit në Uashington.

Përplasja e Trump me mediat që ai i akuzon për transmetim të “lajmeve të rreme” ka qenë e vazhdueshme. Deri së fundmi, ajo ishte shfaqur kryesisht përmes mesazheve të tij në Truth Social, përplasjeve në rrjetet sociale dhe debateve verbale gjatë deklaratave publike.

Tashmë konflikti ka kaluar edhe në planin gjyqësor, pasi CNN, MS NOW dhe Politico i janë drejtuar gjykatës, duke argumentuar se ndalimi i tyre nga Shtëpia e Bardhë shkel të drejtat e mbrojtura nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Përplasja vjen në një moment kur administrata amerikane po përballet me zhvillime të tjera të rëndësishme, ndërsa zgjedhjet e mesit të mandatit janë planifikuar pas rreth një muaji e gjysmë.

Launched.

All the top hits, wins, + more. Streaming 24/7 on your phone or tv.

📺 https://t.co/3KwWkBZ69m pic.twitter.com/oIPfUA0Np9

— The White House (@WhiteHouse) September 22, 2026

Thaçi nuk është Mladić

21 September 2026 at 09:40

Michael Martens mendonte se e kishte mbyllur me vendimin ndaj Thaçit. Por F.A.Z. i kërkoi edhe një koment tjetër dhe ajo që shkroi është ndoshta argumenti më i qartë i botuar deri më tani në shtypin gjerman kundër tezës se “në Ballkan të gjithë janë njësoj”.

Nga Michael Martens (F.A.Z.) | 20 shtator 2026

F.A.Z. raportoi së fundmi për një eksperiment të Institutit të Frankfurtit për Kërkime Sociale, rezultatet e të cilit u mbajtën të fshehta për dekada me radhë. Në vitin 1950, studiuesit e institutit pyetën rreth 1,600 gjermanë të zakonshëm të Gjermanisë Perëndimore për qëndrimet e tyre ndaj nacional-socializmit dhe shfarosjes së hebrenjve. Ata i lanë të intervistuarit të flisnin lirshëm.

Dhe pikërisht duke folur lirshëm, shumë prej gjermanëve që supozohej se ishin “denazifikuar” shfaqën një vazhdimësi aq shqetësuese të pikëpamjeve raciste, antisemite dhe autoritare, sa drejtori i institutit, Theodor Adorno, vendosi të mos i publikonte të plota rezultatet e studimit.

Mos vallë pesë vjet ishin shumë pak për ta zhdukur propagandën naziste nga mendjet e njerëzve?

Në këtë pikë, është me vlerë të kujtohet ekspozita e vitit 1995, “Krimet e Wehrmacht-it”. Protestat kundër saj – edhe pse ekspozita në fillimet e saj kishte disa mangësi – ishin të ashpra. Edhe gjysmë shekulli pas përfundimit të luftës, shumë gjermanë ende nuk ishin të gatshëm të vinin në pikëpyetje mitin e “Wehrmacht-it të pastër”, sipas të cilit ushtria e rregullt gjermane nuk kishte qenë pjesë e krimeve naziste.

Në Ballkan, dy ngjarje të fundit kanë dhënë shembuj të tjerë se sa e vështirë është për shoqëritë të vënë në pikëpyetje rrëfimet për të kaluarën e tyre, veçanërisht kur bëhet fjalë për anët e errëta të saj.

Mijëra njerëz morën pjesë në funeralin e kriminelit të luftës Ratko Mladić në Beograd dhe e nderuan si hero njeriun që ishte përgjegjësi kryesor për gjenocidin e Srebrenicës.

Pak më shumë se një javë më vonë, një shumicë e madhe e shqiptarëve të Kosovës reagoi me zemërim ndaj dënimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burg për krime lufte.

Zemërimi në Kosovë është pjesërisht i kuptueshëm.

Nëse vendimi konfirmohet edhe në apel, Thaçi mban përgjegjësi për më shumë se 300 raste torture dhe pothuajse 100 vrasje. Këto janë akte të tmerrshme dhe të neveritshme.

Por përfundimi, megjithatë, nuk mund të jetë: “Në Ballkan, të gjithë janë njësoj.”

Sepse mes Mladićit dhe Thaçit ekzistojnë dallime të rëndësishme, edhe pse nacionalistët serbë parapëlqejnë ta hedhin poshtë këtë argument duke e cilësuar si relativizim.

Mladić është përgjegjës për vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve.

Në rastin e Thaçit, nëse dënimi ndaj tij merr formë të prerë, numri i viktimave do të ishte afërsisht vetëm një e qindta e kësaj shifre.

Sërish diçka e tmerrshme.

Por nuk është e njëjta gjë.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, UÇK-ja, të cilën e drejtonte Thaçi, nuk kreu kurrë diçka që mund të krahasohej qoftë edhe nga larg me Srebrenicën.

Në Kosovë, përkundrazi, pati një numër të madh “Srebrenicash të vogla”, të kryera nga serbët kundër shqiptarëve. Një shembull janë fshatrat Mejë dhe Korenicë, ku forcat serbe masakruan qindra shqiptarë katolikë.

Pastaj është edhe kronologjia e ngjarjeve.

Mladić i kreu krimet e tij gjatë një lufte që ishte nisur nga Beogradi dhe serbët.

UÇK-ja e Thaçit, nga ana tjetër, lindi si reagim ndaj viteve të tëra të një padrejtësie sistematike dhe të organizuar nga shteti serb kundër popullsisë shumicë shqiptare në Kosovë.

Megjithatë, tashmë edhe shoqëria kosovare duhet të përballet me përgjegjësinë e saj.

Krimet e UÇK-së kanë ndodhur.

Mohimi i tyre duke treguar se krimet e kryera nga pala serbe ishin shumë më të mëdha nuk mund të jetë rrugëdalja.

Të paktën Thaçi, i akuzuar dhe tashmë i dënuar për krime lufte, u ka bërë thirrje bashkëkombësve të tij nga burgu që të ruajnë qetësinë dhe të mos reagojnë me dhunë.

Botuar fillimisht në gjermanisht në edicionin e së dielës të Frankfurter Allgemeine Zeitung, më 20 shtator 2026, me titullin “Thaçi ist nicht Mladić” (“Thaçi nuk është Mladić”). Përkthimi në anglisht është realizuar nga Kosovo Dispatch.

Osmani në New York, takon djalin e Trumpit –

20 September 2026 at 20:17


Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në New York për takime në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, paralelisht me kryeministrin Albin Kurti. Osmani ka marrë pjesë në hapjen e “Qatar Economic Forum, Powered by Bloomberg”, me ftesë të Kryeministrit të Shtetit të Katarit dhe Bloomberg.

Në fotografitë e postuara në Facebook, shihet se Osmani është përshëndetur edhe me djalin e Presidentit Trump, Donald Trump Jr.

“Prania në këto organizime është mundësi për të forcuar partneritetet ndërkombëtare, për të kërkuar përkrahje për Kosovën dhe për të hapur horizonte të reja për investime dhe zhvillim. Kosova duhet gjithnjë të jetë aty ku diskutohen dhe ndërtohen mundësitë e së ardhmes”, ka shkruar Osmani.

AFD kryeson sërish. Katastrofë për CDU-në në zgjedhjet lokale, Merz: Nuk largohem –

20 September 2026 at 19:46


Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, pavarësisht rezultateve të dobëta që sondazhet në dalje parashikojnë për partinë e tij, CDU, në dy zgjedhje lokale.

Në landin verilindor Mecklenburg-Vorpommern, CDU pritet të sigurojë vetëm me vështirësi përfaqësimin në parlamentin rajonal, ndërsa AfD parashikohet të marrë numrin më të madh të votave. Merz e cilësoi rezultatin për partinë e tij si një “katastrofë”.

Sipas projeksioneve të transmetuesit publik ZDF, AfD pritet të marrë rreth 38% të votave në Mecklenburg-Vorpommern, ndërsa SPD rreth 36%. Megjithatë, mundësia që AfD të drejtojë qeverinë rajonale mbetet e kufizuar, pasi partitë e tjera kanë refuzuar bashkëpunimin me të.

Edhe në Berlin, CDU pritet të humbasë vendin e parë. Projeksionet e para e vendosin CDU-në në rreth 20%, ndërsa Die Linke në afro 26%.

Rezultatet shtojnë presionin ndaj Merz, vetëm dy javë pasi CDU pësoi një tjetër humbje të fortë në landin Saksoni-Anhalt, ku AfD shënoi rritje të konsiderueshme.

Pavarësisht rezultateve, Merz deklaroi se qeveria e tij do të vazhdojë me paketën e reformave ekonomike, fiskale dhe sociale. “Reformat duhet të bëhen”, tha kancelari, duke theksuar se do të vazhdojë të mbajë përgjegjësinë për drejtimin e vendit.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Berlin dhe Mecklenburg-Vorpommern priten në orët në vijim.

Do të zgjidhja sërish të njëjtën jetë/ Gjergj Leka rrëfen përvojën e pazakontë të punës me 2700 vajza

20 September 2026 at 19:42

Këngëtari dhe kompozitori Gjergj Leka ishte i ftuar në emisionin “E Diell”, me moderator Ed Manushin, ku foli për momente të ndryshme nga jeta e tij.

Gjatë rrëfimit, ai u ndal te vitet e fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë, duke theksuar se nuk do të ndryshonte asgjë nga ajo periudhë, nëse do t’i jepej mundësia ta jetonte sërish.

Leka tregoi gjithashtu se nuk ka qenë asnjëherë i punësuar në shtet. Megjithatë, me humor, ai solli në vëmendje një periudhë kur u detyrua të punonte në një ambient ku kishte 2700 vajza.

“Nëse do të kthehesha pas, nuk do të ndryshoja as edhe një presje; do të jetoja pikërisht të njëjtën jetë. Kam qenë me fat që fëmijërinë dhe adoleshencën i kalova pranë njerëzve më të rritur dhe më të zgjuar se unë. Për mua, kjo ishte shkolla e vërtetë e jetës.

Sa herë më pyesin për historitë e rinisë, unë qesh dhe rrëfej vetëm ato që zgjedh vetë. Po të kishim sot të mirat që na ofronte ajo kohë në muzikë, do të ishte ndryshe. Atëherë nuk ekzistonte playback-u; duhej të paraqiteshe para komisioneve dhe të tregoje vlerat e tua. Sot shohim një largim masiv dhe mendoj se jemi i vetmi shtet ku gjithçka është përqendruar në kryeqytet, edhe pse shumë prej këtyre gjërave janë pa nivel.

Po ndaj me ju një sekret: nuk marr pension dhe nuk kam pranuar kurrë të punoj në shtet. Që në moshën 16-vjeçare kam punuar në sektorin privat. Të vetmet vite pune që kam janë ato të ushtrisë, pasi më larguan nga shkolla dhe më dërguan për tre vjet ushtar. Në një rast më hoqën edhe nga skena. Nuk ishte për shkak të flokëve të gjata apo pantallonave të gjera; më çuan për dënim te NPV, ku ishim një mashkull dhe 2700 femra. Në fund, nuk doja më të largohesha prej andej. Më paguanin si piktor”, tha Gjergj Leka.

Lajme të ngjashme:

Truproja enigmatike e Putinit që po komentohet si Agjenti 007 personal i tij

19 September 2026 at 20:58

Anton Afinogenov, një nga truprojat e presidentit rus Vladimir Putin, ka ngjallur interes për shkak të fizikut të tij dhe faktit se shfaqet vazhdimisht pranë kreut të Rusisë në aktivitete publike dhe udhëtime.

Afinogenov është pjesëtar i Shërbimit të Sigurisë Presidenciale ruse (SBP), ndërsa disa admirues e kanë pagëzuar si “agjenti 007” personal i Putinit. Ndonëse prej vitesh është fotografuar dhe filmuar në materiale të ndryshme zyrtare, informacionet publike mbi jetën e tij janë tepër të kufizuara. Ende nuk dihen mosha, grada, vendlindja dhe arsimimi i tij.

Truproja u pa për herë të parë në krah të Putinit në korrik 2011, megjithëse ekziston mundësia që t’i jetë bashkuar ekipit të sigurisë edhe më herët.

Emri i tij u bë publik në mars 2025, pasi Dossier Centre nxori një listë me truprojat që kishin autorizimin dhe besimin e nevojshëm për ta shoqëruar presidentin rus jashtë vendit. Nga shqyrtimi i arkivave zyrtare fotografike, Afinogenov rezultoi të ishte një prej nëntë truprojave që janë parë më shpesh me Putinin gjatë udhëtimeve të tij.

Sipas “The Sun”, interesi për Afinogenovin është rritur veçanërisht në rrjetet sociale. Për të janë hapur edhe faqe fansash, ku përmendet me nofkat “AA” dhe “Handsome Anton”.

Edhe pse janë bërë përpjekje për të siguruar më shumë informacione mbi personelin që mbron Putinin, të dhënat e zbuluara për Afinogenovin mbeten shumë të pakta.

Raportimet thonë se ai peshon mbi 100 kilogramë dhe dallohet për një trup shumë muskuloz. Burime të referuara nga mediat pretendojnë se Afinogenov ka marrë trajnim paraushtarak dhe zotëron përvojë në artet marciale. Këto tipare kanë bërë që përdoruesit e rrjeteve sociale ta krahasojnë me personazhe të filmave aksion dhe ta quajnë “super ushtar”.

Në internet kanë qarkulluar gjithashtu teori të pakonfirmuara, sipas të cilave pamja dhe aftësitë e tij mund të lidhen me programe sekrete për “përmirësimin bioteknologjik” të ushtarëve. Megjithatë, nuk ekzistojnë prova publike që i mbështesin këto pretendime.

Mbrojtja e Putinit konsiderohet ndër sistemet më të rrepta të sigurisë në botë. Sipas raportimeve, truprojat përzgjidhen duke u vlerësuar për karakteristikat e tyre fizike dhe psikologjike. Përpara çdo udhëtimi presidencial, destinacionet ku do të shkojë udhëheqësi rus u nënshtrohen kontrolleve të detajuara.

Raportime të tjera bëjnë të ditur se personeli i sigurisë përdor pajisje të posaçme mbrojtëse, ndërsa në afërsi të Putinit vendosen kufizime për telefonat celularë dhe pajisjet e tjera elektronike.

Kjo fshehtësi e theksuar ka ndikuar që Anton Afinogenov të konsiderohet një nga personazhet më enigmatike brenda rrethit të sigurisë së presidentit rus. Në të njëjtën kohë, fotografitë ku ai shfaqet pranë Putinit vijojnë të shtojnë interesin ndaj tij në rrjetet sociale.

Lajme të ngjashme:

Hysni Zela rrëfen në Se Luan Topi: Vaçja na solli në Tiranë, ndërsa mua ende më prezantojnë si vëllain e saj

19 September 2026 at 19:56

Hysni Zela, artisti i njohur i këngës popullore dhe vëllai i divës shqiptare Vaçe Zela, ishte i ftuar sot në emisionin “S’e Luan Topi”, ku ndau kujtime të rralla dhe emocionuese nga jeta e tij.

Rrëfimi i tij u kthye fillimisht te fëmijëria në Lushnje, të cilën e përshkroi si shumë të varfër, por të ngjashme me realitetin e familjeve të tjera të asaj periudhe. Në atë kohë, Vaçja, si motra më e madhe, ndiqte gjimnazin në Tiranë dhe këmbëngulte që edhe pjesa tjetër e familjes të vendosej në kryeqytet, ndonëse prindërit nuk ishin dakord.

Artisti kujtoi se ishte 14 vjeç kur mbërriti në Tiranë. Kur nisi të këndonte përkrah Vaçes, ajo tregohej veçanërisht kërkuese dhe e korrigjonte vazhdimisht, me synimin që ai të përmirësonte interpretimin.

Sipas Hysni Zelës, motra e tij, e cila pati sukses gjatë gjithë jetës, i kushtonte rëndësi edhe shprehjes së fytyrës gjatë këndimit. Ajo e pyeste: “Pse e bën fytyrën kështu?”, ndërsa ai i përgjigjej: “Si ta bëj mor aman”. Pas vërejtjeve të saj, ai i kishte thënë me sinqeritet dhe humor: “E di që të kom frikë unë kur flet ti kështu?”.

Megjithëse ndër vite ka ndërtuar profilin dhe identitetin e vet artistik, Hysni Zela pranoi se vazhdon të njihet shpesh nëpërmjet emrit të motrës së famshme. Ai tha se ndihet krenar për këtë lidhje, por nuk e fshehu humorin për faktin që emri i tij mbetet shpesh në plan të dytë.

“Unë po shkoj 80-vjeç dhe ende më thonë ‘vëllai i Vaçe Zelës’”, u shpreh ai, duke shtuar se këtë e konsideron krenari, por njëkohësisht pyet me shaka: “Si nuk thanë njëherë Hysni Zela?”.

Duke folur për Vaçen jo vetëm si artiste, por edhe si motër dhe njeri, ai e cilësoi të jashtëzakonshme dhe theksoi përkushtimin e saj të madh ndaj familjes. Hysni Zela kujtoi se ajo i ndihmonte prindërit dhe u bë shkak që familja të zhvendosej në mes të Tiranës në atë periudhë.

Ai tregoi gjithashtu se Vaçja kujdesej vetë për nevojat e përditshme të familjes: dilte për të bërë pazarin dhe merrte përsipër gjithçka që duhej kryer.

Lajme të ngjashme:

Se për ta, liria e Kosovës ishte e para

18 September 2026 at 22:32

Nga Leonidha Mërtiri

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, një javë më parë pohonte për Danas-in se, gjatë vizitës së atyre ditëve në Paris, kishte dëgjuar se Hashim Thaçi mund të dënohej rëndë nga Gjykata Speciale në Hagë. E çuditshme, por dy javë më parë, si ta kishte harruar jo më kot, me një siguri marramendëse, provokim apo për të krijuar pështjellim te shqiptarët, e shihte lirimin e Thaçit nga paraburgimi me një dënim që i përgjigjej kohës së këtij paraburgimi.

Ish Ministri i Informacionit në qeverinë e Sllobodan Milosheviçit gjatë periudhës 1998-2000, presidenti aktual, është i njohur si mbështetës i kasaphanave të serbeve. Ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë(OSBE), në ato vite në Prishtinë, pohon se “çfarë Vuçiç bën me informacione, dezinformata, kuptohet në të gjitha kryeqytetet e Europës…Ai ishte në zinxhirin komandues të Qeverisë së Milosheviçit”.

E vërteta është se trupat serbe ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë kanë kryer masakra të papara. Është po ky Vuçiç, sot President i Serbisë dhe nesër pret të zëjë karriken e kryeministrit, shprehu gjithë interesimin, që, duke glorifikuar kriminelë të njohur të luftës si Ratko Mlladiç, ish i dënuar në Hagë për genocid dhe krime të tjera të panumërta, të jetë i përkushtuar që shteti serb t’ia bënte varrimin, sikurse pohonte kreu i shtetit, “në mënyrë dinjitoze”. Tani, Aksandar Vuçiç ndjehet i lumtur. Gjykata e Hagës iu përgjigj atij dhe mbështetësve ëndërrues me dënimin e katër udhëheqësve  të Ushtrisë  Çlirimtare të Kosovës. Kjo ia bën më të sigurt fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe atë të karriges së kryeministrit.

Po si u krijua kjo Gjykatë Speciale? Në mbështetje të saj ishin jo pak njerëz. Ndërkohë, presioni mbi Kosovën nuk ishte i vogël. Kërkohej mahana për trahana, që Kosovës t’i sfumohej pavarësia, e fituar me sakrifica të mëdha, duke shpresuar që ajo të kthehej në duart e serbëve. Ëndrra në diell të këtyre të fundit. Miratimi në parlamentin e Kosovës i ngritjes së kësaj Gjykate nuk ishte i lehtë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera të Perëndimit ishin më këmbëngulësit që i kërkonin Kuvendit të Kosovës krijimin e Gjykatës Speciale. Legjenda e “Shtëpisë së Verdhë” për heqjen e organeve të serbëve të vrarë apo të zënë robër reklamohej me të madhe nga komisionieri zvicerian, Dick Marty, i njohur për qëndrimet e mbajtura ndaj pavarësisë së Kosovës, duke i ardhur në ndihmë propagandës serbe dhe qarqeve të ndryshme ndërkombëtare.

Shtetet anëtare të QUINT-it, SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, përmes një letre u kërkonin autoriteteve kosovare ta miratojnë atë në parlament. Një deklaratë e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Serbi, Cliff, theksonte se, po të mos formohej kjo Gjykatë me staf ndërkombëtar, Rusia do t’i drejtohej Këshillit të Sigurimit, gjë që nuk do të ishte aspak në interes të Kosovës. Kurse drejtorja e Human Right Watch në Bashkimin Evropian e shihte parlamentin si të tillë, që duhet të sjellë drejtësi për abuzimet serioze.

Këto dhe kontaktet e tjera me ndërkombëtarët për ngritjen e Gjykatës, edhe pse jo e lehtë, nuk e lëkundën Hashim Thaçin dhe as luftëtarët e shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndryshe, do gjendej një formë tjetër për ta ngritur atë. Miratimi i saj mund t’i kalonte Këshillit të Sigurimit të OKB-së.  Por udhëheqësit e denjë të UÇK-së, me ndërgjegje të plotë e morën përsipër vetë. Ishin larg çdo sajese të Dick Martyt dhe disa të shiturve, që në çdo kohë të vrasin në heshtje dhe pastaj të qajnë me kuje, duke goditur dhe mohuar luftën e paqme të UÇK-së. Pasojat e shpifjeve të këtyre të fundit do të bëheshin, sikurse edhe ndodhi, dëshmi të jetësimit të vendimit të pardjeshëm të Gjykatës Speciale. Dosjet serbe ishin ushqimi i parë i këtij verdikti.

Hashim Thaçi e kishte treguar veten, edhe pse i ri në moshë, i kthjellët dhe me vizion të dukshëm, koshient për çka luftonte së toku me popullin e tij dhe për të qënë përballë asaj Gjykate që e ngritën vetë. Se për të dhe komandantët, luftëtarët e UÇK-së, liria, pavarësia e Kosovës ishin të parat, më të shtrenjtat. Larg, shumë larg shtetit serb, genocidi i të cilit ishte shumë i organizuar përballë një populli të vuajtur dhe të pambrojtur nga regjimi serb dhe të një UÇK-je, me djem dhe vajza shqiptare, të vendosur në rrugën për lirinë e Kosovës dhe popullit të saj.

81 vite burg për çlirimtarët e Kosovës. E papritur. Një komb i tërë i shqetësuar me të drejtë. Por jo, jo i pashpresë. Larg euforisë, por dhe çdo lëkundjeje që nuk është në favor të çeshtjes sonë Provat kundërshtohen me një trup solid, të bashkuar Shqipëri-Kosovë, përmes një mori faktesh të njohura për botën, me juristë të shquar me mjekër, ndërkombëtarë dhe vendas.

Puna e diplomacisë shqiptare për të vërtetat e Kosovës, për çlirimin dhe pavarësinë e saj është tashmë një përvojë e dukshme. Ajo duhet t’i shërbejë klasës politike në Tiranë dhe Prishtinë, kudo që punojnë dhe jetojnë shqiptarët, t’i përgjigjet Gjykatës Speciale të Hagës, opinionit botëror në tërësi me kujtesën tonë, me një lobim të fuqishëm.

Trump rikthen kërcënimet: Së shpejti do të vendos nëse do ta shkatërroj regjimin në Iran apo jo –

17 September 2026 at 22:17


Donald Trump i tha Axios se po përballet me një vendim kritik mbi rrjedhën e luftës me Iranin, duke lënë të hapur mundësinë e riaktivizimit të operacioneve ushtarake në shkallë të gjerë, me qëllim, siç tha ai, përfundimin e konfliktit.

“Kam një vendim të madh përpara meje. A dua të hyj dhe ta shkatërroj [regjimin iranian] apo jo? Është një vendim i madh. Çdo gjë mund të më ndodhë”, tha presidenti amerikan në intervistën e tij.

Edhe pse Trump ka bërë kërcënime të ngjashme në të kaluarën, deklaratat e tij të reja marrin një rëndësi të veçantë, pasi ato erdhën disa ditë para takimit të tij të planifikuar me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Gjirit, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

Takimi pritet të përfshijë udhëheqësit e Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahreinit, Kuvajtit dhe Omanit, me synim fazën tjetër të konfliktit.

Takimi pritet të ketë një ndikim vendimtar nëse Uashingtoni do të përpiqet të bëjë një përpjekje të re diplomatike apo të përshkallëzojë operacionet ushtarake. Sipas zyrtarëve amerikanë, nëse Trump vendos të kthehet në operacione luftarake në shkallë të gjerë, ai do të ketë nevojë për mbështetjen e aleatëve rajonalë të SHBA-së.

Presidenti amerikan ka përsëritur ditët e fundit se lufta do të përfundojë së shpejti. Megjithatë, disa zyrtarë amerikanë paralajmërojnë se konflikti ka çuar në një gjendje të paqëndrueshme “as luftë as paqe” dhe vlerësojnë se Trump mund të kthehet në veprime të plota ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje deri në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA.

Trump e bëri të qartë se në takimin e OKB-së dëshiron të dëgjojë drejtpërdrejt nga shtetet e Gjirit për hapat e ardhshëm. “Dua të di se ku janë dhe si po shkojnë. Ne kemi qenë shumë mbrojtës ndaj tyre”, tha ai.

Presidenti amerikan shmangu specifikimin nëse do të merrte vendimet e tij përfundimtare para apo pas zgjedhjeve të mesit të mandatit.

Në fillim të gushtit, Trump kishte vendosur të mos vazhdonte menjëherë me një operacion të ri ushtarak në shkallë të gjerë, pas shqetësimeve të shprehura nga Arabia Saudite dhe Katari se Irani mund të përgjigjej me sulme ndaj objekteve të tyre të naftës dhe energjisë.

Që atëherë, administrata amerikane ka ndjekur një qasje më të përmbajtur, duke pezulluar negociatat me Teheranin, duke vendosur një fushatë të re sanksionesh ekonomike, duke mbajtur një bllokadë detare të porteve iraniane dhe duke u përqendruar në rihapjen e rrugëve detare në Ngushticën e Hormuzit.

Ushtria amerikane ka rritur ndjeshëm kalimin e cisternave të naftës dhe gazit nëpër Ngushticë, por trafiku mbetet nën nivelet e para luftës, ndërsa çmimet e naftës mbeten të larta.

Zyrtarët amerikanë vënë në dukje se presidenti duhet të vendosë së shpejti për drejtimin që do të ndjekë, pasi ushtria amerikane nuk mund të qëndrojë në gatishmëri për një kohë të pacaktuar.

Trump tha gjithashtu se është veçanërisht i kënaqur me bllokadën detare, duke pretenduar se kjo e ka penguar Iranin të eksportojë naftë. “Asnjë anije e vetme nuk ka shkuar në Iran që kur filluam. Ata u përpoqën dhe ne i shpërthyem”, tha ai në mënyrë karakteristike.

Në të njëjtën kohë, ai pretendoi se Irani është në komunikim të drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe se pala iraniane ende dëshiron të arrijë një marrëveshje.

Së fundmi, kur u pyet nëse do të takohej me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Nju Jork javën e ardhshme, Trump u përgjigj: “Ndoshta”.

Demokracia, kujtesë për vlerën e lirisë

15 September 2026 at 17:46

Nga Ali Ahmeti

Sot shënojmë Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, një ditë që na kujton vlerën e lirisë, pluralizmit dhe përgjegjësisë që kemi si shoqëri.

Demokracia është, mbi të gjitha, testi më i lartë i pjekurisë politike. Ajo është më shumë se një arkitekturë institucionesh dhe më shumë se një proces elektoral.

Është besëlidhja e heshtur mes shtetit dhe qytetarit se liria nuk negociohet, dinjiteti nuk relativizohet dhe barazia nuk mbetet vetëm një parim në letër.

Në një shoqëri të ndërtuar mbi diversitetin, demokracia e vërtetë nuk kërkon uniformitet. Ajo krijon hapësirë për dallimet, i jep pluralizmit dinjitet institucional dhe e shndërron bashkëjetesën nga një nevojë historike në një vlerë shtetformuese.

Demokracia duhet të jetë kulturë e shoqërisë dhe standard i çdo institucioni, çdo strukture politike, çdo gare dhe çdo vendimmarrjeje. Paqja e qëndrueshme ndërtohet mbi demokraci, ndërsa demokracia e qëndrueshme ndërtohet mbi respektin, dialogun dhe barazinë.

Përballë sfidave të kohës dhe ndryshimeve që prekin rajonin dhe Evropën, përgjigjja jonë duhet të jetë më shumë demokraci, më shumë dialog dhe më shumë maturi në vendimmarrje.

Ky është standardi që i duhet vendit tonë, si themel i një të ardhmeje të përbashkët, më të drejtë, më të qëndrueshme dhe më evropiane.

Ky është drejtimi që na afron me Evropën.

Lyhet me bojë të kuqe statuja e Charlie Kirk në selinë e Turning Point USA, autori ende i pa identifikuar –

14 September 2026 at 08:37


Një statujë e aktivistit të krahut të djathtë Charlie Kirk u vandalizua në selinë e Turning Point USA në Phoenix të Arizonës.

Statuja u gjet e lyer me bojë të kuqe sprej. Një poster përkujtimor aty pranë përpara statujës u vandalizua gjithashtu me bojë të kuqe.

 “Ne do ta restaurojmë statujën dhe do të zëvendësojmë tabelat, por po shqyrtojmë gjithashtu pamjet filmike të incidentit dhe po punojmë me forcat e ligjit për të identifikuar se kush e bëri këtë dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës”, tha Turning Point USA në një deklaratë.

Statuja 2.5 metra e lartë u instalua më 10 shtator për të shënuar përvjetorin e parë të vrasjes së Kirkut. Kirk, një aleat kyç i Donald Trump, u qëllua dhe u vra në një aktivitet të Turning Point USA në Utah.

Një gjykatës në Utah vendosi së fundmi që burri i akuzuar për vrasjen me armë zjarri të Kirkut duhet të dalë në gjyq për vrasje të rëndë, një akuzë për krim që e bën atë të kualifikuar për dënimin me vdekje nëse dënohet.

Aeroplani i kongresmenit të Wisconsinit bën ulje urgjente në një liqen, Tiffany dhe piloti notojnë drejt bregut –

13 September 2026 at 18:25


Kongresmenit republikan i Wisconsin iu desh të notonte që të dilte në breg pasi një aeroplan me të cilin po udhëtonte bëri një ulje emergjente në një liqen të shtunën vonë.

Përfaqësuesi Tom Tiffany tha se ai po kthehej nga Darka e Ditës së Lincoln në qarkun La Crosse kur avioni humbi energjinë ndërsa po i afrohej aeroportit të qendrës së qytetit të Wausau. Piloti bëri një ulje emergjente në liqenin Wausau. Të dy përfunduan në ujë dhe notuan drejt bregut.

“Pas uljes, telefonuam 911. Ndërsa avioni filloi të zhytej, dolëm nga avioni dhe notuam drejt një zone të cekët, ku pritëm derisa ekipet e emergjencës të na arrinin me varkë”, shkroi ai në X.

Ekipet e urgjencës i çuan Tiffany-n dhe pilotin në një spital aty pranë, ku u trajtuan për lëndime të lehta.

Tiffany po kandidon për guvernator me biletën republikane në Wisconsin dhe është mbështetur nga Donald Trump. Aeroplani me të cilin po udhëtonte Tiffany ishte një aeroplan Bonanza me një motor të vetëm dhe katër vende.

Jam rritur me Shqiptarët, Cardi B pozon me simbolin e shqiponjës dykrenare –

13 September 2026 at 16:14


 Cardi B ka tërhequr vëmendjen me një gjest të veçantë ndaj shqiptarëve, duke pozuar me simbolin e shqiponjës dykrenare. Ajo shihet duke formuar shqiponjën me duar së bashku me grimerin me origjinë shqiptare, Kevi Kodra, i cili jeton në Los Angeles.

Momenti është publikuar nga vetë grimeri në rrjetet e tij sociale ndërsa videoja ka bërë xhiron e rrjetit me komente të shumta nga ndjekësit shqiptarë të Cardi B.

Sipas grimerit, gjatë këtij momenti Cardi B ka shprehur edhe dashurinë e saj për shqiptarët, duke treguar se është rritur mes tyre.

“Shqiptarët me të cilët jam rritur ishin shumë gangsterë”, ka pohuar Cardi B.

Republika e Prokurorëve nuk është vetëm një metaforë

13 September 2026 at 12:03

Nga Gjon Ndrejaj

Kam punuar mbi 45 vjet në sektorin e financës dhe auditimit dhe për një pjesë të konsiderueshme të kësaj periudhe kam mbajtur pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Auditimit. E njoh nga brenda logjikën e hekurt të Thesarit të Shtetit, sipas të cilës asnjë transaksion nuk kalon pa qenë tërësisht i përputhur me ligjin. Kjo që po ndodh, midis Ministrisë Financave dhe gjyqësorit dhe brenda vetë gjyqësorit, është e pashembullt. Prandaj, kur ndjek debatin e ashpër mes tyre për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, më duket se shumë analistë po e kërkojnë fajtorin në vendin e gabuar. Në këtë ndeshje të pazakontë unë nuk dua të marr pozicionin e arbitrit dhe as nuk synoj të jap një verdikt gjyqësor mbi konfliktin, por të argumentoj, nga këndvështrimi i financave publike dhe ligjshmërisë buxhetore, se ku qëndrojnë kufijtë e kompetencave të secilit institucion.

Gjithçka nis nga vendimi nr. 15, datë 17 shkurt 2026, i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcaktoi mënyrën e re të përllogaritjes së pagave të magjistratëve. Ky vendim i ngarkoi Kuvendit një detyrim të prerë; të miratonte ndryshimet e nevojshme ligjore deri më 31 korrik 2026. Ky afat nuk ishte evaziv por i prerë. Me fjalë të tjera, pas 31 korrikut, formula e vjetër e pagave nuk mund të prodhonte më efekte juridike. Por Kuvendi nuk e përmbushi këtë detyrim, projektligji u depozitua, por nuk u miratua brenda këtij afati dhe nuk është miratuar as sot. Dhe pikërisht këtu lindi vakumi ligjor që bllokoi gjithçka. Pavarësisht nga rezervat, vendimi GJK është i padiskuteshëm , habia ime qëndron në historitë që e pasuan këtë vendim. Këtij “zjarri” i hodhën bezninë, vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të miratuara në fund të gushtit 2026. Këto insitucione vendosën që paga referuese bazë e magjistratëve të rritej në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë, plus 14 mijë lekë shtesë për nivelin e kualifikimit. Ky vendim që vjen në fund të katërmujorit të dytë, si periudhë buxhetore. Në përvojën time profesionale është ndër vendimet më të pazakonta që kam hasur. Kjo më kujtoi një thënie të një shkencëtari të dëgjuar; “Përse kirurgut nuk guxon kush t’ja prekë bisturinë, ndërsa ekonomistit ja rrëmbejnë lapsin nga dora dhe me lehtësi provojnë të bëjnë operacione të guximshme”….
Këto vendime në mungeë të bazës nevojshme ligjore dhe buxhetore janë juridikisht të konstestueshme dhe nuk mund të prodhojnë efekte financiare pa ndërhyrjne e ligjvënësit . Kjo sepse sistemi dhe piramida e pagave në Republikën e Shëipërisë janë ekskluzivitet i Kuvendit të Shqipërisë dhe të askujt tjetër.

Buxheti dhe Thesari.

Për masën e gjërë të lexuesve, e ndjej të nevojshme të bëj një shpjegim të thjeshtë mbi atë se çfarë përfaqson Buxheti dhe Thesari, si organizma financiarë. Sipas Ligjit nr. 9936/2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor” neni 3 i tij: “Buxhet është tërësia e të ardhurave, shpenzimeve dhe financimeve të qeverisjes qendrore e vendore dhe të fondeve speciale, të cilat miratohen me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.” Gjëja e parë që marrim vesh nga ky përkufizim është se buxheti, ligji dhe Kuvendi i Shqipërisë janë një e tërë dhe i pandarë.

Kësisoi Buxheti nuk mund të jetë një “thes” i vetëm, i lënë në mes të rrugës, ku çdo kush sipas nevojës mund të fusë dorën dhe të marrë shuma të caktuara, apo një arkë ku njësitë shpenzuese mund ta përdorin sipas dëshirës. Buxheti është një shumë parash rigorozisht e përcaktuar me ligj, e destinuar të shpenzohet nga Njësitë e Qeverisjes së Përgjithshme (Ministritë dhe institucionet qendrore) ; sipas programeve buxhetore (që përfshijnë rreth 85 programe) ; sipas natyrës ekonomike; (paga sigurime shoqërore, shpenzime operative investime treansferta etj). Ai është i përcaktuar gjithashtu në kohë ( vjetor, katërmujorë) që do të thotë se, këto shuma nuk shpërndahen të gjitha në fillim të vitit por janë të përcaktuara saktësisht në kohë, se kur mund të shpenzohen. Ky klasifikim është rreptësisht i përcaktuar jo për arsye burokraktike apo administrative por sepse ai shpreh prioritetet dhe politikat qeverisëse për menaxhimin e kontributit të taksapaguesve dhe ruan ekuilibrat buxhetorë dhe treguesit makroekonomikë të ekonomisë .

Ndërsa sistemi i thesarit paraqitet si; “Tërësia e rregullave dhe e procedurave, si dhe struktura organizative përkatëse, e ngarkuar për ekzekutimin e buxhetit, administrimin e mjeteve monetare, sipas klasifikimit buxhetor, mbajtjen e llogarive dhe raportimin financiar të qeverisjes së përgjithshme.” Në mbështetje të funksionit që ka për ekzkutimin e buxhetit, Thesari kryen kontroll parandalues, të detyrueshëm përpara çdo pagese.

Kryerja e pagesave nëpërmjet Thesarit kërkon një autorizim të detyrueshëm. Thesari nuk është një arkë pasive, por një filtër aktiv. Të gjitha shpenzimet e buxhetit të shtetit, qoftë për organet qendrore apo vendore, “kryhen me autorizimin dhe pas kontrollit nga Degët e Thesarit”. Pa këtë autorizim,dhe pa kontroll paraprak nga dega e Thesarit asnjë pagesë nuk mund të procesohet.

Që të kryhet pagesa ajo duhet të jetë e bazuar në Ligj; Thesari “administron paratë publike dhe mund të paguajë vetëm detyrime të mbështetura në ligj, në buxhet dhe në aktet që prodhojnë pasoja financiare sipas Kushtetutës”. Ky është kufizimi i tij themelor; ai nuk mund të paguajë diçka që nuk ka një bazë të qartë ligjore dhe buxhetore.

Përkufizimi i mësipërm dhe përmbajtja e funksioneve të tij e shpjegon dhe e përligj faktin se përse Thesari i Shtetit, shpesh quhet si “gardian” i buxhetit apo “qen-roje”(Whatchdog). Kjo sepse edhe më tej ai është një instrument i krijuar me qëllimin e vetëm për të ruajtur , mbrojtur e respektuar shpenzimin e parave publike sipas klasifikimit buxhetor. Kështu ai nuk është dhe nuk mund të jetë një gjykatë e dytë kushtetuese dhe as civile dhe nuk ka mandat të vlerësojë drejtësinë e një vendimi gjyqësor, as të interpretojë kushtetutshmërinë e një akti. Detyra e tij është thjesht të verifikojë nëse transaksionet kanë bazë ligjore dhe janë në përputhje me klasifikimet e mësipërme buxhetore dhe ti t’i procesojë atë. Kur kjo bazë mungon, Thesari nuk autorizon kryerjen e pagesës. Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh se në çdo moment të vitit, Thesari ka në dispozicion vetëm atë pjesë të buxhetit vjetor që është i lirë të lëvrohet për periudhën aktuale. Askush nuk mund të tërheqë fonde nga një program buxhetor në tjetrin, mbi kufirin e përcaktuar, apo nga periudhat e ardhshme , pa një akt të veçantë ligjor, pa autorizimin e atyre që ligji ju ka rezervuar posaqërisht këtë kompetencë. Dhe të gjitha këto janë të rregulluara me ligj deri në detaje.

Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se “refuzuam të hapim dyert e thesarit të shtetit pa vendim Parlamenti”. Kur tha këtë, ai nuk tregoi një një akt arbitrar pushteti të tij individual por përcolli mesazhin se po zbatonte parimin më elementar të së drejtës buxhetore sipas të cilit; pa ligj, nuk ka shpenzim. Argumenti ishte i qartë; listëpagesat ishin paraqitur “me një metodologji të ndryshme nga ajo në fuqi” dhe pagesat nuk mund të procesoheshin pa një ligj të ri që autorizonte pagesën. Është kjo arsyeja që Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar Kuvendin të hartojë një ligj lidhur me ndryshimet e nevojshme për pagat e magjistratëve. GJK ju drejtua Kuvendit pikërisht se e çmoi se ishte i domosdoshëm hartimi i ligjit dhe se ky është i vetmi mekanizëm për të zbatuar vendimin e GJK.

Roli i Thesarit si gardian i buxhetit, nuk është metaforik por është real i përcaktuar me ligjjin nr. 9936/2008 , në ligjin vjetor të buxhetit dhe në ligjet që reflektojnë ndryshimet buxhetore gjatë periudhës si dhe në udhëzimet e Ministrisë së Financave. Pa këtë rol të Thesarit, buxheti do të ishte një dokument pa vlerë. Thesari është muri i fundit mbrojtës i ligjit buxhetor. Ai nuk është as aleat i ekzekutivit, as armik i gjyqësorit. Ai është thjesht një organ ekzekutues, që vepron vetëm kur ekziston një bazë ligjore.

Problemi konkret për rastin në fjalë është ky; buxheti i miratuar për vitin 2026 ishte llogaritur mbi bazën e pagave të vjetra. Asnjë ndryshim buxhetor gjatë periudhës , nuk parashikonte një rritje të tillë. Sipas Ministrit të Financave, kërkesat për rritje të pagave të magjistratëve do të kishin një efekt prej rreth 40 milionë eurosh në vit, ndërsa rishikimi i pagave për periudhën 2023–2026 do të kërkonte edhe 125 milionë euro të tjera. Kjo do të thotë se në zërin “paga” normalisht, nuk kishte fonde të mjaftueshme për të përballuar pagesat e Gushtit me pagat e reja. Limiti i atij zëri ishte llogaritur mbi pagat e vjetra, dhe fondet e katërmujorit nuk mund të rriteshin pa një ligj të ri, i cili të alokonte edhe burimet për ta përballuar këtë angazhim.

Por dikush natyrshëm mund të pyesë: Përse Thesari nuk i kaloi fondet e nevojshme nga zëri i investimeve apo i shpenzimeve operative në zërin e pagave? Përgjigja është e thjeshtë dhe e prerë: kjo është e ndaluar me ligj. Buxheti miratohet nga Kuvendi me destinacione të caktuara. Çdo zë ka një qëllim specifik dhe një limit të caktuar, ato në tërësinë e vet shprehin politikën e qeverisë. Kalimi i fondeve nga një zë në tjetrin , i quajtur transferim fondesh midis zërave buxhetorë, kërkon një akt të veçantë ligjor, zakonisht një vendim të Këshillit të Ministrave të miratuar me propozim të Ministrisë së Financave, dhe në raste të caktuara edhe miratimin nga Kuvendi kur ndryshimet prekin klasifikimin institucional (Njësitë e Qeverisjes Përgjithshme)
Në praktikën buxhetore shqiptare, transferimet midis zërave janë të rregulluara rreptësisht. Ligji nr. 9936/2008 dhe udhëzimet e Ministrisë së Financave, përcaktojnë se fondet e alokuara për një kategori shpenzimi nuk mund të përdoren për një kategori tjetër pa një akt të posaçëm autorizimi.

“Republika e Prokurorëve”: Metaforë apo Realitet?

Vendimet e KLGJ dhe KLP për rritjen e pagave të magjistratëve, pavarësisht se këto vendime janë të kontestueshme juridikisht dhe nuk sjellin pasoja jurdike pa ndërhyrjen e ligjvënësit , sepse burimet për të përballuar këtë rritje, mund të bëhen vetëm me ligj. Në fund të fundit këto vendime, janë modeli më i qartë se, “Republika e Prokurorëve” nuk është thjesht një metaforë por një realitet i pretenduar. Imagjinoni për një moment sikur të gjitha Njësitë e Qeverisjes së Përgjithëshme të ngriheshin e të merrnin vendime për rritjen e shpenzimeve buxhetore, për paga apo qoftë edhe për investime apo shpenzime operative, përtej limiteve të përcaktuara në ligjin vjetor të buxhetit? Në një Republikë normale ndryshimi i buxhetit bëhet me ligj por në “Republikën e Prokurorëve” ligji janë vetë ata…Por magjistratët nuk duhet të harrojnë se qëndrimi dhe vendimet e tyre bien ndesh me një parim bazë moral dhe teknik; “Nemo judex in causa sua”…. (Askush nuk mund të jetë gjykatës në çështjen e vet).

Kallëzimi penal dhe mbledhja e gjyqtarëve kanë marrë përmasa groteske. Ato kanë rikthyer në qendër të debatit publik, një term që prej vitesh qarkullon në diskursin politik shqiptar si “Republika e Prokurorëve”. Fillimisht i përdorur për të përshkruar perceptimin e pushtetit të pakontrolluar të prokurorisë, sidomos pas reformës në drejtësi, ky term tani po përdoret për të përshkruar edhe veprimet e gjyqësorit në këtë konflikt. Ajo që po ndodh tani e bën këtë debat më të rëndësishëm se kurrë. Kur gjyqtarët kallëzojnë penalisht një ministër sepse ai zbaton ligjin; kur KLP-ja dhe KLGJ-ja marrin përsipër të përcaktojnë vetë pagat në mungesë të ligjit, kur Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve kërcënon me bojkot të plotë të drejtësisë, këto veprime, pavarësisht nga qëllimi i tyre, krijojnë përshtypjen e një pushteti gjyqësor që vepron jashtë kornizës së kontrollit institucional. Dhe pikërisht kjo është ajo që termi “Republika e Prokurorëve” synon të kapë, ndjenjën se një degë e pushtetit ka grumbulluar aq shumë fuqi saqë nuk ndihet e detyruar të respektojë rregullat e përbashkëta.

Nëse ka një moment që e kthen një mosmarrëveshje institucionale në një konflikt të hapur pushtetesh, ai është kallëzimi penal i depozituar në SPAK më 8 shtator 2026. Njëzet nëpunës autorizues të gjykatave në të gjithë vendin, së bashku me kryetarët e Unionit të Gjyqtarëve, Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve dhe Shoqatës së Prokurorëve, kallëzuan penalisht ministrin e Financave Petrit Malaj, sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Financave dhe drejtuesit e 16 degëve të Thesarit të Shtetit. Kallëzimi lidhet me mospagesën e pagave për muajin gusht 2026 dhe kërkon hetimin për tre vepra penale, përfshirë shpërdorimin e detyrës dhe pengimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore.

Në këndvështrimin tim, ky kallëzim përbën një formë presioni institucional ndaj një organi ekzekutues që, siç e kemi argumentuar, nuk ka bërë asgjë tjetër veçse ka zbatuar ligjin. Ministri Malaj e ka formuluar këtë paradoks me një thjeshtësi të prerë: “Të kallëzohesh sepse po zbaton ligjin, nga garantët e barazisë para ligjit!”. Dhe ka të drejtë, Thesari nuk mund të krijojë angazhime buxhetore pa bazë ligjore. Kur Kuvendi nuk e miratoi ligjin brenda afatit kushtetues të 31 korrikut, Thesari mbeti pa autorizim për të vepruar. Kallëzimi penal nuk e ndryshon këtë realitet juridik; ai thjesht shton presion mbi një organ që tashmë vepron brenda kufijve të ligjit.

Një ditë më vonë, më 10 shtator 2026, Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë u mblodh në mënyrë të jashtëzakonshme në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në përfundim të punimeve, ajo miratoi një deklaratë zyrtare që kërkonte “zhbllokimin e menjëhershëm dhe pagesën pa asnjë vonesë të pagave të gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore”. Deklarata theksoi se situata “nuk përbën një mosmarrëveshje të zakonshme financiare dhe as një konflikt për privilegje”, por “prek drejtpërdrejt autoritetin e Kushtetutës, forcën detyruese të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, pavarësinë e pushtetit gjyqësor”.

Më tej, gjyqtarët paralajmëruan se nëse institucionet përgjegjëse nuk veprojnë menjëherë, “masat e ndërmarra nga pushteti gjyqësor do të përshkallëzohen deri në reduktimin dhe kufizimin përkohësisht të veprimtarisë gjyqësore, vetëm në shqyrtimin e çështjeve me natyrë urgjente”. Edhe pse me ligjet e kësaj Republike ata nuk mund ta ndërpresin për asnjë arsye veprimtarinë e gjykatës, në këtë rast ata po veprojnë sipas kodeve të “Republikës së Prokurorëve” , që tashmë duket se e ka marrë formë… Ky është një ultimatum i hapur ndaj ekzekutivit dhe legjislativit, duke kushtëzuar zhbllokimin e pagave, ose sistemi i drejtësisë hyn në një bojkot të plotë që do të paralizojë shërbimin ndaj qytetarëve.Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Ky nuk është vetëm një sulm ndaj ekzekutivit si institucion por një paralajmërim për përshkallëzimin e veprimeve që, pavarësisht nga justifikimi i tyre, e vendosin gjyqësorin në pozicionin e një aktori politik, që përpiqet të imponojë vullnetin e tij mbi organet e tjera kushtetuese por kjo është e rrezikshme për ekuilibrin e pushteteve.

Përgjegjësia e vetme është e Kuvendit të Shqipërisë

Nëse duhet të kërkojmë përgjegjësinë institucionale për krijimin e kësaj situate, vëmendja duhet të drejtohet para së gjithash te Kuvendi. Ai kishte detyrimin për të miratuar ndryshimet ligjore brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Projektligji u depozitua, por nuk u miratua në kohë. Kuvendi e dinte se vendimi i Gjykatës Kushtetuese kërkonte ndërhyrje ligjore. E dinte gjithashtu se ndryshimi i pagave do të kishte një efekt të konsiderueshëm financiar. Megjithatë, nuk u krijuan në kohë kushtet ligjore dhe buxhetore që do t’i mundësonin Thesarit të ekzekutonte pagesat sipas skemës së re. Prandaj, Thesari nuk duhet parë si pengesa e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ai është pjesë e mekanizmit që zbaton ligjin buxhetor të miratuar nga vetë Kuvendi. Detyra e tij është të respektojë limitet, afatet, klasifikimin dhe procedurat buxhetore, edhe kur kjo sjell tension me institucione të tjera.

Pa këtë rol, buxheti i shtetit do të ishte një dokument pa forcë reale dhe llogaridhënia publike do të dobësohej ndjeshëm. Kjo është arsyeja pse zgjidhja nuk gjendet duke sulmuar Thesarin. Zgjidhja gjendet te Kuvendi, ai duhet të përmbushë detyrimin e tij kushtetues dhe të miratojë bazën ligjore të nevojshme, duke përcaktuar edhe burimet financiare përkatëse.

Nëse ligji parashikon efekte për periudhat e mëparshme, duhet të përcaktojë qartë edhe mënyrën e financimit dhe të rialokimit të fondeve. Vetëm pasi të ekzistojë baza e plotë ligjore dhe buxhetore, Thesari mund të kryejë pagesat për periudhën përkatëse.
Pra, pyetja kryesore nuk është: “Përse Thesari nuk paguan?” Pyetja e vërtetë është: “Kush duhet të krijojë bazën ligjore dhe buxhetore që Thesari të mund të paguajë?” Përgjigjja, sipas logjikës së sistemit tonë kushtetues dhe buxhetor, është e qartë; Kuvendi i Shqipërisë.

Çdo përpjekje për ta detyruar Thesarin të veprojë jashtë bazës ligjore do të ishte një goditje ndaj parimit të ligjshmërisë buxhetore. Dhe çdo përpjekje për ta bërë Thesarin përgjegjës për një vakum që ai nuk ka kompetencë ta zgjidhë do të thotë të ngatërrosh rolin e ekzekutuesit me atë të ligjvënësit. Në fund të fundit, kjo nuk është vetëm një çështje pagash. Është një provë për mënyrën se si funksionon ndarja e pushteteve në Republikën e Shqipërisë. Është një provë për Kuvendin, për ekzekutivin dhe për gjyqësorin.

Dhe mbi të gjitha, është një provë për shtetin e së drejtës. Nëse çdo institucion respekton kompetencën e vet, kriza zgjidhet me ligj. Nëse secili institucion përpiqet të zgjidhë vetë edhe atë që nuk i takon, atëherë metafora e “Republikës së Prokurorëve” rrezikon të mos mbetet më vetëm metaforë.

Rreziku nga Inteligjenca Artificiale, drejtuesit e kompanive kryesore të AI kërkojnë ngadalësimin e zhvillimit të teknologjisë –

13 September 2026 at 01:11


Drejtuesit e disa prej kompanive më të fuqishme të Inteligjencës Artificiale po kërkojnë ngadalësimin e zhvillimit të modeleve më të avancuara. Kërkesa vjen pas shqetësimeve se aftësitë e teknologjisë po ecin më shpejt sesa mundësia për ta kuptuar dhe kontrolluar atë.

Drejtori ekzekutiv i Anthropic, Dario Amodei, bëri thirrje që kompanitë të ulin ritmin me të cilin rrisin aftësitë e modeleve të AI, duke argumentuar se vetëm investimet më të mëdha në siguri nuk janë më të mjaftueshme.

Thirrja e tij mori mbështetjen e drejtuesve të kompanive rivale. Elon Musk, drejtues i xAI, deklaroi se “Dario ka të drejtë”, ndërsa edhe CEO i OpenAI, Sam Altman, u shpreh publikisht në favor të kontrollimit të ritmit të zhvillimit të modeleve më të avancuara.

Amodei propozon që kompanitë kryesore t’u japin ekspertëve të pavarur të sigurisë akses të gjerë për të vlerësuar sistemet e tyre, si dhe vendosjen e standardeve të përbashkëta për industrinë dhe ndërhyrjen e qeverive.

Sipas tij, ngadalësimi do t’u jepte studiuesve dhe autoriteteve më shumë kohë për të ndërtuar mekanizma sigurie përpara se sistemet e AI të bëhen ndjeshëm më të fuqishme.

Shqetësimet janë shtuar edhe pas incidenteve të raportuara së fundmi, ku modele të avancuara të AI kanë kryer veprime kibernetike pa dijeninë e kompanive që i zhvillojnë.

Një nga çështjet që shqetëson Amodei është rritja e aftësisë së Inteligjencës Artificiale për të ndihmuar në krijimin e gjeneratave të ardhshme të vetë AI-së, proces që mund të përshpejtojë ndjeshëm zhvillimin teknologjik.

Debati ka mbërritur edhe në Kongresin amerikan, ku disa ligjvënës kërkojnë rregulla kombëtare dhe masa të detyrueshme sigurie, duke argumentuar se industria nuk mund të mbështetet vetëm te vetërregullimi.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump është shprehur se nuk ka shqetësime për rreziqet e AI-së së avancuar dhe se shqetësimi i tij kryesor është mundësia që Shtetet e Bashkuara të humbasin garën teknologjike me Kinën.

Thirrjet e drejtuesve të industrisë shënojnë një zhvillim të pazakontë në garën globale të AI-së, pasi kompani rivale po shfaqin një qëndrim të përbashkët se avancimi i teknologjisë duhet të shoqërohet me më shumë kohë dhe mekanizma për kontrollin e rreziqeve.

Haga, midis maktheve dhe paranojave

11 September 2026 at 21:57

Nga Kristaq Xharo

Një akuzë për të mbrojtur akuzën. Përpara datës 16 shtator, kur do të shpallet vendimi i gjykatës, prokurori ngriti një akuzëtë re. Ndjesia që të jep akuza e ngritur dje nga Haga kundër ish-drejtuesve të UÇK-së duket si makth dhe paranojë njëherësh. Makthi është frika se ajo që ke ndërtuar për vite e vite mund të shembet sapo të hapësh sytë. Po paranoja? Frika se çdo zë, çdo kujtim dhe çdo hije po komploton kundër teje. Dhe duket se të dyja, makthi dhe paranoja, takohen në të njëjtën sallë gjyqi: në Hagë.

Ndërkohë, ky nuk është një proces dosjesh të ftohta. Për shqiptarët, është gjyqi i shekullit. Në bankën e të akuzuarve janë katër njerëz, por pas tyre qëndrojnë një luftë, një rezistencë dhe një pjesë e historisë sonë. Prandaj pyetja nuk është vetëm se çfarë po ndodh në Hagë, por edhe: çfarë vjen pas Hagës?

Pas vitesh hetimesh, mijëra faqesh dhe qindra dëshmish, të akuzuarit po shfaqen përsëri si kërcënim. Jo vetëm si palë ndaj së cilës Prokuroria duhet të provojë akuzën, por tashmë edhe si makthi prej të cilit kërkohet të mbrohet vetë akuza. Këtu ironia nuk troket; hyn pa leje.

Akuza që denoncon veten… Akuza e re po ngrihet pranë së vjetrës si një patericë për të mbajtur një mur që lëkundet, si një hendek për të ruajtur murin dhe, ndoshta, nesër si një mur tjetër për të mbrojtur hendekun. Nëse akuza është kaq e fortë, përse i duhen kaq shumë mure? Për vite dëgjuam për dëshmitarë të mbrojtur, identitete të fshehura, seanca të mbyllura, masa sigurie, kontrolle dhe protokolle. Një fortesë e tërë u ngrit përreth tyre. Tani na thuhet se të akuzuarit i paskan kapërcyer këto mure. Nëse kjo tezë qëndron, lind vetvetiu pyetja: e kujt ishte përgjegjësia?

Paradoksi tashmë nuk pëshpërit; ai vetakuzon. Nëse të izoluarit nuk paskan qenë vërtet të izoluar dhe dëshmitarët nuk paskan qenë mjaftueshëm të mbrojtur, përse vlejtën gjithë ato vite izolim, nëse sot vetë Haga na thotë se izolimi nuk mjaftoi? Edhe sikur kjo akuzë të gjente një alibi juridike, ajo do të kërkonte dy të pandehur: të izoluarit në sallë dhe vetë Hagën. Duke pretenduar se barrierat e burgut u kapërcyen, institucioni ngre njëkohësisht pikëpyetje mbi protokollet me të cilat përligji vite paraburgimi nën arsyen e mbrojtjes së dëshmitarëve. Akuza synon të rëndojë mbi të burgosurit, por hija e saj bie edhe mbi institucionin që kishte për detyrë t’i ruante ato barriera.

Makthi pas mureve të çara. Për akuzën bazë, të ndryshuar disa herë, u deshën vite hetimesh, mijëra dokumente dhe rindërtimi i një skenari për një luftë të ndodhur dekada më parë. U kërkua edhe ndihma e Beogradit, i cili nuk nguroi të afrohej me çfarë kishte në duar. Ndërsa akuza e re u ngrit me një ngutje tjetër. Mos vallë Haga vrapon më shpejt kur makthi troket në derën e vet?

Dhe cili është makthi? Që muret e akuzës bazë kanë nisur të çahen dhe themelet të lëkunden? Që po bien, njëri pas tjetrit, gurët e vendosur që nga rrëfimi i “Shtëpisë së Verdhë”, nga teza e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” dhe nga përpjekja për të vendosur në të njëjtën peshore pushtuesin dhe rezistencën?

Paradoksi mbetet fortesa e akuzës, mbi të cilën procesi ka hapur gjithnjë e më shumë pikëpyetje. Kur një mur nis të çahet, mjeshtri ka dy mundësi: të kontrollojë themelet ose të ndërtojë një tjetër përpara tij. Dhe këtu lind pyetja: mos vallë Haga ka zgjedhur murin? A po ngrihet akuza e re si mur mbrojtës për akuzën e vjetër?

Kur akuza i kërkon dëshmitarët në rresht. Nëse kujtojnë atë që mbështet akuzën, kujtesa bëhet gur në murin e saj; kur kujtojnë ndryshe, nis të dëgjohet krisja. Avokatja SophieMenegon vendosi mbi tryezë pikërisht gurin që nuk hyn lehtë në mur: Mustafa, Bislim Zyrapi dhe “Dëshmitari 4”, sipas argumentimit të mbrojtjes, kanë pohuar para vetë ZPS-së se askush nuk kishte ndërhyrë tek ata. Atëherë, ku fshihet ndikimi? Mos vallë dëshmitari është i besueshëm vetëm kur kujtesa e tij marshon në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa bëhet i dyshimtë sapo ndalet përpara portës së saj?

Nëse po, atëherë kemi nënvlerësuar fuqinë e një qelie në Hagë. Një njeri i izoluar, i survejuar dhe i kontrolluar paska mundur të kalojë muret, kamerat dhe protokollet, të hyjë në kujtesën e njerëzve dhe t’ua rregullojë historinë. Edhe Franz Kafka do ta kishte zili një skenar të tillë. Haga duket se ka nevojë për një rrugëdalje nga ky sokak qorr.

Këtu makthi shartohet me paranojën. Nëse të akuzuarit heshtin, fshehin; nëse flasin, ndikojnë; nëse kujtojnë, manipulojnë. Dhe kur dikush kujton si ata, qenka ndikuar. Nëse historia nuk përputhet me akuzën, mos vallë fajin duhet ta ketë historia? Të akuzuarit idealë mbeten kështu ata pa zë, pa kujtesë dhe, mundësisht, pa hije.

Fuqia e dëshmisë. Përballë dëshmitarëve të mbuluar nga anonimiteti, me kode dhe identitete të fshehura, mbrojtja solli në sallë emra me peshë ndërkombëtare: Wesley Clark, JamesRubin, Christopher Hill, Jock Covey, John Duncan dhe MichaelDurkee. Ata nuk e njohën luftën nga korridoret e ftohta të Hagës. E panë nga afër, takuan drejtuesit e UÇK-së dhe vepruan në qendrat e fuqisë botërore ku merreshin vendime për fatin e luftës dhe të Kosovës. Dëshmia e tyre nuk ishte një pëshpërimë pas perdes; ishte një pjesë e historisë që hyri në sallë me emër, fytyrë dhe përgjegjësi.

Kur akuza e parë kërkon një të dytë për t’u mbrojtur, cila po mban cilën mbi ujë? Menegon, avokatja e njërit prej të akuzuarve, ia hoqi paradoksit petkun juridik dhe e la përballë pyetjes së vet: sipas argumentit të mbrojtjes, kërkohet një dënim i rëndë për biseda të zhvilluara në paraburgim, ndërkohë që jashtë mureve nuk u provua pasoja që pretendohej se synohej. Atëherë, çfarë po peshohet: pasoja që ndodhi apo frika se mund të kishte ndodhur? A po kapet Haga, si i mbyturi pas fijes së kashtës, për ta mbajtur gjallë akuzën e vjetër? Sepse fija e kashtës, sado fort ta shtrëngosh, nuk bëhet litar.

Gjyqi i shekullit. Ka gjyqe që peshojnë fate njerëzish dhe ka gjyqe mbi të cilat rëndon pesha e një epoke. Ky është një prej tyre. Në Hagë nuk maten vetëm fajësia apo pafajësia e katër burrave; për shqiptarët, aty preket kujtesa e një populli që luftoi për të dalë nga robëria dhe për të hyrë në histori me emrin e vet. Prandaj çdo dëshmi, çdo heshtje dhe çdo vendim do të shkojë shumë përtej mureve të asaj salle. Sepse në Hagë sot nuk jehon vetëm fati i katër burrave; aty troket një shekull shqiptar përpjekjesh për liri, me plagët, sakrificat dhe kujtesën e tij.

Por historia nuk mbahet në paraburgim. Një ditë muret bien. Kamerat fiken. Dosjet mbyllen. Dhe atëherë askush nuk pyet më sa të larta ishin muret. Pyetja është çfarë mbanin brenda?

Dhe pas gjithë kësaj mbetet pyetja që, për shqiptarët, është më e madhe se vetë procesi: Çfarë vjen pas Hagës?

* Lektor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në UET(Prof. Dr/ kolonel R)

❌