Nga Arian Leka
Në librin “Treni ADN” (Intergrafika, 2024) Dhimitër Anagnosti shfaqet jo si poeti që mëton një vend në poezi, por si autor që e ka poezinë si vazhdim të domosdoshëm të jetës së vet krijuese. Qasja ndaj poezisë, si hapësirë arti e pashijuar, e vendos autorin në sporvën e një dallimi thelbësor, që veçon poetët episodikë nga ata që shkruajnë nën “ankthin e domosdoshmërisë” apo nga kërkesa për ta lënë me shkrim dëshminë e tyre. Tashmë ambicia artistike e Anagnostit është qetësuar falë fronit prej korifeu në kinematografi, por nevoja ekzistenciale e tij për t’u shprehur edhe përmes vargjeve është shtysa që e fton jo thjesht të dëshmohet, por për të dëshmuar edhe përmes poezisë.

“Treni ADN” vjen si një libër ku poezia, kinemaja, kujtesa dhe etika njerëzore bashkohen në një zë unik, që nuk konkurron me traditat, por bashkëbisedon me të. Kërkimi i efektit kalimtar, si një libër kurshtie prej “kineastit që shkruan poezi” është e tejkaluar, pasi Anagnosti e di se historia e artit ka regjisorë të shquar, të njohur edhe në poezi, mes tyre Jean Cocteau, Andrei Tarkovsky, Pier Paolo Pasolini apo Alejandro Jodorowsky, që e poetizuan filmin dhe që e kanë poezinë pjesë të së njëjtës ndjeshmëri artistike. Në këtë këndvështrim “Treni ADN” kërkon vëmendje falë peshës së përvojës që sjell dhe urtësisë së zërit autorial në këtë formë të poezisë vizuale, që lidh kinemanë me poezinë shqiptare.

Titulli i librit është metafora qendrore, që kërkon ta përjetojmë jetën dhe leximin e kësaj vepre si udhëtim. I pandalshëm, hapësirë ku individi – udhëtar takohet me veten, me trashëgimitë, për të pohuar se qenia e tij përbëhet nga kujtesa personale, kujtesa e fisit dhe e gjithë njerëzimit. Treni metaforik ecën mbi spiralen binare të ADN-së, duke mbartur me vete paraardhësit dhe bashkëkohësit kujtesën, “dhimbjen krenare”, peshën e gabimit të brezave, por dhe buzëqeshjen e shpresën.Për Anagnostin jeta është njëherazi udhëtimi gjenetik, historik dhe shpirtëror dhe individi, një nyje në thurimën e trashëgimisë.
*
Anagnosti hyn në poezi jo si pjesë e ndonjë brezi letrar, por si një autor që mbërrin pasi tradita është formuar. Me gjuhën e një arti tjetër ai ka “shkruar” të njëjtin “tekst”, pasi filmat e tij janë poezi vizuale, ndaj çmohet si “poet i kinematografisë”, duke bërë që filmografia dhe poezia e tij të jenë njëkohësisht sociale, personale dhe politike. Tematika e tij, vargjet dhe meditimet, përkon me “territore letrare”, ku më herët të tjerë kanë lënë gurë kufiri të dallueshëm.
Migjeni, me ankthin social, revoltën e papërmbajtur, klithmën morale dhe energjinë e bllokuar në vete; Lasgushi lirik, që e ndërton metafizikë mbi muzikën, simbolin dhe peizazhin e idealizuar; Arapi, deti i të cilit është hapësirë lirike, dashuri, çlirim, magjepsje dhe bukuri; Rreshpja poeti finosh i ekstazës së thyer, i vizionit të shfrenuar, i përfytyrimit të paparashikueshëm, që lëndon me butësi; Agolli, me përditshëminë, idilën e qytetit, idilin rural dhe me etikën e njeriut të zakonshëm apo Kadareja me obsesionin ndaj historisë, qasjet ndaj diktaturës, mitim dhe fajin kolektiv, duket se kanë lënë jo shumë hapësirë për pasardhësin. Por edhe kur duket se porta është mbyllur, rrezet gjejnë një hapësirë për të hyrë.
Anagnosti shkel territore të ngjashme të së njëjtës gjeografi poetike: temat e vuajtjes, hipokrizisë, padrejtësia, zhënjimi, gëzimet e befta, shoqëruar me buzëqeshje të mençur apo lodhjen nga jeta. Ai nuk klith. Vizualish, klithma e tij afron me pikturën “Britma” e Edvard Munch-ut. Shpërthimet mungojnë, por ka rrëfim pas betejës, ku limiti njerëzor dëshmohet si poetikë e pas-revoltës, e njeriut që e di se grushti nuk mjafton.Vargu “O, si nuk kam një grusht të fuqishëm! Malit, që hesht, mu në zemër me ia njesh” merr formën “U lodha, u lodha, u lodha!” Ky ndryshim regjistri është thelbësor, pasi Anagnosti sjell vargjet e energjisë së shteruar.
Prej këtej mund të shihet se, në aspektin metafizik “Treni AND” vjen pa lirizmin e fjalës ornamentale, të temperuar me kujdes, për të nxjerrë prej saj kuptime dhe tinguj. Natyra te Anagnosti është ankth qiellor, një horror kozmik, shenjë paralajmëruese, një ogur që ndjell e nuk ndjell mirë me atë “Hënë të stërmadhe, diell të stërmadh, të kuq si gjaku i mpiksur!”, me një telefon që bie për të dëgjuar dialogun: “- Sapo mbërrita, po jam shumë e lodhur… – …..Çlodhu, zemër….!” Kjo është pamja e sjellë nga autori që kërkon thellë në kuptimin e frikës dhe mendon se ekzistencializmi i përshtatet njeriut të sotëm më shumë se simbolizmi.

Optimisti etik i paraardhësve ia ka lënë vendin zhgënjimit të heshtur që, edhe pse e pranon pajtimin e njeriut me jetën, nuk rri dot pa bërë pyetje, shpesh pa përgjigje: “A ia vlen pajtimi?” “Vdekje! / E di që do vish. / Si vdekja e di! / Dhe shumë gjëra / Si vdekja i di!”. Pyetjet kthehen në dilema, dilema e njeriut që nuk e pranon si zgjidhje të qenurit i ngushëlluar ngushëllimin. Pyetjet pa përgjigje janë sprova e njeriut që e ka tejkaluar optimizmin si detyrim social dhe e sheh jetën si balancë të brishtë mes mashtrimit, shpresës dhe vetëmashtrimit: “Vetëngushëllim, a vetëmashtrim?!”. Gjithë sa janë thënë më herët përmes formave “unë vdes për…” (atdheun, nderin, dashurinë, ty”, te Anagnosti marrin trajtë më pranë Dostovjevskit “unë vdes!”, “jam i vdekshëm” dhe kjo ka rëndësi.
Peizazhi, si poezi e natyrës, te “Treni ADN” është i pranishme dhe, po aq sa toka e qielli, në tekste shfaqet edhe deti. Kjo hapësirë krijimi te Deti i Anagnostit është kufi i qenies, vendi ku toka mbaron dhe fillon misteri, aventura e jetës me shumë dilema. Ky det vjen bashkë me një “masiv shkëmbor…ngritur përpjetë duke dalë nga ujërat e thella të Jonit blu”, ai ka thellësi kërcënuese, pafundësi që të gëlltit, prani të heshtur e së panjohurës që, njëlloj si njeriu, nuk kthen përgjigje, por këqyr dhe hy në komunikim. Qasja e lidh Anagnostin më shumë me poetikën filmike, sesa me traditën e lirikës së peizazhit detar, por i jep gjithashtu edhe rastin të shprehet e të nderojë, përmes detit, një poet si Frederik Rreshpja, me vargjet: “Këtu prehet poeti / Prehet “lumi”, prehet “deti” / Prehet qielli i lumë / Me ylber e me furtunë / Prehet dhimbja, çmenduria, mirësia / Prehet zemra, dashuria!” Të dy ndajnë temën e dhimbjes dhe të vetmisë, jo stilin. Anagnosti e mban imazhin nën kontroll, si te “Rekuiemi”, ku lexohen vargjet:“Askush s’derdhi lot për ty / S’kishin lindur ata sy /Turp për ne / Lavdi për ty!”. Kësisoj, Anagnosti bëhet dëshmues i etikës klasike, me fjalë të kursyera, me gjykim të prerë, më shumë skalitje se shkrim.
Anagnosti mund ta ndjejë kultin e gjuhës, të kujtesës dhe të kulturës së etnosit, të cilat i nderon, pa krijuar mitin e tyre. Për të kujtesa është barrë, brengë, që do gjuhë të qartë për t’u shprehur, pa alegori, si rrëfime të ndërgjegjes. Kjo optikë nuk kërkon të jetë poezi në kuptimin tradicional. Autori e ndien veten udhëtar, ai që kërkon, humb dhe gjen rrugën, pa u bërë drejtuesi që prin, shprehur në distikun: “Brezat ikin / Brezat vijnë…” Vargjet bëhet pranim i vetëdijshëm i fatit dhe i fatalitetit njerëzor, qëndrim ky që i jep librit tërheqjen e veçantë të leximit si ditar përvojash, pa revoltë romantike. Vargje të tillë si: “Koha dy masa ka / Arkivolin dhe djepin në krah” e shndërrojnë udhëtimin në mekanizëm biologjik e metafizik njëherësh. Ky është “treni” që ecën mbi shinat e njerëzore, ku lindja dhe vdekja janë episode, sekuenca, kadro të një filmi, për të mos thënë se janë vetë kinemaja letrare, ku Anagnosti na fton për të ndjekur këtë flim me fjalë, sa shpirtëror dhe reflektues.
*
Nuk është e rastit që poezitë shfaqen në filmat e Anagnostit. Edhe në këtë libër kineasti është i pranishëm. Për fjalën dhe kompozimin e poezisë ai përdor të njëjtat teknika: rakursi, zgjedhjen e këndit të xhirimit, montazhin, fiksimin e detajit dhe zgjedhjen e pamjes më të rëndësishme në skenës masive. Këto përvoja janë vendimtare për strukturën e “Treni ADN”, si përmbledhjeje imazhesh të pasuruara nga mendimi dhe poezinë vizuale brenda tij, të tilla si “Meditim”.
Poezia e Anagnostit fillimisht sheh, para se të flasë. Autori nuk përshkruan, por kuadron, ai nuk rrëfen gjithë sa sheh syri, por zgjedh me kujdes e më pas montazhon “dublën” më të arrirë.Përshkrimi i maleve të Akrokeraunës dhe Jonit aty ndërtohet mbi dy rakurse, që poeti e përdor me vetëdije, si në vargjet e poezisë “Mali i vetëtimave”: “Kreshta përpjetë / Mbi kokë retë / Këmbët në det”. Peizazhi natyror përmbyset, për t’u shndërruar në peizazh njerëzor: “Këmbët në det / Koka te retë / Mbi kokë rrufetë!” Janë kompozime pamore të thjeshta në dukje, por të sakta, ku lartësia dhe thellësia e imazhit krijojnë tensionin ekzistencial, krijuar me vetëdijen e regjisorit: “Pamja është mahnitëse nga të dy pikëshikimet apo rakurset / do të thoshte një kineast apo piktor”, shkruhet në këtë prozë poetike.” Aty bota shihet nga dy kënde: lart dhe poshtë (det-mal / qiell-tokë.)

Kjo gjendje e bën poezinë e Anagnostit të funksionojë si filmi poetik, ku vargu është prerje, ndalesë, fokus, detaj. Ajo që e shquan këtë libër të Anagnostit është sinqeriteti brutal, etika pa retorikë dhe moralizim. Ky sinqeriteti i pagrimuar, pa mbrojtje retorike, edhe pse shpesh qesëndisës, i dhimbshëm, por jo cinik, e bën autorin të mos i qaset lexuesit me ton predikues, por të mbërrijë si dëshmitar, i përunjur, i lodhur nga përvojat, prej të cilave lehtësohet kur i ndan me lexuesin. Moralizimi rri larg, për t’ia lënë hapsirën dëshmisë. Flitet haptazi për lodhjen, frikën, pendesën dhe vdekjen, por edhe përjetësinë, gëzimin, por edhe tragjikomedinë e lojës së jetës. E gjitha pa patetizëm, duke e ruajtur veten dhe vargun nga çdo formë sentimentalizmi.
*
Njeriu që ka jetuar gjatë zgjedh të pohojë të vërtetën e tij, jo të prodhojë vargje dhe rima. Në poezinë “U lodha”, ai shkruan si në rrëfimore, pa e mbrojtur veten nga e vërteta rraskaptëse e konvertimit njeri që gënjen e mashtron, që shtiret, flet e dëgjon, të cilin e ka lodhur edhe puna që do. “Jeta lodhje pa mbarim! Gjumi pushim! Vdekja shpëtim?” Pohimi do të ishte i rrezikshëm nëse pyetja fundore nuk do të ishte i zhveshur nga patetika. Ai e njeh jetën nga brenda, menditon mbi lodhjejen si hipotezë, pa menduar dorëzimin, vdekjen – një takim me veten në zonë kufitare, ku ballafaqimi me të vërtetën kërkon heqjen e maskës, larg teatralitet, pa mitologji urbane.
Një qasje e tillë rri pranë njeriut të zakonshëm, një tjetër veçanti librit, dhe këtë njeri autori e njeh. Janë figurantë të jetës së përditshme: prindërit, pensionistët, gjyshër, një grua shtatzënë, saroshë hedonistë, fëmijë anonimë, vogëlushi Rei, Marigoja dhe Joni i vogël dhe “amaneti ndaj nipit të parë, binjakë, bijat, fëmijët tanë dhe të botës, testamente, dëshira, urime dhe pengje, por edhe emigrantë, tigra e zogj në kafaz, telefona që bien ose nuk bien më dhe mikroskena nga jeta përbëjnë etikën humaniste të autorit, siç lehohet në vargjet:“Kur nuk erdhën më shumë u mërzita… ‘/ Kthehuni ju lutem! / T’u kërkoj dhe ndjesë!” Ndeshim këtu poezinë etike, ku pendesa lind nga mungesa, jo nga predikimi, si përvojë intime, jashtë doktrinave. Autori i sheh vogëlsitë e jetës si metafora të mëdha të fajit të përditshëm njerëzor.
*
Duke lexuar, kupton se poezia dhe proza e këtij libri është një arkiv kujtese, që herë shprehet me rima, herë me vargje me ritëm e herë si mendim i paformatuar. Nga një vështrim tjetër “Treni AND” është libër i kujtesës kolektive, memuaristikë, që përmbledh historinë kulturore shqiptare me një lakonicitet solemn, pa folklorizëm dhe pa retorikë patriotike të zbrazët, duke bërë bashkë përditshmërinë me çaste të përjetësisë. Gjuha shqipe, Skënderbeu, Prenk Jakova, Agim Qirjaqi, Roza me “Medean” në amfiteatrot e Greqisë, diktatura, genocidi, nënshtrimin, pirati Gjon, familjarët, Kosovën, martirët e artit, fabula të vogla jete, pa lejuar që poezia e kujtesës, të shndërrohet në ideologji poetike për triumfin e jetës, si një detyrim.
Në poezinë “Gjuha shqipe” shkruhet: “Me gjak martirësh / E gatuar”, duke e përmbledhur pa retorikë folklorike, por me respekt solemn, historinë kulturore shqiptare ndaj gjuhës që, sipas autorit “bëri shtet”. Avitje të tilla, të menduara, zor se arriheshin pa një tjetër element dallues të këtij komunikimi poetik: qetësia tragjike e zërit autorial, brenda një recitali të trishtuar me njeriun “për të tjerët peng / për vete liri?!”.
Anagnosti nuk kërkon të jetë modern, as provokues. Ai shkruan si artisti-njeri, që ka parë, ka humbur dhe ka kuptuar. Nuk ngre tonin për të bërtitur, ngre fjalën, si ai që ka shndërruar jetën në përvoja. Kjo e bën të qëndrueshëm vargun e tij, ia bën të besueshme ndjenjën dhe thellësisht humane dëshirën për t’ia besuar lexuesit rrëfimin.
I organizuar në stacione jete, me titujt “Loja e jetës”, “Frymë e shpirt”, “Njerëzit vdesin, idhujt mbesin”, “Kurthi magjik”, “Treni AND”, “Pasqara qiellore, kjo vepër e pjekurisë krijuese të Dhimitër Anagnostit nuk e kërkon, por e meriton vëmendjen.