Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 13 January 2026Java News

Çfarë opsionesh ushtarake apo të tjera ka SHBA-ja kundër Iranit?

By: A R
13 January 2026 at 09:58

Duket se Uashingtoni i ka rikthyer në agjendë veprimet ushtarake kundër Iranit, në një kohë kur po ndodh një shtypje gjithnjë e më vdekjeprurëse ndaj protestuesve në qytete dhe qyteza në të gjithë vendin.

Raporte të pakonfirmuara thonë se më shumë se 500 njerëz janë vrarë – edhe pse disa grupe për të drejtat e njeriut thonë se numri i viktimave mund të jetë disa herë më i lartë – gjatë shtypjes së kryengritjes.

Protestat e javëve të fundit janë shndërruar në njërën prej sfidave më të mëdha ndaj sundimit klerikal që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979, përcjell A2.

Demonstratat u nxitën nga inflacioni i madh dhe rënia e shpejtë e monedhës kombëtare, por më pas u shndërruan në një protestë më të gjerë kundër autoriteteve të vendit.

Uashingtoni, por edhe Teherani kanë lënë të kuptohet se janë të hapur për bisedime. Por, presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se SHBA-ja mund të ndërmarrë veprime gjithsesi, duke pasur parasysh raportet për veprime brutale kundër protestuesve.

“Ne mund të takohemi me ta. Një takim po organizohet, por mund të na duhet të veprojmë për shkak të asaj që po ndodh para takimit”, u tha Trump gazetarëve në bordin e avionit të Forcës Ajrore më 11 janar.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha më 12 janar: “Republika Islamike e Iranit nuk po kërkon luftë, por është plotësisht e përgatitur për luftë”.

Pra, cilat janë opsionet e Uashingtonit nëse diplomacia dështon?

Sulme të kufizuara

Nga ana pozitive, sulmet e kufizuara ndaj objektivave simbolike do të përfshinin më pak rrezik për Forcat e Armatosura Amerikane dhe për goditjen e civilëve.

Ato gjithashtu do të kryheshin më lehtë brenda kapaciteteve ushtarake të SHBA-së në rajon dhe përtej tij, dhe teorikisht mund të kryheshin pa përfshirjen e aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik.

Disa analistë kanë thënë se ky opsion ka disa mangësi, kryesisht sepse i mundëson regjimit të mobilizojë mbështetje patriotike dhe të largojë vëmendjen nga ankesat që ushqejnë demonstratat mbarëkombëtare, duke shkaktuar njëkohësisht pak dëme reale.

Gjithashtu, mund t’u dërgojë shenjë protestuesve se Uashingtoni nuk po iu del në ndihmë tyre kur po vriten dhe po arrestohen nga forcat iraniane të sigurisë.

Një shembull i një caku të tillë do të ishte një strukturë si kazermat e policisë, të paramilitarëve Basij ose të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Një fushatë e qëndrueshme

Një fushatë më e bashkërenduar sulmesh kundër IRGC-së do të mundë të kishte më shumë ndikim, veçanërisht nëse do të zgjerohej dhe do të përfshinte sulme ndaj objekteve raketore iraniane, komandës dhe kontrollit, si dhe forcave të tjera të sigurisë.

Një problem është se forcat detare amerikane aktualisht nuk ndodhen në rajon në numër dhe kapacitet të mjaftueshëm. Aeroplanmbajtësja më e afërt, USS Abraham Lincoln, ndodhet aktualisht në Detin e Kinës Jugore, ku po kryen stërvitje me municion të vërtetë. Ajo është disa ditë lundrim larg Gjirit Persik.

Forcat amerikane kanë baza ushtarake në rajon, në vende si Kuvajti, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari. Por, këto vende, sipas raportimeve, i kanë kërkuar Uashingtonit të mos ndërmarrë veprime ushtarake.

Shumëkush do të ishte i shqetësuar nga ndonjë kundërsulm iranian. Gjatë luftës 12-ditore në qershor, kur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara goditën programin bërthamor të Iranit, një sulm raketor iranian ndaj një baze ajrore në Katar shkaktoi shqetësim të madh.

Ai sulm ishte kryesisht simbolik, por Irani ka kërcënuar me hakmarrje ndaj çfarëdo sulmi të ri amerikan dhe këtë herë hakmarrja mund të jetë më e fortë. Eksportet e lëndëve djegëse fosile të aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, mund të ndërpriten. Edhe Izraeli mund të sulmohet, duke ngritur rrezikun e një konflikti më të gjerë rajonal.

“Gjendja e tanishme për Republikën Islamike është ekzistenciale. Kjo është një betejë… që synon drejtpërdrejt vetë natyrën dhe thelbin e regjimit”, tha për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë Ali Mamouri, hulumtues në Universitetin Deakin në Australi.

“Nëse sulmohet, pothuajse me siguri do të kundërpërgjigjet me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion”, tha ai.

Forcat speciale, atentati

Pas rrëzimit të udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro, a është lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, i radhës në listë e arrestimit nga forcat speciale amerikane?

Një operacion i tillë duket i pamundur. Forcat amerikane ishin të grumbulluara rreth Venezuelës në numër shumë më të madh dhe u ndihmuan gjithashtu nga burime inteligjence brenda regjimit, sipas raportimeve.

Një tjetër skenar mund të ishte atentati, duke e rrëzuar regjimin dhe duke nxitur një luftë për pushtet brenda Iranit. Kjo do të varej shumë nga të dhënat e shkëlqyera të inteligjencës.

Mangësi kryesore këtu do të ishte se rezultati është i paparashikueshëm dhe mund të çojë në kaos dhe gjakderdhje më të madhe. Megjithatë, një regjim i ri, madje edhe një i udhëhequr nga IRGC-ja, mund të jetë i gatshëm të bashkëpunojë me Uashingtonin.

“Mendoj se kjo është e mundshme”, tha për Radion Farda më 6 janar Michael Rubin, ish-zyrtar i Pentagonit dhe hulumtues i lartë në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve me seli në Uashington.

Bllokada, sulme kibernetike, armë zanore

Trump ka edhe opsione të tjera mbi tavolinën e tij në Zyrën Ovale.

“Është mjaft e mundshme që po shqyrtohen edhe opsione joushtarake. Këto mund të përfshijnë një bllokadë të plotë ekonomike ndaj Iranit për të parandaluar eksportet e tij të naftës drejt Kinës ose sulme kibernetike që ndërpresin sistemet e komunikimit dhe vendimmarrjes të agjencive iraniane të sigurisë”, i tha Radios Farda Ali Vaez, drejtor i projektit për Iranin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

Sulmet kibernetike kanë ndodhur edhe më parë.

Në vitin 2021, stacionet e karburantit në Iran u vunë në shënjestër të një sulmi kibernetik, për të cilin Irani fajësoi Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin pa paraqitur prova.

Sulme të ngjashme kanë ndodhur edhe më vonë.

Në vitin 2019, Irani pretendoi se kishte zbuluar një rrjet spiunazhi të CIA-s pas një sulmi kibernetik ndaj sistemeve të armëve. Mediat amerikane në atë kohë raportuan se ishte një sulm amerikan, duke cituar zyrtarë qeveritarë anonimë.

Mund të ketë gjithashtu opsione për sulme më pak konvencionale.

Pas operacionit amerikan në Venezuelë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, shpërndau komente që pretendohet se janë bërë nga një person që i mbijetoi një sulmi me armë zanore.

“Ishte si një valë zanore jashtëzakonisht e fortë. Papritur ndjeva sikur koka po më shpërthente nga brenda. Të gjithëve na filloi gjakderdhja nga hunda. Disa po villnin gjak. Ramë përtokë, të paaftë për të lëvizur”, citohej të ketë thënë ai.

Megjithatë, ky raport nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur apo zyrtare.

Financimi i Kuvendit të Rithemelimit / Pas Këlliçit paraqitet në SPAK një tjetër zyrtar i PD

By: A R
13 January 2026 at 09:49

Indrit Hoxha është thirrur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.

Mësohet se Hoxha është thirrur në SPAK për shkak të financimit të Kuvendit të Rithemelimit.

Kuvendi i Rithemelimit u zhvillua në vitin 2021, i iniciuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, në atë kohë demokratët ishin në konflikt për vulën dhe logon e PD, pasi kjo e fundit drejtohej nga Lulzim Basha.

Dyshohet se për të njëjtën çështje është pyetur dje edhe demokrati Belind Këlliçi.

Indrit Hoxha - Shqiptarja.com. Në mënyrë të shpejtë dhe të verifikuar me disa burime ju do të gjeni lajme nga politika e vendit dhe e rajonit, informacione ekonomike.Mbulon me lajme të gjithë

UNESCO propozon projekt të posaçëm për mbrojtjen e shkrimit me dorë, mësueset: Fëmijët po humbasin identitetin

By: A R
13 January 2026 at 09:45

UNESCO ka propozuar një projekt të posaçëm për mbrojtjen e shkrimit me dorë, i cili po rrezikohet gjithnjë e më shumë nga dominimi i shkrimit digjital dhe përdorimi masiv i tastierave dhe ekraneve.

Ekspertët theksojnë se shkrimi tradicional me dorë nuk është vetëm një aftësi e fituar, por një element thelbësor antropologjik në zhvillimin njerëzor. Megjithatë, me përhapjen e teknologjisë, kjo praktikë po zëvendësohet gradualisht nga shkrimi digjital, ndërsa mësimdhënia e bukurshkrimit ka humbur rëndësinë e saj në shumë sisteme arsimore.

Mësuesja e ciklit fillor, Mimoza Xhindi, shprehet se teknologjia ka ndikuar ndjeshëm në rënien e cilësisë së shkrimit te fëmijët.

Ka humbur sensi i shkrimit të bukur. Dikur bënim diktim çdo ditë nga klasa e parë deri në të pestën. Sot fëmijët po humbasin sensin e formimit të duhur në shkollë. Mësuesit duhet të paktën 10 minuta në ditë t’u kushtojnë bukurshkrimit, sepse shkrimi tregon identitetin dhe kulturën njerëzore”, thotë ajo.

Sipas saj, projekti i UNESCO-s është një hap i domosdoshëm për ruajtjen e shkrimit me dorë, duke theksuar se teknologjia ofron informacion, por nuk e zëvendëson procesin e të menduarit dhe formimit përmes shkrimit tradicional.

Edhe mësuesja tjetër e ciklit fillor, Entela Bicja, nënvizon rëndësinë e shkrimit me dorë në procesin mësimor.

Kur jap projekte, kërkoj që informacioni të përzgjidhet dhe të shkruhet me dorë. Kjo ndihmon që njohuritë të ruhen më gjatë në kujtesën e fëmijëve dhe zhvillon aftësitë motorike”, shprehet ajo.

Sipas mësuesve, shkrimi me dorë ka edhe një lidhje emocionale më të fortë krahasuar me shkrimin mekanik në tastierë, duke luajtur një rol të rëndësishëm në formimin intelektual dhe kulturor të fëmijëve.

Paralajmërimi i Trumpit, reagon Pekini: Luftërat tregtare nuk nxjerrin asnjë fitues

By: A R
13 January 2026 at 09:35

Pekini ka bërë të ditur se pozicioni i Kinës kundër imponimit të tarifave është i qartë. Sipas zëdhënësit të ambasadës kineze në Uashington, luftërat tregtare nuk nxjerrin fitues.

Pozicioni i Kinës kundër imponimit të pakufizuar të tarifave është i qëndrueshëm dhe i qartë. Luftërat tarifore dhe luftërat tregtare nuk kanë fitues, dhe shtrëngimi e presioni nuk mund të zgjidhin problemet. Ne kundërshtojmë fort çdo sanksion të paligjshëm unilateral dhe juridiksion me krah të gjatë, dhe do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat dhe interesat tona legjitime”, shkroi në rrjetin social ‘X’ zëdhënësi i ambasadës kineze në Uashtington.

Kjo deklaratë vjen pas njoftimit të Donald Trump ditën e hënë ku ai tha se “çdo vend që bën biznes me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë tarifë 25% në çdo biznes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky urdhër është përfundimtar dhe e pakthyeshëm.”

Ai e bëri të ditur në platformën e tij “Truth Social”, duke e bërë efektive menjëherë.

Ky veprim synon të rrisë presionin mbi Teheranin në mes të protestave masive kundër regjimit, ku raportohet se qindra demonstrues janë vrarë nga forcave të sigurisë.

Kina është partneri kryesor tregtar i Iranit (sidomos në blerjen e naftës, shpesh përmes ndërmjetësve), duke eksportuar miliarda dollarë mallra drejt Iranit çdo vit.

Tarifa e re mund të rrisë normat e tarifave për mallrat kineze në SHBA në nivele më të larta (potencialisht deri në 45% ose më shumë në disa raste), duke rrezikuar marrëveshjen e tregtisë së arritur vitin e kaluar mes dy superfuqive.

Kina e quan këtë “shtrëngim” dhe “presion” që nuk zgjidh problemet, duke paralajmëruar se do të mbrojë interesat e saj.

Vendet e tjera të prekura mund të përfshijnë Indinë, Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjera që tregtojnë me Iranin.

Kjo ngjarje shton tensionet globale në një kohë kur Irani po përballet me trazira të mëdha, blackout digjital dhe kërcënime ushtarake nga SHBA-ja, ndërsa Trump ka thënë se preferon diplomacinë por nuk përjashton opsionet ushtarake.

Samiti në Abu Dhabi, Rama: Presidenti Zayed Al Nahyan, mik i madh i Shqipërisë

By: A R
13 January 2026 at 09:28

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Abu Dhabi, ku po merr pjesë në nisjen e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka ndarë foto nga eventi, ku shihet në takim me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Kreu i qeverisë e cilësoi presidentin e Emirateve si një mik të madh të Shqipërisë, duke vlerësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm.

“Abu Dhabi – Nisja e Samitit të Javës së Zhvillimit të Qëndrueshëm, nën kujdesin e veçantë të Presidentit Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, një mik i madh i Shqipërisë”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

“Në PD kanë hall derisa të ikësh, po ike të thërrasin edhe për bisedime…”/ Salianji i prerë: Nuk largohem!

By: A R
13 January 2026 at 09:20

Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, mohoi kategorikisht largimin nga Partia Demokratike, edhe pse Sali Berisha ka deklaruar se ai është “vetëpërjashtuar”. Salianji tha se do të qëndrojë në këtë parti dhe do të vijojë me lëvizjen e tij, e cila deri tani është përqafuar nga një numër i konsiderushëm i demokratëve.

Biseda: 

Ylli Rakipi: Nervozizmi i PD është shumë i madh, derisa ti të dalësh nga radhët, pastaj ata edhe mund të të thërrasin për bisedime. Nëse ti nuk del nga radhët, Salianji, sa të jesh aty do të jenë me dhimbje koke për shkak të gjendjes që kanë. Tani, ti mund t’ua heqësh dhimbjen e kokës vetëm duke ikur dhe unë jam i sigurtë se do të lavdërojnë. Ti çfarë do të bësh, o zotëri, se Berisha ta ka hequr vizën. Po ta hoqi Berisha vizën, Flamurit të heq 5 viza, ka aty të tjerë që të heqin 13 viza, bile edhe drejtori i Komunikimit, Alfred Lela, që është aty për të komunikuar me të gjithë njerëzit, të heq vizën. Tani çfarë do të bësh ti zotëri?

Ervin Salianji: Unë nuk iki nga PD, do të jem në PD dhe mua nuk më bëjnë dot presion.

Ylli Rakipi: Po ti je vetëpërjashtuar..

Ervin Salianji: As trysni, as joshje. Unë mendoj se PD duhet të arrijë në nivelin që kërkon shoqëria shqiptare që kërkon një opozitë me format tjetër, qoftë në komunikim, qoftë në përfaqësim dhe mënyrën se si duhet të ndërtojë kartën morale në çdo gjë përballë qeverisë. Unë kam ardhur për shkak të kontributit në politikë. Kam fituar gara, jam përplasur, më kanë vjedhur ca gara të tjera në 2014. Unë s’kam pyetur për Edi Ramën, jo për dikë që merr leje nga Edi Rama…

VIDEO/ 113-vjetori i Policisë së Shtetit, Rama: Në shërbim të vendit dhe qytetarëve çdo ditë

By: A R
13 January 2026 at 09:13

Kjo e martë shënon 113-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit. Me këtë rast, Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar rolin e Policisë, duke theksuar se ajo ka qenë dhe mbetet në shërbim të vendit dhe të qytetarëve.

“MIRËMËNGJES dhe me 113 vjet Policia e Shtetit, në shërbim të vendit dhe qytetarëve çdo ditë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetin social Facebook.

Policia e Shtetit u krijua 113 vite më parë dhe konsiderohet një nga institucionet kyçe për rendin dhe sigurinë publike në vend.

SHBA lëshon alarm të ri: Qytetarët amerikanë në Iran të largohen shpejt ose të shkojnë në vende të sigurta

By: A R
13 January 2026 at 09:05

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë lëshuar një paralajmërim të ri sigurie për Iranin, duke u bërë thirrje qytetarëve të saj që ndodhen në vendin e Lindjes së Mesme të largohen sa më parë ose, nëse kjo nuk është e mundur, të strehohen në vende të sigurta. Sipas një njoftimi zyrtar të Departamentit Amerikan të Shtetit, protestat në mbarë Iranin po përshkallëzohen dhe situata e sigurisë mbetet e paqëndrueshme.

Autoritetet amerikane paralajmërojnë për rritje të masave të sigurisë nga ana e forcave iraniane, mbyllje të rrugëve kryesore, ndërprerje të transportit publik dhe bllokime të vazhdueshme të internetit. Këto masa po e vështirësojnë ndjeshëm lëvizjen dhe komunikimin, si për banorët vendas ashtu edhe për shtetasit e huaj.

Në njoftim thuhet gjithashtu se disa linja ajrore kanë kufizuar ose anuluar fluturimet nga dhe drejt Iranit, ndërsa disa kompani kanë pezulluar plotësisht shërbimet e tyre deri të premten, më 16 janar. Kjo situatë e bën edhe më të vështirë largimin ajror nga vendi.

Departamenti i Shtetit u rekomandon qytetarëve amerikanë të përgatiten për ndërprerje të gjata të internetit dhe të planifikojnë mënyra alternative komunikimi. Nëse kushtet e sigurisë e lejojnë, ata këshillohen të konsiderojnë largimin nga Irani përmes rrugëve tokësore, veçanërisht drejt Armenisë ose Turqisë.

Autoritetet amerikane theksojnë se situata mund të ndryshojë shpejt dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të ndjekin me kujdes udhëzimet zyrtare dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet më të fundit.

“Padia në SPAK nuk është shaka politike”, sa vite burg rrezikon Këlliçi nga kallëzimi i Bardhit

By: A R
13 January 2026 at 08:57

Paraqitja e Belind Këlliçi ditën e djeshme në SPAK u shoqërua me një përpjekje për ta relativizuar dhe zvogëluar peshën e kallëzimit penal, kështu që me qëllimin e ‘ndreqjes’ së biografisë Gazment Bardhi nxori këshilltarin e tij ligjor, Marash Logu, i cili u përpoq ta etiketonte si “mashtrim” raportimin e gazetës TemA se Këlliçi është kallëzuar për financim të paligjshëm të Kuvendit të Rithemelimit.

Sipas tij, padia paska të bëjë vetëm me falsifikimin e vulave dhe me asgjë tjetër, duke qenë në të njëjtën linjë me deklaratën e Këlliçit kur doli nga SPAK ‘për gjëra periferike’.

Mirëpo, po të shohësh bazën ligjore të kallëzimit penal të Bardhit ndaj Këlliçit dhe të tjerëve, del qartë se padia është më e gjerë dhe më e thellë

Çfarë përmban realisht baza ligjore e kallëzimit?

Në kallëzimin penal janë referuar një sërë dispozitash që, të marra së bashku, e shndërrojnë çështjen nga një debat formal për “vula”, në një hetim të plotë penal me pasoja serioze.

Së pari, referenca te neni 190 i Kodit Penal ndëshkon falsifikimin dhe përdorimin e vulave, stampave ose formularëve të subjekteve juridike, përfshirë partitë politike. Dënimi shkon nga 6 muaj deri në 5 vjet burg dhe vlen jo vetëm për falsifikuesin, por edhe për këdo që i përdor këto akte me vetëdije.

Por këtu çështja nuk mbyllet.

Referimi i nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale e vendos dosjen drejtpërdrejt në kompetencën e SPAK, çka nënkupton se kemi të bëjmë ose me funksionarë të lartë politikë, ose me elementë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kjo nuk është thjesht për konsum politik, por ka pasojë të qartë juridike.

Më tej, nenet 280 dhe 283 të Kodit të Procedurës Penale detyrojnë prokurorinë: të regjistrojë procedimin penal sapo ka indicie për vepër penale dhe të kryejë menjëherë veprimet e para hetimore: sekuestrime dokumentesh, akte financiare, materiale digjitale dhe çdo provë që rrezikon të zhduket.

Kjo do të thotë se hetimi nuk kufizohet te vula, por shtrihet te pasojat juridike dhe financiare që ka prodhuar përdorimi i saj.

Në këtë kuadër, përfshirja e ligjit nr. 95/2016, konkretisht nenet 8, 9, 10 dhe vijues, që rregullojnë funksionimin e SPAK dhe BKH, e bën të qartë se kemi të bëjmë me: hetim të specializuar, ndjekje të transaksioneve financiare dhe verifikim të çdo akti që lidhet me organizimin dhe financimin e një strukture politike paralele.

Pse padia nuk është “vetëm për vula”

Në praktikën penale, vula e falsifikuar nuk është qëllim në vetvete. Ajo është mjeti. Pyetja që heton SPAK është:
Për çfarë u përdor ajo? Çfarë aktesh prodhoi? Çfarë pasojash financiare dhe juridike solli?

Nëse vula e falsifikuar ka shërbyer për: krijimin e një strukture politike, autorizime,vendime, apo mbledhje fondesh, atëherë hetimi hapet automatikisht drejt financimit të paligjshëm, fshehjes së burimeve dhe, potencialisht, pastrimit të parave. Kjo është arsyeja pse kallëzimi është ndërtuar mbi një bazë ligjore shumë më të gjerë se sa përpiqen ta paraqesin “gaztorët” e politikës, që ndryshe thonë në mëngjes, ndryshe veprojnë në drekë dhe ndryshe sillen në darkë..

Sa vite burg rrezikon realisht Këlliçi

Nëse merret në konsideratë e gjithë baza ligjore e kallëzimit të Gazment Bardhit ndaj Belind Këlliçit, kemi: Neni 190 i Kodit Penal (6 muaj deri në 5 vjet burg për falsifikim dhe përdorim vule), ndërsa nëse nga hetimi provohen elementë financiarë penalë (fshehje, maskim, përdorim fondesh), atëherë dënimet shkojnë nga disa vite burg deri në mbi 10 vjet, sipas veprës konkrete që individualizohet gjatë hetimit.

Pra, padia ndaj Këlliçit nuk është një çështje thjesht ‘politike’ e thënë ashtu në ajër si ato për ‘babin e Zenit’, por është një akuzë penale, e ndërtuar mbi një bazë të qartë ligjore, e cila sigurisht ka pasoja nëse do të merret në konsideratë nga gjykata./nl/TemA

Tronditëse! Po luanin me çakmak pranë fuçive të naftës, të rinjtë ‘hidhen në erë’

By: A R
13 January 2026 at 08:49

Pamje të rënda të regjistruara nga një kamera sigurie tregojnë çastin dramatic, kur dy të rinj përfshihen nga një shpërthim i fuqishëm, teksa po kryenin veprime tepër të rrezikshme pranë fuçive metalike, që dyshohet se përmbanin mbetje nafte.

Ngjarja është regjistruar në 7 janar në Recife, kryeqyteti i shtetit Pernambuco në Brazil. Në video shihet njëri prej të rinjve duke qëndruar pranë një bidoni metalik të hapur, ndërsa tjetri ndodhet mbi një fuçi tjetër aty pranë. Sipas dyshimeve paraprake, brenda enëve kishin mbetur avuj ose substanca të ndezshme, të mjaftueshme për të shkaktuar shpërthim.

Fillimisht, njëri prej tyre përpiqet të ndezë bidonin e hapur me çakmak, por flaka shuhet shpejt dhe pa pasoja të dukshme. Pak çaste më vonë, shoku i tij përdor një çekiç për të çarë pjesën e sipërme të një bidoni të mbyllur, duke krijuar një hapje të vogël.

Në momentin që çakmaku afrohet pranë fuçisë, ndodh shpërthimi i menjëhershëm. Fuçia ngrihet në ajër me forcë të madhe, ndërsa të dy të rinjtë hidhen disa metra larg. Njëri prej tyre përplaset me kokë mbi bidonin ku kishte qenë i ulur më herët, duke pasur dëmtime serioze.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende informacion zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të të rinjve. Ndërkohë, pamjet kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur reagime të forta dhe duke u konsideruar si një shembull alarmues i pasojave që mund të sjellë neglizhenca ndaj materialeve të rrezikshme.

SONDAZHI: PS ruan avantazhin, PD në garë për vendin e dytë! Partitë e reja bien nën 5%

By: A R
12 January 2026 at 23:04

Të dhënat e sondazhit “Zëri i Shqiptarëve” tregojnë se shqiptarët kanë humbur besimin shpejt edhe tek partitë e reja, të cilat, me moshën e Kuvendit, nuk i kanë mbushur akoma 6-mujorin e parë.

Lapaj, Shehaj dhe Qori, prej 11 majit, kanë humbur një të tretën e mbështetjes, ose një rënie prej 8.6%, fiks sa partitë më të mëdha.

20.3% e shqiptarëve që janë gati për një parti të re thonë se Lapaj, Shehaj e Qori janë kopje të të vjetërve. 13.1% s’kanë organizim në terren, ndërsa 10.4% dinë vetëm të kritikojnë, pra janë të sigurt aty ku janë, dhe jo ku duan të shkojnë. Sipas këtij trendi, për 3 vite me gjasë edhe mund të mos ekzistojnë.

Në pyetjen “Partia më e preferuar aktualisht e pjesëmarrësve të këtushëm të zgjedhjeve të majit 2025”, përkatësisht 1444 banorë të rritur të vendit kanë shprehur këtë mendim:

Të dhënat e grafikut: 

Metodologjia e sondazhit:

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në
mënyrë krejt anonime nga të anketuarit.
Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike.
Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: +/- 2.6%

Pse rrodhi ujë nga Tuneli i Llogarasë? Eksperti shpjegon fenomenin që u bë viral

By: A R
12 January 2026 at 22:58

Një nga pamjet e shumta virale të përmbytjeve që kanë zgjatur për rreth një javë në vend ishte edhe momenti që tregonte një rrjedhje uji nga tavani në Tunelin e Llogarasë.

Ndërsa ishte i ftuar në emisionin “Opinion” në TV Klan, eksperti për menaxhimin e burimeve ujore, Arduen Karagjozi, shpjegoi procesin nga pikëpamja gjeologjike, se përse mund të ketë ndodhur kjo gjë.

Biseda në studio:

Blendi FevziuPati ujë në disa segmente të Tunelit të Llogarasë, që m’u duk pak e çuditshme. Karagjozi, çfarë mund të jetë? Aty nuk doli ujë gjatë punimeve për hapjen e tunelit, domethënë ishte i thatë gjithë gjithi. Tani është shkëmb shumë i fortë.

Arduen KaragjoziSepse punimet janë bërë përgjithësisht në kohë të thatë dhe nuk ka pasur këtë intensitet reshjesh.

Blendi FevziuËshtë punuar për 3 vjet aty, dimër-verë…

Arduen KaragjoziKlodi e di më mirë, por nga informacioni që unë di nga gjeologjia, aty formacionet gjeologjike gëlqerore, të cilat filtrojnë ujë nga mali, dhe fakti që në pjesën e poshtme nuk ka fare burime, nënkupton që ato nuk kapin ndonjë shtresë të fisur që të krijojë mbajtje të ujit sipër dhe, normalisht, i gjithë uji, siç bie nga mali, futet nëpër këto hapësira që ka shkëmbi gëlqeror dhe shkon drejt detit. Në këtë rast, tuneli ka depërtuar në këto shtresa dhe, në rastet kur bie shi, kjo kullon ujë sipër.

Blendi FevziuPor kjo ndodhi këtë herë, sepse ka rënë shi një vit…

Arduen KaragjoziPo, sepse këtë herë niveli i ujit ka qenë më i lartë dhe ka krijuar një ngarkesë më të madhe se ato të mëparshmet.

Blendi FevziuKrijon dëmtim?

Arduen KaragjoziNuk e besoj, është një ç’fryrje presioni. Besoj se do të ketë water-stop në pjesën që lidh dy segmentet me njëra-tjetrën, por presioni këtë herë duhet të ketë qenë më i madh, por s’besoj të ketë probleme të qëndrueshmërisë në asnjë rast.

Sondazhi: Pse shqiptarët nuk votojnë partitë e reja ekzistuese? Ja arsyet

By: A R
12 January 2026 at 22:52

Në sondazhin e përjavshëm në ABC News, qytetarët u pyetën lidhur me partitë e reja dhe pakënaqësitë në qeverisjen e tyre. ‘Zëri i Shqiptarëve’ zbuloi rezultatet e sondazhit lidhur me pyetjen se ‘Nëse do të votoni për një parti të re të krijuar, pse nuk votoni për partitë e vogla ekzistuese?’, shqiptarët renditën arsyet.

20.3 për qind e tyre mendojnë se janë kopje të partive të vjetra. 10.4 për qind e të anketuarve mendojne se partitë e vogla ekzistuese dinë vetëm të organizojnë, ndërsa 13.1 për qind e tyre mendojnë se nuk kanë organizim në terren.

Shumica e të anketuarve përfshijnë të tria arsyet së bashku.

Metodologjia e sondazhit:

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në
mënyrë krejt anonime nga të anketuarit.
Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike.
Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: +/- 2.6%

SONDAZHI: Për kë do të votonin shqiptarët, nëse zgjedhjet do të mbaheshin së shpejti?

By: A R
12 January 2026 at 22:44

Sondazhi Zëri i Shqiptarëve në Abc News zbulon se më shumë se 1/3 e shqiptarëve apo rreth 42.7% e tyre po presin krijimin e një partie të re të cilën do e votonin që sot, kurse pjesa tjetër, 57.3% do të votonte për një nga partitë ekzistuese.

Sondazhit iu përgjigjen 1444 banorë të rritur të vendit.

Të dhënat në grafik:

Metodologjia e sondazhit:

Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në
mënyrë krejt anonime nga të anketuarit.

Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike.
Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor: +/- 2.6%

 

SHBA-Iran: 70 vite armiqësi, nga grushti i shtetit tek kërcënimi për luftë. Pse nuk arrit kurrë paqja?

By: A R
12 January 2026 at 22:36

Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është një nga historitë më të gjata, më të ndërlikuara dhe më shpërthyese të politikës ndërkombëtare moderne. Ajo nuk ka qenë kurrë lineare, as e qetë, por e ndërtuar mbi trauma historike, mosbesim të thellë dhe përplasje interesash që, dekadë pas dekade, e kanë afruar rajonin gjithnjë e më shumë drejt konfliktit të hapur. Për ta kuptuar përse sot SHBA dhe Irani flasin gjuhën e kërcënimeve, duhet të kthehemi më shumë se shtatë dekada pas, në një moment që për iranianët mbetet fillimi i gjithçkaje.

Në vitin 1953, Agjencia Qendrore e Inteligjencës e Shteteve të Bashkuara, në bashkëpunim me shërbimet britanike, ndihmoi në rrëzimin e kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike, Mohammad Mossadegh. Faji i tij ishte nacionalizimi i industrisë së naftës, një hap që prekte drejtpërdrejt interesat perëndimore. Grushti i shtetit riktheu në pushtet Shahun Mohammad Reza Pahlavi dhe mbolli një mosbesim të thellë ndaj Amerikës, i cili për shumë iranianë mbetet i gjallë edhe sot. Për Uashingtonin, Irani u shndërrua në një aleat strategjik në Lindjen e Mesme; për iranianët, Amerika u pa si fuqia që rrëzoi vullnetin e tyre politik, shkruan A2 CNN.

Për dekada, Shahu sundoi me mbështetjen e SHBA-së, duke ndërtuar një regjim autoritar, të modernizuar nga jashtë, por gjithnjë e më të shkëputur nga realiteti i brendshëm i vendit. Irani u pajis me armë amerikane, me teknologji ushtarake dhe madje me kapacitete bërthamore civile. Në vitet ’60, SHBA i dha Iranit një reaktor bërthamor dhe uranium të pasuruar, në një kohë kur askush nuk e imagjinonte se pikërisht bërthamori do të kthehej në thelbin e konfliktit. Por ndërkohë, pakënaqësia brenda vendit po rritej, dhe në fund të viteve ’70 ajo shpërtheu.

Protestat masive kundër Shahut, përplasjet e dhunshme në rrugë dhe represioni shtetëror e bënë të pashmangshëm rrëzimin e regjimit. Në janar 1979, Shahu u largua nga Irani nën masa të rrepta sigurie. Vetëm pak javë më vonë, Ajatollah Ruhollah Khomeini u kthye nga mërgimi dhe u prit nga turma gjigante, duke marrë drejtimin e Revolucionit Islamik. Me përmbysjen e Shahut, u rrëzua edhe rendi pro-amerikan në Teheran. Irani u shpall Republikë Islamike dhe Amerika u identifikua si armiku kryesor, simbol i ndërhyrjes, padrejtësisë dhe dominimit perëndimor.

Armiqësia u bë e pakthyeshme në nëntor të vitit 1979, kur studentë iranianë pushtuan ambasadën amerikane në Teheran dhe morën peng dhjetëra diplomatë. Pesëdhjetë e dy prej tyre u mbajtën për 444 ditë, një krizë që tronditi Shtetet e Bashkuara dhe i dha fund çdo iluzioni për një marrëdhënie normale. Presidenti amerikan Jimmy Carter e përshkroi pengmarrjen si një moment që bashkoi popullin amerikan kundër Iranit. SHBA ndërpreu marrëdhëniet diplomatike, ngriu asetet iraniane dhe vendosi sanksione që do të shënonin fillimin e një epoke të re përplasjesh.

“Asnjë veprim nuk e ka bashkuar kaq fuqishëm publikun amerikan drejt unitetit në dekadën e fundit sa mbajtja peng e njerëzve tanë në Teheran. Sot qëndrojmë si një popull i vetëm”, thoshte Jimmy Carter
President i SHBA.

Vitet që pasuan ishin të mbushura me tensione, luftëra të tërthorta dhe ngjarje që thelluan hendekun. Në vitin 1988, një anije luftarake amerikane rrëzoi gabimisht një avion pasagjerësh iranian mbi Gjirin Persik, duke vrarë të 290 personat në bord. Për Iranin, kjo ishte provë se jeta e civilëve të tij kishte pak vlerë për Uashingtonin. Për SHBA-në, incidenti u shpall një tragjedi e paqëllimshme. Por plagët politike dhe emocionale mbetën të hapura.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Irani u rikthye fuqishëm në fokusin e politikës amerikane. Në vitin 2002, presidenti George W. Bush e përfshiu Iranin në atë që ai e quajti “Boshti i së Keqes”, duke e akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe për përpjekje për të siguruar armë të shkatërrimit në masë. Pikërisht në këtë periudhë, programi bërthamor iranian u shndërrua në çështjen qendrore të përplasjes. Zbulimi i objekteve në Natanz, Isfahan dhe më pas Fordow ngriti alarmin në Perëndim dhe çoi në një regjim të ashpër sanksionesh që goditi rëndë ekonominë iraniane

“Shtetet si këto dhe aleatët e tyre terroristë përbëjnë një bosht të së keqes, duke u armatosur për të kërcënuar paqen e botës duke kërkuar armë të shkatërrimit në masë. Këto regjime paraqesin një rrezik të madh dhe në rritje. Ata mund t’i ofrojnë këto armë terroristëve, duke u dhënë atyre mjetet për të përballuar urrejtjen e tyre. Ata mund të sulmojnë aleatët tanë ose të përpiqen të shantazhojnë Shtetet e Bashkuara.”, shprehej George W Bush.

Pas vitesh izolimi dhe presioni, në vitin 2015 u arrit ajo që u konsiderua një fitore e diplomacisë: marrëveshja bërthamore mes Iranit dhe gjashtë fuqive botërore. Teherani pranoi të kufizonte programin bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve.

Federicha Mogherini: Sot është një ditë historike. Është një nder i madh për ne të njoftojmë se kemi arritur një marrëveshje për çështjen bërthamore iraniane. Me guxim, vullnet politik, respekt të ndërsjellë dhe udhëheqje, ne realizuam atë që bota po shpresonte. Një angazhim të përbashkët për paqen dhe për të bashkuar duart në mënyrë që ta bëjmë botën tonë më të sigurt.

U duk për një moment se një kapitull i ri po hapej. Por shpresa zgjati pak. Në vitin 2018, presidenti Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, duke e quajtur atë të dështuar dhe duke rikthyer sanksione shkatërruese për Iranin. Tensionet u përshkallëzuan më tej në vitin 2020, kur SHBA vrau gjeneralin Qassem Soleimani, figurën më të fuqishme ushtarake të Iranit dhe arkitektin e ndikimit iranian në Lindjen e Mesme. Teherani u zotua për hakmarrje, ndërsa rajoni u gjend në prag të luftës së drejtpërdrejtë. Me rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, politika e “presionit maksimal” ndaj Iranit u rivendos, me një mesazh të qartë: Irani nuk mund dhe nuk duhet të ketë armë bërthamore.

Donald Trump: “Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Me mua është shumë e thjeshtë; Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore. Ne nuk duam të jemi të ashpër me Iranin. Ne nuk duam të jemi të ashpër me askënd, por ata thjesht nuk mund të kenë një armë bërthamore.”

Në vitin 2025, pas muajsh negociatash të pasuksesshme dhe paralajmërimesh gjithnjë e më të ashpra, kriza arriti kulmin. Izraeli goditi objektiva iraniane, ndërsa SHBA u përfshi drejtpërdrejt në konflikt. Më 21 qershor, forcat amerikane bombarduan tre objekte bërthamore iraniane, përfshirë Fordow-in, që Uashingtoni e quajti zemra e programit bërthamor të Iranit. Presidenti Trump e shpalli operacionin një sukses historik dhe i bëri thirrje Iranit t’i jepte fund konfliktit. Sot, në fillim të vitit 2026, marrëdhënia SHBA–Iran mbetet e ngrirë mes kërcënimit dhe diplomacisë. Uashingtoni paralajmëron për përgjigje të forta ndaj çdo destabilizimi, ndërsa Teherani këmbëngul se nuk do të dorëzohet ndaj presionit dhe se pasurimi i uraniumit është e drejtë sovrane. Pas më shumë se shtatë dekadash përplasje, një gjë mbetet e qartë: kjo nuk është thjesht një krizë politike, por një konflikt i thellë historik, ku çdo kapitull i ri mbart peshën e të shkuarës dhe rrezikun e së ardhmes.

“Ahmetaj do ishte mbi tarracën e burgut të Durrësit, do zgjidhte supën që do hante”

By: A R
12 January 2026 at 22:28

Gazetari Artan Hoxha ka debatuar me ish-ministrin Enkelejd Alibeaj në emisionin ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN mbi arratisjen e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Artan Hoxha është shprehur se ishte fat që Ahmetaj u arratis dhe që po dëshmon mbi korrupsionin qeverisës, pasi sipas tij, nëse do të ishte në qeli ai do të kishte mundësi vetëm të zgjidhte supër të cilën do hante.

Hoxha me ironi shtoi gjithashtu se Ahmetaj nëse nuk do ishte arratisur, do të ishte mbi tarracën e burgut të Durrësit gjatë përmbytjeve.

Nga ana tjetër, Alibeaj tha se nuk mund të quhet fat dhe arritje që një i pandehur i është arratisur drejtësisë. Teksa e quajti Ahmetajn si mëkatar, Alibeaj tha gjithashtu se ai duhet të ishte përballur me drejtësinë.

Pjesë nga diskutimi në studio:

Hoxha: Po marr rastin e Arben Ahmetajt. Atij iu kërkua të bëhej burrë, të bëhej burrë, të bëhej i drejtë, të përballej me drejtësinë. Do kishim një të burgosur që do ta shihnim mbi tarracën e burgut të Durrësit kur u bë ajo përmbytja. Për fat edhe foton në Kakavijë rastësisht e kam kapur. Nëse nuk do ta kishim atë jashtë burgut dhe atje ku është, ne do të na mungonin një sërë denoncimesh që bëhen. Bëhen edhe në media, i bën opozita, por kanë tjetër zë kur dëshmon ai. Aftësia e Ahmetajt ishte pikërisht kjo gjë, që u largua. Sa herë Ahmetaj flet, ajo që ai denoncon kthehet në një dosje hetimore. Kur ai tha që po pihej shishja e verës 33 mijë euro, kjo dukej si një garniturë aty. Por ne pamë që po avullohej vera që të mos gjendeshin ato etiketa. Para se të largohen Ahmetaj, meqë kishte mundësi të fliste për çështjen në media, i bëja thirrje vazhdimisht që ‘nëse ke ndërmend të dorëzohesh, ke të drejtë që të zgjedhësh vetëm supën’. Asnjë s’ka folur atje, maksimumi i ka ndodhur diçka.

Alibeaj: Të dorëzohej para drejtësisë. Fat i mirë që ikën një i kërkuar nga drejtësia është shumë. Ai është shmangur dhe është mëkatar sa gjithë të tjerët.

Shtëpia e Bardhë: Trump nuk ka frikë të përdorë forcën, por synon diplomacinë me Iranin

By: A R
12 January 2026 at 22:19

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Presidenti Donald Trump është i gatshëm të përdorë forcën ushtarake ndaj Iranit nëse do të jetë e nevojshme, por prioriteti i tij mbetet zgjidhja e tensioneve përmes diplomacisë.

Zëdhënësja Karoline Leavitt u shpreh për median Fox News se, ndonëse publikisht Teherani mban një qëndrim sfidues, mesazhet që po i dërgon privatisht Shteteve të Bashkuara janë krejtësisht të ndryshme dhe me tone shumë më pajtuese.

Sipas zëdhënëses, kjo tregon se Irani mund të jetë i hapur për bisedime, pavarësisht retorikës së ashpër në skenën ndërkombëtare. Trump ka paralajmëruar më parë se “vijat e kuqe” janë vrasja e protestuesve dhe kërcënimi i sigurisë rajonale, duke lënë të hapur mundësinë e një ndërhyrjeje nëse situata përshkallëzohet më tej.

Ndërkohë numri i shtetasve dhe banorëve amerikanë që po mbahen peng nga regjimi iranian mund të jetë më i lartë nga sa mendohej deri më tani. Sipas një raportimi nga Fox News, i cili bazohet në burime jashtë administratës Trump, Republika Islamike dyshohet se ka arrestuar të paktën tetë qytetarë amerikanë.

Deri më tani, shifrat zyrtare dhe të dhënat publike flisnin për pesë pengje amerikanë në Iran. Megjithatë, informacionet e reja sugjerojnë se numri real i personave të ndaluar e tejkalon këtë shifër, duke shtuar tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit.

“Kemi nevojë për opozitë normale”, debati në Real Story: PD gjithmonë do që të jetë “Nr.2″…

By: A R
12 January 2026 at 22:10

Jani Marka nga “Shqipëria Bëhet” deklaroi në “Real Story” se detyra e forcave të reja politike është të artikulojnë të vërtetën me zë të lartë dhe në mënyrë të qytetëruar.

Ai shtoi se Partia Demokratike duket se e ka zgjedhur strategjikisht të mbetet forcë e dytë në skenën politike.

Sipas Markës, partia e Sali Berishës është e mobilizuar për këtë qëllim dhe nuk synon realisht ndryshimin. Ai shtoi se përplasjet dhe tensionet e vazhdueshme në seancat parlamentare nuk përbëjnë opozitë efektive dhe normale.

“Detyra jonë të artikulojmë të vërtetën me zë të lartë dhe në mënyrë të qytetëruar. Partia e Sali Berishës është që do të jetë numër dy, e ka këtë strategji dhe ka mobilizuar militantët e vet.Por nëse vazhdon opozita që përplasen me karrige në çdo seancë…”, tha ai.

Nga ana tjetër, analisti Ergys Mërtiri u shpreh se opozita e di shumë mirë se si bëhet një opozitë normale, por sipas tij problemi është se nuk dëshiron ta bëjë. Ai theksoi se partitë e reja ndodhen nën presionin e publikut, i cili kërkon prej tyre më shumë sesa mund të mbajnë.

Sipas Mërtirit, kjo i shtyn shpesh drejt ekzagjerimit, duke përmendur se Adriatik Lapaj tenton të mbajë një peshë më të madhe sesa ka realisht.

“Mjafton të thuash të vërtetën. Këta jo që nuk e dini si bëhet. Dinë të bëjnë opozitë normale, problemi është se nuk duan të bëjnë. Partitë e reja janë në një presion, i cili është presioni i publikut, i cili kërkon që këta të marrin më shumë barrë se çkanë dhe duke bërë këtë shpeshherë ata ekzagjerojnë. Për Mua Lapaj, tenton të mbajë më shumë peshë se c ‘mban. Në fund fare nuk i kërkojmë Lapajt të shpëtojë Shqipërisë, se nuk shpëtohet Shqipëria as nga Lapaj, as nga Berisha dhe as nga njeri tjetri””, tha analisti.

Pedagogia Arsejda Gjyli ngriti pikëpyetje mbi pretendimin e disa forcave të reja për t’u konsoliduar si forcë e tretë politike. Ajo tha se ka vërejtur inkoherencë në qëndrime dhe theksoi se për partitë e reja është thelbësore koherenca dhe shmangia e qasjeve të reja me “fytyrë të vjetër”. Sipas saj, besueshmëria politike ndërtohet vetëm përmes qartësisë dhe qëndrueshmërisë në ide dhe veprime.

“Pretendimi për të qenë forcë e tretë. I kam ngritur disa pyetje Lapajt. Ka një inkoherencë. E parë pretendimi për të qenë dhe për tu fuqizuar si forcë e tretë. Të partitë e reja, më e rëndësishme është  te këtë koherencë dhe të mos vijmë si qasje e re me fytyrë të vjetër”, tha ajo.

Salianji: PD i sulet çdo njeriu që mendon ndryshe, qarkullon të njëjtën elitë

By: A R
12 January 2026 at 22:03

Ervin Salianji, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se Partia Demokratike ka një qëndrim mjaft të ashpër ndaj çdo personi që mendon ndryshe. Ai deklaroi se partia qarkullon të njëjtën elitë dhe se ka nevojë për ripërtëritje, në mënyrë që të sfidohet dhe rrëzohet qeveria e Ramës.

“PD duhet ripërtërirë, të bashkojë të gjithë pjesët e saj. PD i turret çdo njeriu që mendon ndryshe. Kur më shpall PD mua armik, që kam mbështetje në njerëz, kam një vokacion publik, imagjino çfarë bëjnë me të tjerët që mendojnë ndryshe.

Duhet ti bashkojë të gjithë pjesët, të hapet ndaj shoqërisë. Të marrë njerëz që janë çertifikuar si personalitete. PD është në stanjacion, qarkullon të njëjtën elitë politike. Nuk ka njerëz me kapacitete PD? Vota në zgjedhjet e fundit, tregoi preferencën e shqiptarëve, se cila është tipologjia e kandidatit që ata duan”, tha Salianji.

Yesterday — 12 January 2026Java News

Tregjet tronditen nga përplasja Trump–Powell, dollari në rënie

By: A R
12 January 2026 at 21:55

Tregjet financiare globale kanë reaguar negativisht ndaj përplasjes së hapur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kreut të Rezervës Federale, Jerome Powell. Kontratat “futures” të indekseve të Wall Street-it paralajmërojnë një hapje në rënie, ndërsa në orët e para të tregtimit në Europë dollari amerikan humbi 0,38% ndaj valutave kryesore. Ndërkohë, yield-et e bonove 10-vjeçare të Thesarit amerikan u rritën me tre pikë bazë.

Sipas analistëve, lëvizjet e tregjeve lidhen drejtpërdrejt me vendimin e Trump për të sulmuar drejtuesin e bankës qendrore amerikane përmes një veprimi të Departamentit të Drejtësisë, një hap i paprecedentë në historinë institucionale të SHBA-ve.

Jerome Powell reagoi ashpër ndaj presioneve politike, duke theksuar se Rezerva Federale nuk do të heqë dorë nga pavarësia e saj.

“Ky veprim duhet parë në kontekstin e kërcënimeve dhe presioneve të vazhdueshme nga administrata”, deklaroi Powell. “Kërcënimi për ndjekje penale vjen sepse Fed përcakton normat e interesit mbi bazën e asaj që i shërben publikut, dhe jo sipas preferencave të presidentit”.

Ai paralajmëroi gjithashtu se çështja nuk lidhet vetëm me mandatin e tij personal, i cili përfundon në maj të vitit të ardhshëm, por me të ardhmen e politikës monetare amerikane: nëse ajo do të drejtohet nga të dhënat ekonomike apo nga presioni politik.

Përplasja Trump–Powell shihet si një konflikt mes dy qasjeve: nga njëra anë, një pushtet ekzekutiv që synon kontroll të plotë mbi institucionet ekonomike, nga ana tjetër, parimi i ndarjes së pushteteve dhe pavarësia e bankës qendrore, e cila ka për detyrë të mbajë nën kontroll inflacionin dhe të mbështesë punësimin maksimal.

Mandati i Powell përfundon pas katër muajsh dhe vetë Trump ka deklaruar se ka gjetur tashmë pasardhësin e tij, i cili sipas mediave amerikane pritet të jetë Kevin Hassett, një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit. Hassett shihet si një figurë më e gatshme për të ndjekur linjën e Shtëpisë së Bardhë, në një kohë kur Trump kërkon ulje të fortë të normave të interesit, pavarësisht se inflacioni mbetet pranë 3%.

Megjithatë, kontrolli i Fed-it nuk është i menjëhershëm. Në Komitetin Federal të Tregut të Hapur (FOMC) ka ende anëtarë të emëruar përpara rikthimit të Trump dhe drejtues bankash rajonale që veprojnë në mënyrë të pavarur. Sipas vëzhguesve, sulmi ndaj Powell shërben edhe si sinjal paralajmërues për këta zyrtarë.

Një tjetër arsye lidhet me gjendjen reale të ekonomisë amerikane. Edhe pse rritja ekonomike për tremujorin e tretë të vitit 2025 rezultoi 4,5% (me bazë vjetore), jashtë sektorit të teknologjisë ajo është shumë më e dobët. Investimet private, përjashtuar teknologjinë dhe qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale, kanë rënë me mbi 4% krahasuar me një vit më parë.

Ngadalësimi reflektohet edhe në tregun e punës, ndërsa automatizimi po redukton vendet e punës pikërisht në sektorin e teknologjisë. Sipas analistëve, ekonomia amerikane po rritet, por përfitimet po përqendrohen te një pakicë e vogël.

Në këtë kontekst, me mbështetjen elektorale në rënie dhe zgjedhjet e mesmandatit në nëntor, Trump duket se po kërkon një fajtor për problemet ekonomike dhe Jerome Powell është bërë shënjestra kryesore.

Në sfond ekziston edhe një dimension personal. Më 24 korrik të kaluar, Trump vizitoi kantierin e rinovimit të godinës së Rezervës Federale, duke akuzuar publikisht Powell për tejkalim të buxhetit. Kreu i Fed-it e kundërshtoi presidentin para kamerave, duke korrigjuar shifrat. Një episod që, sipas vëzhguesve, Trump nuk e ka harruar.

❌
❌