Normal view

Reuters: Varri i një romaku të pasur zbulohet në Shqipëri

8 September 2025 at 21:57

Arkeologët në Shqipëri kanë zbuluar një dhomë të madhe varri romak që daton nga shekulli III deri në të IV pas Krishtit, e para e këtij lloji e gjetur në vendin ballkanik që dikur ishte pjesë e Perandorisë Romake, shkruan sot agjencia britanike e lajmeve, Reuters.

Të njoftuar nga vendasit që kishin vënë re disa gurë të pazakontë në një pllajë pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, stafi i Institutit të Arkeologjisë filloi gërmimet në fillim të gushtit dhe gjeti strukturën nëntokësore, pllakat e mëdha prej guri gëlqeror të së cilës ishin të gdhendura me shkronja greke.

“Mbishkrimi na tregon se personi i varrosur këtu quhej Gelliano, një emër tipik i periudhës romake. Jemi të pasigurt për identitetin e individit të dytë, por ka të ngjarë të jetë një anëtar i familjes”, tha Erikson Nikolli, kryearkeologu i projektit.

Varri, 9×6 metra, është zbulimi i parë në Shqipëri i asaj që ekspertët besojnë se është vendi i prehjes së një personi të pasur, më madhështor se vendet e tjera të varrimit të gjetura në zonë.

Autoritetet lokale në Shqipëri, ku turizmi po lulëzon, tashmë po planifikojnë ta shndërrojnë vendin në një atraksion turistik, ndërsa banorët u dyndën në zonë pasi dëgjuan lajmin e zbulimit.

Javën e kaluar, ekipi i Nikollit përdori furça për të zbuluar skajet e gdhendura me hollësi të gurit të bardhë të çatisë dhe mureve të varrit.

“Ne gjithashtu zbuluam një copë pëlhure të qëndisur me fije ari, e cila konfirmon bindjen tonë se kemi të bëjmë me një anëtar të klasës së lartë”, shtoi ai.

Gjetje të tjera përfshijnë pllaka qelqi dhe thika.

Nikolli tha se varri ishte plaçkitur të paktën dy herë – një herë në antikitet dhe më vonë kur makineri të rënda u përdorën për të lëvizur një shkëmb masiv në majë të dhomës.

Ai shpjegoi se emri i banorit ishte shkruar me shkronja greke, por kishte kuptim latin, ndërsa një mbishkrim i dytë tregon se varri i ishte kushtuar perëndisë Jupiter.

Ekspertët ende nuk kanë deshifruar mbishkrime shtesë në gurët e gjetur aty pranë, të cilat besohet se i përkisnin një monumenti tjetër tani të rrethuar nga fusha misri dhe një gurore./KultPlus.com

Pallati Buckingham publikon një foto të Mbretëreshës Elizabeth II në përvjetorin e tretë të vdekjes së saj

8 September 2025 at 21:30

Pallati Buckingham ka shpërndarë një fotografi të buzëqeshur të Mbretëreshës Elizabeth II për të shënuar përvjetorin e tretë të vdekjes së saj sot. Monarkja vdiq tre vite më parë, më 8 shtator 2022, në moshën 96-vjeçare, transmeton KultPlus.

Mëngjesin e sotëm, Pallati Buckingham publikoi në rrjetet e tij sociale një fotografi të mbretëreshës së dashur për të kujtuar ndarjen e saj nga jeta. Në foton e rikthyer nga arkiva, Mbretëresha e ndjerë shfaqet me një buzëqeshje të gjerë, e veshur me ngjyrë blu të ndezur dhe me varësen e saj karakteristike me perla.

Fotografia u shoqërua me mesazhin: “Duke kujtuar Mbretëreshën Elizabeth II, 1926–2022.”

Vdekja e Elizabethës shënoi momentin kur djali dhe trashëgimtari i saj, Charles, u bë Mbret, dhe kjo datë mbetet një moment me rëndësi të veçantë për kreun e shtetit.

Pritet që Mbreti ta kujtojë nënën e tij të dashur në mënyrë private sot në Skoci.

Vëllai i tij, Princi Harry, me të cilin ka pasur raporte të tensionuara, është gjithashtu në rrugë për t’u kthyer në Mbretërinë e Bashkuar.

Harry do të marrë pjesë sonte në ceremoninë e ndarjes së çmimeve WellChild në Londër.

Ai gjithashtu do të udhëtojë në Nottingham të martën për të kryer disa angazhime publike./KultPlus.com

Nesër fillon edicioni i gjashtë i Panairit të Librit në Tuz

8 September 2025 at 21:03

Komuna e Tuzit këtë vit sjell për lexuesit dhe dashamirët e librit edicionin e gjashtë të Panairit të Librit, që do të mbahet nga 9 deri më 12 shtator 2025, në sheshin qendror “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Tuz. Ky panair tashmë është shndërruar në një traditë kulturore të rëndësishme, duke sjellë autorë, botues dhe lexues në një hapësirë të përbashkët dialogu e krijimtarie, përcjell KultPlus.

Hapja solemne e panairit do të bëhet nga Fatmir Sejdiu, i cili do të prezantojë librin e tij , “Ora e Kosovës”. Vepra sjell një dëshmi të vyer për momentet kyçe të historisë së Kosovës së fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, nga këndvështrimi i një prej aktorëve më të rëndësishëm të saj.

Ndërkaq, mbrëmjen e 11 shtatorit autori Bajram Kosumi do të prezantojë librin e tij “Enciklopedia imagjinare – postroman”, një vepër që sfidon kufijtë e formës dhe mendimit letrar./KultPlus.com

BKK organizon edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë

8 September 2025 at 20:34

Biblioteka Kombëtare e Kosovës ‘Pjetër Bogdani’ organizon edicionin e 22-të të Javës së Bibliotekës në Kosovë, përcjell KultPlus.

Edicioni i sivjetëm i këtij organizimi vjen me temën ‘Biblioteka mes traditës dhe inovacionit’.

Kjo ngjarje mbahet më 6 tetor, nga ora 17:00 në hollin kryesor të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës./KultPlus.com

Antigona Nimani, Vera e Faik Hima, shqiptarët që ‘ngacmuan’ Beogradin (VIDEO)

8 September 2025 at 20:15

Më 28 nëntor 1966, filloi së emituari programi në gjuhen shqipe, në TV e Beogradit, një herë në javë, nga gjysmë ore.

Nga ai ekip i vogël krijuesish, u krijua edhe Televizioni i Prishtinës, me shumë të tjerë, që do të inkuadrohen më vonë.

Spikerët e parë në TV ishin Antigona Nimani, Faik Hima dhe Vera Gjevori Hima.

Antigona Nimani është marrë me emisionin “Pasqyra televizive”.

Pasqyra televizive 1966-1973 është programi informativ në gjuhën shqipe prodhimi i RTB – redaksia në gjuhën shqipe. Emitimi i programit filloi nga data 29 nëntor 1966 nga studio e TV Beogradit. Përgatitja dhe xhirimi i materialeve bëhej asokohe në Kosovë.


Antigona Nimani, Vera Hima dhe Faik Hima.


Vera Hima

Në vitin 1966, pas Plenumit IV të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, ku u dënua politika antishqiptare e Rankoviqit, u formua redaksia shqipe e TV Beogradit me këta entuziastë: Gjeto Leka – gazetar-redaktor, Faik Hima folës, Ekrem Kryeziu gazetar-folës e pastaj edhe regjisor, Antigona Nimani – realizatore dhe folëse, Mitalip Çoça xhirues-gazetar dhe Bejto Jusufi ndriçues që përgatisnin emisionin e parë në gjuhën shqipe të titulluar “Pasqyra televizive”, më vonë ju bashkëngjitën Masar Murtezai si redaktor përgjegjës, Vera Gjevori-Hima si folëse, Sytki Imami përkthyes e lektor, organizator Shaip Bejta. Deri në vitin 1965 janë xhiruar 2977 tituj. Nga 2977 tituj në periudhën 1945 – 1965, në Kosovë dhe për Kosovën janë xhiruar 29 filma, 26 dokumentarë dhe 3 filma artistikë. / KultPlus.com


Vera Hima

Lady Gaga shpallet “Artistja e Vitit”, nderohet me katër çmime në MTV VMA

8 September 2025 at 19:43

Lady Gaga u shpall dje në mbrëmje “Artistja e Vitit”, pasi u nderua me katër çmime në Çmimet MTV Video Music Awards (VMAs) 2025.

Ajo mundi artistet, përfshirë Taylor Swift, Beyonce dhe Kendrick Lamar, ndërsa çmimin ua dedikoi fansave të saj të “Little Monster” dhe të fejuarit Michael Polansky.

Sabrina Carpenter dhe Ariana Grande u nderuan me tre çmime secila.

“Të jesh artiste është një përpjekje për të lidhur shpirtrat e njerëzve në të gjithë botën. Të jesh artiste është një disiplinë, një zanat i destinuar për të arritur në zemrën e dikujt, ku ajo rrit rrënjët e saj dhe për t’i kujtuar ata të ëndërrojnë”, tha Lady Gaga gjatë marrjes së çmimit.

“Të jesh artiste është një përgjegjësi për ta bërë audiencën të buzëqeshë, të kërcejë, të qajë, të çlirohet… Është një metodë për të ndërtuar mirëkuptim dhe për të festuar komunitetin”, shtoi ajo.

Gaga, e cila mori 12 nominime, fitoi gjithashtu çmimet për regjinë më të mirë dhe drejtimin artistik për hit-in “Abracadabra”, si dhe fitoi çmimin për bashkëpunimin më të mirë për “Die With A Smile” së bashku me Bruno Mars.

Mars gjithashtu bashkëpunoi me këngëtaren e “Blackpink”, Rose, për të fituar çmimin e këngës së vitit për APT, ndërsa Blackpink u emërua grupi më i mirë.

Fitorja e Gaga-s si artiste e vitit do të thotë që Swift dhe Beyonce – të cilat u nominuan në këtë kategori – mbeten të barabarta në 30 çmime në VMA.

Në të kundërt, Mariah Carey mori çmimin e saj të parë në kategorinë R&B për “Type Dangerous” dhe një çmim të dytë “Video Vanguard”.

Çmimet për arritje iu dhanë Ricky Martin, i cili performoi disa hit-e duke filluar me “Livin’ La Vida Loca” dhe u nderua me çmimin “Ikona latine” dhe reperit Busta Rhymes, i cili mori çmimin “Rock The Bells Visionary”.

VMA nderoi gjithashtu ish-këngëtarin e “Black Sabbath”, Ozzy Osbourne, i cili vdiq në korrik në moshën 76 vjeç, me një performancë të prezantuar nga një video mesazh – nga djali i tij Jack dhe fëmijët e tij.

Grande mori çmimet për “Videon e vitit”, “Videon e gjatë” dhe “Videon më të mirë Pop” për “Brighter Days Ahead”.

“Short n’ Sweet” e Carpenter u shpall albumi i vitit, ndërsa ajo u nderua si artistja më e mirë Pop dhe fitoi çmimin për “Efektet vizuale” për “Manchild”.

“Coldplay” fitoi çmim në kategorinë Rock për “All My Love”, ndërsa Sombr mori çmimin alternativ për “Back To Friends” dhe Shakira u nderua me çmimin latin për “Soltera”./KultPlus.com

195 vjet nga lindja e nobelistit, Frédéric Mistral

8 September 2025 at 19:15

Më 8 shtator shënohet përvjetori i lindjes së Joseph Étienne Frédéric Mistral, poetit të madh francez, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi në vitin 1904. I lindur në vitin 1830 në Maillane të Francës jugore, Mistral u bë një nga figurat më të shquara të letërsisë europiane, duke mbetur përjetësisht i lidhur me rrënjët e tij provansale dhe me pasionin për gjuhën oksitane, transmeton KultPlus.

Qysh në rini ai tregoi dashurinë e thellë për traditën dhe folklorin e vendlindjes. Në një kohë kur frëngjishtja po dominonte jetën kulturore dhe politike të Francës, Mistral u angazhua në ringjalljen e gjuhës provansale, duke e ngritur atë në nivel të lartë poetik e duke i dhënë dinjitetin e humbur. Ai ishte një nga themeluesit e lëvizjes letrare Félibrige, e cila synonte të ruante dhe zhvillonte gjuhën oksitane.

Ndër veprat e tij më të njohura janë “Mirèio” (Mireio), një poemë epike e botuar më 1859, që fitoi menjëherë vlerësime të gjera dhe u konsiderua si kryevepra e tij, si dhe “Calendal” (1867), një tjetër poemë epike që ngërthen mitin dhe historinë e rajonit të tij. Mistral, përveç krijimtarisë poetike, dha një kontribut madhor edhe në fushën e gjuhësisë, duke hartuar fjalorin e madh provansal-frëngjisht, “Lou Tresor dóu Felibrige”, i cili mbetet një thesar i pazëvendësueshëm i kulturës oksitane.

Nobeli i vitit 1904 iu dha për “forcën e re kreative të frymëzuar nga dashuria për atdheun dhe për gjuhën e tij amtare”, duke ndarë çmimin me spanjollin José Echegaray. Ky nderim e shndërroi Mistralin në një simbol të gjallë të ruajtjes së identitetit kulturor përmes artit dhe fjalës.

Frédéric Mistral u nda nga jeta më 1914, por trashëgimia e tij vijon të frymëzojë gjenerata të reja krijuesish dhe studiuesish. Ai mbetet një zë i fuqishëm i letërsisë europiane, i cili dëshmoi se dashuria për gjuhën amtare është një formë e lartë e dashurisë për lirinë dhe njerëzimin./KultPlus.com

Faik Hima, zëri i parë shqip në ekranin e Beogradit

8 September 2025 at 18:45

Sot, në moshën 83-vjeçare ka vdekur doktori dhe një ndër spikerët e parë në gjuhën shqipe në televizionin e Beogradit, Faik Hima, përcjell KultPlus.

Lajmin e kanë bërë të ditur familja e tij nëpërmjet një njoftimi në Facebook.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë farefisin, miqtë, kolegët e dashamirët se më datë 08.09.2025 ndërroi jetë në moshën 83-vjeçare më i dashuri ynë Prof.Dr.Sc. Faik Hima”, thuhet në njoftimin e vazjës së tij.

Ju kujtojmë se më 28 nëntor 1966, filloi së emituari programi në gjuhen shqipe, në TV e Beogradit, një herë në javë, nga gjysmë ore. Nga ai ekip i vogël krijuesish, u krijua edhe Televizioni i Prishtinës, me shumë të tjerë, që do të inkuadrohen më vonë. Spikerët e parë në TV ishin Antigona Nimani, Faik Hima dhe Vera Gjevori Hima./KultPlus.com

Richard Strauss, gjiganti i muzikës gjermane

8 September 2025 at 17:59

Më 8 shtator shënohet përvjetori i vdekjes së njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të shekullit XX, Richard Strauss (1864–1949). Figura e tij mbetet e skalitur në historinë e muzikës si mjeshtër i pakrahasueshëm i simfonive poetike dhe i operës, duke krijuar vepra që edhe sot mbushin sallat koncertale dhe skenat operistike anembanë botës, transmeton KultPlus.

Lindur në Mynih në vitin 1864, Strauss u rrit në një familje muzikantësh. I ati, Franz Strauss, ishte një hornist i njohur, gjë që e futi herët djalin në botën e tingujve. Që në moshë të re, talenti i tij për kompozim u bë i dukshëm, duke shënuar hapat e parë drejt një karriere që do të ndikonte thellësisht në muzikën europiane.

Në fund të shekullit XIX dhe fillim të XX, Strauss u bë i njohur për simfonitë poetike të tij, të cilat sollën një frymë të re në traditën gjermane. Veprat si Also sprach Zarathustra (1896), e frymëzuar nga filozofia e Friedrich Nietzsche-s, apo Don Juan (1888) dhe Ein Heldenleben (1898), tregojnë gjallërinë, pasionin dhe dimensionin dramatik që ai i dha orkestrës. Muzika e tij, e ngarkuar me emocione dhe nuanca të fuqishme, shpesh u konsiderua si përfaqësim i shpirtit të kohës.

Por, suksesi i madh i Strauss-it erdhi sidomos në operë. Ai solli vepra të paharrueshme si Salome (1905), një revolucion muzikor e teatral, Elektra (1909), me gjuhën e saj moderne dhe të ashpër, dhe më pas kryeveprën e pavdekshme Der Rosenkavalier (1911), ku meloditë e buta e plot nostalgji u kthyen në simbol të elegancës së muzikës gjermane. Operat e tij e bënë atë një nga figurat më të mëdha të skenës operistike, duke ndikuar breza të tërë kompozitorësh.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Strauss mbeti një figurë komplekse dhe shpesh e diskutuar, për shkak të marrëdhënieve të tij me regjimin nazist, edhe pse shumë historianë theksojnë se ai veproi kryesisht për të mbrojtur muzikën dhe artistët gjermanë. Pas luftës, ai u rikthye fuqishëm në krijimtari, duke kompozuar Vier letzte Lieder (Kater Këngët e Fundit, 1948), një testament i prekshëm artistik dhe shpirtëror, që konsiderohet ndër kryeveprat më të ndjera të shekullit XX.

Richard Strauss ndërroi jetë më 8 shtator 1949 në Garmisch-Partenkirchen të Gjermanisë, duke lënë pas një trashëgimi kolosale. Muzika e tij, me kontrastet e fuqishme, bukurinë melodike dhe thellësinë emocionale, vazhdon të mbetet e gjallë dhe frymëzuese edhe sot. Përvjetori i vdekjes së tij nuk është thjesht një kujtim, por një rikthim tek një epokë që ai e ngriti në lartësitë e artit muzikor botëror./KultPlus.com

Vdes Rick Davies, bashkëthemeluesi dhe këngëtari i ‘Supertrump’

8 September 2025 at 17:28

Rick Davies, bashkëthemeluesi dhe vokalisti kryesor i grupit muzikor britanik “Supertramp”, ka vdekur në moshën 81-vjeçare.

Muzikanti, i njohur për hitet si “Goodbye Stranger”, “Breakfast in America” dhe “The Logical Song”, vdiq të shtunën pas një beteje me kancerin, bëri të ditur grupi në një deklaratë.

Atij i ishte diagnostikuar më shumë se 10 vite më parë mieloma multiple, një lloj kanceri në gjak.

“Si bashkautor, së bashku me partnerin Roger Hodgson, ai  ishte zëri dhe pianisti pas këngëve më ikonike të ‘Supertramp’, duke lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës rok”, thuhet në faqen zyrtare të grupit. “Vokali i tij shpirtëror dhe prekja e papërsëritshme në ‘Wurlitzer’ u bënë zemra e tingullit të grupit”.

“Përtej skenës, Rick njihej për ngrohtësinë, qëndrueshmërinë dhe përkushtimin ndaj bashkëshortes së tij Sue, me të cilën jetoi mbi pesë dekada”, shton deklarata. “Muzika dhe trashëgimia e Rick-ut vazhdojnë të frymëzojnë shumëkënd dhe janë dëshmi se këngët e mëdha nuk vdesin kurrë, ato jetojnë”.

Davies lindi në Swindon në vitin 1944. Dashuria e tij për muzikën nisi që në fëmijëri, kur dëgjoi “Drummin’ Man” të Gene Krupa-s, gjë që i ndezi një pasion të përjetshëm për xhazin, bluzin dhe rock’n’roll-in.

Ai dhe Hodgson formuan grupin që më vonë do të merrte emrin “Supertramp” në vitin 1969. Edhe pse përbërja e grupit ndryshoi disa herë, periudha më e njohur mbetet ajo midis viteve 1973-1983, me Davies dhe Hodgson përkrah Dougie Thomson (bas), Bob Siebenberg (bateri) dhe John Helliwell (saksofon).

Në atë kohë ata nxorrën albumin e tyre të parë dhe arritën suksesin më të madh me ”Breakfast In America” në 1979, nga i cili dolën këngë të suksesshme si “The Logical Song”, “Breakfast in America”, “Goodbye Stranger” dhe “Take the Long Way Home”.

Pas largimit të Hodgson në vitin 1983, i cili nisi një karrierë solo, Davies mbeti anëtari i vetëm konstant i “Supertramp”  gjatë gjithë historisë së tij./KultPlus.com

Tri vite më parë vdiq monarkja më jetëgjatë në histori, Mbretëresha Elizabetë ll

8 September 2025 at 17:02

Elizabeth Alexandra Mary- (21 prill 1926 – 8 shtator 2022) ishte Mbretëresha e Mbretërisë së Bashkuar dhe mbretërive të Komonuelthit.

Elizabeta lindi si fëmija i parë i Mbretit George VI dhe Mbretëreshës Elizabeth. Në kohën e lindjes së saj më 21 prill 1926, princesha e atëhershme Elizabeth ishte e treta në radhën e fronit – vajza e madhe e një djali të dytë, dhe për këtë arsye konsiderohej e pamundur të sundonte. Pas 10 vitesh, ajo u bë trashëgimtarja më e mundshme pasi xhaxhai i saj abdikoi, duke e zhytur vendin në krizë.

Në vitin 1947, ajo u martua me Princin e guximshëm Philip të Greqisë dhe Danimarkës, me çiftin që qëndroi së bashku për 73 vjet. Ndërsa udhëtonte në Kenia në shkurt të vitit 1952, ajo mësoi se babai i saj kishte vdekur dhe kështu filloi mbretërimi i monarkes britanike më jetëgjatë në histori.

Që nga qershori 2022 ajo ishte gjithashtu monarkja e dytë më e gjatë mbretëruese në historinë botërore. Në shtator 2015, Elizabeth tejkaloi rekordin prej 63 vjetësh e 216 ditësh në fron të mbajtur nga mbretëresha Victoria (stër-stër-stërgjyshja e saj) për t’u bërë monarkja britanike më jetëgjatë në histori.

Ndërsa në shkurt 2022, Mbretëresha Elizabeth festoi ‘Jubileun e Platinit’ të saj, duke shënuar shtatë dekada shërbimi ndaj Commonëealth.

Ngjitja në fron

Në verën e vitit 1951, shëndeti i mbretit George VI filloi të përkeqësohej dhe Princesha Elizabeth e përfaqësoi atë në paradën e ngjyrave dhe në funksione të tjera zyrtare. Më 7 tetor ajo dhe bashkëshorti i saj nisën një turne shumë të suksesshëm në Kanada dhe Uashington.

Pas Krishtlindjeve në Angli, ajo dhe Duka u nisën në janar 1952 për një turne në Australi dhe Zelandën e Re, por gjatë rrugës, në Sagana, Kenia, lajmi i vdekjes së Mbretit arriti më 6 shkurt 1952. Elizabeta, tani mbretëreshë, u kthye menjëherë në Angli.

Tre muajt e parë të mbretërimit të saj, një periudhë zie e plotë për të atin, i kaloi në një izolim relativ. Por në verë, pasi u zhvendos nga Clarence House në Buckingham Palace, ajo mori detyrat e zakonshme të një monarku dhe mbajti hapjen e saj të parë zyrtare të Parlamentit më 4 nëntor 1952.

Kurorëzimi i saj u bë në Westminster Abbey më 2 qershor 1953.

Nga nëntori i 1953, Mbretëresha dhe Duka i Edinburgut ndërmorën një turne gjashtëmujor rreth Komonuelthit, i cili përfshinte vizitën e parë në Australi dhe Zelandën e Re nga një monark britanik në fuqi. Në vitin 1957, ajo dhe Duka vizituan Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara.

Gjatë “Jubileut të saj të Argjendtë” në vitin 1977, ajo drejtoi një darkë zyrtare në Londër ku morën pjesë liderët e 36 anëtarëve të Komonuelthit, udhëtoi në të gjithë Britaninë dhe Irlandën e Veriut dhe bëri turne jashtë shtetit në Paqësorin Jugor dhe Australi, në Kanada dhe Karaibe.

Mbretëresha Elizabeth dhe Princi Filip

Elizabeth dhe Margaret kaluan pjesën më të madhe të Luftës së Dytë Botërore duke jetuar veçmas nga prindërit e tyre në Kalanë Windsor, një kështjellë mesjetare jashtë Londrës. Në vitin 1942, mbreti e bëri Elizabetën një kolone nderi në Gardën e 500 Grenadierëve, një regjiment i ushtrisë mbretërore.

Dy vjet më vonë, ai e emëroi atë anëtare të Këshillit të fshehtë dhe Këshillit të Shtetit, duke e lejuar atë të vepronte në emër të tij kur ai ishte jashtë vendit.

Në vitin 1947, menjëherë pasi familja mbretërore u kthye nga një vizitë zyrtare në Afrikën e Jugut, u njoftua fejesa e Elizabeth me Princin Filip të Greqisë dhe një toger të Marinës Mbretërore. Ajo e njihte kur ishte vetëm 13 vjeç dhe marrëdhënia e tyre u zhvillua përmes vizitave dhe korrespondencës gjatë luftës.

Edhe pse shumë në rrethin mbretëror nuk e konsideronin Filipin për shkak të mungesës së parave dhe gjakut të huaj (gjerman) – madje edhe babai i saj nuk e miratoi – Elizabeta ishte e vendosur dhe shumë e dashuruar. Ajo dhe Filipi u martuan më 20 nëntor 1947 në Westminster Abbey.

Djali i tyre i parë, Charles (Princi i Uellsit) lindi në 1948, ndërsa vajza e tyre, Anne (Princesha Royal) erdhi dy vjet më vonë. Elizabeth dhe Philip ishin të martuar për 73 vjet, derisa Princi Philip vdiq në prill 2021 në moshën 99 vjeçare.

Monarkia moderne e Mbretëreshës Elizabeth

Jashtëzakonisht popullore gjatë pjesës më të madhe të mbretërimit të saj të gjatë, mbretëresha është e njohur për interesimin serioz për qeverinë dhe çështjet politike, përveç detyrave të saj ceremoniale, dhe i njihet merita për modernizimin e shumë aspekteve të monarkisë.

Mbretëresha dukej se ishte gjithnjë e më e vetëdijshme për rolin modern të monarkisë, duke lejuar, për shembull, transmetimin televiziv të jetës familjare të familjes mbretërore në 1970.  Megjithatë, në vitet 1990, familja mbretërore u përball me një sërë sfidash.

Në vitin 1992, një vit që Elizabeth e përshkroi si “annus horribilis” e familjes mbretërore, Princi Charles dhe gruaja e tij, Diana, Princesha e Uellsit, u divorcuan, si dhe Princi Andrew dhe gruaja e tij, Sarah, Dukesha e Jorkut.

Për më tepër, Anne u divorcua dhe një zjarr shkatërroi rezidencën mbretërore të Kalasë Windsor. Gjithashtu, ndërsa vendi luftonte me recesionin, pakënaqësia me stilin e jetës mbretërore u rrit dhe në vitin 1992 Elizabeth, ra dakord të paguante taksa për të ardhurat e saj private.

Ndarja dhe divorci i mëvonshëm (1996) i Charles dhe Princeshës Diana minuan më tej mbështetjen për familjen mbretërore. Kritikat u intensifikuan pas vdekjes së Dianës në 1997, pasi Elizabeth fillimisht refuzoi të lejonte që flamuri kombëtar të ulej në gjysmështizë mbi Pallatin Buckingham.

Disa vite më vonë, në vitin 2005, Mbretëresha gëzoi mbështetjen e publikut kur dha pëlqimin e saj për martesën e Princit Charles me të dashurën e tij prej shumë kohësh Camilla Parker Bowles. Në përputhje me përpjekjet e saj të mëparshme për të modernizuar monarkinë, mbretëresha që atëherë është përpjekur të paraqesë një imazh më pak të ashpër dhe më pak tradicional të monarkisë.

Dalja në pension e Princit Philip dhe vdekja e tij e mëvonshme

Në gusht 2017, Princi Philip u tërhoq zyrtarisht nga jeta publike, duke u shfaqur periodikisht në angazhimet zyrtare. Ndërkohë, Mbretëresha Elizabeth filloi të zvogëlojë detyrat e saj zyrtare , duke i dorëzuar disa detyra Princit Charles dhe anëtarëve të tjerë të lartë të familjes mbretërore.

Djali më i vogël i Charles, Princi Harry, duka i Sussex, dhe gruaja e tij, Meghan Markle, Dukesha e Sussex-it, zgjodhi të tërhiqej nga rolet e tyre mbretërore në mars 2020. Gjatë kësaj kohe, interesi i publikut për Mbretëreshën dhe Familjen Mbretërore u rrit si rezultat i popullaritetit të gjerë të ” The Crown”.

Pasi u përball me disa pengesa fizike në vitet e fundit, Filipi, i cili ishte bashkëshorti i Elizabeth për më shumë se shtatë dekada, vdiq në prill 2021. Në përvjetorin e tyre të 50-të të martesës, në vitin 1997, Elizabeta kishte thënë për Filipin, të cilin do ta “takonte” sërish një vit pas vdekjes së tij.

“Ai ishte thjesht forca ime dhe shtëpia ime gjatë gjithë këtyre viteve”.

Ndërsa pasuria e saj e patreguar e bëri atë një nga gratë më të pasura në botë, Mbretëresha Elizabeth në nivel personal e donte thjeshtësinë. Ajo ishte një kalorëse e mprehtë, ndërsa mbante kuaj garash, shpesh merrte pjesë në gara dhe vizitonte periodikisht fermat e Kentakit në Shtetet e Bashkuara.

Një nga personat më me ndikim në botë nisi rrugëtimin e saj drejt përjetësisë 96-vjeçare, më 8 shtator 2022.KultPlus.com

‘Mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim’

8 September 2025 at 16:02

Poezi nga Ismail Kadare

Në natën plot acar

Në natën plot acar një zjarr desha të ndez
Por, nata ish e ftohtë, ah, ç’tmerr i zi që ish,
Ndaj që të mbahej gjallë ky zjarrth n’atë rrebesh
Diçka përherë kërkonte, kërkonte vazhdimisht.

Ndaj si shtegtari murg, që shkarpat mblesh në terr,
Unë hidhja n’atë zjarr gjymtyrët pa pushim.
Por ishin pak ato, ndaj fill pas tyre rresht
Mbi të nisa të hedh copëra të shpirtit tim.

Se s’bëhej ndryshe, dot, se s’bëhej ndryshe, eh,
Se duhej që dikush ta mbante atë flakë.
Në flakëzën-delir që veç vajosja sjell
Të frikshme pamje ndritnin e dridheshin përqark.

I shihnit vallë ato, dallonit vallë diçka
Ndërsa rreth meje nata me terr e ujq u mbush.
Se donin që të gjithë ta fiknin atë zjarr,
Dikush me ligësi e me padije dikush.

Të tjerë majë kodrash ku dielli kishte rënë
Të tyret zjarre ndrisnin dhe qeshnin që përtej.
Se s’donin të kuptonin ç’bëhej këtu brenda
Se ç’fli kërkon një flakëz që lindet në një terr.

I lodhur nganjëherë kam thënë: shuhu pra,
Në qoftë se nuk të duan, të bjerë natë e pafund.
Të verbtit sytë tuaj kështu ndoshta do t’jenë
Në terrin absolut pa shqetësim kurrkund.

Po prapë diçka më shtynte të ngrihem si somnambul,
Si murgu shkretimtar që shkarpat verbtaz mbledh
Dhe sipër zjarrit prap’ të hedh gjymtyrët akull
Dhe copërat një nga një të shpirtit tim të hedh.

1984 / KultPlus.com

  • ✇
  • Vaje  

Vaje

8 September 2025 at 15:37

Andon Zako Çajupi

Që ditën që vdiqe, që kur s’të kam parë
Lotët që kam derdhur, s’më janë dhe tharë
Shumë vjetë u bënë sot u mbushen dhjete
Që kur më ke lënë dhe s’të shoh ne jete!

Në ç’kopshte me lule ke qëndruar vallë?
S’të vjen keq për mua?S’të vjen mallë për djalë ?
O ëngjëll I bukur mos meno në botë
Kthehu të të shomë të na mbeten lotë

S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare

Mos na lër të gjorë me zemër të ngrirë
Kthehu të gëzohesh kur të shoç tët birë
E ke lenë foshnje tani u bë burrë
S’arrite ta rritje s’të ka parë kurrë

Për ty shumë herë çoç do të më thotë
Por s’mund ti përgjigjem se më mbytin lotë
Kthej kokën mënjanë dhe vështroj përpjetë
Duke psherëtitur te zot’ I vërtetë

O zot I vërtetë s’të erdhi keq për djalë
Kur i more mëmën dhe më le të gjallë
Të më keshe marrë do të qe më mirë
Dhe të rronte mëma të rriste të birë
Me se rrojnë foshnjat çi rrit çiliminjtë
Dashuri e mëmës dhe përkëdhelitë
Doje dritë o qiell more dritën time
dhe ma mbushe jetën plot me hidhërime
Tani rroj pa shpresë ndaj s’dua të rroj
Se dhe perëndinë tani s’e besoj.

S’rrojmë dot pa tynë ti si rron pa neve?
Motëmot që rrojtëm bashkë s’më urreve
Atje tek rri janë qipariz’ e varre
Kthehu të të shomë mos na lër përfare. /KultPlus.com

Shpallen fituesit e Festivalit të 55-të të Teatrove në Ferizaj

8 September 2025 at 15:00

Me një ceremoni solemne u përmbyll edicioni i 55-të i Festivalit të Teatrove në Ferizaj, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend, që edhe këtë vit solli në skenë prodhime të fuqishme teatrore dhe interpretime të shkëlqyera.

Çmimi për shfaqjen më të mirë i këtij edicioni shkoi për shfaqjen “Djali”, e realizuar nga Organizata “Anamour”, duke u vlerësuar si produksioni më i kompletuar artistikisht në këtë edicion. Çmimi “Yll në Ardhje” iu dha aktorit të ri Yzeir Meha, për rolin në shfaqjen “Djali”, duke u vlerësuar si një prej talenteve më premtues të këtij edicioni.

Çmimi për regjinë më të mirë u fitua nga Sulejman Rushiti për shfaqjen “13”, ndërsa kjo shfaqje fitoi gjithashtu edhe çmimin e publikut, si dhe u nderua me çmimin për skenografinë më të mirë, të realizuar nga Bekim Korça.

Në kategoritë e aktrimit, Avni Shkodra fitoi çmimin “Ismail Rama” për aktorin më të mirë për rolin e tij në shfaqjen “God Bless America”, kurse Donika Zeqiri u vlerësua me çmimin “Adriana” për aktoren më të mirë për interpretimin në shfaqjen “13”.

Çmimet për aktorët në role dytësore u ndanë për Kushtrim Qerimin (shfaqja “God Bless America”) dhe Hajat Toçillën (shfaqja “Komedi e Zezë”), ndërsa Aurita Agushi u shpall fituese e çmimit për rolin episodik më të mirë, po ashtu për shfaqjen “God Bless America”.

Në fushën e dizajnit skenik, Njomza Luci mori çmimin për Kostumografinë më të Mirë për punën e saj në shfaqjen “Prishtina. Vrasja e Paralajmëruar e një Ëndrre”, e cila u nderua gjithashtu edhe me një çmim special nga juria./KultPlus.com

‘Për vdekjen ai dinte ç’ish rrëfyer: që vjen, na merr e në heshtje na flak’

8 September 2025 at 14:18

Poezi nga Rainer Maria Rilke

Vdekja e të dashurës

Për vdekjen ai dinte ç’ish rrëfyer:
që vjen, na merr e në heshtje na flak.
Por kur ajo, nga ai e parrëmbyer,
jo, qetë prej syve te tij u mpak,
e u tret mes të panjohurash hije,
e ndërsa ai ndjeu se ata tashmë atje
gëzonin hiret e saj prej perëndie
e buzëqeshjen e saj kishin hënë të re:
iu dukën të vdekurit aq të njohur,
si të kishin qënë miq të vjetër;
i la të gjallët të flisnin, patjetër
por s’u besoi më e atë vend të ftohur
e quajti te përëmblin e në çdo skaj,
e mati. Që të mos vriteshin këmbët e saj./ KultPlus.com

RAI 3 në rajonin e Kalabrisë do të transmetojë në gjuhën arbëreshe

8 September 2025 at 13:45

Një programacion radiofonik dhe televiziv në gjuhën arbëreshe do të transmetohet në valët e RAI 3, në rajonin e Kalabrisë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes së fundit midis Presidencës së Këshillit të Ministrave dhe RAI-t, ka nisur prodhimi i programeve televizive dhe radiofonike që synojnë promovimin e kulturës arbëreshe. Këto programe janë të lidhura drejtpërdrejt si me ligjin 482 të vitit 1999 ashtu edhe me Kontratën e Shërbimit Kombëtar, e cila siguron mbrojtjen e pakicave historike gjuhësore të pranishme në rajonet e ndryshme të Italisë.

Transmetimet në gjuhën shqipe do të nisin në 15 shtator dhe do të zgjasin për 13 muaj. Detajet mbi programacionin Radio dhe TV do të jepen gjatë një konference të posaçme për mediet, në selinë e RAI-t në Kozenca.

Siç është thënë edhe më herët nga mediet kalabreze, një nga programet që do të transmetohet nga RAI 3 për rajonin e Kalabrisë, do të jetë mësimi i gjuhës arbëreshe./atsh/KultPlus.com

Duke vdekur ngadalë

8 September 2025 at 13:15


Poezi nga Xhevdet Bajraj

Isha i shtrirë si trevjeçar
në livadhin pranë shtëpisë në Banjë
(herë të Malishevës e herë të Therandës)
kur i pashë për herë të parë
retë e stërmëdha
të bardha
që po lëviznin në qiell
dhe na kërcënonin të na përpijnë
e të vazhdojnë me ne tutje
apo së paku të bien mbi ne
mbi shtëpinë tonë që e kishim me qira
dhe të na rrafshojnë me tokë
Ishte frika ime e parë
e madhe
që ma fshive me buzëqeshje
duke më shpjeguar që ato sjellin paqe
ato ua shuajnë etjen luleve e grunajave
zogjve dhe kafshëve
tokës

Frikën e dytë të madhe e përjetova
derisa isha katër vjeç
po ashtu në fshatin Banjë
kur një ushtar gjerman
nën qiellin e hapur
nga ekrani i autokinemasë
nga të gjithë të pranishmit aty
më kishte zgjedhur mua
për të ma drejtuar automatikun

Filmi është si ëndërr e keqe më the
mos e lejo zogun e zi të zhgjëndrrës
të ndërtojë çerdhe
brenda kafazit tënd të gjoksit
as mbi sup
se do të ushqehej me ëndrrat tua
që do të duhej të të hapnin shtigje
kah e ardhmja
Mos lejo të vdesin ëndrrat e bukura
se kur ato vdesin
nuk shkojnë në parajsë
dhe pa ëndrrat tua
ti nuk do të jesh ti
por hija jote e dënuar të jetoj
pa shpirt
në shkallët e pendimit që nuk do ta çojnë lart
por do ta zbresin në honin e përroit të vdekur
që i vdekur ngutet
drejt detit
po ashtu të vdekur

Kur i bëra gjashtë vjet
iu gëzova çarshisë së Rahovecit
kinemasë
bibliotekës
librarisë
rrushit të Rahovecit iu gëzova
dhe derisa më merreshin mendtë nga bukuria
në prehrin tënd mbolla ëndrra
pastaj e blejtë një vresht me babanë
dhe e ndërtuat një shtëpi
unë nuk munda të kontribuoja në atë moshë
përveç që e stolisa shtëpinë nga brenda me libra
e nga jashtë
e mbulova me pëllumba të butë
që shkonin aq bukur me lulet e tua

Kur i mbusha të shtatëmbëdhjetat
një bajloz i zi doli nga balta e Rahovecit
më kafshoi në shpirt
dhe dita e nesërme me kësulë të vdekjes mbi kokë
e me kosë në duar
më priste
në shtegun ku kalonte dielli para se të lindte
Ishte natë e gjatë
e gjatë sa lufta

Mos lejo që të tjerët të jetojnë
të ushqehen
të majmen
nga frika jote
se të nxjerrin nga shtëpia
nga lëkura jote të nxjerrin
dili errësirës përpara
dhe kafshoje
ashtu si e kafshon kafsha e lidhur
litarin
se zemra kur të zvogëlohet nga frika
mërdhin
Mëso se poezia është mënyra më e mirë
për t’u përballur me jetën
dhe nëse dikush duhet të të vras
le të jetë kjo metafora jote
e dalë nga një imazh i gjallë i yti
i realizuar në mënyrë të përsosur

Dikur më lindën fëmijët
Librat
lindi apartheidi
erdhi lufta që kurrë nuk mbaroi
Gjeneralët e rrejshëm
filluan të jetojnë në librat e historisë sonë
që i shkruajnë me jetët e të rënëve
dhe gjakun tonë të përgjumur
Pak para se të vdesësh më the
nëse do të mbijetosh biri im
atëherë duhet të luftosh me gjithçka ke
se tek e fundit
nuk ka më vend në varre
A po e sheh këtë burrë
duke vrapuar për në askund
me fëmijën e tij të vrarë në duar
një herë ishin të varrosur
por nuk i mbajti varri
tash po kërkon varr të ri
për veten dhe për fëmijën e tij
në Kosovë
Se edhe Kosovën e kanë qëlluar me granata
me bomba me plumba me thika
krimbat e bardhë të mishit
nxjerrin kokën nga plagët e saj
por ajo nuk ka forcë për të jetuar
e as për të vdekur nuk ka forcë
Të rënët në luftë
janë të fundit të llojit tonë
që vdiqën si njerëz
Këtyre që kanë mbetur
vetëm gjuha u është rritur
duke u stërvitur çdo ditë
për të lëpirë
çdo gjë që nuk lëpihet te tjetri
përveç nëse je mizë e kalit

Nënë
e kam parë një lis të vdekur
një ujk të vdekur
një zog të vdekur
një lumë të vdekur
një qiell të vdekur
përveç dy-tri dashurive të vdekura
që akoma më dhembin shumë
edhe ty e babanë të vdekur
veç vdekja ime është tmerrësisht e gjallë
dhe po më afrohet ngadalë

“Kafe me nënën”, Armagedoni. / KultPlus.com

Festivali i Artistëve të Rrugës, edicioni i 7-të në Kukës

8 September 2025 at 12:42

Fundjava që lamë pas i solli gjallëri qytetit të Kukësit, ku u zhvillua edicioni i 7-të i Festivalit të Artistëve të Rrugës.

Animatorë dhe instrumentistë bashkuan fëmijët dhe qytetarët e Kukësit të cilët ndoqën me kuriozitet performancat e këtij festivali interaktiv, zhvilluar në sheshin përpara Muzeut Etnografik. Në shesh u vendosën stenda të cilat ftonin të angazhoheshin të mëdhenj e të vegjël, për të shprehur talentin e tyre në pikturë.

Artistët thanë se qëllimi i festivalit është pikërisht ndërveprimi me publikun, sidomos në një qytet si Kukësi që shpesh konsiderohet si qytet-tranzit. Alma Canaj, presidente e festivalit shprehet se nuk është i lehtë si aktivitet por qëllimi  në vetvete për të angazhuar edhe publikun në këtë festival, e bën atë tërheqës.

Iris Canaj, organizatorja e festivalit, vë theksin tek çuarja e artit në hapësira publike për të mos pritur që publiku të shkojë domosdoshmërisht në institucionet e mirëfillta kulturore publike apo private. Aktiviteti u mirëprit nga qytetarët e Kukësit, të cilët u angazhuan së bashku me performuesit pa dallim moshe./atsh/KultPlus.com

“Më kërko kur në vetmi shtrin dorën tënde në boshllëk”

8 September 2025 at 12:13

Nga Lasgush Poradeci.

Më kërko kur ndjen që të rrëshket një pikë lot.
Më kërko kur në vetmi shtrin dorën tënde 
në boshllëk.
Më kërko kur muzika bashkohet me shpirtin tënd.
Më kërko kur mendja jote është bosh,
pa ëndrra, pa dashuri ….
Më kërko dhe unë do të të marr përdore,
e do të çoj në botën time.
Plot emocione të ëmbla dhe buzëqeshje.
Më kërko, unë jam këtu për ty. /KultPlus.com

❌