Normal view

Isabel Allende: “Çdo libër është një mesazh i mbyllur në një shishe dhe i hedhur në det

2 August 2026 at 23:30

Sot, në ditëlindjen e një prej zërave më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore, kujtojmë Isabel Allenden, shkrimtaren që e ka shndërruar kujtesën në atdhe, mërgimin në identitet dhe fjalën në strehën më të sigurt të shpirtit. Në universin e saj letrar, historia nuk është vetëm rrëfim, por një akt shpëtimi; kujtesa nuk është thjesht rikthim, por mënyra më e thellë për të mos humbur vetveten.

Për Allenden, të shkruarit nuk buron nga ambicia për të qenë shkrimtare, por nga një nevojë e pashmangshme për të mbijetuar përmes kujtesës. Çdo roman i saj është një përpjekje për të ndalur harresën, për të ruajtur zërat që koha kërkon t’i shuajë dhe për t’u dhënë jetë historive që rrezikojnë të treten në heshtje.

“Të shkruarit është për mua një përpjekje e dëshpëruar për të ruajtur kujtesën. Unë jam një endacake e përjetshme dhe kujtimet mbeten në rrugën time, si copa të grisura nga fustani im. Shkruaj që të mos më nënshtrojë harresa dhe të më ushqejë rrënjët e mia, të cilat deri më tani nuk zhyten në asnjë vend gjeografik, por vetëm në kujtesën time dhe në librat që kam shkruar.

Shpesh, duke kërkuar frymëzim para një faqeje bosh, mbyll sytë për një çast dhe kthehem në kuzhinën e shtëpisë ku jam rritur dhe te gratë e jashtëzakonshme që më kanë rritur. Të shkruarit nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet komunikimi.

Çfarë është një libër përpara se dikush ta hapë dhe ta lexojë? Vetëm një grumbull fletësh të lidhura së bashku. Janë lexuesit ata që i japin jetë një libri. Në rastin më të mirë, letërsia përpiqet t’u japë zë atyre që nuk kanë zë ose atyre që janë detyruar të heshtin. Por kur shkruaj, nuk i vendos vetes për detyrë të përfaqësoj askënd, të jap mesazhe apo të shpjegoj misteret e universit. Thjesht përpiqem të rrëfej, me tonin e një bisede intime. Nuk kam përgjigje; kam vetëm pyetje, gjithmonë të njëjtat pyetje që më ndjekin si fantazma.

Shkrimi është një punë e ngadaltë, e qetë dhe e vetmuar. Çdo libër është një mesazh i mbyllur në një shishe dhe i hedhur në det. Nuk e di në cilin breg do të dalë, as në duart e kujt do të mbërrijë. Shkruaj verbërisht dhe është gjithmonë një mrekulli kur marr letra apo përqafime nga lexues entuziastë. Kjo do të thotë se dikush i ka lexuar faqet e mia, se deti nuk i ka gëlltitur.

Pse shkruaj? Nuk e di. Për mua është një domosdoshmëri fiziologjike, si gjumi apo amësia. Të them dhe të tregoj… është e vetmja gjë që dua të bëj.

Shkrimi formëson realitetin; ai krijon dhe rikrijon botën. Sipas Biblës, në fillim ishte Fjala. Zoti tha: “U bëftë dritë”, dhe drita u bë; u ndanë ujërat nga toka. Kjo metaforë përshkruan botën përpara artit të gjuhës dhe të shkrimit: përpara Fjalës kishte vetëm kaos, ankth dhe hije. Përpara Fjalës, ngjarjet e njerëzimit binin në harresë; nuk mund të përcillnim përvojën, dijen, historitë tona apo t’u shpjegoheshim të tjerëve. Pa Fjalën nuk kishte histori.

Kështu ishte edhe në jetën time: përpara se të gjeja rrugën e letërsisë kishte vetëm konfuzion dhe harresë. Fjala e shkruar më shpëtoi nga një ekzistencë e zakonshme.

Kjo është historia e një gruaje dhe e një burri që e kanë dashur njëri-tjetrin plotësisht, duke shmangur kështu një jetë të zakonshme. E kam ruajtur këtë histori në kujtesë që të mos e shkatërronte koha dhe vetëm tani, në netët e heshtura të këtij vendi, mund ta rrëfej më në fund. Do ta bëj për atë burrë dhe atë grua që ma besuan jetën e tyre, duke më thënë: “Merre. Shkruaje, që të mos e fshijë era.”

Në veprën e Isabel Allendes, letërsia nuk është një luks estetik, por një akt besimi te fuqia e fjalës. Ajo është dëshmi se rrëfimi mund të jetë një formë kujtese, kujtesa një formë drejtësie dhe shkrimi një mënyrë për t’i rezistuar harresës. Ndoshta për këtë arsye, librat e saj vazhdojnë të udhëtojnë si shishe të lëshuara në oqeanin e kohës, duke gjetur vazhdimisht brigje të reja dhe lexues të rinj, të gatshëm të hapin atë mesazh që dikush, dikur, e shkroi me shpresën se nuk do të humbiste përgjithmonë.

Përgatiti: Albert Vataj/ KultPlus.com

Kate Moss përballet me humbjen e 2 milionë eurove të agjencisë së saj “Kate Moss Agency”

2 August 2026 at 23:00

Kate Moss ka regjistruar humbjen e parë të biznesit të saj prej afro 2 milionë euro brenda një viti në agjencinë e saj të modelingut “Kate Moss Agency” e themeluar në vitin 2016.

Modelja britanike themeloi “Kate Moss Agency” me dëshirën për të mbështetur talente në një mënyrë ndryshe teksa kishte shprehur lodhjen nga pagesa e komisioneve të larta për agjentët.

Agjencia e saj ka përfaqësuar ndër vite modele, artistë dhe figura të njohura, duke u fokusuar në zhvillimin e karrierave dhe menaxhimin e imazhit të tyre.

Modelja 52-vjeçare vazhdon të jetë aktive në fushatat e markave prestigjioze dhe në eventet më të rëndësishme të modës, ndërsa nuk ka komentuar ende publikisht mbi rezultatet financiare të kompanisë./ / Dosja.al/ KultPlus.com

Pas suksesit ndërkombëtar, Varg e Vi me “4 në 1” u prezantua në Kamenicë 

2 August 2026 at 22:30

Varg e Vi pas prezantimit të suksesshëm ndërkombëtar me projektin “4 në 1” në Stamboll, Stokholm, Vjenë dhe Frankfurt të Gjermanisë, në kuadër të Kamenica Summer Fest 2026, me një set pikturash të Din Azizit, fotografi të Migjen Fazliut, art postdigjital e konceptual të Avni Rudakut, si dhe stand up komedinë nga Avni Shkodra, ofroi një atmosferë të veçantë verore në oborrin dhe amfiteatrin e Shtëpisë së Kulturës në Kamenicë.

Ngjarjen e përshëndeti Kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, duke i uruar mirëseardhje publikut që mbushi plot amfiteatrin.

Publiku në hyrje të oborrit të Shtëpisë së Kulturës, e pa ekspozitën me piktura të Azizit në anën e djathtë, duke i mbështetur për drunjtë e oborrit, fotografitë e varura në drunj të Fazliut në anën e majtë dhe art postdigjital me televizor tradicional në qendër të hyrjes në institucionin lokal kulturor, dhe më pas vazhdoi në amfiteatrin e hapur, për të ndjekur stand-up komedinë e Shkodrës.

Publiku soditi fotografitë e Fazliut që treguan momente të përditshmërisë, traditat dhe kulturën shqiptare, fotografi të ekspozitës “Memento Vivere” – si ekspozitë familjare me fotografi të gjyshit të tij nga linja atërore biologjike, e fotografit të ndjerë, Muhamed Fazliut, si një thënie “Kujto të jetosh”, e cila na thërret për rëndësinë e jetës dhe eksperiencës së të qenit gjallë. Në kohërat e vështira, si ajo e inflacionit dhe pandemisë, është edhe më e rëndësishme të kujtojmë që jeta është një akt dhe proces i papërsëritshëm dhe duhet të përjetohet për çdo çast. Në këtë kontekst, shkrepjet fotografike si ato të Muhamedit, të përzgjedhura me mjeshtri artistike nga fotografi – Migjeni, janë kujtesë individuale, familjare e institucionale. Në anën tjetër, pjesëmarrësit vizituan ekspozitën me piktura të Din Azizit, me konceptin “Post-trauma”, ku portretet janë të shëmtuara, jo nga pamja fizike, por nga vuajtjet psikologjike. Janë trauma lufte, që rizgjohen me çdo asociacion. Janë personazhe të rraskapitura, që nuk duan asgjë, përveç jo më luftë, sepse e kanë përjetuar atë dhe e ripërjetojnë edhe sot. Fytyrat, kokat dhe sytë e tyre, i bëjnë figura që janë të frikësuar, shqetësuar, tmerruar, ku vuajtja gjenerohet sa herë i shikon me kujdes. Është art post-traumatik.

Më pas, në një televizor tradicional pink, u shfaqën fotografitë postdigjitale të Rudakut, me konceptin “Skrollokracia”, ku paraqitet historia mijëravjeçare e njerëzimit me më pak se 2 minuta, në periudha të ndryshme të gjuetisë së kafshëve të egra, këputjes së bimëve të egra, peshkatarisë, lindjes së bujqësisë e blegtorisë, zejtarisë e tregtisë, e deri në revolucionin industrial, elektronik, digjital e AI, duke eksperimentuar me pozicionin e duarve që shenjëzojnë epoka e deri në ditët e sotme, me gishtin e madh a tregues, për skroll, duke u sunduar nga shiriti lëvizës me miliona foto e video që qarkullojnë pa u ndalur kurrë e zoomokracia – bjerrjes së gjatë të kohës, duke zmadhur fotografi e duke dashur njohje të detajit e kontrollit total të hollësive, shpesh të padobishme.

Stand-up komedia e Shkodrës bëri jehonë te publiku, me batutat për përditshmërinë kosovare, rrëfimet për vitet e ’90-ta, ndikimin e mërgatës në familjet kosovare dhe transformimin e tyre, raportet e ndryshuara me mërgatën me kalimin e viteve, rrëfimet komike të fëmijërisë e rinisë, raportet Kosovë-Shqipëri, satirën për raportin e audiencës me tekstet e muzikës, suksesin ndërkombëtar të futbollit e muzikës dhe një sërë mahish për mendësinë e evoluar kosovare.

Projekti “4 në 1” në Kamenicë, është financuar nga Komuna e Kamenicës, përkatësisht Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, në kuadër thirrjes së përvitshme publike për organizatat joqeveritare kulturore./ KultPlus.com

Këpuca mbi asfalt

2 August 2026 at 22:00

Nafije Zogaj

mbase në çdo luftë është kështu


në fillim
të vrarët kanë emra e mbiemra
pastaj pahetueshëm
shkronjat kthehen në numra
të pasaktë
që sa herë i numëron
gjithmonë del një kokë
një dorë
apo një këmbë
tepër


apo një këpucë
mbi asfalt


e cila
sikur ta kishte edhe tjetrën
mbase do t’ia dilte të ikte nga aty
para se ta digjnin
të gjallë/ KultPlus.com

Begaj: Alpet Shqiptare janë urë që bashkon shqiptarët me rrënjët dhe identitetin

2 August 2026 at 21:30

Presidenti i Shqipërisë mori pjesë në manifestimin tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026”, ku theksoi rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar dhe lidhjes së diasporës me vendlindjen.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë në manifestimin tradicional “Mirë se vini në Alpet Shqiptare – Vuthaj 2026″, të mbajtur në Plavë dhe Guci, ku vlerësoi këtë aktivitet si një urë që bashkon shqiptarët me vendlindjen, ruan identitetin kombëtar dhe forcon lidhjet mes brezave, përcjell albinfo.ch.

Në fjalën e tij, Begaj theksoi se Alpet Shqiptare janë pjesë e historisë, kulturës dhe karakterit të shqiptarëve, duke nënvizuar se kjo trevë ka ruajtur ndër breza traditat, gjuhën dhe zakonet kombëtare.

“Kush vjen këtu nuk gjen vetëm bukuri natyrore, por edhe kujtime, histori dhe një mënyrë jetese që ruan lidhjen mes njeriut, natyrës dhe traditës”, u shpreh Presidenti.

Begaj vlerësoi kontributin e shqiptarëve të Plavës dhe Gucisë në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke theksuar se diaspora mbetet një urë e rëndësishme lidhëse mes shqiptarëve kudo që jetojnë. Ai bëri thirrje për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë, si dhe për ndërtimin e një të ardhmeje me më shumë bashkëpunim dhe mundësi për brezat e rinj.

Gjatë aktivitetit, Presidenti u nderua me çmimin “Krenaria e Alpeve Shqiptare”, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në mbështetjen e interesave kombëtare dhe të shqiptarëve kudo në botë. Vizita përfshiu edhe takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar dhe autoritetet lokale në Plavë dhe Guci./ KultPlus.com

Pak para ngjitjes në skenë në Sunny Hill, Romeo Beckham i dhuron lule Kim Turnbull 

2 August 2026 at 20:30

Kim Turnbull, modelja, DJ-ja dhe artistja kreative nga Londra, sonte do të jetë pjesë e edicionit të vitit 2026 të Sunny Hill Festival, ku do të ngjitet në skenë në rolin e DJ-së.

Turnbull është bërë e njohur për publikun jo vetëm për karrierën e saj në modë dhe muzikë, por edhe për lidhjen e saj me Romeo Beckham, djalin e ish-futbollistit të famshëm David Beckham dhe Victoria Beckham.Ajo nisi rrugëtimin në modeling në vitin 2017 dhe ka bashkëpunuar me marka të njohura ndërkombëtare si Tommy Hilfiger, Marc Jacobs, Rimmel London dhe Fendi. 

Gjatë pandemisë COVID-19, ajo iu përkushtua edhe muzikës, duke u shndërruar në DJ profesioniste dhe duke performuar në vende të ndryshme të botës me sete të përqendruara në hip-hop dhe muzikë elektronike.

Para paraqitjes së saj në festival, Kim ka ndarë me ndjekësit në Instagram një moment të veçantë nga jeta private.

Ajo ka publikuar në Instagram një fotografi të një buqete me trëndafila të bardhë, të cilën ia ka dërguar i dashuri i saj Romeo Beckham, djali i legjendës së futbollit David Beckham.

Plazhet e ditës D, trashëgimi botërore

2 August 2026 at 20:00

UNESCO ka përfshirë në listën e saj të objekteve të mbrojtura, 19 site, nga të cilat  pesë natyrore dhe një të përzier, duke e çuar numrin total të 1,273.

UNESCO ka përfshirë mes të tjerash plazhet e zbarkimit të Ditës D në Normandi dhe Kështjellat Mbretërore Kapetiane të Languedocut (Longedoke) të Francës në Listën e Trashëgimisë Botërore.Vendimi u mor gjatë sesionit të 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbajtur në Busan të Koresë së Jugut nga 19 deri më 29 korrik, sipas agjencisë kulturore të OKB-së.

Zona e Normandisë shtrihet në një gjatësi prej rreth 80 kilometrash në Manche (Manshe) dhe Calvados (Kalvados).

Plazhet ishin skena e zbarkimit të forcave aleate më 6 qershor 1944, një operacion vendimtar që ndihmoi në hapjen e rrugës për çlirimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në listë u përfshinë gjithashtu Kështjellat Mbretërore Kapetiane të Languedocut, një grup strukturash mbrojtëse mesjetare në Aude (Ode) dhe Ariege (Ariezh).

Kryesisht të ndërtuara në shekullin XIII, këto fortesa njihen zakonisht si “Kështjellat Cathar” (Kathar) dhe u ndërtuan ose u përforcuan për të mbrojtur territore me rëndësi strategjike në jug të Francës.

Me qytetin e vjetër të Mostarit që shtrihet në të dy anët e saj, kjo urë u fut në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005.

Mostari, në jug të Bosnjës dhe Hercegovinës, tërheq turistë gjatë gjithë vitit, me urën historike të epokës osmane, por edhe me bukurinë e tij natyrore.

Lumi Neretva, i njohur për ngjyrën e tij të gjelbër smeraldi dhe që rrjedh nëpër qytet, i “dërgon” vizitorët në një udhëtim nëpër kohë. Ujërat e tij kristalore magjepsin ata që e shohin.

E përshkruar si “unike”, Ura e Mostarit ka ruajtur karakterin multietnik të Mostarit për pesë shekuj, duke bashkuar të dyja anët e qytetit, ku jetojnë boshnjakët dhe kroatët.

E ndërtuar në vitin 1566 nga Mimar Hayreddin, student i Mimar Sinanit, një figurë kryesore në historinë e arkitekturës osmane, ura është ndër vendet më të vizituara në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kafenetë dhe restorantet në të dyja anët e urës, me atmosferën e tyre autentike, janë destinacione të njohura turistike.

Zhytës profesionistë  u hodhën nga harku i Urës së Vjetër në qytetin boshnjak të Mostarit gjatë një konkursi tradicional vjetor të zhytjes.

“Mostari është sinonim i zhytjes, kështu që ka një rëndësi të madhe. Ne kemi platforma të tjera zhytjeje në të cilat garojmë, por kurrë nuk marrim të njëjtën kënaqësi si në Mostar”, tha Evald Krnic Zhytes.

Ura e Mostarit, e rindërtuar me besnikëri pas luftës me mbështetjen e disa vendeve dhe organizatave ndërkombëtare, përfshirë Turqinë, u përurua me një ceremoni madhështore në vitin 2004.

Me futjen në listën e trashëgimisë botërore, Qendra moderniste e qytetit portual të Gdynia në Poloni u shtua zyrtarisht në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO në korrik të vitit 2026, gjatë sesionit të 48-të të Komitetit në Busan, Koreja e Jugut. Kjo njohje shënon vendin e 18-të të Polonisë në këtë listë dhe kompleksin e parë urban modernist të vendit që merr këtë status.

E vendosur në veri të qytetit historik të Gdansk, vendlindja e lëvizjes së sindikatës së punës së Solidaritetit të Polonisë, dhe vendpushimi bregdetar i Sopot, Gdynia është vlerësuar prej kohësh dhe UNESCO e shtoi atë në një listë me 1.273 site duke filluar nga Reef Barrier i Madh i Australisë deri në Akropol në Athinë. Gdynia është një nga simbolet më të qarta të ambicieve të Polonisë pasi rifitoi pavarësinë në vitin 1918 pas 123 vjetësh të ndarjes së territoreve të saj midis Rusisë, Prusisë dhe Austro-Hungarisë.

Gdynia gjithashtu pasqyron sfidat me të cilat përballet shteti i ri, i cili doli me vetëm një shtrirje të ngushtë të vijës bregdetare të Balltikut dhe asnjë port të madh të vetin. Për të siguruar qasje në det, Polonia zgjodhi fshatin e peshkimit të Gdynia, me vetëm 1.200 banorë në 1920, si vendi i një daljeje të re në det. Deri në vitin 1939, popullsia ishte rritur 100 herë pasi njerëzit nga e gjithë vendi u mblodhën në qytet në kërkim të mundësive dhe një fillim të ri.

Historianët e arkitekturës shpesh e krahasojnë Gdynia me qytete të tjera të formuara nga modernizmi pas luftës, siç është “Qyteti i Bardhë” i Tel Avivit, i cili është gjithashtu në UNESCO dhe po kështu Roterdam dhe Brno në vitet 1920 dhe 1930.

Për dallim nga ato qendra urbane, megjithatë, Gdynia u ndërtua pothuajse tërësisht nga e para rreth një porti të ri, duke i dhënë asaj një karakter arkitektonik jashtëzakonisht koherent dhe duke e bërë atë një nga shembujt më të plotë të Evropës të një qyteti modernist të ndërtuar në një gjeneratë të vetme.

Qendra e saj karakterizohet nga ndërtesa të drejtuara me çati të sheshta, qoshe të rrumbullakosura, dritare të gjata horizontale dhe ballkone që ngjajnë me oxhaqet e oqeanit, duke pasqyruar identitetin portual të qytetit dhe besimin e një epokë të teknologjisë dhe përparimit./tvklan.al/ KultPlus.com

Situatë kaotike në kufitin Kroaci-Mal të Zi, kolonë makinash prej 20 kilometrash

2 August 2026 at 19:30

Një situatë kaotike është krijuar në jug të Kroacisë, në drejtim të kufirit me Malin e Zi, ku mijëra udhëtarë kanë mbetur të bllokuar në kolona kilometrike. Radha e automjeteve në zonën e Çilipit ka kaluar 20 kilometra, ndërsa pritjet në pikat kufitare Debeli Brijeg dhe Konfin arrijnë deri në 10 orë.

Përballë trafikut të rënduar dhe temperaturave të larta, banorët e Konavles kanë hapur dyert e shtëpive për udhëtarët, duke u ofruar ujë dhe mundësi për të përdorur tualetet. Në terren raportohet edhe për raste kur disa persona kanë deklaruar se kanë pritur deri në 28 orë.

Bllokimi është shkaktuar nga fluksi i madh i automjeteve drejt Malit të Zi, kontrollet kufitare dhe kapacitetet e kufizuara të pikave të kalimit. Trafiku ka paralizuar edhe rrugët lokale, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve të zonës.

Kryetari i Komunës së Konavles, Bozho Lasiç, e ka cilësuar situatën të papërballueshme dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet. Ndërkohë, autoritetet kanë vendosur furnizim me ujë të pijshëm dhe kanë aktivizuar strukturat e emergjencës për të ndihmuar udhëtarët deri në normalizimin e situatës.

Aktori i “The Sopranos” Vincent Pastore ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare

2 August 2026 at 19:00

Ai fitoi famë botërore falë interpretimit të mikut të ngushtë të Tony Soprano-s, një personazh që më vonë bashkëpunon me FBI-në.Aktori amerikan Vincent Pastore, i njohur për rolin e Salvatore në serialin e famshëm “The Sopranos”, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. 

Pastore u gjet i pajetë në banesën e tij në New York. Ai fitoi famë botërore falë interpretimit të mikut të ngushtë të Tony Soprano-s,  një personazh që më vonë bashkëpunon me FBI-në.

Vdekja e personazhit të tij në sezonin e dytë konsiderohet si një nga momentet më të paharrueshme të serialit, edhe pse ai vazhdoi të shfaqej në të gjitha sezonet përmes skenave rikujtuese.

Pastore konsiderohej si një aktor i përkushtuar, gëzonte një dëshirë të madhe për aktrimin, mbështeste gjithmonë aktorët e rinj dhe njihej për këshillat e tij.  

Përpara së të niste akrimin ai shërbeu në Marinën Amerikane gjatë Luftës së Vietnamit ndërsa karrierën e si aktor e nisi me role në filma të njohur si  “Goodfellas” dhe “Carlito’s Way”.   

Më pak punë, më shumë mirëqenie, çfarë tregon eksperimenti i të punuarit 4 herë në javë

2 August 2026 at 18:03

Reduktimi i javës së punës në katër ditë duket se përmirëson shëndetin e punonjësve dhe ul rrezikun e lodhjes së skajshme profesionale (burnout), sipas rezultateve të një programi pilot të zhvilluar në gjashtë vende.

Në studim morën pjesë rreth 2 mijë e 900 punonjës nga 141 organizata në Australi, Kanada, Irlandë, Zelandë të Re, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, të cilët reduktuan orarin e punës pa ulje të pagës.

Para fillimit të eksperimentit, kompanitë ndoqën për dy muaj programe trajnimi dhe ndryshuan mënyrën e organizimit të punës, me synim rritjen e efikasitetit dhe bashkëpunimit. Më pas u zbatua java katërditore e punës, ose një reduktim prej 20% të orëve të punës për një periudhë gjashtëmujore.
Pas gjashtë muajsh, punonjësit që punonin me javë të reduktuar raportuan më pak lodhje profesionale, shëndet më të mirë mendor dhe fizik, si dhe më shumë kënaqësi nga puna.

Studimi tregoi se sa më shumë reduktohej orari i punës, aq më mirë ndiheshin punonjësit për punën e tyre dhe, në një masë të caktuar, edhe për shëndetin e tyre mendor.

Edhe punonjësit që reduktuan vetëm disa orë punë në javë raportuan shëndet më të mirë dhe kënaqësi më të madhe në punë krahasuar me grupin e kontrollit.

Shumica e kompanive vazhduan ta aplikonin javën e reduktuar edhe një vit pas fillimit të programit dhe nuk duket se përfitimet u pakësuan me kalimin e kohës, ndërsa punonjësit u përshtatën me orarin e ri.

“Nuk ka asnjë shenjë për rënie të mirëqenies së punonjësve apo të produktivitetit”, tha Brendan Burchell, sociolog në Universitetin e Kembrixhit, i cili ka analizuar programe të javës katërditore në Mbretërinë e Bashkuar.

“Ndryshim i rregullave të lojës”

Përfitimet e javës së reduktuar të punës lidhen kryesisht me tre faktorë: ndjenjën më të madhe të kontrollit dhe efikasitetit nga ana e punonjësve, uljen e problemeve me gjumin dhe reduktimin e lodhjes.

Kjo nënvizon rëndësinë e gjumit për shëndetin.

“Lidhja mes gjumit cilësor dhe të gjithë treguesve të shëndetit dhe mirëqenies është jashtëzakonisht e fortë”, tha Burchell.

Në studim, punonjësit punonin mesatarisht 40 orë në javë para eksperimentit. Një reduktim prej 20% do të thoshte një javë pune prej 32 orësh.

Ky është tashmë niveli mesatar në Holandë, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është rreth 36 orë në javë.

Megjithatë, rezultatet mund të shërbejnë si udhërrëfyes për vendet dhe organizatat që synojnë të ulin presionin mbi punonjësit. Në Spanjë, për shembull, java e punës pritet të reduktohet nga 40 në 37,5 orë.

Studimi pilot kishte edhe disa kufizime. Punonjësit nuk kishin një grup kontrolli për të matur saktësisht se si ndryshoi jeta e tyre pas reduktimit të orarit, çka mund të ketë ndikuar në përgjigjet e tyre. Gjithashtu, kompanitë pjesëmarrëse mund të kenë qenë që më parë më të prirura drejt fleksibilitetit dhe mirëqenies së punonjësve, gjë që mund të ketë ndikuar në rezultatet.

Studimi u përqendrua kryesisht në vende me të ardhura të larta dhe gjuhë angleze, ndaj mbetet e paqartë se si do të funksiononte një javë katërditore në vende apo kultura të tjera pune.

Megjithatë, Burchell e cilësoi studimin si një “pikë kthese”, duke ofruar provat më të forta deri tani për mënyrën se si mund të zbatohet java katërditore e punës në organizata dhe vende të ndryshme.

Gjithnjë e më shumë vende, si Polonia, Islanda, Gjermania dhe Portugalia, po eksperimentojnë me javë më të shkurtra pune si përgjigje ndaj rritjes së depresionit, ankthit dhe lodhjes profesionale te punonjësit. / KultPlus.com

Librat e verës, turistët preferojnë të lexojnë letërsi shqipe të përkthyer

2 August 2026 at 17:28

Vera është zakonisht stina kur lexohen më shumë libra, edhe sepse njerëzit pushojnë dhe kanë më shumë kohë të lirë. Vizitorë të shpeshtë në libraritë e kryeqytetit në këto ditë vere janë turistët e huaj, të cilët preferojnë të lexojnë letërsi shqipe të përkthyer.

Letërsia shqipe është një nga letërsitë më pak të përkthyera në botë. Përveç librave të shkrimtarit tonë të njohur, Ismail Kadare, që tashmë është i përkthyer dhe i lexuar në shumë gjuhë të botës, shumë pak shkrimtarë kanë pasur fatin të përkthehen në gjuhë të tjera këto vite.

“Ajo çfarë dua të ndalem më së shumti është fakti se ata kërkojnë më së shumti autorët shqiptarë të përkthyer përgjithësisht në anglisht, në frëngjisht, gjermanisht, italisht, së fundmi edhe në gjuhë të tjera, në spanjisht dhe turqisht. Disa nga autorët shqiptarë më të kërkuar për momentin janë “Thurn Virgin” nga Elvira Dones, “Miss Interpretation” prej Luljeta Lleshanakut dhe, ndër autorët më të njohur për momentin, padyshim edhe Lea Ypi me “Indikimin”. Ajo çfarë mbetet gjithmonë besnike tek turistët e huaj është fakti se gjithmonë kërkojnë autorin Ismail Kadare, pa dyshim”, tha librari Enriko Paja.

Përkthimi i autorëve shqiptarë në gjuhë të tjera duhet të jetë një sfidë jo vetëm për të ndihmuar autorët, por një sfidë e cila do të ndihmonte në njohjen më shumë të gjuhës dhe kulturës sonë./rtsh.al/ KultPlus.com

Cila është kënga më e vjetër e njohur në botë?

2 August 2026 at 16:25

Në fillim të viteve 1950, arkeologët që po gërmonin një pallat të shkatërruar prej kohësh në qytetin-port të lashtë sirian të Ugaritit zbuluan 29 pllaka balte. Vetëm njëra prej tyre mbijetoi pothuajse e paprekur, por ajo rezultoi e jashtëzakonshme: ruan pjesën më të vjetër të plotë muzikore të njohur në botë.

E njohur sot si “Himni Hurrian Nr. 6” (sepse u zbulua në pllakën e gjashtë të gjetur në atë grup), kënga daton rreth vitit 1400 para Krishtit dhe i kushtohet Nikkalit, një perëndeshë hurriane e lidhur me pemishtet, pjellorinë dhe Hënën. Pjesa e sipërme e pllakës 3400-vjeçare përmban vargjet në gjuhën hurriane, një gjuhë e Lindjes së Afërt të lashtë, të shkruara me shkrimin kuneiform, sistemi me shenja në formë pykash që përdorej në gjithë rajonin.

Ndryshe nga dëshmitë më të hershme për muzikën, kjo pllakë përfshin edhe një lloj notacioni muzikor të ngjashëm me kodin, si dhe udhëzime për akordimin e instrumenteve në pjesën e poshtme. Kjo u ka dhënë mundësi studiuesve modernë të rindërtojnë mënyrën se si mund të ketë tingëlluar kënga. “Është kënga më e hershme e njohur që është ruajtur me notacion muzikor,” thotë Richard Dumbrill, ekspert i arkeomuzikologjisë dhe autor i shumë studimeve mbi pllakat hurriane.

Si e dimë që “Himni Hurrian Nr. 6” është melodia më e vjetër e njohur në botë?

Shumë qytetërime më të hershme kanë lënë dëshmi për ekzistencën e muzikës. Pikturat në varret egjiptiane paraqesin muzikantë dhe instrumente, ndërsa poemat dhe himnet e Sumerit të lashtë përmendin gjithashtu instrumente muzikore. Një pllakë sumere që i referohet një kënge lavdëruese për mbretin Lipit-Ishtar daton rreth 500 vjet më herët se “Himni Hurrian Nr. 6”.

Ajo që e bën himnin hurrian unik është se ai ruan informacion të mirëfilltë muzikor, përfshirë simbole numerike që tregojnë intervalet muzikore dhe udhëzime për akordimin e një instrumenti me tela. Pikërisht ky kombinim i ka frymëzuar studiuesit modernë të përpiqen të rikrijojnë melodinë dhe muzikantët ta interpretojnë atë.

Si dhe kur u zbulua fillimisht?

Arkeologët francezë që gërmonin pallatin mbretëror të Epokës së Vonë të Bronzit në Ugarit, në bregdetin mesdhetar të Sirisë së sotme, i zbuluan pllakat gjatë gërmimeve që nisën në vitet 1930, u ndërprenë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rifilluan në fillim të viteve 1950.

Pllakat u gjetën në atë që besohet të ketë qenë arkivi i madh i pallatit dhe sot ruhen në Muzeun Kombëtar të Damaskut.

Kush e shkroi dhe për çfarë flet kënga?

Himni u shkrua nga një shkrues hurrian, megjithëse identiteti i tij i saktë mbetet i panjohur. Disa studiues besojnë se pllaka mund të ruajë emrin Ammurabi, por provat nuk janë përfundimtare.

Vargjet, të shkruara në gjuhën tashmë pothuajse të humbur hurriane, duket se janë një lutje drejtuar Nikkalit. Disa studiues e interpretojnë himnin si lutjen e një gruaje të re që kërkon ndihmë për infertilitetin. Teksti përmend gjithashtu blatime, përfshirë një substancë të quajtur “šam-šam”, të cilën Dumbrill thotë se mund të interpretohet si vaj ose fara susami, materiale që përdoreshin zakonisht në ritualet e lashta.

Si është deshifruar dhe interpretuar “Himni Hurrian Nr. 6” nga studiuesit?

Për dekada pas zbulimit të tij, pllaka e “Himnit Hurrian Nr. 6” mbeti një mister. Në vitet 1970, studiuesit filluan të propozonin mënyra për të interpretuar notacionin e pazakontë muzikor.

Një nga rindërtimet më me ndikim, e bërë nga Anne Draffkorn Kilmer, ish-profesoreshë e Asiriologjisë në Universitetin e Kalifornisë, argumentonte se pllaka përmbante si tekstin e himnit, ashtu edhe udhëzime muzikore, përfshirë mënyrën e akordimit të një lire. Studiuesi britanik Martin L. West i interpretoi shenjat si tregues të mundshëm të mënyrës se si muzikanti duhej t’i vendoste duart mbi telat e instrumentit.

Megjithatë, jo të gjithë bien dakord për mënyrën se si duhet lexuar notacioni dhe ende ekzistojnë interpretime të ndryshme. Si rezultat, nuk ka një version të vetëm përfundimtar të melodisë. Sipas Dumbrill, “Himni Hurrian Nr. 6” mund të ketë shërbyer më shumë si një udhëzues për interpretimin muzikor sesa si një partiturë e plotë, notë pas note, në kuptimin modern.

Po interpretimet moderne?

Dumbrill thotë se interpretimi i tij i preferuar modern është ai i koleges së tij Sevan Habib, një soprano dhe muzikologe armene me origjinë nga Siria.

“Kam dëgjuar interpretimet më të jashtëzakonshme të kësaj muzike,” thotë ai.

Muzikanti Michael Levy ka realizuar një rindërtim modern të bazuar në lirën antike, ndërsa, sipas Dumbrillit, “janë bërë edhe përpjekje për ta kthyer në muzikë pop, me kitara elektrike dhe instrumente të tjera të ngjashme.”/SyriNet

Zbulohet eliksiri antik i murgjve i ngjashëm me Coca-Cola-n

2 August 2026 at 15:55

Një dokument që kishte mbetur i fshehur për më shumë se një shekull është zbuluar gjatë riorganizimit të arkivit të farmacisë së lashtë të manastirit të San Markos në Firence.

Sipas të përjavshmes “Toscana Oggi”, dokumenti mund të përmbajë recetën e një eliksiri që konsiderohet një pararendës i Coca-Cola-s. Bëhet fjalë për një fletëpalosje reklamuese të mesit të shekullit XIX, ku përshkruhet një “eliksir veror rigjallërues” i përgatitur me gjethe koka nga Bolivia dhe arrë kola, dy përbërës që shfaqen edhe në formulën historike të “French Wine Coca”, preparati medicinal i krijuar nga farmacisti amerikan John Stith Pemberton, nga i cili më vonë lindi Coca-Cola.

Zbulimi u bë nga At Manuel Russo, rektori i manastirit të San Markos, i cili gjatë konsultimit të arkivit historik zbuloi se ky eliksir ishte një nga produktet më të kërkuara të farmacisë së murgjve.

Sipas fletëpalosjes, eliksiri shërbente si tonik për të lehtësuar lodhjen fizike dhe mendore, dhimbjet e kokës dhe dobësinë e shkaktuar nga mosha ose sforcimet e mëdha.

Receta përfshinte 30 gramë arrë kola dhe 10 gramë gjethe koka boliviane, të lëna në infuzion në një litër përzierje alkoolike.

Sipas studiuesve, këta përbërës ka të ngjarë të kenë mbërritur në Itali falë misionarëve që vepronin në atë kohë në Amerikën Latine dhe Afrikë.

Megjithatë, deri tani nuk ekzistojnë prova dokumentare që të vërtetojnë një lidhje të drejtpërdrejtë midis këtij eliksiri dhe recetës së Coca-Cola-s.

Zbulimi mbetet një dëshmi interesante historike që hedh dritë mbi traditën farmaceutike të manastirit të San Markos dhe përdorimin e hershëm të përbërësve që më vonë u bënë të famshëm në një nga pijet më të njohura në botë./atsh/KultPlus.com

Lewis Capaldi i jep një tjetër ritëm natës së dytë të Sunny Hill Festival

2 August 2026 at 15:16

Dilara Sollova

Prishtina kishte hyrë në një tjetër ritëm. Në hapësirën ku prej orësh zërat e artistëve ndërthureshin me muzikën, ku publiku lëvizte nga një skenë në tjetrën dhe ku nata po merrte gradualisht formën e saj, Sunny Hill vazhdonte të ndërtonte një prej atyre mbrëmjeve ku muzika nuk qëndron vetëm në skenë. Ajo shpërndahet në turmë, kalon nga një zë te tjetri dhe, për disa orë, e bën një hapësirë të tërë të duket sikur funksionon me të njëjtin ritëm.

Para se vëmendja të përqendrohej te një nga emrat më të mëdhenj të natës, skena kishte kaluar nëpër një varg artistësh që sollën atmosferën deri në pikën ku publiku ishte gati për një tjetër kapitull. Deezy, Artssassin, Halfpint, Hawolf, Rreze, Bana Zaiti, Asgje Sikur Dielli, Locky, EKO, Buta, Lumi B, Ledri Vula, MC Kresha, Lyrical Son, Auxlua dhe EsDeeKid ishin pjesë e rrugëtimit muzikor që e parapriu performancën e artistit britanik.

Ishte një program që nuk e mbajti natën në një ritëm të vetëm. Skena ndërroi ngjyra, tinguj e energji, ndërsa emrat e skenës vendore u përzien me ata ndërkombëtarë dhe publiku vazhdoi të qëndronte aty, duke pritur momentin për të cilin një pjesë e madhe e tyre kishte ardhur.

Në një festival ku emrat e mëdhenj nuk janë thjesht pjesë e posterit, por pika rreth së cilës ndërtohet pritja e publikut, ardhja e Lewis Capaldit kishte krijuar një tjetër lloj tensioni. Nuk ishte vetëm një tjetër koncert në program. Ishte takimi i parë i një prej zërave më të njohur të muzikës britanike me publikun në Kosovë, një takim që do të ndodhte përmes këngëve që tashmë janë bërë pjesë e jetës së miliona njerëzve.

Kur Lewis Capaldi u shfaq në skenën e Sunny Hill-it, ajo pritje e krijuar gjatë gjithë mbrëmjes më në fund mori formë. Përballë tij ishte një turmë që e njihte zërin e tij shumë kohë përpara se ai të shkelte në Prishtinë, një publik që i kishte dëgjuar këngët e tij në momente krejt të ndryshme të jetës dhe që tani po i priste ato jo përmes kufjeve apo ekraneve, por drejtpërdrejt, në një natë vere ku distanca mes këngëtarit dhe dëgjuesit ishte vetëm skena.

Për Capaldin, kjo ishte hera e parë në Kosovë dhe, siç do të tregonte vetë në minutat e para të performancës, përshtypja e tij nga vendi dhe nga atmosfera e festivalit kishte nisur mirë. “Është hera ime e parë këtu, hera ime e parë në Kosovë. Çfarë vendi i bukur, edhe pse është goxha nxehtë”, tha ai, duke e nisur kështu komunikimin me një publik që kishte pritur pikërisht këtë takim.

Temperatura e lartë e natës nuk e kishte zbehur atmosferën përpara skenës. Përkundrazi, turma ishte aty, e mbushur dhe e gatshme për këngët që e kanë bërë Capaldin një prej zërave më të dëgjuar të popit bashkëkohor. Ai vetë, duke iu drejtuar publikut, e përshkroi këtë ndjesi të parë në Prishtinë me fjalë të thjeshta: “Është shumë bukur të jem këtu. Po kaloj një kohë të mrekullueshme.”

Në Sunny Hill, një artist nuk përballet vetëm me një turmë që dëgjon. Përballë skenës krijohet një energji që ndryshon nga kënga në këngë dhe që, në rastin e një artisti si Capaldi, merr një tjetër dimension kur publiku i di këngët përmendësh. Para se ta niste repertorin, ai deshi ta dëgjonte drejtpërdrejt këtë energji nga ata që kishte përballë.

“Po kaloni mirë të gjithë?”

Përgjigjja ishte e menjëhershme dhe e njëzëshme. Publiku tha po, me atë zë kolektiv që vetëm një festival mund ta krijojë, ndërsa Capaldi e priti përgjigjen me humorin e tij karakteristik: “Epo, kjo do të ndryshojë.”

Ishte një hyrje e çlirët në një koncert që shumë shpejt do të kalonte nga fjalët te muzika. Dhe përpara se zëri i tij të mbushte hapësirën me këngët që e kanë bërë të njohur në mbarë botën, ai e përshëndeti edhe një herë qytetin ku po performonte për herë të parë: “Unë jam Lewis Capaldi. Faleminderit Sunny Hill, faleminderit Prishtinë, faleminderit Kosovë që më keni ftuar.”

Pastaj, skena mori atë formën për të cilën publiku kishte pritur. Në mesin e këngëve që Lewis Capaldi solli në skenën e Sunny Hill-it ishte edhe “Something In The Heavens”, një prej momenteve ku zëri i tij mori hapësirën për të treguar atë anë të repertorit që e ka bërë të dallueshëm në skenën ndërkombëtare. Përballë tij, publiku në Prishtinë vazhdonte ta ndiqte performancën, ndërsa kënga i shtonte koncertit një tjetër ngjyrim emocional. Në një hapësirë kaq të madhe dhe përballë një audience kaq të gjerë, muzika e Capaldit ruajti atë ndjesinë e afërsisë që e karakterizon, duke i dhënë secilit dëgjues hapësirë për ta përjetuar në mënyrën e vet.

Në repertorin që Capaldi ndau me publikun kosovar ishte edhe “The Day That I Die”, duke sjellë një tjetër pjesë të muzikës së tij në një natë ku skena e Sunny Hill-it po kalonte nga një atmosferë në tjetrën. Këngët e tij, edhe kur interpretohen përballë mijëra njerëzve, ruajnë një karakter të drejtpërdrejtë dhe personal, ndërsa publiku i Prishtinës i priti ato si këngë që tashmë i njeh dhe i ka dëgjuar shumë kohë përpara këtij koncerti.

Mes këngëve që u dëgjuan gjatë performancës ishte edhe “Before You Go”, një prej krijimeve që ka shënuar fuqishëm karrierën ndërkombëtare të Capaldit. Kënga ka kaluar prej kohësh përtej kufijve të një suksesi muzikor, duke u bërë pjesë e historive dhe kujtimeve të dëgjuesve në vende të ndryshme. Në Sunny Hill, ajo u përball me një publik që e njihte mirë, duke e kthyer interpretimin në një moment ku zëri i artistit ndërthurej natyrshëm me atë të njerëzve përballë skenës.

Capaldi solli gjithashtu “Forever”, duke vazhduar të ndërtojë repertorin e tij përmes këngëve që flasin për lidhjet, ndjenjat dhe ato momente kur një histori njerëzore mbetet mes asaj që ka qenë dhe asaj që mund të ishte. Në atmosferën e Sunny Hill-it, kënga u bë pjesë e një performance ku publiku po kalonte nga një histori muzikore te tjetra, duke ndjekur një artist që e ka ndërtuar identitetin e tij pikërisht mbi sinqeritetin emocional të këngëve.

Në këtë rrugëtim muzikor nuk mungoi as “Without You”, një tjetër prej këngëve të repertorit të Capaldit që solli në skenë atë ndjesinë e mungesës dhe boshllëkut që shpesh shoqëron muzikën e tij. Përballë një turme të madhe, kënga ruajti karakterin e saj intim, duke krijuar një kontrast të bukur mes përmasave të festivalit dhe mënyrës personale se si muzika e tij arrin të prekë dëgjuesin.

Një prej këngëve që publiku priste veçanërisht ishte “Someone You Loved”, ajo që tashmë është bërë pjesë e pandashme e identitetit muzikor të Lewis Capaldit. E njohur në mbarë botën dhe e lidhur me një prej periudhave më të rëndësishme të karrierës së tij, kënga në Sunny Hill u kthye në një moment të përbashkët mes artistit dhe publikut. Capaldi e këndoi përballë një turme që nuk kishte nevojë për shumë udhëzime për ta ndjekur, sepse refreni ishte i njohur për mijëra njerëz që iu bashkuan zërit të tij.

Gjatë këtij momenti, Capaldi foli edhe për historinë e këngës dhe kohën që ka kaluar prej publikimit të saj, duke u shprehur se kur ta interpretojë vitin e ardhshëm do të bëhen dhjetë vjet që nga publikimi. Në Prishtinë, megjithatë, ajo vazhdon të tingëllojë po aq e afërt sa në ditët kur u dëgjua për herë të parë. “Someone You Loved” e bashkoi turmën në një kor të vetëm dhe e ktheu skenën e Sunny Hill-it në një hapësirë ku publiku dhe artisti e ndanë të njëjtën këngë.

Po në mesin e këngëve që Capaldi solli në këtë natë ishte edhe “Hold Me While You Wait”, një tjetër prej krijimeve që e ka ndërtuar lidhjen e tij me dëgjuesit përmes historive të marrëdhënieve dhe pasigurive emocionale. Kënga sjell atë momentin kur një njeri kërkon kohë, afërsi dhe një arsye për të besuar se diçka ende mund të shpëtohet, duke e bërë atë një tjetër pjesë të rëndësishme të repertorit që ai ndau me publikun në Prishtinë.

Ndërsa performanca vazhdonte dhe këngët e tij ndërthureshin me zërat e turmës, në skenën e Sunny Hill-it u dëgjua edhe “Survive”. Kënga i dha një tjetër dimension atmosferës së krijuar gjatë performancës dhe e mbajti publikun të lidhur me skenën deri në momentet e fundit të paraqitjes së tij. Përmes saj, Capaldi plotësoi një repertor që kaloi nëpër disa prej këngëve më të njohura të tij, duke sjellë në Prishtinë një pjesë të botës muzikore që e ka bërë një prej emrave më të dëgjuar të brezit të tij.

Këto këngë, të mbledhura në të njëjtën skenë dhe të kënduara përballë publikut kosovar, krijuan një portret të gjerë të muzikës së Capaldit, nga baladat që kanë prekur miliona dëgjues deri te ato këngë që e tregojnë artistin në një formë më personale. Dhe mbi të gjitha, ajo që mbeti ishte një publik që nuk i dëgjoi vetëm këngët e tij, por i këndoi bashkë me të.

Pas performancës së Lewis Capaldit, nata në Sunny Hill nuk u shua dhe skena nuk mbeti gjatë pa zëra të tjerë. Festivali vazhdoi ta mbajë publikun në lëvizje, duke e zhvendosur atmosferën nga momentet e baladave dhe emocioneve që solli artisti britanik drejt një tjetër ritmi, me artistët që kishin ende për ta vazhduar programin e natës.

Në pjesën e mëvonshme të programit u ngjitën në skenë Gjin, Pawsa dhe Kamelia, duke marrë përsipër vazhdimin e një nate që tashmë kishte kaluar përmes disa prej momenteve më të rëndësishme të këtij edicioni të Sunny Hill-it. Secili prej tyre solli në skenë një tjetër ngjyrim muzikor, duke e mbajtur gjallë atmosferën dhe duke i dhënë festivalit atë vazhdimësi që e karakterizon: një artist largohet nga skena, por nata vazhdon të marrë formë përmes zërit të radhës.

Pas një performance të ndërtuar rreth këngëve të njohura dhe atmosferës emocionale të Lewis Capaldit, publiku kishte ende për të përjetuar nga Sunny Hill-i.

Sunny Hill tashmë e ka kthyer vëmendjen te nata e radhës. Sonte, skena e festivalit do t’i hapet Martin Garrix, një prej emrave më të njohur të muzikës elektronike, i cili pritet ta rikthejë publikun në ritmet e fuqishme të dance-it dhe energjinë e festivaleve të mëdha ndërkombëtare. Krahas tij, gjatë natës do të performojnë edhe shumë artistë të tjerë, duke e bërë programin e sontëm një tjetër kapitull të rëndësishëm të Sunny Hill-it./Kultplus.com

Mitsotakis përgëzon Christopher Nolanin për suksesin e “Odiseas”: Filmi sjell trashëgiminë greke në ekranin botëror

2 August 2026 at 15:00

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka zhvilluar këtë javë një bisedë me regjisorin britanik Christopher Nolan, duke e përgëzuar për suksesin e adaptimit të tij kinematografik të poemës epike të Homerit, “Odisea”.

Gjatë video-thirrjes, Mitsotakis e falënderoi Nolanin për sjelljen e veprës homerike në ekranin e madh dhe për kontributin që filmi po jep në rritjen e interesit ndërkombëtar për kulturën dhe trashëgiminë e lashtë greke.

Sipas zyrës së kryeministrit grek, Mitsotakis vlerësoi se prodhime të tilla krijojnë një urë lidhëse mes trashëgimisë së pasur kulturore të Greqisë dhe krijimtarisë bashkëkohore.

Kryeministri shprehu gjithashtu kënaqësinë për faktin se një pjesë e konsiderueshme e filmit është xhiruar në Greqi, duke theksuar rëndësinë e promovimit të peizazheve dhe historisë së vendit përmes kinemasë ndërkombëtare.

Adaptimi i “Odiseas” nga Nolan ka tërhequr vëmendjen globale, duke rikthyer në qendër të interesit një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë antike dhe një prej tregimeve themelore të qytetërimit evropian./KultPlus.com

Ogyst Dozon, studiuesi francez që dokumentoi gjuhën dhe folklorin shqiptar

2 August 2026 at 14:30

Më 2 gusht 1822 lindi Ogyst Dozon (Auguste Dozon), diplomati dhe studiuesi francez që dha një kontribut të rëndësishëm në dokumentimin e gjuhës, letërsisë gojore dhe kulturës shqiptare.

Gjatë shërbimit të tij diplomatik në konsullatat franceze në Janinë dhe Selanik, Dozoni u interesua veçanërisht për pasurinë shpirtërore të shqiptarëve. Ai mblodhi me kujdes këngë, tregime dhe krijimtari popullore shqiptare, duke ruajtur materiale të rëndësishme që deri atëherë nuk ishin botuar.

Në vitin 1879, ai botoi në Paris veprën “Manuel de la langue Albanaise” (“Manuali i gjuhës shqipe”), një studim që ndërthurte kërkimin gjuhësor me materiale nga letërsia e folur shqiptare. Në këtë vepër, Dozoni paraqiti një përshkrim të sistemuar të toskërishtes, kryesisht mbi bazën e së folmes së Përmetit, të shoqëruar me një fjalor prej rreth 4000 fjalësh dhe me vërejtje mbi gegërishten.

Interesi i tij për traditat shqiptare u shfaq edhe në librin “Contes albanais” (“Përralla shqiptare”), botuar në Paris më 1881, përmes të cilit ai prezantoi në Evropë pjesë të rëndësishme të folklorit dhe trashëgimisë gojore shqiptare.

Puna e Ogyst Dozonit mbetet një dëshmi e rëndësishme e interesimit shkencor evropian për gjuhën dhe kulturën shqiptare në shekullin XIX. Ai u nda nga jeta në vitin 1891, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në fushën e albanologjisë./KultPlus.com

Biblioteka e Umberto Eco-s hapet për publikun, një univers prej 32 mijë librash në zemër të Bolonjës

2 August 2026 at 12:30

Nuk është thjesht një muze, as një arkiv apo një koleksion librash. Biblioteka personale e Umberto Eco-s është një udhëtim në botën e ideve, kuriozitetit dhe pasionit për dijen të një prej mendjeve më të ndritura të shekullit XX.

Që nga 1 korriku, biblioteka e shkrimtarit dhe semiologut italian është vendosur në pjesën e shekullit XX të Palazzo Poggi, në fund të rrugës Zamboni në Bolonjë, duke u hapur për publikun si një dritare drejt universit të tij intelektual.

Koleksioni përmban rreth 32 mijë libra, të cilët, nëse do të vendoseshin njëri mbi tjetrin, do të krijonin një kullë rreth 900 metra të lartë. Por madhështia e kësaj biblioteke nuk matet vetëm me numrin e librave, por me mënyrën unike se si Eco i organizonte dhe i përdorte ato.

Për autorin e “Emrit të Trëndafilit”, biblioteka ishte “kujtesa jonë bimore” – një hapësirë ku zbulimet lindin shpesh nga rastësia dhe nga lidhjet e papritura mes librave. Duke ndjekur idenë e studiuesit Aby Warburg për “fqinjin e mirë”, Eco besonte se ndonjëherë libri më i vlefshëm nuk është ai që kërkon, por ai që gjendet pranë tij në raft.

Procesi i zhvendosjes dhe katalogimit të bibliotekës nga shtëpia e tij në Milano u realizua nga Universiteti i Bolonjës dhe zgjati disa muaj, me synimin për të ruajtur sa më shumë renditjen origjinale të koleksionit.

Vizitorët mund të zbulojnë një panoramë të jashtëzakonshme të interesave të Eco-s: nga filozofia, semiotika dhe historia e artit, te fetë, okultizmi, letërsia botërore, kinemaja, televizioni dhe kultura popullore.

Në rafte gjenden vepra të autorëve si James Joyce, J.R.R. Tolkien, Franz Kafka, Italo Calvino, Jorge Luis Borges dhe Agatha Christie, por edhe mijëra revista e albume komikësh në gjuhë të ndryshme, nga “Diabolik” e “Tex Willer” deri te “Spider-Man” dhe “Watchmen”.

Një pjesë e veçantë i kushtohet librave të rrallë, mes tyre edhe një botim pirat i romanit të tij të famshëm “Emri i Trëndafilit”, i publikuar në Bashkimin Sovjetik me një kopertinë që e paraqiste gabimisht si roman erotik.

Biblioteka ruan gjithashtu gjurmë personale të Eco-s: shënime në margjina, nënvizime, faqe të palosura dhe shënime të shkruara me dorë, të cilat dëshmojnë marrëdhënien e tij të drejtpërdrejtë me librat.

Hapësira vizitohet me rezervim dhe do të jetë e mbyllur gjatë muajit gusht, ndërsa do të rihapet në shtator. Përmes saj, publiku ka mundësinë të shohë jo vetëm librat e Umberto Eco-s, por edhe mënyrën se si një mendje krijuese ndërtonte lidhje mes dijes, imagjinatës dhe kujtesës.

Biblioteka e Eco-s mbetet pikërisht ajo që ai besonte se duhej të ishte një bibliotekë: jo vetëm një vend ku ruhen libra, por një hapësirë ku idetë dhe fantazia vazhdojnë të jetojnë./KultPlus.com

Muzeu Marubi publikon fotografi të rralla të Bekim Fehmiut gjatë vizitës së tij në Shkodër më 1972

2 August 2026 at 12:30

Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” ka ndarë me publikun fotografi të rralla nga arkivi i tij, që dokumentojnë vizitën e aktorit të njohur shqiptar Bekim Fehmiu në Shqipëri në vitin 1972.

I cilësuar “Uliksi shqiptar” i kinemasë botërore, Bekim Fehmiu mbërriti në Shqipëri jo thjesht si aktor në kulmin e famës, por si një njeri në kërkim të rrënjëve të tij.

I lindur në një familje shqiptare dhe i formuar mes Prizrenit e hapësirave të Ballkanit, Fehmiu ishte aktori i parë shqiptar që depërtoi në skenat ndërkombëtare dhe në Hollywood, duke e mbartur gjithmonë me vete identitetin e tij.

Në një kohë kur Shqipëria ishte e izoluar nga bota, ai zgjedh ta vizitojë, si një pjesë të historisë së vet personale. Udhëtimi i tij kalon nga një qytet në tjetrin… deri në Shkodër, aty ku kishte kaluar vitet e para të fëmijërisë.

Në këtë qytet, vizita e tij në Muzeun Historik të Shkodrës është përjetësuar nga objektivi i Angjelin Nenshatit.

Publikimi i kësaj fotografie vjen në një moment kur emri i “Odiseas” rikthehet në vëmendje përmes filmit të Christopher Nolan.

“Shqipëria nuk është më vetëm një kujtesë personale, ajo dëgjohet. Në kolonën zanore përfshihen tinguj të iso-polifonisë shqiptare, një traditë mijëravjeçare e mbrojtur nga UNESCO, e regjistruar posaçërisht në jug të vendit për t’i dhënë filmit një dimension autentik dhe të lashtë. Një lidhje e rrallë krijohet: nga zëri i maleve shqiptare… tek epika e Homerit. Sot, kur Shqipëria është kthyer në një nga destinacionet më të kërkuara turistike, këto histori dëshmojnë se magnetizmi i saj ka ekzistuar gjithmonë. Arkivi i Muzeut Marubi mbetet një dëshmi e gjallë, një hapësirë ku takohen figura botërore, udhëtime të harruara dhe momente që sot marrin kuptim të ri. Sepse në Marubi nuk ruhen vetëm fotografi”, thuhet në postimin e Muzeut Marubi./Atsh/KultPlus.com

Nata kur muzika ndryshoi përgjithmonë, 45 vjet nga lindja e MTV-së dhe videoklipi historik i The Buggles

2 August 2026 at 11:00

Sot mbushen saktësisht 45 vjet nga momenti historik i 1 gushtit 1981, kur rrjeti i ri televiziv kabllor amerikan, MTV (Music Television), nisi zyrtarisht transmetimet e tij, duke revolucianizuar përgjithmonë industrinë e muzikës dhe kulturën popullore globale.

Imazhet e para që u shfaqën në ekranet e shikuesve amerikanë mbeten ikonike: transmetimi i pamjeve të nisjes së anijes hapësinore Apollo 11 dhe ngritja e flamurit të MTV-së në Hënë, të shoqëruara nga fjalët e njohura të zërit hyrës: “Zotërinj, zonja dhe zotërinj, mirësevini në Music Television.”

Ekspertët e medias e konsiderojnë këtë ngjarje si pikëniqen e një epoke të re vizuale për industrinë muzikore.

Lidhur me debutimin e këtij formati novator, kronika e kohës shënon se “më 1 gusht 1981, MTV filloi transmetimin e saj amerikan; videoklipi i parë muzikor i transmetuar në rrjetin e ri televiziv kabllor ishte ‘Video Killed the Radio Star’ nga The Buggles.”

Zgjedhja e kësaj kënge të veçantë nga grupi britanik The Buggles mbartte një simbolikë profetike ironike. Projekti muzikor i vitit 1979 paralajmëronte pikërisht kalimin nga era e dominimit absolut të radios drejt epokës vizuale të televizionit dhe videoklipeve.

Nisja e MTV-së transformoi mënyrën se si artistët promovonin këngët e tyre, duke e kthyer pamjen e jashtme, koreografinë dhe konceptin vizual në elemente po aq të rëndësishme sa vetë muzika./rtsh/

Bogujevci: Sunny Hill Festival e ka vendosur Prishtinën në hartën e muzikës ndërkombëtare

2 August 2026 at 10:51

Ministrja në detyrë e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka vlerësuar rolin e Sunny Hill Festival në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se festivali është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore në rajon.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bogujevci tha se, brenda pak vitesh, Sunny Hill Festival e ka vendosur Prishtinën në hartën e muzikës ndërkombëtare.

Sipas saj, ajo që nisi nga dashuria e Dua Lipës për vendin e saj, sot është një skenë ku Kosova prezantohet përmes muzikës, kreativitetit dhe talentit.

“Ajo që nisi nga dashnia e Dua Lipës për vendin e saj, sot është një skenë ku Kosova shihet dhe përjetohet përmes muzikës, kreativitetit dhe talentit që ka për t’i ofruar botës”, shkroi Bogujevci.

Ajo theksoi se ndikimi i festivalit shkon përtej netëve të koncerteve, pasi Sunny Hill ka ndihmuar në ndërtimin e një imazhi të ri për Kosovën dhe ka dëshmuar se idetë e mira, të shoqëruara me punë dhe përkushtim, mund të arrijnë rezultate të mëdha.

Në fund të mesazhit të saj, Bogujevci shprehu mirënjohje për Dua Lipën dhe organizatorët e festivalit për kontributin e tyre në promovimin e Kosovës.

“Faleminderit, Dua Lipa. Faleminderit Sunny Hill Festival”, përfundoi ajo./KultPlus.com

❌