Normal view

I shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge, arrestohet në Durrës 40-vjeçari shqiptar

By: A R
6 August 2026 at 16:00

Një operacion i koduar “Wanted 36” është finalizuar nga Policia e Durrësit, duke çuar në pranga një 40-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për trafik droge dhe falsifikim dokumentesh.

Aksioni u ndërmor nga Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Durrës. Mbështetur në informacionet e siguruara në rrugë operative mbi vendndodhjen e të kërkuarit, efektivët lokalizuan dhe arrestuan në lagjen nr. 12 të qytetit bregdetar shtetasin e identifikuar me inicialet O. D. alias O. K., 40 vjeç.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Venecias në Itali e ka dënuar atë me 11 vjet e 1 muaj burgim për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi dhe mbajtja e dokumenteve të rreme”. Nga ky dënim, 40-vjeçarit i kishin mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet e 15 ditë burgim.

Momentatalisht, Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët italianë po vijojnë të gjitha procedurat e nevojshme ligjore për ekstradimin e tij drejt shtetit fqinj, ku do të vuajë mbetjen e dënimit.

 

 

Mallakastër/ Zjarri del jashtë kontrollit në masivin pyjor të Drenijës! Pas Ngrëçanit, pritet ndërhyrja nga ajri

By: A R
6 August 2026 at 15:39

Një situatë kritike me zjarret po regjistrohet në masivin pyjor të Drenijës, ku vatrat e flakëve kanë dalë jashtë kontrollit si pasojë e erërave të forta që po favorizojnë përhapjen e tyre të shpejtë.

Shërbimet zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po vazhdojnë betejën me flakët për të parandaluar përhapjen e mëtejshme, por kushtet atmosferike dhe era e fortë po e vështirësojnë së tepërmi punën e ekipeve nga toka.

Pas vënies nën kontroll të situatës dhe shuarjes së vatrave kryesore në zonën e Ngrëçanit, autoritetet pritet të orientojnë ndërhyrjen nga ajri edhe drejt masivit pyjor të Drenijës, me qëllim izolimin përfundimtar të zjarrit.

Pas afateve të tejkaluara, konflikti mes ortakëve e çoi koncesionin e Aeroportit të Vlorës drejt zgjidhjes së kontratës

By: A R
6 August 2026 at 13:37

Fatos Çoçoli

Argumenti kryesor i paraqitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është mosrespektimi i afateve kontraktore për përfundimin dhe vënien në funksion të aeroportit. Megjithatë, dokumentacioni i administrimit të kontratës tregon se një nga faktorët që ndikoi drejtpërdrejt në këtë dështim ishte konflikti i zgjatur mes ortakëve të kompanisë koncesionare.

Kontrata parashikonte që aeroporti të përfundonte dhe të bëhej operacional deri më 20 shkurt 2026, me një periudhë shtesë prej 90 ditësh. Edhe pas përfundimit të këtij afati, aeroporti nuk ishte funksional. Punimet kishin mbetur larg përfundimit, ndërsa koncesionari nuk kishte paraqitur një plan të besueshëm për mbylljen e projektit.

*Konflikti që paralizoi koncesionarin*

Një nga shkaqet kryesore të mosrespektimit të afateve ishte konflikti i brendshëm mes ortakëve të kompanisë koncesionare.

Që nga tetori 2025, dy ortakët kryesorë, “Mabco Constructions” dhe “2A Group”, hynë në një mosmarrëveshje të hapur lidhur me strukturën e pronësisë së kompanisë dhe disa marrëveshje financiare të lidhura pa dakordësinë e plotë të palëve.

Mosmarrëveshja kaloi në disa shkallë të sistemit gjyqësor. Në tetor 2025, Gjykata e Shkallës së Parë pezulloi të drejtën e votës së kompanisë “Mabco”. Në dhjetor 2025, Gjykata e Apelit vendosi që pezullimi të zbatohej vetëm për vendimet që lidhen me shitjen e kuotave.

Po në dhjetor 2025, në një proces tjetër, gjykata vendosi sërish pezullimin e disa të drejtave të “Mabco”, kompani e lidhur me sipërmarrësin kosovar Behxhet Pacolli. Këto masa u rrëzuan më pas nga Gjykata e Lartë në maj 2026.

Konflikti nuk mbeti vetëm në gjykata. Në maj 2026, Policia e Vlorës raportoi për përplasje fizike në hyrje të kantierit ndërmjet përfaqësuesve të palëve dhe shoqërisë private të sigurisë. Policia sqaroi se bëhej fjalë për një konflikt me natyrë civile dhe kontraktore, ndërsa kallëzimet iu referuan Prokurorisë.

Në praktikë, konflikti bllokoi vendimmarrjen brenda koncesionarit. U vonuan vendimet për financimin, pagesat, kontratat dhe organizimin e punimeve, ndërsa aktiviteti në kantier u ngadalësua ndjeshëm dhe, në disa raste, u ndërpre.

*Nga një investim strategjik në një projekt të bllokuar*

Kur kontrata koncesionare u nënshkrua më 19 prill 2021, projekti u prezantua si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit dhe si porta e dytë ndërkombëtare ajrore e Shqipërisë. Aeroporti pritej të rriste kapacitetet e transportit ajror, të mbështeste zhvillimin e turizmit dhe të krijonte një impuls të ri ekonomik për Vlorën dhe gjithë Jugun.

Sot situata është krejt ndryshe. Punimet kanë mbetur të papërfunduara, aeroporti nuk është operacional dhe vetë inxhinieri i pavarur ka konstatuar se nuk mund të japë një afat të besueshëm për përfundimin e projektit.
Në këto kushte, konflikti mes ortakëve nuk mund të konsiderohet më thjesht një mosmarrëveshje private. Ai ka ndikuar drejtpërdrejt në realizimin e një kontrate me interes publik dhe në përmbushjen e detyrimeve që koncesionari kishte marrë përsipër ndaj shtetit.

Megjithatë, thelbi i çështjes mbetet mosrespektimi i kontratës. Konflikti mes ortakëve nuk përbën në vetvete bazën ligjore për zgjidhjen e saj, por është një nga faktorët që çoi në mosrealizimin e projektit brenda afateve të përcaktuara.

Për shtetin, përgjegjësia nuk është të zgjidhë mosmarrëveshjet e aksionarëve, por të garantojë zbatimin e kontratës dhe mbrojtjen e interesit publik. Kur koncesionari nuk është më në gjendje të përmbushë detyrimet e tij, aktivizimi i mekanizmave kontraktualë bëhet i domosdoshëm për të siguruar përfundimin e një projekti me rëndësi strategjike për vendin.

❌