Normal view

Grabitja e argjendarisë në Kamëz, policia jep detajet: Në kërkim dy autorët

By: A R
5 August 2026 at 17:07

Policia ka dhënë detaje lidhur me grabitjen e ndodhur pasditen e së mërkurës në një argjendari në Paskuqan, në bashkinë Kamëz.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 14:50, dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e argjendarisë në pronësi të shtetasit me iniciale L. L.. Nën kërcënimin e një sendi që dukej si armë zjarri, ata kanë kanosur punonjëset dhe kanë marrë një sasi bizhuterish.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe kanë nisur kontrollet në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për administrimin e provave, me qëllim identifikimin e autorëve, zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj.

Kamëz/Informacion paraprak

 

 

Më datë 05.08.2026, rreth orës 14:50, në Paskuqan, 2 shtetas ende të paidentifikuar, kanë hyrë në ambientet e argjendarisë në pronësi të shtetasit L. L. dhe duke kanosur punonjëset me send në dukje armë zjarri, kanë marrë një sasi bizhuterish.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli dhe po kryejnë kontrolle për kapjen e autorëve.

Grupi hetimor po punon për fiksimin e çdo prove që do të çojë në identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre, si dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Nafta zbret me 15 lekë, ja çmimi i ri në karburante

By: A R
5 August 2026 at 16:18

Pas disa ditësh rritjeje, çmimi i naftës në tregun me pakicë në Shqipëri ka pësuar një ulje të fortë mbrëmjen e sotme. Sipas një vëzhgimi të bërë mbrëmjen e sotme, disa nga rrjetet kryesore të tregtimit të karburanteve e kanë ulur çmimin e naftës nga 214 lekë në 199 lekë për litër, duke e rikthyer për herë të parë pas disa javësh nën kufirin e 200 lekëve. Lëvizja vjen në një moment kur tregjet ndërkombëtare kanë nisur të reflektojnë një rënie të çmimit të naftës, pas rritjeve të forta të javëve të fundit, të cilat u transmetuan me shpejtësi edhe në tregun shqiptar.

Zhvillimi rikthen në vëmendje mënyrën se si funksionoi tregu gjatë periudhës mars-qershor të këtij viti, kur për shkak të luhatjeve të forta në bursat ndërkombëtare u aktivizua Bordi i Transparencës. Në atë periudhë, çmimet maksimale të karburanteve përcaktoheshin nga Bordi dhe monitoroheshin në terren për zbatimin e tyre nga operatorët.

Ndryshe nga ajo periudhë, ulja e mbrëmjes së sotme nuk vjen si rezultat i një vendimmarrjeje administrative, por është reflektuar drejtpërdrejt nga operatorët në pikat e shitjes me pakicë, në përputhje me zhvillimet e fundit në tregjet ndërkombëtare. Mbetet për t’u parë në vijim nëse do të ketë një vendimarrje të qeverisë për rikthimin e funksionimit të Bordit.

I dënuar me 4 vite burg, arrestohet 40-vjeçari që fshihej nga drejtësia

By: A R
5 August 2026 at 16:09

Një 40-vjeçar të shpallur në kërkim dhe i dënuar për kultivim të lëndëve narkotike është arrestuar nga policia.  Në kuadër të operacionit të koduar “Shtegu” në pranga u vu shtetasi me iniciale A.B, banues në Tiranë.

Policia bën me dije se 40-vjeçari ishte në kërkim, pasi në vitin 2021 ishte dënuar me 4 vite burg për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Pas arrestimit, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi: 

Krujë/Finalizohet operacioni i koduar “Shtegu”, për kapjen e një shtetasi në kërkim. Lokalizohet dhe ndalohet një 40-vjeçar i dënuar me 4 vjet burgim, për kultivim të bimëve narkotike.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara gjatë punës operative, mbi vendndodhjen e një shtetasi të kërkuar për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë finalizuan operacionin e koduar “Shtegu”.

Gjatë operacionit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. B., 40 vjeç, banues në Tiranë.

40-vjeçari ishte në kërkim, pasi në vitin 2021, është dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtori i Portit të Durrësit, Liburn Aliu merret në pyetje nga Prokuroria Speciale e Kosovës

By: A R
5 August 2026 at 14:19

Ish-ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës të Kosovës, Liburn Aliu është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Aliu, i cili aktualisht është Drejtor i Portit të Durrësit është paraqitur bashkë me avokatin e tij.

Referuar mediave në Kosovë, Liburn Aliu po merret në pyetje në lidhje me një rast të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte ministër në Qeverinë Kurti, pozitë të cilën e mbajti deri në gusht të vitit 2025, kur dha dorëheqje.

Aeroporti i Vlorës: Si u bllokua projekti 103.9 milionë euro dhe pse shteti po zgjidh kontratën

By: A R
5 August 2026 at 13:13

Nga Fatos Çoçoli

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke shënuar një kthesë të rëndësishme në historinë e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të dekadës së fundit.

Vendimi vjen pasi koncesionari nuk arriti të përmbushë afatet kontraktore për ndërtimin dhe vënien në funksion të aeroportit, ndërsa vonesat u thelluan muaj pas muaji. Projekti, me një investim prej 103.9 milionë eurosh, ishte konceptuar si porta e dytë ndërkombëtare ajrore e Shqipërisë dhe një motor i ri zhvillimi për turizmin dhe ekonominë e Jugut.

*Çfarë parashikonte kontrata*
Kontrata koncesionare e tipit BOT (Build, Operate and Transfer – Ndërto, Opero dhe Transfero) u nënshkrua më 19 prill 2021 ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe konsorciumit të përbërë nga Mabetex Group (50%), YDA Group (48%) dhe 2A Group (2%). Vlera e investimit ishte 103.9 milionë euro.

Punimet nisën zyrtarisht më 20 shkurt 2023. Sipas kontratës, aeroporti duhej të përfundonte brenda 36 muajve, pra deri më 20 shkurt 2026. Ky afat ishte përcaktuar edhe në lejen e ndërtimit.

Kontrata parashikonte gjithashtu një periudhë shtesë prej 90 ditësh. Nëse aeroporti nuk bëhej operacional as brenda këtij afati, shteti fitonte të drejtën të zgjidhte kontratën për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve. Edhe ky afat skadoi më 20 maj 2026, ndërsa aeroporti nuk ishte ende funksional.

Punimet mbetën larg objektivit
Raporti i inxhinierit të pavarur i datës 20 maj 2026 evidentonte se rreth 70 për qind e punimeve ishin realizuar, por vetëm 57 për qind e tyre ishin certifikuar.

Njëkohësisht, koncesionari nuk kishte dorëzuar grafikun e përditësuar të punimeve dhe raportimet periodike të kërkuara sipas kontratës.

Në fillim të shkurtit 2026, vetë kompania kërkoi shtyrjen e afatit të përfundimit deri në gusht 2026. Pak muaj më vonë u paraqit një plan tjetër që parashikonte përfundimin e projektit brenda 10 muajve, ndërsa në qershor 2026 mbikëqyrësi teknik propozoi që data e re e përfundimit të ishte 1 mars 2027.

Ndryshimi i vazhdueshëm i afateve ngriti pikëpyetje mbi realizueshmërinë e projektit. Ndërkohë skadoi edhe leja e ndërtimit, ndërsa koncesionari nuk dorëzoi formularin e vlefshëm të sigurimit të kontratës, pavarësisht kërkesave të përsëritura.

Raporti më i fundit i inxhinierit të pavarur arrin në përfundimin se nuk mund të përcaktohet një datë e besueshme për vënien në funksion të aeroportit, pasi ritmi i punimeve është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të konfliktit ndërmjet ortakëve të konsorciumit.

*Pse po shkon drejt zgjidhjes kontrata*
Nisja e procedurave për zgjidhjen e kontratës duket se mbështetet pikërisht mbi këto shkelje të detyrimeve kontraktore: mosrespektimin e afateve, mosrealizimin e punimeve sipas planit, mungesën e dokumentacionit të kërkuar dhe pamundësinë për të garantuar një afat realist për përfundimin e projektit.

Nëse procedura përfundon me zgjidhjen e kontratës, projekti hyn në një fazë të re, ku shteti do të duhet të vendosë mbi mënyrën e përfundimit të aeroportit, një investim me rëndësi strategjike për transportin ajror dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

*Kostoja e vonesës*
Aeroporti i Vlorës nuk ishte projektuar vetëm si një infrastrukturë transporti. Ai ishte pjesë e strategjisë për zgjerimin e kapaciteteve aeroportuale të Shqipërisë, në një kohë kur trafiku ajror dhe fluksi turistik po rriten me ritme të shpejta.

Çdo sezon i humbur nënkupton më pak turistë, më pak investime, më pak vende pune dhe më pak të ardhura për ekonominë lokale. Një aeroport funksional nuk gjeneron vetëm fluturime, por krijon aktivitet ekonomik për hotelet, restorantet, operatorët turistikë, shërbimet e transportit, bizneset lokale dhe investitorët.

Për këtë arsye, kostoja e vonesës nuk matet vetëm me ndërtimin e papërfunduar, por edhe me përfitimet ekonomike që nuk janë realizuar.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO), një aeroport i ri ndërkombëtar jashtë kryeqytetit mund të rrisë ekonominë e rajonit ku ndërtohet me rreth 7–10 për qind, ndërsa ndikimi në ekonominë kombëtare vlerësohet në rreth 0.2–0.3 për qind.

Procedurat e nisura tashmë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e kontratës koncesionare përbëjnë kulmin e një serie vonesash dhe problematikash që kanë shoqëruar projektin që nga fillimi i zbatimit të tij dhe hapin një kapitull të ri për të ardhmen e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

❌