Normal view

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: 227 forca dhe 16 mjete në terren, ndërhyrje edhe nga ajri

By: A R
9 August 2026 at 20:42

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ku aktualisht janë angazhuar të paktën 227 forca operacionale dhe 16 mjete zjarrfikëse e mbështetëse.

Në operacione janë përfshirë edhe mjete ajrore, me tre helikopterë dhe një avion Air Tractor.

Në qarkun e Tiranës, disa vatra janë rishfaqur gjatë mesditës në zonën e Dajtit, pranë fabrikës së ujit Selita. Forcat në terren vijojnë ndërhyrjen dhe monitorimin, ndërsa sipas Ministrisë së Mbrojtjes nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Në Cikallesh të Kavajës, intensiteti i zjarrit ka rënë ndjeshëm dhe vatra po shkon drejt shuarjes së plotë, pas ndërhyrjes së strukturave zjarrfikëse dhe mbështetjes nga ajri. Ndërkohë, në Priskë të Madhe vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të disa vatrave të vogla.

Në qarkun e Fierit, në aksin Panahor–Ndrenie–Vlosht në Mallakastër, zjarri është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për zonat e banuara. Edhe vatra në zonën Koilac–Greshicë raportohet nën kontroll.

Në Abazë të Krujës, situata është stabilizuar. Në terren kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, kryesisht në zona me terren të vështirë. Operacioni po vijon me pjesëmarrjen e strukturave të Emergjencave Civile, Bashkisë Krujë, MZSH-së, shërbimit pyjor dhe Prefekturës së Qarkut Durrës. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar situatës në Vilëz të Kurbinit, ku zjarri u riaktivizua në një sipërfaqe pyjore dhe, për shkak të terrenit të vështirë dhe erës, rrezikonte kishën, varrezat dhe disa banesa.

Rreth 50 forca nga MZSH-ja, Emergjencat Civile, Policia, strukturat vendore, shërbimi pyjor dhe vullnetarë janë angazhuar në operacion. Ndërhyrja nga ajri me dy helikopterë ka frenuar përparimin e flakëve dhe ka shmangur prekjen e kishës, varrezave dhe banesave përreth.

Megjithatë, vatra në Vilëz vijon të jetë aktive dhe po mbahet nën ndërhyrje.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile po vijojnë pa ndërprerje operacionet tokësore dhe ajrore, me synim izolimin, vënien nën kontroll dhe shuarjen përfundimtare të të gjitha vatrave aktive.

I dënuari me burgim të përjetshëm, Ardian Çapja, kërkon leje për të shkuar në varrimin e nënës

By: A R
9 August 2026 at 20:41

I dënuar me burgim të përjetshëm, Ardian Çapja ka kërkuar leje për të dalë nga burgu dhe për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të nënës së tij.

Emri i tij është i njohur për autoritetet shqiptare, ndërsa një prej atentateve më të bujshme ndaj tij ndodhi në vitin 2020, kur u qëllua me snajper pranë banesës së tij në Elbasan.

Atentati ndodhi në mëngjesin e 8 qershorit, teksa Çapja ndodhej në banesën e tij. Ai u qëllua me një plumb në shpatull nga një distancë e largët. Sipas burimeve të kohës, sulmi ishte kryer me snajper.

Plumbi e plagosi rëndë Çapjan dhe i kaloi pranë zemrës. Pas atentatit, ai u transportua fillimisht në spitalin e Elbasanit dhe më pas u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku iu nënshtrua një operacioni.

Pas disa orësh ndërhyrjeje, Çapja doli jashtë rrezikut për jetën.

Sipas të dhënave të bëra publike në atë kohë, atentatori e kishte mbajtur Çapjan nën vëzhgim dhe kishte zgjedhur një pozicion të përshtatshëm për të qëlluar.

Burimet e kohës dyshonin se snajperisti dhe persona të tjerë të përfshirë në atentat ishin pozicionuar në një servis pranë banesës së Çapjas. Distanca në vijë ajrore mendohej të ishte rreth 150 metra. Pas të shtënave, autorët u larguan nga zona, ndërsa policia nisi menjëherë hetimet për identifikimin e tyre dhe zbardhjen e motivit të atentatit.

Përleshja në burgun e Fierit, transferohen dy të dënuar, 6 policë nën hetim për neglizhencë

By: A R
9 August 2026 at 19:27

Mbas incidentit me dy të dëmtuar në burgun e Fierit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka hequr nga ky burg dy të dënuar.

Siç i treguan burime shumë të sigurta gazetares Anila Hoxhës, njëri prej tyre, Aldo Gjini, është transferuar në burgun e sigurisë së lartë në Burrel, kurse Jurgen Zotaj është dërguar nga spitali i Fierit në Qendrën Spitalore të Burgjeve në Tiranë. Në burgun e Fierit është mbajtur vetëm Denis Brajovic ose Bajri.

Sakaq, Policia e Fierit, së bashku me Prokurorinë lokale, po kryejnë hetime për të faktuar shkaqet e përleshjes mes dy të burgosurve, që u mbyll me plagosjen e Brajovic dhe Zotaj. Janë marrë në pyetje 6 policë të burgjeve që ishin në detyrë, nga të cilët pritet që katër të pezullohen gjatë javës së vjen, si të dyshuar se neglizhuan rregullat e sigurisë.

Në kamera duket Jurgen Zotaj dhe Aldo Gjini që lëvizin nga njëri sektor në sektorin e Brajovic, mbasi këtij të fundit i ishte komunikuar nëse i priste apo jo për kafe. Tre të burgosurit takohen me njëri-tjetrin duke u përqafuar dhe zhvendosen në një ambient tjetër ku nuk ka kamera.

Por për pak minuta, nga dëshmia e marrë, Brajovic thuhet se ai u sulmua me një send të improvizuar si armë e ftohtë. I burgosuri i thotë policisë që po heton se ia rrëmbeu armën Jurgenit dhe me të iu kundërpërgjigj. Sipas tij, ai nuk la asnjë konflikt dhe e kishte pranuar vizitën për kafe në sektor, mbasi njihte dhe kishte shok, pra garant, Aldo Gjinin.

I thashë policit, deklaroi Brajovic: “Le të vijnë sa të laj sytë” dhe më pas, për arsye që nuk i shpjegon dot, pas takimit me shokët u sulmua.

Hetimet po vazhdojnë ende për të zbuluar nëse është incident banal apo i porositur.

Ujërat e zeza përmbytnin Kasharin prej vitesh, Rama publikon videon: Një trung peme 8 metra ishte ‘varrosur’ brenda kolektorit

By: A R
9 August 2026 at 19:25

Një trung peme rreth 8 metra i gjatë është gjetur brenda kolektorit kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet e nxjerrjes së trungut, duke shkruar se ishte shkaku kryesor i problemeve me kanalizimet në zonë.
Rama shkruan se prej më shumë se 10 vitesh, sa herë kishte reshje, ujërat e zeza dilnin në bulevard dhe përhapeshin në lagjet përreth. Pavarësisht ndërhyrjeve të kryera ndër vite, shkaku nuk ishte zbuluar.

Kryeministri thotë se vetëm pas kontrollit të kolektorit me kamera të posaçme nëntokësore u konstatua trungu i pemës, i shtrirë brenda tubacionit dhe që pengonte kalimin e ujërave.
Sipas Ramës, kolektori ishte ndërtuar nga ish-Komuna e Kasharit, përpara reformës territoriale. Ai e solli rastin edhe si argument për nevojën e reformës, duke thënë se probleme të tilla janë pasojë e mënyrës se si menaxhoheshin më parë njësitë vendore. Trungu tashmë është nxjerrë dhe kolektori është zhbllokuar.

Postimi

“NJË PEMË 8 METROSHE U ZBULUA E “VARROSUR” NË KOLEKTORIN E UJËRAVE TË ZEZA

Për më shumë se një dekadë, sa herë binte një shi sado i shkurtër, ujërat e zeza merrnin mbarë bulevardin e Kasharit dhe shpërthenin nëpër lagje. Preventiva, ndërhyrje, rindërhyrje të pasuksesshme derisa dje u zbulua shkaku i vërtetë dhe i pabesueshëm i bereqetit të zi që sillte shiu sa herë binte mbi Kashar, ku përpara Reformës së Parë Territoriale, Komuna e Kasharit, një bastion krenar i demokratëve, ndërtoi kolektorin kryesor të ujërave të zeza në Bulevardin e Kasharit.

Kamerat speciale nëntokësore hynë brenda në kolektor dhe gjetën aty atë që zor se mund ta kapte edhe fantazia më e shfrenuar: Një trung peme 8 metrosh i shtrirë brenda tubit kryesor të ujërave të zeza

Pra gjatë punimeve, një çinar i madh, 8 metra i gjatë që gjendej atypari, u pre dhe, në vend që të largohej nga kantieri, u “varros” brenda kolektorit!

Se çfare u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe e zbatuan këtë veprim kriminal vetëm Zoti e di, por kjo është edhe një kujtesë shumë konkrete për të gjithë ata që kanë harruar pse Shqipërisë i duhej Reforma Territoriale.

Sot pema është nxjerrë. Kolektori është çliruar. Dhe banorët e Kasharit nuk do ta kenë më taksiratin e faturës së një poshtërsie kriminale si ajo që i torturoi për më shumë se dhjetë vjet.

Shqipëria e re nuk është vetëm Europa e Ballkanit që po ndërtojmë, po edhe ajo që zbulon, pastron dhe korrigjon deformimet e mbetura ende në rrugën tonë nga Gropa e Zezë e Ballkanit që ky vend ishte kur ne morëm detyrën”, shkruan Rama.

Vrasja e 21-vjeçarit në Korçë/ Zbardhet dëshmia e autorit: Më ngacmoi të dashurën

By: A R
9 August 2026 at 12:11

Zbardhen detaje të reja nga hetimet për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Autori Kristjan Sterjo, i cili u kap pas rreth 6 orësh arrati, ka dhënë dëshminë e tij përpara grupit hetimor lidhur me motivin e ngjarjes së rëndë. Sipas dëshmisë së tij, konflikti mes dy të rinjve lidhej me disa episode të mëparshme, ndërsa një nga shkaqet që dyshohet se ka çuar në përshkallëzimin e situatës ka qenë ngacmimi i të dashurës së autorit të dyshuar.

Por, krahas këtij konflikti, hetuesit po marrin në konsideratë edhe përplasjet e mëparshme mes dy të rinjve, të cilët dyshohet se kishin pasur debate për shkak të pretendimeve se kush ishte “më i forti” i lagjes. Sipas të dhënave të deritanishme nga hetimi, autori i dyshuar dhe viktima ishin konfliktuar verbalisht disa ditë përpara ngjarjes. Dyshohet se të dy palët kishin pasur përplasje dhe ngacmime ndaj njëri-tjetrit, duke bërë që marrëdhënia mes tyre të përshkallëzohej.

Situata më pas do të merrte një tjetër përmasë. Sipas dëshmisë së autorit, ditën e ngjarjes ai ka marrë armën dhe ka shkuar në ndjekje të 20-vjeçarit, ndërsa e ka qëlluar me një plumb pas shpine, që rezultoi fatal për jetën e Johan Zukos.

Konflikti, i cili dyshohet se kishte nisur për motive të dobëta, duke filluar nga pretendimet se kush konsiderohej “i forti” i lagjes, më pas është shoqëruar me ngacmime, sharje dhe përplasje të vazhdueshme mes dy të rinjve. Përplasja përfundoi tragjikisht me vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko, ndërsa Kristjan Sterjo u largua nga vendi i ngjarjes dhe u arrestua rreth 6 orë më vonë nga forcat e policisë në afërsi të banesës së tij. Sterjo fshihej në një zonë në afërsi të varrezave të qytetit, por është larguar prej aty për tu afruar drejt banesës. Ka qenë ky moment që policia e ka pikasur dhe është ndërhyrë menjëherë për kapjen e tij. Grupi hetimor vijon punën për të zbardhur të plotë dinamikën e ngjarjes, ndërsa dëshmia e autorit të dyshuar dhe provat e mbledhura pritet të ndihmojnë në përaktimin e rrethanave dhe motivit të saktë që çoi në krimin e rëndë.

Përparon zjarri në Krujë/ Urdhërohet evakuimi i banorëve në Barabit–Lluban. Raportohet për shpërthime armatimesh

By: A R
9 August 2026 at 08:39

Situata e krijuar nga zjarri në territorin e Bashkisë Krujë ka përshkallëzuar, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin e menjëhershëm të banorëve të zonës Barabit–Lluban. Vendimi është marrë në zbatim të Ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planit Kombëtar dhe Planeve Vendore të Emergjencave Civile, për shkak të rrezikut të paraqitur nga përhapja e flakëve.

Procesi i evakuimit po zhvillohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Prefektin e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë.

Për largimin e banorëve nga zona e rrezikuar do të angazhohen mjetet dhe strukturat e Bashkisë Krujë, MZSH-së, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura. Prioritet gjatë evakuimit kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që ndodhen në zona të izoluara.Bashkia Krujë ka bërë të ditur se do të garantojë strehimin e përkohshëm të qytetarëve të evakuuar, regjistrimin e tyre, sigurimin e nevojave bazë dhe asistencën shëndetësore. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të Barabit–Llubanit të ndjekin me përparësi udhëzimet e strukturave në terren dhe të bashkëpunojnë gjatë procesit të evakuimit, për të garantuar sigurinë e tyre. Sakaq, raportohet për shpërthime armatimesh.

Vrau shokun e fëmijërisë pasi e ndoqi me automatik, zbulohet emri i autorit në kërkim

By: A R
8 August 2026 at 21:13

Zbulohet emri i autorit të dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko, ngjarje e rëndë e ndodhur sot në lagjen nr. 14 në Korçë. Bëhet fjalë për Kristjan Sterjon, i cili dyshohet se qëlloi për vdekje me armë zjarri viktimën.

Sterjo është shpallur në kërkim nga Policia, ndërsa vijojnë kontrollet dhe postblloqet në disa zona për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe motivit të ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po administron edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi krimi.

Pacolli ka financuar vetëm 5.7 mln euro për ndërtimin e Aeroportit nga paratë e veta, edhe ato si hua

By: A R
8 August 2026 at 17:30

Që kur shpërtheu konflikti mes dy aksionerëve në Aeroportin e Vlorës, qytetarët shqiptarë janë bombarduar me shifra pompoze mbi investimin në këtë projekt. Por cila është e vërteta sipas dokumentave zyrtare.

Të dhënat nga bilanci zyrtar tregojnë se deri në fund të vitit të kaluar, totali i aktiveve i shoqërisë koncesionare VIA arriti 8.8 miliardë lekë ose 94 milionë euro me kursin aktual.

Kjo shifër përfaqëson shumën maksimale të investuar deri në dhjetor 2025 në Aeroportin e Vlorës. Por shifra reale është më e ulët, pasi brenda kësaj shume gjenden edhe 1 miliardë lekë ose gati 11 milionë euro TVSH që kompania duhet t’i rimbursojë mbrapsht nga shteti.

Por si janë financuar këto investime?

Sipas pasqyrave financiare, 5.9 miliardë lekë janë financuar nga një kredi që VIA ka marrë në BKT.

Pacolli ka financuar vetëm 5.7 mln euro për ndërtimin e

Rreth 2.6 miliardë lekë të tjera janë punime të kryera nga kompania 2A Group, por të papaguara ende nga VIA.

Pacolli ka financuar vetëm 5.7 mln euro për ndërtimin e

Ndërsa Behgjet Pacolli ka financuar 535 milionë lekë ose 5.7 milionë euro përmes një huaje që kompania e tij Mabco ka dhënë për VIA-n si ortak. Fillimisht Mabco i dha VIA-s një hua 11 milionë euro, por gjysmën e ka tërhequr mbrapsht. Gjithsesi edhe pjesa e mbetur prej 5.7 milionë euro është gjithmonë hua, që VIA duhet t’ia shlyejë mbrapsht ortakut të saj Mabco.

Pacolli ka financuar vetëm 5.7 mln euro për ndërtimin e

Kjo është fotografia e investimeve dhe financimit të tyre në Aeroportin e Vlorës. Pra 60 milionë euro kredia e BKT, 27.5 milionë euro 2A Group e Valon Ademit dhe 5.7 milionë euro huaja e Mabcos së Pacollit.

Por secila palë ka mënyrën e vet se si i interpreton këto shifra. Behgjet Pacolli thotë se i gjithë investimi është financuar nga ai. Zoti Pacolli thotë se kredia në BKT është e atij, pasi është marrë duke lënë si garanci pasuritë e Mabcos dhe pasuritë e tij personale.

Borxhi prej 27.5 milionë euro që VIA ka ndaj 2A Group për punime të kryera por të papaguara, po ashtu për Pacollin janë financime të tijat, pasi thotë se këto para do t’i shlyhen kompanisë së Ademit. Ndërsa zoti Ademi këmbëngul se ka 49 për qind të aksioneve sipas kontratës së shitjes dhe se punimet e papaguara reflektojnë edhe këtë fakt.

Por pavarësisht pretendimeve të dy aksionerëve, në finale financimi i aeroportit është bërë nga vetë shoqëria koncesionare.

Në rast se qeveria do të prishë konçesionin, kredia i mbetet shtetit, pra do të paguhet nga taksapaguesit ose nga aksioneri i ri që do të marrë koncesionin. Po ashtu e njëjta gjë vlen edhe çdo detyrim tjetër të shoqërisë konçesionare, përfshirë borxhet për punimet e papaguara të 2A Group dhe huanë 5.7 milionë eurot të Pacollit.

Në fund fare vetë shoqëria është e garantuar po nga paratë e taksapaguesve, pasi buxheti i shtetit ka marrë përsipër të garantojë 136 milionë euro të ardhura për 10 vitet e para të operimit, si garanci trafiku.

E vetmja pikëpyetje mbetet ajo e pronave, që Pacolli ka lënë si kolateral në BKT. Cfarë ndodh me këto prona pas nxjerrjes jashtë konçesionit të dy ortakëve aktualë. Kjo do të varet nga mënyra se si do të zgjidhet ky konflikt. Normalisht marrja e koncesionit nga shteti do të duhet të lirojë pronat e Pacollit nga barra, pasi BKT do të garantohej nga shteti ose aksioneri i ri i konçesionit.

Skenaret se si mund të zgjidhet çështja e konçesionit janë të shumtë. Nga marrëveshje për blerje me book value deri në shpronësim për shkelje të kontratës. Por një gjë është e sigurtë.

Fajin se pse nuk u ndërtua aeroporti nuk e ka as qeveria dhe aq më pak taksapuesit shqiptarë. Fajin e kanë vetë ata që sot kërcënojnë me 700 milionë euro arbitrazh dhe fitime të munguara. Po, qeveria ka një faj të madh. Dhënien e projekteve strategjike tek biznesmenë kontroversë, që dinë të luajnë vetëm sekserash.

Zjarr i përmasave të mëdha në Krujë, rrezikohen 30 banesa dhe disa biznese

By: A R
8 August 2026 at 15:27

Një zjarr me përmasa të frikshme është regjistruar sot në Krujë. Mësohet se një faqe mali në lagjen Abazaj është përfshirë nga flakët, ndërsa situata paraqitet tepër dramatike, pasi zjarri rrezikon t’i afrohet 30 banesave dhe bizneseve.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes ndodhet vetëm një zjarrfikëse, ndërsa situata paraqitet tepër e vështirë në terren.

Sakaq, banorët bëjnë apel për ndihmë, ndërkohë që kërkohet ndërhyrje me helikopter nga ajri.

Zbardhet motivi i tritolit në Tufinë, tre vëllezërit i vunë eksploziv banesës së 72-vjeçarit për borxhin e mobiljeve

By: A R
8 August 2026 at 15:23

Detaje të reja dalin në dritë nga shpërthimi me tritol në banesën e një 72-vjeçari në Tufinë. Pas identifikimit të tre vëllezërve Alla si autorë të dyshuar, janë zbardhur edhe detaje mbi motivin që dyshohet se fshihet pas ngjarjes. Ervis Alla, Altin Alla dhe Maksim Alla, të cilët kanë një mobileri në Fushë-Krujë, dyshohet se kishin një konflikt financiar me djalin e 72-vjeçarit, në banesën e të cilit u vendos lënda plasëse.

Sipas të dhënave paraprake, djali i 72-vjeçarit kishte bërë një porosi për disa mobilje në mobilerinë e tre vëllezërve, por nuk kishte kryer pagesën. Prej disa ditësh, vëllezërit Alla dyshohet se e kishin kërkuar dhe kërcënuar për shlyerjen e borxhit, por nuk kishin mundur të merrnin paratë. Në këto kushte, dyshohet se kanë vendosur t’i japin një “mesazh” me tritol, duke e vendosur lëndën plasëse në derën e banesës ku jetonte babai i tij.

Tre vëllezërit dyshohet se kanë udhëtuar me një automjet drejt Tufinës, kanë vendosur lëndën plasëse në derën e banesës dhe më pas janë larguar nga vendngjarja. Shpërthimi ndodhi rreth orës 00:30 dhe shkaktoi vetëm dëme të pakta materiale. Fatmirësisht, nuk pati persona të lënduar.

Tashmë, një nga pistat kryesore të hetimit është gjurmimi i automjetit me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët. Policia po analizon pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë itinerarit, me qëllim dokumentimin e lëvizjeve të tyre dhe sigurimin e provave të tjera. Tre vëllezërit Alla janë shpallur në kërkim dhe akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Tritol te biznesi i Noizy-t -Gjendet eksploziv i pashpërthyer te dyqani i reperit në Durrës

By: A R
8 August 2026 at 15:01

Policia e Durrësit ka nisur hetimet dhe po punon intensivisht për identifikimin e kapjen e autorëve, pasi në orët e para të mëngjesit të sotëm është gjetur një sasi lënde e dyshuar eksplozive në një biznes në zonën e Plazhit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 13 në Plazh, Durrës. Mësohet se sasia e vogël e lëndës plasëse është gjetur e pashpërthyer pranë derës së hyrjes së një dyqani në pronësi të këngëtarit Rigels Rajku (Noizy).

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor për të kryer veprimet procedurale.

Aktualisht po këqyren pamjet e kamerave të sigurisë në zonën rrethuese dhe po mblidhen provat materiale me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit apo autorëve të dyshuar.

Sherr mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës – Deputetja e AAK gjuan me vezë drejt Kurtit! Tensione në seancën konstituive

By: A R
8 August 2026 at 13:29

Ka rinisur punimet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila ka startuar më 6 gusht. Seanca po drejtohet nga kryesuesi Avni Dehari, ndërsa në sallë janë të pranishëm 109 deputetë.

Raportohet se situata është shoqëruar me tensione pasi deputetja e AAK, Time Kadriaj ka goditur me vezë drejt kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke nxitur përplasje mes të gjithë deputetëve në sallë.

Pavarësisht tensioneve dhe kaosit të krijuar në përplasjen mes parlamentarëve, seanca e sotme është thirrur për të shqyrtuar vetëm dy pika kyçe në rendin e ditës:

-Zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit;

 

 

-Zgjedhjen e Nënkryetarëve të Kuvendit.

-Zgjedhja e kryesisë së re shihet si hapi vendimtar për t’i hapur rrugë konstituimit të plotë të Kuvendit dhe vazhdimësisë së krijimit të institucioneve të reja në vend.

Lushnje/ Flakët përfshijnë furgonin që vinte nga Maqedonia e Veriut, zbulohet shkaku

By: A R
8 August 2026 at 09:31

Një furgon me targa të Maqedonisë së Veriut është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune, në afërsi të një pushimi për shoferët në Lushnje.

Sipas të dhënave paraprake, automjeti po transportonte zogj të vegjël të fushës, të cilët vinin nga Maqedonia e Veriut.

Drejtuesi i furgonit ka konstatuar zjarrin vetëm pasi kishte dalë nga autostrada dhe ishte futur në drejtim të Këmishtajt. Pas njoftimit, shërbimet zjarrfikëse kanë mbërritur shpejt në vendngjarje dhe kanë ndërhyrë për shuarjen e flakëve, të cilat kishin përfshirë kabinën e drejtuesit.

Si pasojë e zjarrit, është dëmtuar një pjesë e konsiderueshme e ngarkesës, ndërsa më shumë se gjysma e zogjve kanë ngordhur.

Ndërkohë, sipas shërbimit zjarrfikës të Lushnjës, paraprakisht dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një defekt në sistemin e kondicionimit të pjesës së ngarkesës.

Situata e zjarreve në vend/ Ministria e Mbrojtjes: 9 vatra të monitoruara, pa rrezik për zonat e banuara

By: A R
7 August 2026 at 22:21

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim mbi situatën e zjarreve në vend, duke njoftuar se gjatë ditës së sotme janë ndjekur 9 vatra zjarri në zona të ndryshme të Shqipërisë. Sipas ministrisë, ndërhyrja e koordinuar e strukturave operacionale nga toka dhe ajri ka bërë që situata të përmirësohet ndjeshëm dhe aktualisht nuk raportohet asnjë rrezik për komunitetet apo zonat e banuara.

Në zonën e Dajtit, zjarri është fikur pas ndërhyrjes së forcave të MZSH-së, Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe mbështetjes nga helikopteri i Forcës Ajrore. Zona vijon të monitorohet, ndërsa edhe vatra në Priskë është shuar plotësisht.

Në Çikallesh të bashkisë Kavajë, ndërhyrja e zjarrfikësve nga Kavaja, Kamza dhe Rrogozhina, e mbështetur nga avioni “Air Tractor”, ka mundësuar izolimin e plotë të zjarrit.Ndërkohë, në Riban, Ngraçan dhe Panahor në bashkinë Mallakastër, flakët janë izoluar në të gjithë perimetrin dhe zonat vijojnë të mbahen nën mbikëqyrje.

Situata në Plan të Bardhë, bashkia Klos, ishte ndër më problematiket për shkak të përhapjes së zjarrit nga era dhe rrezikut për banesa e infrastrukturën elektrike. Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve, Policisë së Shtetit, strukturave vendore, vullnetarëve dhe 25 efektivëve të Forcave të Armatosura, situata është vënë nën kontroll.

Gjithashtu janë shuar plotësisht vatrat në Kostren 2, bashkia Berat, dhe në Uruç, bashkia Peqin. Në Alikomemaj të bashkisë Memaliaj vijon ndërhyrja për një vatër zjarri në një sipërfaqe me pisha./aa

“Mos na zhdukni Rrogozhinën!”/ Qytetarët në protestë kundër planit të qeverisë për bashkimin me Kavajën

By: A R
7 August 2026 at 22:17

Qytetarët e Rrogozhinës janë mbledhur në Parkun e Qytetit për të protestuar kundër ndryshimeve të propozuara në ndarjen territoriale, duke kundërshtuar mundësinë që Bashkia e Rrogozhinës t’i bashkohet Bashkisë së Kavajës.

Me pankarta dhe thirrje “Rrogozhina është e jona”, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre ndaj projektit, duke kërkuar që bashkia të ruajë statusin dhe identitetin e saj administrativ.

Gjatë protestës, qytetarët i bënë thirrje përfaqësuesve të qeverisë që të vizitojnë Rrogozhinën dhe të dëgjojnë nga afër shqetësimet e banorëve. Sipas tyre, Bashkia e Kavajës përballet me problematikat e veta dhe nuk mund të përballojë njëkohësisht edhe nevojat e Rrogozhinës.

Protestuesit kërkuan anulimin e projektligjit për ndarjen territoriale, duke theksuar se Rrogozhina duhet të mbetet një bashki më vete, me përfaqësimin dhe administrimin e saj. Ata paralajmëruan se do të vijojnë reagimet e tyre nëse kërkesat nuk merren në konsideratë nga autoritetet.

“Territorialja”/ Për herë të dytë në protestë, banorët e Memaliajt kundërshtojnë bashkimin me Tepelenën

By: A R
7 August 2026 at 22:10

Banorët e Memaliajt kanë dalë sërish në protestë kundër projektit të ri të ndarjes territoriale, që parashikon bashkimin e Bashkisë së Memaliajt me Bashkinë e Tepelenës. Kjo është protesta e dytë radhazi e organizuar nga qytetarët, të cilët shprehen kundër ndryshimeve të propozuara dhe kërkojnë që Memaliaj të ruajë statusin e tij si njësi vendore më vete.

Protestuesit deklarojnë se bashkimi me Tepelenën do të dëmtojë përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës, ndërsa i bëjnë thirrje qeverisë të rishqyrtojë projektin e ndarjes territoriale.

Banorët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat edhe në ditët në vijim, nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë.

Protesat kundër qeverisë/ Protestuesit nisin marshimin drejt Kryeministrisë

By: A R
7 August 2026 at 20:29

Protestuesit kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të mbajnë edhe fjalimet e tyre, duke përmbyllur kështu ditën e 69-të të protestës.

Nën thirrjet “Rama, jepe dorëheqjen” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”, ata marshuan me pankarta në duar dhe mes sloganeve të forta kundër qeverisë, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të drejtuesve aktualë.

Protestuesit theksojnë se u qëndrojnë të palëkundur kërkesave të tyre dhe se nuk do të pranojnë negociata lidhur me to.

Ata deklarojnë gjithashtu se do të vijojnë protestat deri në largimin e kryeministrit, ndërsa kërkojnë edhe nisjen e hetimeve nga SPAK.

Merr flakë një automjet në lagjen “Apollonia” në Fier, ja çfarë dyshohet se shkaktoi zjarrin

By: A R
7 August 2026 at 20:17

Një automjet është përfshirë nga flakët pak minuta më parë në lagjen “Apollonia” në Fier, duke shkaktuar alarm në zonë.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit, duke parandaluar përhapjen e flakëve te automjetet e tjera të parkuara pranë.

Nga veprimet paraprake dyshohet se shkaku i zjarrit mund të ketë qenë një defekt në impiantin e gazit të automjetit.

Ndërkohë, shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të rënies së zjarrit.

Tentuan t’i fusnin në Shqipëri pa i deklaruar, sekuestrohen 2 ora “Rolex” dhe 351 cigare puro në Portin e Durrësit

By: A R
7 August 2026 at 20:15

Dy ora dore me mbishkrimin “Rolex” dhe 351 cigare puro të markave të ndryshme, të ndara në 36 kuti dhe të padeklaruara, janë konstatuar gjatë një kontrolli në Portin e Durrësit.

Mallrat u zbuluan nga shërbimet e Doganës dhe Policisë Kufitare gjatë kontrollit të një automjeti që tentonte të hynte në vend. Pas verifikimeve, ato u sekuestruan nga autoritetet.

Njoftimi:

Strukturat e Doganës Shqiptare, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, kanë evidentuar një rast të mosdeklarimit të mallrave gjatë kontrollit të një mjeti në Portin e Durrësit.

Gjatë kontrollit u konstatuan:

2 ora dore me mbishkrimin “ROLEX”

351 cigare puro, të markave të ndryshme, të ndara në 36 kuti

Dogana Shqiptare vijon kontrollet dhe bashkëpunimin ndërinstitucional me Policinë e Shtetit, për parandalimin dhe evidentimin e rasteve të mosdeklarimit dhe shkeljeve të legjislacionit doganor.

Nënë e bir shqiptar u përplasën me kamionin dhe humbën jetën/ Eksperti hedh dritë mbi aksidentin tragjik: Diçka e shpërqendroi shoferin

By: A R
7 August 2026 at 19:56

Komuniteti i Serres në Greqi vijon të jetë i tronditur nga aksidenti tragjik rrugor në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, ku humbën jetën një nënë 43-vjeçare dhe djali i saj 21-vjeçar shqiptar. Ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar shkaqet e përplasjes fatale me një kamion, eksperti i sigurisë rrugore Panagiotis Stamiris ka dhënë një analizë të pamjeve të aksidentit, duke ngritur dyshime se përveç shpejtësisë mund të ketë ndikuar edhe një shpërqendrim i drejtuesit të automjetit.

Duke folur për televizionin ERT, Stamiris tha se makina që drejtohej nga 24-vjeçari mund të ketë lëvizur me një shpejtësi më të lartë se kufiri i lejuar për atë segment rruge. Megjithatë, sipas tij, vetëm shpejtësia nuk duket të jetë arsyeja e vetme e humbjes së kontrollit. “Automjeti devijon shumë përpara pikës së përplasjes dhe mënyra se si largohet nga korsia tregon se nuk bëhet fjalë vetëm për një devijim të shkaktuar nga shpejtësia. Mund të ketë pasur një shpërqendrim, ndoshta përdorim telefoni apo diçka tjetër”, u shpreh eksperti.

Sipas analizës së tij, drejtuesi i mjetit nuk ka reaguar në kohë pasi makina ka kaluar në korsinë e kundërt. “Që nga momenti kur automjeti fillon të largohet nga korsia e tij, shoferi kishte mundësi ta korrigjonte drejtimin. Por ai vazhdon për disa metra në korsinë e trafikut përballë dhe vetëm më pas përpiqet të kthehet”, tha Stamiris.

Eksperti vlerësoi se automjeti mund të ketë qenë duke lëvizur me një shpejtësi mbi 70–80 km/orë, bazuar në pamjet dhe dëshminë e një drejtuesi tjetër në rrugë. “Shpejtësia ishte e rritur dhe besoj se ishte mbi kufirin e lejuar. Kur një automjet kalon shpejtësinë kritike në një kthesë, mund të humbasë kontrollin dhe të devijojë”, shpjegoi ai.

 

 

Megjithatë, Stamiris theksoi se reagimi i vonuar i drejtuesit mbetet një nga elementët më të rëndësishëm për t’u hetuar. “Skenari mund të jetë që ai e ka kuptuar me vonesë çfarë po ndodhte, ose për shkak të mungesës së përvojës nuk ka arritur ta vlerësojë siç duhet situatën”, përfundoi eksperti. Aksidenti i rëndë i mori jetën 43-vjeçares dhe djalit të saj 21-vjeçar, duke shkaktuar tronditje të madhe në zonën e Serres.

❌