Normal view

Asllani ka “humbur”/ Mesfushori kuqezi i harruar te zikaltërit për 6 ndeshje

1 May 2025 at 12:34

Disa herë u duk se po ia dilte. Liga e Kampionëve e këtij sezoni pati disa momente të mira për Kristian Asllanin, veçse kohët e fundit, ai sikur është lënë fare prapa liste.

Mesfushori I kombëtares shqiptare e kaloi në stol duelin e Championsit në Katalonjë, e treta herë radhazi që I ndodh, ndonëse në sfidën e parë kundër Bajernit në Gjermani ishte I pezulluar.

Kombinuar kjo me dy ndeshje radhazi që nuk aktivizohet në Serinë A, dhe me vetëm 6 minuta në kampionat në tri sfidat e fundit, kuptohet që situata nuk është ndër më të mirat.

Që nga java e parë e prillit, 23-vjeçari është harruar nga trajneri Simone Inzagi, me vetëm dy raste si titullar.

Kjo ndodhi në fillim të prillit në Serinë A në fushën e Parmës, në barazimin fatkeq 2-2, dhe në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë të humbur 0-3 ndaj Milanit, ku gjithashtu për shqiptarin pati shumë kritika.

Vlen të theksohet se këtë sezon, Asllani pati më shumë hapësirë në Champions, dhe në çdo konkurrim në përgjithësi. Ai arriti në 334’ në Europë, më lart sesa 202 minutat e vjetshme, dhe 125 minuta në edicionin 2022-2023.

Mesfushori kuqezi u dallua në dy prej sfidave, në Pragë ndaj Spartës vendase kur zikaltërit fituan 1-0, dhe në Roterdam kundër Fejënordit, ku thuajse shënoi me goditje dënimi. Për herë të fundit në Champions, luajti në Inter-Fejënord në 11 mars të këtij viti./abcnews.al

Inter mbijeton në Katalonjë/ Champions, spektakël e barazim në gjysmëfinalen e parë

1 May 2025 at 10:59

Ja ku u ekzekutua një tjetër himn për futbollin. Në një nga kthesat e forta të këtij sporti, u kuptua se nuk mund të shpallesh I vdekur edhe kur humb tri ndeshje radhazi, e kur kompromenton shanset për dy nga tre trofetë e mundshëm.

Interi tregoi në Katalonjë se mbetet gjallë, madje duke qenë I rrezikshëm, dhe barazimi 3-3 në gjysmëfinalen e parë në Champions ndaj Barcelonës I jep shpresë të madhe. Gjithsesi, përtej asaj nëse mund të jesh zikaltër apo blaugrana, vërtet që ndeshja në stadiumin “Montzhuik” ishte një dedikim për lojën e bukur.

E vërtetë që sulmin e bëri kryesisht Barça e trajnerit Hansi Flik, që në Itali po e krahasojnë si ithtar I filozofisë aventuriere dhe tepër të bukur të ish-teknikut çek, Zdenek Zeman.

Interi ishte aty, dhe madje pati dy herë epërsinë, deri në 2-0 e pastaj në 3-2. Sidoqoftë, në traditën në klasike italiane, u mbrojt fort, deri në 8-9 lojtarë pranë zonës, dhe provoi kundërsulmin.

Tepër cinik, por edhe me karakterin e kampionëve që duan të reagojnë pas disa dështimeve radhazi. Markus Turam shënoi dhe tregoi se përse u ndje mungesa e tij.

Denzel Damfris ishte një holandez fluturues që nga mbrojtja, me dy golat e tij. Në fund, vetëm një pozicion jashtë loje milimetrik I hoqi avantazhin 4-3 zikaltërit tjetër Mkitarian.

Po Barcelona?

Lamin Jamal u duk sikur po luante nga yjet, dhe katalanasit e mbyllën Interin në portë.

19 gjuajtje ndaj 7, 9 në portë kundër 3, 72 për qind mbajtje topi dhe kornet 7-2!

Shifrat flasin vetë, por një mbrojtje italiane është e vështirë të çahet shpesh, aq më tepër kur pëson tre gola.

Jamal, Ferran Torres dhe Rafinja ishin autorët e rrjetave për Barçën, ndonëse të fundit e futi në portën e tij portieri Zomer.

“Unë e vlerësoj shumë atë që lojtarët e mi bënë në këtë ndeshje. Luajtëm një futboll fantastik, ndonëse mënyra sesi pësuam golat nuk ishte aq e këndshme. Ne duhet të diskutojmë për këtë, por mënyra dhe stili sesi ne luajtëm ishin fantastikë”.

“Mama mia, – titullon në italisht “El Mundo Deportivo”, – Barça do të synojë finalen në Milano. Duel I çmendur! Lamin konsakrohet yll botëror!”

“Me Laminin gjithçka është e mundur”, – thërret katalanasja tjetër “Sport, që thekson se lojtari I Barcelonës habiti gjithë botën!”

“La Gazeta delo Sport” e cilësoi ndeshjen “yjore” dhe “të çmendur”: Avantazh zikaltër, por Jamal është një magjistar!

“Il Korriere delo Sport” “flet” spanjisht: Korazon Inter! Përfundon 3-3 gjysmëfinalja në Champions! Inzagi mposht Barçën, barazim dhe pendesa!”

Trajneri zikaltër Inzagi e përmendi këtë keqardhje.

“Ne u treguam të zotët. Bëmë ndeshjen që duhej, edhe pse e patëm të vështirë. Ishim ne që bëmë ndeshjen dhe më vjen keq për avantazhin 2-0 dhe për golin e anuluar nga Mkitarian. Na vjen keq që nuk fituam, por luajtëm ndaj skuadrës që në këtë moment është më e bukura dhe me nivelin më të lartë teknik në botë”.

Fati I kualifikimit do të vendoset në “San Siro” të martën e 6 majit, dhe shanset mund të konsiderohen të barabarta./abcnews.al

❌