Protestat prekin qarkullimin kufitar/ Kamionistët grevë 48-orëshe, nuk lejohet kalimi në Mal të Zi nga nesër në orën 11:30
Automjetet e transportit të mallrave do të kenë të ndaluar të hynë dhe të dalin në pikat kufitare që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut.
Duke filluar nga mesnata e 26 janarit do të bllokohet hyrja në vendin fqinj ndërsa nga ora 12:00 e së njëjtës datë do të bllokohet edhe dalja nga territori i tij.
Kjo për shkak të një proteste që pritet të zhvillohet në Maqedoninë e Veriut nga një shoqatë e transportit të mallrave.
Ndërkohë mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë ilaçe ose bagëti do të lejohen të qarkullojnë normalisht.
Pa kufizime do të vijojë dhe qarkullii I automjeteve të udhëtarëve.
Në protestë 48 orëshe duke nisur nga ora 11:30 e 26 janarit do të dalë dhe Shoqata e Kamionistëve të Republikës së Malit të Zi.
Kamionët të hënën do të parkohen pranë disa pikave kufitare duke bllokuar e kalimit për mjetet e transportit të mallrave.
Sipas policisë kufitare për të shmangur bllokimin e rrugëve apo incidente të mundshme nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, nga Shqipëria në Malin e Zi, deri në përfundim të protestës.
Në akset rrugore që të çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Malit të Zi, do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet e vogla, automjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.
Shoferët e kamionëve do të dalin në protestë sepse kërkojnë ndryshime në nivelin e akcizës, kthimin e saj për litër karburanti, kthim më të shpejtë të TVSH-së, orare më të gjata pune të doganave dhe inspektorateve fitosanitare në kufij, ndryshime në ETIAS dhe staž pune të favorizuar.
Ndërprerja e qarkullimit është edhe pjesë e protestës rajonale të transportuesve të mallrave nga Serbia, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, për shkak të kufizimit të punës së shoferëve profesionistë në vendet e Shengenit në maksimum 90 ditë brenda gjashtë muajve.