Normal view

Shpëtohen 9 turistë të huaj në Himarë dhe Ksamil, rrezikonin të mbyteshin në det

13 July 2026 at 21:25


Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare në Shqipëri ka njoftuar se janë shpëtuar nëntë turistë të huaj në dy raste të ndryshme të ndodhura sot, më 13.07.2026, në Himarë dhe Ksamil.

Policia ka njoftuar se në Himarë pas njoftimit të marrë nga një shtetase spanjolle se i fejuari i saj, shtetasi spanjoll A. G., kishte mbetur në vështirësi në det, në zonën e Filikurit, pasi kajaku me të cilin po lundronte ishte fundosur, shërbimet e Policisë Kufitare organizuan menjëherë operacionin e kërkim-shpëtimit.

Në njoftim të Policisë thuhet se brenda një kohe të shkurtër u bë i mundur lokalizimi i tij, nxjerrja nga uji dhe transportimi në mënyrë të sigurt pranë Pikës së Kontrollit Kufitar Himarë, duke shmangur pasoja për jetën.

Ndërsa, në Ksamil, rreth orës 12:45, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë për t’u ardhur në ndihmë 8 turistëve brazilianë, pjesëtarë të së njëjtës familje, pasi mjeti i tyre lundrues, tip skaf plastik, rrezikonte të fundosej në zonën prapa vendit të quajtur “Tre Ishujt”.

“Falë ndërhyrjes së shpejtë me gomone dhe jet ski, të gjithë turistët u shpëtuan, ndërsa mjeti lundrues u rimorkua në mënyrë të sigurt drejt plazhit “Puerto Rico”, në Ksamil”- thuhet në njoftim.

Ndërsa është bërë e ditur se të dyja ndërhyrjet u përmbyllën me sukses, pa pasoja për jetën apo shëndetin e turistëve, të cilët shprehën mirënjohjen dhe falënderimet e tyre për profesionalizmin, gatishmërinë dhe reagimin në kohë të shërbimeve të Policisë Kufitare.

Tutje thuhet se Policia Kufitare mbetet maksimalisht e angazhuar për garantimin e sigurisë së jetës në det dhe apelon për respektimin e rregullave të lundrimit, përdorimin e mjeteve të sigurisë, si dhe shmangien e lundrimit në zona që paraqesin rrezik.


Fanpage.it: Ksamili, mes destinacioneve më të lira dhe mahnitëse për pushime verore në Evropë

18 June 2026 at 08:51


Shqipëria po renditet gjithnjë e më shpesh në listat e destinacioneve më të përballueshme dhe magjepsëse për verën 2026.

Në këtë renditje spikat veçanërisht Ksamili, i përfshirë mes vendeve, që duhen vizituar me patjetër, falë bukurisë së tij natyrore, ishujve piktoreskë dhe atmosferës unike që tërheq çdo vit, mijëra turistë nga e gjithë Evropa.

Në një kohë kur pasiguritë gjeopolitike dhe sfidat ekonomike vijojnë të ndikojnë në planifikimin e pushimeve, destinacionet që kombinojnë bukuritë natyrore me kosto të përballueshme po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendjen e turistëve.

Ndërsa ishujt dhe zonat bregdetare shpesh perceptohen si destinacione të kushtueshme, një sërë alternativash në Evropë dhe rajonin përreth ofrojnë mundësinë e pushimeve cilësore pa shpenzime të mëdha.

Media italiane “Fanpage.it” ka përzgjedhur pesë destinacione parajsore në Evropë, për një javë pushime në korrik, duke analizuar kostot e jetesës, fluturimeve dhe akomodimit.

Shqipëria vazhdon të fitojë terren në hartën e turizmit evropian.

Pas një seri renditjesh prestigjioze ndërkombëtare, Shqipëria është përfshirë edhe në listën e destinacioneve më të lira dhe më mahnitëse për pushime verore.

Media italiane e ka renditur Shqipërinë mes destinacioneve evropiane si Greqia, Kroacia, Malta dhe Turqia, duke veçuar Ksamilin si një nga vendet që ofron ujëra të kristalta, peizazhe përrallore dhe kosto të përballueshme, për turistët që kërkojnë pushime parajsore pa shpenzuar shumë.

Ksamili, parajsa shqiptare në brigjet e Jonit

I vendosur në jug të Shqipërisë, vetëm pak kilometra larg kufirit me Greqinë dhe përballë ishullit të Korfuzit, Ksamili është shndërruar, vitet e fundit në një nga destinacionet më të preferuara të Ballkanit, falë ujërave të kristalta dhe ishujve të vegjël, që mund të arrihen lehtësisht me varkë.

Nuk është rastësi që shumë turistë e krahasojnë këtë perlë të Rivierës Shqiptare me Maldivet.

Ksamili bën pjesë në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe ndodhet pranë sitit arkeologjik me të njëjtin emër, i cili është pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe ruan dëshmi të rëndësishme të periudhave greke, romake dhe bizantine.

Plazhet me rërë të bardhë dhe deti bruz – që të kujtojnë Karaibet – përbëjnë atraksionin kryesor të zonës, por vizitorët mund të shijojnë edhe aktivitete të tjera si, ekskursionet me kajak apo shëtitjet me varkë përgjatë bregdetit.

Përsa i përket kostove, “Fanpage.it”vlerëson se një javë pushime për dy persona, nga 18 deri më 25 korrik, kushton rreth 300-350 euro për person, duke përfshirë transportin dhe akomodimin.

Kjo e bën Ksamilin një nga destinacionet më të lira dhe më tërheqëse për pushime verore në Evropë. /ATSH/

Fenomen i rrallë atmosferik në Ksamil, shfaqen vorbulla ajri mbi det

4 June 2026 at 13:53


Ksamil është përfshirë sot nga një fenomen i pazakontë atmosferik, teksa mbi ujërat e detit janë shfaqur vorbulla ajri të ngjashme me tornado, duke krijuar një spektakël të rrallë natyror që ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe turistëve.

Pamjet e fenomenit janë filmuar nga qytetarë dhe pushues që ndodheshin pranë plazheve të Ksamilit.

Vorbullat e ajrit u shfaqën për disa minuta mbi sipërfaqen e detit, duke krijuar një skenë mbresëlënëse dhe jo të zakonshme për këtë zonë bregdetare.


Shoferi i dehur përplas me veturë dyvjeçarin në Ksamil, dërgohet në spital

8 April 2026 at 12:52


Një dyvjeçar është përplasur nga vetura gjatë ditës së sotme në Ksamil.

Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Hasan Tahsini”, ku një 48-vjeçar, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, aksidentoi fëmijën.

Dyvjeçari ndodhet në Spitalin e Sarandës, nën kujdesin e mjekësve.

“Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 48 vjeç, banues në Ksamil, i cili, në rrugën “Hasan Tahsini”, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka aksidentuar një fëmijë 2 vjeç. I mituri ndodhet në Spitalin e Sarandës, nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e policisë, raporton Ora News.

Operacioni “Siguria Detare” në Ksamil, shpëton 28 pushues që po rrezikoheshin në det të hapur

24 August 2025 at 17:59

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se po vijon me intensitet operacionin “Siguria Detare”, përmes monitorimeve dhe kontrolleve në hapësirat detare, liqenore dhe lumore, me synim rritjen e sigurisë së pushuesve.

Sipas njoftimit, gjatë javës së fundit nga Koman në Ksamil janë kontrolluar gjithsej 414 mjete lundruese, prej të cilave 26 janë bllokuar për shkelje të ndryshme: 16 jet ski, 4 skafe, 3 gomone, 3 varka metalike me motor uji.

Policia njofton se 11 mjete lundruese janë kapur duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë gjobitur me nga 100 mijë lekë secili.

Po ashtu, falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare dhe Njësisë Policore Detare, janë shpëtuar në det 28 persona (shqiptarë dhe të huaj), si dhe janë ndihmuar 9 mjete lundruese në vështirësi.

Policia Kufitare u bën thirrje qytetarëve dhe pushuesve që të respektojnë rregullat e lundrimit:

Të mos shkelin perimetrin e sigurisë

Të lundrojnë vetëm në zonat e lejuara

Të pajisen me mjetet e nevojshme të shpëtimit

Policia e Shtetit apelon gjithashtu që çdo shkelje e rregullave të denoncohet në numrin pa pagesë 112, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe marrjen e masave konkrete ndaj shkelësve.

The post Operacioni “Siguria Detare” në Ksamil, shpëton 28 pushues që po rrezikoheshin në det të hapur appeared first on Telegrafi.

Turistet italiane kapen ‘mat’ duke vjedhur në Ksamil

22 August 2025 at 23:32

Ksamil, një destinacion i njohur për ujërat e pastra dhe plazhet e bukura, po tërheq jo vetëm turistë, por edhe persona me qëllime kriminale.

Së fundmi, Policia e Sarandës ka arritur të ndalojë tre shtetase italiane, të cilat vodhën sende me vlerë në bulevardin qendror të Ksamilit.

Në kuadër të luftës kundër krimit ndaj pronës, strukturat hetimore të Policisë së Sarandës morën njoftimin për një vjedhje dhe, falë veprimeve të shpejta, arritën të identifikojnë dhe dokumentojnë rastin.

Si rezultat i hetimeve, u arrestua në flagrancë 21-vjeçarja italiane M. D., ndërsa dy bashkëpunëtoret e saj, G. D., 18 vjeçe, dhe G. C., 22 vjeçe, u proceduan penalisht në gjendje të lirë.

Sipas hetimeve, tri vajzat dyshohet se kanë vjedhur një sasi bizhuterish, parfumash dhe suveniresh me vlerë rreth 150 000 lekë, të cilat ndodheshin në stenda. Një pjesë e sendeve të vjedhura u sekuestruan si provë materiale.

Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë, pasi shtetaset italiane akuzohen për veprën penale të “Vjedhjes”, kryer në bashkëpunim. Ky rast dëshmon se Policia mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe turistëve, pavarësisht kombësisë së tyre.

The post Turistet italiane kapen ‘mat’ duke vjedhur në Ksamil appeared first on Telegrafi.

Vodhi 6,000 euro në një hotel në Ksamil, arrestohet hajduti serial

6 January 2025 at 12:00

Policia e Sarandës ka identifikuar dhe vënë në pranga brenda 24 orëve të dyshuarin si autor të vjedhjes së një sasie parash në një hotel në Ksamil.

Arif Mance, 38 vjeç, banues në Tiranë, është identifikuar përmes pamjeve filmike si autor i vjedhjes së një shume prej 6000 eurosh në hotelin “Koko” në qendër të Ksamilit. Ai ka vepruar i vetëm, por ka qenë i pakujdesshëm për t’u fshehur nga kamerat e sigurisë. Mance rezulton person me precedentë të theksuar kriminalë, i arrestuar dhe dënuar disa herë për vjedhje në Tiranë, Laç dhe qytete të tjera të Shqipërisë.

Policia e Sarandës po vijon hetimet për të zbuluar nëse Mance mund të ketë kryer vjedhje të tjera në Sarandë dhe Ksamil. /Telegrafi/

The post Vodhi 6,000 euro në një hotel në Ksamil, arrestohet hajduti serial appeared first on Telegrafi.

❌