Normal view

“Nga janari-shtator kishim 4.5 mln vizitorë!” -Kumbaro në parkun Drilon-Tushemisht: Interesi i turistëve në zonat e mbrojtura është në rritje

By: P. Gj.
19 October 2024 at 14:46

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka qenë e pranishme në Parkun Natyror Drilon-Tushemisht ditën e sotme, së bashku me fondacionin Shqiptaro-Amerikan, nga ku foli për menaxhimin e zonave të mbrojtura në vendin tonë.

Kumbaro u shpreh se nga janari i këtij viti, e deri në fund të shtatorit zonat e mbrojtura janë vizituar nga 4.5 milionë turistë.

Sipas ministres, interesi për vizitën e zonave të mbrojtura është në rritje.

Mirela Kumbaro: Zonat e mbrojtura në Shqipëri kanë bashkëjetuar dhe janë të tilla falë njerëzve që jetojnë dhe punojnë në këto zona. Shqipëria është shumë e vogël për të pasur hapësira gjigante krejt të egërta pa ndërhyrje nga njerëzit. Njerëzit përmes traditës, zakoneve dhe artizanatit bujqësor apo urban kanë bërë që të kemi zona të tilla të mbrojtura siç është Tushemishti, Driloni. Një falënderim shumë të sinqertë për Fondacionin Shqiptaro Amerikan për Zhvillim. Nga janari deri në fund të shtatorit kemi pasur 4.5 mln vizitorë në zonat e mbrojtura të Shqipërisë. Është shifër e barabartë me totalin e vizitorëve në vitin e kaluar në këto zona që do të thotë interesi për vizitorët për zonat e mbrojtura është në rritje.

Ka qenë kryeministri Edi Rama i cili ka ndarë pamje nga vizita e Mirela Kumbaros, e cila përveçse Fondacionit Shqiptaro-Amerikan, ka qenë gjithashtu e shoqëruar dhe nga Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Niko Peleshi.

Rama shkruan se ndërhyrja në Parkun Natyror Drilon-Tushemisht ka sjellë një ‘tjetër hov’ turizmit të natyrës.

Postimi i plotë i Edi Ramës:

Parku Natyror Drilon-Tushemisht tërësisht i rilindur, ku bashkë me Qendrën e re të Vizitorëve krijon një gjerdan të ri dedikuar ekoturizmit në Pogradec
Një shembull i shkëlqyer i forcës transformuese të projekteve të mira ku së bashku me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit i jepet një tjetër hov turizmit të natyrës, duke ndërhyrë me metoda miqësore ndaj mjedisit për të shtuar turistët në këto perla natyrore si mënyra më e mirë e arritjes së turizmit të qëndrueshëm dhe zhvillimit të komunitetit ️

The post “Nga janari-shtator kishim 4.5 mln vizitorë!” -Kumbaro në parkun Drilon-Tushemisht: Interesi i turistëve në zonat e mbrojtura është në rritje appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

“Plan i ri strategjik për Universitetin ‘Luigj Gurakuqi'” -Manastirliu në Shkodër: Do modelojmë ofertën akademike të saj

By: P. Gj.
19 October 2024 at 10:43

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, ku deklaroi se do të hartohet një plan strategjik për zhvillimin e universitetit, i cili synon ta kthejë këtë universitet në një qendër strategjike rajonale të arsimit të lartë.

Gjatë takimit me rektorin, Prof. Dr. Tonin Gjuraj dhe pedagogët e universitetit, Manastirliu tha se do të nisë menjëherë puna për planin e zhvillimit të Universitetit të Shkodrës.

“Puna për planin e zhvillimit do të nisë menjëherë për strategjinë e re të Universitetit të Shkodrës 2030. Së bashku me stafin drejtues dhe pedagogët e këtij universiteti, por edhe me një ekspertizë nga diaspora akademike, do të modelojmë ofertën akademike për Universitetin e Shkodrës, për ta bërë më tërheqëse për të rinjtë e Shkodrës dhe më gjerë.”, tha ajo

Ajo u ndal edhe te investimet në infrastrukturën kërkimore shkencore për universitetet, te ridimensionimi i programeve të studimeve dhe roli i ekspertizës akademike nga diaspora në procesin drejt ndërkombëtarizimit të universiteteve tona.

“Ne sot jemi këtu jo vetëm për të parë nga afër investimet që kanë ndodhur, por edhe nevojën që kemi për të rritur investimet në universitet, qoftë përsa i përket laboratorëve të kërkimit shkencor, por edhe përsa i përket investimeve në raport me ndërkombëtarizimin, programet e përbashkëta, diplomat e dyfishta, të cilat kërkojnë një punë jo vetëm në aspektet e përmirësimit të mësimdhënies, por edhe në aspektet e zhvillimit të kërkimit shkencor dhe infrastrukturës shkencore në universitet. Kemi bërë të mundur ngritjen e këtij laboratori të ushqimit në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, por kjo është vetëm faza e parë sepse do duhet të vijojmë me fazën tjetër për të patur një laborator të akredituar, një qendër ekselence që i shërben jo vetëm kërkimit shkencor për universitetin, por pse jo, edhe për shërbime që u duhen të tretëve.”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Ministrja tha se është gati një dokument strategjik për politikat e arsimit të lartë, i cili synon ta udhëheqë arsimin e lartë shqiptar në drejtim të ndërkombëtarizimit.

“Shumë shpejt kemi prezantimin e Dokumentit Strategjik për politikat e arsimit të lartë, që synon të udhëheqë institucionet e arsimit të lartë në rrugën e ndërkombëtarizimit, duke e bërë arsimin e lartë në Shqipëri konkurrues, me një ofertë akademike bashkëkohore.”, u shpreh ajo.

The post “Plan i ri strategjik për Universitetin ‘Luigj Gurakuqi'” -Manastirliu në Shkodër: Do modelojmë ofertën akademike të saj appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Vihen në pranga dy autorët e dy vjedhjeve në Korçë! Njëri prej tyre i shpallur në kërkim nga blutë e kryeqytetit, i dyshuar për…

By: P. Gj.
18 October 2024 at 09:52

Dy 35 vjeçarë janë arrestuar nga Policia e Korçës, pasi dyshohen të kenë vjedhur dy motomjete.

Në pranga kanë rënë shtetasit V.B., dhe L.R., të dy 35 vjeç dhe banues në Tiranë.

Dyshohet se ata kanë vjedhur motomjetin e një 69 vjeçari në fshatin Melçan të Korçës në datë 16 tetor ndërsa në datë 13 tetor kanë vjedhur motorin e një 16 vjeçari në qytet.

Uniformat blu njoftojnë se shtetasi L.R., është i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës pasi dyshohet të jetë autori i disa vjedhjeve të motomomjeteve në kryeqytet.

Njoftimi i policisë:

Korçë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Repeat”, për zbardhjen e vjedhjes së 2 motomjeteve.

Identifikohen, kapen dhe vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të vjedhjeve. Njëri prej tyre, në kërkim nga Policia e Tiranës, për vjedhje motomjetesh.

Sekuestrohet një motomjet i dyshuar i vjedhur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Repeat”. Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera gjatë operacionit, u identifikuan, u kapën dhe u vunë në pranga autorët e dyshuar të 2 vjedhjeve, shtetasit:

V. B., 35 vjeç dhe L. R., 35 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 16.10.2024, kanë vjedhur motomjetin e 69-vjeçari, në fshatin Melçan, Korçë, ndërsa më datë 13.10.2024, kanë vjedhur motomjetin e një 16-vjeçari, në qytetin e Korçës.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi L. R. ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 2 Tiranë, si i dyshuar për vjedhjen e disa motomjeteve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

The post Vihen në pranga dy autorët e dy vjedhjeve në Korçë! Njëri prej tyre i shpallur në kërkim nga blutë e kryeqytetit, i dyshuar për… appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Vrau me thikë 15 vjeçarin, lihet në burg autori bashkëmoshatar! Ja çfarë vlerësoi psikologu i të miturit

By: P. Gj.
17 October 2024 at 13:10

Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 15 vjeçarin Klodian Kolbuçaj, i cili vrau me thikë mbrëmjen e 14 tetorit bashkëmoshtarin e tij Emiljano Gjoni.

Bazuar në raportimet e burimeve bëjnë me dije se Kolbuçaj është vlerësuar nga psikologu se ishte në gjendje shoku psikologjik ndaj edhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë gjatë seancës për masën e sigurisë.

Ka qenë Prokurori i çështjes, Ndriçim Halilaj, i cili kërkoi masën “arrest në burg”. Kjo kërkesë u pranua nga gjyqtari Albert Keraj.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i Klodian Kolbuçajt kërkoi interesin më të lartë në shërbim të miturit që lidhet me vlerësimin psikologjik dhe gjendjen e tij.

 

 

The post Vrau me thikë 15 vjeçarin, lihet në burg autori bashkëmoshatar! Ja çfarë vlerësoi psikologu i të miturit appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Tentoi të kontrabandonte mallra të ndryshme, vihet në pranga 41 vjeçari turk në pikën kufitare të Kapshticës

By: P. Gj.
16 October 2024 at 14:52

Një shtetas turk është arrestuar në pikën kufitare të Kapshticës, pasi tentoi të kontrabandonte në Shqipëri mallra të ndryshme, duke i fshehur në bagazhin e autobusit që drejtonte.

Në pranga ka rënë shtetasi N.S., 41 vjeç.

Ai akuzohet për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.

Sakaq, mallrat janë sekuestruar nën cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

Tentoi të kontrabandonte në Shqipëri, mallra të ndryshme, duke i fshehur në bagazhin e autobusit që drejtonte, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 41-vjeçari (shtetas turk).

Sekuestrohen mallrat.

Në vijim të punës së shërbimeve të Policisë Kufitare, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, në PKK Kapshticë, në hyrje të RSh-së, u kalua në vijë të dytë, për kontroll të detajuar, autobusi me drejtues shtetasin turk N. S. Gjatë kontrolleve, në bagazhin e autobusit, u gjetën të fshehura mallra të ndryshme, të cilat shtetasi N. S. po tentonte t’i fuste në Shqipëri, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë arrestuan në flagrancë shtetasin N. S., 41 vjeç, banues në Turqi, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”. Gjithashtu, sekuestruan në cilësinë e provës materiale, mallrat.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

The post Tentoi të kontrabandonte mallra të ndryshme, vihet në pranga 41 vjeçari turk në pikën kufitare të Kapshticës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Këlliçi në “National Summit” në SHBA, demokrati: PD beson te Trump si kontribuues i paqes dhe sigurosë për rajonin tonë

By: P. Gj.
14 October 2024 at 10:43

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka qenë sërish i pranishëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në konferencën “National Summit” të organizuar në Michigan.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Këlliçi shprehet se Partia Demokratike mbështet ish-Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Sipas tij, PD beson se Trump do të jetë një kontribuues i paqes dhe sigurisë për rajonin tonë.

Po kështu, Këlliçi sqaron se ky samit kishte folës kryesor Lara Trump, bashkëdrejtuese e Komitetit Kombëtar Republikan, Kongresmenët Darrell Issa dhe John James, e drejtues të ndryshëm të Partisë Republikane të zonës.

Postimi i plotë i Belind Këlliçit:

Privilegj të isha i ftuar në National Summit, konferencë e organizuar në Michigan, ku një nga çështjet që u trajtua ishte siguria në botë dhe paqja në Lindjen e Mesme.
Ky event kishte folës kryesor Lara Trump, bashkë drejtuesen e Komitetit Kombëtar Republikan (RNC) i cili është organi kryesor i Partisë Republikane Amerikane dhe është përgjegjës për zhvillimin dhe promovimin e platformës politike të republikanëve si dhe harton strategjinë elektorale.
Gjithashtu Kongresmenët Darrell Issa i Kalifornisë dhe John James i Michiganit, si dhe drejtuesit e Partisë Republikane në Michigan, konfirmuan se siguria është prioritet kryesor për Presidentin Trump dhe plani i tij është garanci për paqen e stabilitetin kudo në botë, në këto kohë të trazuara!
Partia Demokratike beson tek Presidenti Trump dhe alternativa e tij. Si kontribues i paqes dhe sigurisë ai do jetë një garanci dhe për rajonin tonë.
Rritja dhe konsolidimi i raporteve me partnerët strategjikë dhe me republikanët në veçanti si parti e jona simotër, ka një rëndësi të veçantë për vendin tonë dhe për forcën tonë politike

The post Këlliçi në “National Summit” në SHBA, demokrati: PD beson te Trump si kontribuues i paqes dhe sigurosë për rajonin tonë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Shtypi i ditës/ Lexoni faqen e parë të gazetës “Panorama” dhe “Panorama Sport”

By: P. Gj.
14 October 2024 at 08:10

Në faqen e parë të gazetës “Panorama” do të lexoni:gazeta

Titujt kryesorë:

Unaza e madhe/ Vlera e shpronësimeve arrin 4 miliardë lekë, përfituesit

“Jemi gati për shtet bektashi”, Baba Mondi tregon kërkesën që i është drejtuar qeverisë

“Asnjë emigrant s’mund të dalë nga Shëngjini dhe Gjadri”, Rama: Ç’ndodh nëse largohen nga kampi

Anija e pare me emigrante nga Italia mund te niset te mërkurën. Ministri Piantedosi: Nuk do te ketë ndonjë ceremoni inaugurimi

Procedura/ Ndryshon udhëzimi, si do të bëhen transferimet në gjimnaz

Nga 16-18 tetor/ Tri ditët e teatrit me “Agnesa e Zotit”, në Durrës

Historia e rrallë e “Nënat labe”, të Fatmir Haxhiut/ NGA UVIL ZAJMI

DOSSIER

Momentet e fundit të jetës së Migjenit, cila i qëndroi pranë “poetit të mjerimit”

OPINION

Për shkencën, investim të shumëfishuar e ligj konsensual/ NGA PROF. MYQEREM TAFAJ

“Inteligjenca Artificiale dhe fati i njerëzimit”/ NGA GJENERAL PIRO AHMETAJ

Në faqen e parë të gazetës “Panorama Sport” do të lexoni:gazeta1

Titujt kryesorë:

GJEORGJI-SHQIPËRI SOT 18:00 “Beteja e Tbilisit”, Silvinjo: Reagojmë ose jemi… jashtë

Ndryshimet me “pikatore”, si mund të luajno kuqezinjtë

Ismajli: Janë të fortë, ja dalim vetëm duke qenë grup

Skandali në Çəki, mungoi reagimi nga stoli dhe fusha

EKSKLUZIVE Ish-kapiteni analizon kuqezinjtë: Ekipit i mungon uria e kualifikueseve

“Absurde që Muçi dhe Hoxha luajnë pak, Silvinjo të jetë më i besueshëm”- Tare: Trajneri konfuz, kjo Shqipëri është në gjumë

Partizani, “SMS” nga stoli për Veselinoviçin

Tirana bën plane për janarin, ja çfarë synohet

Vllaznia, Patushi: Brdariç duhet të rregullojë mbrojtjen

Gjermani-Holandë, “premtohet” goleadë

Italia në fushë, Spaleti: Duhen 3 pikë për kreun

Spanja fiton me kosto, Jamal i alarmon të gjithë

Anglia bën tris, Grilish zbulon bastin 500 paund

Çimkë në dhomë, përgjohet fjalimi i Erik Ten Hag

The post Shtypi i ditës/ Lexoni faqen e parë të gazetës “Panorama” dhe “Panorama Sport” appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Ismajli në radarët e Juventusit, Empoli tani ngutet t’i rinovojë kontratën

By: I K
12 October 2024 at 20:50

Ardian Ismajli është kthyer në ditët e fundit në një protagonist të merkatos në futbollin italian. Paraqitjet e tij me skuadrën e Empolit, kanë bërë që shumë klube të mëdha të kthejnë sytë nga mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili po kalon një moment të shkëlqyer të karrierës.

ISMAJLI

Më së fundmi, në listë është shtuar edhe Juventusi, i cili raportohet se po monitoron atë si zëvendësuesin perfekt për Bremer të dëmtuar. Një situatë që lehtësohet nga fakti se Ismajli është në vitin e fundit të kontratës së tij me Empolin. Marrëveshja e futbollistit përfundon në qershorin e këtij viti dhe largimi i tij do të ishte shumë më i thjeshtë.

Në këtë pikë, mediat italiane raportojnë se Empoli do të kërkojë menjëherë rinovimin e marrëveshjes që ka me futbollistin, duke e zgjatur atë. Në këtë mënyrë mund të përfitojë ekonomikisht shifra më të larta nëse Juventusi apo ndonjë klub tjetër do të trokasë në dyert e këtij klubi në janar për të transferuar mbrojtësin shqiptar.

PANORAMASPORT.AL

The post Ismajli në radarët e Juventusit, Empoli tani ngutet t’i rinovojë kontratën appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Ilirjan Celibashi letër partive politike për votimin elektronik! Ja ku do aplikohet votimi elektronik dhe dy datat e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës

By: P. Gj.
11 October 2024 at 13:48

Drejtuesi i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i ka dërguar një letër partive politike lidhur me votimin elektronik, ashtu sikurse janë zbuluar dy datat e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare në vend.

Vetëm në dy qarqe do të zhvillohet votimi elektronik. Celibashi ka propozuar që kjo mënyrë votimi të bëhet në Elbasan dhe në Durrës.

Rekomandimi për Elbasanin ka ardhur pasi zgjedhjet e 14 maj 2023 janë bërë në këtë qark me votim elektronik, e bën sens që të vijojë në të njëjtën proces pasi votuesit janë mësuar me këtë votim.

Sugjerimi për Durrësin ka ardhur për lehtësi logjistike, për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore si dhe distancës së saj nga kryeqyteti.

Lidhur me datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare në vend, mund të jenë 20 prill 2024 ose 11 maj 2024.

Celibashi shprehet në letër se partitë mund të japin sugjerime dhe t’i përcjellin ato pranë KQZ-së, por jo më vonë se data 19 tetor 2024.

Letra:

Në vijim të komunikimeve të mëparshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me ju mbi mundësinë e zhvillimit të votimin elektronik në 5 qarqe, në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të vitit 2025, më lejoni t’ju sjellë në vëmendje se kjo mënyrë votimi në këtë numër qarqesh nuk mund të zhvillohet. Periudha nga sot deri në datën 20 Prill 2024 që është data e parë e mundshme e zhvillimit të zgjedhjeve në fjalë, apo deri në datën 11 Maj 2024 që është data e fundit e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit 2025, është e pamjaftueshme për përgatitjen e gjithë elementëve teknik dhe njerëzor për zhvillimin e këtij lloj votimi në këtë numër qarqesh. Gjithsesi duke vlerësuar interesin dhe dobinë për shtrirjen graduale të votimit elektronik, KQZ për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2025, propozon zhvillimin e kësaj mënyre votimi vetëm në qarkun e Elbasanit dhe në atë të Durrësit. Në qarkun e Elbasanit u zhvillua votimi elektronik për zgjedhjet e datës 14 Maj 2023 në shumicën e qendrave të votimit të këtij qarku, të cilat i përkasin bashkisë Elbasan. Ndaj nëse nga ana juaj vlerësohet me dobi dhe interes shtrirja e votimit elektronik, është me kuptim që më së pari ai të shtrihet në ato njësi zgjedhore ku një pjesë e votuesve të kësaj njësie e kanë një eksperiencë të mëparshme me këtë lloj votimi. Rekomandoj zhvillimin e votimit elektronik në qarkun e Durrësit, për lehtësitë logjistike dhe njerëzore që ofron ky qark krahasuar me qarqe të tjerë të vendit. Durrësi për shkak të terrenit gjeografik, infrastrukturës rrugore dhe asaj tjetër, distancës me Tiranën (KQZ-në), mundëson një përgjigje më të mirë nga ana e këtij institucioni për përgatitjen, zhvillimin dhe administrimin e votimit elektronik. Nga ana tjetër ky lloj votimi kërkon angazhimin e një numri të madh njerëzish në terren. Praktika e identifikimit elektronik ka treguar se për qarkun e Durrësit në përgjithësi rekrutimi i personelit të posaçëm për këto procese administruese zgjedhore është më pak sfidues se në shumë qarqe të tjerë. Numri dhe natyra e punës që kryen personeli që do të angazhohet me votimin elektronik është thuajse e njëjtë me atë të identifikimit elektronik. KQZ vlerëson të domosdoshëm një mendim të partive politike në lidhje me këtë propozim. Ndaj jeni të lutur ta përcillni atë pranë KQZ, jo më vonë se data 19 Tetor 2024.

The post Ilirjan Celibashi letër partive politike për votimin elektronik! Ja ku do aplikohet votimi elektronik dhe dy datat e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

VIDEO/ Xhamia e Namazgjasë e mbushur me flamunj shqiptarë dhe turq! Masat e rrepta të sigurisë për inaugurimin me Presidentin Erdogan

By: P. Gj.
10 October 2024 at 13:20

Teksa disa orë larg ndahen nga inaugurimi i Xhamisë së Namazgjasë, ku do të jenë prezent Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, kryeministri Edi Rama dhe vetë KMSH-ja, duket se godina është duke u ruajtur nga forca të shumta sigurie.

Siç shihen e në video, xhamia është e rrethuar nga rrjetë mbrojtëse, sikurse dhe forca sigurie të shumta.

Në orën 16:50, Erdogan pritet që të inaugurojë Xhaminë e Namazgjasë në kryeqytet.

Për mbarëvatjen e vizitës shtetërore të presidentit turk janë marrë masa sigurie.

Në total mbi 700 forca policie do të jenë të angazhuara për mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë gjatë vizitës së Presidentit turk Erdogan.

700 forca policie, që përfshijnë Antiterrorin, Gardën, FNSH, RENEA, efektivë të rendit, por edhe të policisë Rrugore të Tiranës do të jenë të dislokuar në terren.

Po ashtu edhe SHISH do të kenë agjentë të shumtë në terren. Në terren nga policia do të jenë edhe grupet anti-eksploziv që vëzhgojnë rrugët kryesore dhe kanë në mbikëqyrje gjithë perimetrin e sigurisë.

Ndërkohë në çatitë e godinave pranë Xhamisë së Namazgjasë janë vendosur snajperistë.

Masat e ndërmarra nga Policia e Shtetit janë në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese turke. Eskortimi i presidentit Erdogan dhe siguria e tij do të bëhet grupi i posaçëm i eskortës së tij të sigurisë, mbështetur edhe nga Garda e Republikës dhe RENEA. Ndërkohë që nga Ankaraja kanë mbërritur efektivë të Gardës turke e gjithashtu edhe shërbimet sekrete nga ky vend.

 

The post VIDEO/ Xhamia e Namazgjasë e mbushur me flamunj shqiptarë dhe turq! Masat e rrepta të sigurisë për inaugurimin me Presidentin Erdogan appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Më mirë me Policinë se sa me partinë

By: P. Gj.
10 October 2024 at 09:16

BESNIK BAKIU

Para disa ditësh isha i ftuar për të folur në promovimin e librit të profesorit dhe mikut tim, Bajram Yzeiraj, “Një jetë me Policinë e Shtetit”. Promovimi behej në Akademinë e Shkencave, ashtu siç i takonte profesorit tim të nderuar. Interesi ishte i madh, salla ishte e tejmbushur, kishin ardhur kolegë dhe ishkolegë, personalitete të politikës (ish-kryeministra, ish-ministra) dhe përfaqësues të organeve të larta shtetërore e publike, organeve të drejtësisë, drejtues aktual të Policisë së Shtetit, gazetarë, miq dhe të afërm të autorit. Madje, ishin prezentë edhe kryetari dhe zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave. Kjo ceremoni kishte edhe një koçidencë të bukur, pasi autori përveç gëzimit të botimit më të ri të tij, kishte edhe datëlindjen, bënte 75 vjeç. Profesor Bajrami si gjithmonë edhe në ftesat e shpërndara (siç tha edhe vetë në këtë ceremoni) është i vërtetë dhe i pakompromis, pasi nuk kishte ftuar asnjë nga ata (që megjithëse kishte punuar), nuk e meritonin të ishin.

Libri që u promovua, “Një jetë me Policinë e Shtetit” (Rrëfime të shefit të Policisë) është konceptuar si një libër që rrëfen në formë autobiografike, rrugëtimin personal të autorit së bashku me shoqërinë dhe organizatën e Policisë së Shtetit, nëpër 40 e ca vite në kohë shumë të vështira për të lejuar të jesh një shtetar i mirë, kalorës i ligjit dhe patriot. Pas leximit të këtij libri, unë sot e them me zë të lartë që autori ia ka arritur të jetë një i tillë. Lexuesi që shfleton faqet e këtij libri, shkruar nga një personalitet, i cili tërë jetën ua kushtoi çështjeve të sigurisë, policimit, dhe komunitetit, do të njihet së afërmi me shumë ngjarje nëpër të cilat ka kaluar shoqëria shqiptare dhe veçanërisht Policia në këto periudha të zhvillimit të saj. Libri është shkruar në një gjuhë të thjeshtë dhe të kuptueshme lehtë, ku gjen shumë përkujtime e përmbledhje të ngjarjeve konkrete nga viti 1970 deri në ditët e sotshme. Narracioni linear i kësaj vepre zë fill nga koha e fëmijërisë dhe përfshin udhëtimin e vështirë të një individi, që duket sikur ka lindur për të notuar gjithmonë kundër rrymës, e cila ka qenë e fuqishme, e rrëmbyeshme dhe e pamëshirshme. Është meritë e padiskutueshme e profesor Bajramit, që në asnjë moment të jetës dhe veprimtarisë së tij nuk ka bërë kompromis me antiligjin, frikën dhe padrejtësinë. Këtë ai e pasqyron me angazhimet e vështira, me veprimtarinë e tij për të mbrojtur jo vetëm rendin dhe sigurinë e qytetarëve, por edhe dinjitetin e vet, të kolegëve dhe gjithë organizatës të Policisë. Më mirë me Policinë se sa me partinë – ka qenë motoja e profesorit tim.

Me botimin e këtij libri, i cili është në vetvete edhe rrugëtimi i institucionit të Policisë së Shtetit, autori paraqitet si qytetar dhe si veprimtar shumëdimensional, me ndërgjegje e respekt për historinë. Këtë ai e ndien edhe si përgjegjësi e detyrë, për të sotmen dhe për të ardhmen. Me këtë botim, autori ka meritën e qëmtimit të dokumenteve e të literaturës së posaçme kushtuar ngjarjeve dhe ndodhive kryesore të kohës, madje ka depërtuar në masën e duhur edhe në jetën dhe karakteret e personazheve të kohës. Këtë e ka bërë për të dhënë të plotë dimensionet dhe karakteret njerëzore, që shpesh janë edhe çelësa për të kuptuar e shpjeguar ngjarjet apo edhe enigmat rreth tyre. Autori ka arritur të kapërcejë kufijtë e personales dhe të bëhet një realitet arkivor brenda telajos së madhe të historisë të shoqërisë shqiptare në këto vite.

Profesori im i nderuar, si makinë e të vërtetës, ka kurajën t’i verë emrin e vërtetë që meriton çdo personazhi që ka kontaktuar, apo ka qenë i detyruar të bashkëpunoj, qoftë ai politikan, shtetar i lartë apo drejtues policie. Unë si një nga bashkëkohësit dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë një periudhe të konsiderueshme kohe, jam plotësisht dakord me këto përcaktime. Autori në këtë libër, si një burrë shteti dhe ideolog vazhdon edhe sot e kësaj dite të jetojë në pulsin e Policisë. Ai nuk mjaftohet me çfarë ka përjetuar, por me përgjegjshmërinë e ndjesës së profesionit vazhdon të hulumtojë dhe japë sugjerime mbi politikat dhe çështjet e sigurisë, për menaxhimin e ndryshimeve dhe sugjeron çfarë duhet ndryshuar. Të lexosh për triumfet, gëzimet, betejat dhe humbjet e dikujt është një përvojë e të mësuarit në vetvete dhe libra si ky kanë një vlerë unike: ato nuk janë thjesht histori të trilluara ose pjesë të imagjinatës, por llogari të vërteta që ndikojnë pozitivisht dhe fuqishëm te çdo lexues. Autori me këtë botim, ia ka arritur qëllimit t’i japë lexuesit jo një libër “të rëndë”, të stilit akademik, të mbingarkuar me analiza e hipoteza, por një narrativë të përzgjedhur nga përjetesa e tij personale dhe nga studimi i shume burimeve dhe dokumenteve arkivore të kohës, të cilat i ka shfrytëzuar deri në detaje. Kjo e bën të lehtë dhe tërheqës leximin e tij. Libri nuk është thjesht kronologji historike ngjarjesh që shoqëron zhvillimin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe Policisë së Shtetit në veçanti. Është edhe një galeri e jashtëzakonshme personazhesh historike të 40 e ca viteve të fundit në politikën dhe shtetin shqiptar.

Nëse shkrimi i librave shpesh frymëzohet nga ide dhe libra të veçantë, ky libër ka lindur nga rrethanat reale dhe ngjarjesh dramatike gjatë përmbysjes te një regjimi dhe ngritjes të një shteti të ri. Në fund nuk mund të mos nënvizoj vulën personale të rrugëtimit historik të autorit dhe këtu ai sjell një risi, që e ka origjinën në kulturën e tij si mësimdhënës. Në libër në shumë raste gjen momente të ndërthurjes të përshkrimit historik me përjetimet personale të tij, rreth ngjarjeve vite më vonë e deri në ditët tona. Ai krijon një lidhje organike mes historisë dhe aktualitetit, bën të flasin e shkuara dhe personazhet e saj me kohën e sotme e problemet e saj. Para se ta mbyll, nuk mund të rri pa përmendur pengun e profesorit për heshtjen që shoqëroi daljen në pension të tij nga Policia e Shtetit, duke kërkuar falje dhe ndjerë bashkëfajtor (pa faj). Bajram Yzeraj me karrierën e vet shumë të larmishme, nga A te ZH, nga punonjës policie i nivelit zbatues në drejtues i lartë policie, drejtor akademie deri në ministër dhe zëvendësministër, ka lënë gjurmën e vet. Për fat të keq, ky nuk është rast i veçuar në këtë organizatë, prandaj përfitoj nga rasti, duke besuar se flas edhe në emër të profesor Bajramit t’u apeloj drejtuesve të rinj të Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit:

-Bëhuni avokatë dhe jo prokurorë të organizatës dhe punonjësve të saj, duke ndërtuar politika parandaluese dhe jo ndëshkuese, pasi në gjykimin tim, Policia e Shtetit (me gjithë problematikat e shumta që ka) në këto 30 e ca vite është organizata më e mirë në shoqërinë shqiptare dhe punonjësit e saj janë më të përkushtuarit ndaj detyrës si dhe më të vetësakrifikuarit.

-Luftoni për t’u dhënë të gjitha të drejtat që u njeh dhe u jep ligji punonjësve të policisë.

-Përpiquni ta bëheni sa më komunitare mes vedi këtë organizatë, duke qëndruar pranë njëri-tjetrit në të mirë e të keqe; në fillim pune, ecurie në karrierë e dalje në pension; në lindje, datëlindje apo vdekje, gjeste këto që do ta bënin edhe më humane organizatën tonë.

-Mos i dëgjoni “sirenat” e Odisesë, por verifikoni faktet dhe ballafaqoni çdo opinion e çdo pëshpëritje dashakeqe kundrejt punonjësve të Policisë së Shtetit.

-Përpiquni të krijoni kushte sa më dinjitoze të kuadrit ligjor dhe të mjediseve të punës për punonjësit e policisë, jo vetëm për pagat dhe uniformat, por edhe për kualifikimet dhe postet e punës, e çdo gjë tjetër që në dukje është vogëlsi, por që atyre u jep dinjitet.

Në përfundim dua të shpreh falënderimet edhe për shtëpinë botuese “Naimi” dhe mikut tim Naim Zoto, (i cili ka qenë edhe kryeredaktor i parë i gazetës ALBAPOL) për kujdesin e veçantë në botimin e këtij libri.

Jetë të gjatë Profesor!

/Gazeta Panorama/ 

The post Më mirë me Policinë se sa me partinë appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Received — 9 October 2024 Gazeta Shqiptare

Vitamina kryesore për një kujtesë të fortë, ja cila është doza e duhur dhe ushqimet ku e gjeni

By: I K
9 October 2024 at 17:28

Pavarësisht të gjithë këshillave të mjekëve dhe ekspertëve për një dietë sa më të pasur ushqimore, duket se mungesat në vitamina janë ende prezente.

 

Këtë e pohojnë shumë mjekë të cilët shprehen se pavarësisht larmishmërisë në ushqime, jo gjithnjë njerëzit arrijnë të zgjedhin ato me më shumë vitamina.

Veçanërisht disa prej tyre të cilat duhet të konsumohen çdo ditë dhe në mënyrë të vazhdueshme.

Këto vitamina luajnë një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e të gjithë organizmit dhe trurit.

Me shfaqjen e shumë sëmundjeve të reja apo përhapjen e atyre të vjetrave nëpër të gjithë globin, mungesa e tyre pa dyshim që vihet re.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org do të gjeni sasinë e duhur të elementit kyç që ju ndihmon të keni një kujtesë dhe tru më të fortë.

Vitamina Që Ju Duhet Për Shëndetin e Trurit

Quhet kolinë, ose ndryshe B4, dhe që prej vitit 1998 është renditur ndër nutrientët më të rëndësishëm për organizmin e njeriut.

Gjendet me shumicë tek vezët, mishi apo bulmeti, por megjithatë duket se shumë njerëz vuajnë nga mungesa e saj.

Kjo vitaminë është e rëndësishme për funksionimin e mirë të shumë organeve dhe veçanërisht trurit.

Sistemi nervor e përdor këtë vitaminë për të forcuar kujtesën, humorin dhe lëvizjen e mirë të muskujve.

Duke e kthyer kështu këtë nutrient ndër më të rëndësishmit për mbajtjen e trurit në formë.

Doza e Duhur Për Çdo Organizëm

Megjithëse mëlçia e prodhon vetë një sasi të caktuar të kolinës, pjesa më e madhe e saj duhet të merret nga ushqimet.

Për këtë rekomandohet konsumimi i një sasie të caktuar çdo ditë të cilën AgroWeb.org jua shpjegon më poshtë.

Mjekët prej 20 vitesh tashmë rekomandojnë një dozë ditore prej 550 miligramësh në për burrat dhe 425 mg për gratë.

Kjo dozë rritet për gratë shtatzëna të cilat duhet të marrin rreth 550 mg kolinë në ditë.

Marrja e kolinës nëpërmjet ushqimeve nuk është e vështirë pasi vetëm një vezë përmban 113 mg kolinë në çdo kokërr.

Mjekët rekomandojnë të mos konsumoni më shumë se tre vezë në ditë ndaj kolinën mund ta merrni edhe nga ushqime të tjera.

Sasi të mëdha të saj gjeni tek mishi apo bulmeti, në këtë mënyrë do të keni një dietë të shëndetshme.

Kjo vitaminë funksionon si një kurë parandaluese kundër plakjes së trurit apo sëmundjeve si Alzhaimer dhe Dementia.

Nëse merret në dozat e parashikuara nga mjekët kolina do të funksionojë si një mbrojtëse për qelizat dhe neuronet e trurit.

Në këtë mënyrë do të keni kujtesë më të fortë dhe tru më të shëndetshëm./AgroWeb.org

The post Vitamina kryesore për një kujtesë të fortë, ja cila është doza e duhur dhe ushqimet ku e gjeni appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Konsumoni një portokall në ditë për të marrë këto 7 përfitime

By: P. Gj.
9 October 2024 at 10:46

Portokalli është agrumja më e preferuar e miliona njerëzve në botë.

Një kombinim perfekt mes të ëmblës dhe athtësisë, portokalli është plot shije dhe mbi të gjitha plot vlera.

Ekspertët thonë se portokalli duhet ngrënë çdo ditë sepse prej tij organizmi merr 7 përfitime të menjëhershme.

Sy të shëndetshëm dhe shikim të mprehtë

Portokalli përmban shumë vitaminë  C ose përafërsisht 116% të vlerës së rekomanduar ditore.

Vitamina C është e dobishme për shëndetin e syve dhe ul rrezikun e perdes së syve, përmirëson qarkullimin e gjakut dhe ngadalëson progresin e sëmundjeve të syve si pasojë e moshës.

Portokalli përmban shumë betakaroten, që në organizëm kthehet në vitaminë A e cila na ndihmon të jemi ‘syshqiponjë’ edhe në errësirë.

Mungesa e vitaminës A është shkaktari numër një i problemeve me sytë.

Më pak rrezik nga ishemia

Këto agrume përmbajnë flavanonë që ulin rrezikun e ishemisë.

Përpos faktorëve të tjerë, femrat që konsumojnë shumë portokalle kanë 19% më pak gjasa të preken nga ishemia.

Për më tepër, vitamina C është parandaluese e hemoragjisë cerebrale.

Portokalli dhe oreksi

Portokalli është një burim shumë i mirë fibre. Një kokërr e vetme përmban 12% të dozës së rekomanduar ditore.

Fibra rregullon lëvizjen e zorrëve, ul kolesterolin, mban nën kontroll sheqernat në gjak, ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës, diabetit dhe sëmundjeve kardiovaskulare.

Fibra ngadalëson tretjen ndaj ju do të ndiheni më të ngopur dhe për shumë gjatë.

Portokalli kundër radikaleve të lira

Fibra dietike që gjendet tek portokalli ul rrezikun e radikaleve të lira që dëmtojnë qelizat, ndërsa i gjithë fruti është i dobishëm kundër qelizave të dëmshme tumorale të mushkërisë, stomakut, gojës, laringut dhe ezofagut.

Lëkurë më e shëndetshme

Një portokall në ditë e bën lëkurën tuaj më të shëndetshme.

Portokalli përmban vitaminë C që e ndihmon organizmin të sintetizojë kolagjenin, një proteinë e dobishme për një lëkurë të shëndetshme.

Portokallët përmbajnë edhe betakaroten që transformohet në vitaminë A që ndihmon në rritjen e qelizave të lëkurës.

Marrja e vitaminës C çdo ditë ka shumë përfitime në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare, sepse ruan shëndetin e enëve të gjakut.

Trup i shëndetshëm

Vitamina C tek portokallet është e rëndësishme për rritjen dhe rikuperimin e indeve. Vitamina C shëron plagët dhe ruan shëndetin e kockave.

Ajo është e rëndësishme për prodhimin e kolagjenit që nevojitet në çdo qelizë të trupit.

Studimet kanë zbuluar se konsumi i të paktën 400 mg vitaminë C në ditë përmirëson funksionet e muskujve dhe largon dhimbjet./AgroWeb.org

 

The post Konsumoni një portokall në ditë për të marrë këto 7 përfitime appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

GJKKO jep vendimin për ish-kryetarin e bashkisë së Lushnjës! Fatos Tushe dënohet me 2 vite shërbim prove

By: P. Gj.
9 October 2024 at 10:11

Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë vendimin për të dënuar ish-kryetarin e Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe, me 2 vite shërbim prove.

Tushe u dënua me 1 vit e 6 muaj heqje lirie por GJKKO ja konvertoi në 2 vite shërbim prove.

Ai akuzohet për mosdeklarim të pasurisë së tij.

Vetëm pak muaj pasi shleu dënimin me 3 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera, ndaj Fatos Tushes nisi një tjetër hetim që ka të bëjë me pasurinë. Bëhet fjalë për një apartament në bregdet, të cilin nuk e ka deklaruar.

Ish-kryebashkiaku socialist u dënua në korrik të 2022 me 2 vite e 4 muaj burg për shpërdorim detyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, vetëm për shpërdorim detyre, ndërsa ra vepra e shkeljes së barazisë në tendera, teksa SPAK kërkonte dënimin e tij me 5 vite.

Në mars të vitit të kaluar Apeli i Posaçëm i shtoi dënimin Fatos Tushes me 1 vit kur ky i fundit sapo kishte lënë qelinë pasi shleu dënimin. Ai u rikthye në qeli për të përfunduar pjesën e mbetur, këtë radhë për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera.

 

The post GJKKO jep vendimin për ish-kryetarin e bashkisë së Lushnjës! Fatos Tushe dënohet me 2 vite shërbim prove appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Received — 8 October 2024 Gazeta Shqiptare

Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Rama-të rinjve: Ngado të rrotulloheni, këtu do ktheheni! Të thuash je nga Shqipëria je “sexy”, deri dje ishe qamet!

By: P. Gj.
8 October 2024 at 19:16

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në takimin me të rinjtë të cilët janë angazhuar në Programin Kombëtar të Praktikave të Punës, i cili përgjatë fjalës së tij u shpreh se konkurset bazohen në meritë.

Sipas tij, nëse konkurset e administratës do ishin të shitura, 1/3  nuk do të dilnin pa fitues, teksa shtoi se ky rezultat tregon se kandidatët nuk plotësonin kriterët.

Ka një fakt tjetër, nëse konkurset e administratës publike do të ishin të shituara, rreth 1/3 nuk do të dilnin pa fitues. Dalin pa fitues sepse nuk kanë plotësuar kriteret.”, tha Rama.

Rama u tha të rinjve se mund të zgjedhin të jetojnë në vendin tonë apo dhe të emigrojnë, por të shfrytëzojnë raste të tilla. Ai tha se “ngado të rrotullohen, sërish do të kthehen në Shqipëri”.

Përmes batutave, Rama tha: “Të thuash jam nga Shqipëria je seksi, deri dje ishe qamet. Mos u dorëzoheni asnjëherë se ngado të rrotulloheni këtu do të ktheheni. Jo sepse atje ku do të shkoni nuk do të arrini, por kur të vijë koha do të jetë më bukur”,

“Ligji për administratën publike, që ka konsoliduar pozicionit e nëpunësve civilë, si pozicione të palëvizshme se kështu do ministër i radhës, ka hyrë në fuqi në fillim të mandatit tonë. Ka qenë një sfidë e dyfishtë. Nga ligji përfituan ata që e meritonin dhe ata që nuk e meritonin që kishin hyrë si pjesë e proceseve politike. Aty ka lindur ideja e këtij program.

Ka një fakt tjetër, nëse konkurset e administratës publike do të ishin të shituara, rreth 1/3 nuk do të dilnin pa fitues. Dalin pa fitues sepse nuk kanë plotësuar kriteret.

Është shumë e rëndësishme ta besoni këtë dhe shumë më e rëndësishme të besoni se cilado qofshin pengesat, ju duhet të besoni që atë gjë që doni ta arrini, do ta arrini dhe të jeni të gatshëm të bëni gjithçka.

E fundit që kam për thënë është që ju mund të bëni zgjedhjen tuaj, mund të jetoni këtu, të shkoni jashtë, të mendoni se atje larg ju pret me krahëhapur një republikë e konkurrencës, por në të gjitha rastet mundësinë për këtë eksperiencë shfrytëzojeni deri në fund. Nëse shkruani në CV tuaj se do shkruani kam punuar me administratën publike, do të priteni me respekt. Sot na respektojnë. Të thuash je nga Shqipëria je seksi, deri dje ishe qamet. Mos u dorëzoheni asnjëherë se ngado të rrotulloheni këtu do të ktheheni. Jo sepse atje ku do të shkoni nuk do të arrini, por kur të vijë koha do të jetë më bukur”, tha Rama.

The post Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Rama-të rinjve: Ngado të rrotulloheni, këtu do ktheheni! Të thuash je nga Shqipëria je “sexy”, deri dje ishe qamet! appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Sali Berishës iu ndërpre konferenca, reagon PD: Interneti në banesën e ish-kryeministrit u shkëput qëllimisht

By: gsh
8 October 2024 at 14:14

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha mbajti sot një konferencë me gazetarët për të komentuar protestën kombëtare të mosbindjes civile.

Por teksa lexoi deklaratën e tij dhe po bashkëbisedonte me gazetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre, konferenca u ndërpre.

Sipas PD kjo është bërë në mënyrë të qëllimshme, duke i hequr internetin nga banesa e Sali Berishës.

“Linja e internetit u shkëput në mënyrë të qëllimshme nga kompania që ofron këtë shërbim në shtëpinë e kryetarit të Partisë Demokratike, duket me porosi nga larg që të ndërpritet konferenca me gazetarët e kreut të PD-së, Sali Berisha”, thuhet në reagimin e PD.

The post Sali Berishës iu ndërpre konferenca, reagon PD: Interneti në banesën e ish-kryeministrit u shkëput qëllimisht appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Received — 7 October 2024 Gazeta Shqiptare

Protesta e opozitës/ Molotov e përplasjes me Policinë, demokratët zbatojnë mosbindjen civile

By: I K
7 October 2024 at 19:17

Kreu i Grupit Parlamentar Gazment Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka, Agron Gjekmarkaj, Luçiano Boci, etj janë disa nga deputetët që po marshojnë në protestën e thirrur nga opozita.

Mësohet se ata janë zhvendosur nga Kryeministria drejt nje institucioni tjetër.

Kujtojmë se nga kjo protestë opozita synon krijimin e një qeverie teknike, ndërsa nuk ka skenar sesi do të zhvillohet.

 

The post Protesta e opozitës/ Molotov e përplasjes me Policinë, demokratët zbatojnë mosbindjen civile appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Received — 6 October 2024 Gazeta Shqiptare

Autori dhe viktima jetonin së bashku, zbardhen detaje nga vrasja e 65-vjeçarit në Sarandë! Dyshohet se…

By: gsh
6 October 2024 at 21:33

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur mbrëmjen e sotme në Sarandë, ku pas një sherri ka humbur jetën 65-vjeçari Gëzim Bizoni.

Mësohet se viktima ishte i divorcuar dhe jetonte i vetëm. Një vit më parë kishte marrë shokun e tij Admir Ferik Beqiri, sonte autori i ngjarjes, të jetonin së bashku.

Kohët e fundit dyshohet që viktima i kishte kërkuar 42-vjeçarit, njëherësh autorit të largohej nga banesa.

Ky i fundit sipas hetimeve paraprake vuante nga problemet me alkoolin. Në gjendje të dehur autori ka goditur për vdekje me sende të forta 65-vjeçarin Gëzim Bizioni.

Njoftimi i policisë:

Sot, në fshatin Gjashtë, Sarandë, dyshohet se për motive të dobëta, shtetasi Admir Beqiri, rreth 42 vjeç, ka goditur me sende të forta (shishe qelqi) shtetasin Gëzim Bizioni rreth 65 vjeç, në oborrin e banesës së tij. Si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi G. B. ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Shërbimet e Policisë shkuan menjëherë në vendngjarje dhe, falë reagimit të shpejtë, bënë të mundur kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin A. B., i cili u shoqërua në Komisariatin e

Policisë Sarandë për veprime të mëtejshme hetimore. Dyshohet paraprakisht se autori ishte nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes.

Vijon puna e grupit hetimor për përcaktimin e shkakut të konfliktit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

The post Autori dhe viktima jetonin së bashku, zbardhen detaje nga vrasja e 65-vjeçarit në Sarandë! Dyshohet se… appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

“Për ty lexojmë që je e bërë!” -Bora Zemani sqaron si ka arritur pamjen e saj: Kam bërë dy operacione! Nuk jam kundër ndërhyrjeve estetike, do të doja të zvogëloja…

By: P. Gj.
6 October 2024 at 10:54

Si një prej moderatorëve e cila është përfolur gjithnjë për ndërhyrje kirurgjikale për të arritur pamjen e saj, Bora Zemani është shprehur se nuk ka kryer asnjë operacion plastik, por ka bërë trajtime bukurie.

Zemani shprehet se në jetën e saj ka kryer vetëm dy operacione, atë të lindjes së djalit të saj dhe për heqjen e apendicitit.

“Dy operacione kam bërë në jetën time, lindjen e Arborit dhe njëherë kam hequr apendicitin. Kaq operacione kam bërë, pastaj gjera të tjera për mirëmbajtje, patjetër që po.”, shprehet ajo.

Moderatorja tha se nuk pozicionohet kundër operacioneve plastike, por personalisht nuk e merr atë iniciativë pasi ka frikë nga rezultati.

“Jo se unë jam kundër operacioneve, përsa kohë që dikush do ta kryerje një ndërhyrje të tillë që të ndihet më mirë, patjetër që le ta bëjë.”

E pyetur se nëse mendonte të bëntë ndonjë operacion plastik, ajo u përgjigj se do të donte të zvogëlonte gjoksin.

Bora Zemani: Nëse do mendojë të bëja ndonjë ndërhyrje, do ishte gjoksi.

Pyetje: Ca do i bësh gjoksit?

Bora Zemani: Do doja ta zvogëloja

 

 

Pyetje: Bora ka bërë ndonjë ndërhyrje ti?

Bora Zemani: Kështu ndërhyrje kirurgjikale, jo, nuk kam asnjë ndërhyrje kirurgjikale. Dy operacione kam bërë në jetën time, lindjen e Arborit dhe njëherë kam hequr apendicitin. Kaq operacione kam bërë, pastaj gjera të tjera për mirëmbajtje, patjetër që po. Ka ndryshim një ndërhyrje kirurgjikale me mirëmbajtjen. Jo se unë jam kundër operacioneve, përsa kohë që dikush do ta kryerje një ndërhyrje të tillë që të ndihet më mirë, patjetër që le ta bëjë.

Pyetje: Për ty lexojmë vetëm që je e bërë Bora?

Bora Zemani: E di, ma thonë shumë. Fakti që unë nuk kam bërë operacione plastike, nuk do të thotë që jam e lumtur me veten prandaj nuk i bëj këto. Më shumë është me faktin që kam frikë ti bëj sepse kam frikë të shikoj rezultatin.

Pyetje: Ca do kishe bërë ndërhyrje kirurgjikale, që e ka frikë po do të doje ta bëje?

Bora Zemani: Nëse do mendojë të bëja ndonjë ndërhyrje, do ishte gjoksi.

Pyetje: Ca do i bësh gjoksit?

Bora Zemani: Do doja ta zvogëloja

bora

bora zemanibora zemani1bora zemani2bora zemani3

The post “Për ty lexojmë që je e bërë!” -Bora Zemani sqaron si ka arritur pamjen e saj: Kam bërë dy operacione! Nuk jam kundër ndërhyrjeve estetike, do të doja të zvogëloja… appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

Received — 5 October 2024 Gazeta Shqiptare

Izraeli bombardon Bejrutin dhe veriun e Libanit, raportohet për rreth 12 sulme ajrore

By: gsh
5 October 2024 at 15:57

Izraeli ka zgjeruar bombardimet në Liban më 5 tetor, duke goditur periferitë në jug të Bejrutit përmes 12 sulmeve ajrore dhe duke sulmuar një kamp të refugjatëve palestinezë në veri të Libanit.

Kjo është hera e parë që Izraeli ka sulmuar veriun e Libanit. Sulmi në kampin Bedavi, afër Tripolit në veri, la të vrarë një komandant të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – si dhe gruan dhe dy vajzat e tij, njoftoi grupi palestinez.

Tripoli gjendet në veri dhe është shumë larg nga shumica e sulmeve të kryera nga Izraeli, që kryesisht janë përqendruar në jug të Libanit dhe Bejrut.

Izraeli ka vrarë disa zyrtarë të Hamasit në Liban që kur nisi mes Izraelit dhe Hamasit në Gazë në tetor të vitit të kaluar. Izraeli po ashtu ka vrarë udhëheqës të lartë të Hezbollahut, që është grup militant dhe parti politike që kontrollin shumicën e jugut të Libanit.

Të paktë gjashtë persona janë vrarë në dhjetëra sulme ajrore që Izraeli kreu gjatë natës dhe të shtunën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve në Liban.

Ushtria izraelite tha se forcat speciale kanë kryer bastisje të shënjestruara tokësore kundër infrastrukturës së Hezbollahut në jug të Libanit, duke shkatërruar raketa, raketahedhës, kulla vrojtimi dhe depo të armëve. Ushtria tha po ashtu se ka shkatërruar tunele që Hezbollahu, sipas saj, i ka përdorur për t’iu afruar kufirit izraelit.

Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka vendosur në listën e zezë krahun e tij të armatosur, por jo edhe partinë e tij politike, e cila ka ulëse në Parlamentin libanez.

Afër 1.400 libanezë, përfshirë luftëtarë të Hezbollahut dhe civilë, janë vrarë dhe rreth 1.2 milion të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre që kur Izraeli intensifikoi sulmet ajrore në fund të shtatorit, me qëllim që të dëmtojë grupin e Hezbollahut dhe ta dëbojë atë nga kufiri. Më herët gjatë javës, Izraeli nisi ofensivë tokësore në jug të Libanit. Në ditët e fundit, nëntë ushtarë izraelitë janë vrarë gjatë betejave me Hezbollahun në jug të Libanit, ka thënë ushtria.

Në dy javët e fundit, pothuajse 375.000 persona janë larguar nga Libani për në Siri për shkak të luftimeve, sipas të dhënave të Qeverisë libaneze.

Teksa po vazhdojnë luftimet në Liban, Izraeli po ashtu është duke vazhduar luftën në Gazë kundër Hamasit. Më 5 tetor, në veri të Gazës dhe në pjesën qendrore të enklavës janë vrarë të paktën nëntë persona, përfshirë dy fëmijë, gjatë sulmeve izraelite, thanë zyrtarët shëndetësorë palestinezë.

Hamasi sulmoi veriun e Izraelit më 7 tetor 2023, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë, sulm që nxiti luftën në Gazë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë pothuajse 42.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë./REL

The post Izraeli bombardon Bejrutin dhe veriun e Libanit, raportohet për rreth 12 sulme ajrore appeared first on Gazeta Shqiptare Online.

❌