Normal view

Hodhi ujë drejt Ramës, Bardhi përjashtohet nga seanca

23 July 2026 at 16:15


Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është përjashtuar nga seanca plenare e 23 korrikut, pasi ka lagur me ujë Kryeministrin Edi Rama, raporton A2 CNN.

Deputetët e opozitës bllokuan foltoren teksa votoheshin projektligjet e rendit të ditës dhe në një moment ata nisën të hidhnin ujë në drejtim të Ramës, duke e lagur. Për këtë veprim, krytari i Kuvendit, Niko Peleshi, përjashtoi Bardhin nga seanca. Megjithatë ai vijoi të qëndrojë në sallë, teksa ligjet votohen njëri pas tjetrit.

Pas gati gjysmë ore Peleshi e ndërpreu sërish seancën, diçka që e ka bërë disa herë gjatë kësaj dite. Me mbërritjen e Ramës në Kuvend, tensionet u rritën sërish mes socialistëve dhe demokratëve. Më herët, mazhoranca rrëzoi me votë kërkesën e demokratëve për të zgjatur me tre muaj afatet e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale.

Taulant Balla ua bëri të qartë se komisioni e ka përfunduar funksionin dhe se treni për demokratët ka ikur.

Ndërkohë, jashtë sallës së Parlamentit, protesta qytetare u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të shpërndarë turmën. Si pasojë pati të lënduar mes protestuesve dhe policisë.

Zëvendësministri Lamallari mohoi akuzat e opozitës se ndaj protestuesve është përdorur dhunë dhe lëndë e rrezikshme kimike. Perimetri i sigurisë këtë herë ishte vendosur në një hapësirë më të madhe, duke garantuar hyrjen e sigurt në sallë të deputetëve. Por, megjithatë, pati automjete që nuk i shpëtuan vezëve. (A2 Televizion)

Opozita në ‘këmbë’ pengon procesin e votimit duke bërë zhurmë, mazhornaca vijon me kalimin e projektligjeve

23 July 2026 at 15:43


Demokratët u ngritën në këmbë duke bllokuar foltoren dhe duke bërë zhurmë, teksa i binin tavolinave me shuplaka dhe me bidonë plastikë.

Kjo ishte forma e tyre e revoltës për të mos kaluar në votim projektligjet e rendit të ditës, të cilat u kaluan direkt në votim me porozin të PS duke shmangur diskutimet pasi demokratët nuk po lironin foltoren.

Mes zhurmës, mazhornaca po i ka kalon e vetme projektligjet një nga një.

Rendi i ditës ishte:

1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 16.7.2026 dhe 23.7.2026.

2. Njoftime.

3. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2025”.

4. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2025”.

5. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2025”.

6. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2025”.

7. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”.

8. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2025”.

9. Projektrezolutë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2025”.

10. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Blendi Himçi.

11. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Bujar Leskaj.

12. Seancë pyetje – përgjigje me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Erald Kapri.

13. Akt normativ nr. 2, datë 30.6.2026, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026””.

14. Akt normativ nr. 3, datë 6.7.2026, “Për financimin e pjesshëm të organizimit të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare”.

15. Projektligji “Për grupimet ekonomike me interes evropian”.

16. Projektligji “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”.

17. Projektligji “Për statutin e shoqërive evropiane (SE)”.

18. Projektligji “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”.

19. Projektligji “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”.

20. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 48/2014, “Për pagesat e vonuara dhe detyrimet kontraktore dhe tregtare”, të ndryshuar”.

21. Projektligji “Për shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

22. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 93/2015, “Për turizmin”, i ndryshuar”.

23.Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9251, datë 08.07.2004, “Kodi Detar i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar”.

24. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar”.

25. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10093, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile””.

26. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 25/2018, “Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare””.

27. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9947, datë 07.07.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar”.

28. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 173/2014, “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”.

29. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 82 datë 26.07.2024, “Për Policinë e Shtetit”.

30. Projektvendim “Për emërimin e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik”.

31. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.

32. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.

33. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Komisionit të Prokurimit Publik”.

34. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Disa të lënduar teksa protestuesit përplasen me policinë në protestën antiqeveritare në Shqipëri

23 July 2026 at 13:18


Disa protestues dhe oficerë policie janë lënduar gjatë një proteste të dhunshme antiqeveritare paraditen e së enjtes pranë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë në kryeqytetin shqiptar.

Policia vendosi një perimetër të zgjeruar sigurie rreth Kuvendit, pasi prej ditësh protestuesit kishin paralajmëruar për mbajtjen e tubimit për të enjten.

Pjesa më e madhe e deputetëve hynë në Kuvend nga hyrja anësore, ku u përballën me thirrjet e protestuesve “Nuk na përfaqësoni”, “Parlament i krimit”, “Poshtë qeveria”, “Shqipëria kërkon revolucion”, raporton Evropa e Lirë.

Protestat në Shqipëri, të quajtura “Revolucioni i Flamingove”, janë në ditën e 54-të.

Ato nisën fillimisht si kundërshtim ndaj projektit të mbështetur nga dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, për ndërtimin e një resorti në Zvërnec, afër Vlorës.

Por, më pas kërkesat u zgjeruan, duke përfshirë edhe pakënaqësi të tjera që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, zhvillimit urban, menaxhimin e territorit dhe çështje të tjera sociale dhe politike.

Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Qeverisë Rama dhe shpërndarjen e Kuvendit.

Gjendja para Kuvendit të enjten u tensionua kur protestuesit nisën të hedhin vezë dhe domate.

Disa protestues arritën ta heqin një pjesë të gardhit metalik dhe u përplasën me oficerët e policisë. Policia përdori ujë me presion dhe sprej me piper për t’i shpërndarë protestuesit.

Gjithashtu disa protestues tentuan të bllokojnë edhe qarkullimin e automjeteve në rrugën pranë Kuvendit duke ju bërë thirrje drejtuesve të mjeteve t’i bashkohen protestës. Policia ndërhyri për të shmangur bllokimin e rrugës.

Gjatë përplasjeve mbetën të lënduar edhe protestës, edhe punonjës të policisë. Autoritetet ende nuk e kanë treguar numrin e të lënduarve.

Debati brenda Kuvendit

Derisa protesta po zhvillohej pranë Kuvendit, brenda tij po mbahej seanca e radhës që ka 34 çështje në rendin e ditës.

Opozita e akuzoi policinë për përdorim të tepruar të forcës ndaj protestuesve.

“Ministri [i Brendshëm] duhet të japë shpjegime për substancat që po përdoren kundër tyre, të pazakonta, që po ju shkaktojnë djegie trupi qytetarëve”, tha deputeti demokrat Agron Gjekmarkaj.

Këtyre pretendimeve iu përgjigj ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari: “Janë të certifikuara nga kompanitë prodhuese dhe përdoren nga BE dhe SHBA”.

Debati lidhet me disa imazhe të publikuara nga protestuesit, që tregojnë se uji i hedhur nga policia në drejtim të tyre mban një ngjyrë bojëqielli dhe se, sipas disa prej tyre, shkakton djegie në trup.

Qeveria dhe përfaqësues të shumicës kanë pretenduar qysh në nisje të protestave se pas tyre fshihen edhe interesa dhe ndikime të lidhura me Iranin.

Taulant Balla, kreu i grupit të deputetëve të Partisë Socialiste, në seancën e së enjtes i quajti “terroristë” disa prej protestuesve dhe përsëriti pretendimet për lidhje me Iranin.

“Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio në konferencën ndërkombëtare kundër terrorizmit një javë më parë tha se ka disa lëvizje të ekstremit që mund të kërcënojnë stabilitetin në Evropë. Persona të identifikuar prej nesh, me lidhje të qarta me Gardën Revolucionare të Iranit janë orkestruesit kryesorë të dhunës në protestë”, tha Balla.

Organizatorët e protestës i kanë mohuar vazhdimisht këto akuza.

Ndërkaq kryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Sali Berisha, tha se shpërndarja e Kuvendit është i vetmi akt që duhet të marrin deputetët.

Opozita i bëri thirrje Qeverisë që të diskutohen në Kuvend të gjitha kërkesat e protestuesve dhe të krijohet një grup pune për katër ligjet, që protestuesit kërkojnë të anulohen.

Ata kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Zonat e Mbrojtura, Ligjit për Investimet Strategjike, Paketës së Maleve si dhe Ligjin për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë.

Në rendin e ditës së seancës parlamentare është miratimi i rezolutave për punën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjashtë institucioneve të tjera të pavarura.

Gjithashtu Kuvendi do të diskutojë edhe mbi aktin normativ që i hapi rrugë financimit të koncertit të këngëtarit amerikan, Kaney West me rreth 4 milionë euro nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

“Policia përdori lëndë që përdoren në BE dhe SHBA”, Lamallari: Partia e skuthave po paguan mercenarë

23 July 2026 at 12:28


Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha sot nga seanca e Kuvendit se lëndët irituese të përdorura nga Policia e Shtetit ndaj protestuesve janë profesionale, dhe përdoren në vende të BE-së dhe SHBA-ve.

"Konfirmoj që lëndët e përdorura nga Policia e Shtetit janë RSG8 TW1000 Professional dhe VESK RSG 8000 Special, lëndë speciale irrituese profesionale për vetëmbrojtje dhe neutralizim të personave të dhunshëm, të certifikuara dhe të përdorura nga forcat policore në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës", u shpreh ministri Lamallari.

Në vijim të replikës së tij, ministri kritikoi ashpër qëndrimin e opozitës ndaj akteve të dhunës në protesta, duke theksuar se ajo duhet të distancohet nga personat që përdorin dhunën dhe tentojnë të fshihen pas protestuesve.

"Lajmi nuk është spray i përdorur. Lajmi është që partia e ‘molotovarëve’ është shndërruar në parti të ‘skuthave’, që hedhin gurin dhe fshehin dorën. Nuk mund të pretendoni se përfaqësoni zërin e protestës, ndërsa toleroni njerëz me kapuç dhe individë që kërkojnë të nxisin dhunë," deklaroi Lamallari.

Ministri i Brendshëm i kërkoi PD-së që të largojë njerëzit me kapuç përpara se t'i largojë Policia.

"Largoni njerëzit me kapuç përpara se t'i largojë Policia. Policia e Shtetit po bën detyrën e saj konform ligjit për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Nuk keni asnjë të drejtë morale t'i jepni leksione Policisë së Shtetit për mënyrën se si garanton rendin dhe sigurinë," përfundoi ministri Lamallari.

❌