Normal view

Faturat e papaguara mund të ekzekutohen në gjykatë pa paralajmërim dhe me kosto zero

By: Ornela
5 August 2026 at 20:34

Bizneset dhe individët që ushtrojnë një veprimtari ekonomike do të kenë një mjet më të shpejtë për të arkëtuar faturat e papaguara, pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare”. Ligji i ri është botuar në Fletoren  Zyrtare dhe hyn në fuqi 15 ditë pas botimit.

Ndryshimet synojnë të përshpejtojnë arkëtimin e detyrimeve në transaksionet tregtare dhe të harmonizojnë legjislacionin shqiptar me Direktivën 2011/7 të Bashkimit Europian për luftën kundër pagesave të vonuara.

Një nga risitë më të rëndësishme është se kreditori nuk ka më detyrimin të dërgojë njoftime apo kujtesa për pagesë. Nëse ai ka përmbushur detyrimet kontraktore dhe ligjore, ndërsa debitori nuk ka paguar në afat, kamatëvonesa lind automatikisht.

Ligji përcakton gjithashtu se, kur detyrimi nuk kundërshtohet nga debitori, kreditori mund t’i drejtohet gjykatës për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, duke përfshirë jo vetëm shumën e papaguar, por edhe kamatëvonesat dhe shpenzimet për rikuperimin e kredisë. Gjykata duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit brenda 90 ditëve nga paraqitja e kërkesës, me kusht që deri në atë moment debitori të mos ketë kundërshtuar detyrimin ose elementët e procedurës.

Ndryshimet vendosin edhe kufij më të qartë për afatet e pagesës. Në marrëdhëniet mes subjekteve tregtare, afati kontraktor nuk mund të kalojë 60 ditë, përveç rasteve kur palët bien shprehimisht dakord ndryshe dhe kjo nuk dëmton kreditorin. Kur debitor është një autoritet publik, afati standard i pagesës është 30 ditë, i zgjatshëm deri në 60 ditë vetëm në raste të parashikuara në kontratë.

Ligji parashikon gjithashtu se procedurat e marrjes në dorëzim ose të kolaudimit të mallrave dhe shërbimeve nuk mund të përdoren për të zvarritur pagesat, pasi ato nuk mund të zgjasin më shumë se 30 ditë, përveç rasteve të përcaktuara shprehimisht në kontratë.

Dispozitat e reja do të zbatohen vetëm për kontratat dhe transaksionet tregtare të lidhura pas hyrjes në fuqi të ligjit. Për detyrimet ekzistuese të autoriteteve publike ndaj bizneseve do të vazhdojë të zbatohet legjislacioni në fuqi në momentin kur ato kanë lindur, ndërsa institucionet publike do të kenë një periudhë gjashtëmujore për t’u përshtatur me rregullat e reja të pagesave.

Kjo ndërhyrje ka qenë një prej kërkesave të Aleancës së profesionistëve të Lirë (APL).

The post Faturat e papaguara mund të ekzekutohen në gjykatë pa paralajmërim dhe me kosto zero appeared first on Revista Monitor.

BSH nuk rrit normën bazë: Inflacioni do të jetë kalimtar, por rritja ekonomike do të ngadalësohet

5 August 2026 at 16:45

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajëtë pandryshuar normën bazë të interesit, pavarësisht sinjaleve tëqarta në rritje të inflacionit. Në fjalën e tij pas mbledhjes sësotme, Guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë vazhdon tëbesojë që efekti inflacionist nga rritja e çmimeve të naftës do tëjetë kalimtar. Ndërkohë, lidhur me rritjen e inflacionit bazë dhe presioneve të brendshme inflacioniste, Sejko u shpreh se kjo rritje po përcaktohet kryesisht nga shtrenjtimi i qirave.

Sejko shtoi se ky vendim adreson pasigurinë mbi ecurinë e ekonomisë dhe të inflacionit në të ardhmen, por dhe efektin frenues në inflacion të kahut konsolidues të politikës fiskale dhe të forcimit të kursit të këmbimit.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit pritet të qëndrojë lehtësisht mbi objektiv në afatin e shkurtër dhe të kthehet gradualisht drejt tij gjatë tremujorëve në vijim. Parashikimi i një niveli inflacioni mbi objektiv në afatin e shkurtër faktorizon pritjet tona për vijimin e efekteve indirekte të goditjes së ofertës në tregjet ndërkombëtare, si dhe për një nivel relativisht të lartë të inflacionit të qirave në këtë horizont kohor. Nga ana tjetër, parashikimi për reduktimin gradual të inflacionit drejt objektivit në afatin e mesëm mbështetet në pritjet tona për një ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate, për një rritje të kontrolluar të kostove të prodhimit, si dhe pritjet e ankoruara të bizneseve e tregjeve financiare. Gjithashtu, skenari bazë bazohet në supozimin e një normalizimi të shpejtë të presioneve të ofertës në tregjet ndërkombëtare, si dhe të ruajtjes së kahut konsolidues të politikës fiskale në vitet në vijim,” tha ai.

Megjithatë, Sejko theksoi se tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ndikimi i këtij konflikti në tregjet ndërkombëtare e mban balancën e rreziqeve të zhvendosur në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm.

Duke analizuar zhvillimet ekonomike, Guvernatori tha se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme solide gjatë gjysmës së parë të vitit. Paralelisht me të, borxhi publik dhe ai i huaj kanë ardhur në rënie, bilancet financiare të bizneseve dhe familjeve janë likuide, sektori bankar paraqitet solid dhe rezistent ndaj goditjeve, ndërkohë që tregjet financiare shfaqen të qeta.

Rritja ekonomike vijon të ushqehet nga bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, pritjet për të ardhmen, të ardhurat nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme monetare e financiare. Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend u rrit me 3.7% gjatë tremujorit të parë, i mbështetur nga zgjerimi i konsumit familjar, investimeve të bizneseve dhe eksportit të mallrave e shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ruajti një natyrë konsoliduese dhe impulsi fiskal mbeti në territor negativ. Të dhënat indirekte të tremujorit të dytë sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike ka qëndruar në nivele solide, ndonëse disi më të ulëta se ato të tremujorit paraardhës,” tha Sejko.

Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë të Bankës sëShqipërisë sugjeron se ekonomia shqiptare do të vijojë të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi në të ardhmen, por rritja ekonomike do të ngadalësohet.

Vëllimi i aktivitetit ekonomik do të vazhdojë të zgjerohet gjatë periudhës në vijim. Rritja ekonomike do të ushqehet nga bilancet likuide të sektorit privat, ambienti i favorshëm financiar dhe pritjet për të ardhmen, si dhe të pasqyrohet në rritje të konsumit e të investimeve, si dhe të punësimit e të pagave në vend. Megjithatë, ritmi i rritjes ekonomike pritet të vijë në ngadalësim të lehtë gjatë dy viteve të ardhshme, duke krijuar premisa për një balancim më të mirë të kërkesës me ofertën agregate,” u shpreh Guvernatori.

 

The post BSH nuk rrit normën bazë: Inflacioni do të jetë kalimtar, por rritja ekonomike do të ngadalësohet appeared first on Revista Monitor.

Kina shtrëngon kontrollin mbi pasuritë jashtë vendit, në shënjestër të pasurit

5 August 2026 at 15:06

Kina po zgjeron kontrollin mbi pasuritë dhe të ardhurat që shtetasit e saj mbajnë jashtë vendit, në kuadër të një fushate më të gjerë për të rritur të ardhurat fiskale dhe për të kufizuar daljen e kapitalit.

Masat më të fundit synojnë trustet jashtë vendit, investimet në tregjet e huaja dhe të ardhurat nga produktet financiare të blera në Hong Kong. Ato mbyllin disa nga hapësirat që individët e pasur kanë përdorur prej vitesh për të transferuar dhe administruar pasuri jashtë Kinës.

Sipas rregullave të reja, individët do të paguajnë tatim mbi pasuritë e transferuara në truste jashtë vendit, si dhe mbi të ardhurat e krijuara prej tyre. Norma e tatimit arrin në 20% për rritjen e vlerës së aksioneve, pronave apo aktiveve të tjera të transferuara në këto struktura. Me të njëjtën normë do të tatohen edhe të ardhurat vjetore të trusteve dhe subjekteve që ato kontrollojnë.

Autoritetet kanë kërkuar gjithashtu shlyerjen e detyrimeve të papaguara që prej janarit 2023. Për shuma më të mëdha, administrata tatimore mund të zgjasë periudhën e kontrollit dhe të kërkojë jo vetëm tatimin e prapambetur, por edhe kamatëvonesa dhe gjoba.

Nën kontroll edhe qytetarët me pasaportë të huaj
Rregullat e reja përfshijnë masa të forta kundër shmangies fiskale. Edhe individët që kanë marrë shtetësi ose leje të përhershme qëndrimi jashtë Kinës mund të trajtohen si rezidentë tatimorë kinezë, nëse qendra e interesave të tyre ekonomike dhe familjare mbetet në Kinë.

Kjo zgjeron ndjeshëm numrin e individëve që mund të detyrohen të deklarojnë të ardhurat dhe pasuritë jashtë vendit.
Pekini po e afron kështu sistemin e mbledhjes së tatimeve me modelin e vendeve që tatojnë rezidentët mbi të ardhurat e krijuara në të gjithë botën, jo vetëm brenda kufijve kombëtarë.

Tatim 20% edhe mbi policat në Hong Kong

Shtrëngimi i kontrollit është shtrirë edhe te sigurimet e jetës dhe produktet e kursimit të blera jashtë Kinës kontinentale.

Autoritetet tatimore në Pekin dhe Hangzhou kanë nisur të vendosin tatim 20% mbi të ardhurat e krijuara nga policat e sigurimit në Hong Kong. Ky zhvillim shkaktoi rënie të fortë të aksioneve të kompanive financiare që varen nga klientët kinezë.

Aksionet e Prudential ranë deri në 13%, ndërsa presioni u ndie edhe te AIA, HSBC dhe Standard Chartered. Hong Kongu ishte burimi më i madh i fitimit për Prudential në vitin 2025.

Kontrollet janë lehtësuar nga shkëmbimi ndërkombëtar i informacionit sipas Standardit të Përbashkët të Raportimit, i cili u mundëson autoriteteve kineze të marrin të dhëna për llogaritë, policat dhe investimet që qytetarët mbajnë jashtë vendit.

Goditje ndaj investimeve ndërkufitare

Fushata tatimore është pjesë e një goditjeje më të gjerë kundër investimeve të paautorizuara jashtë vendit.
Në maj, autoritetet kineze njoftuan masa ndaj ndërmjetësve që u mundësonin qytetarëve të Kinës kontinentale të investonin në tregjet e huaja pa licencat e nevojshme. Tre platforma ndërmjetësimi u përballën me gjoba të kombinuara prej rreth 330 milionë dollarësh.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve, disa banka kufizuan hapjen e llogarive në Hong Kong që mund të përdoreshin për investime jashtë vendit. Masat kanë shtuar pasigurinë për bankat, kompanitë e sigurimit dhe menaxherët e pasurive që varen nga klientët e Kinës kontinentale.

Presioni fiskal nxit kontrollet

Forcimi i mbledhjes së tatimeve vjen në një kohë kur financat publike kineze po përballen me presion nga ngadalësimi ekonomik dhe kriza e zgjatur e sektorit të pasurive të paluajtshme.

Qeveritë vendore kanë humbur një pjesë të rëndësishme të të ardhurave që më parë siguroheshin nga shitja e tokës, ndërsa përballen me shpenzime të larta për infrastrukturën dhe shërbimet sociale. Reuters ka raportuar se Pekini po intensifikon kontrollet fiskale edhe ndaj bankave dhe institucioneve të mëdha shtetërore.
Përveç sigurimit të të ardhurave shtesë, masat synojnë të kufizojnë daljen e parave nga Kina dhe të orientojnë kursimet drejt tregjeve vendase.

Megjithatë, shtrëngimi i rregullave mund të godasë Hong Kongun, i cili është bërë qendra më e madhe në botë për administrimin e pasurive ndërkufitare, me rreth 2.95 trilionë dollarë aktive në vitin 2025. Një pjesë e rëndësishme e rritjes së këtij tregu është mbështetur te kapitali i ardhur nga Kina kontinentale./ Reuters

The post Kina shtrëngon kontrollin mbi pasuritë jashtë vendit, në shënjestër të pasurit appeared first on Revista Monitor.

Çdo kompani kërkon një drejtor për inteligjencën artificiale, por jo të gjitha e dinë pse

5 August 2026 at 14:37

Roli i ri në nivelet më të larta drejtuese po përhapet me shpejtësi, ndërsa kompanitë përpiqen të përshtaten me revolucionin e inteligjencës artificiale. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përgjegjësitë e këtij pozicioni mbeten të paqarta, mbivendosen me role të tjera ekzistuese dhe talentet e duhura janë shumë të rralla.

 

 

Sa herë që shfaqet një rol i ri në nivelet më të larta drejtuese të kompanive (C-suite), lindin të njëjtat pyetje: Cilat janë përgjegjësitë? Kujt i raporton? Si matet rezultati i investimit?

Në rastin e Chief AI Officer (CAIO) – drejtorit për inteligjencën artificiale – që është bërë një nga pozicionet më të kërkuara të momentit, përgjigjet nuk janë aspak të qarta.

Një postim në Reddit, që u bë viral, e përmbledh mirë këtë konfuzion: “Jam punësuar si Chief AI Officer prej gjashtë muajsh dhe po kuptoj se askush nuk e di se për çfarë jam realisht përgjegjës.”

Megjithatë, kjo paqartësi nuk i ka penguar kompanitë të hyjnë në një garë për të rekrutuar drejtues të inteligjencës artificiale.

Sipas një studimi të IBM të publikuar në maj, 76% e 2,000 kompanive të anketuara kanë tashmë një Chief AI Officer, nga vetëm 26% një vit më parë.

Institucione si HSBC, Deloitte, PwC dhe madje edhe qeveria britanike kanë krijuar tashmë këtë pozicion.

 

Një garë për talente që mungojnë

Vodafone ishte një nga kompanitë e para shumëkombëshe që krijoi këtë rol në vitin 2015. Një vit më vonë, eksperti i njohur i inteligjencës artificiale Andrew Ng u bëri thirrje kompanive, në Harvard Business Review, të emëronin drejtues të dedikuar për AI, duke e krahasuar ndikimin e saj me zbulimin e energjisë elektrike.

Por vetëm pas hyrjes masive të AI në proceset e biznesit gjatë vitit 2024, kërkesa për këta profesionistë shpërtheu.

Spencer Covey, konsulent në Russell Reynolds Associates, thotë se interesi është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme.

Problemi është se tregu nuk ka mjaftueshëm kandidatë.

“Ka shumë pak njerëz që mund të tregojnë se kanë udhëhequr transformime të mëdha organizative të bazuara në AI. Të gjitha kompanitë po konkurrojnë për të njëjtin grup të vogël profesionistësh”, shpjegon ai.

 

Nuk mjafton të njohësh teknologjinë

Sipas Covey, kandidati ideal nuk është domosdoshmërisht programuesi më i mirë.

Ai duhet të jetë një drejtues që kupton biznesin, di të menaxhojë ndryshimin organizativ dhe është në gjendje të lidhë teknologjinë me objektivat strategjikë të kompanisë.

Në të njëjtën kohë duhet të ketë kureshtje natyrore për teknologjinë dhe të eksperimentojë vazhdimisht me mjetet e reja të AI, jo vetëm për arsye pune, por sepse e shtyn interesi personal.

Edhe James Hutt, themelues i kompanisë së konsulencës Paradigm Junction, beson se një drejtues i suksesshëm për AI duhet të kuptojë jo vetëm teknologjinë, por edhe mënyrën se si bind njerëzit të ndryshojnë mënyrën e punës.

Sipas tij, sfida nuk është vetëm të prezantosh mjete të reja, por të krijosh një kulturë ku punonjësit pranojnë të eksperimentojnë, të marrin rreziqe dhe të inovojnë.

 

A duhet vërtet një drejtues i dedikuar për AI?

Megjithatë, jo të gjithë janë të bindur se krijimi i këtij pozicioni është zgjidhja e duhur.

Në vitet e fundit kompanitë kanë shtuar vazhdimisht role të reja në nivel drejtues, si Chief Data Officer apo Chief Transformation Officer, duke krijuar shpesh mbivendosje përgjegjësish.

Disa ekspertë argumentojnë se, nëse drejtori i teknologjisë (CTO) ose drejtori i informacionit (CIO) janë tashmë përgjegjës për të dhënat, platformat dhe strategjinë teknologjike, atëherë edhe rezultatet e AI duhet të jenë pjesë e mandatit të tyre.

Sipas tyre, shtimi i një drejtuesi tjetër nuk zgjidh problemin e mungesës së lidershipit strategjik.

James Hutt paralajmëron edhe një rrezik tjetër.

“Nëse organizata fillon të mendojë se inteligjenca artificiale është përgjegjësi vetëm e Chief AI Officer, atëherë drejtuesit e tjerë do të shmangin përgjegjësinë e tyre. Ky do të ishte skenari më i keq.”

Një sondazh i fundit i BCG tregon se më pak se 10% e bordeve dhe drejtuesve ekzekutivë besojnë se strategjia e AI duhet të drejtohet vetëm nga Chief AI Officer.

 

Rreziku i kthimit në një rol simbolik

Sipas ekspertëve, arsyeja kryesore pse ky rol mund të dështojë është se shumë kompani e trajtojnë inteligjencën artificiale si një seri eksperimentesh, në vend që ta integrojnë atë në modelin e biznesit.

Në këto raste, drejtuesi i AI mbetet një figurë simbolike, që miraton projektet, por nuk ka ndikim real në transformimin e proceseve të kompanisë.

Covey thekson se nuk mjafton të punësosh dikë dhe t’i thuash se detyra e tij është “të merret me AI”.

Pozicioni duhet të ketë objektiva të qarta, autoritet vendimmarrës dhe përgjegjësi konkrete për zbatimin e ndryshimeve.

 

Transformimi nuk është vetëm teknologji

Për Hutt, suksesi i një Chief AI Officer nuk varet vetëm nga teknologjia.

Kompanitë duhet të kuptojnë më mirë nevojat e klientëve, të analizojnë tregun dhe të ndërtojnë një program të mirëfilltë të menaxhimit të ndryshimit, që transformon kulturën organizative.

Kjo do të thotë t’u krijojnë punonjësve hapësirë për të eksperimentuar, t’i shpërblejnë për inovacionin dhe të sfidojnë modelet tradicionale të menaxhimit që pengojnë ndryshimin.

“Shumë nga drejtuesit që sot menaxhojnë organizata të mëdha janë rritur profesionalisht duke përmirësuar gradualisht proceset ekzistuese. Sot, sfida nuk është përmirësimi i vogël, por aftësia për t’u përshtatur vazhdimisht me ritmin e ndryshimeve teknologjike,” thotë ai.

Edhe pse shumë kompani janë ende larg shfrytëzimit të plotë të potencialit të inteligjencës artificiale, presioni nga investitorët dhe ritmi marramendës i zhvillimeve teknologjike pritet ta bëjnë gjithnjë e më të zakonshëm rolin e Chief AI Officer.

Siç përfundon Covey: “Klientët tanë na thonë se kanë nevojë për një person të dedikuar. Ndryshimet në këtë fushë janë aq të shpejta, sa dikush duhet t’i ndjekë pothuajse minutë pas minute.”/ Management Today

 

The post Çdo kompani kërkon një drejtor për inteligjencën artificiale, por jo të gjitha e dinë pse appeared first on Revista Monitor.

Shqipëria, me flotën më të vjetër të automjeteve në Europë, 91% janë mbi 10 vjeçare

By: Ornela
5 August 2026 at 14:17

Shqipëria vijon të ketë një nga flotat më të vjetra të automjeteve në Europë, ndonëse vitet e fundit është rritur interesi për makinat elektrike, hibride dhe ato me kilometrazh zero.

Të dhënat më të fundit të Eurostat-it për strukturën e autoveturave sipas moshës tregojnë se në fund të vitit 2024, viti i fundit i disponueshëm për Shqipërinë, 43% e makinave kishin një vit prodhimi që daton më shumë se 20 vjet përpara, e dyta më e lartë në Europë, pas Gjerogjisë (50.6%) dhe shumë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit, me Kosovën që ka 28% makina mbi 20 vjet, Serbia (32%), Masli i Zi (14.5%).

47% e automjeteve në Shqipëri ishin nga 10-20 vjet të vjetra. Në total, rreth 91% e autoveturave në Shqipëri ishin mbi 10 vjet të vjetra. Vetëm një pjesë shumë e vogël e flotës përbëhej nga mjete të reja: rreth 1.4% ishin deri në dy vjet dhe afërsisht 2% ishin nga dy deri në pesë vjet të vjetra.

Kjo e vendos Shqipërinë në vendin me peshën më të ulët të automjeteve të reja dhe me një flotë më të vjetër se në çdo vend të Europës. E dyta pas Shqipërisë është Boznjë Hercegovina, me 86% të automjeteve mbi 10 vjeçare, e ndjekur nga Serbia (81%), Gjergjia, me 81%, Mali i Zi (80%). Në shtetet e zhvilluara të Europës, pesha e mjeteve që kanë më shumë se 10 vjet nga prodhimi është nën 40%.

Varësia nga makinat e përdorura lidhet me të ardhurat më të ulëta, çmimet e larta të automjeteve të reja dhe tregun e zhvilluar të importeve nga Europa dhe, së fundmi, nga Azia.

Në vitin 2024, rreth 53% e automjeteve të regjistruara për herë të parë në Shqipëri ishin 9–15 vjet të vjetra dhe 26% ishin mbi 15 vjet. Vetëm 12% kishin moshë deri në katër vjet.

 

Nafta vijon të dominojë flotën

Vjetërsia e lartë shoqërohet edhe me mbizotërimin e makinave me naftë.

Në vitin 2025, autoveturat me naftë përbënin 72.1% të flotës së përgjithshme në Shqipëri.

Edhe në regjistrimet e reja, nafta ka ruajtur një peshë të lartë. Sipas Eurostat-it, Shqipëria ishte ndër vendet kandidate ku motori me naftë dominonte regjistrimet e autoveturave në vitin 2024, së bashku me Kosovën dhe Moldavinë. Të dhënat vendase tregojnë se në vitin 2024, 63% e mjeteve të regjistruara për herë të parë ishin me naftë dhe 23% me benzinë. Mjetet elektrike përbënin vetëm 3.1% të importeve të atij viti.

Pesha e makinave të vjetra me naftë ka pasoja për ndotjen e ajrit, konsumin e karburantit, sigurinë rrugore dhe kostot e mirëmbajtjes. Rinovimi i ngadaltë bën që përmirësimi i standardeve të emetimeve të reflektohet me vonesë në flotën që qarkullon realisht.

 

Rritet interesi për makinat elektrike

Megjithatë, në treg po shfaqen shenja ndryshimi. Importet e mjeteve elektrike po rriten me ritme të shpejta, veçanërisht nga Kina.

Sipas të dhënave të tjera nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, në vitin 2025, automjetet elektrike përbënin 5.7% të mjeteve të importuara. Në dy muajt e parë të vitit 2026, u regjistruan për herë të parë 1,712 mjete elektrike, ose 12% e totalit të regjistrimeve, krahas 608 mjeteve hibride.

Interesi është më i dukshëm te automjetet e reja. Nga janari deri në tetor 2025, rreth 42.4% e autoveturave me kilometrazh zero të regjistruara në Shqipëri ishin plotësisht elektrike, me rritje 62% krahasuar me një vit më parë. Edhe Eurostat evidenton se, ndër vendet kandidate dhe kandidate potenciale, Shqipëria kishte një nga peshat më të larta të regjistrimeve të reja me burime alternative energjie, me 13.3% në vitin 2024. Përpara saj renditeshin Moldavia, Ukraina dhe Turqia.

 

Europa po rinovon flotën dhe po largohet nga nafta

Në Bashkimin Europian, numri i autoveturave plotësisht elektrike arriti në pothuajse 7.6 milionë në fund të vitit 2025, me rritje 31.5% brenda një viti. Pesha e tyre në flotën e përgjithshme u rrit nga vetëm 0.02% në vitin 2013 në 2.9% në vitin 2025, sipas Eurostat.

Regjistrimet e makinave plotësisht elektrike në BE u rritën me 29.7% në vitin 2025, ndërsa ato hibride me karikim u shtuan me 34.2%. Në të njëjtën kohë, regjistrimet e makinave vetëm me naftë ranë me 22%. Luksemburgu kishte flotën më të re në Europë, me 19.8% të autoveturave deri në dy vjet të vjetra. Gjermania, Belgjika, Austria, Suedia dhe Irlanda gjithashtu kishin një peshë të lartë të mjeteve të reja dhe shumë më pak autovetura mbi 20 vjet.

Sipas Eurostat, në vitet e fundit, disa vende kanë zbatuar programe që mbështesin blerjen e automjeteve të reja me emetime të ulëta, në këmbim të nxjerrjes nga qarkullimi të makinave të vjetra. Qëllimi i përgjithshëm i këtyre skemave ka qenë rinovimi i flotës së autoveturave me mjete më pak ndotëse dhe, njëkohësisht, nxitja e aktivitetit ekonomik. Këto programe kanë ndikuar deri diku në përbërjen e flotës sipas moshës në vende të veçanta.

Peshën më të lartë të autoveturave më të reja, me moshë më pak se dy vjet, e kishte Luksemburgu me 19.8%, i ndjekur nga Gjermania me 15.5%, Belgjika me 14.9%, Austria me 13.5%, Suedia me 13.2%, Irlanda me 12.8% sipas të dhënave të vitit 2023, Holanda me 12.6% sipas të dhënave të vitit 2024, Portugalia me 10.2% dhe Danimarka me 10.1%.

Në kahun tjetër, disa vende të Bashkimit Europian kishin në vitin 2025 një peshë të lartë të autoveturave 20 vjeç e lart. Në krye ishte Rumania me 39.1%, e ndjekur nga Finlanda me 36.3%, Polonia me 35.1% sipas të dhënave të vitit 2024, Estonia me 34.7%, Hungaria me 30.9%, Portugalia me 29.6%, Lituania me 29.4%, Letonia me 28.4%, Spanja me 27.5% dhe Malta me 27%.

The post Shqipëria, me flotën më të vjetër të automjeteve në Europë, 91% janë mbi 10 vjeçare appeared first on Revista Monitor.

Euro në “tatëpjetë”, i afrohet kufirit të 93 lekëve

By: Ornela
5 August 2026 at 13:35

Euro po vazhdon të humbasë terren në kursin e këmbimit me Lekun, duke shënuar minimume të reja historike. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 93.13 lekë, në rënie të mëtejshme me 0.15 pikë krahasuar me të martën.

Që nga fillimi i vitit 2026, kursi i Euros me Lekun ka rënë me 3.8%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë zhvlerësimi i Euros ka arritur në 4.3%.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, tregu ndodhet nën efektin e prurjeve të sezonit turistik, që në këtë periudhë të vitit arrin pikun e tij.

Por, rënia sezonale e kursit të Euros është në vijim të një tendence të qartë rënëse që kishte nisur qysh në muajt e parë të vitit, si rrallëherë më parë. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente ra në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Përtej informacionit që japin statistikat zyrtare, në publik ngelet i fortë perceptimi se kursi ndikohet ndjeshëm edhe nga prurjet valutore që burojnë prej aktiviteteve informale ose kriminale. Disa raste të publikuara nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar konfirmojnë perceptimin e investimit të sasive të mëdha të parave të pista në zhvillimin dhe blerjen e pasurive të paluajtshme.

Nga ana tjetër, forcimi i Lekut pjesërisht besohet se po mbështetet edhe nga politika fiskale e ndjekur nga qeveria shqiptare, me suficite të mëdha fiskale në pjesën më të madhe të vitit, praktikë që e ul ofertën e monedhës vendase në treg. Për 6-mujorin 2026, suficiti buxhetor arriti vlerën rekord të 52.8 miliardë lekëve, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Banka e Shqipërisë po ndërhyn vazhdimisht në tregun valutor për të blerë valutë, por ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë vetëm sa po e kontrollojnë pjesërisht rënien e Euros, pa mundur ta frenojnë plotësisht atë. Burime nga tregu bëjnë të ditur se Banka Qendrore ka ndërhyrë dy herë për të blerë Euro këtë javë.

Që prej vitit 2024, Banka e Shqipërisë po përpiqet nga zbusë ritmin e forcimit të lekut, nëpërmjet blerjeve të mëdha të valutës në tregun e brendshëm. Që prej fillimit të vitit 2024 deri në fund të 3-mujorit 2026, Banka e Shqipërisë ka tërhequr nga tregu gati 2.2 miliardë euro. Vetëm për tremujorin e parë të këtij viti, blerjen kishin vlerën e 140 milionë eurove, një rekord për këtë periudhë të vitit.

 

Burimi: BSH

Burimi: BSH

The post Euro në “tatëpjetë”, i afrohet kufirit të 93 lekëve appeared first on Revista Monitor.

Portofoli i mikrokredisë pësoi për herë të parë rënie vitin e kaluar

5 August 2026 at 13:00

Portofoli i mikrokredisë pësoi rënie për herë të parë rënie vitin e kaluar, pas afërsisht një dekade rritje të vazhdueshme.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli total i huasë nga institucionet e licencuara për mikrokredi në fund të 2025 zbriti në 23 miliardë lekë, 4.6% (rreth 1.1 miliardë lekë) më pak krahasuar me një vit më parë.

Sektori i mikrokredisë pati shënuar një rritje të fortë pas vitit 2017, i mbështetur nga modeli i kredive të shpejta konsumatore të sjella në Shqipëri fillimisht nga kompania estoneze e IuteCredit dhe në vijim nga ajo letoneze Kredo Finance.

Ky model ofronte kredi në vlera mesatarisht të vogla, në kohë të shpejtë dhe pa analiza të mirëfillta rreziku; por, çmimi për kreditë e dhëna shpejt dhe lehtë ishin normat shumë të larta interesi.

Deri në vitin 2022, ky model u lejua të zhvillohej pa kufizime, derisa Banka e Shqipërisë vendosi me rregullore një normë tavan interesi për kredinë konsumatore.

Rregullorja solli një ulje graduale të normave të interesit për kreditë e vogla. Aktualisht, NEI maksimal për kreditë deri në 200 mijë lekë është ulur në 51.37%, nga niveli fillestar prej 171.41% i vitit 2022.

Megjithatë, ky aktivitet pësoi një shtrëngim të mirëfilltë rregullator gjatë vitit të kaluar, në vijim të çështjes që preku dy institucionet financiare jobanka, Micro Credit Albania dhe Final.

Këto dy institucione u bënë objekt i një çështjeje penale të çuar për gjykim nga Prokuroria e Tiranës, të akuzuara për shkelje të shumta ligjore në procesin e mbledhjes së kredive të këqija. Në vijim, Banka e Shqipërisë vendosi heqjen e licencës për to.

Megjithëse në vetvete rasti lidhej me kompani të mbledhjes së borxheve të këqija, kjo çështje solli një dëm në imazh edhe për institucionet mikrofinanciare, kryesisht të kredive të shpejta dhe mbi të gjitha solli në vëmendje rreziqet nga mbingarkesa e huamarrësve të vegjël me borxhe, përtej kapaciteteve të tyre paguese.

Çështja në fjalë u bë shkak edhe për një shtrëngim të fortë në kuadrin rregullator të lidhur me mikrofinancën. Masat e reja të Bankës së Shqipërisë hynë në fuqi nga fillimi i vitit 2025.

Banka Qendrore vendosi për herë të parë disa kritere të detajuara, duke përfshirë edhe tregues sasiorë, në praktikat e administrimit të rrezikut në huadhënien konsumatore nga institucionet financiare jobanka.

Një institucion financiar jobankë nuk lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës.

Gjithashtu, është përcaktuar edhe një nivel tavan në raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), që do të llogaritet si vlera e totalit të kësteve mujore të kredive ekzistuese, duke përfshirë edhe kredinë për të cilën po aplikohet, të pjesëtuar me të ardhurat neto të të gjithë bashkëkredimarrësve.

Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 60%.

Banka e Shqipërisë miratoi edhe disa ndryshime në formulën e llogaritjes së normës maksimale efektive të interesit (NEI Maksimal) për kreditë e vogla konsumatorë deri në 200 mijë lekë, duke e zbritur nnivelin maksimal në mesataren e thjeshtë të kredive të dhëna në gjashtëmujorin paraardhës.

Këto masa duket se kanë ndikuar në frenimin e kredisë së dhënë nga institucionet e mikrofinancës.

Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar në Shqipëri vepronin gjashtë institucione financiare të licencuara për veprimtarinë e mikrokredisë.

Megjithatë, vlerësohet se në pjesën dërrmuese portofoli i mikrokredisë i takon dy institucioneve më të mëdha mikrofinanciare në vend, IuteCredit Albania dhe ECFA (ish-Kredo Finance)./ E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Portofoli i mikrokredisë pësoi për herë të parë rënie vitin e kaluar appeared first on Revista Monitor.

Investimet e operatorëve të komunikimeve u rritën me 12% vitin e kaluar

5 August 2026 at 12:00

Operatorët e komunikimeve elektronike i rritën investimet gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vlerësohet se operatorët e shërbimeve celulare dhe fikse investuan rreth 5.8 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me një vit më parë.

Mbështetur në të dhënat e AKEP, gjatë vitit 2025 sipërmarrësit e shërbimeve celulare investuan rreth 2.5 miliardë lekë, 10% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Operatori më i madh, Vodafone Albania raportoi investime në shumën e 1.6 miliardë lekëve, ndërsa operatori One Albania investoi rreth 920 milionë lekë.

Sipas AKEP, rreth 90% e vlerës së investimeve të raportuara kanë shkuar në funksion të përmirësimit të infrastrukturës së ofrimit broadband nga rrjetet celulare.

Shifrat e konsumit të shërbimeve celulare vazhdojnë të tregojnë një tendencë afatgjatë të përqendrimit të këtyre shërbimeve tek interneti dhe rënien e shërbimeve të thirrjeve zanore dhe mesazheve të shkruara.

Statistikat tregojnë se volumi total i të dhënave të transmetuara në rrjetet celulare vitin e kaluar arriti në afërsisht 260 milionë GB (gigabyte), në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë.

Mesatarisht, një përdorues i shërbimeve celulare konsumoi 10.4 GB në muaj. Edhe ky tregues ishte në rritje me 16% krahasuar me një vit më parë.

Rritja graduale e përdorimit të internetit dhe zgjerimi i rrjeteve të teknologjisë 5G kanë bërë që investimet e operatorëve celularë të përqendrohen kryesisht te rritja dhe përmirësimi i kapaciteteve transmetuese të internetit.

Ndërkohë, sipërmarrësit e rrjeteve fikse kanë kryer rreth 3.3 miliardë lekë investime në rrjetet e tyre, shifër kjo në rritje me 15% krahasuar me një vit më parë.

Sipas raportimeve, edhe në këtë vit investimet janë kanalizuar kryesisht në funksion të përmirësimit të aksesit të shërbimeve broadband rreth 89% e totalit, ku ndër investimet kryesore është fokusimi drejt zhvendosjes së rrjeteve të transmetimit nga teknologjia DSL (me tela bakri) drejt teknologjisë me fibër.

Tregu i shërbimit të internetit me linja fikse në dekadën e fundit ka qenë mjaft konkurrues, sidomos në qendrat e mëdha urbane, ku përqendrimi i popullsisë është më i lartë dhe ku janë përqendruar edhe investimet e operatorëve në infrastrukturë rrjeti.

Shpejtësia mesatare e lidhjeve të internetit nga rrjetet fikse u rrit më tej gjatë dhe numri i pajtimtarëve që kanë akses me shpejtësi më shumë se 30 Mbps (megabit për sekondë) në 2025 përbënte rreth 89% të totalit të numrit të pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fiks.

Një vit më parë, pajtimtarët me shpejtësi më shumë se 30 Mbps përbënin rreth 84% të totalit.

Sipas të dhënave të raportuara në AKEP nga operatorët e tregut, të ardhurat totale të tregut të komunikimeve elektronike vitin e kaluar prekën vlerën e 40.3 miliardë lekëve (rreth 400 milionë eurove), në rritje me 2% krahasuar me vitin 2024.

Rritja e tregut erdhi e gjitha në segmentin e shërbimeve celulare. Dy operatorët e rrjeteve celulare, Vodafone Albania dhe One Albania, vitin e kaluar raportuan të ardhura prej komunikimeve elektronike në vlerën 28.95 miliardë lekë, në rritje me 3.7% krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë, volumi i tregut të shërbimeve nga rrjetet fikse vitin e kaluar zbriti në 11.2 miliardë lekë, me një rënie prej 3.8% krahasuar me një vit më parë./ E.Shehu

 

The post Investimet e operatorëve të komunikimeve u rritën me 12% vitin e kaluar appeared first on Revista Monitor.

Volumi i tregut të faktoringut ra edhe në vitin 2025

5 August 2026 at 11:00

Tregu i produktit financiar të faktoringut u shfaq i dobët edhe për vitin 2025.  Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera e faturave të financuara me faktoring ra për të dytin vit radhazi dhe zbriti në 0.94 miliardë lekë, me një rënie prej 27.7% krahasuar me një vit më parë.

Edhe numri total i faturave të financuara nëpërmjet faktoringut pësoi rënie të ndjeshme në 981, nga 1269 që kishin qenë në vitin 2024.

Tregu ngelet në përmasa tejet të vogla, krahasuar me produktet e tjera të financimit.

Në fund të vitit 2025, teprica e portofolit të faktoringut kishte vlerën totale të 480 milionë lekëve, në rritje me 37% krahasuar me një vit më parë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, aktiviteti i faktoringut është realizuar në masën 77% në tregun vendas dhe kryesisht për financime me garanci, në masën 95%.

Faktoringu në Shqipëri është i rregulluar me një ligj të veçantë që prej vitit 2006, por tregu i këtij produkti nuk ka arritur asnjëherë të rritet në përmasa të rëndësishme.

Faktoringu është produkt financiar që ka në thelb kthimin e llogarive të arkëtueshme të biznesit në likuiditet, përmes shitjes së faturave tek ofruesi i këtij shërbimi financiar. Shitja e faturave i mundëson biznesit likuiditet të menjëhershëm, pa pritur momentin e shlyerjes së faturës nga blerësi i produktit apo shërbimit.

Ky produkt mund të jetë potencialisht me interes për të gjitha bizneset që kanë afate të vonuara të arkëtimit të pagesave për produktet apo shërbimet e tyre.

Teknikisht, faktoringu ofrohet nëpërmjet zbritjes së vlerës së faturës nga financuesi, në formë komisioni, ose përmes pagesës së një norme interesi për periudhën që nga shitja e faturës deri në arkëtimin e saj.

Tregu financiar shqiptar ngelet i dominuar kryesisht nga kredia bankare, ndërsa depërtimi në treg i produkteve alternative të financimit në përgjithësi është modest. Bizneset i plotësojnë nevojat e tyre për likuiditet në shumicën e rasteve me overdrafte apo linja kredie për kapital qarkullues nga bankat tregtare.

Sipas regjistrit të institucioneve financiare jobanka të Bankës së Shqipërisë, aktualisht janë shtatë kompani me licencë për të ofruar shërbimet e faktoringut. Por, megjithatë, për shumicën e subjekteve, faktoringu është aktivitet dytësor, madje një pjesë e tyre nuk kanë një portofol aktiv të këtij produkti.

Licencë për ofrimin e shërbimit të faktoringut kanë edhe pjesa më e madhe e bankave tregtare në vend, por shumica dërrmuese e tyre nuk ofrojnë produkte të faktoringut.

Tre vjet më parë, banka Intesa Sanpaolo Albania u bë e para bankë tregtare që hodhi në treg një produkt të faktoringut, si pjesë e një platforme ndërkombëtare të grupit italian, që synon ta ofrojë faktoringun kryesisht për bizneset e angazhuara në tregtinë e jashtme. Megjithatë, në pasqyrat e saj financiare të vitit 2025, as Intesa Sanpaolo nuk raportonte aktive faktoringu. / E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

The post Volumi i tregut të faktoringut ra edhe në vitin 2025 appeared first on Revista Monitor.

Aplikacionet e dietës po ndihmojnë miliona njerëz, por ekspertët paralajmërojnë edhe për rreziqet

5 August 2026 at 10:26

Numërimi i kalorive, fitimi i medaljeve virtuale, ruajtja e “streak”-ut ditor apo marrja e njoftimeve motivuese janë bërë pjesë e rutinës së miliona përdoruesve të aplikacioneve si MyFitnessPal dhe Noom. Këto platforma nuk ndihmojnë vetëm në monitorimin e ushqimit, por përdorin elementë të lojërave për t’i mbajtur përdoruesit aktivë dhe të motivuar. Megjithatë, studiuesit po paralajmërojnë se e njëjta strategji që krijon zakone të shëndetshme mund të ketë edhe efekte negative për disa persona.

Fenomeni njihet si gamification – përdorimi i pikëve, badge-ve, sfidave, objektivave dhe shpërblimeve për të nxitur sjellje të caktuara. Në vend që të regjistrosh thjesht çfarë ke ngrënë, aplikacioni të “shpërblen” kur arrin objektivat ose të kujton kur nuk ke regjistruar një vakt. Për shumë njerëz kjo funksionon si një motivim i fortë për të ndërtuar zakone më të mira ushqimore.

Por sipas psikologes Isabella Anderberg, e cila studion sjelljen digjitale të dietës në universitetin Flinders në Australi, këto mekanizma mund të ndikojnë negativisht te personat që janë më të prirur ndaj ankthit për peshën apo çrregullimeve të të ngrënit. Një medalje për një seri ditësh mund të krijojë ndjesi suksesi, ndërsa një njoftim që të kujton se nuk ke regjistruar drekën mund të perceptohet si kritikë ose dështim.

Ekspertët ngrenë shqetësime edhe për saktësinë e rekomandimeve. Shumë aplikacione llogarisin nevojat ditore për kalori bazuar në moshën, gjatësinë, peshën dhe objektivin e përdoruesit, por bazat e të dhënave ushqimore nuk janë gjithmonë të sakta. Për më tepër, në disa raste objektivat e kalorive mund të jenë tepër të ulëta, duke krijuar ndjenjë faji kur nuk arrihen dhe duke nxitur sjellje jo të shëndetshme, si kufizimi ekstrem i ushqimit ose ngrënia kompulsive.

Sipas Courtney Simpson, psikologe e specializuar në çrregullimet e të ngrënit, problemi nuk është vetë gamification, por mënyra se si përdoret. Nëse sistemi shpërblen objektiva jo realiste, përdoruesi mund të mbetet i bllokuar në një cikël zhgënjimi dhe presioni psikologjik.

Megjithatë, kjo nuk do të thotë se aplikacionet janë të dëmshme për të gjithë. Për shumë përdorues ato mbeten mjete të vlefshme për të monitoruar ushqimin, aktivitetin fizik apo menaxhimin e sëmundjeve kronike. Studiuesit theksojnë se çelësi është përdorimi i tyre si një udhëzues dhe jo si autoritet absolut.

Rekomandimi i ekspertëve është i thjeshtë: vendosni objektiva realiste, dëgjoni sinjalet e trupit dhe mos e matni suksesin vetëm me numrin e kalorive apo kilogramëve. Në fund, zakonet që zgjasin janë ato që mund të mbahen për muaj e vite, jo ato që sjellin rezultate të shpejta, por të paqëndrueshme./ AP NEWS

The post Aplikacionet e dietës po ndihmojnë miliona njerëz, por ekspertët paralajmërojnë edhe për rreziqet appeared first on Revista Monitor.

NLB, banka që ka interes dhe për tregun shqiptar, pranon humbjen për Addiko Bank, RBI fiton betejën

By: Ornela
5 August 2026 at 10:25

Nova Ljubljanska Banka (NLB) e Sllovenisë nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme të aksionerëve për blerjen e Addiko Bank, duke ia lënë Raiffeisen Bank International (RBI) të Austrisë kontrollin e bankës me prani të gjerë në Europën Juglindore.

Deri në përfundim të periudhës së pranimit, më 29 korrik, në ofertën e NLB-së ishin përfshirë aksione që përfaqësonin 31.22% të kapitalit të emetuar të Addiko-s, nën pragun e kërkuar prej mbi 50%.

“NLB paraqiti një ofertë plotësisht transparente, vetëm me pagesë në para dhe me një çmim më të lartë për të gjithë aksionerët e Addiko-s. Ne e kuptojmë dhe e respektojmë faktin që jo të gjithë aksionerët e vlerësuan ofertën në të njëjtën mënyrë dhe nuk e pranuan atë, megjithëse mbetemi të bindur se shumë nga avantazhet dhe përfitimet strategjike të një bashkimi të mundshëm mes dy grupeve mbeten të pandryshuara”, deklaroi drejtori ekzekutiv i NLB-së, Blaž Brodnjak.

NLB, e cila kishte tentuar pa sukses ta blinte Addiko-n edhe në vitin 2024, synonte që përmes marrjes së kontrollit të bankës me seli në Vjenë të hynte në mënyrë të tërthortë në tregun bankar kroat.

Pas dy përmirësimeve të ofertës, NLB ofroi 37 euro për çdo aksion të Addiko-s, kundrejt 26.5 eurove për aksion të ofruara nga RBI. Megjithatë, pavarësisht çmimit më të lartë, oferta e NLB-së nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme.

RBI konfirmoi të hënën se deri më 29 korrik oferta e saj ishte pranuar për 56.16% të aksioneve që përfshiheshin në ofertë, duke kaluar pragun minimal prej mbi 55%.

Oferta e RBI-së mbetet e kushtëzuar nga miratimet e autoriteteve të konkurrencës në Austri, Slloveni, Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Ukrainë, Kosovë dhe Shqipëri, jo më vonë se 14 maji 2027. Kushti do të konsiderohet i plotësuar edhe nëse afatet ligjore për shqyrtim përfundojnë pa miratim apo ndalim, ose nëse autoriteti përkatës deklaron se nuk ka kompetencë për ta shqyrtuar transaksionin, shkruan See News.

Pas përfundimit të ofertës, RBI pritet të zotërojë rreth 55.55% të kapitalit aktual të Addiko Bank.

Banka austriake njoftoi gjithashtu se aksionerët e Addiko-s që ende nuk e kanë pranuar ofertën e saj, ose që më parë kishin pranuar ofertën konkurruese të NLB-së, do të kenë edhe tre muaj kohë për t’u bashkuar me ofertën e RBI-së. Periudha shtesë zgjat nga 3 gushti deri më 3 nëntor.

 

Addiko ka 900 mijë klientë në rajon

Addiko Bank ushtron aktivitet në Kroaci, Slloveni, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi, ku u shërben rreth 900 mijë klientëve përmes 155 degëve dhe kanaleve digjitale. Banka ofron gjithashtu shërbime bankare digjitale në Rumani.

Ndër aksionerët më të mëdhenj të Addiko-s janë kompania austriake S-Quad Handels- und Beteiligungs, me 9.99%, AikBank e Serbisë dhe Gorenjska Banka e Sllovenisë, të cilat zotërojnë së bashku 9.69%, Alta Group e Serbisë me 9.63%, si dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, me 8.40%.

Për RBI-në, blerja e Addiko-s do të përbënte një mundësi për të rritur pjesën e tregut në Kroaci dhe për t’u rikthyer në tregun slloven.

Nëse transaksioni përfundon me sukses, RBI planifikon t’ia shesë Alta Group filialet e Addiko-s jashtë Bashkimit Europian, përmes një marrëveshjeje ndarjeje të aktivitetit. Këtu përfshihen dy banka në Bosnjë-Hercegovinë, një në Serbi dhe një në Mal të Zi.

RBI tashmë ka filiale në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi, ndërsa Alta Group, që e kishte përfshirë pjesëmarrjen e saj në ofertën e RBI-së, ushtron aktivitet bankar në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

 

Oferta më e lartë e NLB-së nuk mjaftoi

Edhe pse ishte më tërheqëse financiarisht, oferta e NLB-së mbështetej kryesisht nga investitorë financiarë, përfshirë Brandes Investment Partners me seli në SHBA, BERZH-in dhe Wellington Management.

Megjithatë, kushtet paraprake dhe nevoja për një numër të madh miratimesh rregullatore ngritën dyshime për mundësinë e përfundimit me sukses të transaksionit. Shqetësimi ishte veçanërisht i madh në Kroaci, ku NLB përballet me çështje gjyqësore të trashëguara që lidhen me depozitat e vjetra në valutë.

Nga ana tjetër, disa investitorë që mbështetën ofertën e NLB-së, përfshirë Brandes, ngritën shqetësime për strukturën e ofertës së RBI-së. Sipas tyre, marrëveshja e RBI-së me Alta Group mundësonte që oferta të kishte sukses pa mbështetjen e shumicës së aksionerëve që nuk kishin lidhje as me RBI-në dhe as me Alta Group.

Brandes ka pretenduar se Alta Group mund të ruajë një interes ekonomik efektiv në rreth 29.6% të Addiko-s, përmes aksioneve të drejtpërdrejta dhe marrëveshjeve për blerjen e aksioneve.

Përveç pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë prej 9.63%, Alta Group zotëron edhe katër instrumente financiare që përfaqësojnë 19.96% të kapitalit të Addiko Bank.

Javën e kaluar, të katër anëtarët e bordit drejtues të Addiko-s i përfshinë aksionet e tyre në ofertën e blerjes të paraqitur nga RBI, përfundon artikulli i See News.

 

NLB, interes pwr tw hyrw nw tregun shqiptar

Grupi bankar slloven Nova Ljubljanska Banka (NLB) ka ambicie serioze për të hyrë edhe në tregun financiar shqiptar.

Blaž Brodnjak, kryetar i bordit menaxhues (CEO) i grupit bankar slloven, ka deklaruar në një intervistë të mëparshme për Monitor se hyrja në tregun shqiptar do të plotësonte praninë rajonale të NLB-së dhe do të forconte rrjetin e integruar financiar të bankës në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, kjo ndërlidhje mund të mbështeste më tej flukset ndërkufitare të kapitalit dhe ta poziciononte grupin NLB si një lidhje kyçe midis tregjeve rajonale, duke vepruar gjithashtu si një nga qendrat kryesore për investitorët ndërkombëtarë në rajon dhe investitorët vendas në botë.

Ai shprehet se NLB vepron sipas një modeli bankar universal, me një gamë të zgjeruar shërbimesh, nga bankat me pakicë dhe korporata deri te zgjidhjet e investimeve, sigurimeve dhe këshillimit.

Kjo do të thotë se fokusi i NLB shtrihet edhe përtej sektorit bankar dhe është i hapur për të eksploruar mundësi në fusha të tjera të sektorit financiar, duke përfshirë sigurimet apo menaxhimin e aseteve. Kapaciteti i NLB për të blerë institucione financiare vlerësohet deri në 4 miliardë euro vlerë asetesh të ponderuara me risk.

 

“Banka sllovene NLB do të hyjë në Shqipëri për të plotësuar praninë tonë rajonale”

The post NLB, banka që ka interes dhe për tregun shqiptar, pranon humbjen për Addiko Bank, RBI fiton betejën appeared first on Revista Monitor.

Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare rriten më tej, në nivelin më të lartë prej nëntorit 2024

5 August 2026 at 10:00

Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare shënuan një rritje të mëtejshme në ankandin e kësaj jave.

Sipas informacionit nga Banka e Shqipërisë,  yield-i uniform i pranuar u rrit në 6.35%, nga 6.22% që kishte qenë në ankandin e fundit, të muajit qershor.

Yield-i këtyre instrumenteve është gjithashtu në rritje nga niveli prej 5.95% ku qëndronte një vit më parë. Aktualisht, yield-i i obligacioneve 15-vjeçare ka arritur nivelin më të lartë që prej nëntorit të vitit 2024.

Në ankand u regjistrua rritje e kërkesës së investitorëve, ndryshe nga sa ka ndodhur përgjithësisht në muajt e fundit, kur ankandet e titujve afatgjatë janë karakterizuar nga një kërkesë më e ulët e investitorëve.

Ndërkohë, në ankandin e kësaj jave shuma totale e kërkesave ishte rreth 3.8 miliardë lekë, nga 1.5 miliardë lekë që kishte qenë shuma e shpallur për financim.

Ministria e Financave vendosi ta shfrytëzojë kërkesën e lartë dhe e rriti shumën e emetimit në 1.72 miliardë lekë.

Veçanërisht pas tremujorit të dytë, yield-et e titujve qeveritarë kanë shfaqur një tendencë në rritje, sidomos në instrumentet me maturim më afatgjatë.

Konflikti në Lindjen e Mesme shkaktoi rritje të inflacionit dhe forcoi pritshmëritë e tregjeve për një rritje të normave të interesit. Deri tani, Banka e Shqipërisë nuk e ka rritur ende normën bazë, megjithëse inflacioni ka arritur në 3.2%, ndërsa inflacioni bazë është në nivele më të larta, në 3.5%.

Kjo zgjedhje është motivuar nga pritshmëria për një tejkalim të shpejtë të efekteve të krizës gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Megjithatë, zhvillimet e muajit korrik treguan se një pritshmëri e tillë deri tani nuk po përmbushet dhe çmimet e naftës u rritën përsëri.

Kjo pritet të sjellë rritje të mëtejshme të inflacionit, çka e bën edhe më të ngjashme një rritje të normave të interesit nga Banka Qendrore.

Banka Qendrore Europiane ndërkohë e ndërmori një lëvizje, duke rritur normat referuese me 0.25 pikë përqindje në muajin qershor.

Përveç rikalibrimit të pritshmërive të investitorëve, rritja e yield-eve në muajt e fundit mund të shpjegohet me uljen e pjesëmarrjes së tyre në ankande.

Një tendencë e tillë pjesërisht lidhet me një ulje graduale të blerjeve nga bankat, që janë investitorët kryesorë në titujt e borxhit qeveritar dhe me pritshmëri më të larta për rritje të normave të interesit në muajt e ardhshëm.

Yield-et e titujve qeveritarë në përgjithësi janë hallka e parë dhe më e shpejtë ku transmetohen lëvizjet e politikës monetare të Bankës së Shqipërisë.

Një rritje e yield-eve nuk do të reflektohej vetëm në koston e huamarrjes së qeverisë, por më tej edhe në interesat e kredive të sektorit privat./ E.Shehu

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

The post Yield-et e obligacioneve 15-vjeçare rriten më tej, në nivelin më të lartë prej nëntorit 2024 appeared first on Revista Monitor.

Termocentralet me qymyr vijojnë shkeljet e kufijve të ndotjes, pavarësisht afateve ligjore

5 August 2026 at 09:10

Termocentralet me qymyr në Ballkanin Perëndimor emetuan dioksid squfuri mbi gjashtë herë më shumë se kufijtë ligjorë në vitin 2025, ndërsa ndotja nga pluhurat arriti nivelin më të lartë që nga hyrja në fuqi e rregullave aktuale të emetimeve tetë vjet më parë, sipas një raporti të publikuar më 23 qershor nga organizata mjedisore Bankwatch.

Raporti, edicioni më i fundit i vlerësimit vjetor “Comply or Close”, tregon se termocentralet e vjetra në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi vazhdojnë të shkelin kufijtë e ndotjes të përcaktuar në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, pavarësisht paralajmërimeve shumëvjeçare dhe procedurave të shumta ligjore.

Sipas Bankwatch, emetimet e dioksidit të squfurit (SO₂) nga centralet e përfshira në Planet Kombëtare për Uljen e Emetimeve (NERP) ishin gjithsej 6.6 herë mbi kufirin e lejuar në vitin 2025, duke shënuar shkeljen më të madhe relative që nga hyrja në fuqi e kontrolleve të ndotjes në vitin 2018.

Edhe emetimet e oksideve të azotit (NOx) mbetën mbi kufijtë ligjorë, ndërsa ndotja nga pluhurat u përkeqësua ndjeshëm, duke arritur 2.9 herë mbi kufirin e lejuar, nga 1.9 herë një vit më parë.

Gjetjet nxjerrin në pah koston e vazhdueshme mjedisore dhe shëndetësore të varësisë së rajonit nga qymyri, ndërkohë që presioni ekonomik nga politikat e Bashkimit Europian për karbonin dhe amortizimi i infrastrukturës po e bëjnë këtë burim energjie gjithnjë e më pak të leverdishëm ekonomikisht.

“Nivelet e ndotjes, tetë vjet pas afatit për zbatimin e Direktivës për Impiantet e Mëdha të Djegies, mbeten alarmante”, thuhet në raport.

Bosnjë-Hercegovina regjistroi për të dytin vit radhazi emetimet më të larta të dioksidit të squfurit në rajon. Termocentralet e saj çliruan 196,940 tonë SO₂, ose 12.7 herë mbi kufirin kombëtar. Serbia renditet e dyta, me 177,756 tonë, ose 5.1 herë mbi kufirin ligjor.

Ndotësi më i madh individual në rajon mbeti termocentrali Ugljevik në Bosnjë-Hercegovinë, i cili emetoi 115,079 tonë dioksid squfuri, niveli më i lartë që nga hyrja në fuqi e rregullave aktuale. Sipas raportit, situata është veçanërisht shqetësuese sepse centrali tashmë është pajisur me sistem për desulfurizimin e gazrave, duke ngritur pikëpyetje se përse ndotja mbetet kaq e lartë.

Bankwatch thotë se operatori i centralit ka pranuar se sistemi i desulfurizimit nuk funksionon siç duhet, pasi përdorimi i tij përbën një barrë ekonomike, duke hedhur dyshime nëse investimi prej 85 milionë eurosh për kontrollin e ndotjes do të përdoret ndonjëherë plotësisht.

“Emetimet e SO₂ nga Ugljeviku janë rritur që nga viti 2022”, thekson raporti.

Pesë njësi të termocentraleve tejkaluan kufijtë individualë të dioksidit të squfurit me më shumë se dhjetëfish gjatë vitit 2025. Mes tyre ishin njësitë Bitola B1, B2 dhe B3 në Maqedoninë e Veriut, si edhe Ugljevik, Gacko dhe Kakanj 6 në Bosnjë-Hercegovinë.

Ndërkohë, ndotja nga pluhurat u përkeqësua ndjeshëm, kryesisht për shkak të termocentralit Bitola në Maqedoninë e Veriut. Bankwatch raportoi se emetimet e pluhurit në vend u dyfishuan krahasuar me vitin 2024. Vetëm njësitë e Bitolës emetuan 7,675 tonë pluhur, më shumë sesa kufiri i lejuar për të katër vendet e Ballkanit Perëndimor së bashku.

Raporti thekson se centrali “i vetëm tejkaloi shumën e kufijve të lejuar të NERP për pluhurat për të katër vendet”.

Termocentrali Gacko në Bosnjë-Hercegovinë mbeti shkelësi më i madh në raport me kufirin ligjor për pluhurat, duke emetuar 15.1 herë më shumë se niveli i lejuar, megjithëse me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.

Edhe emetimet e oksideve të azotit (NOx) vijuan të tejkalojnë kufijtë ligjorë. Totali i emetimeve nga termocentralet e mbuluara nga planet e reduktimit ishte 1.4 herë mbi nivelin e lejuar, njësoj si në vitin 2024.

Termocentrali Nikola Tesla B në Serbi regjistroi emetimet më të larta absolute të NOx, me 11,247 tonë, ndërsa Kosova A mbeti ndotësi më i madh në raport me kufirin e lejuar.

Përtej termocentraleve të mbuluara nga planet për uljen e emetimeve, raporti evidenton edhe funksionimin e paligjshëm të disa njësive të vjetra me qymyr që duhej të ishin mbyllur sipas përjashtimeve të njohura si “opt-out”.

Këto përjashtime u lejonin centraleve të vjetra të punonin vetëm për një numër të kufizuar orësh përpara mbylljes së detyrueshme. Afati përfundoi në fund të vitit 2023, por termocentrale në Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Serbi vazhduan të operonin gjatë gjithë vitit 2025.

Termocentrali Pljevlja në Mal të Zi, i cili ka kaluar një proces të debatueshëm modernizimi, mbetet nën vëzhgim. “Pljevlja po operon në mënyrë të paligjshme që nga fundi i vitit 2020”, thuhet në raport, duke shtuar se nuk ka prova të qarta që modernizimi e ka sjellë centralin në përputhje me standardet.

Edhe njësitë Tuzla 4, Kakanj 5, Morava dhe Kolubara A vazhdojnë të funksionojnë më shumë se dy vjet pas afatit të mbylljes.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka hapur disa procedura shkeljeje ndaj vendeve përkatëse. Megjithatë, sipas Bankwatch, autoritetet kombëtare nuk kanë vendosur asnjë gjobë ndaj operatorëve të termocentraleve.

“Tetë vjet pas skadimit të afatit për zbatimin e Direktivës për Impiantet e Mëdha të Djegies në Komunitetin e Energjisë, autoritetet kombëtare nuk kanë gjobitur asnjë operator termocentrali për këto shkelje”, përfundon raporti.

The post Termocentralet me qymyr vijojnë shkeljet e kufijve të ndotjes, pavarësisht afateve ligjore appeared first on Revista Monitor.

Jo vetëm të BE, turizmi po rrit dhe bujqësinë e fqinjëve, zgjerohen importet e ushqimeve nga rajoni

5 August 2026 at 06:02

Teksa prodhimi vendas bujqësor po thellon rënien nga viti në viti, kërkesa në rritje për ushqime po nxit jo vetëm ekonominë e Bashkimit Europian, por dhe atë të vendeve fqinjë.

Të dhënat e INSTAT për 6-mujorin e parë 2026 tregojnë se importet e ushqimeve në sasi pësuan rritje vjetore me 14%, teksa importet Kroacia dhe Moldavia sollën shtesën më të madhe, kryesisht nga sasitë më të lartë të drithërave dhe zarzavateve.

Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, importet nga vendet e përfshira në tabelë arritën në rreth 716 mijë tonë, nga 628.2 mijë  tonë në janar–qershor 2025, ose 14% më shumë .

Rritja nuk ka ardhur vetëm nga partnerët tradicionalë tregtarë, por edhe nga një shtim i shpejtë i importeve nga disa vende që më parë kishin një peshë të kufizuar në furnizimin e tregut shqiptar.

 

Rriten importet nga Europës Lindore dhe vendet e rajonit

Shtesa më e madhe në sasi e ushqimeve  u regjistrua nga Kroacia. Importet nga ky vend u rritën nga 4200 tonë në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 në 26,400 tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2026. Në terma absolutë, rritja ishte rreth 22 mijë tonë ose 526%. Vetëm Kroacia gjeneroi afërsisht një të katërtën e rritjes së përgjithshme të importeve të evidentuara në tabelë. Rritja u dominua nga drithërat.

Një zgjerim edhe më i fortë në përqindje u shënua nga Moldavia. Importet nga ky vend u rritën nga vetëm 376 tonë në më shumë se 20.1 milionë kilogramë. Shtesa vjetore ishte rreth 19.8 mijë tonë, me një rritje prej mbi 52 herësh, kryesisht nga drithërat.

Rritje të konsiderueshme pati edhe nga Ukraina, me rreth 12.2 milionë kilogramë më shumë, duke arritur në 26.7 milionë kilogramë. Importet nga Maqedonia e Veriut u shtuan me 11.5 milionë kilogramë, ose 71%, ndërsa ato nga Greqia u rritën me rreth 11 milionë kilogramë, ose 14%. Rritja nga këto vende u dominua nga drithërat, zarzavatet dhe bulmeti.

Këto pesë vende së bashku sollën një shtesë prej rreth 76.6 milionë kilogramësh, duke përbërë pjesën dërrmuese të rritjes vjetore.

Të dhënat tregojnë një zhvendosje të pjesshme të furnizimeve drejt vendeve të Europës Lindore dhe të rajonit. Përveç Kroacisë, Moldavisë, Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, importet  e ushqimeve u rritën edhe nga Bullgaria me 66%, Hungaria me 44% dhe Rumania me 8%.

Furnizimet nga Mali i Zi u shtuan me 72%. Në të njëjtën kohë, importet nga disa vende më të largëta u rritën ndjeshëm. Nga Brazili u importuan rreth 19 milionë kilogramë, 34% më shumë se një vit më parë. Importet nga Argjentina u zgjeruan me 80%, ndërsa ato nga Ekuadori u rritën me 14%.

Rritja e importeve nga Amerika Latine lidhet zakonisht me produkte të tilla si mishi, drithërat, frutat, sheqeri, kafja dhe produkte të tjera që nuk prodhohen në sasi të mjaftueshme në vend. Megjithatë, për të përcaktuar faktorët konkretë të rritjes kërkohet ndarja e të dhënave sipas grupmallrave.

 

Serbia mbetet furnizuesi kryesor me ushqime i Shqipërisë

Serbia vijoi të ishte vendi nga i cili Shqipëria importoi sasinë më të madhe të ushqimeve (drithërave) në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, me rreth 114.8 mijë tonë.

Megjithatë, importet nga Serbia ranë me afro 19.9 mijë tonë ose 15%, krahasuar me një vit më parë. Kjo ishte tkurrja më e madhe në terma absolutë ndër të gjitha vendet.

Pesha e Serbisë në totalin e importeve të evidentuara zbriti në rreth 16% të totalit, nga mbi 21% që ishte një vit më parë. Rënia sugjeron se një pjesë e drithërave që më parë siguroheshin nga Serbia mund të jetë zëvendësuar nga vende të tjera të rajonit dhe të Europës Lindore.

Italia renditej e dyta, me rreth 98.9 mijë tonë ushqime të importuara pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Importet nga Italia u rritën vetëm me 1%, duke treguar një qëndrueshmëri të marrëdhënieve tregtare.

Greqia u rendit e treta, me 88.2 mijë tonë, pas rritjes prej 14%, ndërsa Rusia ishte furnizuesi i katërt, me 59.8 mijë tonë.

Vetëm Serbia, Italia dhe Greqia siguruan së bashku rreth 42% të sasisë së përgjithshme të ushqimeve të importuara nga vendet e listuara.

Kosova mbeti një furnizues i rëndësishëm, me rreth 32 milionë kilogramë, por importet prej saj u rritën vetëm me 1%. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut e zgjeroi ndjeshëm praninë në tregun shqiptar, duke arritur në 27.5 milionë kilogramë.

 

Turizmi rriti dhe ekonominë e BE

Më herët, të dhënat e Eurostat bënë të ditur se bumi i turizmit dhe dobësia e prodhimit vendas në Shqipëri kanë shtuar importet dhe vlerën e krijuar në vendet e BE-së. Sipas të dhënave të Eurostat, konsumi dhe investimet në Shqipëri po krijojnë një ndikim gjithnjë e më të madh në ekonominë e Bashkimit Europian.

Në vitin 2024, kërkesa përfundimtare nga Shqipëria gjeneroi rreth 3.13 miliardë euro vlerë të shtuar dhe mbështeti afro 48.8 mijë vende pune në vendet e BE-së, sipas të dhënave të reja të Eurostat.

Nëse krahasohet me një Prodhim të Brendshëm Bruto të Shqipërisë prej rreth 26 miliardë eurosh, vlera e shtuar që kërkesa shqiptare gjeneron në BE është e barabartë me afërsisht 12% të madhësisë së ekonomisë shqiptare.

Vlera e shtuar e gjeneruar në BE u rrit nga rreth 1.56 miliardë euro në vitin 2010 në 3.13 miliardë euro në vitin 2024, duke u dyfishuar gjatë periudhës. Rritja e fortë e vlerës së shtuar që kërkesa shqiptare gjeneron në BE përkon me bumin e turizmit dhe shtimin e importeve.

Zgjerimi i numrit të vizitorëve ka rritur kërkesën për ushqime, pije, pajisje dhe shërbime, ndërsa kapacitetet e kufizuara të prodhimit vendas, veçanërisht në bujqësi dhe përpunimin ushqimor, kanë bërë që një pjesë e kësaj kërkese të plotësohet nga importet.

 

Turizmi shqiptar rrit ekonominë europiane; Kontributi i Shqipërisë në BE dyfishohet në 3.1 mld euro

 

/ B.Hoxha

 

The post Jo vetëm të BE, turizmi po rrit dhe bujqësinë e fqinjëve, zgjerohen importet e ushqimeve nga rajoni appeared first on Revista Monitor.

15 bashki kanë më pak se 10 mijë banorë, por shkrihen 4 me mbi 25 mijë

5 August 2026 at 06:01

Varianti i propozuar nga Partia Socialiste për reformën e re territoriale, i cili me gjasë do të zbatohet për shkak të votave që mazhoranca ka në Kuvend, tregon se ndarja e re nuk merr në konsideratë vetëm numrin e banorëve.

Partia Socialiste, në draftin që dorëzoi në Kuvend, propozoi konsolidimin e 15 bashkive: Maliq, Dimal, Cërrik, Divjakë, Përrenjas, Patos, Belsh, Rrogozhinë, Klos, Selenicë, Poliçan, Memaliaj, Fushë-Arrëz, Këlcyrë dhe Libohovë.

Propozimi i PS për reformën territoriale: Ulet numri i bashkive nga 61 në 46

Sipas të dhënave të Censit 2023, nga 46 bashkitë që mbeten, 10 kanë më pak se 10 mijë banorë. Mes tyre janë Himara, Dropulli, Përmeti, Kolonja, Tepelena, Memaliaj, Puka, Delvina, Konispoli dhe Pusteci.

Pusteci, me vetëm 1.8 mijë banorë, është bashkia më e vogël në vend, por vijon të ruhet si njësi më vete. Edhe Konispoli, me 4.9 mijë banorë, ka popullsi të përafërt me Fushë-Arrëzin dhe shumë më të vogël se disa prej bashkive që shkrihen.

Analiza e të dhënave të Censit 2023 tregon se riorganizimi nuk kufizohet vetëm te bashkitë me popullsi shumë të vogël.

 

Humbin statusin bashki me mbi 20 mijë banorë

Në listën e njësive që humbasin statusin e bashkisë janë përfshirë edhe bashki relativisht të mëdha, me mbi 20 mijë dhe deri në 31 mijë banorë.

Në total, 15 bashkitë e parashikuara për t’u bashkuar me bashki më të mëdha kanë rreth 224 mijë banorë, ose afërsisht 9.3% të popullsisë së vendit. Popullsia mesatare e tyre është rreth 15.6 mijë banorë, ndërsa gjysma kanë më shumë se 14.8 mijë banorë.

Bashkia më e madhe që pritet të humbasë statusin është Maliqi, me 31 mijë banorë. Ajo renditet e 18-ta ndër 61 bashkitë e vendit për nga numri i popullsisë dhe ka më shumë banorë se 43 bashki të tjera.

Pas Maliqit, njësitë më të mëdha që shkrihen janë Dimali, me 28.1 mijë banorë, Cërriku, me 25.2 mijë, dhe Divjaka, me 24.9 mijë banorë. Këto katër bashki kanë së bashku rreth 109 mijë banorë dhe përbëjnë gati gjysmën e popullsisë së njësive që preken nga reforma.

Në listë përfshihen gjithashtu Përrenjasi, me 18.8 mijë banorë, Patosi, me 18.2 mijë, dhe Belshi, me 17.1 mijë banorë.

Në total, 7 nga 14 bashkitë që shkrihen kanë më shumë se 15 mijë banorë, ndërsa 9 prej tyre kanë mbi 10 mijë banorë.

Bashkitë e tjera të përfshira në variantin e PS-së janë Rrogozhina, me 12.6 mijë banorë, Klosi, me 12.2 mijë, Selenica, me 9.6 mijë, dhe Poliçani, me 8.8 mijë banorë.

Në fund renditen Fushë-Arrëzi, me 4.9 mijë banorë, Këlcyra, me 4.4 mijë, dhe Libohova, me më pak se 2.8 mijë banorë.

 

Konsolidimi rrit madhësinë mesatare të bashkive

Me kalimin nga 61 në 47 bashki, popullsia mesatare teorike për një bashki do të rritej nga rreth 39.4 mijë në mbi 51 mijë banorë.

Në praktikë, rritja do të varet nga mënyra se si territori dhe popullsia e 14 bashkive do të shpërndahen te njësitë pritëse.

Konsolidimi synon të krijojë bashki me administrata më të mëdha dhe me bazë më të gjerë popullsie dhe të ardhurash. Por përfshirja e njësive si Maliqi, Dimali, Cërriku dhe Divjaka tregon se reforma nuk po eliminon vetëm bashkitë që janë bërë të paqëndrueshme për shkak të tkurrjes demografike.

Në disa zona po shkrihen njësi që kanë më shumë banorë se shumë prej bashkive që do të vazhdojnë të ekzistojnë.

Kjo e zhvendos debatin nga pyetja se cilat bashki janë shumë të vogla, te mënyra se si janë zgjedhur qendrat që do të konsolidohen dhe njësitë që do të ruajnë statusin administrativ./ B.Hoxha

 

 

The post 15 bashki kanë më pak se 10 mijë banorë, por shkrihen 4 me mbi 25 mijë appeared first on Revista Monitor.

Online ticket purchases remain rare across the Western Balkans

5 August 2026 at 06:00

Only a small share of people across the Western Balkans buy tickets online for concerts, festivals and other events, according to Eurostat data for 2025.

Serbia recorded the highest rate in the region, with 11.4% of individuals reporting that they had bought event tickets online during the three months before the survey. North Macedonia followed with 10.8%.

Albania ranked next, at 8.6%, ahead of Bosnia and Herzegovina at 7.4%, Kosovo at 7.35% and Montenegro at 6%.

The figures show that online ticket purchases remain limited throughout the Western Balkans. Even Serbia, the regional leader, stood far below the European Union average of 26.8%.

Across the EU, more than one in four people had used the internet to buy tickets for concerts, festivals or other events. In comparison, the rate was roughly one in nine in Serbia and North Macedonia, and fewer than one in 11 in Albania.

Eurostat reported that the EU share increased by 3.8 percentage points compared with 2024, reflecting the growing use of digital platforms and the return of concerts and festivals to Europe’s cultural calendar.

 

 

Wide gap with neighbouring EU countries

The difference between the Western Balkans and nearby EU member states is considerable.

In Greece, 38.9% of individuals had bought tickets online, more than three times the rate recorded in Serbia and more than four times Albania’s level.

The share stood at 28.3% in Croatia and 20.9% in Slovenia. Bulgaria, at 11.4%, was closer to the levels seen in the Western Balkans, while Italy recorded 14.2%, relatively low by EU standards despite its much larger market for concerts and cultural events.

Türkiye also had a low rate, at 6.2%, below Albania and close to Montenegro.

 

Ireland and Norway lead Europe

Among the European countries covered by the data, Ireland had the highest proportion of people buying event tickets online, at 51.5%.

Norway followed with 50.3%, while the Netherlands recorded 48.1% and Denmark 47.9%. The share was 44.2% in Finland, 42.2% in Switzerland and 38.9% in Greece.

In these countries, online purchasing has become the standard way to secure tickets for concerts, festivals, performances and other events.

Within the European Union, the lowest rates were recorded in Bulgaria, at 11.4%, Romania, at 12.6%, and Italy, at 14.2%.

The data underline a clear digital and consumption gap between the Western Balkans and the more advanced event markets of Northern and Western Europe.

The post Online ticket purchases remain rare across the Western Balkans appeared first on Revista Monitor.

Vetëm 8.6% e shqiptarëve blejnë bileta online për evente, ndër nivelet më të ulëta në Europë

5 August 2026 at 06:00

Vetëm 8.6% e individëve në Shqipëri kishin blerë në internet bileta për koncerte, festivale apo evente të tjera gjatë tre muajve përpara vrojtimit të vitit 2025, sipas të dhënave të Eurostat-it.

Përqindja është shumë më e ulët se mesatarja e Bashkimit Europian, ku 26.8% e qytetarëve kishin blerë bileta online. Në BE më shumë se një në katër persona përdor internetin për të siguruar bileta për evente, ndërsa në Shqipëri këtë e bën më pak se një në 11 persona.

Eurostat raporton se në krahasim me vitin 2024, pesha e qytetarëve të BE-së që blenë bileta online u rrit me 3.8 pikë përqindje, e nxitur nga zgjerimi i platformave digjitale dhe rikthimi i koncerteve e festivaleve në kalendarin kulturor europian.

 

Shqipëria pas Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut

Përdorimi i internetit për blerjen e biletave mbetet i kufizuar në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Në rajon, përqindjen më të lartë e kishte Serbia, ku 11.4% e individëve kishin blerë bileta online për evente, e ndjekur nga Maqedonia e Veriut me 10.8%.

Shqipëria renditej më pas me 8.6%, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën, me 7.4%, Kosovën me 7.35% dhe Malin e Zi me 6%.

Edhe Turqia kishte një nivel më të ulët se Shqipëria, me 6.2%.

Diferenca është e dukshme edhe me vendet fqinje të BE-së. Në Greqi, 38.9% e individëve kishin blerë bileta online, më shumë se katër herë niveli i Shqipërisë.

Në Kroaci përqindja ishte 28.3%, në Slloveni 20.9%, ndërsa në Bullgari 11.4%. Italia, pavarësisht tregut shumë më të madh të koncerteve dhe aktiviteteve kulturore, kishte një nivel relativisht të ulët për standardet e BE-së, prej 14.2%.

 

Irlanda dhe Norvegjia në krye

Ndër vendet europiane për të cilat ka të dhëna, Irlanda kishte përqindjen më të lartë, me 51.5% të individëve që kishin blerë bileta online.

Pas saj renditej Norvegjia, me 50.3%, Holanda me 48.1% dhe Danimarka me 47.9%. Në Finlandë përqindja ishte 44.2%, në Zvicër 42.2%, ndërsa në Greqi 38.9%.

Në këto vende, blerja online është kthyer në mënyrën kryesore për të siguruar bileta për koncerte, festivale, shfaqje dhe aktivitete të tjera.

Brenda Bashkimit Europian, nivelet më të ulëta u regjistruan në Bullgari, me 11.4%, Rumani me 12.6% dhe Itali me 14.2%.

 

Koncerti i Kanye West tregoi kufijtë e kërkesës vendase

Përdorimi i kufizuar i platformave online për bileta u reflektua edhe në ecurinë e koncertit të këngëtarit Kanye West në Tiranë, një nga më të mëdhenjtë në botë, që rezulton i dhjeti më i dëgjuar në platformën Spotify.

Aktiviteti ishte planifikuar për një audiencë të madhe me 60 mijë persona, përfshirë dhe turistët, por shitjet ecën më ngadalë nga parashikimet.

Organizatorët kishin deklaruar se duhej të shiteshin të paktën 40 mijë bileta që koncerti të ishte ekonomikisht i leverdishëm, ndërsa pak ditë përpara zhvillimit të tij një pjesë e konsiderueshme e vendeve vijonte të ishte e lirë.

 

Pak ditë para koncertit të Kanye West, gjysma e biletave ende të pashitura, kush i mbulon kostot

 

Një nga pengesat ishte çmimi i biletave, që varionte nga 120 deri në 330 euro, nivele të larta në raport me fuqinë blerëse të publikut vendas.

Edhe interesi nga turistët e huaj rezultoi më i dobët se pritshmëritë fillestare, teksa Shqipëria nuk njihet si një vend që organizon evente të përmasave të tilla.

Në ditët e fundit përpara koncertit, qeveria akordoi rreth 4.2 milionë euro për organizimin e aktivitetit, me argumentin e promovimit të turizmit. Financimi u dha në një kohë kur shitjet nuk kishin arritur nivelin e nevojshëm për leverdinë e deklaruar nga organizatorët, duke u paraqitur nga qeveria si një përpjekje për të shpëtuar koncertin dhe bashkë me të dhe imazhin e vendit.

Rasti tregoi vështirësinë e organizimit të eventeve të mëdha vetëm mbi bazën e kërkesës vendase, në një treg ku jo vetëm fuqia blerëse është e ulët, por edhe përdorimi i internetit për blerjen e biletave është më i kufizuari në Europë.

The post Vetëm 8.6% e shqiptarëve blejnë bileta online për evente, ndër nivelet më të ulëta në Europë appeared first on Revista Monitor.

❌