Normal view

5 miliardë euro për prona, sa i ekspozuar është sistemi bankar

22 August 2026 at 22:12

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia për pasuri të paluajtshme ka shënuar rritje të shpejtë në vitet e fundit. Ndërkohë, kredia direkte për sektorin e ndërtimit është në vlera më të kufizuara dhe rritja e saj është ngadalësuar ndjeshëm që prej vitit të kaluar.

 

Ersuin Shehu

Sektori bankar në vend ndodhet në kulmin e një cikli të rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme.

Të dhënat tregojnë se ekspozimi në hua për prona ka kaluar vlerën e 5 miliardë eurove. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera totale e kredisë për pasuri të paluajtshme në fund të muajit maj të këtij viti arriti në 477 miliardë lekë.

Kredia për pasuri të paluajtshme është në rritje me 12.5% krahasuar me një vit më parë.

Vlera e kredisë për prona përfshin të dyja segmentet e klientëve, biznese dhe individë. Pjesa më e madhe e portofolit u takon individëve, me afërsisht 53% të ekspozimit total në hua për pasuri të paluajtshme, ndërsa diferenca prej 47% është kredi e dhënë për bizneset.

Rritja më e shpejtë po regjistrohet në segmentin e individëve, ku portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme është në rritje vjetore me 13%, ndërsa në segmentin e bizneseve, rritja e kredisë për pasuri të paluajtshme është lehtësisht më e ulët, në nivelin 12.2%.

Aktualisht, kredia për pasuri të paluajtshme përbën më shumë se gjysmën e portofolit total të kredisë së dhënë për sektorin privat të ekonomisë.

Në periudhën pas pandemisë, sektori bankar e ka rritur ndjeshëm portofolin e kredisë për prona, si për bizneset, ashtu edhe për individët. Që nga fillimi i vitit 2020, portofoli i kredisë për pasuri të paluajtshme është rritur me 130%.

Vlerësohet se kreditimi ka qenë faktor shumë i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës në tregun e pasurive të paluajtshme. Por, nga ana tjetër, kjo ka rritur edhe ekspozimin e sektorit bankar kundrejt ecurisë së tregut të pasurive të paluajtshme.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

46% e kredisë është e siguruar me pasuri të paluajtshme

Në shumicën dërrmuese të rasteve, kreditë për pasuri të paluajtshme janë të siguruara me prona të lëna si kolateral në favor të bankave (në rastin më të zakonshëm, vetë prona e blerë me kredi).

Një krizë e mundshme në tregun e pasurive të paluajtshme do të ulte vlerën e kolateralit dhe do të ekspozonte bankat ndaj rreziqeve për humbje nga kreditë.

Sipas të dhënave më të fundit, të mesit të vitit 2025, kreditë me kolateral në formën e pasurive të paluajtshme zinin 46% të tepricës së kredisë, ose rreth 61% të kredisë së kolateralizuar.

Një shifër e tillë natyrisht që e ekspozon potencialisht sektorin bankar ndaj një krize të mundshme në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Një rënie drastike e vlerës së tregut të pronave do të zhvlerësonte kolateralet e bankave dhe do të shkaktonte rreziqe për humbje nga kreditë, në rast të nevojës për të ekzekutuar kolateralet.

Duke pasur parasysh peshën shumë të rëndësishme të ndërtimit dhe të pasurive të paluajtshme në ekonomi, efektet e tërthorta të një krize të këtyre sektorëve në ekonomi dhe në aftësinë paguese të huamarrësve do të ishin gjithashtu serioze.

 

Masat e BSH duket se po japin efektet e para

Duke filluar nga mesi i vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë nisi të aplikojë kufizime për standardet e kredidhënies së re për blerjen e banesave, duke u përpjekur të frenojë rritjen e huasë në segmentin e individëve.

Raporti tavan i kredisë ndaj vlerës në monedhën Lek është vendosur 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë, ndërsa në valutë të huaj, kufiri i lejuar është 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë.

Ndërsa raporti i shërbimit të borxhit ndaj të ardhurave për kreditë në Lek është në nivelin 40% për shtëpinë e parë dhe 35% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj, niveli tavan është 35% për shtëpinë e parë dhe 30% për shtëpinë e dytë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këto masa synojnë ruajtjen e stabilitetit financiar, përballë rritjes së shpejtë të çmimeve të banesave, nëpërmjet ruajtjes së aftësisë paguese të kredimarrësve dhe cilësisë së ekspozimeve të sektorit bankar ndaj tregut të pasurive të paluajtshme.

Gjithashtu, pikërisht për shkak të rritjes së shpejtë të kredisë për pasuri të paluajtshme, Banka e Shqipërisë aplikoi vitin e kaluar për herë të parë një shtesë të posaçme në kërkesat për kapital ndaj sektorit bankar.

Shtesa kundërciklike e kapitalit u vendos për herë të parë në nivelin 0.25% (për t’u zbatuar nga 30 qershori 2025) dhe u rrit më tej në nivelin 0.5% (për t’u zbatuar nga 31 dhjetori 2025).

Deri në fund të vitit të kaluar, efekti i masave të Bankës së Shqipërisë duket se ishte i dobët. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 64.4 miliardë lekësh, ose rreth 658 milionë euro, të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar.

Kredia e re për shtëpi u rrit me 17.3% krahasuar me vitin 2024. Rritja e kredisë së re ishte edhe më e lartë në raport me rritjen prej 13% të vitit të mëparshëm.

Por, pjesa e parë e këtij viti ka treguar ngadalësim të ndjeshëm. Për 5-mujorin janar-maj 2026, kredia e re për banesa zbriti në 27.6 miliardë lekë, në rënie me 4.2% krahasuar me një vit më parë.

Në fakt, tendenca e kredisë është në përmirësim pas tremujorit të dytë dhe ngelet për t’u parë më tej gjatë vitit, nëse përfundimisht këtë vit do të kemi frenim të kredisë për shtëpi.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Çmimet vijojnë të rriten, por kryesisht nga bregdeti

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se, në një horizont krahasimi afatgjatë, çmimet e pasurive të paluajtshme në vend kanë shënuar rritje të ndjeshme. Në raport me vitin bazë 2013, indeksi Fischer është rritur me 270%.

Të dhënat më të fundit, ndërkohë, tregojnë se rritja e çmimeve ka vazhduar, por me ritme më të ngadalësuara.

Indeksi Fischer i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë tregoi që çmimi mesatar i banesave të shitura gjatë gjysmës së dytë të vitit 2025 u rrit me 11.7% në krahasim me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 28% në krahasim me një vit më parë.

Megjithatë, rritja vjetore e çmimeve u ngadalësua nga niveli prej 41.7% i raportuar në gjashtëmujorin e parë 2025. Në veçanti për kryeqytetin, tregu shfaqet në ngadalësim të ndjeshëm.

Indeksi i çmimeve për shitjet në Tiranë u raportua i pandryshuar ndaj gjashtëmujorit të mëparshëm dhe u rrit me 4.4% ndaj nivelit të një viti më parë. Rritja e çmimeve me bazë vjetore pësoi rënie drastike nga niveli prej 32.6% i gjashtëmujorit të parë 2025.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kontributin kryesor në rritjen e vlerës së indeksit të përgjithshëm të çmimeve e ka dhënë rritja në vlerën e indeksit të llogaritur për zonat e bregdetit.

Financimi nëpërmjet kredisë bankare ka vijuar të shoqërojë një pjesë të mirë të shitjeve të pronave. Sipas agjentëve, rreth 61% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar të shitura prej tyre janë blerë me hua bankare. Nga këto, në 38% të rasteve kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Banka e Shqipërisë raporton se gjithashtu çmimet e qirasë sipas agjentëve kanë shënuar rritje në gjashtëmujorin e dytë 2025. Informacioni mbi kërkesën dhe çmimet e qirasë vjen kryesisht nga agjentët që kryejnë aktivitet në zonën e kryeqytetit.

Sipas tyre, kërkesa e përgjithshme për marrje me qira raportohet më e lartë nga kërkesa e gjashtëmujorit të mëparshëm.

Vlerësimet e subjekteve për gjendjen e tregut dhe çmimet në tregun e banesave mbeten përgjithësisht pozitive për afatin e shkurtër dhe për afatin më të gjatë. Pritjet e agjentëve të shitjes për të ardhmen paraqiten përsëri pozitive.

Agjentët kanë pritje pozitive për ecurinë e tregut në territorin ku ata veprojnë për të ardhmen afatshkurtër dhe për periudhën më të gjatë (deri në dy vjet).

 

 

Numri i pronave të shitura ra me 35% në gjysmën e dytë të 2025

Numri i pronave të shitura nga subjektet e vrojtuara prej Bankës së Shqipërisë pësoi rënie në gjysmën e dytë të vitit të kaluar.

Sipas Vrojtimit mbi Ecurinë e Tregut të Pasurive të Paluajtshme, numri i përgjithshëm i pronave të shitura ishte 1273, ose 35% më pak nga numri i raportuar në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit (gjithsej 1959 prona të shitura).

Numri mesatar i pronave të shitura nga çdo subjekt në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025 rezultoi në rreth 8, në rënie të dukshme nga mesatarja prej 11 e raportuar në gjysmën e parë të 2025.

Raporti i numrit të subjekteve që kanë kryer shitje ndaj numrit të përgjithshëm të përgjigjeve të vlefshme u raportua në vlerën 40%. Ky raport ka shënuar rënie graduale në dekadën e fundit, nga një maksimum prej rreth 70% i vlerësuar në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Rreth 37% e shitjeve të realizuara në gjashtëmujorin e dytë 2025 në të gjithë territorin përfaqësohen nga prona të vendosura në zonat më të preferuara brenda qytetit, dhe kjo peshë është e ngjashme me periudhën paraardhëse.

31% e pronave të shitura kanë qenë prona të ndërtuara në periferi brenda qytetit, nga 44% në periudhën e kaluar, ndërsa rreth 32% e pronave kanë qenë prona të ndërtuara jashtë qytetit, nga 21% gjashtëmujorin e kaluar.

Në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, rreth 25% e banesave të shitura janë raportuar të blera nga shtetas jorezidentë. Nga këta, rreth 52% rezultojnë shtetas të vendeve të BE-së.

Në tërësi, pesha e transaksioneve në të cilat blerësit janë jorezidentë ka shfaqur prirje në rritje gjatë 5 viteve të fundit.

Megjithëse numri i pronave të shitura pësoi rënie, koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 9.1 muaj, nga 11.6 muaj në vrojtimin e mëparshëm.

Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u ul ndjeshëm në 8.1 muaj nga 11.1 muaj në gjashtëmujorin e mëparshëm.

Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit në 9.9 muaj nga 8.7 muaj, ndërsa për zonat e tjera, kohëzgjatja e shitjes ishte më e ulët sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke rënë në 10.1 muaj nga 12.8 muaj.

Pavarësisht rënies së shitjeve, numri i pronave të pashitura, si për banesat, ashtu edhe për godinat tregtare, ka vijuar të shënojë rënie. Ky fenomen ka nisur të vërehet që prej fillimit të vitit 2016.

Kjo ecuri tregon se numri i pronave të pashitura ka shënuar rënie të vazhdueshme në secilin nga gjashtëmujorët e kësaj periudhe.

Tkurrja e inventarëve (pronave të pashitura) edhe në 6-mujorin II 2025, pavarësisht rënies së shitjeve, mund të interpretohet me uljen e ofertës së pronave të reja për t’u hedhur në treg, në portofolin e ndërtuesve apo agjentëve të shitjeve të anketuar.

 

Kredia për ndërtimin, rreth 840 milionë euro

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit maj të këtij viti, kredia për sektorin e ndërtimit arriti vlerën e afërsisht 80 miliardë lekëve, ose më shumë se 840 milionë eurove.

Rritja vjetore e kredisë për ndërtimin paraqitet në nivele më të ulëta në raport me rritjen mesatare të kredisë për ekonominë dhe të kredisë për biznesin, me 3.6% krahasuar me një vit më parë.

Në harkun e viteve të fundit, kredia për ndërtimin është rritur, duke ndjekur ciklin pozitiv të zhvillimit të sektorit, por edhe të kreditimit të ekonomisë. Që prej vitit 2020, madhësia e portofolit është zgjeruar me afërsisht 78%.

Kredia për ndërtimin përbën aktualisht 15% të kredisë totale për biznesin. Megjithatë, pesha e saj është në rënie krahasuar me nivelet e vitit të kaluar. Kjo tregon se sektori bankar po e ul gradualisht ekspozimin direkt ndaj ndërtimit në strukturën e portofolit të saj të huasë për bizneset.

Duhet konsideruar, sidoqoftë, se kredia për ndërtimin nuk përfshin vetëm kreditë për ndërtesa, por edhe ato për ndërtime inxhinierike. Në veçanti, sektori bankar ka financuar në përmasa të konsiderueshme disa prej projekteve të rëndësishme të Partneritetit Publik-Privat në vitet e fundit.

Nga ana tjetër, vlerësohet se vetëm një pakicë e ndërtimeve të reja rezidenciale ndërtohen me kredi bankare.

 

Burimi: Banka e Shqipërisë

 

Lexoni edhe:

Bankat, “oreks” në rritje për PPP-të

The post 5 miliardë euro për prona, sa i ekspozuar është sistemi bankar appeared first on Revista Monitor.

Bankat, “oreks” në rritje për PPP-të

22 August 2026 at 22:10

Gjatë viteve të fundit, sektori bankar në vend ka shfaqur “oreks” në rritje për të financuar projektet e rëndësishme të PPP-ve në infrastrukturë.

Në vitin 2025, Tirana Bank nënshkroi një kontratë kredie prej 17 milionë eurosh me kompaninë “Marina Vlorë”, që po zbaton projektin koncesionar të ndërtimit të një porti të jahteve në Vlorë, bashkangjitur me një kompleks rezidencial dhe hotelier, sipas një modeli të ngjashëm me atë që po ndërtohet në Portin e Durrësit.

Në fund të vitit 2023, tre banka tregtare shqiptare vendosën të financonin me një kredi të përbashkët (sindikale) projektin e Partneritetit Publik-Privat për ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

Banka Amerikane e Investimeve, Tirana Bank dhe Union Bank financuan me më shumë se 30 milionë euro ndërtimin e rrugës Thumanë-Kashar.

Në vitin 2021, Intesa Sanpaolo Bank Albania, OTP Albania dhe Tirana Bank financuan një kredi të përbashkët prej 26 milionë eurosh shoqërinë koncesionare “Orikum-Llogora”.

Projekti më i rëndësishëm me financim publik i PPP-ve në ndërtimin e rrugëve është ai i Rrugës së Arbrit. Ky projekt është mbështetur me një kredi të konsiderueshme nga Banka Kombëtare Tregtare (BKT).

Në gusht të vitit 2018, BKT miratoi një hua deri në vlerën e 9.5 miliardë lekëve te kompania “Gjoka 87”, megjithatë në fakt ajo nuk është disbursuar deri në vlerën maksimale të parashikuar.

Sipas pasqyrave financiare të “Gjoka 87”, detyrimi maksimal ndaj bankës ka arritur shumën 4.4 miliardë lekë, në vitin 2022.

Në vitin 2017, BKT gjithashtu ka miratuar gjithashtu një kredi prej 28.5 milionë euro te “Albania Highway Concession”, kompania që po zbaton kontratën koncesionare të përfundimit dhe mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit.

Në rastin e PPP-ve, qeveria shqiptare nuk ofron garanci sovrane, ndaj bankat duhet ta marrin vetë përsipër rrezikun e kredisë. Pavarësisht nga kjo, sektori bankar ka ofruar përsipër financime të konsiderueshme në projektet e PPP-ve në infrastrukturë.

 

Banka e Shqipërisë lehtësoi kreditimin e PPP-ve në infrastrukturë

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi vitin e kaluar disa ndryshime rregullatore, që lehtësojnë dhënien e kredive nga bankat tregtare për projektet strategjike në infrastrukturë.

Ndryshimet ishin propozuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave dhe gjetën dakordësinë e Bankës Qendrore.

Sipas rregullores, projektet në infrastruktura strategjike të transportit do të konsiderohen financimet e projekteve në formën e ndërtimit të një infrastrukture të re, ose të një infrastrukture ekzistuese, në fushat e transportit rrugor dhe të infrastrukturës portuale dhe aeroportuale dhe ku shoqëria tregtare ka një kontratë ose marrëveshje me institucionin shtetëror përkatës.

Bankat tashmë i ponderojnë ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, me peshën e rrezikut 50% (më parë këto kredi ponderoheshin me peshë rreziku 100%), nëse plotësohen kushtet e parashikuara në rregullore.

Një veprim i tillë e bën më pak të kushtueshme dhënien e kredive të këtij lloji në terma të kapitalizimit dhe zgjeron hapësirat e bankave për të financuar projekte të këtij lloji.

Në përgjithësi, kreditë për projektet e infrastrukturës rrugore prekin shifra të mëdha, ndaj kanë edhe ndikim të rëndësishëm mbi raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit, që mat raportin mes aktiveve me rrezik kundrejt kapitalit rregullator.

Në rregulloren “Për raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit” është shtuar një nen i ri, që përcakton se bankat identifikojnë në mënyrë të veçuar nga klasa e ekspozimeve ndaj shoqërive tregtare, ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, të cilat plotësojnë disa kushte specifike.

Rregullorja e ndryshuar vendos si kusht që përfitues fundor i projektit të financuar të jetë qeveria shqiptare.

Kredia duhet të ketë afat maturimi deri në 10 vjet dhe kontrata e kredisë për ekspozimin në fjalë duhet t’i sigurojë bankës një nivel të lartë kontrolli mbi aktivet e projektit dhe të ardhurat që gjenerohen prej tij.

Burimi i shlyerjes së kredisë duhet të përbëhet minimalisht në masën dy të tretat nga të ardhurat që gjenerohen nga projekti i financuar. Kriter tjetër është aftësia e vlerësuar e

huamarrësit për të përmbushur detyrimet e tij financiare, edhe në kushte të theksuara stresi që lidhen me rrezikun e projektit të financuar.

Parashikimet e rregullores së re do të zbatohen për të gjitha ekspozimet ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti, që do të krijohen deri më 31 dhjetor 2026 dhe do të jenë të zbatueshme deri në afatin e miratuar të financimit, që në çdo rast nuk duhet të jetë më i gjatë 10 vjet.

Për të njëjtin qëllim, Banka e Shqipërisë ka miratuar disa ndryshime edhe në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”.

Në këtë rregullore, është shtuar një dispozitë që parashikon se bankat, në llogaritjen e ekspozimeve maksimale të lejueshme përjashtojnë, mes të tjerash, edhe ekspozimet, me jo më shumë se 50% të vlerës së tyre, ndaj shoqërive tregtare që financojnë projekte në infrastruktura strategjike transporti.

 

Lexoni edhe:

5 miliardë euro për prona, sa i ekspozuar është sistemi bankar

 

The post Bankat, “oreks” në rritje për PPP-të appeared first on Revista Monitor.

Rikthehet shtetëzimi i ekonomisë

22 August 2026 at 22:08

Qeveria po avancon një zgjerim të paprecedentë të sektorit publik, duke u zhvendosur nga roli rregullator në një operator aktiv tregu në fusha si nafta, financat dhe mbrojtja. Të paktën 13 kompani shtetërore kanë nisur aktivitetin vitet e fundit dhe pritet të aktivizohen. Trendi po rrit ndjeshëm numrin e punonjësve në administratë, ndërkohë që popullsia e vendit po tkurret me ritme alarmante. Ekspertët paralajmërojnë për “vrimat e zeza” financiare, duke marrë si shembull dështimin e “Air Albania”. Pesha e shtetit në PBB arriti në 11.6% në vitin 2024 nga 8.2% në vitin 2002.

 

Blerina Hoxha

Zgjerimi i shpejtë i sektorit publik në Shqipëri përmes krijimit të korporatave të reja shtetërore në fusha strategjike si nafta dhe financa, shëndeti dhe mbrojtja, po rrit pikëpyetjet për efektet që do të ketë në cilësinë e mallrave dhe shërbimeve, çmimeve dhe mbi të gjitha, devijimin e konkurrencës që buron nga ekonomia e tregut të lirë dhe abuzimin me fondet publike.

Nga “Air Albania”, “Illyrian Guard”, “Banka Shqiptare e Zhvillimit”, një seri kompanish në sektorin e ushtrisë, institucione si “Korporata e Investimeve”, dhe së fundmi krijimi i operatorit publik për tregtimin me shumicë të karburanteve dhe të tjera në proces, po e zhvendosin shtetin nga roli i tij rregullator në një operator tregu.

Prirja në hapjen e ndërmarrjeve të reja shtetërore po rrit numrin e punonjësve në sektorin publik, në një moment kur popullsia e vendit është në tkurrje të shpejtë nga emigrimi i lartë i të rinjve, të cilëve duket se modeli i qeverisjes nuk po u krijon hapësira pune apo jetese.

Sipas të dhënave zyrtare, popullsia e vendit u tkurr me rreth 17% ndërmjet viteve 2014-2025, por në anën tjetër, numri i punonjësve në administratën publike vitin e kaluar arriti në rreth 186 mijë, niveli më i lartë që nga viti 2002.

 

Burimi: INSTAT

 

Me ritme të ngjashme u rrit edhe pesha e sektorit publik në ekonominë e vendit. Të dhënat zyrtare referojnë se në vitin 2024, shteti zotëronte 11.6% të PBB-së së vendit. Ky tregues ishte 10.3% në vitin 2014 dhe 8.2% në vitin 2002.

E krahasuar me vendet e BE-së, Shqipëria ka sektorin publik më të vogël, por ekonomistët janë të ndarë në analizën e tyre për këto zhvillime duke ofruar mbështetje, por me doza të larta të mosbesimit nisur nga shembujt e deritanishëm të keqmenaxhimit.

 

Burimi: INSTAT

 

Pedagogu i ekonomisë, Oltion Rrumbullaku, vlerëson se Shqipëria ka ndjekur një rrugëtim të gjatë dhe të thellë drejt privatizimit total në vitet e para të tranzicionit në 1990, duke lëshuar edhe shumë shërbime, të cilat në vendet e zhvilluara administrohen nga ndërmarrje shtetërore, dhe këtu u janë lënë tërësisht operatorëve privatë.

Sipas tij, roli i shtetit në ekonomi ka mbetur i kufizuar kryesisht te sektori i energjisë elektrike.

Për të tjerë, ndërhyrja e shtetit në tregun e lirë është e pranueshme si lëvizje, me kushtin që ky proces të shërbejë për uljen e kostove dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve drejt qytetarëve.

Eksperti i ekonomisë, Panajot Soko, thotë se ndonëse ndërhyrja shtetërore është parimisht me vend kur tregu dështon të vetërregullohet në segmente të caktuara për një kohë të gjatë, rreziku i keqpërdorimit të aseteve publike mbetet shumë i lartë.

Sipas z. Soko, ekziston frika reale se këto instrumente ekonomike mund të përdoren për të krijuar një pushtet të ri ekonomik brenda tregut, i cili më pas të shfrytëzohet për të diktuar forcën mbi votuesit në favor të përfitimit elektoral të partisë në pushtet, siç ka ndodhur deri më tani.

Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare, thotë se roli i shtetit në ekonomi duhet të jetë sa më i vogël, sa më lehtësues në drejtim të të bërit biznes duke ulur nivelin dhe kostot e burokracisë apo duke ulur nivelin e taksave (roli i mbështetësit të sipërmarrjes së lirë), apo duke nxitur dhe duke mbrojtur konkurrencën e lirë mes aktorëve në treg (roli i arbitrit të paanshëm).

Sipas tij, vetëm një konkurrencë e lirë dhe e ndershme mes aktorëve të tregut rrit eficiencën e alokimit të burimeve në ekonominë e një vendi duke reduktuar në maksimum kostot për qytetarët dhe duke ndikuar pozitivisht në rritjen e mirëqenies së tyre.

 

 

Nafta dhe energjia, rritet pronësia e shtetit

Sektori publik është duke u zgjeruar ndjeshëm në energji nëpërmjet kompanive si “Albgaz”, teksa KESH-i po zgjeron entet e reja që prodhojnë energji diellore. Së fundi, qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë drejt krijimit të bizneseve të reja publike, siç është enti i rezervave strategjike të naftës, i planifikuar për t’u operacionalizuar plotësisht brenda vitit 2026.

Kjo lëvizje, sipas qeverisë, vjen si përgjigje ndaj paqëndrueshmërisë së tregjeve globale dhe nevojës për të përmbushur detyrimet e Bashkimit Europian për mbajtjen e rezervave të sigurisë për 90 ditë.

Ndryshe nga modeli aktual, ku privatët mbartin barrën e rezervave, krijimi i një operatori shtetëror synon të centralizojë importin dhe shpërndarjen e naftës në kohë krizash, duke i dhënë shtetit rolin e rregullatorit dhe lojtarit aktiv në tregun e shumicës.

Eksperti Soko, me ekspertizë në sektorin e hidrokarbureve, thekson se, veçanërisht në tregtimin e naftës, nevojitet forca e shtetit për të thyer këto struktura që mbajnë çmime të larta, duke këmbëngulur se shteti duhet të bëhet pjesë e lojës kudo ku ka hapësirë për të përmirësuar shërbimin dhe për të mbrojtur xhepat e konsumatorëve.

Megjithatë, eksperti ngre hije të forta dyshimi kur bëhet fjalë për fazën e ekzekutimit të këtyre nismave nga qeveria. Ai sqaron se, ndonëse ndërhyrja shtetërore është parimisht me vend kur tregu dështon të vetërregullohet në segmente të caktuara për një kohë të gjatë, rreziku i keqpërdorimit të aseteve publike mbetet ekstremisht i lartë.

Sipas z. Soko, ekziston frika reale se këto instrumente ekonomike mund të përdoren për të krijuar një pushtet të ri ekonomik brenda tregut, i cili më pas përdoret për përfitim elektoral të partisë në pushtet.

Ai argumenton se pothuajse çdo nismë e ndërmarrë deri më sot ka pasur në thelbin e saj interesin politik dhe elektoral të qeverisë, duke lënë të kuptohet se pa një kontroll të rreptë, edhe kjo ndërhyrje në treg mund të devijojë nga misioni i saj publik për t’u kthyer në një mjet për mbajtjen e pushtetit.

Në planin financiar, kostot e krijimit dhe funksionalizimit të këtyre kompanive janë të konsiderueshme. Vetëm për ndërtimin e kapaciteteve depozituese dhe blerjen e rezervës fillestare të naftës, studimet e fundit vlerësojnë një investim që mund të arrijë në miliona dollarë.

Përveç kostove kapitale, ekzistojnë kostot operative vjetore dhe rreziku i eficiencës së ulët menaxhuese, që shpesh karakterizon ndërmarrjet shtetërore në Shqipëri.

Nga ana tjetër, ekonomistët supozojnë se përfitimet lidhen kryesisht me sovranitetin energjetik dhe mbrojtjen e konsumatorit nga luhatjet ekstreme të çmimeve.

Duke zotëruar kompani që menaxhojnë infrastrukturën kritike (si projektet e “Albgaz” për depozitat e Dumresë apo interkonjeksionet me TAP), shteti fiton aftësinë për të ndërhyrë në treg në raste emergjencash, duke garantuar furnizim të pandërprerë për industrinë dhe familjet.

Por ndërkohë shteti nuk ka dhënë shembuj inkurajues te nafta. Rafineria më e madhe në pronësi të shtetit, ARMO, pas privatizimit u shit për skrap para pak vitesh në vend që të rinovohej teknologjia dhe të përpunohej nafta e vendit, për të rritur përfitimet te konsumatorët.

Shqipëria ka zgjedhur të taksojë naftën më shumë se fqinjët duke e renditur vendin tonë në listën e vendeve me çmimet më të larta në këtë produkt.

 

 

Banka e Zhvillimit, kostot dhe përfitimet

Krijimi i Bankës Shqiptare të Zhvillimit (BSHZH) po shënon një kthesë strategjike për mënyrën se si shteti ndërhyn në ekonomi, duke kaluar nga subvencionet direkte drejt një modeli të mirëfilltë financiar.

Banka me kapital tërësisht shtetëror nuk do të veprojë si një bankë e nivelit të dytë ku qytetarët hapin llogari kursimi, por si një katalizator kapitali që synon të mbështesë sektorët me rëndësi kombëtare, si infrastruktura kritike, energjia e rinovueshme dhe bujqësia e shkallës së gjerë, të cilat shpesh konsiderohen si tepër të rrezikshme ose me kthim të ngadaltë për bankat tregtare tradicionale.

Qeveria argumentoi se krijimi i Bankës do të shërbejë si një levë financiare që mundëson thithjen e fondeve nga institucionet ndërkombëtare si Banka Botërore apo Banka Europiane për Investime. Duke pasur një strukturë korporative me kapital shtetëror, ajo mund të ofrojë garanci sovrane dhe kredi me interesa shumë më të ulëta se tregu për projektet që kanë ndikim social dhe ekonomik.

Megjithatë, ky zgjerim mbart kosto dhe rreziqe domethënëse që lidhen me kapitalizimin fillestar nga buxheti i shtetit, që praktikisht janë paratë e taksapaguesve të vëna në rrezik.

Ekspertët pohojnë se nëse projektet që banka financon rezultojnë të pasuksesshme, ose nëse procesi i dhënies së kredive ndikohet nga interesat politike, barra financiare bie sërish mbi shtetin dhe taksapaguesit, duke rritur borxhin publik në mënyrë të tërthortë.

Për më tepër, administrimi i një institucioni të tillë kërkon një staf ekspertësh të nivelit të lartë, pagat e të cilëve përbëjnë një kosto administrative të lartë, e cila duhet të justifikohet me rezultate konkrete në treg.

Një tjetër aspekt që kërkon vëmendje është rreziku i deformimit të konkurrencës në tregun e lirë. Sfidë mbetet balancimi i misionit social për zhvillim me nevojën për të qenë një institucion financiarisht i shëndoshë që nuk kthehet në një barrë të përhershme për arkën e shtetit.

Kapitali i Bankës Shqiptare të Zhvillimit (BSHZH) është përcaktuar në nivelin e 10 miliardë lekëve (përafërsisht 100 milionë euro). Ky kapital nuk derdhet i gjithi menjëherë, por është planifikuar të financohet nga qeveria shqiptare përmes një procesi gradual.

Për vitin 2026, Ministria e Financave ka parashikuar injektimin e këstit të parë prej 1 miliard lekësh (rreth 10 milionë euro) si pjesë e kapitalit fillestar. Ky proces financimi pritet të shtrihet në një periudhë 4-vjeçare derisa të plotësohet shuma totale e nënshkruar.

 

 

Fondet e IPARD

Një tjetër institucion i diskutueshëm është AZHBR, institucioni shtetëror që menaxhoi fondet e IPARD që jepen nga Bashkimi Europian.

Në gusht 2023, Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF) konstatoi shkelje të rënda dhe keqpërdorime të fondeve të programit IPARD II, pas hetimeve të nisura mbi denoncime të qytetarëve për korrupsion, favorizime dhe ndërhyrje politike.

Në 2024 OLAF njoftoi zyrtarisht se nga hetimet kishte identifikuar si të papërshtatshme 33 mln euro fonde të thirrjes së parë dhe të dytë të programit. Programi IPARD II i cili u përfshi në një proces hetimi kishte në total një fond prej 94,6 mln euro në total, nga të cilat 71 mln euro ishin financime të BE-së.

Pas këtij konstatimi u bllokuan fondet e IPARD III, që mbeten ende të ngrira. IPARD III përfshinte 9 masa të reja financimi nga 3 masa që përfshinte programi i mëparshëm.

Në nëntor të vitit të kaluar Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi në Komisionin e Bujqësisë se programi IPARD III, i pezulluar që prej vitit 2023, do të rihapet në vitin 2026.

Sipas tij, qeveria po përmbush masat e kërkuara nga Komisioni Europian pas parregullsive të konstatuara në fazën e dytë të programit, dhe pritet që fondet të zhbllokohen pas vlerësimit të plotë nga DG Agri.

 

Korporata Shqiptare e Investimeve

Katër vite më parë, nën kritikat e forta të Fondit Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare themeloi Korporatën Shqiptare të Investimeve (KSHI) me synimin e një administratori të qeverisë për pronat pasive, për t’i sjellë ato me një vlerë të lartë në treg.

Qëllimi parësor i kësaj nisme ishte “zgjimi” i aseteve publike të fjetura, siç janë ish-repartet ushtarake, magazinat e rrënuara apo tokat bujqësore pa përdorim, dhe shndërrimi i tyre në projekte të strukturuara që tërheqin kapital të huaj. Përmes këtij modeli, korporata merr përsipër të gjithë barrën burokratike, që nga studimet e fizibilitetit e deri te marrja e lejeve, duke i ofruar investitorit një paketë të gatshme.

Shteti injektoi një kapital fillestar prej 2 miliardë lekësh, ose përafërsisht 20 milionë euro, të marra direkt nga taksapaguesit për funksionimin e AIC.

Katër vite nga krijimi, bilanci financiar i AIC-së tregon një konsum të vazhdueshëm të këtij kapitali për shpenzime operative, ku përfshihen pagat e larta të bordeve dhe ekspertëve, si dhe pagesat e kripura për konsulenca ndërkombëtare.

Të dhënat zyrtare nga bilanci tregojnë se humbjet e akumuluara arritën në rreth 1,5 milionë euro në vitin 2024, teksa ende nuk ka rezultate.

Një nga pikat më të debatueshme të Korporatës së Investimeve është projekti i shumëpërfolur i “Durana Tech Park”, i vendosur në korridorin strategjik Tiranë-Durrës.

Projekti u konceptua si një qendër e inovacionit që do të gëzonte statusin e Zonës me Zhvillim Ekonomik të Favorizuar (TEDA), duke ofruar lehtësi drastike fiskale, si përjashtimi nga TVSH-ja dhe tatimfitimi për një dekadë. Në të vërtetë, parku nuk ekziston, teksa kompanitë e lidhura me aktivitete nën hetim kanë përfituar përjashtime nga taksat nga zyrat e tyre të mëparshme.

Akuza kryesore lidhet me faktin se KSHI, duke operuar si shoqëri anonime, u shmanget rregullave të prokurimit publik, gjë që krijon hapësira për marrëveshje preferenciale nën maskën e zhvillimit teknologjik, ndërkohë që në terren nuk ka asnjë progres fizik të projektit.

Ndërkohë, asnjë nga projektet e tjera që kanë të bëjnë me rivitalizimin e stadiumeve në Tiranë, Vlorë dhe Durrës nuk janë realizuar.

 

 

Falimenti i “Air Albania”, ikona e dështimit të shtetit

Rasti i “Air Albania” shërben si shembulli më ilustrues mbi vështirësitë që has shteti kur merr përsipër rolin e sipërmarrësit në tregje tejet konkurruese. Megjithëse ligjërisht kompania nuk ka deklaruar falimentim formal në gjykatë, gjendja e saj financiare e dokumentuar në vitet e fundit pasqyron një dështim total.

Ky rast dëshmoi se menaxhimi shtetëror i kompanisë ajrore u nis nga misione politike dhe imazhi, duke lënë pas dore eficiencën ekonomike dhe disiplinën financiare që kërkon industria e aviacionit.

Sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), “Air Albania” u krijua si një partneritet midis kompanisë shtetërore “Albcontrol” (10%), “Turkish Airlines” (49%) dhe kompanisë private shqiptare “MDN Investment” (41%).

Problematika u bë e dukshme kur bilancet treguan se kompania operonte me humbje të larta. Për shembull, vetëm në vitin 2022, raportimet sugjeruan humbje që kapërcenin vlerën e 15 milionë eurove, ndërsa detyrimet ndaj të tretëve dhe institucioneve shtetërore si “Albcontrol” u rritën në mënyrë eksponenciale.

Eficienca e munguar e shtetit në këtë ndërmarrje u shpërfaq përmes paaftësisë për të kontrolluar kostot operative dhe për të konkurruar me linjat “low-cost” që dominuan tregun shqiptar. Kjo solli një situatë ku kapitali i kompanisë u bë negativ, një tregues i pastër teknik i falimentimit, ku borxhet tejkalonin vlerën e aseteve.

Rasti i “Air Albania” tregon se si kapitali publik rrezikohet kur përdoret për të subvencionuar ndërmarrje që nuk vetëshlyhen. Borxhet e akumuluara ndaj aeroporteve dhe ofruesve të karburantit detyruan pezullimin e fluturimeve apo bllokimin e llogarive, duke krijuar kosto indirekte për taksapaguesit shqiptarë.

Ndërmarrja u kthye në një “vrimë të zezë” financiare, duke vërtetuar se ndërmarrjet tregtare shtetërore e kanë të vështirë të mbijetojnë në një ekonomi tregu të hapur.

 

Bizneset shtetërore që po lindin nga ushtria

Një seri kompanish shtetërore me natyrë tregtare po krijohen në sektorin e mbrojtjes. Në shtator të vitit 2024, qeveria themeloi kompaninë KAYO me aksione shtetërore.

Qeveria i alokoi kompanisë 150 milionë lekë (rreth 1.5 milionë euro) si kapital fillestar, pjesë e një pakete më të madhe prej 440 milionë lekësh për ristrukturimin e sektorit të mbrojtjes.

Vendimi i Këshillit të Ministrave lejon që KAYO të krijojë bashkëpunime me sektorin privat, ku do të detyrohet të kontribuojë me pasuri të paluajtshme jo më pak se 20,000 m², për formimin e një shoqërie të përbashkët tregtare, dhe të kryejë një investim minimal prej 15 milionë eurosh brenda tre viteve.

Shoqëria ka objekt veprimtarie projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve. Shoqëria ndjek interesa ekonomikë dhe tregtarë.

Vetë kompania shtetërore KAYO sh.a. ka themeluar tri kompani të reja në industrinë e mbrojtjes. E para është TIMAK DEFENCE, një kompani private me 80% të aksioneve, ndërsa 20% janë në pronësi të KAYO.

Objekti i veprimtarisë së TIMAK DEFENCE është prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike të posaçme, mjetet ushtarake. Gjithashtu, KAYO ka bashkëthemeluar me një privat M.K.D, i cili ka kontribuar me teknologji dhe ekspertizë në fushën e prodhimit të armëve dhe municioneve.

M.K.D. do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e municioneve të kalibrit të vogël dhe të mesëm, sipas standardeve të NATO-s.

Gjithashtu, KAYO është aksionere në kompaninë GUNA TACTICAL. Kjo kompani është themeluar në bashkëpunim me një tjetër subjekt privat MSSC, i cili ka 49% të aksioneve dhe KAYO, 51%.

GUNA TACTICAL do të fokusohet në prodhimin dhe tregtimin e armëve të lehta dhe pajisjeve taktike për përdorim nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e sigurisë, sipas të dhënave të saj nga ekstrakti në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Këto kompani synojnë zhvillimin e rigjallërimin e zonave industriale të lëna pas dore, si Rubiku, Shkoza, Poliçani dhe Gramshi.

Në të njëjtën kohë, baza ajrore e Kuçovës po rikonvertohet në një qendër operative të NATO-s me kosto rreth 50 milionë euro, ndërsa siguria kibernetike forcohet përmes Njësisë së Sigurisë Kibernetike Ushtarake me 8.4 milionë euro dhe investimeve në teknologji të avancuara përmes “Security & Defense Innovation Center”.

Sektori publik do të shtrihet gjithashtu drejt forcimit të kapaciteteve detare; është edhe ndërtimi i Portit ushtarak në Porto Romano, me vlerë prej 366 milionë eurosh, sipas të dhënave nga dokumentet e politikave prioritare të qeverisë shqiptare dhe ndërtimi i një baze në Pashaliman për rimontin e anijeve.

 

Burimi: Eurostat

 

Kostot e zgjerimit të shtetit

Eksperti Soko argumenton se zgjerimi i sektorit publik, edhe pse është i nevojshëm në disa degë të ekonomisë, paraqet rrezik konkret nisur nga historiku i qeverisjes së kryeministrit Rama.

Ai argumenton se pothuajse çdo nismë e ndërmarrë deri më sot ka pasur në thelb interesin politik dhe elektoral të qeverisë, duke lënë të kuptohet se pa një kontroll të rreptë, edhe kjo ndërhyrje në treg mund të devijojë nga misioni i saj publik për t’u kthyer në një mjet për mbajtjen e pushtetit.

Eksperti i ekonomisë, Oltion Rrumbullaku, vlerëson se Shqipëria ka ndjekur një rrugëtim të gjatë dhe të thellë drejt privatizimit, duke bërë që shumë shërbime, të cilat në vendet e zhvilluara administrohen nga ndërmarrje shtetërore, këtu t’u lihen tërësisht operatorëve privatë.

Sipas tij, roli i shtetit në ekonomi ka mbetur i kufizuar kryesisht te sektori i energjisë elektrike, ndërkohë që hapësira për praninë publike është zvogëluar ndjeshëm. Megjithatë, ai vëren se ka pasur hapa pozitivë si rasti i “Illyrian Guard”, që sipas tij solli përmirësim në ofrimin e shërbimeve të sigurisë.

Duke u ndalur te sfidat e financimit të ekonomisë, z. Rrumbullaku argumenton se mekanizmat e deritanishëm për mbështetjen e biznesit dhe bujqësisë përmes kuadrove “ad-hoc” publikë nuk kanë korrur suksesin e synuar.

Në këtë pikë, ai propozon si një zgjidhje me ndikim të shtuar formalizimin e kësaj mbështetjeje përmes krijimit të një banke me pronësi shtetërore. Nga ana tjetër, eksperti shprehet mjaft kritik lidhur me diskutimet për krijimin e një ndërmarrjeje të re shtetërore në sektorin e naftës.

Z. Rrumbullaku nënvizon se ky sektor është keqmenaxhuar prej dekadash, pavarësisht faktit se ndërmarrjet shtetërore kanë qenë vazhdimisht pjesë e procesit.

Ai tërheq vëmendjen se Shqipëria ka taksat më të larta në Europë për karburantet, situatë që shoqërohet me nivele të larta evazioni.

Në këtë kontekst, ai e sheh shtimin e një tjetër ndërmarrjeje publike jo si zgjidhje, por si një barrë shtesë që do të rriste kostot për publikun, duke mos e konsideruar atë si një lëvizje optimale për tregun.

 

Konkurrenca e pandershme dhe shtrembërimi i rregullave

Kur shteti krijon kompani në sektorë ku privati tashmë operon (si siguria fizike apo IT), ai përdor fuqinë e tij ligjore për të marrë kontrata. Kjo i nxjerr bizneset private jashtë loje, duke dekurajuar investimet e tyre dhe duke zvogëluar numrin e operatorëve në treg.

Ndërmarrjet shtetërore (NPSH) shpesh kanë qasje në financime më të lira, grante qeveritare apo truall shtetëror falas. Një biznes privat nuk mund të konkurrojë me një ent që nuk paguan qira apo që ka garanci shtetërore për kreditë, gjë që shtrembëron çmimet reale të tregut.

Ndryshe nga privati, ndërmarrjet publike nuk kanë frikë nga falimentimi. Nëse ato menaxhohen keq dhe prodhojnë humbje, ato e dinë se qeveria do t’i shpëtojë me paratë e taksapaguesve. Kjo mungesë e “disiplinës së tregut” çon në neglizhencë dhe mungesë eficience.

 

Punësimet politike dhe borxh i fshehur

Ekziston një rrezik i lartë që bordet drejtuese dhe stafi i këtyre kompanive të mbushen me militantë politikë apo individë të lidhur me pushtetin, në vend të profesionistëve të certifikuar, thotë z. Soko.

Kjo i kthen ndërmarrjet në agjenci punësimi elektorale, në vend që të jenë njësi prodhuese.

Ndërmarrjet publike në vendin tonë kanë një historik të gjatë të krijimit të borxheve. Humbjet e tyre nuk shfaqen direkt në buxhetin e shtetit, por mblidhen si borxhe ndaj të tretëve apo bankave.

Në rast dështimi, ky borxh i fshehur bie mbi shpatullat e qytetarëve, duke rrezikuar stabilitetin makroekonomik të vendit.

Shteti në këtë rast është edhe rregullatori, ai që vendos rregullat dhe gjobat. Në praktikën tonë nuk funksionon që një agjenci shtetërore të gjobisë apo të penalizojë një kompani tjetër shtetërore, gjë që ul standardet e sigurisë dhe cilësisë.

Z. Soko thotë se me rritjen e numrit të ndërmarrjeve, rritet edhe vëllimi i fondeve që ato menaxhojnë jashtë mbikëqyrjes direkte parlamentare. Kjo krijon hapësira për afera korruptive në tendera dhe kontrata, ku paratë publike mund të qarkullojnë në rrjete të mbyllura interesash.

 

Krijohen shtigje për devijim të shpërndarjes së burimeve

Eksperti Soko thotë se paratë që investohen për të hapur një fabrikë shtetërore apo një kompani sigurie, janë para që u hiqen sektorëve kritikë si shëndetësia, arsimi apo infrastruktura rurale.

Shteti “humbet fokusin” nga funksionet e tij bazë për të bërë biznesin që mund ta bënte më mirë sektori privat.

Sapo krijohen këto ndërmarrje dhe punësojnë qindra njerëz, për një popullsi në rënie si ajo e Shqipërisë, barra e mbajtjes gjallë të ndërmarrjeve joeficiente mund të kthehet në një kosto të papërballueshme për brezat e ardhshëm.

 

Lexoni edhe:

Problemi i Qeverisë së Madhe në ekonominë e Shqipërisë

The post Rikthehet shtetëzimi i ekonomisë appeared first on Revista Monitor.

Problemi i Qeverisë së Madhe në ekonominë e Shqipërisë

22 August 2026 at 22:06

Intervista / Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare

 

Teksa shteti po kthehet gjithnjë e më shumë në një lojtar aktiv dhe jo thjesht një rregullator, z. Artan Gjergji, ekspert i tregjeve financiare, shpjegon rreziqet që mbart ky model.

Ai zbërtheu

fenomenin e “Crowding Out Effect”, ku kapitali publik dominues lë mënjanë sipërmarrjen private, duke cenuar parimet bazë të konkurrencës së lirë dhe të ndershme.

Ai ngre shqetësimin se kthimi i shtetit në punëdhënësin më të madh në vend, i shoqëruar me kontrata koncesionare jotransparente, nuk rrit eficiencën, por përkundrazi, ushqen nepotizmin dhe klientelizmin politik.

 

Duke qenë se qeveria po zgjeron rolin e saj në ekonomi përmes krijimit të ndërmarrjeve publike në sektorë strategjikë, si e vlerësoni këtë qasje në raport me parimet e tregut të lirë dhe ndikimin e saj afatgjatë në konkurrencën dhe zhvillimin e sektorit privat?

Siç bëhet e ditur tashmë edhe nga statistikat zyrtare të publikuara nga INSTAT, nuk është më e fshehtë që sektori publik është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB-së).

E ashtuquajtura “Qeveria e Madhe” tashmë identifikohet lehtë tek u referohemi nivelit të lartë të shpenzimeve buxhetore krahasuar me totalin e vlerës së ekonomisë së një vendit.

Po ashtu, zëra të rëndësishëm në këtë kontekst konsiderohen edhe vlerat e kontratave koncesionare, vlerës së investimeve publike të kontraktuara, e rikontraktuara disa herë nëpërmjet shtesave dhe ri-shikimeve që u bëhen në mënyrë aspak transparente kontratave.

Nëse u referohemi terminologjisë që përdoret rëndom edhe në shkencat politiko-ekonomike, por edhe në zhargonin e përditshëm, një Qeveri konsiderohet me prani dhe ndërhyrje mjaft të madhe në ekonominë e një vendi nëse u referohemi një grupi indikatorësh që tregojnë shtrirjen, ndikimin dhe peshën e saj në ekonomi, shoqëri dhe administratë publike.

Padyshim që institucionet financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, FMN, Banka Europiane e Investimeve, apo BERZH dhe OECD, shkojnë më në detaje për specifikimin dhe detajimin e mëtejshëm të këtyre indikatorëve, por esenca mbetet e njëjtë.

Një tjetër element shumë i rëndësishëm dhe faktor përcaktues që tregon më së miri rritjen e ndikimit të financave publike (alias pushtetit ekzekutiv) në ekonominë e vendit është edhe niveli i lartë i punëzënies që krijon Shteti (kupto buxheti dhe financat publike) në totalin e ekonomisë së një vendi.

Edhe këtu, Qeveria Shqiptare sa vjen dhe e ka rritur ndikimin e saj duke u kthyer (fatkeqësisht) në punëdhënesin më të madh në ekonominë e vendit.

Them fatkeqësisht pasi, duke i qëndruar besnik edhe doktrinave të ekonomisë së lirë të tregut, e fus veten tek ata ekonomistë që mendojnë dhe gjykojnë se eficienca më e lartë e përdorimit të resurseve dhe kapitaleve të një ekonomie bëhet nga sipërmarrja private.

Sepse në kushtet e një konkurrence të lirë e të ndershme, kapitali alokohet më me eficiencë në ata sektorë të ekonomisë që janë edhe më me vlerë të shtuar në ekonomi.

Çdo ndërhyrje e shtetit në ekonomi përtej rolit të arbitrit dhe garantuesit të konkurrencës së lartë lë vend për deformime të balancës së kërkesë-ofertës në treg (rasti më i mirë) e deri te nepotizmi dhe/apo korrupsioni i përdorimit të fondeve publike (rasti më i keq).

Thënë kjo, jo çdo lloj ndërhyrje apo prani e Shtetit në ekonomi (fondet publike apo investimet publike) është e keqe. Padyshim që në sektorë të caktuar dhe që janë të margjinalizuar (kanë fitime të vogla për të joshur tërheqjen e kapitalit privat) fondet publike mund të mbështesin përkohësisht nxitjen dhe zhvillimin e tyre.

Por kurrsesi kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht, dhe kurrsesi Shteti nuk mund të dalë përtej rolit të tij lehtësues dhe nxitës e të kthehet në lojtar të tregut pasi do të dëmtonte shumë balanca në tregun e lirë.

E kur kjo situatë shkon edhe m ëtej duke e bërë Shtetin lojtarin kryesor të tregut, atëherë situata bëhet edhe më e rrezikshme për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social.

 

Çfarë efekti pritet të kenë këto struktura mbi konkurrencën dhe zhvillimin e sektorit privat?

Çdo ndërhyrje në marrëdhënien e konkurrencës mes aktorëve të tregut krijon deformime tregu dhe prishje të ekuilibrave të kërkesë-ofertës. E nëse kjo ndërhyrje vjen nga instancat shtetërore, efekti është shumë herë më negativ, sepse së bashku me deformimin përfshihen edhe elemente të tjera si nepotizmi, korrupsioni etj.

Është njëlloj si në një sallë gjyqi, gjyqtari që duhet të sigurojë paanshmëri dhe drejtësi mbi palët të bëhet i njëanshëm dhe favorizues me njërën prej palëve në sallë.

Ka një koncept në financat publike që quhet Efekti Përjashtues (Crowding Out Effect) që shkakton përdorimi masiv i fondeve publike në sektorët e një ekonomie të tregut. Sepse madhësia e kapitalit që ka në dispozicion Qeveria nuk krahasohet me kapitalin që mund të ketë sipërmarrja private.

Kjo e bën shtetin më të avantazhuar në sipërmarrje të caktuara nëse ky i fundit tenton të sillet si lojtar. Sepse pushteti politik ka përparësi të tjera që kanë pak ose aspak lidhje me eficiencën e përdorimit dhe alokimit të kapitalit.

Shteti nuk hyn në lojë me logjikën e një agjenti ekonomik që vlerëson kosto margjinale me përfitimet margjinale. E pikërisht ky element e bën kapitalin publik më dominues duke përjashtuar kapitalin privat nga konkurrenca e lirë dhe e ndershme.

Përveç kësaj, fondet publike të nxitura nga interesa politike synojnë të jenë joshëse në funksion të votave dhe garantimit të vazhdimësisë së pushtetit.

Kjo sjell dy pasoja negative për ekonominë e një vendi. Ose krijon një lloj “punëzënie fiktive të fshehur” (hidden emploeyement), sepse pushteti rrit punësimet fiktivisht përtej nevojave reale, për efekt elektoral dhe jo i bazuar në eficiencën e përdorimit të kapitalit apo të burimeve njerëzore.

Ose rrit në mënyrë fiktive nivelin e pagave të sektorit publik, duke i bërë konkurrencë të pandershme sektorit privat.

Them në mënyrë të pandershme, sepse buxheti i shtetit nuk prodhon para, dhe si i tillë në konflikt të plotë interesi mbijeton në kurriz të barrës tatimore që rëndon mbi biznesin privat, i cili duhet të përballet edhe me kostot e shtuara që vijnë sa nga largimi dhe emigrimi i popullsisë, aq edhe nga konkurrenca e pandershme e pushtetit ekzekutiv i cili përcakton dhe hierarkinë e pagave.

E thënë me fjalë më të thjeshta, (pu)Shteti “bën bujarin” me votuesit e tij potencialë, duke futur dorën në xhepat e biznesit (rritja e barrës tatimore), në mënyrë që paradoksalisht t’i marrë punonjësit nga sektori privat në drejtim të administratës publike.

Mendoj që është fatkeqësi e madhe për ekonominë e një vendi, kur sipërmarrësi privat ul qepenin e biznesit të tij, për të pranuar një punë si rrogëtar në Shtet.

Kjo është situata sot në Shqipëri, dhe shpesh i bëj pyetjen retorike vetes: “A mendon ky Shtet se ku do të mbledhë taksa nëse në mënyrë direkte ose indirekte konkurron, përjashton apo edhe falimenton sipërmarrjen private?”

 

Sa i lartë është rreziku i keqmenaxhimit, klientelizmit dhe kostove për buxhetin publik?

E kam thënë edhe më lart që asgjë e mirë nuk vjen nga roli protagonist i Shtetit në ekonominë e vendit. Krejt e kundërta ndodh nëse Shteti do të luante vetëm rolin e arbitrit, që nga njëra anë të mundësojë një konkurrencë të lirë e të ndershme mes operatorëve të tregut pa u bërë vetë palë.

Por nga ana tjetër do të ishte aty vigjilent për të mbikëqyrur çdo praktikë abuzive që këta operatorë tregu do të aplikonin (të verbuar nga dëshira për fitime maksimale) në kurriz të konsumatorëve të vegjël e të painformuar apo paedukuar.

Dalja e Shtetit (fondeve publike) nga kjo llogore, i bën ata jo vetëm palë në treg duke deformuar balancat, por për shkaqe elektorale, rrit shanset për abuzime, klientelizma, tarafe e nepotizmi e deri në korrupsione të niveleve të larta.

Nacionalizmi i sipërmarrjeve fitimprurëse, përveçse kryesisht ka ndodhur në vende që nuk janë demokraci të mirëfillta apo kanë qenë vende diktatoriale, kurrë nuk ka rezultuar i suksesshëm si eksperiment. Dhe kurrë nuk ka për të rezultuar.

 

A ka alternativa më efikase dhe më pak ndërhyrëse nga shteti për të arritur të njëjtat objektiva ekonomikë?

Padyshim që po. Siç e kam thënë më lart, roli i shtetit në ekonomi duhet të jetë sa më i vogël, sa më lehtësues në drejtim të të bërit biznes duke ulur nivelin dhe kostot e burokracisë apo ulur nivelin e taksave (roli i mbështetësit të sipërmarrjes së lirë), apo duke nxitur dhe duke mbrojtur konkurrencën e lirë mes aktorëve në treg (roli i arbitrit të paanshëm).

Vetëm një konkurrencë e lirë dhe e ndershme mes aktorëve të tregut rrit eficiencën e alokimit të burimeve në ekonominë e një vendi, duke reduktuar në maksimum kostot për qytetarët dhe ndikuar pozitivisht në rritjen e mirëqenies së tyre.

Gjithashtu, tek është mbështetës dhe garantues i konkurrencës, Shteti duhet të mbrojë padyshim edhe interesat e konsumatorëve, apo të mundësojë një funksionim bazik të disa sektorëve ku kapitali privat nuk shikon përfitime të mëdha për të hyrë në mënyrë imediate (në ekonomi njihen edhe si “monopole natyrore”, siç janë diplomacia, gjyqësori, mbrojtja kombëtare etj.)

 

Lexoni edhe:

Rikthehet shtetëzimi i ekonomisë

The post Problemi i Qeverisë së Madhe në ekonominë e Shqipërisë appeared first on Revista Monitor.

Reforma Territoriale, një hartë e re nuk mjafton për të përmirësuar shërbimet

22 August 2026 at 22:04

Editorial / Shqipëria po përgatitet të ndryshojë për herë të dytë, brenda pak më shumë se një dekade, hartën e qeverisjes vendore. Projektligji i mazhorancës propozon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke bashkuar 15 prej tyre me njësitë më të mëdha fqinje.

Por debati nuk duhet të kufizohet te numri i bashkive. Pyetjet thelbësore janë nëse harta e re do të arrijë të bëjë një menaxhim më të mirë të zonës në njësinë që mbulon pushteti vendor dhe do t’i përmirësojë realisht shërbimet për qytetarët.

Përvoja e reformës së vitit 2014 nuk është inkurajuese. Bashkimi i 373 njësive vendore në 61 bashki synonte ekonomi shkalle, administrata më profesionale dhe shërbime më cilësore. Të ardhurat vendore u rritën për shkak se morën më shumë funksione dhe taksat e tarifat më të larta, por kjo nuk u përkthye në të njëjtën masë në përmirësim të shërbimeve.

Banka Botërore evidentoi se furnizimi me ujë, kanalizimet, menaxhimi i mbetjeve, arsimi, kujdesi për fëmijët dhe reagimi ndaj fatkeqësive u përkeqësuan në zonat me nevoja më të mëdha, sidomos në territorin rural.

Teksa banorët detyroheshin të udhëtonin me orë për të marrë një shërbim minimal, kjo nxiti dhe shpopullimin e zonave, një temë kjo e trajtuar më herët në “Monitor”.

Ky është mësimi që rrezikon të anashkalohet përsëri: bashkimi administrativ zvogëlon numrin e institucioneve, por nuk e shkurton distancën e qytetarit nga shërbimi.

Kur qendra e vendimmarrjes largohet dhe njësitë administrative nuk kanë buxhet, personel e kompetenca reale, ekonomia e shkallës për bashkinë mund të kthehet në kosto shtesë për banorin.

Edhe pretendimi se reforma e vitit 2024 solli administrata më të vogla dhe më eficiente ka rënë tërësisht. Personeli i pushtetit vendor u dyfishua nga rreth 19 mijë punonjës në 2014 në mbi 39 mijë në 2025. Vitin e kaluar, rreth gjysma e buxhetit vendor shkoi për personelin, nga 25.5% në vitin 2021.

Në shumë bashki të vogla, pagat zënë mbi 60% të buxhetit, duke lënë pak hapësirë për investime. Ndërkohë, raporti i punonjësve për 1,000 banorë u rrit me rreth 8.2% vetëm gjatë vitit 2024.

Rritja e personelit lidhet pjesërisht me funksionet e transferuara nga qeveria qendrore, ndaj nuk mund të trajtohet e gjitha si fryrje administrative.

Megjithatë, nuk ka analiza për të vlerësuar dobishmërinë e rritjes së numrit të punonjësve. Në vitin 2024, shërbimi i mbetjeve mbulonte mesatarisht 85.6% të popullsisë, por vetëm rreth 65% të banorëve ruralë. Pra, pas një dekade reformë, një pjesë e madhe e fshatrave mbetet ende jashtë një shërbimi bazë.

Përvoja tregoi se reforma e vitit 2014 u deformua gjatë zbatimit. Shumë funksione u transferuan të copëzuara te pushteti vendor, duke sjellë kaos në ofrimin e shërbimeve.

Zjarret janë shembulli më i qartë i pasojave të amullisë së kompetencave: stacionet dhe trupat zjarrfikëse varen nga bashkitë, standardet mbikëqyren nga Ministria e Brendshme, ndërsa operacionet e mëdha duhet të drejtohen nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, duke krijuar disa qendra vendimmarrjeje që ngadalësojnë ndërhyrjen dhe lejojnë kalimin e përgjegjësisë nga një institucion te tjetri.

Pikëpyetje ngre edhe konsultimi për reformën e re. Procesi nisi përmes një komisioni të paraqitur si bipartizan, por përfundoi pa një produkt konsensual. Projektligji me 46 bashki u depozitua në Kuvend dhe vetëm më pas iu dërgua bashkive, të cilave iu dhanë 60 ditë kohë për konsultime me qytetarët. Kjo krijon përshtypjen se qytetarët po pyeten, pasi harta është konfiguruar.

Një konsultim serioz duhej të zhvillohej përpara përzgjedhjes së variantit. Për çdo bashkim duhej të publikohej analiza e ndikimit: sa do të kursehet, çfarë shërbimesh do të përmirësohen, sa do të udhëtojë qytetari, si do të ndahet buxheti dhe çfarë përfaqësimi do të kenë komunitetet që humbasin statusin e bashkisë.

Dëgjesat duhej të përfshinin jo vetëm drejtuesit vendorë, por edhe banorët e fshatrave, bizneset, fermerët dhe grupet që përdorin çdo ditë shërbimet lokale.

Reforma e re duhej të niste nga analiza e problemeve të reformës së parë dhe problemeve aktuale që kanë banorët për shërbimet dhe jo nga kufijtë.

Fillimisht duhej të përcaktohej standardi minimal: sa larg duhet të jetë qytetari nga sporteli, sa shpesh duhet të mblidhen mbetjet dhe çfarë mbulimi duhet të ketë për rrugët, ujitjen, zjarrfikësit, kujdesin social dhe arsimin parashkollor. Vetëm më pas mund të vendosej nëse zgjidhja është bashkimi, bashkëpunimi mes bashkive, forcimi i njësive administrative apo financimi më i madh.

Kapaciteti i dobët i një bashkie nuk është automatikisht argument për shkrirjen e saj. Ai mund të jetë pasojë e financimit të pamjaftueshëm, e mungesës së stafit profesional, ose e funksioneve që nuk përputhen me burimet.

Për këtë arsye, harta e re duhej të shoqërohej me reformë të financave vendore dhe me kompetenca e buxhete të identifikueshme për qytetet dhe njësitë administrative. Emërimi i një nënkryetari në qytetin që humbet statusin e bashkisë nuk garanton afërsi me qytetarin, nëse ai nuk ka autoritet dhe burime.

Reforma e vitit 2014 tregoi se bashki më të mëdha nuk do të thotë domosdoshmërisht bashki më funksionale.

Nëse ndryshojnë vetëm kufijtë, Shqipëria mund të ketë 46 bashki në vend të 61, por të njëjtat probleme me financimin, administratën dhe shërbimet. Harta e re ka kuptim vetëm nëse qytetari shërbehet më mirë, më shpejt dhe më pranë vendbanimit të tij dhe nuk detyrohet ta braktisë atë për shkak të mungesës së shërbimeve, dhe jo të shndërrohet në një mekanizëm shtesë për nxitje migrimi dhe braktisjeje të zonave të largëta.

Në përfundim, thelbi i pavarësisë së pushtetit vendor lidhet edhe me krijimin e mjedisit institucional që mbështet përfaqësimin efektiv të komuniteteve, sado të vogla apo ekonomikisht të pafuqishme të jenë ato. Përqendrimi i qendrave të pushtetit në Shqipëri gjithnjë ka sjellë reduktim të këtij përfaqësimi.

 

The post Reforma Territoriale, një hartë e re nuk mjafton për të përmirësuar shërbimet appeared first on Revista Monitor.

Elon Musk po vë gjithçka në lojë për një teknologji të paprovuar

22 August 2026 at 22:02

Çfarë fshihet pas ofertës publike më të madhe në botë

 

Është një nisje e një lloji më burokratik se normalisht për SpaceX, por gjithsesi karakteristike për nga spektakli. Më 20 maj, pasi tregjet financiare amerikane ishin mbyllur, Elon Musk, themeluesi i kompanisë së raketave dhe njeriu më i pasur në botë, i dha dritën e gjelbër ofertës publike fillestare (IPO) më të madhe të realizuar ndonjëherë.

Dokumentet e depozituara pranë rregullatorëve amerikanë hapin rrugën që SpaceX, e cila ka pushtuar hapësirën por po shpenzon një pasuri për Inteligjencën Artificiale (IA), të debutojë në bursën NASDAQ në qershor.

Zoti Musk kishte shpresuar ta shënonte këtë moment me një fluturim testues të versionit më të fundit të raketës gjigante dhe problematike Starship, mbi strukturën prej çeliku të së cilës mbështeten ambiciet astronomike të kompanisë.

Por testi, i planifikuar fillimisht për më 19 maj, është shtyrë vazhdimisht. Ndërsa The Economist po shkonte për botim (numri në fjalë), Starship pritej të fluturonte më 21 maj. Suksesi ose dështimi i tij mund të ketë ndikim të madh mbi IPO-në.

 

 

Për shumë vite, SpaceX e kishte hedhur poshtë idenë e një IPO-je. “Nuk mund të dalim në bursë derisa të fluturojmë rregullisht drejt Marsit”, tha Gwynne Shotwell, drejtoresha operative e kompanisë, në vitin 2018. Zoti Musk ka argumentuar prej kohësh se tregjet publike janë tepër afatshkurtra dhe pa imagjinatë për një kompani, që synon të ndërtojë përfundimisht një qytet në Mars.

Por mbërritja në Mars është e kushtueshme. Rreth 75 miliardë dollarët që SpaceX shpreson të mbledhë nga investitorët do të tejkalonin shumën rekord të mbledhur nga Saudi Aramco, gjiganti i naftës, kur doli në bursë në vitin 2019 (shih grafikun 1).

Vlerësimi i synuar i SpaceX prej rreth 1.75 trilionë dollarësh është më shumë se 90 herë më i lartë se të ardhurat prej 18.7 miliardë dollarësh që kompania realizoi vitin e kaluar. (Tesla, kompania e automjeteve elektrike, tregtohet në bursë me një vlerësim rreth 16 herë më të lartë se të ardhurat e saj vjetore.)

 

Biznes, por jo siç e njohim ne

Që prej themelimit në vitin 2002, me fare pak mjete, “vetëm një tapet dhe një grup Mariachi”, siç ka bërë shaka dikur Musk, SpaceX ka lënë pas rivalët tradicionalë si Boeing dhe Lockheed Martin dhe ka tejkaluar agjencitë shtetërore të hapësirës. Sot, ajo drejton programin më të madh hapësinor në botë. Raketat e saj të ripërdorshme transportojnë pothuajse 90% të gjithçkaje që shkon në hapësirë (shih grafikun 2).

Starlink, shërbimi i internetit satelitor i kompanisë, ka pothuajse 10,000 satelitë, më shumë se dy të tretat e totalit në orbitë, dhe mbi 10 milionë klientë. Siç shprehet Mike Grace, drejtues i startup-it hapësinor Longshot, SpaceX “e zotëron tani Sistemin Diellor dhe ne të tjerët vetëm e marrim me qira”.

 

 

Zoti Musk mendon se ka gjetur një treg edhe më të madh që SpaceX ta dominojë: IA-në. Ai beson se etja e IA-së për fuqi kompjuterike nuk mund të përmbushet nga qendrat tokësore të të dhënave, të cilat shpesh pengohen nga mungesa e energjisë, burokracia dhe kundërshtimi i publikut mosbesues.

Së bashku me disa figura të tjera të mëdha të IA-së, ai mendon se këto probleme mund të zgjidhen duke vendosur qendra të dhënash në hapësirë. Ai argumenton se SpaceX, me aftësinë e pakrahasueshme për të transportuar objekte jashtë planetit, është kompania që mund ta bëjë këtë realitet.

Shkalla e ambicies së tij përshkruhet në dokumentet rregullatore të kompanisë. Pagesa e zotit Musk varet nga rritja e mëtejshme e vlerës së SpaceX (deri në 7.5 trilionë dollarë); nga vendosja në orbitë e 100 teravatëve fuqi kompjuterike (rreth 1,000 herë më shumë se kapaciteti total i të gjitha qendrave të të dhënave në Tokë sot); dhe nga ndërtimi i një qyteti marsian me të paktën një milion banorë.

A mund të realizohet diçka qoftë edhe e përafërt me këtë? Dokumentet tregojnë një kompani me një burim fitimprurës në rritje të shpejtë, Starlink, që solli 4.4 miliardë dollarë fitim operativ në vitin 2025, por edhe një gropë financiare që po zgjerohet edhe më shpejt.

Në janar, SpaceX u bashkua me xAI, kompaninë e IA-së së zotit Musk, e cila humbi 6.4 miliardë dollarë në vitin 2025, ndërsa garonte për të ndërtuar infrastrukturë kompjuterike. Pjesërisht si rezultat i kësaj, shpenzimet kapitale të SpaceX pothuajse u pesëfishuan vitin e kaluar krahasuar me vitin 2023, duke kaluar 20 miliardë dollarë.

Zoti Musk duket se ka llogaritur se, edhe me Starlink, kjo faturë nuk mund të mbulohet vetëm me para private. Por disa investitorë mund të hezitojnë të hedhin para në një laborator IA-je që mbetet shumë i vogël krahasuar me rivalë si Anthropic dhe OpenAI. Dokumentet e SpaceX thonë se AI përbën 93% të tregut të saj total të synuar prej 28.5 trilionë dollarësh.

Nëse ky bast gjigant mbi IA-në nga hapësira do të japë rezultat, të paktën tri gjëra duhet të ndodhin. Starship, që tashmë është me vonesë, duhet nisë të funksionojë. Starlink duhet të gjenerojë më shumë para. Dhe qendrat orbitale të të dhënave duhet të ofrojnë avantazhe të mëdha për një industri që tashmë po investon shuma astronomike në kompjuterë tokësorë.

Le të fillojmë me Starship. Raketa gjigante, objekti fluturues më i rëndë i ndërtuar ndonjëherë, është “jetike për të ardhmen e SpaceX”, thotë Caleb Henry nga Quilty Space, një kompani analistësh.

Ajo supozohet të përfundojë revolucionin që nisi Falcon 9, mjeti aktual i lëshimit i SpaceX: transformimin e fluturimeve hapësinore nga diçka e rrallë, e personalizuar dhe e kushtueshme, në diçka të lirë, të prodhuar në masë dhe rutinë.

Para SpaceX, shumica e raketave ishin të përdorimit të vetëm, fluturonin një herë dhe më pas hidheshin në oqean ose braktiseshin në hapësirë. Zoti Musk e krahason këtë me ndërtimin e një avioni, përdorimin e tij një herë dhe më pas çmontimin për skrap.

Në kontrast, gjysma e çdo Falcon 9 është projektuar për t’u ripërdorur. Pas ndarjes nga pjesa e sipërme, pjesa e poshtme e raketës mund të kthehet në vendin e nisjes ose në një anije pritëse dhe të ulet mbi bishtin e saj. SpaceX-it iu deshën pesë vjet dhe shumë përplasje për të realizuar uljen e parë të suksesshme në vitin 2015.

Por sot kjo është rutinë. SpaceX realizoi 165 lëshime Falcon 9 në vitin 2025, një numër që do të dukej i pamundur edhe pesë vjet më parë. Disa përforcues janë përdorur më shumë se 20 herë.

Kjo e ka ndihmuar SpaceX të ulë ndjeshëm koston e udhëtimit në hapësirë. Kompania tarifon 74 milionë dollarë për një fluturim Falcon 9, që mund të transportojë 17.5 tonë në orbitë.

Kjo përkthehet në rreth 4,200 dollarë për kilogram, rreth 85% më pak se sa tarifonin dikur kompani tradicionale si United Launch Alliance, sipërmarrja e përbashkët mes Boeing dhe Lockheed Martin. (Kostoja reale për SpaceX besohet të jetë shumë më e ulët, ndoshta rreth 1,000 dollarë për kilogram.)

Starship synon ta ulë këtë kosto edhe më tej, pjesërisht duke rritur kapacitetin e ngarkesës së raketës deri në 200 tonë, por kryesisht duke bërë të ripërdorshme edhe pjesën e dytë të raketës. Dokumentet e depozituara sugjerojnë një objektiv prej 185 dollarësh për kilogram.

Por funksionalizimi i saj nuk ka qenë i lehtë. “Starship duhej të zëvendësonte Falcon 9 në vitin 2023 ose 2024”, thotë Tim Farrar, drejtues i TMF Associates, një kompani analize e industrisë satelitore. Nuk është vetëm SpaceX që është e frustrur nga vonesat. NASA po pret një version të modifikuar të Starship për të transportuar njerëz në Hënë si pjesë e programit Artemis.

SpaceX në disa raste ka rikthyer pjesën përforcuese të Starship në vendin e nisjes dhe e ka kapur me krahë robotikë “chopstick”, të montuar në kullën e lëshimit. Megjithatë, ripërdorimi i pjesës së dytë është shumë më i vështirë.

Ajo udhëton shumë më larg dhe më shpejt, dhe duhet t’u mbijetojë temperaturave mbi 1,000°C gjatë rikthimit në atmosferë me shpejtësi prej 8 km në sekondë ose më shumë. Duke folur së fundmi në një podcast, zoti Musk vuri në dukje se disa pjesë të dyta kanë arritur ulje të kontrolluara në det, por mburojat e tyre termike janë dëmtuar dhe kështu “nuk mund të ripërdoren nëse nuk bën shumë punë mbi to”

Anija Space Shuttle, përpjekja e mëparshme më e madhe e industrisë për ripërdorim, vuante nga probleme të ngjashme. Riparimi i mburojës termike të dëmtuar kërkonte javë ose muaj. Ndërsa zoti Musk shpreson që e njëjta Starship të mund të fluturojë disa herë në ditë.

 

 

Duke ecur me guxim përpara

Detyra kryesore e Starship do të jetë forcimi i Starlink, pjesa me rritjen më të shpejtë dhe e vetmja fitimprurëse e biznesit të SpaceX. Që prej debutimit në vitin 2021, shërbimi ka nënshkruar kontrata me linja ajrore, kompani transporti detar dhe më shumë se 10 milionë klientë individualë, ka revolucionarizuar luftën në Ukrainë dhe ka krijuar një degë sekrete të quajtur Starshield për klientët qeveritarë.

Satelitët më të rinj “direct-to-cell” (D2C) të kompanisë mund të komunikojnë drejtpërdrejt me smartfonë dhe pajisje të tjera në tokë, pa nevojën e antenave të posaçme me madhësinë e një kutie pice që kërkojnë planet rezidenciale. Të ardhurat e Starlink u rritën me 50% midis viteve 2024 dhe 2025, nga 7.6 miliardë dollarë në 11.4 miliardë dollarë.

Është e qartë që ka ende hapësirë për rritje, thotë zoti Farrar. Ai vëren se gjatë një periudhe 80-ditore në vitin 2025, kompania shtoi 1 milion klientë të rinj. Ai mendon se Starlink mund të arrijë përfundimisht nga 20 milionë deri në 50 milionë abonentë rezidencialë, megjithëse të ardhurat mesatare për klient ka të ngjarë të bien ndërsa shton përdorues jashtë botës së pasur. P

ër momentin, megjithatë, rritja e Starlink kufizohet nga madhësia e satelitëve që SpaceX mund të vendosë në një Falcon 9. Kompania po planifikon satelitë “version 3”, secili prej të cilëve do të shtojë 20 herë më shumë kapacitet sesa “v2 Minis” që përdor aktualisht. Por ata janë aq të mëdhenj sa mund të lëshohen vetëm me Starship.

SpaceX po investon agresivisht për ta mbajtur Starlink në rritje. Vitin e kaluar, ajo shpenzoi 19.6 miliardë dollarë për të blerë spektër nga EchoStar, një kompani amerikane telekomunikacioni, për të forcuar biznesin në zhvillim D2C dhe ka kërkuar autorizim për të lëshuar 15,000 satelitë të specializuar.

PitchBook, që mbledh të dhëna mbi kompani të financuara nga kapitali sipërmarrës, vëren se këto janë baste të kushtueshme. Marrëveshja me EchoStar përfaqëson më shumë se një vit të ardhurash të SpaceX. Por kompania pret që Starlink të kalojë 1 miliard abonentë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Analistët janë të ndarë për potencialin e Starlink. “Mendoj se D2C thjesht nuk do t’i përmbushë pritshmëritë”, thotë zoti Farrar, duke argumentuar se do të përdoret kryesisht në vende ku nuk ka antena telefonike tokësore dhe rrjedhimisht ka pak njerëz. Simon Potter nga BryceTech është më optimist: “Mund të mundësojë lidhje të kudondodhur mes pajisjeve duke përdorur pajisje standarde smartfoni.

Kjo mund të jetë transformuese në aplikime si makinat, bujqësia, logjistika dhe ndoshta edhe në ato ushtarake.” Franco Granda, në PitchBook, mendon se Starlink dhe biznesi i lëshimeve hapsinore të SpaceX mund të justifikojnë vetë një vlerësim prej 1.75 trilionë dollarësh.

Megjithatë, lëshimi i shumë satelitëve nuk do ta përdorë të gjithë kapacitetin e Starship. SpaceX po planifikon flota të tëra të tyre. Kompania po ndërton një seri fabrikash gjigante, të quajtura “Gigabays”, që zoti Musk shpreson se përfundimisht do të prodhojnë qindra Starship në vit. Edhe me Falcon 9, thekson zoti Henry nga Quilty Space, nuk kishte një “rast të qartë tregtar për një mjet lëshimi me frekuencë të lartë”.

Në fund, SpaceX iu desh të zhvillonte Starlink për t’u dhënë raketave mjaftueshëm punë që të ishin në aktivitet. Planet për qendrat e të dhënave në hapësirë, thotë ai, janë një përpjekje për ta përsëritur këtë strategji.

Tom Mueller, punonjësi i parë i SpaceX, projektuesi i motorëve të raketave të kompanisë dhe sot themelues i Impulse, një tjetër kompani hapësinore, i përmblodhi vitin e kaluar planet e ish-punëdhënësit të tij. Ai vuri në dukje se ndërtimi i një kolonie në Mars do të kërkonte qindra raketa Starship.

Por, për shkak të lëvizjes së planetëve, ato mund të nisen drejt Marsit vetëm afërsisht një herë në dy vjet. “Çfarë do të bëni me qindra Starship gjatë 25 muajve të tjerë të ciklit marsian?”, shkroi ai. “Do të çoni qendra të dhënash në hapësirë, të paguara nga investitorët.”

SpaceX nuk e shpiku idenë e vendosjes së IA-së në orbitë. Vitin e kaluar, Starcloud, një startup, fluturoi një prototip (me një Falcon 9) për të provuar se ideja mund të funksionojë. Google, kompania teknologjike, shpreson të testojë satelitët e vet në vitin 2027. (Raportohet se është në diskutime me SpaceX për t’i lëshuar ato.)

Mbështetësit e qendrave orbitale të të dhënave (ODC) përmendin disa avantazhe. Njëri është bollëku i energjisë. Pa atmosferë që ta pengojë, drita e diellit në orbitë është rreth 30% më intensive sesa edhe në ditën më me diell në tokë.

Vendosja e ODC-ve me energji diellore në disa orbita “sun-synchronous” mund të sigurojë pothuajse dritë të përhershme diellore. Efikasiteti është një tjetër avantazh. Një qendër tokësore e të dhënave mund të përdorë një të katërtën e energjisë elektrike që konsumon vetëm për të ftohur serverët. ODC-të mund të mbështeten në vakumin ngrirës të hapësirës.

Avantazhi i fundit është largësia. Industria e IA-së ngjall frikëra për humbjen e vendeve të punës dhe madje edhe për zhdukjen e njerëzimit. Shumë njerëz kanë një qëndrim negativ ndaj kësaj teknologjie.

Dhjetëra qeveri shtetërore dhe lokale amerikane kanë ndaluar qendrat e reja të të dhënave ose po shqyrtojnë masa të tilla. Vendosja e tyre në hapësirë mund t’i mbajë larg jo vetëm syrit, por edhe mendjes së publikut.

 

Nuk ka kthim prapa

Me vetëbesimin tipik, zoti Musk ka deklaruar se brenda dy ose tre vitesh, ODC-të do të jenë mënyra më e lirë për të ofruar fuqi kompjuterike për IA-në. (Sam Altman, drejtuesi i OpenAI, mendon se ky afat është “qesharak”.)

Llogaritë ekonomike të projektit varen nga tre faktorë: sa shumë mund të ulen kostot e lëshimit, sa me efikasitet mund ta shndërrojnë satelitët dritën e diellit në fuqi për përpunimin e të dhënave dhe sa do të kushtojë vetë ndërtimi i tyre.

SpaceX shpreson të shfrytëzojë përvojën në prodhimin masiv të satelitëve Starlink, duke i ndërtuar ODC-të, të paktën në fazën e parë, mbi të njëjtën platformë teknike. Në janar, kompania aplikoi për miratim rregullator për të lëshuar deri në një milion satelitë të tillë.

Nëse mund të bëhen funksionale, tregu mund të jetë jashtëzakonisht fitimprurës. Shpenzimet kapitale për qendrat e të dhënave parashikohet të kalojnë 800 miliardë dollarë këtë vit.

Të ardhurat e laboratorëve kryesorë të IA-së po rriten me shpejtësi, nga rreth 17 miliardë dollarë në vitin 2025 në 90-100 miliardë dollarë që priten këtë vit. Si Anthropic ashtu edhe OpenAI po planifikojnë IPO me vlerësime rreth 1 trilion dollarë.

SpaceX mund të përfitojë në dy mënyra. E para është duke forcuar xAI, që ka hasur vështirësi në konkurrencën me rivalët më të konsoliduar. Nëse fakti që është pjesë e SpaceX i jep xAI akses në fuqi kompjuterike të lirë dhe të vendosshme shpejt, kjo mund t’i japë shtysën e nevojshme për të kaluar konkurrentët.

Nëse kjo nuk funksionon, një zhvendosje e gjithë industrisë drejt infrastrukturës hapësinore mund ta vendosë SpaceX në një pozicion të ngjashëm me Nvidia, që projekton çipa për IA, ose TSMC, që i prodhon ato, një furnizues i pazëvendësueshëm infrastrukture.

Ka pasur tashmë sinjale për këtë qasje të dytë. Më 6 maj, Anthropic nënshkroi një marrëveshje për të paguar deri në 1.25 miliardë dollarë në muaj gjatë tre viteve të ardhshme për të përdorur një pjesë të kapacitetit kompjuterik në qendrën ekzistuese tokësore të të dhënave Colossus të xAI.

Raketa gjigante, IA në hapësirë, fantashkencë e bërë realitet: a do ta blejnë investitorët këtë ide? Ka gjasa të ketë interes, veçanërisht duke pasur parasysh atë që Gil Luria nga D.A. Davidson, një kompani investimesh, e quan primi i “shpresave dhe ëndrrave” që zakonisht shoqëron sipërmarrjet futuriste të Musk. IPO-ja përfshin një ndarje aksionesh pesë me një, që ul koston për aksion, një avantazh për legjionet e fansave të zotit Musk mes investitorëve të vegjël.

Por investitorët duhet të përgatiten për luhatshmëri. Shumë nga fondet e kapitalit sipërmarrës që vunë bastet e para mbi SpaceX do të jenë të interesuara të tërheqin fitimet sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo mund të godasë çmimin e aksioneve. Struktura me dy nivele e aksioneve e bën zotin Musk praktikisht të pazëvendësueshëm, pavarësisht se si ecin planet e tij.

Edhe pse disa nga bastet e tij të mëdha kanë rezultuar të suksesshme, raketat e ripërdorshme, makinat elektrike, Starlink, të tjera nuk kanë funksionuar, ose të paktën jo sipas afateve. Flota e robotaksive të Tesla-s është premtuar prej vitesh. Edhe robotët humanoidë të kompanisë janë me vonesë.

Ndërkohë, xAI po humbet miliarda. Nëse progresi i Starship ngadalësohet, rritja e Starlink do të pengohet, duke sjellë më pak para për të mbuluar këto humbje. Dominimi i SpaceX në lëshimet hapësinore mund të gërryhet nga konkurrentë si Blue Origin, në pronësi të Jeff Bezos, themeluesit të Amazon.

Tregjet janë në nivele të larta dhe të ndjeshme ndaj çdo luhatjeje. Edhe nëse IA rezulton po aq e dobishme sa shpresojnë pionierët e saj, shumë investitorë i shohin nivelet aktuale të investimeve si të vështira për t’u mbajtur gjatë. Çfarë do të ndodhte me planet e SpaceX nëse ky ritëm investimesh do të ngadalësohej?

Ambiciet e mëdha të Musk për SpaceX mund të kenë një logjikë të brendshme, të paktën në teori. Siç i pëlqen të thotë kur vlerëson një ide të madhe, asgjë në to nuk bie ndesh me ligjet e fizikës.

Kjo do të thotë se realizimi i tyre është “thjesht” një çështje inxhinierie, si industriale, ashtu edhe financiare. Por, siç e di mirë Musk, inxhinieria është një disiplinë që nuk fal.

The post Elon Musk po vë gjithçka në lojë për një teknologji të paprovuar appeared first on Revista Monitor.

Investime, jo ndihmë

22 August 2026 at 22:00

E ardhmja e Afrikës do të formësohet nga investimet, jo nga ndihma. Kompanitë e huaja dhe ato afrikane po i japin kontinentit arsye për shpresë, shkruan The Economist

 

Në mesin e viteve 1990, OKB-ja ndërtoi një pistë ajrore në Ngara, në skajin perëndimor të Tanzanisë, për të furnizuar kampet e refugjatëve pranë kufirit me Burundin. Tri dekada më vonë, ajo ka një përdorim tjetër.

Gjatë vitit të kaluar, pista ajrore ka pritur dhjetëra avionë të mbushur me investitorë të mundshëm, jo me punonjës të ndihmës humanitare.

Pas një fluturimi të fundit, ku mori pjesë edhe The Economist, grupi hipi në një flotë automjetesh 4×4 për një udhëtim përmes një zone kodrinore dhe të gjelbëruar të Afrikës Lindore, duke kaluar pranë fermerëve që tundnin shata të ndryshkura si golfistë që ngrohen para goditjes.

Pas dy orësh, makinat arritën në destinacion: Kabanga, shtëpia e një prej burimeve më të rëndësishme të pashfrytëzuara të nikelit në botë, një metal që përdoret në bateritë e automjeteve elektrike.

Edhe pse gjeologët e zbuluan potencialin e tij 50 vite më parë, vetëm tani vendi mund të shndërrohet në një minierë, nën pronësinë shumicë të Lifezone Metals, një kompani e listuar në SHBA.

Kjo është pjesërisht për shkak të një entuziazmi të ripërtërirë për mineralet afrikane. Kabanga është një nga disa projekte që ka tërhequr vëmendjen e qeverisë amerikane, e cila është e interesuar të investojë në minerale kritike.

Por interesi për Kabanga pasqyron gjithashtu përmirësimet në infrastrukturën përreth, si lidhjet me rrjetin elektrik në vend, rrugët e asfaltuara dhe një hekurudhë e re, të cilat janë financuar, të paktën pjesërisht, nga institucione financiare afrikane që mobilizojnë kapital brenda kontinentit.

Kabanga është një projekt në Tanzani, e cila është vetëm një nga 54 vendet e Afrikës. Por ai është simbolik i dy ndryshimeve më të gjera me pasoja potencialisht të thella.

I pari është se shumë investitorë të huaj po i hedhin një vështrim më të afërt Afrikës, qoftë për shkak të burimeve natyrore, përmirësimeve të fundit në perspektivën ekonomike apo ndryshimeve të favorshme demografike.

Ndryshimi i dytë, dhe më i rëndësishëm, është se afrikanët po bëjnë më shumë për ta bërë Afrikën tërheqëse për investime dhe po vënë gjithnjë e më shumë kapitalin e tyre në punë. Ky trend përfaqësohet nga Aliko Dangote, njeriu më i pasur i kontinentit, i cili, pasi hapi një rafineri prej 20 miliardë dollarësh në Nigeri në vitin 2023, po shqyrton projekte edhe gjetkë.

Këto ndryshime janë ende në fazat fillestare. Përparimi që ato sinjalizojnë mund të pengohet nga qeverisja e dobët ose nga efektet destabilizuese të një krize të zgjatur, siç mund të jetë, nëse zgjat me muaj, lufta me Iranin.

Por pas një çerekshekulli kur Afrika, të paktën për shumë njerëz në Perëndim, ishte sinonim i ndihmës humanitare, 25 vitet e ardhshme do të duken shumë ndryshe. Për më shumë njerëz brenda dhe jashtë kontinentit, Afrika do të nënkuptojë biznes.

 

Ndryshim kontinental

Rritja e Afrikës do të jetë një nga historitë përcaktuese të këtij shekulli. Aktualisht, kontinenti përbën rreth 20% të popullsisë globale, por vetëm 3% të PBB-së botërore dhe 2% të tregtisë globale, dhe merr më pak se 1% të kapitalit privat.

Deri në vitin 2050, popullsia e Afrikës mund të rritet nga 1.5 miliardë në 2.5 miliardë, duke e çuar pjesën e saj globale në 28%. Por nëse kjo do të rezultojë në zhvillim apo barrë, varet pjesërisht nga kapitali që Afrika mund të tërheqë.

Në vitin 2024, Bridgewater, një nga fondet më të mëdha të investimeve në botë, vlerësoi në mënyrë të përafërt se Afrika Sub-Sahariane kishte vetëm gjysmën e “burimeve të financimit për zhvillim”, të ardhurat nga taksat, ndihmën, kreditë nga institucionet shumëpalëshe, Investimet e Huaja Direkte (IHD) dhe të tjera, që i nevojiten për të arritur përfitimet e produktivitetit që do të ngushtonin hendekun me pjesën tjetër të botës.

Africa Growth Initiative, një degë e institucionit kërkimor amerikan Brookings, vlerëson se Afrika Sub-Sahariane ka nevojë për 245 miliardë dollarë financim shtesë në vit, ose më shumë se 10% e PBB-së së rajonit.

Për ata që ndjekin vetëm titujt për Afrikën, një perspektivë e tillë mund të duket e largët. Rritja e çmimeve të naftës dhe plehrave, të dyja pasoja të luftës me Iranin, do të ndikojë në ekonomitë afrikane.

Ndihma dypalëshe nga donatorët perëndimorë për Afrikën Sub-Sahariane ra deri në një të katërtën vitin e kaluar krahasuar me vitin 2024, sipas OECD-së. Kina ka kaluar nga dhënia e dhjetëra miliardë dollarëve kredi në vitet 2010, në një situatë ku tani po merr më shumë në shlyerje sesa jep hua.

 

 

Megjithatë, rëndësia ekonomike e ndihmës mund të mbivlerësohet lehtësisht. Kontinenti merr më pak ndihmë sesa Investime të Huaja Direkte dhe remitanca. FMN parashikon që rritja ekonomike në Afrikë këtë vit do të jetë më e lartë se në rajonin Azi-Paqësor.

Optimizmi është reflektuar edhe në tregjet e obligacioneve dhe aksioneve. Borxhi sovran afrikan ka vlerësimet mesatare më të larta që nga viti 2020, sipas S&P, agjencisë së vlerësimit kreditor.

Vlera e “Eurobond-eve” afrikane (të denominuara në valutë të huaj) të shitura investitorëve të huaj në fillim të vitit 2026 përbën fillimin më të mirë që nga 2013, sipas Bloomberg.

Në vitin 2025, disa bursa afrikane, përfshirë atë të Afrikës së Jugut, më e madhja në kontinent, arritën nivele rekord. Lufta me Iranin ka zhbërë një pjesë të fitimeve, por jo të gjitha.

Nga viti 2022 deri në 2024, Afrika tërhoqi më shumë investime të reja direkte (greenfield FDI, pra për projekte të reja dhe jo për blerje të aktiveve ekzistuese) sesa Azia Juglindore.

Investimet në COMESA, një grup prej 21 vendesh në Afrikën Lindore dhe Jugore, shënuan rritjen më të madhe midis çdo grupimi rajonal në botë në vitin 2024. Marrëveshjet e kapitalit sipërmarrës me vlerë rreth 4 miliardë dollarë u realizuan në Afrikë në vitin 2025, gati katër herë më shumë se në vitin 2020.

Volumi i marrëveshjeve të kredisë private në Afrikë u rrit me gati një të katërtën. Vlera e marrëveshjeve të bashkimeve dhe blerjeve (M&A) hyrëse në Afrikë ishte 40% më e lartë në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, sipas firmës ligjore Herbert Smith Freehills Kramer.

Për disa investitorë të huaj, Afrika mbetet tërheqëse për shkak të burimeve të saj. SHBA po përpiqet të dobësojë dominimin e Kinës mbi mineralet kritike. Një pjesë e zgjidhjes gjendet në Afrikë, ku vlera e pasurive minerare të pashfrytëzuara arrin në 8.6 trilionë dollarë, tre herë më shumë se PBB-ja e kontinentit. “Pa kontinentin afrikan, gjithçka humbet”, – thotë Robert Friedland, themeluesi i Ivanhoe Mines, një kompani kanadeze që bashkë-menaxhon një nga minierat më të mëdha në Kongo.

SHBA i ka bërë të ditur Samia Suluhu Hassan, presidente e Tanzanisë, se mbështetja e saj varet nga përparimi në tre projekte: Kabanga, një minierë grafiti dhe një projekt gazi natyror të lëngshëm (LNG) që përfshin ExxonMobil, një gjigant energjetik amerikan.

Në Republikën Demokratike të Kongos, një fond i mbështetur nga qeveritë e SHBA-së dhe Abu Dhabit po konkurron për të blerë 40% të aksioneve të Glencore në dy operacione minerare. SHBA gjithashtu po mbështet një ofertë nga tre ish-oficerë ushtarakë amerikanë për të blerë Chemaf, një aset bakri dhe kobalti.

Të tjerë po hyjnë gjithashtu në lojë. International Resources Holding, një konglomerat nga Emiratet e Bashkuara Arabe, bleu shumicën në një minierë bakri në Zambia në vitin 2024 dhe një minierë kallaji në Kongo në vitin 2025. Po ashtu, vitin e kaluar, Autoriteti i Investimeve të Katarit, një fond sovran pasurie, mori një pjesëmarrje prej 500 milionë dollarësh në Ivanhoe, dhe Japonia e India ranë dakord për një bashkëpunim për të investuar, ndër të tjera, në mineralet afrikane.

Megjithëse Kina po jep më pak hua, kompanitë e saj janë më aktive se kurrë. Në nëntor Guinea më në fund nisi operacionet në Simandou, një nga projektet më të mëdha të mineralit të hekurit në botë, i mbështetur nga disa kompani kineze dhe Rio Tinto, një gjigant minerar anglo-australian.

Në dy vitet e fundit kompanitë kineze blenë një projekt të metaleve të rralla në Tanzani, një minierë bakri në Botsvana dhe miniera ari në Kongo, Gana dhe Bregun e Fildishtë. Kabanga ka tërhequr interes nga disa kompani kineze. Në gusht, dy kompani kineze blenë dhjetëra mijëra hektarë në Angola për të kultivuar sojë dhe drithëra.

Për Europën, Afrika ofron mundësi për të diversifikuar burimet e energjisë. Në janar TotalEnergies, një gjigant francez i energjisë, rifilloi ndërtimin e një projekti LNG prej 20 miliardë dollarësh në veri të Mozambikut. Në shkurt kompania italiane ENI njoftoi dy zbulime të reja afrikane të naftës dhe gazit.

Investimet nga vendet e Gjirit në Afrikë mund të bien në afat të shkurtër, por potenciali i kontinentit në logjistikë dhe ushqim, dy fusha të rëndësishme për investitorët e Lindjes së Mesme, do të mbetet.

Vitin e kaluar Fondi i Investimeve Publike i Arabisë Saudite (PIF) pagoi 1.8 miliardë dollarë për një pjesë kontrolluese në Olam Agri, një kompani agrobiznesi nga Singapori me prani të madhe në Afrikë.

Invictus, një tregtar bujqësor sudanezo-emiratian, po zgjerohet në të gjithë kontinentin në përpjekje për të rivalizuar Olam. Vitin e kaluar, Vision Invest, një kompani saudite e fokusuar tek infrastruktura, investoi në Arise IIP, e cila menaxhon zona industriale (në 14 vende afrikane) ku lëndët e para përdoren për të prodhuar mallra të përpunuara (si pambuku për bluza).

Në vitin 2023, DP World, një kompani portesh dhe logjistike me bazë në Dubai, mori drejtimin e Portit të Dar es Salaam, nga i cili do të eksportohej nikeli nga Kabanga.

 

 

Dinamika e tregut

Investime të tjera mund të shihen si parashikime mbi rajonin që po urbanizohet më shpejt në botë, me klasën e tij konsumatore në rritje. Kompanitë kineze po ndërtojnë blloqe apartamentesh në qytete të mëdha si Dar es Salaam dhe Najrobi.

Asahi, një prodhues birre japonez me klientë në plakje në vendin e vet, vitin e kaluar investoi 2.3 miliardë dollarë në Diageo, një gjigant britanik i pijeve alkoolike, në East African Breweries.

Kapitali sipërmarrës në Afrikë, megjithëse një pjesë e vogël e totalit global, ka ndihmuar në krijimin e disa unicorn-ëve (kompani të vlerësuara mbi 1 miliard dollarë), përfshirë Flutterëave, një kompani pagesash nga Nigeria, e cila thuhet se pret të listohet në bursë në vitet e ardhshme.

(Bursa e Londrës po përpiqet të tërheqë listime nga kompani afrikane si një mënyrë për të përmirësuar bilancin e saj zhgënjyes të listimeve të kompanive të teknologjisë.) “Afrika duket si Suedia para 20 vitesh”, thotë Hans Otterling, një investitor që ka bërë pasuri përmes Spotify dhe tani investon në Afrikë.

“Kjo nuk është bamirësi. Kjo është t’i tregosh pjesës tjetër të botës se mund të fitosh para në Afrikë”.

Ka pasur edhe më parë shpërthime entuziazmi nga investitorët e huaj për Afrikën. Por konteksti këtë herë është i ndryshëm.

Pjesërisht për shkak të goditjes së tarifave dhe shkurtimeve të ndihmës, politikëbërësit afrikanë po bëjnë më shumë për të hapur tregjet e tyre dhe për të ulur pengesat mes vendeve afrikane. Në të njëjtën kohë, kapitalistët afrikanë po shpenzojnë gjithashtu më shumë para ‘në shtëpi’.

“Epoka e ndihmës apo e parave falas ka mbaruar”, thotë Akinwumi Adesina, ish-president i Bankës Afrikane për Zhvillim (AfDB). “Afrika tani duhet të mësojë të zhvillohet përmes disiplinës së investimeve.”

Një pjesë e historisë lidhet me atë që po bëjnë vendet individuale. Liberalizimi nga Afrika e Jugut i ndërmarrjeve shtetërore po tërheq investime në energji dhe industri të tjera. Shpenzimet e Tanzanisë që e kanë bërë Kabanga një projekt më tërheqës, në rrugë, hekurudha dhe energji, janë një kujtesë e përparimit të qëndrueshëm në infrastrukturë në shumë vende.

Nga viti 2025 deri në 2029, në Afrikë do të ndërtohen më shumë hekurudha sesa në dhjetë vitet e mëparshme, sipas Africa Finance Corporation, një institucion me bazë në Lagos (shih hartën).

 

 

Pastaj janë përpjekjet në nivel kontinental për të integruar më mirë tregjet afrikane të punës, produkteve dhe kapitalit. Sot 31 vende ofrojnë e-viza për afrikanë nga vende të tjera, nga vetëm nëntë në vitin 2016. Zona e Tregtisë së Lirë Kontinentale Afrikane (AfCFTA) do të ishte zona më e madhe pa tarifa në botë për nga numri i banorëve nëse do të zbatohej plotësisht.

Ajo u shpall për herë të parë në vitin 2012, por vetëm kohët e fundit mallrat janë tregtuar realisht përmes një projekti pilot të quajtur Guided Trade Initiative.

Veçmas, AfCFTA ka thjeshtuar rregullat për të dhënat dhe, përmes Sistemit Pan-Afrikan të Pagesave dhe Shlyerjes, ka lejuar gjithashtu shumë kompani afrikane që përdorin monedha të ndryshme të tregtojnë pa pasur nevojë së pari të këmbejnë monedhën vendase në dollarë amerikanë.

Banka Botërore vlerëson se zbatimi i plotë i AfCFTA mund të rrisë Investimet e Huaja Direkte deri në 120% dhe të rrisë investimet brenda Afrikës me 85%.

Dangote ka përmendur potencialin e AfCFTA, si një nga arsyet për investimet e tij të fundit. Në rafinerinë e tij në periferi të Lagosit, qendra kryesore operative ngjan me një dhomë kontrolli të një misioni të NASA-s.

Më shumë se 50 ekrane tregojnë elementet e shumta të kompleksit: rafineritë e karburantit, një fabrikë plehrash kimike dhe një njësi për përpunimin e polimereve. Ai thotë se dëshiron të zgjerojë si pjesën e karburanteve, ashtu edhe atë të plehrave, në mënyrë që të bëhen më të mëdhatë në botë.

Vitin e kaluar, ai njoftoi një projekt plehrash kimike prej 2.5 miliardë dollarësh në Etiopi dhe marrëveshje me vlerë 1 miliard dollarë në Zimbabve. Më pas, ai rendit një listë projektesh të tjera të mundshme, përfshirë projekte minerare në Afrikën Qendrore dhe një park industrial gjigant në Nigeri që përdor gazin e prodhuar nga rafineria e tij.

“Ne besojmë tek Afrika dhe po investojmë pavarësisht të gjitha pengesave në Afrikë”, thotë ai.

Rostam Azizi, industrialist nga Tanzania dhe një tjetër ndër njerëzit më të pasur të Afrikës, është i zënë duke bërë investime të mëdha të tijat. Në gusht terminali më i madh i gazit të lëngshëm të naftës (LPG) në Afrikë, të cilin po e ndërton Azizi, ka të ngjarë të nisë operimet në Kenia pas vitesh vonesash.

Kompania e tij, Taifa Group, planifikon gjithashtu të investojë 500 milionë dollarë në industrinë e Zambias në dy vitet e ardhshme, duke filluar me furnizimin dhe shpërndarjen e LPG-së. “Ne e kemi gazin dhe ata kanë nevojë për gaz”, thotë Azizi. “Së shpejti nuk do të kenë më nevojë të shqetësohen për furnizimin nga askush tjetër.”

 

 

Dangote dhe Azizi tregojnë se zhvillimi më premtues, dhe potencialisht më me ndikim, nga të gjithë është rritja e kompanive afrikane (shih grafikun 2) dhe sidomos e investimeve të tyre në Afrikë.

Sepse, edhe pse shpesh fajësohen investitorët e huaj se e shohin Afrikën si shumë të rrezikshme, edhe investitorët afrikanë kanë qenë prej kohësh të kujdesshëm. Shumë prej tyre janë përpjekur ta vendosin kapitalin në vende që duken më të sigurta, si Dubai.

Më shumë se 1 trilion dollarë asete në bilancet e fondeve të pensioneve, fondeve të sigurimeve dhe të ngjashmeve me to kanë qenë prej kohësh të orientuara drejt bonove dhe titujve të borxhit shtetëror.

A po ndryshon më në fund kjo situatë? Richard Okello, drejtuesi i Sango Capital, një investitor pan-afrikan, argumenton se ekziston një “cunam i heshtur” që ka kaluar kryesisht pa u vënë re, por “valët janë gati të shpërthejnë”.

Një brez i ri fondesh sovrane ka mandate për të investuar në infrastrukturë. Fondet e pensioneve, deri tani të përgjumura, po rriten, pjesërisht për shkak të efekteve grumbulluese të kohës dhe demografisë (kur normat e lindshmërisë bien, siç po ndodh në Afrikë, normat e kursimit priren të rriten) dhe pjesërisht për shkak të ndryshimeve rregullatore që po kanë një ndikim të madh në mënyrë të padukshme.

Vitin e kaluar, Kenia zgjeroi lehtësitë tatimore për kontributet pensionale, duke çuar në një fluks depozitash. Gana vendosi që 5% e investimeve të fondit të saj shtetëror të pensioneve të shkojnë në kapital privat dhe kapital sipërmarrës. Afrika e Jugut bëri ndryshime të ngjashme dy vite më parë. Fonde më të vogla, si ato të Ugandës dhe Ruandës, po bëjnë tani lëvizje të ngjashme.

Pothuajse 50% e kapitalit sipërmarrës të mbledhur vitin e kaluar erdhi nga investitorë afrikanë. Listimet në bursë jashtë Afrikës së Jugut, dikur një dukuri e rrallë, po bëhen më të zakonshme, ndërsa investitorët institucionalë kërkojnë investime në kapital aksionar në kontinent.

Investitorët e infrastrukturës të fokusuar në Afrikë po zgjerojnë gjithashtu aktivitetin. Africa Finance Corporation rriti investimet e saj në 4.5 miliardë dollarë vitin e kaluar, rreth 2 miliardë dollarë më shumë se totali i dy viteve të mëparshme, sipas Samaila Zubairu, drejtorit të saj ekzekutiv.

Zubairu argumenton se institucioni i tij përmbush kërkesën e fshehur, brenda dhe jashtë kontinentit, për një investitor afrikan që mund të strukturojë projekte të gatshme për t’u nisur sapo të financohen.

“Pikëpamja jonë është se Afrika ka shumë potencial, por jo mjaftueshëm projekte të financueshme”, argumenton ai.

Menaxherët e tij në terren sigurojnë që projektet, qofshin parqe me erë, hekurudha, uzina shkrirjeje, impiante gazi apo miniera ari, të kenë infrastrukturën dhe miratimet rregullatore të nevojshme për të kaluar nga plani në funksionim real.

Në projekte si zgjatja e Korridorit Lobito drejt Zambias (një hekurudhë e mbështetur nga SHBA dhe BE që aktualisht shkon nga Angola në ‘brezin e bakrit’ të Kongos), banka e tij investon kapital që mban rrezikun, duke marrë përsipër humbjet e para.

Megjithatë, ai vëren se raporti i humbjeve të kredive është 0.7%, drejt skajit më të ulët të asaj që konsiderohet normale për bankat globale.

 

Më mirë së bashku

“Nëse kapitali vendas investon, kapitali i huaj e ndjek”, – thotë Hendrik du Toit, drejtues i Ninety One, një firmë menaxhimi asetesh anglo-afrikanojugore. Këto lloj investimesh të përbashkëta mund të bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e së ardhmes së Afrikës.

Hakainde Hichilema, president i Zambias dhe ish-biznesmen (ai është një nga të paktët liderë botërorë me një MBA), thotë se ka pasur një “ndryshim rrënjësor” në mënyrën se si realizohen marrëveshjet në Afrikë. Në vend që gjërat të bëhen për Afrikën, siç shprehet ai, marrëveshjet po bëhen gjithnjë e më shumë “partneritete”.

Disa nga investitorët tradicionalë në Afrikë, si fondet e zhvillimit nga vendet e pasura që fokusohen në mbështetjen e kompanive private në tregjet në zhvillim, tashmë po investojnë përkrah partnerëve afrikanë.

Në qershor, British International Investment, krahu i zhvillimit të sektorit privat i Britanisë, arriti një marrëveshje për të investuar në të gjithë Afrikën së bashku me Public Investment Corporation të Afrikës së Jugut, një nga menaxherët më të mëdhenj të aseteve në kontinent.

Në mënyrë anekdotike, menaxherët afrikanë të fondeve thonë gjithashtu se ekziston një ndjesi tek disa prej klientëve të tyre të pasur jashtë kontinentit se, në një kohë kur SHBA është më e paqëndrueshme, Europa po plaket dhe Kina po ngadalësohet, Afrika meriton një peshë më të madhe në portofol.

Kaosi në Gjirin Persik mund të çojë gjithashtu në një rivlerësim të rrezikut atje. Ndoshta ndihmon edhe fakti që investimet në Afrikë priren të kenë korrelacion të ulët me asetet në vende të tjera. Me rritjen e aktivitetit investues nga vetë afrikanët, momenti duket i përshtatshëm.

“Po u tregojmë njerëzve se, po, kjo mund të ndodhë edhe këtu,” thotë Dangote. “Sepse nëse nuk e bëjmë ne, nuk ka askush që mund të vijë ta bëjë për ne.”

The post Investime, jo ndihmë appeared first on Revista Monitor.

Shteti si pronar, privati si ndërtues: pse garat po mbeten pa oferta

21 August 2026 at 22:12

Prej dy vitesh, Shqipëria po përpiqet ta përdorë tokën publike për të financuar zyra, stadiume dhe godina të tjera shtetërore pa pagesë të drejtpërdrejtë nga buxheti. Shteti ofron pronën dhe të drejtën e zhvillimit, privati ndërton pjesën tregtare dhe, në këmbim, infrastrukturën publike. Në teori, skema kursen para publike dhe i siguron shtetit një pjesë të vlerës së krijuar. Në praktikë, vetëm katër nga 15 projektet e shpallura kanë arritur deri te kontrata. Pjesa tjetër ka mbetur në negociata, është rihapur ose është anuluar për mungesë interesi. Ky bilanc e zhvendos vëmendjen te kushtet e garës, kostoja e detyrimeve publike dhe mënyra si ndahet rreziku. Pyetja që shtrohet është: pse një model i ndërtuar për të tërhequr kapital privat po bind tregun vetëm në pak raste?

 

Nertila Maho

Prej rreth dy vitesh, Shqipëria po provon një model të ri për zhvillimin e pronave shtetërore ku shteti vë në dispozicion pronën shtetërore, ndërsa privati financon ndërtimin.

Në vend që zyrat publike, stadiumet, bibliotekat dhe qendrat e shërbimit të paguhen drejtpërdrejt nga buxheti, investitorëve u jepet e drejta të zhvillojnë prona me vlerë tregtare. Në këmbim, ata duhet të ndërtojnë objektet publike të parashikuara ose t’i kalojnë shtetit një pjesë të sipërfaqes së re.

Programi mori formë në shtator të vitit 2024, kur Korporata Shqiptare e Investimeve hapi konkurset e para ndërkombëtare. Në qendër të tij ishte një problem i njohur dhe i pranuar: institucione të shpërndara në godina të vjetra ose të marra me qira, për të cilat shteti paguan çdo vit miliona euro.

Në hapjen e konkurseve, kryeministri Edi Rama tha se shteti nuk do t’i “dorëzojë më prona” privatit si më parë. Korporata do të vepronte si përfaqësuese aktive e pronarit publik, me synimin që nga zhvillimi i këtyre aseteve të siguroheshin godina të reja dhe të ardhura për investime të tjera.

Skema mbështetet mbi një shkëmbim të përcaktuar në dokumentet e çdo procedure. Korporata vendos pronën, statusin e saj juridik dhe projekt-idenë.

Partneri privat siguron financimin, projektimin e detajuar, lejet dhe ndërtimin.

Përfitimi i shtetit llogaritet në metra katrorë, përqindje të sipërfaqes së ndërtuar ose pagesa mujore, sipas natyrës së projektit.

Rezultatet e deritanishme janë të ndryshme. Disa projekte kanë tërhequr kompani dhe kanë arritur në kontratë. Të tjera janë anuluar disa herë, edhe pasi Korporata ka ndryshuar kushtet e garës.

 

Premtimi i fillimit dhe ecuria e procedurave

Dy projektet e para të shpallura ishin VOID Tower dhe LIFT Tower dhe pikërisht këto të dyja tregojnë mënyrën se si u konceptua programi dhe vështirësitë e para të zbatimit.

VOID Tower parashikon zhvillimin e pronës së ish-ATSH-së në bulevardin “Zhan d’Ark”, me sipërfaqe rreth 2,840 metra katrorë. Projekti përfshin një strukturë hotelerie me dy volume, katër dhe 16 kate mbi tokë, si dhe tri kate nëntokë.

Në këmbim të këtij zhvillimi, partneri privat duhet të ndërtojë Kompleksin Governativ te Parku i Delegacioneve. Kompleksi do të ngrihet në një truall prej rreth 11,892 metrash katrorë dhe do të ofrojë 34,000 metra katrorë hapësira publike.

Sipas dokumenteve të bëra publike gjatë fazës së garës, në kompleks parashikohet të vendosen më shumë se 20 institucione dhe të punojnë rreth 13,000 punonjës.

Qëllimi i deklaruar është përqendrimi i administratës dhe reduktimi i shpenzimeve për qira.

Në garën për projektin, AIBA Kompani u rendit e para me një ofertë prej 46.1% të sipërfaqes së zhvilluar për Korporatën. Negociatat nuk përfunduan me marrëveshje dhe procesi kaloi te shoqëria “Progeen”, e renditur e dyta me 45% të sipërfaqes, por për këtë të fundit nuk ka ende një njoftim final për lidhjen e kontratës.

LIFT Tower u ngrit mbi të njëjtin mekanizëm. Partneri privat do të zhvillonte pronën prej rreth 2,357.55 metrash katrorë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Në këmbim, kompania do të ndërtonte godinën e re të Kadastrës Shqiptare pranë Zogut të Zi, në një truall prej rreth 7,500 metrash katrorë. Godina do të siguronte rreth 34,000 metra katrorë për Kadastrën, Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

Procedura për LIFT Tower është shpallur pesë herë. Në thirrjen e fundit, Korporata uli nga 45% në 40% pjesën minimale të sipërfaqes që partneri duhej t’i ofronte shtetit. Edhe pas këtij ndryshimi, nuk u paraqit asnjë aplikant dhe procedura u anulua.

Mungesa e aplikimeve u përsërit edhe te projekti për godinën e re të Bibliotekës Kombëtare. Sipas skemës, një partner privat do të zhvillonte deri në 60,000 metra katrorë në zonën e ish-“Vilave Gjermane”, në rrugën “Gramoz Pashko”. Nga pjesa që do të përfitonte Korporata, do të realizohej biblioteka e re.

Procedura e parë u mbyll pa interes. Pas rishpalljes, gara u anulua sërish, këtë herë për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve në fazën e kualifikimit.

Edhe procedurat për stadiumet “Flamurtari” në Vlorë dhe “Skënderbeu” në Korçë u anuluan, pasi nuk u paraqit asnjë aplikant. Gara e parë për stadiumin “Niko Dovana” në Durrës pati të njëjtin rezultat dhe më pas u rishpall.

 

Çfarë merr shteti dhe çfarë merr privati, modeli nuk po tërheq interes

Projekti që ka përparuar më shumë në Tiranë është rijetëzimi i stadiumit “Selman Stërmasi”. Koncepti fitues u paraqit nga një grup ku përfshihen OMA, RH DHV, LOLA Landscape, Albanian Investment Construction dhe Diagonal Projektim & Zbatim.

Projekti parashikon rindërtimin e stadiumit dhe zhvillimin e zonës përreth si një qendër shumëfunksionale. Plani përfshin katër kulla, me më të lartën që arrin 105 metra.

Programi i ndërtimit përmban rreth 30,000 metra katrorë banim, 11,900 metra katrorë hotel, 16,700 metra katrorë zyra, 15,700 metra katrorë ambiente sportive dhe 29,700 metra katrorë hapësira tregtare. Parashikohen gjithashtu rreth 10,000 metra katrorë hapësira publike.

Bashkimi fitues ofroi 46.5% të sipërfaqes së zhvilluar për Korporatën. Për këtë projekt është publikuar njoftimi për lidhjen e kontratës.

Në kontraktim ka kaluar edhe projekti për Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”. Koncepti përfshin një qendër multifunksionale dhe një ndërtesë rreth 20 kate, e konceptuar në formën e një topi.

Partneri i përzgjedhur ofroi 40.5% të sipërfaqes së zhvilluar për Korporatën, kundrejt një kriteri bazë prej 40%.

Një tjetër kontratë e lidhur është ajo për Korpusin e Inspektorateve dhe shtëpinë e re të fëmijëve “Zyber Hallulli”. Financimi do të vijë nga zhvillimi i një prone shtetërore në Rrugën e Elbasanit.

Pjesa private parashikon tri kulla me funksione hotelerie dhe zyrash. Pjesa publike përfshin Korpusin e Inspektorateve dhe një kampus të ri për fëmijët, me godina të lidhura me oborre, bibliotekë, ambiente studimi dhe zyra administrative. Fituesi ofroi 46% të sipërfaqes për Korporatën dhe kontrata u lidh në qershor 2026.

Për rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve, projekti fitues parashikon ndërhyrje në godinën ekzistuese, krijimin e një sheshi të gjelbër, përmirësimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe ndërtimin e një atriumi drejt niveleve nëntokësore.

Brenda godinës parashikohen përmirësime akustike, një çati e re me strukturë çeliku dhe gjashtë salla konferencash me kapacitet të përgjithshëm rreth 1,600 persona. Zhvillimi përfshin gjithashtu një kullë me zyra dhe hotel.

Fituesi i njoftuar ofroi 46% të sipërfaqes së zhvilluar për Korporatën. Në faqen e Korporatës së Investimeve Shqiptare figuron njoftimi paraprak i fituesit, por jo njoftimi final për lidhjen e kontratës.

Lidhur me këtë të fundit, që ende nuk është njoftuar lidhja e kontratës, është e kuptueshme sepse shpallja e fituesit u bë vetëm pak javë më parë.

Te pronat turistike, përfitimi i shtetit është përcaktuar si pagesë mujore. Rezidenca qeveritare e Velipojës do të rikonceptohet si strukturë akomodimi elitar, duke ruajtur godinën ekzistuese dhe duke shtuar rreth 30 dhoma, parkim nëntokësor, SPA, sallë konferencash dhe ambiente publike.

Oferta fituese ishte 1.5 milionë lekë në muaj, krahasuar me kriterin bazë prej 288,000 lekësh. Korporata ka bërë njoftimin paraprak të fituesit, por jo njoftimin përfundimtar të kontratës.

Për Rezidencën qeveritare të Vlorës, oferta fituese ishte 850,000 lekë në muaj, mbi kriterin bazë prej 813,000 lekësh. Për këtë projekt është publikuar njoftimi për lidhjen e kontratës.

Në prezantimin e programit në janar 2025, Kryeministri Rama tha se projektet do të vendoseshin “përmes garave të hapura”.

Sipas tij, shteti do të përfitonte hapësira me standarde europiane, ndërsa sipërmarrja do të merrte mundësinë për të zhvilluar biznes në një marrëdhënie të ngjashme me atë që krijon me një pronar privat. Por pavarësisht theksit të këtij objektivi duket se rezultatet e pritshme nuk po materializohen.

Procedurat e zhvilluara deri tani ndahen në disa kategori. Një grup projektesh ka arritur në kontratë. Një grup tjetër ka fitues të njoftuar, por nuk ka një kontratë përfundimtare dhe grupi i tretë përbëhet nga projekte të shpallura e rishpallura por pa interes, duke çuar në anulime.

Ky bilanc i përzier i projekteve ngre pikëpyetje kryesore për modelin. Pse një skemë, e prezantuar si mënyrë për të bashkuar pronën publike me kapitalin privat, nuk po arrin të tërheqë investitorë në një pjesë të konsiderueshme të projekteve?

 

VOID Tower dhe Kompleksi Governativ

Projekti VOID Tower parashikon zhvillimin në pronën shtetërore të ish-ATSH-së, në bulevardin “Zhan d’Ark”, të një strukture hotelerie me dy volume, përkatësisht 4 dhe 16 kate mbi tokë, si dhe 3 kate nëntokë.

Prona e vënë në dispozicion për zhvillim ka  sipërfaqe rreth 2,840 metra katrorë.

VOID Tower

Në këmbim të zhvillimit të VOID Tower, partneri privat duhet të ndërtojë Kompleksin Governativ në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, në një truall prej rreth 11,892 metrash katrorë.

Kompleksi është projektuar për të ofruar rreth 34,000 metra katrorë hapësira për institucionet publike dhe për të akomoduar rreth 13,000 punonjës.

Kompleksi Governativ

Thirrja për partnerin privat u hap fillimisht në nëntor 2024. AIBA Kompani u rendit e para me  ofertën prej 46.1% të sipërfaqes për Korporatën, por negociatat me të nuk përfunduan me marrëveshje.

Negociatat kaluan te shoqëria “Progeen”, e renditur e dyta me ofertë 45%. Sipas dokumentit, deri në momentin e përgatitjes së materialit nuk ishte publikuar njoftim për lidhjen e kontratës.

 

LIFT Tower dhe godina e re e Kadastrës

LIFT Tower

LIFT Tower parashikohet të zhvillohet në një pronë shtetërore me sipërfaqe rreth 2,357.55 metra katrorë në rrugën “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit.

Projekti do të zbatohej nga një partner privat sipas projekt-idesë së përzgjedhur nga Korporata.

Kadastra

Në këmbim, partneri privat duhet të ndërtonte godinën e re të Kadastrës Shqiptare në zonën e Zogut të Zi, pranë shkollës “Harry T. Fultz”, në një truall prej rreth 7,500 metrash katrorë.

Projekti parashikon rreth 34,000 metra katrorë hapësira të reja për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin dhe Agjencinë e Trajtimit të Pronave.

Procedura është shpallur pesë herë. Në thirrjen e fundit, pjesa minimale që partneri duhet t’i ofronte Korporatës u ul nga 45% në 40% të sipërfaqes së zhvilluar. Edhe kjo procedurë u anulua, pasi nuk u paraqit asnjë aplikant. Projekti rezulton pa partner privat dhe pa kontratë të lidhur.

 

Rijetëzimi i stadiumit “Selman Stërmasi”

Projekti parashikon transformimin e stadiumit “Selman Stërmasi” dhe zonës përreth në një zhvillim multifunksional. Koncepti fitues përfshin rindërtimin e stadiumit, krijimin e rreth 10,000 metrave katrorë hapësirë publike dhe ndërtimin e katër kullave.

“Selman Stërmasi”

Kulla më e lartë parashikohet të arrijë 105 metra dhe të përdoret për banim. Programi i zhvillimit përfshin rreth 30,000 metra katrorë hapësira rezidenciale, 11,900 metra katrorë hoteleri, 16,700 metra katrorë zyra, 15,700 metra katrorë ambiente sportive dhe 29,700 metra katrorë sipërfaqe tregtare.

Projekti i OMA, RH DHV, LOLA Landscape, Albanian Investment Construction dhe Diagonal Projektim & Zbatim u rendit i pari. Korporata njoftoi lidhjen e kontratës me këtë bashkim operatorësh, i cili ofroi 46.5% të sipërfaqes së zhvilluar për Korporatën. Projekti është në fazën pas lidhjes së kontratës me partnerin privat.

 

Biblioteka Kombëtare dhe zhvillimi tek ish-“Vilat Gjermane”

Projekti parashikon  zhvillim multifunksional në rrugën “Gramoz Pashko”, në zonën e njohur si ish-“Vilat Gjermane”. Sipërfaqja maksimale e parashikuar për projektim është rreth 60,000 metra katrorë.

Biblioteka Kombëtare

Partneri privat do të zhvillonte pronën shtetërore dhe, nga pjesa që i takonte Korporatës, do të realizonte godinën e re të Bibliotekës Kombëtare sipas projekt-idesë së përcaktuar nga Korporata.

Përzgjedhja ishte parashikuar në dy faza, fillimisht kualifikimi dhe më pas vlerësimi i projektit arkitekturor dhe ofertës financiare.

Procedura e parë u mbyll më 11 mars për shkak të mungesës së interesit. Projekti u rishpall më 13 mars 2025, por edhe procedura e dytë u anulua, pasi në fazën e parë u dorëzua një numër i pamjaftueshëm aplikimesh.

Sipas dokumentit, projekti nuk ka partner privat të përzgjedhur dhe nuk është lidhur kontratë.

 

Hospitality Albania – Vila e Velipojës

Projekti për Vilën e Velipojës parashikon ripërdorimin dhe modernizimin e rezidencës qeveritare, duke e kthyer atë në një strukturë akomodimi elitar. Koncepti parashikon ruajtjen e vilës ekzistuese, ndërtimin e parkimit nëntokësor dhe krijimin e ambienteve të reja hoteliere.

Projekti fitues përfshin rreth 30 dhoma, një hapësirë publike në katin e parë, SPA dhe sallë konferencash. Kontrata është parashikuar në formën e enfiteozës, ndërsa partneri privat duhet të ofrojë edhe tarifa preferenciale për kategori klientësh të përcaktuara në marrëveshje me Korporatën.

Hospitality Albania – Vila e Velipojës

Hospitality Albania – Vila e Velipojës

Bashkimi i udhëhequr nga “Xhenis-SH”, me Saunders Architecture, Smart Studio, VOGT, Adnan Kastrati dhe Melia Hotel International, u shpall fitues me ofertë 1.5 milionë lekë në muaj.

Kriteri bazë financiar ishte 288,000 lekë në muaj. Në dokument figuron njoftimi paraprak i fituesit, por jo një njoftim përfundimtar për lidhjen e kontratës.

 

Hospitality Albania – Vila Vlorë

Projekti parashikon rikonceptimin e rezidencës qeveritare në Vlorë si një strukturë akomodimi elitar. Qëllimi i procedurës është modernizimi i godinës ekzistuese dhe përdorimi i saj për akomodimin turistik dhe pritjen e personaliteteve.

Hospitality Albania – Vila Vlorë

Partneri privat merr përsipër investimin, zhvillimin dhe menaxhimin e strukturës hoteliere. Oferta financiare duhej të ishte jo më e ulët se kriteri bazë prej 813,000 lekësh në muaj, ndërsa marrëveshja përfshin edhe zbatimin e tarifave preferenciale sipas kushteve të përcaktuara me Korporatën.

Fitues u shpall bashkimi i shoqërive “Edil Al-It” dhe “Zdrava”, me ofertë 850,000 lekë në muaj. Korporata ka publikuar njoftimin për lidhjen e kontratës, ndaj procedura rezulton e përfunduar me përzgjedhjen e partnerit privat dhe kontratën e lidhur.

 

Parku i Besimit

“Parku i Besimit” parashikohet të ndërtohet në kodrat e Petrelës, pranë luginës së Erzenit, në një sipërfaqe prej rreth 210,000 metrash katrorë.

Projekti është konceptuar si një kompleks arkitekturor, urbanistik dhe peizazhi për komunitetet fetare.

Parku i Besimit

Parku i Besimit

Masterplani parashikon objekte dhe hapësira për besimet fetare, ambiente të përbashkëta, zona peizazhi dhe infrastrukturë për pritjen e rreth 30,000 vizitorëve në vit. Projekti fitues është përzgjedhur pas një procedure të organizuar nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit dhe Korporata Shqiptare e Investimeve.

Në maj 2026, Këshilli i Ministrave ngarkoi Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor dhe njësi zbatuese për fazën paraprake.

FSHZH duhet të realizojë projektimin dhe ndërhyrjet utilitare, aksesin, parkimet, infrastrukturën nëntokësore, sigurinë dhe rrethimin. Projekti ndodhet në fazën paraprake të zbatimit të miratuar me vendim qeverie.

 

Rijetëzimi i Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”

Projekti parashikon transformimin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” dhe zonës përreth në një qendër multifunksionale. Partneri privat duhet të ndërtojë një kompleks për sipërmarrje dhe, nga pjesa që i takon Korporatës, të realizojë pallatin e ri të sportit.

Koncepti fitues përfshin një ndërtesë rreth 20 kate, e konceptuar në formën e një topi, si dhe zhvillim multifunksional në pronën shtetërore. Kriteri bazë financiar ishte 40% e sipërfaqes totale të zhvilluar në pronë.

Pallati i Sportit “Asllan Rusi”

Pallati i Sportit “Asllan Rusi”

Në fazën e parë u paraqitën 11 projekt-propozime dhe në finale kaluan gjashtë ekipe. Fitues u shpall bashkimi Trema Tech, Likado BV, Albanian Capital Group, BCN Investments dhe MVRDV, me ofertë 40.5% të sipërfaqes për Korporatën.

Pas njoftimit paraprak të fituesit në tetor 2025, Korporata publikoi edhe njoftimin për lidhjen e kontratës.

 

Stadiumi “Niko Dovana”, Durrës

Projekti parashikon rijetëzimin e stadiumit “Niko Dovana”, ndërtimin e një qendre sportive dhe komunitare, si dhe rikualifikimin e zonës përreth. Zhvillimi përfshin ambiente sportive, hapësira publike, funksione rezidenciale dhe tregtare.

Ndërtesat parashikohen të lidhen me sheshe, kopshte dhe hapësira publike, ndërsa çatitë do të përdoren për sport dhe gjelbërim.

Stadiumi “Niko Dovana”

Stadiumi “Niko Dovana”

Projekt-ideja është hartuar nga studiot 51N4E dhe Plan Común. Në dokument përmenden edhe rreth 26,500 metra katrorë ndërtim me funksion të përzier rezidencial dhe tregtar.

Procedura e hapur më 9 korrik 2025 u anulua, pasi nuk u paraqit asnjë aplikant.

Projekti u rishpall më 12 maj 2026, me kriter bazë 35% të sipërfaqes së zhvilluar për Korporatën dhe afat aplikimi më 25 qershor 2026 që më pas u shty për në 30 korrik. Dokumenti nuk përmban një rezultat të mëvonshëm, ndaj faza e fundit e dokumentuar është rishpallja e procedurës.

 

Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

Projekti parashikon rijetëzimin e stadiumit “Flamurtari”, rindërtimin ose rikonceptimin e pishinës dhe pallatit të sportit, si dhe rikualifikimin e zonës urbane përreth.

Partneri privat do të zhvillonte pronën shtetërore dhe do të merrte përsipër realizimin e projektit publik.

Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

Stadiumi “Flamurtari”, Vlorë

Procedura u hap më 24 korrik 2025. Kandidatët duhej të merrnin përsipër financimin e projektit të detajuar, kostot e lejeve dhe regjistrimit, si dhe zhvillimin e plotë të projekt-idesë së stadiumit, pishinës, pallatit të sportit dhe zonës përreth.

Afati për aplikime ishte 30 shtator 2025. Pas përfundimit të afatit, procedura u anulua, pasi nuk u paraqit asnjë aplikant në datën dhe orën e përcaktuar. Sipas dokumentit, projekti nuk ka partner privat dhe kontratë të lidhur.

 

Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë

Projekti parashikon rijetëzimin e stadiumit “Skënderbeu” dhe rikualifikimin e zonës përreth. Koncepti paraprak është hartuar nga CEBRA dhe Arup, në bashkëpunim me UNO Architects, Naxhi Bakalli dhe Elvis Uku.

Partneri privat do të zhvillonte pronën sipas instrumentit të sipërmarrjes dhe do të merrte përsipër realizimin e projektit publik të stadiumit dhe hapësirave përreth. Procedura përfshinte fazën e kualifikimit dhe më pas paraqitjen e ofertës financiare.

Stadiumi “Skënderbeu”, Korçë

Thirrja u hap më 24 korrik 2025, me afat për dorëzimin e aplikimeve më 30 shtator 2025. Korporata e anuloi procedurën, pasi nuk u paraqit asnjë aplikant në afatin e përcaktuar. Projekti rezulton pa partner privat të përzgjedhur dhe pa kontratë.

 

Korpusi i Institucioneve të Pavarura dhe Qendra Multifunksionale

Projekti parashikon ndërtimin e dy objekteve me funksion publik në Tiranë. I pari është “Korpusi i Institucioneve të Pavarura” në Njësinë Administrative nr. 2, ndërsa i dyti është “Qendra për Zhvillimin Multifunksional”, me klinikë të re mjekësore dhe palestër sportive komunitare në Njësinë Administrative nr. 7.

Financimi i këtyre objekteve do të sigurohet nga zhvillimi i një objekti multifunksional për sipërmarrje në pronën e Korporatës, në zonën e ish-Fushës së Aviacionit. Sipërfaqja maksimale e parashikuar për projektim dhe zhvillim është rreth 50,000 metra katrorë.

Thirrja e parë u hap më 30 prill 2026 dhe u anulua më 29 qershor, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të aplikimeve. Procedura u rishpall më 9 korrik 2026, me afat të ri për dorëzimin e aplikimeve më 4 shtator 2026.

Projekti ndodhet në fazën e rihapur të konkurrimit për partner privat.

 

Korpusi i Inspektorateve dhe shtëpia “Zyber Hallulli”

Projekti parashikon ndërtimin e Korpusit të Inspektorateve dhe të shtëpisë së re të fëmijëve “Zyber Hallulli”. Financimi do të realizohet nga partneri privat në këmbim të pjesës së tij në një objekt multifunksional që do të zhvillohet në pronën shtetërore në Rrugën e Elbasanit.

Projekti i shtëpisë së fëmijëve përfshin një kampus me godina të lidhura me oborre, bibliotekë, ambiente studimi, zyra administrative dhe hapësira për aktivitete.

“Zyber Hallulli”

Zhvillimi multifunksional në Rrugën e Elbasanit parashikon tri kulla, me funksione hoteliere dhe zyra, të lidhura me ura.

Fitues u shpall shoqëria “MOTUS”, me Asab, Son Engineering & Construction, Rojkind Arquitectos dhe Julian Kasharaj. Oferta ishte 46% e sipërfaqes së objektit multifunksional për Korporatën.

Kontrata u lidh më 4 qershor 2026, ndaj projekti ndodhet në fazën pas kontraktimit të partnerit privat.

 

Rivitalizimi i Pallatit të Kongreseve

Projekti parashikon rivitalizimin e Pallatit të Kongreseve dhe ndërtimin e një objekti multifunksional në pronën e Korporatës pranë tij. Partneri privat do të zhvillojë objektin për sipërmarrje dhe nga pjesa që i takon Korporatës do të financojë ndërhyrjet në Pallatin e Kongreseve.

Koncepti fitues parashikon ndërhyrje në godinën ekzistuese, krijimin e një sheshi të gjelbër publik, riorganizimin e lëvizjes së këmbësorëve dhe një atrium që zbret drejt niveleve nëntokësore.

Pallati i Kongreseve

Brenda godinës parashikohen përmirësimi i akustikës, çati e re me strukturë çeliku dhe gjashtë salla konferencash me kapacitet të përgjithshëm rreth 1,600 persona. Projekti përfshin edhe një kullë me zyra dhe hotel.

Korporata publikoi njoftimin paraprak të fituesit më 4 qershor 2026. Fitues u shpall “KLAR”, me Julian Beqiri, Herzog & de Meuron, Marsela Demaj, Michel Desvigne, Gentian Shkurti, SUEB Industries dhe The Space Factory, me ofertë 46% të sipërfaqes për Korporatën. Dokumenti përmban njoftimin paraprak të fituesit, por jo njoftim për lidhjen e kontratës.

 

Qendra e Shërbimeve Publike, Palasë

Projekti parashikon krijimin e një qendre shërbimesh publike në Palasë, me objekte për rendin, shëndetësinë dhe funksione të qeverisjes vendore ose qendrore. Partneri privat duhet të paraqesë një masterplan për zonën publike dhe projekt-idetë arkitekturore të objekteve.

Procedura përfshin edhe projektimin dhe zhvillimin e dy strukturave akomoduese për sipërmarrje, një në Palasë dhe një në Dhërmi. Objektet publike në Palasë do të financohen dhe ndërtohen nga partneri privat në këmbim të pjesës së Korporatës në dy strukturat akomoduese.

Këshilli i Ministrave transferoi pronat përkatëse te Korporata me vendimin nr. 321, datë 6 maj 2026. Thirrja konkurruese u publikua më 15 korrik 2026 dhe parashikon procedurë me dy faza dhe tri zarfe.

Në momentin e dokumentuar, projekti ndodhet në fazën e parë të procedurës për përzgjedhjen e partnerit privat dhe nuk ka ende fitues ose kontratë.

 

 

 

The post Shteti si pronar, privati si ndërtues: pse garat po mbeten pa oferta appeared first on Revista Monitor.

Rënia e prodhimit më e madhja në një dekadë; Pijet freskuese “pushtohen” nga importi

21 August 2026 at 22:10

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2025 u prodhua sasia më e ulët e pijeve freskuese në më shumë se një dekadë. Krahasuar me një vit më parë, prodhimi u tkurr me 55%, ndërsa produktet e importit zgjeruan më tej praninë e tyre, duke zënë 77% të tregut. Përfaqësuesit e industrisë paralajmërojnë se, nëse kostot e larta të prodhimit dhe mungesa e konkurrueshmërisë vijojnë, tregu mund të hyjë në një fazë transformimi.

 

Dorina Azo

Shumë sektorë të prodhimit vijojnë të përballen me kostot e larta të prodhimit dhe konkurrencën në rritje të produkteve të importit.

Një nga sektorët më të prekur është ai i pijeve freskuese, i cili gjatë vitit 2025 është rikthyer në një rënie të fortë të prodhimit, duke humbur më shumë se gjysmën e volumit krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2025, në vend u prodhuan 30,8 milionë litra pije freskuese. Krahasuar me vitin 2024, prodhimi u tkurr me 55%, duke zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar në më shumë se një dekadë.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

 

Të dhënat tregojnë se, me përjashtim të vitit 2020, kur pandemia e Covid-19 dhe kufizimet e lëvizjes ndikuan në aktivitetin ekonomik dhe tregtar, rënia e prodhimit vendas ka nisur që prej vitit 2022.

Prodhimi i pijeve freskuese në vitin 2022 u ul me rreth 3% krahasuar me një vit më parë. Tendenca negative u thellua në vitin 2023, kur prodhimi ra me 15%.

Në vitin 2024 u shënua rikuperim i lehtë. Në rang vendi u prodhuan 68,6 milionë litra pije freskuese apo 4% më shumë sesa në vitin 2023. Megjithatë, kjo ecuri rezultoi e përkohshme.

Gjatë vitit 2025, sektori pësoi goditje të fortë, me prodhimin që u përgjysmua, duke sinjalizuar përkeqësimin e vështirësive me të cilat përballet industria vendase.

 

Prodhuesit: Penalizohemi nga kostot

Prodhuesit më të mëdhenj të pijeve freskuese në vend pohojnë se industria vijon të operojë me kosto dukshëm më të larta se konkurrentët në rajon dhe në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas tyre, kjo i vendos prodhuesit vendas në një pozicion të pafavorshëm përballë produkteve të importit, të cilat po fitojnë gjithnjë e më shumë terren në treg.

Kristo Naçi, administrator i kompanisë ALFA, pjesë e “Agna Group”, e cila prodhon për tregun shqiptar dhe atë të Kosovës markat “Pepsi”, “Ivi”, “7Up”, “Lipton”, “Ice Tea” dhe produkte të tjera pohon për “Monitor” se disavantazhi konkurrues i industrisë lidhet me disa faktorë strukturorë.

“Kostot e larta të energjisë për fabrikat prodhuese mbeten një nga sfidat kryesore për industrinë.

Një tjetër faktor është ndryshimi i strukturës demografike për shkak të emigracionit dhe përmasat e vogla të tregut, të cilat nuk krijojnë volum të mjaftueshëm për të justifikuar investime në teknologji moderne dhe linja prodhimi me kapacitete të larta, të ngjashme me ato që operojnë në vendet europiane.

Këto investime kushtojnë miliona euro, që do të ishin të papërballueshme në tërësi për sektorin, veçanërisht nga prodhuesit e vegjël. Për pasojë, prodhuesit vendas e kanë më të vështirë të arrijnë ekonomi shkalle dhe të konkurrojnë në çmim me produktet e importuara”.

Zoti Naçi paralajmëron se nëse këto kushte nuk ndryshojnë, industria vendase mund të përballet me një transformim edhe më të thellë.

Sipas tij, prodhuesit mund ta shohin gjithnjë e më të leverdishme të heqin dorë nga prodhimi vendas dhe të orientohen drejt importit të produkteve të gatshme, pasi diferenca në kosto dhe konkurrueshmëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.

Sipas drejtuesve të shitjeve të “Agna Group”, prodhimi i pijeve freskuese gjatë vitit 2025 ka mbetur në të njëjtat nivele krahasuar me një vit më parë.

Edhe në 6-mujorin e parë të vitit 2026, situata vijon të jetë e pandryshuar, me kërkesën që nuk ka shënuar rritje të ndjeshme, pavarësisht fillimit të sezonit turistik dhe fluksit të turistëve.

Sipas kompanisë, ardhja e turistëve të huaj në vend nuk është reflektuar ende në zgjerim të konsumit të pijeve freskuese në nivele që të ndikojnë ndjeshëm në treg.

 

Paralajmërimi

Nëse këto kushte nuk ndryshojnë, industria vendase mund të përballet me një transformim edhe më të thellë. Sipas tij, prodhuesit mund ta shohin gjithnjë e më të leverdishme të heqin dorë nga prodhimi vendas dhe të orientohen drejt importit të produkteve të gatshme, pasi diferenca në kosto dhe konkurrueshmëri po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.

 

 

Alarmi i ngritur prej vitesh nga prodhuesit e vegjël

Situata e vështirë që po përjeton sot industria e pijeve freskuese nuk është një zhvillim i papritur.

Prej vitesh, prodhuesit e vegjël kanë paralajmëruar për vështirësitë që po shfaqeshin në sektor që me rënien e konsumit, veçanërisht në zonat rurale ku ata dikur tregtonin më tepër, rritjen e kostove të prodhimit, mungesën e fuqisë punëtore dhe koston e papërballueshme të pagave nga rritjet artificiale dhe presioni i importeve.

Në një kohë kur prodhuesit më të mëdhenj paralajmërojnë për një transformim të tregut dhe rrezikun që kompanitë vendase të orientohen drejt importit në vend të prodhimit nëse situata nuk ndryshon, prodhuesit e vegjël kanë qenë të parët që kanë ndier pasojat e kësaj situate.

Një nga rastet më të prekura e trajtuar shpeshherë nga “Monitor” është fabrika e pijeve freskuese “Fresh” në fshatin Dropull të Gjirokastrës.

Në vitin 2025, Kostandin Bezhani, administratori i fabrikës, pohoi për “Monitor” se pas 5 vitesh përballje me vështirësi të vazhdueshme për përballimin e kostove prodhuese dhe rënies së kërkesës, gjendej para vendimit për mbylljen e aktivitetit.

Z. Bezhani tha se kapaciteti prodhues i fabrikës ishte reduktuar me 75%, dhe se vihej në punë vetëm 25% e linjave të prodhimit.

Administratori i kompanisë, Kostandin Bezhani shprehej se problemi kryesor nuk është vetëm rënia e kërkesës dhe vështirësitë për të konkurruar në treg, por edhe mungesa e njerëzve që mund të mbajnë në funksion aktivitetin.

Nga 90 punonjës që kishte në të kaluarën, në vitin e fundit kompania operonte me rreth 30 punëtorë.

“Problematika e gjetjes së punonjësve është e thelluar prej të paktën 2-3 vitesh. Nuk arrijmë të gjejmë staf as për prodhimin, as për shpërndarjen e produkteve në Tiranë dhe rrethe. Edhe pse kemi rritur pagat, mungesa e punonjësve vijon të jetë e madhe, kryesisht për shkak të emigracionit”, pohoi më herët z. Bezhani.

Fabrika “Fresh”, e cila e ka nisur aktivitetin në vitin 1992 dhe ka investuar rreth 7 milionë euro në vitin 2008 për modernizimin e linjave të prodhimit, ka kërkuar edhe alternativa përmes eksporteve.

Por sipas administratorit, konkurrueshmëria e markave shqiptare dhe kostot e transportit kanë kufizuar mundësinë për të hyrë në tregje të huaja.

Sipërmarrësit e vegjël paralajmëruan se, nëse nuk ndërmerren masa për uljen e kostove, mbështetjen e prodhimit vendas dhe frenimin e largimit të fuqisë punëtore, rreziku është që industria shqiptare e pijeve freskuese të humbasë gradualisht kapacitetet prodhuese dhe në treg të mbizotërojnë gjithnjë e më shumë importet.

 

Burimi: Doganat

 

Importet e pijeve freskuese u rritën me 23% në janar-qershor 2026

Në vitin 2025, sipas të dhënave të Doganave, u importua një sasi prej 104,2 milionë litra pije freskuese. Krahasuar me vitin paraardhës, importet u ulën me 3%.

Por në vitin 2026, importet i janë rikthyer tendencës rritëse. Për muajt janar-qershor u importua një sasi prej 60,4 milionë litra pije freskuese. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, sasia e importuar u rrit me 23%.

Sasia e importuar për janar-qershor 2026 është më e larta në 10 vitet e fundit. Në vitin 2016, për periudhën janar-qershor, Shqipëria importoi pije freskuese në një sasi prej 24 milionë litrash.

Një dekadë më pas, në vitin 2026, sasia e importeve në periudhën janar-qershor është 154% më e lartë apo gati rreth 2.5 më e lartë sesa 2016.

 

Burimi: Doganat

 

Importet e pijeve freskuese “pushtojnë” 77% të tregut, prodhimi vendas humbet terren

Për herë të parë, në më shumë se një dekadë, tregu i pijeve prodhuese në vend pothuajse është pushtuar nga markat e huaja.

Në vitin 2025, pesha e prodhimit vendas ka zbritur në vetëm 23%, ndërsa produktet e importit kanë arritur të dominojnë tregun me 77% të pjesës totale.

Të dhënat për periudhën 2013–2025 tregojnë një përmbysje të fortë të strukturës së tregut të pijeve freskuese në Shqipëri. Në vitin 2013, prodhimi vendas mbulonte 54% të tregut, ndërsa importet zinin 46%. Pas më shumë se një dekade, situata është përmbysur tërësisht.

Rënia më e fortë e prodhimit vendas është shfaqur pas vitit 2020. Në vitin 2021, importet kaluan për herë të parë në avantazh të dukshëm ndaj prodhimit vendas, duke zënë 54% të tregut kundrejt 46% të prodhimit vendas.

Tendenca është thelluar në vitet pasuese, me importet që arritën në 61% në vitet 2023 dhe 2024, përpara se të shënonin nivelin rekord 77% në vitin 2025.

Edhe për importuesit, kjo zhvendosje e tregut lidhet me disa faktorë që nga investimet e kufizuara në teknologji dhe tregu i vogël i konsumatorëve për të justifikuar një investim të tillë në prodhim.

Për rrjedhojë, kjo ka sjellë që në treg të shtohet prania e markave të reja të pijeve freskuese.

Gëzim Besholli, drejtor i shitjeve në kompaninë “Tabacco Holding Group” (THG), një nga distributorët kryesorë të pijeve në vend, e cila së fundmi ka nisur importin e markës belge të pijeve freskuese “Pacha”, thotë se produkti nuk prodhohet në Shqipëri, por jashtë vendit, pasi kërkon teknologji të specializuar që nuk është e disponueshme në tregun vendas.

“Ky është një prodhim specifik me një lloj ambalazhimi që shumë pak kompani në Europë e realizojnë. Bëhet fjalë për një ambalazh PET me mbyllje alumini, një risi në treg që garanton cilësi shumë të lartë. Është produkt Premium”, shprehet ai.

Sipas z. Besholli, arsyeja kryesore pse ky prodhim nuk realizohet në Shqipëri nuk lidhet vetëm me kostot, por me mungesën e teknologjisë dhe shkallës së nevojshme të prodhimit.

“Në Shqipëri nuk ekzistojnë makineritë për këtë lloj prodhimi dhe investimi do të ishte shumë i lartë.

Përveç kësaj, prodhimi kërkon teknologji moderne, laboratorë, kontrolle të avancuara cilësie dhe një ritëm të lartë prodhimi. Mbi të gjitha, tregu shqiptar është shumë i vogël për të mbajtur një fabrikë të tillë me eficiencë ekonomike.”

Ai shton se marka ndërkombëtare “Pacha”, me origjinë belge, tregtohet ekskluzivisht nga THG në Shqipëri dhe se ecuria në treg gjatë 7 muajve të parë ka qenë pozitive.

“Kërkesa ka qenë shumë e mirë. Nuk kemi ende një matje të ndikimit të turistëve në shitje, por besojmë se edhe ata kanë dhënë kontribut, duke qenë se bëhet fjalë për një markë ndërkombëtare.”

Sipas tij, kompania po vijon zgjerimin e portofolit të produkteve. Në shtator pritet të hidhen në treg shije të reja, përfshirë edicionin dimëror, duke e çuar ofertën totale në 12 shije.

“Gjithashtu, produkti i përgjigjet një tendence të re të konsumatorëve për pijet freskuese, me vlera të kontrolluara kalorike dhe të shëndetshme.

Besojmë se kjo kategori ka hapësirë për t’u rritur më tej, pasi konsumatorët po kërkojnë gjithnjë e më shumë produkte që kombinojnë shijen me një zgjedhje më të kujdesshme ushqimore”, pohon z. Besholli.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë, Doganat, Përpunimi i Monitor

 

A po vihet mbijetesa e prodhimit vendas në pikëpyetje?

Të dhënat tregojnë se tregu i pijeve freskuese në vend po kalon një ndryshim strukturor.

Importet po zgjerojnë me shpejtësi praninë në treg, ku për vitin 2025 pesha e tyre u rrit me 11% krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa prodhuesit vendas po përballen me vështirësi për të ruajtur konkurrueshmërinë për shkak të kostove, mungesës së fuqisë punëtore dhe kufizimeve të tregut.

Nëse kjo tendencë do të vijojë edhe për disa vite, prodhuesit paralajmërojnë se modeli i prodhimit vendas mund të zëvendësohet gradualisht nga një model më i orientuar drejt importit dhe shpërndarjes.

 

 

The post Rënia e prodhimit më e madhja në një dekadë; Pijet freskuese “pushtohen” nga importi appeared first on Revista Monitor.

Doktoratura, një bast karriere

21 August 2026 at 22:08

Në Shqipëri, doktoratura nuk matet vetëm me vitet e gjata të kërkimit, netët me bibliografi dhe prestigjin e një titulli akademik. Ajo ka një faturë reale financiare që, sipas universitetit dhe modelit të programit, mund të arrijë deri në 10 mijë euro, por kostoja e saj e vërtetë nis përtej tarifës. Pyetja më e rëndësishme ekonomike nuk është sa kushton hyrja në ciklin e tretë, por nëse tregu shqiptar është i aftë ta kthejë këtë investim në paga më të larta, role më të mira dhe lëvizje profesionale.

 

Nga Deada Hyka

Për dekada, doktoratura është shitur si kulmi i kapitalit njerëzor, grada që premton ekspertizë, status dhe një derë më të gjerë drejt tregut global të punës. Por për një brez profesionistësh që llogarit me kujdes çdo vit të investuar, pyetja nuk është më sa “vlen” akademikisht diploma, por sa kthehet ajo si investim financiar.

Të dhënat ndërkombëtare tregojnë se primi në paga ekziston, por ai shpërndahet në mënyrë shumë të pabarabartë. Fitimi i vërtetë materializohet kur diploma shndërrohet në akses për role të larta kërkimore, teknike ose drejtuese, sidomos në industri të avancuara dhe në tregje jashtë vendit.

Në Shqipëri, përfitimi mbetet më i qartë për ata që qëndrojnë në orbitën akademike, ndërsa në sektorin privat, titulli shpesh nuk përkthehet automatikisht në një pagë më të lartë.

Ky dallim shihet qartë edhe në sektorin publik. Për administratën klasike, pra për nëpunësit civilë sipas ligjit për shërbimin civil, paga lidhet kryesisht me klasën e pozicionit, kategorinë, vjetërsinë dhe shtesat e përcaktuara me vendime të posaçme të qeverisë.

Kjo do të thotë se vetë titulli “Doktor” nuk sjell zakonisht një shtesë page të drejtpërdrejtë. Ai mund të ndihmojë në konkurrimin për një post më të lartë, dhe pikërisht përmes atij avancimi të pozicionit të përkthehet në të ardhura më të larta.

Pra, premium-i nuk është te diploma në vetvete, por te mundësia që ajo krijon për ngjitje në hierarki.

Aty ku doktoratura monetizohet më qartë është universiteti dhe institucionet e kërkimit shkencor. Në këto struktura, cikli i tretë është shpesh kusht formal për të kaluar nga pedagog në lektor, profesor të asociuar apo në grada më të larta akademike.

Çdo gradë e re shoqërohet me koeficient page më të lartë dhe me akses në projekte, grante dhe bashkëpunime që sjellin të ardhura shtesë. Kjo është rruga më lineare ku investimi në PhD ka një kthim të lexueshëm financiar.

Por edhe këtu bilanci ekonomik nuk është i thjeshtë. Kostoja më e madhe e doktoraturës nuk është tarifa universitare, por paga e munguar. Katër vite, ndonjëherë edhe më shumë, të kaluara në kërkim, publikime dhe ngarkesë akademike përkthehen në vite të humbura të progresit të plotë në tregun e punës.

Në fusha si teknologjia, financa apo inxhinieria, ku tregu paguan mirë që në vitet e para të karrierës, kjo kosto oportuniteti mund të arrijë dhjetëra apo qindra mijë euro në dekadën e parë. Kjo e zhvendos debatin nga tarifa e universitetit te pyetja reale e kthimit të investimit: sa kohë i duhet një PhD-je për të kompensuar të ardhurat e humbura?

Përgjigjja varet nga tregu ku hyn. Në sektorë si Inteligjenca Artificiale, farmaceutika, inxhinieria e avancuar, financa kuantitative apo konsulenca strategjike, doktoratura funksionon si filtër hyrës për paga shumë të larta.

Këtu industria nuk paguan ceremoninë e titullit, por aftësinë për të prodhuar dije të re, për të modeluar pasigurinë dhe për të zgjidhur probleme që nuk kanë receta standarde.

Pikërisht në këtë pikë, diferenca mes një masteri dhe një PhD-je bëhet thellësisht ekonomike.

Në Shqipëri, tabloja është më komplekse. Universitetet publike dhe disa private kanë zgjeruar ndjeshëm ofertën e programeve të ciklit të tretë, nga Universiteti i Tiranës te Politekniku, Universiteti Bujqësor, Universitetet e Mjekësisë dhe institucionet private.

Kapaciteti për të prodhuar kërkues dhe staf të kualifikuar është rritur, por tregu vendas mbetet i ngushtë për ta absorbuar menjëherë këtë nivel specializimi. Jashtë universiteteve, sektori privat shqiptar vijon të dominohet nga tregtia, ndërtimi, turizmi dhe shërbimet me vlerë të shtuar mesatare, ku kërkimi dhe zhvillimi ende nuk përbëjnë një funksion qendror të biznesit.

Kjo krijon një paradoks tipik të ekonomive në tranzicion, ku sistemi arsimor prodhon dije të avancuar më shpejt sesa ekonomia prodhon role që e paguajnë atë dije. Për pasojë, premium-i i doktoraturës shpesh nuk materializohet në formën klasike të një page më të lartë në tregun lokal, por në forma të tjera kapitalizimi.

Forma e parë është migrimi akademik dhe profesional. Për shumë doktorantë, PhD-ja shërben si trampolinë drejt vendeve post-doktoraturë, universiteteve europiane, projekteve Horizon Europe apo qendrave kërkimore jashtë vendit, aty ku kërkimi trajtohet si aset strategjik.

“Kur ekonomia mbështetet ende te sektorë me produktivitet mesatar dhe me investim të ulët në kërkim e zhvillim, kthimi financiar i një doktorature mbetet i kufizuar.

Problemi nuk është se kemi shumë kapital njerëzor të avancuar, por se kemi ende pak industri që dinë ta përdorin dhe ta paguajnë atë”, – thotë për “Monitor”, eksperti Selami Xhepa.

Ky interpretim e zhvendos debatin nga diploma si vendim personal te fakti se çfarë lloj ekonomie po ndërtojmë dhe sa vend ka në të për dijen e specializuar?

Megjithatë, prof. dr. Adrian Civici thotë se problemi i doktoraturave në Shqipëri nuk lidhet me “inflacionin e diplomave”, por me cilësinë reale dhe kontributin konkret që ato japin në zhvillimin ekonomik e social të vendit. Sipas z. Civici, doktoraturat nuk duhet të mbeten kërkime individuale për të marrë një gradë shkencore, por të lidhen drejtpërdrejt me nevojat reale të ekonomisë dhe të tregut të punës.

Sakaq, forma e dytë e përfitimit nga doktoratura është ekonomia e projekteve. Universitetet shqiptare dhe studiuesit individualë po monetizojnë gjithnjë e më shumë ekspertizën përmes granteve, partneriteteve ndërkufitare, konsulencës dhe qendrave të inovacionit.

Në këto raste, të ardhurat nuk burojnë domosdoshmërisht nga paga bazë universitare, por nga një ekonomi paralele kërkimi që po bëhet gjithnjë më e rëndësishme.

Pyetja më interesante, megjithatë, nuk është vetëm pse tregu aktual nuk e paguan mjaftueshëm doktoraturën, por nëse ky treg po ndërtohet.

Këtu hyn Strategjia e Specializimit Inteligjent 2025–2030, e cila për herë të parë sinjalizon sektorët ku kërkimi, zhvillimi dhe kapitali njerëzor i avancuar mund të marrin çmim real ekonomik.

Me fokus te energjia e rinovueshme, turizmi i qëndrueshëm dhe zinxhiri ushqimor me vlerë të lartë, strategjia krijon një mundësi që PhD të kalojë nga kapital simbolik në kapital produktiv.

Nëse kjo strategji mbështetet me investime konkrete në laboratorë, tech parks, qendra transferimi teknologjie dhe bashkëpunime universitet–biznes, doktoratura mund të dalë nga auditorët dhe të hyjë në sektorë ku ekonomia shqiptare po kërkon të ngjitet: energjia e pastër, agro-tech, Inteligjenca Artificiale, materialet e avancuara dhe turizmi elitar.

Kjo do të ishte hera e parë që tregu vendas jo vetëm e njeh, por edhe e paguan në mënyrë sistematike dijen e thelluar.

Në fakt, z. Civici vlerëson se sektorë si Inteligjenca Artificiale, energjia e rinovueshme dhe teknologjitë e avancuara po krijojnë tregje të reja ku kapitali njerëzor i kualifikuar paguhet më mirë dhe vlerësohet më shumë.

Ai paralajmëron se pa investime serioze në inovacion, teknologji dhe kërkim shkencor cilësor, Shqipëria nuk mund të ndërtojë një model ekonomik me vlerë të shtuar të lartë.

Sa i përket kostos direkte, diapazoni në Shqipëri mbetet i gjerë. Në universitetet publike, tarifa lëviz zakonisht nga 1500 deri në 2,000 euro në vit, ndërsa në universitetet private mund të shkojë nga 3,000 deri në 5,000 euro në vit.

Ka modele edhe më të qarta: Universiteti POLIS e ka të deklaruar një kosto minimale prej 10,000 eurosh për tre vite doktoraturë, ndërsa modele si Tirana Metropolitan University e lidhin doktoraturën me financim projektesh, duke e afruar me modelin europian ku doktoranti mbështetet nga granti dhe nuk e financon vetë të gjithë barrën.

Doktoratura në Shqipëri mbetet më pak një garanci page dhe më shumë një investim që jep kthim vetëm nëse lidhet me një trajektore të qartë profesionale. Për akademinë, kërkimin dhe tregjet ndërkombëtare, ajo vijon të jetë një aset i fortë.

Për sektorin privat vendas, vlera e saj mbetet ende e kushtëzuar nga transformimi i vetë modelit ekonomik. Në këtë kuptim, PhD-ja nuk është investim i gabuar. Është një investim që kërkon jo vetëm vite pune dhe para, por edhe një treg që di ta lexojë dhe ta paguajë dijen e avancuar.

 

 

 

Kostoja e doktoraturës

Sa i përket kostos direkte, diapazoni në Shqipëri mbetet i gjerë. Në universitetet publike, tarifa lëviz zakonisht nga 1500 deri në 2,000 euro në vit, ndërsa në universitetet private mund të shkojë nga 3,000 deri në 5,000 euro në vit. Ka modele edhe më të qarta: Universiteti POLIS e ka të deklaruar një kosto minimale prej 10,000 eurosh për tre vite doktoraturë, ndërsa modele si Tirana Metropolitan University e lidhin doktoraturën me financim projektesh, duke e afruar me modelin europian ku doktoranti mbështetet nga granti dhe nuk e financon vetë të gjithë barrën.

 

Kostoja e fshehur e doktoraturës

Në komunikim me një pjesë të studentëve doktorantë në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë, bëhet e ditur se përtej kostos formale të programit të doktoraturës ekziston edhe një kosto e fshehur, shpesh më e rëndë se vetë tarifa.

Ajo lidhet me përpjekjen për ta përfunduar doktoraturën paralelisht me një punë të vazhdueshme gjatë këtij katërvjeçari. Për ata që janë të punësuar me kohë të plotë në sektorë joakademikë, kjo barrë bëhet edhe më e vështirë, sepse kërkimi shkencor konkurron drejtpërdrejt me orët e punës, energjinë mendore dhe ritmin profesional.

Gjatë këtij katërvjeçari ekziston edhe një kosto oportuniteti që rrallë llogaritet: rreziku i humbjes së produktivitetit në punë, ulja e rendimentit në periudha intensive kërkimi, apo edhe humbja e mundësive për rritje në karrierë, promovim dhe rritje page, sidomos në sektorin privat ku vlera e doktoraturës nuk reflektohet menjëherë në kompensim.

Ndaj doktoratura nuk është vetëm investim financiar, por edhe një “ngrirje e pjesshme” e kapitalit njerëzor për katër vite.

Kësaj i shtohen kostot ekstra që burojnë nga vetë kriteret akademike: pjesëmarrja në konferenca, shpesh jashtë vendit, tarifat e regjistrimit, udhëtimi dhe akomodimi, si dhe botimi në revista akademike, që në shumë raste kërkojnë pagesa shtesë për procesim apo publikim.

Këto shpenzime, ndonëse të padukshme në fillim, e rrisin ndjeshëm faturën reale të doktoraturës dhe e bëjnë atë një investim shumë më të kushtueshëm sesa tarifa e deklaruar nga universiteti.

 

Publiku apo privati

Në raport me tregun e punës, vihet re një ndarje e qartë mes sektorit publik dhe atij privat. Në administratë dhe universitete, doktoratura përkthehet në stimul page dhe është shpesh kriter formal për karrierë. Në sektorin privat joakademik, përkundrazi, titulli shpesh shihet si mbikualifikim, pa ndikim të drejtpërdrejtë në pagë apo promovim. Pikërisht këtu, sipas ekspertëve, qëndron një nga dobësitë më të mëdha të ekonomisë shqiptare: mungesa e një leximi të doktoraturës si provë e aftësive të avancuara në analizë, modelim, inovacion dhe transformim organizativ.

 

Basti

Në një ekonomi ku tregu i punës ende rrallë e paguan dijen e avancuar, doktoratura po shihet gjithnjë e më shumë si një bast karriere: një kosto e lartë sot, për një kthim që nuk është as i menjëhershëm dhe as i garantuar.

 

 

LEXONI EDHE:

Adrian Civici: Diploma nuk garanton më status, tregu po kërkon kompetenca

Erion Muça: Shqipëria ka shumë doktoratura, por pak role për t’i absorbuar

 

The post Doktoratura, një bast karriere appeared first on Revista Monitor.

“Diploma nuk garanton më status, tregu po kërkon kompetenca”

21 August 2026 at 22:06

Flet Prof. Dr. Adrian Civici

 

Ndërsa universitetet shqiptare kanë rifunksionalizuar vitet e fundit ciklet doktorale me standarde më të forta, lidhja mes kërkimit shkencor dhe nevojave konkrete të tregut mbetet ende e brishtë.

Për Prof. Dr. Adrian Civici, problemi nuk është numri i doktoraturave, por cilësia dhe aftësia e tyre për t’u kthyer në kapital real zhvillimi për vendin.

Sipas tij, “mentaliteti” që e sheh doktoraturën si luks akademik ka të bëjë me mungesën e bashkëpunimit universitet – biznes dhe sektorët e rinj që mund të krijojnë një treg më të mirëpaguar për kapitalin njerëzor të kualifikuar.

 

Shqipëria po prodhon më shumë doktoratura sesa treg që mund t’i absorbojë ato. A kemi krijuar një “inflacion diplomash”?

Në lidhje me doktoraturat nuk mendoj se kemi krijuar një inflacion diplomash, qoftë edhe për faktin se për një kohë të gjatë, procesi i doktoraturave ka qenë i mbyllur. Ka vetëm disa vite që është bërë funksional me rregulla e rregullore më strikte për të gjithë procesin.

Nuk mendoj, se kur është fjala për doktoraturat, ato duhet të shihen thjesht si çështje numrash ose sasi. Thelbi i problemit është cilësia dhe kontributi i tyre real në problematikën e zhvillimit ekonomiko-social të vendit.

 

Sa e lidhur është sot doktoratura në Shqipëri me nevojat reale të tregut dhe sa mbetet ende një titull formal akademik?

Ky është problemi më thelbësor kur flitet për doktoraturat; lidhja e tyre me nevojat reale të tregut të punës dhe të nevojave për zgjidhje shkencore sa më cilësore.

Faktikisht ka një ndërgjegjësim më të madh të universiteteve për ta respektuar sa më cilësisht një sfidë të tillë.

Po synohet që kërkimet doktorale të integrohen sa më mirë në projekte e akse kërkimore eficiente në funksion të nevojave reale të ekonomisë dhe kërkimit shkencor.

Të mos jenë thjesht dhe vetëm kërkime individuale apo kërkime për të marrë një gradë shkencore rutinë. Por, duhet ta pranojmë se kjo është ende një rrugë e gjatë që kërkon progres të vazhdueshëm dhe mbi të gjitha, koncepte të qarta metodologjike e ndërveprim me strategjitë kombëtare të zhvillimit ekonomiko-social të vendit.

Mbi të gjitha, kërkohet dhe bashkëveprim e koordinim më i mirë me universitetet apo qendrat kërkimore europiane e ndërkombëtare për të shkuar natyrshëm drejt kërkimeve doktorale ndërdisiplinore e bashkëkohore.

 

Pse sektori privat shqiptar rrallë e përkthen një PhD në një pagë më të lartë apo rol më të avancuar?

Edhe sektori publik dhe ai privat e nxisin shumë pak ose aspak vlerësimin e doktoraturave. Ekziston një mentalitet i gabuar që doktoratura është më shumë një “luks shkencor” personal pa efekte të dukshme në cilësinë e kapitalit njerëzor.

Ky mentalitet është shumë i përhapur, sidomos në sektorin privat që më shumë priret ndaj kompetencave që zotërojnë punonjësit se sa nga gradat apo titujt akademikë.

 

Në një ekonomi si Shqipëria, a është doktoratura investim racional financiar, apo më shumë bast personal dhe akademik?

Besoj se mbizotërojnë më shumë rastet kur doktoratura shihet si bast personal e akademik. Këtë e provon dhe fakti se pothuajse 100% e doktorantëve janë pjesë e mjediseve universitare e akademike. Pra, një element i rëndësishëm i karrierës dhe detyrimeve akademike.

 

Çfarë i mungon sot lidhjes universitet – biznes në Shqipëri që kërkimi shkencor të kthehet në vlerë ekonomike reale?

Kjo është një lidhje shumë e gjerë dhe strukturore. Problemi kryesor qëndron në dobësitë që ne kemi aktualisht në bashkëpunimin dhe bashkëveprimin ndërmjet universiteteve dhe biznesit.

E thënë ndryshe, kërkimet doktorale nuk janë të integruara apo pjesë e sfidave të biznesit, tregut apo qeverisjes, qoftë kjo qendrore apo lokale.

 

A mendoni se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku diploma nuk garanton më automatikisht status ekonomik apo social?

Po. Tashmë kemi hyrë plotësisht në këtë fazë. Ky është një trend i përgjithshëm në shumë vende të botës, sidomos ato të zhvilluara.

Diploma universitare apo doktorale tregon shumë për cilësinë e burimeve njerëzore, por nuk po konsiderohen më si merita e vetme apo kryesore për statusin ekonomik apo shoqëror. Në plan të parë kanë dalë zotërimi i kompetencave specifike sipas kërkesave të sektorëve, bizneseve apo vetë tregut të punës.

 

A mund të krijojnë sektorë si Inteligjenca Artificiale, energjia e pastër apo agro-tech një treg të ri që paguan më mirë kapitalin njerëzor të kualifikuar?

Pa tjetër. Këta sektorë janë aktualisht në një trend zgjerimi të shpejtë. Në njëfarë mënyre, janë sfidat kryesore të zhvillimit në dekadën e ardhshme. Janë sektorët ku po investohet më shumë kapital e burime njerëzore të kualifikuara me kërkesat e kohës.

Statistikat tregojnë, se aktualisht, këta janë dhe sektorët ku kapitali njerëzor i kualifikuar paguhet më mirë, vlerësohet më shumë dhe ku konkurrenca është më e madhe. Kjo situatë është e dukshme dhe në Shqipëri.

 

Ju keni folur shpesh për nevojën e transformimit të modelit ekonomik shqiptar. A mund të ndërtohet një ekonomi inovacioni pa investim serioz në kërkim dhe doktoratura cilësore?

Sfida më e madhe e modelit ekonomik shqiptar është zhvillimi i sektorëve me vlerë të shtuar të lartë, është zhvillimi i degëve e sektorëve që sigurojnë atë që quhet Rritje Ekonomike Cilësore, atë që quhet Punësim cilësor me standarde të larta që paguhet më mirë, por dhe kontribuon më shumë.

Pa dyshim, që në këtë këndvështrim, vëmendja dhe shtimi i financimeve drejt inovacionit, teknologjive të reja, Inteligjencës Artificiale, Big data, energjive të rinovueshme, teknologjisë blockchain, smart city, etj., përbën thelbin e zhvillimit sot dhe në të ardhmen e afërt.

 

A po e përdorin universitetet doktoraturën edhe si burim të ardhurash, në një kohë kur infrastruktura kërkimore mbetet e dobët?

Nuk besoj se universitetet po e përdorin doktoraturën si burim të ardhurash. E tillë do të ishte nëse doktoraturat do të orientohen shumë më mirë se deri më sot, drejt kërkimeve aplikative në funksion të kërkesave të biznesit, drejt krijimit të patentave, apo elemente të tjera të kësaj natyre, të cilat mund të ofrohen në treg dhe të garantojnë të ardhura nga këto lloj doktoraturash.

Deri tani, nuk mund të pohohet që kjo gjë po ndodh, qoftë edhe për shkak të infrastrukturës së dobët kërkimore.

 

LEXONI EDHE:

Doktoratura, një bast karriere

 

The post “Diploma nuk garanton më status, tregu po kërkon kompetenca” appeared first on Revista Monitor.

“Shqipëria ka shumë doktoratura, por pak role për t’i absorbuar”

21 August 2026 at 22:04

Flet Erion Muça, ekspert punësimi dhe karriere

 

Ndërsa universitetet vijojnë të nxjerrin një numër të lartë doktorantësh, sektori privat rrallë e përkthen këtë kapital njerëzor në premium page, ndërsa jashtë auditorëve, titulli shpesh perceptohet si formal, madje në disa raste edhe si mbikualifikim.

Për Erion Muçën, ekspert i punësimit dhe i karrierës, problemi nuk qëndron vetëm te tregu që nuk krijon mjaftueshëm role kërkimi, inovacioni dhe analize, por edhe te vetë modeli i doktoraturës, që rrezikon të humbasë peshën nëse largohet nga kërkimi i mirëfilltë shkencor.

 

Në këndvështrimin tuaj, a e shpërblen realisht tregu shqiptar një doktoraturë, apo vlera e saj mbetet ende kryesisht simbolike?

Në gjykimin tim, në Shqipëri ka një numër shumë të lartë doktoraturash në raport si me totalin e popullsisë, ashtu edhe me numrin e të diplomuarve në arsimin e lartë.

Si në çdo program dhe nivel tjetër, edhe në doktoratura ka një mospërputhje me numrin e të diplomuarve në degë specifike, në raport me preferencën e degës nga studentët, pra një raport shproporcional, ashtu edhe në raport me nevojat e njësisë bërthamë që është departamenti përkatës.

Pikërisht këto diferenca në raportet e të diplomuarve në doktoraturë pasqyrojnë një realitet në të cilin 35% e atyre që zotërojnë një doktoraturë nuk punojnë si lektorë në universitet, por një pjesë në fushën profesionale dhe pjesa tjetër ose në fushën profesionale, ose jashtë profilit.

Një tjetër element shqetësues është fiktiviteti i studimit të doktoraturës, por sidomos moskalimi i shumë punimeve ndër vite në sisteme antiplagjiature, duke e cenuar ndjeshëm origjinalitetin e tyre.

Trajtimi i punimit të doktoraturës bazuar vetëm në çështje studimore, si analitike ashtu edhe empirike, ka zbehur rëndësinë e kërkimit të mirëfilltë shkencor dhe zbulimit pas tij, që janë themeli i kërkimeve të doktoraturës, duke sjellë një pasqyrë shumë sipërfaqësore të asaj që duhet të arrihet.

Nisur nga sa më lart, mendoj që doktoratura nuk duhet të jetë simbolike; ajo duhet të kufizohet vetëm në kërkim, zbulim dhe patentim të zbulimit shkencor.

Nëse nuk kufizohet në këto elemente dhe të vijojë të jetë për masën, atëherë do ta humbë si peshën, ashtu edhe rëndësinë si nivel arsimi, duke zbehur edhe zotërimin e saj si mjet apo instrument për të konkurruar në edukim dhe mësimdhënie.

 

A ka sektorë në Shqipëri ku një PhD përkthehet realisht në avantazh page, ose në avantazh të dukshëm në karrierë?

Momentalisht, administrata publike i jep një stimul sipas nivelit të studimit, që ka një reflektim më të lartë në pagë.

Një vlerësim të tillë në pagë ka edhe personeli akademik në universitete publike dhe jopublike. Por sot të jesh personel akademik, titullar lënde në universitet, duhet të kesh doktoraturë dhe kjo gjë është e detyrueshme, ndonëse ende ka pedagogë dhe profesionistë të zotë që janë në proces dhe po e mbyllin, duke e lënë kaq gjatë si nga bllokimi 5 vite i tyre, ashtu edhe nga indiferenca.

Mungesë stimuli kanë zotëruesit e doktoraturës që punojnë si profesionistë në sektorin privat, në fusha joakademike, të cilëve nuk u vlerësohet doktoratura pasi e kanë formim plotësues mbi kriteret bazë që u duhen për punën që bëjnë.

 

Sa e lexojnë punëdhënësit privatë doktoraturën si provë të aftësive të avancuara dhe sa si një titull formal, pa ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen për pagën?

Punëdhënësit privatë në fusha apo pozicione profesionale (jo akademike) e shohin punonjësin me doktoraturë si modë e vjetër ose të mbikualifikuar dhe ka shumë raste që e bullizojnë si të paaftë për t’u punësuar në institucione akademike.

Shpeshherë, profesionistë të tillë që punojnë në biznese edhe tallen për faktin që janë me doktoraturë nga kolegët, sidomos në raste kur bëjnë një punë të thjeshtë apo një pozicion që nuk lidhet fare me fushën e doktoraturës, apo në pozicione nën fushën e doktoraturës, si p.sh. me doktoraturë por mësues në shkollë fillore, ndihmës ekonomist etj.

 

A mendoni se ekonomia shqiptare po prodhon mjaftueshëm role në kërkim, zhvillim, analizë dhe inovacion për të absorbuar doktorantët që po diplomohen?

Mendoj se është e kundërta. Duhet të jenë ata me doktoraturë që duhet të imponohen me modele të qëndrueshme sesi duhet të funksionojë ekonomia apo si duhet të përmirësohet fusha ku ata kanë doktoraturë.

Pikërisht këta doktorantë duhet të ndërtojnë programet e përmirësimit të një fushe të caktuar dhe të jenë pjesë e komisioneve dhe bordeve të ekspertizës për të dhënë kontributin e tyre akademik, duke ndikuar maksimalisht në modernizim dhe zhvillimin e ekonomisë.

Rolet nuk krijohen vetë, por nga domosdoshmëria dhe nevoja për ndryshim e një sektori dhe industrie. Ata me doktoratë duhet të jenë promotorë të nevojës për ndryshim dhe drejtues të ndryshimit dhe jo punëkërkues hallexhinj që presin t’i ofrohet një mundësi apo t’ua vlerësojnë arritjet dhe rezultatet një drejtues apo shef, i cili në formim dhe arsim mund të jetë shumë nën analizën arsyetuese pse duhet një ekspert për ta çuar përpara një institucion dhe sipërmarrje.

 

A po e përdorin të rinjtë shqiptarë doktoraturën si strategji për tregun vendas, apo më shumë si trampolinë për emigrim akademik dhe profesional?

Doktoratura më shumë i shërben tregut vendas dhe gjithnjë ka qenë trampolinë drejt përvojës akademike dhe synimeve kërkimore-shkencore të atij që e ka aspiruar dhe e ka marrë.

Kuptohet, deri më sot doktoratura ka qenë mjet konkurrimi në jetën akademike mes atij që e ka dhe atij që nuk e ka, duke krijuar ndonjëherë edhe një trysni apo mjedis pasigurie për atë që nuk e ka, ndonëse mund të jetë shumë i aftë karshi dikujt që e ka, por i mungon si përvoja ashtu edhe aftësitë personale dhe profesionale për t’iu përgjigjur si duhet e me profesionalizëm mësimdhënies akademike.

 

Çfarë u mungon sot universiteteve shqiptare që doktoratura të lidhet më fort me nevojat konkrete të biznesit dhe industrisë? A mund të bëjmë një krahasim rajonal këtu apo europian?

Në çdo vend të Europës apo të botës, pjesa akademike është në funksion të industrisë. Nëse në një sipërmarrje kërkohet përmirësimi i një procesi organizativ apo teknologjik, rritet eficienca e prodhimit, rritet produktiviteti i kapitalit njerëzor apo elemente të tjera që një sipërmarrje kërkon të përmirësojë, këto përmirësime i kërkon me ekspertizë nga ekspertë, qendra kërkimore dhe laboratorike apo universitete.

Në Shqipëri është eksperti që kërkon e duhet të kërkojë angazhim në sipërmarrje kur ajo vetë nuk e kupton nevojën, ndonëse mund të jetë duke humbur shumë nga deficiencat e brendshme dhe të jashtme që ka.

Në këtë kuadër, eksperti duhet t’i imponohet duke ofruar garanci dhe profesionalizëm sipërmarrjes apo institucionit mbi ekspertizën në fushën e doktoraturës që ofron, që të sjellë rezultate për të e ta mbështesë të përmirësohet dhe të zhvillohet.

Për të arritur këtë emancipim, sipërmarrjet dhe institucionet duhet të ndryshojnë konceptin dhe mentalitetin e të bërit të çdo gjëje vetë, duke shmangur ekspertizën e duke e çuar kështu edhe sipërmarrjen në prag falimenti.

 

A mund të krijojnë Inteligjenca Artificiale, energjia e pastër, agro-tech apo turizmi elitar një treg të ri që e paguan më mirë kapitalin njerëzor të avancuar?

Po, sigurisht që me modernizimin dhe standardizimin e sipërmarrjeve dhe institucioneve, por sidomos me digjitalizimin dhe integrimin e Inteligjencës Artificiale në shumë punë e procese, do të lindë nevoja automatike për njerëz më të aftë dhe të specializuar, por edhe për ekspertizë.

Kjo vjen edhe në një kohë kur proceset e menaxhimit ndërlikohen edhe më shumë dhe nuk kërkojnë vetëm zbatim intuitiv dhe praktik, por edhe programe, modele dhe manuale profesionale që zbatimi të jetë jo vetëm më i lehtë, por me më pak kosto dhe përfitime më të larta.

Roli i atyre me doktoraturë është i dyfishtë: si të mbështesin sipërmarrje dhe institucione të zhvillohen profesionalisht, ashtu edhe të krijojnë dhe shpikin metoda, formula, ide, sisteme, platforma, programe, manuale dhe modele që të përmirësojnë fushën, sektorin dhe industrinë për ta bërë atë si të fitojë më shumë, ashtu edhe të konkurrojë denjësisht në tregje ndërkombëtare.

 

A mendoni se doktoratura në Shqipëri është kthyer në një biznes për universitetet, ku institucioni merr tarifën, por nuk ia kthen mbrapsht studentit doktorant në formën e kërkimit, laboratorëve, mentorimit apo mundësive konkrete?

Mendoj se tarifa e doktoraturës është një element sipërfaqësor në të gjithë përmbajtjen dhe rëndësinë e procesit.

Për universitetet, doktoratura është një shërbim përtej asaj që përfitojnë studentët dhe përmban kostot e licencimit, kostot e akreditimit, shpenzimet e korrespondencës me QSHA-në dhe me vetë studentin, pagesa orësh mentorimi dhe recense për udhëheqësin, etj.

Mendoj se tarifa duhet të shkojë 100% për përmirësimin e këtij shërbimi në nivel të drejtpërdrejtë.

E vërteta është se ka shumë raste që tarifa ka tjetër destinacion dhe shkon e shpërndahet pa rend në mbylljen e gropave të tjera financiare të institucionit, duke mos i shërbyer qëllimit dhe rezultateve.

Sigurisht, kjo varet shumë nga natyra e profilit të doktoraturës, programi apo dega, dhe sesa nevojë ajo kërkon për një mbështetje infrastrukturore dhe laboratorike.

Nëse dega ka nevojë për pjesën infrastrukturore, duhet patjetër që tarifa të mbulojë disa kosto të studentit për lehtësi.

Nëse doktoratura lidhet me degë të spektrit studimor apo teorik, tarifa duhet të mbulojë programin e ndërmjetësimit dhe lidhjes së studentit për sigurimin e literaturës së përshtatshme, mundësinë e aksesit në arkiva, persona kontakti me rëndësi si burim informimi në institucione që lidhen me fushën e studimit, etj.

Nëse këto nuk ndodhin me këtë rend, atëherë edhe tarifa e paguar për shërbimin nuk e justifikon cilësinë e marrjes së tij.

 

LEXONI EDHE:

Doktoratura, një bast karriere

 

The post “Shqipëria ka shumë doktoratura, por pak role për t’i absorbuar” appeared first on Revista Monitor.

Ekonomistët e epokës së AI-së

21 August 2026 at 22:02

Shumica e tyre nuk gjenden në kullat e fildishta të akademisë, shkruan The Economist

 

Inteligjenca Artificiale ka krijuar tashmë triliona dollarë vlerë në tregje dhe ka kthyer një grusht specialistësh të teknologjisë në figura të famshme globale.

Publiku është njëkohësisht i entuziazmuar dhe i frikësuar.

Shumë mendje të njohura, nga Bill Gates tek Elon Musk, thonë se kjo teknologji sapo ka nisur të tregojë potencialin e saj.

Megjithatë, nëse bisedon me ekonomistët akademikë, shumica duket çuditërisht pak e interesuar për të studiuar ndikimin e një teknologjie që mund të ndryshojë botën.

Si pasojë, qendra e gravitetit e ekonomisë së Inteligjencës Artificiale po zhvendoset larg universiteteve, ndërsa një grup ekonomistësh të “magjepsur nga AI-ja” po udhëheq këtë valë të re kërkimesh.

Studiuesit universitarë dinë të lëvizin shpejt kur duan. Pas falimentimit të bankës së investimeve Lehman Brothers në vitin 2008, që shkaktoi krizën financiare globale, ekonomistët e kthyen studimin e panikut bankar dhe krizave të kreditimit nga një fushë periferike në një nga temat kryesore të disiplinës.

Po kështu, vetëm dy muaj pas shpërthimit të pandemisë Covid-19 në vitin 2020, gati një e treta e punimeve shkencore të ekonomisë të publikuara nga National Bureau of Economic Research (NBER), një nga institucionet më prestigjioze të kërkimit ekonomik në SHBA, trajtonin në një formë ose tjetër pasojat e pandemisë.

Disa prej këtyre studiuesve u bënë emra të njohur edhe për publikun e gjerë, si Nicholas Bloom i Universitetit Stanford, i specializuar në punën nga shtëpia, apo Emily Oster e Universitetit Brown, e njohur për studimet mbi mbylljen e shkollave gjatë pandemisë.

Në kontrast me këtë, tre vjet e gjysmë pas prezantimit të ChatGPT, që shënoi hyrjen në epokën e Inteligjencës Artificiale, analiza ekonomike e kësaj teknologjie mbetet relativisht e kufizuar.

Pesha e punimeve të NBER-it që fokusohen tek Inteligjenca Artificiale po rritet, por jo me ritëm veçanërisht të shpejtë (shih grafikun 1).

Edhe në vitin 2024, pasi emergjenca e Covid-it kishte përfunduar dhe epoka e AI-së kishte nisur realisht, numri i punimeve për Covid-in ishte më i lartë se ai i punimeve për Inteligjencën Artificiale.

Këtë vit, NBER ka gjasa të organizojë më shumë konferenca për kujdesin shëndetësor sesa për AI-në.

 

 

Disa ekonomistë akademikë e kanë shfrytëzuar mundësinë që ofron AI-ja (shih grafikun 2). Susan Athey nga Stanford po studion çfarë ndodh nëse Inteligjenca Artificiale nxjerr njerëz nga tregu i punës.

Basil Halperin nga Universiteti i Virxhinias ka shkruar qartë për mënyrën se si tregjet financiare i vlerësojnë zhvillimet në AI.

 

 

Megjithatë, asnjëri prej tyre nuk është aq i njohur sa Bloom apo Oster. Dhe pak ekonomistë duket se e kuptojnë plotësisht potencialin kërkimor të kësaj fushe.

“Jam habitur nga sa pak kolegë të mi kanë provuar qoftë edhe të flasin me Anthropic ose OpenAI”, thotë një ekonomist akademik shumë i njohur, i cili këmbëngul se ai vetë flet vazhdimisht me laboratorët e Inteligjencës Artificiale.

Një pjesë e madhe e kërkimeve ekzistuese është shumë abstrakte. Sipas Ideas/RePEc, një bazë bibliografike e specializuar për ekonominë, Daron Acemoglu i Massachusetts Institute of Technology renditet si studiuesi kryesor në ekonominë e Inteligjencës Artificiale.

Punimi i tij i vitit 2024, i ndërtuar mbi një model kompleks të rritjes ekonomike në kushtet e AI-së, sugjeron përfitime modeste në produktivitetin e përgjithshëm. Ai ka marrë më shumë se 1,000 citime.

Por modeli nënvlerëson efektin potencialisht transformues të produkteve të reja të Inteligjencës Artificiale që po hyjnë në treg, argumenton Tyler Cowen nga George Mason University. “Përfitimet nga AI-ja dalin të vogla sepse supozohet se AI-ja nuk do të bëjë gjëra të reja.”

Edhe shumë studime empirike të lidhura me AI-në duket se mbështeten në supozime të gabuara. Një punim nga Erik Brynjolfsson i Stanford-it, i renditur i pesti nga Ideas/RePEc, dhe kolegët e tij sugjeron se punësimi i të rinjve në profesionet e ekspozuara ndaj AI-së ka rënë ndjeshëm, duke nënkuptuar se teknologjia po e transformon tashmë tregun e punës.

Por t’ia atribuosh këtë prirje AI-së do të thotë të besosh se kompanitë nisën të largonin punonjësit e rinj që në daljen e parë të ChatGPT-së, një produkt që në atë kohë ishte larg aftësisë për të zëvendësuar njerëzit.

Ekonomistët akademikë mund të jenë të ngadaltë dhe të pasaktë për dy arsye. E para lidhet me llojin e goditjes që përfaqëson AI-ja. Në vitin 2020, Covid-i e ndryshoi botën pothuajse brenda natës dhe efektet u bënë të dukshme thuajse menjëherë në të dhëna (shih grafikun 3).

 

 

Në të kundërt, AI-ja po e ndryshon ekonominë në mënyrë më të padukshme, “nën kapakun e motorit”. Norma mesatare e papunësisë në vendet e OECD-së, një klub i vendeve të pasura, është pothuajse e njëjtë me atë të kohës kur u prezantua për herë të parë ChatGPT.

Edhe të dhënat e PBB-së nuk përmbajnë praktikisht asnjë informacion specifik për AI-në; për shembull, investimet në qendrat e të dhënave për Inteligjencën Artificiale mund vetëm të hamendësohen.

Pa një ndikim të qartë makroekonomik dhe pa të dhëna mikroekonomike, ka pak material konkret për ekonomistët që të analizojnë.

Pa dyshim, cilësia do të përmirësohet me kalimin e kohës. Megjithatë, nëse kërkimi mbi modelet më të avancuara të AI-së zhvendoset brenda kompanive, ekonomistët mund të ndjekin rrugën që kanë marrë tashmë “ekonomistët e teknologjisë” në Microsoft, Google dhe kompani të tjera.

Këta studiues zakonisht kalojnë më pak kohë me pyetje të mëdha me rëndësi shoqërore, si për shembull nëse rrjetet sociale janë të mira për fëmijët, dhe më shumë me çështje të ngushta praktike, si mënyra më e mirë për të projektuar ankandet për shitjen e reklamave.

Studimi i Akcigit vëren se, pasi kalojnë përfundimisht nga akademia në industri, studiuesit e AI-së prodhojnë më pak punime shkencore, por më shumë patenta, në fakt një “riorientim nga shkenca e hapur drejt inovacionit pronësor”.

Pastaj vijnë konfliktet e interesit. Studiuesit brenda laboratorëve ka të ngjarë të përballen me presion për të publikuar punime që e paraqesin AI-në si të dobishme dhe të sigurt.

Vitin e kaluar, ekonomisti Tom Cunningham u largua nga OpenAI, pasi, sipas raportimeve, ishte zhgënjyer nga kufizimet mbi atë që mund dhe nuk mund të publikonte.

Ai përfundoi te METR, një institut i dedikuar vlerësimit të modeleve të AI-së dhe rreziqeve që ato paraqesin.

Në një botë me mundësi të mëdha, por edhe me rreziqe të mëdha, shoqëria ka nevojë për studiues të paanshëm që të thonë hapur atë që mendojnë. Ekonomistët akademikë kanë shumë për të rikuperuar.

The post Ekonomistët e epokës së AI-së appeared first on Revista Monitor.

Franshizat, rruga e heshtur drejt pasurisë në Amerikë

21 August 2026 at 22:00

Në epokën e IA-së, zotërimi i një McDonald’s mund të duket së shpejti shumë më tërheqës, shkruan The Economist

 

Kur Greg Flynn u diplomua në Stanford Business School në vitin 1994, ndërsa bumi i dotcom-eve (u referohet kompanive të internetit) ishte në kulm, miqtë e tij zgjodhën rrugën e dukshme të karrierës.

Por ndërsa ata “të gjithë po bënin prezantime në PowerPoint… duke u kthyer në milionerë në letër”, ai u largua për të ndihmuar një mik të hapte një restorant të dytë.

Disa vite më vonë, pasi vuri re financime bujare për ata që synonin të bëheshin franshizëmarrës (franshiza është një model biznesi ku një kompani e njohur i jep dikujt tjetër të drejtën të përdorë markën, produktet, mënyrën e funksionimit dhe sistemin e saj të biznesit kundrejt pagesës së tarifave), z. Flynn bleu tetë restorante Applebee’s për vete.

Sot ai drejton më shumë se 3,000 pika franshize në shtatë marka, në tre vende, dhe raportohet se ka një pasuri prej mbi 1 miliard dollarësh, duke e bërë ndoshta franshizëmarrësin e parë në botë që arrin këtë nivel.

Më 22 shkurt, International Franchise Association, një grup lobimi, e përfshiu atë në Hall of Fame të saj, një nderim që dikur u rezervohej franshizëdhënësve, inovatorëve në anën tjetër të biznesit që krijuan zinxhirë të mëdhenj, si Ray Kroc i McDonald’s apo Colonel Harland Sanders i KFC-së.

Historia e z. Flynn është një histori suksesi e ngadaltë dhe e qëndrueshme. E tillë është edhe historia e modelit të franshizës, i cili nisi të përhapej në Amerikë në vitet 1950. Sot në vend ka afro 850,000 njësi franshize, të drejtuara nga rreth 250,000 pronarë, që punësojnë rreth 9 milionë njerëz dhe gjenerojnë rreth 3% të PBB-së.

Një në tetë biznese me të paktën një punonjës është pjesë e një franshize. Lloje të ndryshme biznesesh, nga Dunkin’ Donuts te UPS Store dhe shumica e hoteleve Marriott, funksionojnë si franshiza.

Së fundmi, modeli është përhapur në fusha të reja, si butik fitnesi (studio të vogla dhe të specializuara fitnesi), shërbimet për shtëpinë dhe kujdesi për fëmijët, pjesërisht falë investitorëve të kapitalit privat që janë bërë franshizëdhënës entuziastë.

Të zotërosh një franshizë mund të jetë forma më e pastër e ëndrrës amerikane. Rreth 95% e 14,000 pikave të McDonald’s në Amerikë operohen nga franshizëmarrës dhe zinxhiri me shumë gjasë ka krijuar më shumë milionerë se çdo kompani tjetër në histori.

“Jo të gjithë do të bëhemi Steve Jobs apo Elon Musk”, thotë Matt Haller, drejtues i IFA-s, por shumë njerëz mund ta imagjinojnë veten duke kursyer para për të provuar biznesin tipik amerikan të “shitjes së hamburgerëve”.

Z. Haller thotë se franshizëmarrësit raportojnë tani interes në rritje nga fëmijët e tyre për të marrë në dorë biznesin familjar. Kjo nuk është për t’u habitur. Një dekadë më parë, rruga drejt prosperitetit për të rinjtë amerikanë dukej e sigurt: një diplomë universitare dhe një punë në zyrë para laptopit.

Por rritja e tarifave universitare dhe shfaqja e Inteligjencës Artificiale kanë nxitur një interes të ri për profesionet praktike dhe mënyra të tjera më tradicionale për të siguruar jetesën. Bizneset që kërkojnë praninë fizike, si mësimi i Pilates apo gatimi i ushqimit, duken sot një bast më i sigurt.

“Nuk ka pothuajse asnjë franshizë që mund të drejtohet pa njerëz”, thotë z. Haller. Kështu, shumë më tepër të rinj mund të ndjekin së shpejti shembullin e z. Flynn. Por a do t’u shpërblehet kjo zgjedhje?

Për ekonomistët, franshizat përbëjnë një lloj veçantie. Siç vuri në dukje Paul Rubin nga Universiteti i Gjeorgjisë në një studim të vitit 1978, ato e zbehin kufirin mes një kompanie dhe tregut të hapur.

Franshizëdhënësit, të cilët zakonisht ruajnë kontrollin mbi elemente si menuja apo oraret e punës, përfitojnë nga një rrjet sipërmarrësish të motivuar, të gatshëm të investojnë kapitalin e tyre, duke i lejuar kompanisë të zgjerohet me shpejtësi.

Në këmbim, franshizëmarrësit fitojnë mundësinë të drejtojnë biznesin e tyre me sigurinë që ofron një markë e njohur.

Ky model është më i zakonshëm në industri që kërkojnë një numër të madh punonjësish të shpërndarë fizikisht në shumë pika, si përgatitja e ushqimit sipas porosisë në mijëra lokale ose administrimi i hoteleve. Duke i lejuar franshizëmarrësit të mbajnë fitimin, pasi paguajnë tarifat për markën, u jepet një nxitje shumë më e fortë për të punuar sesa do të kishte një menaxher i zakonshëm me pagë.

Njohja e tregut lokal është një tjetër avantazh. Rrugët kanë “anën e darkës” dhe “anën e mëngjesit”; të hapësh një pikë kafeje ku makinat kalojnë gjatë kthimit në shtëpi dhe jo gjatë rrugës për në punë është një ide e keqe.

Disa lokacione janë ato që Dinesh Goswami, i cili operon më shumë se 100 njësi të Taco Bell, Dunkin’ Donuts dhe zinxhirëve të tjerë, i quan vende “Statuja e Lirisë”: shumë të dukshme, por të vështira për t’u arritur.

Ai hapi një restorant Popeyes në Nashville që klientët mund ta shihnin nga kilometra larg, por ishte aq i vështirë për t’u arritur nga rruga sa të ardhurat ranë me 60% brenda pak kohe.

Z. Flynn bleu tetë restorantet e para Applebee’s në shtetin e Uashingtonit nga një franshizëmarrës me bazë në Cleveland, i cili këmbëngulte se “mënyra si i bëj gjërat në Ohio është mënyra si dua t’i bëj edhe në Indiana, New Jersey dhe Uashington”.

Kur z. Flynn mori drejtimin, një punonjës lokal, Dan Krebsbach, i tha se restorantet mund të performonin më mirë. Në Midwest, Applebee’s ishte një restorant familjar; por në Seattle, sipas z. Krebsbach, “ekzistonte mundësia për të krijuar një zinxhir të shkëlqyer baresh”. Ai kërkoi gjithashtu rritjen e numrit të stafit.

Ai pranoi të vepronte sipas idesë së z. Krebsbach, duke i ofruar edhe pjesëmarrje në fitime, një lloj franshize brenda franshizës.

“Biznesi ndryshoi rrënjësisht brenda pak kohe”, kujton z. Flynn. Të ardhurat u rritën me një të tretën. Me rekomandimin e z. Krebsbach, ai hapi edhe dy restorante të tjera Applebee’s. Edhe ato patën sukses. Më pas, z. Flynn telefonoi pronarin në Cleveland dhe i ofroi të blinte pjesën tjetër të biznesit.

“Blemë edhe 62 të tjera. Kaluan nga 10 në 72 brenda natës.”

Sot, z. Krebsbach drejton të gjitha 460 restorantet Applebee’s të Flynn Restaurant Group. Kompania operon sipas asaj që pronari e quan modeli “shtetëror dhe federal”: menaxherët rajonalë ndajnë fitimet dhe drejtojnë tregjet lokale, ndërsa zyra qendrore merret me funksione si financat dhe trajnimet, ku përfitimet nga shkalla e madhe e operimit janë më të mëdha.

Bert Albertse, drejtues i Jetset Pilates, një zinxhir me më shumë se 100 studio, e sheh gjithashtu nga afër përfitimin e modelit të franshizës.

“Asnjë nga njësitë që zotërojmë drejtpërdrejt nuk është mes performuesve më të mirë”, thotë ai për studiot në pronësi të kompanisë. “Secila prej tyre ka ecuri nën mesataren krahasuar me franshizëmarrësit tanë.”

Një prej franshizëmarrësve të tij, Justin Clonts, i cili punon në sektorin e kapitalit privat dhe zotëron së bashku me bashkëshorten tre studio Jetset në Manhattan, thotë se “nuk do të kishim hapur kurrë tre studio brenda 12 muajve” pa qenë pjesë e një franshize. Ai përmend, për shembull, udhëzimet që morën nga zinxhiri për rekrutimin e stafit dhe marketingun digjital.

 

Efekti  zinxhir

Kushtet që u ofrohen franshizëmarrësve janë çuditërisht të lehta për t’u gjetur. Çdo biznes që shet një franshizë në Amerikë duhet të përgatisë një Dokument Zbulimi të Franshizës (FDD), ndërsa disa shtete publikojnë regjistrat e tyre.

FDD-të tregojnë tarifat e shumta që duhet të paguajë franshizëmarrësi, si pagesat fillestare ashtu edhe ato të vazhdueshme, dhe mund të përfshijnë të dhëna të detajuara mbi performancën e franshizëmarrësve ekzistues.

Shfletimi i një duzine FDD-sh tregon se ato kanë shumë elemente të përbashkëta. Tarifat e vazhdueshme për franshizëdhënësin zakonisht paguhen si përqindje e shitjeve. E njëjta gjë vlen edhe për tarifa të tjera, si ato për marketingun. Së bashku, ato përfaqësojnë rreth 5-7% të shitjeve për bizneset e ushqimit dhe 10-12% për sektorët e bukurisë dhe fitnesit.

Tarifa fillestare për hapjen e një njësie të vetme zakonisht arrin në dhjetëra mijë dollarë dhe shpesh është 50 mijë dollarë ose më shumë, me zbritje për ata që blejnë disa njësi njëherësh. Dhe kjo para se të investohet qoftë edhe një dollar në rikonstruksione apo pajisje.

Kostot totale të hapjes ndryshojnë shumë sipas aktivitetit: një restorant zakonisht kërkon mbi 1 milion dollarë investim, ndërsa një studio fitnesi nga 300 mijë deri në 800 mijë dollarë.

Kjo është një shumë e konsiderueshme. Disa franshizëmarrës i sigurojnë këto para nga miqtë dhe familja, ashtu siç bënë pronarët e moteleve me origjinë nga Gujarati. Të tjerë përdorin kursimet e mbledhura gjatë karrierës së tyre të parë.

Patrick Buckley, analist i franshizave, thotë se shumica e franshizëmarrësve të suksesshëm që ka njohur janë financuar përmes një kombinimi kredish dhe përdorimit të kursimeve të pensionit.  Si në çdo sipërmarrje biznesi, edhe këtu ekziston një mundësi reale dështimi.

Kur krahasohen franshizëmarrësit me bizneset e pavarura, “diferenca në normën e mbijetesës është e vogël”, thotë Francine LaFontaine nga Universiteti i Michigan-it, dhe shfaqet vetëm në vitin e parë ose të dytë. Pas kësaj, gjasat për të qëndruar në biznes janë pothuajse të njëjta.

Megjithatë, rreziku ndryshon ndjeshëm sipas llojit të franshizës. “Shanset për të pasur sukses me një restorant të ri janë shumë më të mëdha nëse je pjesë e një franshize që i ka ndërtuar sistemet, ka njohje të lartë të markës dhe një buxhet të madh marketingu që të mbështet”, thotë z. Flynn.

Edhe nëse biznesi nuk ecën aq mirë sa shpreson franshizëmarrësi, shpesh ekziston mundësia për ta shitur më tej. “Ka tregje likuide për franshizat”, shpjegon z. Flynn. Megjithatë, kjo vlen më pak për franshizat më të reja, që ende po ndërtojnë markën e tyre. Shpërblimi mund të jetë shumë më i madh, pasi ata që hyjnë herët sigurojnë territore më të mira, por edhe rreziku është më i lartë.

Struktura e marrëveshjes së franshizës ka gjithashtu rëndësi. Kur Ray Kroc mori drejtimin e McDonald’s, shumica e franshizëdhënësve të kohës fitonin nga shitja e furnizimeve ose nga tarifat e licencimit, dhe jo nga modeli i ndarjes së të ardhurave që mbizotëron sot. “Sapo hyn në biznesin e furnizimeve, shqetësohesh më shumë për atë që fiton nga shitjet ndaj franshizëmarrësit sesa për ecurinë e shitjeve të tij”, argumentonte Kroc.

Kjo qasje vazhdon të krijojë probleme kur shfaqet. Shumë franshizëmarrës dështuan nën modelin e ndjekur nga XPonential Fitness, ish-pronari i CycleBar, një zinxhir fitnesi, i cili u kërkonte të blinin pajisje të shtrenjta prej tij, me fitim për kompaninë. Në mars, Komisioni Federal i Tregtisë njoftoi se kompania do t’u kthente 17 milionë dollarë franshizëmarrësve, si pjesë e një marrëveshjeje me rregullatorin për shkelje të rregullave të franshizimit.

Një tjetër kritikë ndaj franshizave lidhet me ndikimin e tyre mbi punëtorët e shumtë me paga të ulëta që punësojnë. Në librin e tij të ri, “Chains of Command”, Brian Callaci nga Open Markets Institute, një institut kërkimor i fokusuar te politika e konkurrencës, argumenton se dallimi mes franshizëmarrësit dhe punonjësit është një trillim juridik, për shkak të shkallës së kontrollit që ushtrojnë franshizëdhënësit.

Dhe, duke pasur parasysh sa pak fuqi kanë, sipas z. Callaci, e vetmja mënyrë që franshizëmarrësit të fitojnë para për vete është t’i paguajnë punëtorët sa më pak të jetë e mundur.

 

Ndarja e punës

Dëshmia më e qartë se franshizimi ka dëmtuar punëtorët me paga të ulëta vjen nga klauzolat e mosrekrutimit, të cilat dikur kufizonin punësimin mes pikave të të njëjtit zinxhir.

Në vitin 2018, i ndjeri Alan Krueger publikoi një studim që tregonte sa të zakonshme ishin këto klauzola në franshiza dhe argumentonte se ato shtypnin konkurrencën për paga. Disa shtete nisën hetime dhe praktika u braktis gradualisht. Një studim i z. Callaci në vitin 2024 zbuloi se heqja e klauzolave të mosrekrutimit kishte rritur pagat e punëtorëve të prekur me 4-6%.

Përtej shembullit të klauzolave të mosrekrutimit, megjithatë, provat për dëme më të gjera ndaj punëtorëve janë të vështira për t’u gjetur. Në një tjetër studim, Krueger zbuloi se pagat e stafit në vijën e parë ishin rreth 2% më të ulëta në pikat me franshizë sesa në ato në pronësi të kompanisë, një diferencë që ai e quajti “të papërfillshme”.

Ndërsa sugjerimi se franshizëmarrësit janë punonjës të maskuar nuk përputhet lehtë me ekzistencën e operatorëve si z. Flynn. Nga ana e tij, z. Callaci vëren se aty ku franshizëmarrësit kanë më shumë fuqi, punëtorët priren të fitojnë pak më shumë.

Në vitin 2015, gjatë administratës Obama, u prezantua një “rregull i punëdhënësit të përbashkët”, që i bënte franshizëdhënësit bashkëpërgjegjës për punëtorët e franshizëmarrësve të tyre. Por ky rregull nuk u mbështet kurrë në gjykatë dhe në vitin 2020, gjatë administratës së parë Trump, u kufizua vetëm në rastet e “kontrollit të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm”.

Një përpjekje në vitin 2023, gjatë administratës Biden, për ta zbutur këtë përkufizim më të kufizuar nuk pati sukses, ndërsa në shkurt të këtij viti ai u rikthye zyrtarisht nga administrata e dytë Trump. Franshizimi është “një motor mundësish”, argumenton z. Flynn. Politikanët amerikanë do të bënin mirë të mos ndërhynin në të.

The post Franshizat, rruga e heshtur drejt pasurisë në Amerikë appeared first on Revista Monitor.

Plakja e popullsisë nuk do të thotë domosdoshmërisht ekonomi më e dobët

By: Ornela
21 August 2026 at 14:45

Nga Andrew J. Scott, Project Syndicate

 

Tranzicioni demografik global, i karakterizuar nga ulja e shkallës së lindjeve dhe rritja e pritshmërisë së jetës, ka qenë një nga transformimet më me pasoja të shekullit të kaluar, me plakjen e popullsisë që ushqen një rrjedhë të vazhdueshme parashikimesh të zymta ekonomike. Nëse ekonomistët akademikë, organizatat ndërkombëtare dhe qeveritë kombëtare bien dakord për vetëm një gjë, është se një shoqëri në plakje çon pashmangshmërisht në sklerozë ekonomike.

Megjithatë, përvoja e 70 viteve të fundit ofron shumë pak mbështetje për këtë këndvështrim pesimist. Gjatë kësaj periudhe, rënia e lindshmërisë nuk e ka ngadalësuar rritjen e përgjithshme të PBB-së. Popullsia mund të jetë plakur dhe ritmet e shtimit të saj të jenë ngadalësuar, por ekonomitë nuk kanë ndjekur domosdoshmërisht të njëjtën trajektore.

Batuta e famshme e legjendës së bejsbollit Lawrence “Yogi” Berra — “Është e vështirë të bësh parashikime, sidomos për të ardhmen” — ia vlen të mbahet parasysh sa herë që shqyrtohen parashikime ekonomike afatgjata.

Për shembull, parashikimi i ndikimit të inteligjencës artificiale në rritjen ekonomike apo në borxhin publik shoqërohet me shumë pasiguri, duke qenë se kjo teknologji është shfaqur relativisht vonë dhe po evoluon me ritme shumë të shpejta.

Me ndryshimet demografike, situata është tjetër, sepse kemi një bazë të pasur të dhënash historike që na ndihmon të vlerësojmë pasojat e tyre ekonomike.

Në një studim të fundit me ekonomistin fitues të çmimit Nobel Daron Acemoglu dhe kolegët e tij në MIT, David Autor dhe Keelan Beirne, kemi analizuar dekada të tëra të dhënash mbi ndryshimet demografike në vende dhe rajone të ndryshme, për të kuptuar se si ndryshimet në normat e lindshmërisë dhe në strukturën e moshës së popullsisë ndikojnë në ecurinë ekonomike.

Rezultatet janë domethënëse. Në vende të ndryshme dhe në zonat e punësimit në SHBA, territoret me norma më të ulëta lindshmërie kanë shënuar rritje më të shpejtë të PBB-së për frymë ose të të ardhurave për person, ndërsa rritja e përgjithshme e PBB-së dhe e të ardhurave totale ka mbetur kryesisht e pandryshuar.

Ekonomitë duket se reagojnë në mënyrë sistematike ndaj rënies së lindshmërisë dhe rritjes së raportit mes punëtorëve më të moshuar dhe atyre më të rinj: rritet produktiviteti dhe investimi në kapital, ndërsa aktiviteti zhvendoset nga sektorët që mbështeten shumë te fuqia punëtore drejt eksporteve me teknologji të lartë.

Në themel të këtyre tendencave qëndron një ndryshim në drejtimin e inovacionit dhe patentave, drejt teknologjive që kursejnë punë, përfshirë automatizimin dhe teknologjitë e informacionit dhe komunikimit. Me fjalë të tjera, ndërsa tranzicioni demografik sjell më pak punonjës dhe një rritje më të ngadaltë të popullsisë, përparimi teknologjik rrit produktivitetin e atyre që mbeten në tregun e punës, duke kompensuar tkurrjen e fuqisë punëtore dhe duke mbështetur rritjen e PBB-së.

Reagimi teknologjik ndaj rënies së lindshmërisë është i ndryshëm nga historia e njohur e të ashtuquajturit dividend demografik.

Sipas qasjes tradicionale, në fazat e para të tranzicionit demografik, vendet përfitojnë nga fakti se kanë më pak fëmijë, ndërsa pesha e të moshuarve mbetet ende relativisht e ulët. Kjo rrit peshën e popullsisë në moshë pune dhe nxit rritjen ekonomike. Lindshmëria më e ulët mund ta përforcojë më tej këtë efekt, duke nxitur më shumë gra të hyjnë në tregun e punës dhe duke rritur investimet në arsim për çdo fëmijë.

Por ky përfitim është i përkohshëm. Nëse lindshmëria mbetet e ulët dhe jetëgjatësia rritet, pesha e të moshuarve në popullsi shtohet gradualisht, duke rritur edhe barrën ekonomike që zakonisht shoqërohet me plakjen e popullsisë.

Mekanizmi që identifikojmë ne tregon në një drejtim tjetër. Mungesa e fuqisë punëtore, sipas gjetjeve tona, mund të nxisë ndryshimin teknologjik dhe të gjenerojë rritje të produktivitetit që vazhdojnë edhe shumë kohë pasi efekti fillestar i dividendit demografik është shuar.

Kina duket se është një shembull i qartë. Vendi po kalon një nga tranzicionet demografike më të shpejta dhe më të thella në histori, ndërsa popullsia në moshë pune, 15–64 vjeç, parashikohet të bjerë nga një kulm prej rreth 1 miliard personash në afërsisht 300 milionë deri në vitin 2100.

Është e vështirë të mos shihet një lidhje mes kësaj tendence dhe përqafimit të jashtëzakonshëm të robotikës nga Kina. Numri i robotëve industrialë në vend u dyfishua mes viteve 2021 dhe 2024 dhe sot përbën rreth gjysmën e totalit botëror.

Sigurisht, ka arsye të forta për të pyetur nëse e kaluara mund të shërbejë plotësisht si udhërrëfyes për të ardhmen. Disa vende, përfshirë Kinën, përballen me ndryshime demografike shumë më të shpejta dhe më të thella se çdo gjë që kemi parë gjatë 70 viteve të fundit. Përshtatja teknologjike mund të zbusë një pjesë të madhe të presionit ekonomik që krijon kjo situatë, por ndoshta jo të gjithë.

Megjithatë, të shpërfillësh përvojën e 70 viteve të fundit kur parashikon 70 vitet e ardhshme do të thotë të rrezikosh që intuita të zëvendësojë analizën.

Shpesh, pesimizmi për plakjen e popullsisë duket se ushqehet po aq nga ajo që na sugjeron vetë fjala “plakje”, sa edhe nga analiza e ftohtë ekonomike. Është sikur ekonomia të ishte e destinuar të plakej bashkë me popullsinë, duke kaluar nga energjia e rinisë drejt dobësisë së moshës së tretë dhe, në fund, drejt rënies së pashmangshme.

Është e vërtetë se po hyjmë në një territor demografik të panjohur. Për shembull, pesha e amerikanëve mbi 65 vjeç parashikohet të rritet nga 17% në 29% gjatë 75 viteve të ardhshme.

Por kjo peshë u rrit më shumë se dyfish, nga 8% në 17%, gjatë 75 viteve të mëparshme, pa ngadalësuar rritjen ekonomike. Atëherë, pse duhet të supozojmë automatikisht se këtë herë do të jetë ndryshe?

Qoftë përmes teknologjisë që reagon ndaj mungesës së fuqisë punëtore, institucioneve që përshtaten me rritjen e jetëgjatësisë apo investimeve më të mëdha në kapital njerëzor, ekonomitë kanë treguar vazhdimisht se janë në gjendje të përshtaten me ndryshimet demografike.

Kjo aftësi për t’u përshtatur ka të ngjarë të luajë një rol shumë më të madh në formësimin e së ardhmes sonë ekonomike sesa supozimi i vjetruar se një shoqëri që plaket duhet domosdoshmërisht të prodhojë edhe një ekonomi që plaket.

 

Andrew J. Scott është profesor i Ekonomisë në London Business School dhe shkencëtar kryesor për ekonominë në Ellison Institute of Technology.

 

Copyright: Project Syndicate, 2026.www.project-syndicate.org

The post Plakja e popullsisë nuk do të thotë domosdoshmërisht ekonomi më e dobët appeared first on Revista Monitor.

Reformat në energji, ministri Karakaçi: Mundësuan disbursimin e 61 mln eurove fonde nga BE

By: Ornela
21 August 2026 at 14:11

Shqipërisë i hapet rruga për disbursimin e 61 mln eurove fonde nga Bashkimi Europian, pas përmbushjes së një sërë reformash në sektorin e energjisë deri më 30 qershor 2026.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enea Karakaçi deklaroi për mediat se masat e realizuara në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të BE-së kanë sjellë edhe rezultate konkrete në sektor.

Ndër arritjet kryesore ai veçoi instalimin e mbi 600 MW kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme, miratimin e ligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike dhe masat për uljen e varfërisë energjetike.

“Gjatë kësaj periudhe kemi përmbushur një sërë masash kyçe, duke modernizuar kuadrin ligjor dhe duke e afruar Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

Kemi ngritur sistemin e garancive të origjinës për energjinë e rinovueshme, i cili u ofron konsumatorëve më shumë transparencë mbi burimin e energjisë që përdor.

Gjithashtu, kemi miratuar rregulla të reja për etiketimin e produkteve me ndikim në konsumin e energjisë, duke i ndihmuar qytetarët të bëjnë zgjedhje më të informuara dhe më efiçente, në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Evropian.

Një nga hapat më të rëndësishëm ishte miratimi i Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike. Ky ligj forcon funksionimin e tregut të energjisë, rrit sigurinë e furnizimit dhe e afron vendin tonë me tregun evropian të energjisë.

Po ashtu, kemi harmonizuar legjislacionin për biokarburantet, kemi thjeshtuar procedurat për investimet në energjinë e rinovueshme dhe kemi avancuar zbatimin e paketës së integrimit të tregut të energjisë me Bashkimin Evropian.

Një tjetër arritje e rëndësishme është miratimi i Planit Kombëtar për adresimin e varfërisë energjetike, si dhe i kuadrit ligjor për komunitetet e energjisë, një masë e shumëpritur nga të gjithë vetëprodhuesit e energjisë. Këto masa krijojnë më shumë mundësi për qytetarët, bizneset dhe pushtetin vendor që të jenë pjesë aktive e tranzicionit energjetik.

Po aq domethënës është edhe fakti që ne kishim detyrim për të instaluar 600 mega kapacitete deri më datë 30 qershor 2026, kapacitete të energjisë së rinovueshme. Është fakt që tashmë ky kapacitet është instaluar dhe në Shqipëri kemi mbi 600 mega kapacitete të reja të energjisë së rinovueshme. Kjo dëshmon qartë se reformat po shoqërohen me investime konkrete dhe rezultate të prekshme”.

Sipas ministrit Karakaçi, fondet do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe procesin e integrimit evropian. Ministri tha se puna do të vijojë për përmbushjen e reformave të mbetura dhe modernizimin e mëtejshëm të sektorit energjetik.

“Miratimi i këtyre masave deri më 30 qershor 2026 i hap rrugën disbursimit të 61 milionë eurove në Buxhetin e Shtetit, në kuadër të Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformave të Bashkimit Evropian. Këto fonde do të mbështesin investimet, zhvillimin ekonomik dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian”, pohoi ai.

 

The post Reformat në energji, ministri Karakaçi: Mundësuan disbursimin e 61 mln eurove fonde nga BE appeared first on Revista Monitor.

Kursi i Euros e mbyll javën në rënie dhe me një minimum të ri pranë 92.5 lekëve

By: Ornela
21 August 2026 at 13:15

Kursi i këmbimit Euro-Lek e ka mbyllur edhe këtë javë në rënie, duke shënuar një rekord të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të premten me 92.53 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Rënia e kësaj jave e thellon tendencën e zhvlerësimit të Euros gjatë këtij viti. Që nga fillimi i vitit kalendarik, kursi Euro/Lek ka rënë me 4.4%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rënia e kursit ka arritur në 4.8%. Këto të dhëna tregojnë se rënia e kursit të Euros është shpëejtuar sidomos gjatë muajve të deritanishëm të këtij viti.

Rënia nisi që në tremujorin e parë, me një tendencë të pazakontë në raport me ecurinë historike të kursit në të këtë periudhë dhe u thellua me ritme më të shpejta gjatë sezonit veror, çka ishte pak a shumë e pritshme dhe në linjë me trajektoren sezonale.

Agjentët e këmbimit vlerësojnë se oferta e valutës në treg është e lartë dhe mund të hipotizohet se kjo i detyrohet kryesisht prurjeve nga turistët.

Në mungesë të statistikave për ecurinë aktuale, referenca në të dhënat e pjesës së parë të vitit në përgjithësi tregojnë një ofertë të lartë për valutë dhe rritje të këmbimeve valutore në tregun e brendshëm.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se vëllimi i tregtimit valutor në tregun e brendshëm arriti një rekord të ri historik në tremujorin e dytë të vitit. Vlera e këmbimeve valutore arriti në gati 4.5 miliardë euro, në rritje me rreth 30% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Volumi i këmbimeve valutore madje kaloi edhe vlerat e regjistruar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar.

Gjithashtu, statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e parë të vitit deficiti i llogarisë korrente u tkurr në 228 milionë euro, në rënie me 28% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, investimet e huaja direkte arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Ato u rritën me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e volumeve të këmbimit valutor dhe rrjedhimisht edhe forcimi i vazhdueshëm i Lekut ngelet e lidhur ngushtë me ecurinë e Bilancit të Pagesave.

Sipas saj, analiza e kombinuar e të dhënave të tregut valutor dhe atyre të bilancit të pagesave deri në tremujorin e parë rikonfirmoi lidhjen e ngushtë ndërmjet vëllimeve të tregtimit në tregun valutor dhe flukseve të shkëmbimeve të mallrave e shërbimeve me jashtë.

Burimi: BSH

 

 

 

The post Kursi i Euros e mbyll javën në rënie dhe me një minimum të ri pranë 92.5 lekëve appeared first on Revista Monitor.

Çmimet e gazit në Europë arrijnë nivelin më të lartë që nga marsi, situata mund të përkeqësohet

By: Ornela
21 August 2026 at 13:00

Çmimet e gazit në Europë janë rritur me 130% gjatë vitit 2026, ndërsa rezervat e ulëta dhe rreziqet në furnizim e bëjnë kontinentin të cenueshëm përballë një dimri të kushtueshëm.

Kontratat e së ardhmes për gazin në tregun holandez TTF, treguesi kryesor i çmimeve të gazit në Europë, u rritën të enjten mbi 65 euro për megavat-orë, niveli më i lartë që nga marsi. Kjo e çon rritjen e çmimeve në më shumë se 130% që nga fillimi i vitit.

Rritja po ndodh në mesin e një tjetër vale të nxehti në Europë dhe temperaturat e larta janë një nga arsyet pse dimri i ardhshëm pritet të jetë i kushtueshëm.

Temperaturat rekord po rrisin kërkesën për energji elektrike, ndërsa thatësira dhe nxehtësia po kufizojnë prodhimin hidroenergjetik dhe atë bërthamor. Si rezultat, centralet me gaz po përdoren më shumë për të mbuluar mungesën, pikërisht në një periudhë kur Europa duhet të rrisë rezervat e gazit për dimër.

Çmimet mbeten ende shumë poshtë kulmit prej rreth 350 euro/MWh të arritur gjatë krizës energjetike të vitit 2022, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës. Megjithatë, Europa po i afrohet dimrit me rezerva të ulëta dhe me pak hapësirë për të përballuar një tjetër goditje në furnizim.

 

Pse po rriten sërish çmimet e gazit në Europë

Rritja e çmimeve është përshpejtuar pikërisht në një moment të pafavorshëm.

Europa zakonisht shfrytëzon muajt e verës për të rimbushur rezervat e gazit, përpara se familjet të fillojnë t’i përdorin ato për ngrohje gjatë dimrit.

Këtë vit, rimbushja e rezervave është përplasur me një seri problemesh.

Ngushtica e Hormuzit mbetet praktikisht e mbyllur, Norvegjia ka zgjatur ndërprerjet në disa fusha të prodhimit të gazit, ndërsa thatësira ka reduktuar prodhimin e energjisë hidroelektrike dhe bërthamore.

Ndërkohë, centralet me gaz po plotësojnë një pjesë të këtij hendeku, pasi kërkesa për energji elektrike është rritur gjatë valës së të nxehtit. Kjo po rrit kërkesën për të njëjtin burim energjie që Europa duhet ta ruajë për dimër.

Rezultati është një treg me shumë pak hapësirë sigurie.

“Janë materializuar disa rreziqe negative nga ana e ofertës dhe nivelet e rezervave të gazit janë historikisht të ulëta përpara sezonit të ngrohjes”, tha Daniel Kral, ekonomist në Oxford Economics.

Oxford Economics pret të rishikojë në rritje parashikimin për çmimet e gazit në Europë në shtator, potencialisht drejt një mesatareje afër 60 euro/MWh gjatë tremujorit të katërt të vitit 2026 dhe tremujorit të parë të vitit 2027.

 

Europa është më e qëndrueshme, por jo e mbrojtur nga moti

 

Europa e ka ulur konsumin e gazit me rreth 15–20% krahasuar me vitin 2021. Industria ka reduktuar përdorimin e gazit, energjia e rinovueshme është zgjeruar dhe pompat e nxehtësisë kanë zëvendësuar një pjesë të ngrohjes me gaz.

Edhe furnizimi global me gaz natyror të lëngshëm, LNG, është rritur. Europa ka më shumë terminale importi dhe mund të tërheqë ngarkesa shtesë kur çmimet rriten. Kjo e bën një mungesë fizike të gazit shumë më pak të mundshme sesa gjatë krizës së viteve 2021–2022.

Megjithatë, konsumi më i ulët nuk e eliminon dobësinë kryesore të Europës.

Sipas Oxford Economics, lidhja mes temperaturave dhe kërkesës për gaz mbetet pothuajse e drejtpërdrejtë. Dimrin e kaluar, kur temperaturat ranë përkohësisht nën mesataren afatgjatë, kursimet e gazit në Europë krahasuar me nivelet para vitit 2021 u ngushtuan në vetëm 5–10%.

Europa e ka ulur nevojën normale për gaz, por nuk e ka eliminuar varësinë prej tij kur dimri është jashtëzakonisht i ftohtë.

Pikërisht për këtë arsye rezervat janë kaq të rëndësishme.

Rezervat janë amortizatori mes një dimri normal dhe një goditjeje në furnizim. Kur nivelet janë të larta, tregtarët mund të përballojnë një valë të ftohti pa garuar agresivisht për ngarkesa të reja. Kur rezervat janë të ulëta, çdo javë më e ftohtë se parashikimet kthehet në një garë për furnizim.

 

Shifra që kanë më shumë rëndësi

Rezervat europiane të gazit ishin vetëm rreth 57% të mbushura në fillim të gushtit.

Të dhënat e Gas Infrastructure Europe treguan se niveli ishte 57.1% më 1 gusht, niveli më i ulët për këtë periudhë të vitit në serinë historike.

Rregullat e BE-së vijojnë të synojnë një nivel rezervash prej 90%, megjithëse vendet tashmë kanë më shumë fleksibilitet për afatin kur duhet ta arrijnë këtë objektiv. Niveli mund të përmbushet në periudhën nga 1 tetori deri më 1 dhjetor, ndërsa kushtet e vështira të tregut lejojnë edhe më shumë fleksibilitet.

Brukseli u ka kërkuar gjithashtu vendeve të shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të këtij fleksibiliteti për ta ulur objektivin në 80%, kur kushtet e tregut e bëjnë më të vështirë mbushjen e rezervave.

Rezervat janë “depoja e ushqimit” energjetik të Europës për dimrin.

Gazi mund të kthehet në problem edhe për BQE-në

Në këtë pikë, rritja e çmimeve të gazit nuk është më vetëm një çështje energjetike.

Ajo shndërrohet në një problem inflacioni dhe më pas edhe në një çështje për Bankën Qendrore Europiane (BQE).

 

Çmimet me shumicë të gazit lëvizin më shpejt sesa faturat e familjeve, sepse kompanitë e energjisë shpesh i sigurojnë blerjet disa muaj më parë. Oxford Economics vlerëson se ndikimi maksimal i çmimeve me shumicë te konsumatori zakonisht ndihet rreth gjashtë muaj pas rritjes fillestare.

Por kjo mbrojtje dobësohet nëse çmimet mbeten të larta. Me skadimin e kontratave dhe rinovimin e tyre, çmimet me pakicë fillojnë gradualisht t’u afrohen niveleve të tregut me shumicë.

Ndikimi ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin.

Në Gjermani dhe Austri, kontratat me çmim fiks priren të jenë më afatgjata, duke e ngadalësuar transmetimin e rritjes. Në Francë, Itali dhe Spanjë, reagimi është më i shpejtë. Në Holandë, ndikimi te konsumatorët është pothuajse i menjëhershëm.

Italia është ndryshe, sepse kombinon transmetimin relativisht të shpejtë të çmimeve me një varësi të lartë nga gazi. Për këtë arsye, Oxford Economics e konsideron Italinë ekonominë e madhe europiane më të ekspozuar ndaj një goditjeje të çmimeve të gazit.

Kjo e bën rritjen e gazit jo vetëm një çështje të tregjeve të energjisë, por potencialisht edhe një çështje të politikës monetare.

Oxford Economics vlerëson se inflacioni i përgjithshëm në Eurozonë mund të jetë pranë 3.5% në gjysmën e dytë të vitit 2026, bazuar në çmimet aktuale të gazit me shumicë, krahasuar me pak mbi 3% në skenarin e tij bazë.

BQE-ja i ka rritur tashmë normat e interesit si përgjigje ndaj një goditjeje inflacioniste të nxitur nga energjia.

Tregjet presin gjerësisht edhe një tjetër rritje prej 0.25 pikë përqindje në shtator.

Projeksionet e vetë BQE-së të publikuara në qershor tregonin se inflacioni do të mbetej i lartë për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë, duke arritur rreth 3.4% në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2026.

Një dimër më i ftohtë mund të krijojë kështu një kombinim të pakëndshëm për ekonominë europiane: rënie të fuqisë blerëse të familjeve dhe norma më të larta interesi./ Euronews

The post Çmimet e gazit në Europë arrijnë nivelin më të lartë që nga marsi, situata mund të përkeqësohet appeared first on Revista Monitor.

ASHK: Si të rifreskoni online kartelën e pasurisë dhe hartën kadastrale

21 August 2026 at 12:00

Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) ka rikujtuar se kartela e pasurisë dhe harta kadastrale mund të rifreskohen në çdo kohë online, përmes një aplikimi të vetëm në e-Albania.

Sipas ASHK-së, kartela e pasurisë përmban të dhëna për pronarin ose bashkëpronarët, numrin e pasurisë, volumin dhe faqen, zonën kadastrale, si dhe informacione të tjera mbi pronën.

Ndërsa harta kadastrale tregon kufijtë e pronës, madhësinë dhe pozicionin e saj.

Për të aplikuar, qytetarët duhet të hyjnë në e-Albania dhe të zgjedhin shërbimin “Aplikim për lëshim kopje kartele të pasurisë”. Në mënyrë automatike do të përzgjidhet edhe shërbimi “Aplikim për lëshim kopje të fragmentit të hartës kadastrale”.

Më pas, duhet të përzgjidhet pasuria, të plotësohet formulari elektronik, të dërgohet aplikimi dhe të kryhet pagesa, e cila mund të bëhet online, në bankë ose përmes postës.

ASHK ka rikujtuar gjithashtu se këto shërbime mund të aplikohen edhe me procedurë të përshpejtuar, duke zgjedhur shërbimin me kodin “PP” përpara emërtimit.

The post ASHK: Si të rifreskoni online kartelën e pasurisë dhe hartën kadastrale appeared first on Revista Monitor.

Ari dhe argjendi shënojnë rritje të fortë në gusht, ndërsa borxhi i SHBA-së shqetëson tregjet

By: Ornela
21 August 2026 at 11:41

Ari dhe argjendi janë rritur ndjeshëm gjatë gushtit, të mbështetur nga dobësimi i dollarit, rritja e borxhit publik amerikan dhe zbehja e pritshmërive për një tjetër rritje të normave të interesit nga Rezerva Federale, ndërsa investitorët janë rikthyer te asetet e sigurta.

Metalet e çmuara janë kthyer në një nga investimet me ecurinë më të mirë të muajit, duke rikuperuar një pjesë të humbjeve të pësuara më herët gjatë vitit. Rritja e argjendit ka qenë edhe më e fortë se ajo e arit.

Ari arriti një nivel rekord prej 5,598 dollarësh për ons më 28 janar, përpara se të pësonte një rënie të fortë gjatë vitit, duke zbritur në rreth 3,942 dollarë në fund të qershorit, ose rreth 30% më poshtë se kulmi.

Që prej atij niveli minimal, çmimi është rimëkëmbur, me pjesën më të madhe të rritjes të përqendruar në gusht. Në momentin e publikimit, ari tregtohej rreth 4,466 dollarë për ons. Çmimi është rritur me 11% vetëm gjatë gushtit dhe me 3.6% që nga fillimi i vitit.

Rritja e argjendit ka qenë edhe më e fortë.

Argjendi arriti një rekord historik prej 121.65 dollarësh për ons më 29 janar, përpara se të binte në rreth 54.7 dollarë në mes të korrikut, duke humbur rreth 55% nga niveli maksimal.

Që atëherë çmimi është rritur me rreth 20%, me pjesën më të madhe të rimëkëmbjes gjatë gushtit, dhe aktualisht tregtohet rreth 66 dollarë për ons. Argjendi është rritur me 16.5% këtë muaj, megjithëse vazhdon të jetë më shumë se 7% në rënie që nga fillimi i vitit.

Rritja e fundit e metaleve të çmuara u përshpejtua këtë javë, pasi Thesari amerikan dyfishoi madhësinë e riblerjeve të obligacioneve me maturim 10 deri në 30 vjet, në të paktën 4 miliardë dollarë për çdo operacion, duke filluar nga 9 shtatori, në përpjekje për të qetësuar tregun e tensionuar të obligacioneve.

Njoftimi erdhi vetëm pak orë përpara publikimit të të dhënave që konfirmuan se borxhi kombëtar i SHBA-së kishte kaluar për herë të parë 40 trilionë dollarë, rreth dy vjet më herët sesa parashikonte Zyra e Buxhetit e Kongresit Amerikan.

Norma e interesit e obligacioneve 30-vjeçare të Thesarit kishte arritur nivelin më të lartë që nga viti 2007, përpara se të binte pas lajmit për riblerjet. Dollari gjithashtu ra ndjeshëm, duke rikthyer në vëmendje të ashtuquajturin “debasement trade”, pra strategjinë e investimit që mbështetet te ideja se rritja e vazhdueshme e borxhit publik dobëson në kohë besimin te monedha.

Të dhënat e dobëta për punësimin dhe shitjet me pakicë në SHBA, së bashku me shifrat më të moderuara të inflacionit, i shtynë investitorët të ulin pritshmëritë për një rritje të normave të interesit në shtator.

Sipas të dhënave të CME FedWatch, probabiliteti i një rritjeje të normave në shtator ra nga mbi 50% në rreth një në tre./ Euronews

The post Ari dhe argjendi shënojnë rritje të fortë në gusht, ndërsa borxhi i SHBA-së shqetëson tregjet appeared first on Revista Monitor.

❌