Një zbulim me vlerë për trashëgiminë kulturore është bërë në fshatin Rromës, në Bashkinë Selenicë, ku gjatë punimeve për ndërtimin e një depoje uji kanë dalë në dritë rënojat e një çezme të vjetër.
Pas njoftimit nga banorët e zonës, specialistët e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Vlorë kanë kryer verifikimet në terren dhe kanë dokumentuar strukturën e zbuluar.
Sipas specialistëve, çezma ruan elementë të rëndësishëm ndërtimorë, si tubacion qeramike për furnizimin me ujë, kanale shkarkuese dhe mure të ndërtuara me gurë, tjegulla dhe llaç gëlqereje.
Nga analiza paraprake e tipareve arkitekturore dhe materialit qeramik të gjetur, monumenti mendohet të datojë në shekujt XV–XVI, në fillimet e periudhës osmane.
Specialistët vlerësojnë se ky zbulim përbën një dëshmi të rëndësishme për historinë dhe zhvillimin e fshatit Rromës, ndërsa theksojnë se bashkëpunimi i banorëve me institucionet e trashëgimisë kulturore bëri të mundur dokumentimin dhe ruajtjen e kësaj rënoje me vlera historike.
Ebrima Tunkara, talenti 16-vjeçar spanjoll me origjinë nga Gambia, po shndërrohet në një nga zbulimet më të mëdha të përgatitjeve verore të Barcelonës.
Sulmuesi i ri, i cili së shpejti mbush 16 vjeç, është lojtari i vetëm i lindur në vitin 2010 që është përfshirë në grupin e Hansi Flick, një sinjal i qartë se klubi e sheh si një projekt serioz për të ardhmen.
Sipas Goal.com, ekziston mundësia reale që ai ta kalojë sezonin me ekipin e parë, në vend se të aktivizohet me skuadrën rezervë, siç ishte planifikuar fillimisht.
Flick dhe skuadra mbetën të impresionuar
Sipas të përditshmes katalanase Sport, Hansi Flick nuk pati asnjë hezitim për ta përfshirë Tunkarën në grupin e lojtarëve të rinj që nisën përgatitjet me ekipin e parë.
Fiziku i tij, pjekuria në lojë dhe cilësitë teknike kanë lënë përshtypje të jashtëzakonshme jo vetëm te trajneri gjerman, por edhe te futbollistët e ekipit të parë, të cilët u befasuan nga niveli që tregoi 16-vjeçari gjatë seancave stërvitore. Tunkara e konfirmoi talentin e tij edhe në ndeshjen e parë miqësore të Barcelonës këtë verë.
Në fitoren 4-1 ndaj CE Europa, ai shënoi golin e tretë të skuadrës katalanase vetëm tri minuta pasi u fut në lojë. Pas një asistimi nga Alex Gonzalez, Tunkara kontrolloi topin me qetësi dhe realizoi me një goditje të saktë, edhe pse ishte i rrethuar nga mbrojtësit kundërshtarë.
Trajneri Flick bëri disa ndryshime në pjesën e dytë, ndërsa aktivizimi i Tunkarës erdhi si shpërblim për paraqitjet mbresëlënëse në stërvitje.
Ebrima Tunkara with a header to make it 3-1. Assisted by Alex Gonzalez and great pre-assist from Marc Casado pic.twitter.com/gvG1VyT96K — ArsenKveFCB (@ArsenKveFCB) July 24, 2026
Nga ekipi rezervë drejt skuadrës së parë - testohet në turneun në Angli
Fillimisht ishte planifikuar që Tunkara të luante me ekipin rezervë gjatë këtij sezoni, por zhvillimet e fundit kanë ndryshuar situatën.
Paraqitjet e tij bindëse, të kombinuara me mungesat e Ronald Araujos, Alejandro Baldes dhe Fermin Lopez për shkak të lëndimeve, si dhe mundësinë e huazimit të Marc-André ter Stegen te Ajaxi, kanë hapur një vend të mundshëm në skuadrën e parë.
Barcelona do të udhëtojë së shpejti drejt Anglisë për turneun para-sezonal, ku Flick pritet të marrë me vete bërthamën e lojtarëve me të cilët ka punuar që nga fillimi i përgatitjeve.
Një pjesë e futbollistëve, përfshirë reprezentuesit spanjollë, Jules Kounde dhe Andrew Gordon, vazhdojnë të jenë me pushime pas Kupës së Botës 2026.
Sipas burimeve pranë klubit, trajneri gjerman do ta monitorojë nga afër zhvillimin e Tunkarës gjatë gjithë turneut, për të vendosur nëse ai është gati të mbetet përfundimisht me ekipin e parë.
Një tjetër talent i madh nga La Masia
Edhe pse ka ende shumë për të mësuar, Tunkara konsiderohet një nga talentet më premtues që ka prodhuar së fundmi akademia e famshme La Masia.
Ai është lojtari më i ri në grupin aktual të Barcelonës, por forca fizike, vetëbesimi dhe teknika e tij e avancuar i kanë lejuar të përballet pa kompleks me futbollistë shumë më me përvojë.
Nëse vazhdon me këtë ritëm, emri i Ebrima Tunkarës pritet të jetë një nga më të përfolurit te Barcelona në muajt dhe vitet e ardhshme. /Telegrafi/
🇪🇸💫 After Yamal, another 𝗣𝗥𝗢𝗗𝗜𝗚𝗬 from La Masia is on the way.
𝗘𝗕𝗥𝗜𝗠𝗔 𝗧𝗨𝗡𝗞𝗔𝗥𝗔 (𝟭𝟲) is the next 𝗕𝗜𝗚 𝗧𝗛𝗜𝗡𝗚 of FC Barcelona youth academy.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Komuna e Prishtinës ka dërguar njoftimin zyrtar për ndërprerjen e marrëveshjes për shfrytëzimin e hapësirës publike në Grand Hotel.
Vendimi, sipas Ramës, vjen pas reagimit të gazetares dhe aktivistes Besa Xharra lidhur me një çështje që ai e cilëson si mungesë transparence dhe që ka ngritur shqetësime publike.
Rama ka kritikuar deklaratën se “e dimë kush është, por nuk e tregojmë”, duke thënë se një qasje e tillë ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet rreth rastit.
“Eta Xharra, nuk paske dhënë asnjë sqarim për çështjen thelbësore. Përkundrazi, reagimi si i tillë ngriti edhe më shumë pikëpyetje!”, ka shkruar Rama në një reagim të tij.
Sipas tij, nëse identiteti i personit për të cilin është diskutuar dihet, atëherë mbetet pyetja se “kë po e mbroni?”.
“Përderisa këto pyetje mbesin pa përgjigje, si Kryeqytet nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur asgjë”, ka deklaruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka theksuar se hapësirat publike janë pronë e qytetarëve dhe nuk mund të shfrytëzohen nga organizata që, sipas tij, cenojnë interesin publik apo refuzojnë transparencën për çështje që lidhen me besimin e qytetarëve.
“Nuk mund të lejojmë që hapësirat publike, të cilat janë pronë e qytetarëve të Prishtinës, të shfrytëzohen nga organizata që, me veprimet e tyre, cenojnë interesin e qytetarëve dhe refuzojnë transparencën për çështje që lidhen drejtpërdrejt me besimin e publikut”, ka shkruar Rama.
Ai ka bërë të ditur gjithashtu se në ditët në vijim do të rishikohen edhe marrëveshje të tjera për shfrytëzimin e hapësirave publike të ndara dhe financuara nga Kryeqyteti.
Më 26.07.2026 në Ohër, oficerë policie nga Policia Kriminale e SPB Ohër ndaluan B.R. (30), G.J. (32) dhe S.N. (33), të gjithë nga Prilepi, njoftojnë nga MPB.
"Më 26.07.2026 në orën 01:20 në qendrën sportive "Biljanini izvori", gjatë një koncerti, oficerë policie ndaluan B.R. sepse iu gjet dhe iu sekuestrua marihuanë dhe një substancë pluhur e bardhë.
Më vonë, me urdhër gjykate, u krye një kontroll në banesën, të cilën ai e përdori së bashku me G.J. dhe S.N., gjatë së cilës u gjetën dhe u sekuestruan marihuanë, disa tableta, granata me mbetje marihuane, një objekt qelqi me kërpudha, si dhe objekte të tjera të dyshuara se kanë origjinë nga një krim.
Ata po mbahen në një stacion policor dhe pasi të hetohet dhe dokumentohet plotësisht incidenti, kundër tyre do të ngrihen akuza përkatëse", thuhet në deklaratë./Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të hënën në takim ministrin e deleguar për Evropën të Republikës së Francës, Benjamin Haddad.
Takimi u zhvillua pas nënshkrimit të katër marrëveshjeve dhe një deklarate synimi ndërmjet Kosovës dhe Francës, të cilat u nënshkruan gjatë ditës.
Kurti i uroi mirëseardhje ministrit Haddad dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ai e cilësoi vizitën si vazhdimësi të takimit të punës me presidentin francez Emmanuel Macron, të zhvilluar më 17 mars në Pallatin Elize, si dhe të angazhimit të përbashkët për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Sipas njoftimit të Qeverisë, Kurti tha se nënshkrimi i marrëveshjeve dhe deklaratës në fushën e sportit, drejtësisë dhe arsimit përbën një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit dhe avancimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Francës.
Gjatë takimit, Kurti ka vlerësuar rëndësinë e marrëveshjes administrative për mësimdhënien e gjuhës frënge në Kosovë, ndërsa ka theksuar mbështetjen e Francës në zhvillimin e infrastrukturës dhe ofrimin e ekspertizës për përgatitjet e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë.
Po ashtu, ai ka vlerësuar si të rëndësishme marrëveshjet për ekstradim dhe bashkëpunim të ndërsjellë juridik në çështjet penale, duke i cilësuar ato të rëndësishme për administrimin e drejtësisë dhe luftimin e krimit.
Në takim është diskutuar edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit dypalësh në sektorë të tjerë, si dhe për proceset integruese euro-atlantike dhe rëndësinë e mbështetjes së Francës.
Kurti ka përmendur gjithashtu rritjen e qëndrueshme ekonomike, sundimin e ligjit, liritë civile dhe të drejtat e njeriut, si dhe forcimin e institucioneve demokratike.
Paraqitja e boksierit shqiptar Kristian Prenga ndaj Anthony Joshua ka rikthyer në qendër të vëmendjes boksin shqiptar.
Edhe pse Joshua fitoi me nokaut në raundin e dytë, Prenga arriti ta rrëzonte dy herë ish-kampionin e botës në raundin e parë, duke bërë jehonë në mediat ndërkombëtare.
Tashmë një tjetër emër shqiptar ka dalë publikisht me një sfidë për britanikun. Bëhet fjalë për Roberto Bakaj, i cili përmes një mesazhi publik ka kërkuar një duel me Joshuan.
“Le ta bëjmë realitet! Ju garantoj se miliona tifozë shqiptarë dhe tifozë të panumërt të boksit në mbarë botën do ta mbështesin këtë event. Të gjithë janë jashtëzakonisht të entuziazmuar dhe mezi po e presin këtë përballje. Energjia dhe mbështetja ndërkombëtare do të jenë të jashtëzakonshme. Le t’u japim njerëzve atë që duan”, ka shkruar Bakaj.
Bakaj është një nga boksierët shqiptarë me rekord interesant në kategorinë profesioniste. Ai ka zhvilluar 16 meçe, duke i fituar të gjitha me nokaut, një statistikë që e bën një nga goditësit më të rrezikshëm në kategorinë e tij.
Pas rikthimit të Anthony Joshuas në ring dhe fitores dramatike ndaj Kristian Prengës në Arabinë Saudite, emri i britanikut është sërish në qendër të vëmendjes. Ndërkohë, Joshua pritet të përqendrohet te superdueli i shumëpritur me Tyson Fury, që konsiderohet një nga përballjet më të mëdha në historinë e boksit britanik.
Megjithatë, sfida publike e Roberto Bakajt ka tërhequr vëmendje, duke shtuar një tjetër emër shqiptar në listën e boksierëve që synojnë të përballen me një prej figurave më të mëdha të peshave të rënda. /Telegrafi/
Një reagim i shkurtër nga ylli i Manchester Cityt, Erling Haaland, ka arritur të tërheqë vëmendjen e mijëra tifozëve në internet.
Gjithçka nisi pasi artisti me nofkën Jay the Clay krijoi një skulpturë të veçantë prej balte që paraqet sulmuesin norvegjez, duke i kushtuar shumë kohë dhe përkushtim detajeve të figurës.
Videoja që tregon procesin e krijimit të skulpturës u shpërnda gjerësisht në rrjetet sociale dhe mori shumë vlerësime për realizimin e saj të kujdesshëm.
Foto: Instagram
Artisti arriti të pasqyrojë në mënyrë mbresëlënëse tiparet karakteristike të Haalandit, duke bërë që shumë tifozë të vlerësonin talentin dhe punën e tij.
Mes personave që e panë këtë krijim ishte edhe vetë Erling Haaland.
Foto: Instagram
Sulmuesi i Manchester Cityt reagoi në mënyrën e tij të thjeshtë dhe karakteristike, duke lënë vetëm një koment të shkurtër: “Nice” (Bukur).
Edhe pse ishte vetëm një fjalë, reagimi i Haalandit u bë menjëherë viral.
Shumë tifozë u argëtuan nga fakti që një punë artistike që kishte kërkuar orë të tëra për t’u realizuar mori një përgjigje kaq të shkurtër nga vetë futbollisti.
Ky moment u shpërnda gjerësisht dhe u kthye në një nga ato situata që tregojnë stilin e qetë dhe të drejtpërdrejtë të komunikimit të Haalandit në internet. /Telegrafi/
Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, është takuar me ministrin e Deleguar për Çështje Evropiane të Francës, Benjamin Haddad.
Pas takimit, Haradinaj ka bërë të ditur se bashkë me kolegët e Aleancës kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, perspektivën evropiane të vendit dhe ofertën e Aleancës për krijimin e institucioneve.
Ai ka theksuar se gjashtë pikat e propozuara nga Aleanca janë të rëndësishme për zhvillimin dhe të ardhmen e Kosovës.
“Në takim me Ministrin e Deleguar për Çështje Evropiane të Francës, z. Benjamin Haddad, bashkë me kolegët deputetë nga Aleanca, biseduam për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe për perspektivën evropiane të vendit tonë”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka shprehur mirënjohje për Francën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, duke kërkuar që kjo përkrahje të vazhdojë edhe në proceset e ardhshme ndërkombëtare.
Sipas tij, në takim është diskutuar për rëndësinë e mbështetjes franceze në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, marrjen e statusit të vendit kandidat për Bashkimin Evropian, si dhe anëtarësimin e vendit në NATO.
“Shprehëm mirënjohjen ndaj z. Haddad dhe shtetit të Francës për përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, dhe kërkuam që kjo mbështetje të vazhdojë, veçanërisht në kandidaturën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, marrjen e statusit të vendit kandidat dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar se Franca ka qenë dhe mbetet një ndër partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, me rol të veçantë në proceset që kanë çuar vendin drejt lirisë, pavarësisë dhe konsolidimit të shtetësisë./Telegrafi.
Frika nga uji, hutimi dhe humbja e privatësisë mund ta kthejnë larjen në një sfidë – ja si të veproni me qetësi, siguri dhe respekt për dinjitetin e personit
Askush nuk ndihet rehat kur gjendet në situatën që duhet të lajë një person tjetër të rritur, por kjo përvojë mund të bëhet shumë më e lehtë nëse ndiqen disa hapa të qartë.
Një nga pyetjet më të shpeshta me të cilat përballen familjarët e personave me demencë është se si t’i ndihmojnë ata gjatë larjes. Banja, dushi dhe kujdesi për higjienën personale mund të shndërrohen në një sfidë të vërtetë, sepse personi me probleme të kujtesës mund të ndiejë frikë, parehati, hutim ose të kundërshtojë për shkak të humbjes së privatësisë.
Megjithatë, me shumë durim dhe mirëkuptim, është e mundur të krijohet një përvojë e sigurt dhe sa më e këndshme, duke ruajtur njëkohësisht dinjitetin e personit me demencë, transmeton Telegrafi.
1. Afrohuni ngadalë dhe me durim
Është e rëndësishme që i gjithë procesi të zhvillohet ngadalë dhe në përputhje me aftësitë e personit. Në vend që të bëni gjithçka në vend të tij, përpiquni ta inkurajoni që vetë t’i kryejë ato veprime që ende është në gjendje t’i bëjë.
Një qasje e tillë ndihmon në ruajtjen e vetëbesimit dhe, njëkohësisht, mund të zvogëlojë kundërshtimin ndaj larjes ose dushit.
Para se të filloni, përgatitni gjithçka që ju nevojitet: peshqirë, rroba, sapun, shampo dhe produkte të tjera higjienike. Kështu shmangni ndërprerjet e panevojshme dhe hutimin shtesë.
Personat me demencë mund:
të kenë frikë nga uji ose nga rrëshqitja;
të hutohen nga vetë procesi i larjes apo dushit;
të ndihen në siklet kur duhet të zhvishen;
të mos kuptojnë çfarë kërkohet prej tyre;
ta perceptojnë dushin ose vaskën si kërcënim.
Ndonjëherë mjafton të ndryshohet qasja, koha e larjes ose mënyra e komunikimit që personi të bashkëpunojë më lehtë.
2. Flisni qetë dhe qartë
Gjatë larjes flisni me zë të qetë dhe përdorni fjali të thjeshta. Shpjegojeni secilin hap veçmas dhe jepini personit kohë të mjaftueshme për ta kuptuar informacionin.
Për shembull, në vend që t’i jepni disa udhëzime njëherësh, thoni: “Tani do t’i lajmë duart”, “Tani marrim sfungjerin”, ose “Tani do ta shpëlajmë sapunin”.
Kjo mënyrë komunikimi e lehtëson procesin dhe shmang krijimin e tensionit shtesë.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme të respektohen dëshirat e personit. Nëse ai shfaq parehati ose refuzon, përpiquni të kuptoni arsyen dhe përshtateni qasjen, në vend që ta detyroni.
3. Siguria duhet të jetë prioritet
Për ta bërë larjen sa më të sigurt, kujdesuni për disa gjëra të rëndësishme:
kontrolloni temperaturën e ujit para larjes;
përdorni shtroja kundër rrëshqitjes;
vendosni një ulëse të sigurt në dush ose vaskë;
hiqni nga dyshemeja pengesat dhe qilimat që mund të rrëshqasin;
siguroni ndriçim të mirë në banjë.
Çfarë të bëni nëse personi ka frikë nga uji
Nëse personi frikësohet nga uji i thellë, mbusheni vaskën vetëm me një sasi të vogël uji ose përdorni një karrige të posaçme për larje.
Për shumë persona, dushi i dorës mund të jetë më i këndshëm sesa një rrymë e fortë uji nga sipër, e cila mund të shkaktojë hutim ose ndjenjë pasigurie.
Disave u ndihmon edhe që, para se të hyjnë në dush ose vaskë, ta prekin ujin me dorë për t’u bindur se është i sigurt dhe me temperaturë të përshtatshme.
Edhe sinjalet vizuale mund të ndihmojnë. Për shembull, mund t’ia jepni sapunin kur është koha për t’u sapunisur ose peshqirin kur duhet të thahet.
Respektoni privatësinë dhe dinjitetin
Shumë persona me demencë ndiejnë turp ose parehati gjatë larjes. Për të ruajtur dinjitetin e tyre:
mbuloni pjesët e trupit që nuk janë duke u larë;
pas larjes përdorni një mantel banje ose një peshqir të madh;
siguroni privatësi dhe shmangni praninë e panevojshme të anëtarëve të tjerë të familjes;
mos nxitoni.
Ndjenja e sigurisë dhe e respektit shpesh është po aq e rëndësishme sa vetë higjiena.
Sa shpesh duhet larë një person me probleme të kujtesës?
Shpeshtësia e larjes varet nga gjendja shëndetësore, lëvizshmëria dhe zakonet personale të personit.
Nuk është gjithmonë e nevojshme që i gjithë trupi të lahet çdo ditë, por është e rëndësishme që higjiena bazë të mbahet rregullisht.
Çfarë të bëni nëse personi refuzon të lahet?
Provoni të ndryshoni kohën e larjes, mënyrën e qasjes ose mjedisin. Personi me demencë nuk duhet detyruar, sepse kjo mund ta shtojë frikën dhe ta bëjë edhe më të madh kundërshtimin ndaj larjes në të ardhmen.
A është dushi më i mirë se larja në vaskë?
Për shumë persona me probleme të kujtesës, dushi mund të jetë më i thjeshtë dhe më i sigurt, veçanërisht nëse përdoret dush dore dhe një ulëse e qëndrueshme për dush. /Telegrafi/
Eksperti i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka deklaruar se pretendimet për kinse “persekutim të serbëve ortodoksë” në Kosovë nuk përputhen me realitetin në terren, duke theksuar se institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë masa të vazhdueshme për mbrojtjen e objekteve fetare dhe trashëgimisë kulturore ortodokse.
Sipas Kuçit, rreth 170 objekte ortodokse në Kosovë mbrohen në mënyrë të vazhdueshme nga Policia e Kosovës përmes patrullimeve të rregullta, mbikëqyrjes së objekteve dhe varrezave, shtimit të masave të sigurisë në raste të rrezikut potencial, si dhe reagimit ndaj çdo informacioni për kërcënime të mundshme.
Ai ka bërë të ditur se 24 kisha dhe manastire ortodokse ruhen me prani fizike policore 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë, ndërsa mbi 40 objekte të Kishës Ortodokse Serbe dhe hapësirat përreth tyre janë të përfshira në Zonat e Veçanta të Mbrojtura.
“Këto zona kanë kufizime të veçanta sa i përket ndërtimeve, industrisë, rrugëve dhe aktiviteteve që mund të cenojnë funksionimin, qetësinë apo karakterin historik të objekteve”, ka deklaruar Kuçi.
Ai ka theksuar se zbatimi i këtyre masave monitorohet edhe përmes Këshillit për Zbatim dhe Monitorim, ku marrin pjesë institucionet e Kosovës, Kisha Ortodokse Serbe dhe partnerët ndërkombëtarë.
Sipas tij, përjashtim në këtë sistem të sigurisë është Manastiri i Deçanit, ku reaguesi i parë për sigurinë është KFOR-i.
Kuçi ka përmendur edhe funksionimin e Njësisë për Sigurimin e Objekteve dhe Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare (NJSOTKF), e cila që nga marsi i vitit 2013 është angazhuar ekskluzivisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare, me fokus të veçantë në objektet ortodokse.
Ai ka theksuar se çdo dëmtim i kishave, shkrim kërcënues, përdhosje e varrezave, vjedhje apo sulm ndaj objekteve fetare trajtohet si vepër penale, ndërsa rastet me motive etnike ose fetare konsiderohen edhe krime të urrejtjes.
“Për këto raste ekzistojnë koordinatorë dhe hetues të caktuar në stacionet policore, të cilët bashkëpunojnë me Prokurorinë për evidentimin dhe procedimin e tyre”, ka thënë Kuçi.
Eksperti i sigurisë ka vlerësuar se gjatë festave dhe pelegrinazheve ortodokse, Policia e Kosovës harton plane të veçanta operative që përfshijnë ruajtjen e objekteve fetare, mbrojtjen e pjesëmarrësve, menaxhimin e trafikut, kontrollin kufitar, parandalimin e incidenteve dhe angazhimin e njësive hetimore.
Ai e ka cilësuar këtë qasje si një model të veçantë në Evropë, duke theksuar se masat e tilla për mbrojtjen e trashëgimisë fetare nuk zbatohen në këtë formë nga vendet e tjera.
Duke iu referuar zhvillimeve të fundit, Kuçi ka folur edhe për liturgjinë e mbajtur më 26 korrik 2026 në Manastirin e Kryeengjëjve të Shenjtë pranë Prizrenit, ku sipas tij Policia e Kosovës ka garantuar sigurinë dhe ka siguruar që aktiviteti fetar të zhvillohej pa incidente.
Megjithatë, sipas tij, propaganda serbe ka tentuar që masat e sigurisë t’i paraqesë si presion apo dhunë ndaj komunitetit ortodoks, duke përdorur rrjete sociale, media dhe materiale të nxjerra jashtë kontekstit.
“Kjo është një formë e operacionit informativ dhe psikologjik, ku realiteti transformohet duke marrë pamje reale, duke ua ndryshuar kuptimin dhe duke paraqitur kontrollin e sigurisë si presion, praninë policore si rrethim dhe masat mbrojtëse si persekutim”, ka deklaruar Kuçi.
Ai ka thënë se kjo qasje përbën një “inversion semantik”, ku një veprim i institucioneve për mbrojtjen e trashëgimisë fetare paraqitet në mënyrë të kundërt, me qëllim delegjitimimin e Kosovës dhe institucioneve të saj.
Sipas Kuçit, synimi i këtyre narrativave është ndikimi jo vetëm te publiku vendor, por edhe te opinioni ndërkombëtar, duke krijuar perceptime negative ndaj Kosovës.
“Një mësim nga kjo propagandë është se siguria operative duhet të shoqërohet gjithmonë me komunikim strategjik, sepse në luftën hibride boshllëku informativ nuk mbetet bosh, por plotësohet nga kundërshtari, i cili zakonisht e ka të përgatitur skenarin e veprimit”, ka përfunduar Kuçi./Telegrafi.
Dhjetëra kompani dhe shtetas të lidhur me mbrojtjen që mbështesin makinën e luftës së Kremlinit janë shënjestruar në paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë.
"Më shumë se 50 subjekte ushtarako-industriale janë përfshirë, (si dhe) aktorë kryesorë të përfshirë në prodhimin e dronëve me rreze të gjatë veprimi të Rusisë", tha të enjten shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, kur u miratuan masat, transmeton Telegrafi.
"Rusia do të negociojë për t'i dhënë fund luftës së saj të paligjshme dhe për të ndaluar vrasjen e civilëve vetëm nëse i bëhet presion ta bëjë këtë. Sanksionet i shtohen këtij presioni", shtoi ajo.
Me paketën e re të sanksioneve, BE-ja po vazhdon të shënjestrojë furnizuesit e mallrave dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë në vendet e treta, siç janë ato në Kinë dhe Indi. Këto teknologji shpesh gjenden në armatimet ruse, siç janë raketat, dronët dhe tanket.
Por vëmendja e zyrtarëve dhe ekspertëve të BE-së është përqendruar në dy masa relativisht të reja në komponentin ushtarak të paketës.
Kjo përfshin mbi 30 përcaktime që synojnë të gjithë rrjetin e prodhimit dhe furnizimit të dronëve me rreze të gjatë Garpiya, si dhe rivalin e Rusisë ndaj sistemit satelitor Starlink, i njohur si Rassvet.
Një zyrtar i lartë i BE-së tha se civilët dhe infrastruktura civile ukrainase janë përballur me një presion të madh nga bombardimet ruse gjatë pushtimit në shkallë të plotë, veçanërisht kur bëhet fjalë për dronë sulmi me rreze të gjatë.
Pasi një armëpushim tre-ditor i mbështetur nga SHBA-ja skadoi në maj, Rusia nisi më shumë se 200 dronë me rreze të gjatë në Ukrainë, duke goditur infrastrukturën energjetike, ndërtesat e banimit dhe madje edhe një kopsht fëmijësh.
Kjo është arsyeja pse paketa e 21-të e sanksioneve ka marrë masa të posaçme kundër prodhimit të dronëve me rreze të gjatë - por siç shpjegoi një zyrtar i lartë i BE-së, BE-ja e ka synuar atë me një "qasje të ndryshme".
"Ajo që kemi bërë është se jemi përqendruar në një kategori dronësh me rreze të gjatë, Garpiyas, dhe kemi hartuar në mënyrë efektive të gjithë rrjetin e prodhimit dhe furnizimit. Me një goditje të vetme, ne po e synojmë atë sot me mbi 30 përcaktime", tha zyrtari.
Përcaktimet e BE-së për paketën e fundit përfshijnë 37 lista të reja që synojnë individë dhe subjekte të lidhura në mënyrë të qartë me prodhimin e dronit sulmues Garpiya/Garpiya-A1.
Këtu përfshihen kompanitë që prodhojnë koka raketash, shtytës raketash, katapulta dhe pjesë të tjera të nevojshme për vendosjen e armëve me rreze të gjatë veprimi.
Një bashkëpunëtor i lartë në grupin e ekspertëve Bruegel, Jacob Funk Kirkegaard, i tha Euronews se, ndërsa mirëpret dimensionin ushtarak të paketës së fundit të sanksioneve, ai ngurron të parashikojë efikasitetin e saj.
"Rusia ka lloje të shumta dronësh me rreze të gjatë veprimi. Kjo nuk do të thotë se kjo është një përpjekje e gabuar. Ia vlen përpjekja. Por ne thjesht nuk duhet të pretendojmë se synimi i njërit prej shumë dronëve me rreze të gjatë veprimi që Rusia ka ose prodhon do të ndryshojë drejtimin e kërcënimit strategjik që i paraqitet Ukrainës sot, ose, për këtë çështje, pjesës tjetër të Evropës në planin afatgjatë", tha ai.
Paketa e sanksioneve synon gjithashtu kompanitë ruse të përfshira në bashkëveprimin midis teknologjisë ushtarake, elektronikës dhe komunikimeve - dhe zyrtari i lartë i BE-së që foli për Euronews la të kuptohej se një kompani dhe sistem satelitor specifik ishte në shënjestër.
"Një gjë që e konsideroj veçanërisht të rëndësishme lidhet me prodhimin e një sistemi që Rusia po e zhvillon si një alternativë ndaj Starlink, kështu që projekti rus Starlink është përfshirë në këtë paketë," thanë ata.
Sistemi satelitor Rassvet në orbitën e ulët të Tokës, i prodhuar nga kompania ruse e hapësirës ajrore Bureau 1440, njihet gjerësisht nga mediat ruse si një "alternativë e Starlink", që synon t'u ofrojë rusëve qasje në internet me shpejtësi të lartë.
Gjashtëmbëdhjetë nga këta satelitë u lëshuan për herë të parë në orbitë në mars të vitit 2026, me qëllim që të kishin 250 në orbitë në vitin 2027 dhe 900 deri në vitin 2035. /Telegrafi/
Ndërtimet pa leje që shtrihen në zonën e mbrojtur të UNECO-s rreth Liqenit të Ohrit do të rrënohen, thotë kryetari i Strugës Mendi Qyra. Sipas tij komuna po shqyrton kërkesat për legalizime, por të gjitha objektet që nuk i përmbushin kushtet apo pengojnë infrastrukturën dhe planin gjeneral urbanistik, do të bëhen rrafsh me tokë, pasi që për plazhet e liqenit do të ketë edhe një ligj të ri.
“Iu bëj thirrje publike të gjithë qytetarëve të Strugës, të cilët kanë ide në bregun e Liqenit të ndërtojnë i kisha lutur të mos ndërtojnë sepse të gjitha do të rrënohen, ato që janë pa leje. Mandej pritet të sillet edhe një ligj për plazhet, të cilat do të kufizohen dhe varet si do të jetë forma më e përshtatshme për ato ndërtime pa leje. Struga ka shumë objekte pa leje”, tha Mendi Qyra
4.847 objekte ilegale gjenden në rajonin e Ohrit i cili është nën mbrojtjen e UNESCO-s. Prej disa vitesh arrijnë vërejtje për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore.
“Ndërtimet pa leje te ne kanë shkaktuar turbulenca gjithmonë jo vetëm ekonomike por edhe politike, vazhdoj të jem kundër ndërtimeve pa leje, bilës jam edhe kundër ligjeve që janë për legalizimin e këtyre ndërtimeve sepse i stimulon ndërtimet pa leje. Jemi në bisedime me Ministrinë e Transportit dhe me Qeverinë për të gjetur një zgjidhje për ndërtimet pa leje që janë rreth liqenit, për të cilat jemi në vëzhgim të UNESCO-s”, deklaroi Qyra.
Javën e kaluar autoritet kumtuan që Liqeni i Ohrit e ka ruajtur statusin e trashëgimisë botërore, por me obligim që Maqedonia dhe Shqipëria deri në vitin 2030 t’i zbatojnë vërejtjet dhe rekomandimet e UNESCO-s për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore. Vendimi për shtyrjen futjes së rajonit të Ohrit në Listën e trashëgimisë botërore në rrezik, u mor në mbledhjen e Komitetit për trashëgimi botërore, e cila u mbajt në Korenë e Jugut. Ekspertët e UNESCO-s kanë dhënë përfundime, përkatësisht është përcaktuar qartë një kornizë që përfshin disa çështje, si planifikimi urbanistik, mbrojtja e mjedisit jetësor, ndërsa në bisedime është diskutuar edhe për trasenë e Korridorit 8 te pika kufitare Qafë Thanë.
Ambasada e Francës ka njoftuar se ministri i deleguar për Evropën pranë Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Benjamin Haddad, po zhvillon një vizitë zyrtare në Kosovë nga 26 deri më 28 korrik 2026, me synim thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Sipas ambasadës, vizita vjen pas takimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, me presidentin francez Emmanuel Macron në muajin mars dhe synon t’i japë një shtysë të re bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, Haddad është takuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, kryenegociatorin me Bashkimin Evropian Jeton Zulfaj, si dhe me përfaqësues të partive parlamentare.
“Në kuadër të vizitës janë nënshkruar pesë marrëveshje dhe konventa, përfshirë një hua prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e infrastrukturës së Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, një letër qëllimi për bashkëpunim në sport, dy konventa për ndihmë juridike dhe ekstradim, si dhe një marrëveshje për forcimin e mësimit të gjuhës frënge në Kosovë. Në kuadër të kësaj vizite u nënshkruan pesë marrëveshje dhe konventa: Një hua investuese prej 60 milionë eurosh nga Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) për financimin e ndërtimit të infrastrukturës së qëndrueshme për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 që do tê shfrytëzohet edhe pas tyre. Marrëveshja përfshin renovimin dhe zgjerimin e kampusit studentor të Universitetit të Prishtinës, si dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në 13 institucione arsimore në Prishtinë. Projekti plotësohet me grante në vlerë totale prej 1.2 milionë eurosh për përgatitjen dhe mbështetjen e fazës së zbatimit. Një letër qëllimi për Lojërat Mesdhetare 2030, që parasheh krijimin e një Komiteti Francë–Kosovë për zhvillimin e sektorit ekonomik francez të sportit në Kosovë. Gjithashtu do të krijohet një grup pune për rininë dhe sportin. Dy konventa për ndihmë juridike reciproke dhe ekstradim, me qëllim forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, pastrimit të parave dhe krimit kibernetik. Një marrëveshje administrative për forcimin afatgjatë të mësimit të gjuhës frënge në Kosovë dhe nxitjen e mobilitetit dhe shkëmbimeve arsimore. U organizua gjithashtu një tryezë e rrumbullakët me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Zëvendësministren e Sportit, Daulina Osmani, në praninë e Ministrit të deleguar, AFD-së dhe kompanive franceze, për të shqyrtuar perspektiva të reja bashkëpunimi », thuhet në komunikatë.
Gjatë vizitës, ministri francez është takuar edhe me ushtarët francezë në kuadër të KFOR-it, ka vizituar Graçanicën dhe Manastirin e Graçanicës, ndërsa agjendën do ta përmbyllë me një vizitë në Institutin Francez të Kosovës.
Sipas Ambasadës së Francës, kjo vizitë rikonfirmon përkushtimin e Francës për një Kosovë të pavarur, sovrane dhe multietnike, si dhe miqësinë ndërmjet dy vendeve.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka nënshkruar marrëveshje huaje në vlerë prej 60 milionë eurosh me Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD), për financimin e projektit “Lojërat e XXI Mesdhetare në Kosovë – Prishtina 2030”.
Marrëveshja është nënshkruar në kuadër të vizitës zyrtare në Kosovë të ministrit të deleguar për Evropën të Francës, Benjamin Haddad, dhe në prani të drejtorit të Zyrës Rajonale për Ballkanin Perëndimor në AFD, Arnaud Dauphin.
Sipas njoftimit, fondet do të përdoren për renovimin dhe zgjerimin e Kompleksit të Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, si dhe për ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës sportive në institucione arsimore në mbarë vendin.
Nga ky projekt pritet të përfitojnë mbi 40 mijë studentë dhe nxënës, përmes krijimit të hapësirave moderne, të qasshme dhe gjithëpërfshirëse për arsim dhe sport.
Marrëveshja gjithashtu hap rrugën për një grant shtesë prej 10 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Pas ceremonisë së nënshkrimit, Murati zhvilloi takim me përfaqësues të AFD-së, ku u diskutua bashkëpunimi aktual dhe mundësitë për zgjerimin e partneritetit në sektorë prioritarë për zhvillimin e Kosovës.
Ministri Murati shprehu mirënjohje për Qeverinë e Francës dhe AFD-në për kontributin në realizimin e marrëveshjes, duke theksuar se Ministria e Financave mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Francën dhe partnerët ndërkombëtarë.
Çmimi i naftës ka rënë ndjeshëm me shpresën se një ndërprerje e sulmeve midis SHBA-së dhe Iranit mund të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit.
Nafta e papërpunuar Brent, standardi global për naftën, ra me më shumë se 9% në nën 88 dollarë për fuçi në një moment, duke shënuar një kthesë të ndjeshme nga java e kaluar kur ishte rritur mbi 100 dollarë.
Rënia erdhi pasi ambasadori i SHBA-së në OKB tha se sulmet ndaj Iranit ishin ndërprerë për natën e dytë radhazi për t'u dhënë "bisedimeve pak hapësirë".
Një zëdhënës i ushtrisë iraniane tha të dielën se Teherani kishte ndaluar sulmet "hakmarrëse" në rajon në përgjigje, transmeton Telegrafi.
Shpërthimi i luftës së Iranit shkaktoi një rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës, ndërsa konflikti çoi në mbylljen efektive të Ngushticës së Hormuzit, një rrugë kyçe transporti që zakonisht transporton rreth 20% të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG) në botë.
Kur Irani dhe SHBA-të nënshkruan një memorandum mirëkuptimi në qershor për të ndaluar operacionet ushtarake dhe për të rihapur ngushticën, çmimi i naftës ra përsëri në nivelet e para luftës prej rreth 70 dollarësh për fuçi.
Megjithatë, prishja e armëpushimit në fillim të këtij muaji rigjallëroi frikën mbi furnizimet globale të energjisë dhe e shtyu çmimin e naftës përsëri lart.
Javën e kaluar ai arriti në 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga maji, me shqetësime të shtuara që erdhën pasi milicia Huthi në Jemen sulmoi cisterna nafte në Detin e Kuq, duke kërcënuar një rrugë kyçe eksporti që Arabia Saudite kishte përdorur për të anashkaluar Ngushticën e Hormuzit.
Susannah Streeter, stratege kryesore e investimeve në Wealth Club, tha se tregjet po mbeteshin "të kujdesshme duke pasur parasysh kthesat dhe ndryshimet gjatë këtij konflikti".
Pavarësisht rënies së ndjeshme të naftës bruto, "ka ende pasiguri të konsiderueshme të ngulitur në këto çmime dhe një ngurrim nëse negociatat do të çojnë në një përparim të qëndrueshëm", shtoi ajo.
Konflikti midis SHBA-së dhe Iranit - dhe ndikimi i tij në naftë - ka rritur koston e karburantit si benzina dhe nafta në shumë vende.
Kjo shpesh ka efekte anësore në çmime të tjera, siç është ushqimi, pasi bizneset ua kalojnë klientëve kostot më të larta me të cilat përballen, dhe kjo mund të rrisë normën e inflacionit.
Inflacioni më i lartë rrit mundësinë që bankat qendrore të rrisin normat e interesit në një përpjekje për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve.
Në qershor, Banka Qendrore Evropiane vendosi të rrisë normën e saj bazë të interesit për eurozonën për herë të parë në pothuajse tre vjet, duke vënë në dukje se konflikti po "gjeneronte presione inflacioniste".
Përpara se të fillonte lufta në Iran, kishte pasur pritje se Banka e Anglisë do të ulte normat këtë vit.
Megjithatë, tani nuk priten ulje dhe tregjet financiare aktualisht parashikojnë një rritje të normës drejt fundit të vitit.
Banka e Anglisë mban takimin e saj të fundit për përcaktimin e normës së interesit këtë javë, kur pritet ta mbajë normën e saj bazë të pandryshuar në 3.75%. /Telegrafi/
Artistët e njohur shqiptarë, Gjesti dhe Dhurata Dora, kanë konfirmuar zyrtarisht bashkëpunimin e tyre të ri muzikor, duke zbuluar se kënga e shumëpritur do të mbajë titullin “Gasolina”.
Lajmi ka ngjallur menjëherë interes të madh te fansat e të dy këngëtarëve, të cilët prej ditësh kanë pritur një projekt të përbashkët nga dy prej emrave më të komentuar të skenës muzikore shqiptare.
Përmes rrjeteve sociale, Gjesti dhe Dhurata Dora kanë bërë të ditur se kënga do të publikohet nesër në ora 18:00.
Me këtë njoftim, artistët kanë rritur edhe më shumë kureshtjen e publikut për atë se çfarë do të sjellin.
“Gasolina” pritet të sjellë një kombinim të stileve të dy artistëve, duke bashkuar energjinë karakteristike të Gjestit me tingujt modernë dhe ritmikë që e kanë bërë Dhuratën një nga këngëtaret më të suksesshme të muzikës shqiptare.
Fansat tashmë po numërojnë orët deri në lansimin e këngës, me pritshmëri të mëdha që ky bashkëpunim të kthehet në një nga hitet e radhës të muzikës shqiptare.
Megjithatë, mbetet për t'u parë se si do të jetë dhe si do të pritet ky duet i dyshes. /Telegrafi/
Pamje të reja janë siguruar nga ngjarja që ndodhi sot në zyrat e Kuvendit, ku kreu i “Partisë Mundësia”, Agron Shehaj, mori dokumentin sekret e marrëveshjes me SHBA dhe u largua me vrap.
Pamjet tregojnë se si Shehaj u largua me vrap, ndërsa punonjësja e cila po e ndiqte nga pas nga nxitimi rrëzohet nga shkallët.
Një burrë nga Idaho sakrifikoi vetullat e tij për të thyer rekordin botëror Guinness, për numrin më të madh të kapjeve të njëpasnjëshme me pishtarë flakë në një biçikletë me një rrotë.
David Rush, i cili tashmë mbante disa tituj të Rekordeve Botërore Guinness si për çiklizëm me një rrotë ashtu edhe për zhonglim, tha se ishte "plot me vetëbesim të pafituar" kur vendosi të merrte përsipër rekordin e mëparshëm prej 37 kapjesh, transmeton Telegrafi.
"Askush nuk e vendos rrezikun e vërtetë në librat zyrtarë të rregullave", shkroi Rush në internet.
"Në momentin që pedalon një biçikletë me një rrotë përpara ndërsa zhonglon me pishtarë, vrulli përpara krijon një rrymë që i fryn flakët drejt e në fytyrën tënde", shtoi ai.
Rush tha se shpejt i dogji vetullat dhe qimet në pjesën e pasme të duarve gjatë përpjekjes së tij të parë për të zhongluar me pishtarë në biçikletën e tij me një rrotë.
Ai vendosi të kalonte pak kohë duke u ushtruar me pishtarë të pa ndezur dhe të caktonte përpjekjen e tij zyrtare për Halloweenin e vitit 2025.
"Vendosa kamerat, i zhyta fitilat, i ndeza, u ngjita në biçikletën me një rrotë dhe menjëherë i hodha të gjitha pishtarët në beton. I mora, i pastrova nga pluhuri, u ktheva në shalë dhe i hodha përsëri. Dështimi ndodhi në më pak se tre sekonda. Por unë them gjatë gjithë kohës, dështimi nuk të përcakton, mënyra se si reagon ndaj tij po", tha Rush.
Ai më në fund e gjeti veten në përpjekjen e tij të tretë, duke arritur 175 kapje, duke e katërfishuar rekordin e mëparshëm.
Videoja nga përpjekja e Rush u shqyrtua nga Guinness World Records dhe tani ai është mbajtësi zyrtar i titullit. /Telegrafi/
Genesis vazhdon të rritet më shumë se një dekadë pas krijimit të saj, dhe marka ka ambicie të mëdha për të ardhmen e saj.
Një pjesë e kësaj është nën-marka e saj e re Magma që u lançua më shumë se dy vjet më parë, e cila mund të jetë fillimi i përpjekjeve të Genesis për performancë të lartë.
Në një intervistë me CarSales të Australisë, Justin Douglass, kreu i Genesis Motors Australia (GMA), tha se marka "është gjithmonë në zhvillim dhe rritje" dhe se "mundësitë janë të pafundme" kur u pyet për Magma që një ditë mund të konkurrojë me modelet Black Series të AMG.
Tim Rodgers, menaxheri i zhvillimit të produkteve të GMA, i tha botimit: "Pse jo, kjo është përgjigjja, apo jo", transmeton Telegrafi.
Rodgers nuk dha asnjë konfirmim konkret në lidhje me planet e markës, duke shtuar se ai ishte "thjesht duke spekuluar".
Magma është ende e re, me vetëm një model të disponueshëm në Shtetet e Bashkuara, GV60 Magma EV. Janë planifikuar më shumë, me Genesis të vendosur për të zgjeruar nën-markën e re.
Nëntorin e kaluar, Genesis zbuloi Magma GT Concept, një makinë halo me motor të vendosur në mes që "përcakton drejtimin e trashëgimisë së performancës së markës" për 10 vitet e ardhshme.
Pastaj, në prill, Genesis njoftoi planet për të lançuar 22 modele deri në fund të vitit 2030, me sisteme fuqie, konfigurime dhe derivate të reja.
Një tjetër automjet i ri i mundshëm mund të jetë një kamionçinë, tani një mundësi falë Hyundai.
Prodhuesi i automjeteve po shqyrton gjithashtu një automjet elektrik më të vogël që ndjek formën e Hyundai Ioniq 3.
Ne presim që një nga këto modele të ardhshme të jetë një version prodhimi i Magma GT Concept, por pjesa tjetër është një mister.
Genesis ka krijuar disa automjete konceptuale mahnitëse, si X Gran Equator, që mund të kenë konfigurime të dedikuara Magma ose edhe konfigurime më të larta.
Një version Magma i atij G90 Wingback do të ishte gjithashtu i mrekullueshëm. /Telegrafi/
Një raport i ri pohon se Apple do të zbulojë syzet e saj të para inteligjente në qershor 2027, me një lançim komercial që pritet më vonë gjatë vitit.
Raporti gjithashtu sugjeron se kompania po përgatitet të prezantojë orët e saj më të fundit inteligjente në vitin 2026, transmeton Telegrafi.
Në botimin e fundit të buletinit të tij Power On, Mark Gurman pohon se Apple planifikon të zbulojë syzet e saj inteligjente të përfolura prej kohësh në WWDC 2027, duke u dhënë zhvilluesve kohë për të ndërtuar aplikacione përpara lançimit komercial të produktit.
Syzet inteligjente të Apple, me emrin e koduar N50, fillimisht ishin planifikuar të debutonin këtë vit.
Megjithatë, kompania thuhet se e shtyu lançimin për shkak të shqetësimeve në rritje për privatësinë rreth syzeve inteligjente, duke i dhënë asaj më shumë kohë për t'i adresuar këto çështje dhe për ta rafinuar më tej produktin.
Gurman gjithashtu thotë se Apple po përgatitet të zbulojë Watch Series 12 dhe Watch Ultra 4 më vonë këtë vit.
Tre modele të reja të orëve inteligjente thuhet se janë në fazat e fundit të testimit, duke përfshirë variantet vetëm me Wi-Fi dhe LTE të Watch Series 12, me emrat e koduar N237 dhe N238, përkatësisht, si dhe Watch Ultra 4, e cila mban emrin e koduar N240.
Orët inteligjente të ardhshme nuk pritet të sjellin ndryshime të mëdha në dizajn, por ato pritet të kenë një çipset të ri së bashku me aftësi të përmirësuara të ndjekjes së shëndetit dhe fitnesit.
Gurman shton se një Watch SE i ri nuk ka gjasa të mbërrijë në vitin 2026, pasi Apple lançoi Watch SE 3 vitin e kaluar. /Telegrafi/