Shkëndija gjendet në bilancin e fundit të UEFA-s, paguan gjobë për përdorim të piroteknikës, njofton Telegrafi.
Ekipi i Shkëndijës është përfshirë në bilancin më të fundit të UEFA-s, ku janë shënuar klubet që kanë marrë sanksione në kupat evropiane dhe në ndeshjet kualifikuese në të gjitha garat nën ombrellën e “shtëpisë evropiane të futbollit”.
Për shkak të tifozëve të saj, ekipi nga Tetova do të paguajë një gjobë prej 1.500 eurosh në arkën e UEFA-s. Arsyetimi është përdorimi i piroteknikës në sektorin e mysafirëve. Po ashtu, një gjobë për piroteknikë kanë marrë edhe tifozët e Dritës, dhe klubi do të duhet të paguajë 3.750 euro.
Ndeshja mes Dritës dhe Shkëndijës përfundoi me rezultat 1-0 për ekipin vendas. Më parë, UEFA kishte gjobitur Shkëndijën me 20.000 euro, po ashtu për shkak të përdorimit të piroteknikës dhe mesazheve politike gjatë ndeshjes në Shkup. /Telegrafi/
Enzo Maresca nuk është më trajner i Chelseat. Bordi i klubit londinez është ndarë nga trajneri italian, më pak se dy vjet pasi ai kishte nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.
Vendimi ka ardhur pas një serie prej tri ndeshjesh pa fitore, si dhe për shkak të një marrëdhënieje të tensionuar mes Marescës dhe menaxhmentit të klubit, raportojnë mediat britanike.
Sipas burimeve angleze dhe ndërkombëtare, favoriti kryesor për ta pasuar Marescën është Liam Rosenior, trajneri 41-vjeçar anglez që aktualisht drejton Strasburgun. Dy klubet kanë të njëjtët pronarë, çka e bën një lëvizje të mundshme më të lehtë për t’u realizuar.
I pari në Ligën e Konferencës
Rosenior mori drejtimin e Strasburgut në fillim të sezonit të kaluar dhe e udhëhoqi ekipin drejt vendit të shtatë në Ligue 1 – pozitë që klubi e mban edhe pas 16 xhirove të sezonit aktual.
Në Ligën e Konferencës, Strasburgu shkëlqeu duke e përfunduar fazën e ligës në vendin e parë, me 16 pikë nga maksimumi i mundshëm prej 18.
Karrierën si trajner, Rosenior e nisi në vitin 2022 si trajner i përkohshëm i Derby County, ku drejtoi ekipin për 12 ndeshje. Më pas, nga nëntori 2022 deri në maj 2024, ai ishte në krye të Hull City.
Si futbollist, Rosenior ka mbi 15 vjet përvojë në Ligën Premier dhe Championship, duke luajtur për Fulham, Reading, Ipswich, Hull City dhe Brighton. /Telegrafi/
Drita ka përfunduar fazën e grupeve të Ligës së Konferencës me 8 pikë, pas 2 fitoreve, 2 barazimeve dhe 2 humbjeve, duke e mbyllur në vendin e 20-të dhe duke siguruar play-offin.
Fitoret erdhën ndaj Shelburne dhe Shkëndijës, barazimet me KuPS dhe Omaninë, ndërsa humbjet ndaj AZ Alkmaar dhe Rayo Vallecano.
Me këtë performancë, ekipi nga Gjilani ka siguruar kalimin në fazën e play-off-it, duke u renditur në pozitën e 20-të në renditjen e përgjithshme të ekipeve që nuk u kualifikuan direkt për 1/8 e finales. Kjo shënon një arritje historike për futbollin kosovar.
Klubi gjilanas zhvilloi të enjten ndeshjen e fundit të fazës së ligës, duke u mposhtur me rezultat 3-0 nga Rayo Vallecano.
Me përfundimin e të gjitha ndeshjeve, tashmë është e ditur se kundërshtarët e mundshëm të Dritës në play-off do të jenë Celje nga Sllovenia ose AZ Alkmaar nga Holanda.
Ndeshjet e play-off-it të Ligës së Konferencës do të luhen më datat 19 dhe 26 shkurt, ndërsa shorti do të hidhet më 31 janar.
Përfitimet financiare
Nga pjesëmarrja në garë, Drita ka përfituar shpërblime të ndryshme: për dy fitoret e saj në grup, klubi ka marrë 800.000 euro, ndërsa për dy barazimet ka siguruar 266.000 euro. Përveç këtyre, ka marrë edhe 80.120 euro shpërblime nga barazimet e tjera.
Pjesëmarrja në play-off i sjell Dritës 700.000 euro të tjera, ndërsa për pjesëmarrjen në grup klubi përfiton 3.170.000 euro dhe për bonusin kryesor të fazës së grupeve shtohen edhe 476.000 euro.
Totali i këtyre përfitimeve është 5.492.120 €, pa përfshirë market pool dhe shpërblimet e tjera shtesë, që e çojnë shumën e përgjithshme mbi 6 milionë euro.
Kjo është një arritje e madhe për Dritën, që jo vetëm siguron progres në Evropë, por edhe një bazë të fortë financiare për të ardhmen e klubit.
Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, në konferencën për shtyp pas ndeshjes, ka deklaruar se do të preferonte që ekipi të përballej me Celjen të Sllovenisë, duke tentuar të evitonte AZ Alkmaar.
"AZ Alkmaar e njohim, preferoj Celjen si kundërshtar në play-off", tha ai, duke kujtuar se këto dy skuadra u ndeshën në fazën e ligës, me holandezët që fituan në Prishtinë me 3-0.
Zekirija Ramadani prononcohet pas ndeshjes, ja cilin kundërshtar preferon ai në ‘play-off’ telegrafi.com
Shorti për fazën play-off do të hidhet më 31 janar, dhe ndeshjet do të luhen më 19 dhe 26 shkurt. /Telegrafi/
Shkëndija ka shkruar histori duke u renditur në vendin e 22-të në fazën e ligës së UEFA LigëneKonferencës, një pozicion që i siguron kampionit të Maqedonisë së Veriut një kualifikim historik në fazën nokaut të kësaj gare evropiane, njofton Telegrafi.
Tashmë vëmendja është kthyer nga shorti i fazës së radhës dhe, sipas rregullave të UEFA-s, tetovarët kanë dy kundërshtarë të mundshëm për këtë raund.
Goli i shënuar në kohën shtesë nga AEK-u në fitoren ndaj Krajovës rezultoi vendimtar për renditjen finale, duke e ngjitur Shkëndijën në vendin e 22-të. Kjo pozitë i lejoi kuqezinjtë të shmangin një përballje shumë të vështirë me ekipin e Premier League, Crystal Palace.
Skuadrat e renditura në vendet 22 dhe 23, Shkëndija dhe KuPS-i finlandez, në fazën e ardhshme do të përballen me Samsunspor-in nga Turqia ose Lech Poznan-in nga Polonia. Shorti do të përcaktojë nëse kampioni ynë do të udhëtojë drejt Turqisë apo Polonisë në vazhdimin e kësaj aventure evropiane.
Në rast se Shkëndija arrin ta kalojë këtë pengesë të parë, atëherë sipas “skemës” së UEFA-s, në raundin pasues e pret një tjetër sfidë e madhe, përballë njërës nga këto dy skuadra: Rayo Vallecano ose Shakhtar Donetsk.
Një rrugëtim evropian që tashmë ka hyrë në histori, por që për Shkëndijën duket se ende nuk ka përfunduar. /Telegrafi/
Drita ka pësuar humbje në udhëtim te Rayo Vallecano, sfida e fundit e vlefshme për fazën e ligës të Ligës së Konferencës.
“Intelektualët” nuk arritën t’i bëjnë ballë gjigantit spanjoll, për të pësuar humbje me rezultat 3-0, megjithatë arritën ta siguronin kualifikimin në play-offin e Ligës së Konferencës.
“SofaScore” si zakonisht ka publikuar notat e lojtarëve, ku këtë herë Jorgo Pëllumbi ishte më i vlerësuari, me notën 6.9. Behluli ndërkohë nuk ishte në lojën më të mirë, për t’u vlerësuar vetëm me 5.1.
Në anën tjetër, Lejeune që shënoi dhe asistoi u shpall lojtari i ndeshjes me notën 9.8.
Edhe pse u mposht minimalisht në transfertë nga AEK Larnaca me rezultat 1-0, kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, ka arritur një sukses historik duke siguruar kualifikimin në “play-off”-in e UEFA Ligën e Konferencës, njofton Telegrafi.
Falë rezultateve të favorshme në ndeshjet e tjera, tetovarët “kapën trenin e fundit” dhe u renditën mes skuadrave që do të vazhdojnë garat evropiane, duke siguruar një pranverë europiane të artë.
Takimi nisi me një Shkëndijë më konkrete dhe më të guximshme. Qysh në minutën e 4-të, Ronaldo Webster depërtoi në zonë, dribloi dy kundërshtarë dhe gjuajti diagonalisht, por portieri Alomeroviç reagoi mirë duke e devijuar topin në këndore. AEK Larnaca ishte thuajse i pafuqishëm në fazën ofensive, ndërsa mbrojtja e Shkëndijës funksionoi në mënyrë perfekte. Në 30 minutat e para, vendasit regjistruan vetëm një rast serioz, një goditje me kokë që përfundoi mbi traversë.
Në vazhdimin e pjesës së parë, të shtyrë nga publiku vendas, qipriotët rritën presionin dhe provuan disa herë portën, por pa sukses, pasi çdo gjuajtje u bllokua nga mbrojtësit kuqezi. Para pushimit, pas një aksioni të rrëmujshëm pas një ndërprerjeje, topi përfundoi te koka e serbit Ivanoviç, i cili shënoi, por goli u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.
Pjesa e dytë nisi keq për Shkëndijën, që mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Liridon Latifit për ndërhyrje të ashpër. Trajneri Jeton Beqiri reagoi menjëherë me ndryshime, duke hedhur në fushë Alhassan dhe Tamba për të ruajtur freskinë dhe shpejtësinë, ndërsa më pas aktivizoi edhe Mazarin. AEK vazhdoi presionin dhe arriti golin në minutën e 83-të, kur pas një këndoreje të Ledes Gustavo, Angielski shënoi me kokë për 1-0.
Deri në fund të ndeshjes, vendasit ushtruan presion të vazhdueshëm para portës së kampionit maqedonas, por rezultati nuk ndryshoi. Humbja minimale nuk e zbehu suksesin e madh të Shkëndijës, e cila mbylli fazën në pozitat që çojnë drejt sfidave të reja europiane, duke konfirmuar se ky ekip ka shkruar tashmë një faqe të rëndësishme historie në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/
Drita pavarësisht paraqitjes pozitive, e ka mbyllur në disavantazh pjesën e parë ndaj Rayo Vallecanos.
Skuadra spanjolle e ka dominuar lojën në përgjithësi, me epilogun që rezultoi të jetë 1:0 pas 45 minutave lojë.
Supergoli i Florian Lejeune e bëri dallimin në këtë pjesë, ku ky i fundit e lëshoi një “raketë” nga distanca për ta lënë të shtangur tërë ekipin gjilanas.
Drita në përgjithësi u mbrojt për mrekulli duke krijuar disa kundërsulme, por larg finalizimit.
Mbetet të shihet në pjesën e dytë nëse Drita do të arrijë të shkaktojë ndonjë befasi, për ta fituar së paku një pikë të skuadra e madhe spanjolle./Telegrafi/
Shkëndija sonte del përballë një sfide të madhe evropiane, por me besim të plotë në forcat e veta. Kuqezinjtë nga Tetova janë mysafirë të AEK Larnaca-s në Qipro, në një duel që nis në ora 21:00 dhe që mbart peshë të veçantë për ambiciet e ekipit shqiptar në arenën ndërkombëtare, njofton Telegrafi.
Pas paraqitjeve pozitive dhe rritjes së dukshme në lojë, Shkëndija ndaj qipriotëve luan me synimin e qartë për të nxjerrë rezultat pozitiv dhe për ta dëshmuar edhe një herë karakterin e saj konkurrues. Ekipi tetovar është i motivuar maksimalisht, i përgatitur taktikisht dhe i vetëdijshëm se një paraqitje e fortë sonte mund të jetë vendimtare për vazhdimësinë e rrugëtimit evropian.
Trajneri Jeton Beqiri për këtë ndeshje ka vendosur të luajë në portë me Gaye, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Trumçi, Fetai, Cake dhe Webster.
Në mesfushë luajnë, Zejnullai, Ramadani dhe Qaka.
Sulmi nuk ka pësuar ndryshime dhe përbëhet nga kapiteni Besart Ibraimi, i cili do të ndihmohet nga shokët e krahut, Liridon Latifi dhe Sebastjan Spahiu.
Në anën tjetër, te AEK Larnaca trajneri Imanol Idiakez në sulm ka zgjedhur të luajë në sulm me boshnjakun Bajiç.
Skuadra gjilanase, Drita, do të përballet sot (e enjte) në Madrid për një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni evropian, ku do të përballet me Rayo Vallecanon në kuadër të xhiros së fundit të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Ndeshja do të luhet në Madrid në stadiumin "Campo de Futbol de Vallecas", në ora 21:00.
Drita aktualisht renditet në pozitën e 19-të me tetë pikë dhe mban ende gjallë shpresat për avancim, ndërsa Vallecano është e shtata me 10 pikë.
Diferenca e vogël e pikëve e bën këtë përballje vendimtare për fatin e të dyja skuadrave në garën evropiane.
Skuadra nga Gjilani ka zhvilluar një edicion dinjitoz në Ligën e Konferencës, duke treguar organizim të mirë taktik dhe karakter në ndeshjet ndërkombëtare.
Drita ka arritur rezultate pozitive ndaj kundërshtarëve të fortë dhe ka dëshmuar se është një përfaqësuese e denjë e futbollit kosovar në Evropë.
Në anën tjetër, Vallecano vjen në këtë ndeshje pas barazimit 0:0 në shtëpi ndaj Real Betisit në La Liga, në ndeshjen e zhvilluar të hënën mbrëma.
Madrilenët aktualisht renditen në vendin e 13-të në kampionatin spanjoll me 18 pikë.
Drita synon të shfrytëzojë çdo mundësi për rezultat pozitiv në Spanjë, duke qenë e vetëdijshme se një paraqitje e fortë mund t’i hapë rrugë një suksesi historik në arenën ndërkombëtare.
Për klubin gjilanas, kjo ndeshje nuk është vetëm një sfidë sportive, por edhe një mundësi për të konfirmuar rritjen dhe stabilitetin e futbollit kosovar në skenën evropiane. /Telegrafi/
Para ndeshjes së xhiros së gjashtë të Ligës së Konferencës kundër Rayo Vallecanos, FC Drita ka mbajtur konferencë për media në Madrid.
Në konferencë folën kryetrajneri Zekirija Ramadani dhe mbrojtësi Besnik Krasniqi, të cilët theksuan se skuadra gjilanase ka ardhur për të dhënë maksimumin, pavarësisht forcës së kundërshtarit.
Trajneri Ramadani vlerësoi lart ekipin spanjoll, por theksoi motivimin e jashtëzakonshëm të Dritës.
“Kam parë ndeshjet e Rayo Vallecanos kundër Real Madridit dhe Barcelonës. Është një ekip shumë i motivuar dhe luftarak, por nuk mund ta kenë motivin si ne. Përballë kemi një skuadër me traditë që luan në La Liga dhe kjo na bën super të motivuar”, u shpreh Ramadani.
Ai shtoi se përvoja e ndeshjeve të shpeshta e ka forcuar skuadrën si në aspektin psikik, ashtu edhe fizik.
“Është hera e parë për mua si trajner dhe për klubin që marrim pjesë në fazën e ligës. Ky rezultat nuk është i rastësishëm. Kemi ardhur për të bërë maksimumin. Nuk mund të them se kemi ardhur për ta fituar patjetër Rayo Vallecanon, por për 90 minuta do të jemi të fokusuar në lojën tonë dhe edhe një barazim do të ishte rezultat i kënaqshëm”, deklaroi ai.
Nga ana tjetër, Besnik Krasniqi theksoi se Rayo Vallecano konsiderohet favorit, por gjithçka vendoset në fushë.
“Është një ekip favorit, por ka shumë skuadra të forta. Do të shohim deri në fund, sepse ndeshja luhet nesër dhe nuk dua t’u jap shumë avantazh”, ka thënë Krasniqi.
Ai bëri të ditur edhe mungesat në skuadër, duke konfirmuar se për shkak të dëmtimeve mungojnë Rron Broja, Vesel Limaj dhe Faton Maloku, ndërsa pjesa tjetër e ekipit është e gatshme për ndeshjen.
Ndeshja Rayo Vallecano – FC Drita zhvillohet të enjten nga ora 21:00, në stadiumin Estadio de Vallecas në Madrid. Konferencën e plotë për media mund ta gjeni në profilin zyrtar të klubit. /Telegrafi/
Rreth 300 pjesëtarë të sigurisë do të angazhohen për mbarëvajtjen e ndeshjes mes Rayo Vallecanos dhe Dritës së Gjilanit, që zhvillohet të enjten mbrëma në Madrid, në kuadër të xhiros së gjashtë të Ligës së Konferencës.
Autoritetet spanjolle kanë bërë të ditur se operacioni i sigurisë do të përfshijë edhe monitorimin e zonave përreth stadiumit “Campo de Fútbol de Vallecas”, ndërsa do të angazhohen njësi të ndryshme të rendit dhe sigurisë.
Drita pritet të ketë përkrahje nga një grup tifozësh në kryeqytetin spanjoll. Pas udhëtimeve në Finlandë dhe Irlandë, kampionia e Kosovës ka mbërritur në Madrid për ta zhvilluar ndeshjen e fundit të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Për shkak të nivelit të ligës dhe përvojës, Rayo Vallecano konsiderohet favorite ndaj skuadrës nga Gjilani. Ekipi spanjoll aktualisht është i shtati në fazën e ligës me 10 pikë dhe synon fitore për të siguruar avancimin direkt në një të tetën e finales.
Në La Liga, Rayo renditet në vendin e 13-të me 18 pikë, ndërsa së fundi barazoi pa gola me Real Betisin.
Te Rayo Vallecano aktivizohet edhe mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë, Ivan Balliu, i cili këtë sezon ka shtatë paraqitje në kampionat.
Rayo Vallecano
Drita, nga ana tjetër, renditet e 19-ta në fazën e ligës me 8 pikë dhe është në pozitë solide për të avancuar në fazën nokaut.
Skuadra gjilanase ka arritur për herë të parë në këtë fazë të garave evropiane, duke regjistruar dy fitore, dy barazime dhe një humbje.
Pas barazimeve me KuPS-in dhe Omonian, fitoreve ndaj Shelbourne dhe Shkëndijës, Drita u mposht 3-0 nga AZ Alkmaari në xhiron e kaluar, por mbetet në garë për kualifikim.
FC Drita
Pas përfundimit të fazës së ligës, tetë skuadrat e para avancojnë direkt në një të tetën e finales, ndërsa ekipet nga vendi i nëntë deri në të 24-të shkojnë në play-off të fazës nokaut.
Takimi luhet të enjten nga ora 21:00, në stadiumin “Vallecas”, i cili ka kapacitet prej 14.708 ulësesh. /Telegrafi/
Futbollistët e Shkëndijës i pret ndeshja e fundit në fazën e grupeve të UEFA Ligës së Konferencës, ku në kuadër të xhiros së gjashtë do të jenë mysafirë të AEK Larnaca në Qipro. Kuqezinjtë vazhdojnë të jenë në garë për një vend në play-off, ndaj synimi kryesor në stadiumin “AEK Arena” do të jetë marrja e të paktën një pikë, por pse jo edhe e tre pikëve të plota, njofton Telegrafi.
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) tashmë ka deleguar zyrtarët e ndeshjeve për këtë xhiro të garave evropiane. Për duelin në Larnaca janë përzgjedhur gjyqtarë nga Lituania.
Arbitër kryesor i takimit do të jetë Manfredas Lukjançukas, ndërsa ndihmës të tij në vijat anësore do të jenë Mirauskas dhe Steponavas. Gjyqtar i katërt është Paulauskas, ndërsa në dhomën VAR përgjegjësi kryesor do të jetë Simenas. Delegat i ndeshjes nga UEFA është Allojzije Shupraha nga Kroacia. /Telegrafi/
Shkëndija e Tetovës ndodhet përballë një prej sfidave më të rëndësishme të sezonit evropian. Të enjten, kuqezinjtë janë mysafirë të AEK Larnaca në Qipro, në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të UEFA Ligës së Konferencës, duel që mund të përcaktojë vazhdimësinë e ekipit tetovar në arenën ndërkombëtare edhe gjatë pranverës, njofton Telegrafi.
Në prag të kësaj përballjeje vendimtare, optimizëm shpreh edhe Sebastjan Spahiu, i cili po rikthehet gradualisht në formën e tij më të mirë. “Ndjehem shumë mirë, jo vetëm për golin ndaj Slovan Bratislavës, por kam filluar të ndjehem mirë e më mirë, pasi e dinë të gjithë se nuk kam qenë në fazë përgatitore dhe tani e kam marrë veten mirë”, u shpreh mesfushori kuqezi.
Spahiu, i cili gjatë verës kishte disa alternativa për të vazhduar karrierën në kampionate të tjera, zgjodhi Shkëndijën për shkak të projektit dhe ambicieve të klubit, si në garat vendore ashtu edhe në debutimin historik në fazën kryesore të UEFA Ligës së Konferencës. “Këto janë ndeshje që duhen shijuar. Për këtë kam ardhur në fazën kryesore të Ligës së Konferencës, por edhe për grupin. I falënderoj të gjithë çunat për mënyrën si më kanë pritur. Po ndjehem shumë mirë këtu”, tha 26-vjeçari nga Shkodra.
Ai mbetet optimist edhe për vazhdimin e sezonit, duke theksuar se Shkëndija synon rikthimin në garën për titull në pranverë, por pa e lënë pas dore objektivin evropian. “Sigurisht që besojmë se do ta përmbysim situatën në kampionat. Në Shkup është shumë e vështirë të na mundin në Ligën e Konferencës dhe si ekip ndjehemi shumë mirë”, përfundoi Spahiu.
Skuadra qipriote hyn në këtë përballje si favorite absolute, duke qenë se ende nuk ka pësuar asnjë humbje, ndërsa Shkëndija kërkon rezultat pozitiv ose, në rastin më të keq, të mbajë gjallë shpresat përmes skenarëve të tjerë. Edhe një humbje në Qipro nuk do ta përjashtonte automatikisht ekipin e Jeton Beqirit nga gara, pasi ekzistojnë disa kombinime që mund ta çojnë Shkëndijën në play-off.
Në rast disfate ndaj AEK-ut, kuqezinjtë do të kenë nevojë që Crystal Palace të mposhtë KuPS-in, Zrinjski të mos fitojë ndaj Rapidit, ndërsa Breidablik të mos triumfojë në fushën e liderit Strasbourg. Nëse këto rezultate përputhen, Shkëndija do ta siguronte vazhdimin e rrugëtimit evropian edhe pas fazës së grupeve. Në të kundërtën, shpresat do të zhvendosen te dështimet eventuale të Sigma Olomouc, Universitatea Craiova dhe Lincoln, skuadra që aktualisht ndodhen në pozitat 22, 23 dhe 24, po ashtu me nga 7 pikë.
Xhiroja e fundit e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës do të zhvillohet më 18 dhjetor, datë që mund të përcaktojë fatin evropian të Shkëndijës për këtë sezon. /Telegrafi/
Edhe pse para duelit me Slovan Bratislavën Shkëndija konsiderohej autsajdere, gjithçka u përmbys në fushën e lojës. Kuqezinjtë nga Tetova zhvilluan një paraqitje mbresëlënëse dhe dominuese, duke treguar karakter, disiplinë dhe lojë cilësore, që në fund u shpërblye me një fitore të merituar 2-0 dhe ringritje të madhe në garën për pranverën evropiane, njofton Telegrafi.
Futbollistët e Shkëndijës nuk lejuan një tjetër zhgënjim si ai i dy javëve më parë. Me këtë fitore kuqezinjtë u ngjitën në zonën që siguron pranverën evropiane në UEFA Ligën e Konferencës.
Tetovarët, para xhiros së fundit të fazës së grupeve, renditen në pozitën e 21-të me 7 pikë dhe janë shumë pranë plasmanit në play-off (pozitat 9–24). Për të shmangur çdo lloj dështimi, Shkëndijës i nevojitet patjetër fitore në ndeshjen e fundit në udhëtim ndaj AEK Larnakës, ekip që deri tani nuk ka pësuar humbje. Megjithatë, ekziston mundësia e kualifikimit edhe në rast disfate.
Nëse kampioni i Maqedonisë së Veriut humb në Qipro, për të kaluar në play-off do të duhen disa “kalkulime”: Crystal Palace duhet të mposhtë KuPS-in, Zrinjski të mos fitojë ndaj Rapidit, ndërsa Breidablik të mos triumfojë në fushën e liderit Strasbourg.
Nëse këto skenarë realizohen, Shkëndijën do ta shohim edhe në pranverë në arenën ndërkombëtare. Por nëse “plani” nuk shkon si duhet, kuqezinjtë do të shpresojnë në gabimet e Sigma Olomouc, Universitatea Craiova dhe Lincolnit, që ndodhen në pozitat 22, 23 dhe 24 – gjithashtu me nga 7 pikë.
Xhiroja e fundit e fazës së grupeve të Ligës së Konferencës do të zhvillohet me 18 dhjetor. /Telegrafi/
Superkompjuteri i Football Meets Data ka publikuar përditësimet e reja sa i përket ekipeve që pritet të kalojnë në fazën tjetër të Ligës së Konferencës, ku ekipet shqiptare si Drita e Gjilanit dhe Shkëndija e Tetovës kanë siguruar thuajse kualifikimin.
Drita e Gjilanit u mposht me rezultat 0-3 nga AZ Alkmaar në ‘Fadil Vokrri’ të enjten mbrëma, ndërsa Shkëndija fitoi në shtëpi ndaj Slovan Bratislava me rezultat 2-0.
Megjithatë, Drita mbeti fazës ‘play-off’ në vendin e 19-të me tetë pikë, teksa Shkëndija e 21-ta me 7 pikë.
Kështu, sipas superkompjuterit të Football Meets Data, 27 ekipe janë ende në garë për 24 vende në fazën eliminatore të Ligës së Konferencës, ku 23 ekipe kanë mbi 95% për t'ia dalë mbanë.
Sipas superkompjuterit, Drita ka gjasa prej 99.96% për të siguruar një vend në 24-she që e dërgon në fazën play-off, teksa Shkëndija ka shanse prej 95%.
Në thelb, gjithçka varet nga Zrinjski kundër Lincolnit për vendin e fundit, ndërsa KuPS dhe Breidablik kanë ndeshje jashtë fushe, përkatësisht në Crystal Palace dhe Strasburg, duke bërë një kualifikim të tyre shumë të vështirë.
Në ndeshjen e fundit, Drita luan në udhëtim te Rayo Vallecano, teksa Shkëndija udhëton te AEK Larcnaca. /Telegrafi/
Pas humbjes 0-3 ndaj AZ Alkmaar në Ligën e Konferencës, trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka pranuar se mysafirët e merituan fitoren.
Megjithatë, ai ka theksuar se skuadra e tij do të përpiqet të arrijë një rezultat pozitiv në ndeshjen e fundit ndaj Rayo Vallecanos.
“E dinim se kemi përballë skuadër mjaft e efikase. U munduam t’i ndërpresim aksionet e rrjedhshme. Ishte ndoshta kundërshtari më i vështirë në garat evropiane".
"Jam i kënaqur me paraqitjen dhe angazhimin e lojtarëve dhe kjo na jep shpresë të vazhdojmë para. Siç ishte ky kundërshtar, ndoshta Vallecano është edhe më i fortë. Kemi edhe një javë kohë për t’u përgatitur".
"Nuk e kemi komplet ekipin, secili ndjen dhimbje, por janë tre javët e fundit . do të bëjmë të pamundur të kthehemi të pamposhtur”, ka thënë Ramadani.
Drita pas kësaj humbje bie në vendin e 15-të me 8 pikë. /Telegrafi/
Pas një fitoreje historike që ndezi shpresat e tifozëve, Shkëndija vazhdon rrugëtimin e saj në UEFA Ligën e Konferencës me një paraqitje të jashtëzakonshme në Shkup, njofton Telegrafi.
Pas triumfit të madh ndaj Slovan Bratislavës me rezultat 2:0, në konferencën për shtyp ka folur trajneri Jeton Beqiri, i cili ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe ka dhënë pritshmëritë për kualifikimin në raundin tjetër të garës.
“Ishte një paraqitje shumë e mirë e skuadrës sonë. Futbollistët punuan me shumë seriozitet dhe ndoqën çdo detyrë që kishim planifikuar para ndeshjes, pasi kishim bërë analizë të stilit të lojës së Slovanit. Jam i kënaqur me lojën dhe fitoren, por do të kisha dashur të shënonim edhe më shumë gola, pasi krijuam raste të pastra,” tha Beqiri.
Trajneri gjithashtu theksoi se ëndrra evropiane nuk është siguruar ende: “Ne ende nuk kemi siguruar pranverën evropiane, pasi na pret edhe një ndeshje dhe gjithçka varet nga rezultatet e tjera. Por kam shpresë dhe besoj se skuadra do të japë maksimumin edhe në ndeshjen e fundit.”
Ndeshja e fundit e fazës së grupeve do të luhet të enjten e ardhshme, më 19 dhjetor, kur Shkëndija udhëton në Qipro për t’u përballur me AEK Larnakën, e cila mban pozicionin e tretë në grup.
Fitorja ndaj Slovan Bratislavës jo vetëm që ngjiti Shkëndijën në zonën e play-off-it, por gjithashtu forcoi pozitat e klubit në UEFA dhe i sjell 400 mijë euro bonus. /Terlegrafi/
Pas humbjes 0-3 nga AZ Alkmaar në Ligën e Konferencës, mbrojtësi i Dritës, Besnik Krasniqi, ka dhënë një mesazh optimizmi për skuadrën.
Ai theksoi se kjo humbje nuk duhet të vlerësohet si dëshpëruese dhe se Drita duhet të përqendrohet në ndeshjen e fundit ndaj Rayo Vallecanos për të përfunduar me një rezultat pozitiv.
“E kemi ditur se kemi kundërshtar mjaft të fortë. Jemi përgatitur shumë, por goli i parë na penalizoi. U munduam të shënojnë. Kjo humbje nuk duhet të na dëshpërojë, është e para në Ligë ne Konferencës dhe duhet të vazhdojmë tutje”.
“Duhet të shohim analizë ne ndeshjes të shohim gabimet dhe ato të mos i përsëritim në Spanjë”.
“Duhet të jemi kompakt dhe të mos lejojnë të krijojnë shumë raste. Duhet të jemi të vëmendshëm”, ka thënë Krasniqi.
Drita pas kësaj humbje bie në vendin e 15-të me 8 pikë. /Telegrafi/
Sparta Praga ka shënuar fitore me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj ekipit rumun Universitatea Craiova në kuadër të fazës së ligës në Ligën e Konferencës.
Një ndër më meritorët pse gjiganti çek mori pikët e plotë në këtë sfidë, ishte sulmuesi kosovar Albion Rrahmani.
Pas kritikave të shumta që kishte marrë shkaku i mungesës së golave, Rrahmani me golin e sotëm tani ka tre gola në tri ndeshjet e fundit, duke konfirmuar ringritjen në formë.
Për shkak të golit dhe paraqitjes së tij, Rrahmani u dallua si një ndër lojtarët më të mirë në fushë duke marrë notën 7.7 nga Sofascore.
Rrahmani fitoi gjithsej tri duele në këtë ndeshje, gjashtë pasime të sakta si dhe një driblim të kompletuar.
Ndeshjen e radhës Sparta Praga do ta luajë ndaj Liberec në kuadër të javës së 19-të në elitën e futbollit çek, ku Rrahmani do të ketë mundësinë të shtojë numrin e golave./Telegrafi/