18:57 “Mallkimi i Drake” godet sërish: reperi humbet 1 milion dollarë në Super Bowl
Drake duket se nuk po gjen kurrë fat kur bëhet fjalë për bastet sportive. Pak ditë përpara Super Bowl 2026, reperi i njohur zbuloi në Instagram se kishte vendosur një bast marramendës prej 1 milion dollarësh për fitoren e New England Patriots. Por rezultati i ndeshjes i shoi shpresat e tij, pasi Seattle Seahawks triumfuan bindshëm me shifrat 29–13.
Në postimin e publikuar më 7 shkurt, Drake kishte sfiduar ndjekësit me fjalët: “Vini bast kundër meje nëse guxoni”, duke zbuluar gjithashtu se në rast fitoreje do të arkëtonte afro 2.95 milionë dollarë. Megjithatë, parashikimi i tij rezultoi sërish i gabuar.
Menjëherë pas humbjes, rrjetet sociale u mbushën me komente ironike nga fansat. “Vëlla, e humbe që para se të fillonte ndeshja,” shkroi një ndjekës, ndërsa një tjetër shtoi: “Drake, je legjendë në muzikë, por në baste sportive je i mallkuar. Çdo ekip që mbështet, humbet.”
Kjo ka ringjallur edhe një herë të ashtuquajturën “Teoria e Mallkimit të Drake”, sipas së cilës çdo ekip apo sportist që merr mbështetjen e reperit përfundon i humbur. Ky “mallkim” është përforcuar ndër vite nga një sërë humbjesh publike të Drake në baste të mëdha.
Mes tyre përmenden humbja e bastit prej 60 mijë dollarësh në vitin 2016 kundër French Montana për finalet e NBA-së, basti prej 1 milion dollarësh për Toronto Maple Leafs në vitin 2025 që përfundoi me humbje ndaj Florida Panthers, si dhe basti tjetër prej 1 milion dollarësh për Kansas City Chiefs në Super Bowl 2025, të cilin ata e humbën përballë Philadelphia Eagles.
Pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme, Drake duket se nuk heq dorë nga adrenalina e basteve të mëdha edhe pse statistikat nuk janë aspak në favorin e tij./mxh










