Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kryeministrja Frederiksen: Danimarka kërkon respekt për integritetin e saj territorial

Danimarka dhe Groenlanda do të vazhdojnë të angazhohen në një dialog konstruktiv mbi sigurinë në Arktik, me kusht që kjo të bëhet duke respektuar integritetin territorial të vendit të saj, tha këtë të enjte (22 janar) kryeministrja daneze Mette Frederiksen.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dje tërhoqi kërcënimin e tij për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane për shkak të qëndrimit të tyre ndaj çështjes së Groenlandës, ndërsa njoftoi se kishte rënë dakord për skicën e një marrëveshjeje me NATO-n mbi të ardhmen e ishullit të madh Arktik.

Për më tepër, Trump përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës për të pushtuar Grenlandën nga SHBA-të, por kërkoi që të fillojnë “negociata të menjëhershme” që SHBA-të të fitojnë këtë territor autonom danez.

Pas takimit të Trump me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidenti amerikan deklaroi se SHBA-të dhe aleatët e saj evropianë do të bashkëpunojnë në zhvillimin e mburojës antiraketë “Kupola e Artë” dhe në nxjerrjen e mineraleve në Grenlandë, duke bllokuar ambiciet e Rusisë dhe Kinës, bazuar në draft-marrëveshjen që arriti me sekretarin e përgjithshëm të Aleancës Atlantike.

Frederiksen tha se NATO është plotësisht në dijeni të qëndrimit të Danimarkës dhe se ajo është informuar se bisedimet e Rutte nuk përfshijnë sovranitetin kombëtar të vendit të saj.

“Siguria në Arktik është një çështje për të gjithë aleancën e NATO-s. Prandaj, është mirë dhe e natyrshme që kjo të jetë temë bisedimesh midis Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe Presidentit të SHBA-së”, tha kryeministri danez në një deklaratë.

“Mbretëria e Danimarkës dëshiron të vazhdojë një dialog konstruktiv me aleatët e saj se si mund ta forcojmë sigurinë në Arktik, përfshirë ‘Kupolën e Artë’, me kusht që kjo të bëhet duke respektuar integritetin tonë territorial”, tha ajo.

“Balluku”, Këshilli i Ministrave: Pezullimi i ministrit s’mund të bëhet nga GJKKO, na u bllokua veprimtaria

Ka nisur sot seanca publike në Gjykatën Kushtetuese mbi ankimin e Kryeministrit lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin e zv/kryeministres, njëherësh Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Gjatë fjalës së saj në seancë, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave deklaroi se GJKKO dhe SPAK pretendojnë se ankimi është i parregullt, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, nuk ekziston legjitimimi i kërkuesit, pasi Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri nuk kanë interes personal,  si dhe nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese apo konflikt interesi. Në përgjigje, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave theksoi se ky nuk është një pretendim kushtetues individual. Sipas saj, kërkesa nuk lidhet me objektin e procedimit penal, masën e sigurimit apo të drejtat themelore të të pandehurit në procesin penal. Kërkesa ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, duke ngritur pyetjen kryesore: A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër apo çdo zyrtar të pushtetit ekzekutiv?

“GJKO dhe SPAK pretendojnë se kjo është një kërkesë që nuk mund të ngrihet, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e  sigurimit, mungon legjitimimi i kërkuesit  sepse nuk ka interes personal të këshillit të ministrave dhe kryeministrit. Këta të fundit nuk janë palë në gjykimin penal të masës së sigurimit dhe nuk mund të ankohen për të., Nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese  dhe as konflikt interesash.

Në përgjigje të këtyre pretendimeve, sqarojmë se ky nuk është një pretendim kushtetues individual. Kërkimi dhe shkaqet që ngrihen në kërkesë nuk kanë të bëjnë me objektin e procedimit penal, as me nevojën e sigurimit të të pandehurit, as me të drejtat themelor e të pandehurit në procesin penal. Kërkimet kanë të bëjnë me marrëdhënieve mes tre pushteteve dhe në thelb të këtyre kërkimeve qëndron pyetja: A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër njësoj si mund të pezullojë çdo zyrtar të pushtetit ekzekutiv? Ne besojmë se jo, megjithatë argumentet i përkasin themelit të çështjes. Për legjitimimin sqarojmë: Këshilli i Ministrave vjen në këtë gjykim si organ i të cilit i është pezulluar veprimtaria në njërën prej fushave të përgjegjësisë së tij shtetërore: infrastrukturës dhe energjinë”, deklaroi përfaqësuesja e Këshilllit të Ministrave.

Në këtë kontekst, ajo deklaroi se Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri kanë legjitimitet për këtë gjykim, pasi pezullimi i ministrit ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e fushave të tij të përgjegjësisë (Infrastrukturës dhe Energjisë). Sipas argumentit të përfaqësueses, pezullimi i Ballukut nuk ndikon vetëm në vendimmarrjen e saj brenda ministrisë, por edhe në vendimmarrjen e Kryeministrit për projekt-aktet që kërkojnë propozimin e ministrit të pezulluar.

“Për këtë gjykim kushtetues nuk ka rëndësi fakti që këshilli i ministrave dhe kryeministri nuk janë palë në procesin penal. Sepse legjitimitetit kushtetues buron nga pasojat që sjell masa e sigurimit te veprimtaria e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit dhe jo nga të drejtat e të pandehuritt në procedimin penale”, shtoi ajo.

Përfaqësuesja theksoi se pretendimi i SPAK-ut se kryeministri mund të propozojë vetë projekt-aktet nuk qëndron, pasi ai mund të marrë vendime vetëm për aktet që nuk i përkasin fushës së asnjë ministri dhe janë të përcaktuara shprehimisht me ligj. Ndaj, Kryeministri legjitimohet për t’u angazhuar në këtë gjykim, pasi pezullimi detyron zëvendësimin e ministrit për të garantuar funksionimin normal të ministrisë përkatëse.

Gjithashtu, përfaqësuesja nënvizoi se masa e sigurimit penal sjell pasoja direkte në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit. Këto pasoja nuk varen nga statusi i palës në procesin penal, por nga ndikimi i drejtpërdrejtë në funksionimin e qeverisë.

Sa i përket argumentit se duhet të shterohen shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, u sqarua se kjo vlen vetëm për ankimin individual të të pandehurit, dhe nuk zbatohet për ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit, të cilët sfidojnë masën për shkak të ndikimit të saj në kompetencat e tyre.

“Së dyti: përsa i përket pretendimet se duhet të shterohen shkallët e gjykimit për masën e sigurimit  kjo vlen vetëm për ankimin individual që bën personi subjekt i maasës, ndërsa është gjë tjetër ankimi që bën Këshilli i Ministrave dhe kryeministri për kompetencat që u cenohen atyre nga kjo masë. Për këtë s’ka asnjë detyrim për t’ju drejtuar shkallëve të tjera të gjyqësorit”, theksoi ajo.

Bardhi: Jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në ‘Bordin e Paqes’, por PS po shkel Kushtetutën

Ka nisur seanca plenare në Kuvend ku në rendin e ditës është votimi i projektligjit në lidhje me ftesën e presidentit të SHBA, Donald Trump, që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes.

“Jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes dhe i kërkojmë presidentit që të japë miratimin që të hyjë në fuqi menjëherë.

Kjo marrëveshje që ne miratojmë pas 12 orëve, hyn në fuqi pas 35 ditëve. Na thoni, ku e ke i urgjencën? Ndërkohë që kemi shansin të respektojmë Kushtetutën. Gjatë kësaj jave i kërkojmë miratimin Preidentit që të na japë autorizimin që ligji të hyjë në fuqi dhe e bëjmë efektive benda një jave. Zbatoni Kushtetutën dhe e bëjmë efektive marrëveshjen brenda 7 ditëve. Pse duhet të shkelni rregulloren/ ne jemi kundër kërkesës për procedurë të përshpejtuar.”, tha ai.

Balluku/ Seanca në Kushtetuese, Qeveria: Pezullimi antikushtetues. Vendimi i njëanshëm

Në argumentet në seancë kushtetuese, përfaqësuesja e qeverisë Jona Qosja, u shpreh se ministri ka të njëjtin imunitet si deputeti dhe me vendimin e saj GJKKO nuk ka respektuar të gjitha hallkat, deri në pezullim. Ajo e konsideroi vendimin antikushtetues dhe të njëanshme.

“Në lidhje me kufizimet e kompetencës së GJKKO duhet të përmendim edhe një aspekt që ka të bëjë më statusin e këshillit të ministrave.

Emërimi dhe shkarkimi përbën cështje te të drejtës kushtetuese. Ndryshe prishet balanca mes pushteteve. Nuk është përcaktues vetëm fakti nëse funksionari publik është I zgjedhur në elektorat apo jo.

Nëse është funksion kushtetues askush nuk mund të pengojë ushtrimin e detyrës së tij sa kohë nuk është I dënuar me vendim të formës së prerë. Në rastin konkret Kuvendi mund të japë autorizim për masën që pengojnë detyrën e ministrit.

Vendimi i njëanshëm haptazi nuk përmbush parimin kushtetues dhe cënon ndarjen e pushteteve. Për të gjitha këto, kërkojmë nga gjykata pezullimin pjesërisht të vendimeve.” u shpreh Qosja.

Bordi i Paqes, Balla: Ftesë historike nga Trump, Shqipëria kontribut të rëndësishëm në çështjet globale

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka cilësuar si historike ftesën e SHBA-së dhe të presidentit Trump për të qenë vend anëtar themelues në Bordin e Paqes. Balla i bëri thirrje deputetëve për të kaluar marrëveshjen në votim me procedurë të përshpejtuar.

Ndër të tjera, Balla tha se Shqiqëria tashmë nuk ka më një rol vëzhgues në konfliktet ndërkombëtare, por është e gatshme të marrë pjesë në zgjidhjen konkrete të çështjeve të ndjeshme.

“Sot Kuvendi thirret për të marrë një vendim me një peshë tepër të veçantë politike dhe historike që shkon përtej rendit të zakonshëm të ditës. Shqipëria dhe kryeministri janë ftuar të jenë vend anëtar themelues dhe anëtar i bordit. Kjo ftesë përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të Shqipërisë dhe shënon një moment të paprecedent pozitiv. Kuvendi shihet si një aktor që kontribuon në zgjidhe të rëndësishme globale për paqen dhe jo si dikur pjesë periferike.

Kjo ftesë, nuk është diçka e zakonshme, nuk është formale, dhe as simbolike, në letrën zyrtar drejtuar Ramës, Trump e cilëson këtë nismë si një përpjekje historike duke thekuar nevojën për një qaje të re për ndërtimin e paqes, e orientuar drejt rezultate konkrete për të sjellë paqe me një fokus të veçantë Gazën.

Shqipëria është shtuar të jetë jo më si vëzhguese, por si arkitekte për paqen. Kjo ftesë, konfirmon forcën dhe besimin e ndërsjellë në partneritetin tonë strategjik, një partneritet që mbetet boshi ynë kryesor  i politikës së jashtme. Shqipëria shikohet, konfirmohet si aktori pa agjenda të fshehta, i aftë të kontribuojë në procese të ndejshme diplomatike sikur janë proceset që do të fillojnë që nga java e ardhshme me një prezencë të Ramës”, tha ndër te tjera Balla.

FOTOLAJM / Ivanka Trump viziton sërish Manastirin e Zvërnecit

Ivanka Trump vijon të qëndrojë në Vlorë edhe të enjten. Vajza e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po zhvillon një tjetër vizitë në Manastirin e Zvërnecit dhe në zonën e Porto Novës.

Të mërkurën në mbrëmje, ajo zhvilloi një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë. Në fokus të bisedimeve ishin projekte dhe ide të reja zhvillimi, të lidhura me investime strategjike dhe vizion urbanistik në zonën e Vlorës.

Pas darkës, Rama dhe Ivanka Trump qëndruan disa momente jashtë ambienteve ku u zhvillua takimi, duke shkëmbyer bisedë të shkurtër, ndërsa gjithçka është shoqëruar nga masa të rrepta sigurie.

Më pas, Ivanka Trump është larguar me automjet, së bashku me Kryeministrin Rama, në drejtim të Orikumit.

Manjani ironi me opozitën: Tani që ra dakort që Rama të jetë te Bordi i Paqes, le t’i paguajmë edhe…

Ylli Manjani ka ironizuar dakortësinë e opozitës për pjesëmarrjen e kryeministrit Rama në Bordin e Paqes për Gazën, pas ftesës së Presidentit Trump.

Në një postim në profilin e tij, Manjani shprehet që “tani që edhe PD është dakord me anëtarësimin e Ramës te Bordi i Paqes, qeveria le ta paguajë edhe tarifën 1 miliardëshe. Ta kemi anëtarësim të përhershëm, d.m.th…”

Ironia e Manjanit ka të bëjë me qëndrimet kontradiktore të opozitës në raport me kryeministrin Rama, ndërkohë që nga prania e Shqipërisë në Bordin e Paqes, siç është bërë e ditur deri më tani, nuk do të ketë asnjë shpenzim financiar.

Miratohet me 80 vota PRO shqyrtimi i pjesëmarrjes në Bordin e Paqes, PD 22 vota kundër: Po shkelet procedura

Kuvendi ka votuar sot me 80 vota pro, shqyrtimin e e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”. Ky projektligj kërkonte shumicë absolute votash për miratim.

Në seancë, Partia Demokratike ka pretrenduar se po shkelen afatet proceduriale dhe kushtetuese, ndaj në votim ka dhënë 22 vota kundër. Ndërkohë projektligji i ka kaluar Komisionit për Punët e Jashtme dhe pas orës 12:00 pritet të rinisë seanca.

Një ditë më parë qeveria shqiptare miratoi vendimin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.

Në mbështetje të urdhrit nr. 4, datë 21.1.2026 të Kryetarit të Kuvendit, z. Niko Peleshi, rendi i ditës është si më poshtë:

1. Njoftime. (Neni 44, pika 3, të Rregullores së Kuvendit)

2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes””, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Pak ditë më parë, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se kishte marrë një ftesë personale nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij. Ky bord do të ketë si mision administrimin e Gazës dhe nxitjen e paqes në rajon.

Rama e cilësoi ftesën si një moment krenarie të veçantë për Shqipërinë, duke theksuar se vendi është ftuar si anëtar themelues i këtij bordi, një arritje që, sipas tij, do të kishte qenë e paimagjinueshme vetëm disa vite më parë.

Më pas përmes një letre drejtuar Presidentit Trump, Kryeministri Rama pranoi zyrtarisht ftesën për të marrë pjesë në Bordin e Paqes. Në letrën e tij, ai shprehu vlerësimin e thellë për angazhimin dhe udhëheqjen vizionare të Trump në themelimin e kësaj nisme dhe e falënderoi për ftesën e drejtpërdrejtë drejtuar Shqipërisë si përkrahëse dhe anëtare themeluese.

Kryeministri theksoi se Bordi i Paqes nuk është thjesht një forum deklaratash, por një instrument i përqendruar dhe i qëllimplotë për ushtrimin e lidershipit dhe përgjegjësisë globale në ndërtimin e paqes.

Pas Danimarkës, edhe Suedia braktis SHBA-të: Rrezikohet dollari dhe tronditet Wall Street

Pas danezëve, edhe Suedia ka nisur të shesë letrat me vlerë të thesarit amerikan, duke shkaktuar trazira në tregjet financiare.

Fondi suedez i pensioneve “Alecta” ka shitur pjesën më të madhe të obligacioneve të tij, me një vlerë që arrin deri në 8.8 miliardë dollarë, duke argumentuar se politika e SHBA-ve po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme dhe e rrezikshme.

Kjo lëvizje vjen menjëherë pas një vendimi të ngjashëm nga Danimarka, duke krijuar frikën e një “efekti ortek” në ekonominë botërore.

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, u përpoq të ruante qetësinë gjatë forumit të Davosit, duke i cilësuar veprimet e Danimarkës si të parëndësishme, por situata në bursa tregon të kundërtën.

Wall Street shënoi rënien më të madhe të tre muajve të fundit, ku indekset kryesore si Nasdaq dhe Dow Jones pësuan goditje të forta. Ndërkohë, presidenti Trump pranoi ndikimin ekonomik të deklaratave të tij për blerjen e Groenlandës, edhe pse gjatë fjalimit të tij i ngatërroi emrat duke përmendur Islandën si shkak për rënien e bursës.

Edhe pse zyrtarët amerikanë po mundohen të minimizojnë situatën, frika mbetet e lartë pasi vendet e Bashkimit Europian zotërojnë rreth 8 mijë miliardë dollarë në asete amerikane.

Një analizë e Deutsche Bank parashikon se këto zhvillime mund të dobësojnë ndjeshëm dollarin, pasi Europa po fillon të largohet nga investimet në SHBA. Megjithëse drejtuesit e bankës u distancuan zyrtarisht nga ky raport, tensioni mes Europës dhe Amerikës po ndihet qartë në xhepat e investitorëve në mbarë botën.

Nga Erdogan te Netanyahu: Misteri i pranimit të Putin-it në Bordin e Paqes së Trump

Edhe pse Donald Trump-i e quan “këshillin më prestigjioz ndonjëherë” dhe deklaron se “të gjithë duan të bëjnë pjesë”, Bordi i Paqes që sipas presidentit amerikan duhet të trajtojë krizat globale, duke nisur nga Gaza, nuk ka nisur funksionimin real. Pjesëmarrja është kryesisht nga vende që shumica e komunitetit ndërkombëtar i konsideron jo demokratike, madje autoritare.

Mes tyre janë Egjipti, Turqia e Recep Tayyip Erdogan, Arabia Saudite e Mohammed bin Salman, Emiratet e Bashkuara Arabe me Mohammed bin Zayed, si dhe Jordania, Indonezia, Pakistani dhe Katari. Po ashtu, vende si Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Hungaria, Kazakistani, Kosova, Maroku, Uzbekistani dhe Vietnami kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Pjesëmarrja më befasuese është ajo e aleatit të ngushtë të Trump, Benjamin Netanyahu. Kryeministri izraelit ditët e fundit ishte kundër Bordit dhe Komitetit Ekzekutiv që do të mbikëqyrë armëpushimin dhe rindërtimin e Gazës, duke i konsideruar Turqinë dhe Katarin si armiq. Megjithatë, Netanyahu ndryshoi qëndrim, ndoshta nën presion amerikan. Ai nuk mund të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit në Davos, pasi është i kërkuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës dhe do të arrestohej nëse zbarkonte në Zvicër.

Një problem i ngjashëm është ai i Vladimir Putin. Rusia mbetet e paqartë mbi pjesëmarrjen, por presidenti rus njoftoi se është gati të japë një miliard dollarë nga asetet e ngrira në favor të Bordit. Një prej të parëve që pranoi ishte Bjellorusia e diktatorit Aleksander Lukashenko. Nga vendet e mëdha jo demokratike mbeten të pasigurt India e Narendra Modit dhe Kina e Xi Jinping.

Megjithatë, mbeten shumë paqartësi: Nuk dihet saktësisht numri i vendeve të ftuara (50–60 nga 193 anëtarë të OKB-së), sa prej tyre e kanë pranuar ftesën (18–30), dhe kush do të paguajë miliardin e dollarëve për një vend të përhershëm. Shumica e vendeve perëndimore janë skeptike: Franca, Norvegjia, Suedia dhe praktikisht Italia e Giorgia Melonit kanë refuzuar; të tjera nuk kanë dhënë përgjigje zyrtare, si Britania.

Çështja do të diskutohet sot në Këshillin Evropian të jashtëzakonshëm për “zhvillimet e fundit në marrëdhëniet transatlantike dhe implikimet për BE-në”.

“Koha e mbledhjes, njëkohësisht me ceremoninë amerikane, tregon se është e vështirë që më shumë europianë të bashkohen me Edi Ramën dhe Viktor Orbán në këtë fazë të parë”, shkruan La Repubblica.

Vangjeli: 21 Janari përcaktoi 15 vitet e fundit politike, drejtësia duhet të vulosë autorin që tha; Qëlloni!

Analisti Lorenc Vangjeli deklaroi në emisionin “Trialog” të Alba Alishanit në RTSH1 se ngjarja tragjike e 21 Janarit përcaktoi 15 vitet e fundit politike.

Sipas Vangjelit, 21 Janari është një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në 35 vjet pluralizëm në Shqipëri duke kushtëzuar edhe rrjedhën e ngjarjeve politike, veçanërisht ato të 15 viteve të fundit.

21 janari është një nga ngjarjet më të rënda që ka ndodhur në 35 vjet pluralizëm në Shqipëri. Është një nga ato ngjarje që ka kushtëzuar rrjedhën e ngjarjeve shoqërore dhe politike kryesisht të 15 viteve. Pa 21 janarin, Shqipëria e sotme nuk do të ishte kështu siç është, mund të ishte më e mirë apo mund të ishte më e keqe. Kjo është tjetër histori. Shqipëria siç e njohim tani nuk do të ishte njësoj”, tha Vangjeli.

Vangjeli tha më tej se ne ende sot nuk kemi një motiv pse u bënë ato vrasje, si dhe nuk ka ende një “vulë legale për ta besuar një gjë të tillë dhe për të thënë diçka tjetër, duhet emër dhe mbiemër, e thënë sërish nga drejtësia. Përtej fakteve shumë të njohura; kush tha: Qëlloni?!”

Ne ende nuk kemi një motiv se pse u bënë ato vrasje, hamendësimet mund të jenë të pafundme. Por ne na duhet një vulë legale për ta besuar një gjë të tillë dhe për të thënë diçka tjetër, duhet emër dhe mbiemër, e thënë sërish nga drejtësia. Përtej fakteve shumë të njohura; kush tha: Qëlloni?! Kjo është dilema!

Duke parë se çfarë ka ndodhur në 15 vjet, pjesa tjetër e medaljes është ajo që 21 Janari është si një ditë zahmeti; Zahmet për pushtetin e djeshëm dhe opozitën e sotme, e cila është në bankën e të akuzuarve dhe e numëron këtë ngjarje si një nga arsyet pse iku nga pushteti më 2013-n.

Zahmet edhe për këtë qeverisje e cila e pret 21 janarin me të njëjtin motiv, me të njëjtat fjalë duke pritur drejtësi, por duke qenë edhe e pafuqishme të ndikojë në dhënien e vullnetit të plotë politik për hetimin e saj. Duket sikur të gjitha palët mezi ç’presin ta kapërcejnë nga data 21 në datën 22 janar”, u shpreh më tej Vangjeli.

Të parat goditen gjigandët e teknologjisë, “arma” e fshehtë e BE kundër tarifave të Trump

Kur vendet e Bashkimit Evropian të takohen të enjten e 22 janarit për të diskutuar se si t’i përgjigjen kërcënimeve të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për tarifa më të larta mbi Groenlandën, një mjet në dispozicion të tyre është edhe “Instrumenti Kundër Detyrimit” ose Shntërrngimit, një proces i patestuar deri më tani.

Trump u zotua të shtunën e 17 janarit të zbatojë një valë tarifash në rritje mbi importet nga aleatët evropianë derisa Shtetet e Bashkuara të lejohen të blejnë Groenlandën, duke intensifikuar një mosmarrëveshje mbi të ardhmen e ishullit të madh Arktik të Danimarkës.

Instrum shihet nga shumë si një “opsion bërthamor” që idealisht mendohet si një pengesë.

Analisti i shkencave politike, Juraj Majcin tha se mjeti i lejoi bllokut t’u përgjigjej kufizimeve tregtare të vendosura nga jashtë me tarifa, kufizime mbi investimet ose të parandalonte bizneset me seli në vendin që po synonte të operonin në BE.

Majcin tha se nëse masa do të zbatohej kundër SHBA-së, gjigantët amerikanë të teknologjisë mund të ishin midis atyre që do të shënjestroheshin për shkak të ndikimit financiar dhe afërsisë së disa drejtuesve të teknologjisë me administratën Trump.

Ai tha se BE-ja deri më tani i kishte rezistuar përdorimit të masave më të forta për t’u hakmarrë ndaj tarifave të SHBA-së për shkak të frikës nga inflacioni më i lartë dhe dobësimit të rritjes së saj ekonomike.

Por, meqenëse situata ndikon drejtpërdrejt në sovranitetin e anëtares së BE-së, Danimarkës, nga e cila Groenlanda është një territor autonom, ajo “kërkon gjithashtu masa më serioze”, tha Majcin.

Ligji evropian i jep Komisionit Evropian deri në katër muaj për të shqyrtuar rastet e mundshme të detyrimit. Nëse konstaton se masat e një vendi të huaj përbëjnë detyrim, ia kalon këtë anëtarëve të BE-së, të cilët kanë tetë deri në dhjetë javë të tjera për të konfirmuar gjetjen.

Konfirmimi kërkon një shumicë të kualifikuar të anëtarëve të BE-së – një pengesë më e lartë për t’u kapërcyer sesa ajo për zbatimin e tarifave hakmarrëse.

Komisioni normalisht do të negociojë me vendin e huaj në një përpjekje për të ndaluar detyrimin. Nëse kjo dështon, ai mund të zbatojë masat ACI, përsëri në varësi të një votimi nga anëtarët e BE-së. Këto duhet të hyjnë në fuqi brenda tre muajsh.

I gjithë procesi mund të zgjasë nga disa muaj deri në një vit për t’u përfunduar.

Çështja “Balluku”, Gjykata Kushtetuese shqyrton sot ankimimin e Ramës

Ditën e sotme do të zhvillohet në Gjykatën Kushtetuse seanca publike pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama për të zgjidhur konfliktin e kompetencave pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për pezullimin e ushtrimit të detyrës së zv/kryeministres Belinda Balluku si anëtare e Këshillit të Ministrave.

“Shfuqizimi i vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Shfuqizimi i vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë. Pezullimi i efekteve të vendimit deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese. Interpretimi i pikës 3, të nenit 103, të Kushtetutës, në kuptimin që “Anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale, që i njeh jo vetëm Kushtetuta këtij të fundit, por edhe legjislacioni procedural penal””, thuhet në objektin që ka për shqyrtim gjykata.

Gjatë seancës së sotme janë të ftuara si subjekte të interesuara edhe institucioni i presidencës, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme. Seanca pritet të nisë në orën 10:00.

Kujtojmë se zv/kryeministrja Belinda Balluku u mor e pandehur më 30 tetor, e akuzuar për “shkelje të barazisë në tendera”, lidhur me Tunelin e Llogarasë. Më 20 Nëntor me vendim të gjyqtarit të GJKKO-së, Erjon Çela, ajo u pezullua nga detyra si zv/kryeministre e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në sajë të hetimeve për tenderin e Unazës së Madhe.

Por Gjykata Kushtetuese e pezulloi vendimin, duke e rikthyer automatikisht në detyrë.

Pas kësaj, SPAK ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit të Ballukut, por mazhoranca është shprehur se për këtë do të vendoset pasi të shprehet Gjykata Kushtetuese.

Aderimi në Bordin e Paqes, sot mblidhet Kuvendi për të vendosur

Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën e radhës plenare. Në rendin e ditës është parashikuar që të kalojë projektligji për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Kujtojmë se Këshilli i Ministrave e miratoi të mërkurën projektligjin për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes pas ftesës së presidentit amerikan, Donald Trump. Partia Demokratike ka deklaruar se nuk kanë marrë njoftim për mbledhje të seancës plenare gjatë kësaj jave dhe se është thyer rregullorja.

Megjithatë pavarësisht kësaj, ata deklaruan se do të marrin pjesë pasi mbështesin presidentin Donald Trump.

“Pavarësisht shkeljes së të gjitha rregullave procedurale kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendin, si një provokim të ulët ndaj opozitës dhe qytetarëve shqiptar, nga njeriu që ngërçin e tij me SHBA dëshiron t’ia imponojë Shqipërisë apo të mashtrojë shqiptarët sikur kjo nuk ekziston, ne DO TË MARRIM PJESË nesër në seancë, si mbështetje ndaj përpjekjeve/angazhimit të Presidentit të SHBA për paqen dhe sigurinë globale”, thuhej në një lajmërim të PD-së.

Sjellim ndërmend se presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët këtë muaj planet për krijimin e një Bordi për Paqen (Board of Peace) për të mbikëqyrur zbatimin e një plani 20-pikësh për Gazën, një iniciativë që synon të çojë drejt paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Por në fokus të saj nuk do të jetë vetëm kjo çështje, por të gjitha konfliktet në botë.

Kryeministri Edi Rama pas marrjes së ftesës nga Trump, të cilën e ndau me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, shprehu gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë përpjekje.

Ai tha se ky angazhim i Shqipërisë për të qenë pjesë e Bordit do t’i përcillet së shpejti Kuvendit për miratim.

Ndërkohë dy ditë më parë, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se ftesa është një vlerësim i lartë që i është bërë Shqipërisë nga presidenti amerikan. Ajo kritikoi dhe reagimet e shumta që kanë qarkulluar në media dhe nga opozita duke hedhur poshtë deklaratat se anëtarësimi në bord është me pagesë.

Për këtë pati një reagim edhe nga kryeministri Edi Rama i cili është shprehur se është gënjeshtër që për t’u anëtarësuar në Bordin e Paqes duhen 1 miliard dollarë, se do të sillen palestinezë në Shqipëri apo se aty marrin pjesë të gjitha vendet e OKB-së.

21 Janari, Zogaj: SPAK ka humbur kohë, urdhrat e ndalimit penguan zbardhjen e krimit

Analisti Preç Zogaj komentoi në studion e emisionit “Trialog” në RTSH1, të moderuar nga Alba Alishani, për hetimin e SPAK dhe veprimet e prokurorisë lidhur me urdhrat e ndalimit.

Zogaj tha se SPAK ka kaluar shumë kohë, por ende nuk ka dalë në një përfundim dhe se disa pengesa ligjore kanë dhënë mundësi personave të përfshirë në krim të prishin skemën e tyre.

SPAK ka harxhuar kohë nuk është se e ka marrë dje por akoma nuk ka dal në një përfundim. E tha dhe Sulo ky është një hetim jo i kollajt në disa aspekte dhe në disa aspekte është i kollajt. Mua më duket e kollajt ajo që të zbardhet dhe sqarohet ligjërisht me emër dhe mbiemër pse u pengua prokuroria për të bërë ndalimin e personave që kishin ndal urdhrin e Prokurores së përgjithshme, urdhrat e ndalimit dhe anulimi i këtyre urdhrave dha kohë personave aty që të prishin skemën e krimit”, u shpreh Zogaj.

Ai shtoi se ka ndjekur edhe narrativa të tjera politike, ku sipas tij, kryeministri dhe figura të tjera kanë prezantuar informacion që më pas ka rezultuar i pasaktë.

Unë e kam zbardhur sepse në atë kohë kanë ndodhur edhe ngjarje të tjera  ku kryeministri është angazhuar 5-6 ditë në narrativa që kanë rezultuar të gjitha gënjeshtra. Sali Berisha, i kemi me radhë, takim me gardën, takim me forcat ushtarake, është ngritur një grup hetimor i PD  ka dhënë një dëshmi që ka thënë kaq armë ishin këtu, kaq armë ishin aty. Për disa ditë me radhë janë linçuar disa narrativa që nuk ka asnjë provë që ka rezultuar e vërtetë. Unë nuk jam prokuror që të hyjë në punën që nuk e njoh por e kam përjetuar”, tha ai.

“Ziver Veizi vidhte unaza grash”, çudit avokati i Metës: Në 21 Janar nuk vrau Garda!

Avokati i ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka bërë deklarata të forta dhe polemika lidhur me ngjarjen e 21 Janarit, duke sulmuar drejtpërdrejt liderin e asaj kohe të opozitës Edi Rama si dhe njërin prej viktimave të asaj proteste.

I ftuar në emisionin Off The Record me Andrea Dangllin, Cakrani deklaroi se Ziver Veizi, një nga katër protestuesit e vrarë, kishte precedentë penalë në Greqi dhe se ishte sjellë në Shqipëri për të nxitur trazira.

Sipas tij, Veizi kishte vite që nuk jetonte në Shqipëri, pasi ishte dënuar nga drejtësia shqiptare.

Cakrani pretendoi se ai ishte dënuar për vjedhje dhe se vendimi ishte dhënë nga gjyqtari Gramoz Levanai gjatë kohës kur ushtronte detyrën në Gjirokastër.

“Ishte një kryengritje e armatosur për të rrëzuar rendin Kushtetues, donin një 97 të dytë. Ziver Veizi, i ndjerë tashmë, kishte 20 vite që nuk vinte në Shqipëri, sepse ishte dënuar me vendim të formës së prerëse i vidhte grave unazat. Pyseni gjykatësin Gramoz Levanai, që e ka dënuar kur ishte gjyqtar në Gjirokastër. Nuk vinte, erdhi apostafat nga Greqia vetëm për protestën.

Unë mbaj përgjegjësi për ato që them. Ky ishte kontigjenti që ishte në atë protestë. Kaq është e gjithë historia, duhet hetuar që nga fillimi. Ishte krim shtetëror se opozita ishte shtet, mos abuzoni me vendimin e gjykatës europiane”, deklaroi Cakrani, duke shtuar se sipas tij bëhej fjalë për “krim shtetëror”, pasi opozita e asaj kohe ishte pjesë e pushtetit.

Avokati hodhi gjithashtu dyshime mbi autorësinë e vrasjeve, duke thënë se nuk është e qartë nëse viktimat u vranë nga Garda e Republikës apo nga ajo që ai e quajti “partia që donte heronj.

“PS është parti që do heronj, i nxori në pritë Edi Rama dhe Taulant Balla”, tha Cakrani duke bërë thirrje që për këtë çështje të bëhet drejtësi.

Cakrani bëri të ditur gjithashtu se Ilir Meta ka dëshmuar për rreth një orë në SPAK, ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjet e 21 Janarit.

“Ilir Meta ka dhënë dëshminë më të saktë për 21 Janarin, sepse ajo ngjarje u bë për të. Ai ka qenë në heshtje gjithë këto kohë. Ai është pyetur në SPAK para 1 muaji dhe ka dhënë versionin e tij. Shërbimet kanë qenë të gjitha për kryengritje dhe që do kishte viktima. Shërbimet amerikane e kanë njoftuar Ilir Metën. Ai ka bërë një letër të detajuar para ngjarjes se çfarë pritej të ndodhte”, tha Cakrani në “Off The Record”  ku e cilësoi si të montuar edhe videon e famshme të publikuar nga Dritan Prifti, duke deklaruar se ajo ishte pjesë e një skenari politik që sipas tij çoi në ngjarjet tragjike të 21 Janarit.

“Gjithçka nisi nga ajo video e montuar prej të ndjerit Dritan Prifti që të gjithë ju e dini”, tha ai ndër të tjera.

Dita e sotme me vranësira të dendura, zonat ku do ketë reshje shiu dhe dëbore

Për ditën e sotme (22 janar) vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Sipas SHMU-së, moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me diell (kthjellime).

Përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave bregdetare pritet të ketë reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët. Këto reshje në periudha tepër afatshkurtra do të jenë në formën e shtrëngatave. Mjegull e dendur/mjegullinë do të jetë prezente në zonat luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut. Në zonën e Alpeve do të ketë reshje dëbore me intensitet të ulët kryesisht në orët e mëngjesit dhe ato të mbrëmjes vonë.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.

Shtohet toka djerrë, Shqipëria blen më shumë drithë nga jashtë. Kryeson Serbia

Kryesisht grurë e misër, për të bërë bukë apo makarona… gjatë vitit të shkuar u importuan më shumë se 374 mijë ton drithë. Sasia e drithit të hyrë gjatë 2025-ës u zgjerua me gati 40 mijë tonë në raport me 2024-n.

Zef Gjeta, pedagog për bujqësinë, u shpreh për A2CNN: “Rritja e importeve vjen për shkak të mungesës së prodhimit vendas. Kemi reforma, por jo akte konkrete. Nuk ka financime për bujqësinë”.

Ndryshimet në gjeografinë e tregtisë së jashtme, reduktimi i kostove të transportit dhe forcimi i lekut bënë që çmimi i drithit të importuar të ishte më i ulët. Ndonëse u importuan gati 40 mijë tonë më shumë grurë e misër, vlera e paguar për blerjen e tyre ishte gati e njëjtë me 2024-n, vit në të cilin u shpenzuan rreth 10 miliardë lekë.

Andi Haxhiymeri, administrator i një kompanie bloje, thotë: “Tani, drithi po vjen kryesisht nga Serbia. Më herët vinte nga Rusia e Rumania. Kostot rrjedhimisht janë më të ulëta”.

Pavarësisht se në nivele të papërfillshme, Shqipëria arriti vitin e shkuar të eksportonte 248 tonë drithë me vlerë 28 milionë lekë. Në raport me 2024-n, vit në të cili prodhimi vendas rezultoi i dobët, eksportet gati u dyfishuan.

“Kudo në botë prodhimi i grurit subvencionohet. Në Serbi, Kanada, Francë etj, prodhimi i grurit subvencionohet. Nuk mundet fermeri të marrë përsipër të gjithë procesin, tha Haxhiymeri.

Zef Gjeta tha: “Shteti ynë ka dështuar në drejtim të subvencioneve, ndaj jemi në këtë gjendje ku nuk prodhojmë, por importojmë”.

Përfshirë arat, kopshtet, livadhet, lëndinat, kullotat apo moçalet, në Shqipëri ka rreth 875 mijë hektarë tokë. Nga kjo, hapësira që përmban humus e lëndë minerale, thënë ndryshe toka bujqësore, vlerësohet në gati 700 mijë hektarë.

Por, nga viti në vit, sipërfaqja e mbjellë me grurë, misër, tërshërë, elb apo kultura të tjera bujqësore po rrudhet, ndërsa po zgjerohet hapësira e tokave të djerra.

Shpërthen tubi kryesor i ujësjellësit në Vlorë, ‘përmbytet’ bulevardi “Ismail Qemali”

Një incident ka ndodhur në rrjetin e ujësjellësit të Vlorës sot në 21 janar, duke shkaktuar përmbytje të bulevardit kryesor të qytetit. Gjatë orëve të mbrëmjes së sotme, një avari në sistemin e shpërndarjes së ujit ka çuar në shpërthimin e një tubi me diametër 500 cm, duke derdhur të gjithë ujin nga depozita e qytetit në Bulevardin “Ismail Qemali”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, pikërisht në kohën kur depozitat e ujit hapen për furnizimin e qytetit.

Si pasojë e presionit të lartë dhe sasive të mëdha të ujit, rruga kryesore e Vlorës është mbushur me ujë, duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë ujë të rrëmbyeshëm që ka ‘pushtuar’ trotuaret dhe karrexhatat, duke krijuar një situatë aspak normale për banorët.

Sipas njoftimit zyrtar nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Vlorës, çarja e tubit ka ndodhur si pasojë e punimeve që po kryen një firmë private për ndërtimin e një objekti publik pranë zonës. Autoritetet e ujësjellësit kanë bërë të ditur se po ndërhyjnë menjëherë për të vendosur tubin dhe se qyteti nuk do të ketë probleme serioze me furnizimin me ujë, raporton për Klan News, gazetarja Greta Haskaj.

Ngjarja e sotme është vetëm një nga seritë e problemeve të herëpashershme të rrjetit të ujësjellësit të qytetit të Vlorës, duke nxjerrë në pah nevojën për investime dhe mirëmbajtje më të mirë të infrastrukturës kritike.

Harta e re e investimeve strategjike, nga majat e Korabit te Kurveleshi, qeveria shpall zonat prioritare

Qeveria ka miratuar hartën e re të zonave që do të gëzojnë statusin e veçantë për zhvillimin e ekonomisë malore. Përmes tre vendimeve të firmosura nga Kryeministri Edi Rama, janë përcaktuar me koordinata të sakta territoret në Dibër, Tepelenë dhe Memaliaj, ku shteti kërkon të orientojë investimet strategjike.

Sipas vendimeve, në këto zona do të lejohen tri kategori kryesore aktivitetesh: zhvillim ekonomik, industrial dhe turistik.

Dibra, 16 zona zhvillimore

Pjesa më e madhe e hartës së re përqendrohet në veri të vendit. Në Bashkinë e Dibrës janë shpallur plot 16 zona zhvillimore, të cilat përfshijnë disa nga perlat natyrore të rajonit, por edhe zona me potencial bujqësor. Ndër to spikasin bjeshkët e Korabit (mbi 1100 ha), Bjeshkët e Gramës, Hinoskës dhe Zimurit; zona e Lurës dhe Lugina e Lumit Drin (rreth 970 ha); përfshirja e fshatrave karakteristikë si Rabdishti (mbi 1400 ha), i njohur për arkitekturën e gurit, si dhe zona në Selishtë e Luzni.

Fokusi te Kurveleshi dhe Memaliaj

Në jug të vendit, harta e zhvillimit përfshin sipërfaqe masive tokësore. Në Tepelenë, vëmendja kryesore është te zona e Kurveleshit (rreth 9600 ha) dhe zona e Qendër-Tepelenë, e cila kap një sipërfaqe prej mbi 19 mijë hektarësh. Këto zona pritet të shfrytëzohen kryesisht për agroturizëm dhe blegtori intensive.

Në Memaliaj, zonat prioritare përfshijnë Njësinë Administrative Buz (gati 6000 ha) dhe fshatrat e thellë si Arrëz e Madhe apo Rabie, të cilat prej vitesh vuajnë nga shpopullimi dhe mungesa e investimeve.

Çfarë do të thotë ky status?

Shpallja “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” u hap rrugë zbatimit të lehtësirave që parashikon “Paketa e Maleve”. Kjo do të thotë se bizneset që do të ndërtojnë hotele, fabrika përpunimi apo njësi agroturistike në këto koordinata specifike, pritet të përfitojnë nga skema mbështetëse, reduktim taksash ose grante, me qëllim gjallërimin e jetës ekonomike në këto territore të vështira.

Vendimet hyjnë në fuqi menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe zbatimi i tyre do të monitorohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit në bashkëpunim me kadastrën.

❌