Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gjykata Kushtetuese kalon në seancë gjyqësore çështjen “Mcgonigal”

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë në seancë gjyqësore publike çështjen McGonigal.

Sipas publikimit në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese listohet çështja si më poshtë:

“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet jo më pak se një të katërtës së deputetëve dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, duke përcaktuar detyrimin e Kuvendit për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit: (i) “Për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles McGonigal”; (ii) “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”. 2. Deklarimi i vendimit nr.77/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së Charles MCGonigal”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. 3. Deklarimi i vendimit nr.78/2025 të Kuvendit të Shqipërisë “Për mosmiratimin e projektvendimit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë”-thuhet në njoftim.

Trump: Mendoj se po i afrohemi paqes në Ukrainë

Presidenti Donald Trump është shprehur se mendonte se paqja në Ukrainë ishte shumë afër.

Sipas mediave të huaja, komentet Trump i bëri sapo u largua nga prezantimi i Bordit të Paqes në Davos.

Ndërsa po dilte, ai kaloi pranë gazetarëve, ku u pyet lidhur me luftën në Ukrainë dhe nëse do të kishte ndonjë marrëveshje paqejë sëshpejti.

Në përgjigje Trump tha:

“Sot, siç e dini, unë dhe presidenti Zelensky do ta diskutojmë këtë. Do të takohemi me Presidentin Putin sot ose nesër dhe njerëzit po shkojnë atje dhe mendoj se po i afrohen paqes. Shumë njerëz po vriten. Duhet ta bëjmë”, tha mes të tjerash Trump.

Trump ka thënë vazhdimisht se ata duhet ta “përfundojnë” kur bëhet fjalë për luftën në Ukrainë, por përpjekjet e mëparshme diplomatike deri më tani kanë dështuar.

Gjatë fushatës presidenciale, ai pretendoi se mund ta përfundonte luftën brenda një dite të vetme, por që atëherë ka thënë se kjo ka rezultuar më e vështirë nga sa priste.

Kërkesa e Ramës për pezullimin e Ballukut, Kushtetuesja tërhiqet për vendim

Gjykata Kushtetuese zhvilloi këtë të hënë mbi tre orë seancë, për të shqyrtuar një kërkesë të kryeministrit Edi Rama i cili kërkon zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Gjykatën e Posaçme, e cila pezulloi në dhjetor zv.kryeministren Belinda Balluku, e marrë e pandehur në kuadër të hetimeve për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Tiranës.

Pasi përfaqësuesit e kryeministrit, presidentit dhe SPAK parashtruan argumentet e tyre, Kushtetuesja u tërhoq për vendim. Ndërkohë, GJKKO vendosi të mos merrte pjesë.

E mbledhur në fund të vitit të kaluar, Kushtetuesja vendosi të ngrijë vendimin e Gjykatës së Posaçme e cila nga ana e saj kishte vendosur pezullimin e Ballukut nga detyra, ndërkohë që në seancën e sotme do të shqyrtojë në themel kërkesën e kryeministrit.

“Do t’i dorëzohem vetë ushtrisë amerikane”, Rama ironi me PD në Parlament

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë aludimet e opozitës, për krisje të marrëdhënieve mes SHBA dhe qeverisë shqiptare. Në fjalën e tij në Kuvend, Rama u shpreh se me votat edhe të opozitës, ai do përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes për Gazën.

Rama tha se firmosjen për anëtarësimin në Bordin e Paqes, do e bëjë në Shtëpinë e Bardhë.

“Është vëret po të ardhur keq, po të mendosh se sot në fakt, ju kishit mundësi të deklaronit fitoren tuaj më domethënëse. Ju fituat sepse për muaj me radhë thatë se Amerika do më bënte mua gjyqin, e ëndërruar prej jush, për t’u kthyer ju në ato karrige, ku nuk do të ktheheni kurrë, po nuk dolët nga poshtë karriget, ku qëndrojnë hije rënda, të ndënjurat e stërgjyshit tuaj. Ju fituat sepse e paralajmëruat popullin që mua do më thërrisnin në Amerikë në datën 20 janar, për t’u parqitur në prokurorinë federale. Madje ju e vulosët fitoren, kur festuat kërrimit me forcë të Madorus nga shtëpia e tij në Karakas, dhe ju thatë shqiptarëve se ajo ishte provë gjenerale e ushtrisë amerikane, për rrëmbimin e Ramaduros. Mblidheni si qindra Romeo të dëshpëruar një xhuljetë të vetme. Unë nuk tallem kurrë me fitoret tuaja. Ju sot do votoni të vërtetën të madhe, që unë nuk do të detyroj që ushtria amerikane t’i bashkohet protestës tuaj nga tarraca e Kryeministrisë, se do dorëzohem vetë, në duart e autoriteteve ligjzbatuese amerikane, që do vijnë në aeroport në Uashington, të më marrin me eskortë, për t’u ulur si anëtar të Bordit të Paqes. Ju prisni të fitonit me helikopter të ushtrisë amerikane, dhe nuk prisnit që të dorëzohesha vetë. Në fillim thatë nuk ka ftesë. Doli ftesa, jo po këtë ftesën e ka e gjithë bota. U ngatërruat pak, nuk e keni idenë si strukturohen grupet ndërkombëtare. Rëndësi që do ngrini kartonin, me votën tuaj do miratoni Bordin e Paqes dhe unë do jem përfaqësues në Shtëpinë e Bardhë.”, theksoi ai.

Rama-PD: Ju do votoni shkuarjen time në Shtëpinë e Bardhë për Bordin e Paqes

Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në parlament për paraqitjen e marrëveshjes për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.

Rama: Më e mira do kishte qenë sot për një herë të vetme të pushonte avazi i vjetër. Si duket humbësit kronikë të humbasin as këtë rast të bëjnë atë gjë, të humbin përsëri rastin duke vazhduar të dini shqiptarët nuk blejnë asgjë tjetër se mishërojnë vetëm humbjen në të gjitha format e saj. Kishit mundësi të deklaroni fitoren, sepse gjithnjë fitoni për mua me radhë thatë se Amerikan do më bënte gjyqin që të ktheheni në ato karrige ku nuk do ktheheni kurrë. E paralajmëruar se do më thërritni në Amerikë me 20 janar për tu paraqitur në Prokurori, e vulosët fitoren kur morën Maduron dhe thatë se ishte vetëm provë gjeneralë e ushtrisë amerikane për kapjen e Ramaduros.

“Sazanin ia kam ofruar Berlusconi-t”, Berisha: Rama po e përdor për politikë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha se Kryeministri Edi Rama po e përdor për të fituar ndikim politik marrëveshjen me vajzën dhe dhëndrin e Donald Trump për ishullin e Sazanit. Ai nuk u shpreh kundër investimit, pasi sipas tij edhe Fatos Nano, edhe ai vetë, e kanë ofruar në të kaluarën Sazanin për projekte zhvillimore.

“Për sa i përket Zvërnecit është një çështje private. Unë nuk di të jetë dhënë tokë publike aty, por do ta shohim. Për sa i përket Sazanit, e kam deklaruar, deklarata ime është kjo: ne mbështesim investimet amerikane, por natyrisht ky e bëri atë për influencë politike. I sigurt që dështoi, sepse po të mos dështonte, nuk merrte përsipër të përpiqej të bënte gazi i dheut presidentin e SHBA në një samit që u bë kryelajm i atij samiti. Ndaj dhe këtu duhet t’i ndajmë gjërat. Zvërneci është investim publik. Sazanin ai e dha, por po të më çosh pak më tutje, mund të them disa gjëra të tjera, të palidhura me këtë. E kemi ofruar, sepse në kohën kur ne kemi bërë vlerësimin, ai ka qenë një ishull aspak i lakmuar. E ofroi Fatos Nano para meje. E ofrova unë, ra kriza. Ia ofrova mikut të shquar të kombit shqiptar, Silvio Berlusconi. E pranoi dhe bëri projektin. Bëri një projekt shumë të mirë, por erdhi kriza financiare. Aty janë dokumentet. Pse e ofruam? Sepse nuk është i lehtë për t’u zhvilluar. Tani fondet janë shumë të mëdha sepse sipas asaj që kam dëgjuar janë dy miliardë euro të fondit sovran arab. Në qoftë se bëhet, unë nuk kam asnjë kundërshtim”, tha Berisha.

Berisha shtoi se Rama e bëri këtë marrëveshje pasi Donald Trump u zgjodh president i SHBA. “Sazanin e ofroi ky. Dhe ky gjeti Jared Kushner, i cili erdhi me një fond shumë të madh. Por çfarë bëri ky? Në qoftë se marrëveshja ishte që ta firmoste para zgjedhjes së presidentit Trump, ky mashtroi. Ky nuk e firmosi para zgjedhjes së presidentit dhe ky u përpoq gjer në fund ta përdorë atë për të paktën edhe një fotografi me Lindën. A e dëgjuat atë që tha mbrëmë se i rrodhi ajo? Të paktën një fotografi me Lindën të kemi. Ajo nuk ndodhi”, u shpreh ai.

I pyetur a fiton kapital politik Edi Rama nga kjo marrëveshje, Berisha u përgjigj: “Nuk ka gjë në botë që t’i japë më kapital Edi Ramës. Në qoftë se ka një figurë të nxirë. A e di kur ishte mirë Edi Rama? Kur ishte Maduro në pushtet. Se thoshin është Ramduro, por është edhe Maduro. Maduro iku, tani ky ka mbetur i vetëm”.

Bordi i Paqes/ Spiropali: Historike, partneritet me SHBA dhe anëtarësim në BE

Ministrja Elisa Spiropali në seancën në Kuvend ka prezantuar marrëveshjen për Bordin e Paqes, duke theksuar se Bordi i Paqes është një mekanizëm për ndërtimin  e paqes për një botë që ndryshon shumë shpejt.

Gjithashtu Spiropali tha se Shqipëria tregon se është gati për vendimmarrje dhe se partneriteti me SHBA është i rëndësishëm.

“Sot po ju ftoj të votoni për seriozitetin e Shqipërisë si aleate; që po, nën drejtimin e Edi Ramës është ngritur në lartësinë e paimagjinueshme si asnjëherë më parë”, tha ajo.

Më tej Spiropali sqaroi se përfshirja e Shqipërisë në Bordin e Paqes nuk sjell angazhime të fshehta dhe se është një përgjegjësi.

“Për vite me radhë në këtë sallë është thënë se Shqipëria nuk pyetet se Shqipëria nuk dëgjohet. Por ftesa që kemi sot përpara tregon krejt të kundërtën. Është ndërtuar një besim me punë e ndershmëri. Sot Shqipëria ka marrëdhënie të besueshme jo vetëm me partnerët tanë në Europë e SHBA, por edhe në Lindjen e Mesme, ne Izrael e Botën Arabe. Sot Shqipëria ftohet si anëtare themeluese dhe çfarë mund të bëjë më shumë një kryeministër për vendin e tij se sa të bëjë Shqipërinë të shihet e dëgjohet aty ku dikur nuk ekzistonte. Kryeministri i Shqipërisë e ka pasur Kosovën gjithmonë me vete”, tha ajo.

Pse nuk mori pjesë në Davos? Rama: Zgjodha vajzën me lejen e Trump

Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në seancën plenare, iu përgjigj deputetëve demokratë se përse nuk mori pjesë në forumin e Ekonomisë në Davos.

“Jeni shqetësuar që nuk mora pjesë në Davos. Mes ftesës së babait dhe vajzës, zgjodha vajzën. Dhe natyrisht vajzën e zgjodha me lejen e babait. E dyta, duke qenë se z. Mediu lidh Amerikën me rrugën e shpresës të hidhte poshtë pretendimin e Britanisë dhe të mbante amanetin e Amerikës, por s’ka asnjë problem. Rrini i qetë, analizat i kanë bërë ata që i kanë ftuar” – tha Rama.

Bordi i Paqes për Gazën/ 19 shtetet që firmosën dokumentin e themelimit

Presidenti amerikan Trump nënshkroi dokumentin i pari, duke themeluar zyrtarisht Bordin e Paqes si një organizatë ndërkombëtare. Udhëheqësit dhe përfaqësuesit e shteteve që janë pjesë e tij firmosën me radhë së bashku me presidentin amerikan. Shtetet që nënshkruan ngritjen e Bordit të Paqes për Gazën në Davos:

  1. Bahreini
  2. Maroku
  3. Argjentina
  4. Armenia
  5. Azerbajxhani
  6. Bullgaria
  7. Hungaria
  8. Indonezia
  9. Jordania
  10. Kazakistani
  11. Kosova
  12. Pakistani
  13. Paraguai
  14. Katari
  15. Arabia Saudite
  16. Turqia
  17. Emiratet e Bashkuara Arabe
  18. Uzbekistani
  19. Mongolia

Shumë shtete nuk ishin të pranishme në ceremoninë e nënshkrimit në Davos edhe pse kanë pranuar të bëhen pjesë e Bordit, siç është rasti i Shqipërisë. Në përfundim të ceremonisë, Presidenti amerikan tha se shumë shtete të tjera i janë bashkuar Bordit, por pa specifikuar një numër konkret.

Putin: Ajo që po ndodh me Groenlandën nuk na shqetëson aspak

Presidenti rus Vladimir Putin u përpoq të distancohej nga çdo rol i Moskës në debatin për Groenlandën të mërkurën, duke deklaruar: “Ajo që po ndodh me Groenlandën nuk na shqetëson aspak”. Megjithatë, ai e bëri këtë duke dhënë edhe një kontekst historik që, gjithsesi, dukej se i referohej ambicieve të presidentit amerikan Donald Trump.

Duke folur në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë të mërkurën, Putin përmendi shitjen e Alaskës nga Rusia në vitin 1867, duke theksuar se SHBA e bleu territorin për 7,2 milionë dollarë, një shumë që ai vlerësoi se sot do të ishte rreth 158 milionë dollarë.

Putin më pas krahasoi madhësinë e Alaskës me atë të Groenlandës dhe sugjeroi se, sipas së njëjtës logjikë, vlera e Groenlandës mund të ishte “diku rreth 200–250 milionë dollarë”, ose “më afër një miliardit” nëse llogaritet sipas çmimeve historike të arit. “Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje ta përballojnë këtë shumë”, tha ai.

Më pas ai përmendi një tjetër shitje historike: atë nga Danimarka të Ishujve të Virgjër te SHBA në vitin 1917.

Putin theksoi se çështja “nuk na shqetëson” dhe se duhet të zgjidhet mes Danimarkës dhe SHBA-së. “Danimarka e ka trajtuar gjithmonë Groenlandën si koloni dhe e ka trajtuar mjaft ashpër, për të mos thënë mizorisht”, shtoi ai. “Por kjo është një çështje tjetër dhe vështirë se i intereson dikujt tani. Gjithsesi, kjo nuk na shqetëson. Mendoj se ata do ta zgjidhin mes tyre”.

Mbretëria e Bashkuar refuzon “Bordin e Paqes”

Mbretëria e Bashkuar nuk do të nënshkruajë traktatin e quajtur “Bordi i Paqes” të Presidentit amerikan Donald Trump, për shkak të shqetësimeve lidhur me përfshirjen e Rusisë, deklaroi sekretarja britanike e Jashtme, Yvette Cooper.

Duke folur për BBC nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, Cooper tha se Britania mbështet planin 20-pikësh të Trump për Gazën dhe se vendi i saj dëshiron të luajë një rol në fazën e dytë të procesit të paqes për rajonin.

Megjithatë, kur u pyet nëse Britania do të bëhej pjesë e “Board of Peace”, Cooper tha:

“Ka shumë punë për t’u bërë. Ne nuk do të jemi nënshkrues sot, sepse bëhet fjalë për një traktat ligjor që ngre çështje më të gjera, dhe gjithashtu kemi shqetësime për përfshirjen e Putinit, që flet për paqe, ndërkohë që nuk kemi parë ende ndonjë shenjë se ai është i përkushtuar ndaj paqes në Ukrainë”.

Bordi i Paqes, PD kërkon që Shqipërinë ta përfaqësojë Begaj, jo Rama

Partia Demokratike u shpreh pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes, por është kundër që shqyrtimi i vendimit të qeverisë të bëhet me procedurë të përshpejtuar.
Gjithashtu, PD ka depozituar një amendament ku thotë se vendi ynë duhet të përfaqësohet në bord me Presidentin, jo me Kryeministrin.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, propozoi që t’i kërkohet Presidentit autorizimi që marrëveshja të hyjë në fuqi menjëherë dhe më pas ta miratojmë. “E kemi marrë plotfuqishmërinë nga Presidenti”, iu përgjigj Taulant Balla. 

Seanca për votimin e anëtarësimit në Bordin e Paqes do të vijojë në orën 12:00.

Seanca në Kushtetuese për Ballukun, Gjykata e Posaçme nuk do të marrë pjesë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë këtë të enjte në seancën e parashikuar për t’u zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese, për ankimimin që i ka bërë Kryeministri Rama vendimit të saj për pezullimin e Belinda Ballukut nga detyra e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

“Ju informojmë se GJKKO nuk do të marrë pjesë në këtë seancë plenare pasi vlerëson se nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj. Pjesëmarrja e GJKKO-së si palë e interesuar në Gjykatën Kushtetuese do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor”.

GJKKO i ka kthyer përgjigje Gjykatës Kushtetuese, duke parashtruar arsyet ligjore për të cilat kjo gjykatë nuk mund të legjitimohet si palë në gjykimin kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë.

Në parashtrimin me shkrim që ka dërguar në Kushtetuese, GJKKO thotë se “kompetenca e gjyqtarit është kufiri i fundit që përcakton fushën e juridiksionit, brenda të cilit ai është i detyruar që të procedojë për zgjidhjen e një çështjeje të caktuar. Problemet e zbatimit dhe të interpretimit të ligjit, duke përfshirë edhe dispozitat për kompetencën, u takojnë në parim gjykatave të pushtetit gjyqësor”.

Sipas saj “fillimisht çdo çështje e ushtrimit të juridiksionit gjyqësor mbi një çështje konkrete zgjidhet brenda pushtetit gjyqësor dhe pasi të shterohen mjetet e brendshme juridike zgjidhet nga Gjykata Kushtetuese”.

Gjithashtu GJKKO thotë se “për sa kohë një çështje konkrete penale është e varur përpara juridiksionit gjyqësor të zakonshëm nuk mund të ndërhyhet nga autoritet të tjera shtetërore pa cenuar nenin 145 të Kushtetutës”.

Ankesa ndaj Evropës dhe Groenlanda, CNN: Pesë mesazhe të forta nga Trump në Davos

Presidenti amerikan Donald Trump mbajti një fjalim të gjatë në Forumin Ekonomik Botëror, duke rritur shqetësimet për thellimin e përçarjeve mes SHBA-së dhe aleatëve evropianë.

Mes akuzave, talljeve dhe kërcënimeve të nënkuptuara, Trump ofroi vetëm një moment qetësimi: tha se nuk do të përdorë forcë ushtarake për të marrë Groenlandën, shkruan CNN.

  1. Trump për Groenlandën: “Nuk do të përdor forcë”

Deklarata më e rëndësishme për evropianët ishte e qartë: Trump përjashtoi përdorimin e forcës për Groenlandën. Kjo uli tensionet dhe u prit pozitivisht edhe nga tregjet. Megjithatë, ai këmbënguli se synon pronësinë e plotë të territorit gjysmë-autonom të Danimarkës, duke paralajmëruar se do të “kujtojë” ata që i rezistojnë.

  1. Argument historik dhe sulm ndaj Danimarkës

Trump e quajti Danimarkën “mosmirënjohëse”, duke pretenduar se SHBA-ja e mbrojti gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe se gaboi që ia ktheu Groenlandën. Ai deklaroi se vetëm SHBA-ja mund ta sigurojë territorin, duke vënë në dyshim aftësitë mbrojtëse të aleatëve të NATO-s.

  1. Ankesa dhe sulme ndaj aleatëve

Presidenti amerikan sulmoi disa vende evropiane, përfshirë Zvicrën, Francën dhe Kanadanë. Ai talli liderë, kërcënoi me tarifa dhe deklaroi se shumë vende “jetojnë falë SHBA-së”.

Po ashtu, Trump ringjalli sulme të brendshme politike, përfshirë ndaj Rezervës Federale dhe përfaqësueses Ilhan Omar, me deklarata të ashpra për emigracionin dhe “kulturën perëndimore”.

  1. Sallë e mbushur, reagim i ftohtë

Edhe pse salla ishte plot, audienca u bë gjithnjë e më e heshtur dhe e parehatshme teksa fjalimi zgjatej. Argumentet për Groenlandën dhe sulmet ndaj Evropës shkaktuan mosbesim dhe nervozizëm; disa pjesëmarrës u larguan para përfundimit.

  1. Një Evropë që Trump “nuk e njeh”

Në thelb të fjalimit ishte bindja e Trump se Evropa ka humbur rrugën, sidomos për shkak të emigracionit dhe politikave ekonomike. Ai tha se kontinenti është “i panjohshëm” dhe se pa SHBA-në, Evropa nuk do të funksiononte, deklarata që lanë gjurmë të forta në marrëdhëniet transatlantike.

Fjalimi i Trump në Davos thelloi ndarjet me Evropën. Edhe pse përjashtoi forcën për Groenlandën dhe foli për një “marrëveshje afatgjatë”, toni përçarës dhe kërkesat maksimale lanë më shumë pyetje sesa qartësi për të ardhmen e aleancës perëndimore.

“Mirror”: Turistët britanikë zgjedhin Rivierën Shqiptare

Nëse keni dashur gjithmonë të vizitoni Maldivet, por ju mungon koha dhe buxheti, kompania ajrore “Ryanair” mundëson fluturime të lira drejt alternativave evropiane ku mund të shijoni plazhe po aq të bukura, shkruan Natalie King në një artikull të botuar në të përditshmen “Mirror”.

Linja ajrore me kosto të ulët “Ryanair” ka lançuar një numër linjash të reja, përfshirë drejt Shqipërisë, që po bëhet gjithnjë e më popullore në mesin e turistëve britanikë, falë ngjashmërisë së plazheve të saj që shpesh krahasohen me Maldivet.

“Ryanair” do të ofrojë 20 linja të reja për në Tiranë, duke e rritur numrin e linjave të saj në qytet në 43.

Nga pranvera, turistët do të jenë në gjendje të vizitojnë qytetin shqiptar nga Liverpuli, Birminghami dhe Dublini, me fluturime që zgjasin pak më shumë se tre orë.

Fluturimet janë të disponueshme nga Liverpuli dhe Dublini për 23 £  vajtje), me temperatura maksimale që arrijnë 26 gradë Celsius gjatë majit maj.

Shqipëria po bëhet një destinacion popullor për turistët që kërkojnë të pushojnë në diell me një buxhet të kufizuar, në pranverë.

Nëse jeni duke kërkuar pushime në plazh, ju rekomandojmë të udhëtoni në Shqipëri!

Ksamili në jug të vendit është një nga zonat më të njohura të plazhit dhe mund të merrni një autobus direkt për në vendpushim nga aeroporti, i cili zgjat pak më pak se katër orë.

Ksamili është një fshat bregdetar që ndodhet midis një lagune dhe detit Jon, me Korfuzin përballë tij.

Plazhet e tij me rërë të bardhë, deti bruz dhe ishujt e vegjël, të krahasuara me Maldivet, mund të eksplorohen me varkë.

Për një përvojë të plotë në stilin e Maldiveve, rezervoni një ditë në vendpushimin “Pema e Thatë”, ku mund të merrni me qira kabina.

Gjithashtu do të gjeni disa kasolle plazhi me rrjeta mbi ujë, ku mund të uleni dhe të relaksoheni, duke parë valët e buta të detit poshtë.

Mund të porosisni një birrë për rreth 2,25 paund dhe ta pini ndërsa shijoni pamjet.

Durrësi është rreth gjysmë ore larg nga Tirana dhe është një qytet port që ndodhet në një zonë të gjatë bregdeti me rërë.

Plazhi i Durrësit ka një shëtitore të rrethuar me palma dhe ujëra të kaltra, dhe ndodhet vetëm disa minuta larg qendrës historike të qytetit.

Gjithashtu, do të gjeni Plazhin e Currilave, pranë portit. Ju mund të merrni me qira një shezlong dhe të uleni në një nga baret dhe restorantet e plazhet, që krijojnë një atmosferë të gjallë.

Durrësi është gjithashtu i famshëm për amfiteatrin e tij romak, dhe pjesë të kësaj strukture të shekullit II janë ende “në këmbë”, përfshirë shkallët prej guri.

Një nga pamjet më ikonike të qytetit është Kulla Veneciane e shekullit V e Durrësit, një fortifikim mesjetar ku mund të shijoni pamje spektakolare bregdetare nga kullat e saj të vjetra të rojeve.

Ia vlen gjithashtu të vizitoni Muzeun Arkeologjik, një muze arkeologjik lokal plot me objekte që datojnë mijëra vjet më parë.

Tirana është gjithashtu një destinacion magjepsës për pushime në qytet.

Sheshi Skënderbej është një vend i shkëlqyer për të nisur turin. Do të gjeni ndërtesa të tilla si Xhamia e Et’hem Beut e shekullit XVII, e vendosur pranë Teatrit të Operas në stilin sovjetik, dhe Muzeut Historik Kombëtar – i cili është i zbukuruar me një mural të madh që përshkruan njerëz që luftojnë për lirinë e vendit.

Gjithashtu mund të vizitoni Bunk’Art 2 unik – një muze i vendosur brenda një bunkeri bërthamor të epokës komuniste.

Zbritni shkallët e pjerrëta dhe do të hyni në një botë gjithëpërfshirëse ku mund të mësoni rreth historisë magjepsëse të Shqipërisë dhe si ishte jeta gjatë dekadave të saj si një shtet i fshehtë komunist.

Parashikimi i motit, 22 janar 2026

Për ditën e enjte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura si dhe intervale të herëpashershme me kthjellime.

Përgjatë ultësirës perëndimore dhe zonave bregdetare reshje shiu të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët. Këto reshje në periudha tepër afatshkurtra në formën e shtrëngatave. Mjegull e dendur/mjegullinë në zonat luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut. Në zonën e Alpeve reshje dëbore me intensitet të ulët kryesisht në orët e mëngjesit dhe ato të mbrëmjes vonë.

Era do të fryjë me drejtim verilindje – juglindje, me shpejtësi mesatare 7 m/s, përgjatë vijës bregdetare dhe zonat luginore era me shpejtësi deri në 16 m/s.

Deti – Valëzimi forcës 2-4 ballë.

Horoskopi, 22 janar 2026

Dashi

Me vullnet dhe dëshirë mund të arrini ta përmirësoni situatën ne jetën tuaj sentimentale. Nëse nga ana tjetër i lini gjërat të rregullohen vete, nuk keni për të arritur askund. Beqarët do afrohen me tepër me disa persona të cilët kanë kohë që i joshin. Në planin financiar duhet të ruani gjakftohtësinë në mënyrë qe t’i zgjidhni sa më shpejt problemet.

Demi

Duhet t’ua vini veshin mire sot këshillave që do iu japë partneri sepse vetëm ne këtë mënyrë mund ta përmirësoni gjendjen ndërmjet jush. Beqarët do kenë disa takime, por asnjeri nga personat nuk do i përmbushë te gjitha kërkesat. Mos kërkoni perfeksionin. Financiarisht do njihni momente të vështira, të cilat vetëm me maturi dhe kujdes do i kaloni.

Binjakët

Do filloni te bëni projekte afatgjata gjatë kësaj dite me partnerin tuaj sepse tashme ndiheni të sigurte që ai është personi me të cilin doni të kaloni gjithë jetën. Beqaret do jene pasionante dhe gati të fillojnë edhe aventura kalimtare dhe të çmendura. Në planin financiar do i kaloni vështirësitë dhe do ndiheni më të qetë. Nuk do e keni të vështirë të kryeni shpenzimet më të nevojshme.

Gaforrja

Do ndiheni të lire të bëni atë që dëshironi gjate kësaj dite dhe gjërat do shkojnë më së miri. Do dashuroheni plot pasion me partnerin. Nëse zemra juaj është e lirë mos i refuzoni disa ftesa që do ju bëhen. Mundësi të tilla rralle vijnë në jetë. Financat do jenë përgjithësisht të mira. Nëse tregoheni të matur me shpenzimet gjendja do mbetet e qëndrueshme.

Luani

Të dashuruarit do bashkëpunojnë me njeri-tjetrin dhe do mundohen te zgjidhin problemet e hershme. Me dëshirë dhe optimizëm gjithçka mund të rregullohet. Beqarët do kenë shume sukses në dashuri dhe e gjithë jeta do ju ndryshojë në një moment të vetëm. Financat do jenë mjaft delikate kështu që shmangni çdo lloj çmendurie nëse nuk doni të mbeteni pa para.

Virgjëresha

Tregohuni sa më spontane në jetën tuaj në çift gjatë kësaj dite dhe bëni atë që ndjeni. Do e shihni që do përjetoni me tepër kënaqësi. Beqarët do kenë mundësi pa fund për aventura, por nuk do ndihen gati dhe do preferojnë të qëndrojnë vetëm. Financat do jenë mjaft delikate dhe gabimi me i vogël mund të sjellë probleme të paimagjinueshme.

Peshorja

Duhet të ndryshoni rrënjësisht sjelljen tuaj përkundrejt partnerit gjatë kësaj dite në mënyrë që edhe gjerat t’iu ecin mire. Kokëfortësia dhe mungesa e tolerancës nuk ju çon askund. Beqarët ka mundësi të njihen me persona interesante gjatë mbrëmjes. Financat do jenë goxha më të mira se disa ditë më parë, prandaj mund të kryeni investime dhe transaksione.

Akrepi

Ditë shumë normale dhe pa ndonjë emocion të veçantë kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Merrini gjërat ashtu si t’iu vijnë. Beqarët do takohen me disa persona të urtë dhe tolerantë me të cilët mund të krijojnë një lidhje afatgjate. Në planin financiar do keni fat me shumicë kështu që nuk duhet të shqetësoheni aspak. Gjendja do jetë mjaft e mirë.

Shigjetari

Jeta juaj në çift do jetë e mrekullueshme gjatë kësaj ditë. Do merreni vesh për çdo gjë me atë që keni në krah dhe nuk do hidhni asnjë hap pa rënë të dy dakord. Beqarët më mirë të qëndrojnë edhe sot vetëm sepse në të kundërt mund të përballen me zhgënjime. Për financat do përkujdeseni tej mase dhe gjendja do vije duke u përmirësuar.

Bricjapi

Ditë e mrekullueshme për çiftet. Do e përforconi edhe me shumë lidhjen që keni krijuar dhe do e shihni me optimizëm edhe të ardhmen. Beqarët do jenë të parezistueshëm prandaj do marrin plot ftesa e propozime. Ka mundësi që shumë shpejt statusi të ndryshoje. Financat nuk do jenë në gjendjen më të mirë të mundshme kështu që kryejini me kujdes shpenzimet.

Ujori

Problemet e se shkuarës mund të rishfaqen serish ne jetën tuaj ne çift sot dhe do ua prishin qetësinë që ekzistonte. Tregohuni shume të kujdesshëm me gjithçka që do thoni. Beqarët nuk do e kërkojnë dashurinë sepse edhe ashtu si janë ndihen mire. Në planin financiar do e ruani gjithë kohës ekuilibrin. Nuk do keni vështirësi për të kryer shpenzimet e domosdoshme.

Peshqit

Ditë shumë delikate dhe e mbushur me probleme te mëdha kjo e sotmja për te dashuruarit. Asgjë nuk ka për të shkuar si e kishit menduar dhe kjo për shkak te pamaturisë dhe këmbënguljes suaj boshe. Beqarët do kenë një dite normale dhe pa takime vendimtare. Në planin financiar mundohuni të mos kryeni çmenduri edhe sikur gjendja të jetë e mirë.

“Gjurmohen pleq të pasur”, gazetari flet për mashtrimet me call center

Aksioni policor i disa ditëve më parë për goditjen e një aktiviteti mashtrues call center-ash në Tiranë zbuloi skemën e grabitjes së miliona eurove që orkestrohej në një ndërtesë në zemër të Tiranës.

Gazetari Eni Ferhati shpjegon në emisionin “Opinion” në Tv Klan vështirësinë e zbulimit të skemave të tilla për shkak të mungesës së gjurmimit. Gjithashtu, ai shpjegon zinxhirin që këto call center mashtruesë ndjekin për të marrë paratë e kujtdo që zgjedh t’u besojë me idenë për të fituar para.

Eni Ferhati: Gjurmohen kryesisht mosha të treta, pra pleq të pasur të cilët telefonohen një ditë dhe mendojnë realisht që kursimet që kanë mund t’i shumëfishojnë. Futen në një platformë që është fake e gjitha. Ti i shikon realisht që po rriten paratë në llogarinë tënde.

Blendi Fevziu: Pra ata kanë ndërtuar edhe një platformë të rreme që ti ndjek grafikun sesi të shkon.

Eni Ferhati: Ti mendon që po fiton para. Ka pasur raste që moshat e treta u kanë dhënë të drejtën që të kenë akses te llogaria bankare dhe në moment janë zhdukur 500, 600 mijë euro. Nuk besoj që e ekzagjeroj nëse them që në vitin 2016 ne kishim kanabizim të Shqipërisë, sot kemi foreksizim.

Si mashtrojnë call center-at në Shqipëri, gazetari zbërthen skemën

Gazetari Taulant Kopliku, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tregoi skemën sesi mashtrohen europianët, përmes call center-ave në Shqipëri.

Kopliku u shpreh se mashtrime bëjnë vetëm disa call-center dhe jo të gjithë. Ai tregoi se edhe kur ka arrestime, më shumë bëhen, pas investigimeve të emisioneve të huaja, sesa nga autoritetet shqiptare.

“Disa call center mashtrues ofrojnë “investime” në bursa, që do të thotë vjedhje dhe mashtrim. Dikush në Itali ngriti alarmin se dikush në Shqipëri po mashtron. Le Iene ka bërë investigime të rëndësishme për këtë fushë mashtrimi. Call center-at në Shqipëri përmendin kompani të mëdha italiane, më pas telefonata i kalohej një operatori që ishte në Shqipëri dhe kështu niste zhvatja me 250 euro në fillim, më pas i tregohej se i janë rritur shumat. Një person mund të jetë mashtruar me 200 mijë, 500 mijë euro. Në total bëhen 30 milionë euro të vjedhura qytetarëve europianë, sepse call center-at mashtrues kanë afër 10 punonjës. Nga investigimi i Le Iene, mund të them se personi i infiltruar punoi në Tiranë vetëm në dy ditë sepse kuptoi se mund ta zbulonin, por dhe me kaq ditë dokumentoi skemën e mashtrimit. Ka pasur kallëzime tek autoritetet italiane nga ana e qytetarëve atje, por nuk ecin përpara këto kallëzime, sepse ka raste që shumat nuk janë të mëdha”, tha gazetari Kopliku.

Policia e kryeqyetit ka goditur një sërë call center-ash, që mashtronin qytetarë euiropianë, duke i gënjyer se po investonin në bursa. Dhjetë persona u arrestuan në një operacion të ditëve të fundit në Tiranë, që kishte në fokus call center-a, të cilët mashtrojnë të huajt.

❌