15:59 “Tirana ka vajza të jashtëzakonshme”, Norvegjia nis hetimet ndaj ish-kryeministrit Jagland pasi i doli emri në dosjet e Epsteinit
Policia në Norvegji ka hapur një hetim për korrupsion ndaj ish-kryeministrit të vendit, Thorbjørn Jagland, për lidhjet e tij të dyshuara me financierin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein, i vetëvrarë në burg në vitin 2019.
BBC shkruan se një njësi speciale e policisë norvegjeze, e cila po analizon dosjet e reja të publikuara mbi Epstein në SHBA, tha se 75-vjeçari dyshohet për “korrupsion të rënduar”.
Policia tha se tashmë i ka kërkuar ministrisë së jashtme të vendit të heqë imunitetin e tij, të cilin e gëzon për shkak të rolit të tij të mëparshëm si diplomat i lartë.
Jagland është gjithashtu ish-kryetar i Komitetit Nobel norvegjez dhe ka kaluar 10 vite si sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës. Jagland është ish-zyrtari i cili në dokumentet e publikuara, rezultonte se i kishte dërguar një e-mail mikut të tij Jeffrey Epstein më 25 maj të vitit 2012, ku shprehej se ka vizituar Tiranën, ku kishte parë vajza të jashtëzakonshme (lexo këtu).
Avokati i tij tha se do të bashkëpunojnë plotësisht me hetimin.
Pål K. Lønseth, kreu i Økokrim (që është njësia e krimit ekonomik që po heton Jagland-in), tha: “Ne konsiderojmë se ka baza të arsyeshme për hetim, duke qenë se ai mbajti pozicionet e kryetarit të Komitetit Nobel dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës gjatë periudhës së mbuluar nga dokumentet e publikuara.”
“Ndër të tjera, Økokrim do të hetojë nëse dhurata, udhëtime dhe hua janë marrë në lidhje me pozicionin e tij.” Policia shtoi se detaje të tjera do të jepen “në një fazë të mëvonshme”.
Ministri i Jashtëm norvegjez, Espen Barth Eide, tha se është “e rëndësishme që faktet e këtij rasti të dalin në dritë”. Ai shtoi se Oslo do t’i kërkojë Këshillit të Europës që imuniteti i Jagland-it të hiqet.
Avokati i Jagland, Anders Brosveet, mirëpriti hapjen e hetimit. “Bazuar në atë që kemi gjetur deri tani, jemi të bindur për rezultatin,” tha ai për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ndërkohë, Brosveet i tha faqes së lajmeve VG në Norvegji se ai dhe klienti i tij do të dorëzojnë “gjetjet kryesore dhe dokumentacionin që kemi tek Økokrim sa më shpejt të jetë e mundur”.
Jagland ka qenë kryeministër i Norvegjisë në vitet 1996-97, dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës në vitet 2009-19. Ai gjithashtu ka kryesuar Komitetin Nobel norvegjez në vitet 2009-2015./mxh






















