Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

S'ka vendim për debat publik për ndryshimet në Kodin Penal



Shumica parlamentare nuk ka vendosur akoma nëse do të ketë ose jo debat publik të organizuar në Kuvend, me pjesëmarrjen e ekspertëve, për ndryshimet e propozuara të Kodit Penal. Edhe pse një ditë më parë dukej se kishte një pajtueshmëri edhe nga pushteti në kërkesën e LSDM-së për debat në prani të ekspertëve, një vendim i tillë nuk është marrë akoma.

Nga VLEN vlerësojnë se debat duhet të ketë për Kodin e ri Penal që do të përgatitet ndërkohë.

“Ky ndryshim i Kodit Penal është korrigjimi i ndryshimeve të qeverisë totalisht të dështuar të BDI-së në qershor të 2023-shit. Ne e dimë se sa u përfol dhe dëmet që sollën ata ndryshime dhe duhet kujtuar se ndryshimet e shtatorit, 2023 nga qeveria e BDI-së u bënë për të shpëtuar Sashi Mijallkovin, Gruevskin dhe Ramiz Merkon. Pra, Ramiz Merko nga 30 padi, mbeti me 9 padi penale sepse një pjesë ju vjetërsuan. Sasho Mijallkovit ju vjetërsuan sepse Enver Bexheti la në sirtarë shumë lëndë… Nuk ka nevojë tani sepse diku në maj ose qershor pritet të kemi një Kod të ri penal dhe unë mendoj që atëherë do të ketë debat publik”, tha Bekim Qoku, koordinator i grupit parlamentar të VLEN-it.

Ndryshimet e propozuara të Kodit Penal që ndodhen në Kuvend, janë një përpjekje për rikthimin e dispozitave të shfuqizuara më shumë se dy vite më parë, me të cilat u lehtësuan ose u shfuqizuan dënimet për personat zyrtar në rastet e keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Po ata ndryshime mundësuan vjetërsimin e shumë lëndëve gjyqësore.

Ligjvënësi, në vitin 2023, nëpërmjet ndryshimeve ligjore, ndërhyri në veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar” Neni 353, në mënyrë të tillë që u fshi një nga tre veprimet e kryerjes së këtij krimi, që është kryerja e krimit duke përfituar nga pozicioni ose autoriteti zyrtar. Me këtë ndërhyrje, aktualisht ekzistojnë vetëm dy veprime të kryerjes në veprën penale të lartpërmendur: nëse “do të ndërmarrë një veprim zyrtar me të cilin do të tejkalojë kufijtë e autoritetit të tij zyrtar ose nuk do të kryejë detyrën e tij zyrtare”.

Sipas propozuesit, tendenca e ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore të propozuara tani është të përmirësojë dispozitat mbi personat juridikë dhe të shtrëngojë politikën penale duke rritur dënimet ekzistuese të përcaktuara për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar” nga Neni 353, dhe “Bashkim kriminal” nga Neni 394.

Ndryshimet janë kërkesë e pakompromis e Komisionit Evropian si pikë e Agjendës së Reformave.

Nesër mbahet takimi i liderëve, pritet të diskutohet për ligjet reformuese dhe shfuqizimin e qeverisë teknike



Në prag të takimit të nesërm të liderëve që e ka iniciuar kryeministri Hristijan Mickoski, për momentin ende është e paqartë se kush do të ulet në tryezën e bisedimeve rreth ligjeve reformuese dhe propozimit për shfuqizimin e Qeverisë së Përzhinës. Partneri qeveritar VLEN ka paralajmëruar se do të marrë pjesë me dy përfaqësuesit e vet, Bilall Kasamin dhe koordinatorin e grupit parlamentar Bekim Qokun. Ai deklaroi se do ta mbështesin propozimin e Mickoskit për shfuqizimin e qeverisë teknike.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, e refuzoi menjëherë ftesën me arsyetimin se janë kundër që në të ardhmen të mos ketë qeveri teknike, e cila, siç tha ai, është garanci për zgjedhje të ndershme, ndërsa për ligjet reformuese do të votojnë në Kuvend. Nga partia edhe sot e konfirmuan këtë qëndrim.

“Pushteti aktual i koalicionit tender OBRM-PDUKM-ZNAM po i keqpërdor institucionet dhe resurset shtetërore për qëllime partiake dhe kriminale. Po miratohen rezoluta me të cilat praktikisht po shfuqizohet liria e fjalës së opozitës, ndërsa me Ligjin për Policinë po shkohet drejt një partizimi të plotë të MPB-së. Legalizimi i mbikëqyrjes masive me 65 mijë kamera mundëson mbikëqyrje digjitale të lëvizjeve të qytetarëve. Ministri teknik nga opozita është garanci që ky sistem nuk do të keqpërdoret për ndjekjen e qytetarëve apo të opozitës gjatë fushatës”, thonë nga LSDM.

Nga BDI ende s’kanë një vendim final nëse do të marrin pjesë, por paralajmëruan se është e mundur të dalin me kërkesat e tyre. Sekretari i përgjithshëm i partisë, Arbër Ademi, në emisionin “Click Plus” në TV21 vlerësoi se për momentin një takim i liderëve është i rëndësishëm, por shtoi se takimet e liderëve duhet të fokusohen në diskutime me kornizë dhe agjendë të qartë për çështje që janë me rëndësi për shtetin dhe qytetarët, e jo vetëm për fotografim. Nëse BDI merr pjesë në takimin e liderëve, Ademi deklaroi se në tryezë do ta vendosin çështjen e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe disa tema të tjera të rëndësishme për vendin.

“A është e nevojshme që të diskutohet për çështje që janë me rëndësi për shtetin dhe qytetarët, unë mendoj se po, mirëpo ai takim i liderëve duhet të ketë dialog me substancë, duhet të ketë një dialog me kornizë, duhet të ketë një dialog me agjendë mirë të definuar dhe mirë të përcaktuar dhe jo një takim sa për një fotografi dhe pamje të cilat do të shkonin lajmet e ditës”, u shpreh Arbër Ademi – Sekretar i Përgjithshëm i BDI-së.

Pjesëmarrje në takimin e liderëve paralajmëruan edhe nga partneri qeveritar ZNAM, si dhe nga Levica, nga ku thanë se do ta pranojnë shfuqizimin e qeverisë teknike, por vetëm nëse vendoset një njësi zgjedhore dhe sigurohet qasje e barabartë për përfaqësim mediatik në periudhën parazgjedhore./TV21/

Vazhdon debati për Propozim-buxhetin për vitit 2026


Gashi në takim me Aggeler: Ambasadorja ka lënë gjurmë të dukshme në zhvillimin e proceseve demokratike dhe moderne në vend



Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim të lamtumirës me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela Aggeler.

Siç njoftojnë nga kabineti i tij, Kryetari Gashi shprehu mirënjohje për përkushtimin e saj personal, qasjen profesionale dhe mbështetjen për proceset demokratike në vend.

"U theksua veçanërisht roli i saj në forcimin e bashkëpunimit institucional, ndërtimin e besimit dhe avancimin e dialogut me Kuvendin. Kryetari Gashi shprehu mirënjohje edhe për Ambasadën e SHBA-së për mbështetjen e saj të vazhdueshme dhe të fortë për Republikën e Maqedonisë së Veriut në forcimin e institucioneve demokratike, sundimin e ligjit, stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit. Në këtë kontekst, u theksua edhe mirënjohja për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partner strategjik dhe aleat".

"Kryetari Gashi theksoi se kontributi i ambasadores Aggeler dhe SHBA-së ka lënë gjurmë të dukshme dhe pozitive në zhvillimin e proceseve demokratike dhe moderne në vend. Ai shprehu gjithashtu besimin se marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimi do të vazhdojnë edhe në të ardhmen", thuhet në njoftim.

Kuvendi verifikon mandatin e Zeqirja Tairit, zë vendin e Bekim Salit



Kuvendi, në seancën e 80-të të sotme, e verifikoi mandatin e deputetit të ri Zeqirja Tairi nga VLEN, i cili zëvendëson Bekim Salin, pasi i njëjti u emërua për zëvendëskryeministër të parë dhe ministër për Çështje Evropiane.

Në fillim të seancës, sipas propozimit të një grupi deputetësh, u tërhoqën projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Policinë dhe Ligjit për Punët e Brendshme, të dyja sipas procedurës së shkurtuar.

Gjatë vazhdimit të seancës, Kuvendi duhet të zgjedhë Arlinda Kadri-Shahinoviç dhe Suzana Joshevska-Anastasovska si anëtare të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të propozuara nga kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova.

Siljanovska Davkova i dorëzoi në Kuvend propozimet për dy anëtarë të Këshillit Gjyqësor



Në Kuvend janë dorëzuar materialet për zgjedhjen e Suzana Joshevska Anastasovska dhe Arlinda Kadri Shahinoviq për anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut me propozim të presidentes Gordana Siljanovska Davkova.

Arlinda Kadri-Shahinoviq është profesoreshë universitare me karrierë akademike shumëvjeçare në Fakultetin për Shkenca Juridike dhe Politike në Universitetin FON dhe MIT, ndërsa në publik është e njohur edhe si ish anëtare e Komisionit për amnisti. Suzana Joshevska Anastasovska është avokate me praktikë shumë vjeçare, veçanërisht në çështjet penale.

Propozimet vijojnë pas miratimit të Ligjit të ri për Këshill Gjyqësor më 29 dhjetor, i cili sjell ndryshime për rritje të transparencës dhe llogaridhënies, për të publikuar procedurat, për të specifikuar kriteret për zgjedhjen e një “juristi të shquar” dhe përforcimin e përgjegjësisë disiplinore të anëtarëve.

Këshilli gjyqësor numëron 15 anëtarë nga të cilët tetë i zgjedhin gjyqtarët, tre Kuvendi, dy i propozon presidenti i shtetit, ndërsa dy janë anëtarë sipas detyrës – kryetari i Gjykatës Supreme dhe ministri i drejtësisë, pa të drejtë vote.

Pritet që propozimet e presidentes të hyjnë në procedurë të Kuvendit nga e hëna.

Ministria e Drejtësisë, Kuvendit të RMV-së: Nevojiten dy përfaqësues për grupin punues për Ligjin Zgjedhor



Ministria e Drejtësisë ka dërguar letër për Kuvendin, partitë parlamentare dhe grupet e pavarura dhe deputetët, duke kërkuar të nominojnë nga dy përfaqësues për grupin punues për Ligjin Zgjedhor.

Pritet që puna të nisë në gjysmën e dytë të janarit, sipas pritshmërive të Ministrisë së Drejtësisë dhe Kuvendit.

Siç shpjegojnë nga Ministria e Drejtësisë, një version punues i Ligjit Zgjedhor do t’u dërgohet deputetëve, të cilët pas konsultimeve në partitë e tyre duhet të paraqesin propozime për grupin punues.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në një intervistë për MIA javën e kaluar deklaroi se koordinatorët e grupeve parlamentare janë dakorduar që Ligji Zgjedhor të miratohet me konsensus, por nuk sqaroi afatin kohor për miratimin e tij.

Kuvendi miratoi kërkesën e Qeverisë për përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit



Kuvendi miratoi kërkesën e Qeverisë për shpalljen e konkursit publik për përzgjedhjen e kryeprokurorit të shtetit i cili duhet të vijë në vend të Lupço Kocevskit të dorëhequr pak para se të shkarkohej. Ditëve në vijim Kuvendi duhet të shpallë konkursin publik ndërsa dorëzimi i kandidaturave do të duhet të bëhet në afat prej 15 ditëve.

Kandidatët duhet të kenë së paku 300 kredi, të kenë provimin e jurisprudencës, përvojë të pandërprerë pune prej së paku 10 viteve si prokuror apo gjykatës. Në këtë pozitë për momentin si ushtruese detyre është Anita Topollova Isajllovska derisa të zgjidhet kryeprokurori i ri. Këshilli i Prokurorëve do të përgatisë mendim për secilin nga kandidatët e paraqitur dhe do ta dorëzojë në Qeveri. Prokurori i ri duhet të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 61 votave.

Më 22 dhjetor, prokurorja Anita Topalova-Isajllovska u zgjodh njëzëri si kandidatja e vetme e propozuar në seancën e Këshillit të Prokurorëve Publikë si ushtruese detyre, duke zëvendësuar prokurorin publik republikan Ljupço Kocevski, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar, pak para se të shkarkohej nga Parlamenti.

Kujtojmë se, më 16 dhjetor, ish-prokurori publik shtetëror Ljupço Kocevski njoftoi se kishte paraqitur dorëheqje të parevokueshme nga detyra. Ai informoi seancën parlamentare në të cilën do të shqyrtohej propozimi i Qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra.

Në Parlament nuk pati asnjë debat sepse, siç informoi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, shqyrtimi i kësaj pike bëhet i pakuptimtë, duke marrë parasysh dorëheqjen e paraqitur të Kocevskit.

Gashi: Bisedimet për Kodin Zgjedhor duhet të fillojnë në janar



Takimi i parë i përfaqësuesve të partive parlamentare dhe ekspertëve për Kodin Zgjedhor duhet të mbahet në gjysmën e dytë të janarit.

Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi në një intervistë për Agjencinë lajmeve të Maqedonisë deklaroi se kjo është rënë dakord në takimin e djeshëm të koordinatorëve të grupeve parlamentare me ministrin e Drejtësisë, Igor Fillkov në Kuvend.

Diskutuam nevojën për miratimin sa më të shpejtë dhe me cilësinë më të lartë të Kodit të ri Zgjedhor. Iniciuam një grup pune. Dhe natyrisht, Qeveria reagoi. Me kërkesë të ministrit të Drejtësisë, ne e thirrëm atë koordinim dhe na thanë se janë në fazën përfundimtare të tekstit të Kodit Zgjedhor, tha Gashi.

Sipas Gashit, koordinatorët e grupeve parlamentare janë pajtuar që Kodi Zgjedhor të miratohet me konsensus, por nuk specifikoi afatin kohor për miratimin e tij.

“Diskutuam përbërjen e grupit, kush do të marrë pjesë, çfarë formati, ku do të zhvilloheshin bisedimet, etj. Megjithatë, për shkak se Ministria e Drejtësisë është udhëheqëse e këtij procesi dhe ata po propozojnë ligjin, do t’u bëjnë thirrje partive politike të propozojnë nga dy përfaqësues secila, por jo vetëm ata të organizuar në grupe parlamentare dhe ata që nuk janë të organizuar në grupe parlamentare, si dhe deputetët e pavarur. Pra, na duhet një konsensus i plotë në procesin e miratimit të Kodit Zgjedhor. Ne ramë dakord për këtë. Dhe pasi të kemi tekstin e propozuar prej tyre, do të dimë saktësisht nëse është plotësisht i ri, apo është ndryshuar apo në çfarë drejtimi apo sa përqind e tekstit është ndryshuar, kështu që partitë politike do të kenë vërejtjet e tyre në lidhje me atë tekst, në mënyrë që bisedimet të fillojnë të harmonizohen me njëra-tjetrën, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje përfundimtare”, deklaroi Gashi.

Kryetari i Kuvendit thotë se ideja është që bisedimet të fillojnë menjëherë në janar dhe qëndrimet të harmonizohen me dinamikë të shtuar.

Kondarko: Në vend të Bekim Salit, mandati i deputetit i kalon Zeqirja Tairit



Pas emërimit të Bekim Sali, për zëvendëskryeministër është liruar një mandat në Kuvend.

Në vend të tij funksionin do ta marrë Zeqirja Tairi. KShZ-ja ka vërtetuar mandatin e Tairit, duke e dorëzuar për miratim në Kuvend.

“Bekim Sali deputet në Kuvend, i zgjedhur nga lista e kandidatëve për deputetë në njësinë e parë zgjedhore, e dorëzuar nga Koalicioni VLEN, iu ndërpre mandati i deputetit. Sipas procedurës së zbatuar, konstatojmë se deputeti i Kuvendit bëhet kandidati Zeqirja Tairi nga lista e kandidatëve për deputetë në Kuvend në njësinë e parë zgjedhore të Koalicionit VLEN. KShZ-ja në përputhje me kodin zgjedhor jep vërtetimin për deputet, i cili iu dha kandidatit Tairi. Vendimi i tillë i dorëzohet Kuvendit për ta vërtetuar mandatin e deputetit për kandidatin në fjalë.”, deklaroi kryetari i KShZ-së, Boris Kondarko.

Gashi: Partitë politike të gjejnë zgjidhje për Avokatin e Popullit



Kryetari i Kuvendit Afrim Gashi u bëri thirrje grupeve parlamentare që të gjejnë vullnet politik dhe të zgjedhin një Avokat të Popullit në Kuvend, pasi punonjësit e institucionit i dërguan një letër Kuvendit, si dhe mediave dhe ambasadave, duke deklaruar se institucioni është në bllokadë të plotë dhe se nuk ka kush t’i nënshkruajë pagat e punonjësve.

Në takimin e sotëm me gazetarët, ai tha se do të angazhohet personalisht për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje, sepse është një institucion i rëndësishëm dhe se është e papranueshme të jesh pa udhëheqës për kaq gjatë.

Megjithatë, nuk ka zgjidhje se si të sigurohen votat nga BDI, duke pasur parasysh se qeveria nuk ka shumicën e Badinterit të nevojshme për të zgjedhur një Avokat të ri të Popullit.

"Sa i përket procedurës, ne kemi bërë gjithçka që ajo të ecë normalisht, por jemi zënë në befasi nga vullneti politik i partive politike. Ju e dini që duhet të votohet me shumicë dhe me një Badenter të madh (20 deputetë nga komunitetet). Po e shfrytëzoj këtë mundësi përmes jush, mediave, për t'u bërë thirrje të gjitha partive politike që ta zhbllokojnë këtë proces, të gjejnë një zgjidhje, që aktorët politikë të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje. Mbi të gjitha, le të jemi të ndërgjegjshëm ndaj një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Avokati i Popullit. Do të doja që kjo të ndodhte sa më shpejt të jetë e mundur dhe do ta thërrisja menjëherë seancën. Pika është në rend të ditës, do ta votojmë që të funksionojë edhe në lidhje me zgjedhjet e përsëritura që janë më 11 janar", tha Gashi.

Nëse nuk gjendet vullneti politik për të zgjedhur një Avokat të Popullit, Gashi thotë se duhet të gjenden zgjidhje alternative.

"Por nuk mendoj se janë shteruar të gjitha kapacitetet politike për të gjetur një kompromis dhe për këtë arsye bëj thirrje edhe një herë këto ditë të ulemi për të gjetur një zgjidhje dhe mendoj se nuk kemi dallime aq të mëdha sa të mos mund të vendosim se kush do të jetë Avokat i Popullit", tha Gashi./Telegrafi/

Gashi uron qytetarët e besimit katolik: Festa e Krishtlindjeve sjell mesazhe paqeje, solidariteti, humanizmi dhe respekti të ndërsjellë



Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Afrim Gashi, i ka uruar qytetarët e besimit katolik për festën e Krishtlindjeve.

Gashi në Facebook shkruan se kjo festë sjell mesazh paqeje, solidariteti, humanizmi dhe respekti të ndërsjellë.

"Me rastin e Krishtlindjeve, në emër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u shpreh urime të sinqerta të gjithë besimtarëve katolikë në vend. Festat e Krishtlindjeve sjellin mesazhe paqeje, solidariteti, humanizmi dhe respekti të ndërsjellë, vlera që janë themeli i çdo shoqërie demokratike dhe multietnike".

"Ju uroj të kaloni festat me shëndet, paqe dhe ngrohtësi familjare, me shpresë dhe optimizëm për vitin që vjen", ka shkruar Gashi.

Kuvendi zgjedh për ministra Muhamet Hoxhën dhe Bekim Salin



Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot, në kuadër të seancës së 75-të plenare, zgjodhi Muhamet Hoxhën si Ministër të Mjedisit dhe Bekim Sali si Ministër për Integrime Evropiane. Menjëherë pas zgjedhjes, Hoxha dhe Saliu dhanë deklarata solemne para deputetëve.

Kryeministri Hristijan Mickoski në Kuvend shpjegoi propozimet për emërimin e Muhamet Hoxhës si Ministër të Mjedisit dhe Bekim Saliut si Ministër për Integrime.

Sot po ju paraqes propozimin për zgjedhjen e dy ministrave me qëllim pajisjen e plotë dhe funksionale të Qeverisë dhe sigurimin e vazhdimësisë në punë, në departamentet kryesore të pushtetit ekzekutiv, tha Mickoski.

Ai për Hoxhën tha se kandidati ka shumë vite përvojë në administratën shtetërore dhe në pushtetin ekzekutiv, se ka qenë i angazhuar në disa institucione me pozicione drejtuese që nënkuptojnë përgjegjësi, koordinim dhe punë në një mjedis kompleks administrativ dhe institucional.

Për Bekimi Sali tha se ai kishte përvojë të mëparshme si ministër, si dhe angazhim të vazhdueshëm në degën legjislative, gjë që i jep atij një kuptim të qartë të marrëdhënieve midis degëve ekzekutive dhe legjislative, si dhe të mënyrës se si funksionojnë institucionet shtetërore.

Kuvendi sot gjithashtu sot ka shkarkuar nga posti i ministrit për Integrime Evropiane, Orhan Murtezanin./Telegrafi/

Institucioni i Avokatit të Popullit është në bllokim total, punonjësit që do të mbeten pa paga po kërkojnë zgjidhje urgjente nga Kuvendi



Nga Viti i Ri, nëse nuk zgjidhet një Avokat i ri i Popullit, institucioni do të hyjë në një bllokadë totale sepse Kuvendi nuk ka zgjedhur zëvendës për Naser Ziberin për gjysmë viti, i cili doli në pension në korrik, ndërsa autorizimin që e mori zëvendësi i tij Ilber Rufati për të nënshkruar tashmë po skadon.

Më shumë se tetëdhjetë punonjës të institucionit për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut do të mbeten pa pagë, qira për ambientet e marra me qira nga institucioni, shpenzimet rrjedhëse dhe detyrimet sipas kontratave të lidhura të prokurimit publik nuk do të paguhen.

Në një letër drejtuar Kuvendit, ata kërkojnë që legjislatura të zgjedhë urgjentisht një Avokat të ri të Popullit dhe të gjejë një zgjidhje se si institucioni mund të funksionojë në këtë ngërç pa shkelur dispozitat kushtetuese, ligjore dhe të tjera ligjore. Edhe pse letra është dërguar më 11 dhjetor, ata ende nuk kanë marrë një përgjigje nga Kuvendi, prandaj letër u kanë dërguar mediave dhe të gjitha ambasadave të huaja në vend.

"Prandaj, nga data 1.01.2026, nëse nuk zgjidhet një Avokat i ri i Popullit, institucioni do të hyjë në një fazë bllokimi total në të cilën vetë shërbimi i Institucionit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut do të dëmtohet më shumë, përmes pamundësisë për t’u paguar paga dhe kontributet bazë nga punësimi i rregullt", thuhet në letrën e institucionit./Telegrafi/

Kuvendi sot do të votojë për plotësimin e vendeve boshe në qeveri



Kuvendi i Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë seancën e 75-të, në të cilën në rend dite janë zgjedhja e ministrave të rinj, në Ministrinë për Çështje Evropiane dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor.

Pika e parë në rend të ditës është Propozimi për shkarkimin e Orhan Murtezanit nga pozicioni ministror në Ministrinë e Çështjeve Evropiane. Ndërsa deputeti aktual dhe ish-Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, është propozuar si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i ri i Çështjeve Evropiane.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë erdhi pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor, pasi Izet Mexhiti mori postin e kryetarit në Komunën e Çairit, i cili kishte shërbyer si Zëvendëskryeministër i Parë dhe Ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Qeveria ka propozuar ish-zëdhënësin e qeverisë Muamet Hoxha si ministër të ri të Mjedisit.

Deputetët kanë para tyre edhe disa projektvendime për miratimin e programeve vjetore të disa institucioneve - Projektvendimin për Miratimin e Programit Vjetor të Punës së Agjencisë Postare për vitin 2026 dhe Projektvendimin për Miratimin e Programit Vjetor të Punës dhe Zhvillimit për vitin 2026 të Agjencisë Rregullatore të Sektorit Hekurudhor dhe Strategjinë e Rishikuar Fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitet 2026-2030.

Gashi-Spiropali: Përgëzova progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, veçanërisht në hapjen e klasterëve negociues



Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut sot ka pritur ministren për Europë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Elisa Spiropali.
Në takim Gashi ka përgëzuar për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, veçanërisht në hapjen e klasterëve negociues.

"Pata nderin të mirëprisja Elisa Spiropali, Ministre e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, e cila po gjendet për vizitë zyrtare në vendin tonë. Në një atmosferë miqësore, reflektuam vazhdimësinë e raporteve që kemi ndërtuar fillimisht si homologë, e tashmë edhe në role të reja institucionalë, por me të njëjtin përkushtim për forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve tona.

Riafirmuam marrëdhëniet e shkëlqyera fqinjësore, të mbështetura në dialog politik të qëndrueshëm, bashkëpunim konkret dhe vizion të përbashkët europian. Përgëzova progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit, veçanërisht në hapjen e klasterëve negociues, duke theksuar njëkohësisht përkushtimin tonë të palëkundur ndaj rrugës europiane.

Nënvizuam rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, kulturor e shoqëror, si dhe nxitjes së mëtejshme të projekteve të përbashkëta si shtyllë e stabilitetit dhe zhvillimit", shkruan Gashi./Telegrafi/

Me 65 vota "Për", Kuvendi miratoi Rezolutën për dënimin e manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të paligjshëm



Kuvendi me 65 vota “për” dhe pesë vota “kundër” sot pasdite e miratoi “Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm”.

Koordinatori i grupit parlamentar të OBRM-PDUKM-së, Nikolla Micevski në shpjegim theksoi se shumica parlamentare dhe Qeveria kanë qëllim të qartë, dinjitoz dhe të pandryshueshëm kundër emigrimit të jashtëligjshëm. Potencoi se Qeveria asnjëherë nuk ka kërkuar, nuk është dakorduar dhe nuk do të lejojë ndërtim të kampeve emigruese ose strehim të përhershëm të emigrantëve në territorin e komunave në shtet. Me këtë Rezolutë, siç theksoi, i jepet fund të gjitha spekulimeve dhe të pavërtetave të plasuara me qëllim të cilat i dëgjojmë.

Micevski theksoi se Rezoluta ka edhe rol të qartë parandalues – ajo dërgon porosi se çështjet në lidhje me sigurinë, emigrimin dhe paqen publike nuk guxojnë të jenë mjet i gënjeshtrave dhe konstruksioneve politike.

Deputeti Sali Murati nga Lëvizja e Turqve në Maqedoni, tha se propozim rezoluta përfaqëson “sulm direkt mbi vlerat themelore të demokracisë parlamentare” dhe përpjekje për “heshtje institucionale të opozitës dhe vendosje të mendimit një partiak”.

Deputetja dhe koordinatore e grupit parlamentar të BDI-së, Rina Ajdari, tha se propozim rezoluta e pushtetit është “atipike dhe e dëmshme për demokracinë parlamentare”, duke theksuar se me këtë rezolutë krijohet precedent i rrezikshëm dhe e polarizon shoqërinë dhe e transferon debatin drejt etiketimit politik”.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, reagoi se në rezolutë dënohet e gjithë opozita dhe parashtroi pyetje “pse dënohet edhe ai” dhe me çka ai si përfaqësues i opozitës “ e ka dëmtuar balancin dhe i ka informuar keq qytetarët”.

Deputeti Malisha Stankoviq nga PSM, pjesë e Koalicionit “Maqedonia e juaj”, tha se kjo çështje nuk duhet të shfrytëzohet si vegël ditore politike, por për fat të keq, siç theksoi, kjo bëhet nga opozita.

Deputetja Jovana Mojsovska nga partia E majta, në replikë, tha se argumenti i vetëm për “këtë rezolutë të hartuar keq” është se “kryeministri Mickoski premtoi”.

Anëtarët e Komisionit kuvendor për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, paraprakisht sot në mbledhje dhanë mbështetje për Rezolutën për dënim të manipulimeve të opozitës dhe për konfirmim të politikave kundër emigrimit të jashtëligjshëm, të parashtruar nga deputetët e OBRM-PDUKM-së.

Gashi nënshkruan marrëveshje kolektive me sindikatat e pesë universiteteve publike



Kryeparlamentari Afrim Gashi nënshkroi sot marrëveshje kolektive me sindikatat e pesë universiteteve publike në vend, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve të punës dhe forcimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Marrëveshjet u nënshkruan me Universitetin “Goce Delçev” – Shtip, Universitetin e Tetovës, Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” – Manastir, Universitetin “Nënë Tereza” – Shkup dhe Universitetin “Shën Apostol Pavle” – Ohër.

Me këtë akt, të gjitha universitetet publike në vend do të kenë marrëveshje kolektive, duke vendosur një kornizë të përbashkët për standarde më të larta arsimore, sistem më konkurrues dhe vlerësim më të drejtë të punës së stafit akademik.

Gashi e cilësoi nënshkrimin si një moment historik që dëshmon përkushtimin institucional për ndërtimin e një arsimi të lartë më të qëndrueshëm dhe më të barabartë, ndërsa uroi universitetet, stafin akademik dhe studentët për këtë sukses të përbashkët.

Fillkov: Kuvendi e votoi nevojën për sjelljen e Ligjit për Këshillin Gjyqësor



Me shumicë votash, deputetët votuan për nevojën e miratimit të Projektligjit për Këshillin Gjyqësor. Ministri i Drejtësisë Igor Fillkov, ka njoftuar se Projektligji ka kaluar në lexim të dytë.

Filkov në fjalimin e tij tha se ky ligj ka filluar një epokë të re pune dhe funksionimi në ministri, në të cilën çdo ligj i rëndësishëm dhe thelbësor për qytetarët e Republikës së Maqedonisë do të përgatitet përmes një procesi të hapur, publik dhe transparent.

"Risitë kryesore të parashikuara nga Ligji janë: transparencë në procedurën për shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Gjyqësor; për herë të parë, specifikimi i kritereve për zgjedhjen e një "avokati të shquar"; vendosja e një debati publik gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë jo-gjyqësorë me qëllim sigurimin e transparencës dhe llogaridhënies më të madhe; forcimi i kritereve për përzgjedhjen, llogaridhënien dhe shkarkimin e anëtarëve të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve; specifikimi i qartë i procedurës për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, por edhe i anëtarëve të Këshillit Gjyqësor; vendosja e një detyrimi për Këshillin Gjyqësor për të specifikuar, individualizuar dhe shpjeguar vendimet për përzgjedhjen dhe përcaktimin e përgjegjësisë së gjyqtarëve; vendosja e afateve për ndërmarrjen e veprimeve për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve, si dhe specifikimi i bazave dhe procedurës për ankim kundër vendimit të Këshillit Gjyqësor, si dhe zgjidhje të shumta të tjera për përmirësimin e kuadrit të përgjithshëm ligjor në përputhje me rekomandimet e BE-së”, tha Filkov.

Ai shprehu keqardhje që një pjesë e opozitës nuk ishte e pranishme në seancë për miratimin e, siç vlerëson ai, një ligji jashtëzakonisht të rëndësishëm që është pjesë e Agjendës së Reformës.

Kuvendi ka konstatuar dorëheqjen e kryeprokurorit Ljupço Kocevski



Kuvendi ka konstatuar dorëheqjen e Prokurorit Publik të Shtetit, Ljupço Kocevski. Kocevski më parë në një konferencë për shtyp deklaroi se po jep dorëheqje të parevokueshme.

"Prokurori Publik Ljupço Kocevski ka paraqitur një kërkesë për shkarkim nga detyra e prokurorit publik. Kuvendi ka përcaktuar se Kocevski është shkarkuar nga detyra e prokurorit publik. Kuvendi nuk do ta shqyrtojë propozimin për shkarkimin e prokurorit publik, i cili ishte në rendin e ditës të seancës parlamentare sepse është bërë i parëndësishëm", tha Gashi.

Kocevski tha se në këto gati dy vjet, ai e ka kryer funksionin e tij me ndershmëri dhe dinjitet dhe po largohet me kokën lart, por se është i zhgënjyer sepse nuk ka argumente ligjore për shkarkimin e tij nga detyra.

Ai e vlerësoi propozimin për shkarkimin e tij, i cili duhej të shqyrtohej në seancën e sotme parlamentare, si një vendim politik./Telegrafi/

Gashi: Kuvendi nesër do të shqyrtojë propozimin për shkarkimin e kryeprokurorit Kocevskit



Në seancën e nesërme plenare të Kuvendit pritet të vihet në shqyrtim propozimi i Qeverisë për shkarkimin e krzeprokurorit, Lupço Kocevski. Këtë e bëri të ditur kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë briefingut të sotëm me gazetarët.

Ai theksoi se ende nuk është dërguar ftesa për Kocevski që në seancën e nesërme të diskutohet shkarkimi i tij, por që e njëjta pritet t’i bëhet gjatë ditës.

Deri në fund të dhjetorit pritet të mbahen katër seanca plenare. Më 23 dhjetor kryetarja Gordana Siljanovska-Davkova do t’i drejtohet deputetëve me fjalimin vjetor, ndërsa më 25 dhjetor do të mbahet seanca për pyetje deputetësh.

Gashi gjatë takimit me gazetarët theksoi gjithashtu se mbeten për të miratuar edhe dy ligje për të përmbyllur Agjendën e Reformave, të cilat janë Ligji për rrugët publike dhe Ligji për Këshillin Gjyqësor.

❌