Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Shkëndija barazon me Oleksandriyan në miqësoren e parë në Antalya



Skuadra e Shkëndijës nga Tetova ka zhvilluar ndeshjen e parë kontrolluese në Antalya të Turqisë, në kuadër të përgatitjeve dimërore për pjesën pranverore të sezonit. Kundërshtare e kuqezinjve ishte ekipi ukrainas Oleksandriya, me të cilin u nda në barazim 1:1, njofton Telegrafi.

Shkëndija u paraqit më mirë në pjesën e parë të takimit, duke pasur më shumë kontroll të lojës dhe raste konkrete shënimi. Superioriteti u konkretizua në minutën e 33-të, kur Arbin Zejnullai realizoi golin e epërsisë, rezultat me të cilin u mbyll edhe fraksioni i parë.

Në pjesën e dytë, trajneri Jeton Beqiri bëri disa ndryshime në formacion, duke u dhënë më shumë minuta lojtarëve që kishin pasur më pak hapësirë gjatë sezonit vjeshtor. Pas këtyre ndryshimeve, skuadra ukrainase arriti të barazojë rezultatin në minutën e 64-të, me autor Johnathan, duke vendosur shifrat përfundimtare 1:1.

Kujtojmë se në miqësoren e parë të kësaj periudhe përgatitore, të zhvilluar në Shkup, Shkëndija kishte regjistruar fitore bindëse 3:0 ndaj AP Brera Strumicës.

Kuqezinjtë do të vazhdojnë serinë e ndeshjeve kontrolluese gjatë qëndrimit në Turqi sipas këtij orari:
– 24 janar, ora 14:00: Podbrezova (Sllovaki) – Shkëndija
– 28 janar, ora 14:00: Sarajevo (Bosnje dhe Hercegovinë) – Shkëndija
– 1 shkurt, ora 14:00: Ordabasy (Kazakistan) – Shkëndija

Këto takime do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar formacionin dhe për të rritur formën e skuadrës para rifillimit të garave zyrtare. /Telegrafi/

Struga Trim Lum nis përgatitjet në Turqi me barazim



Nënkampionët e sezonit vjeshtor, Struga Trim Lum e udhëhequr nga trajneri Blendi Shkëmbi, kanë zhvilluar miqësoren e parë gjatë përgatitjeve dimërore në Antalya të Turqisë, duke barazuar me rezultat 2:2 ndaj skuadrës sllovake të Trençinit, njofton Telegrafi.

Struga Trim Lum ka nisur me barazim ciklin e ndeshjeve miqësore në kuadër të përgatitjeve dimërore që po zhvillon në Antalya të Turqisë. Nënkampionët e futbollit vendor luajtën baraz, 2:2, ndaj skuadrës sllovake të Trençinit, në testin e parë kontrollues.

Goli i parë për ekipin strugan u realizua në pjesën e parë nga Marjan Radeski, i cili shfrytëzoi mirë një aksion të ndërtuar në repartin ofensiv. Në pjesën e dytë të takimit, Hristijan Maleski u përkujdes për golin e dytë, duke rikthyer baraspeshën dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar 2:2.

Për stafin teknik të udhëhequr nga Blendi Shkëmbi, kjo përballje shërbeu si një test i vlefshëm për të vlerësuar gjendjen fizike të futbollistëve dhe për të provuar skema të ndryshme taktike, para rifillimit të garave zyrtare në muajin shkurt.

Ndeshjen e radhës kontrolluese në tokën turke, Struga Trim Lum do ta zhvillojë më 22 janar, kur kundërshtar do të jetë skuadra nga Uzbekistani, FC Pakhtakor. /Telegrafi/

Shkëndija përballet me Samsunsporin në play-off të Ligës së Konferencës



KF Shkëndija ka mësuar kundërshtarin në raundin play-off të Ligës së Konferencës të UEFA-s, duke shkruar histori për futbollin vendor, pasi bëhet klubi i parë nga Maqedonia e Veriut që arrin të luajë në këtë fazë të një gare evropiane, njofton Telegrafi.

Shorti i hedhur në selinë e UEFA-s në Nion ka përcaktuar çiftet për një vend në 1/8 e finales. Sipas formatit të ri, shorti ishte gjysmë i dirigjuar, ndërsa Shkëndija kishte dy kundërshtarë të mundshëm: Lech Poznań nga Polonia dhe Samsunspor nga Turqia.

Fati e ka përballur kampionin e Maqedonisë së Veriut me ekipin turk Samsunspor në një duel të dyfishtë.Ndeshjet e play-offit do të zhvillohen më 19 dhe 26 shkurt. Shkëndija, si ekip jo bartës, ndeshjen e parë do ta luajë në Shkup, ndërsa takimin e kthimit do të zhvillohet në Turqi. /Telegrafi/

Shkëndija ndan rrugët me Florent Ramadanin dhe Fiton Ademin



Ramadani dhe Ademi kërkuan më shumë hapësirë në fushë, ndërsa Shkëndija, në frymën e bashkëpunimit, pranoi kërkesën dhe mbylli bashkëpunimin, njofton Telegrafi.

Me insistim të vetë futbollistëve, KF Shkëndija ka vendosur të shprehë mirëkuptim, duke u dhënë leje largimi Florent Ramadanit dhe Fiton Ademit, të cilët nuk do të jenë më pjesë e skuadrës në vazhdim të kampionatit. Kërkesa e tyre kishte të bënte me dëshirën për të gjetur mjedise të reja ku do të kenë më shumë minuta dhe rol aktiv në lojë.

Klubi dhe lojtarët kanë arritur marrëveshje të ndërsjellë për shkëputjen e kontratave, në frymën e respektit dhe bashkëpunimit korrekt. Të dy futbollistët kanë qenë pjesë e rëndësishme e projektit sportiv të Shkëndijës në vitet e fundit, duke u rritur profesionalisht brenda klubit dhe duke dhënë maksimumin sa herë që kanë qenë në dispozicion të stafit teknik. KF Shkëndija ka vlerësuar vazhdimisht përkushtimin, profesionalizmin dhe korrektësinë e tyre, ndërsa ka vendosur të mirëkuptojë ambiciet e tyre për vazhdimin e karrierës. /Telegrafi/

Start pozitiv për Shkëndijën, triumfon në miqësoren e parë dimërore



KF Shkëndija ka nisur me fitore përgatitjet dimërore, duke regjistruar sukses bindës 3:0 në ndeshjen e parë miqësore ndaj AP Brera nga Strumica, njofton Telegrafi.

Takimi u zhvillua sot në Shkup dhe shërbeu si testi i parë për kuqezinjtë në kuadër të fazës përgatitore.
Shkëndija e mori herët kontrollin e lojës dhe kaloi në epërsi që në minutën e 11-të me golin e shënuar nga Mazari. Pavarësisht ndryshimeve të shumta në formacion, ekipi tregoi organizim të mirë dhe vazhdoi të dominojë edhe në pjesën e dytë.
Kapiteni Besart Ibraimi vulosi fitoren me dy gola të shënuar në minutat 61 dhe 82, duke konfirmuar formën e mirë dhe efikasitetin në repartin ofensiv.

Kjo miqësore i shërbeu stafit teknik për të parë gjendjen fizike të futbollistëve dhe për të testuar skema të ndryshme taktike në prag të vazhdimit të sezonit.

Shkëndija pritet të zhvillojë edhe ndeshje të tjera kontrolluese gjatë përgatitjeve dimërore, pasi fazën tjetër e ka planifikuar ta zhvillojë në Antalia të Turqisë. /Telegrafi/

Shkëndija me pesë ndeshje kontrolluese në dimër



KF Shkëndija nga Tetova ka zyrtarizuar programin e ndeshjeve kontrolluese në kuadër të përgatitjeve dimërore për pjesën e dytë të sezonit, njofton Telegrafi.

Kuqezinjtë do të zhvillojnë gjithsej pesë takime miqësore, një në vend dhe katër të tjera gjatë fazës përgatitore në Antalia të Turqisë.
Ndeshja e parë testuese është planifikuar më 15 janar, kur Shkëndija do të përballet në me ekipin AP Brera nga Strumica.
Dy ditë më pas, më 17 janar, skuadra e drejtuar nga Jeton Beqiri do të udhëtojë drejt Antalias, ku deri më 1 shkurt do të zhvillojë fazën kryesore të përgatitjeve.

Gjatë qëndrimit në Turqi, kuqezinjtë do të matin forcat me kundërshtarë të fortë ndërkombëtarë, në katër ndeshje kontrolluese që pritet të shërbejnë si teste serioze para rifillimit të kampionatit.
Programi i ndeshjeve në Antalia:
– 20 janar: FC Oleksandrya (Ukrainë)
– 24 janar: FK Podbrezova (Sllovaki)
– 28 janar: FK Sarajeva (Bosnje dhe Hercegovinë)
– 1 shkurt: FC Ordabasy (Kazakistan)

Përmes këtyre përballjeve, stafi teknik synon të rrisë nivelin fizik dhe taktik të skuadrës si dhe të testojë alternativat dhe skemat e lojës, në funksion të objektivave për vazhdimin e sezonit garues. /Telegrafi/

Cake mbyll aventurën me Shkëndijën, transferohet te Akhmat Grozny



Klisman Cake ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi zyrtarisht është transferuar te klubi rus Akhmat Grozny. KF Shkëndija dhe mbrojtësi kuqezi kanë mbyllur bashkëpunimin katërvjeçar, pas aktivizimit të klauzolës së largimit nga ana e klubit rus, njofton Telegrafi.

Në respekt të dëshirës së futbollistit për të bërë hapin e radhës në karrierë dhe për të provuar një sfidë të re ndërkombëtare, Shkëndija bashkëpunoi në realizimin e këtij transferimi, duke përfituar edhe një dëmshpërblim financiar.

Largimi i Cakes vjen si një histori korrektësie dhe besimi të ndërsjellë mes lojtarit dhe klubit. Pas fitimit të titullit kampion, verën e kaluar ai ishte lojtar i lirë dhe kishte mundësinë të largohej pa asnjë përfitim për Shkëndijën, por zgjodhi të rinovojë edhe për një sezon tjetër. Kontributi i tij ishte i rëndësishëm në suksesin historik evropian të kuqezinjve, ndërsa sot largohet duke i sjellë përfitim klubit që i dha besimin dhe hapësirën.

Klisman Cake iu bashkua Shkëndijës në janar të vitit 2022 dhe për katër vite e pesë sezone jo të plota ishte pjesë e pandashme e skuadrës. Gjatë kësaj periudhe ai fitoi titullin kampion dhe regjistroi gjithsej 133 paraqitje zyrtare, prej tyre 106 në kampionat, tri në Kupë dhe 24 në garat evropiane, duke shënuar 12 gola.

Cake do të mbetet pjesë e gjeneratës historike të Shkëndijës që realizoi ëndrrën e kualifikimit në fazën kryesore të një kompeticioni evropian, konkretisht në UEFA Ligën e Konferencës.

KF Shkëndija e falënderon Klisman Caken për profesionalizmin, përkushtimin dhe kontributin e dhënë ndër vite, duke i uruar shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij te Akhmat Grozny dhe më tej. /Telegrafi/

Shkëndija riformaton skuadrën, dy largime të menjëhershme



Pas afrimeve të Fahd Dzengue dhe Drilon Islamit, KF Shkëndija ka zyrtarizuar edhe dy largime brenda së njëjtës ditë, duke mbyllur bashkëpunimin me mesfushorin kosovar Kamer Qaka dhe mbrojtësin strugan Egzon Belica, njofton Telegrafi.

Ndarja me Kamer Qakën është bërë me marrëveshje të përbashkët mes palëve. Mesfushori kosovar ishte pjesë e rëndësishme e kuqezinjve në dy periudha të ndryshme, fillimisht nga janari 2021 deri në janar 2022 dhe më pas nga janari 2023, duke kontribuar në sukseset e klubit dhe duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi dy tituj kampion, në vitet 2021 dhe 2025. Vendimi për ndarje vjen në mirëkuptim të plotë, për t’i dhënë lojtarit më shumë hapësirë për aktivizim të rregullt në vazhdim të karrierës.

Rrugët janë ndarë gjithashtu edhe me mbrojtësin Egzon Belica. Pas diskutimeve mes lojtarit dhe drejtuesve të klubit, u vlerësua se interesi i përbashkët i të dy palëve është që futbollisti të gjejë një ambient ku do të ketë më shumë mundësi për lojë të vazhdueshme. Belica iu bashkua Shkëndijës në afatin kalimtar të verës së kaluar, në një periudhë kur klubi ishte i angazhuar në tri fronte: kampionat, Kupë dhe UEFA Ligën e Konferencës.

KF Shkëndija ka shprehur mirënjohje për kontributin, profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar nga të dy futbollistët gjatë kohës sa ishin pjesë e klubit, duke u uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tyre, ndërsa dyert e klubit mbeten gjithmonë të hapura për ta. /Telegrafi/

Shkëndija solli përvojë dhe gola, Nzengue u vesh kuqezi



Shkëndija e Tetovës ka përforcuar repartin ofensiv me një nga golashënuesit më të mirë të gjysmës së parë të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut.
Kuqezinjtë po zhvillojnë një afat kalimtar dimëror të fokusuar te futbollistët me përvojë dhe kontribut të menjëhershëm, njofton Telegrafi.
Anëtari më i ri i Shkëndijës së Tetovës është Fahd Nzengue, i cili i bashkohet Shkëndijës si lojtar i lirë, pas shkëputjes së kontratës me Brera Strumicën. Sulmuesi nga Gaboni, në gjysmën e parë të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, zhvilloi 16 ndeshje dhe realizoi tetë gola, duke u renditur mes realizatorëve më efikasë të kampionatit.
Nzengue ishte transferuar te Brera dimrin e kaluar, ndërsa edhe në edicionin paraprak në elitë kishte shënuar gjashtë gola, duke dëshmuar vazhdimësi në paraqitje dhe efikasitet.
Në karrierën e tij, Nzengue ka nisur nga Munana në Gabon, ndërsa sfida e parë evropiane për të ishte Tabor Sezhana në Slloveni. Më pas ka qenë pjesë edhe e Primorjes. Pas një periudhe pa klub, në shkurt të vitit të kaluar iu bashkua Brerës, ku riktheu formën e tij më të mirë dhe tani ka siguruar një transferim te kampioni i Maqedonisë.

Nzengue është përforcimi i dytë i Shkëndijës në këtë afat kalimtar dimëror, pas promovimit më herët të Drilon Islamit, i cili erdhi nga radhët e CFR Cluj. /Telegrafi/

Arsimi ndez motorët në Kroaci, cakton katër miqësore të forta



Skuadra e Arsimit nga Çegrani i Gostivarit ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Skuadra nga Çegrani, që garon në elitën e futbollit vendor, nga sot ndodhet në Kroaci, ku do të zhvillojë fazën e parë përgatitore e cila do të zgjasë dhjetë ditë, njofton Telegrafi.

Nën udhëheqjen e trajnerit Vildan Saliu, ekipi përveç punës intensive në stërvitje, do të testohet edhe përmes katër ndeshjeve kontrolluese. Programi i deritanishëm parasheh përballje ndaj skuadrave kroate Sllaven Bellupo si dhe duelet kundër Vukovarit dhe Primorjes. Emri i kundërshtarit për ndeshjen e katërt pritet të bëhet i ditur së shpejti.

Paralelisht me përgatitjet, klubi po punon edhe në përforcimin e ekipit. Afati kalimtar dimëror ka sjellë një emër të njohur për mesfushën, Hogan Ukpa, futbollist nigerian me përvojë në kampionatin tonë, i cili për tre sezone ka mbrojtur ngjyrat e Struga Trim Lum.

Kujtojmë se Arsimi, si debutues në elitë, ka zhvilluar një gjysmësezon vjeshtor mjaft të suksesshëm, duke e mbyllur atë në vendin e pestë me 22 pikë dhe duke u konfirmuar si një nga befasitë më pozitive të kampionatit. /Telegrafi/

Shkëndija gjobitet nga UEFA për përdorim të piroteknikës



Shkëndija gjendet në bilancin e fundit të UEFA-s, paguan gjobë për përdorim të piroteknikës, njofton Telegrafi.

Ekipi i Shkëndijës është përfshirë në bilancin më të fundit të UEFA-s, ku janë shënuar klubet që kanë marrë sanksione në kupat evropiane dhe në ndeshjet kualifikuese në të gjitha garat nën ombrellën e “shtëpisë evropiane të futbollit”.

Për shkak të tifozëve të saj, ekipi nga Tetova do të paguajë një gjobë prej 1.500 eurosh në arkën e UEFA-s. Arsyetimi është përdorimi i piroteknikës në sektorin e mysafirëve. Po ashtu, një gjobë për piroteknikë kanë marrë edhe tifozët e Dritës, dhe klubi do të duhet të paguajë 3.750 euro.

Ndeshja mes Dritës dhe Shkëndijës përfundoi me rezultat 1-0 për ekipin vendas. Më parë, UEFA kishte gjobitur Shkëndijën me 20.000 euro, po ashtu për shkak të përdorimit të piroteknikës dhe mesazheve politike gjatë ndeshjes në Shkup. /Telegrafi/

Hogan Ukpa përforcimi i parë në dimër për Arsimin e Çegranit



KF Arsimi nga Çegrani i Gostivarit, në sezonin e tij debutues në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, prezanton përforcimin e parë për afatin kalimtar të dimrit, njofton Telegrafi.

Klubi i Ligës së Parë nga Maqedonia e Veriut, KF Arsimi, ka prezantuar përforcimin e tij të parë për afatin kalimtar të dimrit, i njohur mirë për publikun e futbollit në Maqedoni.

Anëtar i ri i skuadrës është mesfushori 24-vjeçar Hogan Ukpa. Klubi i fundit i tij ishte Struga Trim Lum, me të cilën fitoi dy tituj kampionë. Më parë, ai ka luajtur për disa klube në Nigeri, si dhe në Letoni te Liepaja.

Pas ndarjes nga Struga Trim Lum në qershor të vitit të kaluar, Ukpa mbeti pa klub, ndërsa te Arsimi pritet të sjellë një shtysë të madhe në mesfushë.

Në gjysmën e sezonit debutues, Arsimi përfundoi në vendin e pestë të tabelës me 22 pikë, të grumbulluara nga gjashtë fitore dhe katër barazime. /Telegrafi/

“Shvercerat” me ultimatum për pronarin e FC Shkupit



Pas krizës së thellë që ka përfshirë FC Shkupin dhe largimit të emrave kyç të klubit, përfshirë trajnerin Minas Osmani dhe kapitenin Suhel Muharemi, të cilët kanë bërë të ditur se për afro gjashtë muaj nuk kanë marrë pagë, situata ka kulmuar me një reagim të fortë nga tifo grupi “Shvercerat”, njofton Telegrafi.

Përmes faqes zyrtare të klubit në Facebook, e cila tashmë është marrë nën kontroll nga tifozët, “Shvercerat” i janë drejtuar publikisht pronarit të klubit, Jasin Konjali, duke e cilësuar gjendjen aktuale si të papranueshme dhe të paqëndrueshme. Sipas tyre, FC Shkupi nuk mund të vazhdojë më mes pasigurie, mungese përgjegjësie dhe heshtjeje, duke theksuar se klubi nuk është pronë personale, por një vlerë e përbashkët e komunitetit sportiv.

Kërkesa e tifozëve është e drejtpërdrejtë: dorëzimi i menjëhershëm dhe zyrtar i klubit tek “Shvercerat”, përmes të gjitha procedurave ligjore dhe administrative, pa asnjë zvarritje të mëtejshme.

Në njoftim shprehet mirënjohje e veçantë për drejtorin, stafin teknik dhe lojtarët vendas, të cilët për më shumë se gjashtë muaj kanë vazhduar të punojnë pa paga dhe pa siguri, duke mos e braktisur klubin në momentet më të vështira.

“Shvercerat” kanë vendosur edhe një ultimatum për pronarin e klubit, duke kërkuar që ai të paraqitet personalisht, të kryejë transferimin e plotë dhe të pakthyeshëm të klubit, ta regjistrojë atë në emër të tifo grupit dhe më pas të largohet përfundimisht nga çdo rol apo ndikim në FC Shkupin.

Sipas tifozëve, ky hap është i domosdoshëm për rikthimin e stabilitetit, besimit dhe shpresës, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një reagim emocional, por për një qëndrim të qartë, të bashkuar dhe përfundimtar. E ardhmja e klubit, thuhet në fund të njoftimit, nuk mund të mbahet peng më. /Telegrafi/

Sedloski prezantoi zyrtarisht stafin e trajnerëve, Erhan Selimi ndihmës



Shtabi i ri profesional i përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut po merr formë, Sedloski rrethohet me emra të dëshmuar të futbollit vendor, me synim stabilitetin dhe përparimin afatgjatë të ekipit, njofton Telegrafi.

Në stafin profesional, si asistentë të Sedlloskit, do të punojnë Borçe Hristov, shef i shtabit profesional të KF Tikvesh dhe drejtor i Qendrës për Edukim, Erhan Selimi, i cili deri tani ishte përzgjedhës i Maqedonisë U19 si dhe Zoran Boshkovski – Çoko.

Pjesë e shtabit profesional do të jetë edhe ish-mbrojtësi i përfaqësueses Vançe Shikov, i cili ka regjistruar 58 paraqitje për Maqedoninë, ndërsa si trajner i portierëve është emëruar Gogo Jovçev.

Si video-analist i përfaqësueses A është angazhuar Martin Hristov, ndërsa përzgjedhësi Goce Sedlloski do ta bëjë të ditur më vonë emrin e trajnerit për përgatitjes fizike që do t’i bashkohet shtabit profesional.

Me këtë përbërje, Sedloski po ndërton një ekip të përbërë nga profesionistë të dëshmuar, me qëllim të qartë stabilitetin, vazhdimësinë dhe përparimin e mëtejmë të përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/

Pas kapitenit, largohet edhe trajneri, Osmani jep dorëheqje nga Shkupi



Trajneri i FC Shkupit, Minas Osmani, ka bërë të ditur se ka përfunduar bashkëpunimin me klubin, duke dhënë dorëheqje pas pesë viteve angazhim në ekipin e parë, njofton Telegrafi

Në njoftimin e tij publik, Osmani thekson se vendimi vjen pas një periudhe të gjatë sakrifice, përkushtimi dhe pune profesionale në kushte të vështira, duke përmendur edhe faktin se për më shumë se një vit nuk janë realizuar obligimet financiare ndaj tij.

Pavarësisht këtyre sfidave, Osmani shprehet se ka dhënë maksimumin për klubin, lojtarët dhe tifozët, duke e përfaqësuar FC Shkupin me korrektësi dhe ndershmëri profesionale.

Ai ka falënderuar bashkëpunëtorët, futbollistët dhe tifozët “Shvercerat” për mbështetjen e vazhdueshme gjatë këtyre viteve, duke i uruar klubit suksese në vazhdim.

Kujtojmë se disa ditë më parë largimin nga FC Shkupi e ka bërë të ditur edhe kapiteni i skuadrës, Suhel Muharemi, ndërsa kjo situatë vjen në një periudhë krize të thelluar për ish-kampionin e Maqedonisë së Veriut, FC Shkupi.

Shkupi sezonin e ka mbyllur me vetëm një pikë të fituar nga 16 ndeshje të luajtura, ndërsa kryesia e klubit në asnjë moment nuk është bërë “e gjallë” për të dalë qoftë edhe me një njoftim publik lidhur me krizën e rëndë që po kalon ky klub. /Telegrafi/

Goce Sedloski trajneri i ri i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll



Bordi Drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), në seancën e mbajtur sot, ka marrë vendim për emërimin e trajnerit të ri të ekipit kombëtar. Detyrën e selektorit do ta marrë Goce Sedloski, njofton Telegrafi.

Vendimi është marrë me propozim të Komitetit për Zgjedhjen e Trajnerit, i përbërë nga presidenti i FFM-së, Masar Omeragiq, drejtori i ekipeve kombëtare, Goran Pandev, kryetari i shërbimit të vëzhgimit, Nikolçe Noveski, anëtari i Bordit Drejtues, Agim Ibraimi, si dhe zëvendëspresidenti Marjan Stojkovski.

Goce Sedloski është një nga emrat më të njohur në historinë e futbollit vendor. Ish-kapiteni i përfaqësueses së Maqedonisës duke regjistruar 100 paraqitje dhe ka shënuar 8 gola, duke u bërë futbollisti i parë që arrin shifrën e 100 ndeshjeve për përfaqësuesen.

Sedloski ka qenë më herët pjesë e stafit teknik të përfaqësueses. Në gusht të vitit 2012, ai e drejtoi Maqedoninë si ushtrues detyre në ndeshjen miqësore ndaj Lituanisë në Shkup, e cila u fitua me rezultat 1:0.

Në karrierën e tij si trajner, Sedloski ka ushtruar detyrën e ndihmëstrajnerit dhe trajnerit të përkohshëm të Maqedonisë, ndërsa në nivel klubesh ka drejtuar Horizont Turnovon, Vardarin, Rigën në Letoni, Shiroki Brijegun në Bosnjë e Hercegovinë, ekipin e dytë të Dinamo Zagrebit në Kroaci, Shkupin, si dhe Vllazninë në Shqipëri.

Gjatë karrierës së tij trajneriale, Sedloski ka fituar tre tituj kampioni: dy me Vardarin në sezonet 2015/16 dhe 2016/17, si dhe një me Shkupin në sezonin 2021/22. Në sezonin 2024/25, ai fitoi edhe Kupën me Vardarin.

Si futbollist, Sedloski ka ndërtuar karrierë të pasur brenda dhe jashtë vendit. Duke luajtur me Bratstvo Gorno Konjari dhe Pitu Guli Krushevë, për të vazhduar te Pobeda e Prilepit. Më pas, ai luajti për Hajdukun e Splitit dhe Dinamo Zagrebin. Karrierën e vazhdoi te Sheffield Wednesday në Angli, ndërsa përvojë ndërkombëtare fitoi edhe në Japoni me Vegalta Sendai, në Turqi me Diyarbakirspor dhe në Austri me Mattersburgun.

Promovimi zyrtar i Goce Sedloskit si trajner kryesor i përfaqësueses së Maqedonisë do të mbahet nesër (të martën), duke filluar nga ora 11:30, në hotelin “Hilton” në Shkup. /Telegrafi/

Fillon spastrimi te Bashkimi i Kumanovës, klubi ndahet me 9 lojtarë



Klubi i Futbollit Bashkimi nga Kumanova po përgatit një skuadër të re me një objektiv të vetëm, mbijetesën në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.

Klubi nga Kumanova u është falënderuar nëntë futbollistëve që ishin pjesë e ekipit gjatë gjysmësezonës vjeshtore. Ndryshimet më të mëdha pritet të ndodhin në repartin ofensiv, pasi Bashkimi është ndarë nga plot pesë sulmues: Marko Simonovski, Oguzan Ajdogan, Flamur Xhelili, Abdulhadi Jahja dhe Nedim Haxhiq.

Nga mesfusha janë larguar Isa Adenkule dhe Habubulla Askar, ndërsa nga reparti defensiv skuadrën e kanë lënë Faruk Bihorac dhe Samet Rexhepi.


Në klub tashmë po planifikohen hapat e radhës sa i përket afrimit të emrave të rinj, me synimin për ta përforcuar ekipin për pjesën pranverore të kampionatit. Gjysmësezonën vjeshtore Bashkimi e mbylli në pozitën e gjashtë me 22 pikë, katër më shumë se Tikveshi i vendit të tetë. /Telegrafi/

Rivalët e mundshëm të Shkëndijës nga Turqia ose Polonia



Shkëndija ka shkruar histori duke u renditur në vendin e 22-të në fazën e ligës së UEFA LigëneKonferencës, një pozicion që i siguron kampionit të Maqedonisë së Veriut një kualifikim historik në fazën nokaut të kësaj gare evropiane, njofton Telegrafi.

Tashmë vëmendja është kthyer nga shorti i fazës së radhës dhe, sipas rregullave të UEFA-s, tetovarët kanë dy kundërshtarë të mundshëm për këtë raund.

Goli i shënuar në kohën shtesë nga AEK-u në fitoren ndaj Krajovës rezultoi vendimtar për renditjen finale, duke e ngjitur Shkëndijën në vendin e 22-të. Kjo pozitë i lejoi kuqezinjtë të shmangin një përballje shumë të vështirë me ekipin e Premier League, Crystal Palace.

Skuadrat e renditura në vendet 22 dhe 23, Shkëndija dhe KuPS-i finlandez, në fazën e ardhshme do të përballen me Samsunspor-in nga Turqia ose Lech Poznan-in nga Polonia. Shorti do të përcaktojë nëse kampioni ynë do të udhëtojë drejt Turqisë apo Polonisë në vazhdimin e kësaj aventure evropiane.

Në rast se Shkëndija arrin ta kalojë këtë pengesë të parë, atëherë sipas “skemës” së UEFA-s, në raundin pasues e pret një tjetër sfidë e madhe, përballë njërës nga këto dy skuadra: Rayo Vallecano ose Shakhtar Donetsk.

Një rrugëtim evropian që tashmë ka hyrë në histori, por që për Shkëndijën duket se ende nuk ka përfunduar. /Telegrafi/

Shkëndija shkruan histori në Evropë, edhe humbja në Qipro nuk e ndal rrugëtimin tutje



Edhe pse u mposht minimalisht në transfertë nga AEK Larnaca me rezultat 1-0, kampioni i Maqedonisë së Veriut, Shkëndija, ka arritur një sukses historik duke siguruar kualifikimin në “play-off”-in e UEFA Ligën e Konferencës, njofton Telegrafi.

Falë rezultateve të favorshme në ndeshjet e tjera, tetovarët “kapën trenin e fundit” dhe u renditën mes skuadrave që do të vazhdojnë garat evropiane, duke siguruar një pranverë europiane të artë.

Takimi nisi me një Shkëndijë më konkrete dhe më të guximshme. Qysh në minutën e 4-të, Ronaldo Webster depërtoi në zonë, dribloi dy kundërshtarë dhe gjuajti diagonalisht, por portieri Alomeroviç reagoi mirë duke e devijuar topin në këndore. AEK Larnaca ishte thuajse i pafuqishëm në fazën ofensive, ndërsa mbrojtja e Shkëndijës funksionoi në mënyrë perfekte. Në 30 minutat e para, vendasit regjistruan vetëm një rast serioz, një goditje me kokë që përfundoi mbi traversë.

Në vazhdimin e pjesës së parë, të shtyrë nga publiku vendas, qipriotët rritën presionin dhe provuan disa herë portën, por pa sukses, pasi çdo gjuajtje u bllokua nga mbrojtësit kuqezi. Para pushimit, pas një aksioni të rrëmujshëm pas një ndërprerjeje, topi përfundoi te koka e serbit Ivanoviç, i cili shënoi, por goli u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.

Pjesa e dytë nisi keq për Shkëndijën, që mbeti me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Liridon Latifit për ndërhyrje të ashpër. Trajneri Jeton Beqiri reagoi menjëherë me ndryshime, duke hedhur në fushë Alhassan dhe Tamba për të ruajtur freskinë dhe shpejtësinë, ndërsa më pas aktivizoi edhe Mazarin. AEK vazhdoi presionin dhe arriti golin në minutën e 83-të, kur pas një këndoreje të Ledes Gustavo, Angielski shënoi me kokë për 1-0.

Deri në fund të ndeshjes, vendasit ushtruan presion të vazhdueshëm para portës së kampionit maqedonas, por rezultati nuk ndryshoi. Humbja minimale nuk e zbehu suksesin e madh të Shkëndijës, e cila mbylli fazën në pozitat që çojnë drejt sfidave të reja europiane, duke konfirmuar se ky ekip ka shkruar tashmë një faqe të rëndësishme historie në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/

Formacioni i Shkëndijës ndaj AEK Larnaca nuk ndryshon nga java e kaluar



Shkëndija sonte del përballë një sfide të madhe evropiane, por me besim të plotë në forcat e veta. Kuqezinjtë nga Tetova janë mysafirë të AEK Larnaca-s në Qipro, në një duel që nis në ora 21:00 dhe që mbart peshë të veçantë për ambiciet e ekipit shqiptar në arenën ndërkombëtare, njofton Telegrafi.

Pas paraqitjeve pozitive dhe rritjes së dukshme në lojë, Shkëndija ndaj qipriotëve luan me synimin e qartë për të nxjerrë rezultat pozitiv dhe për ta dëshmuar edhe një herë karakterin e saj konkurrues. Ekipi tetovar është i motivuar maksimalisht, i përgatitur taktikisht dhe i vetëdijshëm se një paraqitje e fortë sonte mund të jetë vendimtare për vazhdimësinë e rrugëtimit evropian.

Trajneri Jeton Beqiri për këtë ndeshje ka vendosur të luajë në portë me Gaye, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Trumçi, Fetai, Cake dhe Webster.

Në mesfushë luajnë, Zejnullai, Ramadani dhe Qaka.

Sulmi nuk ka pësuar ndryshime dhe përbëhet nga kapiteni Besart Ibraimi, i cili do të ndihmohet nga shokët e krahut, Liridon Latifi dhe Sebastjan Spahiu.

Në anën tjetër, te AEK Larnaca trajneri Imanol Idiakez në sulm ka zgjedhur të luajë në sulm me boshnjakun Bajiç.

KF Shkëndija: Gaye, Trumçi, Fetai, Cake, Webster, Zejnullai, Ramadani, Qaka, Spahiu, Latifi dhe Ibraimi.

AEK Larnaca: Alomeroviç, Godswill, Miliçeviç, Roberge, kapiteni Garcia, Naoum, Ledes, Miramon, Ivanoviç, Waldo Rubio dhe Bajiç.

/Telegrafi/

❌