Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Princesha e Norvegjisë: Kërkoj falje për miqësinë me Epstein

Në dosjen “Epstein” shfaqen edhe komunikime të financierit me princeshën e Norvegjisë për tre vite rresht. Ajo u ka kërkuar falje qytetarëve norvegjezë për miqësinë me Epstein dhe për faktin që nuk e kishte njohur se kush ishte në të vërtetë ai.

Princesha e Kurorës së Norvegjisë, Mette-Marit, u ka kërkuar falje norvegjezëve për miqësinë e saj me Jeffrey Epstein, pasi u zbulua se ata kishin shkëmbyer mesazhe për tre vjet.

“Gjithashtu kërkoj falje për situatën në të cilën e kam vendosur Shtëpinë Mbretërore, veçanërisht Mbretin dhe Mbretëreshën”, tha ajo gjatë një deklarate zyrtare.

Harald V dhe Mbretëresha Sonja, të dy 88 vjeç, nuk kanë komentuar mbi zbulimet e reja.

Qindra email‑e nga viti 2011-2014 që përfshinin Epstein dhe princeshën e kurorës dolën në dritë në dosjet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA‑së një javë më parë.

Disa nga mesazhet përfshinin plane për t’u takuar personalisht dhe zbulojnë se ajo kaloi katër ditë në shtëpinë e Epstein në Palm Beach, Florida, ndërsa ai nuk ishte atje.

Pallati Mbretëror tha se princesha e kurorës ishte thellësisht e trishtuar që nuk kishte arritur ta kuptonte në kohë se çfarë lloj personi ishte Epstein.

Mbërrin në spital pa jetë një 4-vjeçar në Vlorë, familjarët: Kishte të vjella pasi konsumoi mjaltë

Një fëmijë 4-vjeçar ka ndërruar jetë në rrethana ende të paqarta në Vlorë, ndërsa autoritetet shëndetësore dhe organet e drejtësisë po kryejnë verifikimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit.

Sipas familjarëve, fëmija kishte shfaqur simptoma që në orët e paradites, pasi dyshohet se kishte konsumuar mjaltë. Ai kishte pasur të vjella të shumta, të cilat fillimisht u mendua se kishin kaluar. Megjithatë, edhe para se të ndërronte jetë, fëmija kishte shfaqur të njëjtat simptoma, me të vjella të pandërprera, shkruan A2.

Gjatë transportimit drejt qendrës shëndetësore në Dukat, fëmija ka qenë pa shenja jete, fakt ky i konfirmuar nga mjekët.

Ai u dërgua më pas në Spitalin Rajonal të Vlorës, në pediatrinë e madhe, ku u konstatua se kishte mbërritur pa jetë.

“Nga këqyrja paraprake mjeko-ligjore nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera në trupin e fëmijës. Aktualisht priten rezultatet e analizave të biopsisë dhe ekzaminimet e mëtejshme për përcaktimin e shkakut të saktë të vdekjes”, njofton policia.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Vlorës, e cila ka nisur veprimet përkatëse për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ylli Manjani për “vendimin pa vendim” të Kushtetueses: Kur mungesa e seriozitetit prodhon kolaps institucional

Një ditë pas vendimit pa konkluzion të Gjykatës Kushtetuese, ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka reaguar me një koment kritik, ku vë në pikëpyetje seriozitetin, koherencën dhe integritetin e trupës aktuale gjykuese.

Në analizën e tij, Manjani e lidh bllokimin e vendimmarrjes kushtetuese me mungesën e plotësimit të gjykatës, personalizimin e vendimeve dhe dështimet strukturore të reformës në drejtësi, duke theksuar se zgjidhjet për këtë krizë nuk mund të vijnë as nga improvizimi dhe as nga lojërat mediatike, por nga politika dhe Parlamenti.

Postimi i Manjanit:

Tani, komenti im mbi vendimin pa vendim të kushtetueses është ky:

  1. Gjykimi kushtetues është një proces serioz, madje nga më seriozët, që ndodh në një republikë kushtetuese. Ky seriozitet ka kohë që na mungon, ndaj dhe jemi në këtë kolaps llogjik. Trupës së sotme gjyqsore kushtetuese i mungon serioziteti, por edhe integriteti profesional. Mungesa e koherencës në vendimmarrje është prova e mungesës së seriozitetit dhe integritetit.
  2. Gjykata Kushtetuese nuk mund të lihet e paplotësuar në numër, në mënyrë që vendimet e saj të varen nga humori i ditës së gjyqtarëve të veçantë, i mori apo jo pronat, apo bëri apo s’bëri sherr me gruan ai. Jo pa qëllim është bërë 9 numri i gjyqtarëve, pikërisht që të mos ketë vendime pa vendim. Numri tek i anëtarëve është një premisë që heq shumë mundësinë e bllokimit të vendimmarrjes. Prej një viti gjykata është me numër të paplotë anëtarësh dhe kjo është papërgjegjshmëri.
    Në fakt që nga reforma e këtej na ka ndodhur që të kemi Gjykatë Kushtetuese të paplotësuar. Para reformës, ky problem nuk ekzistonte….
  3. Si kudo, edhe në gjykimin kushtetues, gjërat nuk bazohen në parime por mbi persona. Për fat të keq mllefi i personit ndaj personit është në themel të vendimmarrjeve edhe në atë gjykatë.
  4. Për të mirë apo për të keq, zgjidhjet në këtë vend duhet të vijnë nga nismat legjislative, pra nga Parlamenti dhe politika. Drejtësia është e pavarur por jo e paanëshme. Reforma nr. 1 tashmë duhet të jetë ndërtimi i gjykatës së paanëshme.
  5. Teoritë e tjera me lojra dyfishe e me të veshur si partizanë që të duken si gjermanë, janë për të mbushur hapësirën mediatike por jo për të lexuar e kuptuar vendin ku jetojmë.

 

Rikuperim i ekosistemeve, Rama: Pyjeve tona i janë shtuar 360 mijë fidanë të rinj!

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të shtunë se pyjeve të vendit tonë i janë shtuar 360 mijë fidanë të rinj.

Sipas kreut të qeverisë mbjellja e këtyre fidanëve shërben për rikuperimin e ekosistemeve dhe pasurisë sonë pyjore.

 “360,000 fidanë të rinj i janë shtuar pyjeve tona, një rezultat konkret i shpalljes së Vitit të Pyjeve dhe angazhimit që ka vijuar për ripyllëzim të qëndrueshëm, rikuperim të ekosistemeve dhe forcim afatgjatë të pasurisë sonë pyjore”, shkruan Rama.

Zelensky: SHBA kërkon që lufta me Rusinë të përfundojë deri në qershor

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi se Shtetet e Bashkuara synojnë që konflikti me Rusinë të përfundojë deri në qershor. Ai shtoi se të dyja palët janë ftuar për bisedime në SHBA javën e ardhshme.

“Amerika propozoi për herë të parë që ekipet negociuese të Ukrainës dhe Rusisë të takohen në Shtetet e Bashkuara, ndoshta në Miami, javën tjetër. Ne konfirmuam pjesëmarrjen”, tha Zelensky.

Ndërkohë, Rusia vazhdoi sulmet mbi infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje të gjera të energjisë gjatë temperaturave të ulëta. Ministri i Energjisë, Denys Shmyhal, raportoi për një sulm masiv që përfshinte mbi 400 dronë dhe 40 raketa, duke goditur substacionet dhe linjat kryesore të energjisë, si dhe centralet elektrike.

Operatori shtetëror Ukrenergo konfirmoi se deficiti energjetik në sistemin elektrik u rrit ndjeshëm pas sulmeve, ndërsa Polonia është kontaktuar për furnizim emergjent me energji. Në rajonin perëndimor të Lvivit, centrali Dobrotvir mbeti pa energji, duke lënë mijëra banorë pa drita. Po ashtu, centrali Burshtyn në rajonin Ivano-Frankivsk u godit për herë të 10-të që nga tetori 2025.

Sulmet shkaktuan edhe viktima: një person humbi jetën në rajonin Rivne dhe disa të tjerë u plagosën në Zaporizhzhia. Në Kiev, banorët u detyruan të strehoheshin përsëri në stacionet e metrosë për shkak të mungesës së ngrohjes dhe energjisë elektrike.

Ukraina ka kryer gjithashtu sulme ndaj Rusisë, duke goditur një fabrikë që prodhon komponentë për karburantin e raketave në rajonin Tver. Rusia nuk ka komentuar sulmet e fundit, ndërsa ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov akuzoi Ukrainën për vrasjen e një gjenerali të lartë, duke pretenduar se synonte pengimin e procesit të negociatave.

Që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në shkurt 2022, rreth 55 mijë ushtarë ukrainas kanë humbur jetën, ndërsa raportime të pavarura konfirmojnë rreth 160 mijë të vdekur nga ana ruse.

Bilanci i policisë për janarin,107 operacione dhe 498 të arrestuar

Policia e Shtetit ka bërë publik bilancin e punës për muajin janar 2026, ku thekson intensifikimin e operacioneve kundër krimit të organizuar dhe veprimtarive të paligjshme. Gjatë këtij muaji janë finalizuar 107 operacione policore dhe janë arrestuar 498 persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Në bashkëpunim me EUROPOL, INTERPOL dhe autoritetet partnere ndërkombëtare, janë zhvilluar 17 operacione për goditjen e rrjeteve kriminale dhe kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Si rezultat, policia ka sekuestruar rreth 186 kg kanabis, 3 kg kokainë, heroinë, ekstazi, mijëra bimë dhe fara kanabisi, si dhe pajisje për kultivim në ambiente të mbyllura.

Gjithashtu janë konfiskuar 41 armë zjarri, granata, municion luftarak dhe pasuri me vlerë rreth 20 milionë lekë, përfshirë automjete, prona dhe llogari bankare të përfituara nga aktivitetet kriminale. Policia ka zbuluar ambiente për kultivim droge, lojëra fati të paligjshme, kontrabandë mallrash dhe trafik armësh e narkotikësh.

Janë parandaluar disa ngjarje të rënda kriminale, përfshirë konflikte me armë zjarri dhe tentativa për trafik droge drejt Greqisë dhe Italisë. Në fushën e krimit rrugor, Policia Rrugore arrestoi 197 drejtues mjetesh, pezulloi 216 leje drejtimi dhe vendosi mbi 93 mijë masa administrative.

Në pikat kufitare u evidentuan dhjetëra raste të kalimeve të paligjshme, përdorimit të dokumenteve false dhe trafikimit, ndërsa Policia e Shtetit konfirmon se kontrollet dhe hetimet intensive do të vijojnë për rritjen e sigurisë në vend.

Ish prokurori shqiptaro-amerikan: Nëse arrestimet pa dënime vazhdojnë, besimi i publikut te SPAK rrezikohet seriozisht

“Dikush që është arrestuar nuk do të thotë që është i dënuar”. Kështu shprehet ish-prokurori shqiptaro-amerikan Gjon Juncaj, në një intervistë për “Ilva Tare Talks”, ku analizon sfidat më të ndjeshme të reformës në drejtësi dhe pritshmëritë ndaj institucioneve të reja antikorrupsion.

Sipas tij, vendimi për të arrestuar dikë është ndër më të rëndët që merr sistemi i drejtësisë dhe nuk duhet të ndodhë pa prova të forta që jo vetëm mbështesin dyshimet, por që mund të çojnë edhe në dënim.

“Dikush që është arrestuar nuk do të thotë që është i dënuar”, thekson Juncaj, duke rikujtuar parimin themelor të prezumimit të pafajësisë. Vetëm një proces i barabartë për të dyja palët, me përfaqësim të plotë, transparencë dhe një gjykatës të paanshëm, mund të prodhojë një vendim të drejtë. Nëse do të kishte një seri arrestimesh të nivelit të lartë dhe të gjithë do të shpalleshin të pafajshëm, kjo sipas tij do të ishte problem serioz për prokurorët dhe për perceptimin publik mbi funksionimin e drejtësisë së re.

“Thelbi është mbarëvajtja e të gjithë procesit”, nënvizon ai.

I pyetur për afatet nga arrestimi deri në nisjen e gjyqit, Juncaj shpjegon se nuk ka domosdoshmërisht kufij të prerë kohorë, por prezumohet qe ne momentin kur ngrihet akuzat nenkuptohet se ekzistojne dhe provat per te nisur gjykimin. Sidoqoftë, ai paralajmëron se shpejtësia nuk duhet të zëvendësojë një proces të plotë drejtësie, ndërsa vonesat e tepërta e kthejnë situatën në atë që njihet si “drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar”.

I pyetur nëse këshilltarët ligjorë të huaj ndikojnë në hetime apo në përzgjedhjen e çështjeve, Juncaj thekson se roli i tyre është sugjerues dhe këshillimor, jo vendimmarrës.

“Në fund të ditës, vendimmarrja është e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, jo e këshilltarëve të huaj”, pohon ai, duke hedhur poshtë idenë e një drejtësie të drejtuar nga jashtë.

Duke reflektuar 10 vite pas miratimit unanim të reformës në drejtësi, Juncaj e cilëson krijimin e SPAK si një element unik, pasi është një strukturë hetimore e përfshirë në Kushtetutë dhe e ndërtuar për të qenë sa më e pavarur. Ai shpreson se pikërisht kjo bazë kushtetuese do ta ndihmojë institucionin të ruajë pavarësinë edhe në të ardhmen.

Megjithëse Tare e quan si një nga arkitektët e reformës, Juncaj thotë se e sheh veten thjesht si “një murator” që ka hedhur disa nga tullat e para të sistemit të ri. Ai kujton qytetarët që dikur i thoshin se drejtësia nuk bëhej në Shqipëri dhe lë të hapur pyetjen që sot ka më shumë peshë se kurrë: a po funksionon realisht drejtësia e re?

Gjendet pas një muaji trupi i pajetë i Jurgen Karajit, vëllai: Dua të ketë një varr!

Pas 29 ditësh që rezultonte i zhdukur, është gjetur trupi i jetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj nga fshati Fullqet i Klosit. Trupi është gjetur 30 kilometra nga vendi ku ndodhi aksidenti. Makina në të cilën ndodhej Karaj dhe shoku i tij Andi Losha u aksidentua dhe përfundoi në përroin në fshatin Darsë të Klosit.

Në një deklaratë për gazetarin Enver Doçi, vëllai i të riut, Endri Karaj falenderoi të gjithë trupat e përfshirë në gjendjet e trupit të pajetë të 30-vjeçarit.

“Dua të falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në gjetjen e vëllait tim. Falenderoj Forcat e Kosovës dhe ata të Shqipërisë që na ndihmuan”, tha ai.

Më parë, kur vëllai ishte ende i zhdukur, Endri bënte apel për gjetjen e tij.

“Kërkoj të më gjejnë vëllanë e të ma sjellin në shtëpi, ngjarjen e zbardh policia, dua nga shteti të më gjejë vëllanë të ma sjellë në shtëpi. Ta varros ta di ku e kam. Kemi kërkuar por deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat. Është 9 ditë sot që nuk kemi asnjë shenjë prej tij. Nuk dihet fati i tij. I bëj thirrje kryeministrit që të kemi më shumë forca për ta kërkuar”, shprehej ai.

PD bllokon të martën akset kombëtare? Berisha zbulon skenarin për protestën: Është një nga format e kryengritjes paqësore

Partia Demokratike mban pasditen e të martës (10 Shkurt) një protestë në kryeqytet, por se ende nuk janë bërë të ditura skenarët e përzgjedhura nga strukturat.

Ndërkohë, kreu i PD Sali Berisha i pyetur nga qytetarët në një komunikim online, në lidhje me mundësinë e një reagimi që çon në mbylljen e akseve kombëtare rrugore, tha se edhe kjo është një nga formate kryengritjes paqësore.

Më parë Berisha kishte paralajmëruar se PD nuk do të vinte në pushtet me dhunë, por vetëm nga votat e shqiptarëve.

Biznesmeni italian vjen në Tiranë për të ngushtuar stomakun, por humb jetën! Vihet nën hetim kirurgu dhe dietologia

Biznesmeni italian Massimo Ferro, 54 vjeç, nga Camposampiero, kishte vendosur t’i jepte fund obezitetit pas vitesh dietash të pasuksesshme.

Ai iu drejtua një klinike private në Milano, e cila i premtoi një zgjidhje afatgjatë, por ndërhyrja kirurgjikale do të kryhej në Tiranë. Aty, më 18 dhjetor, iu nënshtrua operacionit për ngushtim stomaku. Por diçka shkoi keq dhe Massimo Ferro humbi jetën më 22 dhjetor në Shqipëri.

Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës, Andrea Girlando, ka regjistruar si të dyshuar kirurgun Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia. Autopsia mbi trupin e Massimo Ferro do të kryhet të hënën në Padova, nga mjeku ligjor Antonello Cirnelli, i caktuar nga prokuroria.

Sipas asaj që shkruan Corriere, kontakti i parë mes Ferro-s dhe kirurgut kishte ndodhur në dhjetor përmes mesazheve në WhatsApp, ku iu dhanë informacionet për ndërhyrjen, kostot dhe organizimin logjistik. Çmimi i operacionit ishte 4.400 euro, shumë më i ulët krahasuar me rreth 15 mijë euro që kërkoheshin në Itali.

Gjatë vizitës së 6 dhjetorit 2025, ku Ferro u paraqit së bashku me djalin e tij të madh, kirurgu shpjegoi ndërhyrjen dhe e siguroi pacientin për përdorimin e teknikës laparoskopike dhe një rikuperim të shpejtë. Pavarësisht se Massimo Ferro vuante nga diabeti i tipit II dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u programua për datën 18 dhjetor në Tiranë. Analizat, të cilat Ferro nuk kishte arritur t’i kryente në Itali, u shtynë për t’u bërë një ditë para ndërhyrjes, në Tiranë.

Sipas kallëzimit të familjes, përfaqësuar nga avokatët Stefano Squarise dhe Jenny Lopresti, asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit nuk është respektuar. Nuk ka pasur një program paraprak dietetik, asnjë vlerësim multidisiplinar dhe asnjë përgatitje specifike para operacionit. E vetmja këshillë e dhënë ishte që pacienti të qëndronte esëll që nga mbrëmja para ndërhyrjes. Massimo Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Ethet dhe përkeqësimi i gjendjes

Të nesërmen ai u operua dhe pas ndërhyrjes telefonoi familjarët për t’i qetësuar: “Shkoi gjithçka mirë”. Por që nga dita pasuese, gjendja e tij nisi të përkeqësohej. Ai u shfaq gjithnjë e më i përgjumur, pa reagime, ndërsa niveli i glicemisë mbetej i lartë. Më 20 dhjetor u shfaq ethet, deri në 38 gradë.

Më 21 dhjetor, me temperaturën që kishte arritur 39 gradë dhe me vështirësi të rënda në frymëmarrje, Ferro u dërgua në urgjencën e spitalit publik “Nënë Tereza” në Tiranë. Aty iu nënshtrua disa ekzaminimeve, por sipas kallëzimit, antibiotiku iu dha vetëm në mbrëmje, përpara se të rikthehej sërish në klinikën private. Gjatë natës gjendja e tij u përkeqësua edhe më shumë.

Në mëngjesin e 22 dhjetorit, Massimo Ferro pësoi një arrest brenda klinikës. U reanimua dhe u transportua me ambulancë në repartin e reanimacionit të spitalit publik. Pasdite mjekët thanë se gjendja ishte e stabilizuar, por në mbrëmje bashkëshortja u thirr me urgjencë: kur mbërriti, Massimo Ferro kishte ndërruar jetë prej orësh.

Sipas familjarëve, deri më sot askush nuk ka dhënë një shpjegim të qartë për shkakun e vdekjes. “Duam vetëm të dimë pse Massimo nuk u kthye në shtëpi”, shkruajnë bashkëshortja Romina dhe fëmijët e tij.

Sali Berisha i ashpër me Dashnor Sulën dhe Ervin Salianjin: Tradhtarë të lartë! Nuk duam në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës

Tradhti të lartë nga ana e Dashnor Sulës e konsideron Sali Berisha, emërimin e tij si Kryeinspektor i Përgjithshëm. Komentin ai e bëri ditën e sotme, 7 shkurt, gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët, duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre.

“E kam menduar shpeshherë këto kohë. Në qoftë se tradhtia ndaj atdheut quhet tradhti e lartë, edhe tradhtia ndaj idealeve më të shenjta të demokracisë nuk ka pse të mos quhet tradhti e lartë. Është absolutisht e njëjta gjë në doktrinë. Të tradhtosh ti burra dhe gra fisnikë që kanë 12 vjet që nuk të kthejnë shpinën, por të mbështesin me gjithë gabimet që ke bërë dhe të dalësh në kohën më të zezë të Edi Ramës dhe të kapësh flamurin e Edi Ramës ke kryer aktin më të lartë të tradhtisë”, tha Berisha.

Ai u shpreh se Partia Demokratike duhet të ndahet nga këta njerëz, teksa hodhi akuza edhe ndaj kryeministrit Edi Rama se ka korruptuar eksponentë të opozitës. Ndërsa Sulës iu referua si “mollë e kalbur”, nuk la pas komentet edhe për Ervin Salianjin, i cili po ashtu ka nisur foltoret e tij.

“Çfarë e shtyu atë në një moment kaq kritik t’i gjenet Edi Ramës në krah? E kuptoni vetë ju se ç’mollë e kalbur ka qenë ai. Çfarë e shtyn, e thashë edhe para ca ditësh doktorin 32 vjet mjek thotë jam anëtar PD-je, të dalë në krahë të Salianjit të krimit, të bandave dhe të përcjellë mesazhet e Subashit, i cili në pallatin e tij ka vendosur KESH-in. Nuk humbasim ne nga këta. Përkundrazi, do ndahemi nga këta. Ne nuk duam në gjirin tonë shërbëtorë të Edi Ramës. Këta gëlltisin tradhtinë jo ndaj meje, por ndaj teje si qytetar që ke besuar, që i ke ndjekur. Shkon tani në ditën më të zezë dhe i bëhesh patericë. Kjo është histori turpi”, tha Berisha.

Vendimi në GJK për ankimin e Qeverisë, Berisha: Rama donte të krijonte një mur nga gjykata

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e ministres Belinda Balluku.

Berisha vlerësoi qëndrimin e gjykatësve kundër padisë së Ramës. Sipas tij edhe Gjykata Kushtetuese ka mëkate sepse i ka dhënë kohë Ballukut të fabrikojë dhe falsifikojë dokumentet. Megjithatë ai thekson se kërkesa e Ramës në Gjykatën Kushtetuese nuk kishte të bënte me Ballukun, por me atë vetë.

“Pas nëntë orësh të ndryrë në një sallë gjykata kushtetuese nuk mori dot vendim për të pranuar kërkesën e Edi Ramës. Në këtë kuadër unë vlerësoj qëndrimin e atyre gjykatësve të cilët me guximin e tyre rrëzuan një kërkesë që ishte baraz me grusht shteti kundër shqiptarëve. Natyrisht gjykata ka mëkatin e madh sepse I dha Lubi Ballukut mbi dy muaj kohë të fabrikojë dhe falsifikojë çdo dokument. Siç thotë fjala, më mirë vonë se kurrë, me atë ndarje katër me katër, të paktën vendimi, kërkesa e Edi Ramës nuk u miratua dhe përfundoi në kosh të plehrave, në fakt bashkë me Edi Ramën. Ajo nuk kishte të bënte me Lubi Ballukun, por me pezullimin e Edi Ramës nga detyra dhe ai donte të krijonte një mur nga gjykata”, tha Berisha.

“Asnjë shqiptar nuk duhet të pranojë kurrë që të shkelmohet e ardhmja e fëmijëve tanë, e ardhmja europiane e jona”, shtoi Berisha.

E rëndë! Humb jetën në rrethana misterioze një 4-vjeçar në Vlorë, nisin hetimet

Një fëmijë 4-vjeçar ka humbur jetën në rrethana misterioze në Vlorë. Ai është dërguar pa shenja jete në spital.

Nga këqyrja paraprake, nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të tjera. Për këtë arsye prokuroria ka nisur hetimet.

Aktualisht po zhvillohen ekzaminime mjeko-ligjore për përcaktimin e shkakut të ndërrimit të jetës.

Prej 29 ditësh i zhdukur, gjendet trupi i pajetë i Jurgen Karajt

Pas 29 ditësh që rezultonte i zhdukur, është gjetur trupi i pajetë i 30-vjeçarit Jurgen Karaj nga fshati Fullqet i Klosit.

Trupi është gjetur 30 kilometra nga vendi ku ndodhi aksidenti. Makina në të cilën ndodhej Karaj dhe shoku i tij Andi Losha u aksidentua dhe përfundoi në përroin në fshatin Darsë të Klosit.

Ai dyshohet të jetë rrëmbyer nga rrjedha e ujit të zallit të Darsit në datën 10 Janar.

Që prej asaj dite kërkimet në rrjedhën e lumit Mat janë bërë pa ndërprerje ku çdo ditë në terren kanë qenë dhjetëra forca të Batalionit të Tretë të Repartit të Këmbësorisë Burrel, familjarë të Jurgenit e struktura të tjera. Grupeve iu bashkuan edhe ekipe nga Kosova që ndihmuan me mjete dhe pajisje speciale.

E gjithë vija lumore e lumit të Matit është kontrolluar disa herë, por nuk ishte mundur të gjendej trupi 30-vjeçarit apo ndonjë shenjë e tij.

Kryeministri Rama të hënën në Bruksel, pritet takim me Antonio Costa-n

Kryeministri Edi Rama do të takohet ditën e hënë më 9 shkurt me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Në takimin në Bruksel, fokusi pritet të jetë procesi i negociatave për anëtarësim.

Shqipëria ende nuk ka mundur të marrë Raportin e Vlerësimit të Standardeve për Reformimin e Gjyqësorit për kapitujt 23 e 24 i quajtur IBAR. Pa miratimin e këtij raporti nga shtetet anëtare nuk mund të nisë procesi i mbylljes së grupkapitujve.

Në mbledhjet e deritanishme në nivel ambasadorësh ka patur kërkesa për prova konkrete zyrtarësh të lartë të dënuar me vendime përfundimtare dhe sekuestrime të pasurive të tyre.

Me metodologjinë e re të negociatave mundet që një shtet anëtar i BE-së në këto rrethana të kërkojë rikthimin e tyre në pikën fillestare. Kapitujt 23-24 mbi gjyqësorin u hapën të parët dhe mbyllen të fundit në procesin e negociatave.

Zbulime nga dokumentet e SHBA-së, Epstein interes për ishullin grek Scorpio

Jeffrey Epstein, miliarderi amerikan i dënuar për krime seksuale, ishte përfshirë në bisedime për blerjen e ishullit grek Scorpio, ish-pronë e Aristotel Onassisit, sipas dokumenteve të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së.

Kontaktet, të zhvilluara nga gushti deri në fund të vitit 2011, tregojnë se Epstein po mblidhte informacione të detajuara mbi ishullin, megjithatë bisedimet nuk çuan në një marrëveshje konkrete dhe mbetet e paqartë nëse ai kishte interes personal apo po vepronte në emër të një pale të tretë.

Të dhënat janë pjesë e rreth 3 milionë dokumenteve dhe email-eve të deklasifikuara, ku materialet që lidhen me blerjen e ishullit nuk janë censuruar, përveç adresave të email-eve të bashkëbiseduesve të Epstein.

Mes personave me të cilët ai komunikonte përfshihen Boris Nikoliç, ish-bashkëpunëtor i Bill Gates, i cili gjithashtu kishte pasur marrëdhënie me Epstein, si dhe Richard Giraud, një sipërmarrës francez i përfshirë në pasuri të paluajtshme luksoze.

Sipas korrespondencës, më 5 gusht 2011, Giraud i dërgoi Nikoliç informacion rreth ishujve privatë në Greqi. Një ditë më pas, Nikoliç ia përcolli informacionin Epstein-it, duke e përshkruar Scorpion si “një nga ishujt më privatë në Greqi”.

Në ditët që pasuan, Epstein kërkoi më shumë detaje, përfshirë nëse bregu i ishullit ishte privat apo publik. Nikoliç u përgjigj se ishulli nuk ishte zyrtarisht në shitje, por premtoi të verifikonte informacionin e kërkuar.

Më 17 gusht, Nikoliç e informoi Epstein-in se Scorpio ishte plotësisht privat, duke përshkruar rezidencat, pistën e helikopterëve dhe historinë e tij, përfshirë lidhjen me Aristotel Onassisin dhe Jackie Kennedy.

Nga 20 gushti, nisi një seri mesazhesh direkte mes Epstein-it dhe Giraud-it, me këtë të fundit që po përpiqej të siguronte një vizitë private në ishull. Emailet tregojnë se Epstein ndodhej me pushime në Evropë në atë periudhë dhe kishte pyetje të vazhdueshme mbi privatësinë dhe aksesin në ishull.

“Nuk ka ishull plotësisht privat”, i shkruante Giraud në një nga mesazhet, duke sqaruar më pas se Scorpio është pronë private dhe hyrja nuk lejohet.

Në fillim të shtatorit 2011, u diskutua mundësia e një vizite në tetor, por Epstein, i cili ndodhej në Nju Jork, tha se nuk mund të merrte pjesë. Edhe përpjekjet e mëvonshme për planifikim, përfshirë një tjetër raund komunikimesh në nëntor dhe në fund të vitit 2011, nuk u konkretizuan kurrë.

Dokumentet tregojnë se interesimi i Epstein-it për ishullin Scorpio mbeti në nivel bisedimesh dhe eksplorimi, pa u shndërruar në një marrëveshje apo vizitë zyrtare.

Shndërrimi ekonomik i Shqipërisë, Ekonomi: Të ardhurat për frymë të shqiptarëve drejt 15 mijë eurove

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve projektohen të mbërrijnë në rreth 15 mijë euro kur vendi të hyjë në Bashkimin Europian.

Parashikimi dhe shifra e dalë nga veprimi i shndërrimit ligjor ekonomik sigurohet në një proces të pakthyeshëm, deklaron kryetarja e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë Milva Ekonomi.

“Nëse unë në vitin 2013 i kisha të ardhurat për frymë rreth 3,340 euro, në vitin 2024 i kisha rreth 10,340 euro, në vitin 2029 duhet t’i çoj 15 mijë euro. Ky është një objektiv që matet, por mund të jetë edhe më shumë, por duhet bërë kjo përpjekje” thotë Ekonomi për RTSH.

Brenda faktorëve të vendosur dhe që nuk kanë kthim pas, edhe fiskalizimi i ekonomisë ka rolin e tij, veçon znj. Ekonomi.

“Fiskalizimi e ka mbyllur me tra: do të jesh i punësuar, do të kesh një kontratë, do përfitosh një pagë minimale, i deklaruar, sepse do përfitosh edhe sigurimet shëndetësore, edhe ato shoqërore, sipas rregullave që ka shteti”, thotë Ekonomi.

Me objekt në qendër qytetarin, politika e përgjithshme, por sidomos veprimi në procesin e bisedimeve të anëtarësimit më të shpejtë përfundon gjithmonë te siguria e qytetarit për standarde ku prevalon puna e denjë.

“Nga njëra anë, ke rritur mirëqenien, dhe nga ana tjetër, ke bërë që njeriu të ketë punë të denjë dhe të garantuar. Kjo nuk do të ketë më kthim pas. Këto janë gur që i bëjnë njerëzit të kuptojnë sa e rëndësishme është ti ruhen këto të drejta sot”, nënvizon Ekonomi.

Publikoi video ku Obama dhe bashkëshortja e tij paraqiten si majmunë, Trump: Nuk bëra asgjë të gabuar!

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dënuar, por nuk ka kërkuar falje për, një video raciste të postuar në platformën e tij online Truth Social, e cila i paraqiste ish-Presidentin Barack Obama dhe gruan e tij Michelle si majmunë.

Shtëpia e Bardhë ia atribuoi postimin e videos raciste, e cila tani është hequr, një “gabimi të stafit”.

Megjithatë, Donald Trump tha se nuk e pa të gjithë videon sepse nuk i pëlqeu, por mohon çdo përgjegjësi. I pyetur nga gazetarët nëse do të kërkonte falje, Trump u përgjigj: Jo, nuk bëra asgjë të gabuar.

Ai tha se kishte parë vetëm fillimin e videos dhe mendonte se kishte diçka në fund “që njerëzve nuk u pëlqeu”.

“As mua nuk më pëlqeu, por nuk e pashë”, shtoi Trump.

I pyetur nëse i dënonte pjesët raciste të videos, Trump u përgjigj: “Sigurisht që po”.

Dëshmia për dosjen “Epstein”, Hillary: Nëse duan luftë, duhet të na dëgjojnë të gjithë!

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe bashkëshortja e tij Hillary kanë kërkuar që dëshmitë e tyre në Kongres mbi lidhjet me trafikantin e dënuar të seksit, Jeffrey Epstein, të mbahen publikisht, për të parandaluar sipas tyre që republikanët ta politizojnë çështjen.

Të dy iu ishte urdhëruar të jepnin dëshmi me dyer të mbyllura para komitetit mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili po heton lidhjet e financierit me figura të fuqishme dhe mënyrën se si është trajtuar informacioni rreth krimeve të tij.

Demokratët thonë se hetimi po përdoret si armë për të sulmuar kundërshtarët politikë të presidentit Donald Trump, vetë një bashkëpunëtor i hershëm i Epstein, i cili nuk është thirrur për të dëshmuar në vend që të kryejë mbikëqyrje legjitime.

“Por mbajtja e dëshmisë me dyer të mbyllura”, tha Bill Clinton,  do të ishte e ngjashme me procesin në një “gjykatë kangur”, duke nënkuptuar një seancë dëgjimore që devijon nga procedurat dhe normat ligjore.

“Le t’i lëmë lojërat dhe le ta bëjmë këtë në mënyrën e duhur: në një seancë dëgjimore publike”, tha ish-presidenti demokrat.

Ndërkaq, bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, ish-sekretarja e shtetit, tha se çifti i kishte thënë tashmë komitetit mbikëqyrës të udhëhequr nga republikanët “atë që ata dinë”.

“Nëse e doni këtë luftë… le ta bëjmë publikisht”, u shpreh ajo.

Departamenti i drejtësisë javën e kaluar publikoi sasinë më të fundit të dosjes “Epstein”, më shumë se 3 milion dokumente, foto dhe video që lidhen me hetimin e tij ndaj financiarit të dënuar për trafik dhe abuzim seksual, i cili vdiq në vitin 2019 nga ajo që u përcaktua si vetëvrasje ndërsa ishte në paraburgim.

Bill Clinton shfaqet rregullisht në dosje, por nuk ka dalë në dritë asnjë provë që implikon asnjërin prej tyre në aktivitet kriminal.

Ish-presidenti ka pranuar se ka fluturuar me aeroplanin e Epstein në fillim të viteve 2000 për punë humanitare të lidhur me Fondacionin Clinton, por tha se nuk e ka vizituar kurrë ishullin privat të Epstein.

❌