Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ndryshimet fiskale në 2026/ Eksperti kontabël: Paqja fiskale është nismë pozitive

TIRANË- Eksperti kontabël Edvin Stefani e vlerëson si pozitive nismën e “paqes fiskale”, të parashikuar në kuadër të ndryshimeve fiskale për vitin 2026, duke theksuar se ajo i përgjigjet sfidave aktuale ekonomike dhe procesit të integrimit europian.

I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit”, Stefani u shpreh se ndryshimet janë të nevojshme kur kushtet e kohës e kërkojnë një gjë të tillë. Sipas tij, në pamje të parë dhe nëse zbatohet siç duhet, paqja fiskale përbën një hap pozitiv.

Eksperti theksoi se kjo nismë duhet të shoqërohet me rregulla të detajuara dhe të qarta, ndërsa paralajmëroi se nuk duhet të kthehet në praktikë të shpeshtë.

Sipas tij, paqja fiskale është ndërmarrë në një moment kur të ardhurat buxhetore janë rritur dhe ka suficit në buxhet.

“Unë jam pro ndryshimeve që shkojnë për sfidat e kohës. Nëse ne kemi sfida të kohës, ndryshimi është i nevojshëm. Në pamje të parë, ashtu siç mund të zbatohet, paqja fiskale është pozitive. Unë jam për një sistem.

Unë jam për rregulla të formalizuara, të barabarta për të gjithë. Paqja fiskale është një dorë e qeverisë, e cila u thotë bizneseve “formalizohuni”. Jemi duke hyrë në BE, por hyrja në BE, në aspekti fiskal do kemi një formalizim shumë të madh.Duhet të ketë një rregull të detajuar.  Jam pro, por jo të përsëritet shpesh. Nisma u mor pas rritjes së të ardhurave në buxhet. Pra ka suficit buxhetor”, tha ai.

Stefani pranoi gjithashtu se informaliteti është një fenomen i pranishëm kudo dhe lidhet me natyrën njerëzore, por theksoi se lufta ndaj evazionit fiskal duhet të fokusohet në krijimin e pritshmërive afatgjata për biznesin.

“Ne duhet të pranojmë që informaliteti është pjesë e natyrës njerëzore. Nuk i kemi shpikur ne. Lufta ndaj evazionit është që ti bëjmë biznesmenët me pritshmëritë afatgjata. Këto ndikojnë tek biznesmenët me pritshmëritë afatgjata për të luftuar informalitetin”, tha ai.

Rimbursim për fëmijët nën 18 vjeç/ Stefani: Kush ka paguar tatim, do përfitojë nga tatimi i paguar!

Për herë të parë, nga ky vit, njërit prej prindërve do t’i zbriten nga të ardhurat vjetore bruto të 2025-s, 48 mijë lekë shpenzime për përkujdesin e fëmijëve edhe 100 mijë lekë për arsimin, kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale në muajin mars. Kompensimi do të përfitohet nga rillogaritja e tatimit të paguar në 2025.

Eksperti kontabël Edvin Stefani deklaroi se përfitimi i shumës prej 48 mijë lekësh për fëmijë varet nga tatimet e paguara nga prindi. Ai sqaroi se vetëm ata që kanë paguar tatim mund të përfitojnë, dhe se për çifte ku një bashkëshort nuk ka paguar tatim për shkak të të ardhurave, përfitimi nuk mund të merret.

Stefani shtoi se deklaratat nuk kërkojnë dokumentacion domosdoshmërisht, por tatimet e përdorin për të lehtësuar procesin e verifikimit.

“Kush ka paguar tatim, do të përfitojë nga tatimi i paguar. Tatimi i kësaj deklarate duhet të jetë më i vogël se ai i përfituar gjatë vitit. Për shembull, dikush që ka pagën bruto deri në 50 mijë lekë, ka përfituar nga tatimi. Nuk do ta këshilloja dikë me pagë neto 35 mijë lekë, sepse nuk ka paguar tatime; nëse ke paguar, do të marrësh diçka nga ajo që ke paguar.

Njerëz të ndryshëm kanë pasur detyrime tatimore të ndryshme. Dikush që fiton 80 mijë lekë ka pasur një ngarkesë tatimore prej 13%, dhe këta përfitojnë 13% të shumës prej 48 mijë lekësh.

Në rastin e një çifti ku bashkëshorti ka hapur një biznes dhe bashkëshortja është e punësuar, dhe kanë dy fëmijë, ligji thotë se përfiton ai që ka të ardhura më të mëdha. Por nëse bashkëshorti nuk ka paguar tatim sepse ka të ardhura mbi 4 milionë dhe është përjashtuar nga tatimi, çifti nuk përfiton. Nëse të ardhurat do të ishin më të ulëta, ata mund të përfitonin.

Deklaratat nuk kërkojnë domosdoshmërisht dokumentacion, por tatimet e kërkojnë për të lehtësuar punën e tyre.”  / abcnews.al /

Rimbursim për fëmijët nën 18 vjeç/ Eksperti: Nuk është marrje parash mbrapsht! Përfiton prindi me të ardhura më të larta

Për herë të parë, nga ky vit, njërit prej prindërve do t’i zbriten nga të ardhurat vjetore bruto të 2025-s, 48 mijë lekë shpenzime për përkujdesin e fëmijëve edhe 100 mijë lekë për arsimin, kur të plotësojë Deklaratën e të Ardhurave Personale në muajin mars. Kompensimi do të përfitohet nga rillogaritja e tatimit të paguar në 2025.

Eksperti kontabël Armand Mala deklaroi se shumën prej 48 mijë lekësh për fëmijë nuk e konsideron si marrje parash mbrapsht, por si zbritje nga baza tatimore.

Mala theksoi se ligji parashikon që kompensimi bëhet nga prindi me të ardhura më të mëdha.

“Nuk është marrje parash mbrapsht 48 mijë lekë për fëmijë. Kjo shumë do të zbritet nga baza tatimore. Të ardhurat, para se t’u nënshtrohen tatimeve, do të ulen me 48 mijë lekë për fëmijë, nëse mbështesim me fatura arsimin e tyre – kjo mund të jetë 100 mijë lekë për fëmijë.

Faturat mund të jenë qendër kursesh, ose institucione arsimore private. Kushti është që të ardhurat të jenë nën 120 mijë lekë, pra paga e prindërve. Ligji parashikon që kompensimi bëhet nga prindi me të ardhura më të mëdha.”  / abcnews.al /

Moti i keq përfshin vendin/ Prefekti i Korçës: Pika më kritike, fusha e Maliqit. Janë mbi 3500 hektarë tokë nën ujë

Prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka dhënë një pasqyrë të detajuar mbi situatën aktuale në qark, si pasojë e kushteve të fundit atmosferike. Ai theksoi se gjendja në përgjithësi paraqitet e stabilizuar, pavarësisht reshjeve të dëborës që kanë nisur dhe atyre intensive të shiut të ditëve të kaluara.

Sipas tij, nuk ka problematika serioze në akset nacionale, pasi strukturat përkatëse janë të angazhuara maksimalisht në pastrimin e tyre. Megjithatë, Jole vuri në dukje se fusha e Maliqit mbetet pika më kritike për shkak të dëmtimit të argjinaturës nga lumi Devoll, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme të tokave bujqësore.

Ai siguroi se institucionet janë në gatishmëri të plotë për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe përballimin e çdo situate të mundshme në ditët në vijim, në një vit që e cilësoi si të pazakontë për klimën e zonës së Korçës.

“Qarku i Korçës ka pasur një gjendje të stabilizuar Kanë nisur edhe reshjet e dëborës. Aktualisht nuk kemi problematika serioze. Qarku ka një kapacitet të plotë, pastrimin e akseve nacionale nga bora. Ndërkohë që pasojat e shkaktuara nga reshjet e shiut janë neutralizuar disi. Pikë kritike për ne ngelet fusha e Maliqit, pasi nga lumi Devoll është dëmtuar rëndë argjinatura. Fusha e Maliqit është më e prekura nga përmbytjet të tokave bujqësore.

Janë mbi 3500 hektarë tokë në prezencën e ujit. Problematika të tjera nuk kemi. Kemi pasur një situatë të vështirë në fshatin Progër, ku edhe atje ka rënë prezenca e ujit. Dëme ka pasur kryesisht në tokat bujqësore. Kemi pasur një angazhim të plotë për të garantuar jetën e qytetarëve. Ngelemi në vigjilencë për të garantuar shërbim të plotë edhe në ditët në vazhdim. Ka qenë një vit i pazakontë, kanë qenë jashtë tipologjisë klimatike të Korçës”, tha Jole.

Ferrasi gjen qetësi/ Ymeraj: Nuk ka rrezik për përmbytje. Bashkia e Fierit ka ngritur grupet e konstatimit

Përfaqësuesi i Emergjencave Civile në Fier, Kreshnik Ymeraj, deklaroi se rreziku nga përmbytjet është larguar dhe situata aktuale është nën kontroll. Sipas tij, në fshatin Ferras u përmbytën 75 banesa dhe 18 persona u evakuuan përkohësisht, por tashmë janë rikthyer në shtëpitë e tyre pasi nuk ka më rrezik.

Ymeraj shtoi se po vijon tërheqja e ujit dhe se Bashkia e Fierit ka ngritur grupet e konstatimit për vlerësimin e dëmeve.

“ Kemi kaluar ditët e vështira. Është larguar rreziku për përmbytje të banesave dhe personave, ndërsa vijon tërheqja e ujit në drejtim të hidrovorit të Darëzezës. Rreziku ka qenë natën e kaluar, ku fshati Ferras ka pësuar dëmet më të mëdha, me 75 banesa të përmbytura.

Janë evakuuar 18 persona, të cilët janë rikthyer sërish në banesat e tyre, pasi në Ferras nuk ka më rrezik. Situata është menaxhuar në një nivel të lartë.

Kemi pasur 650 hektarë tokë nën ujë; mesditën e sotme uji është tërhequr, por ende nuk mund të shkohet në këto zona. Në Ferras, dëmet kanë qenë kryesisht në banesa dhe jo në biznese. Sipas informacioneve që kemi, Bashkia e Fierit ka ngritur grupet e konstatimit.”  / abcnews.al /

Ekonomia në vitin 2026/ Eksperti Sefa: Presim vazhdimësi, ta orientojmë ekonominë te gjërat që dimë t’i bëjmë shumë mirë

Eksperti i ekonomisë, Ergis Sefa thotë se në vitin 2026, pritet vazhdimësi e ecurisë ekonomike.

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Sefa u shpreh se ekonomia shqiptare duhet drejtuar te gjërat që dimë t’i bëjmë shumë mirë.

“Ajo që pritet edhe nga orientimi që duket nga buxheti i ri i 2026, i sapomiratuar, do kemi vazhdimësi të gjendjes së 2025. Nuk shoh as ndryshim thelbësor, por as dhe një tentativë për riorientim drejt ekonomisë prodhuese. Shpresoj që të mos ketë asnjë krizë apo luhatje botërore ose rajonale, e cila të na ndikojë, sepse do të na ndikojë shumë keq në ekonominë tonë. Dhe me shpresë që qeveria do të fillojë vërtet të ndërtojë projekte strategjike në aspektin e ndërtimit të avantazhit tonë krahasues kundrejt vendeve të rajonit të paktën, në atë që ne do i ofrojmë tregut të përbashkët evropian. Është një periudhë që e kemi një mundësi të madhe, por do duhet që ne të tregohemi të zgjuar dhe ta orientojmë ekonominë tonë në atë gjëra që vërtet ne do dimë t’i bëjmë shumë mirë dhe do t’i shërbejmë të gjithë tregut të BE. Janë 540 milionë qytetarë, me fuqi blerësi mbi mesatare. Nuk besoj se do e kemi më këtë mundësi. Koha për të vepruar është tani”, theksoi ai./abcnews.al

Bilanci i ekonomisë 2025/ Nunaj: Pa vizion afatgjatë, ekonomia shqiptare mbetet në tranzicion

Ekspertja e ekonomisë Teuta Nunaj ka ngritur shqetësimin për mungesën e një vizioni afatgjatë për zhvillimin ekonomik të vendit, gjatë një interviste në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News.

Ajo theksoi se politikat publike në Shqipëri janë të pjesshme dhe të shkëputura nga njëra-tjetra, duke penguar mbylljen e tranzicionit 35-vjeçar. Sipas Nunajt, pa një strategji të qartë se ku duhet të jetë ekonomia shqiptare pas 10 vitesh dhe pa fokus te sektorë të qëndrueshëm si industria dhe bujqësia, vendi rrezikon të mbetet i orientuar vetëm drejt planeve afatshkurtra dhe me mirëqenie të ulët për qytetarët.

“Ne i kemi politikat publike të zhvilluara në mënyrë parciale, të pjesshme, ose të shkëputura nga njëra-tjetra. Nëse ne duam të kemi një ekonomi të zhvilluar dhe ta mbyllim këtë tranzicionin e gjatë 35-vjeçar ne duhet ta ndajmë mendjen se ku duhet ta çojmë ekonominë shqiptare pas 10 vitesh. Kush është sektori që duam të investojmë?

Ne nuk flasim për Shqipërinë, si një vend i vogël, por që ka potenciale dhe ne këto potenciale nuk i marrim fare në konsideratë dhe qytetarët që ngelen në Shqipëri janë ata që janë më pak të kualifikuar dhe bëjnë punë më pak të kualifikuara, që do të thotë bëjnë punë më pak të paguara dhe mirëqenia e tyre nuk rritet. Nëse ne nuk përcaktojmë ekonominë shqiptare dhe se ku do të jemi pas 10 vitesh dhe jo të mbështetmi te sektorë të paqëndrueshëm, por kryesisht në industri dhe në sektorin e bujqësisë, atëherë ne gjithmonë do të jemi në plane të shkurtra 3-4 apo 5-vjeçare dhe asnjëherë në këtë rast nuk do të jemi vizionarë për ekonominë tonë”, tha Nunaj./abcnews.al

“Turizmi, lokomotiva e rritjes ekonomike gjatë këtij viti”, eksperti rendit problematikat

Eksperti i ekonomisë Enio Civici ka analizuar rolin e turizmit në ekonominë shqiptare, duke theksuar se gjatë këtij viti ky sektor ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e shërbimeve, ndërtimit dhe punësimit.

I ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Civici u ndal te ndikimi pozitiv i turizmit në rritjen ekonomike, ndërsa vuri në dukje se pesha e lartë e këtij sektori në ekonomi lidhet kryesisht me të ardhurat që vijnë nga jashtë dhe jo me prodhimin e brendshëm, duke e bërë të nevojshme një vështrim më të gjerë mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të zhvillimit ekonomik.

“Edhe shërbimet, edhe ndërtimi edhe punësimi janë udhëhequr këtë vit vetëm nga një sektor që është turizmi. Sa mirë dhe i fuqishëm është ky sektor në këto momente dhe sa mirë i bën ekonomisë sonë, duke e ndihmuar dhe udhëhequr në rritje, është edhe një alarm i madh për të ardhmen.

Pra sektori që po na ushqen tani është edhe sektori më i paqëndrueshëm në gjithë historinë e ekonomisë botërore, sepse lidhet direkt me ngjarje që nuk kanë të bëjnë me të. Krahas lavdërimit të sektorit të turizmit si lokomotiva e të pestë nënsektorëve më të rëndësishëm, nga ana tjetër duhet të ngremë alarmin dhe të themi që një ekonomi kaq e dobët strukturalisht nuk mund të jetë kaq e varur vetëm nga sektor i cili nuk është i lidhur me prodhimin tonë të brendshëm, lidhet me të ardhurat që vijnë nga jashtë”, tha eksperti./abcnews.al

Bilanci i ekonomisë 2025/ Ekspertët: Rritja ekonomike nuk po përkthehet në mirëqenie për familjet shqiptare

Ekonomia shqiptare ka shfaqur stabilitet në treguesit makroekonomikë vitet e fundit, por kjo rritje nuk është reflektuar në përmirësimin e mirëqenies së familjeve.

Kështu u shprehën ekspertët e ekonomisë të ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës, të cilët theksuan se, pavarësisht të dhënave pozitive në nivel kombëtar, shpërndarja e rritjes ekonomike mbetet problematike dhe ndikimi në të ardhurat e qytetarëve ka qenë i kufizuar, duke e bërë vitin 2025 një periudhë ende të vështirë për ekonominë familjare.

Teuta Nunaj: Në nivelin makro ka qenë një ekonomi e qëndrueshme dhe në nivelin familja ka qenë një ekonomi që nuk ka përcjellë mirëqenie për familjarët.

Enio Civici: Nga pikëpamja makro ekonomike Shqipëria më në fund ka arritur që të 3-4 vitet e fundit një lloj stabiliteti sa u takon të dhënave të mëdha, atyre që duhen për të parashikuar politika publike. Ndërsa në aspektin e ekonomisë që ndjejnë njerëzit mendoj po ashtu që ka qenë një vit i vështirë për transmetimin e kësaj rritjeje ekonomike në rritje të të ardhurave apo të portofolit të familjeve shqiptare. Nuk mendoj se vitit 2025 është karakterizuar nga një vit ku familjet shqiptare janë ndjerë më mirë financiarisht.

Ergis Sefa: Nuk është çështja vetëm te rritja ekonomike, është rritje për kë? Si shpërndahet kjo rritje ekonomike? Mund të kesh një rritje ekonomike të madhe dhe shpërndahet në pak duar, ndërkohë që mund të kesh një rritje ekonomike më të vogël dhe shpërndahet ashtu siç duhet. Kjo është e gjithë diferenca. Siç thanë edhe kolegët në nivelin tonë të mirëqenies, duhet që nivelin makroekonomik ta zbresim tek individi dhe tek qytetarët./abcnews.al

“Kreditë me probleme, niveli rekord më i ulët”, Vakaj: Tregon që bizneset kanë likuiditet

Drejtori i Shoqatës së Agjensive të Këmbimit Valutor Dritan Vakaj vlerësoi si pozitive rritjen e kreditimit për bizneset, por theksoi se duhet treguar kujdes në përzgjedhjen e sektorëve që vijojnë të financohen.

Vakaj nënvizoi se raporti i kredive mes bizneseve dhe konsumatorëve është i kënaqshëm, ndërsa niveli i kredive me probleme ka arritur një rekord minimal. Ai shtoi se kjo tregon një qasje konservatore të bankave, por paralajmëroi se duhet marrë parasysh edhe aspekti social, veçanërisht nevoja e qytetarëve për kredi për strehim dhe shtëpinë e parë.

Sipas Vakajt, një politikë tepër konservatore mund të kufizojë investimet dhe të krijojë vështirësi të panevojshme për ekonominë.

“Është e kënaqshme rritja e kreditimit për bizneset, por duhet treguar kujdes se cilët sektorë vijojnë të kreditohen. Ndërtimi mbetet një nga elementët më kritikë, ku vihet re një ftohje në vitin 2025. Raporti i kredive mes bizneseve dhe konsumatorëve është i kënaqshëm.

Kemi rekord të nivelit më të ulët të kredive me probleme, gjë që tregon një qasje konservatore, por duhet marrë parasysh edhe aspekti social. Duhet të merren parasysh nevojat që kanë qytetarët për kredi për strehim apo për shtëpinë e parë.

Nga pikëpamja operacionale, biznesi nuk është një tregues pozitiv nëse fondet që qarkullojnë për biznes qëndrojnë për një kohë të gjatë në banka, pasi kjo tregon mungesë qartësie dhe mungesë oportunitetesh për investim. Është për t’u vlerësuar politikat që kanë ndjekur bankat, por edhe një politikë shumë konservatore mund t’i vendosë investitorët në vështirësi të panevojshme.”

/ abcnews.al /

“Inflacioni, objektiv për gjashtë mujorin e parë të 2026”, Themeli: Sektori i shërbimeve, një ndër më të financuarit

Drejtor i politikave monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli deklaroi se inflacioni pritet të rikthehet në nivelin 3 për qind gjatë vitit të ardhshëm, bazuar në analizën e treguesve ekonomikë.
Sipas tij, politika monetare ka funksionuar në mënyrë efektive, duke reflektuar plotësisht uljen e normës së interesit në treg.
Themeli theksoi se kreditimi në lek po rritet ndjeshëm dhe parashikohet të arrijë rreth 16 për qind në vitin 2025. Ai nënvizoi se kreditë në lek janë më të lira dhe kanë mbështetur investimet e bizneseve.

“Vendimi i fundit erdhi në përgjigje të analizës dhe ky përditësim sugjeron që, bazuar në trendet dhe gjendjen financiare të bizneseve dhe qytetarëve, si edhe situatën e ofertës së kredisë, inflacioni pritet të kthehet në prioritet. Parashikohet që ai të shkojë në 3 për qind në vitin e ardhshëm.

Politika monetare ka pësuar një transformim të mirë dhe vepron në nivelin e çmimeve në një kohë të caktuar. Transmetimi ka qenë 100 për qind në uljen e normës së interesit; ky transmetim në këto dy segmente është përcjellë edhe në çmimin e kredisë, si për shembull në atë hipotekore.

Çmimi i kredisë për bizneset ndikohet nga një sërë faktorësh. Kemi një rritje të kredisë në lek, e cila për vitin 2025 pritet të jetë rreth 16 për qind. Kreditë në lek janë më të lira dhe kjo rritje ka financuar bizneset dhe nevojat për investime.

Ka një rritje në të gjitha segmentet. Sektori i shërbimeve dhe hotelerisë ka një interes në rritje për kapacitete dhe kjo ka një ndikim pozitiv në kreditim. Ndërkohë, ndërtimi shfaq një ritëm më të ngadaltë.”  / abcnews.al /

Papunësia në ulje/ Eksperti Xhihani: Ka nevoja të shtuara për çdo profesion

Eksperti për punësimin, Arbër Xhihani thotë se papunësia në vend ka shënuar ulje.

Në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News, Xhihani u shpreh se ka nevoja të shtuara për profesionistë.

“Në fakt, është e vërtetë. Rritja duket se është frenuar apo ka rënë në disa profesione, që kanë stopuar ecurinë e shpejtë të rritjes së pagave, e cila vërehej në fund të vitit 2024. Rritja në fundvit 2024 ishte e lidhur ndoshta edhe me një politikë, me rritjen e pagës së administratës shtetërore, çka vuri në presion edhe sektorin privat, për t’iu përgjigjur në të njëjtën mënyrë, edhe ndryshimit të pagave, e lidhur me rritjen e kostove të jetesës. Duket se kjo rritje është frenuar, por është e vazhdueshme. Vërehet se dita ditës ka nevoja të shtuara për çdo profesion në Shqipëri, çka përkthehet në mundësi negocimi nga ana e punëmarrësve për pagën e tyre, apo kur janë në kërkim të një vendi të ri pune. Ka një ulje të papunësisë në shkallë kombëtare. Normalisht, kjo është si pasojë e drejtpërdrejt e nevojës së shtuar për fuqi punëtore, edhe në kushtet ku jemi aktualisht, kemi nevoja shumë të shtuara nga ana e sipërmarrjes për punonjës, pavarësisht se nevoja e punësimit duhet të kuptohet se gjithmonë e më tepër plotësohen vakancat.”, theksoi ai./abcnews.al

“Sektori i IT, pagat më të larta”, Manjani: Punonjësi përveç rritjes së pagës, duhet të trajnohet nga bizneset

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, tha se nga të dhënat e INSTAT, sektorët me rritjen më të shpejtë janë ata më konkurrues, ku përfshihet sidomos sektori i IT. Ajo theksoi se ky sektor ka shënuar rritje të ndjeshme të pagave.

Manjani u shpreh se stimulimi financiar është i rëndësishëm për motivimin e punonjësve, por njëkohësisht ata kanë nevojë të riaftësohen dhe trajnohen për të përmbushur kërkesat e tregut të punës. Ajo shtoi se bizneset duhet të ruajnë një hierarki të drejtë pagash, duke siguruar diferencimin e duhur midis niveleve të ndryshme, gjë që nxit më tej rritjen e pagave.

“Nga të dhënat e INSTAT-it, sektorët me rritjen më të shpejtë janë ata më konkurrues. Sektori i IT ka shënuar rritje më të madhe të pagave, ku ndikim kanë edhe politikat e qeverisë për stimulimin e pagave, si dhe vendimi për rritjen e pagës minimale. Këto politika stimulojnë rritjen jo vetëm në sektorin publik, por edhe në atë privat.

Punonjësit janë të motivuar, por bizneset duhet të reagojnë duke ruajtur një hierarki të drejtë pagash dhe një diferencim të përshtatshëm midis niveleve, gjë që nxit më tej rritjen e pagave. Për motivimin e punonjësve, stimuli financiar është i rëndësishëm, por një punonjës ka nevojë gjithashtu të riaftësohet, të trajnohet dhe të përvetësojë aftësitë që mund t’i duhen në tregun e punës.”  / abcnews.al /

Punësimi i të rinjve, “Marrëveshje me vendet e BE për punësim qarkullues”, Manjani: Problem kryesor, forca punëtore e kualifikuar

Zëvendësministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, deklaroi se sektori i hoteleri–turizmit po shënon rritjen më të shpejtë në Shqipëri. Ajo theksoi se mungesa e fuqisë së kualifikuar punëtore mbetet një sfidë serioze për këtë sektor. Manjani tha se po punohet për marrëveshje me vendet e BE-së që do të mundësonin punësim qarkullues, duke shfrytëzuar sezonalitete të ndryshme.

Sipas saj, i njëjti staf do të mund të punojë në Shqipëri gjatë verës dhe në vende të tjera gjatë dimrit. Ajo shtoi se synimi është krijimi i zgjidhjeve inovative që përfitojnë të gjitha palët dhe mbështesin ekonominë në rritje.

“Nëse flasim për sektorin me rritjen më të shpejtë, hoteleri–turizmi është ai që po zhvillohet me ritmin më të lartë. Punësimi qarkullues është një nga çështjet kryesore dhe jemi në tentativa për marrëveshje me vendet e BE-së. Sezonaliteti ndryshon sipas rajoneve; për shembull, në vende si Austria piku është në dimër ose në zonat malore të zhvilluara në dimër, ndërsa në Shqipëri piku është kryesisht gjatë verës.

Duke qenë se forca e kualifikuar e punës është problematike, kemi menduar për zgjidhje inovative, ku e njëjta forcë punëtore mund të punojë gjatë pikut të sezonit veror në Shqipëri dhe në dimër në një prej vendeve të tjera. Jemi ende në proces të gjetjes së zgjidhjes më të mirë, në mënyrë që të gjitha palët të përfitojnë.

Për sa kohë synojmë të aderojmë dhe të bëhemi pjesë e BE-së, duam të mundësojmë lëvizjen e lirë të punonjësve dhe mirëpresim flukse migratore të brendshme nga forcat e treta. Kemi nevojë për fuqi punëtore të kualifikuar.” / abcnews.al /

Tregu i punës për të rinjtë/ Olta Manjani tregon dy shtyllat e programit dedikuar të rinjve, “Garancia Rinore”

Zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, në një intervistë për “Sheshi i Dollarit” në ABC News, ka folur mbi programin “Garancia Rinore”, një nismë e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian që synon mbështetjen e të rinjve që nuk janë as në punë dhe as në arsim.

Manjani theksoi se programi ka dy shtylla kryesore: ndihmën për punësimin e të rinjve që kanë mbetur jashtë sistemit dhe sigurimin e trajnimeve profesionale për përgatitjen e tyre në tregun e punës. Sipas saj, qëllimi është që asnjë i ri të mos mbetet pas dhe çdo të rinj t’i jepet mundësia të integrohet përmes arsimimit dhe punësimit.

“Garancia Rinore” është një program që bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian dhe ka dy shtylla kryesore, është shtylla e parë që është punësimi i të rinjve, që nuk janë as në punë dhe as në arsim, dhe po ta vini ky grup i targetuar u dedikohet praktikisht atyre të rinjve që praktikisht nuk bëjnë asgjë, mund të kenë ngelur pas.

Në thelb është që askush të mos ngelet pas, çdo i ri të ketë punësinë e shkollimit dhe të punësimit. Shtylla e dytë e këtij programi është shumë e rëndësishme dhe është përgatitja e të rinjve në tregun e punës, trajnime profesionale për t’u integruar më lehtë në tregun e punës”, tha Manjani./abcnews.al

 

 

“Teknologjia ka ndryshuar natyrën e tregut në Shqipëri”/ Manjani: Arsimi profesional zgjidhje për punësim

Zv/ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani, ka deklaruar në një intervistë për “Sheshi i Dollarit” në ABC Neës se tregu i punës në Shqipëri po pëson ndryshime të thella, të ndikuara si nga faktorët demografikë, ashtu edhe nga zhvillimet teknologjike.

Ajo theksoi se rënia e lindshmërisë dhe rritja e moshës mesatare të popullsisë kanë sjellë tkurrje të forcës së punës, ndërsa kërkesat e reja të tregut diktojnë aftësi moderne, përfshirë edhe ato të lidhura me Inteligjencën Artificiale.

Sipas Manjanit, studimet tregojnë një mospërputhje mes njohurive që ofron sistemi arsimor dhe nevojave reale të tregut, ndaj qeveria po i jep përparësi arsimit profesional, duke investuar për modernezimin e tij dhe afrimin me bizneset, në një kohë kur pagat në profesionet teknike rezultojnë gjithnjë e më konkurruese.

“Struktura e tregut të punës, është ndikuar nga shumë faktorë, kemi një rënie të numrit të lindjeve dhe një rritje të moshës mesatare të popullsisë çka do të thotë në vetvete se kjo ka tkurrur edhe popullsinë e aftë për punë. Nga ana tjetër janë edhe ndryshimet teknologjike, që sjellin ndryshime në tregun e punës. Natyra e punë ka ndryshuar dhe sigurisht që duhen aftësi të tjera për t’iu përshtatur tregut të punës. Që në kurrikulat dhe njohuritë që merren te bankat e shkollës  kemi futur elemente të Inteligjencës Artificiale. Ka një studim që tregon një mospëruthje të atyre që mësohen dhe tregun e punës. Po të shikojmë rastin e Shqipërisë, nga të cilat raportet që nxirren, një problem i qenësishëm janë edhe mbikualifikimet.

Kjo është edhe arsyeja pse Shqipëri po nxit arsimin profesional sepse një individ në një kohë të shkurtër merr një njohur në bankat e shkollës, që në arsimin e shkollës së mesme. Realisht vitet e fundit është investuar shumë në arsimin profesional, për ta sjellë atë sa më afër në tregun e punës. Ku janë marrë disa reforma. Pagat në sektorin profesional janë shumë të konkurrenshme”, tha Manjani.

/abcnews.al

❌