Stuhia e madhe dimërore godet SHBA-në, shtatë të vdekur dhe 800,000 familje pa energji elektrike
Një stuhi e rrezikshme dimërore ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima dhe duke lënë pa energji elektrike qindra mijëra banesa. Kushtet ekstreme të motit kanë sjellë mbylljen e shkollave, bllokimin e rrugëve dhe anulimin e mijëra fluturimeve, ndërsa autoritetet paralajmërojnë për rreziqe “kërcënuese për jetën” nga Teksasi deri në Anglinë e Re.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit (NWS), bora e dendur, breshëri dhe shiu i ngrirë pritet të zgjasin për disa ditë, duke prekur rreth 180 milionë amerikanë më shumë se gjysmën e popullsisë së vendit. Deri të dielën pasdite, mbi 800 mijë familje kishin mbetur pa energji elektrike, ndërsa më shumë se 11 mijë fluturime ishin anuluar.
Viktimat janë raportuar në disa shtete. Dy persona humbën jetën nga hipotermia në Luiziana, ndërsa vdekje të tjera janë konfirmuar në Teksas, Tenesi dhe Kansas. Në Nju Jork, autoritetet njoftuan se të paktën pesë persona kanë ndërruar jetë, megjithëse shkaqet ende po hetohen.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë brenda dhe të shmangin udhëtimet, duke e cilësuar situatën si “stuhinë më të ftohtë dimërore të viteve të fundit”. Ajo paralajmëroi për kushte “brutale” dhe rrezik të lartë nga akulli, i cili mund të rrëzojë pemë, të dëmtojë linjat e energjisë dhe të bëjë rrugët tepër të rrezikshme.
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në pothuajse gjysmën e shteteve, përfshirë edhe Uashingtonin, ku kryetarja e bashkisë Muriel Bowser e quajti këtë “stuhinë më të madhe të dëborës në një dekadë”. Edhe Kanadaja është prekur nga reshje të dendura bore dhe anulime fluturimesh, veçanërisht në provincën e Ontarios.
Ekspertët shpjegojnë se stuhia është shkaktuar nga lëvizja e vorbullës polare, e cila ka lejuar që masa ajri arktik të zbresë drejt jugut. Ata paralajmërojnë se temperaturat ekstremisht të ulëta dhe rreziqet nga akulli mund të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa disa studiues ngrenë shqetësimin se ndryshimet klimatike mund të ndikojnë në intensifikimin e këtyre fenomeneve.
The post Stuhia e madhe dimërore godet SHBA-në, shtatë të vdekur dhe 800,000 familje pa energji elektrike appeared first on iconstyle.al.
(@Manlike_Solz)