Reading view

“Puna me detyrim” rrudh aplikimet për mjekësi, përgjysmohen kërkesat

Verën e vitit 2023, teksa Paula Brusha përgatitej për të marrë pjesë në konkursin e mjekësisë, qeveria propozoi një ligj të ri që i detyronte studentët e mjekësisë të punonin 5 vite në Shqipëri pas diplomimit.   

Pavarësisht se ajo ishte nxënëse ekslente, e reja tregon se një lajm i tillë “e trazoi”, edhe pse ajo përpiqej të përqendrohej tek konkursi.

“Ishte vonë për ne, sepse i kishim përfunduar provimet e maturës shtetërore dhe e kishim bërë zgjedhjen tonë,” kujton Paola, tashmë studente e vitit të tretë për mjekësi.

“Po mësonim për konkursin. Nuk kishim zgjidhje tjetër në atë moment, ndaj përpiqesha të fokusohesh vetëm tek konkursi dhe të shmangja çdo lajm të tillë”,

Projektligji u mbante “peng” diplomën mjekëve të rinj, me kushtin që ata të punojnë 5 vite në Shqipëri. Kjo ndërhyrje e re ligjore u prit me protesta të forta nga studentët dhe grupet e interesit.

Sipas ligjit nëse studentët nuk pranonin kushtet e vendosura nga ligji, duhet të paguanin një tarifë shkollimi prej 240 mijë lekësh në vit – rreth 2,500 euro.

Ligji hyri në fuqi në gusht të atij viti mes kundërshtive të forta, por në janar 2024 Gjykata Kushtetuese pranoi ankesën e një grupi studentësh dhe shfuqizoi pjesërisht punësimin e detyruar në vend duke e zbritur në një vit, dy dhe tre vite për studentët e vitit të parë.

Megjithatë kjo fitore nuk i kënaqi studentët, të cilët nuk janë dorëzuar. Ato e kanë dërguar ligjin në gjykatën e të drejtave të njeriut në Strasburg.

“Është cenim i lirisë për të vendosur për të ardhmen tonë”, thotë Olta Shehu një ndër studentet protestuese, që po ashtu bën pjesë në grupin që e dërguan ligjin në Strasturg.

“Pra ligji kërkon që ne të vendosim për 10 vitet e ardhshme, kur ti je vetëm 18 vjeç. Është absurde dhe e padrejtë, nuk mund të mbash peng të ardhmen kështu”, argumenton Paola, e cila në këtë rast i referohet 5 viteve të shkollimit që zgjat mjekësia plus 5 vite të tjera punë me detyrim.

Ligji parashikonte të kishte kufizime jo vetëm për ata që aspironin të nisnin atë vit mjekësinë, por edhe për ata që i kishin nisur studimet.

Të dhënat e mbledhura nga Citizens dhe intervistat me studentë të mjekësisë, dëshmojë se kufizimet e vendosura në këtë ligj kanë rrudhur numrin e të rinjve që aplikojnë për mjekësi.   

Për Paolën mjekësia është ëndrra e jetës dhe do ta ndiqte me çdo kusht, por ajo shpjegon se shumë të rinj të tjerë do të ishin menduar më gjatë nëse do të ishin në dijeni të këtij “kushti”.

“Ka shumë studentë në kursin tonë, që nëse do ta dinin më parë këtë kusht, do të ishin menduar më gjatë ose nuk do ta kishin nisur fare mjekësinë”, thotë Paola.

Rrudhen aplikimet për mjekësinë

E konsideruar një ndër degët që mbledh maturantët më të mirë dhe që ka numrin më të lartë të aplikimeve, edhe mjekësia po bie në preferencat e maturantëve.     

Hyrja në fuqi e ligjit që i detyron studentët e mjekësisë të punojnë 3 vite pas diplomimit, atje ku do të ketë nevojë vendi, ka tkurrur edhe numrin e të rinjve që aspirojnë të veshin bluzën e bardhë.

Të dhënat e hulumtuara nga Citizens, por edhe shifrat e studimit “Arsye për të qëndruar” nxjerrin në dritë se megjithëse është shtuar numri i kuotave për mjekësinë, numri i aplikimeve për këtë profil po ndjek një traktore në rënie.

“Fuqizimi i sistemit shëndetësor nëpërmjet fuqizimit të mjekëve të rinj në Shqipëri”, një studim i realizuar nga Xheni Borakaj dhe Ilir Alimehmeti, që ka hulumtuar arsyet se përse largohen mjekët dhe të rinjtë e diplomuar për mjekësi ka gjetur një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtij ligji të ri dhe aplikimeve për në universitetin e mjekësisë. 

Një nga elementët e hulumtuar është edhe prirja e përzgjedhjes së kësaj dege nga maturantët për vitet 2018-2023.

Të dhënat dëshmojnë se që pas hyrjes në fuqi të ligjit në vitin 2023, interesi për këtë degë pothuajse është përgjysmuar.

Kështu nëse për vitin akademik 2018-2019 janë futur në garë rreth 2,900 të rinj për 260 vende, në vitin 2023-2024 ky raport ishte 1,800 studentë për 400 vende.   

I njëjti trend rënës ka vijuar edhe në vitet e mëpasshme.

Në vitin 2024-2025, 1,202 të rinj garuan për 500 vende, ndërsa në vitin 2025-2026 në konkursin e mjekësisë morën pjesë 1200 të rinj për 436 kuota që kishin në dispozicion.

Pra nëse në vitin 2018, garuan 11 të rinj për një vend pranimi në universitetin e mjekësisë, në vitin 2025 kjo shifër ra me 4 herë më pak, ose vetëm 2.7 kandidatë për 1 vend pranimi.

“Ka ndikuar ndjeshëm në numrin e të rinjve që duan të ndjekin mjekësinë dhe kjo nuk është shenjë e mire, pasi vendi ynë edhe aktualisht po përballet me emigracionin e bluzave të bardha”, thotë Ilir Alimehmeti, një nga autorët e këtij studimi, njëkohësisht edhe pedagog pranë universitetit të mjekësisë.

Sipas tij ndikimi ka qenë i menjëhershëm, ende pa hyrë në fuqi.  

“Kjo do të thotë se mund të ketë një rënie të cilësisë së studentëve që regjistrohen në këtë program studimi”, thotë ai.

Gent Stroni, kreu i sindikatës së punonjësve të shërbimit shëndetësor, që ka mbështetur studentët që në fillimet e kësaj kauze, thotë se mjekët nuk mund të “mbahen me zor”, por të ofrohen politika mbështetëse që i joshin të rinjtë për të qëndruar.

“Duhet të ketë më shumë politika mbështetëse. Ta zëmë nëse një mjek do vendoset të punojë në Has: përveç bonusit dhe kushte të denja për të ushtruar profesionin, duhet të ketë edhe lehtësi të tjera. Ta zëmë t’i ofrohet një banesë falas apo me kredi të butë që ai në fund të kësaj kontrate të bëhet edhe me shtëpi,” thotë Stroni.

“Ta garantojë, nëse do të kishte këto lehtësi unë i pari do të shkoja të punoja atje”, vijon ai.

Mjekësia, punë me detyrim

Olta Shehu ndjek vitin e pestë të studimeve për mjekësi e përgjithshme. Sipas ligjit, pas përfundimit të studimeve të larta ajo do të bëjë edhe një vit punë “të detyrueshme” në Shqipëri.

“Ne mund ta konsiderojmë veten me fat, pasi do të punojmë vetëm një vit, por vitet e tjera do të punojnë 3 vjet me detyrim,” thotë Olta.

Ajo tregon se mjaft studentë në grupin e saj nuk do ta kishin nisur mjekësinë po ta dinin një gjë të tillë.

“Ka shumë studentë që janë zhgënjyer, qoftë edhe nga grupi im që do të bëjmë vetëm një vit punë të detyruar,” shprehet ajo.

“Unë do të doja që të nisja specializimin jashtë, kurse tani do të më duhet të qëndroj edhe një vit”, thotë Olta.

Zhgënjyese duket situata edhe për studentët e vitit të tretë të mjekësisë, vit në të cilin ndjek studimet Paola Brusha   

“Ka mjaft të zhgënjyer, kanë investuar gjithë jetë për të mbërritur deri tek këtu dhe pastaj detyrohen të punojnë ku ti caktojnë”, thotë ajo.      

Për Oltën shqetësues është edhe fakti se mungon transparenca dhe ka paqartësi se si do të funksionojë i gjithë procesi.

“Na kërkohet të rrimë me detyrim, por ne ndërkohë nuk dimë asgjë se si do të funksionojë procesi. As se si do të bëhet shpërndarja, as se si do të përcaktohet se kush do të punojë ku… pra nuk ka transparencë dhe sigurisht që kjo rrit pasigurinë dhe ul besimin se nuk do të ketë shpërndarje preferenciale.”

Edhe Gent Stroni e vë theksin tek mungesa e transparencës, dhe mungesën e rregullave të lojës se si do të bëhet shpërndarja e mjekëve të rinj. Në të kundërt, thotë ai “gjithë procesi rrezikon të dështojë në misionin që ka marrë përsipër”.

“Ne kemi nevoja të theksuara për mjekë dhe ka zona të tërë të pambuluara, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe ccdo hap të jetë transparent, duke mbyllur shtigjet që të zgjidhen “me mik“ mjekët e rinj që do të shërbejnë në Tiranë dhe të tjerët të degdisen në zonat më të largëta. Pra rregullat e lojës duhet të jenë të qarta,” thotë Stroni.

Shqipëria, më pak mjekë në të gjithë rajonin

Megjithëse diplomon çdo vit qindra mjekë të rinj, Shqipëria renditet e fundit në Evropë për numrin e mjekëve në raport me popullsinë. Sipas të dhënave të Organizatës botërore të Shëndetësisë Shqipëria ka 18.8 mjekë për 10 mijë banorë.

Po ashtu Shqipëria është i vetmi vend që nuk i ka përditësuar të dhënat dhe shifrat e raportuara i takojnë vitit 2020. Sipas të njëjtit raport, fqinjët tanë në Malin e Zi në vitin 2024 kanë raportuar 27.8 doktorë për 10 mijë banorë; Maqedonia e Veriut raporton 29.44 mjekë për 10 mijë banorë, Serbia raporton 32.1 mjekë për 10 mijë banorë, ndërsa rekordi mbahet nga Greqia që raporton se  67.1 mjekë për 10 mijë banorë.

Ekspertët thonë se emigracioni i lartë në radhët e bluzave të bardha, ka përkeqësuar këtë tregues. Për Gent Stronin nëse nuk bëhet një ndërhyrje serioze dhe kapilare, asnjë politikë detyruese nuk do ta zbusë dot braktisjen e sistemit shëndetësor.

“E dini se çfarë po ndodh aktualisht? Po marr Gjermaninë, që është njëri ndër vendet që ka më shumë interes për mjekë dhe infermierë, ndërsa ato rrinë dhe përmbushin detyrimet me shtetin shqiptar po u paguan kursin e gjuhës së huaj, në mënyrë që kur të shkojnë në gjermani ta kenë të mësuar gjuhën. Kështu që pavarësisht se çfarë ligjesh do të hartojnë, nëse nuk shoqërohen me politika mbështetëse, nuk do të arrijmë ti mbajmë brenda vendit mjekët dhe infermierët e rinj”, thotë Stroni.

Edhe Ilir Alimehmeti ndan të njëjtin opinion kur thotë se duhen gjetur mekanizmat për të mbajtur bluzat e bardha brenda sistemit shëndetësor shqiptar.

“Largimi i mjekëve është një plagë që prekur sistemin shëndetësor prej vitesh. Kambanat e alarmit kanë rënë, ndaj duhet ndërhyrje me politika konkrete dhe jo me ligje detyruese, që e zgjidhin situatën për një periudhë afatshkurtër Ne kemi nevojë për zgjidhje afatgjata dhe për mjekë në çdo cep të vendit”, thotë Alimehmeti.

Olta Shehu ende është e dyzuar se për çfarë do ta nisë specializimin. Megjithatë ajo është e vendosur që këtë program do ta vazhdojë jashtë vendit, për shkak se beson se cilësia e studimeve është “vite drite larg”.

“Ne ende mësojmë me tekste të 80-ës, dhe ndaj dëshira ime është që të mund të vijoj specializimin jashtë. Do të mbaroj këtë vitin me detyrim dhe do të iki,” përfundon e reja.

The post “Puna me detyrim” rrudh aplikimet për mjekësi, përgjysmohen kërkesat appeared first on Citizens.al.

  •  

Pacientët e spitalit të Burrelit “presin” shërim mes kushteve të vështira

Aishja*, një ndër pacientet e pakta që gjejmë në spitalin e Burrelit, është e shtruar prej 5 ditësh në një dhomë të pushtuar nga lagështira dhe myku.

“Këtu sëmuresh më keq nga kushtet. Mjekët bëjnë aq sa munden, por është për të ardhur keq që është lënë në këtë gjendje”, – na thotë e afërmja që e shoqëron, duke treguar kushtet e dhomës së spitalit. Ironikisht, në murin e zhveshur nga lagështira, janë afishuara disa këshilla si të mbrohemi nga infeksionet, por vetë spitali nuk ofron kushtet të denja për pacientët.

“A mund të jetë kështu një spital, në vitin 2025?”, pyet ajo, pa pritur një përgjigje.

Dhoma në të cilën ndodhet e shtruar Aishja, është ndër të paktat që ka mbetur hapur në këtë spital, i cili u shërben rreth 30 mijë banorëve të bashkisë Mat dhe Klos, por edhe një pjesë të pacientëve që vijnë nga Bulqiza.

I përbërë nga një kompleks prej katër godinash, spitali “Xhavit Mara” në qytetin e Burrelit është amortizuar krejtësisht pasi është lënë prej dekadash pa investime. Aktualisht, vetëm godina e urgjencës është rikonstruktuar në vitin 2017, ndërsa godina e pediatrisë është mbyllur prej vitesh.

Si pasojë e mungesës së investimeve pacientët në këtë spital po përballen me vështirësi. Godina kryesore e spitalit, në të cilin shtrohen pacientët që kanë nevojë për ndërhyrje kirurgjikale është krejt e amortizuar, ndërsa kati i tretë i kësaj godine është mbyllur, për shkak të lagështirës, që vjen nga sistemi hidraulik i godinës.

Para tre vitesh, ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ndërhyri në sistemin kapotë të kësaj godine në kuadër të eficencës energjitike në bashkëpunim me Bashkinë Mat, ndërhyrje që kushtoi 600 mln lekë.

Reduktimi i dhomave të shtrimit ka bërë që pacientët e të gjithë patologjive “të strehohen” në godinën e maternitetit, edhe ajo e amortizuar.

Eduart Brahilika, me profesion avokat, shkon shpesh në spital, për shkak të klientëve të tij, kryesisht në raste të aksidenteve. Ai e konsideron të papranueshme, situatën në të cilën u ofrohet kujdes shëndetësor pacientëve.  

“Kisha një aksident dhe vajta me OPGj-në për të bërë procedurat dhe sinqerisht as në Kamboxhia si gjen kushte të tilla. Të vjen keq se ka qenë një ndër spitalet model”, thotë Brahilika, i cili kandidoi në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit për kryetar bashkia të Matit, nën logon e Partisë Demokratike.    

Gjendja e Spitalit të Burrelit/Citizens.al

Pavarësisht situatës së vështirë, në një përgjigje me shkrim spitali i Matit thotë se “amortizimi i pjesshëm i godinës nuk ka kufizuar shërbimin ndaj pacienteve”.

Por Erion Dasho, ekspert i shëndetit publik, që punon prej vitesh në Gjermani mendon të kundërtën. Sipas tij, infrastruktura e degraduar krijon probleme në ofrimin e kujdesit shëndetësor.

“Nëse pacienti trajtohet në kushte të vështira infrastrukture, apo si në këtë rast që ka lagështirë, rritet mundësia që të sëmurët të ekspozohen ndaj infeksioneve apo faktorëve të tjerë sëmundjeshkaktues”, shpjegon Dasho.

“Infrastruktura e degraduar nuk i lejon mjekët dhe infermierët të ushtrojnë profesionin siç duhet, ndërsa tek pacientët krijon pasoja të tjera shtesë si dhe mos besim tek sistemi shëndetësor”, shton më tej ai.

Rehabilitimi i spitalit bashkiak të Matit është përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2026. Ai pritet të kushtojë 4.1 milionë euro, një investim që parashikon ndërhyrje në strukturën e brendshme, sistemet elektrike, hidrosanitare, ventilimin, ashensor, ngrohjen dhe përmirësimin e hotelerisë spitalore. Megjithatë investimi pritet të zgjasin tre vite dhe në vitin e parë pritet të lëvrohen 820 mln lekë.

“Vizioni ynë ,është transformimi në një institucion modern që ofron shërbime cilësore, të sigurta dhe të aksesueshme për të gjithë banorët e zonës”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë së spitalit të Matit.

Të gjithë pacientët “shtrohen” tek materniteti

E parashikuar si një zgjidhje emergjente, në fakt shtrimi i pacientëve me të gjitha patologjitë e tjera në godinën e maternitetit, po zgjat prej më shumë se 3 vite. Godina e vogël dykatëshe, edhe ajo e amortizuar, në gjysmën e saj strehon shërbimin e gjinekologjisë, ndërsa në gjysmën tjetër janë të sëmurët, përfshirë edhe pediatrinë.

Ambientet e kufizuara kanë bërë që shpesh pacientët të mos kenë mundësi të trajtohen në kushte dinjitoze. 

“Problem janë tualetet, sepse janë në një vend burra e gra. Është e sikletshme, kur nuk je në spital dhe jo më aty që je sëmurë dhe nuk e ke trupin në rregull”, na thotë njëra nga pacientet e shtruara.

Në mungesë të kushteve dhe vështirësive infrastruktuore, pacientët që janë nga qyteti i Burrelit apo fshatrat përreth kanë gjetur një tjetër zgjidhje.

“Unë i shtruar jam, por nuk rri këtu. Rri nja dy orë paradite, mi bën doktoresha të gjitha ilaçet apo analizat, iki në shtëpi, pastaj vij nga pasditja kur kam prapë orarin e ilaçeve dhe në darkë shkoj e fle në shtëpi. Nuk rrihet këtu, nuk ka fare kushte”, na thotë një tjetër pacient që e takojmë në korridorin e spitalit.

Erion Dasho e sheh vendosjen në godinë të të gjithë pacientëve, si një zgjidhje emergjente, por jo afatgjatë.

“Janë disa ndarje të detyrueshme, të sëmurët rëndë, apo ato që kanë gjasa të zhvillojnë infeksione duhet të mbahen në kushte strikte të veçimit, që duhen respektuar në planifikimin e shërbimeve”, shpjegon Dasho.

Pavarësisht ankesave të pacientëve, drejtoria e spitalit shpjegon se ndarja e tyre është bërë në bazë të specialiteteve mjekësore për të siguruar trajtimin e nevojshëm.

“Godina e maternitetit është godine funksionale, e mirëmbajtur dhe me kushte të sigurta për pacientët”, thonë ato përgjigjen me shkrim.  

Qamil Dika, pedagog pranë fakultetit të Mjekësisë, thotë se “pacientëve duhet tu garantohet e njëjta cilësi e shërbimit shëndetësor në çdo institucion publik”.

“Në këtë drejtim duhet patjetër që vetë institucionet të jenë më dinamike të adresimin e problematikave të infrastrukturës, ndërsa Ministria e Shëndetësisë të krijojë bazën ligjore e cila mundëson një ndjekje më të shpejtë dhe decentralizim të zgjidhjes së këtyre problematikave”, shpjegon ai.

Gjendja e Spitalit të Burrelit/Citizens.al

Në vitin 2024, në vendin tonë numëroheshin 65 spitale, nga të cilët 41 janë spitale publike dhe 24 spitale private. Sipas INSTAT, në institucionet publike të shërbimit spitalor u shtruan 299.318 pacientë, që kishin në dispozicion 8.911 shtretër. Nga ky numër në Spitalet Universitare janë shtruar 178,864 pacientë, në Spitalet Rajonale janë shtruar 117,888 pacientë dhe në spitalet Bashkiake janë shtruar 27,248 pacientë.  

Shfrytëzimi i shtratit spitalor, i cili konsiderohet një indikator tepër i rëndësishëm i efiçiencës spitalore tregon se përgjatë vitit 2024 ato u shfrytëzuan vetëm gjysmën e vitit. Mesatarisht një shtrat u shfrytëzua 176,7 ditë, ose 48,4 % të ditëve kalendarike të vitit 2024., nga rreth 75% që është mesatarja e vendeve të BE-së. Spitalet Universitare kishin një mesatare më të lartë të shfrytëzimit të shtratit me 81.68 %, ndërsa në spitalet rajonale mesatarja e shfrytëzimit të shtratit ishte 35.87 %, por Fondi I kujdesit të sigurimeve shëndetësore nuk raporton të dhëna se sa është ky koeficient në spitalet bashkiake.

Spitalet pa mjekë specialistë

Bajrami është një pacient që i është nënshtruar dy herë koronarografisë dhe vizita tek kardiologu duhet të ishte një rutinë, por në spitalin e Burrelit kardiologu ka munguar herë pas herë me periudha shumë të gjata. Për shkak të braktisjes masive dhe rënies së numrit të popullsisë, në këtë qytetet nuk ka as klinika private që e ofrojnë këtë shërbim, përveç një klinike private në qytetin e Klosit ku kardiologu vjen një herë në javë.

“Ose shkoj në Klos, ose iki direkt në Tiranë. Në spitalin e Burrelit, ka munguar për një kohë të gjatë mjeku i zemrës, edhe tani njëherë në javë vjen. Ç’të bëj unë zemra më kap ditën që nuk është mjeku?”, na thotë ai.

Vetë spitali pranon se kanë munguar për një periudhë një vjeçare gjinekologu dhe kardiologu, dy specialist shumë të rëndësishëm.

“Në periudhën e mungesës së përkohshme të dy specialistëve (për arsye leje lindjeje), spitali ka bashkëpunuar me Spitalin Rajonal të Dibrës nëpërmjet patronazhimit me mjek kardiolog, ndërsa rastet që janë paraqitur pranë shërbimi Obstetrike Gjinekologji janë transferuar me personel infermieror dhe autoambulance ne Tiranë”, sqarojnë përfaqësuesit e Spitali të Matit.

Spitali ofron shërbim të nivelit bashkiak, në pneumologji, kardiologji, nefrologji, endokrinologji, dermatologji, urgjencë, obstetrikë gjinekologji, kirurgji, pediatri, anestezi reanimacion, laboratori klinik biokimik, radiologji dhe poliklinikë, por prej vitesh ky spital po përballet me mungesa mjekësh specialist.

Por Eduart  Brahilika thotë se nuk bëhet fjalë për mungesa provizore por prej vitesh, “çdo urgjencë e paraqitur në këtë spital niset drejt Tiranës se s’ka mjek specialistë, nuk ka aparatura që bëjnë ekzaminimin”. 

“Mjeku i kokës mungon, mjeku i zemrës mungon, reanimatori mungon. Në këtë spital kanë qenë realizuar ndërhyrje kirurgjikale në hundë, njësoj si në QSUT, sot mjekohen vetëm plagët e lehta. Shumica e mjekëve i kanë kaluar 70 vjeç dhe kanë dalë në pension, por mbahen ende në punë me kontrata provizore dhe një pjesë e rëndësishme e shërbimeve mbulohen vetëm një herë në javë”, shpjegon ai.

Aktualisht spitali ka reduktim të ndërhyrjeve kirurgjikale pasi mjeku reanimator është me leje lindjeje, duke realizuar mesatarisht 10-12 ndërhyrje kirurgjikale në muaj, nga 30 që kanë qenë realizuar më parë.

Pavarësisht këtyre vështirësive drejtuesit e spitalit optimistë dhe thonë se shërbimet e përcaktuara për t’u ofruar nga spitali janë të mbuluara me mjekë të specializuar.

“Në kuadër të politikave të MSHMS, Spitali Mat është mbuluar herë pas here me mjekë me bonus, me mjekë me patronazhim apo sipas hapësirave ligjore janë kontraktuar mjekë me të ardhura dytësore, për të plotësuar nevojat sipas sëmundshmërisë dhe fluksit të pacientëve”.

Për Erion Dashon problemi qëndron tek braktisja e sistemit shëndetësor edhe nga vetë mjekët, ndaj sugjeron një “bilanc dhe balancë mes ofrimit dhe nevojave të popullatës”,

“Ikja e mjekëve dhe depopullimi i zonave janë dy faktorë të lidhur me njërit tjetrit ku përkeqësimi i njërës nxit përkeqësimin e tjetrës. Ndaj ne sot kemi spitale pa mjekë dhe qytete pa njerëz. Nëse duam të kemi që ato të kenë qasje në shërbime shëndetësore është e domosdoshme masterplani dhe identifikimi plotësimi i nevojave të popullatës”.

Për ekspertët zgjidhja nuk është e vështirë. Ajo duhet të arrihet nëpërmjet politikave të veçanta mbështetëse për mjekët, në mënyrë që ato të mos largohen.

“Sa kohë spitalet tona nuk do të jenë tërheqës për mjekët me aftësi profesionale, përmes pagesave të dedikuara dhe kontratave individuale, problemi i mjekëve specialistë në rrethe të vogla si Burreli, Puka, Devolli, Delvina, Gramshi etj. do të jetë një problem, i cili do të jetë gjithmonë e më i pranishëm”, përfundon Qamil Dika.

Lexoni gjithashtu:

The post Pacientët e spitalit të Burrelit “presin” shërim mes kushteve të vështira appeared first on Citizens.al.

  •  

Thethi “i plagosur”, nën hijen e “Paketës së Maleve”

Në momentin që fadromat prishën një nga katër shtëpizat e drurit të Zef Barit, në oborr kishte ende të stivuara materialet e ndërtimit. Gjithçka ndodhi shpejt dhe pa paralajmërim.

I revoltuar për “pabesinë e qeverisë” Zefi nisi të ndajë mendimin se banorët e Thethit u mashtruan nga Kryeministri një vit më parë, kur bashkë me premtimin për fshirjen e gjobave ai u pati bërë thirrje emigrantëve të kthehen dhe të investojnë në turizëm.

“Solla djemtë nga Gjermania dhe Franca ku kishin ndërtuar jetën e tyre dhe po investonim në shtëpizat e drurit. Na mashtroi dhe na preu në besë qeveria”, tha ai, teksa tregoi se shpenzimet shkonin deri në 30 mijë euro.

Sipas Zefit, të gjitha institucionet kanë qenë në dijeni për ndërtimet në Theth dhe “të gjithë thonin vazhdoni”.  

Edhe familja e Bekim Koçekut nxitoi të largojë shtëpizat e drurit nga aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT). Ata thanë se bashkë me investimin, po shuhej edhe përpjekja disa vjeçare për të ndërtuar të ardhmen në këtë vend.

“Kemi qenë plot me turistë dhe jemi detyruar t’i nxjerrim në orën 5 të mëngjesit nga shtëpia. Fëmija i tyre 10 vjeç qante se nuk po e kuptonte çfarë po ndodhte, ishte i trembur. Ky është krim!” tha mes lotësh, Edmira, motra e Bekimit, e cila shpjegoi për Citizens.al se u kishin kërkuar më kot autoriteteve t’i lejonin të punonin deri në shtator.

“Bekim Koçeku ka lënë garanci në bankë pensionin e invaliditetit për të ndërtuar këto shtëpi, tani ka 200 milionë lekë borxh”, tha e dëshpëruar Edmira, duke treguar tokat ku ata kanë jetuar ndër shekuj.

Qetësia e fshatit të fshehur mes maleve u trondit nga zhurma e fadromave javën e dytë të muajit korrik. Lugina u kthye në një skenë lufte, ku policë me kallashnikovë u përballën më banorë të zëmëruar që sulmuan me molotovë mjetet e IKMT-së.

Në mes të kësaj përplasjeje, qindra turistë që kishin rezervuar në Theth, anuluan rezervimet dhe ia mbathën. Bashkë me ta, duket se u largua edhe shpresa se fshati mund të ketë një të ardhme në turizëm.  

A po prishen ndërtimet në Theth për “Paketën e maleve”?

Ekspertët fajësojnë një zinxhir të gjatë institucionesh për neglizhencë dhe degradim të situatës. Ndërkohë, banorët e Thethit pretendojnë se pas aksionit fshihet “Paketa e Maleve”.  

“Për çfarë vijnë ato helikopterët me investitorë strategjikë?! Për të na marrë atë që është e jona. Këtu nuk ka tokë të xanun,” tha një banor i Thethit për Citizens.al.

Për t’i fryrë edhe më shumë këtij dyshimi, shërbeu edhe një postim gjatë ditës së shtunë, i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, ku ftonte të gjithë të interesuarit të aplikojnë për “Paketën e Maleve”.

Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, e lidh këtë qasje me trysninë që kryeministri Rama ka bërë së fundmi në kërkesat për dorëheqjen e drejtuesve të drejtorive në autoritetet lokale.

“Nuk përjashtohet mundësia që edhe ‘reprezaljet’ që po ndërmerren nga Kryeministri në bashki të ndryshme, të jenë pjesë e një strategjie për të keqpërdorur stafet bashkiake në vendimmarrje klienteliste në transferim të paligjshëm të pronës publike,” tha Brahaj.

“Paketa e Maleve”, e miratuar në janar të këtij viti, synon “të nxisë zhvillimin dhe rigjallërimin ekonomik të zonave malore kundrejt lehtësirave fiskale dhe dhënies së tokave shtetërore në posedim”.

Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në tokën e familjes Koçeku, Theth/Citizens.al

Aktualisht procesi është në fazën e shprehjes së interesit, e cila bëhet pa pagesë përmes e-albanias, si për bizneset, ashtu edhe për qytetarët.

Pa qenë pronarë trojesh, me një përzgjedhje pike në hartë, gjithsekush mund të interesohet për sado sipërfaqe të dëshirojë (e shprehur në hektarë).

Nevojitet vetëm një përshkrim me maksimumi 500 fjalë, të caktohet tipologjia e investimit: turizëm, energjetikë, blegtori, projekte sociale etj; dhe kohëzgjatja e posedimit të tokës: më pak ose më shumë se 10 vite. (link ilustrues)

Shprehja e interesit i dërgohet bashkive përkatëse, të cilat do t’i trajtojnë për evidentime për zonat zhvillimore. Ligji i “Paketës së Maleve” i lejon bashkitë që pas procesit të evidentimeve t’i propozojnë qeverisë të ndryshojë cilësimin e tokave duke shpallur “zona zhvillimore” zonat e interesuara.

Nga kjo paketë ligjore pritet të përfitojnë “500 aplikuesit e parë”.

Zef Preçi, drejtues i Qendrës për Kërkime Ekonomike (ACER) që ka kryer një vlerësim të rrezikut për korrupsion të këtij ligji thotë se ka mungesë transparence dhe se “përmbajtja krijon premisa për qëllime të fshehura ose të padeklaruara”.

“Ligji prek në mënyrë të rëndësishme interesa publike ndërsa bëhet fjalë për shitje të pasurisë shtetërore, për vlera të parëndësishme fare, tek subjekte private,” tha Preçi.

Sipas drejtuesit të ACER, ligji prek në mënyrë problematike ekuilibrin mes interesit publik dhe atij privat, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e kalimit të pronës shtetërore te poseduesit jopronarë ose thënë ndryshe “faktikë” pa titull pronësie.

“Toka jonë iu duhet për tua dhënë investitorëve strategjikë, jemi të bindur që pas kësaj qëndron Paketa e Maleve”, tha një banor i Thethit për Citizens.al

Urbanisti Imeldi Sokoli, njëherësh anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër, nuk është i sigurt, por e cilëson jo të rastësishme hapjen e aplikimeve për “Paketën e Maleve” me ndërhyrjen në Theth.

“E njëjta gjë ka ndodhur me disa tentativa për të marrë investitorë strategjikë për resorte skish dhe kjo ka ndodhur diku nga marsi, kur Benet Beci shkoi me investitorët për të parë se ku mund të bëhet një resort dimëror,” thotë Sokoli.  

Ilustrim nga aksioni i IKMT-së në Theth/Citizens.al

Edhe për Preçin, ndërhyrja në Theth nuk duket e rastësishme. Ai e konsideron atë vijim të tjetërsimit të territorit që ka nisur prej vitesh.

“Me sa duket përvoja e ndërhyrjes brutale të qeverisë në bregdetin e Jugut dhe në Tiranë (5 Maji), Portit të panevojshëm të Durrësit dhe etja e pashuar e lobistëve, oligarkëve dhe segmenteve të krimit që kane akumuluar pasuri kolosale po e shtyjnë agresivisht përpara edhe këtë proces fatal dhe të pakthyeshëm për fatin e pjesës më të bukur të natyrës sonë,” thotë ai.

Për Brahajn “Paketa e Maleve” është një ligj problematik “që rrezikon rendin juridik të pronësisë”.

“Krijon kompetenca arbitrare dhe anashkalon institucionet që kanë mandat ligjor për regjimin e pronësisë. Në mënyrë të pajustifikuar, ai i kalon kompetenca të ndjeshme stafeve bashkiake, duke shmangur rolin e sistemit gjyqësor dhe institucioneve të regjistrimit. Mund të quhet me plot kuptimin e fjalës ligj për keqqeverisje,” shpjegon Brahaj.

Analizuar sipas metodologjisë së vlerësimit të rrezikut për korrupsion, ky ligj, rezulton me nivel të lartë risku.

Ekziston mundësia që “klientë të pushtetit” të përfitojnë prona pa asnjë kosto privatizimi përmes procedurave arbitrare dhe të pakontrolluara.

“Krijojnë mundësinë që shumë nga klientët e bashkive, të cilët deri më tani kanë përfituar prona publike me qira apo përmes ankandeve për periudha 10-vjeçare, tani të përfitojnë në mënyrë arbitrare, pa garë të ndershme,” thotë Brahaj.

Duke u referuar hapjes së aplikimeve për këtë paketë, Zef Preçi, thotë se “do të ishte mirë që qeveria dhe Bashkia e Shkodrës të heqin dorë nga brutaliteti policor dhe të mos ngutet në kënaqjen e interesave okulte në dëm të komuniteteve lokale”.

Kullat shekullore të paregjistruara

Urbanisti Imeldi Sokoli, ishte i pari që denoncoi kompleksin e shtëpizave të drurit pas oborrit të kishës. Ai e sheh këtë situatë të lidhur me paaftësinë për të menaxhuar territorin.

“Shteti justifikon mos-menaxhimin e situatës me këtë ndërhyrje brutale, në mes të sezonit,” thotë ai “Është totalisht problem i paaftësisë për të funksionuar instrumentet ligjore në territor”.

Urbanisti ka pikëpyetje edhe për mënyrën se si po zhvillohet aksioni i IKMT-së, duke e konsideruar “ndërhyrje të jashtëligjshme”.

“Minimalisht duhet të ishin njoftuar banorët, pra t’u ishte dhënë një paralajmërim, t’u ishte lënë kohë t’i hiqnin vetë dhe më pas të niste aksioni i prishjes,” thotë Sokoli.

Ai e sheh zanafillën e situatës së ndërtimeve pa leje, tek mungesa thuajse totale e regjistrimit të pronave në hipotekë, një gangrenë që nuk po gjen zgjidhje prej vitesh në Theth dhe fshatra të tjerë malorë.

“Ligjërisht të gjitha ndërtimet rezultojnë pa leje, edhe kullat e vjetra shekullore, jo vetëm ndërtimet e reja. Dhe ky është problemi,” sqaron më tej Sokoli.

Të njëjtin opinion ndan edhe Aranita Brahaj, kur shprehet se censi i pronave në zonat rurale nuk është bërë kurrë në mënyrë të plotë dhe asnjë qeveri nuk e ka ushtruar ketë detyrë.

Ilustrim nga aksioni policor i prishjeve të ndërtimeve në Theth/Citizens.al

“Pas 40 vitesh regjimi bolshevik, edhe qeverisja aktuale vazhdon të mohojë të drejtën e qytetarëve për të gëzuar plotësisht pronën, qoftë: truall themel i familjes, tokë bujqësore, kullota apo pyje. Si në formën e pronësisë, ashtu edhe në posedim të ligjshëm,” shpjegon ajo.

Amullinë me këtë e aksion e tregon edhe mungesa e të dhënave për numrin e objekteve pa leje që do të prisheshin.

Fillimisht u tha se ishin 10 ndërtime pa leje, më pas 40, më pas drejtuesit e IKMT-së folën për rreth 80 ndërtime, teksa në fund të javës së dytë të korrikut numri shkoi në rreth 120.

Situata me mbi 100 ndërtime pa leje duket se u ka shpëtuar institucioneve që kanë për detyrë kontrollin e territorit, përfshirë edhe administratën rajonale të Zonave të Mbrojtura.

Vitin e fundit, 2024-2025 në Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, ku përfshihet Thethi, nga rojet mjedisore janë mbajtur mbi 36 konstatime për gërmime, zënie fondi pyjor, prerje drurësh dhe hapje rrugësh në pyll.

“Këto konstatime, sipas klasifikimit te kundërvajtjes i janë dërguar institucioneve përkatëse dhe kur ka ndërtime vihen në dijeni, pasi institucioni ynë, në aktet ligjore nuk parashikon ndërtimet pa leje,” thanë për Citizens përfaqësues të administratës rajonale të zonave të mbrojtura Shkodër.

Mos-regjistrimit të pronës, i mbivendosen edhe shtresëzime të tjera ligjore që janë shtrënguese për banorët.

I shpallur Park Kombëtar që në vitin 1966, cilësimi i zonës kryesore si Qendër Historike në vitin 2017, i jep vlerë monumentale fshatit të Thethit, por nuk u jep banorëve mundësi zhvillimi të pronës.

Po ashtu edhe ligji për Zonat e Mbrojtura, sipas të cilit kjo zonë u përfshi në Parkun Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, në vitin 2022, kufizon ndërtimin.

Për ekspertët pikërisht këtu duhet të kishte lindur formalizimi.

“Ky është rasti tipik që shteti ishte i paaftë për t’i dhënë një instrument ligjor të aplikueshëm që këto banorë të kenë një pronë të ligjshme,” thotë Sokoli.

Lexoni gjithashtu:

The post Thethi “i plagosur”, nën hijen e “Paketës së Maleve” appeared first on Citizens.al.

  •  
❌