Reading view

Çfarë nuk thuhet për pretendimin e MABCO-s ndaj shtetit shqiptar

Nga Ardit Rada

Teza që po qarkullon nga Behgjet Pacolli për Aeroportin e Vlorës është e thjeshtë: shteti shqiptar e pengoi investitorin të përfundonte punën dhe më pas e ndëshkoi pikërisht për vonesat që, sipas kësaj teze, ishin shkaktuar nga ndërhyrja e shtetit.

Është një histori që, në pamje të parë, funksionon shumë mirë: një investitor që pengohet, një projekt që bllokohet dhe, në fund, një shtet që vendos penalitete.

Por një çështje arbitrazhi nuk vendoset mbi bazën se kush e tregon më bindshëm historinë. Aty duhen provuar detyrimet, përgjegjësia dhe lidhja shkakësore mes veprimeve të palëve dhe dëmit të pretenduar. Dhe pikërisht këtu, versioni i MABCO-s ka disa pika që kërkojnë një vështrim shumë më të kujdesshëm.

Konflikti mes ortakëve nuk mund t’i faturohet automatikisht shtetit

Në rastin konkret, kontrata e koncesionit është lidhur mes Autoritetit Kontraktor dhe shoqërisë koncesionare. Detyrimi për të ndërtuar dhe vënë në operim aeroportin brenda afateve i takon shoqërisë koncesionare si subjekt. Nuk është një detyrim i shtetit ndaj njërit prej aksionerëve.

Dhe këtu lind pyetja kryesore: kush e krijoi ngërçin që çoi në bllokimin e aktivitetit?

Sipas vetë historisë së çështjes, problemi nisi nga një mosmarrëveshje mes dy aksionerëve privatë. MABCO e kishte sjellë vetë këtë strukturë aksionare dhe në ofertën e saj për Ministrinë kishte hyrë në marrëdhënie me një ortak që zotëronte 2 për qind të shoqërisë.

Nëse më pas ortakët nuk arritën të funksionojnë së bashku dhe kjo solli paralizimin e shoqërisë, vështirë të argumentohet se ky është, në vetvete, një rrezik që duhet ta mbajë taksapaguesi shqiptar.

Një investitor që hyn në një projekt të tillë merr përsipër edhe rrezikun e mënyrës se si është ndërtuar dhe funksionon shoqëria e tij. Përndryshe, çdo konflikt i brendshëm mes aksionerëve do të mund të kthehej në një faturë për shtetin.

Po gjykatat?

A janë veprimet e gjykatave përgjegjësi e shtetit në kuptimin që pretendon MABCO? Kjo është ndoshta pjesa më e fortë e narrativës së kompanisë, por edhe një nga pikat ku argumenti juridik duhet parë me shumë kujdes.

Masat e sigurisë për të cilat bëhet fjalë u kërkuan nga një subjekt privat, 2A Group, në kuadër të një konflikti mes palëve private. Shteti nuk ishte ai që kërkoi këto masa.

Në një proces arbitrazhi, fakti që një gjykatë vendase ka dhënë një vendim të diskutueshëm nuk mjafton automatikisht për ta bërë shtetin përgjegjës për dëmin. Për të arritur në një përfundim të tillë kërkohet një nivel shumë më i lartë shkeljeje: mohim i drejtësisë, arbitraritet i rëndë, mungesë reale aksesi në drejtësi apo një sjellje sistematike që e bën procesin gjyqësor thelbësisht të padrejtë.

Dhe këtu ka një element që nuk mund të anashkalohet.

Në kronologjinë e paraqitur nga vetë MABCO, kompania ka fituar në Apel dhe më pas edhe në Gjykatën e Lartë. Ka bërë ankime, ka kallëzuar gjyqtarë në ILD dhe SPAK, ndërsa këto procedura janë ende pjesë e shqyrtimit nga institucionet përkatëse.

Kjo mund të tregojë një sistem të ngadaltë, kontradiktor dhe aspak perfekt. Por është diçka tjetër të thuash se sistemi është i papërsosur dhe diçka krejt tjetër të provosh se investitorit i është mohuar drejtësia.

Nëse çdo vendim i diskutueshëm i një gjykate do të sillte automatikisht përgjegjësi financiare për shtetin, atëherë rreziku i vendimmarrjes gjyqësore do të transferohej te buxheti publik.

Edhe policia duket se u gjend në mes të një konflikti privat

Në terren, situata nuk ishte e thjeshtë. Dy palë pretendonin të drejtën për të administruar shoqërinë dhe secila mbështetej në vendime gjykatash. E gjithë kjo ndodhte në një kantier aeroporti, ku po punohej edhe për instalimin e sistemit të ndriçimit të pistës.

Në një situatë të tillë, çfarë duhej të bënte policia?

Të vendoste vetë se cili vendim gjykate ishte i vlefshëm? Të lejonte dy grupe rivale të hynin në të njëjtin kantier? Apo të ndërhynte për të shmangur një përplasje fizike derisa situata juridike të sqarohej?

Prania e policisë në një situatë të tillë nuk është, në vetvete, provë e një ndërhyrjeje kundër investitorit.

Për të ndërtuar një pretendim të tillë duhet provuar se ka pasur një urdhër konkret, kush e ka dhënë, me çfarë qëllimi dhe çfarë veprimi konkret është kërkuar.

Shprehje si “me urdhër nga lart”, sidomos kur vijnë nga rrëfimi i njërës palë, nuk janë të mjaftueshme për të provuar ekzistencën e një urdhri të tillë.

Problemi i vonesës

Dhe pastaj vjen problemi i vonesës. Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme për një tribunal arbitrazhi, sidomos kur në tavolinë është një pretendim prej 320 milionë eurosh.

Bllokimi fizik i kantierit lidhet me muajt prill–maj 2026. Por zinxhiri i masave të sigurisë ka nisur më herët, që në dhjetor 2025, ndërsa vetë kompania pranon se ankesat formale kishin nisur të paktën në shtator 2025.

Atëherë pyetja është shumë konkrete: në çfarë faze ishte aeroporti përpara se të niste ky konflikt dhe cili ishte afati kontraktor për përfundimin e tij?

Nëse projekti kishte nisur të vonohej edhe përpara bllokimit të konfliktit mes ortakëve, atëherë pengesat e mëvonshme nuk mund të përdoren për të shpjeguar të gjithë vonesën.

Ato mund të kenë ndikuar në një pjesë të saj, por jo domosdoshmërisht në të gjithë dështimin e projektit.

Kjo është pikërisht ajo që në arbitrazh do të duhet të ndahet me shumë kujdes: çfarë dëmi ka ardhur nga veprimet e shtetit dhe çfarë pjese e problemit lidhet me vetë investitorin dhe konfliktin e tij të brendshëm.

Çfarë duhej të bënte Ministria?

Edhe veprimet e Ministrisë duhet të shihen në këtë kronologji.

Pretendimi se ministria u aktivizua vetëm pasi afatet kishin kaluar ngre një pyetje tjetër: çfarë duhej të bënte ajo më herët?

Nëse ministria do të kishte ndërhyrë për të përcaktuar se cili aksioner duhej të administronte shoqërinë ndërkohë që çështja ishte në gjykatë, do të mund të akuzohej me të drejtë për ndërhyrje në një proces gjyqësor.

Në vend të kësaj, Autoriteti Kontraktor ndoqi atë që paraqitet si procedura e parashikuar në kontratë: u dha palëve një afat për të zgjidhur ngërçin, u vendosën penalitete për vonesat dhe më pas u kalua drejt procedurave të tjera kontraktore.

Kjo mund të kritikohet nëse ka pasur shkelje konkrete të procedurës. Por ta quash automatikisht “hakmarrje” është një përfundim që kërkon më shumë se kaq. Ndërkohë që VIA shprehimisht ka mbajtur qëndrimin se shteti shqiptar nuk ka shkaktuar asnje dëm. Çdo pasojë ka ardhur nga mksmarreveshja ndërmjet palëve dhe sjellja e MABCO.

320 milionë euro nuk janë një faturë që shteti duhet ta paguajë

Kjo duhet bërë e qartë, sepse një shifër e tillë në publik krijon përshtypjen e një fature të përcaktuar.

Në fakt, 320 milionë euro janë pretendimi i palës paditëse. Nuk është një shumë e përcaktuar nga një ekspert i pavarur dhe aq më pak një detyrim i njohur tashmë ndaj shtetit shqiptar.

Për më tepër në bazë të bilanceve të publikuara nga QKB duket që MABCO ka investuar vetëm rreth 5 milion Euro në aeroport.

Por, përpara llogaritjes së dëmit të MABCO, janë edhe pyetje të tjera: po shteti Shqiptar sa ka humbur nga mos operimi ne kohë i aeroportit? Edhe shtetit shqiptar i lind e drejta për të kërkuar ne arbitrazh dëmin ekonomik dhe të imazhit të krijuar.

Një investitor pa zë?

Këtu ka edhe një tjetër element që nuk duhet harruar: në anën tjetër të kësaj përplasjeje nuk është një investitor pa zë apo pa akses publik.

MABCO ka një profil të fortë publik dhe argumentet e saj janë bërë pjesë e debatit mediatik dhe politik. Presioni publik është një instrument që mund të përdoret nga të dyja palët.

Në fund, kush e mban koston?

Kjo është pyetja që po humbet në gjithë këtë histori.

Ndërsa debati është përqendruar te pyetja se kush ia mbylli kujt derën e aeroportit, një projekt i rëndësishëm për vendin mbetet i papërfunduar dhe jashtë operimit.

Dhe kjo është kostoja që, në fund të fundit, nuk mund të injorohet: një aeroport që nuk funksionon, investime që nuk prodhojnë atë që duhet të prodhojnë, infrastrukturë që qëndron e papërdorur dhe një projekt strategjik i bllokuar nga një konflikt mes palëve private.

Shteti kishte përpara dy rrugë: të priste pa afat që ortakët të zgjidhnin problemet e tyre ose të përdorte mekanizmat që i jep kontrata përballë një koncesionari që nuk po e dorëzonte projektin brenda afatit.

Të mos bësh asgjë nuk do të ishte domosdoshmërisht neutralitet. Në një projekt publik, edhe mosveprimi ka një kosto.

Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse, përpara se të flitet për një faturë prej 320 milionë eurosh, duhet parë e gjithë kronologjia: kush e krijoi vonesën, kur nisi ajo, çfarë pjese të saj mund t’i atribuohet shtetit dhe çfarë pjese lidhet me vetë investitorin.

Në arbitrazh, në fund, nuk fitohet me historinë më të bukur.

Fitohet me provat.

  •  

Zonja Agathi e Kuvendit të Shqipërisë

Nga Ardit Rada

Agron Shehaj nuk është një politikan në kuptimin klasik të fjalës. Edhe vetë partia e tij e prezanton me krenari si “biznesmen që ka hyrë në politikë”. Ideja është e thjeshtë: një njeri që ka fituar milionat e veta nuk ka pse të vjedhë paratë e buxhetit. Por politika nuk matet vetëm me faturat që nuk paguan apo tenderët që nuk merr. Politika matet me respektin për institucionet dhe rregullat. Pikërisht aty fillon problemi i Agron Shehajt.

Shpesh biznesmenët, të ndershëm ose jo, krijojnë bindjen se suksesi ekonomik jashtë lidhjeve politike u jep një status të veçantë. Se mund të kalojnë semaforin kur duan, të mos vendosin rripin e sigurimit, të mos respektojnë procedurat, sepse janë “self-made” kur vjen puna te leku. Kjo mendësi, kur hyn në politikë, bëhet edhe më e rrezikshme. Deputeti nuk është pronar i Kuvendit. Ndoshta është I mandatit të tij dhe të ndonjë tjetri, por dokumentet shtetërore nuk janë dosje kompanie që merren në zyrë për t’u parë me qetësi pas një dreke me verë qindra euroshe.

Agron Shehaj është një produkt aksidental i politikës shqiptare. Ai hyri në Partinë Demokratike në çadrën e vitit 2017, në një kohë kur Lulzim Basha u tregua bujar me sponsorët politikë. Më pas u nda nga Berisha, krijoi partinë e tij dhe nisi të ndërtojë profilin e një opozitari të ri, duke investuar miliona për të blerë jo vetëm hapësirë mediatike, por edhe kapital politik.

Një prej investimeve të tij ishte Instituti “Lumo Skëndo”, me Uran Butkën në krye. Paradoksi është se eshtrat e Lumo Skëndos (pseudonim i Mit’hat Frashërit) i solli në Shqipëri Edi Rama, ndërsa Shehaj ndërtoi një institut që, më shumë sesa të prodhonte ide apo studime, u bë i njohur për listëpagesat dhe fondet që shpërndante. Kjo shpjegon edhe etiketimin e tij si “ballist” në debatin politik, ndonëse kontributi i tij në historinë e së djathtës matet më shumë me investime financiare sesa me ide apo beteja politike.

Por episodi i dokumentit sekret për marrëveshjen Shqipëri-SHBA e nxori zbuluar në mënyrën më të keqe. Nuk ishte një akt guximi politik, por një demonstrim papjekurie institucionale. Procedura është e qartë: dokumenti lexohet në ambientet e Bibliotekës së Kuvendit, pasi firmos përgjegjësinë për ruajtjen e sekretit. Nuk merret në zyrë, nuk mbahet i kyçur për minuta të tëra dhe më pas nuk kthehet me justifikimin se “më takonte”. Nëse veprimi ishte impulsiv, kërkon ndjesë publike. Nëse ishte i menduar, bëhet edhe më i rëndë.

Këtu fillon edhe keqkuptimi i madh që Agron Shehaj ka me politikën. Ai duket se mendon se çdo gjë është spektakël, se çdo rregull mund të thyhet në emër të një videoje virale ose të disa mijëra klikimeve në rrjetet sociale. Por politika nuk është platformë marketingu dhe Kuvendi nuk është Kinostudio.

Po aq shqetësues është edhe heshtja e drejtësisë. Në një kohë kur Shqipëria ngre alarmin për rrjete spiunazhi, ndikim të huaj dhe rrjedhje informacioni të klasifikuar, një deputet periferik merr një dokument sekret, largohet me të në zyrën e tij, e mban jashtë kontrollit institucional për aq kohë sa të mund ta fotografojë apo ta kopjojë dhe më pas e rikthen si të mos kishte ndodhur asgjë. Në çdo shtet serioz, kjo nuk do të ishte thjesht një debat televiziv. Do të ishte objekt i menjëhershëm hetimi.

Në filmin “Mysafiri”, Zonja Agathi (që e luan Esma Agolli, ndjesë pastë) fotografonte fshehurazi hartat e ekspeditës gjeologjike. Ishte personazhi që mishëronte spiunin klasik të kinemasë së realizmit socialist, duke prerë në besë atë që kishte futur në shtëpi. Ironia është se sot këtë rol e luan një ballist, jo në film, por në ambientet e Parlamentit.

Kur një deputet sillet me dokumentet sekrete si me fletët e një mbledhjeje ortakësh në kompani, nuk po sfidon kundërshtarin politik. Po sfidon vetë shtetin që ka bërë betimin ta mbrojë.

Dhe ky është thelbi i çështjes. Nuk ka rëndësi nëse dokumenti u fotografua apo jo. Nuk ka rëndësi as nëse qëllimi ishte propagandë apo protagonizëm. Rëndësi ka precedenti. Sepse shtetet nuk bien vetëm nga tradhtitë e mëdha; ato rrënohen edhe kur shkelja e rregullit relativizohet, kur institucioni kthehet në skenë dhe kur ligji matet me popullaritetin e autorit. Nëse sot mjafton të thuash “më takonte” për të marrë një dokument sekret nga Kuvendi, vaj hallit nëse Zonjën Agathi do ta kemi një ditë të veshur me pushtet ekzekutiv.

  •  

Protesta e flamingove hyri në çadrën e Lulzim Bashës

Nga Ardit Rada

Katër javë më parë, protesta e opozitës gjeti një simbol të pazakontë ndërkombëtar. Eurodeputetja italiane Ilaria Salis zbriti në Tiranë e mahnitur nga kauza e flamingove, duke lënë të kuptohej se në Shqipëri po zhvillohej një betejë me përmasa europiane. Pamjet bënë xhiron e rrjeteve sociale, organizatorët u ndjenë të legjitimuar dhe propaganda e ditës shpalli se Evropa kishte zgjedhur anën e protestës.

Por në politikë ka një zakon: lajmet e djeshme plaken shpejt. Sot, e njëjta Ilaria Salis është dënuar nga Gjykata e Milanos për pushimin e padrejtë nga puna të dy ish-bashkëpunëtorëve të saj në Parlamentin Europian. Vendimi e detyron të paguajë mbi 300 mijë euro dëmshpërblim. Një lajm që nuk e bën automatikisht të pavlefshme çdo kauzë që ajo ka mbështetur, por që shton një tjetër emër në listën e “miqve ndërkombëtarë” të opozitës shqiptare, të cilët më shumë se për transparencën e tyre, bëhen të njohur për problemet që mbartin.

Më parë kemi parë emra si Elmar Brok, Thomas Zdechovsky e figura të tjera që kanë hyrë e dalë në mbështetje të PD-së me deklarata të forta, akuza bombastike dhe një angazhim që shpesh ka ngritur më shumë pikëpyetje sesa besim. Sa herë opozita premton se “Evropa është me ne”, zakonisht del se Evropa është thjesht një eurodeputet në kërkim nga drejtësia e vendit të tij.

Por edhe më interesante se historia e këtyre eurodeputetëve është fati i vetë protestës. Çdo ditë e më shumë, ajo po i ngjan çadrës së famshme të Lulzim Bashës në vitin 2017. Edhe atëherë gjithçka nisi me entuziazëm. U fol për revolucion demokratik, për mosbindje civile, për përmbysje politike. Çadra u shpall zemra e rezistencës. Çdo ditë pritej “dita vendimtare”. Çdo javë premtohej se pushteti ishte në orët e fundit.

Pastaj ndodhi ajo që ndodh zakonisht kur pritshmëritë ndërtohen mbi slogane. Njerëzit nisën të largoheshin. Turmat u pakësuan. Entuziazmi u zëvendësua nga rutina. Derisa revolucionarët që besonin te marrja e pushtetit në tavolinë u pakësuan aq sa përfundunan në një çadër. Kjo e fundit, që duhej të ishte simboli i një lëvizjeje popullore, u kthye në një dekor ku më shumë kishte karrige bosh sesa mbështetës. Apo hollë-hollë, më tepër po ngjallte bezdi për kalimtarët sesa shpresë.

Edhe shumica e VIP-ave që u afruan për një fotografi apo një fjalim solidariteti nuk u bënë kurrë pjesë e betejës. Nuk hynë në politikën e Partisë Demokratike, nuk kandiduan si deputetë, nuk mbajtën mbi supe asnjë barrë të asaj kauze. U larguan po aq shpejt sa erdhën, duke e lënë çadrën me të njëjtët njerëz që e kishin thurur në fillim.

Sot, protesta aktuale po ndjek të njëjtin itinerar. Fillimisht u shit si një lëvizje qytetare që do të trondiste themelet e qeverisë. Më pas u mbush me personazhe ndërkombëtarë të rastit, të cilët hynë në skenë për disa pastime në Instagram. Ndërsa dita-ditës, pjesëmarrja bie, kauzat ndryshojnë sipas nevojës së ditës dhe energjia e fillimit po zëvendësohet nga lodhja e zakonshme që reflektohet në pjesëmarrje dhe deklaratat me fjalor banal. Dhe i gjithë nervozizmi shfaqet dukshëm si pasojë e pjesëmarrjes, që kanë mbetur po aq saç mbante dikur çadra e Bashës.

Historia ka një mënyrë të çuditshme për të përsëritur vetveten. Herën e parë si dramë, herën e dytë si farsë.

Protesta e flamingove rrezikon të mbetet në kujtesë jo për flamingot, as për kauzat e saj, por si vazhdimi natyral i çadrës së vitit 2017.

Me një ndryshim të vogël: Nëse për Lulzim Bashën vinte ndonjë ndërkombëtar tek-tuk për të negociuar, këtyre të protestës po ua kapin ndërkombëtarët si Zhukovin… në ajër.

  •  

Steka që BIRN ia vuri vetes

Nga Ardit Rada

Më 15 korrik, Taulant Balla, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në pushtet, publikoi një fjalë të vetme për Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri: turp. Shkak u bë një postim në llogarinë personale në Facebook të Gjergj Erebarës, gazetar i identifikuar prej kohësh me BIRN-in, që përmbante një imazh të cilin edhe rrjeti për lirinë e shtypit që doli në mbrojtje të tij do ta përshkruante më vonë, kalimthi, si të modifikuar. Balla nuk u kufizua te imazhi apo te njeriu. Ia atribuoi postimin personal organizatës, iu referua Erebarës si redaktor dhe bashkëpunëtor i BIRN-it, përmendi Fondacionet për Shoqërinë e Hapur, agjencinë suedeze të zhvillimit, programet e Bashkimit Evropian dhe ambasadat e huaja si financues të saj, dhe njoftoi se do t’u drejtohej atyre drejtpërdrejt.

Një gjë le të thuhet së pari, pa asnjë rezervë. Kur një zyrtar i lartë i një partie në pushtet njofton se do t’ia çojë aktivitetin në Facebook të një gazetari financuesve të një redaksie të pavarur, kjo nuk është kritikë ndaj medias. Është presion shtetëror mbi financimin e gazetarisë, është e papranueshme në çdo juridiksion evropian ku Shqipëria synon të anëtarësohet, dhe nëse ndonjë pjesë e asaj që vijon citohet në mbështetje të tij, do të jetë cituar në mënyrë të pandershme.

Tani pjesa më e vështirë. Metoda e Ballës është ilegjitime. Pyetja që qëndron nën të nuk është. Dhe zhvillimi më domethënës i javës nuk është asgjë nga sa tha Balla, por ajo që ndodhi me identitetin publik të Gjergj Erebarës në ditët pasi ai foli.

Redaktimi i heshtur

Deri më 12 korrik, profili publik i Erebarës në Facebook mbante dy rreshta punësimi: gazetar në BIRN Albania, gazetar në Reporter.al, me lidhjen e faqes vetë. Faqja e tij si autor në Reporter.al e përshkruante, dhe në çastin kur shkruhen këto radhë ende e përshkruan, si redaktor i BIRN-it në Tiranë. Më 16 korrik, rrjeti SafeJournalists, në një deklaratë të shkruar në mbrojtje të tij, e cilësonte si kontribuues të jashtëm dhe jo si gazetar apo redaktor të stafit. Dhe brenda kësaj jave, rreshtat e punësimit u zhdukën nga profili. Kreu i profilit tani thotë: gazetar, Tiranë, Universiteti i Tiranës. Profesioni i mbijetoi redaktimit. Punëdhënësi jo.

Ne nuk e dimë kush i hoqi përkatësitë as me sugjerimin e kujt, dhe nuk pranojmë të hamendësojmë, sepse çdo motiv i mundshëm, kujdesi i tij vetjak, kërkesa e organizatës, këshilla e një avokati, u përshtatet provave njësoj. Por vargu i ngjarjeve nuk ka nevojë për motiv që të thotë diçka. Për gjashtë javë, ndërsa Erebara pagëzoi një lëvizje proteste, mbrojti kauzën e saj dhe festoi dëmet që ajo la pas, identiteti i tij në BIRN qëndronte në sy të publikut. Brenda pak ditësh pasi një zyrtar i partisë në pushtet kërcënoi se do t’ua çonte atë identitet financuesve të BIRN-it, ai identitet u çmontua. Ndarja midis gazetarit dhe qytetarit, të cilën Erebara e thirri më 15 korrik në mbrojtje të vet, jam gazetar, jam edhe qytetar, protestoj si qytetar, u ndërtua në mënyrë prapavepruese, nën zjarr, në cilësimet e profilit të një llogarie në Facebook. Ajo nuk ekzistonte në javët kur kishte rëndësi.

Çfarë qëndronte në sy të publikut

Dëshmitë e grumbulluara pas atij identiteti janë të dokumentuara, me data, dhe në pjesën më të madhe të botuara nga vetë BIRN-i.

Në fund të majit, ndërsa protestat e Zvërnecit po përhapeshin, Erebara propozoi në rrjetet sociale që lëvizja ta quante veten Revolucioni i Flamingove. Emri zuri vend brenda ditësh; është në parullat, në krijimtarinë vizuale dhe në mbulimin ndërkombëtar, dhe kronikanë asnjanës ia njohin autorësinë. Midis 19 qershorit dhe 10 korrikut, Reporter.al botoi me firmën e tij një varg pothuajse të përditshëm esesh në vetën e parë për lëvizjen: për revolucionet dhe fjalorin, për zemërimin dhe algoritmet, për shqetësimet e gabuara të Kryeministrit, dhe më 28 qershor një shkrim opinioni të titulluar Revolucioni si alternativë ndaj tranzicionit të pafund, teza e të cilit është vetë titulli. Më 21 qershor, një argument për turizmin dhe betonin doli nën kategorinë e lajmeve. Më 11 korrik, nga llogaria e tij personale, ai publikoi një pamje ekrani të vlerësimit të rrënuar të një restoranti, 1.2 yje në kulmin e sezonit, dhe u tall me Kryeministrin se dëmi po ecte më shpejt se riparimi. Dhe më 10 korrik, Reporter.al botoi një analizë të gjerë të hetimit policor për fushatën e vlerësimeve, të raportuar profesionalisht nga një gazetar i stafit, e cila në asnjë pikë nuk i bënte të ditur lexuesit se njeriu, të cilin faqja e vet e autorëve e quan redaktor të BIRN-it në Tiranë, e kishte pagëzuar lëvizjen nën hetim, kishte avokuar për të në po ato faqe për një muaj, dhe ishte protagonist publik i polemikës që artikulli mbulonte.

Erebara ka të drejtën e anshmërisë së vet. Ne e kemi mbrojtur, dhe vazhdojmë ta mbrojmë, të drejtën e tij për të protestuar, të drejtën e tij për të mos u frikësuar, dhe të drejtën e tij për të mos u quajtur terrorist apo sulmues nga një kor gazetarësh që provon mbiemra për një prokuror. Anshmëria është një e drejtë. E pajtueshme me infrastrukturën përmes së cilës ai e ushtroi, ajo nuk është. Esetë dolën në platformën e BIRN-it. Autoriteti i talljeve ishte i huazuar nga emri i BIRN-it. Tetë mijë e gjysmë ndjekës ishin grumbulluar përgjatë një karriere të zhvilluar nën emblemën e BIRN-it. Një njeri mund të jetë qytetar në kohën e vet. Ai nuk mund të jetë qytetar përmes kanaleve të shpërndarjes së një redaksie investigative, ndërkohë që redaksia e mbulon kauzën e tij si lajm, sepse në atë pikë anshmëria nuk është më e tija. Është institucionale.

Steka, me fjalët e vetë BIRN-it

Çështja tani i takon aty ku i ka takuar gjithnjë: jo njeriut, por institucionit, dhe standardit që institucioni shkroi për veten.

Vetëpërshkrimi institucional i BIRN-it e angazhon atë t’i ofrojë publikut informacion të paanshëm dhe të besueshëm. Ajo fjalë, i paanshëm, nuk është zbukurim. Është kundërshpërblimi i një kontrate. Është ajo që e dallon BIRN-in, sipas rrëfimit të vet, nga shtypi partiak që ai heton; është premisa mbi të cilën e financojnë ambasadat, programet evropiane dhe agjencitë e zhvillimit; është arsyeja pse gjetjet e tij citohen në raporte progresi dhe nëpër kancelari, në vend që të hidhen poshtë si avokati. Kodet e industrisë me të cilat BIRN-i e rreshton veten janë të qarta për atë që kërkon premisa: gazetarët duhet të shmangin veprimtaritë politike dhe të tjera të jashtme që cenojnë integritetin ose paanshmërinë, konfliktet e interesit duhen deklaruar dhe administruar, dhe lexuesi duhet të jetë gjithnjë në gjendje të dallojë lajmin nga opinioni. Një stekë e lartë, e vendosur vullnetarisht, e reklamuar ndërkombëtarisht dhe e faturuar çdo vit.

Pyetja që kjo çështje i shtron BIRN-it është nëse steka ekziston në praktikë, dhe sjellja e organizatës deri më sot sugjeron një përgjigje me të cilën ajo duhet të ndihet keq. Shihni çfarë thonë vetë materialet e saj se kush është Erebara. Faqja e autorit: redaktor i BIRN-it në Tiranë. Lista e botuar e stafit të BIRN Albania: shtatë emra, një drejtor ekzekutiv, një kryeredaktor, pesë gazetarë, dhe asnjë Erebarë. Profili i tij, deri këtë javë: gazetar në BIRN Albania. Mbrojtësit e tij, këtë javë: kontribuues i jashtëm. Katër përshkrime, të vëna në punë sipas një skeme që çdo auditues do ta njihte. Titulli zgjerohet kur autoriteti hyn në punë dhe tkurret kur shfaqet përgjegjësia. Ai është redaktor në faqen e autorëve dhe kontribuues në dosjen e mbrojtjes, koleg kur fiton çmime dhe i jashtëm kur një kryetar grupi parlamentar nis të përmendë financuesit.

Mund të ketë poshtë një arkitekturë të pafajshme: BIRN Albania dhe rrjeti rajonal i BIRN-it janë subjekte të veçanta, titujt migrojnë, faqet e stafit vjetrohen. Nëse është kështu, ndreqja kushton një paragraf dhe BIRN-i duhet ta botojë sot. Por ajo që organizata nuk mund të bëjë, sipas standardeve të veta, është ajo që po bën tani, pra ta lërë paqartësinë të punojë në të dyja drejtimet dhe të shpresojë që java të kalojë. Një redaksi investigative që u kërkon organigrama, kontrata dhe pronësi përfituese të gjithë atyre që mbulon, nuk mund t’u përgjigjet pyetjeve për emblemën e vet duke e redaktuar në heshtje vetë emblemën.

Pse “kontribuues i jashtëm” nuk është rrugëdalje

Le të supozojmë se pozicioni i tërheqjes është i saktë. Le të supozojmë se Erebara është, dhe ka qenë, kontribuues i jashtëm. Pyetja institucionale nuk zvogëlohet. Mprehet.

Sepse atëherë dëshmitë lexohen kështu: redaktorët e BIRN-it, stafi, emrat e të cilëve figurojnë vërtet në listën e botuar, zgjodhën të botojnë një rrjedhë pothuajse të përditshme avokatie në vetën e parë nga një pjesëmarrës publik i një lëvizjeje politike të gjallë, nën emblemë, një pjesë e saj e klasifikuar si lajm, gjatë pikërisht asaj periudhe kur po ajo redaksi mbulonte atë lëvizje, fushatën e saj të bojkotit dhe përgjigjen policore ndaj saj, pa asnjë rresht deklarimi askund. Një kontribuues i jashtëm nuk e porosit dot veten. Dikush i redaktoi ato ese. Dikush e klasifikoi njërën prej tyre si Lajme. Dikush vendosi që analiza e 10 korrikut për hetimin policor nuk kishte nevojë për shënim për konfliktin e interesit. Këto janë vendime editoriale, u morën nga vetë redaksia e BIRN-it, dhe riklasifikimi i statusit të punësimit të autorit e zhvendos përgjegjësinë për to lart, jo jashtë. Mbrojtja e kontribuuesit nuk e izolon institucionin. Ajo akuzon redaktimin.

Ky është dallimi midis pyetjes së këtij artikulli dhe kërcënimit të Ballës. Balla do që financuesit e BIRN-it ta ndëshkojnë atë për politikën e tij. Ne të tjerët duam që BIRN-i të jetë pikërisht ajo që u tha financuesve se ishte. Pyetja e donatorëve, nëse po e bëjnë punën e tyre, nuk është ajo që do t’u çojë Balla. Është pyetja e qeverisjes së brendshme: ku është kodi editorial i botuar, ku është politika e deklarimit për kontribuuesit e angazhuar në kauzat që redaksia mbulon, ku është regjistri se kush mban çfarë titulli, dhe pse asnjë nga këto mekanizma nuk prodhoi një fjali të vetme deklarimi në gjashtë javë mbulimi ku ajo kërkohej haptazi. Një organizate të financuar për të qenë model transparence nuk duhet t’ia shpjegojë modelin një kryetar grupi parlamentar me mëri.

Sa vlente certifikata

Ajo që ndryshon këtë javë është më shumë se sikleti i një redaksie.

Paanshmëria e llojit që shet BIRN-i nuk është veti e artikujve të veçantë. Është garanci mbi tërë prodhimin. Lexuesi që i beson një hetimi të BIRN-it nuk i verifikon dokumentet e tij për së dyti. Ambasada që citon raportimin e tij në një raport progresi nuk i përsërit intervistat e tij. Redaktori i huaj që merr rindërtimin e tij të ngjarjeve shqiptare nuk porosit një të dytë. Atë punë e bën etiketa, dhe ky është krejt funksioni ekonomik i standardit: ai i përjashton pohimet e institucionit nga zbritja që çdo lexues ia aplikon medias partiake. Përjashtimi është një certifikatë, dhe certifikatat zhvlerësohen nga dështimi i procesit, jo nga dështimi i një fakti të vetëm.

Çështja Erebara e zhvlerëson procesin pikërisht në atë fushë mbulimi ku ai mund të verifikohej. Për gjashtë javë, zëri më prodhimtar në Reporter.al për Revolucionin e Flamingove ishte një njeri që e kishte pagëzuar lëvizjen, e kishte përkrahur çdo ditë dhe kishte festuar dëmet e saj kolaterale, ndërkohë që faqja e mbulonte po atë lëvizje si lajm, dhe asnjë lexuesi nuk iu tha asgjë nga këto. Që do të thotë se korpusi që formësoi kuptimin vendas dhe ndërkombëtar të këtyre protestave, rindërtimi që e gjurmon fushatën e bojkotit deri te forumet e Reddit-it, kornizimi i 10 korrikut i hetimit policor si shantazh ndaj protestës, kronika e vazhdueshme e rritjes dhe kuptimit të lëvizjes, nuk mund të citohet më si asnjanës. Jo sepse ndonjë fjali e tij është treguar e rreme. Sepse lexuesi tani e di se dora e një pjesëmarrësi mund të jetë kudo në të dhe nuk u deklarua askund në të. Një konflikt i deklaruar është një zbritje që lexuesi mund t’ia aplikojë një artikulli. Një konflikt i fshehur është një zbritje që lexuesi duhet t’ia aplikojë gjithçkaje.

Dhe dyshimi nuk rri me edukatë brenda qershorit dhe korrikut, sepse dështimet e procesit nuk rrinë kurrë. Çdo pohim që BIRN-i ka botuar ndonjëherë ndahet tani në dy lloje. Janë pohimet që qëndrojnë mbi dokumente të botuara, kontrata, dosje gjyqësore, regjistra pronash, zëra buxheti, dhe ato mbijetojnë mbi dokumentacionin e tyre, siç kanë mbijetuar gjithnjë, sepse një kontratë e rrjedhur nuk pyet se kush e redaktoi shkrimin rreth saj. Dhe janë pohimet që qëndronin mbi emblemën: kornizimet, përzgjedhjet, karakterizimet, shkrimet ku besimi i lexuesit tek institucioni mbushte boshllëqet që linte burimi. Lloji i parë nuk humbet asgjë këtë javë. Lloji i dytë humbet të vetmen gjë që e mbante në këmbë. Ne nuk pohojmë se arkivi i BIRN-it është i gabuar. Ne pohojmë diçka që një organizatë investigative duhet ta gjejë dukshëm më të rëndë: se që nga kjo javë, askush nuk është i detyruar të supozojë se ai është i saktë. Prezumimi i paanshmërisë ishte pasuria. Prezumimi është ai që vdiq, dhe nuk e vrau Taulant Balla as ndonjë armik i gazetarisë së pavarur. U shpenzua, publikisht, nga njerëzit të cilëve u ishte besuar.

Çfarë vihet në lojë, thënë troç

Gazetaria nuk është aktivizëm politik. Fjalia tingëllon si parullë derisa një javë si kjo tregon sa kushton shkelja e saj. Sektori i gazetarisë së pavarur në Shqipëri është i vogël, i financuar nga jashtë, dhe nën një qeveri që e ka kaluar javën e fundit duke bërë prova me fjalorin e ndjekjes penale kundër protestës digjitale. Në atë mjedis, paanshmëria e redaksisë kryesore investigative nuk është çështje etikete të brendshme profesionale, por parzmorja kolektive e sektorit. Çdo ambasadë që citon një hetim të BIRN-it, çdo gjykatë që i mbijeton shqyrtimit sepse shqyrtimi shihej si asnjanës, çdo gazetar i ardhshëm që ka nevojë që etiketa i pavarur të thotë diçka, mbahet nga besueshmëria e asaj fjale të vetme në atë deklaratë të vetme misioni. Erebara kaloi gjashtë javë duke e zbrazur llogarinë. Përgjigjja e BIRN-it, deri më sot, ka qenë të redaktojë kartelën e nënshkrimit.

Pyetjet të cilave BIRN-i duhet t’u përgjigjet shtrohen, pra, këtu, publikisht, dhe u detyrohen lexuesve që i besuan etiketës dhe financuesve që paguan për të. Cili është statusi i Erebarës, dhe që kur. Pse faqet e vetë organizatës nuk pajtohen për të. A e kërkoi BIRN-i heqjen e emrit të vet nga profili i tij këtë javë. Kush i redaktoi dhe i klasifikoi esetë e tij gjatë periudhës së protestave, dhe kush miratoi gjashtë javë mbulim të një polemike ku ai ishte i përfshirë, pa asnjë fjali deklarimi. Organizata ka kaluar një dekadë duke i mësuar publikut shqiptar se refuzimi i një institucioni për t’iu përgjigjur pyetjeve të dokumentuara është vetë një përgjigje. Ajo e di saktësisht si do të lexohet heshtja e saj.

Steka ishte e vetë BIRN-it. Askush nuk ia imponoi, askush nuk ia fryu, dhe askush nuk po i kërkon organizatës të kapërcejë diçka që nuk e ndërtoi vetë. Financuesit e saj e blenë, lexuesit e saj e besuan, dhe hetimet e saj e zbatojnë ndaj kujtdo tjetër. E vetmja pyetje që mbetet është nëse ajo vlen edhe në shtëpi, dhe java që sapo u mbyll nuk është një përgjigje inkurajuese.

Tirana Examiner

  •  

Me cilën protestë do të negociojë Rama? Me atë të ditës apo me atë të natës?

Nga Ardit Rada

Me nisjen e protestave për flamingot, që më pas u zëvendësuan me kërkesa për qeveri me letër me vrimë, Edi Rama duhet të ndihet shumë komod tashmë. Nëse deri dje u kërkonte protestuesve të uleshin ne tryezë, sot ka luksin edhe të zgjedhë se cilët prej tyre mund të ftojë. Ka ndodhur dicka me protestën që nuk dua t’u vendos epitet. Domethënë është e dukshme protesta e atyre që e kanë bërë qelinë e komisariatit si shtëpinë e tyre dhe prindërve me karroca fëmijësh që u përdorën si element poetik dhe si magnet për pjesën tjetër të popullit. Por sa më shumë që protesta zgjat, aq më të qartë e bën qëllimet e ndryshme mes saj, grupazhet e dyshimta dhe mesazhet kontradiktore. Tek grupazhet, duket se Qeveria shkëlqeu që kur zboi atë gruan që pozonte dikur me Ahmedinexhad dhe të ngjashmit e saj. Tek mesazhet, ende nuk e dimë nëse i qëndrojnë asaj idesë që një kryeministër të përmbysë rendin kushtetues për hir të 10 mijë, 100 mijë, apo qoftë dhe 1 milion qytetarëve. Tek dorëheqja prap nuk kanë kuptuar thelbin: Rama mund të japë dorëheqjen kur të dojë, por ka një mazhorancë dhe një parti pas, që zgjedh kryeministrin e ri socialist në kohë reale si detyrim kushtetues të lindur nga zgjedhjet e 2025. Dhe që bën vaki, që ai i riu as të mos i ftojë në dialog si Edi Rama, duke patur parasysh disa karaktere në PS e disa që janë prekur drejtpërdrejtë nga vezët.

Gjithësesi sa më shumë që deputetët e PS paralajmërojnë se dialogu është gati, aq më e paqartë është se me cilët do të dialogojë qeveria? Fjala bie, të martën dhe të enjtën që u mblodh parlamenti ishtë një grup që thonin se veç Rama duhej ne burg. Madje kishin për borxh të shperesonin se veza iu shkonte nga gardhi i Kuvendit tek Parku Rinia, sesa të shihnin deputetët e PD që iu parakalonin para syve. Eno Bozdo, Xhelal Mziu dhe Oerd Bylykbashi përveçse iu kaluan nën hundë, ngritën dhe ato dy gishtat e famshëm. Asnjë vezë ndaj tyre. Objektivi vijonte të ishte dera përtëj Toptanit. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe kur protesta e mëngjesit drejtohet nga personazhe që puthin Gjin Gjonin dhe i krijojnë korridor kalimi, ne drekë shfaqen si gazetarë podcastesh të pavarur e në mbrëmje shohin Kepin e Gjelbër në Kupën e Botës.

Në mbrëmje në 19:00 ndodhe  kundërta. Një djalë me qeleshe në kokë u kujton atyre që mblidhen se nuk duan vetëm Ramën në burg, por edhe Berishën. Edhe kur thërret parrullën e Ballit Kombëtar dhe këtë më burgje, disa rrudhin turinjtë sikur duan të thonë: Po ky ç’pati me Berishën? A s’jemi ne ato të mëngjesit që i çuam në qeli Klevis Balliun të takojë të arrestuarit?

Gjithësesi pak kanë mbetur pasdite nga ata të ‘orëve të para’. Dhe ata dallojnë lehtë: Kanë më shumë sqimë! Kërkojnë ekonomi formale, akses në shërbime publike, dhe kanë një nyje gordiane që s’e kuptojnë sesi mund të punojë njeriu familjarisht si gomari nga mëngjesi në darkë e të mos ketë pesë lek veç.

Dhe kështu, me ballinj, shehaj, gjonër e lloj-lloj shpendi përveç flamingos, protesta ka hyrë në dy faza me turne. Ditën protestojnë ata që frymëzohen nga Karaxhiçi shqiptar, natën ata që kanë hall e s’po dinë t’ia shpjegojnë Ramës atë që po ndodh: Që nëse të varfrit kanë Arbër Hajdarin dhe Elvis Naçin, nëse të pasurit apo taksapaguesit e mëdhenj kanë Qeverinë… me shtresën e mesme kush do merret? Por para se të hapim një debat ideologjik të panevojshëm me një parti që nuk la eshtra ballsiti e zogisti pa kthyer, të paktën të gjejmë zgjidhjen: Me cilët do të negociojë Rama? Me berishët me mjekër apo me shtresën e mesme që nuk kërkon atë qeverinë me letra me vrimë, por shanse të barabarta tek banka, tek administrata tek spitali, tek cerdhja e kopshti, te shumë e shumë të tjera që mund ta kthejnë qeverisjen socialiste në binarët e një shteti social.

  •  

Një “eurodeputete nordike” në Kuvendin e Shqipërisë

Nga Ardit Rada

Ka politikanë që dallohen për betejat që zgjedhin të bëjnë. Ka të tjerë që dallohen për sklerozën për historinë. Por ka edhe nga ata pa shtyllë kurrizore, që nuk mbajnë kurrë që qendrim. Fjale e rëndë kjo, por për neutralë të tillë Dante Aligheri rezervonte rrathët më të nxehtë të Ferrit. E si pakkush në këtë kategori duket se bën pjesë Jorida Tabaku, një nga figurat më të spikatura të Partisë Demokratike, e cila prej vitesh ka kultivuar profilin e politikanes teknokrate, por gjithmonë të distancuar nga stuhitë që trondisin partinë e saj, për të mos thënë interesat.

Në një vend si Shqipëria, ku politika jeton mes krizash të përhershme, përplasjesh, ndarjesh dhe akuzash të forta, është e vështirë të kujtosh një moment kur Tabaku ka marrë një qëndrim të qartë në një nga cunamet politike që kanë përfshirë Partinë Demokratike.

Kur u përplasën Sali Berisha dhe Lulzim Basha në betejën më të ashpër të një partie shqiptare që nga 1992, ajo zgjodhi heshtjen. Kur PD u nda në kampe, kur demokratët akuzonin njëri-tjetrin për tradhti, kur selia u kthye në arenë përplasjesh të dhunshme, Tabaku preferoi të qëndronte mbi konfliktin, sikur të ishte një vëzhguese e jashtme dhe jo një prej figurave kryesore të asaj force politike. Madje edhe kur Berisha u shpall familjarisht non-grata nga SHBA dhe Britania e Madhe, s’mund të gjesh një qendrim te Tabakut.

As sot, kur në protestat e Zvërnecit një pjesë e konsiderueshme e pakënaqësisë drejtohet jo vetëm kundër qeverisë, por edhe ndaj mënyrës se si drejtohet vetë opozita dhe ndaj figurës së Sali Berishës, vështirë se mund të gjesh një reflektim publik nga Tabaku. Kjo deputete që të vetmen medalje që mban në kraharor është ‘ndër më të votuarat’, nuk e sheh se protestuesit kërkojnë Sali Berishën në burg njësoj me të tjerët. Në një prononcim sot, Tabaku thotë se kërkesat e protestës reflektojnë ato të Bashkimit Evropian. Pra hem flet si përfaqësuese e jashtme, e herë sikur nuk e di që emri i Berishës dhe PD-së mallkohet në shumicën e fjalimet. Ajo vazhdon të flasë për institucione, reforma, integrim europian dhe standarde demokratike, sikur vjen nga një seminar akademik dhe jo nga një realitet i mbushur me tensione e dyer të mbyllura ngado për PD-në.

Kjo sjellje i ka krijuar asaj një profil të veçantë: atë të një “eurodeputeteje nordike” të vendosur rastësisht në Parlamentin e Shqipërisë. Një politikane e ftohtë pa bosht, që bën sikur flet me gjuhën e Brukselit dhe që shpesh duket e shkëputur nga betejat reale që zhvillohen në terrenin politik shqiptar. Një figurë që rrallë hyn në konflikt, rrallë zgjedh anë dhe pothuajse kurrë nuk merr pozicione të forta. Dhe kjo nuk është meritë, as vlerë e as strategji për mbijetesë politike.

Sepse natyrisht, ka nga ata që e konsiderojnë këtë maturi. Por shumë më shumë të tjerë e shohin si mungesë guximi. Në politikë, sidomos në kohë krizash, neutraliteti nuk perceptohet gjithmonë si virtyt. Shpesh ai lexohet si shmangie përgjegjësie, si borxh ndaj dikujt.

Në fund të fundit, pyetja që mbetet është e thjeshtë: a mund të jesh lider politik pa marrë anë në momentet vendimtare? Apo heshtja e vazhdueshme të shndërron në një spektatore të ngjarjeve, edhe kur ato po të ndodhin para hundës dhe në shtëpinë tënde politike?

Jorida Tabaku duket se ka zgjedhur rrugën e dytë. Dhe pikërisht për këtë, ajo vazhdon të ngjajë më shumë si një eurodeputete e transferuar në Tiranë, sesa si një protagoniste e përfshirë në dramën e madhe të politikës shqiptare. Sa i përket votave që mori në 2025 dhe që mendon se i japin luksin të sillet si ‘mbi palët’, kjo është histori tjetër. Por kush rri citon tani Adriana Kalanë me shokë!

  •  

Pamja e Ilir Metës, antireklama më e madhe e reformës në drejtësi

Nga Ardit Rada

Ka diçka thellësisht shqetësuese në pamjen e fundit të Ilir Meta në sallën e gjyqit. Jo për atë që ai përfaqëson politikisht, as për historinë e tij të gjatë në pushtet, por për atë që ajo pamje i thotë publikut për drejtësinë që kemi ndërtuar me aq shumë pritshmëri. Një figurë e rrudhur, e zbehur, e tkurrur përtej viteve të saj, një imazh që nuk i ngjan as retorikës së fortë që Meta ka përdorur ndër vite, as profilit të një ish-presidenti dhe nuk është as në propocion me çfarëdolloj mëkati të ketë bërë në lëmin e korrupsionit. Dhe pikërisht këtu lind problemi: pamja e Ilir Metës në fakt ka nxjerrë zbuluar anën e errët të drejtësisë së reformuar duke u kthyer në antireklamën më të madhe të saj.

Edhe pse vetë Meta e mohoi kequshqyerjen apo një gjendje depresive, është e qartë se kushtet e paraburgimit dhe kufizimet e vendosura ndaj tij, përfshirë heqjen e disa privilegjeve si ndëshkim për intervistat telefonike, kanë lënë gjurmë. Por drejtësia nuk është ndëshkim përtej vendimit. Nuk është proces që duhet ta konsumojë njeriun me kocka e lëkurë para se ta dënojë ligji.

Nga reforma në drejtësi, shqiptarët nuk kërkuan spektakël ndëshkues. Kërkuan efikasitet, transparencë dhe standard. Kërkuan hetime të shpejta, gjykime të qarta dhe vendime të drejta. Mundësisht edhe kthimin e pasurive të vjedhura nëse vërtetohen, por jo ndëshkime fizike. Sot, përkundrazi, kemi procese të tejzgjatura që humbasin në mjegullën e procedurave dhe paraburgime që zgjasin përtej çdo logjike. Aq sa nuk kuptojmë më as në çfarë shkalle gjykimi janë disa. Për cilën akuzë po gjykohen dhe çfarë rekursesh bëjnë. Më saktë, çdo herë që raportohet për një gjyq VIP, ngjan si një déjà vu.

Të mos harrojmë se masa e paraburgimit që ka sjellë edhe pasojat në fjalë, është i akuzuari i madh. Përfshirë këtu edhe kritikat nga BE që përdorimin e tepruar të kësaj mase e ka futur si temë diskutimi mes Brukselit dhe Tiranës. Nisma e kreut të Gjykatës së Lartë, për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj është në thelb një reagim i nevojshëm, por i vonuar.

Në vend të standardit të ri, sot kemi një drejtësi që mat suksesin me orë izolimi, me kufizim lirish dhe me një presion fizik e psikologjik që nuk i përket një shteti europian. Edhe rastet si ai i Erion Veliajt apo Ilir Beqajt tregojnë të njëjtin model: dënim publik përpara vendimit gjyqësor. Një gjyq paralel që zhvillohet në opinion, ndërsa ai real zvarritet në korridoret e drejtësisë.

Pamja e Ilir Metës në kafaz nuk është vetëm një moment televiziv. Është një kambanë alarmi. Sepse nëse tek një ish-president paraburgimi lë gjurmë të tilla, çfarë ndodh me qytetarin anonim që nuk ka as zë, as vëmendje mediatike? Çfarë mbrojtjeje ka ai përballë një sistemi që duket se ka humbur ekuilibrin mes drejtësisë dhe ndëshkimit?

Askush nuk kërkon privilegje për Metën. Ai nuk është klient hoteli me pesë yje. Por është një i paraburgosur që duhet të trajtohet sipas standardeve minimale njerëzore. Sepse drejtësia nuk matet me ashpërsinë e kushteve ku mbahet i akuzuari, por me efikasitetin e procesit.

Reforma në drejtësi u mendua si një kapitull i ri që do të sillte profesionalizëm, paanshmëri, dinjitet. Sot, rrezikon të perceptohet si një sistem represiv që e konsumon individin përpara se ta provojë fajësinë e tij. Dhe kjo nuk është drejtësia që u premtua.

Nëse drejtësia e “5 yjeve”, siç ironizonte prokurori Dado, përfundon duke ngjarë me realitete që i kemi parë dikur, atëherë problemi nuk është më tek individët që gjykohen. Problemi është te vetë sistemi që po i gjykon. Dhe pikërisht kjo nuk i duhet askujt, kryesisht atyre që investuan te reforma: Që drejtësia me kushtet si “hotel me 5 yje” të ngjajë prap më atë të Kavalishencës tek Plepat.

 

  •  

Një fajtor për të mbuluar mëkatet e PD me Integrimin. Narrativa e opozitës dhe jo vetëm…

Nga Ardit Rada

Pasi ka vjellë vrer në dyert e Brukselit e Strasburgut duke kërkuar bllokimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, opozita  tani po përpiqet të na bindë se fati europian i vendit u përmbys nga votimi për një kërkesë të SPAK në Parlament dhe nga emir i një ish-ministreje. Një rrëfim i lehtë për t’u përtypur, por larg realitetit kur kemi parasysh çdo lobim të mundshëm të PD-së kundër integrimit. Madje duke u shfaqur si “një mik që ia do të mirën” BE-së aq sa e quan vendin e saj ‘narko-shtet’ e të tjera mallkime që i kanë shkuar në mend Sali Berishës me shokë.

E vërteta është se procesi i integrimit në Bashkimi Europian nuk funksionon si një kronikë e zezë, ku një vendim parlamentar në Tiranë prodhon automatikisht alarm në Bruksel. Integrimi është politikë në formën e saj më të pastër: interesa shtetesh, kalkulime të brendshme, presione të jashtme dhe mbi të gjitha, lobim. Dhe pikërisht këtu fillon të shembet narrativa e servirur si “konkluzion përfudimtar” nga PD.

Sepse nuk është hera e parë që vende si Gjermania apo Holanda shprehin rezerva për Shqipërinë. Nuk është hera e parë që Bullgaria apo Greqia përdorin çështjet e minoriteteve dhe pronave si instrument presioni. Këto janë kapituj të vjetër të kësaj historie, jo zhvillime të papritura që lindën nga një votim parlamentar për një ministre. Kush e njeh procesin, e di se “flamujt e kuq” në Bruksel janë shpesh sinjale politike, jo vendime të diktuara nga një episod i papritur.

Por ajo që lihet me qëllim jashtë kësaj tabloje është më thelbësorja: lobimi. Është fakt publik se Partia Demokratike e Shqipërisë dhe rrjetet e saj në PPE kanë zhvilluar një aktivitet të vazhdueshëm për të kushtëzuar, në mos për të ngadalësuar, rrugën europiane të Shqipërisë. Në korridoret e Brukselit nuk flitet vetëm për reforma dhe standarde, por edhe për ndikime dhe interesa. Dhe kur këto interesa përplasen, çdo pretekst bëhet i vlefshëm: sot IPARD, nesër minoritetet, pasnesër klima e biznesit.

Në këtë kontekst, emri i ish-ministres nuk është shkaku, por mjeti. Një simbol i zgjedhur për t’i dhënë fytyrë një procesi shumë më kompleks. Sepse është më e lehtë të thuash “një individ po mban peng vendin”, sesa të pranosh se integrimi varet nga një ekuacion i ndërlikuar politik ku Shqipëria është vetëm një pjesë e lojës. Dhe ku kontributi i opozitës do të ishte gjëja më normale, jo vizatimi i vendit si urë trafiqesh drejt BE.

Edhe pretendimi se mazhoranca ka “mbrojtur” ish-zv.kryeministren nga drejtësia në fakt bën masë me faktet. Që prej ngritjes së SPAK, janë në shumicë zyrtarët e lidhur me qeverinë ata që kanë përfunduar nën hetim, arrest apo dënim. Një realitet që nuk përputhet me narrativën e një sistemi të kapur, por me një drejtësi që për herë të parë po godet edhe brenda vetë pushtetit. Nëse do të kishte një ndërhyrje brutale politike, kjo panoramë nuk do të ekzistonte.

Nga ana tjetër, ideja se parlamenti shqiptar, me një votim, mund të ndryshojë kursin e vendimmarrjes në BE është një keqkuptim i madh ose një manipulim i qëllimshëm. Institucionet europiane nuk reagojnë me emocione ndaj episodeve të izoluara, por me matematikë. Dhe kur ka shqetësime reale për fondet apo për sundimin e ligjit, ato adresohen në mënyrë institucionale, jo përmes gojës së Sali Berishës apo ndonjë tjetri brenda radhëve të vetë PS që për hatërmbetje personale është gati të djegë jorganin me gjithë shtëpi. E vërteta është sa dramatike, aq edhe e qartë: Shqipëria është në një fazë ku çdo hap drejt BE-së kalon nëpër filtrin e interesave të 27 shteteve. Çdo vend ka kërkesat e veta, rezervat e veta dhe momentin e vet politik..

Prandaj historia që përpiqet të shitet nuk është thjesht e gabuar, por e rrezikshme. Sepse zhvendos vëmendjen nga problemi real. Nga një proces i ndikuar nga politika dhe lobimi, drejt iluzionit se mjafton një emër për ta fajësuar dhe shpjeguar gjithçka. Dhe kjo është hileja më e vjetër nga armiqtë e vërtetë të Perëndimit në Shqipëri: T’i çosh njerëzit deri në budallepsje! Pastaj në atë nivel opozita është eksperte dhe mund të bëjë jo pak zullume.

Qoftë edhe përmes fjalës.

  •  

“Ahmetaj”, kur apartamenti 300 milionësh flet më shumë se avokatia e Gazment Bardhit

Nga Ardit Rada

Arratia e Arben Ahmetajt është sot një nga simbolet më të qarta të krizës morale që prodhon korrupsioni në politikën shqiptare. Një ish-zëvendëskryeministër, dikur një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës, sot nuk përballet me drejtësinë, por zgjedh të flasë nga larg, duke u fshehur pas statuseve në rrjetet sociale dhe mbështetjes politike e mediatike të atyre që deri dje i kishte kundërshtarë.

Fakti më i thjeshtë për ta dalluar akuzën ndaj tij në raport me të tjerët, është apartamenti i sekuestruar me vlerë rreth 300 milionë lekë, e nxjerrë tashmë në ankand nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Mjafton ky simbol i pasurisë së pajustifikuar që Ahmetaj është përpjekur ta fshehë pas ish-grash e shoqe ishësh, për të kuptuar se për çfarë niveli abuzimi me pushtetin bëhet fjalë. Kur pasuritë luksoze të një ish-zv.Kryeministri përfundojnë në ankand shtetëror, nuk kemi më të bëjmë me një debat politik, por me një histori që kërkon përgjigje serioze para drejtësisë dhe mesa duket këtu është ‘keqkuptuar’ Ahmetaj me deklaratat e fundit të Ramës. Më saktë, dielli nuk mbulohet me shoshë në rastin e tij.

Vetë Rama, dy ditë më parë, e përshkroi situatën pa shumë diplomaci: “Ka një dosje plot të zeza, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, gjëra që na krijuan bindje që kërkesa e prokurorit ishte e përligjur. Në këtë rast s’kemi asgjë nga këto.” Kjo deklaratë nuk është thjesht një distancim politik. Është pranim se një nga figurat më të fuqishme të qeverisjes socialiste u përfshi në një histori që e bën të pamundur çdo mbrojtje politike.

Por në politikën paradokset janë të zakonshme. Ndërkohë që Ahmetaj ankohet se ish-partia e tij nuk e mbron, mbrojtja i vjen nga kampi tjetër. Gazment Bardhi nga Partia Demokratike deklaroi fill pas Ramës se: “Çështja e Arben Ahmetajt është sa 1 e 200 e provave që kanë ardhur për Ballukun. Atje kishte indicie, këtu ka prova, atje kishte të dhëna dhe dyshime, këtu ka prova që provojnë kryerjen 11 herë të veprës penale.” Pra, rasti i Ahmetajt përdoret si armë politike për të goditur një tjetër kundërshtar. Ndërsa akuzuesi nuk fakton dot as 1/200 e atyre që thotë. As një tullë te vetme të 300 apartamenteve që SHQUP-i i ka ngarkuar Ballukut dhe SPAK fërkon duart dhe hesht.

Kjo është ironia e madhe e kësaj historie: një ish-zv.Kryeministër i Partisë Socialiste, i arratisur nga drejtësia shqiptare, gjen sot mbështetje politike dhe mediatike në kampin e Sali Berishës. Dhe pikërisht për këtë arsye ankesa e Ahmetajt ndaj Ramës tingëllon më shumë si hipokrizi sesa si parim.

Në reagimin e tij, Ahmetaj përpiqet ta kthejë çështjen në një debat juridik për prezumimin e pafajësisë. Ai shkruan se deklarata e kryeministrit për “1001 të zeza” shkel këtë parim dhe se çështja ende nuk ka filluar të gjykohet. Në teori, ai ka të drejtë: prezumimi i pafajësisë është një parim themelor i shtetit të së drejtës.

Por ka një problem të madh me këtë argument: prezumimi i pafajësisë nuk është një strehë për arratinë. Ai vlen për ata që përballen me drejtësinë, jo për ata që i shmangen asaj. Sepse kush nuk beson apo i trembet ligjit s’ka si të ngrejë pretendime mbi hetimin dhe gjykimin.

Një politikan që beson te pafajësia e tij nuk ikën nga vendi dhe nuk fshihet nga drejtësia. Ai paraqitet në gjykatë dhe e provon atë. Arratia është zgjedhje, jo parim juridik.

Ahmetaj gjithashtu duket i habitur që Partia Socialiste nuk e merr në mbrojtje. Por kjo është një habi e shtirur. Ai nuk ishte një figurë e zakonshme politike; ai ishte një nga njerëzit më të besuar të Edi Ramës. Kur një njeri i tillë përfundon në një histori korrupsioni dhe largohet nga vendi për t’i shpëtuar drejtësisë, nuk kemi thjesht një konflikt politik. Kemi një tradhti të hapur ndaj besimit politik që e ngriti në majat e pushtetit.

Prandaj Ahmetaj nuk ka pse të çuditet, aq më tepër që ka zgjedhur tashmë kampin e PD si strehë, ku mesa duket ndihet më rehat. Edhe pse po e përdorin historinë e tij si serial në median e financuar nga Sali Berisha.

Apartamenti i sekuestruar dhe i publikuar në katalogët e AAPSK
Në listën e pasurive të sekuestruara të SPAK, kjo pasuri vlerësohet 26,884,000 lekë
  •  

Rasti Hoti dhe narko-opozita e Berishës: Hijet e krimit mbi selinë blu

Nga Ardit Rada

Arrestimi në Romë i vëllait të deputetes demokrate Elda Hoti duhet të kishte ngritur të paktën një debat mediatik. Jo thjesht për faktin se Markelian Hoti u arrestua nga autoritetet italiane si trafikant ndërkombëtar kokaine, dhe as vetëm sepse në zgjedhjet e vitit 2025 ai akuzohet se kërcënoi me armë votuesit. Por për të kuptuar më thellë se si Partia Demokratike është mbushur me deputetë dhe figura të tjera që vijnë përmes lobimit pranë familjes Berisha apo nga mbështetja e elementëve të krimit të organizuar.

Rasti i Hotit shpjegon qartë pse motra e tij, deputete në dy legjislatura dhe deri dje figurë e panjohur, në zgjedhjet e fundit figuron si kandidate e sigurt në listat e mbyllura. Ndërkohë, në zgjedhjet e vitit 2021 rezulton ndër më të votuarat në Lezhë, me mbi 2700 vota. Por nuk mbaron me kaq! Krahas të vëllait, edhe bashkëshorti i deputetes (që mbahet mend vetëm se spërkati karriget e Kuvendit me benzinë), ka rënë në prangat e drejtësisë italiane. Ladi Ndoja u prangos në 2016 me 50 kg drogë dhe 24 karta identiteti të falsifikuara, njoftojnë mediat të cilat po ashtu thonë se: I ati i deputetes figuron me dy emra, fakt të cilin ajo e ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit. David Hoti sot është Artan Hoti për të fshehur të shkuarën si ‘tutor’ jashtë vendit. Në vitin 2000, në La Spezia të Italisë, babai i saj është dënuar për trafikim qeniesh njerëzore, thuhet në lajme.

Mirëpo këtë fenomen e hasim edhe në shumicën e qarqeve më 11 Maj, ku emra të panjohur janë renditur ndër më të votuarit – herë duke marrë mandatin, herë duke mbetur thjesht në “top listë”. Fakti që ata zhduken nga skena politike pas humbjes ose nuk shfaqin aktivitet domethënës edhe kur marrin mandatin, lë të kuptohet se kemi të bëjmë me figura të sponsorizuara përkohësisht dhe pa karizëm politik.

Një rast i ngjashëm gjendet në Berat me ish-kandidatin 30-vjeçar që arriti të marrë mbi 7500 vota, kryesisht për shkak të të atit, i njohur si një nga “të fortët” e qytetit, i dënuar për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Po ashtu, xhaxhai i tij, ka qenë më parë deputet i Sali Berishës, derisa SPAK-u u konfiskoi pasuritë që dyshohej se buronin nga aktiviteti kriminal. Lista e kandidatëve të Partisë Demokratike me të kaluar të diskutueshme shtrihet nga Shkodra në Fier e Vlorë, pa shkaktuar ndonjë reagim të fortë institucional apo politik.

Në fakt, lidhjet e pretenduara të Partisë Demokratike me individë të përfshirë në trafik droge, prostitucion dhe elementë të tjerë të botës së krimit duhej të kishin shqetësuar opinionin publik dhe institucionet që më 21 prill 2021, kur një qytetar u vra në mes të Elbasanit nga një person i lidhur me fushatën elektorale. Gazment Bardhi, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje si dëshmitar i vrasjes së Pjerin Xhuvanit, vijoi karrierën politike pa pasoja, madje u transferua politikisht në Fier. Autori i vrasjes në mes të ditës ishte shoqëruesi i Bardhit teksa ky i fundit nuk e dënoi kurrë aktin, por përkundrazi e nxiti dhe frymëzoi dhunë nga zgjedhjet në zgjedhje. Me aq sa mundet, kuptohet.

Më pas, një tjetër person i shpallur në kërkim nga autoritetet britanike u rreshtua në krah të Sali Berishës gjatë përplasjes për selinë e Partisë Demokratike. Më 8 janar 2022, Fation Dauti, i paraqitur si mbështetës i flaktë i demokratëve, përfundoi duke u përmendur në dosjen e shpalljes “non grata” të Berishës nga autoritetet britanike, si person me lidhje me trafikun e drogës dhe me drejtues të lartë të partisë. Vetë Dautin britanikët e kanë prangosur për tentativë vrasje dhe trafik droge ndërsa pasuritë e tij janë konfiskuar.

Të gjitha këto raste përmenden për të ilustruar lidhjet mes botës së krimit dhe selisë blu. Situata kulmoi me akuzat brenda vetë Partisë Demokratike, kur Gazment Bardhi akuzoi publikisht Flamur Nokën si organizator të trafikut të drogës drejt Britanisë së Madhe. Edhe pse më pas Bardhi u tërhoq nga deklaratat e tij, ato do të ishin të mjaftueshme për të nxitur zyrtarisht një hetim. Dokumente të publikuara më vonë treguan se Bardhi kishte depozituar kallëzime edhe ndaj Këlliçit për çështje të tjera, çka thelloi dyshimet brenda PD-së së pari për vetë Bardhin.

Raste të tilla në radhët e opozitës nuk janë të pakta. Përveç akuzave të ndërsjella, ka edhe dyshime për kandidatë apo deputetë që dyshohet se kanë siguruar mandate përmes parave të pista apo kërcënimeve. Kjo është një panoramë që politika, media dhe drejtësia shpesh kanë hezituar ta trajtojnë në thellësi.

Sot, kur listës së fakteve ndaj PD u shtohen edhe episode dhune, mbetet thelbësore të sqarohet se kemi të bëjmë me një narko-opozitë të mirëfilltë. Që çirret për disa që ndodhen pas hekurave, ndërsa për trafikantët e saj hesht. Ose në rastin më të keq, i fut në Parlament.

  •  

Berisha nuk po ia vesh dot ‘kostumin’ e tij Ramës dhe kjo është drama e PD

Nga Ardit Rada

Ka një përpjekje të dëshpëruar të opozitës së drejtuar nga PD, për ta kthyer politikën në skenë lufte. Dhe regjisori i kësaj shfaqjeje sërish mbetet Sali Berisha. E gjitha është pasojë e kompleksit nga e shkuara nën drejtimin e Lulzim Bashës, por edhe pamundësia për ta rinovuar kastën e PD-së për shkak të diktimit që Berisha ka nga familjarët e tij. Protestat e Berishës sot, jo me molotovë e fishekzjarre, por edhe sikur të bëhen me antitank siç i bënte në vitin 1998, nuk do të ngjisin kurrë. Ndoshta jo sepse mungon zemërimi, por sepse kemi të bëjmë me frymëzuesin e gabuar. Shqipëria e sotme nuk është ajo e ’98-ës. Dhe mbi të gjitha, sepse Berisha dhe ata që e ndjekin ende pas nuk do të marrin kurrë një përgjigje me plumba nga Edi Rama, siç morën protestuesit e 21 Janarit 2011.

Këtu qëndron paradoksi i madh i retorikës së Berishës: Ai ndërton një skenar përplasjeje që pala tjetër nuk ka ndërmend ta luajë. Deklarata e fundit ishte kulmi i kësaj gjendjeje! Kur tha se katër protestues “me duar në xhepa” qenkan qëlluar me snajper në ballë me plumba gome, ai nuk po bënte opozitë, por po prodhonte një realitet paralel me krimin më të shëmtuar që ka kryer shteti shqiptar ndonjëherë për aq sa dimë nga historia.

Katër të vrarët e 21 Janari nuk janë një statistikë, por një plagë. Ngjarja e 15 viteve më parë mbetet një moment i filmuar kur katër qytetarë u vranë ballë për ballë nga Policia e Garda në kohën kur qeveriste Berisha. Dhe ky i fundit nuk u kënaq me kaq, por nxitoi të fliste për thika me helm nga gjarpërinjtë e jugut, çadra pistoletë e Benz-a të mbushur me tritol duke e thelluar më tej komplotin e duke përfshirë gazetarë, Presidentin e Republikës dhe Kryeprokuroren.

Kur Berisha sot përmend sërish numrin katër, kur flet për snajperë e plumba, paralelizmi është i frikshëm. Më të tremburit duhet të jenë ata që e ndjekin sesa hetuesit e skenës së krimit të 10 Shkurtit. Sepse me këtë logjikë, duket sikur Berisha mezi pret katër viktima nga radhët e tij për të prodhuar 21 Janarin e vet, këtë herë me rolet e përmbysura.

Por një CV me “katër të vrarë me duar në xhepa” nuk i imponohet dot më këtij vendi sepse historia nuk rishkruhet me konferenca shtypi e as përrenj psiqikë në sallën e Parlamentit. Sa për sebepin e ri, akuzat ndaj Belinda Ballukut dhe krahasimi me Ilir Metën e 15 viteve më parë është i qëllimshëm, por i pavlefshëm.

Balluku po hetohet nga SPAK në një proces që nuk ka në qendër një aferë klasike korrupsioni të kapur në flagrancë. Madje edhe akuzat ndaj saj burojnë nga daljet televizive të opozitës dhe jo nga dosja që të gjithë bëjnë sikur e kanë, por askush nuk e nxjerr. Ndërsa Meta u filmua me bllok në dorë, në një video që tronditi opinionin publik dhe krijoi perceptimin e drejtpërdrejtë të pazareve politike. Imazhi ishte i qartë, simbolika po aq e fortë. Dhe para videos me bllok, shqiptarët kishin parë masakrën e Gërdecit. Një tragjedi me viktima që kishte rrënuar përgjithmonë besimin tek shteti i Partisë Demokratike. Klima ishte e ndezur dhe revolta kërkonte veç një kushtrim. Jo një fishekzjarr.

Sot nuk kemi as atë video, as atë tragjedi, as atë kontekst. Madje ironia thellohet kur kujtojmë se Berisha i shkoi Metës në shtëpi një natë para vendimit të Gjykatës së Lartë për korrupsionin e xhiruar mes Ilirit dhe Dritanit për Gimin. Një vizitë që u interpretua si presion ndaj trupit gjykues nga mediat, por Berisha me arrogancë iu përgjgij se kishte pirë verë shumë të mirë, e shërbyer nga tabakaja e Monikës. Ishtë koha kur Ilir Meta jetonte në një vilë në ish-Bllok, që ia kishtë lënë një bamirës pa qira. Pak orë pas asaj gostie, Gjykata e Lartë e pushoi çështjen e Metës.

Sot, kontrasti është brutal. Ilir Meta zjen mollë e dardha në burg për të nxjerrë një pikë alkool. Berisha me gjasë e ka lënë verën, dhe shkak i haluçinacioneve tani është thjeshtë tik-taku i moshës. Është pamundësia për ta zhbërë historinë 82 vjeç që ia ushqen skenarët për snajperë dhe katërshe fatale.

Problemi i opozitës sot nuk është pamundësia e protestave, por sepse nuk bën dot protesta siç do donte Berisha: Me viktima dhe të filmuara në HD! Ai kërkon një 21 Janar të ri, por nuk mund t’ia veshë kundërshtarit historinë e tij.

Nëse politika bëhet me haluçinacione, fundi është gjithmonë i njëjtë: As molotovët, as fishekzjarrët, as “snajperët” imagjinarë nuk e ngrejnë dot në këmbë një parti që për inerci ka ngelur e dyta në politikë, por me mbi 325 mijë vota larg të parës!

  •  

Nga 300 apartamentet, te jahtet me shumicë: Anatomia e një trillimi politik

Nga Ardit Rada

Katër parti opozitare janë përpjekur të organizojnë protesta kundër Qeverisë, por pa arritur të bashkohen në një të vetme. Megjithatë, duket se Shehaj, Lapaj dhe Qori mbeten të bashkuar rreth Sali Berishës sa i përket akuzave.

Kryetari i PD dhe njerëz pranë tij kanë ngritur një stuhi në gotë me akuza të pandodhura në dosjen hetimorë të Belinda Ballukut, por që çuditërisht “partitë e reja” i kanë marrë të mirëqëna dhe kjo nuk është pak. Sepse në një aksion opozitar kërkohet së paku seriozitet, argumente dhe fakte që të justifikosh jo vetëm protestën, por edhe të mbash përgjegjësi për akuzat që ngre në publik.

Në rastin konkret, ‘partitë e reja’ e kanë harruar që Berisha është i papërgjegjshëm për ato që thotë në 35 vite; nga akuzat për Ilir Metën që më pas i gëlltiti si ai muhabeti “kjo është lagur, kjo s’është lagur” e deri tek baxhanaku që nuk njihte.

Akuza ndaj Belinda Ballukut është shembulli më i pastër i kësaj zhurme politike. Një stuhi në gotë, e ndërtuar mbi indicie imagjinare dhe e shitur si dosje penale. Në materialet zyrtare nuk ka akuza për korrupsion, nuk ka akuza për pastrim parash, nuk ka apartamente, nuk ka jahte. Ka vetëm një debat procedural mbi pabarazi në tendera dhe pikë.

Narrativa me gjasë është ndërtuar nga Gazment Bardhi, i cili e ka kthyer Ballukun në çështje personale që prej Fierit, ku politikisht u zhvesh në pazar dhe doli me katër mandate më pak se kurrë. Që prej asaj dite, çdo akuzë ndaj saj është dukshëm një hakmarrje e paketuar si moral publik.

“300 apartamente” është kulmi i absurditetit. Një shifër që qarkullon vetëm në studio televizive dhe Facebook, por që nuk ekziston në asnjë dokument. Ashtu si “palloshi i gjatë”: një epitet që nuk figuron në asnjë përgjim të SPAK, por që është pompuar aq shumë sa është shndërruar në “fakt” në mendjen e opinionit publik.

Historia e fundit e jahteve është akoma edhe më groteske. Meqë u kap Ergys Agasi me një jaht 1 milion euro në emër të një 24-vjeçareje rumune, logjika opozitare funksionon me rregull treshi: Balluku, që është zv.kryeministre, duhet të ketë dy. Pse? Sepse “kështu i bie” llogaria për ata që besojnë ende se 7×7 bëjnë 42. Ky nuk është sulm politik, është gjuajtje me baltë në shpresë se diçka do ngjitet.

Kur 50 milionët e Bardhit për Llogaranë nuk i besoi askush, u kalua tek apartamentet. Sepse kjo shitet më mirë. Është populizëm ‘proletar’ i pastër: njerëzit nuk kanë shtëpi, Balluku paska 300. Por këtu vjen paradoksi që e bën gjithë këtë histori qesharake. Falë vetë Bardhit, dimë që Balluku jeton në një apartament në kat të dytë, në një pallat ku jeton gjysma e politikës shqiptare, përfshirë edhe demokratë me moral të lartë.

Tani, një grua që paska 300 apartamente, pse do jetonte në kat të dytë duke parë komshinjtë përballë? Të paktën do të kishte një vilë, apo një kat të fundit pallati, siç e kanë zakon politikanët që bëjnë moral për varfërinë.

Akuza për dy jahte në pronësi të një gruaje me dy fëmijë e çon fabulën në nivel satirik. Askush nuk shpjegon pse i duhen, për çfarë i përdor, apo nga vjen kjo akuzë. Ndërkohë që Agasi dhe Beqiri kanë jahte për “punë” dhe për “qejf”, madje flitet se kanë edhe avionë privatë.

Me këtë logjikë, lajmi i radhës mund të jetë se Balluku ka tre avionë privatë dhe një koleksion verërash 6 milionë euro. Nuk ka rëndësi nëse është e vërtetë. Mjafton që imagjinatën ta shumëzosh me dy dhe ky është sot problem real; Serioziteti i munguar i atyre që paraqiten si alternativë qeverisëse.

  •  

Salianji ia prish gjumin Gazment Bardhit, jo Berishës

Nga Ardit Rada

Partia Demokratikë është përfshirë në një dinamikë të re, por të njohur. Vetëm se këtë radhë ‘lufta’ e foltoreve ka tjetër drejtim. Figura të njohura në PD që kanë dalë hapur në krah të Ervin Salianjit po e konfirmojnë dita-ditës së e gjithë lëvizja e tyre, nga kafenetë në sallat ploy, nuk ka të bëjë me synimin për t’i zënë vendin Sali Berishës, as për të krijuar një alternativë ndaj tij. Përkundrazi, lëvizjet e Salianjit ndjekin një logjikë që bën sens për situatën ku ndodhet PD-ja e sotme: Përforcimin e pozicionit të tij në raport me Gazment Bardhin.

Salianji është një nga figurat më të ekspozuara të PD-së në dekadën e fundit. Ka kaluar përmes një procesi të vështirë gjyqësor, është përballuar me burgun dhe është rikthyer në jetën politike duke mbajtur peshën e një narrative personale që e dallon nga shumë të tjerë brenda partisë. Pavarësisht sfidave, ai ka vijuar të ruajë një profil aktiv në debatet politike dhe në komunikimin publik.

Ndërkohë, Gazment Bardhi, pavarësisht rezultati turpëruese në Fier më 11 Maj, vazhdon të mbajë funksione të rëndësishme në PD. Njeriu që nuk arriti të fusë dot në Parlament as listën e mbyllur, mbetet Kryetar i Grupit Parlamentar dhe pjesë e vendimmarrjes së strukturave të partisë. Ky kontrast mes rezultatit elektoral dhe pozicionit institucional krijon natyrshëm pakënaqësi dhe rivalitet brenda PD-së, sidomos nga Salianji që një ditë më parë deklaroi se avancimi në karrierë brenda selisë blu duhet të reflektojë vlerësimin e votuesve.

Pikërisht këtu lind tensioni mes Salianjit dhe Bardhit. Nëse selia blu pretendon të zbatojë një standard ku vota është treguesi kryesor i legjitimitetit dhe avancimit, atëherë Salianji e sheh veten në një avantazh moral dhe politik në raport me Bardhin. Rrjedhimisht, angazhimi i tij në një ‘Foltore’ me demokratët është një apel ndaj Berishës për të ristrukturuar ekuilibrat e brendshëm dhe hierarkinë në PD.

Deklaratat e Ilir Alimehmetit se takimet e tij dhe të Salianjit nuk synojnë të sfidojnë autoritetin e Berishës, janë një provë e qartë se ‘Foltorja’ nuk ka të bëjë me njëshin, por me ata që e rrethojnë. Po kështu, deklarimet e Edmond Spahos, i cili ka përmendur se Salianji ka qenë pranë marrjes së postit të Kryetarit të Grupit Parlamentar, tregojnë se ambicia e tij për atë pozicion ka qenë reale. Fakti që kjo mundësi nuk u materializua, e la të hapur një çështje të brendshme që sot duket se po rikthehet në skenë.

Në këtë kuptim, ‘Foltorja’ nuk shfaqet si një mjet për të sfiduar udhëheqësin historik të PD-së, por si një platformë për të forcuar pozicionin personal të Salianjit. Dhe në fakt këtë po e tregon duke mbledhur më shumë njerëz seç ka marrë vota Gazment Bardhi në Fier. Përballë figurave të tilla diskretituese për demokratët, Salianji synon të ripozicionojë veten si një figurë që ka kontribut, ka histori dhe së fundmi kërkon të ketë edhe hapësirë në strukturat drejtuese të PD-së.

Thirrja e tij mbi nevojën për standarde të bazuara në vota dhe performancë elektorale është një mesazh i drejtpërdrejtë që prek Bardhin më shumë se çdo figurë tjetër. Ndaj sot Partia Demokratike nuk po përjeton një betejë për kryetar. Po përjeton një betejë për hierarki. Dhe në këtë hierarki, roli i Gazment Bardhit është më i kontestuari sot. Si për dështimet në politikë, ashtu dhe për misterin që mbart, sesi u gjend kërmilli në majë të malit.

The post Salianji ia prish gjumin Gazment Bardhit, jo Berishës first appeared on JavaNews.al.

  •  

Nga Adams tek Berlusconi: Bota nuk i pezullon zyrtarët nën hetim. Shqipëria po!

Nga Ardit Rada

Në shumë prej demokracive perëndimore, zyrtarë të nivelit më të lartë janë përballur me akuza penale apo hetime të hapura, por pa u arrestuar apo pezulluar menjëherë nga detyra. Kjo praktikë duket se është pjesë e kulturës juridike që respekton parimin e prezumimit të pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë. Këta zyrtarë, të ekspozuar ndaj akuzave, kanë vijuar detyrën deri në momentin kur proceset ligjore kanë dhënë një përgjigje përfundimtare.

Ndërkohë, në Shqipëri po krijohet një precedent krejt tjetër: arrestime, masa shtrënguese dhe izolime të funksionarëve të zgjedhur apo ish-zyrtarëve para se hetimet të përfundojnë, duke prodhuar një kontrast të fortë mes praktikave ndërkombëtare dhe realitetit vendas. Raste si ata të ish-kryebashkiakëve apo ish-ministrave që ndodhen pas hekurave, ndonëse hetimet ndaj tyre janë ende në zhvillim, duhet të kishin hapur një debat të gjerë qoftë edhe parlamentar, për rishikimin e ligjeve të drejtësisë së reformuar. Sepse sot kuptojmë se nuk është marrë parasysh proporcionaliteti mes masave dhe ndikimit të tyre tek funksionimi i institucioneve.

Ky diskutim duhej intensifikuar edhe me shumë në rastin e zv.kryeministres Belinda Balluku, për të cilën në opinionin publik po shtrohet çështja se pezullimi nga detyra, për sa kohë hetimet nuk kanë përfunduar, do të krijonte një precedent të rrezikshëm.

Pezullimi i një zyrtari të rangut të lartë para se të ketë një vendimmarrje nga gjykata nënkupton privim të funksioneve ekzekutive, përfshirë të drejtën e firmës. Kjo ngre pyetjen: në kushtet kur në Ministrinë e Infrastrukturës ka zv.ministra, po vendimet e Këshillit të Ministrave kush do t’i firmosë në mungesë të Kryeministrit? Sepse Zv/Kryeministrja është e pezulluar…

Pezullimi i Ballukut bëhet edhe më i diskutueshëm kur merret parasysh rasti i lirimit të Sali Berishës nga arresti shtëpiak. Për ata që nuk e mbajnë mend, Berisha u lirua nën arsyetimin se “punon” si lider i opozitës dhe i duhej kësaj të fundit për fushatën e 2025-ës. Pra vendimmarrja gjyqësore u ndikua drejtpërdrejt nga nevojat politike të një partie. Ndërsa fakti që ministrja Balluku ka si detyrë t’i shërbejë të gjithë qytetarëve, çuditërisht nuk është marrë në konsideratë.

Më poshtë janë disa nga rastet më të njohura në vendet perëndimore, ku zyrtarë të nivelit të lartë kanë qenë nën hetim me akuza të komunikuara publikisht, por kanë vazhduar detyrën deri në përfundimin e proceseve:

• Eric Adams, Kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut (SHBA)
Akuza të raportuara: Dyshime për konspiracion në financim elektoral dhe ryshfet.
Adams vijoi detyrën pavarësisht hetimeve të gjera federale.

• Silvio Berlusconi, ish-Kryeministër i Italisë
Akuza: Korrupsion, mashtrim fiskal, shpërdorim detyre.
Për pjesën më të madhe të proceseve gjyqësore, Berlusconi ka vazhduar normalisht aktivitetin si Kryeministër.

• Éric Dupond-Moretti, Ministër i Drejtësisë në Francë
Akuza: Abuzim me detyrën dhe ndërhyrje të mundshme në procedime penale.
Ai nuk u pezullua nga detyra, duke vijuar funksionin deri në përfundimin e gjykimit.

• José Blanco, Ministër i Punëve Publike në Spanjë
Akuza: Favore ndaj kompanive të ndërtimit dhe korrupsion.
Në Spanjë, si rregull, vetëm një dënim i formës së prerë çon në largim nga detyra; procesi ndaj tij u rrëzua nga Gjykata e Lartë për mungesë provash.

• Vassilis Papageorgopoulos, Kryebashkiak i Selanikut
Akuza: Shpërdorim i fondeve publike.
Ka vijuar detyrën deri në momentin kur drejtësia mori një vendim.

Shembujt e mësipërm tregojnë se demokracitë perëndimore ndjekin një standard të qartë: zyrtarët nuk largohen automatikisht nga detyra për shkak të hetimeve, por vetëm nëse gjykata vendos dënim të formës së prerë. Në Shqipëri, zhvillimet e fundit shkaktojnë shqetësim se po krijohet një traditë e re, ku masat e sigurisë paraprake mund të shndërrohen në mjet për paralizim institucional, anashkalim të prezumimit të pafajësisë dhe krijim krizash politike të panevojshme. Në këtë kontekst, rasti i zv.kryeministres Balluku, si dhe mënyra se si po trajtohen figura të tjera politike, përbëjnë më shumë sesa çështje juridike: Janë së paku tregues të një debati të munguar për drejtësinë, balancën e pushteteve dhe funksionimin e shtetit.

The post Nga Adams tek Berlusconi: Bota nuk i pezullon zyrtarët nën hetim. Shqipëria po! first appeared on JavaNews.al.

  •  

Fatos Nano, mësimi i fundit nga një epokë që s’u kthye më

Nga Ardit Rada

Nuk më pëlqen të shkruaj elegji për politikanët që ikin, aq më tepër kur nuk kam lidhje personale e sentimentale me ta. Shumë prej tyre janë rritur nga mediat dhe po aq janë rrëzuar nga to. Por në ditën e homazheve për Fatos Nanon, ndjej se është e pamundur të qëndrosh indiferent. Jo sepse Nano ishte i përsosur. Askush që ka udhëhequr një vend në kaos nuk mund të jetë! Por sepse ishte i fundit që e kuptoi se politika është garë, jo pronë. Dhe kjo, si askush tjetër në politikanët, që erdhën pas tij.

Kujtimet më lidhin me të si ish-nxënës i shkollës “Hoxha Tahsin”, ku banesa e familjes Nano ishte vetëm 20 metra larg dritares së klasës time. Në periudhën kur ndodhej në qeli, isha dëshmitar prindërve dhe gruas së tij që hynin e dilnin plot ankth, por edhe i gëzimit kur doli nga burgu i Sali Berishës. Madje aq njerëz u mblodhën atë ditë saqë makinat përdorën oborrin e shkollës, ku spikaste ajo e Viktorit që numëronte armët në bagazhin e hapur. Për ta mbrojtur Nanon nga Berisha e nga bandat e tij.

Por jo vetëm kaq. Me të më lidh edhe një kujtim në vitet e gjimnazit kur studioja tek “Asim Vokshi”. Mund të ketë qenë 5 Maji i 2002-shit, vite kur PS me porosi të Nanos dhe me detyrim statuor respektonin ende LANÇ, veteranët dhe dëshmorët e antifashizmit. Si ditë me orar të reduktuar na dërgonin për homazhe te Varrezat e Dëshmorëve për 5 Majin, dhe nisja bëhej me autobusë urbanë nga ata që qëndron në këmbë, nga stadiumi “Qemal Stafa”, fiks para hyrjes qendrore. Në autobusin tonë të mbushur me nxënës dhe qytetarë të rastësishëm hipte Fatos Nano, Musa Ulqini dhe Halil Lalaj. Këta të fundit, zyrtarë të lartë të PS-së në atë kohë. Unë, pa e vënë re praninë e tij, thashë me zë të lartë se: “Paska dhe gra të pavarura socialiste.” Dikush m’u kthye duke kafshuar buzën se pas ke dikë. Ishte Fatos Nano që më pa në sy kur ktheva kokën, buzëqeshi dhe tha me qetësi: “Shumë mirë e the, të pavarura dhe socialiste”, dhe nisi të qeshë me të madhe me Ulqinin e Lalajn teksa mbaheshin tek tubi i autobusit. Ishte një çast i vogël, por që sot, në retrospektivë, më duket shumë domethënës.  Ishte një qeshje që vinte nga një njeri që e kuptonte ironinë, por nuk e trembte ajo. Nga një kryeministër që hipte në autobus pa qenë periudhë fushate.

Fatos Nano ishte kryetari i PS që në tribuna kishte oratorë Kadri Roshin e Violeta Manushin. Jo artistët banalë të sotëm që ku i gdhin dita nuk i ngrys nata dhe marrin miliona për mitingje. Ai nuk e kërkonte adhurimin e verbër, por pranonte shpotinë si shenjë lirie. Ishte një filozofi e të menduarit ndryshe, që më pas u kthye në thelbin e “rrugës së tretë” që përqafoi Partia Socialiste e Edi Ramës kur njohu Barack Obamën dhe Tony Blair.

Fatos Nano nuk ishte thjesht kryeministri i disa qeverive. Sepse për ata që s’e mbajnë mend, në 8 vite e ndau zyrën e Kryeministrisë disa herë me Ilir Metën e Pandeli Majkon. Kjo gjë nuk kishte ndodhur kurrë më parë apo më pas. As kur kryeministrat pasardhës qaheshin edhe publikisht se ishin të lodhur, por po rrinin pa gjumë për të mirën e popullit. Këtë model as e pamë dhe me gjasë s’do ta shohime për disa vite.

Nano ishte i pari që foli për demokraci në një vend ku shumë besonin se demokracia ishte e kundërta e socializmit. Ai sqaroi me shembullin e tij se ka socialistë kapitalistë sikundër na faktoi me pasardhësin e tij se ka edhe demokratë diktarorë. Në këtë kuptim, Nano ishte më shumë se një politikan: ishte një tranzicion më vete. Nga e kaluara monolitike drejt një të majte që fliste për treg, për pluralizëm, për të drejta individuale. Ai i ndryshoi faqen Shqipërisë së viteve ’97-’98, kur vendi ishte rrëzuar në humnerën e “piramidave” dhe dhunës civile. Ishte Nano që riktheu gjakftohtësinë, që solli stabilitet institucional, që e ktheu PS-në në një parti qeverisëse evropiane.

Dua të jem i sinqertë. Edhe unë kam qenë ndër ata që i dilnim përpara me protesta, me pankarta dhe kërkesa që sot më duken naive. “Pse ishte në Greqi kur vdiqën disa minatorë në Selenicë?” apo “Pse buxheti i arsimit ishte 4% e jo 4.5%?”. Këto argumente ishin kulmi i akuzave ndaj kryeministrit Fatos Nano. Ne kërkonim llogari, dhe kjo ishte e drejtë. Por, 20 vite më vonë, ndjej keqardhje sepse më pas erdhi një periudhë ku “llogaria” nuk bëhej më me shifra, por me jetë njerëzish.

Erdhi Gerdeci, ku shpërthimi vrau 26 vetë dhe plagosi dhjetëra të tjerë. Erdhi 21 Janari, ku u vranë katër qytetarë të paarmatosur para dritareve të qeverisë. Erdhi një epokë ku vjedhja u bë doktrinë që e mbronte ligji e s’na bënte më përshtypje. Dhe në atë pikë, të gjithë ne që kishim protestuar kundër Nanos për salltanete, mbetëm pa zë. Sepse e kuptuam vonë se sa e hollë është vija që ndan lirinë nga anarshia dhe demokracinë nga autokracia.
Nano nuk e kishte frikë humbjen dhe kjo është cilësi e rrallë mes politikanëve shqiptarë. Ai ishte i fundit që e kuptoi se udhëheqja nuk është zotërim, por përgjegjësi që duhet ndarë.

Në kontrast me atë që ndodhi më pas, ku partitë u kthyen në prona personale, me liderë që s’e imagjinojnë dot një garë të vërtetë, Nano mbetet një figurë që mund të mos e duash, por duhet ta respektosh. Sepse politika në fund matet me standardin që lë.

Sot, kur ai nuk është më, nuk ka kuptim të flasim me tone nostalgjie. Por ka kuptim të reflektojmë. Ai ishte njeri me dritë dhe hije, me dobësi dhe ego, por në thelb ishte i lirë. Dhe kjo e bënte të rrezikshëm për të gjithë ata që e donin politikën si pronë të tyre.

Nëse do të duam ta nderojmë me ndershmëri, mësimi nga jeta e Fatos Nanos nuk është thjesht “të kujtojmë të kaluarën”, por të mos pranojmë më partitë që s’kanë garë, qeveritë që nuk japin llogari, apo liderët që duan të rrinë përjetë.

Fatos Nano e kuptoi se pushteti është i përkohshëm, por respekti është i përjetshëm. Ne, për fat të keq, këtë mësim e kuptuam vetëm pasi ai iku. Mirupafshim në “stacion”!

The post Fatos Nano, mësimi i fundit nga një epokë që s’u kthye më first appeared on JavaNews.al.

  •  

Kur Qytetari Dixhital bëhet moralist dhe ‘Diella’ na duket më e sinqertë

Nga Ardit Rada

Ka një moment kur ngjarjet sado të trajtohen me tone solemne, bëhen aq qesharake, saqë nuk mund të mos vësh buzën në gaz. Sali Berisha, njeriu që për më shumë se një dekadë ka ushqyer opinionin publik me raportime të Qytetarit Dixhital, sot akuon “Diellën” e Qeverisë duke e cilësuar si farsë.

Përtej karremit që ka ngrëne opozita në këtë histori, gjithësesi “Diella” qendron mijëra hapa larg iPadit të Sali Berishës. Teksa Qytetarin e tij Dixhital e kemi si mallkim në formën e një fantazme anonime që ka shkatërruar jetë njerëzish, shpifur e akuzuar pa prova. Shpesh me pasoja të rënda.

Po çfarë është po aq farsë se Qytetari Dixhital, ky entitet që ka akuzuar njerëz për krime pa prova, që ka shkatërruar reputacione, që ka ndikuar në fatin e familjeve dhe karrierave. Dhe sot kryetari i PD na shfaqesh si mbrojtës i “së vërtetës”

një risi e Inteligjencës Artificiale që në fund të fundit nuk kërkon as shofer e as truproja si ti.

Nëse duam të bëjmë një krahasim, mes Qytetarit Dixhital dhe Dielles, më e besueshme del Diellja. Po, po, ajo kukulla e Edi Ramës ka më shumë kredibilitet se një burim anonim që ka shpikur më shumë histori se gjithë letërsia artistike e vendit. Pa përmendur gazetarine investigative… Sepse të paktën Diellja nuk pretendon se është “burim serioz informacioni”, por është aty thjesht për menaxhim rrjeti.

Ironia më e madhe është se Berisha nuk e sheh asgjë problematike te fakti që ka ngritur një “institucion” denoncimesh anonime, ku çdo qytetar mund të dërgojë çfarë t’i vijë në mendje – dhe ai ta publikojë si fakt të kryer. Në një vend normal, kjo do të ishte skandal kombëtar. Në Shqipëri, është thjesht rubrikë e përditshme.

Dhe tani, ky njeri na predikon për farsa të qeverisë. Është si të shohësh një pirat që flet për rrezikun e vjedhjes. Doktor! Nëse do të shpallësh moralin publik, të paktën fshiji gjurmët e viktimave që ke lënë pas me shpifjet e tua reale apo dixhitale.

Në fund, Diellja është më e ndershme se Qytetari Dixhital. Ajo nuk fshihet pas anonimatisë për të shkatërruar jetë, nuk e bën veten gazetar, as prokuror, as gjykatës.

Dhe ndoshta ky është mësimi i madh: kur politika kthehet në teatër kukullash, më mirë të zgjedhim kukullën që na ndihmon sesa atë te shtrigave te SHQUP-I që s’i dihet kur dhe si i del zëri.

 

The post Kur Qytetari Dixhital bëhet moralist dhe ‘Diella’ na duket më e sinqertë first appeared on JavaNews.al.

  •  

SHIFRAT/ Shqipëria dhe masakra e zjarreve, krahasimi i detajuar me rajonin dhe Evropën

Nga Ardit Rada

JAVANEWS/ Shqipëria po kalon një verë që do të mbahet mend gjatë dhe kjo për shkak të zjarreve që përfshinë vendin duke lënë pasoja të parikuperueshme në shumicën e rasteve. Përveç qindra evakuimeve dhe dy vdekjeve si pasojë e flakëve, vendi ynë ka humbur mbi 56 mijë hektarë të gjelbërt nga fillimi i vitit e deri në fund të gushtit. Por një situatë të ngjashme duket se ka kaluar e gjithë Europa, pavarësisht se në rastin tonë dëmet janë më të ndjeshme për shkak të raportit të sipërfaqes totale me atë të djegur. Në shumicën e rasteve faji i është vënë klimës ekstreme, por dyshimet mbeten edhe për zjarrvënie të qëllimshme të cilat më pas kanë dalë nga kontrolli.

Evropa në flakë!

Një grafik i Copernicus EFFIS, që nga fillimi i vitit e deri më 27 gusht tregon se mbi 1 milion hektarë janë djegur brenda Bashkimit Evropian, dukshëm mbi mesataren vjetore prej 278 mijë hektarësh. Kjo shënon edhe një rekord historik që tejkalon sinjalin e alarmit për të nxehtin që ka kaluar kontinenti. Sipas Copernicus, Spanja renditet si vendi më i prekur me rreth 403 mijë ha të djegura, ndjekur nga Portugalia me 275 mijë hektarë. Të dy shtetet përbëjnë kështu 2/3 e sipërfaqes së djegur në BE.

Interesant mbetet rasti i Italisë ku sipërfaqja e djegur deri në 31 korrik është thuajse e barabartë sa ajo që kanë përpirë flakët në Shqipëri. Italia ka raportuar 56,263 hekatrë të djegur ndërsa Shqipëria e vogël plot 55,154 hektarë.

Shqipërisë iu dogj 2% e sipërfaqes totale të vendit

Rasti i Shqipërisë ka habitur jo vetëm vendasit, por edhe raportet ndërkombëtare. Fakti që në vendin tonë kemi të bëjmë me evakuime apo dy jetë të humbura prej zjarreve, tregon se këto të fundit kanë prekur peisazhe të rëndësishme. Shpesh herë duke kërcënuar edhe qytete të tëra, si rasti i Gramshit apo i Delvinës. Nga të dhënat zyrtare Shqipëria raportohet se ka patur këtë vit 2 të vdekur, 2 mijë të evakuuar dhe 11 të plagosur nga flakët. Sipërfaqja e raportuar si e djegur këtë verë përbën 2% të sipërfaqes totale të Shqipërisë e cila është 2,8 milion hektarë. Një raport shqetësues ky për një vend relativisht të vogël.

Krahasuar me disa vende, Shqipëria konsiderohet e dëmtuar rëndë nga flakët. Nga një krahasim me të dhënat e EFFIS, Bullgarisë i është djegur rreth 0,26% e sipërfaqes dhe Italisë 0,19%. Ndërsa në rastin e fiqnjëve të tjerë të dhënat janë të papërfillshme.

Ndërsa në raport me Spanjën, Shqipëria ndodhet sërish më e dëmtuar sa i përket natyrës së shkrumbuar. Spanja sot shënon të djegur për vitin 2025 vetëm  0.8% të sipërfaqes së saj.

Një kontrats i thellë me fqinjët dhe jo vetëm

Nga të dhënat e EFFIS shohim se Shqipërisë thuajse i është trefishuar dëmi nga zjarret në raport me mesataren vjetore. Këtë vit janë regjistruar 11 zjarre që kanë shkrumbuar rreth 2% të territorit, duke e bërë vendin tonë më të prekurin në rajon.

Në raport me fqinjët Shqipëria kryeson listën e vendeve me sipërfaqe të djegura. Mali i Zi mbetet gjithashtu i prekur ku nga një sipërfaqe totale prej 1,3 milionë hektarësh i janë djegur 26,719 hektarë ose 2% e tërritorit. Ndërsa Bosnja Hercegovina dhe Serbia mbeten me një dëm të papërfillshëm nga zjarret. Respektivisht me 0.6% dhe 0.3% sipërfaqe e djegur në total. Kosova raportohet se ka pësuar dëme në 1,2% të territorit me një total prej 14 mijë hektarësh të përfshirë nga flakët.

Por Shqipëria është dëmtuar më tepër edhe se fqinjët e mëdhenj. Krahasimi me Greqinë tregon të dhëna të frikshme. Fqinjit tanë jugor i janë djegur në vitin 2025 rreth 46 mijë hektarë nga 13,2 milionë hektarë që është sipërfaqja totale. Pra 10 mijë hektarë më pak sesa Shqipërisë. E thënë ndryshe, Greqisë i janë djegur vetëm 0.36% e territorit ndryshe nga rasti ynë ku plot 2% janë shkrumbuar.

Nga vendet e tjera evropiane, por që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, më e dëmtuar duket Turqia, por shumë larg krahasimit me Shqipërinë. Në Turqi është djegur vetëm 0,16% e territorit total ndërsa vende si Andorra, Norvegjia dhe Zvicra janë thuajse të paprekura nga zjarret e këtij viti.

Shqipëria, e vetmja pa mbrojtje ajrore në rajon

Shqipëria mbetet një vend pa mbrojtje ajrore nga zjarret, pavarësisht premtimeve nga Qeveria se janë autorizuar blerjet për avionë. Krahasuar me vendet fqinje rezulton se Greqia ka plot 44 avionë dhe 20 helikopterë për të shuar zjarret. Maqedonia e Veriut ka 3 avionë dhe 4 helikopterë. Mali i Zi një avion dhe 3 helikopterë dhe Serbia 12 helikopterë për shuarjen e zjarreve.

Duhet theksuar se edhe pse Kosova nuk ka avionë, ajo ka dy helikopterë kundër zjarreve ndërsa Shqipëria nuk disponon asnjë mjet fluturues të specializuar në këte fushë. Justifikimi i qeverisë vitet e fundit është bazuar në retorikën se një vend i vogël si i yni nuk ka nevojë për një flotë ajrore kundër zjarreve. Kjo referuar deklarateve të ish-ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi tri vite më parë kur Shqipëria u përball me një situatë të ngjashme me zjarret, por edhe të zyrtarëve të tjerë në vijim.

Sot vendi ynë ndihmohet nga ajri përmes forcave të huaja. Për shembull, avionë Canadair nga Italia dhe Greqia, të dërguar përmes Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, janë përdorur në zona si Borsh, Piqeras, Dropull, Finiq e më gjerë. Megjithatë zjarret e vitit 2025 që dogjën 2% të territorit treguan se emergjencat nuk presin deri në lidhjen e marrëveshjeve apo sa të miratohet ndihma e kërkuar nga shtetet e tjera.

Në provën e zjarrit

Nëse në Spanjë e Portugali zjarret shihen si katastrofa të mëdha kombëtare, në Shqipëri ato janë më shumë se kaq: janë plagë që shkojnë deri në zemrën e një vendi të vogël dhe që shkaktojnë dëme të pallogaritshme financiare. Çdo hektar i humbur është një copëz e pazëvendësueshme e peizazhit tonë malor dhe apo një dëm në ekonominë bujqësore dhe pronat e qytetarëve.

Ky vit është një kambanë alarmi. Nëse sot Shqipëria djeg mbi 2% të territorit, çfarë do të ndodhë nëse nesër temperaturat do të rriten edhe më shumë dhe shirat do të mungojnë më gjatë? Sfida që shtrohet për autoritetet mbetet e njëjtë: A do të mbesim thjesht dëshmitarë të flakëve, apo do të ndërtojmë një sistem mbrojtjeje që parandalon tragjedi të tilla? Zjarret e vitit 2025 nuk janë vetëm lajmi i ditës. Ato janë paralajmërimi nëse vendi ynë do të zgjedhë mes përgatitjes dhe shkatërrimit.

Shqipëria, e vogël në hartë, por e madhe në plagë, nuk mund të përballojë më luksin e vonesës. Beteja me zjarrin fillon sot, jo nesër. Ndryshe vera tjetër do të jetë edhe më shkatërrimtare se kjo e tanishmja./ JAVANEWS.AL/

Vendet e BE. Me blu mesatarja vjetore e mèparshme ndërsa me të kuqe dëmet e këtij viti nga zjarret
Vendet evropiane, por që nuk janë anëtare të BE. Në grafik spikat Shqipëria si vendi më i dëmtuar ndër to
Shqipëria vit pas viti ku 2007-a rezulton më shkatërrimtari nga zjarret dhe 2005-a zë vëndin e dytë
Nga toka e bukës te pyjet. Ja çfarë i kanë djegur më shumë Shqipërisë zjarret e këtij viti

The post SHIFRAT/ Shqipëria dhe masakra e zjarreve, krahasimi i detajuar me rajonin dhe Evropën first appeared on JavaNews.al.

  •  

Lapaj e ngatërron Ramën me Pilinçin, por për numra ka nevojë Meta

Nga Ardit Rada

Në politikën shqiptare ka gjithmonë vend për një lajm të madh që nuk është lajm. Për një histori që thuhet me zë të lartë, por nuk ka as emra, as fakte, as prova. Dhe shpesh këto histori kthehen në “armë” për të ndërtuar imazh: një hero që s’pranon të shitet, një burrë që i thotë “jo” tundimit, një figurë e re që tregon se nuk është si të tjerët.

Kështu ndodhi edhe me Adriatik Lapajn. Me zërin e tij serioz, gati dramatik, ai deklaroi para publikut se në dy muajt e fundit i kanë kanë ardhur oferta për pazare nga Qeveria. Një deklaratë kjo që prodhon bujë, por jo substancë. Sepse pas saj ka vetëm pyetje të pambyllura. Veç nëse ka qenë Qeveria e Pëllumb Pilinçit dhe këtu nuk kemi çfarë të diskutojmë më.

Por përtej shakave, pyetja e parë që shtrohet është se kush ia bëri ofertën? Nëse PS qenka aq e dëshpëruar sa t’i trokasë Lapajt në derë, kush ishte personi që mori mundimin të shkonte tek ai? Një ministër, një deputet, apo dikush përtej partisë? Dhe çfarë i tha konkretisht? Çfarë pakete i ofroi? Transparencën që Lapaj e predikon çdo ditë, në këtë rast duket se e harron fare.

Së dyti dhe që e bën më të dyshimtë vërtetësinë e ngjarjes, është pyetja se përse pikërisht Lapaj? Këtu hyn në lojë ironia e madhe. Rama që mezi shpëtoi nga Ilir Meta kur ky kishte 18 mandate, tani, që bashkë me Tom Doshin ka 86, paska vrapuar t’i bëjë ofertë një personi që as vetë nuk është deputet. Dhe për më tepër, pse nuk ia ka bërë ofertën Agron Shehajt, i cili ka dy mandate të gatshme? Nëse puna është për numra, Shehaj është matematikë më e thjeshtë.

Së treti, a ishte vërtet mazhoranca që i ka kërkuar bashkim Lapajt? Sepse Rama i ka numrat. Kush nuk i ka, është Ilir Meta. Atij i duhen deputetë për të krijuar grup parlamentar dhe nuk është aspak rastësi që pranë Lapajt, gjatë dhe pas fushatës, kanë qëndruar me devotshmëri shumë ish-zyrtarë të LSI-së. Me pak fjalë, shumë e mundur që “oferta” të mos ketë ardhur nga qeveria e Edi Ramës, por nga “Qeveria e Lirisë” së Ilir Metës.

Kjo histori ka një të vërtetë të thjeshtë: ose Lapaj tregon kush ia bëri ofertën, çfarë i kërkoi dhe çfarë i ofroi, ose deklarata e tij mbetet një tullumbace për të forcuar imazhin e tij personal si “politikani që nuk blihet”. Dhe shqiptarët kanë nevojë për fakte nga ‘politikanët e rinj’ dhe jo imitues të politikës 30-vjeçare. Sepse, në fund të ditës, emri që rrotullohet sërish në këtë histori nuk është Edi Rama, por Ilir Meta. Një politikan që është ekspert pazaresh vetëm për të mbijetuar grupi i tij.

The post Lapaj e ngatërron Ramën me Pilinçin, por për numra ka nevojë Meta first appeared on JavaNews.al.

  •  

Ministrat e rinj? Mandati i katërt i Ramës s’është për socialistët, është për Europën

Nga Ardit Rada

Fundi i gushtit pritet të sjellë edhe emrat e ministrave të rinj të mazhorancës socialiste, një ngjarje kjo jo pa interes kur në Shqipëri çdo afrim apo largim në qeveri pasohet me komente të gjata nga kafenetë tek panelet telvizive. Por me fitoren e mandatit të katërt, Edi Ramës duket se i ka lindur ‘detyra’ që qeverisjen e ardhshme  të mos e ndertojë më mbi themelet e nostalgjisë partiake me “të fortët” e bazës. Shqipëria është në prag të një kapitulli historik: udhëtimit drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Kjo sfidë, më e madhe se çdo tjetër në tri dekadat e fundit, kërkon një kabinet ndryshe nga ç’jemi mësuar – një qeveri teknokrate. Kjo edhe për faktin se anëtarësimi në BE është kryefjala e këtij mandati të Ramës dhe PS-së.

Arsyeja kryesore e nevojës së një qeverie të tillë është vetë natyra e procesit të integrimit. Negociatat me BE-në nuk janë betejë politike, por ushtrim i thellë teknik. Çdo kapitull kërkon ekspertizë: nga standardet mjedisore, tek konkurrenca e tregut, nga sundimi i ligjit, tek bujqësia dhe siguria ushqimore. Për të përballuar këtë sfidë nuk mjafton retorika politike apo loja e pushtetit; nevojiten njerëz që e njohin dosjen, që kanë punuar me Brukselin dhe që kanë aftësinë t’i përkthejnë direktivat europiane në politika kombëtare konkrete.

Një qeveri e mbushur me teknokratë – pra me profesionistë që kanë kontribuar ndër vite në procesin e negociatave, që kanë qenë pjesë e skuadrave të punës pranë Komisionit Europian, apo që kanë ekspertizë akademike dhe praktike në fushat ku Shqipëria duhet të përafrohet me standardet europiane. Kjo do të ishte garancia se mandati i katërt nuk do të mbetet peng i ciklit të brendshëm politik.

Nga ana tjetër, emërimi i “socialistëve të vjetër” në kabinet, qoftë edhe për të shpërblyer besnikëri apo për të ruajtur ekuilibra partiakë, do ta kthente qeverinë në një administratë rutinë. Kjo do të ishte fatale në një periudhë ku çdo vit është vendimtar për kapitujt e negociatave pasi integrimi nuk njeh tolerancë për vonesa apo dështime teknike. Çdo hap i gabuar përkthehet në vite të humbura dhe këtë na e kanë mësuar qeverisjes e tri dekadave të fundit.

Po ashtu, sfida e integrimit mund të diktojë krijimin e ministrive të reja apo riformulimin e atyre ekzistuese. Shqipëria mund të ketë nevojë për një Ministri të Integrimit Europian me fuqi të plota koordinuese, një Ministri për Klimën dhe Energjisë sipas modelit të vendeve të BE-së, apo një strukturë të veçantë për Dixhitalizimin dhe Inovacionin, që lidhen drejtpërdrejt me kapituj të negociatave. Vetëm një qeveri teknokrate do ta kishte fleksibilitetin dhe vizionin për të rindërtuar “arkitekturën” e shtetit, pa u kufizuar nga interesat elektorale.

Në këtë kuptim, mandati i katërt i Edi Ramës nuk është një mandat për pushtet, por një mandat për histori. Ai duhet të zgjedhë mes dy rrugëve: ose të mbajë të njëjtën skemë partiake, duke e kthyer integrimin në një premtim të pafund, ose të ndërtojë një kabinet të ri, të çliruar nga lidhjet e vjetra, të drejtuar nga teknokratë që do ta çojnë vendin drejt anëtarësimit të plotë në BE.

Në fund të fundit pyetja është e thjeshtë: A duam një qeveri që ruan pushtetin e brendshëm të Partisë Socialiste, apo një qeveri që siguron të ardhmen europiane të vendit? Nëse përgjigjja është e dyta, atëherë mandati i katërt duhet të jetë mandati i teknokratëve.

 

The post Ministrat e rinj? Mandati i katërt i Ramës s’është për socialistët, është për Europën first appeared on JavaNews.al.

  •  

PD ndan postet pas humbjes së 11 majit, Bardhi e të tjerët me kokën ulur. “Buzëqesh” vetëm Gjekmarkaj!

Nga Ardit Rada

Zgjedhjet e 11 majit kanë prodhuar një situatë të brendshme delikate në Partinë Demokratike. Në tryezë janë jo vetëm analiza e humbjes së thellë elektorale, çka sjellë tkurrjen e grupit parlamentar demokrat, por edhe ndarja e posteve që i takojnë opozitës në Kuvendin e ardhshëm. Pas 20 majit 2023, kur Gazment Bardhi u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së opozita e gjen veten përballë nevojës që të riformatojë gjithçka në dritën e zgjedhjeve të fundit. Njëra ndër pyetjet themelore, me nisjen e legjislaturës së re në shtator, është ajo nëse Gazment Bardhi do ta ruajë ose jo pozicionin në krye të grupit. Në 11 maj Bardhi pësoi një humbje poshtëruese në qarkun e Fierit, ku socialistët fituan plot 12 mandate, duke bërë që PD të marrë rezultatin më negativ në këtë zonë të Shqipërisë.

Bardhi e kaloi me heshtje momentin e vështirë pas 11 majit dhe ka qenë i rezervuar në daljet publike pas këtij momenti. A do të jetë ky rrëzim i zhurmshëm edhe fundi i tij si nënkryetar i PD dhe kryetar i grupit parlamentar tani që balancat politike brenda PD janë shumë të ndryshme nga koha kur ai shihej si përfaqësues i një korenti “të pavarur” në parti?!

Një pozitë jo më të mirë se Bardhi kanë edhe emrat e tjerë në krye të piramidës demokrate si Luçiano Boçi, Albana Vokshi, Flamur Noka e Oerd Bylykbashi. Janë figura politike që morën rezultate zhgënjyese në zgjedhjet e 11 majit dhe që nuk arritën ta përkthejnë aktivizmin e tyre dhe dedikimin ndaj Berishës, në vota e përkrahje elektorale.

I vetmi që duket se arriti të shpëtojë politikisht nga kjo anije e mbytur e 11 majit duket nënkryetari i PD dhe nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, i cili ja doli të pengojë vërshimin rozë në qarkun e Lezhës, duke bërë që socialistët të mos avancojnë dot nga pozitat e zgjedhjeve të vitit 2021. Ky i Gjekmarkajt është një rast i veçuar në hartën elektorale të PD në zgjedhjet e fundit, pasi arriti të ruajë një njollë blu në detin e kuq të votave socialitëve që morën para Jugun e Veriun duke i dhënë Edi Ramës 83 mandate parlamentare.

A do të jetë pozicion force e Gjekmarkajt një garanci që ai të ruajë postet politike të larta që mban? Edhe kjo do të shihet në momentin që PD do të analizojë humbjen, por vlen të thuhet se në një tryezë me koka të ulura i deleguari politik i qarkut Lezhë është ndër të paktët që nuk ka pse të skuqet. Aq më tepër që ka pranë një figurë Gjin Gjoni…

The post PD ndan postet pas humbjes së 11 majit, Bardhi e të tjerët me kokën ulur. “Buzëqesh” vetëm Gjekmarkaj! first appeared on JavaNews.al.

  •  
❌