Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Kërkoi zëvendësim mase, GJKKO mban nesër seancë për shqyrtimin e kërkesës së kryebashkiakut Veliaj

Ditën e nesërme në orën 09:00 në Gjykatën e Posaçme do të zhvillohet seanca për shqyrtimin e masës së sigurimit “arrest me burg” të caktuar ndaj kryebashkiak të Tiranës, Erion Veliaj. Gjyqtarja që do shqyrtojë kërkesën e Veliajt është Etleva Deda.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet më 10 shtator 2025 dhe ka dërguar për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar që në 8 shkurt 2025.

Po kështu, për gjykim është dërguar edhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, si dhe 28 persona e shoqëri të tjera, pjesë e dosjes “Veliaj”.

SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitiprurëse, njëjtë si Erion Veliaj.

Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.

Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash.

Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste.

Pse Berishës i kujtohen armiqtë e tij sa herë ngelet vetëm?

Nga Mero Baze

Në kulmin e braktisjes edhe nga partitë më të reja opozitare në Shqipëri, Sali Berisha duket se kishte porositur sot një sulm ndaj gjithë ish “tradhtarëve” të tij në krye të PD-së, që nga Bamir Topi, Lulzim Basha, Astrit Patozi e Enkelejd Alibeaj. Nuk bëri përpjekje të gjente ndonjë argument, por thjesht u përpoq t’i krahasonte me veten e tij kur ishte komunist në vitin 1990 dhe vendosi të shkëputej nga Partia e Punës. Nuk di pse gjeti shembullin më të keq, që në fakt është kundër tij, jo kundër ish-bashkëpunëtorëve të vet, por me sa duket i intereson të mbajë ndezur frymën e përçarjes në PD kundër çdo kujt që i ka refuzuar partinë e familjes së tij.

Krahasimi me “disidencën” e tij në vitin 1990, përveçse është krahasim me një gënjeshtër, është kundër Berishës edhe sikur të ishte e vërtetë që Berisha ishte disident në vitin 1990.

Berisha ka filluar të belbëzojë në vjeshtën e vitit 1990 dhe i ka të shkruar dy artikujt e tij te “Drita” dhe “Bashkimi”. E gjithë çfarë flet është te pluralizmi i mendimit si “në kullat e Malësisë”, ku njerëzit dëgjojnë njëri-tjetrin. Nuk ka as disidencë dhe as ndonjë përpjekje për t’u shkëputur nga Partia e Punës, por një përpjekje për të rënë në sy brenda Partisë së Punës si dikush që është gati, nëse duhet, të ndryshojnë diçka nga stalinizmi i mëparshëm. Madje edhe më 11 dhjetor të 1990 ishte i dërguar zyrtar i Ramiz Alisë dhe teseren e Partisë së punës nuk e dorëzoi kurrë as simbolikisht.

Bamir Topi, Lulzim Basha, Patozi apo Alibeaj e kanë refuzuar Berishën duke u larguar nga partia e tij dhe nuk kanë treguar asnjë shenjë që duan të kthehen e ta reformojnë partinë e tij. Janë shumë të qartë që ajo është si një arkivol ku brenda rri një i balsamosur që, po u çel, prishet brenda minutës si çdo kufomë që merr ajër.

Ata thjesht kanë ikur në punët e tyre duke refuzuar Sali Berishën dhe pengmarrjen e PD-së prej tij.

Berisha është i shqetësuar pikërisht për këtë, për faktin që ai e ka bërë PD-në një parti të palakmueshme nga ata që e njohin dhe kanë ikur prej saj. Dhe ata janë shumë. Për 35 vjet Berisha ka larguar çdo themelues dhe çdo drejtues të PD-së. Asnjë ish drejtues i lartë i PD-së që nga viti 1991 nuk është më në PD për shkak të Sali Berishës. Dhe ata mund të mos kenë parti apo aktivitet politik, por përfaqësojnë pikërisht atë elektorat të heshtur të ish-PD-së që refuzon Sali Berishën dhe nuk e voton, duke e lënë rrugëve si një plak të mjerë.

Në kulmin e dëshpërimit, kur Berishën po e refuzon kushdo që po i kërkon të bashkohet me të, atij i shkon mendja pikërisht tek ata që e kanë refuzuar atë.

Në fakt, akti i tyre është i vetmi akt intelektual, si i gjithë atyre që kanë refuzuar Berishën brenda PD-së. Sali Berisha është uzurpuesi i PD-së dhe refuzimi i tij është një akt intelektual. Pseudo-intelektualë janë ata që përpiqen të retushojnë portretin e Berishës, të cilit tani, përveçse duhet t’i pastrosh baltën e korrupsionit, njollat e gjakut dhe turpin e “non grata”-s, duhet t’i gjesh edhe dikë që të shpjegojë se kur lajthit dhe thotë broçkulla, ia kanë bërë magji këta armiqtë.

I vetmi akt intelektual që mund të bëjë dikush brenda PD-së është pikërisht të refuzojë pushtetin familjar të Sali Berishës në PD, ashtu siç të bëje një gjest intelektual në diktaturë ishte të refuzoje Enver Hoxhën.

Sali Berisha s’e bëri kurrë atë gjest, as disa muaj pasi diktatura ra. Këta që sulmon Berisha, së paku e kanë bërë detyrën e tyre si intelektualë brenda PD-së. E kanë refuzuar partinë familjare të tij dhe e kanë lënë sot mes një tufe mjeranësh, të cilët jo me intelektualë që nuk konkurrojnë dot, por as me pavijonin nr. 5 në Tiranë. Me ata mund të mbretërojë sa të jetë gjallë, por si mbret i budallenjve që Shqipëria i neverit.

Protesta e “Shqipëria Bëhet” para Kryeministrisë, Lapaj: Duhet bashkim popullor, jo bashkim liderësh

Adriatik Lapaj, kreu i “Shqipëria Bëhet”, në një prononcim për A2CNN gjatë protestës së të shtunës, deklaroi se vendi ka nevojë për një bashkim të madh opozitar përtej kryetarëve të partive.

“Duhet reformim total i sistemit elektoral, që i ka falur Edi Ramës pushtetin në tavolinë. Kërkojmë nga i gjithë spektri opozitar të distancohen totalisht nga Edi Rama dhe marrëveshja e fundit që bënë për Kodin Zgjedhor. Duhet një Kod i ri Zgjedhor që e çon hakun te i zoti, që do të thotë që vota vlen njësoj në të gjithë vendin”, tha Lapaj.

“Ne kemi thënë një bashkim i madh opozitar në shesh përtej kryetarëve dhe përtej flamujve të partive. Nëse i lexoni pikat, një nga pikat është që forumi nuk do të përfaqësohet nga kryetarët e partive, që do të thotë në marrëveshjen e madhe qytetare synojmë të jetë përmes qytetarëve të spektrit të ndryshëm politik, të demokratëve, Shqipëria Bëhet, të të gjitha lëvizjeve, të shoqërisë civile. Pra, theksi duhet të vënë te Bashkimi Popullor sepse nevoja është e përbashkët. Jo te liderët. Ne nuk jemi duke bërë një marrëveshje me Sali Berishën. Ne jemi duke imponuar me sa mundim një bashkim qytetar përballë Edi Ramës, sepse nevoja për të hequr Edi Ramën është imediate.

Ne mendojmë që vendi ka nevojë për një bashkim të madh qytetarësh. Askush nuk mund të mbajë peng popullin dhe ata që vërtet e duan ndryshimin duhet të kuptojnë vendin e tyre dhe të bëjnë një hap pas. Në këtë drejtim, bashkimi popullor duhet të jetë për nevojën që është tashmë. Ne nuk jemi duke folur për fushatë zgjedhore apo për zgjedhjet e ardhshme. Ne jemi duke folur që këta po e vjedhin vendin sot dhe duhet të ikin sot. Duhet të ikin falë një bashkimi të madh popullor, përtej nevojave apo halleve të kryetarëve të partive. Në këtë drejtim, ju duhet të kuptoni një gjë që është shumë e thjeshtë. Unë nuk e kam fshehur kurrë dhe ky është fakt publik. Shqipëria është në këtë gjendje sot për shkak të marrëveshjes së 2008-ës të ndryshimit të Kushtetutës, që është bërë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Është e nevojshme që Partia Demokratike dhe gjithë opozita të distancohet nga Edi Rama dhe të pozicionohet krah demokratizimit të vendit”, shtoi Lapaj.

Ministri Gonxhja: Fitim Makashi i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt

Ditën e sotme u nda nga jeta aktori i famshëm i njohur për rolin e tij te filmi “Vdekja e Kalit” Fitim Makashi.

Ai ishte dhe babai i këngëtarit Redon Makashi. Ngushëllimet e veta i ka shprehur dhe ministri për kulturën Blendi Gonxhja

Më poshtë postimi i plotë:

“Një tjetër yll i teatrit dhe kinematografisë shqiptare u nda sot nga jeta.

Fitim Makashi, aktor, pedagog dhe emër i paharruar i skenës dhe ekranit, i dha artit shqiptar më shumë se tri dekada përkushtim, pasion dhe shpirt.

Ai la gjurmë në skenë me role si Pedagogu në “Pas provimit të dytë”, Beni në “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu në “Dritat e skenës” dhe Filipoviç në “Inspektori”.

Në kinematografi u bë pjesë e filmave që sot janë klasikë:
“Nga mesi i errësirës”, “Duel i heshtur”, “Prita”, “Njesiti gueril”, “Ndërgjegjia”, “Larg barbarëve”, “Shpella e piratëve”, “Vdekja e kalit”, “Tre njerëz me guna”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Intendenti”, “Ilegalët”, “Rrugicat që kërkonin diell”.
U prehtë në paqe.” – shkruan Gonxhja në fb.

VIDEO/ Dalin pamjet nga brenda qelisë së burgut ku vuante dënimin, Jeffrey Epstein

Dosja e Jeffrey Epstein është sërish kthyer në qendër të vëmendjes, pas publikimeve të fakteve të reja, të bisedave dhe fotove ku kanë rezultuar të përfshirë edhe figura të njohura të politikës por jo vetëm në botë.

Së fundmi në mediat e huaja po qarkullojnë edhe pamje nga ambientet e brendshme të qelisë ku vuante denimin, Epstein.

Departamenti i Drejtësisë publikoi dhjetëra mijëra faqe dokumentesh, duke përfshirë fotografi, transkripte intervistash, regjistra telefonatash dhe të dhëna gjyqësore.

Epstein vrau veten në një qeli burgu në Nju Jork, një muaj pasi u padit për akuza federale për trafikim seksual.

Propozime në Zagreb për një BE më të fortë, kancelari gjerman skeptik për zbatimin e reformave

Kancelarigjerman Friedrich Merz ka shprehur skepticizëm në lidhje me zbatueshmërinë e propozimeve për reforma të gjera në BE të paraqitura nga kreu i PPE-së, Manfred Weber.

Në hapje të një samiti të PPE-së në Zagreb të Kroacisë, kryetari i CDU-së tha: “Arritja e ndryshimeve në traktat në këtë Bashkim Evropian prej 27 anëtarësh është një detyrë mjaft e vështirë”.

Merz u shpreh për t’u fokusuar së pari në detyrat që janë “aktualisht në tryezë”, duke përfshirë “aftësitë mbrojtëse dhe konkurrueshmërinë”.

Në Zagreb, politikanë kryesorë nga familja e partive konservatore në BE, Partia Popullore Evropiane (PPE), diskutojnë mbi rolin e Evropës në një rend të ri botëror në të cilin fuqitë e mëdha luajnë një rol dominues.

Përveç Merz, marrin pjesë edhe krerë të tjerë qeverish si Donald Tusk (Poloni) dhe Kyriakos Mitsotakis (Greqi).

Weber dëshiron ta bëjë BE-në më efektive

Kreu i PPE dhe nënkryetari i CSU-së, Weber, tha para takimit se donte të diskutonte propozimet e tij për reforma me udhëheqjen e PPE-së.

“Ne jemi në dialog, po flasim me njëri-tjetrin”.

Ai është kryesisht i shqetësuar për tre pika që duhet të çojnë në një BE më të fortë në botë:

Së pari: Pas zgjedhjeve të ardhshme evropiane në vitin 2029, zyra e Presidentes së Komisionit (aktualisht Ursula von der Leyen) duhet të bashkohet me atë të Presidentit të Këshillit (António Costa). Kjo do t’i lejonte Evropës të fliste me një zë të vetëm.

Së dyti: Weber mbështet një ushtri evropiane. Kjo ushtri duhet të vendoset edhe në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje. Duke folur për revistën Der Spiegel, Weber tha: “Dhe nëse paqja do të vijë në Ukrainë, ne duhet të stacionojmë forca të përbashkëta paqeruajtëse evropiane atje, si bërthama për një ushtri evropiane.”

Së treti: Lidhur me parimin e unanimitetit në çështjet e politikës së jashtme, Weber dëshiron të lejojë një grup më të vogël shtetesh të bashkëpunojnë më ngushtë në politikën e jashtme përmes një “traktati sovraniteti”. Brenda këtij grupi, parimi i unanimitetit nuk do të zbatohej. Edhe kancelari Merz mbështet idenë e vendimeve me shumicë në politikën e jashtme, kjo tashmë është braktisur pothuajse tërësisht në lidhje me tregun e brendshëm. “Parimi i shumicës së kualifikuar zbatohet praktikisht kudo aty”, tha Merz.

Në deklaratën e tij qeveritare drejtuar Bundestagut të enjten, (29.01.) Merz kishte kërkuar që Evropa të afirmohet si një fuqi e pavarur në një rend të ri botëror të fuqive të mëdha përmes unitetit dhe vetëbesimit. Evropa duhet të mësojë të flasë “gjuhën e politikës së fuqisë”./dw/

Bisedime të reja mes SHBA-së dhe Rusisë, i dërguari i Putinit takim me Witkoff në Florida

I dërguari rus Kirill Dmitriev po drejton bisedime të reja me zyrtarë amerikanë në Florida sot, tha një burim pranë negociatave për AFP-në.

“Bisedimet filluan herët, në orën 8:00 të mëngjesit sipas kohës”, tha burimi, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi axhendën ose përbërjen e delegacioneve.

Më parë, në llogarinë e tij në Instagram, Kirill Dmitriev, i cili ka drejtuar bisedimet në javët e fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, tha se ishte “përsëri” në Miami.

Më herët në janar, në kuadrin e Forumit Ekonomik të Davosit, Kirill Dmitriev u takua me zyrtarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

I dërguari i Kremlinit për investime dhe zhvillim ekonomik, Dmitriev, kishte udhëtuar në Miami në fund të dhjetorit për bisedime mbi Ukrainën me të dërguarit amerikanë.

Ky takim i ri në Florida vjen përpara një raundi të dytë të mundshëm bisedimesh në Abu Dhabi midis negociatorëve rusë, amerikanë dhe ukrainas.

Ky takim mund të zhvillohet që të dielën, megjithëse Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha këtë javë se mund të shtyhet.

Bisedimet e para të njohura të drejtpërdrejta midis ukrainasve, rusëve dhe amerikanëve mbi planin e Uashingtonit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë u zhvilluan të premten dhe të shtunën e kaluar në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Kremlini tha të premten se Presidenti i SHBA-së Donald Trump i kishte kërkuar homologut të tij rus Vladimir Putin të ndalonte sulmet ndaj Kievit “deri më 1 shkurt”, ku rrjeti i energjisë është goditur nga bombardimet e mëparshme.

Sipas zëdhënësit të presidentit rus Dmitry Peskov, ndalimi i bombardimeve ruse ka për qëllim “të krijojë kushte të favorshme për negociata”.

Bisedimet, të cilat po zhvillohen me ndërmjetësimin amerikan, janë shumë të vështira dhe preken veçanërisht nga çështja e ndarjes së tokës, me Rusinë që kërkon që Kievi të lëshojë të gjithë rajonin Donbas në Ukrainën lindore.

U dhunuan brenda makinës, gruaja tregon si ndodhi ngjarja: Jemi ngujuar në shtëpi nga frika

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditën e sotme në Durrës, në lagjen nr.14 në Nishtulla, ku një çift është rrahur me grushta brenda makinës së tyre nga disa persona, për të cilët prokuroria nisi procedim penal ndaj një 44-vjeçari ndërsa u shpallën në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij.

Gruaja e dhunuar ka folur sot për News24 ku shprehu frikë për situatën e krijuar, cka ka bërë që të gjithë si familje të ngujohen në shtëpi.

“Kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos na rrahin sërish. nuk kam dalë as për të blerë bukë për fëmijët!”, ka thënë V. Meçani.

Sipas shtetases V.Meçani, i pari që është goditur nga një grup prej disa personash është 55–vjeçari Fatmir Meçani,

“Në momentin që vëllai i tij, Lulzimi, bashkëshortja e Fatmirit dhe kunata e tij po e shoqëronin në spital, makina e tyre është goditur nga po të njëjtët persona që më parë kishin gjakosur Fatmirin”, tregon gruaja.

Pas sulmit ndaj makinës së tyre, 4 personat janë drejtuar për në policinë e Durrëësit, ku kanë bërë denoncimin përkatës.

Në njoftimin për shtyp, policia bën të ditur se “specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës”.

Familja Meçani, pas dhunës së pësuar një ditë më parë ndihet e kërcënuar dhe e pambrojtur, përsa kohë këtë shtetas janë ende të lirë.

Sipas kësaj familjeje, kjo nuk është hera e parë që ata i dhunojnë, ashtu siç kanë dhunuar edhe familje dhe persona të tjerë po në atë zonë.

Paralajmërimet e SHBA për sulm, Irani kërcënon me stërvitje ushtarake në Ngushticën e Hormuzit

Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po rriten ndjeshëm. Mediat shtetërore iraniane raportojnë se forcat detare të Gardës Revolucionare Islamike do të kryejnë stërvitje javën e ardhshme në Ngushticën e Hormuzit, një prej pikave strategjike më të ndjeshme në botë.

Kjo vjen pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili kërcënoi se një sulm i ardhshëm ndaj Iranit mund të jetë “shumë më i ashpër” se tre sulmet e verës së kaluar. Trump u shpreh gjithashtu në rrjetin social Truth Social se Irani duhet të negociojë një marrëveshje pa armë bërthamore.

“”
Përgjigja e Teheranit nuk vonoi. Misioni i Iranit në OKB paralajmëroi për një reagim “si kurrë më parë” në rast sfidash, duke theksuar se vendi është i gatshëm për dialog, por do të mbrojë vetveten në mënyrë të fuqishme.

Tensionet shtohen edhe nga kriza e brendshme në Iran, ku protestat që nisën në dhjetor për shkak të rënies së monedhës vendase janë shtypur me brutalitet, sipas grupeve të aktivistëve me mbi 6 mijë të vrarë, ndërsa qeveria ka vendosur bllokim dyjavor të internetit.

Situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar, duke ngjallur shqetësime për përshkallëzim të konfliktit në rajon.

Publikohet testamenti i Jeffrey Epstein, e nënshkroi dy ditë para se të gjendej i vdekur në qeli

Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë Jeffrey Epstein planifikonte ta shpërndante pasurinë e tij te një sërë miqsh, të afërmsh, punonjësish dhe bashkëpunëtorësh pas vdekjes së tij.

Sipas mediave ndërkombëtare, Epstein donte t’i linte partneres së tij të fundit, Karina Suljak, 42,194,100 dollarë, një unazë diamanti gati 33 karatësh, Little St. James dhe shtëpinë e tij në Nju Jork.

Të dhënat e publikuara tregojnë se Jeffrey Epstein nënshkroi testamentin e tij më 8 gusht 2019, dy ditë para se të gjendej i vdekur në qelinë e tij të burgut në Manhattan, sipas medias ndërkombëtare “ABC News”.

Tetë ditë pas vdekjes së Epstein, testamenti u nënshkrua nga avokati i tij, Darren Indyke dhe u nënshkrua gjithashtu nga kontabilisti i tij, Richard Kahn.

Por në vend që miliona të shkonin te përfituesit, pasuria e Epstein u transferua në një fond besimi dhe që atëherë është përdorur për të kompensuar viktimat dhe për të paguar taksat dhe tarifat ligjore.

Sipas shifrave të fundit, kanë mbetur 127 milionë dollarë nga shuma origjinale.

Pasuri të paluajtshme dhe para

Partneres së tij të fundit të njohur, Karina Suljak , Epstein i la 42,194,100 euro dhe planifikoi t’i jepte asaj një fermë në New Mexico, pronën e tij në Little St. James dhe pronën e tij në Great St. James.

Përveç kësaj, ai i la asaj apartamentin e tij në një nga zonat më të shtrenjta të Parisit , pranë Arc de Triomphe, si dhe pronën e tij në Palm Beach dhe rezidencën e tij në Upper East Side të Manhattanit.

Sipas Daily Mail, Suljak, që është me origjinë nga Bjellorusia, besohet se ka pasur një lidhje me Epstein për tetë deri në dhjetë vjet.
Suljak do të merrte gjithashtu diamantet e Epstein , përfshirë një unazë diamanti 33 karatësh të përshkruar me kujdes, për të cilën Epstein shkroi me shënime të shkruara me dorë në ngjyrë blu në margjina se i ishte dhënë asaj “në pritje të martesës”.

Unaza përmbante një diamant 32.73 karatësh të prerë drejtkëndëshe, të rrethuar nga diamante më të vegjël të prerë në formë bagete.

Ajo gjithashtu do të merrte “të gjitha diamantet e mia falas”, siç kishte ndërmend Epstein, duke renditur 48 prej tyre në detaje.

Ai planifikoi t’u jepte avokatit Indyk dhe kontabilistit të tij Kahn – të cilët ishin gjithashtu bashkë-ekzekutivë të testamentit të Epstein – 42,194,100 € dhe 21,097,050 €.

Ndërkohë partnerja e tij, Ghislaine Maxwell e cila po vuan një dënim me 20 vjet burg për mashtrimin, do të merrte 8,438,820 euro.

Vëllai i tij, Mark Epstein, dhe piloti i tij, Larry Wysocki, do të merrnin secili nga 8,438,820 euro. Disa nga përfituesit e tjerë janë emëruar, por quhen “ata” dhe secilit prej tyre i jepen disa milion dollarë.

Disa milion dollarë do t’u shpërndaheshin gjithashtu punonjësve të ndryshëm, përkatësisht, sipas marrëveshjes.

I doli emri në dosjen Epstein, Miroslav Lajçak jep dorëheqjen si këshilltar i kryeministrit sllovak

Ish-Ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, njoftoi se, pas publikimit të komunikimeve të tij me të dënuarin për abuzim seksual, Jeffrey Epstein, jep dorëheqjen nga posti si këshilltar i kryeministrit sllovak Robert Fico, raportojnë mediat sllovake.

Lajçak tha se dënon krimet e kryera nga Epstein, duke shtuar se nëse do ta kishte ditur në të kaluarën seriozitetin dhe shkallën e plotë të veprimeve të Epstein, nuk do të kishte pasur komunikim.

“Fjalët dhe veprimet janë dy gjëra të ndryshme. Megjithatë, nga perspektiva e sotme, ne i vlerësojmë veprimet individuale ndryshe, dhe madje edhe një bisedë normalisht e parëndësishme vihet në një kontekst tjetër”, tha Lajçak.

Lidhur me komunikimin e zbuluar me Epstein, ai tha se ishte e qartë se ai ishte informal dhe i lehtë, pa ndonjë përmbajtje të vërtetë. Ajo pretendon se nuk i janë ofruar kurrë shërbime seksuale, nuk ka marrë kurrë pjesë në to, nuk ka qenë kurrë dëshmitar i tyre dhe nuk ka ditur kurrë për to.

“Jam i gatshëm ta konfirmoj këtë pretendim në çdo mënyrë. Si diplomat profesionist, nuk jam aq naiv sa të kryej veprime që mund të çojnë në diskreditimin tim”, tha Lajçak.

Restaurimi i afreskut në Bazilikën e vjetër në Romë shkakton debat, një nga engjëjt i “ngjan” Giorgia Melonit

Një restaurim brenda njërës prej bazilikave më të vjetra në Romë ka shkaktuar një debat të nxehtë politik.

Incidenti ka të bëjë me Bazilikën e San Lorenzos në Lucina në Romë, ku, pas punimeve në njërën nga faltoret anësore, një nga engjëjt e skalitur pranë bustit të Umberto II të Savojës duket se ka marrë tipare që disa vëzhgues i kanë konsideruar të ngjashme me ato të kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Sipas raportimeve, para punimeve, engjëlli kishte tipare të përgjithshme dhe asnjë tipar dallues. Restaurimi nuk u krye nga restauruesit e porositur zyrtarisht nga bazilika, por nga një vullnetar. Vetë Meloni komentoi incidentin në mediat sociale, duke postuar një foto të restaurimit dhe duke shkruar: “Jo, unë definitivisht nuk i ngjaj një engjëlli”.

Mbikëqyrja e Romës ka dhënë dritën jeshile për një inspektim për të verifikuar punën dhe për të konstatuar çdo parregullsi. Partia Demokratike (PD) e Italisë ndërhyri menjëherë në këtë çështje, duke implikuar drejtpërdrejt Ministrinë e Kulturës.

“Ne kërkojmë që Ministri i Kulturës, Alessandro Giuli, të kontaktojë menjëherë Mbikëqyrjen e Romës për të sqaruar raportin në la Repubblica në lidhje me restaurimin e Bazilikës së San Lorenzo në Lucina. Ajo që ka dalë në pah është e papranueshme”, deklaroi partia.

Autori i restaurimit reagoi duke thënë se: “Ngjashmëria me fytyrën e Kryeministrit Giorgia Meloni? Po e sajoni. Unë nuk shoh asnjë ngjashmëri, thjesht bëra atë që ishte aty më parë dhe kaq. Unë isha ai që bëra restaurimin dhe puna përfundoi disa muaj më parë.

Megjithatë, ajo që shihni ishte aty 25 vjet më parë sepse unë restaurova një vepër të 25 viteve më parë. A e dini se çfarë do të thotë restaurim? Do të thotë të ribësh atë që ishte aty më parë, pra 25 vjet më parë, ajo që shihni sot ishte aty“, u shpreh ai.

Droni tradhtoi organizatën shqiptaro-greke, zbulohet rrjeti i trafikut të drogës në Kampusin Universitar të Athinës

Katër persona u arrestuan nga Policia e Greqisë një ditë më parë, në afërsi të Kampusit Universitar në Zografou të Athinës.

Siç doli nga hetimi i oficerëve të Nëndrejtorit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë, të arrestuarit janë anëtarë të një organizate që trafikonte drogë brenda Kampusit Universitar.

Të arrestuarit janë 2 shqiptarë dhe 2 grekë, kurse aktiviteti kryhej brenda territorit. Organizata drejtohej nga një 27-vjeçar shqiptar.

Nga hetimet ka rezultuar se një dron ka tradhtuar grupin kriminal, ndërsa u sekuestruan të paktën 6 kg hashash dhe mijëra euro cash.

Siç u vërtetua pas një hetimi policor disamujor, gjatë të cilit u përdorën një mori mjetesh teknike si dronë dhe mikrokamera, të pandehurit, të paktën që nga shtatori 2025, formuan një organizatë kriminale me role të dallueshme dhe veprim të vazhdueshëm, me qëllim trafikimin e kanabisit të papërpunuar brenda Kampusit Zografou.

Një pikë kyçe e aktivitetit të organizatës është ngritja e një pike “shitjeje” droge pranë konvikteve studentore të Kampusit të Universitetit Zografou dhe brenda një parku me pemë në mënyrë që t’ua vështirësonte Autoriteteve zbulimin e aktiviteteve të tyre.

“Udhëheqësi i organizatës ishte i huaji 27-vjeçar, i cili në intervale të rregullta gjatë ditës vizitonte pikën ku organizata trafikonte drogë, duke mbikëqyrur procesin e blerjes dhe shitjes, ndërsa kryente edhe kontrolle në stokun e drogës për shitje”, informon “Protothema”.

Në të njëjtën kohë, ai merrte fitimet nga droga e trafikuar ndërsa furnizonte 49-vjeçarin me drogën që trafikohej. “Zouglas” informon se dy shqiptarë dhe dy grekë janë të ndaluarit.

Shtetasi grek 49-vjeçar kishte rolin ekskluziv të “shitësit” të drogës. Çdo ditë, ai qëndronte pothuajse gjithë ditën në pikën e trafikimit të drogës të caktuar nga organizata, ndërsa ua dorëzonte shumat e parave që kishte marrë nga droga e trafikuar anëtarëve të tjerë të organizatës. Furnizimi bëhej nga drejtuesi shqiptar.

Për të verifikuar veprimet e tyre, një oficer policie nga Nëndrejtoria e Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimit në Athinë, duke u paraqitur si klient, shkoi në pikën e shitjes së drogës ku “shitësi” 49-vjeçar iu afrua dhe i ofroi një sasi të vogël kanabisi të papërpunuar në këmbim të shumës prej 10 eurosh.

Nga kontrollet në shtëpitë e katër të arrestuarve, u gjetën dhe u konfiskuan gjithsej gjashtë kilogramë e 26,6 kilogramë kanabis të papërpunuar, 24,5 gramë kokainë, shuma prej 24,595- eurosh, tetë telefona celularë, dy laptopë dhe një motoçikletë me dy rrota si mjet për lehtësimin e veprimit kriminal.

Kur debati publik shndërrohet në urrejtje: përballë agresionit ideologjik dhe intimidimit

Nga Nju Jorku, Marko Caka

Pas publikimit të artikullit tim të fundit në gazetën “Tema” mbi ngjarjet e rënda në SHBA dhe vrasjen e dy protestuesve amerikanë nga agjentë federalë të ICE, u përballa në faqen time në Facebook me një fenomen që, për çudi, nuk e kisha hasur më parë në këtë formë, as në 30 vite karrierë gazetarie.

“”
Mes komenteve u shfaq një profil me emrin Roz Marku. Përtej një identiteti virtual që shfaqej si “verior” dhe disa lidhjeve të deklaruara me kandidaturën e një shqiptari republikan në SHBA, asgjë tjetër nuk e lidhte realisht me Shqipërinë. Profili ishte pa foto personale, por i stolisur me imazhin e presidentit aktual amerikan, një adhurim që do t’ia kishte zili edhe Trump Jr. Nuk shkruante kurrë në shqip, gjë që lë të kuptohet se nuk e zotëron mirë gjuhën, por përgjigjet e mia të gjata dhe shpjeguese i kuptonte për mrekulli. Një paradoks tipik i arrogancës digjitale, që nuk flet gjuhën, por pretendon monopolin e së vërtetës.

Që në fillim, gjuha e tij ishte sulmuese, përjashtuese dhe fyese. Me këtë, fatkeqësisht, jemi mësuar në rrjetet sociale dhe nuk ka asnjë arsye të zbresim në batakun e injorancës. Ajo që më befasoi ishte akuza që e dëgjoja për herë të parë në jetën time, “komunist i vogël”. Si arriti në këtë përfundim Roz Marku i etiketimeve të shpejta, nuk u bë kurrë e qartë, pasi në artikullin tim nuk kishte asnjë tezë ideologjike, por vetëm fakte dhe dëshmi mbi vrasjen e dy protestuesve amerikanë nga agjentë federalë të ICE. Gjithmonë në mendjet e sëmura, kur mungon argumenti, shpiket armiku.

Më vjen keq që komunizmi ka lënë pasoja të rënda te shumë njerëz. Unë pata fatin që ky sistem monstruoz të mos më përfshinte drejtpërdrejt, për shkak të moshës së re. Por im atë nuk i shpëtoi dot kësaj makinerie represive, nga kuadër me shkollë të lartë u degradua në kooperativist bujqësie, për shkak të një dajë të tij të vrarë nga njësitet e krijuara për përndjekjen e antikomunistëve. Pikërisht për këtë arsye jam betuar që kurrë të mos i shërbej jo vetëm asaj mostre, por asnjë pjelle ideologjike që mbart të njëjtën logjikë shtypjeje.

Në vitet e mia të punës si gazetar në Greqi, nëse Roz Marku jetoi, siç pretendon ai, me dhimbjen e pasojave të një sistemi, unë jetova me dhimbjet reale të emigrantëve shqiptarë, me dhunën, torturat, diskriminimin dhe poshtërimin e tyre, të dokumentuara me fakte dhe dëshmi në faqet e gazetave shqiptare. Kjo është diferenca mes përvojës reale dhe retorikës boshe.

Nga gjithë ajo që shkruante në një anglishte të varfër, një gjë u bë e qartë se Roz Marku është një trumpist i bindur. Kjo është e drejta e tij dhe nuk vihet në diskutim. Çdokush ka të drejtë të besojë te lideri i vet politik, madje edhe ta shndërrojë atë në figurë shpirtërore. Po të ishte për këtë arsyeja, unë nuk do të kisha shkruar asnjë rresht.

Ajo që binte në sy ishte sjellja kërcënuese, gjuha përjashtuese dhe bindja se kush nuk mendon si ai duhet etiketuar, diskredituar dhe dëbuar simbolikisht. Në thelb, ajo që shfaqej ishte një mendësi autoritare, me tipare fashiste, e maskuar pas termit të rehatshëm “antikomunist”. Të deklarohesh antikomunist është gjëja më e lehtë në botë, sepse është përgjigjja standarde që jep çdo i huaj në një intervistë emigracioni në SHBA. Pyetja e vërtetë është pse kjo kërkesë morale vlen vetëm për komunizmin dhe jo edhe për dy ideologjitë e tjera monstruoze që ka njohur njerëzimi, për fashizmin dhe nazizmin.

Shkrimi im kishte për qëllim të hapte debat, jo të prodhonte linçim. Reagimi i këtij komentuesi, i vetëshpallur si mbrojtës i së vërtetës absolute, e ktheu diskutimin në një përplasje të dhunshme verbale dhe ideologjike. Ishte një shembull tipik se si diskursi publik rrëshqet nga argumenti te fyerja dhe nga mendimi ndryshe te urrejtja e organizuar.

Në vend të kundërargumenteve, u përdorën etiketime ideologjike, akuza kolektive dhe sulme personale. M’u atribuuan bindje, prejardhje dhe histori familjare që nuk i njeh dhe që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin. U përfshi feja, u manipulua historia dhe u hodh baltë mbi familje, krahina dhe komunitete të tëra. Kjo nuk është kritikë, por është përpjekje për delegjitimim. Kur mungojnë faktet, shpiket faji. Kur mungon arsyeja, ngrihet zëri.

Ky model reagimi nuk është i ri. Ai bart tiparet e mendësive totalitare që pretendojnë se zotërojnë të vërtetën absolute dhe e shohin mendimin ndryshe si kërcënim. Në këtë logjikë, fjala e lirë tolerohet vetëm kur përputhet me bindjet e tyre, ose përndryshe kërkohet heshtja, përjashtimi ose poshtërimi publik.

Madje Roz Marku arriti deri aty sa të tentonte të më intimidonte, duke më kërcënuar me dëbim nga Amerika e lirive dhe duke sharë vendin e origjinës sime, ndërkohë që tek ai nuk vihej re asnjë ndjesi përgjegjësie apo empatie. Se ku e gjen këtë forcë të brutalitetit, duke menduar të njëjtën gjuhë që përdornin diktaturat, ku ushtarët besnikë të partisë kryqëzonin qytetarët dhe i dërgonin në internime, deri në qelitë e ftohta të minierave të Spaçit.

Në mënyrë të papranueshme, në këtë debat ai përfshiu edhe fenë. Ajo që për miliona njerëz është burim paqeje dhe morali u përdor si mjet përçarjeje. Madje edhe emri im, për shkak të konotacionit fetar, u devijua sipas logjikës së vjetër totalitare. Vetëm me demokracinë ai mori sërish emrin e babait të gjyshes sime të persekutuar, pra emrin e babait të dajës së vrarë. Por historia, sipas Roz-it, u deformua për të ndërtuar narrativa faji kolektiv, një qasje e rrezikshme dhe thellësisht e padrejtë ndaj atyre që kanë vuajtur realisht nga regjimet dhe ekstremizmat e së shkuarës.

Debati publik kërkon përgjegjësi. Kritika është e shëndetshme, por fyerja nuk është. Kundërshtimi është i domosdoshëm, por dehumanizimi jo. Një shoqëri demokratike matet nga aftësia për të përballuar mendime të kundërta pa rrëshqitur në gjuhë urrejtjeje.

Komuniteti që kam ndërtuar ndër vite në rrjetet sociale, për gati dy dekada, është ngritur mbi respektin, dialogun dhe dinjitetin. Ai nuk është hapësirë për linçime, shpifje apo projeksione të frustrimeve personale. Heshtja, kur fjala shndërrohet në helm, është shpesh forma më e lartë e përgjigjes. Jo çdo provokim meriton podium.

Ky shkrim i imi nuk është thirrje për censurë, por për reflektim. Fjala e lirë është themel i shoqërisë sonë, por ajo vjen gjithmonë me përgjegjësi. Pa të, debati shndërrohet në zhurmë dhe liria në kaos.

Shiste kokainë në qendrat tregtare, arrestohet shqiptari! Gjykata e dënon në kohë rekord

Një shqiptar është arrestuar nga patrullat policore në Itali teksa bënte tregti kokaine në zona të frekuentuara dhe kryesisht në qendrat tregtare.

Objektiv i aksionit të fundit ka qenë qendra tregtare “LE BEFANE”, në Rimini, ku i dyshuari shkonte shpesh me makinën e tij.

Mjeti u gjet pas kontrolleve në parkingun e një dyqani në atë zonë, me një të ri në bord, i cili, pasi doli, iu drejtua një makine tjetër, ku i dha shoferit një dozë narkotike të tipit kokainë.

Blerësi, një shtetas italian, u ndalua nga oficerët e policisë dhe konfirmoi se e kishte blerë dozën nga shqiptari, duke raportuar se e njëjta gjë kishte ndodhur çdo javë për afërsisht dy vjet.

Pas një kontrolli fizik dhe në banesën e shqiptarit, u gjetën 13 doza kokainë me peshë 10 gramë dhe një shumë e konsiderueshme ne valutë, 4,600 euro cash, që u sekuestruan si prova.

I dyshuari u procedua me gjykim të shkurtuar pasi pranoi fajësinë dhe u dënua në kohë rekord me 8 muaj burgim nga gjykata, që iu kthye me kusht, si dhe një gjobë prej 2000 eurosh dhe një konfiskim prej 4000 eurosh.

Dyshohet se kanosi 2 persona, në kërkim i riu në Shijak. Policia i gjen municion luftarak në banesë

Policia e Durrësit ka shpallur në kërkim një 36-vjeçar i cili dyshohet se ka kanosur 2 persona për motive të dobëta.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L.I, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale municion luftarak, një mjet prerës (thikë) dhe dy radio policie.

Po punohet për kapjen e shtetasit L. I, si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Shkak një defekt i rëndë në linjat e tensionit të lartë, Ukraina dhe Moldavia goditen nga ndërprerje të energjisë

Pjesë të Ukrainës dhe Moldavisë, përfshirë kryeqytetet e të dy vendeve fqinje, u përballën me ndërprerje të energjisë elektrike të shtunën, si pasojë e një defekti në linjat e tensionit të lartë, njoftuan zyrtarët.

Rrjeti energjetik i Ukrainës është dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore ruse dhe furnizimi me energji ka qenë i kufizuar javët e fundit.

Rrjeti energjetik po përballet me presion të shtuar për shkak të rikthimit të motit të ftohtë këtë fundjavë. Rusia ka rënë dakord të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike deri më 1 shkurt, me kërkesë të presidentit amerikan Donald Trump, ndërsa Kievi ka deklaruar se do ta respektojë këtë marrëveshje. Palët nuk kanë raportuar sulme të mëdha gjatë kësaj periudhe.

Të paktën pesë rajone në Ukrainë dhe disa zona të Moldavisë u prekën nga ndërprerjet e energjisë, përfshirë Kievin dhe Kishinaun, pas defektit të regjistruar në orën 10:42 sipas kohës lokale në Kiev.

Metroja në Kiev pezulloi funksionimin, ndërsa furnizimi me ujë në qytet u ndërpre.

Zyrtarët në të dy vendet thanë se energjia elektrike filloi të rikthehej pjesërisht në orët e pasdites, pas përpjekjeve të shpejta për stabilizimin e rrjeteve të ndërlidhura.

Dhunuan një çift 55-vjeçarësh dhe i dëmtuan automjetin, procedohet 44-vjeçari, 2 të tjerë në kërkim

Prokuroria e Durrësit ka nisur procedimin penal për një 44-vjeçar i cili në bashkëpunim me 2 persona ka dhunuar me grushta një çift dhe i ka dëmtuar automjetin.

Sipas njoftimit të policisë, shtetasi me inicialet A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës së bashku me shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës, në datën 30 janar, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M., 47 vjeç.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasit A. Z., 44 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit S. Z., 46 vjeç, dhe V. R., 37 vjeç, të dy banues në lagjen nr. 14, Nishtulla, Durrës.

Nga hetimet ka rezultuar se më datë 30.01.2026, rreth orës 17:30, në lagjen nr. 14, Nishtulla, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë goditur me grushte shtetasit F. M., 55 vjeç, dhe L. M., 55 vjeçe, si dhe kanë dëmtuar automjetin tip “Ford Focus”, duke thyer xhamat e derës së shoferit dhe pasagjerit, në pronësi të shtetasit L. M., 47 vjeç.

Nga ana e Policisë është bërë shpallja në kërkim e shtetasve S. Z. dhe V. R., dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Ndahet nga jeta në moshën 82-vjeçare, aktori i njohur Fitim Makashi

Ka ndërruar jetë në moshën 82-vjeç, aktori i njohur Fitim Makashi, babai i këngëtarit Redon Makashi.

Fitim Makashi lindi më 10 prill 1944 në Gjirokastër. Në vitin 1963 nis studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë për aktor dhe ka mbaruar në 1967. Për një kohë të gjatë punon si pedagog në ILA dhe në të njëjtën kohë pati një angazhim të herë pas herëshme në Teatrin Popullor (sot TK); Zyrtarisht do të jetë viti 1978 kur do të emërohet aktor në këtë Teatër, vendi ku vazhdoj karrierën artistike si aktor për rreth 12 vjet, saktësisht deri nga mesi i viteve 90-të.

Gjatë kësaj kohe realizon një sërë rolesh që lanë gjurmë në skenën e teatrit, nga ku mund të kujtojmë rolin e Pedagogut në “Pas provimit të dytë” , Drejtori i fermës në “Ata që duhen”, roli i Benit tek “Vdekja e një komisioneri”, Bedriu tek “Dritat e skenës”, Telhai tek “Besa”, Filipoviç` tek shfaqja “Inspektori” që mbahet edhe si roli i fundit i tij në Teatër.

Fillimet në film i ka që në vitin 1967 me një rol episodik të një marinari në filmin “Dueli i heshtur”, duke vazhduar me filmat e tjerë si “Prita” (1968) “Njësiti gueril” (1969) “Ndërgjegja” (1972) “Rugicat që kërkonin diell” (1975) “Në fillim të verës” (1975) “Ilegalët” (1976) “Nga mesi i errësirës” (1978) “Intendenti” (1980) “Gjurmë në kaltërsi” (1981) “Tre njerëz me guna” (1985) “Shpella e piratëve” (1991) “Vdekja e kalit” (1992).

❌