Reading view

Pas 40 vitesh, kthen librin e vjedhur me një letër pendese dhe 100 dollarë

Një librari në Kaliforni ka përjetuar një surprizë të pazakontë, pasi ka marrë me postë një libër të vjedhur rreth 40 vjet më parë, të shoqëruar me një letër kërkimfaljeje dhe 100 dollarë.

Libraria Booklegger, në zonën Old Town Eureka, njoftoi se punonjësit gjetën në pako një kopje të librit The Unstrung Harp të autorit Edward Gorey.

Në letrën e bashkangjitur, dërguesi pranonte se e kishte vjedhur librin gjatë kohës kur ishte student.

Sipas tij, në atë periudhë përballej me varësi nga droga dhe alkooli dhe kishte vështirësi të mëdha financiare. Ai shkruante se më vonë kishte ndryshuar jetën, ndërsa së fundmi e kishte gjetur librin në një kuti të vjetër në garazhin e shtëpisë.


Për të shlyer gabimin e bërë dekada më parë, ai vendosi ta kthente librin dhe të dërgonte edhe 100 dollarë si shenjë pendese.

Rasti është bërë viral në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar gjestin si një dëshmi se, edhe pas shumë vitesh, ndërgjegjja mund ta shtyjë një njeri të pranojë gabimet dhe të kërkojë falje. / KultPlus.com

  •  

Dita ndërkombëtare e maceve, disa kuriozitete interesante rreth tyre 

Data 8 gusht është Dita Ndërkombëtare e një prej kafshëve shtëpiake më të dashura nga njerëzit, e maceve. Kjo ditë për herë të parë u shënua në vitin 2002 nga Fondi Ndërkombëtar për Mirëqenien e Kafshëve si dhe grupet e tjera për të drejtat e kafshëve, si një ditë e veçantë për të llastuar edhe më tepër një nga kafshët më të preferuara në botë.

Sipas studimeve, mbajtja e një mace përmirëson shëndetin mendor dhe lehtëson stresin, ankthin dhe depresionin.  Macja, në fakt, autonome dhe “me edukatë”, është kafsha perfekte për t’u mbajtur në ambiente banimi, edhe në qytet.

Nëse dëshironi ta pasuroni shtëpinë me një prej tyre, ja disa kuriozitete që ndoshta nuk i dinit ende:

*Puthja e maces: Është ajo shprehi që macja bën, me sytë e mbyllur ose gjysmë të mbyllur vazhdimisht, drejtuar padronit të saj. Do të thotë që ndjehet mirë dhe është e qetë.

*Orientimi: Macet janë të pajisura me një lloj GPS, që, ndryshe nga kafshët e tjera, i lejon ato të gjejnë përherë rrugën për në shtëpi.

*Të flenë: Në qoftë se mendoni se mërziten vetëm në shtëpi, mos u shqetësoni. Macet mund të flenë edhe 2/3 e ditës.

*Gërr gërret: Macja bën gërr gërr për të komunikuar një gjendje mirëqenieje, ndjehet mirë. E bëjnë që kur janë të sapolindur, për t’i komunikuar nënës që janë mirë. Ajo ia kthen me të njëjtën monedhë “ron ron”. Dhe nuk mbaron këtu: kjo mirëqenie mund t’u tregohet edhe humanëve, sipas veterinerit francez Jean-Yves Gauchet që mbështet ‘ron ron terapinë’ në Francë. Sipas tij, gërr gërret e maceve ndihmojnë për të ulur stresin dhe pagjumësinë, të ngjashme me një muzikë të caktuar.

*Tualeti: Dihet që macet janë kafshë shumë të pavarura. Sipas një eksperti të intervistuar nga Mother Nature Network, njeriu mund të arrijë akoma më shumë: mund të instruktojë macen e vetë për të përdorur wc-në dhe të tërheqë shkarkuesin. Provojeni për ta besuar!

*Hedhja për së larti: Macet hidhen lart 5 herë më shumë se gjatësia e tyre, në këtë mënyrë arrijnë 2,5 metra lartësi.

*Macja e zezë ndjellë fatkeqësi? Jo, përkundrazi!

*Të shohë në errësirë: Mund ta bëjë falë zinkut dhe proteinave që mbulon retinën dhe reflekton dritën si një pasqyrë.

*Klonimi: Nicky i vogël u lind në 2004 dhe ishte macja e parë që u klonua nga AND e e një Maine Coon-i të vdekur. Çdo gjë ka një çmim dhe padroni i maces të racës Maine Coon, për të qetësuar dhimbjen e braktisjes, pagoi 50 mijë dollarë./ KultPlus.com

  •  

Romani si ndërgjegje e shtetit: Sfida krijuese e Ahmet Prençit

ROMANI SI NDËRGJEGJE E SHTETIT: SFIDA KRIJUESE E AHMET PRENÇIT

Nga Luan Rama

Të njohësh një njeri përmes përgjegjësive që ka mbajtur në jetë dhe ta zbulosh më pas si shkrimtar, është një përvojë që të vendos përballë një prove të dyfishtë: të ndash figurën publike nga zëri krijues dhe të gjykosh letërsinë pa u ndikuar nga biografia.

Kjo ishte sfida ime në përballjen me veprën letrare të Ahmet Prençit.

E kisha njohur në një tjetër dimension: në kohën kur unë isha Ministër i Rendit Publik (kështu quhej atëherë Ministri i Brendshëm), ndërsa ai ishte oficer i ri i Policisë së Shtetit; një kohë kur fjala, vendimi dhe përgjegjësia kishin një peshë krejt tjetër nga ajo e letërsisë.

Prandaj, shfaqja e tij si shkrimtar dhe, për më tepër, në botën e romanit, nuk mund të mos ngjallte kureshtje, por edhe një rezervë të natyrshme.Rezerva ime nuk vinte nga mungesa e vlerësimit për rrugëtimin e tij profesional. Përkundrazi, pikërisht pasuria e atij rrugëtimi e bënte skepticizmin tim edhe më të madh.

Sepse midis jetës së jetuar dhe letërsisë së vërtetë ekziston një hapësirë që nuk mbushet nga kujtimet, funksionet apo njohja e drejtpërdrejtë e realitetit.

Ajo mbushet vetëm atëherë kur përvoja arrin të shndërrohet në art.

Duke qenë një lexues i vëmendshëm dhe selektiv i letërsisë, por edhe dëshmitar i një kohe kur shpesh dëshira për t’u quajtur shkrimtar i paraprin përpjekjes së vërtetë krijuese, nuk mund të mos e them se e prita me skepticizëm shfaqjen e Ahmet Prençit si romancier.

Dilema nuk ishte nëse ai kishte çfarë të tregonte.

Një jetë pranë mekanizmave të shtetit dhe të rendit prodhon padyshim shumë histori./ KultPlus.com

  •  

Anija e ëmbël që barti mbi 20 mijë shqiptarë drejt Barit të Italisë 

Emrin e mori “Anija e Ëmbël”, sepse, kjo anije solli sheqer në portin e Durrësit, ku më pas u mbulua nga mijëra shqiptarë që synonin kalimin e detit për në Bari të Italisë, në kërkim të një jete më të mirë, shkruan KultPlus. 

Thuhet se kapiten Halimi e ka drejtuar këtë anije drejt Barit të Italisë, pamje këto që patën vërshuar mediet e botës se si shqiptarët po e ‘hapnin’ portën pas rënies së komunizimit në Shqipëri. 

Shumë prej figurave të njohura shqiptare, që sot kanë ndërtuar karrierë në Itali kanë qenë pjesë e këtij udhëtimi, që me raste kanë ndarë përvojat e tyre për këtë udhëtim masiv.Ky udhëtim ndodhi 35 vjet më parë, dhe këto pamje mbeten si pamje që nuk harrohen, e për të cilën janë realizuar filma dhe instalacione të ndryshme. / KultPlus.com 

  •  

Dështoi mbi 5 mijë herë para se të bëhej miliarder

Historia e themeluesit të kompanisë tashmë shumëkombëshe Dyson Limited, një nga kompanitë kryesore të prodhimit të fshesave me korrent në botë, është një shembull i gjallë se si kur të vjen në mendje një ide e mirë, nuk duhet të heqësh dorë kurrë prej saj, pavarësisht vështirësive që lindin.

Një ide që kërkoi më shumë se pesë vjet eksperimentimi, mijëra dështime dhe një sërë refuzimesh përpara se të bëhej baza për një kompani me prani globale, e cila i fitoi atij një pasuri prej mbi 13 miliardë dollarësh. James Dyson lindi në vitin 1947 në Cromer të Anglisë, dhe u rrit në një familje që nuk merrej me industri.

Dysonit i janë dashur pesë vjet testimesh në laboratorin e tij në shtëpi. Ai krijoi 5,127 prototipa të ndryshëm përpara se të arrinte në një version funksional të fshesës së parë me korrent pa qese. Shumica e modeleve dështuan sepse nuk mund të ruanin fuqi thithëse konstante ose kishin probleme teknike.

Dyson përfundimisht themeloi kompaninë e tij dhe prezantoi modelin e parë, G-Force, në Japoni në vitin 1983. Zgjedhja e Japonisë nuk ishte e rastësishme. Ndryshimi i madh erdhi kur Dyson vendosi të mos priste më që kompanitë tradicionale të përvetësonin teknologjinë e tij. Në vitin 1993, ai themeloi Dyson Ltd në Mbretërinë e Bashkuar dhe lançoi Dyson DC01. Fshesa e re me korrent u bë shpejt një sukses, pasi konsumatorët panë ndryshimin në performancë./ KultPlus.com

  •  

“Michael 2”, xhirimet pritet të nisin së shpejti

Biopic-u “Michael”, tashmë i disponueshëm në disa platforma, përfshirë Prime Video, pati një sukses të jashtëzakonshëm në kinema, duke arkëtuar mbi një miliard dollarë në mbarë botën.

Prandaj nuk është aspak surprizë që, siç paralajmëruan edhe titrat përfundimtarë të filmit të parë, po përgatitet një kapitull i dytë mbi jetën e Michael Jackson-it, i interpretuar në ekran nga nipi i tij i vërtetë, Jaafar Jackson.

Produksioni i vazhdimit pritet të nisë në fund të këtij viti ose, më së voni, në fillim të vitit 2027. Filmi më pas mund të mbërrijë në kinematë e gjithë botës gjatë gjysmës së parë të vitit 2028.

Për çfarë do të flasë “Michael 2”?
Me shumë gjasa, filmi do ta rifillojë rrëfimin aty ku u ndërpre pjesa e parë, pra rreth periudhës së albumit “Bad” të vitit 1987.

Filmi i parë përshkroi rrugëtimin e ikonës së muzikës që nga fillimet me Jackson 5, deri te karriera solo dhe suksesi i jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Mendohet se vazhdimi mund të mbërrijë deri te albumi “Dangerous”, por ende nuk dihet nëse do të trajtohen apo jo akuzat për abuzim seksual që janë ngritur ndaj këngëtarit ndër vite.

Sipas disa raportimeve, kjo pjesë ishte hequr nga filmi i parë për shkak të disa klauzolave të përfshira në marrëveshjet e konfidencialitetit, veçanërisht në lidhje me Jordan Chandler, personi i parë që ngriti akuza ndaj Jackson-it dhe që, sipas marrëveshjeve, nuk duhej të përmendej në një projekt fiksional.

Shumë material i xhiruar do të përdoret në vazhdim
Një gjë është e sigurt: një pjesë e konsiderueshme e materialit të xhiruar për filmin e parë, rreth 25 deri në 30 për qind, nuk u përfshi në montazhin përfundimtar.

Për këtë arsye, ka shumë të ngjarë që ai të përdoret në pjesën e dytë.

Këtë e konfirmoi edhe Adam Fogelson, drejtues i Lionsgate.

“Ne kemi një numër të caktuar sekuencash, veçanërisht disa numra të mëdhenj muzikorë që i kishim xhiruar më herët dhe jam i bindur se do të përfshihen në filmin e dytë”, deklaroi ai.

“Por mbi të gjitha duhet të përqendrohemi te realizimi i vazhdimit më të madh të mundshëm me koston e duhur. Kjo është ajo që publiku dëshiron dhe meriton pas eksperiencës që i dhamë me filmin e parë.”

Për momentin, pra, produksioni nuk ka hyrë ende në detaje konkrete mbi buxhetin, por po përcakton drejtimin dhe ambicien e projektit.

Jaafar Jackson drejt Hollywood-it
Ndërkohë, suksesi i “Michael” i ka hapur dyert e Hollywood-it Jaafar Jackson-it.

Në projektin e tij të ardhshëm, “Supermax”, që do të publikohet në Prime Video, aktori dhe këngëtari do të luajë përkrah Will Smith.

Filmi është një thriller aksion me në qendër dy agjentë të FBI-së, të cilët përballen me një hetim të ndërlikuar mbi një vrasje të ndodhur në një burg të sigurisë së lartë.

Kështu, ndërsa “Michael 2” përgatitet të rikthejë historinë e Mbretit të Pop-it në ekran, Jaafar Jackson duket se po ndërton paralelisht edhe një karrierë të tijën në Hollywood./ KultPlus.com

  •  

Programi kulturor i AfD-së në Gjermani ngjall reagime të forta në botën e artit

Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), ka paraqitur një program të ri kulturor që ka nxitur reagime të forta nga artistë dhe institucione kulturore në landin Saksonia-Anhalt.

Sipas propozimeve të partisë, artistët dhe institucionet që kërkojnë financim publik do të duhet të nënshkruajnë një deklaratë ku zotohen se nuk do të “përçmojnë Gjermaninë dhe kulturën e saj”. Kritikët paralajmërojnë se një politikë e tillë mund të cenojë lirinë artistike dhe të ndikojë në mënyrën se si krijohet dhe financohet arti.

Në qendër të debatit është edhe Bauhaus, shkolla ikonike gjermane e artit dhe arkitekturës e themeluar në vitin 1919. AfD e ka kritikuar këtë trashëgimi kulturore duke e cilësuar si tepër “moderniste” dhe “globale”, ndërsa kërkon një qasje më të orientuar drejt elementeve tradicionale kombëtare.

Barbara Steiner, drejtoreshë e Fondacionit Bauhaus në Dessau, ka thënë se kritikat ndaj kësaj shkolle ngjajnë me ato të periudhës së viteve 1930, kur idetë avangarde të Bauhaus u cilësuan nga nazistët si “jo gjermane”.

Edhe drejtues të muzeve, teatrove dhe institucioneve të tjera kulturore kanë shprehur shqetësim për pasojat që mund të sjellë një përkufizim politik i kulturës. Sipas tyre, arti nuk duhet të kufizohet nga kritere kombëtare apo ideologjike.

Debati është zgjeruar edhe te mënyra se si Gjermania trajton kujtesën historike, veçanërisht përballjen me krimet naziste. Kritikët e AfD-së thonë se qëndrimet e partisë mund të dobësojnë kulturën e kujtesës dhe reflektimin mbi të kaluarën.

Ndërkohë, institucionet kulturore kanë bërë thirrje për mbrojtjen e pavarësisë artistike, duke paralajmëruar se ndërhyrja politike në kulturë mund të ketë pasoja afatgjata për skenën artistike gjermane./KultPlus.com

  •  

50 vepra nga thesari i Galerisë së Arteve në Shkodër hapen për publiku

Galeria e Arteve në Shkodër ka çelur ekspozitën e përvitshme me vepra nga fondi i saj artistik, duke sjellë për publikun rreth 50 krijime të autorëve të njohur të artit pamor shqiptar.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri në muajin shtator, përfshin edhe vepra që prezantohen për herë të parë para vizitorëve. Përzgjedhja këtë herë fokusohet te lirika kreative, me punime që i përkasin periudhës nga vitet ’60 deri në vitet ’80 dhe përfaqësojnë zhvillimet e artit pamor shqiptar ndër vite.

Hapja e kësaj ekspozite synon të sjellë më pranë publikut pasurinë e fondit të Galerisë së Arteve në Shkodër dhe të promovojë trashëgiminë artistike të qytetit, veçanërisht gjatë sezonit turistik kur numri i vizitorëve vendas dhe të huaj rritet.

Ekspozita është pjesë e kalendarit artistik të galerisë, e cila gjatë këtij viti ka organizuar një sërë aktivitetesh dhe ekspozitash kushtuar artit pamor./KultPlus.com

  •  

Ministrja Saranda Bogujevci ndan fotografi nga DokuFesti dhe uron ekipin për edicionin jubilar

Ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka ndarë disa fotografi nga pjesëmarrja e saj në DokuFest, teksa ka uruar edicionin jubilar të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bogujevci ka vlerësuar rolin e DokuFestit në zhvillimin e kulturës dhe kinemasë dokumentare.

“Për 25 vjet me radhë, DokuFest e ka kthyer Prizrenin në kryeqendrën e filmit dokumentar. Një festival që është rritur bashkë me qytetin dhe që sot është ndër ngjarjet kulturore më të rëndësishme në vend e më gjerë. Edicioni jubilar nis me 104 filma në garë dhe një program që për nëntë ditë do ta mbushë Prizrenin me publik, autorë e mysafirë nga vende të ndryshme të botës. Urime ekipit të DokuFest për këtë përvjetor të rëndësishëm dhe suksese për një tjetër edicion që do t’i japë edhe më shumë jetë qytetit,” u shpreh ajo në postimin e saj.

Ministrja ka shoqëruar postimin e saj edhe me disa fotografi nga qëndrimi i saj në Prizren gjatë ditëve të festivalit, duke sjellë momente nga atmosfera e DokuFestit dhe aktivitetet e organizuara në kuadër të edicionit jubilar./KultPlus.com

  •  

Portretet e Renoirit që ruajtën kujtesën e një Parisi të humbur

Në një cep të heshtur të një muzeu, dy vajza të vogla vazhdojnë të buzëqeshin siç kanë bërë për më shumë se një shekull. Fustanet e tyre elegante, ngjyrat e buta dhe drita karakteristike e Renoirit nuk tregojnë vetëm bukurinë e një momenti, ato ruajnë kujtesën e një bote të tërë.

Me penelin e tij, Pierre-Auguste Renoir kapi shpirtin e Parisit të Belle Époque-s: një epokë ku arti, moda dhe kultura u shndërruan në simbol të një qyteti që kërkonte të modernizohej dhe të shkëlqente.

Por pas këtyre kanavacave fshihet edhe një histori më e thellë, ajo e njerëzve që u bënë pjesë e artit, por edhe e ndryshimeve të mëdha që tronditën Evropën. Një prej tyre është Alice dhe Elisabeth Cahen d’Anvers (Rozë dhe Blu), piktura e vitit 1881 që paraqet dy vajza të vogla nga një familje e njohur parisiene. Përtej bukurisë së saj vizuale, vepra ruan brenda saj një histori për artin, shoqërinë dhe mënyrën se si një pikturë mund të bëhet kujtesë e një kohe të kaluar.

Renoiri ishte një nga figurat kryesore të impresionizmit, një lëvizje artistike që kërkonte të kapte momentin, dritën dhe emocionin përmes ngjyrave të gjalla dhe brushave më të lira. Ndryshe nga portretet tradicionale që synonin vetëm të tregonin statusin e një personi, Renoiri përpiqej të sillte në kanavacë atmosferën, karakterin dhe ndjesinë e një çasti. Në portretet e familjes Cahen d’Anvers, ai nuk paraqiti vetëm fëmijë të veshur me rrobat elegante të kohës, por krijoi një pamje të plotë të botës së Belle Époque. Fustanet, teksturat e pëlhurave, qëndrimet e personazheve dhe përdorimi i dritës tregojnë një shoqëri ku moda dhe arti ishin pjesë e rëndësishme e identitetit kulturor.

Familjet që shfaqen në këto portrete kishin gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin e artit impresionist. Koleksionistë dhe patronë të artit mbështetën artistët në një periudhë kur shumë prej tyre ende nuk ishin pranuar plotësisht nga institucionet tradicionale. Përmes porosive dhe koleksioneve të tyre, ata ndihmuan që emra si Renoiri të fitonin hapësirë në skenën ndërkombëtare. Një tjetër portret i famshëm i Renoirit është Irène Cahen d’Anvers, ku vajza e vogël shfaqet me një fjongo blu në flokë, përballë një sfondi të gjelbër të dendur. Vepra është bërë një nga imazhet më të njohura të impresionizmit dhe tregon aftësinë e Renoirit për të kombinuar elegancën me një ndjesi delikate njerëzore.

Por këto piktura mbartin edhe një shtresë tjetër kujtese. Me kalimin e kohës, historia e familjeve të paraqitura në to u prek nga ngjarjet tragjike të shekullit XX. Përndjekja ndaj hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore ndryshoi fatin e shumë prej këtyre familjeve dhe e ktheu artin e mbetur pas tyre në dëshmi të një bote që u zhduk. Sot, këto vepra nuk shihen vetëm si shembuj të mjeshtërisë së Renoirit, por edhe si dritare drejt një epoke të kaluar. Ato na tregojnë mënyrën se si njerëzit jetonin, si visheshin, si ndërtohej kultura artistike dhe si një moment i vetëm i kapur në kanavacë mund të ruajë historinë e një brezi të tërë.

Në fund, fuqia e këtyre portreteve qëndron pikërisht aty: ato nuk janë thjesht imazhe të bukurisë, por kujtime të gjalla të një bote ku arti u bë mënyra më e fortë për të ruajtur atë që koha rrezikonte ta fshinte./KultPlus.com

  •  

RTSH hap aplikimet për Festivalin e 65-të të Këngës

Radio Televizioni Shqiptar ka hapur zyrtarisht aplikimet për edicionin e 65-të të Festivalit të Këngës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të muzikës së lehtë shqiptare, i cili do të zhvillohet në dhjetor.

Përmes një njoftimi zyrtar, RTSH u ka bërë thirrje kompozitorëve, autorëve dhe interpretuesve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora që të paraqesin krijimet e tyre për të qenë pjesë e këtij edicioni.

Sipas rregullores së festivalit, këngët konkurruese duhet të jenë vepra origjinale dhe të papublikuara më parë në asnjë platformë. Organizatorët kanë vendosur gjithashtu kufizime të qarta për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në krijimin dhe prodhimin e këngëve pjesëmarrëse, me qëllim ruajtjen e autorësisë dhe krijimtarisë artistike njerëzore.

Aplikimet do të jenë të hapura për një periudhë pesëditore, nga 22 deri më 27 shtator. Artistët e interesuar mund të dorëzojnë materialet e tyre online përmes formularit të publikuar në platformën zyrtare të Festivalit të Këngës.

RTSH ka ftuar të gjithë krijuesit që të njihen me kriteret e plota të konkurrimit përpara aplikimit, ndërsa u ka uruar sukses artistëve që do të marrin pjesë në këtë edicion të ri të festivalit./KultPlus.com

  •  

Tre transmetues publikë bashkojnë forcat në Ulqin, Zana Spahiu vlerëson hapin e ri

Në Ulqin është hapur studioja e re e përbashkët e tre transmetuesve publikë, duke shënuar një hap të ri në bashkëpunimin mediatik mes Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Studioja do të funksionojë në bashkëpunim mes Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) dhe Radio Televizionit të Malit të Zi (RTCG), me synim krijimin e më shumë mundësive për raportim të përbashkët dhe shkëmbim të përmbajtjeve mediatike. Gjatë hapjes së kësaj hapësire, drejtoresha e Përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, tha se kjo studio përfaqëson më shumë se një vend të ri pune.

“Kjo zyrë është shumë më tepër sesa një hapësirë e re, simbol i përkushtimit të përbashkët për të përforcuar bashkëpunimin ndërmjet nesh”, deklaroi Spahiu.

Sipas saj, ky bashkëpunim synon të forcojë lidhjet ndërmjet transmetuesve publikë dhe të krijojë një platformë të përbashkët për pasqyrimin e ngjarjeve dhe historive nga rajoni.

Hapja e studios në Ulqin vlerësohet si një mundësi e re për të afruar institucionet publike të medias dhe për të zgjeruar bashkëpunimin profesional ndërmjet gazetarëve dhe ekipeve mediatike të tre vendeve./KultPlus.com

  •  

Abdullah Ibrahim, Pianisti minimalist që e ktheu muzikën në zë të rezistencës

Abdullah Ibrahim mbetet një nga figurat më të rëndësishme të xhazit afrikan, një pianist që përmes tingujve të tij tregoi historinë e një vendi të ndarë nga aparteidi dhe e shndërroi muzikën në një formë kujtese, identiteti dhe rezistence.

I lindur si Johannes Brand në Cape Town në vitin 1934, ai u rrit në një shoqëri ku regjimi i aparteidit kufizonte mundësitë e njerëzve me ngjyrë. Edhe pse tregoi talent të jashtëzakonshëm që në fëmijëri, rruga e tij drejt arsimit muzikor u pengua nga politikat diskriminuese të kohës. Për të mbijetuar, ai nisi të luante në grupe muzikore lokale, ndërsa në vitet ’50 zbuloi pasionin e tij për xhazin amerikan, veçanërisht për stilin bebop.

Së bashku me trumpetistin Hugh Masekela, ai themeloi grupin Jazz Epistles, një prej formacioneve të para që ndërthuri ritmet e xhazit me tingujt e komuniteteve urbane të Afrikës së Jugut. Muzika e tyre pasqyronte realitetin e një brezi që jetonte nën presionin e segregacionit dhe padrejtësisë.

Në vitin 1961, për shkak të përkeqësimit të situatës politike në Afrikën e Jugut, Ibrahim u largua nga vendi. U vendos fillimisht në Evropë, ku ndërtoi një karrierë ndërkombëtare dhe u afrua me figura të mëdha të xhazit. Takimi me Duke Ellington në Paris ishte një moment vendimtar për karrierën e tij, ndërsa albumi Duke Ellington Presents the Dollar Brand Trio i vitit 1963 e prezantoi atë para një audience më të gjerë.

Në vitin 1968, ai u konvertua në Islam dhe më vonë mori emrin Abdullah Ibrahim. Megjithatë, rrënjët e tij muzikore mbetën gjithmonë të lidhura me Afrikën e Jugut dhe me ndikimet shpirtërore të fëmijërisë së tij.

Një nga veprat më të njohura të tij është Mannenberg, një kompozim i vitit 1974 i frymëzuar nga zhvendosjet e detyruara të komuniteteve gjatë aparteidit. Me kalimin e viteve, kjo pjesë u kthye në një simbol të lëvizjes kundër aparteidit dhe një himn të shpresës për shumë afrikano-jugorë.

Stili i Abdullah Ibrahim karakterizohej nga një elegancë e rrallë dhe një minimalizëm poetik. I ndikuar nga Thelonious Monk, ai krijoi një mënyrë të veçantë interpretimi ku thjeshtësia e notave shoqërohej me thellësi emocionale dhe me elemente të muzikës tradicionale afrikane.

Gjatë viteve ’70 dhe ’80, ai jetoi për një periudhë në Mynih, një nga qendrat më të rëndësishme të xhazit në Evropë, ku regjistroi disa prej albumeve të tij më të vlerësuara. Pas përfundimit të aparteidit, në vitin 1990, ai u kthye në Afrikën e Jugut për të performuar në një periudhë historike të ndryshimeve politike.

Abdullah Ibrahim ndërroi jetë në moshën 91-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në muzikën botërore. Ai nuk ishte vetëm një pianist i madh, por edhe një artist që tregoi përmes muzikës se kultura mund të jetë një mjet për të ruajtur kujtesën dhe për të luftuar padrejtësinë.

Trashëgimia e tij vazhdon të jetojë përmes tingujve që bashkojnë xhazin, historinë dhe shpirtin e Afrikës së Jugut./Kultplus.com

  •  

Less Than Zero: Një kapsulë e gjallë e tepricave dhe stilit të viteve ’80

Më shumë se katër dekada pas publikimit të romanit debutues të Bret Easton Ellis, Less Than Zero vazhdon të mbetet një nga portretizimet më të fuqishme të një epoke të ndërtuar mbi luksin, konsumizmin dhe kërkimin e vazhdueshëm për dukje perfekte.

Historia e të rinjve Clay, Blair dhe Julian, e cila fillimisht u shfaq në faqet e romanit të vitit 1985, u përshtat për ekranin e madh në vitin 1987. Edhe pse filmi pati reagime të përziera në kohën e publikimit, sot ai shihet si një dokument vizual i stilit dhe kulturës së viteve ’80, një periudhë ku moda, fama dhe pasuria ishin pjesë e identitetit të një brezi të tërë.

Bota e krijuar nga Ellis është e mbushur me simbole të asaj kohe: xhaketa me shpatulla të mëdha, kravata të holla, syze të markave të njohura dhe emra luksozë që shfaqen pothuajse natyrshëm në jetën e personazheve. Nga Polo Ralph Lauren te Armani, Calvin Klein, Gucci dhe Ray-Ban Wayfarers, markat nuk janë thjesht elemente mode, por tregues të një shoqërie ku pamja dhe statusi kishin një rëndësi të jashtëzakonshme.

Ellis, i rritur në Los Anxhelos, ka eksploruar vazhdimisht marrëdhënien mes njerëzve, konsumizmit dhe obsesionit amerikan për imazhin. Përmes një mënyre të ftohtë dhe të distancuar rrëfimi, ai paraqet një brez që mat vlerën e vetes përmes asaj që posedon dhe mënyrës se si shihet nga të tjerët.

Në Less Than Zero, për personazhin Clay, këto etiketa ishin një mënyrë e thjeshtë për të dalluar se çfarë ishte “në modë” dhe çfarë jo. Por për Ellis, përshkrimi i detajuar i veshjeve dhe zakoneve të luksit u kthye më vonë në një mjet artistik që do ta çonte më tej në veprën e tij më të njohur, American Psycho.

Përmes personazheve të tij, Ellis nuk tregon vetëm një histori për pasurinë dhe privilegjin, por edhe boshllëkun që shpesh fshihet pas një jete të ndërtuar mbi dukjen. Less Than Zero mbetet një kujtesë e një dekade ku moda ishte deklaratë identiteti, ndërsa konsumizmi u kthye në një mënyrë për të përcaktuar vendin e njeriut në shoqëri.

Sot, filmi vazhdon të rikthehet si një kapsulë kohore e viteve ’80, një periudhë me shkëlqim të jashtëm, por edhe me një ndjenjë të thellë zbrazëtie që Ellis e ka kapur më mirë se shumë autorë të tjerë./Kultplus.com

  •  

Richard Gere dhe Diana Silvers vazhdojnë xhirimet e “Asymmetry”, publikohen pamje të reja nga seti

Aktori i njohur Richard Gere dhe aktorja 28-vjeçare Diana Silvers janë rikthyer në xhirimet e filmit të ri “Asymmetry” në New York, ku këtë herë janë parë duke realizuar një skenë më të ëmbël mes personazheve të tyre.

Sipas fotove të publikuara nga Page Six, Gere dhe Silvers janë fotografuar në një park, të ulur në një stol duke ndarë një akullore gjatë xhirimeve të filmit.

Richard Gere, 76 vjeç, ishte veshur me një këmishë me kopsa, pantallona gri dhe këpucë kafe, ndërsa Diana Silvers kishte zgjedhur një bluzë të kuqe me mëngë të gjata, një fund ngjyrë bezhë dhe taka të zeza, duke e kompletuar pamjen me një shirit në flokë dhe një çantë të zezë.

Kjo nuk është hera e parë që dy aktorët janë fotografuar duke realizuar skena të afërta në set. Javë më parë, ata u panë duke interpretuar një moment bisede të thellë në një stol parku, ndërsa në një tjetër skenë personazhet e tyre shfaqeshin duke ecur dorë për dore nëpër rrugët e qytetit.

Në një tjetër moment të xhiruar, Gere shihej duke e afruar Silvers me krahun rreth belit, ndërsa ajo mbështeste krahun mbi shpatullat e tij.

Filmi “Asymmetry” është një përshtatje e romanit të njohur të Lisa Halliday, botuar në vitin 2018. Historia fokusohet te Alice, një redaktore e re amerikane, dhe marrëdhënia e saj me shkrimtarin e famshëm Ezra Blazer, një burrë shumë më i madh në moshë, në New York gjatë viteve të para të luftës në Irak. Në film, Richard Gere interpreton rolin e Ezra-s, një autor 70-vjeçar, ndërsa Diana Silvers luan Alice, asistenten editoriale që takohet me të në Central Park.

Regjisori dhe producenti i filmit është fituesi i çmimit Oscar, Edward Zwick, i cili ka bashkëpunuar në skenar me Lisa Halliday dhe Marshall Herskovitz. Në jetën private, Richard Gere ka pasur gjithashtu një lidhje me diferencë moshe. Ai është i martuar me Alejandra Silva, 43 vjeçe, që nga viti 2018. Çifti ka dy djem, Alexander, 7 vjeç, dhe James, 6 vjeç.

Familja e Gere u zhvendos në Spanjë, vendlindjen e Silva-s, në vitin 2024, ndërsa pak para fillimit të xhirimeve të “Asymmetry”, ata u kthyen në SHBA për të kaluar festën e 4 korrikut në New York. Filmi ende nuk ka një datë zyrtare të publikimit./Kultplus.com

  •  

Sonte hapet zyrtarisht DokuFest 2026, edicioni jubilar nis me filmin “PHENOMENA”

Prizreni do të mirëpresë sonte, më 7 gusht, hapjen zyrtare të edicionit të 25-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest. Festivali, i cili do të zhvillohet nga 7 deri më 15 gusht, do të sjellë para publikut një program të pasur me 223 filma, si dhe aktivitete të shumta kulturore dhe artistike.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në orën 20:30 në Kino Lumi, ku publiku do të ketë mundësinë të ndjekë shfaqjen e filmit “PHENOMENA”, me regji të Joseph Gatti, i përzgjedhur për të çelur zyrtarisht edicionin jubilar të festivalit.

Sipas organizatorëve, përzgjedhja e filmit hapës është një kombinim mes një vendimi të natyrshëm dhe një zgjedhjeje të qëllimshme. “PHENOMENA” eksploron mënyrën se si është ndërtuar universi, duke ndërthurur artin dhe shkencën në një udhëtim audiovizual që nxit kureshtjen dhe reflektimin mbi botën që na rrethon.

I realizuar tërësisht në kamerë, pa përdorimin e efekteve vizuale, filmi shquhet për imazhet e tij mbresëlënëse dhe kolonën zanore të kompozuar nga Nils Frahm dhe Rival Consoles. Duke lëvizur nga bota subatomike drejt asaj kozmike, ai eksploron forcat që formësojnë natyrën dhe lidhjen e njeriut me mrekullitë e universit.

Organizatorët vlerësojnë se, ashtu si vetë DokuFest, edhe “PHENOMENA” përqafon të papriturën, duke e bërë atë një zgjedhje të përshtatshme për hapjen e edicionit të 25-të të festivalit.

Edicioni i sivjetmë i DokuFest do të vazhdojë deri më 15 gusht, duke e shndërruar Prizrenin në një qendër të filmit dokumentar dhe të shkurtër, me shfaqje filmash, diskutime, ekspozita, punëtori dhe aktivitete të tjera që do të mbledhin autorë dhe dashamirës të kinemasë nga vende të ndryshme të botës./Kultplus.com

  •  

Hapet thirrja për organizata dhe biznese në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Rinisë

Ministria e Sportit dhe Rinisë, në bashkëpunim me Kartën Rinore Evropiane, ka hapur thirrjen për organizatat e shoqërisë civile, organizatat rinore, institucionet publike, bizneset dhe partnerët që punojnë ose ofrojnë mundësi për të rinjtë, për t’u bërë pjesë e aktivitetit që do të organizohet më 12 gusht 2026, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë.

Sipas njoftimit, aktiviteti synon të krijojë një hapësirë bashkëpunimi dhe informimi, ku të rinjtë do të kenë mundësi të njihen nga afër me programet, shërbimet dhe iniciativat që ofrohen për ta. Po ashtu, organizatat, institucionet dhe bizneset pjesëmarrëse do të kenë mundësinë të prezantojnë punën e tyre dhe të krijojnë lidhje të drejtpërdrejta me të rinjtë.

Thirrja u drejtohet të gjitha subjekteve që ofrojnë programe, projekte, trajnime, mundësi punësimi, praktike profesionale, vullnetarizëm, edukim, mobilitet apo iniciativa të tjera të dedikuara për të rinjtë. Ato ftohen të marrin pjesë me një stendë informuese, duke promovuar aktivitetet dhe shërbimet e tyre.

Aktiviteti do të mbahet më 12 gusht 2026, nga ora 10:00 deri në 12:00, në hapësirën para ndërtesës së Ministrisë së Sportit dhe Rinisë. Thirrjen e hapur dhe informacionet për aplikim i gjeni këtu.

  •  

Emrat që formësuan muzikën klasike ndër shekuj

Historia e muzikës klasike është e mbushur me emra që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën botërore. Përmes simfonive, operave, koncerteve dhe veprave për piano, këta kompozitorë jo vetëm që pasuruan repertorin muzikor, por ndryshuan mënyrën se si muzika krijohej, interpretohej dhe përjetohej.

Nga periudha baroke deri te romantizmi dhe impresionizmi, secili prej tyre solli një identitet artistik të veçantë. Johann Sebastian Bach vendosi standarde të reja në kompozim, Wolfgang Amadeus Mozart u shqua për talentin e tij të jashtëzakonshëm që në fëmijëri, ndërsa Ludwig van Beethoven hapi rrugën drejt një epoke të re muzikore, duke sfiduar kufijtë e kohës dhe të krijimtarisë.

Në mesin e emrave që konsiderohen më me ndikim janë edhe Joseph Haydn, i njohur për rolin e tij në zhvillimin e simfonisë dhe kuartetit me harqe, Frédéric Chopin, mjeshtër i muzikës për piano, Richard Wagner, që revolucionarizoi operën, Claude Debussy, i cili solli një qasje të re ndaj harmonisë, Johannes Brahms me krijimtarinë e tij romantike, Pyotr Ilyich Tchaikovsky me baletet që vazhdojnë të interpretohen në skenat më të mëdha të botës, si dhe Antonio Vivaldi, autor i ciklit të famshëm “Katër stinët”.

Edhe pse i përkisnin periudhave dhe shkollave të ndryshme muzikore, krijimtaria e tyre vazhdon të jetë pjesë e repertorit të orkestrave, operave dhe konservatorëve në mbarë botën. Veprat e tyre dëgjohen edhe sot me të njëjtin interes, duke dëshmuar se muzika klasike mbetet një nga format më të qëndrueshme dhe universale të artit.

Pavarësisht se studiuesit dhe kritikët vazhdojnë të debatojnë për renditjen e tyre, këta dhjetë kompozitorë konsiderohen ndër figurat që kanë ndikuar më së shumti në zhvillimin e muzikës perëndimore dhe vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë artistësh dhe dashamirësish të muzikës./Kultplus.com

  •  

Vepra e Tahir Emrës pjesë e ekspozitës “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”

Vepra “Në kolltuk” (1979) e piktorit Tahir Emra (1938–2024) është pjesë e ekspozitës “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, të kuruar nga Hana Halilaj.

Tahir Emra ishte një nga figurat pionere të artit modern në Kosovë. Përgjatë krijimtarisë së tij, ai zhvilloi një gjuhë artistike të veçantë, të dallueshme për përdorimin ekspresiv të ngjyrës, formave të stilizuara dhe kompozimeve që trajtojnë tema nga përditshmëria dhe përvoja njerëzore.

Përfshirja e veprës “Në kolltuk” në këtë ekspozitë sjell para publikut një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së artistit, duke rikthyer vëmendjen te kontributi i tij në zhvillimin e artit modern në Kosovë.

Ekspozita “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë” do të qëndrojë e hapur deri më 26 gusht 2026, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me veprat e artistëve të përfshirë./Kultplus.com

  •  

Nga “Widow’s Bay” te “The Pitt”, serialet më të mira televizive të vitit 2026 deri tani

Viti 2026 ka sjellë një varg produksionesh televizive që kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe kritikës, nga komeditë me elemente horror deri te dramat familjare, thrillerët, historitë e krimit dhe serialet që rikthejnë personazhe të njohura pas disa vitesh. Mes tyre, disa tituj kanë arritur të dallohen veçanërisht për mënyrën se si kanë trajtuar temat e tyre dhe për performancat e aktorëve.

Në mesin e serialeve më të vlerësuara deri tani renditet “Furious”, një thriller kriminal që e merr formulën klasike të ndjekjes së një vrasësi dhe e kthen në një histori më të errët. Emmy Rossum interpreton një agjente të FBI-së që përballet njëkohësisht me seksizmin institucional dhe pasojat e një marrëdhënieje abuzive, ndërsa historia e përfshin atë në ndjekjen e një vrasëseje seriale me një të kaluar të lidhur me trafikimin seksual dhe hakmarrjen ndaj njerëzve të pasur që kanë qenë pjesë e abuzimit.

Një prej surprizave të vitit është “Widow’s Bay”, komedia me elemente horror e Apple TV+, e cila është kthyer në një hit të papritur dhe ka marrë 19 nominime për Emmy. Matthew Rhys luan kryetarin e bashkisë së një qyteti ishullor në New England, i cili përpiqet ta shndërrojë vendin në destinacion turistik, pa besuar fillimisht në historinë e një shpirti të keq që thuhet se e përndjek qytetin. Seriali luan me klishetë e horrorit, por i kombinon ato me humor dhe personazhe të ndërtuar me kujdes.

Në listë është edhe sezoni i dytë i “Rivals, adaptimi i romaneve të Jilly Cooper. Seriali vijon të ndërthurë humorin, marrëdhëniet, klasën shoqërore dhe konfliktet familjare, duke ruajtur atmosferën e veçantë të botës së krijuar nga autorja britanike.

Pas tre vitesh mungesë, “Ted Lasso është rikthyer me sezonin e ri, duke ruajtur humorin dhe tonin pozitiv që e karakterizoi serialin. Historia tash zhvendoset te një ekip i ri futbolli për femra, ndërsa personazhet e njohura rikthehen në ekran me një tjetër kapitull.

Një tjetër produksion i spikatur është “DTF St Louis”, miniseriali i HBO-së që nis me një trekëndësh dashurie dhe një hetim për vrasje, por gradualisht shndërrohet në një histori më të thellë për vetminë, marrëdhëniet dhe anën e fshehtë të jetës suburbane amerikane. David Harbour, Linda Cardellini dhe Jason Bateman janë pjesë e kastit kryesor.

“The Other Bennet Sister” sjell një tjetër këndvështrim mbi universin e Jane Austen, duke e vendosur në qendër Mary Bennet, motrën e lënë në hije në “Pride and Prejudice”. Seriali ruan frymën e Austenit, ndërsa i jep personazhit një histori më vete, të zhvilluar përtej asaj që përshkruhet në romanin origjinal.

Në mesin e titujve të rinj është edhe Margot’s Got Money Troubles”, një komedi dramatike që trajton çështje si mëmësia, vështirësitë financiare dhe marrëdhëniet familjare. Elle Fanning udhëheq kastin, ndërsa Michelle Pfeiffer, Nick Offerman dhe Nicole Kidman janë ndër emrat e tjerë të njohur të produksionit.

Thrilleri “Maximum Pleasure Guaranteed” sjell Tatiana Maslany në rolin e një nëne të divorcuar që përfshihet në një situatë të rrezikshme pasi një punonjës seksi online me të cilin ajo kishte krijuar një marrëdhënie vritet. Historia ndërthur misterin, tensionin dhe portretin e një gruaje që përpiqet të rindërtojë jetën e saj.

Në listë është edhe “Alice and Steve”, një komedi e zezë mbi miqësinë dhe xhelozinë. Dy miq të ngushtë prej tri dekadash përfshihen në një konflikt kur Steve nis një lidhje me vajzën e Alice. Nicola Walker dhe Jemaine Clement sjellin në ekran një marrëdhënie që kalon nga miqësia te hakmarrja dhe sabotimi.

Seriali “Industry”, tashmë në sezonin e katërt, vazhdon të zgjerojë universin e tij përtej botës së bankave. Historia e të rinjve që dikur përpiqeshin të mbijetonin në një industri financiare brutale tani përfshin edhe politikën, median dhe elitën britanike.

Nga krijuesja e “Derry Girls”, Lisa McGee, vjen “How to Get to Heaven from Belfast”, një kombinim i komedisë, misterit dhe udhëtimit rrugor. Në qendër janë tri shoqe që kanë ruajtur miqësinë për dy dekada, pavarësisht se jeta e ka çuar secilën në një drejtim tjetër.

“The Beauty”, produksioni i Ryan Murphy, sjell një histori të trupit dhe bukurisë në një formë të pazakontë. Një ilaç që premton ta bëjë njeriun më të bukur fsheh një pasojë të tmerrshme, duke e kthyer serialin në një satirë të shoqërisë së fiksuar pas pamjes së jashtme.

Pas një pauze prej dhjetë vitesh, “The Night Manager” është rikthyer me Tom Hiddleston në rolin e Jonathan Pine. Sezoni i ri sjell një histori të re spiunazhi, të lidhur me trafikun e armëve, intrigat politike dhe korrupsionin brenda institucioneve britanike.

Një tjetër përshtatje e rëndësishme e vitit është “Lord of the Flies”, bazuar në romanin klasik të William Golding. Katër episodet e serialit e rrëfejnë historinë nga këndvështrime të ndryshme, duke e bërë më të thellë portretin e një grupi fëmijësh të izoluar në një ishull dhe të përballur me anën më të errët të natyrës njerëzore.

Në universin e “Game of Thrones” është rikthyer “A Knight of the Seven Kingdoms”, një prequel që zgjedh një ton më të lehtë dhe më humoristik. Në qendër është Ser Duncan, një kalorës me status të ulët, dhe shoqëruesi i tij i ri Egg, ndërsa historia zhvillohet në botën e njohur të Westerosit.

“The Comeback”, me Lisa Kudrow, rikthehet gjithashtu me sezonin e tretë, duke vazhduar historinë e aktores Valerie Cherish dhe përpjekjen e saj për të mbetur relevante në Hollywood. Këtë herë seriali prek edhe ndikimin e inteligjencës artificiale në industrinë e filmit dhe televizionit.

Steve Carell kryeson kastin e “Rooster”, një komedi që ndjek një shkrimtar romanesh i cili përfundon duke dhënë mësim në një kolegj dhe përfshihet në jetën e komplikuar profesionale e personale të vajzës së tij.

Bait”, Riz Ahmed luan një aktor britaniko-pakistanez që merr një audicion për rolin e James Bondit dhe më pas përfshihet në një vorbull mediatike. Seriali trajton përfaqësimin, identitetin dhe mënyrën se si industria e argëtimit përballet me ndryshimin kulturor.

Në fund të listës është “The Pitt”, drama mjekësore që vijon të marrë vëmendje për mënyrën intensive se si portretizon jetën e stafit në një qendër traumatologjie në Pittsburgh. Seriali zhvillohet në kohë reale gjatë një turni 15-orësh dhe përqendrohet te presioni i vazhdueshëm, vendimet e vështira dhe historitë njerëzore që fshihen pas çdo pacienti.

Nga rikthimet e shumëpritura te historitë e reja që kanë ardhur pa shumë zhurmë, këta 19 tituj përbëjnë një prej panoramave më të larmishme televizive të vitit 2026 deri tani./Kultplus.com

  •  
❌