Reading view

Shuhet familja në Indi, kësti i Iphone i 19 vjeçarit solli fundin tragjik për 3 anëtarët

Një konflikt familjar që nisi pas një problemi me pagesën e një telefoni ka përfunduar në një tragjedi të rëndë në Maharashtra të Indisë, ku një 19-vjeçar dhe të dy prindërit e tij kanë humbur jetën.

Ngjarja kishte në qendër të saj Kunal Chandgude, i cili kishte blerë një iPhone me pagesë me këste. Sipas raportimeve, i riu kishte kërkuar ndihmë financiare nga babai i tij për të shlyer këstin e radhës, por përgjigjja negative solli një debat mes tyre.

Pas përplasjes, 19-vjeçari u largua nga banesa dhe shkoi në zonën e Khavdya Hill, duke u pozicionuar pranë një shkëmbi të lartë rreth 76 metra.

Kur mësuan se ku ndodhej djali, prindërit e tij, Murlidhar, 48 vjeç, dhe Sangita, shkuan menjëherë pas tij. Për disa orë ata qëndruan pranë të birit, duke u përpjekur ta bindnin të largohej nga skaji dhe të kthehej në shtëpi.

Në përpjekje për të parandaluar më të keqen, në situatë ndërhynë edhe persona të tjerë që ndodheshin aty. Sipas raportimeve, disa prej tyre i premtuan të riut se do ta ndihmonin edhe me paratë për telefonin, në mënyrë që ai të largohej nga vendi i rrezikshëm.

Por përpjekjet nuk mjaftuan.

Në një moment, babai iu afrua djalit për ta shpëtuar. Kunal humbi ekuilibrin dhe ra nga shkëmbi, ndërsa babai, duke tentuar ta kapte, përfundoi gjithashtu poshtë.

Pak më vonë, edhe nëna e 19-vjeçarit ra nga lartësia. Të tre anëtarët e familjes humbën jetën.

Megjithatë, pas ngjarjes, historia nisi të marrë një tjetër dimension. Rasti u përhap gjerësisht si një tragjedi e shkaktuar nga një këst i papaguar i iPhone-it, por të dhëna të tjera sugjerojnë se problemet e familjes dhe gjendja emocionale e të riut ishin shumë më të ndërlikuara.

Sipas raportimeve, Kunal kishte kaluar më herët një periudhë të vështirë psikologjike dhe rreth një vit para kësaj ngjarjeje kishte tentuar të dëmtonte veten në të njëjtën zonë. Në atë rast, ai ishte shpëtuar.

Familja kishte përjetuar gjithashtu një humbje të rëndë vite më parë, pasi djali i tyre i madh kishte ndërruar jetë pas një sëmundjeje. Pas kësaj humbjeje, marrëdhënia mes prindërve thuhet se ishte përkeqësuar dhe ata jetonin të ndarë.

Pas vdekjes së Sangitës, në rrjetet sociale u rikthyen edhe disa nga postimet e saj të mëparshme, në të cilat ajo kishte shprehur dhimbje dhe zhgënjim për marrëdhëniet njerëzore dhe mungesën e vlerësimit.

Familjarët kanë kundërshtuar idenë se gjithçka ndodhi vetëm për shkak të telefonit. Debati për pagesën duket se ishte vetëm momenti që parapriu ngjarjen tragjike, ndërsa pas saj qëndronin probleme dhe dhimbje të mbledhura prej vitesh.

Një konflikt i nisur për një pagesë telefoni përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme: një 19-vjeçar humbi jetën dhe bashkë me të edhe dy prindërit që kishin shkuar në përpjekje për ta shpëtuar.

  •  

Mbrojtja: 10 vatra zjarri në vend, 7 aktive/ Ndërhyrje në Tiranë, Dibër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë

Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 të datës 28 gusht 2026, në territorin e vendit janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 7 vijojnë të jenë aktive, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar plotësisht.

Vatrat aktive janë të përqendruara në qarqet Tiranë, Dibër, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë.

Në Malin e Dajtit vijon ndërhyrja në tre vatra të riaktivizuara, ku janë angazhuar 25 forca zjarrfikëse dhe të AZM-së.

Në qarkun Dibër mbeten aktive vatrat në Qafë të Helmës, Vajkal dhe Sllatinë. Ndërhyrja kryesore po zhvillohet në Vajkal, ku operojnë 53 forca, mes tyre 20 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe një helikopter i FA-së. Në Sllatinë janë angazhuar mbi 40 forca bashkiake dhe vullnetare. Për këto vatra nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Tërbaç të Himarës po operojnë dy automjete zjarrfikëse me efektivët përkatës.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Tërbuq të Gjirokastrës, ku janë angazhuar 3 efektivë me një automjet zjarrfikës, si dhe në Plovisht të Maliqit, ku po operojnë 3 efektivë dhe një automjet zjarrfikës.

Ndërkohë, vatrat në Malin e Dardhës dhe Malin e Qukësit mbahen nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar edhe 20 efektivë dhe një helikopter i Forcave të Armatosura, me fokus ndërhyrjen në vatrën e Vajkalit.

Situata vijon të monitorohet, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile mbeten të angazhuara në terren për shuarjen e zjarreve dhe parandalimin e riaktivizimit të vatrave.

  •  

Shqipëria, transport me standarde evropiane/ Rrjeti kryesor duhet të përfundojë në 2030

Shqipëria është e detyruar të  zbatojë standardet europiane në infrastrukturë  si një detyrim në kuadër të integrimit.

Në bazë të planit të publikuar në fletoren zyrtare parashikohet që infrastruktura rrugore e rrjetit kryesor duhet t’i plotësojë këto standarde brenda vitit 2030, ndërsa për segmentet e tjera afati  është deri në 2040.

Detyrim për institucionet shqiptare është fakti që Rrugët duhet të jenë projektuar, ndërtuar ose përmirësuar posaçërisht për trafikun e mjeteve  sipas standarteve europiane

Vëmendje kërkohet sidomos për uljen e mbingarkesës në rrugët ekzistuese, veçanërisht përmes menaxhimit inteligjent të trafikut.

Po ashtu një tjetër kërkesë  e rëndësihme është edhe vendosja e infrastrukturës për karburantet alternative në rrjetin rrugor në përputhje me Rregulloren  e BE.

Në strategji percaktohet që rrugët e rrjetit kryesor  të mos kryqëzohen në nivel me asnjë rrugë tjetër, por të përdoren mbikalime ose nënkalimeve në akset që duhet të përmbushin standardin.

Kjo nismë ka në fokus që rrugët, hekurudhat, portet dhe aeroportet shqiptare të ndërtohen dhe funksionojnë sipas të njëjtave kërkesa si në BE, në mënyrë që transporti i njerëzve dhe mallrave të jetë më i shpejtë, më i sigurt dhe më i lidhur me Europën.

Përveç ndërtimit të rrugëve dhe hekurudhave, rregullat e reja kërkojnë edhe përmirësimin e porteve dhe aeroporteve, lidhjen më të mirë mes llojeve të ndryshme të transportit, përdorimin e karburanteve alternative dhe sistemeve moderne digjitale.

  •  

Beyonce dhuron 1 milion dollarë në mbështetje të operacioneve të ndihmës pas tërmetit të rëndë në Kolumbi

Beyoncé ka dhuruar 1 milion dollarë për të mbështetur operacionet e ndihmës në Kolumbi, pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin.

Lajmin për donacionin e saj e bëri të ditur kompania e themeluar prej saj, Parkwood Entertainment.

Shuma prej 1 milion dollarësh do të përdoret për të siguruar ushqime dhe materiale për strehim për banorët e zonave më të prekura nga tërmeti me magnitudë 7.4 ballë, i cili goditi rajonin e Chocó më 10 gusht.

Fatkeqësia natyrore shkaktoi të paktën 312 viktima, ndërsa rreth 29 mijë banesa u shkatërruan, duke lënë mijëra njerëz në nevojë për ndihmë urgjente.

Me këtë kontribut, Beyoncé i është bashkuar një grupi artistësh të njohur që gjatë javëve të fundit kanë mbledhur ose dhuruar fonde për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

Mes tyre është edhe këngëtarja kolumbiane Shakira, e cila u zotua të dhuronte 1.25 milionë dollarë për rindërtimin e shkollave të dëmtuara nga tërmeti.

Edhe këngëtarja Karol G ka kontribuar me 1.2 milionë dollarë për familjet e prekura, përmes fondacionit të saj.

  •  

Zjarr në Labovë të Gjirokastrës/ Zanafilla e flakëve, nga një automjet që u shkrumbua

Efektivët e repartit zjarrfikës në Gjirokastër janë duke ndërhyrë për neutralizimin e një vatre zjarri, e cila u regjistrua në afërsi të fshatrave Labovë e Madhe dhe Labovë e Vogël.

Shkak për këtë vatër është bërë përfshirja nga zjarri e një automjeti që po udhëtonte në këtë aks, ku flakët, të ndihmuara edhe nga drejtimi i erës, janë përhapur me shpejtësi.

Aktualisht, zjarri nuk është pranë zonave të banuara.

  •  

Supermama shkruan historinë, 31 vjeçarja kurorëzohet Miss USA

Justus Kelley është kurorëzuar Miss USA e re, duke shkruar histori në edicionin e 75-të të konkursit kombëtar të bukurisë në Shtetet e Bashkuara.

31-vjeçarja nga Virxhinia, e cila është nënë kujdestare, triumfoi mbrëmjen e së enjtes, më 27 gusht, në ceremoninë e zhvilluar në Qendrën Adrienne Arsht për Artet Performuese në Miami.

Kelley u kurorëzua nga paraardhësja e saj, Audrey Eckert, 24 vjeçe, duke marrë zyrtarisht titullin Miss USA.

Fitorja e saj konsiderohet historike, pasi Kelley është gruaja e parë që fiton dhe mban titullin Miss USA sipas rregullave aktuale të konkursit, të cilat tashmë lejojnë pjesëmarrjen e nënave dhe grave të martuara.

Një rast i ngjashëm kishte ndodhur shumë vite më parë.

Në vitin 1957, Mary Leona Gage u shpall Miss USA, por e humbi kurorën vetëm një ditë më vonë, pasi u zbulua se ishte e martuar dhe nënë e dy fëmijëve.

Rregullat e konkursit ndryshuan në vitin 2023, kur organizata hoqi kufirin e moshës 28 vjeç për konkurrentet dhe lejoi për herë të parë në mënyrë të qëndrueshme pjesëmarrjen e nënave dhe grave të martuara.

Me triumfin e saj, Justus Kelley shënon kështu një moment të rëndësishëm në historinë e Miss USA, duke u bërë simbol i ndryshimit të standardeve dhe rregullave të konkursit të bukurisë.

  •  

Grabitet gjerdani i mbretëreshës së Egjiptit/ Vjenë, 673 diamante me vlerë 4.3 milionë dollarë ‘në duart e grabitësve’

Një gjerdan i çmuar me qindra diamante, që dikur i përkiste Mbretëreshës Nazli të Egjiptit, është vjedhur nga një muze në Vjenë, njoftoi të enjten policia austriake.

Bëhet fjalë për një bizhuteri të prodhuar nga shtëpia e njohur franceze Van Cleef & Arpels. Policia ka publikuar fotografi të gjerdanit dhe të dy personave të dyshuar për vjedhjen.

Muzeu i Arteve të Aplikuara (MAK) konfirmoi se grabitja ndodhi gjatë një ekspozite me bizhuteri, por nuk dha detaje të tjera mbi objektin e vjedhur. Institucioni bëri të ditur se nuk pati persona të lënduar dhe se nuk do të publikojë informacione të tjera për sa kohë vijojnë hetimet.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e muzeut, gjerdani mund të jetë një prej bizhuterive mbretërore të Mbretëreshës Nazli, i përbërë nga 673 diamante me një peshë totale prej më shumë se 200 karatësh.

Bizhuteri ishte pjesë e ekspozitës së organizuar nga MAK, e cila prej fillimit të qershorit prezantonte më shumë se 300 vepra nga koleksioni i Van Cleef & Arpels.

Një fotografi e publikuar nga muzeu tregon gjerdanin të vendosur pas një vitrine prej qelqi. Sipas përshkrimit të ekspozitës, ai dikur i përkiste Mbretëreshës Nazli të Egjiptit, e cila e kishte mbajtur në vitin 1939, gjatë dasmës së vajzës së saj, Fauzia, me Princin e atëhershëm të Kurorës së Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili më vonë u bë Shah i Iranit.

Vlera e bizhuterisë është e konsiderueshme. Gjerdani u shit për rreth 4.3 milionë dollarë në një ankand të zhvilluar nga Sotheby’s në Nju Jork në vitin 2015.

Sipas policisë austriake, dy persona të panjohur hynë me forcë në vitrinë ndërsa muzeu ishte i hapur, morën bizhuterinë dhe u larguan me vrap nga ambientet e muzeut.

Autoritetet kanë publikuar fotografi nga kamerat e sigurisë, ku shihen dy të dyshuar të veshur me të zeza brenda muzeut.

Policia vijon hetimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve, ndërsa gjerdani mbetet i zhdukur.

  •  

Tragjike në Shkodër/ Po mblidhte dru, goditet aksidentalisht për vdekje nga një pemë 56 vjeçari

Një 56-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë aksidentale në fshatin Shosh të Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme, në një zonë pyjore, ku dyshohet se 56-vjeçari, teksa po priste ose mblidhte dru, është goditur aksidentalisht nga një pemë.

Si pasojë e plagëve të marra, ai ka humbur jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

  •  

Mbetën të bllokuar në lumin Drin i Zi nga rritja e nivelit/ Klos, gjendet pa jetë 7 vjeçarja, shpëtohen 4 fëmijët e tjerë

Është gjetur trupi i pajetë i një 7-vjeçareje, e cila dyshohet se është mbytur në lumin Drini i Zi, pasi kishte mbetur e bllokuar së bashku me disa fëmijë dhe një të afërm të tyre.

Kërkimet nisën mbrëmjen e djeshme, pas njoftimit për bllokimin e tyre si pasojë e rritjes së nivelit të ujit në lumë.

Shërbimet e Policisë dhe të Emergjencës arritën të shpëtonin katër prej tyre, ndërsa 7-vjeçarja nuk ishte gjetur.

Sot, rreth orës 09:45, ekipet e kërkim-shpëtimit kanë bërë të mundur gjetjen e trupit të pajetë të të miturës.

Dyshohet se 7-vjeçarja është mbytur në ujërat e lumit. Autoritetet vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

  •  

Shkelësit ‘në sitën’ e Rrugores së Tiranës/ 10 persona nën hetim dhe mbi 5 mijë gjoba në 48 orë

Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në të gjitha akset rrugore të kryeqytetit, me fokus parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë për përdoruesit e rrugës.

Gjatë 48 orëve të fundit, si rezultat i monitorimit me pajisje teknologjike dhe shërbimeve të shtuara në terren, janë proceduar penalisht 10 shtetas, kryesisht për drejtim të automjetit në gjendje të dehur dhe/ose pa leje drejtimi.

Gjithashtu, janë proceduar penalisht 3 shtetas, të cilët dyshohet se kanë tentuar të korruptojnë punonjësit e Policisë për të shmangur masat administrative për drejtim të automjetit nën efektin e alkoolit ose për përdorim të celularit gjatë drejtimit.

Në kuadër të kontrolleve janë bllokuar 18 automjete, ndërsa janë tërhequr 13 leje qarkullimi. Policia ka vendosur gjithashtu 5444 masa administrative për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë shpejtësinë e lejuar, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi apo duke përdorur celularin, pasi këto shkelje përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.

Autoritetet paralajmërojnë se çdo shkelje e konstatuar gjatë patrullimeve dhe monitorimit me mjete inteligjente do të ndëshkohet administrativisht dhe, kur plotësohen kushtet ligjore, edhe penalisht.

  •  

Kërcënoi katër policë me armë fallso/ Elbasan, pranga 41 vjeçarit, oficerët ishin në kërkim të vëllait të tij

Një 41-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Elbasan, pasi dyshohet se ka kanosur me një send të ngjashëm me armë zjarri katër punonjës policie, të cilët ishin angazhuar për kapjen e vëllait të tij, të shpallur në kërkim.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Visarion Xhuvani”, ku specialistët e Hetimit të Krimeve të DVP Elbasan, në bashkëpunim me oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë, kanë ndërhyrë pas kanosjes ndaj punonjësve të Forcës Operacionale.

Sipas Policisë, 41-vjeçari ka përdorur një armë të dyshuar manovër për të kanosur punonjësit gjatë kryerjes së kontrolleve dhe veprimeve të tjera operacionale për kapjen e vëllait të tij.

Gjatë operacionit është sekuestruar edhe sendi i ngjashëm me armën e zjarrit.

Vëllai i të arrestuarit është shpallur në kërkim për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërkohë, kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e tij vijojnë intensivisht.

  •  

Italianët “pushtojnë” Vlorën / Të parët ndër vizitorët e huaj në qytetin bregdetar

Italianët janë vizitorët më të shumtë në Vlorë në çdo periudhë të vitit.

Ata nuk tërhiqen vetëm nga deti, por shfaqin interes dhe  për  kulturën e vendit tonë.

Si ky grup turistësh kryeisht  nga Pulia  të cilët kanë zgjedhur të njihen me historinë duke vizituar , pika të rëndësishme në qytet,  muze e monumente.

Pas ndalesës në sheshin e Flamurit ata ndajnë përshtypjet për vendin tonë ndërsa  tregojnë se në  turin e tyre përfshihen vizita në qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Ata shprehen të impresionuar nga  vendi ynë, shprehen se do të rikthehen dhe do tjua rekomandojnë  miqve për të pushuar.

  •  

Trump drejt paktit historik/ Në bisedime për të marrë 90 miliardë fuçi naftë nga Venezuela

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump është në bisedime me qeverinë e përkohshme të Venezuelës për të marrë një pjesë të pronësisë mbi burimet naftore të vendit të Amerikës së Jugut, raporton Axios, duke iu referuar dy zyrtarëve amerikanë.

Sipas publikimit, marrëveshja është ende në proces negociimi dhe përpunimi.

Bisedimet përqendrohen te më shumë se 12 vendburime nafte në prodhim, të cilat u përkasin ish-aleatëve venezuelianë të qendrave të pushtetit, si edhe interesave që më parë kontrolloheshin nga Kina.

Këto vendburime vlerësohet se përmbajnë në total rreth 90 miliardë fuçi naftë, vetëm një pjesë e rezervave gjigante të Venezuelës, të cilat, sipas të dhënave të provuara, arrijnë në rreth 300 miliardë fuçi.

Në këmbim të dhënies së një pjese të pronësisë mbi këto burime naftore, e cila do të më shumë se dyfishonte rezervat e naftës së Shteteve të Bashkuara, kompanitë private, përfshirë edhe kompani amerikane, do të zhvillonin vendburimet dhe do t’i siguronin të ardhura nga nafta qeverisë së Venezuelës, sipas Axios.

Axios vlerëson se, nëse marrëveshja me Venezuelën do të finalizohet, ajo mund të përcaktojë trashëgiminë politike të Donald Trump, i cili ka vendosur në qendër të politikave të tij sigurinë dhe pavarësinë energjetike, si dhe dominimin e SHBA-së në hemisferën perëndimore.

Në takime private, Trump kishte diskutuar mënyra për të siguruar një pjesë të pronësisë mbi vendburimet naftore të Venezuelës edhe përpara arrestimit, më 3 janar, të Nicolás Maduros, i cili përballet në Nju Jork me akuza për narkoterrorizëm.

Në korrik, zyrtarë të lartë amerikanë nga Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes u takuan me homologët e tyre në Karakas për të diskutuar më tej detajet e marrëveshjes.

Megjithëse ende nuk është e qartë se kur do të përfundojë marrëveshja, sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, po planifikon të udhëtojë drejt Venezuelës javën e ardhshme.

  •  

Nations League/ Dalin në shitje biletat për dy ndeshjet e Shqipërisë me Bjellorusinë dhe San Marinon

Kombëtarja shqiptare përgatitet të nisë aventurën e re në UEFA Nations League, ku gjatë muajve shtator dhe tetor do të zhvillojë katër ndeshjet e para në Grupin 1 të Ligës C.

Kuqezinjtë do ta nisin rrugëtimin më 26 shtator, me sfidën ndaj Bjellorusisë në “Air Albania”. Më pas, Shqipëria do të zhvillojë dy takime në transfertë, përkatësisht më 29 shtator dhe 3 tetor.

Kombëtarja do të rikthehet përpara tifozëve shqiptarë më 6 tetor, kur në “Air Albania” do të presë San Marinon.

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se biletat për dy ndeshjet që do të zhvillohen në Tiranë, ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos, kanë dalë në shitje.

Biletat janë ndarë sipas kategorive dhe tribunave të stadiumit, ndërsa çmimet fillojnë nga 500 lekë.

FSHF u ka bërë thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm në stadium për të mbështetur Kombëtaren në këtë edicion të Nations League, ku objektivi i Shqipërisë është përfundimi i grupit në vendin e parë dhe krijimi i një pozicioni sa më të favorshëm në rrugën drejt “EURO 2028”.

Federata thekson se shitja e biletave do të kryhet vetëm online, përmes platformës zyrtare ebileta.al. Çdo faqe tjetër që pretendon se ofron bileta për këto ndeshje konsiderohet e paautorizuar.

Për të blerë një biletë, tifozët duhet fillimisht të regjistrohen në platformë duke përdorur një adresë email-i. Më pas mund të zgjedhin tribunën dhe ulësen e preferuar në stadium.

Pas përzgjedhjes së vendit, duhet të plotësohen të dhënat e kërkuara për biletën, përfshirë emrin, mbiemrin dhe adresën e email-it.

Procedura përfundon me pagesën përmes kartës. Pas konfirmimit të pagesës, bileta dërgohet në adresën elektronike me të cilën përdoruesi është regjistruar në platformë.

  •  

BE rikthen në tryezë planin për përdorimin e aseteve të ngrira ruse për Ukrainën

Disa vende anëtare të Bashkimit Evropian po kërkojnë që Brukseli të rikthejë përpjekjet për përdorimin e aseteve sovrane ruse të ngrira për të financuar Ukrainën.

Sipas Financial Times, Suedia, Holanda, Spanja dhe Polonia janë mes vendeve që po i kërkojnë Komisionit Evropian të rifillojë punën për këtë plan.

Në BE ndodhen më shumë se 200 miliardë euro në asete të Bankës Qendrore të Rusisë, të cilat janë bllokuar si pjesë e sanksioneve ndaj Moskës pas nisjes së luftës në Ukrainë. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve mbahet në Belgjikë.

Belgjika ka kundërshtuar përdorimin e drejtpërdrejtë të këtyre aseteve për financimin e Ukrainës, duke ngritur shqetësime të lidhura me rreziqet ligjore dhe financiare. Megjithatë, një grup shtetesh anëtare po kërkon që Komisioni Evropian të shqyrtojë sërish mundësinë e përdorimit të fondeve dhe të japë më shumë informacion mbi alternativa ligjore dhe teknike që mund të lejojnë kapërcimin e pengesave të vendosura nga Belgjika.

Çështja pritet të jetë një nga temat e ndjeshme në diskutimet e ardhshme të BE-së për mbështetjen financiare ndaj Ukrainës.

Kremlini e ka kundërshtuar ashpër çdo përpjekje për përdorimin e aseteve ruse, duke paralajmëruar se Moska do të përdorë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për ta bllokuar një veprim të tillë.

/ abcnews.al /

  •  

Pësoi djegie 85 për qind nga zjarri në hotelin në Vlorë/ Humb jetën 25 vjeçarja, trajtohej në Turqi

Pas dy javësh në trajtim mjekësor në Turqi, ka ndërruar jetë 25-vjeçarja Ana Dyrmyshi, e cila mbeti e plagosur rëndë nga zjarri në hotelin në Vlorë më 16 gusht.

E reja ishte transferuar në Turqi për trajtim të specializuar, pasi kishte pësuar djegie në rreth 85% të trupit, por, fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda.

  •  

Durrës, arrestohet norvegjezi/ 28-vjeçari kapet tek Plepat, i kërkuar nga drejtësia në Norvegji

Një 28-vjeçar norvegjez, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra penale në Norvegji dhe Shqipëri, është lokalizuar dhe arrestuar provizorisht në zonën e “Plepat” në Durrës.

Kapja e tij u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Fast”, pas koordinimit informativ dhe operacional të Interpol Tiranës me autoritetet homologe në Norvegji.

Autoritetet gjyqësore norvegjeze kishin lëshuar në prill të vitit 2026 një urdhër arresti ndaj 28-vjeçarit Sebastian Templet, i dyshuar për kanosje dhe prishje të qetësisë publike.

Ndërkohë, në Shqipëri, ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në muajin maj 2026, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

28-vjeçari është arrestuar provizorisht dhe pritet të ndiqen procedurat e mëtejshme ligjore për çështjet për të cilat është shpallur në kërkim.

  •  

Tensione në Spanjë/ Ceuta në prag lufte, banorët bllokojnë ushqimet për emigrantët dhe i vënë flakën kampit

Protestuesit shkatërruan dhe u vunë flakën strukturave të një kampi të improvizuar, ndërsa policia spanjolle ndërhyri për të shpërndarë turmën…

Kriza e migracionit në Ceuta është përshkallëzuar në përleshje mes banorëve dhe migrantëve, pasi një grup protestuesish shkatërroi dhe u vuri flakën strukturave të një kampi të improvizuar në një prej plazheve të qytetit autonom spanjoll.

Trazirat ndodhën në plazhet Trampolín dhe Benítez, ku iu vu flaka çadrave prej kashte dhe disa sendeve personale të migrantëve. Protestuesit formuan gjithashtu një zinxhir njerëzor për të bllokuar kalimin e kamionëve të Kryqit të Kuq, të cilët transportonin ushqime të destinuara për refugjatët.

Situata detyroi Policinë Kombëtare Spanjolle të ndërhynte për të shpërndarë protestën, përmes ndërhyrjes së forcave policore dhe përdorimit të plumbave të gomës.

Pse nisën protestat në Ceuta?

Protestat shpërthyen mes pakënaqësisë në rritje të një pjese të popullsisë lokale për shkak të pranisë së mijëra migrantëve, të cilët prej disa javësh qëndrojnë në rrugë dhe plazhe.

Protestat u organizuan kryesisht përmes grupeve të banorëve në WhatsApp dhe Telegram dhe u përshkallëzuan me shpejtësi.

Ndër kërkesat kryesore të protestuesve janë identifikimi i migrantëve, transferimi i tyre në qendrat e pritjes dhe kthimi i atyre që nuk kanë autorizim për të qëndruar në territorin spanjoll.

Gjatë tubimeve u dëgjuan slogane të tilla si: “Ceuta nuk është në shitje, Ceuta mbrohet” dhe “Pushtues, dëbim”.

Duhet theksuar se dita e protestave u parapri nga përleshje të tjera. Tensionet u përshkallëzuan pasi, sipas autoriteteve, një grup migrantësh hodhi gurë në drejtim të një automjeti ushtarak, duke plagosur katër ushtarë spanjollë.

Incidenti shtoi pakënaqësinë mes disa shtresave të popullsisë dhe u pasua nga trazira në zonat ku ndodhen kampet e improvizuara.

Çfarë po ndodh me migracionin në Ceuta?

Qyteti autonom, i vendosur në Afrikën e Veriut dhe në kufi me Marokun, po përballet me një presion të lartë migrator, i cili ka çuar në limit kapacitetet e tij për akomodim dhe ofrimin e ndihmës humanitare.

Një nga problemet kryesore është mbërritja e personave që përpiqen të hyjnë në Ceuta nga deti, duke anashkaluar barrierat kufitare dhe duke ndërmarrë udhëtime që mund të zgjasin me orë të tëra.

Rritja e numrit të mbërritjeve ua ka vështirësuar autoriteteve dhe organizatave humanitare sigurimin e strehimit dhe shërbimeve bazë për të gjithë personat që kanë mbetur në qytet.

CETI, i mbingarkuar nga mbërritja e migrantëve

Qendra e Qëndrimit të Përkohshëm të Imigrantëve (CETI) në Ceuta ndodhet nën presion të madh për shkak të rritjes së numrit të personave që kërkojnë strehim.

Mbipopullimi i ambienteve ka detyruar disa prej migrantëve të qëndrojnë përkohësisht në hapësira publike, përfshirë plazhet, ndërsa autoritetet po kërkojnë alternativa për strehimin dhe kujdesin ndaj tyre.

Organizatat humanitare kanë shtuar shpërndarjen e ushqimeve, ujit dhe furnizimeve të tjera, megjithëse qasja në disa prej kampeve të improvizuara është kthyer gjithashtu në një burim tensioni.

Rrjetet sociale, një tjetër faktor në krizë

Mbërritja masive e migrantëve është shoqëruar edhe me një qarkullim intensiv informacioni në rrjetet sociale.

Autoritetet spanjolle kanë hetuar mesazhe dhe përmbajtje të shpërndara në platformat digjitale, të cilat mund të kenë kontribuar në mobilizimin e njerëzve drejt kufirit përmes pretendimeve dhe thashethemeve mbi lehtësinë e supozuar të hyrjes në territorin spanjoll.

Kjo situatë i ka shtuar edhe elementin e dezinformimit një krize që ndërthur tashmë faktorë migratorë, humanitarë, politikë dhe të sigurisë.

  •  
❌