Reading view

Beteja e re për gazin në Mesdheun Lindor: Pse Egjipti dhe Turqia pritet të jenë fituesit

Nga Gazeta ‘Si’– Gara për gazin natyror në Mesdheun Lindor po hyn në një fazë të re.

Nëse deri pak vite më parë beteja përqendrohej te pyetja se kush zotëronte rezervat e mëdha të gazit, sot vëmendja është zhvendosur te një tjetër pikë kyçe: kush kontrollon infrastrukturën që e çon gazin drejt tregjeve.

Tubacionet, terminalet për gazin e lëngshëm natyror (LNG), impiantet e gazifikimit, depot e magazinimit, transporti detar dhe portet po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme.

Sipas ekspertit të energjisë Cyril Widdershoven, gara në rajon ka kaluar nga “kush e zotëron gazin?” te “kush kontrollon rrugët e aksesit në treg?”. Në këtë garë, Egjipti dhe Turqia shihen si dy pretendentët kryesorë, por me strategji të ndryshme.

Egjipti, avantazh nga infrastruktura

Egjipti ka një avantazh të rëndësishëm: zotëron dy impiantet e vetme të gazifikimit të LNG-së në Mesdheun Lindor, në Idku dhe Damietta. Këto terminale i mundësojnë vendit të eksportojë gaz të lëngshëm në shkallë të gjerë.

Ndërtimi i infrastrukturës së ngjashme do të kërkonte rreth një dekadë dhe një investim prej 6 deri në 10 miliardë dollarësh, duke e bërë të vështirë konkurrencën me Egjiptin në këtë drejtim.

Pozicioni i Kajros është forcuar edhe nga marrëveshjet me vendet fqinje. Izraeli tashmë eksporton gaz nga dy fushat e tij më të mëdha, Leviathan dhe Tamar, drejt Egjiptit. Ndërkohë, Egjipti dhe Qiproja kanë nënshkruar marrëveshje që i lejon Kajros të marrë gazin nga fusha Aphrodite për ta rieksportuar, ndërsa negociatat po zhvillohen edhe për fushën Cronos.

Egjipti ka investuar gjithashtu në gjashtë njësi lundruese për magazinimin dhe rigazifikimin e LNG-së. Kjo i lejon të importojë gaz të lëngshëm, ta rikthejë në gjendje të gaztë dhe më pas ta transportojë drejt tregjeve të tjera.

Në një nga operacionet e para të këtij lloji, LNG-ja e mbërritur në terminalin lundrues në Akaba, Jordani, u parashikua për rieksport drejt Libanit dhe Sirisë përmes Gazsjellësit Arab.

Por ambicia e Egjiptit për t’u kthyer në një qendër rajonale të gazit përballet me një problem të madh: vendi nuk ka më tepricën e gazit që kishte deri në vitin 2023. Prodhimi vendas ka rënë, ndërsa konsumi i brendshëm është rritur. Për më tepër, furnizimet nga Izraeli janë ndërprerë disa herë për shkak të konflikteve në rajon.

Kjo po detyron Egjiptin të përdorë një pjesë të madhe të infrastrukturës së tij për nevojat e brendshme, duke kufizuar mundësinë për të rieksportuar gaz dhe për të gjeneruar fitime të mëdha.

Turqia luan me më shumë karta

Turqia po ndjek një model më të diversifikuar. Ndryshe nga Egjipti, i cili mbështetet kryesisht te infrastruktura e LNG-së, Ankaraja kombinon furnizues të shumtë, tubacionet, prodhimin vendas, kapacitete të mëdha magazinimi dhe fuqinë e saj si treg.

Pozicioni gjeografik i Turqisë është një tjetër avantazh. Vendi ndodhet mes Rusisë, Europës dhe Lindjes së Mesme, ndërsa marrëdhëniet me Rusinë dhe Iranin i japin mundësi të negociojë më shumë për çmimet dhe kushtet e furnizimit.

Turqia ka aktualisht pesë terminale për rigazifikimin e LNG-së, dy në tokë dhe tre njësi lundruese. Paralelisht, Ankaraja po zhvillon rezervat e veta të gazit në Detin e Zi, duke forcuar më tej pozicionin e saj.

Gjatë vitit të fundit, Turqia ka nënshkruar rreth një duzinë marrëveshjesh të mëdha për LNG, në përpjekje për të diversifikuar importet dhe për t’u konsoliduar si një nga furnizuesit kryesorë të Europës. Marrëveshjet synojnë të ulin varësinë nga gazi rus dhe iranian, ndërsa i japin Ankarasë mundësinë të magazinojë tepricat dhe t’i rieksportojë kur kërkesa në treg rritet.

Sipas ekspertëve, avantazhi i Turqisë nuk qëndron vetëm te transporti fizik i gazit. Nëse Ankaraja blen gaz përmes tubacioneve dhe LNG-së me kushte konkurruese, e magazinon, e tregton dhe e rishit, ajo mund të krijojë një treg rajonal dhe një pikë referimi për çmimet.

Megjithatë, kjo strategji ka edhe një dobësi: besueshmërinë. Për të funksionuar si një qendër e vërtetë tregtare europiane, Turqisë do t’i duhen rregulla transparente, akses për palët e treta, çmime të besueshme dhe besimi i blerësve europianë.

Ekziston gjithashtu rreziku që vendi të shihet thjesht si një pikë riorientimi për gazin rus.

Kështu, lufta energjetike në Mesdheun Lindor po ndryshon karakter.

Rezervat mbeten të rëndësishme, por kontrolli i infrastrukturës, rrugëve të transportit dhe aksesit në treg po bëhet po aq vendimtar.

Në këtë realitet të ri, Egjipti dhe Turqia kanë pozicionet më të favorshme për t’u shndërruar në qendra rajonale të tregtimit të gazit, megjithëse secili përballet me sfida të ndryshme./ El Pais

The post Beteja e re për gazin në Mesdheun Lindor: Pse Egjipti dhe Turqia pritet të jenë fituesit appeared first on Gazeta Si.

  •  

BE miraton 6.1 miliardë euro të tjera për mbrojtjen e Ukrainës

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Europian miratoi të hënën një ndihmë të mëtejshme financiare prej 6.1 miliardë eurosh për Ukrainën për të siguruar sisteme të reja mbrojtëse, të tilla si mbrojtja ajrore, raketat, municionet dhe radarët.

BE tha se kjo paketë e fundit ndihme erdhi përveç 16 miliardë eurove të planeve të prokurimit të miratuara më parë, nga të cilat 8.35 miliardë euro ishin shpërndarë tashmë.

“Ndërsa Rusia intensifikon sulmet e saj, ne po ndërmarrim hapa për të ndihmuar Ukrainën të mbrojë popullin dhe qiellin e saj. Europa qëndron me Ukrainën dhe ne do t’i ofrojmë asaj atë që i nevojitet, kur të ketë nevojë”, tha Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një deklaratë.

Zelensky tha se Ukraina pret që Bashkimi Europian të sigurojë 30 miliardë euro për të financuar mbrojtjen e vendit në luftën kundër pushtimit rus.

Duke folur për gazetarët, Zelensky tha se këto fonde janë të nevojshme për “mbrojtjen e të gjithë vendit”.

Sipas tij, Ukraina aktualisht përballet me një mungesë prej 27 miliardë dollarësh në buxhetin e mbrojtjes.

Rreth 20 miliardë dollarë nevojiten për pagesat e ushtarëve, si dhe për kompensimin e familjeve të ushtarëve të vrarë dhe shpenzime të tjera të lidhura me luftën.

Një pjesë e konsiderueshme e fondeve shtesë do të përdorej për prodhimin e dronëve, të cilët janë bërë një nga elementët kryesorë të mbrojtjes ukrainase dhe të luftës moderne në front.

“Nevojitet një shumë e konsiderueshme parash. Po punoj për këtë çështje me francezët dhe gjermanët”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas foli gjithashtu për situatën në terren.

Ai pretendoi se forcat ukrainase kanë rimarrë 820 kilometra katrorë territor nga forcat ruse që nga fillimi i vitit, duke përfshirë pothuajse të gjithë rajonin e Dnipropetrovskut.

Megjithatë, presidenti Zelensky pranoi se edhe Rusia ka bërë përparime gjatë të njëjtës periudhë, duke marrë kontrollin e rreth 990 kilometrave katrorë të tjerë të territorit ukrainas.

Zelensky tha se pret që Ukraina të rimarrë territore të tjera deri në fund të vitit.

Shifrat mbi ndryshimet territoriale nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

The post BE miraton 6.1 miliardë euro të tjera për mbrojtjen e Ukrainës appeared first on Gazeta Si.

  •  

Arrestohet në Elbasan pedofili 59-vjeçar, joshte të mitur përmes telefonit

Një 59-vjeçar, banues në Elbasan, është arrestuar nga Policia gjatë fundjavës, pasi dyshohet se tentonte të krijonte kontakte me të mitur me qëllim kryerjen e marrëdhënieve seksuale.

59-vjeçari akuzohet për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, mbetur në tentativë.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ai siguronte numrat e telefonit të të miturve përmes mashtrimit dhe joshjes, më pas komunikonte me ta dhe i ftonte për takime, fillimisht në ambiente publike, si kafene, dhe më tej edhe në banesë.

The post Arrestohet në Elbasan pedofili 59-vjeçar, joshte të mitur përmes telefonit appeared first on Gazeta Si.

  •  

Lufta në Ukrainë/ Zelensky: Kemi finalizuar një plan paqeje me SHBA-në dhe Europën

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Ukraina, së bashku me partnerët e saj amerikanë dhe europianë, ka hartuar një plan për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Sipas Zelenskyt, plani përfshin tre elementë kryesorë: një armëpushim, krijimin e një zone të lirë ekonomike dhe tërheqjen e trupave.

“Këto janë ide të përbashkëta nga amerikanët dhe europianët dhe janë rezultat i diskutimeve të përfunduara mes amerikanëve, nesh dhe rusëve”, tha Zelensky.

Ai bëri të ditur se kishte arritur një marrëveshje me Jared Kushner dhe Steve Witkoff, ndërsa diskutimet janë përmbledhur në pyetjen se cilat janë mundësitë reale për përfundimin e luftës.

Sipas presidentit ukrainas, propozimi amerikan parashikon fillimisht një armëpushim, ndërsa pjesa e dytë lidhet me krijimin e një zone të lirë ekonomike.

Zelensky shpjegoi se një skenar i tillë do të nënkuptonte tërheqjen e trupave ukrainase dhe ruse nga pozicionet e tyre, duke krijuar një lloj zone tampon, e cila do të vendosej nën një formë administrimi nga një palë e tretë.

“Ende nuk është e qartë se cila do të jetë kjo palë e tretë”, tha ai.

Në plan përfshihet gjithashtu roli që do të kenë Bashkimi Europian dhe NATO-ja, si dhe angazhimet që Ukraina do të ishte e gatshme të ndërmerrte në kuadër të një marrëveshjeje të mundshme paqeje.

Zelensky tha se disa prej propozimeve amerikane ende nuk janë bërë publike dhe se Uashingtoni po pret momentin e përshtatshëm për t’i paraqitur ato.

“Ka diçka realiste në të gjithë këtë”, u shpreh presidenti ukrainas, duke lënë të hapur mundësinë që propozimet e diskutuara të shërbejnë si bazë për përfundimin e luftës.

The post Lufta në Ukrainë/ Zelensky: Kemi finalizuar një plan paqeje me SHBA-në dhe Europën appeared first on Gazeta Si.

  •  

Topi i ‘Dorës së Zotit’ i Maradonës shitet për 2.5 milionë paund

Topi me të cilin Diego Maradona shënoi golin e famshëm me dorë në çerekfinalen e Botërorit 1986 është shitur në ankand për 2.5 milionë paund (3.3 milionë dollarë).

Maradona e goditi topin me dorë duke e kaluar portierin anglez Peter Shilton, në fitoren 2-1 të Argjentinës ndaj Anglisë. Pas ndeshjes, legjenda argjentinase deklaroi se goli ishte shënuar “pak me kokën e Maradonës dhe pak me dorën e Zotit”.

Në të njëjtën ndeshje, Maradona shënoi edhe atë që më vonë u cilësua si “Goli i Shekullit”, pasi dribloi pesë lojtarë anglezë përpara se të mposhte Shiltonin.

Topi Adidas Azteca u ruajt për më shumë se tri dekada nga arbitri tunizian Ali Bin Nasser, i cili gjykoi ndeshjen dhe e mori me vete pas përfundimit të saj. Në vitin 2023, Bin Nasser nënshkroi një deklaratë ku konfirmonte se bëhej fjalë për topin e vetëm të përdorur gjatë ndeshjes, fakt që u verifikua edhe nga ekspertë të pavarur.

Megjithëse ishte parashikuar të shitej për rreth 10 milionë dollarë, topi u shit për 3.3 milionë dollarë në ankandin e Heritage Auctions në SHBA.

The post Topi i ‘Dorës së Zotit’ i Maradonës shitet për 2.5 milionë paund appeared first on Gazeta Si.

  •  

Dita e dytë e Ramës në Pogradec, në tryezë ‘bilanci’ i qeverisë

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama pritet të vijojë këtë të hënë në Pogradec takimet me drejtuesit e mazhorancës, këtë herë me fokus te kabineti qeveritar.

Pas diskutimeve të së dielës me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqe dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, në tryezë pritet të ulen ministrat, të cilëve u është kërkuar të paraqesin bilancin e punës dhe objektivat për periudhën në vijim.

Takimi shënon praktikisht rikthimin e qeverisë në aktivitetin e plotë politik dhe administrativ pas pushimeve verore dhe vjen në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar.

Në qendër të diskutimeve pritet të jetë puna e kryer deri më tani nga secila ministri, problematikat e evidentuara dhe prioritetet që do të udhëheqin veprimtarinë e qeverisë gjatë muajve të ardhshëm.

Mbledhja me ministrat vjen menjëherë pas takimit që Rama zhvilloi të dielën në Pogradec me drejtuesit politikë të PS-së të 12 qarqeve dhe kryetarët e komisioneve parlamentare.

Diskutimet e ditës së parë u përqendruan fillimisht te dokumenti “Besa”, për të cilin pjesëmarrësit dhanë sugjerimet e tyre, ndërsa më pas vëmendja kaloi te funksionimi dhe koordinimi i strukturave politike dhe administrative.

Një prej çështjeve të ngritura ishte pikërisht marrëdhënia mes hallkave të ndryshme të mazhorancës dhe administratës.

Rama kërkoi mendimet e të pranishmëve për mënyrën se si mund të përmirësohet bashkëpunimi mes ministrave, drejtuesve politikë të qarqeve, deputetëve dhe drejtorëve rajonalë.

Në këtë kuptim, takimi i sotëm me kabinetin shihet edhe si vijim i diskutimit të nisur një ditë më parë: nga organizimi politik në territor te funksionimi i ekzekutivit dhe realizimi i objektivave qeverisëse.

Ministrat pritet të raportojnë mbi punën e bërë në sektorët që drejtojnë dhe çështjet që kërkojnë ndërhyrje në muajt e ardhshëm. Në tryezë pritet të jetë edhe bashkërendimi mes ministrive dhe strukturave në nivel vendor, një temë që mori hapësirë edhe gjatë diskutimeve të së dielës.

Takimet e këtij formati janë përdorur edhe më herët nga Rama në prag të nisjes së një sezoni të ri politik, si një moment bilanci për punën e qeverisë dhe përcaktimi të prioriteteve për periudhën pasuese.

Pavarësisht spekulimeve për lëvizje të mundshme në kabinet, deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për ndryshime në përbërjen e qeverisë.

Takimet në Pogradec paraprijnë edhe një tjetër moment të rëndësishëm për Partinë Socialiste.

Në ditët e para të shtatorit pritet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, forum ku tradicionalisht diskutohen organizimi i forcës politike, drejtimi i mazhorancës dhe objektivat për sezonin e ri.

The post Dita e dytë e Ramës në Pogradec, në tryezë ‘bilanci’ i qeverisë appeared first on Gazeta Si.

  •  

‘Na shanë nga nëna’ dëshmia e mikut të portugezit të vrarë: Autori e qëlloi me thikë në zemër

Nga Gazeta ‘Si’- Janë zbardhur dëshmitë e dhëna në polici nga miqtë e 20-vjeçarit portugez, që mbeti viktimë e një konflikti në një beach bar në Ksamil më 18 gusht. 

Turisti francez Adib Ghanmi ka deklaruar përpara uniformave blu se, pasi ka mbaruar festa në beach bar, së bashku me shokët, kanë shkuar në plazh për të pushuar.

Sipas dëshmisë së francezit, fillimisht në drejtimin e tyre ka shkuar një shqiptar i veshur me rroba jeshile të shkurtra, që ka sharë nga nëna një turist. Ai shprehet se personi i veshur me jeshile e qëlloi me kokë mikun e tyre dhe kështu nisi sherri.

Më pas, ai rrëfen edhe skenën, që shkaktoi humbjen e jetës së turistit nga Portugalia. Sipas Ghanmi, autori i dyshuar për vrasjen, “një person me flokë të gjata”, ka shkuar me thikë në dorë, ka goditur fillimisht në këmbë një mikun e tij të quajtur Tourpal e më pas ka qëlluar me thikë në zemër viktimën portugez. Në këtë moment, njerëzit kanë nisur të bërtasin.

“Isha me shokët e mi, ishim shtatë persona dhe po festonim në club Principote. Pasi mbaroi festa, ne po qëndronim në plazh. Aty ka ardhur një person, i cili ishte veshur me rroba të shkurtra me ngjyrë jeshile, i moshës 25-30 vjeç, trup normal, flokë të shkurtra, i cili ishte shqiptar, por fliste frengjisht dhe ofendoi nga nëna një shokun tim, i cili i thotë që: pse më shan, se nëna është e shenjtë. Ky person e goditi me kokë, ne u futem të gjithë në konflikt.

Më pas erdhi një person që ishte i veshur me rroba të bardha, me flokë të gjata, i cili mbante një thikë në dorë dhe fillimisht ka qëlluar një shokun tim i quajtur Tourpal me thikë më këmbë dhe më pas ka goditur dhe shokun tjetër, i cili u vra me thikë ne zemër dhe në këtë moment, filluan njerëzit të bërtisnin, dhe në drejtim kanë ardhur rreth 10-15 veta security. Një nga ata që qëlloi në drejtimin tonë, unë e kapa nga duart, por ai më shtyu dhe unë kam rënë në ujë”, u shpreh turisti nga Franca.

Ibraim Leimoeiv, shtetas francez, para grupit të hetimit ka shpjeguar se kanë qenë në disko klub “Principote” dhe po festonin. Më pas kanë dalë dhe kanë shkuar tek shezllonget të gjithë së bashku.

Leimoeiv ka dhënë version të ngjashëm me mikun e tij, duke shtuar se i ka dhënë ndihmën e parë mikut që mbeti viktimë, duke i vendosur bluzën tek plaga.

Pyetjes se a e njeh personin i cili goditi me thikë, ai u përgjigj që nëse e shikon mund ta dallojë. Më pas grupi i hetimit i ka vënë për identifikim foton e S.V. Leimoevi e ka njohur dhe ka sqaruar se ky ishte personi që kishte thikën dhe kishte goditur shokun e tij.

Ngjarja e rëndë në Ksamil ndodhi më 18 gusht. Autori kryesor i vrasjes dyshohet shtetasi S.V. Ky i fundit tha në gjyq se vrasjen e kishte kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.

Së bashku me të, në përgjegjësi penale u morën edhe persona të tjerë, që ndihmuan autorin e dyshuar të arratisej. Megjithatë, arratia e S.V ngjati shumë pak, pasi u arrestua nga forcat blu në bagazhin e një makine në afërsi të Levanit, duke u nisur për në Tiranë.

The post ‘Na shanë nga nëna’ dëshmia e mikut të portugezit të vrarë: Autori e qëlloi me thikë në zemër appeared first on Gazeta Si.

  •  

Si TikTok-u ndikon tek ushqimet që hanë adoleshentët

Nga Gazeta ‘Si’- TikTok po ndikon gjithnjë e më shumë te mënyra se si ushqehen adoleshentët, nga ushqimet virale të restoranteve dhe fast food-i, te recetat dhe dietat e promovuara nga influencerët.

Por një studim i ri sugjeron se edhe prindërit mund të kenë një rol në kufizimin e ndikimit të platformës.

TikTok është kthyer në një burim të dyanshëm këshillash për ushqyerjen e të rinjve. Nga njëra anë, platforma ofron receta, ide gatimi dhe alternativa më të shëndetshme.

Nga ana tjetër, i ekspozon adoleshentët ndaj kulturës së dietave, standardeve jorealiste të bukurisë dhe pretendimeve shëndetësore që mund të jenë çorientuese. Kjo krijon një mjedis të ndërlikuar për adoleshentët, të cilët ende po ndërtojnë marrëdhënien e tyre me ushqimin, shëndetin dhe trupin.

Një studim i fundit, ku morën pjesë adoleshentë 15–16 vjeç, zbuloi se përmbajtjet rreth ushqimit në TikTok mund të nxisin dëshirën për të ngrënë, t’i shtyjnë të rinjtë të provojnë ushqime të reja dhe, në disa raste, të ndikojnë në mënyrën se si ushqehen për të imituar influencerët.

“Adoleshentët e përshkruan TikTok-un si një mjedis shumë tërheqës, ku përmbajtjet rreth ushqimit mund t’u tërheqin shpejt vëmendjen dhe të krijojnë dëshirën për të ngrënë ose për të provuar diçka të re”, tha Adrianna N. Bell, një prej autoreve të studimit.

Gjetjet vijnë në një kohë kur politikëbërësit dhe gjykatat po shqyrtojnë gjithnjë e më shumë ndikimin e rrjeteve sociale te fëmijët dhe të rinjtë.

“Më bën të dua ta provoj”

Studimi shqyrtoi mënyrën se si adoleshentët e perceptojnë ndikimin e TikTok-ut në ushqyerjen e tyre dhe rolin që luajnë prindërit.

Të rinjtë përshkruan një mjedis ku tendencat, reklamat, recetat, vlerësimet për restorantet dhe përmbajtjet e influencerëve mund ta kthejnë shpejt kureshtjen në oreks.

Ushqimet virale rezultuan veçanërisht tërheqëse, pikërisht sepse janë të reja dhe sepse krijohet përshtypja se të gjithë po i provojnë.

“Arsyeja pse dua ta provoj ushqimin në trend është se mendoj: ‘Pse kaq shumë njerëz duan ta provojnë? Çfarë ka kaq të mirë?’ Kështu që më bën të dua ta provoj”, tha një prej pjesëmarrësve.

Edhe mënyra se si prezantohet ushqimi ka rëndësi. Pamjet tërheqëse, videot e prodhuara në mënyrë profesionale dhe komentet pozitive mund të nxisin dëshirën për ta provuar. Adoleshentët thanë gjithashtu se komentet i marrin parasysh kur vendosin nëse duhet t’i besojnë një rekomandimi.

Influencerët janë një tjetër faktor i rëndësishëm.

Një prej pjesëmarrësve tregoi se kishte ndryshuar mënyrën e të ushqyerit pasi kishte parë një influencer me trup muskuloz. Sipas tij, ai shihte çfarë ushqimesh konsumonte influenceri dhe më pas përpiqej të ndryshonte dietën e tij për t’iu afruar të njëjtit rezultat fizik.

Pra, influenceri nuk ka nevojë të promovojë drejtpërdrejt një produkt ushqimor. Mesazhi mund të jetë për një mënyrë jetese, ku ushqimi paraqitet si pjesë e rrugës drejt një trupi apo pamjeje të caktuar.

Kur fast food-i fillon të duket normal

Studimi nënvizon gjithashtu rolin e algoritmit të TikTok-ut.

Adoleshentët thanë se zgjedhjet e tyre ushqimore mund të ndikohen nga ajo që shfaqet në faqen e tyre të personalizuar “For You”. Ekspozimi i përsëritur ndaj një lloj ushqimi mund të ndryshojë edhe mënyrën se si ata e perceptojnë atë.

“Shikoj aq shumë fast food sa nuk e shoh më si diçka të pashëndetshme, edhe pse në të vërtetë është”, tha një tjetër pjesëmarrës.

Kjo lidhet me shqetësimet më të gjera rreth marketingut të ushqimeve në rrjetet sociale. Studime të mëparshme kanë treguar se adoleshentët ekspozohen shpesh ndaj reklamave të ushqimeve në internet dhe mund të tërhiqen më shumë nga reklamat në rrjetet sociale sesa nga ato tradicionale në televizion.

Një rishikim sistematik dhe meta-analizë e fundit ka gjetur gjithashtu se promovimi nga personazhe të famshëm dhe influencerë i ushqimeve me përmbajtje të lartë yndyre, sheqeri dhe kripe mund të rrisë konsumin e tyre nga adoleshentët.

Në TikTok, megjithatë, reklama mund të jetë më e vështirë për t’u dalluar nga argëtimi.

Një përmbajtje rreth ushqimit mund të jetë reklamë e një marke, rekomandim i një influenceri, vlerësim i një restoranti, recetë virale apo thjesht një video ku krijuesi i përmbajtjes i bashkohet një trendi. Mesazhi komercial mund të fshihet brenda një videoje që duket si përmbajtje e zakonshme e krijuar nga përdoruesit.

Dhe pastaj janë prindërit

Ndoshta gjetja më interesante e studimit lidhet me atë që ndodh larg ekranit.

Shumica e adoleshentëve thanë se prindërit luanin pak ose aspak rol në përdorimin e përditshëm të TikTok-ut. Por kur prindërit ndërhynin, ata përshkruanin raste kur kjo ndërhyrje i ndihmonte të ndërprisnin ekspozimin ndaj përmbajtjeve rreth ushqimit dhe të zhvillonin një qasje më kritike ndaj asaj që shihnin online, tha Bell.

Ndonjëherë ndërhyrja nuk lidhej drejtpërdrejt me TikTok-un. Vaktet familjare, koha e kaluar me vëllezërit dhe motrat apo thjesht prania e prindërve mund të ndërprisnin periudhat e gjata të qëndrimit para ekranit dhe të reduktonin ekspozimin ndaj përmbajtjeve rreth ushqimit.

Adoleshentë të tjerë përshkruan një ndikim më të drejtpërdrejtë të prindërve: mësimin për të vënë në dyshim atë që shohin online.

Një pjesëmarrëse tregoi se nëna e saj i kishte shpjeguar se influencerët kanë trupa dhe stile jetese të ndryshme, ndaj kopjimi i dietës së tyre nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të arrish të njëjtin rezultat.

“TikTok-u më mësoi që në moshë të vogël: ‘Bëje këtë dietë dhe do të dobësohesh për 22 ditë’. Dhe unë e ndoqa, duke e mësuar në mënyrën më të vështirë”, tha një tjetër pjesëmarrës.

Kjo tregon se përfshirja e prindërve mund të mos ketë të bëjë vetëm me kontrollin e përdorimit të TikTok-ut, por edhe me edukimin mediatik – t’u mësojnë të rinjve të vënë në pikëpyetje informacionin që shohin online.

Edhe pse studimi është i vogël dhe eksplorues, me vetëm 25 adoleshentë, mesazhi i tij është i qartë: TikTok nuk u tregon adoleshentëve vetëm se si duket ushqimi. Ai mund të ndikojë edhe në atë se çfarë u duket e dëshirueshme, popullore dhe normale/ Euronews europe

The post Si TikTok-u ndikon tek ushqimet që hanë adoleshentët appeared first on Gazeta Si.

  •  

Studimi: Asnjë produkt me nikotinë nuk është i sigurt për zemrën

Nga Gazeta ‘Si’– Pirja e duhanit, përdorimi i vape-ve apo qeseve me nikotinë – edhe pse jo të gjitha kanë të njëjtin nivel rreziku- dëmtojnë shëndetin kardiovaskular.

Nikotina është e dëmshme për zemrën dhe enët e gjakut, pavarësisht nëse merret përmes një cigareje apo produkteve të tjera të duhanit, sipas një rishikimi të gjerë të publikuar sot në Nature Reviews Cardiology.

Edhe produktet e reja me nikotinë, si cigaret elektronike dhe qeset me nikotinë, që shmangin tymin dhe djegien, nuk e eliminojnë rrezikun për sistemin kardiovaskular.

Studimi nuk pretendon se të gjitha produktet me nikotinë kanë të njëjtin nivel rreziku. Cigaret tradicionale dhe nargjilet mbeten më të dëmshmet, kryesisht për shkak të kimikateve toksike që çlirohen gjatë djegies. Megjithatë, studiuesit argumentojnë se eliminimi i tymit nuk do të thotë eliminim i dëmit kardiovaskular.

Në vend të kësaj, studiuesit përshkruajnë një “vazhdimësi të dëmit kardiovaskular”: në krye qëndrojnë produktet e djegshme, të ndjekura nga produktet e duhanit të ngrohur, cigaret elektronike dhe produktet orale me nikotinë, si duhani përtypës dhe qeset me nikotinë.

Pra, shmangia e tymit mund ta ulë dëmin kardiovaskular, por heqja dorë plotësisht nga nikotina është mënyra e vetme për të eliminuar rrezikun kardiovaskular që lidhet me të.

‘Goditja e dyfishtë’ e nikotinës

Studiuesit analizuan mënyrën se si nikotina dëmton sistemin kardiovaskular, duke ndjekur procesin biologjik që nga ndërveprimi i nikotinës me receptorët në enët e gjakut deri te mekanizmat që mund të çojnë në aterosklerozë, infarkt dhe goditje në tru.

Ata identifikuan dy mekanizma kryesorë përmes të cilëve nikotina mund të dëmtojë enët e gjakut.

Së pari, nikotina ndikon te endoteli, shtresa e hollë e qelizave që vesh pjesën e brendshme të enëve të gjakut. Ajo frenon prodhimin e prostaciklinës, e cila ndihmon në relaksimin e enëve të gjakut, ndërsa rrit nivelin e endotelina-1, një hormon i fuqishëm që shkakton ngushtimin e tyre.

Nikotina vepron gjithashtu drejtpërdrejt mbi qelizat e muskujve të lëmuar të enëve të gjakut, të cilat kontrollojnë diametrin e tyre. Duke ndërhyrë në kanalet e kaliumit dhe në rregullimin e kalciumit, ajo mund të shkaktojë ngushtimin e enëve edhe kur shtresa e brendshme e tyre nuk është dëmtuar drejtpërdrejt.

Studiuesit theksojnë gjithashtu stresin oksidativ, ngurtësimin e arterieve dhe proceset inflamatore si pasoja të zakonshme të ekspozimit ndaj nikotinës. Sipas tyre, dëmtimi i funksionit të endotelit është një nga shenjat e hershme të dëmtimit kardiovaskular.

Si pasojë, enët e gjakut ngushtohen më lehtë, relaksohen më pak dhe bëhen më të prirura ndaj inflamacionit dhe mpiksjes së gjakut.

“Është e qartë se nikotina është një faktor aktiv në dëmtimin e endotelit, hapi i hershëm drejt aterosklerozës, hipertensionit dhe insuficiencës kardiake – dhe vetëm abstinenca është pa rrezik”, tha Filippo Crea, një nga autorët e studimit.

Gjetjet vijnë në një kohë kur BE-ja po përgatitet të rishikojë kuadrin e saj për kontrollin e duhanit, ndërsa Brukseli përpiqet të përballet me rënien e përdorimit të cigareve tradicionale dhe rritjen e shpejtë të cigareve elektronike, produkteve të duhanit të ngrohur dhe qeseve me nikotinë.

“Tokiciteti kardiovaskular i nikotinës në nivel molekular, së bashku me potencialin e saj të dokumentuar për të shkaktuar varësi, e bën të nevojshme një qasje të unifikuar rregullatore për produktet me nikotinë, në vend të rregullave të ndryshme për secilin produkt”, tha Münzel.

The post Studimi: Asnjë produkt me nikotinë nuk është i sigurt për zemrën appeared first on Gazeta Si.

  •  

Europa po e humb betejën me mushkonjat…

Nga Gazeta ‘Si’- Europa po përballet me një kërcënim në rritje nga sëmundjet e transmetuara nga mushkonjat, ndërsa aftësia e vendeve për t’i kontrolluar ato mbetet e pabarabartë, paralajmëron Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Agjencia europiane bën thirrje për forcimin e monitorimit të mushkonjave dhe zgjerimin e mjeteve të përdorura për kontrollin e tyre, ndërsa virusi i Nilit Perëndimor po përhapet dhe specie invazive të mushkonjave po vendosen në zona të reja të kontinentit.

“Përhapja e transmetimit të virusit të Nilit Perëndimor, si edhe zgjerimi i mushkonjave invazive, tregojnë pse Evropa duhet të forcojë kapacitetet për kontrollin e mushkonjave”, tha Céline Gossner, eksperte e ECDC-së për sëmundjet e transmetuara nga vektorët dhe sëmundjet zoonotike.

Paralajmërimi vjen në kulmin e sezonit të transmetimit gjatë verës. Gjashtë rajone europiane kanë raportuar këtë vit për herë të parë raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor të marrë lokalisht, ndërsa deri më 13 gusht, në nëntë vende europiane ishin regjistruar 429 raste të transmetuara lokalisht, sipas ECDC-së.

Transmetimi i virusit zakonisht arrin kulmin në gusht dhe në fillim të shtatorit, ndaj pritet që numri i rasteve të rritet edhe më tej.

Në të njëjtën kohë, mushkonja tigër aziatike, Aedes albopictus, është vendosur tashmë në 16 vende europiane- dy herë më shumë se 12 vjet më parë. Kjo specie mund të transmetojë sëmundje si dengu dhe chikungunya, të cilat më parë ishin të lidhura kryesisht me zonat tropikale dhe subtropikale.

Një qasje e copëzuar në Europë

Situata po nxjerr në pah një tjetër problem: Europa nuk ka një sistem të unifikuar për kontrollin e mushkonjave që transmetojnë këto sëmundje.

Një studim i ri i ECDC-së mbi monitorimin dhe kontrollin e mushkonjave evidentoi ndryshime të mëdha mes vendeve në mënyrën se si organizohen, financohen dhe zbatohen programet. Nga 38 vende dhe juridiksione të kontaktuara, 26 iu përgjigjën pyetësorit.

Sipas raportit, shumë programe të monitorimit dhe kontrollit të mushkonjave mbështeten në financime afatshkurtra dhe nuk kanë planifikim afatgjatë. Përgjegjësitë mund të ndahen mes qeverive qendrore, rajonale dhe lokale, duke e bërë më të vështirë koordinimin e masave, veçanërisht përtej kufijve.

Dhe kjo është problem, sepse mushkonjat nuk ndalen në kufijtë shtetërorë.

“Për një kontroll efektiv të mushkonjave, nevojitet bashkëpunim i ngushtë në Europë dhe një qasje e integruar që bashkon monitorimin e mushkonjave, përfshirjen e komuniteteve dhe zgjidhje të synuara për kontrollin e tyre, duke marrë parasysh ndikimin në mjedis”, tha Gossner.

ECDC vëren se kontrolli i mushkonjave shpesh bëhet në mënyrë reaktive dhe të fragmentuar, duke u përqendruar kryesisht te mushkonjat e rritura. Ndërkohë, strategjitë afatgjata për eliminimin e popullatave invazive shpesh mungojnë.

Për mushkonjat Aedes, vendet përdorin një kombinim masash kimike dhe jokimike, përfshirë ndërhyrjet kundër larvave dhe mushkonjave në fazat e hershme të zhvillimit, si edhe fushata për përfshirjen e komuniteteve në parandalim.

Ndryshimet klimatike e përkeqësojnë situatën

Ndryshimet klimatike po i shtojnë urgjencën problemit. Sipas raportit të ri të ECDC-së, tashmë po vërehen sezone më të gjata dhe më intensive të transmetimit të virusit të Nilit Perëndimor, dengut dhe chikungunya-s.

Temperaturat më të larta krijojnë kushte më të favorshme për mushkonjat dhe mund të zgjasin periudhën gjatë së cilës viruset mund të qarkullojnë.

Në praktikë, kjo do të thotë se sëmundjet që dikur konsideroheshin kryesisht tropikale po bëhen gjithnjë e më shumë një problem europian.

The post Europa po e humb betejën me mushkonjat… appeared first on Gazeta Si.

  •  

Pse bota ka nevojë ende për Wall Street

Investitorët nuk kanë mungesë arsyesh për të diversifikuar larg Shteteve të Bashkuara. Borxhi publik i Amerikës po rritet, polarizimi politik po thellohet, politika tregtare është bërë e paparashikueshme, sundimi i ligjit tani vihet në dyshim, dhe sanksionet financiare kanë nxitur qeveritë e tjera të kërkojnë alternativa ndaj dollarit.

Megjithatë, nuk ka pasur asnjë eksod të madh nga tregjet e SHBA-së. Dollari ende përbënte 56.8% të rezervave të alokuara të huaja valutore në fund të vitit 2025, dhe u përdor në 89.2% të të gjitha transaksioneve të huaja valutore të monitoruara nga Banka për Rregullime Ndërkombëtare.

Këto shifra shpesh shpjegohen me madhësinë ekonomike të Amerikës, mbrojtjet ligjore, kompanitë inovative, tregjet e thella të kapitalit dhe efektet e rrjetit të krijuara nga rolet e dollarit në tregti, kredi, pagesa dhe rezerva. Por kufizimi kryesor fshihet në sy të të gjithëve: Edhe sikur bota të donte të zhvendoste disa triliona dollarë jashtë SHBA-ve, ku do të shkonte paraja?

Problemi nuk është mungesa e ekonomive ose aseteve premtuese. Është se sistemet e tjera financiare kanë vetëm kaq shumë kapacitet për të pranuar një rialokim të madh dhe të shpejtë pa u destabilizuar vetë.

Ne mund ta konsiderojmë këtë kapacitet thithës financiar në të gjithë sistemin si aftësinë e një tregu për të pranuar, vlerësuar, mbrojtur dhe shlyer rrjedha të mëdha kapitali pa shkaktuar lëvizje ekstreme në çmimet e aseteve, të ardhurat ose kursin e këmbimit.

Kapaciteti i absorbimit nuk varet vetëm nga volumi i titujve të disponueshëm, por edhe nga bursat, bankat, tregtarët, dhomat e kompensimit, depozituesit, rregullatorët, gjykatat, auditorët, avokatët, ofruesit e të dhënave dhe mbështetjet e bankës qendrore.

Ky dallim ka rëndësi sepse diversifikimi zakonisht konsiderohet nga këndvështrimi i një investitori individual. Një fond pensioni mund të shesë bono të Thesarit të SHBA-ve dhe të blejë bono evropiane; një bankë qendrore mund të shtojë ar ose një monedhë tjetër në rezervat e saj.

Lëvizje të tilla janë të thjeshta në kufi. Por çfarë ndodh kur mijëra institucione të mëdha përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë në të njëjtën kohë?

Çmimet në tregjet e destinacionit do të rriteshin ndjeshëm, rendimentet do të binin dhe valutat do të forcoheshin. Obligacionet me cilësi të lartë me maturim të përshtatshëm do të bëheshin të rralla, kostot e mbrojtjes do të rriteshin dhe kufijtë prudencialë ose referues do të fillonin të kufizonin.

Tregjet që duken të thella në kohë normale mund të provojnë të jenë të cekëta përballë fluksit të jashtëzakonshëm. Ajo që është e arsyeshme për një investitor mund të jetë e pamundur për të gjithë investitorët së bashku. Të supozosh të kundërtën do të thotë të bësh një gabim klasik të përbërjes.

Këtu SHBA-ja ka një avantazh të jashtëzakonshëm. Në korrik 2026, tregu i bonove të Thesarit të SHBA-së kishte  31.5 trilionë dollarë letra me vlerë të lëshuara dhe një volum mesatar ditor tregtimi mbi 1.2 trilionë dollarë. Bonot e Thesarit nuk janë thjesht investime, por edhe ruajtëse likuide të vlerës, kolateral, pika referimi për çmimet dhe instrumente për përmbushjen e kërkesave rregullatore. Rreth tyre ekziston një infrastrukturë institucionale e pakrahasueshme që mund të vlerësojë çmimet, të financojë, të mbrojë nga rreziku dhe të përfundojë transaksione të mëdha.

Investitorët e vlerësojnë aftësinë për t’u tërhequr shpejt thuajse po aq sa edhe premtimin e shlyerjes.

Tani konsideroni alternativat. Europa ka institucione të sofistikuara dhe kursime të mëdha, por tregjet e saj të kapitalit mbeten të fragmentuara, dhe i mungon një aset i sigurt i përbashkët i krahasueshëm në shkallë me Bonot e Thesarit të SHBA-së. (Prandaj BE-ja Unioni i Kursimeve dhe Investimeve nuk është thjesht një program për financimin e kompanive evropiane, por edhe një mjet gjeopolitikisht i rëndësishëm.)

Në mënyrë të ngjashme, Kina ka një treg të jashtëzakonshëm obligacionesh, por kontrollet e kapitalit, konvertueshmëria e menaxhuar, ndikimi i shtetit dhe pasiguria për të drejtat e investitorëve kufizojnë aftësinë e tij për të thithur lirshëm portofolë globalë. Dhe tregjet në zhvillim përballen me një kompromis edhe më të mprehtë: hyrjet e mëdha mund të shkaktojnë forcim të monedhave të tyre, të rrisin çmimet e aseteve dhe të minojnë kthimet që tërhoqën investitorët në radhë të parë.

Këto kufizime ndihmojnë në shpjegimin e arsyes pse shumëpolarliteti gjeopolitik po përparon më shpejt se shumëpolarliteti financiar. Prodhimi dhe tregtia mund të ridrejtohen relativisht shpejt, ndërsa ekosistemet financiare janë kumulative.

Madhësia tërheq lëshuesit, investitorët dhe ndërmjetësit; prania e tyre më pas krijon likuiditet, dhe ai likuiditet tërheq edhe më shumë aktivitet. Qendrimi qendror i dollarit mbahet jo vetëm nga pozicioni ekzistues dhe besimi, por edhe nga një avantazh krahasues i ndërtuar.

Megjithatë, ky avantazh nuk është një ligj i pandryshueshëm. Ai mund të gërryhet nga papërgjegjshmëria fiskale, sulmet ndaj pavarësisë institucionale, sanksionet arbitrare, ndërprerjet e përsëritura të tregut dhe frikërat nga korrupsioni qeveritar.

Volatiliteti që pasoi njoftimet për tarifat e SHBA-së në prill 2025 tregoi se investitorët mund të mbrojnë ekspozimin e tyre ndaj dollarit në vend që të nxitojnë refleksivisht drejt tij. Por dëshira për t’u larguar dhe aftësia për ta bërë këtë mbeten gjëra shumë të ndryshme.

Për vendet që kërkojnë një rend financiar më multipolar, mësimi politik është i qartë. Sistemet alternative të pagesave ose monedhat rezervë nuk mjaftojnë. Evropa ka nevojë për një integrim më të thellë, lëshim më të përbashkët, dhe rregulla të harmonizuara për mbikëqyrjen dhe falimentimin.

Ekonomitë në zhvillim duhet të ndërtojnë kurba të të ardhurave në monedhë vendase, derivatet, infrastrukturën e shlyerjes dhe kompensimit, dhe një furnizim më të madh me asete të standardizuara. Bankat shumëpalëshe të zhvillimit mund të ndihmojnë në grumbullimin e projekteve—përfshirë investimet e gjelbra industriale, infrastrukturore dhe në kapitalin natyror—në instrumente që institucionet globale mund t’i blejnë me të vërtetë në shkallë të gjerë.

Fuqia e Wall Street-it në fund të fundit bazohet në një formë kapaciteti prodhues: aftësinë për të transformuar një vëllim të jashtëzakonshëm kursimesh globale në pretendime të likuida, të tregtueshme dhe të mbrojtura nga rreziku. Një sistem financiar me të vërtetë multipolar nuk mund të shpallët thjesht: Derisa tregjet rivale të jenë në gjendje të kryejnë këto funksione në një shkallë të krahasueshme, bota mund të dëshirojë të largohet nga Wall Street më shpejt sesa është në gjendje ta bëjë këtë.

Jorge Arbache, Profesor i Ekonomisë në Universitetin e Brasilias, është ish-nën ministër dhe ekonomist kryesor në Ministrinë e Planifikimit të Brazilit, zëvendëspresident për sektorin privat në Bankën e Zhvillimit të Amerikës Latine dhe Karaibeve, anëtar i bordit në BNDES, dhe ekonomist i lartë në Bankën Botërore// Project Syndicate

The post Pse bota ka nevojë ende për Wall Street appeared first on Gazeta Si.

  •  

Bitcoin rikthehet fuqishëm, rritet mbi 25% brenda javës

Nga Gazeta ‘Si’- Bitcoin ka bërë një rikthim të fortë pas një periudhe disa-mujore rëniesh, duke kaluar të premten nivelin e 79.500 dollarëve, ndërsa mbyllja e pozicioneve të shkurtra, rritja e likuiditetit nga Thesari amerikan dhe sinjalet e reja pro industrisë së kriptomonedhave nga Shtëpia e Bardhë i dhanë shtysë rritjes.

Kriptomonedha më e madhe në botë arriti një nivel maksimal brenda ditës prej 79.500 dollarësh, niveli më i lartë i saj prej disa muajsh, përpara se të zbriste në rreth 77.700 dollarë.

Në vetëm pak ditë, Bitcoin është rritur me më shumë se 25% që nga e hëna.

Rritja përmbyll një nga javët më të forta të Bitcoin në vitet e fundit, pas një periudhe të gjatë gjatë së cilës kriptomonedha kishte mbetur shumë poshtë niveleve rekord të vitit 2025.

Për gjashtë javë radhazi, Bitcoin ishte luhatur kryesisht mes 62.000 dhe 66.000 dollarëve.

Më herët gjatë vitit, ai kishte humbur më shumë se gjysmën e vlerës nga rekordi prej rreth 126.000 dollarësh, i arritur në tetor të vitit të kaluar, duke zbritur deri në rreth 57.600 dollarë në fillim të korrikut.

Kjo periudhë e gjatë dobësie kishte bërë që tregtarët të shtonin pozicionet që parashikonin rënie të mëtejshme të Bitcoin.

Por sapo çmimi nisi të ngjitej këtë javë, këto pozicione u mbyllën me shpejtësi, duke shkaktuar një “short squeeze” – një situatë ku investitorët që kishin vënë bast për rënien detyrohen të blejnë Bitcoin për të mbyllur pozicionet e tyre, duke e shtyrë çmimin edhe më lart.

Edhe Ether, kriptomonedha e dytë më e madhe, si dhe asetet e tjera digjitale, u rritën në të njëjtën valë.

Likuiditeti amerikan i jep shtysë tregut

Rritja u përforcua edhe nga sinjalet për më shumë likuiditet nga Uashingtoni.

Në fillim të javës, Thesari amerikan dyfishoi blerjet e obligacioneve, në përpjekje për të qetësuar tregun e luhatshëm të bonove. Por pasi yield-et u rritën sërish, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, deklaroi të enjten se blerjet do të zgjeroheshin edhe më tej.

Kushte më të lehta financiare dhe një dollar më i dobët zakonisht favorizojnë asetet më të rrezikshme, përfshirë Bitcoin.

Deklarata e Trump rrit edhe HYPE

Një nga momentet më të spikatura të takimit të së mërkurës ishte deklarata e Trump për Hyperliquid, një platformë e decentralizuar për tregtimin e derivateve.

Trump tha se CFTC po punonte për ta sjellë Hyperliquid në SHBA, “në një mënyrë plotësisht në përputhje me ligjin”, megjithëse rregullatori nuk ka publikuar ende një afat konkret.

Deklarata bëri që HYPE, tokeni i Hyperliquid, të rritej me rreth 25% brenda 24 orëve.

The post Bitcoin rikthehet fuqishëm, rritet mbi 25% brenda javës appeared first on Gazeta Si.

  •  

Trump po provon një qasje të re në luftën me Iranin

Nga Gazeta ‘Si’- Pas javësh përpjekjesh për të nxitur një marrëveshje me Iranin, Presidenti amerikan Donald Trump duket se po ndryshon strategji. Të martën, ai urdhëroi ekipin e tij negociator të ndalojë bisedimet me Teheranin, ndërsa administrata amerikane po shqyrton një qasje më afatgjatë për të ushtruar presion mbi Iranin.

Sipas një zyrtari amerikan, Trump u ka kërkuar të dërguarve të tij të mos angazhohen më me Iranin. Ndërkohë, zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë u kanë komunikuar aleatëve politikë se strategjia po kalon nga “godite Iranin sa më shpejt” te “mbyti ekonomikisht me kalimin e kohës”.

Ndryshimi vjen pasi përpjekjet për të rinisur diplomacinë kanë mbetur në vendnumëro. Ndryshe nga deklaratat e mëparshme, kur Trump pretendonte se negociatat po përparonin dhe një marrëveshje ishte pranë, të martën ai deklaroi se nuk ka aktualisht asnjë bisedim me Iranin.

“Me Republikën Islamike të Iranit nuk po zhvillohen dhe nuk janë planifikuar bisedime apo komunikime”, shkroi Trump në rrjetet sociale.

Megjithatë, situata në terren nuk përputhet plotësisht me deklaratën e presidentit. Trafiku përmes ngushticës së Hormuzit vijon në nivele minimale dhe anijet që përshkojnë këtë rrugë strategjike vazhdojnë të përballen me sulme nga Irani.

Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një nga pikat qendrore të konfliktit. Trump kërkon rikthimin e qarkullimit të lirë të anijeve, siç ishte përpara luftës, ndërsa një marrëveshje që po diskutohet mes Iranit dhe Omanit mund t’u japë të dyja vendeve një rol më të madh në menaxhimin e trafikut detar.

Kjo marrëveshje ka shkaktuar shqetësim në Shtëpinë e Bardhë. Disa zyrtarë amerikanë besojnë se propozimi mund të forcojë kontrollin e Iranit mbi ngushticën, ndërsa Trump është shprehur veçanërisht kundër çdo forme pagese apo tarife për anijet që kalojnë në këtë korridor ndërkombëtar.

Pak ditë përpara deklaratës së Trump, Jared Kushner kishte dhënë një vlerësim më optimist për kontaktet me Iranin. Ai tha se komunikimet ishin “ndoshta më intensive se kurrë”, duke shtuar se pala amerikane po komunikonte me persona të ndryshëm brenda regjimit iranian.

Irani, megjithatë, ka mohuar vazhdimisht se po zhvillon negociata të drejtpërdrejta me Shtetet e Bashkuara.

Presion ekonomik në vend të negociatave

Administrata Trump pritet të vendosë së shpejti sanksione të reja të ashpra ndaj Iranit, ndërsa zyrtarë amerikanë të mbrojtjes kanë deklaruar se forcat amerikane në rajon janë të gatshme të zbatojnë bllokadën ndaj porteve iraniane për një periudhë të pacaktuar.

Strategjia e Trump duket se bazohet te ideja se presioni ekonomik do ta detyrojë përfundimisht Teheranin të pranojë kushtet amerikane për përfundimin e luftës.

Por edhe Irani e sheh situatën nga e kundërta: zyrtarët iranianë besojnë se Trump është nën presion politik për t’i dhënë fund konfliktit.

Ndërkohë, presioni po rritet edhe brenda ushtrisë amerikane. Prania e zgjatur e trupave dhe mjeteve ushtarake amerikane në rajon, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, ka ngritur shqetësime për lodhjen e forcave dhe pajisjeve.

Trump ka pranuar gjithashtu se rezervat amerikane të municioneve më të avancuara nuk janë në nivelin që ai do të dëshironte pas gjashtë muajsh lufte.

Megjithatë, presidenti amerikan deri tani i ka rezistuar thirrjeve, përfshirë nga republikanë, për të gjetur një mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit, duke këmbëngulur se nuk është nën presionin e kohës.

Në një tjetër postim të martën, Trump publikoi një hartë të ngushticës së Hormuzit, mbi të cilën shkruhej “Territor i SHBA-së”-një deklaratë që nuk lë të kuptohet se administrata amerikane po planifikon të tërheqë së shpejti forcat nga rajoni/ CNN

The post Trump po provon një qasje të re në luftën me Iranin appeared first on Gazeta Si.

  •  

Kapet mat duke ndezur zjarr, arrestohet 62-vjeçari

Nga Gazeta ‘Si’- Një 62-vjeçar është arrestuar nga policia në Mirditë pasi u kap mat duke ndezur një zjarr. Në pranga ra Anton Deda.

Policia thotë se Deda u kap gjatë monitorimit të terrenit me dron, pasi dyshohej se merrej me zjarrvënie të qëllimshme.

Sipas policisë, 62-vjeçari dyshohet se ka shkaktuar edhe 5 zjarre të tjera në ditët e fundit.

“Në momentin e kapjes, 62-vjeçari sapo kishte ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Nga veprimet hetimore dhe ndjekja në terren është dokumentuar se, gjatë ditëve të mëparshme, ky shtetas kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri.”, thuhet në njoftim.

Arrestimi i tij u krye për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.

The post Kapet mat duke ndezur zjarr, arrestohet 62-vjeçari appeared first on Gazeta Si.

  •  

Pse verat e fëmijërisë na dukeshin sikur nuk mbaronin kurrë?

Nga Gazeta ‘Si’- A ju kujtohet ndjesia se verat e fëmijërisë zgjatnin pafund?

Ditët dukeshin më të gjata, ndërsa një pushim veror dukej sikur mund të zgjaste përgjithmonë. Sipas ekspertëve, kjo nuk është thjesht nostalgji. Mënyra se si truri përjeton dhe regjistron kohën ndryshon me moshën.

Një nga arsyet kryesore është risia dhe vëmendja. Fëmijët përballen vazhdimisht me përvoja të reja dhe i kushtojnë vëmendje të plotë asaj që ndodh rreth tyre.

Një ditë në plazh, për shembull, mund të jetë plot me zbulime: një milingonë, një bretkosë, një peshk apo diçka tjetër që e shohin për herë të parë. Këto përvoja krijojnë kujtime të veçanta dhe të pasura.

Pikërisht këtu qëndron një nga paradokset e perceptimit të kohës: sa më të pasura të jenë kujtimet, aq më e gjatë na duket periudha e jetuar.

Për të rriturit, situata është ndryshe. Jeta e përditshme bëhet më e parashikueshme dhe truri nuk e regjistron çdo ditë si një seri përvojash të reja. Për këtë arsye, kur shohim pas në kohë, javët dhe muajt mund të duken sikur janë zhdukur shumë shpejt.

Roli i risisë

Ekspertët theksojnë se nuk është e nevojshme të udhëtojmë vazhdimisht apo të kërkojmë eksperienca të jashtëzakonshme për ta rikthyer këtë ndjesi. Edhe përfshirja e plotë në një aktivitet mund të ndryshojë mënyrën se si e përjetojmë kohën.

Të pikturosh, të luash një instrument, të merresh me kopshtari apo thjesht të vëresh me kujdes diçka që e ke parë shumë herë mund t’i japë trurit një ndjesi risie. Edhe një fushë livandoje që e ke parë dhjetëra herë mund të zbulojë një aromë, teksturë apo detaj të ri nëse ndalesh dhe e vëzhgon me vëmendje.

Vëmendja dhe emocioni janë dy përbërës thelbësorë të kujtesës. Përvojat e para, si dita e parë në shkollë, puthja e parë apo puna e parë, priren të mbeten më fort në kujtesë pikërisht sepse janë të reja dhe emocionalisht të rëndësishme. Sa më shumë përsëritet një përvojë, aq më pak gjasa ka që truri ta regjistrojë si një kujtim të veçantë.

Po teknologjia?

Në një kohë kur jeta jonë është e mbushur me ekrane, ekziston edhe një tjetër pyetje: çfarë i ndodh perceptimit të kohës kur truri bombardohet vazhdimisht me stimuj të shpejtë?

Videot, aplikacionet dhe përmbajtjet që ndryshojnë me ritëm të lartë e mësojnë trurin të përpunojë informacionin gjithnjë e më shpejt. Disa kërkime sugjerojnë se pas konsumimit të përmbajtjeve shumë të shpejta mund të ulet përkohësisht performanca e funksioneve të lidhura me vëmendjen. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nevojiten më shumë studime për të kuptuar ndikimin afatgjatë.

Rreziku mund të mos jetë vetëm humbja e përqendrimit, por edhe krijimi i kujtimeve më të varfra. Orët e kaluara para ekranit mund të duken sikur fluturojnë, por më vonë mund të kemi shumë pak kujtime të dallueshme prej tyre.

Prandaj, sipas ekspertëve, zgjidhja nuk është domosdoshmërisht të heqim dorë nga teknologjia, por të krijojmë më shumë hapësirë për përvoja të vërteta: të flasim pa ndërprerje, të shohim njëri-tjetrin në sy, të vëzhgojmë mjedisin përreth dhe t’i kushtojmë vëmendje asaj që po përjetojmë.

Në fund të fundit, arsyeja pse verat e fëmijërisë dukeshin të pafundme mund të jetë më e thjeshtë nga sa mendojmë: atëherë pothuajse gjithçka ishte e re./ El Pais

The post Pse verat e fëmijërisë na dukeshin sikur nuk mbaronin kurrë? appeared first on Gazeta Si.

  •  

Gjashtë vatra aktive zjarresh në vend

Nga Gazeta ‘Si’- Ministria e Mbrojtjes njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 6 vijojnë aktive dhe 4 janë nën mbikëqyrje.

Situata më e rënduar vijon në Gojan-Gjegjan të Pukës, ku operojnë rreth 190 forca në terren. Ndërhyrja vijon edhe në Tenë të Mirditës, Dukat të Vlorës, Malin e Dajtit dhe Bërshi të Klosit.

Në disa prej këtyre zonave zjarret janë me intensitet të ulët ose janë izoluar pjesërisht dhe nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Shtuf të Mirditës, zjarri mbetet aktiv, ndërsa terreni i thepisur vështirëson ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse.

Ministria bën me dije se në operacionet e shuarjes janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë kontribuar me 270 efektivë, 5 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

The post Gjashtë vatra aktive zjarresh në vend appeared first on Gazeta Si.

  •  

Në të ardhmen, AI do të zgjedhë partnerin tuaj

Nga Gazeta ‘Si’- Aplikacionet e takimeve online mund të ndryshojnë rrënjësisht mënyrën se si njerëzit njohin partnerët e tyre.

Në vend të fotografive, profileve dhe “swipe”-ve të pafundme, inteligjenca artificiale mund të marrë përsipër të analizojë personalitetin dhe të vendosë se me kë ia vlen të takoheni.

Një nga platformat që po eksperimenton me këtë model është Overtone, aplikacioni i krijuar nga Justin McLeod, themeluesi i Hinge.

McLeod u largua nga drejtimi i Hinge në fund të vitit të kaluar për t’iu përkushtuar projektit të ri, me idenë se problemi i aplikacioneve moderne të takimeve nuk është mungesa e zgjedhjeve, por pikërisht e kundërta: njerëzit kanë shumë zgjedhje.

Në vend që përdoruesi të kalojë orë duke parë fotografi dhe profile, Overtone bazohet kryesisht te zëri dhe biseda me inteligjencën artificiale. Sistemi mëson personalitetin, vlerat dhe mënyrën e komunikimit të përdoruesit dhe më pas propozon vetëm personat me të cilët mendon se ekziston një përputhje reale.

“Pa profile. Pa foto. Pa swipe”, është mënyra se si eksperti i AI Drew Glover e përshkruan konceptin. Në vend të një liste të pafundme kandidatësh, përdoruesi flet me AI-në dhe sistemi përpiqet të kuptojë se kush mund të jetë partneri më i përshtatshëm.

Nga fotografitë te personaliteti

Koncepti vjen në një kohë kur lodhja nga aplikacionet e takimeve po bëhet gjithnjë e më e dukshme. Përdoruesit përballen me qindra apo mijëra profile, ndërsa zgjedhja shpesh bëhet në pak sekonda, bazuar kryesisht në pamjen fizike.

Aplikacione të ndryshme kanë eksperimentuar edhe më parë me heqjen e fotografive. Në vitin 2013, OkCupid hoqi fotografitë e profileve për disa orë në kuadër të një iniciative të quajtur “Blind Love Day”. Eksperimenti nuk pati sukses, por të dhënat e mbledhura më pas treguan se pamja fizike kishte më pak ndikim në rezultatin e takimeve sesa mund të mendohej.

Verónica Alcanda, themeluese e një shërbimi profesional për gjetjen e partnerëve në Madrid, e konsideron idenë interesante, pasi ajo e zhvendos vëmendjen nga pamja te personaliteti, vlerat, inteligjenca emocionale, mënyra e komunikimit dhe objektivat në jetë.

Megjithatë, ajo paralajmëron se tërheqja fizike nuk mund të injorohet plotësisht. Sipas saj, problemi nuk është eliminimi i pamjes fizike, por ndryshimi i rendit të gjërave: fillimisht të njohësh personin dhe më pas të vlerësosh tërheqjen fizike.

AI si “mblesi” i ri

Pikërisht këtu AI mund të ndryshojë mënyrën se si funksionojnë aplikacionet e takimeve.

Në vend që algoritmi t’ju tregojë dhjetëra persona dhe t’ju kërkojë të vendosni “like” ose “dislike”, ai mund të marrë përsipër një pjesë të vendimmarrjes.

Për ekspertët, kjo përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm. Deri tani, inteligjenca artificiale është përdorur për të rekomanduar muzikë, filma, produkte apo lajme. Tani ajo po përpiqet të rekomandojë njerëz.

“Algoritmet gjejnë ngjashmëri, ndërsa profesionistët gjejnë përputhshmëri”, argumenton Alcanda, duke theksuar se një marrëdhënie njerëzore është shumë më komplekse sesa të dhënat që mund të analizojë një algoritëm.

Edhe Arthur Aron, psikologu që drejtoi studimin e famshëm me 36 pyetje për të krijuar afërsi mes dy njerëzve, mendon se fotografitë mund ta komplikojnë procesin. Sipas tij, mënyra se si është ndërtuar një platformë ndikon edhe në mënyrën se si njerëzit ndërveprojnë: një aplikacion i bazuar te fotografitë mund të favorizojë ndërveprime sipërfaqësore, ndërsa komunikimi përmes fjalëve mund të nxisë më shumë hapje personale.

Megjithatë, mbetet pyetja nëse njerëzit do të jenë vërtet të gatshëm t’ia besojnë një algoritmi një prej vendimeve më personale të jetës së tyre.

Overtone ka tashmë një listë pritjeje. Dhe nëse modeli funksionon, e ardhmja e aplikacioneve të takimeve mund të mos jetë më të zgjedhësh mes qindra fytyrave në ekran, por të flasësh me AI-në dhe ta lësh atë të zgjedhë për ty/ El Pais

The post Në të ardhmen, AI do të zgjedhë partnerin tuaj appeared first on Gazeta Si.

  •  

Si platformat e basteve po përdorin kulturën pop për të tërhequr gratë

Nga Gazeta ‘Si’- Platformat e basteve po përpiqen të tërheqin gjithnjë e më shumë gra duke përdorur rrjetet sociale, kulturën pop dhe mesazhe që lidhen me fuqizimin financiar. Por ekspertët paralajmërojnë se pas këtij imazhi modern mund të fshihet një tjetër formë bixhozi me rrezik të lartë.

Në platformat e tregjeve të parashikimit, përdoruesit mund të vendosin baste mbi rezultatet e ngjarjeve të ardhshme.

Në Kalshi, për shembull, disa prej parashikimeve lidhen me tema të kulturës pop, si mundësia që Timothée Chalamet dhe Kylie Jenner të fejohen gjatë këtij viti apo se cila modele do të veshë “Fantasy Bra” në shfaqjen e ardhshme të Victoria’s Secret.

Kjo qasje po shoqërohet edhe me një marketing të përshtatur posaçërisht për gratë. Në rrjetet sociale përdoren meme, referenca të kulturës pop dhe gjuhë që lidhet me financat dhe “fuqizimin ekonomik”, duke e paraqitur bastin më shumë si një mënyrë për të investuar sesa si lojë fati.

Një përdoruese në TikTok e ka përshkruar Kalshi-n si një platformë ku gratë mund të përdorin njohuritë e tyre mbi kulturën pop për të bërë parashikime dhe për të fituar para.

Por ekspertët paralajmërojnë se kjo mënyrë prezantimi mund të ulë perceptimin e rrezikut. Sipas Juan Francisco Navas, bashkëautor i librit “Trampas”, industria e basteve po përpiqet ta paraqesë atë që në thelb është spekulim dhe marrje risku si një produkt investimi.

Një nga mekanizmat kryesorë është krijimi i “iluzionit të kontrollit”: ideja se njohuritë, statistikat apo informacioni i specializuar mund t’i japin një personi aftësinë për të parashikuar rezultatin e një ngjarjeje.

Ky fenomen po shfaqet në një kohë kur numri i grave që luajnë online është në rritje. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme për Rregullimin e Bixhozit në Spanjë, numri i lojtareve gra u rrit me 23.53% brenda një viti, duke sjellë rreth 64 mijë përdoruese të reja në tregun e basteve online.

Historikisht, hapësirat e bixhozit kanë qenë më të lidhura me burrat, pasi bastet zhvilloheshin kryesisht në bare, kazino dhe ambiente të tjera tradicionalisht të dominuara nga meshkujt. Por kalimi i industrisë në platformat digjitale ka ndryshuar mënyrën se si kompanitë targetojnë konsumatorët.

Sot, marketingu mund të përshtatet sipas interesave të grupeve të ndryshme. Për gratë, kjo nënkupton baste që lidhen me kulturën pop, personazhet e famshëm, modën apo tema të tjera që mund të duken më pak të lidhura me bixhozin tradicional.

Në Spanjë, autoritetet kanë nisur procedura ndëshkuese ndaj platformave të parashikimeve Polymarket dhe Kalshi, duke dyshuar se ato mund të jenë duke operuar pa autorizimin e nevojshëm administrativ. Këto platforma funksionojnë ndryshe nga bastet tradicionale, pasi përdoruesit blejnë dhe shesin pozicione mbi rezultatin e ngjarjeve, ndërsa platforma vepron si ndërmjetëse.

Ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i termave si “mundësi investimi” dhe “fuqizim financiar”, në vend të fjalës “baste”, mund ta bëjë aktivitetin të duket më pak i rrezikshëm nga sa është në të vërtetë.

Në fund, argumenti është i thjeshtë: edhe kur basti mbështetet te njohuritë për kulturën pop, ai mbetet një aktivitet me rrezik të lartë dhe mund të çojë në humbje financiare apo varësi./ El Pais

The post Si platformat e basteve po përdorin kulturën pop për të tërhequr gratë appeared first on Gazeta Si.

  •  

Robotët po kërkojnë bakshish. Por kush i merr vërtet paratë?

Nga Gazeta ‘Si’- Nëse jeni lodhur nga makinat e lojërave në Venetian Hotel në Las Vegas, mund të provoni një koktej në The Tipsy Robot, një bar ku dy krahë robotikë përgatisin pijet automatikisht.

Por përtej spektaklit teknologjik, ekziston një detaj më pak argëtues: bakshishi.

Një margarita kushton 17 dollarë, ndërsa në faturë shfaqet edhe një tarifë shërbimi prej 10%. Pra, edhe pse koktejin e përgatiti një robot, klienti sërish pyetet nëse dëshiron të lërë bakshish.

Dhe nuk është një rast i izoluar. Një barist robotik në Artly Coffee në Nju Jork kërkonte gjithashtu bakshish, ndërsa në aeroportin Newark një kioskë pa staf sugjeronte të lihej bakshish edhe për një shishe ujë. Në Portland, në restorantin Top Burmese, porosia merret nga një punonjës, por ushqimi dorëzohet nga një robot.

Për shumë klientë, dilema është e thjeshtë: pse duhet t’i japësh bakshish një makinerie? Dhe mbi të gjitha, kush i merr paratë?

Përfaqësuesit e The Tipsy Robot dhe Artly Coffee thonë se bakshishet ndahen mes punonjësve njerëz dhe se kompanitë nuk marrin asgjë. Artly, madje, i ka hequr opsionet automatike për bakshish pas ankesave të klientëve.

Por ekspertët paralajmërojnë se situata mund të jetë më e ndërlikuar.

“Pyetja kryesore është kush përfiton dhe kush paguan çmimin”, thotë Holona Ochs, profesore e shkencave politike në Lehigh University dhe bashkëautore e librit Gratuity.

Kur bakshishi i shkon robotit

Në SHBA, bakshishi është bërë një pjesë gjithnjë e më e zakonshme e jetës së përditshme. Pas pandemisë, konsumatorëve u kërkohet të lënë bakshish në gjithnjë e më shumë vende, kryesisht përmes sistemeve digjitale të pagesave.

Problemi është se rregullat që mbrojnë bakshishet e punonjësve nuk janë ndërtuar duke parashikuar robotët.

Ligji amerikan ndalon kompanitë, pronarët dhe menaxherët të marrin pjesë nga bakshishet e punonjësve. Por çfarë ndodh kur bakshishi i jepet një makinerie?

Sipas Ochs, nuk ekziston ende një standard ligjor i qartë për pronësinë e bakshisheve që u jepen robotëve.

Kjo krijon një zonë gri. Një klient mund të mendojë se po shpërblen punonjësit që qëndrojnë pas teknologjisë, ndërsa paratë mund të përfundojnë te kompania.

Megjithatë, robotët nuk janë domosdoshmërisht një kërcënim për punonjësit e shërbimit. Në disa biznese, vetë prania e robotëve është atraksioni kryesor dhe njerëzit që punojnë aty mund të mos e kishin atë vend pune pa teknologjinë.

Artly thotë se përdorimi i robotëve nuk synon të zëvendësojë punonjësit, por të ndihmojë industrinë përballë mungesës së fuqisë punëtore. Kompania thotë gjithashtu se ka rritur pagat e punonjësve dhe ka hequr kërkesat automatike për bakshish pas ankesave të klientëve.

Të lësh apo jo bakshish për një robot?

Sipas Michael Lynn, profesor emeritus në Cornell University dhe autor i librit The Psychology of Tipping, bakshishi zakonisht lidhet me tre faktorë: shpërblimin për shërbimin, ndihmën ndaj një punonjësi që paguhet pak dhe presionin social për të mos u dukur dorështrënguar.

Asnjëra prej këtyre arsyeve nuk lidhet drejtpërdrejt me një robot.

Megjithatë, njerëzit mund të ndryshojnë mendje kur e dinë se bakshishi do t’u shkojë punonjësve njerëz.

Një studim tregoi se vetëm rreth 11% e pjesëmarrësve do t’i linin bakshish një banakieri robot. Por ata që kishin pasur më parë kontakt me robotë në shërbim ishin më të prirur ta bënin këtë. Ndërkohë, rreth 42% e atyre që fillimisht nuk do të jepnin bakshish ndryshuan mendim kur mësuan se paratë do të shkonin te punonjësit njerëz.

Në fund, mund të jenë pikërisht konsumatorët ata që vendosin nëse “robo-tipping” do të bëhet pjesë e normalitetit apo do të mbetet një modë kalimtare.

Nëse klientët vazhdojnë të paguajnë, bizneset kanë një arsye për ta mbajtur këtë praktikë. Nëse refuzojnë, presioni mund t’i detyrojë kompanitë ta braktisin.

Sepse, siç thotë Lynn, nuk ekziston askush që mund t’ju detyrojë të lini bakshish. Në fund, normat e bakshishit krijohen nga vetë konsumatorët.

Dhe kështu, e ardhmja e bakshishit mund të jetë më pak në duart e robotëve dhe më shumë në portofolin e klientëve./ BBC

The post Robotët po kërkojnë bakshish. Por kush i merr vërtet paratë? appeared first on Gazeta Si.

  •  

AI po ndryshon botën e punës, por jo gjithçka është siç duket

Nga Gazeta ‘Si’– AI për disa është bashkëpunëtori më i dobishëm në punë, për të tjerë një motor kërkimi më i sofistikuar, ndërsa skeptikët e konsiderojnë të mbivlerësuar. Dhe duket se askush nuk bie dakord se cili prej këtyre përshkrimeve është i saktë.

Drejtuesit e kompanive teknologjike që mbështesin zhvillimin e inteligjencës artificiale kanë argumentuar prej kohësh se kjo teknologji do të transformojë tregun e punës dhe do të sjellë një revolucion të ri industrial.

Skeptikët e shohin këtë si një strategji marketingu, ndërsa disa studiues dhe drejtues kompanish kanë ngritur shqetësime për sigurinë dhe pasojat e zhvillimit të shpejtë të AI.

Debati u bë veçanërisht i dukshëm javën e fundit, pas një eseje virale të një drejtuesi dhe investitori në sektorin e AI, i cili argumentoi se teknologjia mund të zëvendësojë çdo punë që kryhet përpara një kompjuteri.

Por një shpjegim më i thjeshtë mund të jetë se njerëzit po përdorin lloje të ndryshme të AI-së në mënyra të ndryshme, ndërsa të gjitha këto mjete përfshihen nën të njëjtin emër.

“Ekziston një spektër shumë i gjerë për sa i përket ekspozimit që njerëzit kanë ndaj kësaj teknologjie dhe mënyrës se si e përdorin atë”, thotë Matt Murphy, partner në Menlo Ventures, i cili ka investuar në kompani të AI-së, përfshirë Anthropic.

AI falas dhe AI me pagesë

Përdoruesit që e përdorin AI-në falas për detyra të thjeshta, si hartimi i listave të blerjeve, planifikimi i pushimeve apo përmbledhja e teksteve, shohin vetëm një pjesë të kapaciteteve të kësaj teknologjie.

Sipas një raporti të Menlo Ventures, vetëm rreth 3% e përdoruesve të AI-së ishin abonentë me pagesë, megjithëse kjo shifër pritet të rritet me shpejtësi.

Abonentët me pagesë kanë akses edhe te agjentët e AI-së, të cilët mund të kryejnë detyra dhe procese pune në mënyrë më autonome, ndryshe nga chatbot-et që kryesisht gjenerojnë përgjigje ndaj kërkesave të përdoruesit.

Pikërisht ky zhvillim po ushqen frikën për ndikimin e AI-së në vendet e punës.

Investitori Matt Shumer, në esenë e tij virale, përshkroi se si i kërkon AI-së të ndërtojë një aplikacion duke i dhënë vetëm një përshkrim të përgjithshëm të funksioneve dhe pamjes së tij. Sipas tij, AI mund të krijojë dhjetëra mijëra rreshta kodi, ta testojë aplikacionin dhe të marrë vendime që lidhen edhe me dizajnin dhe funksionalitetin.

Shumer argumenton se nëse AI është në gjendje të shkruajë kod në këtë nivel, mund të arrijë edhe të përmirësojë vetveten.

Megjithatë, disa ekspertë janë skeptikë ndaj këtyre pretendimeve, veçanërisht pasi nuk është bërë e qartë se cilin model AI përdori dhe sa kompleks ishte aplikacioni që ndërtoi.

Emily DeJeu, pedagoge në Carnegie Mellon University, thotë se do të ishte e gabuar të gjykoheshin aftësitë e AI-së vetëm nga shërbimet falas.

Oren Etzioni, profesor emeritus në University of Washington dhe ish-drejtues i Allen Institute for Artificial Intelligence, e krahason ndryshimin mes versioneve falas dhe me pagesë me atë mes një praktikanti entuziast, por pa përvojë, dhe një praktikanti më të aftë e më të përkushtuar.

Versionet falas janë të mira për përmbledhje dhe krijimin e përmbajtjes, ndërsa detyrat më komplekse, si kërkimi i thelluar apo hartimi i dokumenteve profesionale, zakonisht kërkojnë versione me pagesë.

Megjithatë, kompanitë e AI-së po sjellin gjithnjë e më shumë funksione të avancuara edhe në versionet falas, duke e bërë kufirin mes tyre më pak të qartë.

A do të zëvendësojë AI punët e njerëzve?

Frika për ndikimin e AI-së në punë është rritur ndjeshëm, veçanërisht pas zhvillimit të mjeteve që mund të automatizojnë pjesë të punës së programuesve, juristëve, analistëve financiarë dhe profesionistëve të tjerë.

Por paralelisht po rritet edhe skepticizmi për aftësitë reale të teknologjisë.

Disa studime kanë treguar se modelet kryesore të AI-së mund të prodhojnë rezultate të pasakta në detyra që lidhen me analizën e të dhënave, programimin dhe zgjidhjen e problemeve komplekse. Një tjetër studim, i publikuar në vitin 2025, gjeti se programuesit që përdornin AI merrnin 19% më shumë kohë për të përfunduar detyrat e tyre, megjithëse kërkimi u bazua në mjete AI të gjeneratës së hershme.

James Landay, bashkëthemelues i Stanford Institute for Human-Centered AI, argumenton se ndikimi i AI-së në programim është mbivlerësuar. Sipas tij, AI është një mjet i dobishëm që mund t’i ndihmojë programuesit të punojnë më shpejt, por mbetet i prirur ndaj gabimeve.

Një arsye pse programimi është veçanërisht i përshtatshëm për AI-në është struktura e tij logjike: kodi mund të testohet menjëherë për të parë nëse funksionon apo jo.

Por jo të gjitha profesionet funksionojnë në këtë mënyrë.

Dhe pikërisht këtu qëndron një nga pikëpyetjet më të mëdha mbi të ardhmen e AI-së: fakti që teknologjia po tregohet gjithnjë e më e aftë në programim nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të jetë po aq efektive në çdo profesion tjetër./ Cnn

The post AI po ndryshon botën e punës, por jo gjithçka është siç duket appeared first on Gazeta Si.

  •  
❌