Reading view

22:59 Trump përballë dilemës: Kompromis me Iranin apo përshkallëzim i luftës?

Lufta e presidentit amerikan Donald Trump kundër Iranit ka hyrë në muajin e gjashtë, ndërsa administrata amerikane po përballet me një dilemë të vështirë: të pranojë kompromisin që do t’i jepte Iranit më shumë ndikim mbi Ngushticën e Hormuzit ose të përshkallëzojë konfliktin me sulme të reja ushtarake.

Sipas analizës së “Reuters”, Trump ndodhet përballë tre skenarëve kryesorë si:

Pranimi i një marrëveshjeje të përkohshme që po negociohet mes Iranit dhe Omanit. Kjo marrëveshje do t’i jepte Teheranit një rol në administrimin e trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit, një lëshim i rëndësishëm që SHBA-ja kishte premtuar ta pengonte.
Përshkallëzimi ushtarak, me sulme të reja ajrore ndaj Iranit, një zgjedhje që mund të zgjasë luftën dhe të dëmtojë politikisht Trump, përpara zgjedhjeve afatmesme të nëntorit.
Ruajtja e situatës aktuale, duke vazhduar bllokadën ndaj porteve iraniane dhe duke reaguar vetëm ndaj sulmeve kundër anijeve. Megjithatë, edhe kjo nuk i ofron presidentit një rrugëdalje nga konflikti.
Ish-negociatori amerikan për Lindjen e Mesme, Aaron David Miller, tha se Trump po përballet me “një listë opsionesh të këqija” dhe se mund të detyrohet të pranojë një realitet të ri në Ngushticën e Hormuzit.

Ngushtica e Hormuzit mbetet pika kyçe

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka këmbëngulur se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet një rrugë ujore ndërkombëtare, pa kontrollin e Iranit dhe pa tarifa për kalimin e anijeve.

Megjithatë, analistët vlerësojnë se Trump mund të ndryshojë qëndrim, sidomos për shkak të, çmimeve të larta të karburantit në SHBA; rënies së mbështetjes së tij në sondazhe she kundërshtimit të gjerë të luftës nga opinioni publik amerikan.

Sipas tyre, ndërsa konflikti është zgjatur, Irani nuk ka bërë lëshimet që Uashingtoni priste, duke rritur mundësinë që kompromiset t’i bëjë vetë administrata Trump.

Objektivat kryesore nuk janë arritur

Edhe pse Trump ka deklaruar vazhdimisht se SHBA-ja ka dobësuar ushtrinë iraniane dhe ka eliminuar drejtues të rëndësishëm, shumica e analistëve besojnë se objektivat kryesore të luftës nuk janë realizuar.

Trump deklaroi se kishte pezulluar planet për sulme të reja në shkallë të gjerë, pasi partnerët në Lindjen e Mesme kërkuan t’i jepej një mundësi diplomacisë.

Megjithatë, ai paralajmëroi se SHBA-ja do të godasë sërish nëse bisedimet dështojnë.

Në një tubim në Las Vegas, Trump tha: “Do të preferoja të arrija një marrëveshje, sepse nuk dua të vriten njerëz. Por në një moment do të ndodhë”.

Rreziqe politike dhe ndërkombëtare

Burime të “Reuters” bëjnë të ditur se administrata amerikane tashmë, pranon se konflikti mund të vazhdojë edhe gjatë zgjedhjeve afatmesme, duke krijuar rrezik politik për Trump, i cili kishte premtuar gjatë fushatës se do t’i shmangte ndërhyrjet ushtarake jashtë vendit.

Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar aleatët arabë të SHBA-së, në Gjirin Persik se çdo sulm i ri amerikan, do të pasohet me goditje ndaj infrastrukturës së tyre energjetike.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se Kina, Rusia dhe Koreja e Veriut po e ndjekin nga afër konfliktin, për të kuptuar kufijtë e fuqisë dhe reagimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./mxh

  •  

22:48 Ekstradohet nga Kolumbia “Kimisti” i laboratorit të kokainës në Frakull

Saimir Rosales Rodriguez, shtetas kolumbian i njohur me nofkën “Kimisti”, është ekstraduar nga Kolumbia drejt Shqipërisë për të vuajtur dënimin me 14 vite burg, të vendosur pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për laboratorin e kokainës në Frakull.

Rodriguez konsiderohet një nga figurat kyçe të grupit kriminal të përfshirë në funksionimin e laboratorit të drogës, i zbuluar gjatë një prej operacioneve më të rëndësishme antidrogë në vend.

Sipas autoriteteve, pas goditjes së laboratorit ai ishte larguar nga Shqipëria për t’iu shmangur drejtësisë. Më pas u lokalizua dhe u arrestua në Kolumbi, duke i hapur rrugë procedurave të ekstradimit.

Me mbërritjen në Shqipëri, shtetasi kolumbian do të vuajë dënimin prej 14 vitesh burg, ndërsa dosja e laboratorit të kokainës në Frakull mbetet një nga çështjet më të rëndësishme të hetuara nga SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut ndërkombëtar të narkotikëve./mxh

  •  

22:38 Ylli Manjani u kthehet protestuesve: Kush më shan, është i sharë!

Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar ashpër ndaj kritikëve dhe protestuesve, të cilët sipas tij e kanë kthyer në shënjestër dhe kanë nxjerrë deklaratat e jo-kontekst.

I ftuar në një emision televiziv, Manjani u shpreh se fjalët e tij për “bukën e gojës” janë keqinterpretuar qëllimisht nga ata që i quajti “mashtrues elektronikë” dhe “horra elektronikë”. Ai sqaroi se deklarata lidhej me shitblerjen e votës dhe jo me të drejtën e qytetarëve për të protestuar.

“Këta persona që më vendosin mua në kontekst të ndryshëm nuk janë tjetër gjë, veçse mashtrues elektronikë. Shitja e votës nuk justifikohet në emër të bukës së gojës, këtë kam thënë unë… Ata kanë publikuar dhe numrin tim të telefonit dhe kanë nxitur urrejtjen e njerëzve me fjalë që nuk i kam thënë unë”, deklaroi Manjani.

Duke iu përgjigjur fyerjeve dhe sulmeve ndaj tij në rrjetet sociale, ish-ministri lëshoi një mesazh të drejtpërdrejtë: “Prapë po e them se kush më shan, është i sharë. Është shumë e thjeshtë, është logjikë e pastër. Kush merret me personin tim, familjen time, që shan nga mëngjesi në mëngjes, është i sharë nga mëngjesi në mëngjes. Unë nuk jam në pushtet, nuk e kuptoj se çfarë kanë me mua”.

Në lidhje me lëvizjen e përditshme të qytetarëve në shesh, Manjani e cilësoi protestën si absurde, duke argumentuar se ajo nuk e ka të qartë se çfarë dëshiron të arrijë. Sipas tij, në tubime ka pasur edhe elementë destabilizues, çka sipas tij dëshmohet nga shpallja e disa personave si non grata./mxh

  •  

22:24 Surpriza e kampionit të botës, Rodri i thotë përfundimisht ‘jo’ Realit të Madridit, zgjodhi kalimin te Barcelona

Rodrigo Hernandez refuzon përfundimisht Realin e Madridit dhe zgjedh opsionin e kalimit te Barcelona gjë që e komunikuan zyrtarisht drejtuesit e Los Blancos që përpara disa ditësh kishin bërë një ofertë të rëndësishme ekonomike.

Mesfushori kampion i botës, në bisedimet e zhvilluara me drejtuesit e klubit madrilemn gjithnjë është shfaqur i respektueshëm në maksimum, por nuk ka qenë kurrë i bindur plotësisht, një rrethanë kjo që i mbajti në alarm në çdo moment drejtuesit e Realit të Madridit teksa prisnin vendimin përfundimtar të futbollistit.

Në Valdebebas e dinë shumë mirë se që një futbollist të kalojë te Reali i Madridit duhet të jetë plotësisht i sigurt për një lëvizje të tillë dhe Rodri nuk e transmetoi kurrë këtë siguri. Sigurisht që te klubi merenges e kuptojnë dhe e respektojnë vendimin e futbollistit

Në bisedimet e fundit të zhvilluara ditë më para, Rodri bëri të ditur arsyet se përse shihte nga Barcelona që bazohet te stili i lojës të trashëguar nga Guardiola dhe për faktin që është më i afërt me futbollistët e skiadrës katalanas gjatë bashkëjetesës në kombëtaren spanjolle. Në Madrid i kuptuan shumë mirë shpjegimet e dhëna nga Rodri dhe i uruan fat në rrugën që ai zgjodhi. Los Blancos nuk e bënë dramë këtë zgjedhje të futbollistit edhe pse ai u preferua për futbollin, karizmën dhe peshën që ka në kombëtare.

Real Madridi zhvilloi dy biseda me drejtuesit e Manchester City-t, por në asnjërën prej tyre nuk u arrit të niste një negociatë e mirëfilltë; u diskutuan vetëm skenarë të mundshëm, në rast se arrihej një marrëveshje me Rodrin. Asnjëherë nuk u fol për një shumë konkrete parash me të cilën klubi anglez do ta vlerësonte transferimin e lojtarit. Transferimi i Rodrit te Barcelona do të kushtojë rreth 60 milionë euro dhe kontrata e futbollistit me klubin blaugrana do të jetë 4 vjeçare me një pagë prej 30 milionë euro bruto në sezon./mxh

  •  

22:18 Rrezikoi pushuesit me Jet Ski/ Gjobë e majme për një shtetas në Vlorë

Policia Kufitare ka ndëshkuar një shteas që shkeli perimetrin e sigurisë në një plazh në Vlorë, duke rrezikuar jetën e pushuesve me mjetin lundrues të llojit Jet Ski.

Gjatë patrullimit në vendin e quajtur “Plazhi i Hidrovorit”, në zonën e Zvërnecit, shërbimet e Policisë Kufitare konstatuan një mjet lundrues (Jet Ski), i cili kishte hyrë brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku po laheshin pushuesit, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.

Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u bllokua, ndërsa ndaj poseduesit të tij, shtetasit A. V., u vendos masë administrative me vlerë 300.000 lekë të rinj, në zbatim të legjislacionit në fuqi./Mxh

  •  

22:10 A$AP Rocky sqaron videon virale me Rihannën: “Ishte vetëm një bisedë”

A$AP Rocky ka vendosur t’u japë fund aludimeve që shpërthyen në rrjet pas Met Gala 2026, ku një video e tij me Rihannën u interpretua nga shumë përdorues si një moment tensioni mes çiftit.

I ftuar në emisionin The Jason Lee Show, reperi sqaroi se nuk kishte pasur asnjë konflikt me partneren e tij. Ai tha se të dy po bisedonin normalisht dhe se nuk e kupton se si pamjet u kthyen në burim spekulimesh.

Artisti shtoi se edhe nëse do të kishin pasur një debat, kjo nuk do të ishte diçka e pazakontë në një marrëdhënie, duke pyetur pse publiku është kaq i interesuar për çdo moment të jetës së tyre private. Ai theksoi se nuk mban mend të kenë pasur ndonjë mosmarrëveshje atë mbrëmje.

Sipas Rocky-t, lodhja pas eventit të gjatë ishte arsyeja pse pamjet mund të jenë interpretuar gabim.

Gjatë intervistës, reperi foli edhe për marrëdhënien e tij me Rihannën, duke e përshkruar këngëtaren si mbështetjen e tij më të madhe në periudhat e vështira. Ai tregoi se ajo i ka qëndruar pranë në momente të rëndësishme, përfshirë edhe humbjen e të atit, si dhe në sfida të tjera personale gjatë viteve.

Rihanna dhe A$AP Rocky janë bashkë prej vitit 2020 dhe sot janë prindër të tre fëmijëve, duke u konsideruar një nga çiftet më të komentuar në botën e showbiz-it./mxh

  •  

21:59 Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz zgjedhin një datë të re për të festuar dashurinë e tyre

Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz kanë vendosur t’i japin një kuptim të ri përvjetorit të martesës së tyre. Çifti nuk e konsideron më si datë feste ceremoninë madhështore të vitit 2022, por ditën kur rinovuan betimet martesore në një ceremoni intime gjatë gushtit të vitit 2025.

Sipas raportimeve të mediave britanike, mes tyre edhe The Sun, dasma e parë nuk mbart kujtime të bukura për çiftin. Burime pranë tyre tregojnë se ajo periudhë u shoqërua me tensione dhe emocione të forta, aq sa Nicola Peltz thuhet se u përlot gjatë ceremonisë.

Edhe pse martesa e tyre u zhvillua në një event luksoz treditor në rezidencën e familjes Peltz në Palm Beach, me qindra të ftuar dhe praninë e familjes Beckham, atmosfera pas skenave nuk ka qenë aq e qetë sa u duk publikisht.

Për këtë arsye, Brooklyn dhe Nicola vendosën një kapitull të ri në marrëdhënien e tyre kur rinovuan betimet në vitin 2025. Ceremonia u mbajt larg vëmendjes së publikut dhe pa pjesëmarrjen e familjes Beckham, duke u kthyer në momentin që ata e konsiderojnë simbolin e vërtetë të martesës së tyre.

Ndryshe nga prilli, kur nuk ndanë asnjë dedikim publik, në përvjetorin e rinovimit të betimeve të dy publikuan mesazhe romantike në rrjetet sociale. Brooklyn e përshkroi Nicolën si shoqen e tij më të mirë dhe gruan që e bën të ndihet me fat çdo ditë, ndërsa Nicola shkroi se bashkëshorti i saj e bën jetën më të bukur dhe është gjithçka që ajo kishte ëndërruar.

Më herët, Brooklyn kishte lënë të kuptohej se rinovimi i betimeve ishte një mënyrë për të lënë pas kujtimet e pakëndshme dhe për të krijuar të reja, të mbushura me lumturi. Ai kishte folur edhe për tensionet familjare që shoqëruan dasmën e vitit 2022, përfshirë raportet e përfolura me nënën e tij, Victoria Beckham./mxh

  •  

21:46 Zendaya dhe Tom Holland thuhet se janë martuar në fshehtësi, dalin detaje nga ceremonia private

Zendaya dhe Tom Holland duket se kanë kurorëzuar në fshehtësi historinë e tyre të dashurisë. Sipas mediave ndërkombëtare, dy aktorët kanë organizuar një ceremoni shumë private, e ndjekur nga një festë intime me familjarë dhe miq të ngushtë.

Raportohet se eventi u zhvillua në hotelin luksoz Beaverbrook, në Surrey të Anglisë, një vend me rëndësi të veçantë për Tom Holland, pasi ndodhet pranë zonës ku ai është rritur. Për të garantuar diskrecion maksimal, të pranishmëve dhe stafit iu kërkua të mos përdornin telefonat celularë gjatë gjithë aktivitetit.

Sipas burimeve amerikane, çifti rezervoi të gjithë kompleksin, me një kosto që thuhet se kaloi 670 mijë dollarët, duke siguruar privatësi të plotë për të ftuarit.

Zërat për martesën nisën të qarkullonin prej kohësh, sidomos pasi stilisti i Zendayas, Law Roach, la të kuptohej në një intervistë se aktorët kishin shkëmbyer tashmë betimet martesore në një ceremoni larg syrit të publikut.

Dyshimet u shtuan edhe më shumë kur Zendaya u pa duke mbajtur një unazë martese në vend të unazës së fejesës. Ndërkohë, gjatë promovimit të filmit të tyre më të fundit, ajo iu përgjigj me humor një fansi që i propozoi martesë, duke thënë: “Je shumë vonë!”

Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka bërë një konfirmim zyrtar, raportimet e fundit dhe organizimi i festës private kanë forcuar bindjen se Zendaya dhe Tom Holland kanë hedhur tashmë hapin drejt martesës./mxh

  •  

21:37 Budapesti regjistron ditën më të nxehtë ndonjëherë

Budapesti regjistroi temperaturën më të lartë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa një valë e nxehtë intensive i çoi temperaturat në të gjithë Hungarinë afër 42 gradë Celsius, raportuan sot mediat lokale.

Temperatura në kryeqytet arriti në 41.1 gradë Celsius, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 41 gradë Celsius të vendosur më parë këtë verë, raportoi TVP World.

Budakalasz, një qytet pranë Budapestit, regjistroi 41.4 gradë Celsius, pak më poshtë rekordit kombëtar të Hungarisë prej 42 gradë Celsius të matur në Szecseny më 30 qershor. Vendi gjithashtu përjetoi natën më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, me temperaturat në kodrën Janos në Budapest që ranë në vetëm 28 gradë Celsius.

Nxehtësia e zgjatur ka ushtruar presion në rritje mbi sistemet e ujit dhe energjisë të Hungarisë. Kufizimet në përdorimin e ujit mbeten në fuqi në 629 komuna, me 13 nën nivelin më të lartë të alarmit. Ushtria është vendosur për të furnizuar me ujë të pijshëm zonat që përballen me mungesat më të rënda.

Ministri i Mjedisit, Laszlo Gajdos u bëri thirrje banorëve të vazhdojnë të ulin përdorimin jo-thelbësor të ujit për të mbrojtur furnizimet shtëpiake. Konsumi i ujit në të gjithë vendin ka rënë me 9 për qind ditët e fundit, njoftoi ai.

Nivelet rekord të ulëta të ujit në Danub kanë ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike në termocentralin bërthamor Paks, i cili normalisht furnizon rreth gjysmën e energjisë elektrike të Hungarisë. Objekti ka funksionuar me pak më shumë se 10 për qind të kapacitetit të tij për shkak të nivelit të ulët të lumit.

Kryeministri Peter Magyar tha sot se Danubi ishte rritur me nëntë centimetra që nga arritja e nivelit minimal të dielën, duke lejuar që një turbinë të rifillojë punën. Megjithatë, ai paralajmëroi se ende ekziston një “nevojë e fortë” që familjet dhe bizneset të ulin vullnetarisht konsumin e energjisë elektrike ndërsa vala e nxehtësisë vazhdon.

Temperaturat ekstreme kanë prekur pjesën më të madhe të Evropës qendrore dhe jugore. Austria vendosi një rekord kombëtar të nxehtësisë këtë javë ndërsa Polonia regjistroi një rekord të të gjitha kohërave prej 40.5 gradë Celsius në Slubice më 28 qershor./mxh

  •  

21:25 Pedagogu më i ri në botë: 18-vjeçari thyen rekordin që qëndronte prej vitit 1717

Nathan Thomas është pedagogu më i ri universitar në botë: në moshën 18-vjeçare thyen një rekord treqindvjeçar, shruan il fatto quotidiano.it.

“Nuk mendoj për moshën, por për t’i ndihmuar studentët”, është motoja e tij

Mrekullia e re akademike Nathan Thomas ka rishkruar historinë e arsimit universitar botëror.

Në moshën 18 vjeç e 346 ditë, ai është bërë pedagogu më i ri universitar në botë, duke hyrë zyrtarisht në Guinness World Records.

Thomas jep mësim për inxhinieri në Miami Dade College, në shtetin e Floridës.

Me këtë arritje të jashtëzakonshme ai ka thyer një rekord që kishte mbetur i pathyer për më shumë se 300 vjet.

Rekordi i mëparshëm ishte vendosur në vitin 1717, kur matematikani skocez Colin Maclaurin (1698–1746) u bë profesor i matematikës në moshën 19-vjeçare, një rekord që dukej se nuk do të thyhej kurrë.

Ai shton se mosha nuk është një faktor vendimtar:

“Përqendrohem thjesht te fakti që ta bëj mirë punën time dhe t’i ndihmoj studentët në çdo mënyrë të mundshme”, shton ai

Historia e tij është e jashtëzakonshme. Në moshën 14-vjeçare, Nathan u diplomua në Matematikë pikërisht në kolegjin ku sot jep mësim.

Edhe si student ai vendosi një rekord, duke u bërë personi më i ri që është diplomuar ndonjëherë në Miami Dade College.

Ai e mbajti këtë rekord deri në prillin e kaluar, kur vëllai i tij e theu atë, duke u diplomuar vetëm tre muaj më herët se mosha që kishte Nathan.

Më pas Nathan vazhdoi studimet në Florida International University, ku brenda katër vitesh përfundoi me rezultate maksimale si diplomën bachelor, ashtu edhe masterin në inxhinieri elektrike.

Sikur kjo të mos mjaftonte, ai aktualisht ndjek edhe studimet në University of Miami School of Law, ku synon të diplomohet në Jurisprudencë në vitin 2028.

Objektivi i tij është të ndërtojë një karrierë edhe në fushën ligjore, krahas asaj akademike./mxh

  •  

21:18 Në vend të rindërtimit ngrihet bazë ushtarake në Gaza, Bordi i Paqes jep kontratën e parë

Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump për të mbikëqyrur rindërtimin e Gazës, ka dhënë kontratën e parë të ndërtimit në këtë territor palestinez. Projekti parashikon ndërtimin e një baze të përkohshme ushtarake për 150 pjesëtarë, ku do të vendosen ushtarë marokenë.

Sipas gazetës britanike The Guardian, kontrata ende nuk është konfirmuar përfundimisht, por i është dhënë kompanisë amerikane Arkel International, e cila më parë ka realizuar projekte për qeverinë amerikane në vende si Iraku.

Bordi i Paqes drejtohet nga Trump, ndërsa në udhëheqjen e tij janë edhe Jared Kushner dhe Steve Witkoff. Një zyrtar i komitetit tha se disa kontrata janë në fazën përfundimtare të përgatitjes, por asnjëra nuk është finalizuar ende.

Baza ushtarake do të ndërtohet në një zonë nën kontrollin e ushtrisë izraelite, e cila aktualisht kontrollon një pjesë të madhe të territorit të Gazës. Objekti do të jetë rreth 1.6 kilometra larg kufirit me Izraelin dhe do të ketë një rrugë të shpejtë evakuimi në rast sulmesh.

Plani lidhet me krijimin e Forcave Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) për Gazën, ku Maroku ka paralajmëruar dërgimin e një kontingjenti të vogël ushtarak. Megjithatë, kuadri ligjor për vendosjen e këtyre forcave ende nuk është miratuar.

Ndërkohë, planet fillestare për rindërtimin e Gazës janë reduktuar nga një projekt i gjerë në një projekt pilot.

Sipas vlerësimeve, rreth 80 për qind e ndërtesave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës, ndërsa rreth dy milionë banorë vazhdojnë të përballen me kushte të vështira jetese në kampe të improvizuara./mxh

  •  

21:10 Ministri i Mbrojtjes, akuza PD-së: Nuk solidarizohet me zjarret, bëm tymnajë për 3 avionë

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar sot lidhur me qëndrimin e Partisë Demokratike për Marrëveshjen e Huasë me SHBA-në në fushën e mbrojtjes.

Përmes një postimi në “Facebook”, Nufi shprehet se në kët situatë zjarresh në vend, PD në vend që të solidarizohet, sulmon dhe zgjedh të bëjë tymnajë.

Sipas Ministrit, kjo hua synon invesime për pajisjen e Shqipërisë me 3 avionë të dedikuar për shuarjen e zjarreve.

Reagimi i plotë:

Në këtë situatë zjarresh dhe pune të jashtëzakonshme të të gjithë efektivëve zjarrfikës, të Emergjencave Civile në Forcat e Armatosura, të pilotëve heronj të Forcës Ajrore – reagimi dhe akuzat e Partisë Demokratike janë krejt të pakuptimta duke zgjedhur të bëjë tymnajë me dy prej hapave më të rëndësishëm të ndërmarra së fundmi nga Shqipëria për sigurinë kombëtare dhe mbrojtjen civile.

PD nisi një sulm e deri padi në gjykatë, për marrëveshjen e Huasë FMF prej 302 milion dollarësh me SHBA; dhe tani në vend që të solidarizohet me efektivët e emergjencave civile në gjithë Shqipërinë (që mund të jenë të majtë apo të djathtë), të cilët po i shërbejnë Atdheut për të përballuar situatën e zjarreve – sulmojnë edhe investimin për pajisjen e Shqipërisë me 3 avionë të dedikuar për shuarjen e zjarreve.

Investimi në tre avionët e rinj zjarrfikës, i cili fillon që me trajnimin në kushte dhe kohë reale të pilotëve tanë për përdorimin e tyre, ka si qëllim të forcojë kapacitetet tona në kuadër të mbrojtjes civile.

Ky është një investim i bërë plotësisht konform legjislacionit shqiptar në fuqi, mbi bazën e parimeve të ligjshmërisë, transparencës, konkurrencës dhe trajtimit të barabartë të operatorëve ekonomikë, i cili sipas ligjit është fituar nga oferta më e ulët. Mbi të gjitha, ky investim ka rëndësi strategjike për rritjen e sigurisë civile, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, të pasurisë dhe të mjedisit.

E kam thënë dhe do e përsëris sa herë të jetë e nevojshme: çështjet që prekin sigurinë kombëtare, mbrojtjen civile dhe/apo partneritetet strategjike nuk duhet të jenë fushë për konsum politik. Dhe nëse ndodh: rasti më i mirë është padije; ndër rasti më i keq është dashakeqësi kundër interesit qytetar dhe atij kombëtar. Kjo, në mes të një situate emergjencash civile që po menaxhohen me profesionalizëm nga heronjtë në vijën e parë të zjarrit dhe nga të gjitha strukturat bashkiake, agjencitë shtetërore dhe nga efektivët e Forcave të Armatosura – për të cilët gjej rastin t’i shpreh mirënjohjen më të thellë dhe falënderimin për punën dhe shërbimin ndaj Shqipërisë./mxh

  •  

20:59 Zelensky “sfidon” Moskën zyrtare/ Viziton Serbinë në fundjavë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të vizitojë të shtunën Serbinë.

Zelensky ka shtuar udhëtimet e tij jashtë vendit për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për Kievin. Ai nuk e ka vizituar Beogradin që kur mori detyrën në vitin 2019.

Serbia është një nga vendet e pakta në Europë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022. Ajo është shumë e varur nga Moska për furnizimet e saj me gaz natyror. Por është gjithashtu një kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe po përpiqet të ruajë një ekuilibër delikat për të mbrojtur marrëdhëniet e saj si me Brukselin ashtu edhe me Rusinë.

Për këtë arsye, vizita e tij në Beograd cilësohet nga analistët si një sfidë e hapur ndaj Rusisë./Mxh

  •  

20:53 Rama mbledh ministrat pas pushimeve, ja datat dhe detajet

Last Updated on 06/08/2026 by Monika

Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një mbledhje me ministrat e qeverisë në fund të këtij muaji.

Sipas raportimeve në media, takimi do të zhvillohet në datat 24-25 gusht në qytetin e Pogradec.

Takimi është konceptuar si një mbledhje informale pak para shtatorit që përkon me fillimin e sesionit të ri parlamentar.

Gjatë mbledhjes, ministrat do të raportojnë mbi punët dhe veprimtarinë e tyre përgjatë sezonit të verës, si edhe prioritetet në vijim.

Takimet informale me ministrat janë traditë e kryeministrit Rama, që zhvillohen çdo vit në fund të pushimeve verore./mxh

  •  

20:52 25 vatra zjarri në 12 orët e fundit, 10 mbeten aktive

Last Updated on 06/08/2026 by Monika

Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 12 orëve të fundit në vend janë raportuar 25 vatra zjarri, ndërsa 10 prej tyre vijojnë të mbeten aktive.

Sipas njoftimit, në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 454 forca operacionale, 47 automjete zjarrfikëse, 110 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë, avioni “Air Tractor” dhe tre automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura.

Në zonën e Dajtit dhe në fshatin Priskë të Tiranës vijojnë ndërhyrjet nga toka dhe ajri për shuarjen e zjarreve, ndërsa autoritetet bëjnë me dije se nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.

Në Mallakastër, në fshatrat Riban dhe Ngraçan, situata është drejt stabilizimit falë ndërhyrjes së forcave në terren dhe mjeteve ajrore.

Ndërkohë, në qarkun e Elbasanit vijon puna për neutralizimin e vatrave në Shqiponjë, malin e Dardhës, Mjekës dhe zonën e mbrojtur të malit të Valamarës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë vënë nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

Në Kostren 2, në bashkinë Berat, është riaktivizuar një vatër zjarri dhe forcat zjarrfikëse po punojnë për shuarjen e saj. Nga ana tjetër, zjarret në Floq të Korçës dhe në Shpërdhet–Drojë të Kurbinit janë shuar plotësisht.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe të gjitha strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve në të gjithë territorin e vendit./mxh

  •  

20:47 Ukraina e shqetësuar për furnizimet e pakta të raketave mbrojtëse

Mospengimi i asnjë rakete ruse gjatë një sulmi të madh ajror gjatë natës, këtë javë, ka ngritur shqetësime të reja për furnizimet gjithnjë e më të pakta të Kievit me armë penguese të mbrojtjes ajrore, ndërsa Moska po intensifikon sulmet me raketa balistike ndaj kryeqytetit pothuajse të pambrojtur dhe rajoneve të tjera ukrainase.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se dërgesat e raketave penguese të atyre balistike nga vendet partnere kanë rënë ndjeshëm, duke e lënë Ukrainën të ekspozuar ndaj sulmeve vdekjeprurëse që Rusia po i kryen gjithnjë e më shumë.

Pas një takimi me udhëheqjen ushtarake të Ukrainës, më 2 gusht, për mbrojtjen e infrastrukturës kritike, Zelensky tha se Ukraina kishte marrë vetëm një të tretën e numrit të raketave penguese këtë vit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

“Partnerët tanë i kanë raketat. Ajo që nevojitet janë vendimet e nevojshme politike për dërgesat dhe për përshpejtimin e prodhimit, përfshirë edhe lokalizimin e prodhimit në Ukrainë”, tha Zelensky.
Ministrja e Jashtme e Letonisë, Baiba Braze, e cila ndodhej në Kiev gjatë sulmit më të fundit, më 5 gusht, dënoi goditjet e fundit ruse, të cilat ndriçuan qiellin e natës me shpërthime masive.

“Ishte një sulm i neveritshëm ndaj ukrainasve. Isha në strehimore së bashku me shumë prej tyre, dhe admirova qëndrueshmërinë e tyre. Rusia është një shtet terrorist dhe duhet të frenohet”, shkroi ajo në X.
Edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, u bëri thirrje aleatëve që të mos ngadalësojnë ndihmën ushtarake.

Duke folur më 5 gusht, ai tha: “Sulmet ruse nuk marrin pushime verore; as mbështetja për Ukrainën dhe as presioni ndaj agresorit nuk duhet të ndalen. Çdo raketë penguese ka rëndësi. Ato janë mjete që shpëtojnë jetë”.

Raketat penguese Patriot mbeten mbrojtja më efektive e Ukrainës kundër raketave balistike ruse, por po shtohen pyetjet se sa raketa penguese shtesë mund të sigurojë realisht Uashingtoni.

Javën e kaluar, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) vlerësoi se Shtetet e Bashkuara kanë përdorur më shumë se gjysmën e rezervave të tyre të raketave penguese Patriot PAC-3 MSE dhe THAAD, gjatë operacioneve ushtarake kundër Iranit këtë vit./Mxh

  •  

19:58 Met Gala 2027 ndez polemika: Ekspozita për John Galliano rikthen në vëmendje skandalin e vitit 2011

Edhe pse Met Gala 2027 është ende disa muaj larg, edicioni i ardhshëm ka nisur që tani të shkaktojë debate të forta në botën e modës dhe kulturës pop.

Instituti i Kostumeve pranë Muzeut Metropolitan të Artit ka njoftuar se ekspozita e pranverës 2027 do t’i kushtohet stilistit britanik John Galliano. E titulluar “John Galliano: Horizons”, ekspozita do të sjellë një retrospektivë të karrierës së tij mbi katër dekada, ndërsa edhe Met Gala i lidhur me të do të ketë në qendër krijimtarinë e stilistit.

Vendimi ka shkaktuar reagime të shumta, për shkak të së kaluarës së diskutueshme të Gallianos. Pavarësisht ndikimit të tij të madh në shtëpi të njohura mode si Givenchy, Dior dhe Maison Margiela, emri i tij lidhet edhe me deklaratat raciste dhe antisemite të bëra në vitin 2011.

Në atë periudhë, stilisti u filmua teksa fyente një çift në një kafene në Paris dhe shqiptonte fraza të rënda, mes tyre edhe deklaratën se “e donte Hitlerin”. Pas publikimit të videos, ai u shkarkua nga Dior dhe u shpall fajtor për fyerje publike të bazuara në origjinë, fe, racë dhe etnitet, duke u gjobitur me 6 mijë euro.

Karriera e Gallianos nisi të rehabilitohej disa vite më vonë. Në vitin 2013, me ndihmën e Anna Wintour, ai iu bashkua përkohësisht studios së stilistit Oscar de la Renta. Një vit më pas u emërua drejtor artistik i Maison Margiela, pozicion që e mbajti deri në vitin 2024. Në mars të këtij viti, ai nënshkroi edhe një bashkëpunim krijues dyvjeçar me Zara.

Galliano ka kërkuar disa herë falje për deklaratat e tij, duke pohuar se në atë periudhë vuante nga varësia ndaj alkoolit dhe drogës. Sipas raportimeve, përpara se të miratonin ekspozitën, Anna Wintour dhe kuratori Andrew Bolton janë konsultuar edhe me përfaqësues të organizatave hebraike.

Wintour e ka mbrojtur vendimin, duke deklaruar se karriera e Gallianos nuk duhet të përcaktohet vetëm nga një moment, edhe pse ai do të duhet të jetojë gjithmonë me pasojat e tij.

Megjithatë, kritikët vënë në dyshim nëse një nderim i tillë është i përshtatshëm, veçanërisht në një periudhë kur antisemitizmi raportohet në rritje në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Galliano do të bëhet vetëm stilisti i tretë ende në jetë që do të ketë një ekspozitë personale në Costume Institute, pas Yves Saint Laurent dhe Rei Kawakubo.

Muzeu Metropolitan i Artit ka sqaruar se ekspozita nuk do të jetë vetëm një celebrim i krijimtarisë së tij. “Horizons” do të përfshijë mbi 200 veshje, skica dhe materiale arkivore, por një seksion i veçantë do t’u kushtohet deklaratave antisemite të vitit 2011 dhe rikthimit të mëvonshëm të stilistit në industrinë e modës.

Përmes kësaj qasjeje, muzeu synon të ngrejë pyetjen se si duhet të vlerësohet suksesi artistik përballë përgjegjësisë morale dhe etike.

Ekspozita “John Galliano: Horizons” do të hapet më 9 maj 2027, një javë pas Met Gala-s, i cili do të mbahet më 3 maj./mxh

  •  

19:46 Rritet fluksi i inteligjencës amerikane në Ukrainë

Ndarja e inteligjencës amerikane me Ukrainën është rikthyer në nivelet e mëparshme, tha për “Politico” senatori Mark Warner, demokrati më i lartë në Komitetin e Zbulimit të Senatit, në komentet e publikuara .

“Nuk dua të hyj në ndonjë specifikë, por është përmirësuar”, tha ai duke shtuar se përdorimi i dronëve dhe raketave me rreze të gjatë nga Ukraina ka mundësuar sulme më të thella brenda Rusisë dhe ka forcuar pozicionin e saj.

Shtëpia e Bardhë pezulloi përkohësisht ndarjen e inteligjencës me Kievin pas një shkëmbimi të nxehtë në Zyrën Ovale midis presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe zyrtarëve të lartë amerikanë në shkurt 2025.

Dy senatorë republikanë raportuan se bashkëpunimi i inteligjencës SHBA-Ukrainë është zgjeruar në një moment kritik. “Me siguri duket kështu”, tha senatori i Teksasit, John Cornyn. “Të gjithë e duan një fitues dhe duket se Ukraina e ka kthyer valën”, tha ai.

Senatori i Virginias, Tim Kaine tha se ai ka vënë re një koordinim më të fortë. “Isha në Ukrainë në prill 2025 dhe isha përsëri atje në korrik 2026. Zbulova më shumë besim në komunikim”, tha ai për “Politico”.

George Barros nga Instituti për Studimin e Luftës tha se inteligjenca amerikane ka qenë vendimtare për sukseset e fundit të Ukrainës. Ai tha se inteligjenca e miratuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump për goditjet në infrastrukturën energjetike ruse i bëri sulmet më efektive dhe pjesë e një strategjie më të gjerë për të presionuar Moskën në negociata./mxh

  •  

19:38 Zelensky: Ukraina drejt ndërtimit të sistemit të saj mbrojtës kundër raketave

Ukraina po përparon në ndërtimin e sistemit të saj të mbrojtjes kundër raketave balistike, deklaroi sot presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa vendi vijon të përballet çdo ditë me sulme ajrore ruse.

“Ne mund të konfirmojmë se prodhuesit tanë të armëve kanë arritur tashmë standardin e kërkuar”, shkroi Zelensky në Telegram pas një takimi me ekspertë të mbrojtjes dhe sigurisë.

“Presim që Ukraina të arrijë rezultatet e dëshiruara gjatë periudhës 2026-2027”, shtoi ai.

Kievi po mbështetet te sistemi i ri FREYJA, i cili synon të jetë një alternativë më ekonomike dhe me performancë të lartë ndaj sistemit amerikan “Patriot”, të furnizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera të NATO-s, pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.

Megjithatë, vendi mbetet ende shumë i ekspozuar ndaj sulmeve, për shkak të mungesës së raketave përgjuese të nevojshme për mbrojtjen ajrore.

Zelensky u ka kërkuar vazhdimisht aleatëve të dorëzojnë nga rezervat e tyre, raketa përgjuese, ndërsa Ukraina po punon për ndërtimin e sistemit të saj të mbrojtjes./mxh

  •  

19:27 Studiuesit kinezë konfirmojnë ekzistencën e një forme të re të materies

Studiuesit kinezë kanë konfirmuar ekzistencën e topit ngjitës, një formë e re e materies e teorizuar prej kohësh.

Zbulimi u bë nga bashkëpunimi ndërkombëtar i udhëhequr nga Kina që qëndron pas eksperimentit të Pekinit Spectrometer III (BESIII) në përplasësin elektron pozitron të Pekinit, sipas Institutit të Fizikës së Energjisë së Lartë nën Akademinë e Shkencave Kineze.

Shkencëtarët zbuluan për herë të parë një grimcë të njohur si X(2370) në vitin 2011. Studimet e mëvonshme, duke përfshirë matjet e përfunduara në 2024, treguan se vetitë e saj përputheshin me ato të parashikuara për një top ngjitës.

Në kërkimin e fundit, ekipi identifikoi mënyra të shumta të reja të zbërthimit dhe konfirmoi karakteristikën kryesore të grimcave “të vetme-shije”, duke siguruar atë që studiuesit thonë se është prova më e fortë ende se X(2370) është kryesisht një top ngjitës.

Modeli standard i fizikës së grimcave parashikon që gluonet, grimcat që lidhin kuarket brenda protoneve dhe neutroneve mund të lidhen me njëri-tjetrin për të formuar topa ngjitëse.

Studiuesit thanë se gjetja përfaqëson provat më të qarta eksperimentale në gati pesë dekada të kërkimeve për topa ngjitëse./mxh

  •  
❌